Shenja e qepjes në gju është e dukshme, por përmirësimet akoma më shumë. Gleison Bremer, për rëndësinë dhe peshën e rikuperimit të tij, mund të përfundojë pa problem në listën e përforcimeve të Juventusit për sezonin e ardhshëm. Pothuajse si një blerje e re. I pritur, thelbësor. Sezoni i tij i munguar vitin e kaluar nuk i ka bërë mirë një Zonjë të Vjetër që shpesh në prapavijë është humbur. Ka gjetur te Gatti një lider të ri por ai me më shumë përvojë mund të ndihmonte vetëm në dhomat e zhveshjes dhe pastaj direkt në tribunë. Pak, shumë pak.
Pyetja është mëse e drejtë: si do të kishte qenë sezoni bardhezi nëse Bremer nuk do ta kishte këputur kryqëzoren pas 6 minutave të para të Leipzig-Juve? Mendime, supozime dhe ato ‘what if’ që vazhdojnë që nga fillimi i tetorit, prej nga lindin skenaret më optimiste. Por ushtrimet dialektike shpejt ia lanë vendin atyre të palestrës, të dokumentuara nga vetë Gleison që ka mbajtur të përditësuar tifozët e tij, juventinë dhe brazilianë, në çdo fazë të rikuperimit.
PUNË E PERSONALIZUAR
Shumë palestër, seanca të personalizuara, një program dhe një punë të përmasuar. Një Bremer i fokusuar maksimalisht është mbyllur shpejt në sallë për një punë të domosdoshme muskulore. Gjuri i monitoruar vazhdimisht ashtu si edhe përparimet, elektroda për stimulim lokal dhe biçikletë statike. E gjithë kjo e shoqëruar nga dashuria e pakufishme e familjes së tij, bashkëshortja Deborah dhe vajza Agatha, nga besimi dhe një motivim shumë i fortë.

MASKA HIPOKSIKE
Në rrugën e rikuperimit Bremer ka veshur këpucët e notit për të optimizuar punën në pishinë me qëllim përmirësimin e rrahjes së këmbëve, ka vrapuar në tapetin lëvizës antigravitacional, nga ato me një teknologji të frymëzuar nga NASA që ul deri në 80% ndikimin e forcës së gravitetit mbi sportistin duke ulur kështu rrezikun e rikthimit të dëmtimit pa hequr dorë nga ushtrimet e vrapimit, ka veshur në fazat e nxehjes maskën hipoksike, një mjet i dobishëm për të përmirësuar frymëmarrjen dhe kapacitetet pulmonare dhe që lejon ruajtjen e performancës në një nivel intensiteti më të lartë. Të gjitha pajisjet dhe mjetet në shërbim të rikuperimit të një pjese thelbësore të Juves.
PREKJET E TOPIT
Në Botërorin për Klube nuk ka luajtur; është kthyer nga SHBA me zero minuta por me shumë seanca stërvitore më shumë, ku ka alternuar punën individuale me punën në grup. Përtej oqeanit ka vazhduar të menaxhojë ngarkesat, ka prekur topin, disa duele të vogla por asnjë ndeshje mes skuadrës, ishte ende herët. Por para se të nisej për turneun amerikan ka punuar edhe me ekipin U23, për të filluar të rifitonte besimin me topin. Për të bërë orë shtesë nuk ka qenë kurrë një barrë.
Lexo më tej: Bremer operohet në Lion, i rindërtojnë ligamentin e kryqëzuar: “Hapi i parë drejt rikthimit”
HAPAT E ARDHSHËM
Tani imagjinoni një video me cilësi të lartë në slow motion, në të cilën kapet çdo detaj në çdo kornizë. Një hap mbi tapetin lëvizës, një pikë djersë që rrjedh mbi fytyrë, një muskul që tendoset, pesha që ngrihet. Shtoni në atë video ndonjë grimasë dhimbjeje, një zmadhim te shikimi tepër i përqendruar tek objektivi, pastaj një buzëqeshje, nga ato që të bëjnë të kuptosh se e keqja ka kaluar. Një përqafim për gruan, një puthje për vajzën, një gisht i madh lart për të përsëritur: Po kthehem. Rikuperimi i Bremer vazhdon me optimizëm dhe kujdes, ngarkesat rriten dita-ditës, por tani më shumë se kurrë mbrojtësi e sheh finishin.
SYTË NGA HERZOGENAURACH
Pjesa më e errët e tunelit ka mbetur pas, drita është aty përpara dhe në atë dritë janë dy data të rrethuar me të kuqe në kalendar: 24 korriku dhe 10 gushti. E para është ajo e grumbullimit në Continassa, dita kur gjithë skuadra e Tudor do të mblidhet pas pushimeve për të nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm; e dyta është data e miqësores së parë të planifikuar në Gjermani, testi luksoz kundër Borussia Dortmund që do të mbyllë grumbullimin në Herzogenaurach. Ja pra, kryqëzimi i parë i rëndësishëm në rrugën e rikuperimit të një Bremer që teknikut Tudor i duhet aq shumë sa një blerje e re, madje më shumë.
NGA ATY, DY JAVË KOHË PËR KAMPIONATIN
Në atë pikë do të mbeten vetëm dy javë nga nisja e kampionatit (Juve-Parma në Stadium do të hapë sezonin bardhezi) dhe mbi të gjitha do të kenë kaluar po aq – pak më shumë – që nga fillimi zyrtar i përgatitjeve dhe shpresa është që braziliani deri atëherë të ketë dhënë përgjigje aq pozitive sa të mund të merret parasysh aktivizimi i tij. Gjithmonë me gjithë kujdesin e duhur. E ndaluar të rrezikohet ndonjë rikthim dëmtimi: një Juve me apo pa Bremer bën gjithë diferencën e botës.
The post Bremer, maskë hipoksike, vrapim antigravitacional, topi: sekretet e rikuperimit appeared first on Lapsi.al.