Shenjat që tregojnë se Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham po ribashkohen!
Nga: James Hall / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
[Albumi] Rumours [Thashethemet] kanë qenë gjithmonë gjaku që i jep jetë [grupit] Fleetwood Mac – që nga titulli i albumit të tyre të vitit 1977 që shiti 40 milionë kopje, deri te rrjeti marramendës i marrëdhënieve intime mes anëtarëve të grupit.
Dy figurat kyçe, Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham, mund të jenë tashmë 77, respektivisht 75 vjeç, por ish-të dashurit kanë nxitur sërish valë të reja thashethemesh me një sërë postimesh enigmatike në rrjetet sociale. Gati gjashtë dekada pas formimit të versionit origjinal të grupit, drama psikologjike vazhdon. Dhe, kjo ndjesi, çuditërisht është ngushëlluese.
Çfarë ndodhi? Të enjten pasdite, Nicks postoi në Instagram pesë fjalë të shkruara në një stil të çrregullt, të shoqëruara nga tri pika: And if you go forward … [Dhe nëse ti ecën para …]. Një pjesë e zjarrtë e 2.2 milionë ndjekësve të saj u entuziazmua menjëherë, duke i njohur fjalët si pjesë të këngës Frozen Love [Dashuria e ngrirë] nga viti 1973, e cila u përfshi në albumin Buckingham Nicks – i vetmi album i përbashkët i tyre përpara se të bashkoheshin me [grupin] Fleetwood Mac një vit më vonë.
Një orë më pas, emocionet arritën kulmin. Buckingham – me të cilin Nicks ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ndërlikuar dhe të tensionuar – postoi një frazë të ngjashme në llogarinë e tij në Instagram: I’ll meet you there [Do të të pres atje] – pjesa e dytë e vargut që Nicks kishte postuar pak më parë.
Dhe, kështu nisi një valë emocionesh dhe spekulimesh. “Buckingham Nicks më 2025 nuk mëtohej të ishte karta ime e bingos”, shkroi një adhurues. “Marrëdhënie 60-vjeçare është e pabesueshme”, tha një tjetër. Një i tretë, duke supozuar se po paralajmërohej një turne i përbashkët, shkroi: “Mos ma bëni këtë! Do t’i shes që të gjitha për një biletë në rreshtin e parë – që tani”!
Pra, çfarë po ndodh? Ashtu siç padyshim kishin planifikuar të dy ata, këtë askush nuk e di. Një kontakt imi më lidhi me menaxherin e Buckinghamit, por ai nuk tha asgjë. Janë katër mundësi. E para është ajo që supozon adhuruesi i gatshëm të shesë pasurinë – që ata do të nisin një turne së bashku. Nicks, e cila tërhoqi një turmë të madhe në Hajd-Park të Londrës verën e kaluar, ka një turne të madhe në ShBA që fillon muajin tjetër, ndërsa Buckingham nuk ka plane të njohura. Është krejtësisht e mundur.
Mundësia e dytë është një ribashkim më i gjerë i [grupit] Fleetwood Mac. Frozen Love ishte kënga që e shtyri bateristin Mick Fleetwood të ftonte Buckinghamin të bashkohej me grupin në vitin 1974 (dhe ai pranoi vetëm nëse do të pranonte edhe partneren e tij muzikore dhe të dashurën e tij, Nicks). Ishte pikërisht Fleetwood ai që nisi gjithçka të mërkurën, kur postoi një video të shkurtër ku dëgjonte Frozen Love në Instagram. “Magji atëherë, magji tani”, shkroi ai.
Fleetwood Mac organizoi për herë të fundit një turne në 2019, me Neil Finnin nga [grupi] Crowded House që zëvendësoi Buckinghamin – i cili u largua pas një mosmarrëveshjeje të raportuar mbi datat e turneut. Megjithatë, vdekja e Christine McViesë në vitin 2022 mund të ketë mbyllur këtë kapitull: Nicks i tha revistës Mojo, vitin e kaluar, se “nuk ka asnjë shans” që grupi të ribëhet pa McVien. Mundësia e tretë është se s’po ndodh asgjë. Është thjesht një armëpushim mes ish-të dashurve të vjetër.

Arsyeja e katërt – dhe më e mundshmja – është ribotimi dhe digjitalizimi i albumit Buckingham Nicks. Me kopertinën që paraqet një fotografi toples të çiftit me flokë të gjatë, albumi dështoi në shitje në kohën e publikimit dhe nuk është bërë kurrë i qasshëm në platformat e transmetimit në internet. Kjo do të kishte një kërkesë të jashtëzakonshme.
Më shumë se Kurt dhe Courtney apo Mick dhe Marianne, Nicks dhe Buckingham janë çifti më i famshëm në historinë e rokut. Historia e tyre ishte e mbushur me tradhti dhe marrëdhënie të ndërlikuara. U njohën në gjimnaz në Kaliforni, u bashkuan me një grup të quajtur Fritz dhe u bënë të dashur. Marrëdhënia e tyre e pasionuar dhe shpesh e trazuar zgjati deri në vitin 1976, kur u shkatërrua në mënyrë të dhimbshme – pikërisht në kohën kur Fleetwood Mac po bënin albumin Rumours. Të dy ishin shumë krenarë për të braktisur grupin. Më vonë, Nicks pati një lidhje të shkurtër me Mick Fleetwoodin – një recetë e pamundshme për harmoni brenda grupit.
Marrëdhënia e stuhishme mes Nicksit dhe Buckinghamit solli disa nga këngët më të mëdha të muzikës pop. Buckingham shkroi Go Your Own Way dhe Never Going Back Again për Nicksin. Ajo shkroi Dreams për të [Ti thua se do lirinë tënde … Por, dëgjo me kujdes tingullin e vetmisë tënde]. Siç e përshkroi më vonë Nicks: “Ai e sheh situatën nga një këndvështrim i pakëndshëm dhe plot zemërim, ndërsa unë, në mënyrën time më ëndërrimtare, them: Do t’ia dalim. Do ta kalojmë këtë”.
Deri në një farë pike, kjo është Stevie. Kënga më e fuqishme e saj për Buckinghamin ishte Silver Springs, e cila ishte menduar të përfshihej në Rumours, por përfundoi si ana B e Go Your Own Way – jin dhe jang i një marrëdhënieje në një disk të vetëm shtatë-inçësh. Teksti i këngës është prekës. E di që mund të të kisha dashur / Por, ti nuk më le, këndon Nicks, për të vazhduar: Ti kurrë nuk do të mund të largohesh nga tingulli i gruas që të ka dashur.
Një performancë në koncert e Silver Springs nga viti 1997, është një nga shfaqjet më të fuqishme dhe emocionuese në historinë e muzikës live – dhe kjo shpjegon pse ka mbi 50 milionë shikime në YouTube. Intensiteti i këngës të lë pa frymë. Gjatë këngës, Nicks e shikon vazhdimisht Buckinghamin, që ndodhet majtas saj, derisa të dy e fiksuan shikimin te njëri-tjetri dhe këndojnë drejtpërdrejt, sy më sy. Kurrë nuk do të largohesh, këndon Nicks me një intensitet të zjarrtë, dhe zemërimi i saj – edhe pas dekadash – nuk është larg sipërfaqes.
Unë e pashë [grupin] Fleetwood Mac në Dublin në vitin 2015 dhe ndërveprimi mes Nicksit dhe Buckinghamit ishte ende jashtëzakonisht i ngarkuar emocionalisht. Dukej sikur kishte ende çështje të pazgjidhura, një tension i heshtur mes dy ish-të dashurish.
Çfarëdo që të nënkuptojnë këto postime enigmatike të reja, ky është një kapitull që mbetet tërheqës. Pas gjithë kësaj kohe, ata ende po përfundojnë fjalitë e njëri-tjetrit. /Telegrafi/
The post Shenjat që tregojnë se Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham po ribashkohen! appeared first on Telegrafi.