Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama ndan pamje nga Liqeni i Roshnikut në Berat

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Liqeni në fshatin Roshnik, 12 kilometra larg Beratit është një destinacion i shkëlqyer për të kaluar një fundjavë të këndshme në mes të natyrës dhe për të shijuar shëtitje me varka.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga liqeni i Roshnikut që gjendet i rrethuar nga një pamje mahnitëse e mbushur me pyje, ndërsa në këtë sezon po frekuentohet nga pushues që shëtisin me varka. Krahas liqenit, fshati i Roshnikut është i mbushur me peizazhe mahnitëse ku mund të shëtisësh dhe të zbulosh bukuritë natyrore që ofron kjo zonë.

Zona është shumë e rëndësishme për bujqësinë dhe blegtorinë në të gjithë Beratin dhe është njohur si prodhuesi më i madh i ullinjve dhe verërave. Një numër i madh i pemëve të ullirit dhe vreshtave rrethojnë fshatin.

Roshniku është pjesë e Programit Kombëtar 100 Fshatrat për profilin e tij dhe potencialet e zhvillimit në bujqësi, agropërpunim, agroturizëm, turizëm natyror e kulturor. /j.p/

 

The post Rama ndan pamje nga Liqeni i Roshnikut në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Qeveria dërgon tanke “Abrams” në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë

SIDNEJ, 19 korrik /ATSH/- Qeveria e Australisë tha sot se i kishte dorëzuar Ukrainës tanke “M1A1 Abrams” – si pjesë e një pakete prej 245 milionë dollarësh australianë (160 milionë dollarë) për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër Rusisë – në luftën e tyre të vazhdueshme, sipas “Reuters”.

Australia, një nga kontribuesit më të mëdhenj jo-anëtarë të NATO-s në Ukrainë, ka ofruar ndihmë, municione dhe pajisje mbrojtëse që kur Moska pushtoi fqinjin e saj në shkurt të vitit 2022.

“Ukraina ka marrë deri më tani, 49 tanke nga Australia, dhe pjesa tjetër do të dorëzohet në muajt e ardhshëm”, tha ministri i Mbrojtjes, Richard Marles.

“Tanket “M1A1 Abrams” do të japin një kontribut të rëndësishëm në luftën e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë”, shtoi ai.

“Australia planifikon të vazhdojë me stërvitjen eushtarëe ukrainas, si dhe të dërgojë një avion “E-7A Wedgetail” të Forcave Ajrore Australiane në Evropë në gusht – për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainën”, thuhet në deklaratë.

“Australia mbetet e palëkundur në mbështetjen ndaj Ukrainës dhe në vizionin për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Marles.

Australia ka furnizuar ndihmë dhe pajisje mbrojtëse për Ukrainën që kur Rusia filloi operacionin e saj të posaçëm ushtarak kundër fqinjit të saj në shkurt 2022. Ajo gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës. //a.i/

The post AUSTRALI – Qeveria dërgon tanke “Abrams” në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni veror, pritje deri në 3 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Ardhja e mërgimtarëve ka shtuar fluksin e automjeteve që kalojnë në pikat kufitare të Kosovës.

Mërgimtarët po ballafaqohen me pritje të gjata sidomos në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” aty ku pritjet shkojnë deri në 3 orë e gjysmë.

Pritje të gjata ka edhe në pikat kufitare “Muçibabë” deri në 40 minuta dhe në Bërnjak deri në 20 minuta./KosovaPress/

 

The post Sezoni veror, pritje deri në 3 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Bisedë telefonike Fidan-Rubio: Konflikti në Siri duhet të përfundojë tani

STAMBOLL, 19 korrik /ATSH/- Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan i tha sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një bisedë telefonike se konflikti në Siri duhet të përfundojë menjëherë, tha sot një burim nga Ministria e Jashtme turke, sipas “Reuters”.

“Fidan tha se mbështet rolin konstruktiv që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë në Siri dhe se Turqia është e gatshme të punojë me SHBA-në për të arritur një fund të qëndrueshëm të konfliktit”, sipas burimit.

“Ministri i Jashtëm turk tha se ndërhyrjet e Izraelit në territorin sirian e përkeqësojnë më tej problemin dhe se çdo sulm ndaj integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit të Sirisë gjithashtu minon përpjekjet rajonale për paqe”, tha burimi.

I dërguari i SHBA-së në Turqi tha dje se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord për një armëpushim pas ditësh gjakderdhjeje në zonën kryesisht druze që ka vrarë mbi 300 persona. //a.i/

The post TURQI – Bisedë telefonike Fidan-Rubio: Konflikti në Siri duhet të përfundojë tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parakalim i rrezikshëm, Policia e Vlorës masa administrative për drejtuesit e mjeteve

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë reagoi sot në lidhje me dy video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen manovra të rrezikshme parakalimi në dy segmente rrugore të ndryshme në qarkun Vlorë.

Policia sqaron se, ne aksin  rrugor “Dhimiter Konomi”, drejtuesi i një automjeti ka kryer parakalim të gabuar ndaj mjeteve që lëviznin ngadalë për shkak të ngarkesës së trafikut, në kundërshtim me nenin 146, pika 11, të Kodit Rrugor, duke krijuar rrezik për aksident për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Ndërsa në aksin rrugor “Vlorë–Fier”, drejtuesi i një tjetër automjeti ka kryer parakalim të gabuar duke përshkuar anën e djathtë të karrexhatës, në kundërshtim me nenin 146, pika 1, të Kodit Rrugor, duke vënë në rrezik sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore Vlorë kanë identifikuar pronarët e 2 automjeteve dhe u kanë vendosur secilit masën administrative 10 000 lekë, për shkeljet e konstatuara.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm dhe konform ligjit.

The post Parakalim i rrezikshëm, Policia e Vlorës masa administrative për drejtuesit e mjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Të paktën 30 të plagosur pasi një automjet përplaset me turmën në Hollivud

LOS ANXHELES, 19 korrik /ATSH-DPA/- Të paktën 30 persona u plagosën sot në mëngjes kur një automjet u përplas me një turmë njerëzish në Santa Monica Boulevard në Los Angeles, njoftuan shërbimet e emergjencës në Los Anxheles.

Të paktën shtatë persona ishin në gjendje kritike dhe gjashtë të tjerë ishin plagosur rëndë, tha departamenti i zjarrfikësve në një deklaratë online.

Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelesit raportoi të paktën shtatë persona në gjendje kritike dhe gjashtë të tjerë të plagosur rëndë.

Incidenti ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit. Departamenti tha se 124 zjarrfikës ndihmuan në vendngjarje.

Santa Monica Boulevard është një rrugë kryesore në Beverly Hills.

Incidenti ndodhi përpara një vendi me muzikë live, pranë bulevardit.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes treguan një automjet gri të errët me dëmtime të mëdha në pjesën e përparme dhe mbeturina të shpërndara nëpër rrugë. //a.i/

The post SHBA – Të paktën 30 të plagosur pasi një automjet përplaset me turmën në Hollivud appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro me homologun kroat: Ura të reja bashkëpunimi për ofertë më tërheqëse në rajon

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me homologun kroat të turizmit Tonči Glavina.

Kumbaro ndërsa ndau momente nga takimi në rrjetet sociale u shpreh se biseda u fokusua tek vizioni i zhvillimit të industrisë turistike në mënyrë të qëndrueshme dhe cilësore dhe se si mund të krijohen ura të reja bashkëpunimi që e bëjnë më atraktive ofertën e rajonit.

“Kroacia është një shembull në menaxhimin e flukseve turistike, ndërsa eksperienca që ofron në përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian, gjë të cilën po e bën edhe Shqipëria në vazhdën e integrimit, mbetet shumë e çmuar dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegët kroatë”,u shpreh Kumbaro.

Më herët, ajo pati takim dhe me homologun malazez.

1 nga 5

 

The post Kumbaro me homologun kroat: Ura të reja bashkëpunimi për ofertë më tërheqëse në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Dronët ukrainas godasin aeroportet e Moskës dhe rajonet kufitare ruse

MOSKË, 19 korrik /ATSH-DPA/- Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi më shumë se 80 dronë gjatë natës, ndërsa forcat ukrainase sulmuan Moskën dhe rajonet pranë kufirit, raportoi sot Ministria e Mbrojtjes në Moskë.

Banorët e Moskës raportuan shpërthime të mëdha, ndërsa u rrëzuan më shumë se një duzinë dronësh. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, kohët e fundit ka raportuar sulme të përditshme me dronë.

Fluturimet në Domodedovo dhe Sheremetyevo, dy aeroportet kryesore të kryeqytetit rus, u ndërprenë në mes të sezonit të pushimeve verore.

“Trafiku hekurudhor u ndërpre në rajonin e Rostovit, në lindje të Ukrainës, pasi fragmente nga dronët e rrëzuar ranë mbi infrastrukturën hekurudhore, duke prekur 50 trena me distanca të gjata dhe trafikun lokal”, raportuan autoritetet.

“Shtëpitë private në Kamensk u përfshinë nga flakët pasi fragmente dronësh ranë mbi to”, raportoi guvernatori i rajonit të Rostovit, Yury Slyusar. Një grua u plagos.

Rajoni i Bryansk në veri të Ukrainës u godit gjithashtu. Detajet e dëmeve nuk u raportuan.//a.i/

The post RUSI – Dronët ukrainas godasin aeroportet e Moskës dhe rajonet kufitare ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndotje mjedisore, procedohet penalisht administratorja e hotelit në Dhërmi

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në vijim të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, si dhe në zbatim të bashkëpunimit ndërinstitucional për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me taskforcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, ushtruan verifikime në një subjekt hotelier në fshatin Dhërmi.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar dje, u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i këtij hoteli ishte jashtë funksionit dhe si pasojë, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal, në gjendje të lirë, për administratoren e hotelit, shtetasen E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.

Ndërkohë, nga ana e taskforcës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, u vendos masë administrative ndaj subjektit, për shkeljen e konstatuar.

Policia njofton se, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit në çdo zonë të qarkut. //j.p/

The post Ndotje mjedisore, procedohet penalisht administratorja e hotelit në Dhërmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SEUL – Akuza të reja ndaj ish-presidentit Yoon Suk Yeol

SEUL, 19 korrik  /ATSH-DPA/ – Një ekip prokurorësh të posaçëm ka akuzuar ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për shpërdorim të autoritetit zyrtar, njoftoi sot Yonhap News.

Kjo është aktakuza e tretë ndaj Yoon-it, pas atyre të ngritura në janar dhe mars, në lidhje me shpalljen e ligjit të luftës, më 3 dhjetor, që shkaktoi krizën më të rëndë politike në dekada për vendin.

Sipas agjencisë, Yoon akuzohet se ka shkelur të drejtat e anëtarëve të kabinetit, ka hartuar me efekt prapaveprues shpalljen e ligjit të luftës, ka urdhëruar fshirjen e të dhënave nga telefonat e kriptuar si dhe vepra të tjera.

Ndaj tij rëndon gjithashtu akuza për tradhti ndaj shtetit, për të cilën ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.

Javën e kaluar, një gjykatë në Seul rinovoi urdhrin e paraburgimit, duke përmendur rrezikun që Yoon të shkatërrojë prova nëse lirohet.

Ai do të qëndrojë në burg derisa të jepet vendimi përfundimtar.

Ish-presidenti i ka mohuar të gjitha akuzat./   /Ad.Ab./

The post SEUL – Akuza të reja ndaj ish-presidentit Yoon Suk Yeol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Sistemi i drejtësisë, instrument politik për ndëshkimin e opozitës

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu u shpreh sot se “sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i kapur dhe përdoret si instrument politik për ndëshkimin e opozitës dhe mbrojtjen e pushtetit”.

“Drejtësia me regji në Shqipëri dokumentohet qartë në raportin e prezantuar në Kongresin e SHBA për përdorimin e 270 mln euro te USAID nga Soros për të kapur drejtësinë dhe burgosur opozitën”, u shpreh Haxhiu në një deklaratë për mediet.

Sipas saj, “sot kjo nuk është më vetëm një denoncim i opozitës”.

“Kjo është një e vërtetë e dokumentuar dhe e artikuluar qartazi në Kongresin Amerikan, ku u ekspozua para botës ajo që shqiptarët e ndiejnë çdo ditë: drejtësia në Shqipëri ka rënë peng i një regjie politike të sponsorizuar nga fondet ndërkombëtare, por e kontrolluar nga një dorë e vetme: Edi Rama”, shtoi ajo.

Haxhiu theksoi se “me dhjetëra milionë dollarë nga USAID dhe fondacione të afërta me Soros-in u përdorën për të ndërtuar një sistem drejtësie që nuk lufton korrupsionin, por mbron korrupsionin në pushtet”.

“Partia e Lirisë qëndron krah qytetarëve dhe çdo individi që dhunohet nga ky sistem i kalbur. Dhe kjo përballje nuk është vetëm për Ilir Metën, është për çdo shqiptar që kërkon një vend me dinjitet, liri dhe të drejtë. Koha e drejtësisë me regji po shkon drejt fundit”, tha ajo.

/m.m/

The post PL: Sistemi i drejtësisë, instrument politik për ndëshkimin e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lini, vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike po ndodh në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec.

Kryeministri Edi Rama ndau sot fotot e prof. Adrian Anastasit nga Lini, ndërsa bëri të ditur se Lini konsiderohet vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë.

“Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, jeta në këtë vend daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s., duke e bërë Linin vendbanimin palafit më të hershëm të zbuluar ndonjëherë në Europë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se gërmimet në zonën e Buqezës kanë nxjerrë në dritë struktura të hershme prej druri nën ujë dhe gjurmë të një komuniteti që përdorte me zgjuarsi burimet natyrore nga bujqësia dhe blegtoria, te peshkimi dhe gjuetia.

Kryeministri citoi prof. Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, i cili u shpreh: “Ky projekt, i cili u miratua në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe që falë bashkëpunimit me IKTK, sot e kemi të shpallur zonë arkeologjike nënujore
“Lini është të paktën 500 vjet më i vjetër se çdo vendbanim i këtij lloji i zbuluar më parë në Itali apo Spanjë”.

Rama tha se kjo është një tjetër arsye për të qenë krenarë për thesaret që mbart toka shqiptare.

/m.m/

The post Rama: Lini, vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme

DAMASK, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat qeveritare siriane nisën sot dislokimin e tyre në provincën jugore të Sweidas, pas disa ditësh dhune të përgjakshme sektare, bëri të ditur një zyrtar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nour al-Din al-Baba tha se kjo kishte për qëllim mbrojtjen e popullsisë civile.

“Forcat e sigurisë do të përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për të ndalur sulmet, përleshjet dhe për të rikthyer stabilitetin në provincë”, shtoi ai, sipas televizionit shtetëror sirian “al-Ekhbariya”.

Sweida është përfshirë nga përleshje të ashpra mes fraksioneve druze dhe beduinëve sunitë, me raportime për mizori ndaj civilëve.

Presidenca siriane shpalli sot një armëpushim “të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës” në Sweida.

Në një deklaratë, presidenca u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen plotësisht ndaj armëpushimit dhe të ndalin menjëherë luftimet në të gjithë provincën me shumicë druze.

Gjithashtu, u konfirmua se forcat e sigurisë kanë nisur vendosjen në disa zona të provincës për të siguruar zbatimin e armëpushimit.

“Presidenca u bën thirrje të gjithëve të hapin rrugën për shtetin sirian dhe institucionet e tij që të zbatojnë këtë ndalim të përleshjeve me përgjegjësi, në mënyrë që të forcohet stabiliteti dhe të ndalet gjakderdhja”, thuhej më tej në deklaratë./   /Ad.Ab./

The post SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bizneset në Shkodër lirojnë hapësirat publike, Beci: Të hënën strukturat e bashkisë në terren

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Lirimi i hapësirave publike po vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

Në Shkodër bizneset po vijojnë edhe sot çmontimin e strukturave nga hapësirat publike vullnetarisht.

Ndërsa ndau fotot nga lirimi i hapësirave publike, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur se të hënën, punonjësit e Bashkisë Shkodër do të jenë në terren.

“Punonjësit e bashkisë do të zbatojnë vendimin ndaj të gjithë atyre që nuk i janë përgjigjur thirrjes për lirimin vullnetar të këtyre hapësirave, të cilat po u kthehen qytetarëve”, theksoi Beci.

Ndërkohë që policia Bashkiake Shkodër, ka njoftuar të gjitha bizneset për lirimin vullnetar të këtyre hapësirave, në të kundërt do të veprohet sipas ligjit deri në lirimin e plotë të tyre.

Ndërhyrjet në Shkodër janë pjesë e aksionit të gjerë për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komuniteteve.

/m.m/

The post Bizneset në Shkodër lirojnë hapësirat publike, Beci: Të hënën strukturat e bashkisë në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon

ROMË, 19 korrik /ATSH-ANSA/ – Masakra e Via D’Amelio ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë italiane dhe vdekja e Paolo Borsellinos dhe e punonjësve të tij të sigurisë u urdhërua nga mafia për të minuar institucionet demokratike dhe për të vazhduar në mënyrë subversive planin e frikësimit, deklaroi sot presidenti italian, Sergio Mattarella.

“Demokracia ishte më e fortë. Vrasësit dhe nxitësit e tyre u mundën dhe u dënuan. Në këtë ditë përkujtimi, emocioni për jetët e humbura mizorisht dhe afërsia me familjet e viktimave mbetet po aq intensive sa 33 vite më parë. Ndjenja e mirënjohjes ndaj atyre shërbëtorëve të shtetit që, me përkushtim dhe sakrificë, luftuan kancerin e mafias, duke mbrojtur lirinë dhe ligjshmërinë, duke i mundësuar shoqërisë të përgjigjet, është e përjetshme’’, theksoi ai.

“Tridhjetë e tre vjet pas masakrës së Via D’Amelio, ne kujtojmë Paolo Borsellinon, një njeri që sakrifikoi jetën e tij për të vërtetën, për drejtësinë, për Italinë’’, shkroi në X kryeministrja italiane, Giorgia Meloni duke theksuar se si kjo kujtesë do të çohet përpara çdo ditë.

“Shembulli i tij jeton tek ata që çdo ditë, shpesh larg vëmendjes, luftojnë për një Itali më të drejtë, të lirë nga mafia, nga korrupsioni, nga frika. Nuk ka liri pa drejtësi, nuk ka shtet pa ligjshmëri’’, shtoi ajo.

“Shumë magjistratëve, oficerëve të zbatimit të ligjit dhe shërbëtorëve të shtetit që zgjodhën guximin, madje edhe me koston e jetës së tyre, u detyrohemi mirënjohje dhe respekt. Ata kanë hapur një shteg që nuk mund të harrohet. Kjo dëshmi është ende e fortë. Dhe ne do ta çojmë përpara çdo ditë, me respekt, me vendosmëri, me dashuri për kombin tonë. Në kujtim të Paolo Borsellinos dhe të atyre që nuk e ulën kurrë kokën”, përfundon Meloni./ /Ad.Ab/

The post FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon edhe përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Dështoi sërish tentimi i 49-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Dështimi ndodhi, pasi që ashtu si herët e kaluara, me mosarritjen e formimit të Komisionit për votim të fshehtë. Vetëm 50 deputetë votuan pro këtij Komisioni.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari theksoi se vazhdimi i seancës së radhës mbahet të hënën në orën 11:00.

“50 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka, abstenim nuk ka. Për sot ndërpritet seanca., vazhdon më 21 korrik në orën 11:00”, tha ai.

Vazhdimet e deritanishme të seancës për konstituimin e legjislaturës së re kanë dështuar pasi koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit, raporton KosovaPress.

The post Dështon edhe përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plani i ri për hapësirat publike, Rama: 75% këmbësorët, 25% njësia e shërbimit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për lirimin e hapësirave publike në Tiranë.

Kryeministri bëri të ditur se sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara.

Ndërkohë, Rama theksoi se “puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo”.

Kryeministri informoi se “ndërkohë po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas”.
Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, Rama bëri të ditur se “së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit”.
“Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik”, shtoi Rama.
Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po hiqen tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret, të cilat cenonin sigurinë e qytetarëve dhe këmbësorëve.
Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

/a.f/

 

The post Plani i ri për hapësirat publike, Rama: 75% këmbësorët, 25% njësia e shërbimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës

KIEV, 19 korrik  /ATSH-DPA/ – Forcat ruse kanë kryer më shumë se 300 sulme me dronë dhe mbi 30 sulme me raketa ndaj qyteteve ukrainase gjatë natës, bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.

Zelensky publikoi foto që tregonin dëmet në një bllok banimi në Odessa, pranë Detit të Zi, ku sipas raportimeve zyrtare, një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.

Sipas tij, rajonet Dnipropetrovsk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia janë goditur nga sulmet, ndërsa infrastruktura kritike është shkatërruar në Sumy, duke lënë mijëra familje pa energji elektrike.

“Në qiell ka ende dronë”, tha Zelensky, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase po i rrëzon dhe se shërbimet emergjente janë në veprim.

Në qytetin Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk, një bllok banimi dhe objekte infrastrukturore të rëndësishme janë dëmtuar rëndë. Zelensky e përshkroi situatën si shumë të rëndë.

Guvernatori ushtarak rajonal Serhiy Lysak e quajti një “natë ferri” dhe tha se ishte sulmi më i rëndë deri më tani ndaj qytetit, i cili ndodhet në lindje të Dnipro-s.

“Një shpërthim pas tjetrit. Terroristët rusë sulmuan me raketa dhe dronë”, shkroi ai në Telegram.

Numri i sulmeve ishte ndjeshëm më i lartë se ditët e fundit, ndërsa Moska nuk u ndikua aspak nga një raund i ri sanksionesh të Bashkimit Evropian të miratuara të premten.

Zelensky përsëriti thirrjen e tij ndaj aleatëve të Ukrainës për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore.

Ai theksoi nevojën për objekte për prodhimin e përbashkët të armëve, investime në prodhimin e dronëve dhe furnizimin me sisteme mbrojtëse ajrore.

“Të gjitha këto do të shpëtojnë jetë dhe janë veçanërisht të nevojshme për Ukrainën tani”, shtoi ai.

Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt 2022./ /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Misionet e kërkim-shpëtimit, ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të New Jersey asiston FA

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Mirëmbajtësit e avionëve dhe ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të New Jersey-t ishin në Shqipëri këtë javë duke punuar me Forcat Ajrore për të mirëmbajtur avionët dhe për t’u përgatitur për misione kërkimi dhe shpëtimi.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se ata po përdorin të njëjtin helikopter Black Hawk që shpëtoi jetë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit pas Uraganit Sandy në vitin 2012, dhe po punojnë me të njëjtin ekip mirëmbajtjeje.

“Aftësia për të përballuar goditje si katastrofat natyrore është një pjesë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së Aleatëve, pararojë e mbrojtjes së NATO-s”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

/m.m//a.f/

The post Misionet e kërkim-shpëtimit, ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të New Jersey asiston FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro-Kordić: Zgjerim i bashkëpunimit në shërbim të flukseve turistike

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me ministren e Turizmit të Malit të Zi, Simonida Kordić.

Kumbaro theksoi se në fokus të takimit ishte zgjerimi edhe më tej i bashkëpunimit mes dy vendeve tona në shërbim të flukseve turistike.

“Vizitorët nga Mali i Zi janë ndër grupet më të mëdha dhe më të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, teksa dakordësuam evente të përbashkëta B2B mes turoperatorëve të dy vendeve, për ta zgjeruar edhe më tej ofertën turistike”, u shpreh Kumbaro.

1 nga 4

/m.m//a.f/

The post Kumbaro-Kordić: Zgjerim i bashkëpunimit në shërbim të flukseve turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌