UKRAINË – Zelensky: Rusia tani duket më e prirur drejt një armëpushimi
KIEV, 6 gusht /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se Rusia dukej “më e prirur” për një armëpushim, por paralajmëroi se detajet e çdo marrëveshjeje të mundshme janë thelbësore dhe as Ukraina dhe as SHBA-ja nuk duhet të mashtrohen nga Moska, sipas “Reuters”.
Deklarata erdhi pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump raportoi se takimi i të dërguarit të tij të posaçëm Steve Witkoff me udhëheqësin rus Vladimir Putin sot në Moskë kishte patur “progres të madh”, megjithëse Trump nuk dha detaje specifike rreth diskutimeve.
Pas takimit të Witkoff me Putinin, Zelensky mori pjesë në një telefonatë me presidentin Trump ku ishin të pranishëm dhe aleatë evropianë.
“Ukraina do ta mbrojë patjetër pavarësinë e saj. Ne të gjithë kemi nevojë për një paqe të qëndrueshme dhe të besueshme. Rusia duhet t’i japë fund luftës që ajo vetë e filloi”, shkroi Zelenskiy në X.
Së fundmi, Trump ka shprehur pakënaqësi ndaj Putinit dhe ka vendosur një afat deri të premten që Rusia të bëjë paqe me Ukrainën, përndryshe do të përballet me sanksione më të ashpra. Ndërsa Trump e cilësoi vizitën e Witkoff si shumë produktive, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se sanksionet dytësore ndaj vendeve që bëjnë biznes me Rusinë pritet të hyjnë të premten në fuqi.
“Presioni ndaj (Rusisë) funksionon. Por gjëja më e rëndësishme është që të mos na mashtrojnë në detaje, as ne, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi Zelensky. /Ad.Ab./
The post UKRAINË – Zelensky: Rusia tani duket më e prirur drejt një armëpushimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.