Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Si ndërtohet një qytet para se të ndërtohet një ndërtesë

Nga Baton Haxhiu

Pjesa e dytë

“The Albanian Files” nuk dokumenton vetëm arkitekturën e Shqipërisë. Ai dokumenton mënyrën se si lind një ide, si ndryshon një peizazh dhe si ndërtohet një qytet shumë kohë përpara se të derdhet kubiku i parë i betonit.

Nëse pjesa e parë e këtij libri i takon debatit publik, pjesa e dytë i takon arkitektëve. Pikërisht këtu libri ndryshon ritmin. Zhurma mbetet jashtë. Faqet mbushen me skica, makete, shënime, fotografi, ese dhe reflektime. Nuk ke më përshtypjen se po lexon një botim institucional. Të krijohet ndjesia se ke hyrë në studiot ku lindin qytetet.

Dhe pikërisht këtu libri zbulon vlerën e tij më të madhe.

Ne jemi mësuar të admirojmë vetëm ndërtesën e përfunduar. E fotografojmë, e komentojmë, e pëlqejmë ose e refuzojmë. Por shumë rrallë pyesim se si lindi ajo. Çfarë dyshimesh pati arkitekti? Sa herë u fshi një vijë? Sa herë u ndryshua një hyrje, një shesh, një pemë, një dritare? Sa herë një projekt u rrëzua për të rilindur më i mirë?

Ky libër nuk fillon aty ku përfundojnë ndërtesat. Libri fillon aty ku lind mendimi. Prandaj, ndoshta fjalia që e përmbledh më mirë është kjo: Një ndërtesë është fundi i një procesi. Ky libër dokumenton fillimin e tij.

Dhe kjo e dallon nga pothuajse çdo botim tjetër për arkitekturën që kam pasur në dorë sepse gati në shumë libra sheh rezultatin, kurse në këtë libër sheh inteligjencën që prodhoi rezultatin.

Prandaj nuk është e rastësishme që faqet më mbresëlënëse nuk janë domosdoshmërisht fotografitë e ndërtesave të përfunduara. Janë skicat me laps. Janë vizatimet e para. Janë korrigjimet. Janë maketet. Janë ato vijat e pasigurta që askush nuk kishte ndërmend t’i botonte si art, por që në fund rezultojnë të jenë arti më i madh i librit.

Sepse ato nuk janë bërë për t’u admiruar. Janë bërë për të menduar, sepse në kohën tonë jemi mësuar të konsumojmë vetëm produktin përfundimtar. Ky libër na detyron të kthehemi në momentin kur asgjë nuk ishte e sigurt. Kur qyteti nuk ishte ende qytet. Kur ndërtesa nuk ishte ende ndërtesë. Kur gjithçka varej nga një laps mbi një letër të bardhë.

Ky është ndoshta mësimi më i bukur që të jep libri. Një qytet nuk lind nga betoni. Ai lind nga mendimi.

Nga mijëra vendime të vogla që askush nuk i sheh më kur ndërtesa përfundon. Nga një vijë që zhvendoset disa centimetra. Nga një pemë që vendoset të mos pritet. Nga një shesh që zgjerohet sepse dikush beson se qytetet ndërtohen për njerëzit dhe jo për makinat. Nga një fasadë që nuk kërkon të dominojë peizazhin, por të dialogojë me të.

Asnjë nga këto vendime nuk bëhet lajm. Por pa to nuk do të kishte qytet. Dhe pikërisht këtë arrin të dokumentojë The Albanian Files.

Një tjetër meritë e madhe e librit është se ai nuk e kufizon rrëfimin te Tirana. Në fillim edhe unë mendova se ky ishte një libër për transformimin e kryeqytetit. Por sa më shumë ecja nëpër faqe, aq më tepër kuptoja se tema është më e madhe.

Ky është një libër për Shqipërinë. Për territorin. Për peizazhin. Për bregdetin.

Për mënyrën se si një vend i vogël u bë një laborator ku disa nga arkitektët më të rëndësishëm të botës vendosën të eksperimentojnë, të provojnë, të dështojnë, të korrigjojnë dhe, në fund, të ndërtojnë.

Kur lexon reflektimet e Álvaro Sizës, të Bjarke Ingels, të Pablo Bofill, të Andrea Caputos dhe të tjerëve, kupton se askush prej tyre nuk ka ardhur këtu vetëm për të projektuar një ndërtesë. Ata kanë ardhur për të kuptuar një vend. Për të hyrë në dialog me historinë, me dritën, me relievin, me kujtesën dhe me njerëzit.

Kjo është arsyeja pse ky libër nuk ka vetëm fotografi. Ka ese. Ka mendime.

Ka dilema. Ka filozofi. Ka pyetje që mbeten të hapura.

Andrea Caputo shtron një pyetje që, në të vërtetë, shkon shumë përtej arkitekturës: çfarë mbetet nga territori fillestar kur mbi të ndërtohet një qytet i ri?

Kjo nuk është më vetëm pyetje për urbanistët. Është pyetje për të gjithë ne.

Sepse çdo shoqëri moderne përballet me të njëjtën dilemë: si të ndryshojë pa humbur kujtesën. Dhe pikërisht këtu libri fiton një dimension tjetër.

Ai nuk është më kronikë e ndërtesave.

Është kronikë e një transformimi kulturor.

Ndoshta kjo është arsyeja pse polemikat që shoqëruan botimin e tij më duken sot shumë më të vogla sesa vetë libri.

Jam i bindur se pas dhjetë apo njëzet vitesh askush nuk do t’i kujtojë debatet televizive, statuset në rrjetet sociale apo zemërimet politike që e shoqëruan daljen e tij.

Por libri do të vazhdojë të jetë aty. Në bibliotekën e një studenti. Në studion e një arkitekti. Në tavolinën e një studiuesi.

Sepse librat e rëndësishëm nuk jetojnë me ritmin e politikës. Ata jetojnë me ritmin e kohës.

Politika prodhon debate që zgjasin një javë kurse Arkitektura prodhon qytete që zgjasin një shekull.

Por librat e mëdhenj bëjnë diçka edhe më të rëndësishme. Ata ruajnë kujtesën e mënyrës se si ai shekull u mendua përpara se të ndërtohej.

Dhe pikërisht për këtë arsye, “The Albanian Files” nuk është një libër që kërkon ta bindë lexuesin të admirojë ndërtesat. Ai e fton të admirojë diçka shumë më të rrallë: inteligjencën, dyshimin dhe procesin krijues që i bënë ato të mundura.

Një mendim i fundit më mbeti gjatë gjithë leximit.

Ndoshta ky është libri i parë ku Shqipëria nuk rrëfehet nga politikanët, as nga historianët, as nga publicistët. Ajo rrëfehet nga arkitektët. Nga njerëz që e lexojnë një vend përmes dritës, hapësirës, peizazhit dhe jetës së përditshme. Dhe pikërisht për këtë arsye ky libër do të mbetet. Sepse nuk dokumenton vetëm atë që është ndërtuar. Dokumenton mënyrën se si një brez vendosi të imagjinojë të ardhmen, shumë kohë përpara se ajo të merrte formë në gur, në çelik dhe në beton. Kjo është vlera e tij e vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse ai meriton të lexohet me të njëjtin durim me të cilin janë vizatuar skicat e para të çdo ndërtese që ai ruan.

Libri, The Albanian files, u gjykua para se të lexohej

Nga Baton Haxhiu

PJESA I

Polemikat për “The Albanian Files” nisën shumë përpara se libri të hapej. Por sapo kalon faqet e para, kupton se debati i vërtetë nuk është për Edi Ramën. Është për mënyrën se si ndërtohet një qytet dhe për aftësinë tonë për ta lexuar një vepër përpara se ta gjykojmë.

Për fat të mirë timin, e njoh prej shumë vitesh Kryeministrin Edi Rama. Po aq gjatë e kam mik edhe pronarin e Shtëpisë Botuese Dukagjini. Megjithatë, vetëm pak ditë më parë më ra në dorë The Albanian Files, sapo kishte dalë nga shtypi.

E kuptova me vonesë se po lexoja gabim edhe kopertinën. Kisha menduar se titulli ishte “The Albanian Files”. Nuk ishte. Ai ishte vetëm emri i arkivit. Titulli i vërtetë ishte poshtë tij: Freedom and Architecture. Në atë çast kuptova se libri nuk rrëfente vetëm historinë e ndërtesave. Ai përpiqej të provonte një tezë shumë më të madhe: se arkitektura bëhet vërtet arkitekturë vetëm kur lind nga liria. Dhe se liria nuk është vetëm një sistem politik. Është aftësia e një shoqërie për të imagjinuar hapësirën ku do të jetojë.

Kjo, sipas meje, është shumë më e fuqishme se të flasim vetëm për Tiranën apo për Edi Ramën.

Sepse “Freedom and Architecture” nuk është një slogan. Është pyetja që libri ia shtron lexuesit në çdo faqe: çfarë forme merr liria kur ndërtohet në gur, në xham, në dritë dhe në hapësirë?

Dhe mendoj se ky shkrim duhet të mbyllet duke u kthyer pikërisht te kjo ide. Jo te politika, por te liria si kusht për krijimin. Aty, libri fiton një kuptim që shkon shumë përtej arkitekturës.

Nuk jam kritik i arkitekturës. Nuk kam as formimin profesional për të gjykuar një projekt urban, një ndërtesë apo një vizatim teknik. Prandaj, kur mora në dorë The Albanian Files, mendova se do të lexoja një libër që u flet kryesisht arkitektëve. Gabova. Pas pak faqesh kuptova se ky nuk është një libër që të kërkon të jesh arkitekt. Të kërkon vetëm të jesh një lexues i durueshëm. Sepse arkitektët më të mirë të botës, të mbledhur në këtë vepër, nuk të mësojnë vetëm si ndërtohet një ndërtesë. Të mësojnë si lind një ide. Dhe për ta kuptuar këtë nuk duhet të dish të vizatosh më mirë se ata. Mjafton të dish të lexosh atë që ata kanë vizatuar.

Unë nuk pretendoj se i kuptoj projektet më mirë se arkitektët që i kanë krijuar. Ata shohin atë që unë nuk mund ta shoh. Por kam një bindje tjetër: një shkrimtar, një gazetar apo një lexues mund të lexojë historinë që fshihet pas atyre vijave. Sepse arkitektët ndërtojnë me laps. Ne ndërtojmë me fjalë. Dhe ndonjëherë, kur një libër është shkruar mirë, këto dy gjuhë takohen në të njëjtën faqe.

E mora librin me një kureshtje të pazakontë. Jo vetëm për ta lexuar, por edhe për të kuptuar një paradoks që më kishte shoqëruar për javë të tëra.

Pothuajse çdo ditë lexoja komente për librin. Disa e ngrinin në qiell. Të tjerë e rrëzonin pa mëshirë. Disa e quanin propagandë. Të tjerë një monument kulturor. Debati ishte bërë i nxehtë, pothuajse politik. Por kishte një problem të vogël.

Shumica nuk po flisnin për librin, por po flisnin për autorin e parathënies.Pra po flisnin për Edi Ramën. Dhe atëherë e pyeta veten: pse arkitekt dhe analist po debatonim për një libër apo për idenë që secili kishte krijuar për të, kur libri ka dal nga botimi vetem tre ditë më parë. Dhe mu deshën poaq dite ta shikoja dhe të mbaja shënime.

Sa më shumë e mendoja këtë pyetje, aq më shumë kuptoja se ajo nuk kishte të bënte vetëm me këtë botim. Ajo kishte të bënte me kohën tonë.

Jetojmë në një epokë ku veprat shpesh gjykohen para se të lexohen. Një fotografi, një fragment, një postim në rrjetet sociale ose një emër në kopertinë mjafton për të prodhuar një verdikt. Nuk presim më faqen e parë. Nuk presim argumentin. Nuk presim autorin të na çojë deri në fund të mendimit të tij. E kemi ndërtuar zakonin e gjykimit të menjëhershëm dhe, në këtë nxitim, humbasim shpesh vetë veprën.

The Albanian Files është viktima më e fundit e këtij refleksi.Ironia është se libri vetë flet pikërisht për të kundërtën.
Libri dhe autorja vet flet për procesin, për kohën.Për durimin. Për evolucionin e një ideje.

Për të gjitha ato gjëra që nuk mund të kuptohen me një shikim të shpejtë.
Kur hapa faqet e para, kuptova se edhe unë duhej të hiqja dorë nga çdo paragjykim. Libri nuk kërkonte admirim. Kërkonte lexim.

Dhe pikërisht aty nisa të kuptoj se gabimi më i madh që është bërë në debatin publik nuk lidhet me përmbajtjen e librit, por me mënyrën se si ai u lexua.Ose, më saktë, si nuk u lexua.

Parathënia është shkruar nga Edi Rama. Pikërisht aty nisi gjithçka.

Mendoj se kjo ishte një zgjedhje e natyrshme. Historia e transformimit urban të Tiranës dhe e hapjes së Shqipërisë ndaj arkitekturës bashkëkohore nuk mund të rrëfehet pa njeriun që e ka udhëhequr atë proces politik për më shumë se dy dekada. Do të ishte artificiale të pretendohej e kundërta.

Por emri i tij pati edhe një efekt tjetër. Ai u bë aq i madh, sa mbuloi librin. Shumë njerëz panë autorin e parathënies dhe nuk hynë më në faqet që vinin pas saj.

Paradoksi është se vetë Rama, në fund të tekstit të tij, e fton lexuesin të mos ndalet te rrëfimi i tij. Ai shkruan se hapja e këtyre “dosjeve” mund t’i tregojë lexuesit një histori krejt tjetër nga ajo që sapo ka rrëfyer. Është një ftesë për të hyrë në libër.

Por debati publik bëri të kundërtën. U ndal te dera. Nuk hyri brenda.
Ky është, ndoshta, keqkuptimi më i madh që e ka shoqëruar botimin.

Sepse sapo kalon ato faqe të para, Edi Rama pothuajse zhduket. Libri ia dorëzon fjalën dikujt tjetër.Arkitektëve.
Dhe pikërisht aty fillon libri i vërtetë.

Redaktorja Anneke Abhelakh e vendos që në hyrje boshtin intelektual të këtij botimi.Ajo nuk e paraqet Shqipërinë si një ekspozitë projektesh të suksesshme. Nuk e sheh si një katalog ndërtesash. Nuk shkruan as një histori triumfi.

Ajo e sheh Shqipërinë si një territor ku arkitektura, historia, politika, kujtesa dhe transformimi urban janë ndërthurur në një proces të vetëm. Një vend ku projektimi nuk është vetëm akt estetik, por edhe negociatë me historinë, me peizazhin, me institucionet dhe me shoqërinë.

Ky është ndryshimi thelbësor sepse, në shumicën e librave të arkitekturës shohim ndërtesa.Në këtë libër shohim mendimin që i parapriu ndërtesës.
Dhe këtu qëndron edhe origjinaliteti i tij.
Ky nuk është një album. Nuk është një katalog dhe asesi nuk duket dhe nuk është as një broshurë për investime.
Është një arkiv i procesit krijues.

Një arkiv i mënyrës se si një vend i vogël u bë, për më shumë se dy dekada, një laborator ku disa nga arkitektët më të rëndësishëm të botës provuan ide, dështuan, korrigjuan, diskutuan dhe ndërtuan.

(Vazhdon neser në pjesën e dytë…
Si ndërtohet një qytet para se të ndërtohet një ndërtesë

“The Albanian Files” nuk dokumenton vetëm arkitekturën e Shqipërisë. Ai dokumenton mënyrën se si lind një ide, si ndryshon një peizazh dhe si ndërtohet një qytet shumë kohë përpara se të derdhet kubiku i parë i betonit. )

Kur protesta fillon të shkruajë program

Për javë të tëra debati u përqendrua te numri i protestuesve. Me publikimin e kërkesave, pyetja nuk është më sa njerëz janë në shesh. Pyetja është sa nga këto kërkesa mund të kthehen në realitet politik.

Nga Baton Haxhiu

Kërkesat dolën. Me nënshkrime dhe adresim publikut dhe ambasadave.
Ky është, sipas meje, një nga momentet më interesante të gjithë kësaj lëvizjeje.

Për javë të tëra kemi debatuar për turmën. Për numrat. Për parullat. Për atmosferën. Për heterogjenitetin e protestës. Për Trumpin, për Kushnerin, për Zvërnecin, për ambientalistët, për liberalët dhe për të gjitha grupimet që kanë mbushur sheshin para Kryeministrisë.

Por asnjë protestë nuk matet vetëm nga njerëzit që mbledh, por ajo matet nga idetë që prodhon.

Dhe në këtë kuptim, publikimi i platformës është një hap përpara. Për herë të parë protesta po largohet nga simbolika dhe po hyn në territorin e politikës. Nuk po kërkon më vetëm të dëgjohet. Po kërkon të qeverisë ndryshe.

Kjo është arsyeja pse dokumenti duhet marrë seriozisht, sepse të gjitha kërkesat nuk janë të realizueshme. Dhe nuk do të mund të jenë.

Ky moment tregon se protesta po përpiqet të kalojë nga zemërimi te projekti. Megjithatë, pikërisht këtu fillon edhe testi i saj më i vështirë, sepse dokumenti bashkon kërkesa që i përkasin tri niveleve krejt të ndryshme të politikës.

Niveli i parë përfshin kërkesa që janë realisht të negociueshme. Shfuqizimi ose rishikimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura, ndryshimet në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, paketa e Maleve dhe kuadri ligjor për Investimet Strategjike janë çështje që mund të debatohen në Parlament, mund të rishikohen nga qeveria dhe mund të ndryshohen përmes shumicës parlamentare. Edhe nëse qeveria nuk i pranon menjëherë, këto janë objektiva që kanë një mekanizëm institucional për t’u realizuar. Pikërisht këtu protesta mund të prodhojë ndikim konkret.

Niveli i dytë është shumë më kompleks. Reforma kushtetuese, reforma zgjedhore, financimi i partive politike dhe kufizimi i mandateve nuk janë më kërkesa proteste. Janë reforma themelore të sistemit. Për t’i realizuar nuk mjafton presioni i rrugës. Kërkohet konsensus politik, shumica të cilësuara dhe një proces negociimi që përfshin pikërisht institucionet që protesta sot kundërshton.

Këtu qëndron paradoksi, sepse sa më ambicioze bëhen kërkesat, aq më shumë protesta ka nevojë për dialog me sistemin që kërkon të ndryshojë.

Niveli i tretë përfshin dorëheqjen e Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike njëvjeçare.
Këto janë kërkesa politike maksimale.
Dhe pikërisht për këtë arsye janë edhe më të vështirat për t’u realizuar.

Në sistemet parlamentare, një kryeministër që kontrollon shumicën nuk largohet vetëm sepse një protestë ia kërkon. Ai largohet kur humbet shumicën, kur përballet me një krizë të thellë ekonomike ose institucionale, kur ndodh një çarje brenda partisë së tij, ose kur krijohet një presion i jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Asnjë nga këto kushte, të paktën deri tani, nuk duket të jenë plotësuar.

Kjo nuk do të thotë se protesta është e parëndësishme. Përkundrazi! Por, do të thotë vetëm se instrumenti dhe objektivi nuk përputhen ende.

Pikërisht këtu ndihmon përvoja ndërkombëtare dhe rastet e ngjajshme që kanë ndodh së fundi dhe unë i kam të freskëta.

Në Izrael, gjatë viteve 2023 dhe 2024, u zhvilluan disa nga protestat më të mëdha në historinë e vendit kundër reformës në drejtësi. Në rrugë dolën qindra mijëra njerëz. Morën pjesë profesorë universitetesh, gjeneralë në pension, biznesmenë, rezervistë dhe organizata të shoqërisë civile. Megjithatë, protesta nuk e rrëzoi qeverinë. Ajo arriti të ushtrojë presion, të vonojë vendimmarrje dhe të imponojë negociata, por nuk prodhoi një tranzicion politik. Arsyeja ishte e thjeshtë: qeveria ruante shumicën parlamentare.

Një shembull tjetër është Maqedonia e Veriut në vitet 2015–2016.

Aty protestat ishin vetëm një pjesë e ekuacionit. Ato u bashkuan me publikimin e përgjimeve që tronditën opinionin publik, me një opozitë parlamentare të organizuar dhe me një ndërmjetësim të fortë ndërkombëtar. Vetëm kombinimi i këtyre faktorëve krijoi kushtet për Marrëveshjen e Përzhinës dhe zgjedhjet e parakohshme. Nuk ishte protesta e vetme që e ndryshoi sistemin.

Ky është mësimi që duhet lexuar edhe në Shqipëri. Por asigjë sdo të jetë si më parë.
Publikimi i këtij dokumenti e ndryshon natyrën e protestës. Ajo nuk është më vetëm një grumbullim pakënaqësish qytetare. Me këtë platformë ka hyrë në territorin e politikës dhe të institucioneve. Dhe pikërisht këtu fillon prova e saj më e vështirë.

Nga ky moment protesta nuk do të gjykohet më nga numri i njerëzve që mbushin sheshin, por nga aftësia për të ndërtuar një shumicë politike rreth kërkesave që ka shpallur. Sepse platformat politike nuk maten me drejtësinë morale të kërkesave, por me kapacitetin për t’i shndërruar ato në vendimmarrje, në ligje, në reforma dhe në marrëveshje institucionale.

Historia e demokracive moderne më mëson se protestat nuk fitojnë thjesht sepse kanë të drejtë. Ato fitojnë vetëm kur arrijnë ta kthejnë të drejtën e tyre në një forcë politike që detyron institucionet të ndryshojnë. Pikërisht në këtë pikë fillon dallimi mes një proteste që denoncon dhe një lëvizjeje që synon të ndryshojë shtetin.

Nëse kjo platformë mbetet vetëm një dokument i dorëzuar ambasadorëve, ajo do të ketë vlerën e një manifesti politik. Nëse arrin të krijojë përfaqësim, aleanca dhe një mekanizëm demokratik për zbatimin e saj, atëherë protesta hyn në një fazë krejt tjetër. Atëherë ajo nuk do të kujtohet për turmën që mblodhi në shesh, por për ndryshimet që arriti t’ia imponojë sistemit politik shqiptar.

Gruaja që donte trenin në Sazan

Nga Baton Haxhiu

Këto ditë më dërguan një histori nga Sazani.

Një grup vizitorësh kishte shkuar për të parë ishullin që prej muajsh ka hyrë në debatet politike shqiptare. Ishin njerëz të zakonshëm. Disa nga Shqipëria. Disa nga diaspora. Disa që e kishin dëgjuar emrin e Sazanit gjithë jetën dhe nuk e kishin parë kurrë.

Mes tyre ishte edhe një grua nga Dibra.

Nga ato gra që Shqipërinë e duan me mall, sepse perëndimi i përbuzi, por që nuk e kanë zakon të lexojnë analizat tona politike, nuk ndjekin debatet televizive dhe nuk dinë pothuajse asgjë për teoritë që prodhohen në Tiranë.

Sapo zbarkuan në ishull, ajo pa përreth dhe bëri pyetjen e parë.

“A qiket ishëll don me ia fal Trampit ai?”.

Dikush nga grupi u përpoq t’i shpjegonte.

Nuk po ia fal njeri. Ka një projekt. Ka një investim. Ka debat. Ka protestë. Ka njerëz që janë kundër, i shpjegonte udhëheqësi i grupit turistik.

Ajo tundi kokën. Nuk dukej se kishte kuptuar shumë.

Filloi të ecë.

Pas pak minutash rruga filloi të ngjitej. Dielli ishte i fortë. Godinat e vjetra ushtarake dukeshin sikur kishin mbetur në vitin e fundit të komunizmit.

Gruaja ndaloi. Mori frymë thellë, dhe tha: “Po tren s’ka këtu?”.

Të gjithë qeshën me lot!

Por askush nuk e kuptoi se ajo kishte bërë pyetjen më serioze të ditës, sepse ajo nuk po pyeste për trenin, Ajo po pyeste për jetën.

Po pyeste nëse ky vend ishte ndërtuar ndonjëherë për njerëzit, apo vetëm për ushtarët. Po pyeste nëse ky ishull kishte qenë ndonjëherë qytet, apo vetëm garnizon.Po pyeste pse një vend kaq i bukur dukej kaq i braktisur.

Vazhduan rrugën dhe pak më vonë mbërritën te shkolla “22 Tetori”.

Godina ishte ende aty. Muret ishin aty. Klasat ishin aty. Emri i shkolles ishte aty, Vetëm nxënësit mungonin.

Gruaja e pa me kureshtje, Pastaj pyeti:

“Këtu a ka nxënës?”.

“Nuk ka”, ia ktheu djali që po udhëhiqte turin.

Pastaj vazhduan pyetjet?

“Po mësues?”Nuk ka”.

“Po familje?”Nuk ka”.

“Po kush jeton?”Asnjë”.

Ajo heshti. Dhe në atë çast, pa e kuptuar fare, shembi gjithë debatin politik të muajve të fundit. Sepse ndërsa ne flasim për kolonializëm, ajo po përpiqej të kuptonte pse një shkollë nuk kishte fëmijë.

Derisa ne flasim për sovranitet, ajo po përpiqej të kuptonte pse një qytet nuk kishte banorë.

Derisa ne flasim për strategji kombëtare, ajo po përpiqej të kuptonte pse një ishull i tërë nuk kishte jetë.

Njëra palë e ka kthyer Sazanin në betejën e fundit kundër kolonializmit.

Nëse do ta dëgjoje atë debat, do të mendoje se nesër në mëngjes do të zbresin flotat e huaja në brigjet shqiptare.

Gruaja dëgjonte me vëmendje. Pastaj shikonte përreth. Shikonte rrugët bosh.

Shikonte shtëpitë bosh. Shikonte dritaret e thyera. Shikonte shkollën pa fëmijë.

Dhe në fund dukej sikur po mendonte, “Po ky kolonializmi po vjen të pushtojë kë?”.

Një palë tjetër flet për miliardat. Për resortet. Për jahte. Për investime. Për zhvillim. Për ekonomi. Për turistë.

Gruaja që u bë kryesorja në këtë udhëtim nuk dinte sa është një miliard.

Nuk dinte as sa kushton një resort.

Por dinte të dallonte një qytet të gjallë nga një qytet të vdekur.

Dinte të dallonte një shkollë me fëmijë nga një shkollë pa fëmijë.

Dinte të dallonte jetën nga mungesa e saj. Dhe sa më shumë dëgjonte shpjegimet tona, aq më shumë i shtohej hutimi.

Sepse për ne Sazani ishte bërë teori.

Për të mbetej realitet.

Në fund të vizitës ajo ndaloi.

Pa edhe një herë përreth.

Pastaj dha përfundimin e saj. Përfundimin më brutal që kam dëgjuar për gjithë debatin e Sazanit.

“Aaaa… po këtu s’paska asgjë”.

Dhe pas pak sekondash shtoi:

“Ma mirë t’ia japin Trampit, ta bëjë tamam”.

Kam qeshur me lot kur ma treguan. Jo sepse gruaja kishte të drejtë. As sepse nuk kishte të drejtë.

Por sepse ajo kishte arritur aty ku ne nuk po arrijmë prej muajsh.

Ajo kishte hequr nga debati Trumpin. Kishte hequr Kushnerin. Kishte hequr protestën. Kishte hequr parullat.

Kishte hequr teoritë. Kishte hequr ideologjitë.

Dhe kishte lënë vetëm një pyetje. Çfarë bëhet me një vend ku nuk jeton askush?

Dhe teksa dëgjoja këtë histori, më erdhi ndër mend një rrëfim i vjetër nga vitet e komunizmit. Një fotografi e Enver Hoxhës që dikur vlente aq shumë sa një student ishte gati të hidhej nga kati i tretë për të.

Atëherë adhuronim simbolet. Sot vazhdojmë të debatojmë për simbole të tjera. Vetëm emrat kanë ndryshuar.

Por ndonjëherë kam përshtypjen se fanatizmi ka mbetur i njëjtë. Ne vazhdojmë të dashurohemi me idetë tona. Ndërsa një grua nga diaspora, që kërkonte trenin në një ishull pa banorë, na kujtoi diçka shumë më të thjeshtë.

Ishujt nuk jetojnë nga teoritë. Jetojnë nga njerëzit.

Dhe para se të vendosim se kush ka të drejtë në debatin për Sazanin, ndoshta duhet të biem dakord për një gjë.

Një ishull pa jetë nuk shpëtohet nga parullat. Ai shpëtohet vetëm kur dikush arrin t’i japë përsëri jetë.

Fotografia e Enverit dhe Sheshi i Pakënaqësive

Nga Baton Haxhiu

Derisa po ndjek çdo ditë protestën para Kryeministrisë, më erdhi në mendje një histori që ma tregoi pak ditë më parë një mik i vjetër. Kishte ikur nga Kosova për të shpëtuar veten nga regjimi serb dhe jetonte në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Një histori nga konviktet e studentëve në vitin 1986.

Miku im kishte banuar në të njëjtën dhomë me Hysamedin Ferajn. Ishin vite të tjera. Ishte një Shqipëri tjetër. Ishte koha kur ideologjia nuk ishte thjesht bindje politike. Ishte fe. Ishte identitet. Ishte mënyrë jetese.

Më tregonte se sa enverist i bindur ishte Hysamedini në ato vite. Aq i bindur, sa një ditë një fotografi e Enver Hoxhës u bë shkak për një nga episodet më të pabesueshme që ai kishte parë ndonjëherë në jetën e tij.

Në dhomë ndodhej edhe studenti Blerim Sariqka. Ai i kërkonte vazhdimisht Hysamedinit fotografinë e Enverit. Fillimisht me humor. Pastaj me këmbëngulje. Më pas me sfidë. Miku im kujton se Blerimi iu afrua dritares dhe i tha disa herë: “Ma jep fotografinë”. Hysamedini refuzoi. Blerimi vuri njërën këmbë mbi pragun e dritares dhe përsëriti të njëjtën kërkesë. Refuzimi vazhdoi. Hysamedini kishte shtrënguar foton e Enverit me dy duart dhe e mbante të paprekur në gjoks. Herën e parë askush nuk e besoi. Herën e dytë askush nuk e mori seriozisht. Herën e tretë Blerimi u hodh.

Paramendojeni! Nga kati i tretë.

Për disa sekonda të gjithë mbetën të ngrirë. Pastaj vrapuan poshtë. Blerimi kishte shpëtuar për mrekulli, megjithëse me plagë dhe dëmtime serioze. Mund të kishte humbur shtyllën kurrizore. Mund të kishte humbur jetën. Por kishte përfunduar me thyerje eshtrash për foton e Enverit që Hysamedini e mbante vetëm për vete.

Nuk e di nëse kjo histori e ka ndjekur Hysamedinin gjatë gjithë jetës së tij. Nuk e di nëse ai e kujton ende. Por ndërsa dëgjoja rrëfimin, nuk po mendoja për komunizmin. Nuk po mendoja për Enver Hoxhën. Nuk po mendoja as për fotografinë.

Po mendoja për forcën që kanë ndonjëherë idetë mbi njerëzit, sepse në fund të fundit nuk ishte një fotografi ajo që mbrohej me aq fanatizëm. Ishte një besim. Ishte një adhurim. Ishte bindja se një simbol vlente më shumë se gjithçka tjetër.

Dhe njeriu ka të drejtë të ndryshojë. Madje është e natyrshme të ndryshojë. Do të ishte e padrejtë të gjykonim dikë sot për atë që ka qenë dyzet vjet më parë. Por historia mbetet interesante për një arsye tjetër. Sepse shpesh njerëzit ndryshojnë idetë e tyre, por nuk ndryshojnë mënyrën se si besojnë.

Ndryshojnë flamurin. Ndryshojnë ideologjinë. Ndryshojnë armiqtë. Ndryshojnë aleatët. Por pasioni absolut për një ide mbetet i njëjtë. Dhe pikërisht kjo më shkoi ndër mend kur e pashë Hysamedin Ferajn në protestë.

Jo Hysamedinin e vitit 1986, por Hysamedinin e vitit 2026.

Në të njëjtin shesh me liberalë që vijnë nga bota e Fred Abrahams. Në të njëjtin shesh me ambientalistë. Në të njëjtin shesh me Arlind Qorin. Në të njëjtin shesh me njerëz që e kanë kaluar jetën duke luftuar gjithçka që përfaqësonte komunizmi. Në të njëjtin shesh me të rinj që nuk kanë asnjë lidhje me asnjërën prej këtyre historive.

Vetëm ky fakt tregon natyrën e vërtetë të protestës. Kjo nuk është një protestë ideologjike. Nuk është protestë e së majtës, as nuk është protestë e së djathtës. Nuk është protestë liberale, siç nuk është protestë ambientaliste, as protestë kundër Trumpit dhe as vetëm kundër Ramës.

Është një protestë e pakënaqësive që kanë humbur adresën e tyre politike, prandaj në të njëjtin shesh mund të gjendet Hysamedin Feraj, Fredi Abrahams, Arlind Qorin, ambientalistët, të rinjtë e zhgënjyer dhe njerëz që nuk do të votonin kurrë për njëri tjetrin.

Ajo që i bashkon nuk është ideja, është mungesa e përfaqësimit. Dhe pikërisht këtu ndodhet forca e protestës, por edhe dobësia e saj.

Forca e saj është se mbledh energji nga shumë drejtime të ndryshme. Dobësia e saj është se ende nuk ka një ide të përbashkët që t’i japë drejtim asaj energjie.

Për këtë arsye, ndërsa shikoja protestën, nuk po mendoja për numrin e njerëzve në shesh. Nuk po mendoja as për fjalimet, por po mendoja për atë fotografi të Enver Hoxhës në një dhomë konvikti në vitin 1986.

Sepse ndonjëherë një histori e vogël të ndihmon të kuptosh një histori shumë më të madhe. Dhe historia më e madhe që po shoh sot nuk është historia e Hysamedin Ferajt, por është historia e një Shqipërie ku gjithnjë e më shumë njerëz nuk po gjejnë më një adresë politike ku të ndihen të përfaqësuar.

Kur Trumpi zbriti në Zvërnec

Nga Baton Haxhiu

E lexova me kujdes shkrimin e Fredi Abrahams për flamingot me titull;“Shqipëria, kur fluturojnë flamingot”

Fredin e njoh prej shumë kohësh. Aq gjatë sa nuk kam nevojë të ndalem te biografia e tij, te Human Rights Watch apo te kontributi që ai ka dhënë në momente të rëndësishme të historisë sonë. Kjo nuk ka rëndësi për argumentin që dua të bëj. Ajo që ka rëndësi është se Fredi nuk po shkruan për flamingot. Ai po shkruan për politikën.

Në shikim të parë duket sikur artikulli i tij është një tekst për mjedisin, për lagunën e Zvërnecit dhe për rrezikun që një projekt i madh mund t’i sjellë një prej peizazheve më të bukura të Shqipërisë. Në të vërtetë, kush e lexon me kujdes e kupton se flamingot janë metafora, Zvërneci është metafora dhe madje edhe Kushner është metafora. Konflikti i vërtetë që përshkon të gjithë tekstin është konflikti mes dy botëve politike që sot po përplasen në Perëndim.

Për këtë arsye mendoj se Fredi ka të drejtë në pjesën më të madhe të analizës së tij. Ai kupton diçka që shumica e debatit shqiptar nuk e kupton ende. Beteja për Zvërnecin nuk është thjesht një betejë për një lagunë dhe as vetëm për një investim. Ajo është bërë një betejë simbolike ku një pjesë e botës liberale perëndimore po përpiqet të kundërshtojë modelin politik që përfaqësohet nga Trumpi dhe nga njerëzit që identifikohen me të.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka marrë papritur një rëndësi më të madhe se vetja. Sepse familja Trump ndodhet këtu. Sepse Kushner ndodhet këtu. Sepse beteja simbolike që zhvillohet në Washington, Bruksel apo Berlin mund të zhvillohet edhe në bregdetin shqiptar.

Deri këtu jam dakord me Fredin.

Por pikërisht këtu fillon pjesa që, sipas meje, mungon në analizën e tij.

Sepse protesta që po shohim para Kryeministrisë nuk mund të shpjegohet vetëm me trumpizmin. Nuk mund të shpjegohet vetëm me Kushnerin. Nuk mund të shpjegohet vetëm me ambientalizmin dhe as vetëm me rikthimin e liberalëve në skenë. Kjo protestë është shumë më e çrregullt, shumë më kontradiktore dhe shumë më interesante sesa duket në shikim të parë.

E kam parë nga afër. Kam parë pankartat. Kam dëgjuar bisedat. Kam dëgjuar zemërimin. Dhe sa më shumë e kam vëzhguar, aq më shumë jam bindur se para Kryeministrisë nuk po mblidhet një lëvizje. Po mblidhen disa pakënaqësi të ndryshme që për herë të parë kanë gjetur të njëjtin shesh.

Aty është Fatos Lubonja me betejën e tij shumëvjeçare kundër përqendrimit të pushtetit. Aty është Arlind Qorri me betejën e tij kundër kapitalit dhe oligarkisë. Aty janë ambientalistët që e shohin problemin te modeli i zhvillimit. Aty janë liberalët që e lexojnë gjithçka përmes konfliktit me trumpizmin. Aty janë njerëz që prej vitesh janë kundër Izraelit dhe që e shohin botën përmes konfliktit të Lindjes së Mesme. Aty janë të rinj që nuk kanë ardhur as për flamingot, as për Trumpin dhe as për Kushnerin, por sepse nuk gjejnë më një vend për veten në Shqipëri.

Po të uleshin në një tavolinë dhe të diskutonin Shqipërinë e nesërme, ka shumë mundësi që të mos binin dakord për pothuajse asgjë. Megjithatë ndodhen në të njëjtin shesh. Dhe kjo nuk ndodh sepse kanë të njëjtën ide. Ndodh sepse ndajnë të njëjtën mungesë përfaqësimi.

Këtu fillon historia që Fredi nuk e sheh plotësisht.

Për katër vite me radhë kam argumentuar se problemi kryesor i Shqipërisë nuk ishte mungesa e pakënaqësisë ndaj Edi Ramës. Problemi ishte mungesa e një opozite që arrinte ta përfaqësonte atë pakënaqësi. Zgjedhja e Sali Berishës për të mbetur figura qendrore e opozitës shqiptare prodhoi një efekt që shumë njerëz nuk donin ta pranonin. Ajo la jashtë sistemit një pjesë të madhe të pakënaqësisë që ekzistonte në vend.

Zgjedhja e Sali Berishës, si 82 vjeçar në krye te PD, për të mbetur figura qendrore e opozitës shqiptare prodhoi një efekt që shumë njerëz nuk donin ta pranonin. Ajo la jashtë sistemit një pjesë të madhe të pakënaqësisë që ekzistonte në vend.

Kjo është arsyeja pse unë nuk e shoh protestën para Kryeministrisë si lindjen e një lëvizjeje të re politike. E shoh si pasojën e një boshllëku të madh përfaqësimi që është ndërtuar gradualisht gjatë viteve të fundit.

Nëse e shikon me kujdes përbërjen e protestës, kupton se ajo nuk është produkt i një ideje të re. Është produkt i mungesës së një ideje që ka arritur t’i bashkojë këto pakënaqësi në një adresë të vetme politike. Për këtë arsye aty gjen njerëz që normalisht nuk do të qëndronin kurrë bashkë. Gjen liberalë që e shohin Trumpin si kërcënimin më të madh për demokracinë perëndimore. Gjen ambientalistë që shqetësohen për lagunën. Gjen të majtën radikale që e lexon çdo zhvillim përmes konfliktit mes kapitalit dhe shoqërisë. Gjen njerëz që kanë humbur besimin te institucionet. Gjen të rinj që nuk po kërkojnë revolucion, por thjesht një mundësi për të mos u ndjerë të huaj në vendin e tyre.

Pikërisht për shkak të këtij heterogjeniteti, protesta është më interesante sesa duket. Por pikërisht për të njëjtën arsye ajo është edhe më e brishtë sesa mendojnë organizatorët e saj.

Një protestë mund të mbledhë shumë zemërime të ndryshme. Një lëvizje politike duhet t’i shndërrojë ato në një drejtim të përbashkët. Kjo është arsyeja pse ende nuk jam i bindur se para Kryeministrisë po shohim lindjen e një alternative. Po shohim më shumë zbulimin e një boshllëku që politika shqiptare ka refuzuar ta pranojë.

Në këtë histori ka edhe një faktor tjetër që rrallë përmendet, por që ka ndikuar shumë në formësimin e klimës politike të viteve të fundit. Ky faktor është SPAK.

Për vite me radhë, një pjesë e madhe e opinionit publik u ushqye me idenë se problemi kryesor i Shqipërisë ishte politika ekzistuese dhe se mjaftonte goditja e saj që vendi të hynte në një fazë të re. U krijua bindja se rrëzimi i elitave të vjetra ishte vetvetiu reformë. Se ndëshkimi ishte program. Se de-legjitimimi i politikës ishte alternativë.

Por historia nuk funksionon kështu.

Institucionet e drejtësisë mund të ndëshkojnë. Mund të hetojnë. Mund të zbulojnë abuzime. Por ato nuk prodhojnë vizion politik. Nuk prodhojnë lidership. Nuk prodhojnë alternativa.

Dhe sot po shohim një pjesë të pasojave të kësaj logjike. Një shoqëri që ka humbur besimin te një pjesë e madhe e klasës politike, por që ende nuk ka ndërtuar një klasë të re politike që ta zëvendësojë atë.

Kjo është arsyeja pse protesta po mbledh kaq shumë njerëz të ndryshëm. Sepse secili sjell zhgënjimin e vet. Por askush ende nuk sjell një projekt që arrin t’i bashkojë të gjithë.

Ndërkohë, në anën tjetër të rrugës, Partia Socialiste duket sikur po zhvillon një debat krejt tjetër.

Teksa jashtë po grumbullohen pakënaqësi që kërkojnë një adresë të re, Partia Socialiste feston 35 vjetorin e saj dhe flet për historinë e vet. Dhe këtu shoh një problem që mund të jetë po aq i madh sa vetë protesta.

Partitë politike kanë nevojë për kujtesë. Por ato nuk jetojnë nga kujtesa. Ato jetojnë nga aftësia për të prodhuar të ardhmen, por nësep dëgjon fjalimet, nëse dëgjon diskutimet dhe nëse dëgjon mënyrën se si po përshkruhet vetja, krijohet përshtypja se Partia Socialiste është shumë më e qartë për atë që ka bërë sesa për atë që dëshiron të bëjë.

Kjo është arsyeja pse nuk mendoj se problemi kryesor i Edi Ramës sot është protesta. Problemi i tij është mungesa e një paradigme të re.

Modeli që e solli deri këtu e ka përmbushur ciklin e vet. Njerëzit që e ndërtuan atë model kanë dhënë atë që kanë pasur për të dhënë. Gjuha politike që funksiononte dhjetë vite më parë nuk prodhon më të njëjtin entuziazëm. Edhe suksesi, kur zgjat shumë, fillon të krijojë rutinë.

Për këtë arsye pyetja më interesante nuk është nëse protesta do të rritet apo do të zvogëlohet.
Pyetja është nëse pushteti e kupton sinjalin që po vjen prej saj.

Sepse historia e Ballkanit na mëson se pushtetet rrallë rrëzohen nga protestat. Ato rrëzohen kur humbasin aftësinë për të reformuar vetveten. Kur kujtesa bëhet më e rëndësishme se imagjinata. Kur besnikëria bëhet më e rëndësishme se talenti. Kur rrethi i njerëzve që mendojnë zvogëlohet dhe rrethi i njerëzve që duartrokasin zgjerohet.

Në këtë kuptim, protesta dhe Partia Socialiste janë më të lidhura sesa duket. Njëra po kërkon një adresë të re. Tjetra ende nuk ka gjetur një arsye të re përtej suksesit të saj të deritanishëm.

Kosova është shembulli më i afërt se si një protestë mund të fitojë pushtetin dhe megjithatë të mos prodhojë qeverisje. Vetëvendosja erdhi nga rruga, nga pakënaqësia dhe nga refuzimi i elitave të vjetra. Por kur zemërimi u kthye në pushtet, u pa se administrimi i shtetit kërkon më shumë sesa revoltë. Vitet që pasuan sollën konfuzion strategjik, amatorizëm institucional, mungesë eksperience në nivelet drejtuese dhe një kulturë politike që shpesh e ngatërroi moralin e protestës me aftësinë për të qeverisur. Kjo është arsyeja pse çdo shoqëri duhet të ketë kujdes kur ngatërron energjinë e protestës me kapacitetin për të ndërtuar shtet.

Dhe pikërisht këtu do të vendoset jo vetëm fati i protestës, por edhe fati i pushtetit në vitet që vijnë.

Rreziku për Edi Ramën nuk është se Shqipëria nuk ka ndryshuar. Përkundrazi. Shqipëria ka ndryshuar aq shumë sa modeli që e ndryshoi mund të mos jetë më modeli që i duhet për fazën tjetër. Shumë liderë kanë dështuar jo sepse nuk ndërtuan dot suksesin, por sepse u dashuruan me suksesin e tyre dhe nuk e kuptuan se koha po kërkonte diçka tjetër.

Albin Kurti dhe Gjingjiqi i tij

Nga Baton Haxhiu

Kur pashë lajmin se në hyrje të Mitrovicës ishte vendosur emri i Zoran Gjingjiqit, mendja m’u kthye menjëherë një çerek shekulli pas.

Jo te Mitrovica, por te Haga.

Në ato vite nuk u gjenda rastësisht pranë Tribunalit si dëshmitar kundër Millosheviçit. Por, natyrisht, kemi nënshkruar një kontratë konfidencialiteti dhe duhet të kem kujdes çka flas në publik.

Pas arrestimit të Sllobodan Millosheviçit, Karla Del Ponte kishte vënë në lëvizje një ushtri hetuesish dhe prokurorësh. Aktakuza duhej forcuar. Duhej mbushur me dëshmi. Duhej ndërtuar jo vetëm dosja juridike, por edhe rrëfimi politik i një regjimi që kishte dominuar Ballkanin për më shumë se një dekadë.

Një prokuror britanik kishte ardhur në Kosovë me një ide të qartë. Dëshmitari i parë kundër Millosheviçit duhej të ishte Ibrahim Rugova.

Tribunali kërkonte një dëshmi politike. Kërkonte njeriun që mishëronte rezistencën politike të shqiptarëve të Kosovës dhe që mund ta shpjegonte para Gjykatës historinë e një populli të tërë.

Por Rugova refuzoi të dëshmonte!

Për shumë vite nuk kam folur për arsyet e atij refuzimi dhe as sot nuk dua t’i tregoj të gjitha. Ato i përkasin një historie shumë më të madhe, shumë me dhimbje dhe me shije të keqe, që një ditë do të shkruhet në një libër.

Mjafton të them se refuzimi nuk kishte të bënte me mungesën e vullnetit për të dëshmuar kundër Millosheviçit.

Ai lidhej me një nga episodet më të ndërlikuara të luftës së Kosovës.

Me ditët kur Ibrahim Rugova, para se të largohej për në Itali, kishte kaluar dy net në rezidencën e Sllobodan Millosheviçit. Me ndërmjetësimet që pasuan. Me përfshirjen e San Egidios. Me rrugën që çoi familjen e tij nga Kosova në Beograd dhe prej andej drejt azilit në Itali, në kohën kur Serbia bombardohej nga NATO dhe kur shqiptarët dëboheshin masivisht nga Kosova.

Kjo është një histori që meriton të rrëfehet e plotë dhe me qetësi, jo në këtë shkrim.

Por mjafton të thuhet se, kur më vonë u paraqit para Tribunalit të Hagës, kërkesa e vetme e Ibrahim Rugovës ishte që të mos detyrohej ta shikonte në sy Sllobodan Millosheviçin gjatë dëshmisë së tij.

Kushdo që e kupton peshën e asaj kërkese, e kupton edhe peshën e refuzimit të tij për të qenë dëshmitari i parë i procesit.

Prandaj ai refuzoi.

Pas Rugovës, radha i erdhi Adnan Merovcit.

Edhe ai refuzoi. Ai me të drejtë nuk pranonte të dilte para presidentit të tij.

Dhe papritur Tribunali u gjend pa dëshmitarin që kishte menduar ta vendoste në qendër të procesit.

Në atë moment ekipi i prokurorëve kërkoi mendime, këshilla dhe emra dhe shpjegime nga unë.

Kështu filloi marrëdhënia ime me Hagën.

Më kërkuan të sugjeroja njerëz që mund ta ndihmonin procesin. Unë propozova disa emra që pastaj u bënë pjese e dëshmisë kundër Millosheviçit. Mes tyre Mahmut Bakallin. Mes tyre edhe veten time. Në atë kohë nuk kisha menduar kurrë se do të bëhesha pjesë e atij procesi. Aq më pak se do të kaloja orë të tëra në biseda me prokurorë, hetues dhe diplomatë që po përpiqeshin të kuptonin jo vetëm krimet e regjimit të Millosheviçit, por edhe mënyrën se si po rindërtohej Ballkani pas tij.

Pikërisht në ato korridore dëgjova për herë të parë emrin e Zoran Gjingjiqit të lidhur me një problem që dukej më i madh se vetë dorëzimi i Millosheviçit.

Një diplomat britanik, me të cilin kisha biseda të gjata në ato vite, më shpjegonte se problemi i madh i Serbisë së re nuk ishte dorëzimi i Millosheviçit. Problemi ishte çfarë ndodhte një ditë pas dorëzimit të tij.

Gjingjiqi kishte marrë përsipër barrën më të rëndë politike që kishte njohur Serbia pas Luftës së Dytë Botërore. Ai po e dërgonte në Hagë njeriun që për një dekadë kishte dominuar jetën politike serbe dhe që për miliona serbë vazhdonte të ishte simbol i shtetit. Por Serbia nuk mund të pranonte lehtë që vetëm ajo të mbante peshën morale dhe politike të luftërave jugosllave.

Në ato biseda dëgjoja vazhdimisht të njëjtën logjikë. Serbia e re duhej të mbijetonte politikisht. Gjingjiqi duhej të mbijetonte politikisht. Dhe për këtë arsye drejtësia ndërkombëtare duhej të krijonte bindjen se po shikonte të gjitha palët.

Në atë kohë Karla Del Ponte ishte figura më e fuqishme e drejtësisë ndërkombëtare në Ballkan. Ajo kërkonte Millosheviçin, por kërkonte edhe diçka tjetër. Kërkonte të demonstronte se Tribunali nuk kishte vetëm një adresë.

Pak nga pak filluan të shfaqeshin dosjet kundër figurave të UÇK-së. Nuk bëhej fjalë vetëm për Zonën e Llapit. Në radarët e hetimeve ndodheshin praktikisht të gjitha zonat operative të UÇK-së. Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala, Nerodimja dhe Pashtriku. Për herë të parë pas luftës, e gjithë struktura e komandimit të UÇK-së po trajtohej si objekt i një procesi të madh juridik dhe politik.

Në Kosovë kjo shihej si përpjekje për të krijuar një barazi artificiale mes agresorit dhe atij që kishte luftuar kundër agresionit. Në qarqet diplomatike flitej për nevojën e krijimit të një ekuilibri që do ta bënte të pranueshme për Serbinë dorëzimin e Millosheviçit.

Në ato vite dëgjova edhe një detaj tjetër që gjithmonë më ka mbetur në mendje. Në mesin e përpjekjeve për ta paraqitur Serbinë si një vend që po largohej nga epoka e Millosheviçit, emri i Albin Kurtit filloi të shfaqej shpesh në bisedat e diplomatëve dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Kurti ishte ende simboli më i njohur politik i shqiptarit të burgosur nga regjimi serb. Mbajtja e tij në burg pas rrëzimit të Millosheviçit nuk përputhej me imazhin që qeveria e re serbe po përpiqej të ndërtonte për veten.

Në ato rrëfime përmendej shpesh se qeveria e re e Gjingjiqit kishte hyrë në komunikime me organizata ndërkombëtare, me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe me grupe të njohura të të drejtave të njeriut që kërkonin lirimin e të burgosurve politikë shqiptarë, në veçanti , Albin Kurtin dhe Flora Brovinën.

Vendimi formal do të nënshkruhej më vonë nga Koshtunica, por në perceptimin e shumë njerëzve që ndiqnin nga afër zhvillimet e asaj kohe, nxitja politike kishte ardhur nga qeveria e re që po përpiqej të dëshmonte se Serbia po ndryshonte.

Kjo e bën historinë edhe më interesante. Sepse njëzet e pesë vjet më vonë, në hyrje të Mitrovicës, Albin Kurti po nderon me një emër rruge një figurë që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë lidhet jo vetëm me kapitullin më të ndërlikuar të Hagës dhe të figurave të luftës, por edhe me periudhën kur vetë ai po dilte nga burgjet serbe dhe po hynte në jetën politike të Kosovës.

Në atë periudhë emri i Hashim Thaçit shfaqej pothuajse në çdo diskutim. Për shumë njerëz ai ishte figura më e natyrshme për të drejtuar qeverinë e Kosovës. Por me ardhjen e Michael Steiner në krye të UNMIK-ut u ndërtua një ekuilibër tjetër. Steiner e kuptonte se një përplasje frontale me figurën më të madhe politike të dalë nga lufta mund të prodhonte destabilizim.

Bajram Rexhepi u bë kryeministër, ndërsa Hashim Thaçi mbeti jashtë qeverisë. Ishte një kompromis që ruante stabilitetin e momentit dhe shmangte një krizë që askush nuk donte ta hapte.

Megjithatë, për mua që dëgjoja ato rrëfime dhe ndiqja nga afër zhvillimet, historia nuk mbaroi aty.

Vitet kalonin dhe herë pas here më kujtoheshin ato biseda në korridoret e Hagës. Më kujtohej ideja se procesi nuk kishte të bënte me një rast apo me një emër, por me një rikonfigurim të tërë të elitës së dalë nga lufta.

Kur më vonë bashkësia ndërkombëtare lejoi krijimin e koalicionit mes LDK-së dhe AAK-së në 2004-ën, dhe pak muaj më pas një kryeministër në detyrë si Ramush Haradinaj u nis drejt Hagës, unë e pata përsëri atë ndjesi të vjetër. Ndjesinë se po shihja vazhdimin e një historie që kishte nisur shumë vite më parë.

Nuk kam prova për një marrëveshje të shkruar në mes të Gjingjiqit dhe Karla del Pontes. Nuk kam parë asnjë dokument që do ta vërtetonte. Por kam dëgjuar mjaftueshëm rrëfime nga njerëz që ndodheshin pranë atyre proceseve për të kuptuar se politika ndërkombëtare nuk lëviz gjithmonë sipas kalendarit që shohim në televizion. Dhe sot kam bindjen se ajo marreveshje ka qenë e dakordësuar.

Dhe pikërisht për këtë arsye emri i Zoran Gjingjiqit në Mitrovicë më duket shumë më interesant se sa vetë rruga.

Sepse Gjingjiqi nuk ishte thjesht reformatori serb që dorëzoi Millosheviçin. Ai ishte edhe politikani që në vitet e fundit të jetës kishte filluar të fliste hapur për zgjidhje territoriale për Kosovën. Në intervistat e tij për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe ai kishte artikuluar idenë e kthimit të Veriut në Serbi dhe bashkimit të pjesës tjetër me Shqipërinë, pa prekur Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Kishte ndërtuar marrëdhënie të afërta me Ilir Metën dhe një pajtueshmëri për shumë gjëra. Kurse Gjingjiq po përpiqej të projektonte një strategji të re serbe për rajonin.

Pastaj erdhi plumbi.

Një snajperist i lidhur me strukturat e errëta që kishin mbijetuar pas Millosheviçit i dha fund jetës së tij dhe bashkë me të edhe një projekti që Serbia nuk arriti ta përfundonte kurrë.

Pikërisht këtu historia bëhet më interesante sesa vetë tabela e rrugës.

Sepse rruga e Gjingjiqit në Mitrovicë nuk flet aq shumë për Gjingjiqin, sa flet për Albin Kurtin.

Në pamje të parë duket sikur lidhja mes tyre është e thjeshtë. Të dy kanë qenë viktima të regjimit të Millosheviçit. Njëri kaloi vite në burgjet serbe. Tjetri u vra nga njerëzit që kishin lindur nga aparati i Millosheviçit.

Por lidhja e tyre më e fortë nuk gjendet aty.

Ajo gjendet te raporti që të dy kanë pasur me figurat e dala nga lufta.

Që nga momenti kur u kthye nga burgu, Albin Kurti ndërtoi një rrëfim politik që nuk kishte në qendër Serbinë, por elitën politike të dalë nga lufta. Për më shumë se dy dekada, boshti kryesor i projektit të Vetëvendosjes nuk ishte përballja me Beogradin. Ishte përballja me komandantët.

Ata u shndërruan në shpjegimin e madh për korrupsionin, për kapjen e shtetit, për zhgënjimin e pasluftës dhe për dështimet e Kosovës.

Në këtë kuptim ekziston një vijë e padukshme që lidh Gjingjiqin e viteve 2001 dhe 2002 me Kurtin e dy dekadave të fundit. Jo sepse mendonin njësoj për Kosovën dhe jo sepse kishin të njëjtin projekt kombëtar, por sepse të dy, secili në mënyrën e vet, e panë figurën e komandantit si pengesë për projektin e tyre politik.

Prandaj emri i Zoran Gjingjiqit në hyrje të Mitrovicës nuk duket si zgjedhje rastësore.

Ai bashkon në një figurë disa prej historive që kanë përcaktuar jetën politike të Albin Kurtit. Historinë e të burgosurit politik që doli nga qelitë e Serbisë së pas Millosheviqit. Historinë e përplasjes së gjatë me elitën e dalë nga lufta. Historinë e Hagës, që për një brez të tërë shqiptarësh mbeti plagë e hapur politike. Dhe historinë e një kryeministri serb që kërkoi ta reformonte Serbinë pa hequr dorë nga ambicia për të mbrojtur interesin e saj kombëtar në Kosovë.

Për këtë arsye, tabela në hyrje të Mitrovicës nuk flet vetëm për Gjingjiqin. Ajo flet për mënyrën se si Albin Kurti e lexon historinë e Kosovës. Dhe ndoshta, pa e pasur këtë qëllim, zbulon më shumë për rrugën politike të vetë Kurtit sesa për njeriun emrin e të cilit mban.

Largojeni Behgjet Pacollin dhe Valon Ademin nga Aeroporti i Vlorës

Nga Baton Haxhiu

Behgjetin dhe Valonin i njoh të dy prej vitesh. Shumë mirë madje. Kam dëgjuar prej fillimit ëndrrën për Aeroportin e Vlorës, emocionin e nisjes së tij dhe krenarinë që dy shqiptarë nga Kosova do të hynin në një projekt strategjik për Shqipërinë. Kam dëgjuar tavolina të gjata, plane të mëdha, entuziazëm patriotik dhe bindjen se ky aeroport do të ishte më shumë se biznes. Do të ishte gjurmë shqiptare në jugun e Shqipërisë.

Kam shkruar dikur një tekst me titull “Vlora i takon Kosovës”. E kam shkruar me zemër, jo me logjikë biznesi. E kam shkruar si shqiptar i Kosovës që e sheh Vlorën si pjesë të kujtesës së vet emocionale. Sot, duke parë çfarë është bërë me Aeroportin e Vlorës, kam frikë se titulli ka mbetur i njëjtë, por kuptimi është plagosur.

Por bashkë me këto kam dëgjuar edhe rrëfime të pafundme për mashtrime, prapaskena, mosbesim, lojëra financiare dhe frikën e vazhdueshme se një ditë kjo histori do të shpërthente publikisht në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.
Më ka ardhur rëndë, sinqerisht rëndë, për mënyrën si është poshtëruar publikisht një njeri si Valon Lluka, i cili për vite i ka qëndruar pranë Behgjet Pacollit, i ka ndejtur afër në kohë të vështira dhe ka hyrë në beteja e rreziqe që shumë pak njerëz do t’i merrnin përsipër. Dhe po aq rëndë më ka ardhur të shoh se si një njeri me përvojën e Behgjet Pacollit e ka çuar veten në një pikë ku çdo projekt i madh që prek përfundon me zhurmë, konflikt, akuza, arbitrazh dhe baltë publike.
Nuk kam folur deri sot. Jo sepse nuk kam ditur. Përkundrazi. Kam ditur shumë. Ndoshta shumicën e detajeve, për të mos thënë të gjitha.
Kam heshtur sepse jam rritur me bindjen se gjërat e tavolinës dhe të shtëpisë nuk nxirren në publik. Se burrat, kur kanë një problem, e zgjidhin pa e shndërruar çdo konflikt në cirk publik.
Por kjo histori ka kaluar çdo kufi. Heshtja tashmë do të ishte bashkëfajësi.
Po shkruaj sepse kjo marrëzi duhet të ndalet. Po shkruaj sepse po shoh një pafuqí të frikshme të aksionarëve për t’i dhënë fund një poshtërimi publik që po vazhdon prej muajsh. Po shkruaj sepse kjo betejë nuk ka më lidhje me aeroportin. Ka lidhje me ego, me arbitrazh, me hakmarrje dhe me dëshirën primitive për të mundur tjetrin edhe nëse digjet projekti bashkë me të.
Po, Behgjet Pacolli mban fajin më të madh. Për mënyrën si i ka trajtuar projektet gjithë jetën. Për mënyrën si çdo histori biznesi rreth tij shoqërohet me zhurmë, emra të përveçëm, offshore, konflikte dhe beteja të panevojshme publike. Sikur çdo investim duhet medoemos të shndërrohet në dramë personale. Sikur biznesi nuk mund të ecë pa një mjegull tensioni përreth tij.
Por po aq i vërtetë është edhe naiviteti i besimit pa kushte nga ana e Valonit, i cili për vite ka besuar se lojaliteti personal mjafton për të mbijetuar në një botë ku biznesi nuk njeh emocione.
Dhe mashtrimi i madh ndodhi ne Libi dhe shperrthimi dhe pasojat i moti Vlora.
Behgjeti dje bëri postim sikur po i grabitej një ëndërr. Por problemi i tij është se gjithmonë e ka trajtuar veten më të madh se projekti. Për të, aeroporti shpesh dukej më shumë si fotografi personale sesa si aset strategjik.
Dhe sa herë hapet tymi i marketingut, prapa dalin të njëjtat hije. Offshore. Borxhe. Konflikte. Partnerë të djegur. Procese gjyqësore. Dhe njerëz që mbesin me pasoja ndërsa ai del para publikut si viktima e radhës.
Kjo histori nuk është më Facebook. Nuk është as konferencë për shtyp. Është aeroport. Është kontratë. Është afat. Është përgjegjësi financiare. Dhe aty nuk matet kush flet më bukur. Dhe kush gënjen më shumë në opinion te Blendi Fevzou.
Matet kush kryen punë.
Shkurti ishte afati për certifikimin dhe nisjen e fluturimeve. Pastaj erdhi 20 maji si afati i fundit. Të dy dështuan. Dhe ndërkohë që qytetarët presin aeroportin, ortakët prodhojnë vetëm zhurmë, gjykata, arbitrazh dhe statuse.
Miti se dikush po ua pengon aeroportin ka marrë fund. Aeroportin e kanë penguar vetë ata që morën përsipër ta ndërtojnë. E kanë penguar me ego, me konflikt, me mosbesim dhe me një etje të sëmurë për të fituar betejën personale.
Si mund të kërkosh kompani serioze ndërkombëtare të operojnë në një aeroport ku vetë pronarët janë në luftë të hapur juridike dhe morale? Si mund të ndërtohet siguri aeroportuale kur partnerët e projektit trajtojnë njëri tjetrin si mashtrues? Si mund të ketë besim tregu kur vetë ortakët prodhojnë vetëm baltë dhe propagandë duke thënë se pista seshte e sigurt duke harruar se bashkë janë pronar.
Dhe në mes të gjithë kësaj, qeveria shqiptare vazhdon të heshtë, ndërkohë që çdo ditë forcohet bindja e rrezikshme te bizneset e Kosovës se në Shqipëri nuk të lënë të bësh biznes, se projektet përfundojnë në luftë, në gjykata dhe në baltë publike. Kjo është pasoja më e rëndë e gjithë kësaj historie. Sepse nuk po shkatërrohet vetëm një marrëdhënie ortakësh. Po dëmtohet besimi mes shqiptarëve.
Por shteti shqiptar nuk duhet ta lejojë veten të poshtërohet deri në atë pikë sa një aeroport strategjik të protestohet në hyrje të kantierit, të vonohet pafund dhe të kërkojë operatorë nëpër botë ndërkohë që ortakët e tij janë në arbitrazh me njëri tjetrin.
Dhe pikërisht këtu qëndron alarmi më i madh. Kjo histori nuk është më vetëm konflikt biznesi. Është një çështje që prek sigurinë kombëtare dhe kredibilitetin euroatlantik të Shqipërisë.
Aeroporti i Vlorës është ekspozuar ndaj një rreziku të papranueshëm, sepse njeriu me të cilin është nisur ky bashkëpunim nuk ka respektuar standardet minimale të transparencës, besueshmërisë dhe sigurisë që kërkon një projekt i tillë. Struktura offshore të panjohura, tentativa për të futur interesa të panjohura financiare dhe lidhje që ngrenë pikëpyetje serioze për sigurinë euroatlantike nuk mund të kenë vend në një aeroport ndërkombëtar të një vendi anëtar të NATO-s.
Dhe ndoshta pjesa më e rëndë e gjithë kësaj historie është se në prapavijë doli edhe Bernina, një strukturë offshore e errët, me lidhje dhe kapital të paqartë, përmes së cilës u tentua të futet dorë mbi një aset strategjik dhe një hapësirë sigurie kombëtare si Aeroporti i Vlorës.
Kjo nuk është më vetëm çështje biznesi. Kjo prek sigurinë, besimin shtetëror dhe përgjegjësinë publike.
Në fund, Vlora nuk e meriton këtë.
Shqipëria nuk e meriton këtë.
Kosovarët nuk e meritojnë këtë poshtërim.

Dhe si çdo histori e pistë që fillon me ego dhe përfundon me arbitrazh, rrugës janë konsumuar njerëz, institucione dhe reputacione. Janë paguar gazetarë dhe analist për të prodhuar tym, avokatë për të ndërtuar alibi, prokurorë e gjyqtarë për t’u futur në një histori që ka filluar të marrë erë shumë më të rëndë sesa një konflikt i zakonshëm biznesi. Janë përmendur emra qeverie, janë hedhur insinuata për aksionarë të fshehur brenda aeroportit, janë prodhuar teori, presione dhe dosje vetëm për të krijuar një narrativë të madhe viktimizimi që nesër mund të përdoret në arbitrazh ndërkombëtar kundër vetë shtetit shqiptar.

Kjo është pjesa më e ulët e gjithë kësaj historie. Sepse kur një projekt strategjik fillon të përdoret si armë kundër shtetit që ta ka dhënë besimin, atëherë nuk kemi më biznes. Kemi degradim moral.

Dhe ndoshta për herë të parë duhet thënë troç. Aeroporti i Vlorës nuk po rrezikohet nga mungesa e pistës apo e kullës së kontrollit. Po rrezikohet nga mungesa e karakterit te njerëzit që morën përsipër ta ndërtojnë.

Asnjë aeroport nuk ndërtohet mbi mashtrim, presion, propagandë dhe luftë personale. Sepse në fund pistat mbajnë avionë, por nuk mbajnë dot peshën e njerëzve që e kanë humbur kufirin mes biznesit, egos dhe interesit publik.
Ne fund edhe diçka për ata që lexojne tekstin.
Për ne, Vlora nuk ka qenë kurrë vetëm qytet. Ka qenë emocion. Ka qenë dalje në det kur nuk kishim shtet. Ka qenë ndjenja se Shqipëria hapej aty ku hapej horizonti.
Dhe pikërisht për këtë arsye kjo histori dhemb më shumë. Sepse një projekt që duhej të ishte krenari shqiptare, u shndërrua në monument të egove të papërmbajtura.
Për t’i ikur kësaj logjike helmuese, kjo histori duhet të marrë fund tani.
Duhet ndalur Behgjet Pacolli.
Duhet ndalur Valon Ademi.
Sepse pas gjithë asaj që ka ndodhur, asnjëri nuk meriton më të udhëheqë Aeroportin e Vlorës.
Kthejani aeroportin qytetarit shqiptar.

Revolucioni moral i hajnit me doreza të bardha

Mes varfërisë së inskenuar dhe moralit të përhershëm në ekran, Albin Kurti po i ngjan gjithnjë e më shumë Bernard Madoff-it politik, njeriut që nuk i grabiste njerëzit me armë, por me besimin se kishte fytyrën morale të njeriut që nuk vjedh.

Nga Baton Haxhiu

Në jeten tonë të përditshme, hajni klasik ka qenë gjithmonë i lehtë për t’u njohur. Ai vinte natën, thyente derën, merrte paranë dhe ikte. Shoqëria e përçmonte sepse akti i tij ishte brutal dhe i dukshëm. Por, Kosova, prodhoi një figurë tjetër, shumë më të rrezikshme dhe shumë më inteligjente. Hajnin me doreza të bardha. Njeriun që nuk hyn në arkë me forcë, por hyn në ndërgjegjen publike. Nuk vjedh duke fshehur fytyrën, por duke e ekspozuar moralin e vet si certifikatë ndershmërie. Dhe qytetari i këtij vebdi dhe publiku është bind se ky njeri është moralisht i pastër dhe ka filluar ta falë pothuajse për çdo gjë tjetër.

Ky është momenti kur korrupsioni pushon së qeni vetëm çështje parash dhe bëhet fenomen psikologjik i Albin Kurtit.

Një shembull i rrëfimeve në gazeta në Amerikën e viteve të krizës financiare, Bernard Madoff nuk i grabiste njerëzit me armë. Ai i grabiste me reputacion dhe me qetësi, e në fund i shiste edhe besueshmëri me një fytyrë që dukej e rregullt dhe morale. Viktimat nuk ia dorëzonin paranë nga frika, por nga bindja se kishin përballë njeriun e drejtë. Dhe pikërisht kjo e bënte mashtrimin e tij pothuajse perfekt. Ai nuk shiste vetëm fitim. Shiste siguri morale.

Në politikë, kjo formë bëhet edhe më e rrezikshme, sepse aty nuk përdoren vetëm paratë private, por Përdoret shteti.

Dhe këtu fillon problemi i madh i Kosovës me Albin Kurti.

Albin Kurti nuk është hajni klasik që shoqëria shqiptare ka mësuar ta urrejë. Ai nuk është as politikani banal që shfaq luksin e vet në mënyrë vulgare. Përkundrazi. Ai ka ndërtuar figurën e njeriut asketik, pothuajse të varfër, me 16 euro në deklarim pasurie, me një gjuhë morale të përhershme dhe me një revolucion etik në gojë. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij. Ai nuk kërkon që publiku ta admirojë për pushtetin. Kërkon që publiku ta falë pushtetin në emër të moralit.

Kjo është arsyeja pse shumica e intervistave të tij nuk janë intervista për qeverisjen reale. Ai nuk ndalet gjatë te ekonomia, te dështimet, te mënyra si përdoret buxheti, te kontradiktat e pushtetit. Ai ndërton vazhdimisht një dramaturgji morale ku personazhi kryesor është hajni, turpi dhe fajtori. Ai e ka kuptuar se në Kosovë njerëzit lodhen nga e vërteta sepse e vërteta është komplekse dhe kërkon përgjegjësi, ndërsa fajtori është emocionalisht i lehtë. Shoqëria nuk kërkon gjithmonë shpjegim. Kërkon adresë për zemërimin.

Prandaj “hajni imagjinar” funksionon kaq mirë në diskursin e tij. Nuk ka rëndësi kush është konkretisht. Nuk ka rëndësi sa provohet. Mjafton që rrëfimi të krijojë emocion. Dhe kështu ndodh deformimi më i madh politik: hajni bëhet rrëfimi, ndërsa e vërteta mbetet fusnotë.

Kjo logjikë shpjegon pothuajse çdo kontradiktë të pushtetit të tij. Mund të dalë dhe të thotë se dëshiron president konsensual, të propozuar nga opozita dhe të pranueshëm për qytetarët, ndërsa në të njëjtën kohë deklaron se presidenti duhet të jetë “zjarrfikës”, një figurë që nuk di të hipë në avion dhe që nuk merret me politikë të jashtme. Fjalia e parë prodhon iluzionin e pluralizmit. Fjalia e dytë zbulon frikën nga çdo figurë që mund të krijojë legjitimitet të pavarur.

Dhe kjo frikë u bë e dukshme në momentin kur Vjosa Osmani fitoi profil ndërkombëtar përmes angazhimeve të saj në Bordin e Paqes në Zvicër. Aty presidenca pushoi së qeni dekor institucional dhe filloi të perceptohej si qendër tjetër graviteti politik. Për një pushtet që mbështetet mbi kontrollin e rrëfimit publik, kjo është e papranueshme. Prandaj presidenti i ardhshëm duhet të jetë figurë pa ambicie ndërkombëtare, pa profil të fortë, pa mundësi për të ndërtuar kapital politik jashtë orbitës së kryeministrit.

Në këtë pikë, manipulimi nuk duket më si gënjeshtër klasike. Ai duket si normalitet. Dhe kjo është forma më e sofistikuar e pushtetit. Kur publiku nuk e dallon më kufirin mes moralit dhe propagandës.

Kjo shihet edhe në mënyrën si përdoret shteti. Për tri palë zgjedhje shpërndahen qindra miliona euro ndihma sociale, ndërsa në të njëjtën kohë financohen politika që prodhojnë efekt të drejtpërdrejtë elektoral. Avionë për diasporën paraqiten si gjest patriotik dhe sentimental, ndërkohë që paratë janë taksa të qytetarëve më të varfër në Evropë. Dhe publikut i kërkohet ta shohë këtë jo si përdorim politik të buxhetit, por si akt moral.

Këtu shembet gjithë miti i “liderit të pastër”. Sepse pushteti nuk matet me kursimet personale. Matet me marrëdhënien që krijon me paranë publike. Një njeri mund të ketë 16 euro në llogari dhe megjithatë të sillet sikur qindra miliona euro të buxhetit janë vazhdim i projektit të tij personal dhe moral.

Ky është revolucioni moral i hajnit me doreza të bardha. Ai nuk e përdor moralin si kufizim për pushtetin. E përdor si licencë për ta zgjeruar atë. Dhe momenti më i rrezikshëm për një demokraci është kur një lider fillon të besojë se vetëm ai ka të drejtë morale ta përdorë shtetin sipas vullnetit të vet.

Aty fillon degradimi i vërtetë.

Sepse shteti nuk trajtohet më si pronë e përbashkët e qytetarëve, por si vazhdim i ndërgjegjes së liderit. Dhe sa më shumë që ai bindet për pastërtinë e vet morale, aq më pak e ndien kufirin mes pushtetit dhe vetes.

Në fund, kjo nuk është më histori për korrupsion klasik. Është histori për një shoqëri që rrezikon të mashtrohet jo nga hajni brutal, por nga ai që vjen me fytyrë të qetë, me moral në gojë dhe me doreza të bardha në duar.

As “biletë hyrjeje”, as “përgëzime” – Kontrata e re e Evropës me Shqipërinë

Nga Baton Haxhiu

26 maji do të mbetet si një nga ato data që politika shqiptare do ta shesë si triumf historik, ndërsa diplomacia evropiane po mundohet me kujdes t’ia shpjegojë Tiranës se bëhet fjalë për diçka krejt tjetër. Jo për fundin e një rruge, por për hyrjen në pjesën më të vështirë të saj.

Dy deklaratat më të rëndësishme pas Konferencës Ndërqeveritare BE–Shqipëri nuk erdhën nga vendet që zakonisht përdorin gjuhë entuziaste për zgjerimin, si Italia apo Franca, të cilat vazhdojnë ta mbështesin fort procesin shqiptar për arsye strategjike dhe gjeopolitike. Ato erdhën nga Gjermania dhe Holanda, dy shtete që tradicionalisht lexojnë zgjerimin përmes filtrit të sundimit të ligjit dhe funksionimit real të institucioneve.

Dhe gjuha e tyre ishte e ftohtë, e kushtëzuar dhe pothuaj kirurgjikale.

Burime diplomatike evropiane pranë diskutimeve të 26 majit i thanë Albanian Post se formulimet e përdorura nga Berlini dhe Haga nuk duhen lexuar si “përgëzime”, por si sinjali i parë i fazës së re të mbikëqyrjes politike dhe juridike ndaj Shqipërisë.

Në të dy deklaratat përsëritet i njëjti mesazh: Shqipëria ka kaluar “interim benchmarks” për Cluster 1 “Fundamentals”, por kjo nuk konsiderohet fitore finale. Përkundrazi. Kjo shihet si “starting point”, pikënisja e një faze ku tani BE do të kërkojë “implementation in practice”, pra zbatim real në praktikë, “solid track records”, gjurmë të provueshme rezultatesh, dhe “lasting results”, rezultate të qëndrueshme. Në diplomacinë evropiane këto formula nuk janë dekor gjuhësor. Janë paralajmërime procedurale.

Deklarata holandeze ishte ndoshta më juridikja dhe më e qarta. Ambasadori Reinout Vos e përshkroi miratimin e IBAR-it jo si medalje politike për Tiranën, por si “clear expectation”, pritshmëri të qartë për vazhdimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe zbatimin konsistent të tyre. Më pas vjen fjalia që në qarqet diplomatike evropiane lexohet si thelbi i dokumentit: respekti për pavarësinë e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit, përfshirë rastet e niveleve të larta, janë “non-negotiable prerequisites”, kushte të panegociueshme për avancimin e Shqipërisë në BE.

Në praktikë kjo do të thotë se çështje si SPAK, hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, sjellja e parlamentit ndaj kërkesave për imunitet apo raporti i pushtetit me gjyqësorin nuk konsiderohen më tema të brendshme politike shqiptare. Ato janë bërë pjesë formale e dosjes negociuese evropiane.

Gjermania përdori pothuaj të njëjtin mesazh, por me një ton më politik dhe më mbikëqyrës. Në deklarimin gjerman përsëritet ideja e “resolute implementation in practice”, zbatim i vendosur në praktikë, dhe paralajmërimi se Berlini do të “follow developments very closely”, do t’i ndjekë zhvillimet shumë nga afër. Në gjuhën diplomatike gjermane kjo është shumë më tepër sesa formulë rutinë.

Burime diplomatike pranë vendeve anëtare i thanë Albanian Post se Berlini dhe Haga po tentojnë të shmangin atë që në BE konsiderohet “fenomeni i Ballkanit”, ku progresi matet me miratim ligjesh, ndërsa institucionet vazhdojnë të funksionojnë sipas kulturës së vjetër politike. Pikërisht për këtë arsye, në dokumentet evropiane të 26 majit, termat kyç nuk janë “negotiations”, negociata, por “rule of law”, sundimi i ligjit, “judicial independence”, pavarësia e gjyqësorit, “high-level corruption”, korrupsioni në nivele të larta, dhe “lifting of immunity according to Venice Commission standards”, vendimmarrja për heqjen e imunitetit sipas standardeve të Komisionit të Venecias.

Në thelb, Evropa po i thotë Tiranës diçka shumë të thjeshtë: faza romantike e integrimit ka mbaruar. Tani fillon testi i shtetit.

Dhe ky test nuk do të matet me konferenca, retorikë apo patriotizëm evropian në Tiranë. Do të matet me mënyrën si pushteti sillet me drejtësinë, si funksionon Parlamenti, si trajtohen institucionet kushtetuese dhe nëse korrupsioni në nivele të larta prek realisht elitën politike dhe ekonomike.

Një detaj me rëndësi në të dy deklaratat është referenca ndaj “Common Position”, pozicionit të përbashkët të BE-së, dokumentit formal mbi të cilin ndërtohet faza e re negociuese. Në këtë dokument, të siguruar nga Albanian Post, BE e thotë qartë se Shqipëria mund të nisë mbylljen e kapitujve vetëm pasi të përmbushë “closing benchmarks”, benchmark-et e mbylljes, dhe vetëm pasi vendet anëtare të bien dakord se rezultatet janë reale dhe të verifikueshme.

Pra, 26 maji nuk ishte mbyllje negociatash. Ishte hyrje në provimin më të vështirë të tyre.

Në qarqet evropiane ekziston bindja se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm procedural dhe teknik. Për këtë arsye Franca dhe Italia mbështesin fuqishëm avancimin e negociatave, duke e parë integrimin shqiptar edhe si pjesë të stabilitetit strategjik të rajonit dhe të arkitekturës së re evropiane të sigurisë. Por Gjermania dhe Holanda po kujdesen që ky progres procedural të mos përkthehet automatikisht në lehtësim politik.

Dhe kjo është arsyeja pse gjuha e tyre tingëllon pothuaj si kontratë juridike.

Në Bruksel askush nuk po i thotë Shqipërisë “ndal”, por po i thonë diçka tjetër, se nga sot, çdo krizë politike, çdo sulm ndaj drejtësisë, çdo tension mbi SPAK-un, çdo votim parlamentar për imunitetin, çdo raport zgjedhor dhe çdo sjellje e pushtetit ndaj institucioneve do të lexohet si pjesë e dosjes evropiane të Shqipërisë.

Kjo është arsyeja pse 26 maji ka rëndësi historike, sepse Shqipëria fitoi Evropën, por edhe për faktin se Evropa vendosi t’i kërkojë Shqipërisë të provojë se është gati për të.

Çfarë po i kërkon realisht BE Shqipërisë dhe pse politika nuk e shpjegon qartë

Nga Baton Haxhiu

Në Shqipëri, negociatat me Bashkimin Evropian nuk janë vetëm një proces teknik sepse janë bërë pjesë e betejës së brendshme për pushtet. Qeveria i shpjegon si sukses të vazhdueshëm. Opozita i sheh si dështim të plotë. Të dyja palët flasin shumë, por asnjëra nuk i shpjegon qytetarit çfarë po kërkohet realisht.

Dhe kështu krijohet një paqartësi e qëllimshme, sepse sa më pak të kuptohet procesi, aq më lehtë interpretohet sipas interesit politik.

Ndërkohë, e vërteta është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e drejtpërdrejtë sesa gjuha që përdoret për ta fshehur.

Ka një moment në çdo intervistë të zyrtarëve evropianë, kur fjalët fillojnë të duken si mjegull. Duken të rëndësishme, por nuk thonë asgjë, sepse nuk kanë përmbajtje, por natyrshëm dhe prej kohësh janë ndërtuar për të mos thënë drejtpërdrejt të vërtetën.

Dhe e vërteta nuk është aq e thjeshtë për tu thënë. E sidomos nuk është aq e thjeshtë për një qytetar që ka votuar për këtë proces. Prandaj, po mundohem që të jem sa më afër lexuesit në qartësimin e këtij procesi.

Duhet thënë qartë se Shqipëria nuk është duke negociuar me Bashkimin Evropian në kuptimin klasik të fjalës. Nuk është një tavolinë ku dy palë japin e marrin. Nuk është një proces ku Shqipëria thotë këtë e bëj dhe këtë nuk e bëj.

Është një proces ku Bashkimi Evropian i thotë Shqipërisë: bëhu si ne, pastaj hajde.

Kaq e thjeshtë është.

Gjithçka tjetër është gjuhë teknike për ta zbutur këtë realitet dhe për të gjetur një gjuhë të mjegullt.

Procesi fillon me atë që quhet hapje kapitujsh. Në dukje duket si progres. Në të vërtetë është vetëm hyrja në një listë kontrolli. Çdo kapitull është një fushë e jetës së shtetit. Drejtësia. Ekonomia. Administrata. Energjia. Mjedisi.

Dhe për secilën prej tyre, Shqipëria duhet të përgjigjet në një pyetje shumë të thjeshtë: a funksionon sistemi yt si në vendet e BE-së.

Pastaj vjen faza që nuk shihet në televizion. Quhet screening. Është momenti kur ekspertët evropianë hyjnë në detaje. Lexojnë ligje. Shikojnë vendime gjykatash. Analizojnë mënyrën si funksionojnë institucionet.

Këtu ndahet propaganda nga realiteti, sepse këtu nuk ka deklarata. Ka vetëm fakte.

Dhe pas kësaj, Bashkimi Evropian nuk jep urime, por kërkon shumë në proces dhe jep vetëm detyra.

Detyra konkrete janë të qartësuara ku ka një diktat qartësues ku thuhet ndrysho këtë ligj, pastaj forco këtë institucion, ndalo këtë praktikë dhe në fund kërkon konkretisht duke thënë, lufto këtë fenomen.

Në veçanti një fjalë përsëritet vazhdimisht: sundimi i ligjit, që në përkthim të thjeshtë do të thotë se a funksionon shteti pa ndërhyrjen e politikës.

Problemi fillon pikërisht këtu, sepse në komunikimin publik, këto detyra nuk shpjegohen. Nuk përkthehen. Nuk bëhen të kuptueshme për qytetarin. Ato mbeten në gjuhën e raporteve.

Dhe në vend të tyre, krijohet një narrativë tjetër: jemi në rrugën e duhur, kemi bërë progres, negociatat po ecin. E vërteta është se procesi nuk matet me fjalë, por matet vetëm me rezultate.

Dhe, rezultati është gjithmonë i njëjtë: Bashkimi Evropian thotë se ka progres, por nuk është i mjaftueshëm.

Kjo është fjalia më e rëndësishme e gjithë këtij procesi, sepse është një mënyrë diplomatike për të thënë: sistemi ende nuk funksionon si duhet.

Në këtë pikë lind një keqkuptim i madh, sepse shume njerëz mendojnë se negociatat mund të bllokohen nga Evropa dhe që dikush në Bruksel vendos të na ndalë.

E vërteta është më e ashpër. Negociatat nuk bllokohen. Ato ngadalësohen nga vetë realiteti i brendshëm i vendit ose nga politika dhe gjeopolitika e kohës.

Sepse çdo kapitull mbyllet vetëm kur Shqipëria provon se e ka ndryshuar realisht mënyrën si funksionon shteti. Jo në letër por në praktikë.

Dhe në fund, edhe kur kjo ndodh, ekziston një kusht tjetër që rrallë thuhet: të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të jenë dakord, ose një vend i vetëm mund ta ndalë gjithë procesin.

Kjo do të thotë se negociatat nuk janë vetëm teknike. Janë thellësisht politike.

Por mbi të gjitha, janë një proces që nuk varet nga fjalët.

Në thelb, Shqipëria nuk është duke negociuar me Bashkimin Evropian. Është duke negociuar me vetveten.

Me mënyrën si funksionon drejtësia. Me mënyrën si funksionon politika. Me mënyrën si funksionon shteti.

Dhe çdo raport i BE-së është thjesht një pasqyrë, që nuk flet me gjuhë të fortë, por që tregon qartë një gjë: sa larg jemi ende nga standardi që kërkohet.

Nëse ky proces do të shpjegohej me një fjali të vetme për një qytetar të zakonshëm, ajo do të ishte kjo:

“Shqipëria nuk duhet të bindë Evropën me fjalë. Duhet të bindë realitetin me veprime, dhe deri sa kjo të ndodhë, çdo deklaratë politike për sukses do të jetë vetëm një interpretim”.

Jo e vërteta që e dëgjojmë.

Albini dhe 16 eurot e gënjeshtrës

Nga Baton Haxhiu

Albin,

Orwelli në fillim të Ferma e kafshëve nuk ndërton një mashtrim. Ai ndërton një ëndërr. Një premtim që duket i pastër, pothuajse i pakundërshtueshëm. Që të gjithë do të jenë të barabartë. Që askush nuk do të jetë mbi tjetrin. Që një rend i ri lind nga lodhja e padrejtësisë së pushteteve të vjetra.

Por rrëfimi nuk është për lindjen e kësaj ëndrre. Është për mënyrën se si ajo degradohet. Si zbret nga ideali në zakon. Si shndërrohet, jo në tragjedi, por në banalitet.

Sepse ndryshimi në qeverisje nuk vjen si tradhti e madhe. Nuk vjen me zhurmë. Vjen si zakon. Fillon me përjashtime të vogla që arsyetohen si të përkohshme. Pastaj kthehet në privilegje që justifikohen si të domosdoshme. Në dallime që nuk pranohen si të tilla, por shpjegohen si funksionale, si pjesë e “realitetit”.

Dhe më pas vjen gjuha.

Ajo që thuhet në rrjete sociale, në deklarata, në mbrojtje të përditshme. Fjalët fillojnë të lëvizin ngadalë. Kuptimet të zbehen. Barazia nuk zhduket nga fjalori. Ajo mbetet aty, por si një fjalë pa përmbajtje. Riformulohet. Zbutet. Derisa bëhet diçka tjetër, por vazhdon të quhet njësoj.

Dhe në atë moment, gënjeshtra nuk është më e dukshme. Nuk ka nevojë të fshihet. Është bërë e pranueshme.

Sepse nuk është më kundër së vërtetës.

Është bërë versioni i saj.

Dhe aty fillon problemi yt me 16 eurot.

Sepse ato nuk janë një fakt i thjeshtë. Janë një fjali e ndërtuar për të prodhuar një moral. Për të thënë se je ndryshe. Se nuk ke marrë. Se je i pastër.

Por pushteti nuk matet me atë që nuk ke.

Matet me atë që lejon.

Dhe këtu figura çahet.

Ti mund të kesh 16 euro në deklarim.

Por pushteti yt nuk jeton me 16 euro.

Ai lëviz me makina të shtrenjta. Me privilegje të heshtura. Me një rreth që nuk ka mbetur në atë shifër. Me një qeveri ku varfëria nuk është më realitet, por kujtim i përdorur si dekor.

Dhe kontrasti bëhet edhe më i rëndë kur jeta jote personale nuk është ajo që i tregohet publikut si identifikim. Një familje në një nga shtetet më të pasura të Evropës. Një distancë që nuk mbulohet me asnjë deklaratë pasurie.

Kjo nuk është thjeshtësi. Kjo është gënjeshtër e rafinuar dhe që nuk e mohon të vërtetën. E përdor atë. Merr një copë të vogël të saj dhe e ngre në nivel morali, për të mbuluar pjesën tjetër.

Albin,

Po, mund të jetë e vërtetë që ke 16 euro.

Por nuk është e vërtetë që kjo të përkufizon.

Sepse ndërkohë që kjo shifër shitet si ndershmëri, pushteti yt prodhon diçka tjetër. Prodhon privilegj. Prodhon pasurim rreth teje. Prodhon një sistem ku dallimi mes asaj që thua dhe asaj që ndodh bëhet gjithnjë e më i madh.

Dhe këtu gënjeshtra bëhet më e rrezikshme. Sepse nuk është më vetëm deklaratë. Është moral me rrenë brenda.

Është përpjekje për të bindur të tjerët se kontrasti që shohin nuk ekziston. Se problemi nuk është sistemi, por perceptimi. Se mjafton që ti nuk ke, për të justifikuar atë që kanë të tjerët.

Kjo është ajo që e bën të pashije.

Sepse në fund, nuk është problem varfëria jote, por është përdorimi i saj.

Albin,

Në Fermën e kafshëve, derrat nuk u bënë të ndryshëm brenda natës. Ata u bënë të tillë duke bindur të tjerët se nuk kishin ndryshuar. Se ishin ende njësoj. Se gjithçka që bënin ishte për të mirën e përbashkët.

Dhe në fund, askush nuk e dallonte më ndryshimin, sepse kur një njeri deklaron varfëri, por nuk shqetësohet nga pasuria që rritet rreth tij, ai nuk është më simbol i ndershmërisë. Është mburoja morale e saj me një mashtrim 16 eurosh.

Dhe në atë moment, 16 eurot nuk kanë më rëndësi, sepse ajo që mbetet është kjo që secili njeri i ndershëm e mendon.

Nëse je kaq i pastër, pse nuk të pengon papastërtia përreth?

Nëse je kaq i varfër, pse pushteti yt prodhon të pasur?

Sepse në fund, nuk është çështje xhepi.

Është çështje ndërgjegjeje.

Dhe kur gënjeshtra bëhet mënyrë për të mbrojtur atë ndërgjegje, ajo nuk është më gabim. Është zgjedhje personale e jotja për të bërë moralistin gënjeshtar.

Prandaj kjo zgjedhje që nuk matet me 16 euro, por matet me distancën mes asaj që thua dhe asaj që je.

Maqedonia pa shqiptarët nuk është shtet, është rrezik

Nga Baton Haxhiu

Studentët shqiptarë sot nuk protestuan vetëm për një provim në gjuhën e tyre. Ata po protestojnë sepse për herë të parë pas shumë vitesh, një e drejtëqë konsiderohej e fituar po kthehet në kërkesë.

Kjo është pika ku duhet nisur çdo analizë serioze. Kur një brez i ri del në rrugë për një të drejtë elementare, kjo nuk është thjesht krizë momentale. Është pasojë e një procesi të gjatë politik që ka çuar në zbrazjen e përfaqësimit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

E njoh prej vitesh zëvendëskryeministrin maqedonas, Alexin (Aleksandar Nikolovskin). E kemi një miqësi me dallime serioze për shqiptarët në Maqedoni. Kemi folur gjatë për çështjen etnike dhe për shqiptarët. Dhe gjithmonë kam ngritur të njëjtin shqetësim, një përkujdesje e tepruar për dimensionin fetar dhe një mungesë pothuajse totale e investimit në kulturë, arsim dhe shëndetësi. Shqetësimin, në bisedë me të, e kam pas për boshllëkun në arsim dhe kulturë dhe teprinë e islamit politik. Këtë problematikë e kam ngritur prej kohësh edhe kur ka qene Gruevski ne pushtet dhe po ashtu edhe tani kur ne pushtet është Hristian Mickoski.

Ky boshllëk nuk mbeti bosh, sepse në mungesë të pushtetit, aty hyn Turqia, Arabia Saudite dhe Irani. Evropa jo. Dhe kur Evropa mungon në arsim, në kulturë dhe në ekonomi, ajo zëvendësohet nga ndikime që nuk ndërtojnë qytetari, por identitete të fragmentuara. Kjo nuk është vetëm çështje ideologjike. Është edhe ekonomike. Shqiptarët sot janë më të dobët ekonomikisht, më pak të përfaqësuar në vendimmarrje dhe më të varur nga struktura që nuk prodhojnë zhvillim, por kontroll.

Në këtë realitet, politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme. Edi Rama ka ruajtur një ekuilibër të vazhdueshëm me Maqedoninë e Veriut, duke mos e tensionuar raportin dhe duke mbështetur rrugën evropiane të vendit. Kishte frikë të shkonte më shumë sepse frikohej nga një shfaqje e nacionalizmit shqiptar. Por ky kujdes, i shoqëruar me një mbështetje pa kushte për Ali Ahmetin, ka lënë pasoja sepse ai ka mbetur jo si një hero, por si figurë që poshtërohet pa fund nga Hristian Misckoski, që tash i ka dhënë rolin e një kukull are (dordolec) i veshur me rroba njerëzish, ose kashte, për të frikësuar zogjtë, duke e shndërruar atë në heroin që mbron asgjë.

Shqipëria në praktikë ka prodhuar një efekt tjetër, ka krijuar një rehati politike që nuk e ka shtyrë asnjëherë përfaqësimin shqiptar drejt rishikimit dhe forcimit të vetes.

Dhe ndërkohë, në terren, shqiptarët janë përballur me një gjuhë dhe një

praktikë politike nga kryeministri maqedonas, Mickoski, që shqiptarët i ka nënvlerësuar dhe relativizuar si faktor shtetformues, pa marrë një përgjigje të qartë dhe të fortë nga Tirana zyrtare.

Por problemi më i madh nuk qëndron vetëm tek Shqipëria dhe politika e saj e jashtme. Sepse ka qenë politikë pa qëndrim. E vakët. Na doli një lider tjetër që deshi të jetë prezent.

Albin Kurti, në emër të një “ndryshimi”, ka ndërhyrë në mënyrën më të dëmshme të mundshme në këtë ekuilibër të brishtë. Në vend që të ndërtonte një projekt politik të qëndrueshëm, ai ka kontribuar në fragmentimin e politikës shqiptare, duke mbështetur struktura pa peshë reale dhe pa vizion të qartë. Njerëzit e “Vlen”, janë figura për të ardhur keq. Ata flasim shqip, por mendojnë maqedonisht si Hristjan Mickoski. Ky nuk ishte vetëm gabim politik. Ishte një veprim me pasoja antikombëtare. Sepse duke dobësuar përfaqësimin ekzistues pa ndërtuar një alternativë të fortë, ai i dha mundësinë pushtetit maqedonas të menaxhojë shqiptarët përmes grupeve të kontrollueshme, të prodhuara shpesh edhe me votë maqedonase, për të krijuar një fasadë përfaqësimi që nuk ka fuqi reale. Kjo është ajo që sot quhet përfaqësim, por në thelb është kontroll. Në këtë proces, edhe vetë institucionet maqedonase, përfshirë figurat që duhej të mbanin balancën, kanë toleruar dhe në raste të caktuara kanë inkurajuar një zhvendosje të shqiptarëve drejt një përfaqësimi më të dobët, më të fragmentuar dhe më të ekspozuar ndaj ndikimeve fetare si formë organizimi social. Ky është legjitim si fenomen. Por është i rrezikshëm si drejtim. Sepse kur politika dobësohet, boshllëkun nuk e mbush qytetaria. E mbush ideologjia. Dhe kur kjo ndodh në një shtet multietnik, rreziku nuk është vetëm për shqiptarët. Është për vetë stabilitetin e shtetit.

Sot, protesta e studentëve është sinjali më i pastër se ky model ka arritur kufirin e tij. Se shqiptarët nuk ndihen më të përfaqësuar, por të ekspozuar. Jo më të barabartë, por të negociueshëm. Dhe këtu fillon pjesa më e rrezikshme. Sepse ky rajon nuk është i panjohur me tensionet që lindin kur të drejtat fillojnë të zhbëhen në praktikë. Stabiliteti nuk është rastësi. Ai është mbajtur për vite me radhë nga një angazhim i fortë ndërkombëtar, veçanërisht amerikan, që ka vendosur kufij të qartë ndaj çdo tendence destabilizuese. Por sot, ndërkohë që këto procese po zhvillohen, përfaqësimi diplomatik shqiptar në Shkup, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, duket i shkëputur nga realiteti. Nuk ka lexim të thellë të së kaluarës, nuk ka kuptim të plotë të së tashmes dhe mbi të gjitha, nuk ka vizion për të ardhmen. Sepse kur nuk e njeh historinë e këtij problemi, e trajton si episod. Kur nuk e kupton thelbin e tij, e relativizon. Dhe kur nuk ke strategji, e lë të rrjedhë vetë.

Sot nuk ka as rrugë, as strategji dhe as vullnet për të ndikuar realisht mbi këtë qeveri nacionaliste te Hristian Mickoskit. Ka vetëm kujdes, heshtje dhe një lloj përshtatjeje që nuk prodhon zgjidhje. Dhe kjo është ajo që e bën situatën më të rëndë, sepse kur politika dështon, kur përfaqësimi dobësohet dhe kur diplomacia mungon, atëherë zhvillimet nuk kontrollohen më. Dhe historia e këtij rajoni na ka mësuar një gjë të thjeshtë, kur të drejtat fillojnë të zhbëhen dhe askush nuk ndërhyn me vizion dhe guxim, atëherë kriza nuk është më çështje nëse do të vijë, por kur do të vijë.

Sot, protesta e studentëve është sinjali më i pastër se ky model ka arritur

kufirin e tij. Se shqiptarët nuk ndihen më të përfaqësuar, por të ekspozuar. Jo më të barabartë, por të negociueshëm. Dhe këtu fillon pjesa më e rrezikshme. Sepse nëse ky kurs vazhdon, nëse të drejtat vazhdojnë të relativizohen dhe përfaqësimi të dobësohet, atëherë rreziku nuk është më teorik.

Konflikti i vitit 2001 nuk ishte rastësi. Ishte rezultat i një akumulimi padrejtësish dhe një momenti kur balanca u thye. Atëherë kishte një faktor vendimtar që e ndali përshkallëzimin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot, ky faktor nuk është më i pranishëm me të njëjtën peshë. Ndërkohë, në terren, ndikimet janë të tjera. Ka më shumë lojtarë, më shumë interesa dhe më shumë ndërhyrje të heshtura nga rajoni, nga Greqia, Bullgaria dhe mbi të gjitha Serbia, që historikisht ka investuar në çdo hapësirë ku mund të prodhohet destabilizim. Në këtë kontekst, çdo dobësim i shqiptarëve si faktor nuk është vetëm çështje e tyre. Është hapje e një fronti të ri në një zonë që gjithmonë ka qenë tampon i brishtë në Ballkan. Dhe nëse kjo rrugë vazhdon, përgjegjësia nuk do të jetë e shqiptarëve. Sepse shqiptarët, me të gjitha gabimet e tyre, kanë bërë më shumë se kushdo për ta mbajtur këtë shtet larg një etnonacionalizmi të verbër. Kanë pranuar kompromis, kanë ndërtuar bashkëjetesë dhe kanë mbajtur balancën. Nëse kjo balancë thyhet, faji do të ketë emër. Dhe ai emër është politika që sot po e shtyn Maqedoninë drejt një rreziku që e njeh mirë, por po sillet sikur nuk ekziston.

Pse po shkruaj për Ilir Metën

Nga Baton Haxhiu

Nuk po shkruaj për Ilir Metën sepse është miku im. Nuk po shkruaj sepse ndaj bindje politike me të.

Po shkruaj sepse ajo që po ndodh me të është prova më e pastër e një modeli që e kam quajtur më herët “Republika e paraburgimit”.

Dhe ky model nuk ka të bëjë me fajin. Ka të bëjë me pushtetin.

E lexova komentin e Andi Bushatit dhe më bëri përshtypje një gjë thelbësore. Ai nuk po mbronte Metën.

Ai po rrëzonte hipokrizinë. Sepse rasti i Ilir Metës nuk është më çështje individuale. Është çështje standardi.

Një njeri që ka qenë President i Republikës, Kryeministër dhe Kryetar i Kuvendit mbahet në paraburgim për dy vite. Pa një vendim përfundimtar. Pa një standard të qartë proporcionaliteti.

Dhe ndërkohë trajtimi i tij në burg, siç përshkruhet, nuk është thjesht kufizim lirie. Është degradim i dinjitetit.

Dhe këtu rrëzohet gjithë narrativa morale.

Sepse nëse vërtet do të ekzistonte një standard për prezumimin e pafajësisë, ai do të fillonte pikërisht nga ky rast. Jo nga rastet ku pushteti kërkon mbrojtje për të vetët, por nga rastet ku drejtësia ka në dorë një kundërshtar politik.

Kjo është pika ku drejtësia testohet.

Dhe testi, në këtë rast, ka dështuar.

Sepse ajo që po ndodh me Ilir Metën nuk është më thjesht proces penal.

Është përdorim i paraburgimit si instrument. Si presion. Si mesazh. Dhe kur paraburgimi bëhet mesazh, drejtësia ka dalë nga funksioni i saj.

Ndërkohë, vendimi për ta çuar çështjen në gjykim vetëm sa e thellon problemin.

Sepse vetë gjykata pranon, në mënyrë indirekte, se ka boshllëqe serioze në hetim.

Emri i Adrian Shatkut përmendet qindra herë në dosje dhe megjithatë dëshmia e tij nuk është marrë siç duhet.

Nuk ka prova materiale të drejtpërdrejta. Nuk ka firmë. Nuk ka komunikime. Nuk ka transaksione.

Dhe megjithatë, masa më e rëndë vazhdon.

Kjo nuk është më çështje interpretimi juridik. Kjo është çështje logjike.

Sepse kur mungojnë provat thelbësore dhe megjithatë masa ekstreme vazhdon, atëherë lind një dyshim i arsyeshëm. Jo për fajësinë e të akuzuarit, por për motivin e masës.

Dhe këtu hyn problemi më i madh.

Një gjykatë që nuk kërkon prova të plota. Një prokurori që ndërton akuza mbi perceptime.

Një sistem që mban një individ në izolim të zgjatur ndërkohë që vetë pranon boshllëqet e veta. Kjo nuk është më drejtësi që kërkon të vërtetën. Është drejtësi që kërkon rezultat.

Dhe rezultati, në këtë rast, duket i paracaktuar. Mbajtja në izolim.

Kjo krijon një tjetër problem, më të thellë.

Sepse kur një sistem tregon se mund të mbajë një ish President dy vite në paraburgim pa standard të qartë prove dhe proporcionaliteti, mesazhi nuk i shkon vetëm atij. I shkon të gjithëve. Politikës. Administratës. Shoqërisë.

Dhe ky është momenti kur drejtësia pushon së qeni institucion dhe bëhet klimë. Një klimë frike.

Prandaj nuk është më e rëndësishme nëse Ilir Meta është fajtor apo jo. Kjo do të duhej të ishte punë e gjykimit përfundimtar. E rëndësishme është se si po trajtohet para atij gjykimi, sepse aty matet shteti.

Dhe sot, në këtë pikë, shteti duket se ka zgjedhur rrugën më të lehtë. Ashpërsinë në vend të standardit. Paraburgimin në vend të provës. Mesazhin në vend të drejtësisë.

Kjo është arsyeja pse po shkruaj.

Sepse “Republika e paraburgimit” nuk është më teori. Është praktikë. Dhe rasti Meta është shembulli i saj më i pastër.

Nuk është problemi nëse Ilir Meta është fajtor apo i pafajshëm. Problemi është se një shtet që nuk pret vendimin për ta trajtuar dikë si fajtor, në të vërtetë nuk po kërkon drejtësi, po kërkon bindje.

Dhe kur drejtësia kërkon bindje, ajo nuk ka më nevojë për prova. Ka nevojë vetëm për kohë. Dhe koha, në Republikën e paraburgimit, është dënimi më i sigurt.

Dënojeni me vdekje lirinë!

Nga Baton Haxhiu

Ka momente kur njeriu nuk shkruan për të bindur të tjerët. Shkruan për të mos tradhtuar atë që ka parë me sytë e vet. Luftën e UÇK-së.E dëgjova falën perfundimtare të Prokurorisë në Hagë dhe për disa minuta nuk po dëgjoja më një aktakuzë. Po degjoja një rrëfim për një luftë që unë e kam parë me sy, por që nuk e njoha më nga mënyra si po përshkruhej. Në atë sallë nuk po flitej vetëm për katër njerëz. Po flitej për një histori të tërë me një gjuhë që tingellonte e huaj, e ftohtë dhe e rrezikshme njëkohësisht. Dhe kur u kërkuan 45 vite burg për secilin, e kuptova se ajo që po ndodhte nuk ishte më një monolog juridik. Ishte një përplasje me kujtesën. Një perpjekje per ta rrëfyer lirině me fjalor që nuk i perket asaj.

Sot nuk po flas si gazetar. As si Baton. Po flas si njeri që e ka parë atë luftë me sy. Që i ka parë ata njerëz me baltë ně këpucë, me gjume te prerë, me fytyra që nuk i përkisnin më jetës së zakonshme, por një kohe që nuk kishte as emër as garanci. Dhe kur dëgjova Prokurorinë në Hagë të kërkonte 45 vite burg per secilin, nuk ndjeva zemërim. Ndjeva nje boshllek të ftohtë. Si kur e kupton se diçka po mbyllet nể mënyrën më te gabuar të mundshme.

Nuk jane vitet qe me tronditën. Eshte gjuha. Eshte narrativa. Eshte menyra si u fol per luften, per njerëzit, per atë që ndodhi. Nuk dukej si aktakuze ndaj individeve. Dukej si një pershkrim i një historie që une e kam jetuar, por që nuk e njihja më nga menyra si po rrëfehej.

Në atë sallë, per disa minuta, u duk sikur liria ishte në bankën e të akuzuarve.

Dhe aty e kuptova diçka gë e kisha shkruar që ne vitin 2018, por ge sot e ndjeva deri ne eshtra. Rreziku nuk ishte juridik. Rreziku ishte moral. Psikologjik. Historik. Rreziku ishte që një gjuhë prokurorie të bëhej gjuhë historie.

Prandaj sot nuk kam një reagim. Kam një thirrje.

Jaccuse.

E para, ndaj Prokurorisë. Jo ndaj Gjykates. Sepse Gjykata ende nuk ka folur. Por gjuha e Prokurorise sot ishte nje akt ne vetvete. Nje akt gë e tejkaloi dosjen, që e tejkaloi individin, gë preku luften, preku kujtesën, preku atë gë per ne quhet çlirim. Nje gjuhě gë nuk pati asnje kujdes për peshen historike te asaj që po pershkruante. Nje gjuhë gë, në vend se te ishte sterile, juridike, e ftohtë, u bë rrëfim.

E dyta, ndaj atyre që dëshmuan rrejshem. Dhe ndaj atyre shqiptareve që, nga urrejtja ndaj elitave, nga frustrimi, nga dëshira për t’i parë politikanët ne bankën e të akuzuarve, e kerkuan këtë gjykim pa e kuptuar se çfarë po vendosnin ne tavoline. Nuk po vendosnin vetëm emra. Po vendosnin historinë e tyre. Po vendosnin luftën e tyre. Po vendosnin vetë kuptimin e lirise.

E treta, ndaj Serbise. Sepse sot në Hagë nuk dëgjova vetem një prokurori. Dëgjova nje gjuhë që perputhej ne mënyrë te frikshme me narracionin që Beogradi ka 25 vite që e

përsërit. Një gjuhë ku UÇK-ja nuk eshte me levizje çlirimtare, por strukturë kriminale.

Nëj gjuhë ku lufta nuk eshte më reagim ndaj shtypjes, por burim krimi. Një gjuhë ku historia permbyset me kujdes juridik.

Dhe kjo perputhje nuk eshte rastesi. Eshtë alarm.

Unë i kam njohur ata. I kam parë ne lufte. I kam parë nga afer, ne momente që nuk i harron dot. I kam parë jo si politikanë, por si njerëz te futur ne nje vorbull që nuk e kishin zgjedhur, por që nuk kishin si ta shmangnin. Dhe sot, kur degjova ate propozim, nuk pashe me fytyrat e tyre. Pashe fytyrat e atyre djemve pa emër, te atyre grave që bartnin ujë, te atyre familjeve ge hapnin dyert per te panjohur. Pashe giithe ate kohë që sot u permend me një ton që më dukej i huaj.

Prandaj po e them me cinizëm të dhimbshëm.

Pse nuk e denoni me vdekje lirinë. Sepse 45 vite për secilin nuk eshte thjesht kerkesë denimi. Eshtë një fjali qe tingëllon si denim simbolik i asaj gë per ne ishte liri. Dhe nëse kjo eshte gjuha me te cilên do te rrefehet ajo kohe, athere më mirë ta thoni troç. Se në bankën e te akuzuarve nuk jane vetëm kater njerëz. Eshte një histori. Një kujtesë. Një e vërtete e perjetuar.

Gjykata ende nuk ka folur. Dhe pikërisht per kete kam ende shpresë. Sepse vetëm nje gjykate e drejte mund ta pastrojë turpin e gjuhes se sotme. Vetëm nje vendim i drejte

mund ta ndalë këtë rrshqitje ku prokuroria fillon te shkruajë histori. Sot nuk jam i zemëruar. Jam i tronditur. Dhe kjo eshtë më e rende.

Shqipëria ftohet në tryezën e historisë

Nga Baton Haxhiu

Një letër e rrallë që fillon me I nderuar Kryeministër, (SHTËPIA E BARDHË, WASHINGTON, 16 janar 2026 Shkëlqesia e Tij, Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Tiranë I nderuar Z. Kryeministër, Është nder i madh t’ju ftoj, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të bashkoheni me mua në një përpjekje kritike historike dhe madhështore për të forcuar Paqen në Lindjen e Mesme dhe, në të njëjtën kohë, për të ndërmarrë një qasje të re të guximshme), jo për të respektuar protokollin, por për të vënë përballë një zgjedhjeje historike.

Nuk pyet nëse do të marrësh pjesë, por nëse do të bashkohesh me historinë në momentin kur ajo po shkruhet. Nuk flet për dekor diplomatik, por për përgjegjësi themeluese në një arkitekturë të re të paqes globale. Dhe kjo letër përfundon e nënshkruar nga themeluesi dhe udhëheqësi i këtij projekti, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump.

Dhe nuk është asgjë e rastësishme sepse disa ditë më parë, në një sallë të heshtur të një hoteli në Emiratet e Bashkuara, larg protokollit dhe kamerave, Edi Rama po bisedonte me përfaqësues të Kubës për tranzicionin ideologjik, politik dhe social. Nuk fliste si këshilltar i jashtëm dhe as si dëgjues i kujdesshëm. Fliste duke shpjeguar Shqipërinë si shembull. Jo si model perfekt, por si përvojë reale. Rendiste kontekste, kthesa historike, dilema morale dhe zgjedhje politike me një qartësi që i befasoi të pranishmit. E njihte kodin e së kaluarës së tyre aq mirë, sa ata që po e dëgjonin mbetën për një çast pa fjalë. Nuk ishte një shfaqje retorike. Ishte njohje intime e një historie që ai e kishte jetuar nga brenda.

Kështu ma shpjegonte një mik amerikan që kishte dëgjuar dhe përjetuar takimin.

Aty ku shumë liderë flasin për tranzicionin si një formulë teknike, Rama e shpjegonte si proces njerëzor, me kosto, me frikë dhe me nevojën për ta ruajtur dinjitetin kolektiv. Pikërisht kjo aftësi për ta lexuar historinë e tjetrit përmes përvojës së vet e shpjegon pse Shqipëria sot ftohet jo si spektatore, por si bashkëthemeluese në tryezat ku flitet për paqen globale.

Dhe këtu fillon të marrë kuptim edhe letra e Donald Trump. Sepse ftesa drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë nuk vjen nga një vakum diplomatik. Ajo vjen si njohje e një profili politik që di të flasë për konfliktin pa qenë pjesë e tij, që di të flasë për tranzicionin pa e idealizuar, dhe që di të flasë për paqen pa e kthyer atë në slogan. Në këtë kuptim, Shqipëria nuk ftohet për madhësinë e saj, por për mënyrën se si është përfaqësuar. Dhe ky është kapitali më i rrallë në politikën ndërkombëtare të kohës sonë.

Ka letra që janë protokoll. Ka letra që janë simbol. Dhe ka letra që janë sinjal historik. Ftesa e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, nuk është thjesht një dokument diplomatik. Është një akt njohjeje politike. Një vulë besimi. Një thirrje që nuk u shkon të gjithëve, por vetëm atyre që konsiderohen të aftë të ulen në tryezën ku nuk menaxhohen kriza, por ndërtohen epoka.

Në këtë letër nuk ftohet një vend i vogël ballkanik për dekor. Ftohet një shtet që ka ditur të lexojë kohën. Ftohet një kryeministër që ka ditur ta përfaqësojë vendin e tij përtej madhësisë gjeografike, duke e bërë Shqipërinë të dëgjueshme në botën ku vendimet merren nga ata që dinë të artikulojnë vizion dhe stabilitet.

Donald Trump flet me gjuhën e superlativit. Jo rastësisht. Ai flet për një përpjekje historike. Për një plan gjithëpërfshirës. Për një arkitekturë të re të paqes në Lindjen e Mesme. Për një Bord Paqeje që synon të jetë një organizëm unik, tranzitor, por me ambicie të përhershme. Në këtë kontekst, zgjedhja e Shqipërisë si anëtare themeluese nuk është rastësi. Është rezultat.

Shqipëria nuk ka ushtri që ndryshon balancat globale. Nuk ka ekonomi që dikton tregjet. Por ka fituar diçka tjetër shumë më të rrallë në diplomacinë moderne. Besueshmëri. Koherencë. Qëndrim. Dhe mbi të gjitha, një përfaqësim politik që ka ditur të flasë në emër të paqes pa u dukur i vogël, dhe të flasë në emër të interesit kombëtar pa u dukur provincial.

Edi Rama në këtë letër trajtohet si përfaqësues i një shteti që mund të marrë përgjegjësi morale dhe politike në një nga konfliktet më të ndërlikuara të kohës. Ky është krediti më i madh që i jepet një vendi si Shqipëria. Jo sepse i kërkohet forcë. Por sepse i njihet pjekuri.

Trump nuk kërkon spektatorë. Ai kërkon themelues. Dhe fjala founding member state ka peshë. Do të thotë se Shqipëria nuk ftohet të duartrokasë një proces të nisur nga të tjerët, por të jetë pjesë e arkitektëve të tij. Kjo është diferenca mes periferisë diplomatike dhe qendrës së vendimmarrjes.

Në një botë ku shumë shtete janë të ftuara vetëm kur duhen vota formale, Shqipëria ftohet për nënshkrim. Për ratifikim. Për përgjegjësi. Ky është momenti kur politika e jashtme shqiptare del nga logjika e mbijetesës dhe hyn në logjikën e kontributit.

Kjo letër nuk është fundi i një rruge. Është prova se një rrugë është ndërtuar. Me durim. Me simbolikë. Me një gjuhë që e ka bërë Shqipërinë të kuptueshme për botën dhe botën të dëgjueshme për Shqipërinë.

Nëse ka një moment kur përfaqësimi i një kryeministri shndërrohet në kapital shtetëror, ky është ai moment. Sepse paqja globale nuk ndërtohet vetëm nga fuqitë e mëdha. Ndërtohet edhe nga ata që dinë të jenë të vegjël pa qenë të parëndësishëm.

Dhe sot, përmes kësaj ftese, Shqipëria nuk është më thjesht një vend që kërkon vend në histori. Është një vend që historia e fton të ulet në tryezë.

Dhe letra përfundon me: Pres me padurim të punoj me ju, për një kohë të gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së PAQES, PROSPERITETIT DHE MADHËSHTISË SË QËNDRUESHME BOTËRORE PËR TË GJITHË! Me urimet më të mira. Me respekt, DONALD J. TRUMP, PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS.

Ku gabuan Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku

Nga Baton Haxhiu

Ka raste kur dorëheqja nuk është ikje nga përgjegjësia, por pranimi i saj i vonuar.

Rasti i Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut është pikërisht ky.

Arsyeja pse duhet ta lënë drejtimin e partive të tyre nuk lidhet me humbjen e zgjedhjeve, por me atë që nuk bënë kur patën mundësinë të ndryshonin rrjedhën politike të vendit.

Kjo do të sqarohet deri në fund të këtij teksti, sepse dështimi i tyre nuk është episodik. Është strukturor.

Ka dështime politike që nuk shpërthejnë.

Nuk bëjnë zhurmë.

Nuk prodhojnë krizë të menjëhershme.

Ato thjesht e lënë vendin pa alternativë.

Ky është dështimi më i rrezikshëm i mundshëm.

Dhe pikërisht ky ndodhi në shkurt.

Jo sepse Kurti ishte i pathyeshëm.

Por sepse dy liderë opozitarë, në momentin kur historia u la çelësat në dorë, zgjodhën të mos e hapin derën.

Në shkurt, opozita nuk ishte pa numra.

Ishte pa guxim.

Ishte pa vizion shtetëror.

Ishte e kapur nga kalkulimi i vogël partiak dhe frika se qeverisja i konsumon më shpejt sesa opozita sterile.

Kjo është pika ku gabuan Bedriu dhe Lumiri. Dhe gabuan njësoj.

Të dy e dinin se mund të ndërtohej qeveria.

Të dy e dinin se Kurti nuk kishte shumicë funksionale.

Të dy e dinin se vendi kishte nevojë për stabilitet institucional.

Por të dy u tërhoqën. Jo për shkak të parimeve, por për shkak të fyerjeve të ndërsjella, nervit personal dhe frikës për të marrë barrën e pushtetit.

Duke mos krijuar qeveri, ata i dhuruan Kurtit luksin më të madh në politikë: të qeverisë pa mandat të plotë, por me pushtet të plotë.

Pa kontratë të qartë me Parlamentin.

Pa kundërpeshë reale.

Pa përgjegjësi për kompromis.

Kjo është arsyeja pse zgjedhjet kaluan kështu siç kaluan. Jo sepse Kurti ishte i fortë. Por sepse opozita u bë bashkëfajtore në prodhimin e kësaj force artificiale.

Dy liderë, një sjellje, një dështim.

Të dy folën për ndryshim, por ikën nga momenti kur ndryshimi kërkonte përgjegjësi.

Të dy folën për stabilitet, por zgjodhën destabilitetin e qëllimshëm për interesa afatshkurtra.

Të dy u sollën si opozitë edhe kur kishin shansin të bëheshin qeveri.

Atëherë nuk pranuan koalicion sepse pati fyerje.

Sepse nuk e duruan njëri-tjetrin.

Sepse e ngatërruan krenarinë personale me interesin shtetëror.

Sot, heshtja mbi atë periudhë është problemi më i madh. Sepse askush nuk po shpjegon si amnistohet sot ajo që u shpall e pamundur dje.

Nëse bashkëpunimi ishte i pamoralshëm në shkurt, pse do të ishte i pranueshëm tani.

Nëse koalicioni ishte tradhti atëherë, pse sot do të ishte zgjidhje.

Këtu humbin të dyja partitë.

PDK humbi shansin të dëshmojë se di të qeverisë përtej hijes së së kaluarës dhe të rikthehet si forcë stabiliteti shtetëror.

LDK humbi shansin të tregojë se nuk është vetëm parti e moralit të deklaruar, por edhe e vendimmarrjes së vështirë kur shteti ka nevojë për përgjegjësi.

Të dyja fituan vetëm një gjë: komoditetin e opozitës.

Dhe kjo është fitore që e paguan vendi.

Kur zgjedhjet zhvillohen në një klimë ku opozita është e pafuqishme, por pushteti edhe më i pakontestueshëm, problemi nuk është vetëm i njërës palë.

Është problem i sistemit politik dhe i një shoqërie që mësohet me idenë se rezultati dihet përpara se të hapen kutitë.

Mungesa e opozitës funksionale nuk e forcon pushtetin. E kalb atë.

Zgjedhjet pa garë reale e shndërrojnë votën në ritual.

Qetësia morale përballë kësaj gjendjeje e bën krizën kulturore dhe etike, jo vetëm politike.

Këto nuk ishin thjesht zgjedhje të fituara keq nga opozita.

Ishin zgjedhje që treguan se sa lehtë rrëshqet demokracia në një normalitet pa alternativë.

Për këtë arsye, përgjegjësia politike nuk mund të shmanget me heshtje.

Bedriu dhe Lumiri duhet të japin dorëheqje.

Jo sepse partitë e tyre janë të dobëta.

Por sepse dështuan në momentin kur duhej të ishin liderë shteti, jo figura opozitare.

Dorëheqja nuk do ta përmirësojë menjëherë gjendjen. Por do ta ndalë kalbëzimin moral.

Sepse kur liderët dështojnë në momentin historik dhe sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur, problemi nuk është më zgjedhor. Është krizë përgjegjësie.

Dhe kjo krizë nuk zgjidhet me harresë. Zgjidhet vetëm me akt politik.

Morali i Blendit që prodhon burg pa gjykim

Nga Baton Haxhiu

Një replikë e dytë me Blendi Kajsiun dhe kufijtë mes etikës politike dhe drejtësisë penale

Që të jem i qartë, Blendi, kam qenë ndër të paktët që kam mbështetur SPAK-un në fillim, kur të tjerët e quanin drejtësi të dirigjuar nga Rama. Gjithashtu, i pari kam shkruar dhe kam bërë paralajmërimin për Republikën e prokurorëve që do marrin mision tjetër rrugës, duke ndertuar sistem hakmarrjeje ndaj arrogancës së pushtetit, sepse jemi vendi i vetëm ku prokuroria speciale dhe gjykata speciale ndajnë të njëjtën ndërtesë, edhpse prokuroria është vetëm palë në drejtësi, jo pushtet mbi drejtěsinë.

Blendi Kajsiu, në reagimin e tij ndaj shkrimit tim, këmbëngul se nuk ka kërkuar dënim paraprak, por vetëm një standard moral më të lartë për politikën. Ai mbështetet te rasti i Ilir Metës, te gjykimi i opinionit publik dhe te ideja se largimi nga detyra i një zyrtari nën hetim nuk bie ndesh me prezumimin e pafajësisë. Sipas tij, problemi është politik, jo juridik.

Por pikërisht këtu nis keqkuptimi themelor. Sepse në realitetin shqiptar, standardi moral që përshkruan Blendi Kajsiu nuk mbetet moral. Ai prodhon pasoja reale penale, institucionale dhe personale, të ngjashme me dënimin paraprak, vetëm se me një gjuhë më të butë. Pikërisht për këtë arsye, kjo nuk është një debat abstrakt etik, por një debat konkret për kufijtë e drejtësisë.

Blendi Kajsiu këmbëngul se kërkon standard moral dhe jo dënim paraprak. Por në realitetin shqiptar, kjo ndarje është më teorike sesa reale. Kur standardi moral përkthehet në largim nga detyra, delegjitimim publik dhe presion institucional përpara se gjykata të flasë, ai prodhon të njëjtin efekt që ka dënimi paraprak. Ky është pikërisht dallimi që Blendi Kajsiu e sheh si teorik, por që në realitetin shqiptar funksionon si ndëshkim paraprak.

Në çdo demokraci më normale, paraburgimi trajtohet si masa më ekstreme ndaj lirisë personale para një vendimi përfundimtar. Ai duhet të jetë proporcional, i kufizuar në kohë dhe i justifikuar nga rreziku konkret. Në Shqipëri, paraburgimi i zgjatur është kthyer në normë. Jo sepse drejtësia funksionon mirë, por sepse ajo kompenson dobësitë e veta strukturore me burg. Kur drejtësia është e fortë, paraburgimi është i rrallë. Kur është e dobët, ai bëhet mjet standard. Këtu është pika ku argumenti i Blendi Kajsiut për standardin moral shkëputet nga realiteti institucional.

Paraburgimi i zgjatur nuk është thjesht masë procedurale. Ai është presion psikologjik, traumë personale dhe, në shumë raste, prodhon prezumim fajësie de facto. Dhe kur më pas personi lirohet ose akuzat bien, dëmi nuk riparohet. Besimi në drejtësi po ashtu. Kjo është arsyeja pse sistemet abuzojnë me paraburgimin jo sepse janë më pak demokratike, por sepse i frikësohen rrezikut politik më shumë sesa shkeljes së të drejtave individuale. Është drejtësia e dobët ajo që e kthen burgun në instrument të zakonshëm.

Rasti i Erjon Veliajt, me një paraburgim të zgjatur pa vendim përfundimtar, tregon qartë se në Shqipëri masa e jashtëzakonshme po funksionon si standard dhe jo si përjashtim.

Dorëheqja, në parim, është akt mbrojtjeje institucionale, jo pranim faji. Por kjo vlen vetëm në një sistem ku drejtësia është e shpejtë, e rezervuar dhe e besueshme. Në një realitet ku hetimet zgjasin pafund, ku rrjedhjet e informacionit, shpesh nga vetë prokurorët, paraprijnë vendimet, dhe ku media prodhon gjyq paralel, dorëheqja nuk është më zgjedhje morale e lirë, por përgjigje ndaj një fushate fajësimi dhe kërkesës me burg në studio televizive.

Blendi Kajsiu e trajton dorëheqjen si akt etik abstrakt, por e anashkalon faktin se ajo ndodh brenda një sistemi presioni penal dhe mediatik, si hakmarrje për shkak të një pandeshkueshmerie të gjatë ndaj politikës.

Shembulli i Ilir Metës në vitin 2011 përdoret gabimisht si standard moral dhe politik i dorëheqjes.

Meta dha dorëheqjen sepse sistemi gjyqësor ishte i kontrolluar dhe rezultati i procesit ishte i parashikueshëm. Presioni ishte mediatik, jo penal. Siguria e mosndëshkimit ekzistonte. Sot situata është e kundërt. Prokuroria ka fuqi reale, paraburgimi përdoret gjerësisht dhe gjykata vjen shumë vonë. Pikërisht këtu krahasimi që bën Blendi Kajsiu me vitin 2011 bie, sepse konteksti institucional ishte krejt tjetër.

Dobësia e opozitës ka prodhuar një efekt anësor të rrezikshëm. SPAK ka marrë mbi vete një rol që në demokraci normalisht i takon politikës, atë të riformësimit të strukturës politike. Kur opozita nuk funksionon, drejtësia mbushet me mision të përkrahur nga SHBA, Britania e madhe dhe BE.

Dhe drejtësia me mision ka tendencë, të mos themi vrazhdëson masat në dëm të drejtave të njeriut, duke humbur arsyen. Kjo është pikë që Blendi Kajsiu e prek kalimthi, por nuk e përball drejtpërdrejt.

Shembujt ndërkombëtarë e tregojnë këtë qartë. Në Francë, Nicolas Sarkozy, François Fillon, Marine Le Pen, Jean Luc Mélenchon. Në Spanjë, Pedro Sánchez dhe José Luis Ábalos. Në Gjermani, Boris Pistorius dhe skandali Cum Ex. Në Itali, Matteo Salvini, Silvio Berlusconi, Vincenzo De Luca. Në Maltë, Joseph Muscat. Në Sllovaki, Robert Fico. Të gjithë janë hetuar, disa janë dënuar, nuk kanë dhënë dorëheqje, dhe politika nuk është shembur. Demokracia nuk funksionon mbi dorëheqje automatike, por mbi gjykata që vendosin drejtësinë për burg dhe jo paraburgim pa fund.

Eksperienca italiane dhe rumune është paralajmërim, jo model. Drejtësia kirurgjikale mund të presë një tumor, por nuk ndërton trup të shëndetshëm. Amputimi i vazhdueshëm i klasës politike përmes “fuqisë” aë prokurorëve krijon boshllëk pushteti, jo domosdoshmërisht politikë më të pastër. Dhe boshllëqet zakonisht mbushen nga forma më të errëta të pushtetit.

Rreziku është i qartë. Kur standardi antikorrupsion matet me paraburgime, pezullime dhe presion moral para vendimit gjyqësor, drejtësia pushon së qeni garantuese dhe kthehet në ndëshkues. Dhe një drejtësi që pret pa dallim rrezikon vetë sundimin e ligjit.

Lufta kundër korrupsionit është e domosdoshme. Disa eksponent politik meritojnë drejtësinë e vertetë, por ajo nuk fitohet vetëm me shtrëngim penal. Ajo kërkon institucione funksionale, kontrolle administrative, reforma strukturore dhe kulturë ligjshmërie. Përndryshe, epërsia morale dhe gjykmi popullor(qëdon gjak) zë vendin e drejtësisë.

Në këtë kuptim, debati me Blendi Kajsiun nuk është për moralin, por për kufijtë e drejtësisë në një demokraci funksionale. Ndryshe kthehemi të poshtnimi publik dhe moral ku dominojnë vibratorët , brekët, dhe fjalori për palloshët.

The post Morali i Blendit që prodhon burg pa gjykim first appeared on JavaNews.al.

Amerikanët zgjedhin, shqiptarët firmosin

Nga Baton Haxhiu

Prej vitesh e kam thënë në studio televizive se drejtësia te ne është amerikane, ndërsa nënshkrimi i dosjeve mbetet shqiptar. Pavarësia funksionon vetëm në teori, kurse në praktikë mjafton një vizitë diplomatike për të kuptuar se kush është “i preferuari”.

Dhe sa herë amerikanët tregojnë preferencën, vota vendase kthehet në formalitet.

Në Rumani, kur Laura Codruța Kövesi u bë kryeprokurore e DNA-së, të gjithë e kuptuan se amerikanët kishin zgjedhur njeriun e tyre. Nuk e fshehën fare, sa që hapur bënin takime publike, foto të dukshme, deklarata të koduara për “mbështetje të fortë” dhe një seri vizitash diplomatike që, në çdo vend normal, do të quheshin sinjale politike. Pastaj erdhi votimi, dhe Kövesi doli fituese pa asnjë dilemë. Rumania mori mesazhin se kur SHBA-të kanë një të preferuar, vendimi është vetëm formalitet.

Tek ne, sot pamë se skenari është i njëjtë. Thjeshtë më i qetë.

Për disa ditë me radhë, delegacionet amerikane u futën e dolën në SPAK si në shtëpinë e tyre, duke bërë foto me të gjithë… përveç atyre që nuk kishin gjasa të bëheshin kryeprokuror.

Pastaj, sot, në mënyrë krejt formale, KLP votoi 7-3. As kundërshti, as dilemë, as dramë. Demokracia shqiptare e ka një talent të çuditshëm përuljeje, se kur amerikanët e duan një njeri, Shqipëria e merr menjëherë vesh se kush është “i duhuri”.

Në fakt, nuk është ndonjë sekret i madh. Çdo diplomat amerikan që mbikëqyr procesin ka karrierën e vet në lojë. Sa më “i suksesshëm” të jetë drejtuesi që ata sponsorizojnë, aq më bukur shkruhet raporti i tyre në Washington. Dhe nëse ky drejtues pas tre vitesh del i fortë, i pastër dhe efektiv, nuk ngrihet vetëm SPAK-u, por, natyrshëm, ngrihet edhe dosja personale e atij diplomati. Sistemi funksionon, vetëm se është sistemi i tyre.

Kjo nuk është as tragjike, as e çuditshme. E çuditshme është të thuash që drejtësia kontrollohet nga Edi Rama. Është edhe thellësisht cinike dhe provokuese. Qëllimisht e bërë.

Amerika përzihet në drejtësinë shqiptare prej tre dekadash, sepse Shqipëria nuk ka prodhuar dot një elitë juridike që t’i besojë vetes më shumë se Ambasadës. Prandaj, edhe sot, si në Rumani dje, fotografia me diplomatin amerikan vlen më shumë se CV-ja, eksperienca apo vota e ndonjë anëtari të KLP-së.

Dhe fundi është gjithmonë i njëjtë: amerikanët nuk zgjedhin prokurorin më të mirë, por zgjedhin atë që i besojnë se i jep stabilitet sistemit, dhe Shqipëria, me qetësi orientale, e quan këtë “pavarësi institucionale”.

Por përtej gjithë cinizmit, ka një të vërtetë strukturore në këtë lojë.

Klodjan Braho nuk është zgjedhur për t’i shërbyer Qeverisë, por reformës. Dhe reforma nuk i përket më askujt në politikë, ajo është jashtë kontrollit të çdo kryeministri, të çdo mandati. Braho nuk do të luftojë kundër një ministri a kundër një kryebashkiaku të ditës.

Ai do të përballet me korrupsionin e rrënjosur, me rrjetet policore të mbijetuara, me oligarkinë e re dhe të vjetër, me të gjithë ata që e kanë parë SPAK-un si rrezik dhe jo si standard.

Dhe pyetja e vetme reale që mbetet është kjo, a do të ketë dëgjueshmërinë amerikane të prekë ata që sot e përgëzojnë?

Në Rumani, Kövesi u bë simbol sepse goditi të paprekshmit.

Në Shqipëri, Braho atëherë do të vlerësohet, kur të prekë ata që e presin me buzëqeshje.

Deri atëherë, Shqipëria vazhdon të jetojë paradoksin e saj të madh në drejtësi. Amerikanët diktojnë ritmin, shqiptarët firmosin rezultatin. Dhe historia mbetet gjithmonë gjykatësi i vetëm që nuk e impresionojnë fotot diplomatike.

The post Amerikanët zgjedhin, shqiptarët firmosin first appeared on JavaNews.al.

VLEN ose zbrazëtia e një bashkimi pa projekt

Nga Baton Haxhiu

Zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut nuk i fitoi një koalicion. As një lider. I fitoi një revoltë. Ajo revoltë kishte shumë forma, por një frymë të vetme: të ndëshkojë BDI-në. Dhe për këtë mision, qytetarët shqiptarë,me ose pa iluzione, zgjodhën VLEN-in si instrument. Jo si projekt. Jo si ideologji. Jo si filozofi e përfaqësimit. Por si mjet.

Ky është problemi themelor i këtij bashkimi: nuk lindi si domosdoshmëri për të artikuluar një të ardhme, por si nevojë për të penguar të kaluarën të vazhdojë. Kjo e bën të fortë në moment, por të dobët në strukturë. Dhe kjo dallon më së shumti kur e shohim tensionin brenda vetë VLEN-it, midis Izet Mexhitit, që përpiqet ta ndërtojë me durim këtë projekt, dhe Bilall Kasamit, që ende sillet sikur VLEN-i është një strehë për krizën personale të subjektit të tij.

Izet Mexhiti është ndoshta politikani më sistematik i brezit të tij. Ai është i vetmi që e ka trajtuar koalicionin VLEN si një projekt për ndërtimin e një të djathte të re shqiptare, një qendër e djathtë që nuk turpërohet nga termat si konservatorizëm, identitet, meritokraci. Por ai është më i vetmuar se ç’duket. Sepse pjesa tjetër e koalicionit e sheh këtë bashkim si “bashkim rasti”, jo si “projekt kombëtar”. Qetësia e tij është qartësia e një njeriu që e di se çfarë duhet të ndërtohet. Por edhe ai tashmë e di se votat nuk janë dhënë për të, por për shpresën që ndoshta nga ky grupim del dikush që mund t’i besosh.

Një çështje tjetër që i jep tonin e pasigurisë këtij bashkimi është prania e Bilall Kasamit si figurë dominuese në retorikë, por e zbehtë në mendim. Sondazhi e ka bërë të qartë se perceptimi për të është i paqëndrueshëm. Ai shihet si më i dobëti në diskurs, më i paqarti në drejtim dhe më i varuri nga rrethana që nuk kanë të bëjnë me votën. “Është një figurë që nuk flet dot për të ardhmen, sepse nuk ka projekt. Nuk përfaqëson dot qendrën e djathtë, sepse nuk beson në strukturë, por në spontanitet.” Më shumë se një lider politik, ai është shndërruar në një administrator të frikësuar, që qeveris me heshtje. Dhe ajo që është më shqetësuese, është perceptimi i përgjithshëm që Kasami kontrollohet nga një organizatë joqeveritare që nuk ka legjitimitet për përfaqësim politik. Drejtimin e mendimit të tij politik, prej vitesh, e mban një strukturë e quajtur “Eco Guerilla”, e udhëhequr nga Adnan Jashari, që më shumë i ngjan një rrjeti aktivistësh sesa një truri politik me përvojë shtetërore.

Një nga citimet më domethënëse në këtë drejtim, në një nga grupet e fokusit, ishte: “Kasami nuk e ka më të qartë raportin me Lëvizjen Vetëvendosje as me VMRO-në. Kjo tregon se ai s’është ende lider, por instrument.”

Të gjitha sinjalet tregojnë se një pjesë e opinionit publik shqiptar po i rikthehet besueshmërisë. Jo formave. Jo partive. Por atyre që flasin qartë. Dhe në këtë aspekt, askush nuk ka qenë më koherent dhe më i drejtpërdrejtë në raport me VMRO-në dhe Maqedoninë zyrtare sesa Menduh Thaçi. Ai nuk ka pasur as votat, as pushtetin e të tjerëve. Por ka pasur diskursin. Dhe sot, kur VLEN është e heshtur në raport me qëndrimin e Mickoskit, kur nuk artikulohet qartë as për rrugën evropiane, as për çështjen e pakicave, as për vendin e shqiptarëve në shtetin e ri që po riartikuluhet, është Menduh Thaçi që mbetet i vetmi me fjalë të qarta.

Sepse ai nuk e ndan identitetin nga përfaqësimi. Dhe kur Mickoski sulmon qëndrimet pro-BE, e relativizon përfshirjen e shqiptarëve në shtet, e rrënon balancën institucionale, VLEN nuk flet. Dhe kjo heshtje do të ketë një çmim politik.

VLEN mund të mbijetojë si koalicion. Por në këtë formë, nuk mund të qeverisë as diskursin, as mendjet. Ajo që duhet tani është një projekt i qendrës së djathtë shqiptare, që e pozicionon qartë veten ndaj VMRO-së, që ndërton besim institucional dhe nuk e sheh përfaqësimin si koncesion. Një projekt që flet për meritokraci, për reforma në arsim, për identitet kulturor të vetëdijshëm. Një projekt që nuk ka frikë të flasë për Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e botës shqiptare, por as për integrimin në BE si rrugë e përbashkët me maqedonasit.

Nëse diçka e ka kuptuar ky sondazh është se qytetarët shqiptarë nuk kanë më durim për të eksperimentuar me boshllëqe. Ata kërkojnë qartësi, ide dhe përfaqësim të besueshëm. Dhe nëse VLEN nuk transformohet në këtë drejtim, atëherë zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë më për të ndëshkuar të kaluarën. Do të jenë për të zgjedhur të ardhmen.

The post VLEN ose zbrazëtia e një bashkimi pa projekt first appeared on JavaNews.al.

❌