Çudirat në rrugët tona nuk kanë të sosur. Çdo ditë shfaqen raste që tregojnë papërgjegjshmëri alarmante nga drejtuesit e automjeteve, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë. Ngjarja e fundit ka ndodhur në Tiranë, në zonën e ish-sheshit Shqiponja. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një shofer autobusi është filmuar teksa lëvizte në krahun e kundërt të rrugës, duke vijuar qetësisht sikur të ishte gjëja më normale. Sipas dëshmitarëve, autobusi për pak sa nuk shkaktoi një aksident të rrezikshëm duke u përplasur “kokë më kokë” me një automjet që vinte në krahun e saktë të drejtimit. Nuk dihet nëse shoferi i autobusit ishte i përgjumur nga udhëtimi që mund të ketë bërë për orë të gjata përgjatë natës, apo ka ndonjë arsye tjetër, megjithatë fakti është se veprimi i tij rezulton të jetë një shkelje flagrante e rregullave të qarkullimit që nuk duhet të ndodhë. “Si jeni? Ju duket normale kjo? Sot nga ora 5 e mëngjesit, për pak sa nuk u përplas kokë më kokë. Ka ndodhur te ish-sheshi Shqiponja në Tiranë,” shkruan qytetari që dërgoi pamjet. Në video shihet qartë autobusi me targa “AB 228 SS” që lëviz në sens të kundër qarkullimi. Nuk dihet nëse në momentin e ngjarjes autobusi kishte pasagjerë brenda. Ky rast duhet të ngrejë shqetësimin për mënyrën se si qarkullojnë mjetet e transportit publik dhe kontrollin që bëhet mbi to. Shoferë të tillë nuk rrezikojnë vetëm veten, por dhjetëra jetë të tjera në rrugë.
155.1K views