Vendim Kapaj, “Mjeshtri i Madh”, kompozitori që bëri polifoninë shqiptare pjesë të kolonës zanore të filmit “The Odyssey”, aktualisht punon në shërbimet e pastrimit të qytetit. Kapaj i cili ka një karrierë rreth 50 vjeçare në muzikë dhe është i njohur për interpretimin e rrallë të fyellit me dhëmbë dhe kontribute të tjera muzikore, është lënë në harresë totale nga shteti. Vetëm së fundmi, emri i tij u përmend në masë për faktin se është përfshirë në një filmin e Christopher Nolan dhe kastës së njohur të aktorëve të “The Odyssey”. Mirëpo realiteti i këtij mjeshtri të madh që çoi tingujt mijëravjeçarë shqiptarë në majat e Hollivudit, është krejt ndryshe nga sa do të duhej të ishte. Gjatë një interviste për mediat, Kapaj tha se e kishte pranuar këtë punë dhe se kërkonte të ishte aktiv për të siguruar të ardhura për familjen. “E ndjej veten të ofenduar që t’ju shkoj nga mbrapa dhe t’u them ‘aman më çoni në filan vend’. Thjesht kërkoj punë”, është shprehur ai. Iso-polifonia shqiptare është bërë pjesë e kolonës zanore të filmit më të ri të Christopher Nolan, “The Odyssey”. Regjistrimet u realizuan në Vlorë nga mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj, në praninë e kompozitorit Ludëig Göransson. Për rreth pesë orë, regjistrimet u zhvilluan në Teqenë e Kuzum Babait. Përfshirja e polifonisë labe në kolonën zanore ka ngjallur mjaft emocione tek shqiptarët, por për vetë artistin përditshmëria e tij është vërtetë larg skenave të tilla të mëdha. Ndërkohë që qeveria shqiptare arriti me urgjencë që të akordonte një fond prej 4.2 milionë eurosh për reperin amerikan Kanye West, kur vjen puna tek njerëz që i japin vlerë kulturës shqiptare dhe e ngrejnë emrin e vendit nëpër botë, këto fonde nuk duken gjëkundi. #voxnews #media #news
Zbardhet dëshmia e disa punonjëseve të Postës Shqiptare, pas skandalit për të cilin Gjykata e Durrësit la sot në burg Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare në Durrës dhe caktoi masat e sigurisë 'arrest shtëpie' për shefen e financës Valbona Doni dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj ose mbi 700 mijë euro. Në dëshminë e saj, një prej arkëtareve, emri i të cilës nuk bëhet publik, shpjegon se transferimi i fondeve nga Durrësi drejt degëve të Shijakut dhe Krujës ka qenë praktikë e zakonshme prej vitesh. Arkëtarja thotë se “në janar-shkurt 2026 Drejtoria e Përgjithshme i kaloi rreth 22 milionë lekë Drejtorisë së Durrësit për efekt likuidimi. Për periudhën prill-maj 2026 janë kryer mandate pagese me vlerë rreth 56 milionë lekë, ndërsa për degën e Krujës rreth 10 milionë lekë dhe 3 milionë lekë. Të gjitha këto shuma janë dërguar drejt degëve Shijak dhe Krujë nga drejtoresha Elizabeta Mataj”. Sipas saj, drejtoresha Elisabeta Mataj i ka thënë se sporteli ‘Nazeri’ kishte tejkaluar limitin e rrugëve të parashikuara. Për këtë arsye sipas saj transporti i parave është bërë nga vetë ajo, me urdhër verbal të drejtoreshës Elizabeta Mataj. Më tej ajo deklaron se ‘Mataj merrte thesin me para nga zyra e arkës, e çonte në zyrën e saj dhe bënte numërimin e lekëve.’ Sipas arkëtares në fjalë, në disa raste Mataj i ka futur paratë në çantën personale dhe është larguar menjëherë nga institucioni. Në fillim të qershorit 2026, pas problemeve me likuidimin në ASHK, arkëtarja thekson se konstatoi në sistem se ‘disa mandate ishin prerë pa dijeninë e saj dhe njoftoi drejtoreshën.’ Më tej arkëtarja pretendon se për disa mandate pagesash nënshkrimet e saj dhe të arkëtareve të tjera nuk ishin autentike, duke përmendur konkretisht ‘mandatet e datave 7.5.2026, 12.5.2026 dhe 21.5.2026, të cilat sipas saj kishin mbetur pa firmën e drejtoreshës.’ #voxnews #media #news
Shqiptari Romeo Bajrami është vënë nën akuzë nga autoritetet federale amerikane për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, pasi dyshohet se kaloi kufirin nga Kanadaja me një motor uji të tipit Sea-Doo, të marrë me qira. Sipas dosjes penale, 40-vjeçari dyshohet se gjatë kalimit të lumit St. Clair ka transmetuar live në Facebook. Mediat e huaja raportojnë se pamjet janë përfshirë në provat e hetimit. Hetimet tregojnë se Bajrami kishte marrë me qira mjetin lundrues në qytetin Sarnia, në Kanada, por nuk e ktheu atë. Pas njoftimit të autoriteteve kanadeze, Garda Bregdetare dhe Patrulla Kufitare amerikane nisën kërkimet, duke e gjetur Sea-Doo-në të braktisur në brigjet e Port Huron, në Miçigan. Gjatë hetimeve, agjentët zbuluan edhe një video publike në Facebook, ku sipas tyre shfaqet Bajrami duke kaluar lumin me Sea-Doo. Sipas autoriteteve, të dhënat e vendndodhjes së videos përputhen me zonën ku ai dyshohet se hyri ilegalisht në territorin amerikan. Pas gati një viti hetimesh, Bajrami u lokalizua në një burg në Boston, ku ndodhej i arrestuar për një çështje tjetër. Ai tashmë përballet me akuzën për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Nëse shpallet fajtor, rrezikon një dënim deri në gjashtë muaj burg. #voxnews #media #news
Përsëri emigranti nga Laçi, Dorian Puka, kthehet në subjekt të një shkrimi të medias angleze The Daily Telegraph pas një mori shkrimesh gjatë katër viteve të fundit. Është pikërisht kjo video, ku ai shfaqet duke i dhënë si ushqim tufa me para dy qenve të tij, e cila ka shërbyer si motiv për ta rikthyer atë përsëri në vëmendjen e kësaj gazete britanike. Charles Humas, editor i çështjeve të brendshme në këtë gazetë, thotë se Dorian Puka, i dënuar dy herë për grabitje shtëpish, tashmë është duke luftuar bllokimin e dëbimit nga Anglia, pasi u dëbua dy herë dhe përsëri hyri ilegalisht në shtetin ishull. “Në këtë video, 29-vjeçari shfaqet i ulur mbi një divan, ku i jep kartëmonedha të prerjes 20 paund qenit pitbull me emrin Cobra. Ndërsa qenit tjetër me emrin Miu, i afron në gojë për t’i kafshuar kartëmonedha 50-paundëshe”, shkruan The Daily Telegraph në artikullin të cilit i referohet Top Channel. Puka theksohet në shkrim se po përballet me dëbimin për herë të tretë, pasi qeveria fitoi gjyqin në një tribunal të shkallës së parë për çështjet e emigracionit, me qëllim largimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar, pas refuzimit të kërkesës së tij për azil. Ministria e Brendshme, Home Office, nuk ka mundur ta largojë për sa kohë që kërkesa e tij për azil dhe sfidat ligjore ndaj vendimeve janë ende në shqyrtim. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se: “Ky individ është një shtetas i huaj i njohur për veprimtari kriminale dhe ne po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Për sa kohë që procedurat ligjore janë ende në zhvillim, nuk mund të japim komente të mëtejshme.” Ndërkohë, Chris Philp, ministri i Brendshëm në hije nga opozita konservatore, komentoi për The Daily Telegraph se: “Ky kriminel famëkeq shqiptar ka shfaqur hapur pasurinë e tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke ekspozuar makina sportive dhe tani edhe këtë video të jashtëzakonshme ku u jep qenve të tij para në dorë. Nuk duhet të lejojmë që kriminelë të huaj si ky të qëndrojnë në vend. Ai duhet të dëbohet menjëherë dhe Shabana Mahmood duhet të sigurojë urgjentisht largimin e tij, në mënyrë që publiku britanik të mos vazhdojë të vuajë pasojat e sjelljes së tij kriminale”, ka deklaruar politikani i Partisë Konservatore angleze. #voxnews #media #news
Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre ish-zyrtaret e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të arrestuara në kuadër të hetimeve për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj. Gjykata vendosi masën "arrest në burg" për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa ndaj ish-shefes së financës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtares, Paola Dana, caktoi masën "arrest në shtëpi". Të treja akuzohen për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjatë muajve prill dhe maj 2026 ato dyshohet se kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj. Gjatë seancës gjyqësore, ku Prokuroria kërkoi masën "arrest në burg" për të treja, ndërsa mbrojtja kërkoi një masë më të butë, kanë dalë në dritë edhe deklarata të reja. Ish-shefja e financës, Valbona Duni, ka deklaruar para gjykatës se paratë e zhdukura nuk i ka mbajtur ajo, por se janë marrë nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj në zyrën e saj. Nga ana tjetër, Mataj nuk ka dhënë shpjegime për fatin e shumës së munguar. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar 69 milionë lekët, ajo është përgjigjur se "nuk e di". Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, shuma e konsiderueshme financiare dyshohet se nuk është arkëtuar në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë, si dhe për të përcaktuar destinacionin përfundimtar të 69 milionë lekëve të rinj. #voxnews #media #news
Po mbahet në këto momente për herë të parë Kuvendi Kombëtar i Protestës dhe që në start nuk kanë munguar tensionet. Persona të ndryshëm që janë prezentë në sallë kanë dalë kundër mënyrës sesi po organizohet kjo mbledhje dhe personat që janë të pranishëm aty. “Mosha mesatare këtu është mbi 45 vjeç, këtu nuk shoh asnjë nga marshimi. Nuk jemi lajmëruar”, shprehet një prej protesuesve në prapaskenë. Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që kërkojnë fjalën dhe nuk u jepet. “Kemi një rend dite dhe nuk do të lejojmë të na prishni mbledhjen”, u shpreh një nga organizatorët pas këtij incidenti. “Ky kuvend është i hapur për të gjithë qytetarët, do të kemi takim të hapur”, tha moderatorja e takimit. Ndërkohë, një prej organizatorëve, i cili në një moment po pengohej të fliste, nuk e kurseu përgjigjen e ashpër./top channel #voxnews #media #news
Largimi me gomone drejt Italisë e 11 emigrantëve të huaj, të cilët rrezikuan të mbyteshin pranë ishullit të Sazanit, ishte i organizuar nga një egjiptian, po ashtu i pranishëm në mjetin lundrues në momentin e shpëtimit nga Forcat Delta dhe Policia Kufitare. Blutë e Vlorës bëjnë me dije se 43-vjeçari nga Afganistani kishte organizuar, nga Greqia, futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të 10 të huajve, me qëllim transportimin e tyre më pas drejt Italisë. Gomonen e kishte marrë në Seman, Fier, në vendin që i ishte dërguar si lokacion nga një shqiptar, për të cilin policia po punon për ta identifikuar. 43-vjeçari nga Afganistani është arrestuar, ndërsa janë vënë nën hetim 10 emigrantët e tjerë nga Haiti, Afganistani, Bangladeshi, Pakistani dhe Liberia. #voxnews #media #news
Qeveria plotëson kuadrin ligjor që i hap rrugë lejimit të basteve sportive online, 28 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit sqaron për Report TV procedurat që do të ndiqen për licencimin e kompanive por ende nuk ka një afat për hapjen e konkurrimit. Bastet do të lejohen vetëm online dhe përmes identifikimit me kartë identiteti. Pas 28 muajsh nga miratimi i ligjit “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”, janë miratuar edhe të gjitha aktet nënligjore për t’i hapur rrugën më tej lejimit të basteve sportive online. Janë 8 akte nënligjore, VKM dhe Udhëzime që kanë marrë dritën jeshile në qeveri. Dy të fundit u miratuan më 26 qershor, ku caktohen procedurat dhe afatet për pezullimin apo revokimin e licencës së lojërave të fatit “basteve sportive online”, si dhe vendimi për administrimin e fondit te posaçëm të krijuar nga veprimtaritë e lojërave të fatit. “Ligji 155/2015 “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), me miratimet e fundit është plotësuar me aktet nënligjore përsa i përket kategorisë së lojës “Baste Sportive online”, thotë në një përgjigje për Report TV, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Vonesën me më shumë se 2 vite për plotësimin e ligjit me aktet nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm, më herët Ministria e Financave e pati sqaruar për Report TV me argumentin se bëhej fjalë për një proces me kompleksitet të lartë teknik dhe institucional, të cilat kërkonin cikle të zgjeruara konsultimesh dhe verifikimesh, për shkak edhe të sistemeve të reja që duhet të ngriheshin. Ligji në fuqi parashikon dhënien e 10 licencave, por ende nuk ka një afat se kur do të hapen thirrjet për të aplikuar. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit sqaron për Report TV se ky institucion, Komisioni i Licencave dhe sekretariati teknik do të organizojnë procedurat konkurruese për dhënien e licencave. “Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), Komisioni i Licencave i ngritur në bazë të nenit 17/1 të ligjit 155/2015 “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, dhe sekretariati teknik pranë tij organizojnë procedurat konkurruese dhe vlerësuese sipas detyrave përkatëse, të përcaktuara me ligj dhe në këtë vendim. Komisioni i licencave merr vendim për hapjen e një procedure konkurruese dhe numrin e licencave që do të jepen në thirrje. Brenda 7(shtatë) ditëve nga marrja e vendimit për hapjen e procedurës konkurruese nga Komisioni I Licencave, AMLF publikon njoftimin për konkurrim për dhënien e licencës për ofrimin e “Basteve Sportive online” në faqen zyrtare të internetit, në dy gazeta ndërkombëtare, si dhe ne Buletinin e Njoftimeve Publike”, thuhet në përgjigje. Bastet sortive online do të mund të luhen vetëm nëse hyni në sistem me kartë identiteti, madje edhe të skanuar. Sistemet ku do të organizohen bastet do të garantojnë mekanizma për gjurmim të çdo veprimi të përdoruesit, si edhe të ketë algoritme të posaçme për llogaritje të fitimeve. Në ligjin e miratuar në shkurt të 2024-ës në nenin 22 të tij janë vendosur edhe kushtet që duhen plotësuar për të aplikuar për licencë, ndër të cilat janë: - Kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë. -subjekti aplikues ose të paktën njëri prej aksionarëve të tij duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Nëse përvojën në fushën e lojërave të fatit e ofron njëri prej aksionarëve të subjektit aplikues, ai duhet të zotërojë jo më pak se 30 për qind të aksioneve në shoqëri. -subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit Gjithashtu organizatorët e basteve sportive online janë të detyruar të ngurtësojnë një fond prej 120 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat. #voxnews #media
Kuvendi Kombëtar i protestës zhvilloi këtë të shtunë ditën e parë të punimeve, e cila u shoqërua edhe me disa momente tensionesh dhe përplasjesh në sallë. Një nga episodet më të spikatura pati si protagonist ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Selami Jenisheri. Jenisheri hyri në sallë dhe u ul në rreshtat e parë, në zonën ku ishin pozicionuar organizatorët e aktivitetit. Prania e tij në atë pjesë të sallës solli reagimin e organizatorëve, të cilët kërkuan ndërhyrjen e rojeve të sigurisë. Pak çaste më vonë, efektivët e sigurisë e shoqëruan Jenisherin jashtë sallës. Megjithatë, situata u qetësua shpejt dhe ish-deputeti u rikthye, duke pranuar të ulej në pjesën e pasme të sallës, ku vijoi të ndiqte punimet e Kuvendit Kombëtar të protestës.
IKMT ka gjobitur me vlera tallëse për t'i treguar publikur se punon, pavarësisht se ka aprovuar lejet për betonizimin të Jugut për Kompanitë Gjoka Konstruksion të Rrok Gjokës, Gjikuria të Lenc dhe Milo Gjikurisë, Anchor Beton i Ard Kollçakut, Eral Construction Company i Gramoz dhe Ervin Qendros dhe Beton Express 2018 i Mond Begës. Kompanitë e oligarkëve të ndërtimit janë gjobitur dhe pezulluar nga aktiviteti i tyre për shkak të shkeljeve të rënda mjedisore në Jug të vendit ku po ndërtojnë hotelet e tyre dhe mbetjet nga gërryerja e tokës i plasin në detin e Palasës, Drimadhës apo Dhërmiut. Kjo nuk do të thotë se punimet për hotelet e tyre janë ndërprerë. Ëshrë thjesht show i radhës i IKMT që ëshrë futur në rol sikur i intereson shkatërrimi i mjedisit... Këto subjekte nuk kanë respektuar kushtet strikte të përcaktuara në lejet mjedisore të miratuara nga autoritetet përkatëse, duke ndotur vijën bregdetare, e duke anashkaluar zbatimin me rigorozitet të standardeve për mbrojtjen e mjedisit. Mbi kushtet e përmendura në lejet mjedisore Në lajmin e publikuar nuk specifikohen detajet teknike për secilën kompani, megjithatë, kur autoritetet pezullojnë aktivitetin për "mosrespektim të kushteve të lejes mjedisore", zakonisht bëhet fjalë për shkelje të tilla si: Hedhja e inerteve apo mbeturinave të ndërtimit në vende të palicencuara ose lumenj/përrenj; Mospërdorimi i masave mbrojtëse për të frenuar pluhurin (në kantieret pranë zonave të banuara ose turistike) dhe tejkalimi i orareve të lejuara të punës; Mosinstalimi i sistemeve të dekantimit apo filtrimit për ujin që përdoret në proceset e betonit, duke bërë që ai të derdhet i patrajtuar në mjedis; Puna jashtë perimetrit të lejuar nga leja e ndërtimit ose dëmtimi i hapësirave të gjelbërta përreth kantierit.
Një grup turistësh izraelitë është sulmuar brutalisht nga më shumë se 10 të rinj në qytetin bregdetar të Budvës, në Mal të Zi. Ngjarja ka ndodhur të shtunën, ndërsa një prej viktimave ka rrëfyer për televizionin publik izraelit KAN News momentet e dhunës, duke e përshkruar sulmin si të papritur dhe pa asnjë shkak të dukshëm. Sipas dëshmisë së tij, grupi i të rinjve i ka ofenduar, i ka goditur me shkelma dhe u ka hedhur karrige. “Më shumë se 10 të rinj na shanë, na goditën dhe na sulmuan me objekte”, ka deklaruar një prej turistëve. Nga sulmi, një anëtar i grupit ka pësuar thyerje të nofullës, ndërsa një tjetër ka humbur ndjenjat për shkak të dhunës së marrë. Viktimat kanë pretenduar se nuk kishin pasur asnjë konflikt më herët dhe se sulmi ishte i paprovokuar. Budva, një nga zonat turistike më të frekuentuara të Malit të Zi, njihet për plazhet, jetën e natës dhe qytetin e vjetër historik. Destinacioni tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe shumë turistë izraelitë gjatë sezonit veror. Në vitet e fundit, interesimi i investitorëve izraelitë në sektorin e pasurive të paluajtshme në këtë zonë është rritur ndjeshëm. Ky është incidenti i dytë i raportuar së fundmi ndaj turistëve izraelitë në Mal të Zi. Një rast tjetër u regjistrua në qytetin e Plavës, ku disa turistë u përballën me ngacmime dhe deklarata fyese nga një person, i cili i akuzoi për “vrasje fëmijësh” dhe për gjenocid.
Vendim Kapaj, mjeshtri i njohur vlonjat i fyellit dhe culës dyjare, është kthyer në një nga emrat më të përfolur të ditëve të fundit pasi u bë pjesë e stafit muzikor të filmit hollivudian “Odisea”, me regji të Christopher Nolan. Me mbi 50 vite karrierë dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, Kapaj interpretoi për kolonën zanore të filmit së bashku me kompozitorin fitues të Oscar-it, Ludwig Göransson, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të polifonisë shqiptare dhe instrumenteve tradicionale. I frymëzuar nga iso-polifonia, Göransson zgjodhi të mos mbështetej te një orkestër klasike simfonike, por të sillte në film tingujt e fyellit dhe culës dyjare, duke i konsideruar më pranë atmosferës së botës së lashtë. Pavarësisht këtij vlerësimi ndërkombëtar, jeta e përditshme e Kapajt ka qenë larg dritave të skenës. Artisti, i cili konsiderohet i vetmi instrumentist në Ballkan që luan fyellin me dhëmbë, është një qytetar i thjeshtë i Vlorës, që për vite me radhë është përballur me vështirësi ekonomike. Vlonjatët e kanë parë jo vetëm në skenat folklorike, por edhe duke punuar në shërbimin e pastrimit të qytetit për të siguruar jetesën. Edhe pas përfundimit të asaj pune, ai ka vijuar të sigurojë të ardhura duke shëtitur me biçikletë në rrugët e Vlorës dhe duke shitur peshk të freskët, pa e ndërprerë asnjëherë pasionin dhe angazhimin e tij për muzikën tradicionale. Historia e Vendim Kapajt ka ngjallur reagime të shumta, pasi shumë e konsiderojnë paradoks faktin që një artist i këtij niveli është lënë për vite në harresë nga institucionet kulturore shqiptare, ndërsa vlerësimi i tij erdhi nga një prej produksioneve më të mëdha të Hollywood-it. Në një kohë kur investohen shuma të mëdha për të sjellë artistë të huaj në Shqipëri, ishte vetë ekipi i Christopher Nolan që udhëtoi në Vlorë për të kërkuar tingujt unikë të fyellit dhe culës dyjare të Vendim Kapajt, duke e bërë atë pjesë të një projekti që do ta çojë muzikën tradicionale shqiptare në ekranet e gjithë botës.
Detaje të reja po dalin në dritë nga skandali që ka tronditur Postën Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare akuzohen se kanë përvetësuar rreth 69 milionë lekë të rinj, para që ishin destinuar për pensionistët dhe familjet në nevojë. Sipas hetimeve, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokuroria ka zbuluar se drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, rezulton të ketë frekuentuar kazino. Vetë Mataj nuk e ka mohuar këtë fakt, por është mbrojtur duke deklaruar se askush nuk mund t'ia ndalojë të shkojë në kazino, pasi është "qytetare e lirë". "Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino," mësohet të ketë deklaruar ajo para gjykatës. Deklarata ka shkaktuar reagime të forta, pasi vjen në një kohë kur hetimet po përpiqen të zbardhin fatin e 69 milionë lekëve, para që duhej të përfundonin në xhepat e pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, jo në një skemë që dyshohet se është përdorur për përfitime personale. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar fondet që dyshohet se janë përvetësuar, Mataj është përgjigjur se "nuk e di". Ajo ka mohuar gjithashtu se është përpjekur t'i shmanget drejtësisë, duke deklaruar se udhëtimi jashtë vendit ishte planifikuar më herët dhe se në datat 13 dhe 14 korrik kishte qenë në vendin e punës. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjithë skemën, mënyrën se si dyshohet se janë zhdukur fondet publike dhe përgjegjësinë e secilës prej të arrestuarave. Bëhet fjalë për një nga rastet më të rënda të abuzimit me fondet sociale, ku paratë e njerëzve që mezi presin pensionin e muajit dyshohet se janë përdorur në mënyrë kriminale, ndërsa qytetarët vazhdonin të prisnin në sportelet e Postës për pagesat që u takonin.
Këto pamje më të qarta tregojnë momentin e skandalit të 2 korrikut, ku truprojat e Ulsi Manjës dhunojnë brenda në lokal protestuesit t ë cilët fishkëllyen dhe thirrën Manja burg, gjatë protestës para Kuvendit. Siç shihet në pamje, të fortët e socialistit Manja, të indinjuar që protestuesit kërkuan burg për shefin e tyre, janë lëshuar dhunshëm drejt protestuesve duke përdorur dhunë. Qartazi duket se si përmes forcës, truprojat e Manjës, jo vetëm protestuesit, por marrin përpara me forcë edhe policët e kryepolicit Skënder Hitaj. Një prej truprojave është identifikuar si Saimir Koka. Kujtojmë se më 2 korrik, truprojat e Manjës u panë duke goditur me shkelma e grushte qytetarët që ndodheshin në lokalin ngjitur me Kuvendin e Shqipërisë. Veç protestuesve, truprojat ushtruan forcë fizike dhe ndaj policisë që supozohet të mbrojë popullin.
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Në vitin 2024, nga 21,102 vdekje gjithsej, 11,694 persona humbën jetën nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, duke zënë 53% të totalit. Ky nivel është shumë më i lartë se mesatarja europiane prej rreth 30%, ndërsa ekspertët e lidhin me diagnostikimin e vonuar, mungesën e kontrolleve periodike, duhanpirjen, stresin dhe dietën me shumë kripë e yndyra. Problemet më të mëdha shfaqen në qarqet e Veriut, ku Kukësi kryeson me 62.48% të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, pasuar nga Shkodra me 60.73%, Lezha me 58.2% dhe Dibra me 58%. Në Gjirokastër niveli është më i ulët, me 31.34%. Sipas mjekëve, ndikojnë faktorët ushqimorë, vështirësitë në aksesin ndaj shërbimeve të specializuara dhe mungesa e kontrolleve parandaluese. Fenomeni po prek edhe moshat më të reja, ku rritja e hipertensionit, diabetit, obezitetit dhe stresit po shtojnë rastet e infarkteve dhe goditjeve në tru. Shqipëria ka 267 kardiologë, por shumica janë të përqendruar në Tiranë. Ekspertët kërkojnë më shumë depistime, edukim shëndetësor dhe forcim të shërbimeve parandaluese për të ulur numrin e vdekjeve nga zemra dhe truri.
Duket se kryersekari Erion Isai po gëzon një trajtim preferencial... një "amnisti të heshtur", krahasuar me dosjet e tjera të ngjashme që SPAK po ndjek në Bashkinë e Tiranës. Kallëzimi për aferat e Isait ndodhet në sirtarët e SPAK prej pesë vitesh. Pavarësisht provave të bëra publike nga emisionet investigative, të cilat dokumentojnë shkelje të rënda, zyrtarët e përfshirë vijojnë të ushtrojnë detyrën pa u shqetësuar. Kritika kryesore ndaj prokurorisë është se ajo ka zgjedhur një rrugë "gjysmake", pasi hetimi është fokusuar vetëm te tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, duke "harruar" plotësisht nevojën për një hetim të thelluar financiar dhe pasuror për të gjithë personazhet e përfshirë. Ky hetim financiar konsiderohet jetik për disa arsye. Së pari, gjatë kohës që SPAK ka qenë duke hetuar, bashkia ka dizbursuar qindra-miliona euro për tendera të dyshimtë. Së dyti, mungon çdo lloj gjurmimi për atë se ku kanë përfunduar këto para dhe nëse pasuria e zyrtarëve të Bashkisë Kolonjë është shtuar në mënyrë të pajustifikuar si pasojë e këtyre aferave. Autorët e investigimit në media e paralelizojnë këtë situatë me dosjen "5D" të Tiranës, ku hetimet pasurore çuan në arrestime dhe sekuestro. Në rastin e Kolonjës, investigimi pretendon se ekzistojnë të gjitha premisat për një skemë të ngjashme, por mungon vullneti i institucioneve të drejtësisë për të shkuar deri në fund. Për rrjedhojë, thelbi nuk është vetëm korrupsioni i dyshuar në Bashki, por edhe mosveprimi i qëllimshëm i SPAK-ut për të bllokuar "pasurimin e paligjshëm" të zyrtarëve, duke lënë të pambuluara procedurat e tjera tenderuese që janë denoncuar si korruptive. Ky pasivitet i SPAK, po shërben si mburojë për Erion Isain, i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë duke menaxhuar fonde publike, ndërkohë që provat për shkelje të rënda ligjore dhe dyshimet për pastrim parash presin ende një vëmendje serioze nga prokurorët.
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e armatosur që tronditi mbrëmjen e djeshme Sarandën, ku shënjestër ishte 50-vjeçari Thimjo Rubati. Sipas hetimeve paraprake, Rubati rezulton të jetë një person me precedentë të shumtë penalë në Shqipëri dhe Greqi. Ai kishte dalë së fundmi nga një burg në shtetin grek, ku vuante dënimin për një vepër të rëndë penale, ndërsa e kaluara e tij kriminale përfshin akuza për trafikim të të miturve në vitin 2002 dhe rrëmbimin e një 16-vjeçareje në vitin 2012. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, ndërsa ndodhej në burg në Greqi, autoritetet shqiptare e kërkonin Rubatin në kuadër të një dosjeje për korrupsion dhe kontrabandë, që lidhej me një skemë trafikimi automjetesh ku dyshohej se ishin të përfshirë edhe zyrtarë doganorë. Megjithatë, ai nuk vuajti dënim me burg në Shqipëri për këtë çështje, pasi u dënua me kusht nga Gjykata e Apelit. Sipas grupit hetimor, atentati kishte si objektiv eliminimin fizik të 50-vjeçarit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar nëntë gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm, ndërsa hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia dyshon se pista kryesore lidhet me të kaluarën kriminale të Rubatit dhe mundësinë e një larjeje hesapesh.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania nga Liqeni i Komanit janë një shuplakë për të gjithë. Një nga mrekullitë natyrore më të mëdha të Shqipërisë, destinacion që reklamohet çdo ditë si krenaria e turizmit shqiptar, sot është mbuluar nga qese plastike, shishe dhe mbeturina të çdo lloji që notojnë në sipërfaqen e ujit. Faji nis që te qytetarët që, pa asnjë pikë përgjegjësie, hedhin mbeturinat në ujë apo buzë liqenit, sikur natyra të ishte një kosh gjigant plehrash. Është e turpshme që njerëz që shkojnë për të shijuar një nga peizazhet më të bukura të vendit, largohen duke lënë pas vetëm ndotje dhe shkatërrim. Nga ana tjetër, institucionet vazhdojnë të flenë mbi këtë katastrofë mjedisore. Mjaftohen me postime propagandistike për bukuritë e Komanit dhe fushata për turizmin, ndërsa askush nuk garanton pastrimin e liqenit, kontrollin e mbetjeve apo ndëshkimin e ndotësve. Nuk mjafton të promovosh Shqipërinë si destinacion turistik; duhet ta mbrosh atë çdo ditë. Nëse vazhdohet me këtë indiferencë, shumë shpejt Liqeni i Komanit nuk do të njihet më si një perlë e Alpeve Shqiptare, por si simbol i mënyrës se si dimë të shkatërrojmë atë që natyra na ka falur falas.