Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kush do të donte të bëhej trilioner? Natyrisht, Elon Musk ...



Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur është fjala për një marrëveshje aq të madhe pagese - aq të madhe saqë së shpejti mund ta bëjë atë të barabartë me një nga ekonomitë më të mëdha globale - Elon Musk po përballet me kundërshtime. Këtë javë, drejtuesi i Tesla-s u bë personi i parë në histori që arrin një pasuri neto prej 500 miliardë dollarësh [vlera e përafërt e 426 eurove] - dhe me fitimet e ardhshme ai mund të bëhet trilioneri i parë në botë - ekuivalenti i 1 000 miliardë dollarëve [vlera e përafërt e 852 miliardë eurove].

Kjo do ta bënte më të pasur se Belgjikën.

Një grup që përfshin SOC Investment Group - i cili synon të mbajë përgjegjës kompanitë dhe drejtuesit për sjellje joetike dhe pagesa të tepërta - fondet pensionale, sindikatat dhe disa zyrtarë të shteteve amerikane, ka hartuar një letër ku i bën thirrje investitorëve të votojnë kundër pakos së fryrë në mbledhjen e nëntorit të kompanisë. Ata gjithashtu kërkojnë që aksionerët të kundërshtojnë rizgjedhjen e tre drejtorëve që miratuan planin.

“Nga qëndrimi këmbëngulës i bordit për të mbajtur CEO-n, duket se është dëmtuar reputacioni i kompanisë, janë dhënë kompensime jashtëzakonisht të larta për drejtuesit dhe është vonuar përparimi në përmbushjen e objektivave kyçe, si vozitja plotësisht autonome”, thuhet në letër.

Dyshoj se kjo është vetëm goditja e parë në një betejë të zgjatur që ndoshta do të përfshijë edhe gjykatat - të cilat tashmë janë përfshirë në një pako të mëparshme pagash për Muskun.

Me gjasat e krijimit të CEO-së së parë trilioner në botë, Tesla duket se është e vetëdijshme se mund të përballet me një problem në fushën e marrëdhënieve me publikun. Llogaria e saj në X ka filluar të publikojë postime ku u bëhet thirrje investitorëve të ndjekin “rekomandimet e bordit për të GJITHA propozimet” - shprehje e Tesla-s, jo e imja.

Të “GJITHA” sepse dyshoj se të paktën disa aksionerë të Tesla-s do të ndihen më të prirë të votojnë kundër pakos sesa anëtarët e bordit. Drejtorët joekzekutivë paguhen për të mbikëqyrur menaxhimin në emër të aksionerëve. A ka dikush që mund të argumentojë bindshëm se ata të Tesla-s po e bëjnë këtë siç duhet? Megjithatë, është shumë e rrallë që drejtorët të përballen me vota të rëndësishme kundër rizgjedhjes së tyre. Mospajtimi lidhur me pakot e kompensimit është më i zakonshëm.

Taktikat e Tesla-s duken manipuluese. Merrni si shembull postimin ku është “Kiyoko”, një punonjëse tërheqëse dhe simpatike e Tesla-s me 12 vjet përvojë. E shohim duke buzëqeshur në dyshemenë e fabrikës, dhe të intervistuar në një kolltuk të rehatshëm ku flet me pasion për kompaninë ndërsa shpjegon se si i përdori “aksionet e fituara me mund nga Tesla” për të blerë një shtëpi të re.

Ideja që përpiqet të përcjellë postimi është se nuk është vetëm Eloni ai që përfiton nga shpërblimet në aksione. Edhe njerëzit e vegjël përfitojnë diçka. Edhe për ta ka disa thërrime të arta në tryezë!

Mirë për Kiyokon. Vetëm shpresoj që t’ia dalë edhe në valën e ardhshme të shkurtimeve të kostove, kur drejtuesit e Tesla-s me gjasë do të injorojnë çmimin që paguhet për të pasur një CEO të famshëm.

Letra me të drejtë thekson problemin kryesor të kësaj kompanie: bordin që duket se beson se Tesla është Eloni dhe Eloni është Tesla. Kiyoko nuk ka rëndësi. As kolegët e saj - inxhinierët, të rinjtë e talentuar, madje as drejtuesit e tjerë. Biznesi është një sport skuadre, por Tesla kërkon që ne të besojmë se është shfaqje e një njeriu të vetëm. Përkushtimi ndaj Muskut ka marrë tashmë përmasa gati kulti.

Po ku e ka çuar ky devocion Tesla-n? Shitje të paqëndrueshme, të paktën në Evropë, dhe një çmim aksionesh që ngjitet dhe bie si një rolokaster. Aksionet u rritën pasi Musku shpenzoi nga xhepi i tij plot një miliard dollarë për të blerë një sasi aksionesh - një veprim të cilin tregjet e interpretuan si shenjë besimi për të ardhmen e Tesla-s.

Kompania gjithashtu njoftoi një numër rekord shpërndarjesh automjetesh në tremujorin e tretë të vitit 2025. Megjithatë, kjo ndodhi pjesërisht për shkak të skadimit të një kredie tatimore në ShBA, çka bëri që blerësit të nxitojnë të përfitojnë përpara se të mbarojë. Se si do të jenë shitjet pa këtë nxitje, mbetet për t’u parë. Do të sugjeroja që aksionarët ta lidhin fort rripin e sigurisë për atë që mund të vijë.

Argumenti kryesor i bordit për shpërblimin e Muskut është se Tesla do të duhet të arrijë objektiva “gjithëpërfshirëse” (një fjalë që përdoret shpesh kur bëhet fjalë për pakot e CEO-ve) për të marrë gjithë shumën e paguar në aksione. Përmbushja e tyre do të përbënte vërtet një arritje të madhe. Musku do të duhet të mbikëqyrë shitjen e një milion robotëve me inteligjencë artificiale, 12 milionë makinave Tesla dhe të rrisë tetë herë vlerën e tregut të kompanisë.

Nëse e kthen çdo 1 dollar të investuar në 8 dollarë, për çfarë duhet të shqetësohen aksionarët? Për këtë: atyre po u kërkohet ta dorëzojnë kompaninë e tyre - dhe ajo është kompania e tyre.

Nuk mjafton që Musku tashmë ka një pjesë të konsiderueshme, e cila gjithashtu do të ishte rritur tetë herë nëse ai ia del. Shefi i Tesla-s është ankuar vazhdimisht për mungesën e kontrollit mbi Tesla-n dhe bordi është pajtuar me këtë. Kjo pako do ta rriste pjesën e tij nga 16 për qind në 25.

Gjithë kjo për një punë me kohë të pjesshme. Musku aktualisht po menaxhon më shumë pjata sesa ruhen në kuzhinat e hotelit më të madh të Nju-Jorkut. Përveç drejtimit të Tesla-s, është edhe SpaceX dhe bizneset e tij të tjera. Ai është pronar i X-it dhe ka nisur një karrierë të dytë si aktivist politik dhe influencer në rrjetet sociale në këtë platformë.

Dalja e tij më e fundit në luftërat kulturore është thirrja për bojkot ndaj Netflix-it - përkitazi me përmbajtjen e tij. Pyetja që nuk e kam parë të shtrohet, në mes të debatit të nxehtë që pasoi, është kjo: si ka mundësi që Elon Musku ka abonim në Netflix? Ku e gjen kohën për ta përdorur atë? Ky njeri ka cicërima të zemëruara për të shkruar ...

Sigurisht, problemi më i madh me këtë absurditet është, efekti që do të ketë mbi pakot e tjera të CEO-ve. Ata pa dyshim do të trokasin në dyert e bordeve të tyre për të kërkuar diçka të ngjashme. Dhe, ata nuk janë të gjithë super-yje. Janë shumë larg kësaj.

Është koha që aksionarët të përballen me realitetin: sido që ta shohësh, kjo nuk është në interesin e tyre. Nuk është aspak në interesin e Tesla-s si kompani, duke qenë se do të ketë jetë edhe pas Musk-ut.

Është koha që ata të bashkohen me nënshkruesit e letrës dhe të votojnë kundër. Është çështje e hapur nëse një numër i mjaftueshëm prej tyre do ta bëjnë këtë për të shkaktuar probleme. Kjo nuk do të ishte pakoja e parë e çmendur që ata kanë mbështetur. /Telegrafi/

A mund t’ia besojmë Mark Zuckerbergut mbikëqyrjen e revolucionit të inteligjencës artificiale?

Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Meta e Mark Zuckerbergut ishte ylli i bursës së Uoll-Stritit [Wall Street], pasi të dhënat e fundit zbuluan një përfitim të madh si rezultat i investimeve në inteligjencën artificiale [IA]. Përqafimi i kësaj teknologjie të re është një nga bastet më të mira të mbretit të rrjeteve sociale – dhe po jep fryte të mëdha që ka shumë gjasa të vazhdojnë edhe për vite me radhë.

Të ardhurat për tremujorin që përfundoi, në fund të qershorit, u rritën me 22 për qind, duke arritur në 47.5 miliardë dollarë [vlera e përafërt e 41.6 miliardë eurove] krahasuar me një vit më parë. Fitimet u rritën me më shumë se një të tretën (36 për qind), duke arritur në 18.3 miliardë dollarë [vlera e përafërt e 16 miliardë eurove]. Nëse çmimi i ambicieve të Zuckerbergut në fushën e IA-së është po aq marramendës – shpenzimet totale u rritën me 12 për qind, duke arritur në 27.5 miliardë dollarë [vlera e përafërt e 24 miliardë eurove], me më shumë investime të paralajmëruara – kujt i intereson? Është një investim i mençur dhe një lëvizje e mirë biznesi.

Burimet e mëdha të Meta-s nënkuptojnë se ajo patjetër do të jetë në pararojë të kësaj teknologjie të re interesante, por potencialisht të rrezikshme për shumë vite në vijim. Kjo është më shumë sesa më pak shqetësuese, sidomos nëse keni lexuar librin bestseller të ish-drejtoreshës së Facebook-ut, Sarah Wynn-Williams: Careless People: A Cautionary Tale of Power, Greed, and Lost Idealism [Njerëz të pakujdesshëm: Një tregim paralajmërues për pushtetin, lakminë dhe idealizmin e humbur], rreth kohës së saj në kompani.

Nëse e lexoni vetëm një libër biznesi këtë vit – apo edhe gjatë gjithë jetës suaj – ky është ai.

Wynn-Williams nuk është përmbajtur për të përfshirë akuza tronditëse për sjelljen e drejtuesve më të lartë të kompanisë. Libri i saj është një ekspoze dhe këtë punë e bën shumë mirë. Është gjithashtu një lexim tërheqës, ndonëse me raste tronditës.

Por, pjesa më e rëndësishme është ajo që ka për të thënë për mënyrën e pakujdesshme se si Meta ishte e gatshme të përdorte teknologjinë e saj përparimtare. Për shembull, Wynn-Williams pretendon se kompania synonte adoleshentët, përmes reklamave, bazuar në gjendjen e tyre emocionale – përfshirë kur ishin në depresion.

Tani, shtojeni IA-në në këtë përzierje algoritmike. Pasojat janë të bollshme për të të tronditur. Gjithashtu, të shqetësojnë përpjekjet e kompanisë për të tërhequr Kinën dhe se çfarë i ofroi regjimit atje. Mos harroni, Wynn-Williams i bëri të njëjtat akuza edhe para senatorëve amerikanë – nën betim.

Tani, le ta vendosim këtë në një kontekst. Bota ndodhet në mes të një gare të vrullshme për dominimin e IA-së. Donald Trumpi pretendon se ShBA-ja tashmë e ka fituar këtë garë. Ndoshta ka të drejtë. Keir Starmer është i vendosur që Britania të paktën të sigurojë një vend në podium, edhe pse zyrtarët e komunikimit të qeverisë ndoshta do të preferonin që të përdorja shprehjet si “rol udhëheqës” apo prej “pionieri” apo diçka të ngjashme.

Ndërmarrja më e fundit të tij përfshin afrimin me influencuesit (jam i vetmi që e urren fjalën “influencues”?). Të enjten, kryeministri mbajti një sesion gjysmë-ditor për rreth 100 prej tyre në Kryeministri [Downing Street], për të diskutuar se si mund të bashkëpunojnë më ngushtë me qeverinë – dhe anasjelltas, duke pasur parasysh rritjen marramendëse të konsumit të lajmeve në rrjetet sociale.

IA-ja ka bërë që ministrat të jenë të entuziazmuar – dhe me arsye. Shteti britanik është në rrëmujë, i bllokuar nga burimet e pakta dhe udhëheqja e dobët e cila shpeshherë duket më e interesuar për projekte personale sesa për zgjidhjen e problemeve. IA-ja mund ta ndryshojë këtë.

Ministrja e Drejtësisë, Shabana Mahmood, mendon se IA-ja mund të “parashikojë rrezikun që paraqet një keqbërës” dhe të ndihmojë në marrjen e “vendimeve për të vendosur të burgosurit e rrezikshëm nën mbikëqyrje më të rreptë”, duke ulur kështu dhunën në burgje. Edhe shërbimi i kushtëzimit, i cili po përballet me vështirësi, mund të përfitojë pasi pilotët e IA-së kanë treguar “një ulje prej 50 për qind në kohën e marrjes së shënimeve, duke i lejuar oficerët të përqendrohen te menaxhimi i rrezikut, monitorimi dhe takimet ballë për ballë me të dënuarit”.

Kthehemi te Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë [NHS], ku na thuhet se një aplikacion që përdor IA-në për të ofruar fizioterapi për njerëzit me dhimbje shpine, ka ulur listat e pritjes për trajtim me 55 për qind. Nuk e di nëse dua vërtet që problemet e mia me shpinën të trajtohen nga një robot, por ndoshta kjo vjen si pasojë e faktit që kam lexuar shumë libra distopikë.

Tashmë po shohim disa nga efektet negative të kësaj teknologjie, përmes zhdukjes së pozicioneve fillestare në industrinë e teknologjisë dhe në sektorin financiar, gjë që përkeqëson edhe më tej një treg pune veçse të dobët në Mbretërinë e Bashkuar. Por, qeveria nuk është shumë e gatshme të flasë për këtë.

Kjo të çon drejt një pyetjeje thelbësore: a është fjala për një lloj teknologjie që duam të kontrollohet nga “njerëz të pakujdesshëm” të përshkruar nga Wynn-Williams – njerëz kaq të fiksuar pas fitimeve saqë nuk ndalen asnjëherë të mendojnë për atë që po bëjnë?

Ndoshta kjo teknologji e rregullon NHS-në dhe ia jep jetë një shteti të ngurtë që po dështon dukshëm ndaj qytetarëve britanikë. Jeta e njerëzve mund të përmirësohet si rezultat i kësaj. Por, problemi qëndron se nëse përzien njerëz të pakujdesshëm, mund të përfundosh po aq lehtë duke krijuar një përzierje toksike. /Telegrafi/

 

The post A mund t’ia besojmë Mark Zuckerbergut mbikëqyrjen e revolucionit të inteligjencës artificiale? appeared first on Telegrafi.

❌