Tayna ka sjellë për fansat një tjetër projekt muzikor, këtë herë një bashkëpunim ndërkombëtar me emra të njohur të skenës: Summer Cem, Geenaro dhe Ghana Beats.
Kënga e re, e publikuar këtë të diel, titullohet “Late Night” dhe vjen me një ritëm energjik, tipik për stilin modern që përfaqësojnë artistët pjesëmarrës.
Teksti i këngës është shkruar nga vetë Tayna dhe reperi gjerman Summer Cem, ndërsa për producimin muzikor janë kujdesur Geenaro, Ghana Beats dhe Tigran.
Foto: Screenshot/YouTube
Videoklipi, i cili shoqëron projektin, është realizuar nga produksioni i njohur Entermedia, duke sjellë pamje dinamike dhe atmosferë urbane që përputhen me energjinë e këngës.
Ky nuk është i vetmi projekt i Taynës këtë verë.
Foto: Screenshot/YouTube
Artistja nga Prizreni ka qenë mjaft aktive në tregun muzikor, duke publikuar disa këngë të tjera që janë pritur mirë nga publiku dhe kanë mbledhur miliona klikime në YouTube e platformat e tjera muzikore.
“Late Night” shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të Taynës, e cila vazhdon të konsolidojë pozicionin e saj si një nga artistet më të suksesshme shqiptare në tregun evropian të muzikës. /Telegrafi/
Kapiteni i klubit të njohur belg Club Brugge, Hans Vanaken, është pyetur për situatën e Ardon Jasharit.
Mesfushori shqiptar tash e sa kohë po përflitet për një kalim të mundshëm tek Milani, por dy klubet nuk po arrijnë të gjejnë një akord mes vete për transferimin e tij në ‘San Siro’.
Ndonëse Jashari tashmë është dakordësuar sa i përket kushteve personale me klubin kuqezi, Igli Tare nuk po arrin të dalë nga ngërçi sa i përket negociatave me drejtuesit e klubit belg.
Kjo situatë nuk kaloi pa u komentuar as nga kapiteni Vanaken, i cili është deklaruar se e kupton shumë mirë situatën në të cilën gjendet Jashari.
Hans Vanaken, capitano del Club Bruges in esclusiva: “Jashari torna in gruppo lunedi? Lo accoglieremo a braccia aperte. Lo capisco, anch’io se fossi giovane al suo posto vorrei andare al #ACMilan… ”
Leggi l’integrale stasera #USGUCL#ClubBrugge#Calciomercatopic.twitter.com/33oUUqeS7p
Ai ka folur shkurtimisht për këtë çështje, duke thënë se edhe ai po të ishte në moshën e Jasharit do të dëshironte transferimin tek Milani.
“A do të rikthehet Jashari në stërvitje të hënën? Ne do ta presim me krahë hapur. E kuptoj atë. Edhe unë nëse do të isha i ri dhe në pozitën e tij, edhe unë do të doja të shkoja tek Milani”, ka thënë Vanaken.
Situata e Jasharit ështën një për t’u përcjellur me kujdes deri në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, teksa ka ende shpresa se një marrëveshje mes klubeve mund të arrihet shumë shpejt./Telegrafi/
Një aksident dramatik tronditi një zonë të qetë banimi në Bohmte të Gjermanisë të shtunën në mbrëmje.
Një makinë përshkoi me shpejtësi të lartë një oborr, kaloi një kopsht – dhe goditi një fëmijë 7-vjeçar që po luante në një trampolinë.
Makina me sa duket u nis, fluturoi në ajër – dhe u përplas në murin e jashtëm të një hambari ngjitur në lartësinë e katit të parë.
Atje, automjeti mbeti i bllokuar në anë, transmeton Telegrafi.
Djali i vogël u lëndua rëndë, ndoshta në rrezik për jetën, sipas policisë në përgjigje të një hetimi të Bild.
Një banor raportoi se nëna e shtatëvjeçarit bërtiti pas incidentit.
Zjarrfikësit, shërbimet e emergjencës dhe një helikopter shpëtimi reaguan menjëherë. Një vinç i zjarrfikësve u nevojit gjithashtu për shpëtim teknik.
Gjithsej gjashtë persona pësuan lëndime. Sipas raportimeve, në makinë ndodheshin pesë persona, përfshirë tre fëmijë të moshës 11, 12 dhe 13 vjeç. Të gjithë pasagjerët pësuan lëndime të lehta, ndërsa pasagjerja 43-vjeçare u lëndua rëndë.
Ende nuk është e qartë se si ndodhi aksidenti i tmerrshëm. Megjithatë, është përjashtuar mundësia që alkooli të ketë luajtur ndonjë rol. /Telegrafi/
Varias personas resultaron heridas después de que un automóvil se estrellara contra el techo de un granero en la ciudad alemana de Bohmte.
El auto primero chocó con un arbusto, luego golpeó a un niño que estaba en un trampolín y finalmente se estrelló contra el techo de un… pic.twitter.com/QnenaXmGTT
Ministri i Jashtëm i Iranit ka thënë se Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po kërkojnë të caktojnë një datë për një takim për bisedime bërthamore, në atë që mund të jetë një hap drejt përfundimit të bllokimit të zgjatur mbi programin bërthamor të Iranit dhe shqetësimet perëndimore.
Irani ka rënë dakord të takohet me tre vende të mëdha evropiane – Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar – për të zhvilluar bisedime të rinovuara mbi programin bërthamor të vendit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha: “Po punojmë për të caktuar një datë për takimin me evropianët”, transmeton Telegrafi.
Ai vazhdoi të theksonte se qasja e Teheranit ndaj bisedimeve bërthamore është “më e fortë se më parë”.
Media lokale raportoi se ai kishte folur me shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe homologët e tij në Britani, Francë dhe Gjermani të premten.
Sipas të njëjtës media, u arrit një marrëveshje mbi formatin e negociatave, që pritet të zhvillohet në nivelin e zëvendësministrave të jashtëm.
Nëse konfirmohet, diskutimet mund të hapin derën për një angazhim më të gjerë midis Teheranit dhe Perëndimit, pas luftës së fundit 12-ditore me Izraelin që pa sulme masive si nga Izraeli ashtu edhe nga SHBA-të në objektet kryesore bërthamore iraniane.
Pas sulmeve, Irani pezulloi bashkëpunimin me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, gjë që çoi në largimin e inspektorëve.
Mundësia e fundit për bisedime vjen mes raportimeve se fuqitë evropiane kërcënuan të rivendosin sanksionet e lehtësuara në një marrëveshje të vitit 2015, për të kufizuar prodhimin bërthamor të Iranit duke përdorur një të ashtuquajtur mekanizëm “kthimi në kohë”, nëse Irani nuk do të rifillonte bisedimet.
Më parë këtë muaj, Araghchi tha se vendi i tij do të pranonte një rifillim të bisedimeve bërthamore me SHBA-në nëse do të kishte garanci se nuk do të ketë më sulme kundër saj, raportuan mediat shtetërore.
Araghchi tha në një fjalim para diplomatëve të huaj me qendër në Teheran se Irani ka qenë gjithmonë i gatshëm dhe do të jetë i gatshëm në të ardhmen për bisedime rreth programit të tij bërthamor, por “duhet të jepet garanci se në rast të rifillimit të bisedimeve, kjo tendencë nuk do të çojë në luftë”.
Ai riafirmoi qëndrimin e Iranit se pasurimi i uraniumit duhet të vazhdojë në territorin iranian, diçka që presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka pohuar si të pamundur.
Izraeli pretendon se sulmet e tij ndaj Iranit muajin e kaluar ndodhën sepse një bombë bërthamore ishte brenda mundësive të Teheranit.
Agjencitë e inteligjencës amerikane dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike kishin vlerësuar se Irani kishte një program të organizuar të armëve bërthamore për herë të fundit në vitin 2003, megjithëse Teherani kishte pasuruar uranium deri në 60% – një hap i shkurtër teknik larg niveleve të armëve prej 90%.
Pavarësisht polemikave që shoqëruan sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Teheranit dhe dyshimeve mbi ndikimin e tyre, presidenti iranian Masoud Pezeshkian më 7 korrik tha se sulmet amerikane kishin shkaktuar dëme kaq të rënda në objektet bërthamore të vendit të tij, sa autoritetet iraniane ende nuk ishin në gjendje t’i vizitonin ato për të vlerësuar dëmin. /Telegrafi/
Gjatë një koncerti të fundit në Camp Randall Stadium në Madison, Wisconsin, Chris Martin, frontmeni i grupit të njohur “Coldplay”, bëri një paralajmërim të pazakontë dhe me humor për publikun.
“Do t’ju nxjerrim në ekranin e madh, kamerat tona janë gati! Nëse s’jeni rregulluar ende, tani është koha”, tha Chris.
Kjo deklaratë, që në pamje të parë duket si një batutë e zakonshme koncertesh, u interpretua si një referencë direkte ndaj një incidenti të ndodhur vetëm tre ditë më parë në Foxborough, Massachusetts.
Gjatë një tjetër performance të “Coldplay”, kamerat e “Kiss Cam”-it zbuluan pa dashje një moment shumë të afërt mes një burri dhe një gruaje, që më vonë, sipas zërave në rrjet, rezultuan të ishin drejtues të një kompanie të quajtur Astronomer, përkatësisht CEO-ja dhe shefja e burimeve njerëzore, të përfshirë në një lidhje të fshehtë.
Andy Byron
Skandali që u bë viral
Në momentin që çifti u pa në ekran, gruaja mbuloi menjëherë fytyrën, ndërsa burri u përkul që të mos shihej dhe më pas u zhduk nga pamja.
Gruaja gjithashtu u largua me shpejtësi nga vendi. Videoja u bë virale në rrjete sociale, duke ndezur një mori spekulimesh dhe komentesh për identitetin dhe marrëdhënien e tyre.
Pas këtij momenti të sikletshëm, në koncertin tjetër, Martin vendosi të paralajmërojë me humor publikun që të ishte i kujdesshëm: “Nëse jeni me dashnoren/dashnorin, fshihuni tani”, ishte një nga komentet më të shpërndara në rrjet, të cilat pasuan deklaratën e Martin.
Pavarësisht situatës delikate, publiku duket se e ka marrë me sportivitet, ndërsa “Coldplay”, pa e pasur aspak në plan, është bërë shkak i një prej videove më të komentuara të këtij sezoni koncertesh. /Telegrafi/
Denzel Dumfries është lidhur me një transferim te Barcelona gjatë ditëve të fundit, por klubi ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për mbrojtësin e Interit.
Sipas një përditësimi të dhënë nga Adria Fernandez në SPORT, skuadra katalanase e pëlqen profilin e Dumfries dhe e sheh atë si përshtatje ideale për skuadrën.
Megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare dhe problemeve me rregullat e ‘Fair-play’ financiar dhe regjistrimin e lojtarëve, Barcelona nuk mund ta përfshijë këtë transferim si prioritet për momentin.
Duhet kujtuar se emri i mbrojtësit holandez është përmendur në takimin e fundit mes drejtuesve sportivë të Barcelonës dhe Jorge Mendes, i cili vepron si agjent i lojtarit.
Mendes i ka ofruar Barcelonës shërbimet e Dumfries si një zgjidhje e mundshme për pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Klauzola e lirimit prej 25 milionë eurosh e bën atë një mundësi tërheqëse, sidomos për një lojtar me cilësitë dhe përvojën e tij.
Megjithatë, kjo klauzolë skadon në fund të muajit korrik, çka do të thotë se Barcelona duhet të veprojë shpejt nëse dëshiron ta sigurojë transferimin e tij.
Për momentin, Barcelona ka vendosur të përqendrohet në përforcimin e repartit ofensiv, sidomos pas nënshkrimit me Marcus Rashford.
Edhe pse Dumfries, që shënoi 11 gola dhe dha 6 asistime sezonin e kaluar, konsiderohet si një mundësi e shkëlqyer në treg, prioritetet aktuale të klubit janë të orientuara në fusha të tjera.
Pozicioni i mbrojtësit të djathtë ende nuk është adresuar për shkak të kufizimeve buxhetore dhe vështirësive për regjistrimin e lojtarëve të rinj sipas rregullave financiare të La Ligas./Telegrafi/
Kjo u pasua nga kritika të shumta nga ata që besonin se kalonte kufirin e shijes së mirë.
Foto: Screenshot/TikTok
“Fatkeqësisht, kjo nuk më habit aspak nga ajo. E neveritshme”, “Jashtëzakonisht e dëshpëruese. Po kopjon Madonnan”, “Nëse do të mund të këndonte, nuk do të duhej të sillej kështu” – janë disa nga kritikat që ajo mori në rrjetet sociale.
Në një intervistë që dha për El Pais në maj, Lopez theksoi se po kalonte një periudhë të vështirë në jetën e saj pas divorcit, por se ishte bërë më e fortë.
Foto: Screenshot/TikTok
“Jam krenare për veten për këtë dhe jam krenare që kam qenë në gjendje t’i udhëheq fëmijët e mi nëpër kohë të vështira dhe që ata dolën prej tyre më të fortë dhe më të mirë”, shtoi ajo.
Së fundmi performoi këngën e re të quajtur “Wreckage of You”, në të cilën foli për martesën e dështuar me Affleck. /Telegrafi/
Në një botë gjithnjë e më të lidhur, ku teknologjia dhe bankat digjitale dominojnë tregun financiar, ekziston ende një sistem tradicional e i fuqishëm që funksionon përtej bankave dhe pa nevojën e ndonjë dokumentacioni zyrtar: Hawala.
Ky sistem, i përdorur prej shekujsh në vendet e Lindjes së Mesme, Azisë Jugore, Afrikës së Veriut dhe më gjerë, është një formë informale e transferimit të parave, që mbështetet në besimin personal, jo në institucionet financiare.
Çfarë është Hawala?
Hawala është një sistem alternativ për transferimin e parave, ku nuk ka lëvizje fizike të parave dhe as ndonjë regjistrim zyrtar të transaksionit. Në vend të kësaj, paratë kalojnë përmes një rrjeti agjentësh të njohur si “hawaladarë”, të cilët merren me dërgimin dhe pranimin e shumave të parave në mënyrë diskrete.
Për shembull, një person në Kanada dëshiron të dërgojë para në Pakistan. Ai i jep shumën një hawaladari në qytetin e tij. Ky hawaladar e njofton një tjetër në Pakistan që t’ia japë shumën marrësit. Marrësi i parave i tërheq ato menjëherë, ndërsa hawaladarët rregullojnë borxhet mes tyre më vonë, shpesh përmes tregtisë ose shkëmbimeve të tjera financiare.
Pse përdoret?
Hawala ka disa përparësi që e bëjnë tërheqës për shumë njerëz:
Shpejtësi – Transaksionet bëhen pothuajse në kohë reale.
Tarifa të ulëta – Shpesh më të lira se bankat tradicionale ose shërbimet si Western Union.
Diskrecion – Nuk kërkohet ID ose dokumente zyrtare.
Qasje për të gjithë – I përshtatshëm për komunitetet që nuk kanë akses në sistemet bankare moderne.
Për këto arsye, hawala është mjaft popullor në zonat rurale, mes emigrantëve dhe në rastet ku njerëzit nuk i besojnë bankave.
Rreziqet dhe kontestet ligjore
Megjithëse vetë koncepti i hawala-s nuk është kriminal, ai shpesh ndodhet në zonë të errët ligjore. Në disa vende, hawala është plotësisht i paligjshëm; në të tjera, ai lejohet vetëm nëse agjentët regjistrohen dhe raportojnë transaksionet.
Për shkak të mungesës së dokumentimit dhe transparencës, hawala është përdorur edhe për pastrim parash, financim të terrorizmit, dhe aktivitetet e paligjshme ndërkombëtare. Kjo ka bërë që shumë autoritete financiare dhe agjenci ndërkombëtare të ndjekin nga afër rrjetet hawala dhe ta lidhin me krimin e organizuar.
Përfundim
Hawala mbetet një fenomen unik në botën financiare moderne – një sistem që mbështetet jo te teknologjia, por te besimi mes njerëzve. Ai është dëshmi e mënyrës sesi strukturat tradicionale arrijnë të mbijetojnë përkrah zhvillimeve globale. Megjithatë, sfida kryesore është balancimi mes përfitimeve të tij praktike dhe rrezikut që paraqet për sigurinë financiare ndërkombëtare. Prandaj, diskutimi rreth hawala-s mbetet aktual dhe kompleks.
Çfarë ndodhi sot?
SPAK ka zbuluar dhe goditur një rrjet kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash, përmes sistemit “Hawala”.
Sipas njoftimit zyrtar nga SPAK, nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.
Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.
Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.
Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qënë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, rregjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.
Forcat speciale të inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR), kryen një pritë të suksesshme kundër luftëtarëve nga njësia “Akhmat” pranë fshatit Velyka Bilozerka në rajonin e Zaporizhzhia.
Duke përparuar më shumë se 30 kilometra thellë në territorin e pushtuar, ushtarët eliminuan tre ushtarë të Gardës Kombëtare Ruse dhe u kthyen në bazë, transmeotn Telegrafi.
“Akhmat” është një njësi luftarake e Gardës Kombëtare Ruse e përbërë kryesisht nga forca sigurie çeçene dhe në varësi të drejtpërdrejtë të kreut të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov.
“Si rezultat i një shpërthimi të automjetit, tre luftëtarë të ‘Akhmat’ u neutralizuan. Gjatë operacionit, u mblodhën gjithashtu informacione mbi logjistikën, pajisjet dhe postet komanduese të armikut”, thuhet në deklaratën e HUR.
Agjencia publikoi gjithashtu një video të operacionit, ku shihen lëvizjet e pjesëtarëve të Akhmatit që më pas neutralizon në shpërthimin e fuqishëm që mund të shihet. /Telegrafi/
Një kompani ka projektuar një zgjidhje që e bën të lehtë heqjen e gërvishtjeve nga fellnet tuaja.
Zhurma bezdisëse e gërvishtjes që dëgjoni kur parkoni makinën tuaj në trotuar është ndoshta arsyeja, pse nuk doni të dilni nga automjeti juaj për një kohë.
Kompania amerikane Unplugged Performance ka prezantuar fellnet e para prej aliazhi që gjithmonë mund të duken si të reja me përpjekje dhe shpenzime minimale. Të paktën kjo është ajo që pretendojnë ata.
Këto fellne janë etiketuar “Road Warrior” dhe janë bërë prej alumini. Një nga karakteristikat më interesante është unaza e jashtme që është projektuar për të thithur ndikimet më të këqija nga trotuaret dhe gropat në rrugë.
Kjo unazë është e zëvendësueshme dhe mund të hiqet dhe zëvendësohet pa pasur nevojë të hiqni asgjë tjetër nga fellnet, transmeton Telegrafi.
Kompania gjithashtu ofron “Road Warrior” me një garanci të përjetshme, kështu që nëse ndonjëherë arrini të gërvishtni ose dëmtoni fellnen, do të merrni një të re.
Gjatë zhvillimit, vëmendje e veçantë iu kushtua aerodinamikës. “Road Warrior” është një nga fellnet më efikase të prodhuara ndonjëherë dhe është pothuajse e barabartë me fellnen e Teslës me rezistencën më të ulët të ajrit.
Dizajni përfshin hapje të shumta që lejojnë rrjedhje efikase të ajrit dhe ftohje shtesë të frenave.
Për momentin, këto fellne janë zhvilluar ekskluzivisht për Tesla Robotaxi, Model Y dhe Model 3.
“Road Warrior” është i pajtueshëm me fellnet e fabrikës Tesla prej 19 ose 20 inç. Çmimi fillestar është rreth 2,220 euro, për një set prej 4 rrotash me diametër 19 inç, ndërsa rrotat 20-she kushtojnë rreth 2,600 euro. /Telegrafi/
Ende nuk ka përgjigje zyrtare nga Bullgaria për ti garantuar Maqedonisë se do t’i njihet identiteti dhe gjuha maqedonase si të veçanta dhe të pakontestueshme, njoftoi zëvendës ministrja për çështje evropiane, Viktoria Trajkova.
Sipas saj, edhe pse janë në pritje, marrëveshja e propozuar nga kryeministri Mickoski për një rezolutë të përbashkët në Parlamentin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë mund të arrihet gjatë vjeshtës, pas pushimeve.
“Ende nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tyre, por sipas meje, ajo që duhet bërë është të ecim përpara në shekullin e 21-të dhe të mos merremi më me tema të tilla. Pres që të mendojnë mirë, sepse mendoj se marrëdhëniet e mira fqinjësore mund të ndërtohen vetëm me takime të arsyeshme, biseda dhe atëherë, jo me deklarata politike ku marketingu politik është në vend të parë.”, u shpreh zëvendës ministrja për çështje evropiane, Viktoria Trajkova.
Ndryshe, kryeministri Mickoski tha se Bullgaria nuk dëshiron futjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë, por sipas tij po bën propagandë për asimilim.
Starlink thuhet se po përgatitet të lansojë gjeneratën e ardhshme të satelitëve vitin e ardhshëm.
Sipas kompanisë, e cila është në pronësi të Elon Musk, secili prej satelitëve të rinj është projektuar për të ofruar më shumë se një terabit kapacitet shkarkimi të të dhënave (> 1,000 Gbps), si dhe mbi 200 Gbps kapacitet ngarkimi të dhënash për përdoruesit në Tokë, transmeton Telegrafi.
“Kjo është më shumë se 10 herë kapaciteti i shkarkimit dhe 24 herë kapaciteti i ngarkimit krahasuar me satelitët e gjeneratës së dytë”, thotë Starlink.
Starlink gjithashtu vëren se shpejtësia dhe vonesa e transferimit të të dhënave janë “përmirësuar rrënjësisht”. /Telegrafi/
Një burrë që pothuajse e vuri dorën sipër një merimange gjigante, ka postuar një fotografi në Reddit duke i sfiduar përdoruesit të shohin nëse do të ishin po aq me fat nëse do ta shmangnin atë.
Përdoruesi kingakatosh e ndau fotografinë në subreddit /FindTheSniper, një komunitet i frymëzuar nga Where’s Waldo ku njerëzit postojnë foto dhe u kërkojnë të tjerëve të gjejnë një gjë të veçantë, transmeton Telegrafi.
Ndërsa shumë veta luftuan në fillim, nuk kaloi shumë kohë para se më shumë përdorues me sy shqiponje e vunë re krijesën e madhe, duke i lënë shumë të tjerë të ndihen plotësisht të tmerruar.
Araknofobët e vetëshpallur ishin më të shpejtë në dallimin e merimangës së frikshme të madhe me ngjyrë kafe, në rrëmujën e gjetheve dhe degëve.
“Shqisat e mia si merimangë (arahnofobia) po më pickonin dhe e gjeta menjëherë atë gjë”, shkroi një person.
“Gjetja e saj më dha një ndjesi zvarritjeje në trurin tim, gjë që nuk më pëlqeu shumë. Faleminderit”, komentoi një i tjetër.
Hidhini një sy fotos dhe shikoni nëse mund ta dalloni brenda 20 sekondave ose më pak.
Merimangat e errëta zakonisht gjenden duke bredhur përreth duke filluar nga maji deri në shtator.
Studimet kanë treguar se merimangat meshkuj vdesin kur çiftëzohen, gjë që çon në kanibalizimin e tyre nga homologët e tyre femra.
Femrat i hedhin qeset e tyre me vezë në qershor dhe i mbajnë ato përreth derisa të jenë gati për t’u çelur.
Merimangat e reja mund të vërehen nga rreth korriku deri në shtator. /Telegrafi/
Rojet kufitare ukrainase kanë kapur një ushtar rus i cili iu afrua pozicioneve ukrainase në frontin e Kurskut.
I burgosuri është një ushtar i Brigadës së 40-të të Marinës së Rusisë, transmeton Telegrafi.
Burri tha se nënshkroi vullnetarisht një kontratë njëvjeçare më pak se një muaj më parë, për të cilën iu premtuan 3 milionë rubla (rreth 38,216 dollarë amerikanë). Megjithatë, ai nuk i mori kurrë paratë.
“Ai u dërgua menjëherë për të sulmuar pozicionet ukrainase, gjë që përfundoi relativisht mirë për të, ndryshe nga pjesa tjetër e pushtuesve të përfshirë në sulm.”
Më parë, rojet kufitare ukrainase treguan një luftëtar të grupit mercenar rus Wagner të zënë rob në frontin e Bakhmutit. /Telegrafi/
Zgjebja (scabies) është një sëmundje ngjitëse e lëkurës, e shkaktuar nga një parazit mikroskopik që jeton dhe shumon brenda shtresave sipërfaqësore të saj. Ajo shfaqet në të gjitha grupmoshat dhe ka përhapje të shpejtë në kushte ku higjiena është e mangët dhe kushtet ekonomike janë të dobëta. Nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, zgjebja mund të marrë një formë të zgjatur dhe kronike
Dr. Erëza Y. Durmishi, PhD Candidate- Mjekësi Klinike
Si përhapet dhe kush rrezikohet nga zgjebja?
Zgjebja transmetohet përmes kontaktit të ngushtë fizik me një person të infektuar, por edhe përmes objekteve të ndotura, si rrobat, peshqirët dhe çarçafët. Rreziku i përhapjes është më i madh në mjedise kolektive si familjet, kopshtet e fëmijëve, shkollat, konviktet, ambientet e përbashkëta të ushtrisë apo institucioneve të kujdesit social.
Çfarë e shkakton zgjebën?
Shkaktari i saj është paraziti Sarcoptes scabiei var. hominis. Femra e këtij paraziti depërton në shtresën e jashtme të lëkurës (epidermë), ku krijon tunelesh mikroskopike dhe vendos 25–50 vezë. Pas vendosjes së vezëve, ajo ngordh. Gjatë një periudhe prej 2 deri në 3 javë, vezët zhvillohen në larva, të cilat arrijnë të rriten dhe të ripërhapin ciklin infektiv.
Cilat janë simptomat dhe shenjat klinike të zgjebes?
Shenja më e zakonshme dhe më shqetësuese është kruarja intensive, veçanërisht gjatë natës. Kjo ndodh si pasojë e reagimit të trupit ndaj lëvizjeve dhe pranisë së parazitëve dhe produkteve që ata lëshojnë në lëkurë.
Dallimet klinike mund të vërehen sipas moshës dhe gjinisë:
• Te meshkujt, shenjat zakonisht shfaqen rreth organeve gjenitale, në bark, rreth kërthizës, në duar dhe në hapësirat mes gishtërinjve.
• Te femrat, zonat më të prekura janë gjoksi, barku, ekstremitetet dhe po ashtu hapësirat ndërgishtore.
• Tek fëmijët e vegjël dhe foshnjat, ndryshimet në lëkurë mund të vërehen edhe në fytyrë, pëllëmbë dhe shputa – zona të cilat zakonisht nuk preken te të rriturit.
Manifestimet në lëkurë përfshijnë:
• Papula (noduse të vogla),
• Vezikula (flluska të mbushura me lëng),
• Gërvishtje të shumta,
• Herë pas here edhe bula apo urtikarie (skuqje të lëkurës me kruarje të fortë),
• Në raste të avancuara, mund të vërehen infeksione të dytësuara bakteriale (piodermi), me pustula (flluska të mbushura me qelb) dhe krusta (shtresa të forta të tharjes së qelbit).
Në disa pacientë mund të shfaqen noduj të qëndrueshëm (noduli scabiei), të cilët vazhdojnë të jenë prezentë edhe pas trajtimit dhe zhdukjes së parazitit, për shkak të reagimeve imune të lëkurës.
Noduli Scabiei i lokalizuar në ndërsqetull
Si bëhet dallimi nga sëmundje të tjera?
Zgjebja mund të ngatërrohet me shumë sëmundje të tjera të lëkurës që shkaktojnë kruarje. Për këtë arsye, diagnoza duhet të bëhet me kujdes dhe të diferencohet nga:
• Prurigo – një sëmundje me kruarje të vazhdueshme,
• Strophulus – alergji tek fëmijët që krijon flluska dhe kruarje,
• Folliculitis – infeksion i folikulave të qimeve.
Prandaj, konsultimi me mjekun familjar apo dermatologun është i domosdoshëm.
Trajtimi dhe kujdesi mjekësor
Trajtimi i përgjithshëm
Për të arritur rezultat efektiv, të gjithë anëtarët e familjes apo personat që kanë pasur kontakt me të sëmurin duhet të mjekohen njëkohësisht, edhe nëse nuk shfaqin simptoma. Kjo parandalon rikthimin e infeksionit nga persona të padiagnostikuar.
Gjithashtu, është e nevojshme që:
• Të dezinfektohen rrobat, çarçafët, batanijet dhe sendet personale me larje në ujë të nxehtë (minimumi 60°C),
• Të evitohen kontaktet e ngushta derisa trajtimi të përfundojë plotësisht,
• Në rast infeksionesh dytësore, mund të nevojitet trajtim me antibiotikë dhe medikamente qetësuese apo antihistaminike.
Trajtimi lokal
Aplikohet direkt në lëkurë dhe përfshin:
• Preparatet me bazë squfuri, që janë të sigurta edhe për fëmijët;
• Benzoat benzili dhe krotamiton, që përdoren për të vrarë parazitin dhe për të lehtësuar kruarjen;
• Pomada antipruritike për qetësimin e lëkurës;
• Në raste me infeksione sekondare, përdoren pomada me antibiotikë dhe kortikosteroide për të ulur inflamacionin;
• Nodujt që zgjasin më shumë se disa javë mund të trajtohen me injeksione kortikosteroide intralezionale ose në raste të veçanta, me fototerapi PUVA (kombinim i barnave dhe dritës UV).
Zgjebja norvegjeze – Scabies Norvegica
E njohur ndryshe si zgjebja krustoze, kjo formë është më e rrallë dhe më e rrezikshme. Ajo prek zakonisht persona me imunitet të dobësuar, pacientë me probleme neurologjike, psikike ose me aftësi të kufizuara. Në këtë formë, lëkura mbulohet nga shtresa të trasha dhe të ngurta me ngjyrë gri, të cilat janë të ngarkuara me mijëra parazitë.
Zonat më të zakonshme ku shfaqen lezione janë: koka, fytyra, zverku, bërrylat dhe gjunjët. Për shkak të ngarkesës së lartë me parazitë, zgjebja norvegjeze është jashtëzakonisht ngjitëse dhe kërkon masa të forta izolimi dhe kujdesi mjekësor.
Trajtimi përfshin:
• Heqjen e shtresave të trasha me pomada keratolitike (që zbusin lëkurën),
• Përdorimin e mjeteve antiskabioze për eliminimin e parazitëve,
• Kujdes të veçantë në menaxhimin e higjienës personale dhe mjedisore.
Apel për kujdes dhe ndërgjegjësim
Zgjebja nuk është një problem thjesht estetik apo i përkohshëm, nëse nuk trajtohet siç duhet, mund të përhapet shpejt dhe të sjellë komplikime. Ndaj, është e rëndësishme që çdo person që vëren kruarje të fortë të natës dhe ndryshime në lëkurë, të kërkojë këshillë mjekësore sa më shpejt. Zbatimi i trajtimit korrekt dhe masat higjieno-sanitare janë kyçe për menaxhimin e kësaj sëmundje. /Telegrafi/
Një oficer policie i New Mexico qeshi ndërsa lëndoi për vdekje një lepur të vogël duke e hedhur atë në automjetin e tij, pasi kërcënoi kolegun e tij me një armë elektrike.
Zëvendës-sherifi i qarkut Grant, Alejandro Gomez, 27 vjeç, u kap në një video me celular nga gushti i vitit të kaluar duke laënduar tmerrësisht kafshën.
Në video, Gomez mund të shihet duke kërkuar që një ndihmës i paidentifikuar t’ia dorëzojë kafshën që u gjet jashtë qytetit të Hachita, pranë kufirit meksikan.
Zëvendësi që gjeti krijesën e vogël po e mbante kafshën afër, duke thënë se mendonte se Gomez do ta mbyste. Gomez betohet për fëmijët e tij se nuk do ta mbytë kafshën.
Ai e dorëzon atë vetëm pasi Gomez e kërcënon me një armë elektrike, duke i thënë: ‘Ma jep tani’, transmeton Telegrafi.
Tani duke mbajtur kafshën, Gomez e hedh atë në anën e automjetit të tyre ndërsa kolegët e tij oficerë qeshin.
Sipas Albuquerque Journal, ndihmësi tjetër më vonë i tha policisë të New Mexico se kafsha ishte lënduar për vdekje dhe duhej të mbytej që ‘të mos vuante’.
Gomez është lënë në pushim dhe po përballet me akuza për sulm të rënduar me armë vdekjeprurëse ndaj një oficeri të rendit, dhe një akuzë për mizori ekstreme ndaj kafshëve.
Policia, e cila po heton incidentin, tha se rreshteri dhe kolegët që dëshmuan mizorinë “nuk ndërhynë siç kërkohet nga Statuti i New Mexico”. /Telegrafi/
Gjashtë zjarre janë ende aktive në territorin e vendit, teksa njëri është vënë nën kontroll.
Zjarret aktive janë në komunat e Zhelinës, Vasilevës, Makedonski Brodit, si dhe në komunën e Prilepit. Zjarri është nën kontroll në Komunën e Velesit, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Zjarri pranë Zhelinës është ende aktiv. U vu nën kontroll, por u ndez përsëri mbrëmë. Ky është zjarr që me shumë mundësi është vënë qëllimisht. Herët këtë mëngjes, dy “ejr traktorë” nga drejtoria kanë qenë duke operuar atje, dhe ata do të vazhdojnë punën e tyre gjatë gjithë ditës. Ky zjarr po lëvizte në drejtim të Jerebinës, por është ndërprerë dhe mbetet aktiv në pjesët më të larta të kësaj zone. Shpresoj që deri sonte do të arrijmë ta vëmë nën kontroll këtë zjarr të vështirë, i cili po zhvillohet në terren të vështirë dhe për të cilin kam indikacione se dikush e ka ndezur qëllimisht gjatë gjithë kohës,” tha Stojançe Angellov.
Kujtojmë se me rritjen e temperaturave, vendi përfshihet pothuajse gjithmonë nga zjarret masive, disa prej tyre janë shkaktuar nga njerëzit, për të cilët tashmë po vepron edhe prokuroria dhe MPB-ja.
Së shpejti bëhen tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut. Dy persona mbesin në paraburgim, ndërkaq Prokuroria, pa treguar detaje, vetëm njoftoi se hetimet po vijojnë.
Ky institucion nuk tregoi as nëse kanë marrë ndonjë raport nga FBI. Ndërsa, hetimet vlerësohet se janë brenda afateve ligjore.
Gati tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ende nuk ka aktakuzë lidhur me rastin.
Dy të dyshuarit për shpërthimin që dëmtoi infrastrukturën kritike, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët u arrestuan pak pas rastit, janë ende në paraburgim.
Megjithatë, Prokuroria Speciale nuk tregoi nëse kanë identifikuar të dyshuar të tjerë lidhur me rastin, e as kohën kur mund të përmbyllet hetimi dhe eventualisht të ngritët aktakuzë.
“Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Megjithatë, duke pasur parasysh se çështja ndodhet ende në fazën e procedurave hetimore, për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë informacione”, ka theksuar Arbnora Luta, Zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Për zbardhjen e rastit, ish-ambasadori amerikan Jeffery Hovenier kishte thënë se “SHBA-ja ka sjellë mbështetjen e FBI-së në Kosovë për të punuar drejtpërdrejtë dhe me kohë të plotë me autoritetet kosovare për të identifikuar përgjegjësit”.
Megjithatë, Prokuroria nuk tregoi nëse kanë marrë ndonjë raport nga amerikanët.
Referuar ndjeshmërisë dhe ndërlikueshmërisë së rastit, me synim një aktakuzë të përgatitur mirë, juristi Ardian Bajraktari tha se hetimet janë brenda praktikave dhe kufizimeve ligjore.
“Natyrisht, situata të tilla marrin kohë në drejtim të trajtimit dhe hetimit të çështjes, prandaj për aq kohë sa është brenda afateve dhe parametrave të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale vlerësoj se jemi në rregull dhe të shpresojmë që Prokuroria të kryejë detyrën e saj konform detyrave dhe përgjegjësisë që ka dhe afateve të përcaktuara”, ka deklaruar Bajraktari.
Në rastin tjetër, për sulmin terrorist paramilitar në Banjskë, më 24 Shtator 2023, hetimet para ngritjes së aktakuzës ndaj Milan Radojçiqit dhe 44 të tjerëve kishin zgjatur një vit të plotë.
Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba, ka thënë se nuk ka plane të japë dorëheqje, pavarësisht parashikimeve se koalicioni i tij qeverisës do të humbë shumicën në dhomën e sipërme të vendit.
Votuesit shkuan në kutitë e votimit të dielën për zgjedhjet e kontestuara fort, të cilat po mbahen në një kohë frustrimi ndaj koalicionit të Partisë Liberale Demokratike (LDP) dhe partnerit të saj të vogël, Komeito, për shkak të rritjes së çmimeve dhe kërcënimit të tarifave amerikane.
Duke folur pasi qendrat e votimit u mbyllën të dielën, kryeministri tha se ai “solemnisht” pranon “rezultatin e ashpër”, por se fokusi i tij ishte në negociatat tregtare.
Duke humbur tashmë shumicën në dhomën e poshtme më të fuqishme të Japonisë vitin e kaluar, humbja e pritur do të minonte ndikimin e koalicionit.
Koalicionit i duhen 50 vende për të ruajtur kontrollin e dhomës së sipërme me 248 vende – me një sondazh daljeje nga transmetuesi publik NHK që parashikon se ata do të fitojnë midis 32 dhe 51.
Të dielën, NHK parashikoi se “mund të jetë e vështirë për koalicionin qeverisës të ruajë shumicën e tij”, transmeton Telegrafi.
Gjysma e vendeve në dhomën e sipërme po votoheshin në zgjedhjet e së dielës, me anëtarët e zgjedhur për mandate gjashtëvjeçare.
Nëse koalicioni merr më pak se 46 vende, kjo do të shënonte performancën e tij më të keqe që nga formimi i tij në vitin 1999.
Jeffrey Hall, një lektor i studimeve japoneze në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare Kanda, i tha BBC News se mbështetja për më shumë parti të krahut të djathtë kishte ulur bazën mbështetëse konservatore të LDP-së.
“Kryeministri Ishiba konsiderohet jo mjaftueshëm konservator nga shumë mbështetës të ish-Kryeministrit [Shinzo] Abe”, tha ai.
“Ata mendojnë se ai thjesht nuk ka pikëpamjet nacionaliste mbi historinë, nuk ka pikëpamjet e forta kundër Kinës që kishte Abe”, shtoi ai.
Shinzo Abe ishte më parë udhëheqësi i LDP-së dhe kryeministri me shërbimin më të gjatë në Japoni, në detyrë dy herë midis viteve 2006 dhe 2007, dhe 2012 dhe 2020.
Hall tha se një pjesë e mbështetjes së partisë kishte shkuar drejt partisë Sanseito – e cila tani do të thoshte gjëra që “nuk janë thënë publikisht më parë nga anëtarët e dhomës së lartë”, – duke vënë në dukje tërheqjen e partisë drejt “teorive të konspiracionit, deklaratave kundër të huajve, [dhe] pikëpamjeve shumë të forta revizioniste rreth historisë”.
Partia e qendrës së djathtë e Ishibës ka qeverisur Japoninë pothuajse vazhdimisht që nga viti 1955, megjithëse me ndryshime të shpeshta të udhëheqësve.
Rezultati i pritur nënvizon zhgënjimin e votuesve me Ishibën, i cili ka luftuar për të frymëzuar besim ndërsa Japonia lufton kundër vështirësive ekonomike, një krize të kostos së jetesës dhe negociatave tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Shumë janë gjithashtu të pakënaqur me inflacionin – veçanërisht çmimin e orizit – dhe një sërë skandalesh politike që kanë prekur LDP-në në vitet e fundit.
Tre kryeministrat e fundit të LDP-së që humbën shumicën në dhomën e lartë dhanë dorëheqjen brenda dy muajsh, dhe analistët kishin parashikuar se një humbje e konsiderueshme në këto zgjedhje do të sillte një rezultat të ngjashëm.
Kjo do të hapte fushën për një kandidim të mundshëm për udhëheqjen nga anëtarë të tjerë të shquar të LDP-së, përfshirë Sanae Takaichi, i cili përfundoi i dyti pas Ishiba në zgjedhjet për udhëheqjen e vitit të kaluar; Takayuki Kobayashi, një ish-ministër i sigurisë ekonomike; dhe Shinjiro Koizumi, djali i ish-kryeministrit Junichiro Koizumi.
Sidoqoftë, një ndryshim i udhëheqjes brenda partisë në pushtet pothuajse me siguri do të shkaktonte dramë politike dhe do të destabilizonte qeverinë e Japonisë në një moment kyç në negociatat tregtare SHBA-Japoni. /Telegrafi/