Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Main stream

Fluks udhëtarësh në Kakavijë, mbi 7700 shtetas kalojnë kufirin në 24 orët e fundit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Pika kufitare e Kakavijës ka shënuar një fluks të shtuar udhëtarësh gjatë 24 orëve të fundit, teksa autoritetet raportojnë për 7761 shtetas që kanë kaluar kufirin.

Nga këta, 4407 persona kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 3342 kanë dalë drejt Greqisë.

Njëkohësisht janë përpunuar edhe 2544 mjete, nga të cilat 1444 në hyrje dhe 1098 në dalje.

Për të përballuar këtë volum të lartë lëvizjeje dhe për të shmangur radhët apo pritjet e gjata, Policia e Kufirit po operon me 6 sportele aktive, 3 për hyrje dhe 3 për dalje. Nga ana tjetër, autoritetet greke po punojnë me 4 sportele, përkatësisht 2 në hyrje dhe 2 në dalje.

Fluksi më i lartë i hyrjeve është regjistruar në orët e para të mëngjesit.

Ndërkohë, situata në pikën tjetër kufitare “Tre Urat” në Përmet, paraqitet e qetë dhe pa probleme.

Gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar 308 shtetas, nga të cilët 169 në hyrje dhe 139 në dalje, si dhe 160 automjete, nga të cilat 84 në hyrje dhe 76 në dalje.

Autoritetet kufitare mbeten në gatishmëri të plotë për të përballuar fluksin në rritje gjatë sezonit turistik, kur pritet që lëvizjet në pikat kufitare të intensifikohen ndjeshëm.

/r.e/

The post Fluks udhëtarësh në Kakavijë, mbi 7700 shtetas kalojnë kufirin në 24 orët e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në vend, 32 vatra në 24 orët e fundit, ndërhyrje nga ajri në Parkun e Llogorasë

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Situata e zjarreve në vend vijon të jetë shqetësuese, me një numër të lartë vatrash të përhapura në disa zona.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.

Disa prej tyre ndodhen në zona të mbrojtura dhe me terrene të vështira, ku përhapja e flakëve po rrezikon pyje dhe sipërfaqe të mëdha me bimësi.

Zjarret janë regjistruar në bashkitë Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.

Ndër vatrat ende aktive, në Dibër e Lurës, në zonën e “Liqenit të Luleve”, janë dy vatra, një në “Fusha e Pelave” dhe një tjetër mbi fshatin Gurë-Lurë që ndodhet nën monitorim.

Në Bulqizë, në njësinë Zerqan, një vatër është aktive në zonën e fshatit Krajkë, ku ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit.

Në Mat, në zonën e Zall Gjoçajt, Përroi i Zi, flakët janë përhapur në një zonë të mbrojtur me pisha dhe ah, ndërsa ndërhyrja është e kufizuar për shkak të relievit të thepisur.

Në fshatin Dovolan të Maqellarës, zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonave përreth Drinit të Zi.

Në Mallakastër, në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga zona e Drenovës vijon të jetë aktiv.

Në Vlorë, në “Qafën e Shën Gjergjit” mbi Dukat, është riaktivizuar një vatër në majen e Paliskës, ku janë angazhuar forca vendore, Forcat e Armatosura dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri, pasi flakët po rrezikojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Në Tepelenë, në zonën pranë Beçishtit, afër antenave celulare, zjarri është nën monitorim.

Në Kurbin, në Shkopet të Milotit, pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur ende izolimi i plotë i flakëve, ndërsa janë djegur rreth 65 hektarë pyje.

Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq të Librazhdit, një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një pyll me gështenja.

Në total është djegur një sipërfaqe prej mbi 90 hektarësh, kryesisht me shkurre dhe bimësi të ndryshme.

Për shuarjen e vatrave janë angazhuar 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale.

Vetëm gjatë ditës së sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë nga afër situatën dhe bëjnë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët në këtë periudhë me temperatura të larta dhe rrezik të lartë zjarresh.

/r.e/

The post Zjarret në vend, 32 vatra në 24 orët e fundit, ndërhyrje nga ajri në Parkun e Llogorasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Saranda, destinacioni i preferuar i fundjavës, Rama ndan pamje nga plazhet plot me turistë


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga plazhet e Sarandës, ku fundjava ka sjellë një tjetër fluks të lartë vizitorësh, vendas dhe të huaj.

Saranda vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të sezonit veror, falë ujërave të kristalta, shërbimeve turistike në rritje dhe mikpritjes që e karakterizon prej vitesh.

Fluksi i turistëve në qytetin jugor dëshmon jo vetëm për popullaritetin në rritje të Rivierës shqiptare, por edhe për ndikimin pozitiv që turizmi po sjell në ekonominë vendase.

Vitet e fundit Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në mediet ndërkombëtare për sa i përket klasifikimit të vendit si një nga destinacionet turistike të preferuara për turistët huaj, ku spikatin qytetet si Ksamili, Saranda dhe Vlora.

/r.e/

The post Saranda, destinacioni i preferuar i fundjavës, Rama ndan pamje nga plazhet plot me turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rruga “Zall” në Kërrabë drejt transformimit, Denaj: Nxitje bujqësisë dhe turizmit


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në zonën e Skuterit, Kërrabë, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Zall”, një aks kyç që lidh lagjen me rrugën kryesore dhe me një nga atraksionet më të veçanta natyrore të zonës, Syrin e Ciklopit.

Projekti i ri infrastrukturor synon përmirësimin e aksesit dhe sigurisë për banorët dhe vizitorët, përmes ndërtimit të rrugës me standarde të plota, përfshirë ndriçimin dhe vendosjen e bordurave.

Punimet për ndërtimin e rrugës pritet të përfundojnë brenda dy muajve e gjysmë, ndërsa është realizuar tashmë edhe sistemi i menaxhimit të ujërave të përroit, një element thelbësor për qëndrueshmërinë e investimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi se ky është më shumë se një projekt infrastrukture.

“Rruga është hapi i parë drejt një transformimi të plotë të zonës, nga një ish-minierë, në një destinacion të qëndrueshëm me potencial të madh për agroturizëm dhe zhvillim bujqësor”, u shpreh Denaj.

Ajo theksoi se për të gjithë banorët, është i nevojshëm një plan i integruar zhvillimi, ku të gërshetohen bujqësia, turizmi dhe iniciativat lokale, duke krijuar një ekonomi funksionale dhe të qëndrueshme për zonën.

“Banorët duhet të jenë pjesë aktive e këtij transformimi, për të krijuar rentabilitet ekonomik dhe për të rritur cilësinë e jetës së tyre”, shtoi ministrja.

Ky projekt pritet të jetë një model i zhvillimit rural të orientuar drejt qëndrueshmërisë dhe vlerësimit të potencialeve natyrore dhe kulturore të zonave periferike.

/a.gj//r.e/

The post Rruga “Zall” në Kërrabë drejt transformimit, Denaj: Nxitje bujqësisë dhe turizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Shahut, Manastirliu: Po rikthehet vëmendja, një traditë e bukur për nxënësit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në Ditën Botërore të Shahut, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vlerësoi rolin në rritje që ky sport po luan në jetën shkollore të fëmijëve dhe të rinjve.

Manastirliu u shpreh se sporti i shahut po kthehet në një traditë të bukur për nxënësit në shkolla, duke u bërë një mjet i rëndësishëm edukimi dhe zhvillimi personal.

“Zgjerimi i ekipeve sportive në shkolla në disiplina të ndryshme, përfshirë edhe shahun, po krijon më shumë mundësi për nxënësit që të angazhohen, të rriten dhe të zhvillojnë aftësi të vlefshme për jetën”, tha ministrja.

Nisma për integrimin e sporteve të ndryshme në sistemin arsimor është pjesë e reformës më të gjerë që synon edukimin e fëmijëve përmes aktivitetit fizik dhe zhvillimit të mendimit logjik e kritik.

Shahut, si një sport që nxit përqendrimin, durimin dhe strategjinë, po i jepet vëmendje e veçantë në këtë kontekst.

/r.e/

The post Dita Botërore e Shahut, Manastirliu: Po rikthehet vëmendja, një traditë e bukur për nxënësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kelmendi, thesari magjik i Malësisë së Madhe, Rama ndan pamje


TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Në çdo cep të Malësisë së Madhe gjenden gjurmë të një historie të thellë, natyrë e paprekur dhe mikpritje që të mbetet në mendje. Në zemër të kësaj zone ndodhet Kelmendi, një destinacion që nuk njeh kufij sezonalë dhe që dita-ditës po shndërrohet në një pikë referimi për turizmin malor në Shqipëri.

I rrethuar nga fshatra me arkitekturë alpine dhe histori shekullore, Kelmendi të fton në një udhëtim të paharruar, ku çdo vizitë është një përjetim unik. Ushqimet tradicionale, mikpritja e ngrohtë e banorëve, peizazhet e egra dhe të paprekura, e kanë kthyer këtë zonë në një perlë turistike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kelmendi, duke e cilësuar atë vend si “magjik”.

Zona ofron një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm të shumëllojshëm. Ecje në shtigje të pashkelura, eksplorim i shpellave të lashta, lundrim me kajak në lumin e kthjellët të Cemit, apo kalërim përmes peizazheve të egra, të gjitha janë përvoja që të lidhin me natyrën.

Një nga pasuritë më të veçanta të Malësisë së Madhe janë shpellat, që jo vetëm mahnitin me format e tyre natyrore, por edhe zbulojnë të dhëna të rëndësishme për jetën e hershme njerëzore. Shpellat më të njohura ndodhen në Kelmend, Shkrel, Kastrat dhe Gruemirë, dhe janë një thesar për eksploruesit dhe studiuesit.

Qoftë verë apo dimër, Kelmendi mbetet një destinacion për këdo që kërkon turizmin malor, larg zhurmës, pranë natyrës, historisë dhe shpirtit të saj malësor.

/r.e/

The post Kelmendi, thesari magjik i Malësisë së Madhe, Rama ndan pamje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks lëvizjeje në Portin e Durrësit, Dogana shërbim me kapacitete të plota

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Porti i Durrësit është kthyer në një nga nyjet më të rëndësishme të lëvizjes së verës, duke pritur mijëra qytetarë që mbërrijnë çdo ditë përmes linjave të trageteve që lidhin Shqipërinë me brigjet e Italisë.

Këtë fundjavë, pesë tragete kanë përshkuar Adriatikun, duke sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të udhëtarëve.

Përballë këtij intensiteti lëvizjeje, strukturat portuale po funksionojnë me kapacitet të plotë për të garantuar një proces të shpejtë dhe efikas.

Administrata Doganore në Portin e Durrësit thotë se është e angazhuar maksimalisht për të ofruar shërbime të standardit të lartë, mikpritje dhe profesionalizëm ndaj çdo pasagjeri që zbarkon në vendin tonë.

Prej më shumë se një jave, linjat Durrës–Bari dhe Bari–Durrës po operojnë me dy lundrime në ditë për të përballuar kërkesën e lartë të sezonit turistik, ndërsa linja Durrës–Ankona vijon të ofrohet me frekuencë ditore që nga fillimi i muajit korrik.

Porti i Durrësit mbetet porta kryesore hyrëse e vendit dhe një nga arteriet më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në përgjithësi gjatë sezonit veror.

/a.gj/r.e/

The post Fluks lëvizjeje në Portin e Durrësit, Dogana shërbim me kapacitete të plota appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një interviste sot në media, shprehu besim të plotë në suksesin e “Paketës së Maleve”, duke e cilësuar atë si një nga nismat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonave të thella malore.

Sipas Denaj, kjo paketë nuk kufizohet vetëm në lehtësimin e dokumentacionit të pronësisë, por përfaqëson një hap strategjik për rigjallërimin e ekonomisë rurale nëpërmjet nisjes së 500 bizneseve të para që do të përfitojnë përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

“Jam shumë shpresëplotë tek ‘Paketa e Maleve’. Nuk është thjesht për dokumentin e pronësisë, ai është vetëm hapi i parë. Nëse kjo shoqërohet me 500 biznese me zero taksa për 10 vite, dhe këto biznese janë në përputhje me madhësinë reale të fermave në Shqipëri, atëherë ne mund të rrisim reputacionin, vlerën dhe punësimin në zonat malore”, u shpreh Denaj.

Ministrja theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian është shtylla kryesore e mandatit qeverisës, ndërsa përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe një administratë të përgatitur.

“Bujqësia është pjesë e rëndësishme e negociatave me BE-në. Meraku ynë më i madh është përmbushja në kohë e të gjitha ligjeve të kërkuara nga ky proces”, deklaroi ajo.

Një ndër pengesat më të mëdha, sipas Denajt, është mungesa e burimeve njerëzore të specializuara, për shkak edhe të largimit në pension të specialistëve me përvojë shumëvjeçare.

Ajo propozon përfshirjen aktive të studentëve të vitit të fundit në praktika profesionale, si një mundësi për të rritur kapacitetet dhe për të siguruar brez të ri profesionistësh.

“Kemi vendosur kuota të qarta, të paktën 100 deri në 150 studentë të viteve të fundit të angazhohen për praktika në ministri, me qëllim punësimin e tyre të mëvonshëm”, theksoi Denaj.

Ministrja theksoi se vetëm me një qasje të kombinuar midis politikave zhvillimore, përkrahjes financiare dhe investimit te kapitali njerëzor, mund të përmbyllen me sukses objektivat e “Paketës së Maleve” dhe të përafrimit me Bashkimin Europian.

/r.e//a.f/

The post Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Të gjithë inspektorët e AKU-së në “filtër”, është ngritur komisioni

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi sot se inspektimet në fushën e sigurisë ushqimore do të pësojnë një ristrukturim të thellë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjin e ri “Për inspektoratin”, i cili ka hyrë në fuqi më 13 maj 2024.

Në një intervistë në medie, ministrja theksoi se kontrollet në subjekte nuk do të kryhen më në mënyrë të papritur apo të njëanshme, por vetëm mbi bazë risku, duke u mbështetur në të dhëna të verifikueshme në sistem.

“Nuk mund të shkojë asnjë inspektor nëse të dhënat në sistem nuk tregojnë rrezik. Kontrolli duhet të bëhet me paralajmërim, me komunikim dhe me dinjitet. Vetëm nëse nuk merren masa, atëherë vendosen gjoba”, tha Denaj.

Ministrja nënvizoi se Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) nuk do të mbyllet menjëherë, por funksionet e saj do të përthithen gradualisht nga Inspektorati Qendror i Ministrisë së Bujqësisë, një strukturë e re që do të integrojë kontrollet për analizat e produktit final në treg, inspektimet veterinare, kontrollin e bimëve dhe sigurinë në sektorin e peshkimit.

“Ne kemi pasur ankesa për sjelljen e inspektorëve dhe jo gjithmonë ka pasur standarde të duhura. Ka ardhur koha për një riorganizim tërësor”, shtoi ajo.

Ministrja Denaj bëri të ditur se është ngritur tashmë një Komision i Posaçëm Vlerësimi, i cili do të analizojë profilin e çdo punonjësi të AKU-së. Komisioni përbëhet nga tre përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë.

“Komisioni do të analizojë formimin, performancën, përvojën dhe do të japë rekomandime konkrete mbi riorganizimin e strukturave ekzistuese në frymën e re të Inspektoratit Qendror. Kjo është një reformë në shërbim të sigurisë ushqimore dhe qytetarëve”, theksoi Denaj.

Ajo konfirmoi se deri në fund të vitit 2024 është detyrim ligjor që të përmbyllet procesi i reformimit të inspektimeve në të gjithë territorin, në linjë me praktikat më të mira evropiane dhe me synimin për të rritur besueshmërinë dhe efektivitetin e kontrolleve në sektorin ushqimor.

/a.f//r.e/

The post Denaj: Të gjithë inspektorët e AKU-së në “filtër”, është ngritur komisioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet thirrja për përzgjedhjen e filmit që do të garojë në “International Feature Film” në Oscars 2026

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) shpalli zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e kandidaturave shqiptare në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 98-të të çmimeve OSCAR, që do të zhvillohet në vitin 2026.

QKK fton të gjitha shtëpitë kinematografike dhe producentët shqiptarë që të dorëzojnë filmat e tyre pranë institucionit, si pjesë e procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesit zyrtar të Shqipërisë për këtë kategori prestigjioze.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 1 gusht 2025, dhe aplikimi duhet të bëhet pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, sipas kritereve dhe dokumentacionit të parashikuar.

/a.f//r.e//a.f/

The post Hapet thirrja për përzgjedhjen e filmit që do të garojë në “International Feature Film” në Oscars 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Zhvillimi i Thethit duhet të vijë nga banorët lokalë, në përputhje me rregullat

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë një interviste në media sot, foli rreth situatës së fundit në zonën e Thethit, ku janë ndërmarrë aksione për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Mazniku theksoi se shumica e ndërtimeve të paligjshme janë ngritur gjatë muajve të fundit, duke nënvizuar se legalizimet dhe faljet e gjobave nuk duhen interpretuar si leje për të ndërtuar në mënyrë të pakontrolluar.

“300 e kusur ndërtesa në Theth janë legalizuar me iniciativën e kryeministrit. Por kjo nuk është arsye që të ndërtohet në çdo hapësirë të mundshme. Premtimi për faljen e gjobave ka qenë i qartë, për një periudhë të caktuar, jo për vazhdimësi të paligjshmërisë”, tha Mazniku.

Ministri bëri të ditur se qeveria po zhvillon një plan specifik për Thethin, që synon ta kthejë atë në një destinacion turistik të standardeve të larta, pjesë e strategjisë më të gjerë të “Paketës së Maleve”, që mbulon të gjitha zonat malore të vendit.

“Synimi ynë nuk duhet të jetë të bëjmë 100 gjëra më shumë në Theth, por të krijojmë 100 Thethe të tjera në zona të ndryshme malore në Shqipëri. Kjo do të ndihmojë në shpërndarjen e turizmit dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Mazniku.

I pyetur nëse ka investitorë të huaj të përfshirë në ndërtimet në Theth, Mazniku u shpreh se nuk ka informacion për këtë dhe theksoi se prioritet i qeverisë është që zhvillimi duhet të vijë nga vetë banorët lokalë, të cilët duhet të përfitojnë drejtpërdrejt.

“Qëllimi ynë është që banorët të jenë përfituesit kryesorë të zhvillimit. Por ky zhvillim duhet të bëhet në përputhje me planet urbanistike, infrastrukturën, rrjetet e ujësjellësit dhe standardet mjedisore”, theksoi ministri.

Mazniku nënvizoi se institucionet do të vijojnë të jenë të kujdesshme për të garantuar që zhvillimi në zonat me vlerë të lartë natyrore të mos shkojë në kurriz të ligjshmërisë dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

/r.e//a.f/

The post Mazniku: Zhvillimi i Thethit duhet të vijë nga banorët lokalë, në përputhje me rregullat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Garancia Sovrane, mundësi financimi për bizneset në bujqësi me norma interesi të ulëta

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një intervistë për mediet sot, analizoi paketën e garancisë sovrane të ofruar nga qeveria shqiptare për sektorin e bujqësisë, duke theksuar se ajo krijon kushte reale për akses të bizneseve të vogla dhe të mesme në financime me norma interesi të favorshme.

“Kemi prezantuar kredinë e butë, një risi për Shqipërinë, e cila mundësohet për herë të parë nga bankat e nivelit të dytë, në një shumë prej 250 milionë eurosh. Kjo i kontribuon drejtpërdrejt rritjes së aksesit në financë për bizneset e vogla dhe të mesme, që prej 15 janarit të këtij viti”, u shpreh ministrja Denaj.

Sipas saj, kredia e butë ofrohet me një normë interesi që varion nga 2% deri në 3,5%, ndjeshëm më e ulët se norma mesatare e tregut të kredive në vend.

“Kjo është një mbështetje reale për ata që nuk kanë pasur mundësi të financohen më parë në kushte të pranueshme”, theksoi ministrja.

Ministrja Denaj vlerësoi gjithashtu përkushtimin e qeverisë në vendosjen e aksesit në financë si një prioritet, sidomos për sektorin e bujqësisë. “Fermerët kanë pasur vështirësi për të marrë financime, por kjo paketë e re ndryshon ndjeshëm situatën dhe i jep hov zhvillimit rural dhe bujqësor të vendit”, deklaroi ajo.

/r.e//a.f/

The post Denaj: Garancia Sovrane, mundësi financimi për bizneset në bujqësi me norma interesi të ulëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla përgëzon Muharrem Salihun për zgjedhjen si president i Confimprese Venezia

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Emërimi i dr. Muharrem Salihut si president i Confimprese Venezia përfaqëson një arritje të rëndësishme për diasporën shqiptare në fushën e sipërmarrjes ndërkombëtare.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, përgëzoi arritjen e tij si dëshmi e kontributit të pazëvendësueshëm të shqiptarëve jashtë vendit.

“Urime sipërmarrësit shqiptar dhe mikut tim të shkëlqyer Muharrem Salihu për zgjedhjen si President i Confimprese Venezia”, u shpreh Balla, teksa vuri në dukje krenarinë që përfaqëson diaspora shqiptare në skenën ndërkombëtare të biznesit.

I diplomuar në Ekonomi dhe Financa në Universitetin e Zugut, në Zvicër, dr. Salihu ka themeluar një grup prej gjashtë kompanish që veprojnë në fushat e prodhimit, shërbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai njihet për vizionin e tij sipërmarrës, që vë në plan të parë zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe krijimin e vendeve të punës.

“Qasja e tij sipërmarrëse vë theksin te rritja e qëndrueshme, inovacioni dhe krijimi i vendeve të reja të punës, duke gjeneruar ndikime pozitive si për ekonominë italiane, ashtu edhe për marrëdhëniet ekonomike euro-ballkanike. Urime, vëlla! Shumë krenar për diasporën tonë,” u shpreh ministri Balla, duke e cilësuar Salihun si një model frymëzues të suksesit shqiptar në botë.

Ky emërim nuk është vetëm një vlerësim personal për Salihun, por edhe një dëshmi e qartë e potencialit që diaspora shqiptare ka për të forcuar marrëdhëniet ekonomike në nivel ndërkombëtar.

/a.f//r.e/

The post Balla përgëzon Muharrem Salihun për zgjedhjen si president i Confimprese Venezia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Italia dhe Ballkani bashkojnë forcat për një platformë të përbashkët turistike


TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Forumi i parë ministror ndërmjet Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua me sukses, duke afirmuar rolin e Shqipërisë si një urë lidhëse mes kulturave, historisë dhe vlerave njerëzore në rajon.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cilësoi këtë forum si shumë të frytshëm, jo vetëm për shkëmbimin e ideve, por edhe për krijimin e një platforme të përbashkët në fushën e turizmit, si një motor ekonomik dhe një shtyllë e emancipimit social.

Nisma e këtij forumi erdhi nga Ministria italiane e Turizmit, si pjesë e një angazhimi të ministres italiane Daniela Santanchè për të krijuar ura më të forta bashkëpunimi me vendet e Ballkanit.

Sipas ministres Kumbaro, rajoni i Ballkanit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të hartës turistike të Mesdheut, ku Shqipëria shfaqet si një portë hyrëse përmes Adriatikut dhe Jonit, dete që ndahen mes Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë e Malit të Zi.

Në forum morën pjesë ministrat e Turizmit të rajonit, të cilët ndanë ide dhe përvoja mbi ofertat turistike të vendeve të tyre.

“Secili vend ka specifikat e veta. Këto nuk janë sfida, por mundësi për t’u zhvilluar”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi gjithashtu se turizmi në Shqipëri është një ndër industritë më të rëndësishme dhe se vendi ynë u promovua si një model suksesi, jo vetëm nga kolegët rajonalë, por edhe nga përfaqësues të botës së biznesit që morën pjesë në pjesën e dytë të forumit.

“Shqipëria dhe Italia nuk ndajnë vetëm miqësi dhe histori të përbashkët politike, por edhe tregje të integruara turistike”, theksoi ministrja Kumbaro, teksa theksoi se bashkëpunimi me Italinë është një shembull i qartë i përpjekjeve për ta pozicionuar rajonin si një destinacion unik mesdhetar.

/a.f//r.e/

The post Italia dhe Ballkani bashkojnë forcat për një platformë të përbashkët turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndërtojmë në Shqipëri muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot gjatë një takimi me aktorët kryesorë të sektorit të teknologjisë, inovacionit dhe ekosistemit të start up-eve në Berat, se po shqyrtohet mundësia për ndërtimin në Shqipëri të muzeut të parë në botë tërësisht me inteligjencë artificiale.

Rama theksoi se zhvillimet në fushën e teknologjisë nuk janë më ide të largëta, por realitete të prekshme që nxisin transformim të thellë social, ekonomik dhe kulturor.

“Me shumë gëzim dhe me shumë përgjegjësi unë do të angazhohem personalisht, së bashku me strukturat përkatëse, për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri, me këtë teknologji të re të propozuar nga një start-up shqiptar, muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale”, u shpreh Kryeministri.

Ai foli për mundësinë e dhënies botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës, një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh, në shtator. Sipas Ramës, nëse ky produkt rezulton i suksesshëm ashtu siç parashikohet, ai ka potencialin të ndryshojë mënyrën sesi funksionon sektori i arkitekturës në mbarë botën.

“Në Tiranë, në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitekteve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht”, vuri në dukje ai.

/a.f/

 

 

 

The post Rama: Ndërtojmë në Shqipëri muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pranvera Kastrati në krye të Sekretariatit të CEFTA-s, Rama: Moment krenarie për të gjithë shqiptarët

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një moment krenarie për të gjithë shqiptarët emërimin e Pranvera Kastratit në postin e drejtoreshës së re të Sekretariatit të CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore).

Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e këtij emërimi, duke nënvizuar se tashmë një përfaqësuese nga Shqipëria do të ketë një rol kyç në drejtimin e një strukture rajonale me rëndësi strategjike për bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Kryeministrit Rama, Kastrati do të punojë në mënyrë efektive me të gjitha palët për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s, si dhe për përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta që synojnë integrimin ekonomik të rajonit dhe përshpejtimin e afrimit me tregun e vetëm të Bashkimit Europian.

“Një moment krenarie për të gjithë, emërimi i shqiptares Pranvera Kastrati, në postin e rëndësishëm të Drejtoreshës së re të Sekretariatit të CEFTA-s. Tashmë një përfaqësuese e Shqipërisë do të punojë në mënyrë efektive me të gjitha palët për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta drejt integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të integrimit me Tregun e Vetëm të BE-së”, u shpreh Rama.

/r.e//a.f/

The post Pranvera Kastrati në krye të Sekretariatit të CEFTA-s, Rama: Moment krenarie për të gjithë shqiptarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komandanti i NATO-s për Transformim në Tiranë, në fokus siguria dhe teknologjia

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim (ACT), admirali Pierre Vandier, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), gjenerallejtnant Arben Kingji.

Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë, gjenerallejtnant Kingji shprehu mirënjohjen për rolin e Komandës së Aleancës për Transformim dhe lidershipin e admirali Vandier në nxitjen e inovacionit dhe përshtatjes së Aleancës me sfidat bashkëkohore të sigurisë. Ai vlerësoi përpjekjet e ACT në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të përballuar fushëbetejat e së ardhmes.

Admiral Vandier informoi gjenerallejtnant Kingji mbi iniciativat aktuale të Komandës së Aleancës për Transformim, të cilat synojnë të adresojnë sfidat në rritje të sigurisë, përmes përdorimit të teknologjisë për zgjidhje efektive dhe operacionale me kosto të ulët.

Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e mësimeve të nxjerra nga lufta në Ukrainë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e integrimit të tyre në stërvitje dhe në sistemin e arsimit ushtarak. Një rol kyç në këtë drejtim luan Qendra e Përbashkët NATO-Ukrainë për Analizë, Trajnim dhe Edukim (JATEC), me seli në Poloni.

Gjatë vizitës së tij në vendin tonë, admirali Pierre Vandier u prit gjithashtu nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Gjenerallejtnant Kingji siguroi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e ACT për zhvillimin e kapaciteteve moderne dhe efikase.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kontribuojnë me personel në Komandën e Aleancës për Transformim, me seli në SHBA, dhe marrin pjesë në grupe pune që synojnë zhvillimin e kapaciteteve përmes teknologjisë dhe qasjeve novatore.

/r.e//a.f/

The post Komandanti i NATO-s për Transformim në Tiranë, në fokus siguria dhe teknologjia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korçë, Pogradec, Përrenjas – Grante deri në 50 mijë euro për bizneset inovatore në mbrojtje të mjedisit

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Bizneset lokale në bashkitë Korçë, Pogradec dhe Përrenjas kanë tashmë një mundësi të re për zhvillim dhe inovacion.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur sot se është hapur një thirrje për aplikime që ofron grante deri në 50 000 euro për nisma që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovojnë ekonominë qarkulluese.

Programi i mbështetur nga GIZ synon të ndihmojë bizneset që veprojnë në sektorë si turizmi, agropërpunimi, fasoneria, apo edhe në fusha të reja si menaxhimi i mbetjeve dhe zgjidhjet inovative për qytete më të pastra. Iniciativa u drejtohet sipërmarrësve që kanë ide me potencial për të gjeneruar ndikim pozitiv mjedisor dhe ekonomik në nivel vendor.

Thirrja për aplikime është e hapur deri më 15 gusht 2025, ndërsa për të informuar më mirë të interesuarit, më 17 korrik u organizuan dy seanca informuese në qytetet e Korçës dhe Pogradecit. Këto takime u zhvilluan në kuadër të programit “Zero City Lab”, një nismë që synon të ndërtojë qytete më të gjelbra dhe më të qëndrueshme përmes bashkëpunimit me komunitetin dhe sektorin privat.

/a.f//r.e/

The post Korçë, Pogradec, Përrenjas – Grante deri në 50 mijë euro për bizneset inovatore në mbrojtje të mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetë vatra zjarri aktive, në terren helikopterë dhe mbi 290 efektivë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Deri në orët e pasdites të ditës së sotme janë raportuar gjithsej 18 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 10 janë shuar plotësisht, ndërsa 8 vazhdojnë të jenë aktive.

Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC.

Falë punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren është bërë e mundur izolimi dhe shuarja e disa prej vatrave të rrezikshme.

Në fshatin Poshnjë, njësia administrative Poshnjë, bashkia Dimal, zjarri që rrezikonte banesat dhe repartin ushtarak është vendosur plotësisht nën kontroll. Aktualisht, zona po kontrollohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Janë shuar gjithashtu vatrat në fshatin Kotë, njësia administrative Kotë, bashkia Selenicë; në fshatin Vrion, njësia administrative Finiq, bashkia Finiq; në zonën e quajtur “Qafa e Laçit”, bashkia Vau-Dejës; në fshatin Mengël, njësia administrative Labinot-Fushë, bashkia Elbasan; në zonën e Liqenit të Thatë, njësia administrative Farkë, bashkia Tiranë; në rrugën “Haki Stërmilli”, njësia administrative Nr. 6, bashkia Tiranë; në lagjen Nr. 5, njësia administrative Kavajë, bashkia Kavajë; në fshatin Zagorë, njësia administrative Shkrel, bashkia Shkodër; dhe në fshatin Radanj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë.

Aktualisht, mbeten aktive tetë vatra në disa qarqe të vendit. Në qarkun Dibër, zjarri në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, brenda Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon të përhapet në një sipërfaqe me pisha dhe livadhe, ku deri më tani janë djegur rreth 200 hektarë. Në operacion janë angazhuar 30 forca operacionale dhe 30 ushtarë të Forcave të Armatosura.

Po në këtë qark, në malin e Peladhisë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, dy vatra zjarri mbeten aktive, duke u zhvilluar në drejtim të fshatrave Vlashaj dhe Krajkë, me pjesëmarrjen e rreth 35 forcave në terren.

Në qarkun Fier, një vatër e përhapur në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, është përhapur drejt fshatit Gorishovë në njësinë administrative Cakran, bashkia Fier. Terreni i thepisur dhe era e fortë kanë vështirësuar ndërhyrjet. Në operacion janë angazhuar 36 forca të MZSH Mallakastër, 40 trupa të FA, dy helikopterë dhe katër automjete zjarrfikëse.

Në qarkun Vlorë, një vatër zjarri është raportuar në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë, në një zonë me pyje. Në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse të bashkisë me dy mjete dhe gjashtë efektivë.

Në qarkun Gjirokastër, një tjetër vatër aktive është në fshatin Kosinë, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet, në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në vendngjarje ndodhen dy mjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë të shërbimit zjarrfikës vendor.

Në qarkun Elbasan janë aktive tri vatra: në fshatin Gjevur, njësia administrative Përparim, bashkia Peqin; në fshatin Dufshan, njësia administrative Sult, bashkia Gramsh; dhe në njësinë administrative Hotolisht, bashkia Librazhd. Të gjitha këto përfshijnë sipërfaqe pyjore dhe po përballohen nga forcat zjarrfikëse vendore me mjete dhe efektivë të angazhuar në shuarjen e flakëve.

Në të gjitha operacionet janë përfshirë gjithsej 291 forca operacionale dhe 29 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kontribuojnë me dy helikopterë, 120 trupa dhe katër automjete zjarrfikëse, duke përforcuar kapacitetin e reagimit ndaj situatës së zjarreve që ka prekur disa qarqe të vendit.

Operacionet do të vijojnë sipas nevojës dhe situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

/r.e//a.f/

The post Tetë vatra zjarri aktive, në terren helikopterë dhe mbi 290 efektivë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu pret komandantin e NATO-s: Të vendosur për modernizimin e FA

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti sot në një takim zyrtar komandantin e Komandës Supreme të NATO-s për Transformimin, admiralin Pierre Vandier.

Gjatë bashkëbisedimit, u vu në dukje angazhimi i palëkundur i Shqipërisë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, nëpërmjet investimeve të qëndrueshme në industri dhe inovacion.

“Përballë sfidave aktuale të sigurisë, jemi të vendosur të përshtatim mënyrën se si planifikojmë, stërvitemi dhe operojmë, në bashkëveprim të ngushtë me Aleancën”, deklaroi ministri Vengu.

Ai theksoi se kjo është një përgjegjësi historike për të garantuar siguri efektive në një mjedis gjithnjë e më kompleks.

“Mësimet e nxjerra nga sfidat aktuale të sigurisë na vendosin përpara një përgjegjësie historike për të përshtatur mënyrën se si Forcat e Armatosura planifikojnë, stërviten dhe operojnë në bashkëveprim me Aleancën”, theksoi ministri.

Ministri Vengu nënvizoi gjithashtu rritjen e bashkëpunimit rajonal me vendet aleate në hapësirën adriatiko-joniane dhe rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.

Investimet në teknologji të avancuar, inteligjencë artificiale dhe mbrojtje kibernetike, sipas ministrit, përbëjnë baza të forta për të garantuar një reagim të shpejtë dhe të suksesshëm, si në operacionet ushtarake, ashtu edhe në misionet civile me rëndësi kritike.

1 nga 5

/r.e//a.f/

The post Vengu pret komandantin e NATO-s: Të vendosur për modernizimin e FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌