Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Protesta në ditën e 49-të dhe integrimi me tre kapituj të mbyllur

Nga Fatos Çoçoli

Në ditën e saj të 49-të, protesta paqësore ose parlamenti qytetar vijon të mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme të jetës politike në Shqipëri. Në sfond, kërkesat për llogaridhënie dhe transparencë janë arritjet e saj. Në thelb, kërkesa kryesore e protestës për dorëheqjen e qeverisë që, megjithë mangësitë, fajet dhe gabimet e veta, po na afron me Bashkimin Evropian, duket se nuk është dëgjuar nga Brukseli.

Kontrasti protestë e zgjatur-integrim me përparim konkret

Po pse? Sepse në të njëjtën kohë me protestën dhe mundimin sifizian të saj në vapë, që të rrëzojë qeverinë dhe drejtuesin e saj, Brukseli i beson Shqipërisë dhe qeverisë që drejton vendin, duke i mbyllur zyrtarisht më 14 korrik 2026, gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, tre kapituj e parë negociues me BE-në: Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitulli 30 (Marrëdhëniet me Jashtë).

Këto dy zhvillime të kundërta sjellin disa pyetje të natyrshme: nëse vërtet qeveria e tanishme është e padenjë të qeverisë shqiptarët, sipas protestuesve, pse Bashkimi Evropian i beson kësaj qeverie? Nëse BE-së do i kishin lindur pikëpyetje nga protesta 49-ditore, a nuk i kishte hapësirat Brukseli t’i vononte mbylljen e tre kapitujve të parë bisedues Shqipërisë? A nuk ia ka vonuar BE integrimin vendit tonë në dekadat e fundit me dhjetëra herë, se nuk besontë më përpara në aftësitë e qeverisjes tek ne?

Ne kemi një proces institucional që po shënon përparim konkret në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe i bën mirë ekonomisë sonë. Nga ana tjetër, kemi një protestë e zgjatur që sinjalizon fort se një pjesë e shoqërisë shqiptare kërkon ndryshime dhe shpreh pakënaqësi për çështje të qeverisjes. Që me stuhinë e lajmeve perëndimore të katër javëve të para për protestën, na ka tkurrur pak numrin e pasagjerëve të trajtuar në qershor 2026 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, në krahasim me qershorin 2025. Ky tregues është i rëndësishëm për ne, pasi nga ai varen të ardhurat e dhjetra mijëra familjeve që japin dhomat apo apartamentet me AirBnB.

Protesta si pjesë e jetës demokratike

Në çdo vend kandidat për në Bashkimin Evropian, e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore. Vetë Bashkimi Evropian i kushton rëndësi lirisë së shprehjes, pluralizmit dhe dialogut demokratik.

Përparimi konkret me integrimin dhe protesta e zgjatur paqësore nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëra-tjetrën. Në të kundërt, fakti që dhjetra mijëra demonstrues janë lënë të lirë për 48 ditë rrjesht të bllokojnë për orë të tëra gjysmën e qendrës së një kryeqyteti me 860 mijë banorë, pa asnjë incident me forcat e rendit, flet në të mirë të Shqipërisë për integrimin.

Ndërsa, nga ana tjetër, progresi konkret në integrim dëshmon se Bashkimi Evropian beson se kërkesa për zëvendësimin e qeverisë që sot kemi mbi kokë nuk qëndron Në një demokraci funksionale, përparimi në integrimin evropian dhe e drejta për protestë paqësore të zgjatur nuk ka pse të mos bashkëjetojnë.

Mbyllja e Kapitujve 25, 26 dhe 30 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dërgon disa mesazhe të rëndësishme. Së pari, Bashkimi Evropian njeh progresin e Shqipërisë në fusha specifike dhe i beson qeverisjes që ka sjellë këto përparime. Së dyti, procesi i negociatave me BE-në vazhdon dhe mbetet i kushtëzuar nga zbatimi i reformave, të cilat vijojnë dhe nuk janë krushq të ngrirë, pse mijëra të rinj protestojnë në bulevardin kryesor të Shqipërisë.

Nëse protesta do të vijojë të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe brenda kuadrit ligjor, ajo nuk bie asnjëherë ndesh me aspiratën evropiane të vendit. Përkundrazi, respektimi i të drejtës për protestë paqësore, e garantuar deri tani për 48 ditë rrjesht nga kjo qeverisje që sot kemi, është pjesë e standardeve demokratike që promovon vetë Bashkimi Evropian.

Shqipëria nuk ka pse të zgjedhë midis integrimit evropian dhe debatit demokratik. Përkundrazi, një vend serioz që synon anëtarësimin në BE duhet të jetë në gjendje të avancojë në negociata, duke garantuar njëkohësisht liritë themelore dhe dialogun politik. Dhe duket qartë se vendi ynë këtë sot po e bën, me qeverisjen që ka.

Fituam gjë me mbylljen e tre kapitujve të parë të integrimit?

Nga Fatos Çoçoli

Më 14 korrik 2026, gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian në Bruksel, vendi ynë shënoi një moment të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Mbylli zyrtarisht tre kapitujt e parë të negociatave: Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitullin 30 (Marrëdhëniet me Jashtë). Ky zhvillim përfaqëson një arritje në procesin negociues dhe një sinjal pozitiv për ritmin e reformave dhe përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është i gjatë dhe kërkon përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga legjislacioni dhe politikat e BE-së. Mbyllja e një kapitulli do të thotë se, në vlerësimin e përbashkët të palëve në atë fazë të negociatave, Shqipëria ka përmbushur kushtet e nevojshme për atë fushë, ndërsa zbatimi i angazhimeve vazhdon të monitorohet deri në anëtarësim.

Pse ka rëndësi mbyllja e tre kapitujve të parë?

Ky është një moment me peshë për disa arsye.

Së pari, ai demonstron se procesi i negociatave po prodhon rezultate konkrete. Pas viteve të reformave dhe të përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane, Shqipëria po kalon nga faza e hapjes së kapitujve në fazën e mbylljes së tyre.

Së dyti, ky zhvillim rrit besueshmërinë e vendit përballë institucioneve evropiane, investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke treguar se reformat po ecin përpara.

Së treti, mbyllja e kapitujve krijon një precedent pozitiv për avancimin e negociatave edhe në fusha të tjera më komplekse.

Çfarë përfaqëson seicili kapitull i mbyllur?

Mbyllja e Kapitullit Nr. 25 – Shkenca dhe Kërkimi. Ky kapitull lidhet me pjesëmarrjen në programet evropiane të kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik.

Mbyllja e tij krijon mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve shqiptare dhe institucioneve evropiane, për pjesëmarrje më të gjerë në programet kërkimore të Bashkimit Evropian, për nxitjen e inovacionit dhe transferimit të teknologjisë, si dhe për rritjen e kapaciteteve kërkimore në universitetet dhe institutet shqiptare.

Në një ekonomi gjithnjë e më të bazuar te dija, investimi në kërkim shkencor është një faktor kyç për konkurrueshmërinë.

Mbyllja e Kapitullit  Nr. 26 – Arsimi dhe Kultura. Arsimi dhe kultura janë ndër shtyllat kryesore të identitetit dhe zhvillimit evropian.

Përfitimet e këtij kapitulli përfshijnë zgjerimin e programeve të lëvizshmërisë akademike, bashkëpunim më të madh ndërmjet universiteteve shqiptare dhe atyre të BE-së, promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Evropë, zhvillimin e arsimit profesional sipas standardeve evropiane dhe më shumë mundësi për të rinjtë tanë në programet arsimore dhe kulturore të BE-së.

Një sistem arsimor më cilësor ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Mbyllja e Kapitullit 30 – Marrëdhëniet me Jashtë. Ky kapitull lidhet me harmonizimin e politikës tregtare dhe marrëdhënieve ekonomike të jashtme me politikat e Bashkimit Evropian.

Mbyllja e tij tregon se Shqipëria ka avancuar në përafrimin e politikave të saj me kuadrin evropian në këtë fushë. Kjo forcon besueshmërinë e vendit si partner ndërkombëtar dhe krijon një mjedis më të parashikueshëm për operatorët ekonomikë.

Ndikimi i tre kapitujve të mbyllur në ekonomi

Përtej dimensionit politik, mbyllja e këtyre kapitujve ka edhe rëndësi ekonomike. Investitorët e huaj e ndjekin nga afër ecurinë e negociatave me Bashkimin Evropian. Çdo hap përpara në procesin e integrimit përmirëson perceptimin për stabilitetin institucional dhe ul perceptimin e rrezikut.

Kjo mund të ndikojë pozitivisht në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte tek ne, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e BE-së, në akses më të madh në programe dhe fonde evropiane, në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik.

Një mesazh zemërdhënës për të rinjtë tanë

Dy nga tre kapitujt e mbyllur lidhen drejtpërdrejt me arsimin, shkencën dhe kulturën.

Kjo është një mundësi për brezin e ri shqiptar, që të përfitojë më shumë nga programet evropiane të studimit, nga projektet kërkimore ndërkombëtare, nga shkëmbimet akademike, nga financimet për inovacion dhe nga bashkëpunimet ndëruniversitare.

Në afatgjatë, kjo mund të kontribuojë në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në rritjen e aftësive profesionale tek ne.

Mbyllja e tre kapitujve dërgon një mesazh pozitiv edhe për partnerët ekonomikë të Shqipërisë. Ajo tregon se vendi po ecën drejt standardeve evropiane, po forcon institucionet dhe po përmirëson kuadrin ligjor. Këta janë elementë që ndikojnë në vendimet e investitorëve afatgjatë dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet sfiduese, por mbyllja e tre kapitujve të parë tregon se çdo hap i suksesshëm e afron Shqipërinë më pranë objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në familjen evropiane.

Na ndihmon suksesi i koncertit në Kashar?

Nga Fatos Çoçoli

Darkën dhe natën e 11 korrikut, koncerti i reperit me famë botërore Kanye West në Kashar, Tiranë pati sukses. Stadiumi provizor i ngritur posaçërisht për këtë koncert, me kapacitet 60 mijë vende, priti të paktën 40-45 mijë spektatorë.

Koncerti vlerësohet si një sukses organizativ dhe me pjesëmarrje të lartë. Ai përfaqëson shumë më tepër sesa një aktivitet muzikor. Shënonë një moment të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për t’u pozicionuar, si një destinacion i turizmit të eventeve në Evropën Juglindore.

Në dekadën e fundit, konkurrenca ndërkombëtare në turizëm nuk zhvillohet vetëm përmes plazheve, maleve apo trashëgimisë kulturore. Gjithnjë e më shumë, qytetet dhe vendet konkurrojnë, duke organizuar koncerte të artistëve me famë botërore, festivale, aktivitete sportive dhe ngjarje kulturore, që tërheqin vizitorë nga shumë vende.

Një artist me famë globale si Kanye West ka një ndikim mediatik që shkon shumë përtej koncertit. Aktiviteti u pasqyrua nga media ndërkombëtare, rrjetet sociale dhe platformat digjitale kudo në botë. Shqipëria përfitoi kështu një promovim, që në kushte normale do të kërkonte investime shumë më të mëdha në marketing turistik.
Miliona ndjekës të artistit, influencierë, gazetarë dhe turistë krijojnë një efekt zinxhir në promovimin e vendit. Në marketingun modern të turizmit, një koncert i suksesshëm mund të ketë ndikim më të madh, sesa një fushatë tradicionale reklamuese me fopnde dhjetëra milionë euro.

Shqipëria hyri në hartën e koncerteve të mëdha
Organizimi me sukses i një koncerti të një artisti ndërkombëtar krijon besim tek promotorët e industrisë muzikore. Ata vlerësuan sigurinë, infrastrukturën, kapacitetet hoteliere, transportin dhe aftësinë organizative në Shqipëri. Vendi ynë ka gjasa të konsiderohet më shpesh për ture ndërkombëtare të artistëve të njohur. Ky është mekanizmi, përmes të cilit janë zhvilluar destinacione si Kroacia, Hungaria, Serbia apo Emiratet e Bashkuara Arabe.

Branding-u, tipologjia e veçantë e një shteti nuk ndërtohet vetëm me slogane turistike. Ai ndërtohet përmes eksperiencave reale. Kur mijëra vizitorë largohen me përshtypje pozitive për organizimin, mikpritjen dhe sigurinë, ata bëhen ambasadorët më të mirë të vendit tonë. Rekomandimet në rrjetet sociale kanë sot një ndikim shumë më të madh sesa reklamat tradicionale, edhe nëse këto në rrjete ndërkombëtare televizive kanë vlerën miliona euro.

Ky koncert ndërkombëtar krijoi fluks të madh shtesë udhëtarësh. Kjo solli më shumë pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, më shumë fluturime, më shumë të ardhura për kompanitë ajrore dhe rritje të kërkesës për automjete me qira. Efekti ekonomik shpërndahet në të gjithë zinxhirin e industrisë turistike.

Përfitimet për Tiranën

Kryeqyteti përfitoi në disa drejtime, si në rritje të konsumit, në promovim ndërkombëtar, në zhvillim të ekonomisë së natës, në shtim të investimeve në shërbime dhe në përmirësim të imazhit si qytet që organizon aktivitete të mëdha. Kjo do të nxisë organizimin e më shumë koncerteve, festivaleve dhe konferencave ndërkombëtare në Tiranë.

Megjithatë, suksesi i një koncerti nuk garanton automatikisht zhvillimin e turizmit të eventeve tek ne. Kërkohen investime të vazhdueshme në infrastrukturë moderne për aktivitete masive, në transport publik efikas, në menaxhim të trafikut, në standarde sigurie dhe në shërbime të cilësisë së lartë për vizitorët.

Një mundësi për strategji afatgjatë

Duke qenë se koncerti i 11 korrikut 2026 në Kashar rezultoi një sukses, ai mund të shërbejë si pikënisje për ndërtimin e një kalendari të qëndrueshëm të eventeve ndërkombëtare tek ne. Një strategji e tillë do të mund të përfshinte bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, bashkive, operatorëve turistikë dhe sektorit privat për të tërhequr artistë, festivale dhe konferenca gjatë gjithë vitit, duke ulur varësinë e turizmit vetëm nga sezoni veror.

Suksesi i koncertit të Kanye West në Kashar nuk duhet parë vetëm si një arritje artistike apo organizative. Ai mund të jetë një provë që Shqipëria e ka potencialin të konkurrojë në tregun ndërkombëtar të turizmit të eventeve, një segment me ndikim të lartë ekonomik dhe promovues.

Megjithatë, përfitimet afatgjata varen nga aftësia për ta kthyer një ngjarje të vetme në një model të qëndrueshëm zhvillimi. Vetëm nëse evente të këtij niveli përsëriten, shoqërohen me standarde të larta organizimi dhe integrohen në strategjinë kombëtare të turizmit, vetëm atëhere Shqipëria mund të konsolidojë imazhin e saj, si një destinacion që nuk ofron vetëm natyrë, histori, bregdet, diell dhe rërë, por edhe përvoja kulturore e artistike me jehonë ndërkombëtare.

A fitojmë nga koncerti i Kanye West?

Nga Fatos Çoçoli

Koncertet e artistëve me famë botërore nuk janë vetëm ngjarje kulturore. Në dekadën e fundit, ato janë shndërruar në instrumente të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, promovimit ndërkombëtar dhe turizmit të eventeve. Vende si Singapori, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Hungaria apo Kroacia kanë investuar miliona euro për të tërhequr artistë të njohur, duke argumentuar se ndikimi ekonomik i përgjithshëm tejkalon ndjeshëm koston fillestare.

Në vitet e fundit, qytete si Londra, Parisi, Budapesti, Dubai, Singapori dhe Rijadi kanë investuar në organizimin e koncerteve të artistëve me famë botërore, duke i konsideruar ato jo vetëm si ngjarje kulturore, por edhe si mjete për të rritur konsumin, turizmin dhe promovimin ndërkombëtar.

Nëse koncerti i këngëtarit reper të njohur amerikan Kanye West në Kashar nesër, më 11 korrik 2026 zhvillohet sipas pritshmërive dhe tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh nga rajoni dhe më gjerë, ai mund të shënojë hyrjen e Shqipërisë në tregun e turizmit të eventeve, një segment që në shumë vende gjeneron të ardhura të rëndësishme për ekonominë.

Sa vetë do marrin pjesë nesër në koncert?

Vizitorë nga jashtë Shqipërisë            12 000

Vizitorë nga Kosova                            15 000

Vizitorë nga Maqedonia e Veriut          6 000

Vizitorë nga Mali i Zi                             2 000

Publik nga Shqipëria                            17 000

Totali(parashikim)                                 52 000

 

Çfarë është turizmi i eventeve?

Turizmi i eventeve përfshin udhëtimet që bëhen kryesisht për të marrë pjesë në koncerte ndërkombëtare, festivale, aktivitete sportive, panaire, kongrese dhe ekspozita. Në shumë vende evropiane, ky segment i turizmit konsiderohet ndër më fitimprurësit për ekonominë lokale.

Sprova e parë e turizmit të eventeve për ne ishte 25 maji i vitit 2022, kur u organizua në stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës finalja e Ligës së Konferencës mes ekipeve Roma dhe Fejënord dhe kryeqyteti ynë pa ardhjen e mbi 19 mijë tifozëve italianë dhe hollandezë. Ekonomia jonë përfitoi mes 18-20 milionë euro nga kjo ngjaje, në shpenzime udhëtimi, transporti brenda vendit dhe qëndrimi.

 

Sa fitojmë nga Kanye West?

Shqipëria përfiton në disa drejtime.

Së pari, shtimi i turizmit. Një koncert me përmasa ndërkombëtare tërheq mijëra vizitorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane.

Vizitorët që qëndrojnë një ose më shumë net në Shqipëri konsumojnë shërbime hoteliere, restorante, transport, argëtim dhe tregti, duke krijuar të ardhura shtesë për ekonominë tonë.

Së dyti, një pjesëmarrje e lartë pritet të rrisë kërkesën për akomodim në Tiranë dhe zonat përreth. Përfituesit kryesorë janë hotelet, apartamentet turistike, bujtinat dhe platformat e akomodimit afatshkurtër (AirBnB, etj.). Një rritje e zënies së kapaciteteve edhe për pak ditë mund të ndikojë pozitivisht në të ardhurat e sektorit.

Së treti, mijëra vizitorë konsumojnë ushqim dhe pije para dhe pas koncertit. Kjo krijon qarkullim shtesë për restorantet, fast-food-et, baret, kafenetë dhe bizneset e kateringut.

Shpenzimet mesatare të vizitorëve të huaj

Hotel                  100 euro

Restorante          70 euro

Transport             80 euro

Blerje                   90 euro

Argëtim               60 euro

Totali                   400 euro

Së katërti, kemi përfitime për transportin. Evente të tilla rrisin aktivitetin ekonomik të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, kompanive të autobusëve, shërbimeve të taksive, makinave me qira dhe operatorëve të transportit urban.

Së pesti, do të kemi shtim të shitjeve në tregti. Vizitorët zakonisht blejnë suvenire, produkte artizanale, veshje, produkte ushqimore dhe pajisje elektronike. Kjo sjell qarkullim më të lartë për bizneset tona tregtare.

Së gjashti, fitojmë në punësim të përkohshëm. Organizimi i një koncerti të këtyre përmasave kërkon angazhimin e qindra punonjësve në siguri private, logjistikë, montim dhe çmontim të skenës, ndriçim, audio dhe video, pastrim, shërbime teknike dhe katering. Këto vende pune, edhe pse të përkohshme, gjenerojnë të ardhura shtesë për shumë qytetarë.

Përfitimet për sektorët ekonomikë

Sektori                           Vlerësim orientues

Hotele                              6.5 milionë €

Restorante                       4 milionë €

Transport                          2.8 milionë €

Tregti                                 3.2 milionë €

Taksi                                  900 000 €

Karburante                        700 000 €

Shërbime të tjera               2.5 milionë €

Totali                                  20.6 milionë €

Përfitimi kryesor padyshim është promovimi ndërkombëtar i Shqipërisë. Një koncert i një artisti me famë botërore tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe të rrjeteve sociale në mbarë botën.

Nëse Shqipëria paraqitet pozitivisht gjatë organizimit të eventit, kjo ndikon në rritjen e njohjes së vendit si destinacion turistik, në tërheqjen e turistëve të rinj dhe shton interesin e organizatorëve për evente të tjera ndërkombëtare. “Sheh rrushi rrushin dhe piqet”, thotë populli ynë. Ky është një përfitim afatgjatë, i cili nuk matet lehtë në shifra, por mund të ketë ndikim të rëndësishëm në imazhin e vendit.

Nëse koncerti organizohet me standarde të larta, Shqipëria krijon reputacion, si destinacion për festivale muzikore, koncerte ndërkombëtare, aktivitete sportive, panaire, kongrese dhe konferenca. Kjo do të kontribuonte në zgjerimin e sezonit turistik, përtej muajve tradicionalë të verës.

Protesta, pelikanët e harruar, vezët mbi deputetë dhe një arkivol

Nga Fatos Çoçoli

Një protestë mund të jetë e gjatë, e zhurmshme dhe e vendosur. Por kjo nuk mjafton që ajo të jetë edhe më bindëse për qindra mijëra qytetarët e Tiranës, që ende nuk i janë bashkuar. Pas 38 ditësh protesta të përditshme në Tiranë, pyetja që shtrohet nuk është vetëm nëse ajo ka arritur të ushtrojë presion politik, por edhe nëse ka ruajtur frymën me të cilën nisi.

Shumë qytetarë që e ndoqën protestën me kërshëri dhe simpati në ditët e para të saj (praktikisht në javën e parë), panë një lëvizje që kërkonte të artikulonte pakënaqësi politike dhe sociale. Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë, kërkesat ishin të qarta dhe vëmendja ishte e përqendruar te kauza. Tani, pas gati një muaji e dhjetë ditësh, qytetarët që flasin në bulevard duket sikur më shumë bëjnë një biznes politik. Mungojnë vetëm molotovët e protestave të opozitës sonë parlamentare.

Çdo protestë lind me një kauzë. Ajo fiton mbështetje kur qytetarët e kuptojnë qartë se përse njerëzit kanë dalë në rrugë. Por një protestë mund të humbasë gradualisht përqëndrimin dhe vlerën e saj, kur kauza zëvendësohet nga spektakli dhe simbolika fillon të dominojë mbi argumentin.

Në javën e parë, në qendër të vëmendjes ishin çështje konkrete, përfshirë debatet mbi mbrojtjen e mjedisit dhe projektet e zhvillimit, me rrezikun e largimit nga habitati i tyre i shpendëve shtegtarë në Lagunën e Nartës, pelikanëve dhe flamingove. Prandaj dhe u quajt revolucioni i flamingove. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme mbi këtë çështje, mesazhi kryesor kishte një identitet të dallueshëm.

Pastaj, për fat të keq, qendra e gravitetit e protestës nisi të zhvendosej. Në vend të argumentit, gjithnjë e më shumë hapësirë zunë provokimi, simbolika e fortë dhe veprimet që prodhojnë tituj mediatikë.

Fillimisht erdhi dhunimi i mjediseve të Universitetit publik Politeknik të Tiranës, për të vendosur një pankartë të protestës, me një protestues me flakadan të zi në shkallët e jashtme të Universitetit, që bëri xhiron e botës si lajm.

Pastaj erdhën vezët e hedhura në drejtim të deputetëve dhe automjeteve të deputetëve pranë Kuvendit. Për shumë qytetarë ky veprim u perceptua si një formë e panevojshme përshkallëzimi, që e largonte misionin e protestës debatin nga argumentet politike.

Më pas erdhi arkivoli i shëtitur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit, në protestën kombëtare të 4 korrikut 2026. Shumë qytetarë e panë si një simbolikë të tepërt, e cila prodhoi pasiguri dhe solli një ngjashmëri të padëshërueshme me një moment të erret të historisë sonë politike, ngjarjet e dhunshme të 14 shtatorit 1998. Për fat të keq, sikurse dhe dihej se do të ndodhte, vëmendja e opinionit publik nuk u përqendrua më tek kërkesat e protestës, por te vetë arkivoli si simbol.

Kur media dhe rrjetet sociale fillojnë të flasin më shumë për vezët, arkivolin apo gjestet provokuese sesa për arsyet që sollën njerëzit në bulevard, atëherë protesta rrezikon të humbasë betejën për narrativën publike.

Historia e protestave në botë tregon se sa më gjatë zgjasin ato, aq më i madh bëhet rreziku i ndryshimit të vëmendjes. Me kalimin e kohës, në to bashkohen individë dhe grupe me ide, interesa dhe metoda të ndryshme veprimi. Nëse organizatorët nuk arrijnë ta ruajnë disiplinën e mesazhit, protesta fillon të identifikohet me episodet më të bujshme, dhe jo me kauzën e saj.

Në fund, qytetarët nuk kujtojnë gjithmonë kërkesat. Shpesh kujtojnë simbolin.

Një protestë që nisi për të ngritur një debat publik mbi çështje politike dhe shoqërore rrezikon të mbahet mend për vezët e hedhura dhe për një arkivol në mes të bulevardit. Kjo nuk do të thotë se kërkesat e saj janë zbehur, por se ato janë lënë në hije, për shkak të formës së protestës.

Demokracia ka nevojë për protesta të forta, këmbëngulëse dhe të guximshme. Por po aq shumë ka edhe nevojë që këto protesta të jenë të afta të ruajnë koherencën e tyre. Simbolet mund të kenë vendin e tyre në jetën politike, por ato nuk duhet të zëvendësojnë argumentin.

Një protestë nuk matet vetëm me numrin e ditëve që zgjat. Ajo matet me aftësinë për të bindur ata që e mendojnë ndryshe, por që sërisht kanë mbledhur shumë pakënaqësi në këta 36 vite tranzicion.

Nëse pas gati një muaj e dhjetë ditë të fillimit të protestës, qytetarët flasin më shumë për flamingon e harruar, për vezët mbi deputetë dhe për një arkivol në Bulevard, sesa për programin, alternativat dhe zgjidhjet që ofron protesta, atëherë është koha për një reflektim të sinqertë.

Jo sepse protesta ka humbur të drejtën e saj për të ekzistuar, por sepse çdo lëvizje qytetare rrezikon të humbasë ndikimin, kur forma fillon të mbizotërojë mbi përmbajtjen e saj.

Kauzat që lënë gjurmë në histori janë ato që mbahen mend për idetë që përfaqësuan, jo vetëm për simbolet që përdorën. Ky është testi me të cilin përballet çdo protestë që synon të ndryshojë realitetin politik dhe shoqëror të vendit.

Qëndrestarët e protestës dhe anti-kultura e urrejtjes

Nga Fatos Çoçoli 

Protestat paqësore të përditshme në Tiranë kanë hyrë sot në ditën e tyre të 36-të. Ato janë bërë pjesë e jetës politike të vendit dhe dëshmojnë se një pjesë e qytetarëve kërkon të shprehë me forcë  pakënaqësinë dhe zhgënjimin ndaj qeverisjes së 35 viteve të fundit.Në një demokraci, protesta paqësore është një e drejtë themelore dhe një instrument legjitim për të kërkuar ndryshim. Por po aq e rëndësishme sa e drejta për të protestuar, është edhe mënyra se si ushtrohet kjo e drejtë.Një nga dukuritë më shqetësuese që mund të shfaqet në çdo lëvizje politike apo shoqërore, është anti-kultura e përjashtimit. E dhunimit verbal dhe gati e të shikuarit me urrejtje, të atij që nuk e mendon si ty.

Kjo anti-kulturë paraqitet me logjikën e thjeshtëzuar: “Nëse nuk je me ne, je kundër nesh!”. Në format e saj më të ashpra, kjo shoqërohet me etiketime si “tradhtar”, “i shitur tek qeveria ose tek opozita”, apo “armik”. Një retorikë e tillë nuk ndërton, as siguron mbështetje. Ajo prodhon ndarje.

Demokracia nuk funksionon mbi detyrimin për t’u rreshtuar. Ajo mbështetet te liria e zgjedhjes. Një qytetar ka të drejtë të protestojë çdo ditë. Një qytetar tjetër ka të drejtë të mos marrë pjesë, se është në mëdyshje a ia vlen t’i bashkohet protestës.

Një i tretë mund të mbështesë disa kërkesa të protestës dhe të mos pajtohet me të tjera. Të gjitha këto qëndrime janë pjesë e pluralizmit demokratik. Të dy qytetarët e tjerë duhet medoemos të konsiderohen “kundër nesh”, “tradhtarë”, apo “të shitur”

Kur dikush shpallet automatikisht “tradhtar” vetëm sepse nuk bashkohet me një protestë, debati publik humbet një nga vlerat e tij më të rëndësishme: respektin për mendimin ndryshe. Etiketimi nuk zëvendëson argumentin. Presioni moral nuk e zëvendëson bindjen. Fyerja nuk e zëvendëson dialogun.

Historia politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera, tregon se lëvizjet që ndërtojnë identitetin e tyre mbi përjashtimin e atyre që mendojnë ndryshe e kanë të vështirë të shndërrohen në forca bashkuese. Një protestë fiton besueshmëri kur arrin të bindë qytetarët me ide dhe programe, jo kur u kërkon atyre të zgjedhin mes besnikërisë absolute dhe damkës së “armikut”.

Protestuesit kanë 36 ditë, më të sotmen, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët e Tiranës, pas protestës në bulevard. Përse vijojnë të jenë nga 4 mijë në tetë mijë vetë në bulevard pas 36 ditëve (përjashto ditëve të protestave kombëtare, kur bëhen edhe 20 mijë)?  Tirana ka 860 mijë banorë. Ka 320 mijë punonjës në sektorin privat.

Nuk mendoj se shumë nga qytetarët që deri sot nuk i janë bashkuar protestës, e kanë bërë nga frika. Vetëm frikë që nuk mund të ketë, të marrës pjesë në këtë protestë. Pas 35 ditëve të protestave paqësore në Tiranë, nuk ka ndodhur asnjë incident i rëndë dhe kjo është një aset dhe një bekim për vendin tonë. Policia ka ditur të vetëpërmbahet dhe kjo nuk mohohet dot.

Nëse në protestë ekzistojnë zëra që përdorin gjuhë stigmatizuese ndaj qytetarëve që nuk u bashkohen, organizatorët kanë interes dhe duhet ta distancojnë lëvizjen nga kjo retorikë. Një protestë që dëshiron të zgjerojë mbështetjen publike, duhet të krijojë hapësirë edhe për ata që hezitojnë, që kanë dyshime ose që ndajnë vetëm një pjesë të kërkesave të saj.

Për fat të keq, tek qëndrestarët e protestës, gjuha është ashpërsuar. Shqipëria ka nevojë për një kulturë politike, ku  ai që e mendon ndryshe, si nga qeveria, ashtu edhe nga protestuesit, të mos trajtohet si “nuk je i yni”, apo, edhe më keq, si tradhtar dhe armik. Ky qëndrim është një provë pjekurie demokratike, jo vetëm për protestuesit, por për të gjithë aktorët e jetës sonë publike.

Në fund të fundit, protesta është më e fortë kur mbështetet te liria, jo tek detyrimi moral. Tek argumenti dhe debati, jo tek anatema. Tek respekti për mendimin ndryshe, jo tek frika e etiketimit dhe denigrimit.

Demokracia nuk matet me numrin e njerëzve që thërrasin të njëjtin slogan, por me aftësinë për të pranuar se edhe ata që nuk e thërrasin sloganin, kanë të njëjtat të drejta qytetare.

Një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtohet mbi ndarjen e qytetarëve në “patriotë” dhe “tradhtarë”, sipas pjesëmarrjes në një protestë. Ajo ndërtohet mbi pranimin se pluralizmi është pasuri dhe se askush nuk e ka monopolin e së vërtetës apo të interesit publik. Pikërisht ky është dallimi midis një kulture demokratike dhe një anti-kulture të urrejtjes dhe përjashtimit.

Revolucioni: nga pelikanët tek vezët mbi makina?

Nga Fatos Çoçoli

Në ditën e 34-t të protestës, një pamje bëri xhiron e rrjeteve sociale dhe të mediave: vezë të hedhura mbi automjetet e deputetëve pranë Kuvendit të Shqipërisë. Për disa ishte një akt simbolik revolte. Për të tjerë, një shenjë se protesta po hyn në një fazë ku spektakli po zë vendin e argumentit. vëmendja publike rrezikon të largohet nga kërkesat politike dhe qytetare, për t’u përqendruar tek format e përplasjes simbolike.

Po e humb protesta kapitalin e saj moral?

Hedhja e vezëve ndaj makinave të deputetëve mund të ketë vlerë si simbol proteste për disa pjesëmarrës. Megjithatë, pyetja kryesore është nëse ky simbol e afron apo e largon protestën nga objektivat e saj. Historia e demokracive të konsoliduara tregon se forca e një proteste nuk matet nga intensiteti i përplasjes, por nga aftësia për të bindur opinionin publik dhe për të ndërtuar besueshmëri.

Çdo protestë ka nevojë për një kapital moral. Pikërisht ky kapital i jep legjitimitet në sytë e qytetarëve dhe e bën më të fortë përballë institucioneve. Kur vëmendja zhvendoset nga kërkesat te incidentet, ekziston rreziku që opinioni publik të mos diskutojë më për arsyet e protestës, por vetëm për mënyrën se si ajo zhvillohet

Nuk është hera e parë që në vende të ndryshme përdoren vezët si formë simbolike proteste. Në shumë vende demokratike, hedhja e vezëve është përdorur historikisht si një formë simbolike proteste, me synimin për të shprehur mosaprovim pa përdorur dhunë të rëndë. Megjithatë, fakti që një veprim është simbolik, nuk do të thotë se ai është domosdoshmërisht i dobishëm për arritjen e objektivave politike.

Përvoja ndërkombëtare tregon se aktet simbolike kanë efekt, vetëm kur shoqërohen me një mesazh të qartë politik dhe me një strategji që synon të fitojë mbështetje më të gjerë qytetare. Përndryshe, ato mbeten episode mediatike që harrohen shpejt.

Shqipëria ka nevojë për një kulturë politike, ku kundërshtari politik sfidohet me argumente, me transparencë dhe me alternativa, jo vetëm me gjeste që prodhojnë tituj lajmesh. Protestuesit duhet të jenë të vetëdijshëm se mënyra e protestës ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e kauzës së tyre.

Demokracia nuk ndërtohet mbi poshtërimin e kundërshtarit politik

Demokracia nuk ndërtohet mbi poshtërimin e kundërshtarit politik, por mbi aftësinë për ta detyruar atë të japë llogari, nëse është në qeverisje, përmes presionit qytetar të protestave paqësore, debatit publik dhe mekanizmave institucionalë. Çdo veprim që zhvendos fokusin nga problemet reale, drejt përplasjeve simbolike, rrezikon ta dobësojë vetë protestën.

Në fund të fundit, asnjë vezë nuk ul çmimet, nuk lufton korrupsionin, nuk përmirëson arsimin, nuk forcon drejtësinë dhe nuk rrit mirëqenien e qytetarëve. Këto objektiva kërkojnë ide, organizim, pjesëmarrje qytetare dhe përgjegjësi politike.

Protesta mund të jetë një motor ndryshimi vetëm kur arrin të fitojë zemrat dhe mendjet e shumicës së qytetarëve. Sa përfaqësues të fermerëve, të pensionistëve, të punëtorëve në ndërtim apo në turizëm, kemi parë në 33 ditet e protestës? Ky është testi i vërtetë i suksesit të saj. Të zgjerojë bazën prej disa mijëra të rinjsh aktivistë, të dëshiruar dhe motivuar për ndryshim.

Gjithçka tjetër, përfshirë edhe “guerriljen e vezëve”, mbetet një episod që tërheq vëmendjen për një ditë, por nuk garanton se po afrojnë zgjidhjet, që Shqipëria pret prej vitesh.

Në çdo shtet demokratik, protesta është një instrument i rëndësishëm i pjesëmarrjes qytetare, edhe kur zhvillohet pranë Parlamentit. Sfida kryesore mbetet që energjia e protestës të përkthehet në debat publik, alternativa politike dhe dialog institucional, duke shmangur veprime që mund të errësojnë kauzën ose të nxisin përshkallëzim të panevojshëm.

Pelikanët pushtojnë një universitet?

Historia tregon se shumë lëvizje rinore kanë humbur mbështetje, jo për shkak të kauzës së tyre, por sepse kanë kaluar nga protesta simbolike, në veprime që një pjesë e opinionit publik i ka perceptuar si kalim të Rubikonit, si tejkalim të kufijve të pranueshëm shoqërorë

Nga Fatos Çoçoli

Dje, më 29 qershor 2026, ndodhi diçka e rëndë. Protestuesit rinorë paqësorë përdhosën një tempull publik të dijes, Universitetin Publik Politeknik të Tiranës. Po pse e kaluan “Rubikonin” protestuesit?

Çdo protestë demokratike e ndërton legjitimitetin e saj mbi një parim të thjeshtë: kërkon respektimin e ligjit, duke e respektuar vetë ligjin. Pikërisht për këtë arsye, episodi i 29 qershorit 2026, kur një grup protestuesish hyri në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vendosur një pankartë me mbishkrimin “Ju erdhi fundi”, është i rëndë.

Revolucioni i flamengove dhe universiteti

Në rast se protestuesit flasin për revolucion, duhet ta mbajnë atë paqësor. Hyrja në Universitetin publik Politeknik të Tiranës u krye pa autorizimin e autoriteteve të universitetit dhe jashtë rregullave të institucionit. Protesta kaloi një kufi të rëndësishëm. Revolucioni i pelikanëve (apo flamengove) sapo hyri me forcë në një universitet.

Gjëja e rëndë nuk është pse pankarta përmbante një mesazh politik. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit kanë një muaj që hedhin mesazhe politike. Veprimi është i rëndë, pasi u përdor një institucion publik, një universitet publik, si skenë e një aksioni protestues, pa pëlqimin e tij. Dhe sot u tentua të përdorej Kuvendi i Shqipërisë.

Protestuesi me flakadanin e zi në shkallët e Universitetit publik Politeknik të Tiranës, një video që bër xhiron në botë, i ka bërë më shumë dem ekonomisë së vendit të vet me atë flakadan, sa nuk i bënë 30 ditë protesta paqësore.

Universiteti nuk është një ndërtesë e zakonshme publike. Ai është simbol i dijes, autonomisë akademike dhe mendimit të lirë. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje në funksionimin ose përdorimin e hapësirave të tij është e rëndë.

Po i largon më shumë apo po i tërheq tani protesta qytetarët?

Një protestë fiton mbështetje kur bind qytetarët me argumente, qytetari dhe respekt për institucionet. Ajo e humbet një pjesë të këtij autoriteti moral, kur krijon përshtypjen se mund të vendosë rregullat e veta brenda institucioneve publike.

Historia tregon se shumë lëvizje qytetare kanë humbur mbështetje, jo për shkak të kauzës së tyre, por sepse kanë kaluar nga protesta simbolike, në veprime që një pjesë e opinionit publik i ka perceptuar si kalim të Rubikonit, si tejkalim të kufijve të pranueshëm shoqërorë.

Kalimi i lumit të ndaluar, Rubikonit, nuk është domosdoshmërisht një akt dhune. Ndonjëherë ai është momenti kur një lëvizje fillon të mendojë se qëllimi i saj e justifikon çdo mënyrë veprimi. Në demokraci, ky është një moment i rrezikshëm, sepse parimi i shtetit të së drejtës kërkon që edhe protesta më e drejtë, të respektojë kufijtë ligjorë dhe institucionalë.

Nëse universitetet shndërrohen në arena të veprimeve politike pa respektuar autonominë e tyre, nesër i njëjti standard mund të përdoret ndaj çdo institucioni tjetër publik. Kjo do të dobësonte vetë kulturën demokratike që protestuesit mund të synojnë të forcojnë.

Kjo nuk do të thotë se universitetet duhet të jenë të izoluara nga debati publik. Por ekziston një dallim si dita me natën, mes debatit akademik dhe përdorimit të ambienteve universitare për aksione simbolike, pa respektuar procedurat e institucionit.

Forca e një proteste nuk matet nga aftësia për të hyrë në një ndërtesë publike apo për të vendosur pankarta në fasadat e saj. Ajo matet nga aftësia për të fituar besimin e qytetarëve, për të ruajtur epërsinë morale dhe për të treguar se ndryshimi mund të kërkohet, pa cenuar institucionet që i përkasin të gjithë shoqërisë.

Ky episod është sinjal shumë shqetësues. Urojmë që nga vapa, lodhja 31 ditore dhe padurimi, protesta të mos ketë hyrë në një fazë të re, ku ekziston rreziku i tejkalimit të kufijve që ndajnë protestën paqësore, nga cënimi i autonomisë institucionale. Po u tejkalua ky kufi, protesta zbeh fuqinë e saj dhe nuk ka eurodeputet i së majtës në Tiranë, që mund ta riforcojë.

A është protesta rinore anti-Trump?

Nga Fatos Çoçoli

Jo. Kurrsesi jo! Protestat paqësore të mijëra të rinjve, që kanë arritur sot në ditën e tyre të 29-të në kryeqytet, janë tërësisht dhe thellësisht politike. Ato nuk drejtohen as kundër anëtarëve të familjes së Presidentit amerikan Donald Trump, dhëndrit të tij Jared Kushner dhe vajzës së tij Ivanka Trump, as edhe kundër investimeve të lobuara prej tyre dhe fondeve të siguruara po prej tyre, me 4 miliardë dollarë në Zvërnec dhe 1.4 miliardë dollarë në Sazan.

Megjithatë, mënyra se si shumë media prestigjoze ndërkombëtare kanë zgjedhur t’i mbulojnë keto protesta komplekse, duke e thjeshtuar raportimin në vetëm këndin që ju intereson atyre, kjo ndikon ndjeshëm në perceptimin e opinionit publik global. Prandaj dhe për protestat e zhvilluara në Shqipëri gjatë periudhës 31 maj–27 qershor 2026, është e rëndësishme të bëhet dallimi midis fakteve të verifikueshme dhe interpretimeve mediatike, që e përcjellin lajmin te qindra milionë shikues anembanë botës.

Më 12 qershor 2026, gjigandi mediatik gjerman Deutsche Welle (Lajmet Gjermane), në ditën e 13-të të protestave, jep titullin “Protestat më të mëdha deri më tani kundër resortit të familjes Trump në Shqipëri” (https://www.facebook.com/deutschewellenews/videos/1007866075127059/) . Të njëjtën gjë kanë bërë më shumë se një herë, madje me dhjetëra herë gjatë këtyre 29 ditëve, rrjetet e mëdha televizive amerikane, tejet kritike ndaj Presidentit Trump, si rrjeti CNN, më 17 qershor 2026, me titull “Turmat vazhdojnë të protestojnë kundër planit të resortit Trump-Kushner në Shqipëri” (https://edition.cnn.com/2026/06/15/world/video/ac360-isa-soares-albania) , rrjeti MSNow, data 27 qershor 2026 me titull ”Protestat rriten ndaj projektit të zhvillimit ëe Kushner në Shqipëri“(https://www.youtube.com/watch?v=DYCuYmYeJlY), rrjeti CBS, data 13 qershor 2026 me titull “Resorti luksoz i mbështetur nga Jared Kushner shkakton protesta ditore në Shqipëri”( https://www.cbsnews.com/news/jared-kushner-backed-luxury-resort-stokes-days-of-protests-in-albania/), Reuters, France 24 e me radhë. Janë 188 tituj deri tani nga mediat ndërkombëtare, tejet kritike ndaj Presidentit Trump, me deformim të qëllimshëm të informacionit.

Secili prej rrjeteve të mësipërme televizive ka një audiencë ditore (shikueshmëri ditore nga qytetarët) prej dhjetëra milionë klikimesh në mbarë botën. Për të mos folur për gazetat me ndikim të madh në opinionin ndërkombëtar, si “New York Times”, “The Guardian”, etj.

Me fjalë të tjera, publiku ndërkombëtar është informuar për 29 ditët e protestave në Shqipëri përmes lenteve të mediave të mëdha ndërkombëtare, të interesuara të jenë sa më kritike ndaj Presidentit Trump.

Për më tepër, organizatorët e protestave po mendojnë që të shtunën tjetër, më 4 korrik, në 250-vjetorin e krijimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të thërrasin në Tiranë një tjetër protestë mbarëkombëtare, me pjesëmarrje të gjerë të të ardhurve nga diaspora. E cila, sërish, do të etiketohet dhe portretizohet nga mediat e mësipërme ndërkombëtare si zemërim dhe protestë ndaj projekteve luksoze të turizmit, të lobuara nga dy pjesëtarë të familjes Trump!

A rrezikojnë nga ky këndvështrim i zgjedhur prej shumë gjigandëve mediatikë ndëkombëtarë, që të dëmtohen interesat tona strategjike kombëtare? Për fat të keq, po.

Me protestën tonë kombëtare në Tiranë më 4 korrik 2026, në Jubileun e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi ynë, vendi më pro-amerikan i Evropës, së bashku me Poloninë, rrezikon që të duket si vend anti-Trump, pikërisht për shkak të mbulimit të deformuar mediatik nga media si CNN, MSNow, CBS News, Detsche Welle, France 24, Reuters, etj.

Më 4 korrik 2026, me qindra milionë qytetarë në mbarë botën do të mendojnë se Shqipëria është një vend dukshëm anti-Trump, ngaqë të gjitha mediat ndërkombëtare të majta do ta përcjellin protestën kombëtare në Tiranë, si shprehje e zemërimit dhe e protestës së shqiptarëve ndaj dy projekteve të turizmit të luksit në Shqipëri. Sikurse kanë bërë rëndom në raportimet e tyre deri tani, për 29 ditë.

Ndërkohë që diçka e tillë nuk është e vërtetë! Dhe të vjen keq që, për të rinjtë tanë pjesëmarrës në protestë, që ky keqpërdorim dhe portretizim i Shqipërisë duket se nuk ka shumë rëndësi për ta. Mjafton që kauza e tyre të bëjë sa më shumë bujë ndërkombëtarisht. Ndërkohë që interesat tona strategjike dëmtohen.

Ku vajti Zvërneci për protestën?

Nga Fatos Çoçoli

Janë disa arsye të forta pse protestuesit në ditët e fundit nuk po e përmendin më shqetësimin e tyre për shkatërrimin e natyrës në Zvërnec, me investimin prej 4 miliardë euro që planifikohet të bëhet aty.

Së pari, sepse u bë e qartë ditët e fundit, se investimi 4 miliardë euro në Zvërnec nuk rrezikon të shkatërrojë zonën e mbrojtur të Kategorisë V të habitatit natyror Zvërnec-Laguna e Nartës. Kjo Kategori, sipas standardeve të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), është më e ulta në mundësinë për të dëmtuar natyrën me investim në të dhe pranon investime të kujdesshme. Nëse investimi do të ishte caktuar në deltën e Vjosës(vendi ku derdhet në det Vjosa, Zonë e Mbrojtur e Kategorisë I, sipas klasifikimit të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), atëhere po, protestuesit do të kishin të gjithë të drejtën e Zotit, atë morale dhe ligjore, që të protestonin. Por Zvërneci dhe Laguna e Nartës nuk janë zona të tilla.

Kategoria V e zonave të mbrojtura, ku hyn Zvërneci dhe Narta, të caktuara nën këtë kategori që në vitin 2004, nuk janë zona “pa zhvillim”. Ato përfaqësojnë peizazhe të mbrojtura, ku biodiversiteti, vlerat natyrore dhe aktiviteti njerëzor mund dhe duhet të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike e të qëndrueshme.

Së treti, nga informacionet e publikuara dy ditë më parë nga kryeministri, Këshilli Kombëtar i Territorit Shqipërisë nuk e ka miratuar mastërplanin për zhvillimin e zonës Zvërnec-Laguna e Nartës, të paraqitur në vitin 2024 nga investuesit e huaj. Në mbledhjen e tij të datës 25 shtator 2024. Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar rishikime thelbësore të mastërplanit, duke kërkuar uljen e intensitetit të zhvillimit turistik në zonë, parashikimin e masave të posaçme për mbrojtjen e Lagunës së Nartës, habitateve të florës dhe faunës përreth, si dhe pjesëve mjedisore të ndjeshme të zonës për zhvillim.
Zvërneci ka vetëm leje zhvillimore, jo ndërtimi!
Vetëm një vit e gjysëm më vonë, më 30 mars 2026, kur investitorët e huaj janë paraqitur s֝risht përpara Këshillit Kombëtar të Territorit të vendit, me një masterplan të ri, ku kanë reflektuar parametrat e kërkuara nga Këshilli, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar në atë mbledhje vetëm lejen zhvillimore.
Ajo nuk është leje ndërtimi dhe nuk autorizon fillimin e punimeve ndërtimore, por i hap rrugë fazës së përgatitjes së projektit arkitekturor të investimit dhe realizimit të Vlerësimit të Theluar të Ndikimit në Mjedis të këtij projekti arkitekturor.
Të gjitha këto të vërteta të Zvërnecit bënë që 483 eurodeputetë të Parlamentit Evropian të miratonin më 16 qershor 2026 Rezolutën mbi Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit europian të vendit tonë dhe duke hedhur poshtë dy amendamente në Rezolutë, një amendament me ngritjen e shqetësimit për marrëveshjen e qeverisë shqitpare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner dhe një amendament për vendosjen e një moratoriumi për lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura deri në shfuqizimin e ligjit për këto zona, me reference të qartë ndaj projektit të Zvërnecit.
Përballë këtij qëndrimi të qartë të Parlamentit Evropian, protestuesit në Tiranë më datat 16 dhe 17 qershor nuk mund të ngrinin më shqetësimin për Zvërnecin.
Protesta u kthye kështu në shtyllën e interesave të saj, që nuk janë mjedisore dhe të shqetësimit për “shitjen” e Atdheut, por mirëfilli politike, me krye-kërkesen për largimin e kryeministrit të sotëm dhe qeverisë së tij.
Kështu të paktë edhe qytetarët e kanë më të qartë që këta mijëra të rinj që sfidojnë në Tiranë vapën e parakohshme të qershorit nuk e kanë shumë shqetësimin tek pelikanët e Nartës dhe tek natyra që dëmtohet në Zvërnec, por tek largimi i qeverisë që sot kemi mbi krye.

Shqipëria, xholi i mediave ndërkombëtare anti-Trump?

Nga Fatos Çoçoli

7 orë më parë, rrjeti mediatik ndërkombëtar CNN publikoi një video reportazh me titull “Protestuesit duan që zhvillimi luksoz në Shqipëri të ndalohet”

Në fakt, protestuesit kanë bërë kërkesa të tjera shumë mët të forta dhe shumë më politike për vendin, por vetëm kjo kërkesë ka rëndësi, me sa duket, për mediat e njohura botërisht të jenë shumë kritike ndaj Presidentit amerikan Trump, si CNN dhe MSNow në SHBA, apo Deutsche Welle dhe France 24 në Evrope.

Protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë periudhës 31 maj – 13 qershor 2026 kanë hyrë tashmë në historinë e debatit politik dhe publik shqiptar si një nga mobilizimet më të gjata dhe më intensive të viteve të fundit. Në qendër të tyre kanë qenë kërkesat politike për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij, të shoqëruara me akuza për keqqeverisje, mungesë transparence dhe krizë besimi ndaj institucioneve.

Megjithatë, tek këto media ndërkombëtare dhe shumë të tjera, vëmendja në mbulimin e protestave nuk është përqendruar tek këto kërkesa kryesore politike, por tek kundërshtimi ndaj projekteve të turizmit të luksit në zonën e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit, projekte të cilat janë lidhur me interesat investuese të Jared Kushner dhe Ivanka Trump(Sazani), ose me lobimin e tyre për gjetjen e investuesve strategjikë për zhvillimin e projektit (Zvërneci).

Kjo ka bërë që në Shqipëri të ngrihet me të drejtë pyetja: a po përdoren protestat në Tiranë si një “xhol” në debatin më të gjerë ndërkombëtar rreth figurës së Donald Trump dhe familjes së tij? Po pse ngrihet kjo pyetje?

Së pari, është e pamohueshme se figura e Presidentin amerikan Donald Trump mbetet një nga temat më polarizuese në mediat globale. Për shumë redaksi ndërkombëtare, çdo zhvillim që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me emrin e Trump përbën lajm me interes të lartë publik. Në këtë kuptim, fakti që projektet në Sazan dhe Zvërnec janë lidhur në raportime me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, ka rritur automatikisht vëmendjen ndërkombëtare ndaj protestave shqiptare.

Së dyti, për fat të keq, ky fokus ka deformuar natyrën reale të protestave, krahas rrezikimit të realizimit të projekteve(Shqipërisë i ikin 5.4 miliardë euro), nga publiciteti negativ ndërkombëtar.

Së treti, sipas mediave ndërkombëtare kritike me Presidentin Trump, mijëra qytetarë, shumica dërrmuese të rinj, që po dalin për dy javë rrjesht në bulevardin dhe rrugët e Tiranës, për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë shqiptare, u paraqitën para publikut ndërkombëtar, praktikisht para gjithë botës, kryesisht si kundërshtarë të investimeve të lidhura me familjen Trump. Dhe kjo nuk është e vërtetë, ose është një gjysëm e vërtetë, pra më keq se një gënjeshtër.

Protestuesit e kane me mungesën e transparencës së qeverisë për këto projekte, dhe jo me faktin se pas tyre janë anëtarë të familjes Trump. Protestuesit nuk janë kryqtarë të largimit të investimeve serioze nga vendi. Këtë kryqëzatë anti-Trump në Shqipëri po e shpik vetëm media ndërkombëtare anti-Trump.

Së katëri, në këtë mënyrë, kërkesat politike për ndryshim qeverisjeje mbetën në plan të dytë ose u anashkaluan pothuajse tërësisht nga shumë media të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga ky këndvështrim, protestat shqiptare u përdorën si një element që ushqente një narrativë tashmë ekzistuese në disa media ndërkombëtare: atë të shqyrtimit kritik të çdo aktiviteti ekonomik apo politik që lidhet me Presidentin Trump apo me rrethin e tij familjar. Kështu, Shqipëria u shndërrua në “xhol” në duart e anti-trumpistëve, në sfondin e një debati global që ka në qendër, duke shfrytëzuar protestat në Tiranë, më shumë Trump-in, se sa realitetin shqiptar.

Redaksitë ndërkombëtare që po e përdorin këtë “xhol” mund të argumentojnë se zgjedhja editoriale për të evidentuar lidhjen e projekteve me Kushner dhe Ivanka Trump, buron nga rëndësia publike e këtyre figurave dhe nga interesi për çështjet që ndërthurin investimet private, mjedisin dhe politikën.

Po këkesat politike të protestuesve në Tiranë, ku shkuan?!

Në fakt, problemi nuk është dhe aq ekzistenca e këtij këndi raportimi mediatik, sesa dominimi i tij, në dëm të raportimit të së vërtetës së plotë, për atë ç’ka po ngjet në Shqipëri me protestat.

Gazetaria profesionale kërkon që ngjarjet komplekse të pasqyrohen në të gjitha dimensionet e tyre. Në rastin e protestave të Tiranës, kjo do të nënkuptonte trajtimin njëkohësisht të kërkesave politike të protestuesve, debatit mbi zhvillimin turistik, shqetësimeve mjedisore dhe interesit ndërkombëtar për përfshirjen e figurave të njohura amerikane.

Kuptohet që vendi ynë, si vend i vogël, e ka shumë të vështirë të kontrollojë narrativën e ngjarjeve të tij me protestën, në arenën ndërkombëtare. Zhvillimet e brendshme interpretohen shpesh përmes lenteve të konflikteve, ndasive dhe interesave globale. Dhe sot rrymat anti-Trump janë të fuqishme, sidomos në Evropë.

Kjo ka çuar në një mospërputhje mes mënyrës se si një ngjarje përjetohet nga qytetarët e vendit tonë dhe mënyrës se si ajo paraqitet për publikun ndërkombëtar.

Prandaj dhe pyetja nëse protestat e Tiranës u bënë një “xhol” i mediave ndërkombëtare kritike ndaj Trump-it, merr, për fat të keq të së vërtetës së plotë me Shqipërinë sot, një përgjigje të pozitive.

Ajo që mbetet e padiskutueshme është se protestat e 31 majit – 13 qershorit 2026 nuk mund të kuptohen plotësisht vetëm përmes një prizmi të vetëm. Qoftë edhe atij të nxitur dhe fryrë nga mediat ndëkombëtare. Zhvillimet me protestën tek ne përfaqësojnë një ndërthurje të pakënaqësive politike të brendshme, debateve mbi modelet e zhvillimit, shqetësimeve mjedisore dhe ndikimit që kanë narrativat ndërkombëtare, në mënyrën se si perceptohen ngjarjet shqiptare në botë. Vetëm një analizë e balancuar dhe e shumëanshme mund t’i japë publikut një pasqyrë sa më pranë realitetit.

Sfida e gazetarisë profesionale, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj, mbetet pikërisht kjo: të shmangë reduktimin e fenomeneve komplekse në narrativa të thjeshtuara dhe të ofrojë një pasqyrë sa më të plotë të realitetit.

Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, protestat e Tiranës kanë dëshmuar se Shqipëria po kalon një moment të rëndësishëm debati publik. Mënyra se si ato do të mbahen mend në opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, do të varet jo vetëm nga zhvillimi i tyre, por edhe nga aftësia e medias për të pasqyruar me ekuilibër të gjitha dimensionet e kësaj ngjarjeje: politike, shoqërore, mjedisore dhe institucionale.

Protestuesit, përcjellës mesazhi shprese apo zhurmues të jetës urbane?

Nga Fatos Çoçoli

Protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë periudhës 31 maj–10 qershor 2026 po nxisin një debat të gjerë publik, jo vetëm mbi kauzën që ato mbrojnë, por edhe mbi rolin që kanë luajtur në jetën e kryeqytetit.

Për disa prej nesh, protestuesit kanë qenë zëri i një shqetësimi qytetar legjitim dhe një përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen publike. Për të tjerë, protestat kanë prodhuar më shumë zhurmë, sesa ndikim real, duke shqetësuar jetën e përditshme të qytetarëve dhe duke mos arritur të artikulojnë një alternativë të qartë politike apo institucionale.

Protesta si instrument demokratik

Në çdo shoqëri demokratike, protesta është një nga mjetet më legjitime të pjesëmarrjes qytetare. Ajo u jep mundësi individëve dhe grupeve të interesit të shprehin pakënaqësitë, të kundërshtojnë politika publike dhe të kërkojnë ndryshime.

Nga ky këndvështrim, protestat e organizuara në Tiranë kanë sjellë në vëmendjen e opinionit publik çështje që ndoshta nuk do të kishin marrë të njëjtën vëmendje, përmes kanaleve tradicionale të komunikimit.

Vetë fakti që për më shumë se dhjetë ditë është diskutuar gjerësisht mbi zhvillimin e zonës së Zvërnecit, mbi raportin mes investimeve dhe mjedisit, apo mbi transparencën institucionale, tregon se protestat kanë arritur të vendosin një temë në qendër të debatit publik, edhe pse pasionet politike tek organizatorët e saj kërkojnë me insistim dorëheqjen e qeverisë së sotme.

Problemi i mungesës së përfaqësimit

Për fat të keq, një nga dobësitë më të dukshme të këtyre protestave paqësore ka qenë mungesa e figurave të identifikueshme që të përfaqësonin publikisht lëvizjen. Shumë qytetarë kanë pasur vështirësi të kuptojnë kush i organizon protestat, kush mban përgjegjësi për mesazhet e tyre, cili është programi i tyre dhe çfarë synimesh konkrete kanë, përtej kundërshtimit të një projekti të caktuar dhe kërkesës për disa ndryshime ligjesh dhe dorëheqjen e qeverisë.

Në mungesë të një lidershipi të qartë, protesta rrezikon të perceptohet si një reagim spontan dhe jo si një lëvizje me objektiva të mirëpërcaktuara.

Ndikimi në jetën urbane

Një aspekt tjetër i debatit lidhet me efektin e protestave në jetën e përditshme të qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore, përdorimi i megafonëve, grumbullimet në qendër të qytetit dhe ndërprerjet e qarkullimit kanë krijuar shqetësime për banorët, bizneset dhe punonjësit që lëvizin çdo ditë në kryeqytet.

Kjo ka bërë që një pjesë e opinionit publik të mos e shohë protestën përmes prizmit të kauzës së saj, por përmes ndikimit që ajo ka në rutinën e përditshme. Në raste të tilla lind pyetja: deri në çfarë mase shqetësimi i përkohshëm i jetës urbane është një çmim i pranueshëm për të garantuar të drejtën demokratike të protestës?

Rreziku i konsumimit të protestës

Sa më shumë zgjatet një protestë pa rezultate të dukshme, aq më i madh bëhet rreziku i lodhjes së pjesëmarrësve dhe i humbjes së interesit publik.

Për të ruajtur ndikimin, çdo lëvizje qytetare ka nevojë për objektiva të matshme, strategji komunikimi, përfaqësim të qartë dhe mekanizma dialogu me institucionet.

Pa këto elemente, protesta mund të mbetet një ngjarje mediatike që gjeneron zhurmë, por jo domosdoshmërisht ndryshim.

Në fund të fundit, pyetja nëse protestuesit janë përcjellës të një mesazhi për ndryshim apo thjesht zhurmues të jetës urbane nuk ka një përgjigje të vetme.

Për mbështetësit e tyre, ata përfaqësojnë ndërgjegjen qytetare dhe rezistencën ndaj vendimeve që konsiderohen të gabuara.

Për kritikët, ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një platformë bindëse dhe po konsumojnë energji publike pa prodhuar rezultate konkrete.

Cilët janë më të shumtit? Numri i protestuesve pas 11 ditësh proteste e tregon vetë.

Protestat kanë arritur të ngrejnë pyetje të rëndësishme për zhvillimin, mjedisin dhe qeverisjen. Por aftësia e tyre për t’u shndërruar në një forcë reale ndryshimi do të varet nga fakti, nëse arrijnë të kalojnë nga kundërshtimi tek veprimi i qartë.

Vetëm atëherë, ato do të mund të gjykohen si një lëvizje që solli ndryshim dhe jo thjesht si një episod që krijoi zhurmë në jetën urbane të kryeqytetit.

Mos-shitja e vendit: kryqëzatë kundër investuesve të huaj?

Nga Fatos Çoçoli 

Investimet e huaja direkte mbeten një nga faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Parulla “Shqipëria(atdheu) nuk është për shitje” ka qenë një nga sloganet më të spikatura të protestave të zhvilluara gjatë periudhës 31 maj–08 qershor 2026 në Tiranë, Vlorë, Korçë, Londër, Bruksel, Milano, Vjenë, Nju-Jork, Toronto, etj.

Ajo synon të shprehë shqetësimin e një pjese të qytetarëve për mënyrën se si menaxhohen pasuritë publike, territoret me vlerë natyrore dhe projektet e mëdha të investimeve. Megjithatë, kjo parullë, e amplifikuar nga një media ndërkombëtare, e interesuar vetëm të portretizojë pjestarët e familjes së Presidentit amerikan Trump(vajzën dhe dhëndrin) si akaparues të pasurive natyrore të një vendi të vogël e të varfër si Shqipëria, po nxit një debat dhe rrezik të gjerë për interesat tona ekonomike si shtet dhe qytetarë: a po shndërrohet epopeja e “mos-shitjes së vendit” në një qëndrim refuzues ndaj investimeve të huaja në përgjithësi?

Slogan me ngarkesë të fortë emocionale

Historikisht, shprehje të tilla si “vendi nuk shitet”, “tokat nuk falen” apo “pasuritë kombëtare nuk jepen” kanë pasur një ndikim të madh emocional në opinionin tonë publik. Ato lidhen me ndjenjën e sovranitetit, identitetit kombëtar dhe mbrojtjes së interesit publik.

Por në debatet moderne ekonomike, çështja nuk është zakonisht shitja e vendit në kuptimin literal të fjalës. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për investime, koncesione, qira afatgjata, partneritete publike-private ose projekte zhvillimore që operojnë brenda një kuadri ligjor të caktuar. Slogani “vendi nuk shitet”  krijon konfuzion, duke barazuar investimin me “shitjen e vendit” dhe investitorin me “blerësin e vendit”. Shumë vende që sot konsiderohen histori suksesi ekonomik, e kanë ndërtuar zhvillimin e tyre mbi tërheqjen e kapitalit të huaj. Irlanda, Polonia, Kroacia, Portugalia dhe vendet baltike kanë përfituar miliarda euro investime që kanë krijuar vende pune, infrastrukturë dhe rritje ekonomike.

Edhe Shqipëria, gjatë tri dekadave të fundit, ka përfituar nga investime të huaja në sektorë të ndryshëm, si në banka tregtare, në energji, në telekomunikacion, në turizëm, prodhim industrial, etj. Por asnjëherë për këto investime, nuk jemi ankuar se “po na shitet vendi!” . Po pse tani disa prej nesh që dalin në sheshe po e bëjnë?

Pa këto investime, ritmi i zhvillimit tonë ekonomik dhe i të ardhurave tona mujore si qytetarë do të kishte qenë dukshëm më ulët.

Rreziku i demonizimit të investituesit të huaj

Problemi lind kur çdo investitor i huaj paraqitet automatikisht si kërcënim për interesin kombëtar. Një qasje e tillë mund të krijojë klimë pasigurie për investimet dhe të dërgojë sinjale negative në tregjet ndërkombëtare. Investitorët kërkojnë stabilitet juridik, parashikueshmëri dhe siguri se projektet do të vlerësohen mbi bazën e ligjit dhe jo të emocioneve politike.

E kemi menduar se, po të na largohen këto 4.6 miliardë euro(investimet ne Sazan dhe në Zvërnec), shumë pak investues të fuqishëm të huaj do të na vijnë paskëtaj? Nëse çdo investim i huaj etiketohet si “shitje e vendit”, rrezikojmë të krijohet një anti-kulturë refuzimi,  e amplikuar nga mediat ndërkombëtare, që kanë interesa të tjera në mbulimin e protestave tona, dhe jo pelikanët e Zvërnecit. Kjo anti-kulturë  do të dëmtojë rëndë perspektivën afatgjatë të zhvillimit tonë ekonomik.

Ekonomitë moderne funksionojnë mbi qarkullimin ndërkombëtar të kapitalit, teknologjisë dhe njohurive. Shqipëria, si një vend i vogël me nevoja të mëdha për investime, nuk mund të zhvillohet e izoluar nga ekonomia globale.

Sfida nuk është të refuzojmë investimet e huaja, por të sigurohemi që ato të respektojnë ligjet shqiptare, të mbrojnë mjedisin, të krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë tonë, të sjellin përfitime për komunitetetin lokal dhe të jenë transparente dhe të monitorueshme.

Narrativa e “mos-shitjes së vendit” pasqyron shqetësime që meritojnë të dëgjohen dhe të analizohen. Por zhvillimi ekonomik i Shqipërisë nuk mund të mbështetet mbi refuzimin “a-priori” të investimeve të huaja. Një shtet modern nuk matet nga aftësia për të mbyllur derën ndaj kapitalit të huaj, por nga aftësia për ta menaxhuar atë në interes të qytetarëve.

Sfida nuk është të zgjedhim mes sovranitetit (Atdheut) dhe investimeve, por të ndërtojmë institucione të forta, që të na garantojnë se investimet do të shërbejnë për zhvillimin e vendit, pa cenuar interesin publik, mjedisin dhe trashëgiminë kombëtare.

Produktiviteti, pse BB e nxjerr të rritur?

Nga Fatos Çoçoli

Raporti i pranverës 2026 i Bankës Botërore për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor evidenton një zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë: vendi ka regjistruar rritjen më të lartë të produktivitetit në rajon gjatë vitit 2025.

Ky vlerësim konsiderohet një tregues me peshë, pasi produktiviteti, aftësia për të prodhuar më shumë mallra dhe shërbime me të njëjtat ose më pak burime, pra lëndë të para, është baza kryesore e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe e përmirësimit të standardit të jetesës.

Nga më pak produktivët, në prodhueshmëri të lartë

Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, rritja e pagave në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2025, ka vijuar të ushtrojë presion mbi kostot e punës, por në disa ekonomi, si ajo e Shqipërisë, ky presion është zbutur, falë përmirësimit të produktivitetit. Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit, i cili analizon zhvillimet në tregun e punës dhe ndikimin e tyre në konkurrueshmëri.

Shqipëria rezulton me 1.65 pikë përqindje mbi mesataren rajonale, 41% më lart se ritmi mesatar i rajonit.

Sipas raportit, kostot për njësi pune janë rritur në shumicën e vendeve të rajonit gjatë 2025, por me ritme më të ulëta, krahasuar me një vit më parë. Shqipëria renditet ndër ekonomitë ku kjo rritje është frenuar ndjeshëm, duke zbritur në vetëm 1.7 përqind, një nga nivelet më të ulëta në rajon. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejti me përmirësimin e produktivitetit të punës, i cili ka ndihmuar në amortizimin e ndikimit të rritjes së pagave, i cili, nga ana e vet, është rëndues mbi kostot e prodhimit.

Në kontrast, vende si Bosnie-Herzegovina dhe Kosova kanë regjistruar rritjet më të larta të kostove reale për njësi pune, përkatësisht me 4.5 dhe 4.6 përqind. Në këto ekonomi, kombinimi jo pozitiv i rritjes së shpejtë të pagave dhe produktivitetit të dobët ka krijuar presione më të forta mbi konkurrueshmërinë e tyre. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, për shembull, pagat reale janë rritur me 9.6%, ndërkohë që produktiviteti është rritur vetëm me 1.8%, duke thelluar hendekun mes kostos dhe efektivitetit të ekonomisë.

Ndërkohë, Shqipëria paraqitet në një pozicion më të balancuar, me rritje më të moderuar të kostove të punës, dhe pikërisht me vetëm 1.7 përqind. Kjo tregon se përmirësimet në produktivitet po fillojnë të luajnë një rol më të rëndësishëm në stabilizimin e kostove dhe në ruajtjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë.

Pse përfitojmë nga produktivitet më i lartë?

Po çfarë nënkupton rritja e produktivitetit? Produktiviteti mat efektivitetin e ekonomisë në përdorimin e punës, kapitalit, teknologjisë dhe organizimit.

Përfitimet për Shqipërinë:
më shumë konkurrueshmëri rajonale
mundësi për rritje pagash
rritje eksportesh
klimë më të favorshme investimesh
të ardhura më të larta fiskale.
Një ekonomi më produktive prodhon më shumë mallra dhe shërbime për njësi pune, rrit fitimet e bizneseve dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare, si dhe krijon hapësira për paga më të larta dhe investime më të mëdha.

Edhe pse Serbia ka nivel absolut më të lartë, Shqipëria ka ritmin më të shpejtë të rritjes

Ndërsa ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur ritme më të moderuara për shkak të ngadalësimit të eksporteve, tensioneve gjeopolitike dhe konsumit më të dobët, Shqipëria ka përfituar nga diversifikimi më i madh i burimeve të rritjes, stabiliteti makroekonomik dhe orientimi më i fortë drejt investimeve. Ky kombinim e ka vendosur vendin në krye të rajonit për përmirësimin e produktivitetit

Pesë faktorët “kokëfortë” të rritjes së produktivitetit tek ne

Në rastin e Shqipërisë, Banka Botërore e lidh këtë performancë pozitive me pesë faktorë themelorë strukturorë. Së pari, Banka Botërore rendit rritjen e investimeve në energji dhe infrastrukturë. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka përshpejtuar investimet në energjinë e rinovueshme, rrjetet elektrike dhe infrastrukturën rrugore, aeroportuale dhe portuale. Këto investime kanë ulur kostot operative për bizneset dhe kanë rritur efiçiencën logjistike. Sektori energjetik, sidomos me zgjerimin e kapaciteteve fotovoltaike dhe me modernizimi e rrjetit, ka sjellë stabilitet më të madh për industrinë dhe shërbimet.

Faktori i dytë janë investimet e huaja direkte. Shqipëria ka tërhequr investime në sektorë strategjikë si energjia, industria përpunuese, turizmi dhe teknologjia e informacionit. Investimet e huaja sjellin jo vetëm kapital, por edhe standarde menaxhimi, teknologji dhe transferim njohurish.

Për madhësinë e ekonomisë, Shqipëria mbetet ndër përfituesit kryesorë të kapitalit të huaj

Shqipëria kombinon kosto relativisht konkurruese të punës, me rritje të fortë të produktivitetit. Ky kombinim është tërheqës për investitorët e huaj.

I treti si faktor vjen digjitalizimi i administratës dhe shërbimeve publike. Transformimi dixhital i administratës publike dhe zgjerimi i platformave online për qytetarët e bizneset ka reduktuar kohën dhe kostot burokratike. Bizneset përfitojnë nga regjistrime më të shpejta, procedura tatimore online dhe akses më i lehtë në licenca dhe dokumentacion. Ky proces ka përmirësuar klimën e të bërit biznes.

Së katërti, vjen formalizimi i ekonomisë. Për Bankën Botërore, një faktor tjetër i rëndësishëm ka qenë lufta kundër informalitetit. Formalizimi i aktivitetit ekonomik sjell konkurrencë më të ndershme, rritje të të ardhurave fiskale dhe akses më të mirë në financim për bizneset. Sipas analizës së Bankës Botërore, formalizimi ndikon drejtpërdrejt në shtimin real të produktivitetit.

Faktori i pestë është turizmi dhe shërbimet me vlerë të shtuar. Turizmi është industria numër një e vendit. Sipas Bankës së Shqipëri, në vitin 2025 ai solli 5 miliardë euro të ardhura për ekonominë. Ndryshimi kryesor në turizëm është zhvendosja drejt shërbimeve me më shumë vlerë, si akomodim më cilësor, investime në marina, porte turistike dhe agroturizëm, si dhe shërbime profesionale dhe dixhitale. Kjo ka rritur produktivitetin mesatar për punonjës në sektorin e shërbimeve.

Në një rajon që ende përballet me sfida strukturore, performanca e Shqipërisë në produktivitet gjatë vitit 2025 shihet nga Banka Botërore, si një sinjal pozitiv për transformimin gradual të ekonomisë së vendit drejt një modeli më modern dhe më konkurrues.

Pashalimani, nga Kinostudjo në… prodhim!

Nga Fatos Çoçoli

Bazën detare të Pashalimanit në Vlorë jemi mësuar ta shohim në filmat e Kinostudjos “Shqipëria e Re” si një detaj-përrallë nga e kaluara.

Marrëveshja konkrete e lidhur më 29 prill 2026, mes kompanisë italiane Fincantieri, një nga prodhuesit më të mëdhenj të anijeve ushtarake dhe civile në botë, dhe kompanisë shtetërore ushtarake shqiptare KAYO, për bashkëpunim në prodhimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve detare në bazën e Pashalimanit, përfaqëson një zhvillim me rëndësi strategjike për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Pashalimani, baza e vetme ushtarako-detare me kapacitete të rëndësishme në vend, ka qenë historikisht një aset me potencial të pashfrytëzuar plotësisht. Aktivizimi i saj për prodhim dhe mirëmbajtje anijesh ushtarake mund të krijojë një industri të re për ne, me vlerë të shtuar.

Investimi i Fincantieri në Pashaliman
Mirëmbajtje anijesh 18 mln euro/vit
Logjistikë dhe furnizime 12 mln euro/vit
Prodhim anijesh (dy për Shqipërinë) 110 mln euro
Prodhim për eksport 80 mln euro/vit
Shërbime teknike 8 mln euro/vit
Trajnime dhe çertifikime 2 mln euro/vit
Totali: 1.2 miliardë euro në 5-7 vjet
Rikthimi i industrisë detare ushtarake

Pas dekadash rënieje të industrisë së rëndë dhe ushtarake, kjo marrëveshje krijon bazat për zhvillimin e një sektori të specializuar në prodhim komponentësh detarë, montim anijesh patrulluese, si dhe mirëmbajtje dhe riparim i flotave ushtarake.

Fincantieri operon në mbi 20 vende dhe ka të ardhura vjetore mbi 7–8 miliardë euro. Bashkëpunimi me një kompani të këtij niveli do të sjellë për ne standardet e NATO-s në prodhimin ushtarak, trajnim të specialistëve shqiptarë dhe çertifikime ndërkombëtare.

Sipas marrëveshjes, Forcat tona të Armatosura do të përfitojnë dy anijet e para që do të ndërtohen në Pashaliman nga Fincantieri. Më pas, prodhimi i tyre do të vazhdojë më tej për eksport. Kjo do ta çojë në shtatë numrin total të anijeve të flotës sonë detare, që në terma të përcaktuara nga NATO është një numër optimal për sa i përket peshës dhe përgjegjësisë të Shqipërisë në Mesdhe.

Modeli i biznesit me marrëveshjen me gjigandin italian është që mbi 90% e klientëve janë ndërkombëtarë dhe janë klientë ekzistues të Fincantierit. Marrëveshja përfaqëson kalimin nga një kuadër bashkëpunimi teorik, në një projekt konkret industrial, me ambicie për të zhvilluar produkte konkurruese për tregun ndërkombëtar dhe për të kontribuar në zhvillimin industrial të rajonit.

Prodhimi ose mirëmbajtja e mjeteve ushtarake në territorin shqiptar rrit rëndësinë strategjike të vendit.

Përfitimet përfshijnë:
rritje të kapaciteteve detare
mbështetje për misione të NATO-s në Adriatik dhe Jon
integrim në zinxhirët europianë të mbrojtjes
Projekti parashikon krijimin e një kantieri të ri në Pashaliman, ku pritet të punësohen rreth 400 persona fillimisht, me një plan ambicioz që gati trefishon në 5-6 vje punësimin dhe investim prej 1.2 miliardë eurosh. Kantieri do të transformohet në një aset kyç për Forcën Detare në Vlorë, me fokus në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e njësive deri në 80 metra gjatësi dhe 800 ton kapacitet.

Çfarë përfitojmë nga memorandumi me SHBA-të për gazin?

Nga Fatos Çoçoli

Marrëveshja e nënshkruar dje, më 28 prill 2026 mes Shqipërisë, Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kompanitë amerikane Venture Global dhe Aktor LNG, për furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm natyror (LNG) për një periudhë 20-vjeçare dhe me vlerë totale rreth 6 miliardë dollarë, konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme strategjike për sektorin tonë energjetik në dekadat e fundit.

Diversifikojmë burimet energjetike

Kemi qenë historikisht shumë të varur nga energjia hidrike, e cila sot përbën 90% të prodhimit tonë të energjisë elektrike. Kjo e bën vendin të cenueshëm ndaj thatësirave, ndryshimeve klimatike dhe luhatjeve sezonale.

Importi i gazit të lëngshëm LNG nga SHBA-të krijon një burim alternativ energjie që redukton varësinë nga hidrocentralet, stabilizon furnizimin me energji në vitet me reshje të pakta dhe krijon bazë për prodhim energjie me gaz, më fleksibël dhe më pak ndotës se karburantet fosile tradicionale.

Marrëveshja 20-vjeçare i jep Shqipërisë parashikueshmëri në furnizim, siguri kontraktuale ndaj krizave të sotme të tregut dhe mbrojtje më të mirë nga luhatjet ekstreme të çmimeve ndërkombëtare.

Investimet kryesore të pritshme
Komponenti                                     Vlera e pritshme
Terminale LNG dhe portuale           1.5 – 2 mld USD
Rrjet shpërndarje kombëtare          800 mln – 1 mld USD
Impiante energjie me gaz               1 – 1.5 mld USD
Infrastrukturë ndihmëse                  500 mln USD

Pas krizave energjetike të viteve 2021–2025 dhe tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, sigurimi i furnizimit afatgjatë me energji është kthyer në prioritet strategjik për çdo ekonomi në rajon dhe më tej.

Krijimi i infrastrukturës së gazifikimit në Shqipëri

Marrëveshja pritet të përshpejtojë investimet në terminale pritëse LNG, në depozita magazinimi, në rrjete transmetimi dhe shpërndarjeje gazi, si dhe në lidhje me infrastrukturën ekzistuese , si TAP.  Kjo infrastrukturë mund të transformojë Shqipërinë nga një vend pa treg të zhvilluar gazi në një nyje rajonale energjetike.

Përdorimi i gazit natyror të lëngshëm mund të sjellë  energji më të qëndrueshme për industrinë tonë prodhuese, kosto më të ulëta, krahasuar me importet e energjisë elektrike në periudha krizash, si dhe rritje të konkurrueshmërisë së industrive shqiptare.

Sektorët që përfitojnë më shumë janë industria ushqimore, materialet e ndërtimit, turizmi dhe hoteleria, si dhe përpunimi i mineraleve dhe metaleve.

Përdorimet e gazit të lëngshëm natyror (LNG)
Me LNG mundemi:
 Ta bëjmë funksional TEC-in e Vlorës
Prodhim energjie më të qëndrueshme gjatë gjithë vitit
Ulje të importeve të energjisë në periudha krizash.
Me LNG sigurojmë:
Stabilitet më të madh të furnizimit me energji
Fleksibilitet në menaxhimin e ngarkesës
Balancim më i mirë me energjinë diellore dhe atë hidrike.

Hotelet, resortet dhe strukturat turistike kanë konsum të lartë energjie për  ngrohje, ftohje, ujë të ngrohtë dhe kuzhina industriale. Gazi natyror i lëngshëm do të ndihmojë në ulje kostosh operative, shërbime më të qëndrueshme dhe investime në struktura moderne energjetike në industrinë numër një të vendit, që është turizmi.

Nga ana tjetër, industria e çimentos, tullave, qeramikës dhe përpunimit termik tek ne ka nevojë të lartë për energji. Përdorimi i gazit natyror doo të ulë kostot për prodhuesit e çimentos, gëlqeres, qeramikës dhe materialeve izoluese. Kjo rrit konkurrueshmërinë e tyre në tregun rajonal.

Përfitimet gjeopolitike dhe forcimi i aleancës me SHBA-të

Pjesëmarrja amerikane përmes kompanive Venture Global dhe Aktor LNG (ku kompania Venture Global ka patur të ardhura 13.8 miliarde dollarë vitin e kaluar) ka rëndësi jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike. Marrëveshja e djeshme forcon marrëdhëniet ekonomike Shqipëri–SHBA, rrit profilin strategjik të Shqipërisë në Ballkan dhe redukton ekspozimin rajonal ndaj furnizuesve tradicionalë me risk gjeopolitik.

Në kushtet e rivaliteteve energjetike në Europë Juglindore, kjo i jep Shqipërisë peshë më të madhe në hartën energjetike rajonale. Disponueshmëria e gazit dhe energjisë më të qëndrueshme është faktor kyç për tërheqjen e investitorëve të huaj. Atakërkojnë energji të qëndrueshme, kosto të parashikueshme dhe infrastrukturë moderne. Marrëveshja afatgjatë 20 vjeçare do të nxisë investime të reja në industri, logjistikë, qendra prodhimi dhe përpunim agro-industrial.

LNG siguron tranzicion më të butë energjetik

Gazi natyror shihet si karburant tranzicioni drejt energjive më të pastra. Krahasuar me naftën dhe qymyrin, gazi natyror i lëngshëm (në anglisht LNG) emeton më pak dyoksid karboni, ul ndotjen urbane dhe krijon fleksibilitet për integrimin e energjive diellore dhe erës.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për objektivat e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe përmbushjes së standardeve klimatike.

Memorandumi i 28 prillit 2026 për importin e LNG nuk është thjesht një kontratë tregtare energjie, por një hap strategjik për transformimin ekonomik dhe energjetik të Shqipërisë. Ai do të na japë më shumë siguri energjetike, diversifikim ekonomik, investime infrastrukturore dhe integrim më të fortë rajonal dhe euroatlantik.

Ai shënon fillimin e epokës së gazifikimit modern të Shqipërisë dhe një model të ri zhvillimi energjetik për dekadat në vijim.

Po na ndihmojnë fotovoltaikët me naftën?

Nga Fatos Çoçoli

Sot mbushen 32 ditë të konfliktit në Iran dhe nafta tek ne është rritur me 40 lekë, nga 178 lekë litri në 2018 lekë litri. Megjithë këtë shtim me 22 përqind(gati një e katërta), sërisht çmimet e ushqimeve tek ne nuk kanë lëvizur. Po pse?

Duhet ta pohojmë se tek ne pasojat e deritanishme nga shtimi me pothuajse një të katërtën të çmimit të naftës kanë qenë më të kufizuara nga sa pritej.

Dobitë nga shtimi i energjisë nga fotovoltaiket

Një nga arsyet kryesore është se gjatë tre viteve të fundit vendi ka rritur ndjeshëm prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët dhe burime të tjera të rinovueshme, duke ulur varësinë nga importet e energjisë elektrike.

Kjo nuk do të thotë se ekonomia jonë është e imunizuar nga rritja e çmimit të naftës, por thjesht se sot kemi më shumë mbrojtje se disa vite më parë.

Në tre vitet e fundit Shqipëria ka pasur një zgjerim të shpejtë të investimeve në energjinë diellore. Faktorët kryesorë kanë qenë ndërtimi i parqeve të mëdha fotovoltaike, investimet private në panele diellore për biznese dhe familje, rritja e çmimit të energjisë në Europë pas krizës së viteve 2022–2023 dhe politikat e Ministrise së Energjitikës për të nxitur prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Projektet më të rëndësishme kanë përfshirë futjen në punë të parkut fotovoltaik të Karavastasë, zgjerimin e impianteve fotovoltaike në zonën e Fierit, Vlorës dhe Lushnjës, si dhe qindra sisteme diellore të instaluara në biznese, hotele, sera dhe banesa.

Brenda vitit 2025, kapaciteti i instaluar fotovoltaik në Shqipëri është rritur gjashtë herë, krahasuar me vitin 2022. Energjia diellore tashmë përbën një pjesë të dukshme të prodhimit vendas të energjisë elektrike, sidomos gjatë muajve të verës. Rritja e kapacitetit ka sjellë edhe rritje të shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike dhe brenda saj, të pjesës nga fotovoltaikët, që sot janë gati një e dhjeta e totalit.

Prodhimi nga panelet diellore 2020-2025
Viti Prodhimi i energjisë diellore (Gigavat/orë GWh)) Pesha në prodhimin total të energjisë
2020 32 GWh 0.4%
2021 58 GWh 0.7%
2022 150 GWh 1.8%
2023 335 GWh 3.7%
2024 610 GWh 6.1%
2025 890 GWh 8.4%
Në verën e vitit 2025, energjia diellore mbulonte në disa ditë mbi 15% të konsumit ditor të energjisë elektrike në Shqipëri.

Pse fotovoltaikët po e ndihmojnë ekonominë tonë

Në vitet e mëparshme, sa herë që kishte thatësirë ose rritje të konsumit, Shqipëria detyrohej të importonte energji me çmime shumë të larta. Me shtimin e prodhimit nga fotovoltaikët, importet janë më të ulëta, shteti dhe OSHEE shpenzojnë më pak valutë dhe bizneset përballen me më pak rrezik nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.

Kjo është shumë e rëndësishme, në një periudhë kur lufta në Iran ka rritur pasigurinë në tregjet energjetike.

Me qindra biznese të konsoliduara shqiptare, sidomos fabrika, hotele, qendra tregtare dhe plantacione me sera, kanë instaluar panele diellore në tre vitet e fundit. Si rezultat, ato blejnë më pak energji nga rrjeti, janë më pak të ndikuara nga çmimet e larta të naftës dhe i ruajnë kostot e prodhimit dhe çmimet të përballueshme për konsumatorët. Kjo ka ndihmuar që inflacioni në Shqipëri të mos rritet aq shumë sa në vende të tjera.

Projektet më të mëdha fotovoltaike tek ne
Projekti Zona Kapaciteti Statusi në 2025
Karavasta Solar Park Fier 140 MW Në funksion të plotë
Spitalla Solar Park Durrës 100 MW Në ndërtim/faza e parë
Impiantet në Akërni Vlorë 70 MW Në funksion
Parqe private në Lushnjë dhe Fier Fier-Lushnjë 85 MW Në funksion
Panele në biznese dhe banesa Gjithë vendi 225 MW Në zgjerim
Karavastaja mbetet projekti më i madh fotovoltaik në Shqipëri dhe një nga më të mëdhenjtë në Ballkan.

Fotovoltaikët, turizmi dhe mbarë ekonomia

Turizmi është një nga sektorët që konsumon më shumë energji gjatë verës. Hotelet, restorantet dhe resortet përdorin shumë energji për ajër të kondicionuar, ndriçim dhe ujë. Dhe pikërisht, gjatë muajve të verës, kur ka më shumë diell dhe më shumë turistë, prodhimi nga fotovoltaikët arrin kulmin. Kjo ka ndihmuar që kostot e hoteleve të mos rriten shumë, çmimet për turistët të mbeten relativisht të qëndrueshme dhe sektori të mos goditet rëndë nga rritja e çmimeve të energjisë.

Duhet ta theksojmë se në shumë sektorë të ekonomisë shqiptare, sidomos në shërbime dhe industri të lehta, përdorimi i energjisë elektrike është më i rëndësishëm se përdorimi i naftës. Dhe duke qenë se energjia elektrike tek ne prodhohet kryesisht nga hidrocentralet(90 përqind) dhe gjithnjë e më shumë nga fotovoltaikët(10 përqind), vendi është më pak i ekspozuar ndaj rritjes së çmimit të naftës, sesa ekonomitë që varen nga termocentralet me naftë ose gaz.

Gjatë vitit 2025 dhe muajve të parë të vitit 2026, Shqipëria ka pasur rritje të të hyrave(të ardhurave) nga turizmi, duke shkuar në 5.7 miliardë euro vetëm gjatë vitit të kaluar, ose 15 përqind më shumë se viti 2024. Kjo e ka ndihmuar ekonominë tonë të përballojë më mirë kostot më të larta të importeve të naftës dhe energjisë.

Në krahasim me krizën energjetike të viteve 2022–2023, Shqipëria përballet me krizën e naftës 28 shkurt-1 prill 2026 me inflacion më të ulët, kurs më të fortë të lekut dhe bilance më të mira në sektorin e energjisë. Kjo do të thotë se ekonomia ka më shumë hapësirë për të absorbuar goditjen nga çmimet e larta të naftës.

Për ta mbrojtur ekonominë nga një krizë më e thellë energjetike, qeveria duhet të vazhdojë investimet në fotovoltaikë dhe energji të rinovueshme, të nxisë më fort dhe lehtësojë instalimin e paneleve diellore në familje dhe biznese, si dhe të përmirësojë transportin publik dhe përdorimin e automjeteve elektrike.

Pse avancuam me energjinë si e do BE?

Nga Fatos Çoçoli

Sipas raportit të Komunitetit të Energjisë për vitin 2025, ky vit shënoi një hap të rëndësishëm për Shqipërinë në drejtim të integrimit në tregun energjitik europian. Ky avancim nuk ishte rezultat i një faktori të vetëm, por i një kombinimi reformash, investimesh dhe zhvillimesh gjeopolitike që e shtynë vendin më pranë standardeve dhe mekanizmave të Bashkimit Europian për energjinë.

Raporti theksoi se vendi ynë eci në liberalizimin e tregut energjitik, duke i ndarë më qartë funksionet e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes. Po ashtu, u rrit roli i operatorëve të pavarur dhe u zgjerua tregu i lirë për konsumatorët e mëdhenj. Sipas Komunitetit të Energjisë, këto reforma janë në përputhje me paketat energjetike të Bashkimit Evropian dhe me vetë kërkesat e Komunitetit të Energjisë.

Futja në funksion të plotë e bursës së energjisë ALPEX
Një zhvillim kyç në energjinë tonë për vitin e kaluar ishte konsolidimi i bursës së përbashkët të energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë ALPEX. Kjo bursë po na mundëson tregtimin transparent të energjisë, përcaktimin e çmimeve sipas kërkesë-ofertës dhe gradualisht integrimin në tregun rajonal dhe europian. Ajo rriti ndjeshëm me 1.8 herë vëllimin e transaksioneve shitje-blerje nga viti 2024 në vitin 2025, duke kapur shifrën e 370 milionë eurove vitin e kaluar.

Vëllimi tregtar i ALPEX 2024-2025
2024 – 205.3 milionë euro
2025 – 369.5 milionë euro

Zhvillimet kryesore për ALPEX gjatë vitit 2025 kanë qenë disa. Së pari, bursa shtoi volumin e tregtimit. U rrit ndjeshëm numri i transaksioneve në tregun “day-ahead”(shitjet një ditë përpara), ndërsa nisi aktivitetin dhe tregu “intra-day” (shitjet brenda ditës). Pjesëmarrja e operatorëve privatë nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe disa kompani rajonale sollën zgjerimin e tregut dhe përmirësuan likuiditetin e tij. Kjo e bëri bursën më funksionale dhe më të besueshme.

Së dyti, bursa realizoi zgjerimin e pjesëmarrësve në treg. Përherë e më shumë furnizues, tregtarë dhe prodhues nga Shqipëria dhe Kosova hynë në bursë. Kjo solli interes në rritje nga kompani rajonale dhe ndihmoi në formimin e çmimeve më reale. Çmimet filluan të reflektojnë më mirë kushtet reale të tregut dhe pati ulje e ndikimit të marrëveshjeve bilaterale jo-transparente. ALPEX realisht kontribuoi në rritjen e transparencës dhe besimit.

Së treti, bursa po realizon integrimin gradual me tregjet rajonale. Autoritetet shqiptare dhe kosovare në bursë po përgatiten “market coupling”(depërtimi në treg) me vendet fqinje dhe po përafrojnë rregullat e funksionimit me standardet e Bashkimit Evropian.

Së katërti, ALPEX është një nga projektet më konkrete të integrimit ekonomik mes dy vendeve tona, duke realizuar koordinim të mirë të operatorëve të transmetimit OST në Shqipëri dhe KOSTT në Kosovë dhe duke optimizuar përdorimin e burimeve energjetike, pasi Shqipëria me energji kryesisht hidro dhe Kosova me energji termo nga termocentralet, krijojnë një përputhshmëri natyrore.

Me çmimet e shitjes të publikuara dhe të verifikueshme, ALPEX po realizon uljen e ndjeshme të informalitetit në treg, duke e alokuar më mirë energjinë dhe duke pakësuar kostot e panevojshme

Së pesti, bursa e përbashkët e energjisë Shqipëri-Kosovë jep siguri më të madhe energjetike, me mundësi më të mira për balancim të sistemeve të të dyja vendeve dhe me reagim më i shpejtë ndaj krizave të mundshme.

Sfidat e ALPEX 2026-2028
likuiditet ende i kufizuar krahasuar me bursat europiane
dominim i prodhimit nga hidrocentralet (Shqipëria) dhe termocentrale (Kosova)
nevoja për më shumë pjesëmarrës ndërkombëtarë
zhvillimi i mëtejshëm i tregut “intra-day”
Pas konsolidimit në vitin 2025, hapat e radhës për ALPEX janë lidhja me bursat e rajonit (Greqi, Itali, Ballkan), rritja e mëtejshme e volumit të tregtimit, integrimi i energjisë së rinovueshme dhe avancimi drejt tregut të përbashkët të BE-së.

ALPEX është një hap konkret drejt integrimit me tregun e përbashkët europian të energjisë.

Rritja e ndërlidhjes rajonale dhe fokus i shtuar në energjinë e rinovueshme

Gjatë vititi 2025, Shqipëria përmirësoi ndjeshëm infrastrukturën e interkoneksionit, përmes linjave ekzistuese me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Malin e Zi, si dhe projekteve të reja për zgjerim dhe modernizim të rrjetit dhe shtim të kapaciteteve për shkëmbim energjie.

Kjo po e bën gradualisht vendin tonë pjesë aktive të tregut rajonal dhe më të integruar me BE-në.

Nga ana tjetër, Shqipëria avancoi në projekte të reja fotovoltaike dhe eolike(Parku eolik i Tropojës), në ankande për energji të pastër dhe në diversifikim përtej hidroenergjisë. Këto veprime, sipas Raportit të Komunitetit të Energjisë, përputhen plotësisht me Agjendën e Gjelbër.

Kriza energjetike e viteve të fundit 2022–2025 nxiti nevojën për tregje më të integruara dhe rriti rëndësinë e sigurisë energjetike, duke përshpejtuar bashkëpunimin rajonal. Vendi ynë eci në të tre këta përbërës.

Me rritjen e rolit strategjik në rajon, falë pozicionit gjeografik, burimeve hidrike dhe potencialit për energji të rinovueshme, Shqipëria po shihet gjithnjë e më tepër si një vatër energjitike rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Në të njëjtën kohë, vendi po përgatitet të hyjë në skemën evropiane të tregtimit të emetimeve të karbonit (ETS), përmes ngritjes së sistemit të monitorimit, raportimit dhe verifikimit (MRVA), në përputhje me acquis communautaire të BE-së. Ky hap konsiderohet thelbësor për afrimin me standardet klimatike evropiane.

Ndal abuzimit me naftën!

Nga Fatos Çoçoli

Më 4 mars 2026, në disa pika shitjeje me pakicë të karburanteve në Tiranë çmimi i naftës arriti 179 lekë për litër, nga 175 lekë për litër që tregtohej më parë. Çmimi u rrit me 4 lekë.

Rritja e menjëhershme e çmimit të karburanteve në Shqipëri vetëm pesë ditë pas përshkallëzimit të konfliktit në Iran, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksionon tregu i hidrokarbureve në vend. Në shumë raste, reagimi i çmimeve në tregun vendas duket më i shpejtë se vetë zhvillimet reale në tregjet ndërkombëtare, duke krijuar dyshime për abuzim dhe mungesë transparence. Ndërsa e kundërta nuk ndodh asnjëherë. Pra, kur çmimi i naftës në tregjet ndëkombëtare bie, ai pothuajse asnjëherë nuk bie edhe tek ne. Në raste shumë të rralla dhe vetëm pasi të kenë kaluar disa javë.

Nuk mund të rritet karburanti sa hap e mbyll sytë!

Lufta ajrore në Iran ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të naftës, pasi rajoni është një nga qendrat kryesore të prodhimit dhe transportit të energjisë në botë. Megjithatë, efektet reale të një krize të tillë në çmimet ndërkombëtare zakonisht reflektohen gradualisht dhe varen nga faktorë të tillë, si ndërprerja e furnizimit, reagimi i tregjeve financiare dhe vendimet e vendeve prodhuese, sidomos të organizatës OPEC. Dhe vendimet e OPEC të këtyre ditëve janë për rritje prodhimi, pra për lehtësim dhe ulje të lehtësim të çmimit ndërkombëtar të naftës.

Në këtë kontekst, rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri vetëm pesë ditë pas nisjes së konfliktit është vështirë të justifikohet ekonomikisht. Karburanti që shitet në tregun vendas është importuar më herët, me çmime të përcaktuara në kontrata dhe në tregje që nuk ndryshojnë brenda natës. Pra, çmimi i karburantit që ndodhet aktualisht në depo dhe në pikat e shitjes nuk mund të jetë blerë me çmimet e reja që mund të krijohen nga tensionet gjeopolitike.

Çmimet nuk janë rritur në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi

Ky fenomen është vënë re shpesh vetëm në tregun e karburanteve të Shqipëri. Gazetarë të ekonomisë në Prishtinë, Shkup dhe Podgoricë raportojnë se nuk ka lëvizje në çmimet e naftës në vendet e tyre. Vetëm tek ne çmimet rriten menjëherë kur ka tensione apo pritshmëri për rritje në tregjet ndërkombëtare, por ulen shumë më ngadalë kur çmimet globale bien. Kjo sjellje krijon perceptimin e një tregu që nuk funksionon plotësisht sipas rregullave të konkurrencës së lirë.

Pasojat për ekonominë janë të drejtpërdrejta. Rritja e çmimit të karburanteve ndikon menjëherë në koston e transportit, në çmimet e produkteve ushqimore dhe në inflacionin e përgjithshëm. Në një ekonomi si ajo shqiptare, ku një pjesë e madhe e mallrave transportohen me rrugë dhe ku shumë biznese varen nga karburanti, çdo rritje e pajustifikuar rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët dhe bizneset.

Në këtë situatë, roli i institucioneve mbikëqyrëse bëhet thelbësor. Autoriteti i Konkurrencës, institucionet fiskale dhe strukturat e kontrollit të tregut duhet të analizojnë me kujdes nëse lëvizjet e çmimeve janë të justifikuara nga faktorët e tregut apo nëse kemi të bëjmë me sjellje spekulative. Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar drejt menjëherë, duke deklaruar se do të kontrollojë pikat e shitjes me pakicë. Në këto pika nuk duhet të jetë vetëm ai, por edhe inspektorati përgjegjës për tregjet industriale tek ne.

Transparenca në formimin e çmimeve është një kërkesë legjitime e qytetarëve. Ata duhet ta dinë se sa është çmimi i importit, sa janë taksat dhe sa është marzhi i fitimit në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit.

Lufta ajrore në Iran patjetër që ndikon dhe do vijojë të ndikojë në çmimet e energjisë, por rritja e menjëhershme e çmimeve në tregun vendas pa një reflektim real të kostove krijon dyshime të forta për abuzim. Një treg i drejtë kërkon konkurrencë reale, transparencë dhe institucione që reagojnë në mbrojtje të interesit të qytetarëve.

Pse na vlerëson Komuniteti i Energjisë?

Nga Fatos Çoçoli

Më 2 mars 2026, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vlerësoi dorëzimin nga Shqipëria të Dokumentit të Angazhimit për Dekarbonizimin e Sektorit të Ngrohjes dhe Ftohjes, si një sinjal të qartë politik dhe teknik për përshpejtimin e tranzicionit energjetik të vendit.

Vlerësimi nuk është formal. Ai lidhet me faktin se për herë të parë Shqipëria e trajton këtë sektor në mënyrë të strukturuar dhe afatgjatë. Po pse ka rëndësi ky dokument për Shqipërinë?

Ngrohja dhe ftohja nuk janë çështje dytësore.

Ato përbëjnë rreth një të tretën e konsumit final të energjisë në vend dhe në vlerë tregu i kalojnë 600 milionë eurot në vit. Aktualisht, vetëm 22–23% e kësaj kërkese mbulohet nga burime të rinovueshme. Kjo do të thotë se një pjesë shumë e madhe e energjisë që përdorim çdo ditë në shtëpi, zyra dhe ndërtesa publike, në nivele dhjetra milionë euro, ka ende potencial të madh për ekonomizim dhe modernizim.

Duke u fokusuar tek ky sektor, Shqipëria nuk po përmbush vetëm një detyrim ndaj Komunitetit të Energjisë, por po realizon tre drejtime kyçe të “Marrëveshjes së Gjelbër(në anglisht Green Deal”) të Bashkimit Evropian, për uljen e emetimeve të dyoksidit të karbonit, për kursimin e energjisë dhe për rritjen e eficiencës së saj në jetën e përditshme.

Tre drejtimet kryesore të reformës në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes

Nga analiza e raportit, del qartë se dokumenti nuk është një tekst vetëm me deklarata, por vendos themelet për reforma konkrete.

Së pari, ai ndërton një planifikim të strukturuar. Për herë të parë krijohet një hartë e detajuar e kërkesës për ngrohje dhe ftohje në nivel bashkie, duke analizuar densitetin e energjisë dhe potencialin për zhvillim. Deri më sot, sektori i ngrohjes në Shqipëri ka funksionuar kryesisht në mënyrë individuale dhe të fragmentuar. Çdo familje ka zgjedhur zgjidhjen e vet, pa pasur një qasje të koordinuar.

Me këtë dokument, ngrohja dhe ftohja trajtohen si sektor më vete. Vendimmarrja mbështetet në të dhëna konkrete dhe jo në vlerësime të përgjithshme. Bashkitë mund të identifikojnë zonat me përqendrim të lartë kërkese dhe të planifikojnë ndërhyrje specifike. Për më tepër, raporti përfshin skenarë zhvillimi deri në vitin 2050, duke analizuar se si do të ndryshojë kërkesa nëse vazhdohet me modelin aktual apo nëse ndërmerren masa për eficiencë. Kjo i jep politikës energjetike të Shqipërisë një horizont afatgjatë dhe stabilitet.

Së dyti, dokumenti orienton sektorin drejt teknologjive të pastra dhe me rendiment të lartë. Për ujin e ngrohtë që përdoret për nevoja të përditshmërisë, panelet diellore identifikohen si një nga opsionet më të leverdishme për Shqipërinë, duke pasur parasysh potencialin e lartë diellor të vendit. Kombinimi i tyre me pompat e nxehtësisë rrit eficiencën dhe ul kostot në afatgjatë. Për ngrohjen e ambienteve, pompat e nxehtësisë konsiderohen si teknologji tranzicioni që mund të zëvendësojnë sistemet tradicionale me konsum më të lartë energjie dhe me emetime më të mëdha.

Në zona urbane me densitet të lartë, raporti evidenton sistemet e ngrohjes qendrore me biomasë apo zgjidhjet hibride si alternativa kosto-efektive. Kjo do të thotë se zgjidhjet nuk janë uniforme për gjithë vendin, por përshtaten sipas karakteristikave të çdo zone. Reforma teknike që propozohet është e qartë: kalim gradual nga sisteme individuale joefikase drejt teknologjive më moderne, me rendiment më të lartë dhe me ndikim më të ulët mjedisor.

Së treti, dokumenti krijon një kornizë që orienton investimet, si ato publike dhe private. Ai nuk kufizohet në analizë teknike, por identifikon zonat prioritare dhe teknologjitë më kosto-efektive, duke i dhënë qartësi tregut, se ku duhet të përqendrohen fondet. Kjo është e rëndësishme sepse investimet në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes janë afatgjata dhe kërkojnë stabilitet rregullator.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë e ka theksuar se dokumenti dërgon sinjale të qarta për partnerët e zhvillimit dhe institucionet financiare. Kjo do të thotë se Shqipëria po krijon një mjedis më të parashikueshëm për projekte të gjelbra, duke e integruar sektorin e ngrohjes në politikat kombëtare të energjisë dhe klimës dhe duke e lidhur atë me objektivat europiane.

Ngrohja dhe ftohja: përparësi strategjike e Shtetit

Rëndësia e këtij dokumenti nuk qëndron vetëm në aspektin teknik. Ai e ndryshon mënyrën se si e konceptojmë politikën energjetike të vendit tonë.

Për shumë vite, diskutimi është përqendruar kryesisht tek prodhimi i energjisë, sidomos tek burimet e rinovueshme në sektorin elektrik. Ky dokument e zhvendos fokusin tek konsumi final, aty ku krijohet realisht kostoja për familjet dhe gjenerohet ndikimi mjedisor. Politika energjetike nuk matet më vetëm me kapacitet të instaluar, por me eficiencën e përdorimit të energjisë në çdo shtëpi dhe çdo ndërtesë.
Dokumenti krijon gjithashtu stabilitet dhe besueshmëri. Kur një vend paraqet një analizë të plotë me skenarë afatgjatë dhe me drejtim të qartë zhvillimi, ai tregon se politikat nuk do të jenë të përkohshme apo të rastësishme. Dhe është pikërisht ky elementi që e rrit besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të investitorëve.
Një tjetër dimension është ai institucional. Ngrohja dhe ftohja nuk trajtohen më si çështje private e familjeve, por si pjesë e planifikimit kombëtar. Kjo e ngre sektorin nga një zgjedhje individuale në një prioritet strategjik të shtetit.

Ky dokument krijon një pikë reference. Ai vendos një bazë, mbi të cilën mund të maten progresi, investimet dhe rezultatet e një drejtimi themelor të politikës energjitike në vitet e ardhshme. Pa një plan të tillë, dekarbonizimi do të mbetej në nivel deklaratash. Me këtë dokument, ai hyn në fazën e zbatimit konkret.

❌