Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Protestat si pasqyrë për Lapajn dhe partitë e reja

Nga Shpëtim Luku

Protestat po i afrohen javës së tretë që nga nisja e tyre dhe, paradoksalisht, personi më i dëshpëruar nga kjo situatë mund të mos jetë Edi Rama, ndaj të cilit adresohet kërkesa për dorëheqje. Më të shqetësuar se ai mund të jenë pikërisht Adriatik Lapaj dhe drejtues të tjerë të forcave të reja politike.
Këto protesta po shërbejnë si një pasqyrë e qartë e peshës reale që aktorët e rinj politikë kanë në aftësinë për të mobilizuar qytetarët. Për muaj të tërë, Lapaj qëndroi në bulevard, duke organizuar takime të përditshme dhe duke bërë thirrje për pjesëmarrje. Megjithatë, përgjigjja qytetare ishte mospërfillje totale. Pavarësisht se kjo këmbëngulje mund të interpretohet si idealizëm apo vendosmëri, ajo shërbeu edhe si konfirmim i një fakti të pakëndshëm: shumica e qytetarëve nuk u ndje e frymëzuar për të protestuar nën drejtimin dhe organizimin e tij.

Diçka e ngjashme mund të thuhet edhe për Arlind Qorrin. Në momentin kur në qendër të Tiranës nisi të ngrihej ajo që u quajt simbolikisht “Mali i Dajtit”, ai u vu në krye të disa protestave, por ato mbetën të kufizuara në pjesëmarrje dhe pa ndikim të dukshëm në zhvillimet politike të vendit.

Sot ekziston ende paqartësi, por edhe një kureshtje e madhe, mbi organizatorët realë të protestave që kanë përfshirë Tiranën. Megjithatë, një gjë mund të thuhet me siguri: masa e madhe e njerëzve që po merr pjesë në to nuk duket se po vepron nën drejtimin e Lapajt, Qorrit, Agron Shehajt apo të ndonjë figure tjetër të partive të reja.

Arsyeja është e thjeshtë. Këta aktorë politikë e kanë testuar tashmë aftësinë e tyre mobilizuese në terren dhe rezultatet kanë qenë, deri më tani, të kufizuara. Impakti i tyre në elektoratin shqiptar ka ekzistuar, por në përmasa modeste, larg pretendimit për të përfaqësuar shumicën e pakënaqur.
Pikërisht për këtë arsye, protestat aktuale përbëjnë një sfidë të dyfishtë për Lapajn, Qorrin, Shehajn dhe forcat që ata drejtojnë. Nga njëra anë, ata nuk mund të pozicionohen kundër një lëvizjeje qytetare që artikulon pakënaqësinë ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, ata e kuptojnë se, nëse kjo energji shoqërore arrin të strukturohet politikisht jashtë tyre, ajo mund të prodhojë një alternativë të re, duke i lënë ata vetë në periferi.

Në këtë kuptim duhet parë edhe qëndrimi i Adriatik Lapajt, kur ai kërkon që flamujt partiakë të mos jenë të pranishëm në protestë. Në pamje të parë, kjo mund të interpretohet si dëshmi e dëshirës për ta ruajtur protestën nga instrumentalizimi politik dhe për t’i garantuar asaj një shtrirje sa më të gjerë qytetare. Por mund të lexohet edhe ndryshe. Mund të lexohet si shprehje e frikës se një identifikim i qartë politik i protestës mund të çojë në lindjen e një subjekti të ri opozitar, jashtë kontrollit të partive ekzistuese.

Sepse, në mënyrë krejt të natyrshme, një kontingjent i madh protestues krijon nevojën për përfaqësim elektoral. Nëse kjo energji kanalizohet drejt krijimit të një opozite të re, perspektivat politike të partive të Lapajt, Qorrit dhe Shehajt do të errësoheshin edhe më tej. Madje, një zhvillim i tillë do të vinte në pikëpyetje edhe rolin e Partisë Demokratike si forca kryesore e opozitës zyrtare.
Për këtë arsye, sado protagonistë të përpiqen të shfaqen në raport me protestat, aq më të shqetësuar mund të jenë në planin e brendshëm. Sepse mbarëvajtja e protestës dhe interesi politik i partive të tyre nuk ecin domosdoshmërisht në të njëjtin drejtim. Sa më shumë të rritet mundësia që pakënaqësia qytetare të prodhojë një përfaqësim të ri politik, aq më shumë zbehen perspektivat e aktorëve që, deri dje, pretendonin se ishin vetë alternativa e re.

Kur nuk kalon stekën nuk i kërkohet Duplantis të tërhiqet

Nga Shpëtim Luku

Pak kohë më parë kam bërë një krahasim mes kryeministrit Edi Rama dhe atletit suedez Armand Duplantis. Për ata që nuk e njohin, Duplantis është kërcyesi me shkop që ka thyer mbi 15 rekorde botërore. Është një nga më të mirët e historisë së atletikë, një atlet fenomenal. Ai nuk hyn në garë për të pyetur e sqaruar veten nëse do të fitojë apo jo. Kjo është pothuajse e ditur. Sfida e tij është nëse do të thyejë edhe një rekord tjetër.

Shumë vetë mund të nënqeshin me këtë krahasim. Por ai nuk synon të ngrejë në piedestal një figurë politike. Ai synon të përshkruajë një realitet. Në CV-në politike të Edi Ramës figurojnë tre fitore si kryetar bashkie dhe katër fitore si kryeministër, pa llogaritur beteja të tjera elektorale të fituara në krye të Partisë Socialiste. Ai regjistron vetëm një humbje, edhe atë në një garë ku rezultati fillestar e nxirrte fitues me një diferencë minimale ndaj Lulëzim Bashës, për t’u përmbysur më pas në një proces administrativ tepër të debatueshëm.

Mund të ketë shumë njerëz që nuk e pëlqejnë Edi Ramën. Mund të ketë të tjerë që e konsiderojnë përgjegjës për një sërë problemesh të vendit. Këto janë qëndrime legjitime në një shoqëri demokratike. Por një gjë mbetet fakt: në terrenin politik shqiptar, ai është lojtari më i fortë i dy dekadave të fundit.

Të mos e pranosh këtë realitet do të thotë të gënjesh veten. Por politika është fusha ku vetëgënjimi ndëshkohet më shpejt se kudo tjetër.

Pikërisht për këtë arsye, nuk mund t’i kërkohet atij të largohet. Nuk mund t’i thuhet: “Ik!”. Jo sepse është i pazëvendësueshëm, por sepse në demokraci askush nuk zëvendësohet duke i kërkuar të lërë vendin bosh. Kundërshtari duhet mundur në fushë.

Në sport askush nuk do ta merrte seriozisht një atlet që, duke mos qenë në gjendje të kapërcejë stekën, do t’i kërkonte Duplantisit të tërhiqej nga garat. Askush nuk do të pranonte që kampioni të largohej vetëm sepse të tjerët nuk arrijnë të konkurrojnë me të. Përkundrazi, atletët përpiqen të stërviten më shumë, të përmirësohen dhe të gjejnë mënyra për t’u afruar me nivelin e tij.

Politika nuk funksionon ndryshe. Nëse mendon se qeverisja është e gabuar, atëherë duhet të ndërtosh një alternativë më të mirë. Nëse beson se një lider ka konsumuar misionin e tij, atëherë duhet të prodhosh një lider më bindës. Nëse pretendon se shumica e shqiptarëve duan ndryshim, atëherë duhet t’i bindësh ata me ide, me ekip dhe me vizion.

T’i kërkosh kundërshtarit të largohet pa e mundur është, në thelb, pranimi i paaftësisë për ta sfiduar atë.

Protestat e fundit në Tiranë tregojnë se ekziston një pakënaqësi reale dhe se ka ende “brumë” për të gatuar një forcë të re politike. Por mes pakënaqësisë dhe pushtetit ekziston një rrugë e gjatë. Zemërimi nuk mjafton. As entuziazmi nuk mjafton. Thirrjet për largim jo e jo.

Duhet organizim. Duhet program. Duhet lidership. Duhet besueshmëri. Dhe, mbi të gjitha, duhet aftësia për të fituar besimin e shumicës.

Demokracia nuk është arti për të zbrazur fushën e lojës nga kundërshtari. Demokracia është aftësia për ta mundur atë në një garë të ndershme, duke respektuar rregullat që vetë loja ka vendosur.

Derisa kjo të ndodhë, Edi Rama do të vazhdojë të jetë ai që është sot: lojtari që fiton garat. Dhe ata që duan ta zëvendësojnë do të duhet të bëjnë atë që bëjnë të gjithë sfidantët e vërtetë: të përgatiten për ta mundur, jo t’i kërkojnë të largohet.

Sepse kampionët nuk ikin nga pista. Ata zbresin prej saj vetëm kur dikush arrin t’i mposhtë.

Protestat, “lënda e parë” pa “makineri”

Nga Shpëtim Luku

Edi Rama nuk ka pse të jetë i habitur nga përmasat e protestës që vijon prej pesë ditësh në Tiranë dhe që pati si shkak fillestar Zvërnecin.

Nuk ka pse të mundohet të identifikojë motivimet apo organizatorët e saj. Sepse ai duhet ta dijë më mirë se kushdo tjetër se sa i madh është rezervuari i pakënaqësisë që është krijuar gjatë viteve të fundit.

Një qeverisje e shoqëruar nga perceptimi i një korrupsioni të përhapur, nga polarizimi i skajshëm social, nga përqendrimi i pasurisë në duart e një grupi të vogël njerëzish, nga shërbime publike që vazhdojnë të mbeten të dobëta, nga një sistem drejtësie i korruptuar dhe i paralizuar, nga investime infrastrukturore që gllabërojnë fonde pa sjellë përmirësime proporcionale në jetën e qytetarëve, prodhon në mënyrë të pashmangshme masa të mëdha të pakënaqurish.

Në fakt, kjo pakënaqësi nuk është ndonjë zbulim i ditëve të fundit. Ajo është evidentuar sistematikisht edhe në proceset zgjedhore. Prej vitesh, mbi gjysma e elektoratit shqiptar refuzon të marrë pjesë në votime. Ky nuk është thjesht tregues apatie politike.

Në masën më të madhe është tregues i mungesës së përfaqësimit. Janë qindra mijëra qytetarë që nuk gjejnë veten as tek qeveria dhe as tek opozita tradicionale.

Pikërisht këtu gjendet ajo që mund të quhet “lënda e parë” e një opozite të re. Një rezervuar i madh energjie politike që pret të marrë formë. Por historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se ekzistenca e lëndës së parë nuk mjafton. Për ta kthyer atë në forcë elektorale nevojitet “makineria”. Nevojiten autoritete morale, figura me besueshmëri publike, njerëz që jo vetëm artikulojnë pakënaqësinë, por janë në gjendje ta organizojnë dhe ta drejtojnë atë drejt një objektivi politik.

Dhe pikërisht këtu ka ngecur vazhdimisht Shqipëria.

Pakënaqësia ka ekzistuar pothuajse gjithmonë. Revolta sociale nuk ka munguar. Por ndërmjet revoltës dhe alternativës ka ekzistuar një hendek i madh. Shpesh protestuesit kanë ditur shumë mirë kundër kujt janë, por shumë më pak se me kë janë.

Edhe protestat e tanishme duket se përballen me të njëjtin problem. Suksesi i tyre maksimal mund të jetë krijimi i një krize politike që do të çonte në zgjedhje të parakohshme. Por kush do ta përfaqësojë politikisht këtë energji?

Sepse si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike mbeten organizata të konsoliduara, me struktura, militantë, financa dhe elektorate relativisht të qëndrueshme. Ato mund të humbin ose të fitojnë mbështetje, por vazhdojnë të jenë makineri politike funksionale.

Ndërsa energjia që po shfaqet në protestë nuk është ende organizatë. Nuk është ende alternativë. Nuk është ende ofertë elektorale.

Nëse nesër do të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme, pyetja nuk është nëse ekziston një elektorat i pakënaqur. Kjo ka qenë dhe është e qartë. Por kush do ta kanalizojë atë. Kush do ta shndërrojë pakënaqësinë në projekt politik. Kush do ta kthejë revoltën në votë.

Kjo është dilema që Shqipërinë e ka shoqëruar prej dekadash. Vendi ka prodhuar vazhdimisht lëndë të parë politike, por shumë rrallë ka prodhuar autoritetet morale dhe lidershipin që mund ta përpunojnë atë. Ka pasur energji, por jo gjithmonë drejtim. Ka pasur pakënaqësi, por jo domosdoshmërisht alternativë.

Prandaj sfida reale e protestave nuk është mbushja e shesheve. Ajo është lindja e një autoriteti të ri politik e moral që të jetë në gjendje të përfaqësojë atë pjesë të Shqipërisë që prej vitesh ka zgjedhur të mos votojë. Vetëm atëherë lënda e parë mund të shndërrohet në forcë transformuese. Përndryshe, edhe kjo valë pakënaqësie rrezikon të mbetet thjesht një tjetër shpërthim energjie që prodhon zhurmë politike, por jo ndryshim politik.

Shumë arsye të ikë Rama, por asnjë arsye të vijë Berisha

Nga Shpëtim Luku

Me rizgjedhjen e afërt të Sali Berisha në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë, duket gjithnjë e më qartë se status quo-ja politike në Shqipëri do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Vendi drejtohet prej katër mandatesh nga i njëjti kryeministër, Edi Rama, dhe është krejt normale që një pushtet kaq i gjatë të prodhojë konsumim, lodhje dhe deformime në qeverisje.

Janë të shumta arsyet pse një rotacion politik do t’i shërbente vendit. Pas më shumë se një dekade në pushtet, qeveria është përballur me akuza të vazhdueshme për korrupsion, arrogancë administrative, kapje institucionesh, largim masiv të të rinjve, dobësim të meritokracisë dhe rritje të hendekut mes qytetarëve dhe shtetit. Edhe ata që dikur e mbështetën me bindje këtë qeverisje, sot kanë jo pak dyshime mbi energjinë dhe vullnetin e saj për të luftuar fenomenet negative që janë rrënjosur në administratë dhe në jetën publike.

Pra, arsyet pse Edi Rama duhet t’i hapë rrugë një alternative të re janë të shumta. Një vend demokratik ka nevojë për qarkullim elitash, për ide të reja, për energji të reja dhe për besim të ri publik. Asnjë pushtet i gjatë nuk mbetet imun ndaj konsumimit.

Por nëse ekzistojnë dhjetëra arsye pse Rama mund të largohet, nuk duket se ekziston asnjë arsye bindëse pse vendin duhet ta marrë sërish Sali Berisha.

Elektorati shqiptar i ka mbyllur llogaritë politike me të që në vitin 2013. Humbja e asaj kohe nuk ishte thjesht një rotacion i zakonshëm pushteti; ishte një refuzim i një modeli qeverisjeje që kishte prodhuar konsumim, polarizim të skajshëm dhe një bilanc të rëndë konfliktesh politike e sociale. Që prej asaj kohe, Berisha ka pasur disa mundësi për të provuar nëse shoqëria shqiptare kishte ndryshuar mendim për të. Rezultati ka qenë pothuajse i njëjtë: një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nuk e shohin më si alternativë për të ardhmen.

“Kurrë mos thuaj kurrë”, thotë një shprehje e njohur. Por në rastin e Sali Berisha, duket sikur një pjesë e madhe e elektoratit vazhdon të thotë: “kurrë më”.

Dhe pikërisht këtu qëndron drama e opozitës shqiptare. Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë, moderne dhe bindëse, jo për rikthime nostalgjike që prodhojnë vetëm përplasje të vjetra dhe riciklim figurash të konsumuara. Një opozitë që synon të fitojë duhet të ngjallë shpresë për të ardhmen, jo të rikthejë konfliktet e së shkuarës.

Prandaj, rizgjedhja e Berishës mund t’i shërbejë llogarive personale apo kontrollit të brendshëm të partisë, por vështirë se i shërben interesit publik. Sepse problemi i Shqipërisë sot nuk është vetëm largimi i një pushteti të konsumuar. Problemi më i madh është mungesa e një alternative që të bindë shqiptarët se e nesërmja mund të jetë realisht më e mirë.

Salianji si shembull për Lapajn

Nga Shpëtim Luku

Për Ervin Salianji nuk kam patur ndonjëherë simpati. Jo si person, por për mënyrën se si ai u katapultua në politikë. Një i porsadiplomuar, pa ushtruar asnjë ditë një profesion të caktuar, pa provuar veten në një fushë të caktuar të jetës publike, ai gjeti fijet e duhura për t’u integruar në politikë dhe për të bërë më pas kapërcimin e madh.

Në CV-në e tij politike Salianji ka tashmë dy mandate deputeti në Kuvendi i Shqipërisë. Për mua, jo vetëm në rastin e tij, por edhe në shumë raste të tjera të ngjashme, kjo ka qenë gjithmonë problematike. Sepse emërimi në poste kaq të larta menjëherë pas bankave të shkollës krijon një kontradiktë mes peshës së detyrës dhe përgatitjes reale të individit që e merr atë.

Presioni për të justifikuar postin, dëshira për të ndërtuar një perspektivë afatgjatë politike dhe për të mbetur protagonist në jetën publike e shtyjnë individin të jetë aktiv. Të jetë i dukshëm. Por kur niveli nuk i përgjigjet kësaj nevoje, atëherë shpesh ndodhin veprime të nxituara apo të pajustifikuara.

Megjithatë, kohët e fundit duket se Ervin Salianji është kthyer në shinat e një politikani normal. Të një politikani që lëviz, që shkon tek elektorati, që takon njerëzit dhe dialogon me ta. Të një politikani që përpiqet të krijojë kimi me qytetarët duke identifikuar dhe artikuluar problematikat që ka forca politike ku ai aderon, por që shpesh askush nuk ka guxim t’i thotë publikisht.

Nuk e di nëse ai do t’i arrijë qëllimet që ka pasur kur vendosi të ndërmarrë këtë rrugë politike. Por ajo që po bën sot është, pa dyshim, një veprimtari e mirëfilltë politike.

Këtë shembull duhet ta ketë parasysh edhe Adriatik Lapaj. Prej muajsh ai qëndron i stacionuar në bulevard, duke u lënë takim qytetarëve të vijnë tek ai. Por qytetarët nuk e kanë ndërmend të duken.
Në politikë ndodh e kundërta: nuk janë qytetarët që shkojnë tek politikani, por është politikani ai që duhet të shkojë tek qytetarët. Vetëm kështu ndërtohet një marrëdhënie besimi. Vetëm kështu formohet “ushtria” elektorale që mund të mbajë në këmbë një projekt politik.

Anti-Soros nuk është as vlerë, as aftësi, as program qeverisës

Nga Shpëtim Luku

Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit, mirëpo ndaj tij ka shpërthyer një stuhi e vërtetë. Edhe pse është zgjedhur konform procedurës përkatëse, duke marrë firmat e 38 deputetëve opozitarë dhe votat e atyre në pushtet, ai ka zgjuar një reagim të fortë kundër tij dhe kundër atyre deputetëve që e propozuan. Dhe e gjithë kritika kundrejt personit të tij përmblidhet vetëm në një akuzë: është Sorosist. Pra, nuk ka rëndësi nëse formimi dhe arsimimi i tij premton apo jo ta realizojë siç duhet këtë detyrë, nuk ka rëndësi fare nëse është diplomuar në një universitet të mirë britanik, nuk ka rëndësi që i përket një brezi të ri. Rëndësi mbi çdo gjë ka perceptimi që kanë jo pak vetë se ai është sorosist. Dhe këtu dalim tek fenomeni. Tek një dukuri që lulëzon prej vitesh, ku një pjesë e diskursit politik në Shqipëri është reduktuar në një skemë të thjeshtëzuar deri në absurditet: ndarjen e shoqërisë në pro Soros dhe anti Soros. Një ndarje artificiale kjo, por mjaftueshëm e zhurmshme për të zëvendësuar debatin real mbi demokracinë, shtetin dhe përgjegjësinë politike.

Në këtë këndvështrim të jo pak personave, burimi i çdo problemi shqiptar nuk është korrupsioni, nuk është paaftësia institucionale, nuk është mungesa e vizionit, por është Sorosi dhe sorosizimi. Ose për të qenë më të saktë, në perceptimin e këtyre njerëzve çdo gjë negative që ndodh në Shqipëri ka përgjegjës vetëm një emër: Sorosi. Sigurisht që kjo qasje e lehtëson jashtëzakonisht analizën politike pasi nuk kërkon argumente, nuk kërkon prova dhe mbi të gjitha nuk kërkon përgjegjësi.

Pasojë e drejtpërdrejtë e këtij reduktimi apo gjykimi të përciptë është relativizimi i meritës. Krijohet ideja se për të aspiruar poste të rëndësishme publike nuk është e domosdoshme të kesh formim, eksperiencë apo integritet, por mjafton një pozicionim ideologjik i zhurmshëm kundër një figure të demonizuar. Anti-sorosizmi shndërrohet kështu jo në bindje politike, por në kualifikim moral automatik.

Në vend që të diskutohet se kush është i aftë të drejtojë institucione, diskutohet se kush është në anën “e duhur” të narrativës. Në vend që të kërkohen programe dhe rezultate, kërkohen etiketime. Dhe kur etiketimet zëvendësojnë standardet, mediokriteti gjen terrenin më të përshtatshëm për t’u paraqitur si alternativë.

Ironia qëndron në faktin se kjo ndarje, e promovuar si luftë për demokracinë, në praktikë e varfëron atë. Demokracia nuk forcohet duke identifikuar armiq imagjinarë, por duke ndërtuar institucione funksionale dhe duke vendosur kritere të qarta për përfaqësimin dhe drejtimin publik.

Problemi i Shqipërisë nuk është nëse dikush është pro apo kundër Sorosit. Problemi është se, nën këtë perde ideologjike, vazhdon të shmanget pyetja thelbësore:

kush është i aftë, kush është i ndershëm dhe kush mban përgjegjësi për dështimet?

Derisa kjo pyetje të zëvendësojë etiketimin, demokracia shqiptare do të vazhdojë të humbasë përmbajtjen.

The post Anti-Soros nuk është as vlerë, as aftësi, as program qeverisës first appeared on JavaNews.al.

Revolucionet nuk bëhen me regjizura politike

Nga Shpëtim Luku

Deklarata e fundit e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, se opozita ka “forca për të bërë revolucion, por nuk do kufoma”, është një dëshmi kokëfortë e mënyrës sipërfaqësore dhe krejtësisht të gabuar me të cilën një pjesë e klasës politike e percepton dinamikën e ndryshimit shoqëror.

​Në thelb, kjo frazë lë të kuptohet se revolucioni është një ngjarje me porosi, një shfaqje e cila mund të “organizohet” thjesht duke mbledhur njerëz, duke i dhënë një emër bombastik trazirave dhe duke kontrolluar “efektet anësore”. Ajo që PD e quan mundësi për revolucion, në këtë optikë, duket se është thjesht mundësia për të stisur rrëmujëra të maskuara nën etiketën e ndryshimit të madh.

​Të gjykohet revolucioni si një mjet që mund të përdoret e të shmanget me vullnet, si një lëvizje shahu që mund të luhet ose të mos luhet, është një gabim themelor në llogaritje dhe në njohjen e historisë. Revolucionet nuk bëhen me regjizura. Ato nuk janë ngjarje të skenarizuara, ku liderët politikë fryjnë bilbilin dhe turma e pakënaqur rreshtohet për ndryshimin.

​Në fakt, revolucioni është një proces i thellë, shpesh i dhimbshëm, që ndodh vetëm kur janë pjekur kushte objektive të pakapërcyeshme si

​kriza ekonomike dhe sociale,

​humbja e legjitimitetit të pushtetit, pjekuria e ndërgjegjes së publikut etj.

​Historia, nga Revolucioni Francez e deri te ndryshimet e fundit në Evropën Lindore, tregon se flaka e revolucionit ndizet nga një akumulim i gjatë i këtyre faktorëve, dhe jo nga thirrja e momentit e një apo disa figurave politike.

​Kur një drejtues politik si Luçiano Boçi gjykon dhe përllogarit se me një fryrje bilbili mund të bëjë revolucion, ai e banalizon kuptimin e ndryshimit historik. Ajo që paralajmërohet nëpërmjet një deklaratë të tillë mund të jetë një demonstratë e fortë, një protestë e dhunshme, apo edhe një tentativë destabilizuese, pra gjithçka tjetër përveç revolucionit.

​Përdorimi i fjalës “revolucion” në këtë kontekst shërben më shumë si një justifikim moral për çdo akt që mund të ndërmerret, duke e ngritur atë në rangun e një detyre historike, pavarësisht nëse kushtet e vërteta për një gjë të tillë ekzistojnë.

​Në një demokraci (sado e brishtë qoftë ajo), ndryshimi kërkohet dhe arrihet nëpërmjet institucioneve, debatit publik, dhe votës. Të kërcënosh me revolucion ndërkohë që flitet për “menaxhimin e kufomave” është jo vetëm një lojë e rrezikshme me zjarrin, por edhe një pranim i nënkuptuar që mjetet demokratike janë lënë pas dore. Kjo frymë, e cila i sheh trazirat si mjet legjitim të parë, tregon se elita politike, në vend që të ofrojë zgjidhje strukturore dhe vizion, kërkon të transferojë dëshpërimin e saj elektoral në rrugë.

​Ndryshimi i vërtetë ndërtohet me mendim, program, dhe durim, jo me kërcënime skenarizimi të kaosit.

The post Revolucionet nuk bëhen me regjizura politike first appeared on JavaNews.al.

Propozimi idiot i Gjin Gjonit

Nga Shpëtim Luku

Gjin Gjoni ka hedhur idenë e grumbullimit të 15-20 mijë vetëve për të rrethuar Kryeministrinë derisa kryeministri Rama të “dorëzohet”. I pavetëdijshëm për përmasën e idiotësisë së këtij propozimi, ai e përsëriti idenë me krenarinë e dikujt që beson se ka bërë një shpikje brilante, ndërkohë që në thelb ajo është thjesht një ide… idiote.

Si një prurje e re në politikë, por një njeri i improvizuar në këtë profesion, Gjoni duhet ta dijë se politika nuk është fushë për improvizime të tilla, sikurse mund të jetë kalimi nga agronom apo veteriner në jurist. Në politikë, njësia matëse është besimi dhe simpatia e elektoratit, të cilat fitohen përmes qëndrimeve, fjalëve dhe veprimeve që përfaqëson. Dhe këto, në fund, verifikohen ditën e votimeve.

Propozime të tilla, si ai që bën deputeti i ri i PD-së, i përjashtuar më parë nga sistemi i drejtësisë, tregojnë një konceptim të politikës si një profesion matrapazësh, ku gjithçka blihet e shitet. Por nëse e bazon aksionin politik në këtë mënyrë, pse nuk mund ta zbatojë të njëjtin skenar edhe kundërshtari yt kur të jetë në opozitë? Nëse pushteti merret kaq lehtë, thjesht duke mbledhur 15 mijë vetë me pagesë, ku secili deputet kontribuon nga 1.500 euro për byrekë e sufllaqe, atëherë ky bëhet një skenar i mundshëm për këdo, qoftë për partinë e Tom Doshit apo të Agron Shehajt.

Por politika nuk është kjo. Politika është konsistencë, koherencë, moral, ndershmëri, integritet, simpati. Dhe këto nuk fitohen me turma të paguara, por verifikohen një herë në katër vjet, në kutitë e votimit.

The post Propozimi idiot i Gjin Gjonit first appeared on JavaNews.al.

Rasti Fatos Nano, kur etika e raportimit humbet para “skupit”

Nga Shpëtim Luku

Rasti klasik i gazetarisë, që shpesh citohet për të treguar fuqinë e vëzhgimit, lidhet me vdekjen e udhëheqësit sovjetik, Juri Andropov. Kur ai ndodhej në shtratin e vdekjes, korrespondentët ndërkombëtarë qëndronin në gatishmëri të plotë. Në atë klimë pritjeje, një gazetë prestigjioze amerikane guxoi të dilte me titullin: “Vdiq Juri Andropov”.

​Lajmi rezultoi i vërtetë, por gazetari nuk kishte burim zyrtar. I pyetur për burimin e kësaj ndërmarrjeje me rrezik të lartë, ai u përgjigj thjesht: “Pashë lëvizje të shqetësuara të anëtarëve të KGB-së gjatë gjithë natës, dritat e dhomës së spitalit ku ndodhej udhëheqësi sovjetik ishin gjithë natën ndezur, shtoji kësaj edhe faktin se ai ishte i sëmurë e vdekja pritej.” Ky vëzhgim brilant i dha gazetarit fitoren e madhe, por vendosi një standard të rrezikshëm.

​Ky rast i vëzhgimit të mprehtë është analog me situatën që po përjeton ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano, i cili po kalon një betejë serioze shëndetësore. Fatkeqësisht, ajo që shihet sot nuk është vëzhgimi brilant, por nxitimi i turpshëm dhe i neveritshëm: një portal dhe një figurë e njohur publike kanë nxituar t’ia bëjnë nekrologjinë njërës prej figurave më të moderuara të politikës shqiptare, duke shpallur vdekjen e tij pa asnjë konfirmim zyrtar.

​Edhe pse gjasat shëndetësore mund të jenë të pakta, shpallja e parakohshme e vdekjes është një veprim thellësisht joetik dhe çnjerëzor. Ajo shkel çdo parim të etikës gazetareske dhe tregon një mungesë totale respekti për dinjitetin e individit, familjes së tij, dhe publikut.

​Në vend të garës së egër për “skupin” më të shpejtë, duhet të mbizotërojë një ndjeshmëri themelore njerëzore. Lajmi i vdekjes është i rëndë dhe kërkon respekt, durim dhe konfirmim.

​Le të shpresojmë dhe urojmë që Fatos Nano t’ia dalë mbanë edhe kësaj here. Dhe njëkohësisht, le të shpresojmë që media jonë të mësojë të ndajë vëzhgimin e mprehtë profesional (rasti Andropov) nga etja e pamatur për klikime, e cila dhunon etikën.

The post Rasti Fatos Nano, kur etika e raportimit humbet para “skupit” first appeared on JavaNews.al.

Kostoja e shansit të dytë për Gazmend Bardhin e kompani

Nga Shpëtim Luku

Gazmend Bardhi, një nga figurat më të ekspozuara të PD-së në vitet e fundit, javën e kaluar bëri një paraqitje në Kuvend për të cilën vështirë se mund të ndihet krenar. Hedhja e shisheve me ujë dhe e kushtetutës në sallën plenare, në ditën kur duhej të diskutohej programi qeverisës, nuk ishte thjesht një akt proteste. Ishte një skenë që i mohoi publikut mundësinë të njihej me prioritetet e qeverisë, duke shndërruar një seancë parlamentare në një shfaqje të shëmtuar.

Reagimi publik ndaj kësaj sjelljeje nuk ishte aspak në favor të Bardhit. Opinioni, edhe ai më kritik ndaj mazhorancës, e pa me sy kritik shndërrimin e sallës plenare në një arenë zhurme e shisheve. Për qytetarët, të cilët prisnin të dëgjonin prioritetet e qeverisë, kjo skenë dha përshtypjen e një opozite që nuk ka argumente, por vetëm zhurmë. Kështu, Bardhi nuk fitoi as pikë politike, as simpati publike.

Në rastin e Bardhit, kjo sjellje është edhe më e pakuptueshme. Ai e di se akte të tilla nuk i shtojnë asnjë kredibilitet në opinionin publik. Përkundrazi, e paraqesin si një politikan që ka braktisur logjikën racionale dhe është kthyer tek retorika e forcës. Pyetja është: pse e pranon Bardhi një kosto të tillë?

Përgjigjja lidhet edhe me kontekstin e brendshëm të PD-së. Kriza e gjatë, ndarja në kampe dhe mungesa e një figure unifikuese e kanë bërë Bardhin të kërkojë çdo formë ekspozimi. Për një politikan në kërkim të peshës së munguar, të dukesh i gatshëm të “sakrifikosh” është më e rëndësishme se sa të mbash një profil serioz. Prandaj ai pranon ta paguajë këtë kosto, edhe pse është e qartë se nuk i shërben imazhit të tij publik.

Përgjigjja lidhet gjithashtu me atë që mund të quhet “shansi i dytë” i dhënë nga Sali Berisha. Është një praktikë e vjetër e tij: figurave që në një moment i dolën kundër, por më pas u dobësuan politikisht e elektoralisht, Berisha u ofron rikthimin. Jo sepse i respekton apo i vlerëson, por sepse i do të nënshtruar. Të ekspozuar nga gabimet e së shkuarës, të detyruar nga mirënjohja, këta kthehen në militantë më të zellshëm se militantët e zakonshëm.

Ky fenomen nuk është i ri. Përveç themeluesve të PDr dhe Arben Imamit, historia e PD-së njeh raste të ngjashme. E njëjta gjë ndodhi me Neritan Cekën, i cili sapo u “rehabilitua” i kthye në një skifter të Berishës, duke braktisur profilin intelektual, me të cilin krenohej aq shumë. Deri në megalomani. Pra, ata që zgjodhën të kthehen, përfunduan duke u shndërruar në zëra më të ashpër se vetë Berisha. Ky është modeli i përsëritur: kush kthehet, e bën gjithnjë me një militantizëm të shtuar, për të “shlyer” fajet e së shkuarës.

Historia e PD-së e ka treguar këtë model: me ish-themeluesit e PDr që u rikthyen si “të amnistuar”, apo me Arben Imamin, i cili pas rikthimit e tejkaloi vetë retorikën e Berishës. Sot, Gazmend Bardhi është shembulli i radhës. Agron Gjekmarkaj po ashtu. Xhelal Mziu po e po.

Në këtë kuptim, veprimet e Bardhit nuk janë thjesht shpërthime nervash apo akte të pakoordinuara. Ato janë çmimi që paguan për shansin e dytë. Dhe ky çmim, siç tregon e kaluara, është i lartë: humbja e pavarësisë njerëzore dhe shndërrimi në një instrument të përdorshëm sipas nevojës.

E ardhmja e Bardhit mbetet e paqartë. Nga njëra anë, shansi i dytë i jep një rol në skenën politike, duke e mbajtur të pranishëm në Kuvend e në media. Por nga ana tjetër, kjo rrugë ka një çmim të lartë: humbjen e profilit si figurë e pavarur. Nëse Bardhi vazhdon të paguajë këtë kosto, rrezikon të mbetet një figurë e konsumuar, e cila për hir të një rikthimi afatshkurtër sakrifikon perspektivën afatgjatë.

The post Kostoja e shansit të dytë për Gazmend Bardhin e kompani first appeared on JavaNews.al.

Politika shqiptare tashmë është “fair”

Nga Shpëtim Luku

Kohë më parë, kur Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Partinë e Lirisë të Ilir Metës, ndjeva se më në fund politika shqiptare kishte hyrë në fazën e saj më “fair”, jo në kuptimin e pastërtisë morale, por në kuptimin e qartësisë dhe sinqeritetit të pozicioneve politike.

Për shumë vite me radhë, Ilir Meta luajti një rol politik të dyfishtë: i pozicionuar si më i majtë se të majtët, ai arrinte të rrëmbejë vota nga elektorati i majtë, vetëm për t’i transferuar më pas ato vota në mënyrë të tërthortë drejt të djathtës, konkretisht Sali Berishës. Ky ishte një devijim i pastër i vullnetit elektoral, një mekanizëm për të çorientuar votuesin përmes një retorike të majtë, por një praktike të djathtë.

Analisti Ymer Minxhozi e ka përshkruar me një figuracion të goditur këtë sjellje: “Ilir Meta i ngjan atij shoferit që ndez sinjalin majtas, por merr kthesën djathtas.” Kjo metaforë përmblidhte me saktësi gjithë filozofinë politike të Ilir Metës në dy dekadat e fundit. Por ajo çka ndryshoi, ishte legalizimi i kësaj praktike: bashkëpunimi me PD-në tashmë nuk është më një lojë prapaskene, por një marrëveshje e nënshkruar publikisht. Maska ra. Shoferi tashmë nuk mban më sinjal.

Zgjedhjet e fundit treguan pasojat e kësaj sinqeriteti të vonuar: Partia e Lirisë mori vetëm 8 mijë vota në Tiranë, por siguroi tre mandate deputetësh, përmes një formule elektorale që shpërblen koalicionet, por që nuk fsheh dot dobësinë reale të forcës politike të Ilir Metës. Ajo që më parë dukej si peshë elektorale, u shfaq si sajesë taktike.

Nga ana tjetër, edhe në kampin demokrat, gjërat janë bërë më “fair”. Sali Berisha, ndonëse më parë kishte premtuar largim, nuk largohet. Tashmë nuk ka më përpjekje për të kamufluar qëllimin e tij për të qëndruar në krye të PD-së. Dhe ai as që përpiqet më ta mohojë këtë qëndrim. Më mirë kështu. Sepse çdo aktor politik duhet të kalkulojë objektivat e veta në funksion të realiteteve, jo të iluzioneve.

Demokratët nuk kanë më arsye të harxhojnë frymë kot duke i kërkuar liderit të tyre tërheqjen. Asnjë analizë, asnjë presion publik apo ndërkombëtar nuk do ta ndryshojë këtë fakt. Prandaj, forcat e reja politike që synojnë zgjerim elektoral duhet ta përfshijnë Berishën si faktor në llogaritjet e tyre. Po kështu edhe mazhoranca qeverisëse duhet ta ketë të qartë se opozita që ka përballë është e njëjta që ka patur që nga viti 2013 — me të njëjtën fytyrë, me të njëjtin stil, me të njëjtën frymë.

Kjo është një politikë më “fair” — jo sepse është më e drejtë apo më e ndershme, por sepse është më transparente. Tani çdo gjë është në dritë të diellit, dhe zgjedhësit e dinë më mirë se çfarë po zgjedhin. Në një klimë ku hipokrizia ka qenë standard, ndoshta qartësia është një hap përpara.

The post Politika shqiptare tashmë është “fair” first appeared on JavaNews.al.

“Mreti” i merkatos politike

Nga Shpëtim Luku

Në Shqipëri ka merkato futbollistike, ku lojtarët lëvizin nga një ekip në tjetrin. Ka merkato televizive, ku gazetarë apo moderator të ndryshëm emisionesh sot i shikon në një ekran televiziv e nesër i shikon në një ekran tjetër. Por prej kohësh ka edhe merkato politike. Merkato, ku politikanë të ndryshëm lëvizin sa nga një parti në tjetrën, sa nga një kamp politik, në tjetrin. Shembulli  më sinjifikativ dhe ilustrues i një merkatoje të tillë është deputeti i PD-së, Dashnor Sula. I cili fillimin e “famës” së tij në politikë e ka si tifoz futbolli i Shkumbinit duke nxjerrë pistoletën në stadium, për tu shndërruar papritur në yllin e merkatos politike të zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Pasi fitoi primaret e organizuara në qarkun e Elbasanit, ai përfundoi jashtë listave të mbyllura të partisë së tij, megjithëse sikurse thotë vetë ai, kishte qenë një ndër deputetët më aktivë të PD-së në legjislaturën që po përfundon. PD-ja e caktoi në listat e hapura, por Sula nuk e përtypi dot zhgënjimin, ndaj vendosi të kalojë tek koalicioni Nisma-Shqipëria bëhet. Por edhe aty,  fjalët e para të falenderimit  dhe premtimit për angazhim të plotë ia lanë vendin akuzave, duke dalë shpejt nga kjo manovër që e dëshironin fillimisht të dy palët.

Në funksion të përforcimit të statusit të tij si mbret i kësaj merkatoje politike shërben përpjekja e Berishës për ta tunduar dhe për ta mbajtur brenda oborrit të PD-së, pavarësisht se është ai shkaku që e detyroi Dashnor Sulën të shikojë dhe studiojë të gjitha mënyrat për të futur mandatin e deputetit në xhep.

As Berisha nuk do që të iki nga oborri i PD, pavaresisht se e la në zonën e listave të hapura të qarkut Elbasan.

Dhe dje e ftoi edhe Rama. Pra në një hark të shkurtër kohor Dash Sula na paraqitet si një “lojtar” që kaloi më shumë skuadra se disa futbollistë në një sezon merkatoje. Ky lloj “fluturimi politik”tregon se ai dhe të tjerë si ai, nuk kanë asnjë kauzë apo parim, por vetëm nevojë për mbijetesë personale. Megjithatë,  reality shoë politik i ditëve të fundit, natyrisht që stimulon një pyetje të rëndësishme: pse të gjithë aktorët kryesorë të politikës vrapuan pas Dashit, duke e bërë atë mbret të merkatos politike? Për të shpjeguar këtë duhet bërë pak retrospektivë.

Dashi ka hyrë në politikë në 2005 deri më sot (2025). Me një ndërprerje në 2013-2017 pasi në Peqin kandidoi Peza nga PS-ja dhe Aqif Rakipi, duke ia pamundësuar PD-së përfaqësimin e Dash Sulës në Parlament.

Atëhere Dash Sula flirtoi fshehtas me Qazim Sejdinin dhe Ramën për të marrë në tavolinë (gjatë numërimit) mandatin që ishte e Dash Sulës në radhë, por socialistët fituan në gjithë Shqipërinë dhe manovra e Dash Sulës për të marrë mandatin nga lista e PD, për tiu bashkuar PS, nuk kishte vlerë.

Duke e ditur këtë pjesë të sjelljes politike të Dash Sulës, tani që ai është sërish në pozitat e vitit 2013, Rama e joshi publikisht pasi me siguri komunikimi në distancë duhet të jetë riaktivizuar.

Dash Sula nuk e merr dot një mandat nga lista e hapur e PD-së, për shkak të efektit Aqif Rakipi në Peqin (votat e të cilit shkojnë për Saimir Hasalla), përndryshe do vijonte garën.

Ikja e Dash Sulës vërtetë nuk i jep PD një mandat më shumë këtë radhë në qarkun Elbasan, por votat e tij mund ti heqin asaj një mandat, nëse ai bashkohet me PS. Në këtë mënyrë PS mund të marrë për herë të parë pas vitit 1990, 9 mandate deputetësh (gjë që nuk e arriti dot për pak në zgjedhjet e 2021), kur udhëheqës politik ishte Taulant Balla

Duke marrë 9 mandate në Elbasan PS ka një avantazh të madh, jo vetem moral, por kjo ndikon edhe në rezultatin final në mbarë vendin, duke ditur që Elbasani është qarku përcaktues

Dhe Rama nuk do e linte që ti ikte kësaj here Dash Sulën sepse kërkon maksimizimin e rezultatit, duke mos qenë këtë radhë në entuziazmin e ndryshimit që ndodhi në vitin 2013.

Nëse realizohet kjo, atëhere PS në Peqin arrin një ndryshim rrënjësor: në 2013 edhe Aqif Rakipi (PDIU atëhere), edhe Dashnor Sula (PD) ishin kundër PS (kandidatit Peza). Pas 12 vitesh Peza nuk është më në PS dhe vendin e tij sot në forcën kryesore politike të Shqipërisë e kanë zënë opozitarët e atëhershëm të socialistëve dhe Edi Ramës.

Këto janë edhe arsyet që shpjegojnë pse Dash Sula është bërë si një produkt në ankand që kush ofron më shumë e merr.

The post “Mreti” i merkatos politike first appeared on JavaNews.al.

A janë prokurorët e SPAK heronjtë e fëmijëve tanë?

Nga Shpëtim Luku

SPAK mund të jetë një nga institucionet me më shumë pritshmëri nga publiku shqiptar. Mbi 3 dekada keqqeverisje, vjedhje e plaçkitje pa ndëshkim e bënin reformën në drejtësi domosdoshmëri. Zhvillimet e ditëve të fundit ku Gjin Gjoni, Adriatik Llalla apo Arjan Ndoi e të tjerë ish pjesëtarë të sistemit juridik shqiptar shfaqen të veshur me petk politik e kthen “no comment” diskutimin e mëtejshëm rreth nevojës uluritëse që egzistonte për një reformë në drejtësi. Tani çështja shtrohet nëse i ka përligjur apo jo kjo reformë pritshmëritë e qytetarëve? Dhe në veçanti SPAK.

Fatkeqësisht deri tani organet e drejtësisë janë zhgënjyese dhe më shkëlqyesi në këtë zhgënjim është pikërisht SPAK.

Ai duket si një institucion që po shpërdoron akuzën. Ai duket si një institucion ku mjaft prokurorë të tij nuk kanë as logjikë njerëzore, lëre pastaj logjikën profesionale. SPAK duket një institucion ku prokurorë të tij në mjaft raste janë të paaftë të veprojnë me paanshmëri e drejtësi. Në një vend ku janë vjedhur sistematikisht miliarda euro, SPAK ka për krenari të punës së tij dënimin e ish kryebashkiakut të Lushnjes për shkelje në tendera, vlera e të cilit ishte diku tek 200-300 mijë euro. Dënimin e ish kryebashkiakut të Bulqizës pse ky ka huazuar eskavatorin e bashkisë për një rregullim rruge. Dënimin e ish kryebashkiakut të Himarës për një tjetërsim prone, hetimin për ish kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahija për një shkarkim nga puna të një drejtori, hetimin dhe paraburgosjen e 24 punonjësve të Universitetit Bujqësor të Tiranës për një tender disa qindra mijë euro etj. Për të mos folur pastaj për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, i cili nuk është asgjë tjetër veçse një metodë feçoriste.

Një nga specialistët kryesorë të kriminalistikës para viteve 90 tregonte dikur se si ish ministri i Brendshëm Feçor Shehu futi praktikën e arrestimit pa prova, duke “arsyetuar” se ato, pra provat gjenden rrugës. Dmth sajoheshin rrugës nëpërmjet torturave, dëshmitarëve të manipuluar e metodave të tjera. Edhe SPAK duket qartë që ka vepruar sipas kësaj metode. Ndërsa shqyrtohej në apel kërkesa e Erion Veliaj për lehtësimin e masës së sigurisë, dy prokurorët e SPAK pretenduan për prova të reja, ndërkohë që këto të ashtuquajtura prova ishin siguruar nëpërmjet përgjimeve të tij në burg. Çdokush me logjikë elementare del në përfundimin që arrestimi i kryebashkiakut të kryeqytetit qenka bërë pa prova, përderisa ishte e nevojshme të gjendeshin prova të reja, ndërsa ai ishte i arrestuar.

Por kjo mani e SPAK për masën ekstreme të sigurisë ka patur viktimat e saj. Ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH u shpall i pafajshëm nga ana e Gjykatës së Strasburgut edhe pse bëri rreth 18 muaj burg. Dhe si ai ka edhe të tjerë, çka thekson nevojën që prokurorët dhe gjyqtarët duhet të lënë menjanë “shkathtësinë e kasapit” e të veprojnë me saktësi kirurgu duke u ngritur në nivelin e kërkuar prej juristi profesionist. Sepse parimi i drejtësisë është “më mirë 100 të fajshëm jashtë se sa 1 i pafajshëm brenda”.

Të vetëdijshëm se sytë e publikut janë tek SPAK, drejtuesit e tij duket se deri tani kanë vrapuar të krijojnë një bilanc suksesi nëpërmjet hetimit të çështjeve të vogla e të lehta. Por numri i vogël i prokurorëve nuk i jep luksin SPAK-ut të veprojë pa prioritete, pasi e ka të pamundur të rendë pas çdo abuzimi “qindarkash”. Pa u zbardhur çështja e të vrarëve të 21 janarit, një krim shtetëror i bërë live në bulevard apo tragjedia e Gërdecit nuk mund të ketë bilanc pozitiv të SPAK-ut. Nëse nuk godet majën e krimeve, çdo gjë tjeter është thjeshtë manovër për ti ardhur drejtësisë rrotull, pa e goditur asnjëherë në shenjë (në ballë).

Koha ecën dhe përpara SPAK-ut shfaqen disa sfida, të cilat ai duhet t’i përballojë në mënyrë që ai të mos humbë përfundimisht besueshmërinë e publikut shqiptar që aq shumë dëshiron ndëshkimin e personave të korruptuar e superkorruptuar. Njëra prej këtyre sfidave është eleminimi i perceptimit të tij si institucion selektiv. Nëse nuk heton të gjithë në mënyrë të barabartë, por fokusohet vetëm tek disa individë ose grupe të caktuara apo ndryshe me disa tregohet luan e me disa pulë ai do të humbasë legjitimitetin dhe do të konsiderohet një mjet politik, e jo një instrument i drejtësisë.

Sfida tjetër e madhe e SPAK-ut është arritja e dënimeve përfundimtare të forta. Sikurse thamë edhe më lart, e gjithë historia e qeverisjes së Shqipërisë ka qenë histori vjedhjesh dhe ato nuk ka se si të mos jenë në fokusin dhe prioritetet e prokurorëve. Mirëpo po qe se për çështje të nxehta nuk bëhen hetime apo bëhen hetime që zvarriten pambarimisht, por që nuk përfundojnë me dënime të forta, atëhere SPAK do rezultojë në sytë e publikut një institucion i paaftë për të çuar përpara luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pritshmëri të madhe ka publiku karshi SPAK edhe sa i takon konfiskimit të pasurive të paligjshme.

Nëse nuk arrin të sekuestrojë dhe konfiskojë realisht pasuritë e përfituara nga korrupsioni dhe krimi, SPAK rrezikon të konsiderohet si një institucion i pafuqishëm.

Qytetarët janë të etur të shohin rezultate konkrete, të ndjeshme e të prekshme në uljen e korrupsionit. Mungesa e tyre do t’a ekspozojë SPAK-un si një tjetër institucion jofunksional në një sistem drejtësie që nuk funksionon i gjithi si duhet. Shpresojmë të mos vijë koha që SPAK të etiketohet si një institucion që pati pritshmëri të mëdha nga publiku, por që nuk arriti të sjellë ndryshimin e rëndësishëm.

Zëra mediatikë me petka politike

Nga Shpëtim Luku

Një specialist i mirënjohur ekonomie, me të cilin kisha bashkëpunim si gazetar, u bë Ministër i Ekonomisë në një nga Qeveritë e mëparshme. Nuk vonoi shumë nga koha e uljes së tij në kolltukun ministror dhe në telefonin tim i shfaq numri i tij.

“Dëshiroj të vish të punosh me mua”, më tha sapo filluam bisedën.

“Nuk e bëj dot sepse unë jam gazetar”, i thashë, megjithëse duhet të pranoj se oferta e tij më la përshtypje shumë të mirë në aspektin e vlerësimit që ai më bënte.

“Gazetat aty i ke”- vazhdoi ministri.

Përsëri refuzova, duke i thënë atij se vërtet gazetat aty janë, por nëse do pranoj, nuk do jem unë më i përshtatshëm për gazetat.

Kjo është një histori, e cila më vjen natyrshëm ndërmend, sa herë shikoj persona që ngrysen “gazetarë” dhe gdhihen “politikanë”. Sa herë shikoj zëra mediatikë të veshur me petka politike. Sigurisht, arsyetimi im në atë kohë ishte idealist, bazuar në deontologjinë e profesionit. Por procesi i degradimit të medias, i mpleksjes dhe sherbesës politike të saj kishte filluar. Për të mbërritur në ditët e sotme ku forcat politike kanë analistët e tyre në panelet e emisioneve të ndryshme televizivë, ku gazetarë të ndryshëm janë anëtarë forumesh partiake ashtu sikurse edhe ish deputetë të ndryshëm kalojnë pa asnjë pengesë në gazetari. Ky ngatërrim i i gazetarëve me kaq lehtësi me politikën në forma të ndryshme, si këshilltarë, kandidatë deputetë, anëtarë forumesh, pjesëmarrës primaresh, të nxit pyetjen: A kanë qenë ata ndonjëherë realisht i pavarur, apo kanë pasur gjithmonë prirje politike të fshehura?

Në disa raste, ky kalim nga gazetaria në politikë mund të jetë i sinqertë – dikush që ka investiguar dhe raportuar për çështje të rëndësishme mund të vendosë të angazhohet drejtpërdrejt për t’i ndryshuar ato. Por në shumë raste të tjera, një gazetar mund të ketë ndërtuar profilin e tij si “i pavarur” vetëm për ta bërë veten më të besueshëm dhe më të vlefshëm për politikanët kur të vijë momenti për rekrutimin e tij.

Nëse një gazetar ka mbajtur një qëndrim etik dhe profesional gjatë kohës që ka qenë në media, kalimi në politikë nuk është domosdoshmërisht problem. Por nëse ka përdorur gazetarinë si një trampolinë për karrierën politike, atëherë kjo dëmton besueshmërinë jo vetëm të tij personalisht, por edhe të profesionit të gazetarit në tërësi. Dhe në një mjedis si Shqipëria, ku besimi te media është tashmë i brishtë-vetëm 30 për qind është besueshmëria e publikut ndaj saj- ky lloj oportunizmi vetëm sa e përkeqëson situatën.

Në fund, pyetja që duhet bërë është: A ka pasur ky gazetar ndikim real në denoncimin e problemeve apo thjesht ka përdorur mikrofonin apo tastierën e kompjuterit për interesa personale? Në kushtet e Shqipërisë ku shumica e mediave nuk kanë prioritet interesin e publikut, ku shërbesa ndaj politikës është e lexueshme dhe e dallueshme me lehtësi, edhe gazetarët e kësaj kategorie janë aktorë në një skenar të paracaktuar. Ky është realiteti. Një realitet revoltues, por jo befasues.

Pse “bojkot supermarketeve” është një iniciativë e dështuar?

Nga Shpëtim Luku

Sikurse mund ti ketë rënë në sy cdokujt, së fundmi është ndërmarrë një iniciativë e cila synon bojkotin e blerjeve nëpër supermarkete një ditë të muajit shkurt. Qëllimi sipas orgnizatorëve është protesta në këtë mënyrë ndaj cmimeve të larta me të cilat hasen konsumatorët nëpër supermarket. Sigurisht që konsumatorët kanë arsye legjitime për tu ankuar për cmimet e larta e po ashtu kanë edhe të drejtën për të reaguar. Mirëpo ankesat e tyre karshi cmimeve janë në unison edhe me ankesat e operatorëve të tregut për të mbajtur cmimet në nivele që për konsumatorin do të ishin të pranueshme. Kjo do të thotë që adresimi i shkakut pse cmimet e produkteve të ndryshme janë të larta është i gabuar. Ato nuk janë të tilla sepse konkurenca në retail nuk funsionon. Përkundrazi, funksionon shumë mirë, aq sab ëhet flajë për mbipopullim të sektorit me operatorë.

Ato nuk janë të larta prej grykësisë së pronarëve të kompanive për të fituar sa më shumë sepse këtë ia lejon struktura e tregut që nuk garanton konkurencë. Sikurse e kemi shpejguar edhe një një shkrim tjetër me këtë temë, tregu i supermarketeve përfshin rreth 800 operatorë. Kurse kompani të mëdha që menaxhojnë zinxhirë supermarketesh janë të paktën 8-9. Edhe bilancet e veprimtarisë së këtyre kompanive të mëdha dëshmojnë për aktivitete me rentabilitet të ulët, cka tregon se cmimet e larta nëpër supermarkete nuk janë pasojë e rritjes së marxheve të fitimit, por janë rrjedhojë e disa faktorëve të tjerë.

Së pari, sikurse e kemi shpjeguar edhe herë të tjera, cmimet e mjaft produkteve në Shqipëri janë të larta, më të larta se sa e disa vendeve të rajoni, pikërisht sepse vendi ynë aplikon TVSh për ushqimet në masën 20 për qind. Ndërkohë që vende të tilla si Italia, Kosova, Maqedonia, Serbia etj, aplikojnë TVSH për mjaft produkte ushqimore bazë nga 6-10 për qind.

Së dyti është kostoja e lartë e importit. Shqipëria importon shumicën e produkteve ushqimore dhe cmimet ndikohen nga kursi i këmbimit, tarifat doganore, cmimet ndërkombëtare etj.

Së treti është mungesa e ekonomisë së shkallës. Shqipëria është një treg i vogël, cka bën që zinxhirët e supermarketeve të mos përfitojnë nga blerjet me shumicë në të njëjtën shkallë si gjigandët ndërkombëtare.

Së katërti, biznesi i realizuar nga supermarketet dhe zinxhirët e e supermarketeve është tërësisht i formalizuar. Cka do të thotë që këta biznese i paguajnë tërësisht taksat, të cilat, sigurisht që shkarkohen në cmimin përfundimtar të produktit. Ndryshe nga marketet, minimarketet dhe dyqanet e tjera të lagjeve që nuk dijnë cfarë është fatura. Në këtë kuptim, rrjetet e supermarketeve ushtrojnë aktivitetin e tyre në kushtet kur pikërisht korrektesa fiskale dhe ligjore iu kthehet në dizavantazh konkurues.

Nga ana tjetër, kompanitë që tregtojnë nëpërmjet supermarketeve apo zinxhirit të supermarketeve kanë edhe kostot operacionale sikurse janë qiratë e objekteve, kostoja e transportit, kostoja e fuqisë punëtore etj. Dhe cmimet janë ato që janë. Pa patur fare hapësirë për të manovruar e për ti ulur disi ato. Sepse edhe kaq sa janë ato nuk i garantojnë kompanive operuese ndonjë rentabilitet që mund të habisë ndokënd. SPAR që është një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve me mbi 120 milionë euro qarkullim vjetor funksionon me një normë vjetore rentabiliteti prej 3-4 për qind. Edhe rrjetet e tjera si “Extra Market”, “Eco Market”, “Xhangolli”, “Big Market” etj po në këto nivele janë ose mos më keq se kaq. Ndaj, e vetmja hapësirë që mund të krijohet për ulje cmimesh, e më pas edhe të protestohet po qe se nuk reflektohet nga pronarët, është ulja e TVSH në ato nivele që e kanë edhe vendet e tjera të rajonit.

❌