Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Si e përdorën shqiptarët kohën digjitale?/ 85% e shpenzuan në telefon, 27% me politikë

Një pjesë e konsiderueshme e kohës sonë sot kalon në botën digjitale, duke kryer aktivitete të ndryshme në internet. Sipas të dhënave  të publikuara nga Eurostat për vitin 2024, janë analizuar mënyrat kryesore se si qytetarët në Europë, përfshirë edhe shqiptarët e shpenzojnë kohën online.

Vetëm 39% e shqiptarëve e kanë përdorur internetin gjatë vitit për të dërguar emaile, duke e renditur vendin tonë ndër të fundit në Europë për këtë lloj komunikimi. Në kontrast, Irlanda mban nivelin më të lartë të përdorimit të emailit, duke dëshmuar se kjo formë komunikimi mbetet ende shumë e rëndësishme atje.

Kur bëhet fjalë për komunikim zanor ose me video përmes internetit, shqiptarët janë ndër më aktivët: 85% e tyre e kanë përdorur këtë mënyrë, duke e bërë një nga format më të përhapura të komunikimit online. Edhe në vendet e tjera të Ballkanit, kjo përqindje është relativisht e lartë.

Rreth 69% e shqiptarëve përdorin rrjetet sociale për të postuar përmbajtje ose për të hapur profile të reja. Kjo tregon se ne jemi në hap me trendet e fundit globale në mediat sociale. Po ashtu, 62.7% e përdoruesve e shpenzojnë kohën e tyre duke lexuar faqe informative, artikuj ose gazeta online – një tregues i rritjes së interesit për informacionin digjital.

Shkëmbimi i mesazheve në rrjetet sociale mbetet ndër format më të përhapura të komunikimit në Shqipëri. Plot 79.6% e qytetarëve e përdorin këtë mënyrë për të qëndruar në kontakt me të tjerët.

Megjithëse rrjetet ofrojnë hapësirë për të shprehur mendime dhe për të marrë pjesë në diskutime, vetëm 27% e shqiptarëve kanë marrë pjesë në forume ose faqe ku trajtohen çështje politike. Kjo është një nga përqindjet më të ulëta të përdorimit të internetit për qëllime shoqërore apo politike.Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se shqiptarët janë shumë aktivë në përdorimin e internetit për komunikim dhe rrjete sociale, ndërsa tregojnë më pak interes për përdorimin e tij në kontekste më formale si emaili apo debati politik./e.t

Ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum

Diplomati gjerman u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit ku ishte akomoduar dhe dyshohet se vdekja ishte për shkaqe natyrale.

Ish-ambasadori Werner Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe Sali Berisha.

Werner Daum mbajti edhe një fjalim në ceremoni ku shprehu gëzimin që ishte pjesë e ceremonisë përkujtimore në Kavajë.

Ai falenderoi për mikpritjen, duke kujtuar se kur hapi ambasadën në 1987, fliste rrjedhshëm shqip, por duke kërkuar falje që tani se fliste mirë.

“Ju kërkoj ndjesë që nuk flas më në gjuhën shqipe. Flisja shqip rrjedhshëm kur hapa ambasadën gjermane këtu në vitin 1987. Dhe gjuha juaj e bukur më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe”, iu drejtua ai të pranishmëve.

Fjala e plotë e ish-ambasadorit në ceremoni:

Jam jashtëzakonisht i lumtur që ndodhem këtu, por ju kërkoj ndjesë që nuk flas më në gjuhën shqipe. Flisja shqip rrjedhshëm kur hapa ambasadën gjermane këtu në vitin 1987. Dhe gjuha juaj e bukur më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe. Siç e dini, dhe më të rinjtë prej jush mund ta kenë dëgjuar, shqiptarëve atëherë nuk u lejohej të flisnin me të huajt. Por shqiptarët ishin të guximshëm, edhe nën shtypjen komuniste, dhe më afroheshin në rrugët e Tiranës, e edhe më shumë jashtë kryeqytetit. Më afroheshin kur udhëtoja nëpër këtë vend të bukur, në Durrës, në Shkodër, në Elbasan dhe në Kavajë.

E ndjeva, të paktën që në vitin 1988, se populli shqiptar nuk ishte më i gatshëm ta mbështeste regjimin. Nuk ishin vetëm individë. I gjithë populli i Shqipërisë, dhe sidomos të rinjtë, rinia, studentët, por edhe të rinjtë e zakonshëm, nuk donin më të jetonin nën shtypje. E dija që duhej vetëm një shkëndijë për të ndezur një revolucion. Dhe ajo shkëndijë erdhi pikërisht këtu, nga Kavaja.

Nuk e kam njohur Josif Budon. Vetëm dëgjova në Tiranë se kishte një kryengritje në Kavajë, se të paktën një person ishte vrarë nga Sigurimi. Por kjo ishte shkëndija që ndezi jo vetëm një rebelim, por revolucionin për liri.

Josif Budo pagoi çmimin më të lartë për mendimin e tij, për dëshirën dhe për dashurinë ndaj vendit të tij. Sakrifica e tij ofroi atë që ishte e nevojshme për të nisur revolucionin, jo vetëm të 3,000 njerëzve që erdhën në ambasadën time atë kohë, por të të gjithë popullit shqiptar.

Sakrifica e Josif Budos ishte një moment që jo vetëm më frymëzoi mua, por edhe ata 3,000 njerëz që ndodheshin në ambasadë, edhe pse shumica prej jush jeni shumë të rinj për t’i kujtuar, dhe vetëm keni dëgjuar për to. Por ju të gjithë e dini dhe do të përcillni më tej guximin dhe sakrificën e Josif Budos, i cili vërtet ndezi Shqipërinë e re, një Shqipëri të lirë, një Shqipëri me të ardhme për të gjithë qytetarët e saj.

Duhet ta dini dhe ta përcillni sakrificën e Josif Budos, e cila nuk ishte vetëm një shkëndijë për Shqipërinë, por sakrifica e nevojshme për të krijuar një Shqipëri të re./e.t

Rama lë pas të gjithë VIP-at/ Mbi 4 mijë ndjekës në vetëm një javë në Instagram

Kryeministri Edi Rama ka shënuar rritjen më të madhe të ndjekësve në Instagram këtë javë, duke shtuar plot 4 mijë ndjekës. Nga 633 mijë që kishte, tashmë llogaria e tij numëron 637 mijë ndjekës, duke treguar një interes të vazhdueshëm nga publiku.

Në vend të dytë renditet Egli Tako, e cila ka fituar 2 mijë ndjekës gjatë javës. Nga 369K, tani ajo numëron 371 mijë ndjekës në “Instagram”.

E njëjta rritje prej 2 mijë ndjekësish është shënuar edhe për Françeska Muratin, e cila nga 149 mijë ka shkuar në 151 mijë ndjekës.

Në listë ndodhet edhe Rizarta Hoxha, e cila këtë javë ka fituar 1 mijë ndjekës më shumë. Nga 134 mijë, ajo tani numëron 135 mijë ndjekës.

Në fund të listës këtë javë qëndron Gjesti, i cili është i vetmi që ka humbur ndjekës. Nga 609 mijë që kishte, ai tani ka zbritur në 607 mijë, duke humbur kështu 2 mijë ndjekës./E.T

“Po këta të qeverisë kur do të ndërrohen?”/ Erion Braçe leksion Ramës

Deputeti socialist Erion Braçe, i ftuar në studion e “Çdo Kënd” me Merita Haklajn, në A2 CNN, deklaroi se është dakord me ndërrimin e drejtorëve nëpër bashki, por shtoi se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në qeveri.

“Për vite me radhë kam dëgjuar se si u është kërkuar atyre anëtarëve të Kryesisë që janë edhe drejtues të bashkive, edhe atyre që janë drejtues politik, që të lëvizin drejtorët. Nëse ka një faktor që të nderon apo të rrëzon, janë pikërisht drejtorët e shtetit.

Ajo që kam propozuar unë te komisioni për mirëqeverisjen, ishte që drejtorët duhet të jenë me mandat. Këtu përfshihen edhe këta drejtorët e korporatave”, tha Braçe.

“Mandati duhet të jetë 4-vjeçar dhe që nuk riciklohet në një vend tjetër drejtori. Kjo po ndodh tani me bashkitë, por pyetja që kam unë është: kur do të ndodhë me këta të shtetit? Me këta të qeverisë, kur do të ndodhë kjo që po ndodh me bashkitë”, shtoi Braçe./e.t

“Paketa Maleve Kali i Trojës për Veriun”, Tabaku akuzon qeverinë për kaosin në Theth

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas prishjes së disa ndërtimeve në Theth, në kulmin e sezonit turistik. Sipas saj, situata e krijuar është pasojë direkte e të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”, që ajo e cilësoi si Kali i Trojës për veriun e Shqipërisë.

“Paketa e Maleve nuk po zgjidh, por po grabit pronat e banorëve në veri. Është një ligj që po përdoret për të favorizuar të njëjtët klientë të përhershëm përmes modelit të investimeve strategjike. Qeveria e ka shitur këtë ligj si zgjidhje, por në realitet është kthyer në mjet për shkatërrim e pasiguri,” u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate ngre alarmin për mënyrën sesi vepron qeveria në mes të sezonit turistik, duke i dëmtuar komunitetet lokale dhe imazhin e turizmit shqiptar. Ajo theksoi se ndërtimet e konsideruara pa leje janë ngritur në sytë e pushtetit vendor e qendror, por tani përballen me goditje selektive e të njëanshme.

“Ky është një shtet që nuk parandalon, por godet në mënyrë të organizuar e me regji politike. E gjithë kjo sjellje ka prodhuar padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe një sezon turistik të njollosur nga abuzimi me pushtetin,” përfundoi Tabaku.

Ajo kërkon një transparencë të plotë për projektet që po zhvillohen në zonat malore dhe ndalimin e politikës klienteliste që, sipas saj, po shkatërron turizmin vendas. /e.t

Erion Braçe: Ja pse bëra “fushatë” për Jorida Tabakun

Në “Çdo Kënd” me Merita Haklajn, deputeti socialist Erion Braçe iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me mbështetjen që i dhanë njëri-tjetrit, ai dhe rivalja demokrate Jorida Tabaku, përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

I pyetur nëse “bënë fushatë” për njëri-tjetrin, referuar këtu deklaratave dhe postimeve të tyre, ku shpreheshin se secilit i takon të jetë në Kuvendin e ri, Braçe u përgjigj duke thënë: “Patjetër kjo është reciproke”.

Ai e vlerësoi rolin e Tabakut si politikane, duke theksuar se Kuvendit të Shqipërisë i duhen deputetë të ngjashëm me kolegen demokrate, të cilët e kthejnë atë në ambient pune, ku përplasen argumente dhe ide.

Kur je ne Parlament patjetër që ke nevojë edhe për njërën shtysë, që janë pa diskutim ata që të kanë dhënë punën, pra janë njerëzit. Po shtysa tjetër është natyrale që të kesh edhe një kundërshtar të denjë, atje matanë. Ndryshe për çfarë do flasësh. Nëse tjetri rri atje matanë dhe të gjuan me fishekzjarrë, po edhe ti s’ke asnjë lloj ngasje, që të lexosh, të shkosh i përgatitur, të mbash shënime, të bësh llogari, të kesh një çantë me argumente për të shkuar atje. Dhe kur ke përballë të ngjashmin, atë që lexon, që përgatitet, që shkruan, që vjen me argumente, po patjetër që ke një stimul më të madh dhe e bën Kuvendin një ambient pune. 

Të gjithë ata që hyjnë në Kuvend duhet të kuptojnë se Kuvendi nuk është një ambient vaniteti, në raport me ata që janë atje në zonën tënde elektorale, që të kanë dhënë një status të epërm mbi ta. Jo. Kuvendi është një vend pune, ku ti shkon për të përmbushur interesat e atyre që kanë dhënë punë. Dhe në këtë kontekst, po, Jorida Tabaku e kthen Parlamentin në një ambient pune. Të ndihmon, që parlamenti të jetë realisht një ambient pune, por mbi të gjitha të ndihmon edhe të zhvillohesh. Sepse ka njerëz që vijnë aty edhe nga bota akademike. 

Por unë kam parë njerëz që aty tjetërsohen. Nuk është ambient pune sot Kuvendi, edhe për shkak se mënyra si është ndërtuar Kuvendi, në veçanti në Komisionet e përhershme të Kuvendit, me 20-25 vota në një dhomë ku nuk merr dot ajër, jo më të jesh në kushtet për të menduar apo paraqitur argumente. Kështu që duhet ndryshuar edhe Kuvendi, i ka ardhur koha që të ndryshojë”, tha Braçe në “Çdo Kënd” me Merita Haklajn./e.t

Rama publikon pamjet nga Shkoda/ Pas shumë vitesh lumi Buna rrjedh i lirë

Është përmbyllur fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin dhe çlirimin e zonës së Dajlanit në Shkodër. Lajmin e ka ndarë mëngjesin e sotëm me ndjekësit në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar edhe pamje nga lumi Buna. Sipas kreut të qeverisë, pas shumë vitesh ky lumë rrjedh i lirë.

“Mirëmëngjes dhe me lumin Buna, që pas shumë vitesh rrjedh i lirë në shtratin e vet, pas mbylljes me sukses të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e çlirimin e shumëpritur të zonës së Dajlanit në Shkodër, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë. /E.T

Politika në zi! Mbyll sytë përgjithmonë anëtari i njohur i partisë demokratike

Inxhinieri dhe kryetari i Partisë Demokratike në shumë komisione, Nikollaq Zisi është ndarë nga jeta këtë të premte. Lajmin e trishtë e ka dhënë deputeti fierak Luan Baçi, i cili thotë se ikja e Nikos i ka trishtuar të gjithë.

“Personalisht shpreh shume falenderim dhe mirenjohje, per mbeshtetjen, punen, kontributin dhe bashkepunimin e sinqerte dhe te vazhdueshem qe Nikua nuk e kurseu asnjeher, prane partise demokratike dega Fier!” – shkruan deputeti në reagimin e tij.

Postimi i plotë:

“Sot ishte nje dite e trishtuar, per demokratet Fierak edhe per mua personalisht! Percollem per ne banesen e fundit, Nikon. Mik, bashkepuntor dhe koleg i çmuar, anetar i partise demokratike, aktiv dhe i pa lodhur, kryetar seksioni ne lagjen e tij dhe perfasues dinjitoz, si kryetar komisioni i PD, ne shume proçese zgjedhore.

Inxhinier pyesh, specialist nga me te miret dhe i spikatur si drejtor institucioni, ne Drejtorin e Sherbimit Pyjor ne Fier, gjate qeverrisies se partise demokratike, 2005- 2013! Shpreh ngushellimet e mia me te sinqerta, bashkeshortes, femijve te tij dhe gjithe te dashurve!

Personalisht shpreh shume falenderim dhe mirenjohje, per mbeshtetjen, punen, kontributin dhe bashkepunimin e sinqerte dhe te vazhdueshem qe Nikua nuk e kurseu asnjeher, prane partise demokratike dega Fier! Lamtumir inxhinier Nikollaq Zisi! U prehsh ne paqe mik dhe koleg i çmuar”, shkruan Luan Baçi./E.T

Burg kush bën parkim dysh/ Eksperti zbulon nenin që çon qytetarët në qeli

Për ekspertin e Çështjeve Rrugore Arben Luzi, bllokimi i rrugës për çdo lloj arsye është vepër penale. I ftuar ditën e sotme në një emision televiziv teksa foli për problemet e trafikut në Tiranë, ai tha problem janë parkimet e gabuara.

‘Zënia e rrugës për çdo lloj arsye është vepër penale. Ne sa dalim nga shtëpia e ndjejmë se që tek hyrja e pallatit nuk lëviz dot. Po ka mjete në disa lagje që nuk kanë lëvizur me kohë të gjatë. Po ti shohësh kemi mjete mbi trotuare, kemi mjete dyshe, në kryqëzime.

Parkime ka por qëndrimet e gabuara dhe parkimet e gabuara në Tiranë janë problem, sepse parkohet aty kanë punën dhe këto fenomene duhet që të luftohen’, tha ai

Luzi bëri me dije edhe disa nga akset më problematike të cilat kanë trafik më të rënduar dhe sidomos gjatë sezonit të verës.

‘Lezha është problem shumë i madh dhe është e pazgjithshme. U hap rruga Velipojë- Shëngjin, por është larg që të hyet nga Lezha dhe të vish nga Shëngjini prap aty do të kalosh do bëhet fluksi. Është tmerr.

Duhet që të hapet një rrugë që hyrja të bëhet nga një krah dhe dalja nga krahu tjetër, ose një rrugë tjetër në Shëngjin që të bëhet unazë, vetëm ajo e zgjidh atë problem. Kurse në jug më problematike është Lushnje- Kolonjë’, tha ai.

Një apel e pati edhe për drejtuesit e mjeteve, të cilët sipas tij duhet që të ruajnë qetësinë teksa janë në timon.

‘Duhet të kenë qetësi në timon dhe të jenë të kujdesshëm, ngarkesa nga trafiku është e madhe dhe stresi në timon është i lartë duhet që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe kujdes me shpejtësinë’, tha ai./E.T

Mediat e Tel Avivit shkruajnë për kapiten Arben Anamalin: Vdiq duke shpëtuar dy izraelitë

Mediat izraelite i kanë dedikuar një shkrim kapitenit Arben Anamali që humbi jetën në liqenin e Shkodrës teksa ndërhyu të shpëtonte dy turistë izraelitë për shkak të rrymave të forta në liqen më herët gjatë javës.

“The Jerusalem Post” në një artikull të sajin për këtë ngjarje shkruan se Anamali, kapiten i një anije turistike që operon nga qyteti verior i Shkodrës, kishte dalë në liqen me një grup turistësh, përfshirë shtatë shtetas izraelitë.

“Dy prej tyre, duke injoruar paralajmërimet e tij për rrymat e forta, u hodhën në ujë dhe shpejt u gjendën në rrezik për t’u mbytur.

Jelekë shpëtimi, përfshirë edhe atë të Anamalit, u hodhën drejt tyre, por pa rezultat.

 

 

Në një përpjekje për t’i afruar më pranë varkës, Anamali u hodh vetë në ujë. Ai arriti t’i ndihmonte izraelitët të hipnin përsëri në anije, përpara se të zhdukej nën ujë.

Pas gati 48 orësh kërkime, trupi i Anamalit u gjet.

Besohet se Anamali ka pësuar një arrest kardiak si pasojë e lodhjes së madhe fizike dhe përpjekjes ekstreme pas shpëtimit. Trupi i tij u transferua në spitalin rajonal të Shkodrës për ekzaminime të mëtejshme.

Anamali la pas dy fëmijë.

Sipas Albanian Times, Anamali është nderuar pas vdekjes nga qeveria shqiptare si “Dëshmor i Kombit,” një nga nderimet më të larta në Shqipëri për ata që humbin jetën gjatë akteve të guximshme.

Një ceremoni zyrtare përkujtimore pritet të mbahet ditët në vijim”, thuhet në shkrimin e Jerusalem Post./E.T

Endri Shabani kërkesë KQZ për të “djegur” Adriatik Lapajn

Në emër të Partisë Nisma Thurje dhe Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Endri Shabani i është drejtuar KQZ me disa kërkesa.

Konkretisht ai i kërkon KQZ të njohë zyrtarisht dorëheqjet e 46 kandidatëve të listave të mbyllura të paraqitura në datë 11 maj 2021, në përputhje me vullnetin e kandidatëve, dhe të vijojë me procedurat për t’i dhënë mandatin kandidatit të renditur i pari në listën e hapur.

Pak ditë më parë, një i afërm i Shabanit, Zeqir Kordhoni, i renditur i nënti në listën e mbyllur në qarkun e Tiranës ka shprehur ambicien për të marrë mandatin e ligjvënësit Adriatik Lapajt.

Në një shkresë depozituar në KQZ, kandidati që në CV e tij deklaruar se ka qenë punëtor ndërtimi, por që trajtohet me KEMP, duket  se nuk mban mend se çfarë ka firmosur dhe i kërkon Ilirjan Celibashit informacion se çfarë ka dorëzuar partia e Adriatik Lapajt në emër të tij.

Një  lëvizje e tillë e beftë para se kryekomisioneri shtetëror të shpërndajë mandatet për qarkun Tiranë, duket se ka një prapavijë politike. Më shumë se sa ambicie personale e Zeqir Kordhonit, duket se është një taktike e Endri Shabanit, për shkak të lidhjeve familjare ndërmjet tij dhe kandidatit dhe kjo goditje brenda të rinjve duket se ka një arsye të fortë.

Adriatik Lapaj nuk e dha dorëheqjen ashtu sikurse ishte zotuar publikisht, por me vullnet të lirë apo jo, aleti i tij në koalicion, duket se po e detyron të zgjohet nga ëndrra e mandatit parlamentar.

Shkresa e plotë e Shabanit:

I nderuar Z. Komisioner,

Në emër të Partisë Nisma Thurje dhe Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ju drejtohem për të kërkuar zyrtarisht që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë sa më shpejtë rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe të shpërndajë mandatet sipas vullnetit të zgjedhësve.

Kanë kaluar dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe këto vonesa po krijojnë hapësira për lojra politike, të cilat po delegjitimojnë procesin duke u kthyer në telenovelat e verës.

Gjithashtu, kërkoj që KQZ-ja të njohë vullnetin e zgjedhësve të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ku mbi 54,000 vota u dhanë drejtpërdrejt për kandidatët e listës sonë të hapur. Këto nuk janë thjesht shifra, por një shprehje e qartë e vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur direkt përfaqësuesit e tyre në parlament.

Më lejoni t’ju rikujtoj se ky garim me lista të hapura, erdhi në kushtet kur partitë e vjetra u bënë bashkë për të na imponuar një kod zgjedhor anti-demokratik. Ne e sfiduam këtë përpjekje duke e ccuar ccështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe më pas duke u detyruar të përdornim një artificë, e cila gjithësesi është brenda hapësirës që na jep ligji.

Prandaj, për të vendosur një standard demokratik në Shqipëri, do duhet të krijohen kushte kur partitë politike të garojnë me lista të hapura. Dhe për këtë qëllim, kërkoj nga KQZ-ja që të njohë dorëheqjet e dorëzuara me datë 11 Maj 2025 nga 46 kandidatët e listës së mbyllur të koalicionit tonë, të cilët me vullnet të plotë deklaruan se nuk synojnë të marrin mandatin e deputetit.

Dua t’ju rikujtoj se veprimet tona janë marrë në bashkërendim të plotë me KQZ-në. Pikërisht për këtë arsye insistojmë që KQZ-ja të veprojë në përputhje me praktikën e mëparshme të tij, ku dorëheqjet e paraqitura janë njohur pa pengesa apo interpretim selektiv. Çdo devijim nga ky standard në rastin tonë do të përbënte jo vetëm shkelje të parimit të barazisë, por do të cënonte besueshmërinë e institucionit.

Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që:

Të njohë zyrtarisht dorëheqjet e 46 kandidatëve të listave të mbyllura të paraqitura në datë 11 Maj 2021, në përputhje me vullnetin e kandidatëve;
Të vijojë me procedurat për t’i dhënë mandatin kandidatit të renditur i pari në listën e hapur, në përputhje me ligjin dhe normat demokratike;

Të mos lejojë asnjë manipulim apo vonesë që do të përbënte mungesë respekti ndaj 65,000 qytetarëve që i besuan koalicionit tonë dhe kandidatëve tanë.

Besojmë se nën drejtimin tuaj, KQZ do të qëndrojë në lartësinë e misionit të saj për të mbrojtur procesin demokratik dhe për të mos lejuar asnjë devijim nga vullneti i votuesve.

Me respekt, Endrit Shabani.

 

/e.t

Kroçiera gjigande ‘Nautica’ zbarkon në Durrës, sjell në Shqipëri 676 turistë

Anija turistike “Nautica”, pjesë e flotës së mirënjohur Oceania Cruises, është ankoruar sot në kalatën nr. 5 të Portit të Durrësit, në ndalesën e saj të parë për sezonin veror 2025.

Anija mbërriti rreth orës 10:30, pas një ndalese në ishullin e Zakinthos në Greqi, duke sjellë në brigjet shqiptare 676 turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia dhe vende të tjera të botës, shkruan A2 CNN.

Vizitorët do të eksplorojnë sitet turistike dhe historike të qytetit të Durrësit, si dhe destinacionet përreth, duke përjetuar nga afër mikpritjen dhe ofertat kulturore që ofron kjo zonë bregdetare.

Anija “Nautica” lundron nën flamurin e Ishujve Marshall dhe ka një gjatësi prej 182 metrash, gjerësi 29 metra dhe një kapacitet akomodues për 684 udhëtarë. E njohur për standardet e larta të shërbimit dhe dizajnin elegant, ajo është një ndër kroçierat më të përzgjedhura për eksplorimin e Mesdheut.

Pas vizitës në Durrës, “Nautica” do të vijojë itinerarin e saj drejt brigjeve malazeze të Kotorrit/kb

 

Rregullorja/ Si bëhet aplikimi dhe dokumentacioni për vitet e punës para ‘93 për pension

Hyn në fuqi rregullorja që i hap rrugë njohjes së periudhave të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore përpara vitit 1993, për efekt përfitimi të pensionit.

Sipas rregullores “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025, “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore përkatëse”, përfitojnë nga ky ligj të gjithë ata persona që kanë punuar në: Ish-institucione apo ndërmarrje shtetërore (deri më 1 tetor 1993), Ish-ndërmarrje bujqësore (deri më 17 tetor 1992), Kooperativa bujqësore (deri më 19 korrik 1991).

Ligji u vjen në ndihmë qytetarëve të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë vitesh sigurimi, ose atyre që kanë pasur periudha të punës që nuk janë njohur më parë nga ISSH, apo zvarriten prej vitesh në çështje gjyqësorë.

Rregullorja përcakton se kërkesa për trajtim bëhet vetëm nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin “Aplikim për pension”, ku kërkuesi duhet të përzgjedhë opsionin për t’u trajtuar sipas ligjit nr. 7/2025.

Kategoritë që përfitojnë nga zbatimi i ligjit janë:

Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit;

Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën;

Aplikantë të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi;

Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim;

Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit.

Për të përfituar nga ligji, rregullorja përcakton se aplikantët duhet të dorëzojnë dokumente si:

Certifikata familjare e periudhës përkatëse, që provon vendbanimin; Vërtetim penal, që provon se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo-politike gjatë asaj kohe etj.

Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit./kb

 

Ndërtimet pa leje në Theth, Rama: Vepër e rëndë penale

Rama: Është bërë një pikë qendrore e diskutimeve ajo që ka ndodhur në Theth ku gjatë periudhës e zgjedhjeve, ka pasur një bum ndërtimesh pa leje, si rezultat dhe i përgatitjes së sezonit të ri turistik. Jo një, por 40 denoncime janë bërë nga policia e shtetit. Në një aspekt policia e shtetit ka funksionuar ka denoncuar ndërtimet pe leje në prokurori. Dhe një rast flagrant ku nuk është ndërtuar një grehinë, por një fshat i tërë në mes të Thethit. Një prokure ka refuzuar të shikojë atë se çfarë ka ndodhur. Ndërkohë që ndërtimi pa leje në territorin e Shqipërisë është një vepër penale, aq më tepër në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër akoma më e rëndë. IKMT ka filluar të veprojë. Qoftë në Theth, qoftë edhe në vende të tjerash Tirana ka një problem të madh te zbatimeve të tokave. Policia bashkiake janë struktura shumë problematike./kb

“Travel and Tour World”: Vizitoni vendpushimin luksoz përgjatë vijës bregdetare të Jonit

Kompania “MGallery Collection” ka prezantuar hotelin e saj të parë në Shqipëri, “Green Coast Hotel”, një vendpushim luksoz bregdetar i vendosur përgjatë vijës bregdetare piktoreske të detit Joni, sipas “Travel and Tour World” (TTW).

Hoteli është i pozicionuar në mënyrë ideale pranë plazheve mahnitëse të Palasës, duke ofruar një arratisje të qetë ndërsa ndodhet i vendosur në mënyrë të përshtatshme vetëm një orë larg me makinë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, i planifikuar të hapet në mesin e vitit 2025.

Destinacioni kryesor në Shqipëri

Hoteli përfaqëson një standard të ri luksi dhe sofistikimi në industrinë e mikpritjes në Shqipëri.

Me vendndodhjen e tij mahnitëse, dizajnin e përsosur dhe përkushtimin ndaj qëndrueshmërisë, hoteli ofron një përvojë unike për vizitorët që kërkojnë relaks, aventurë ose mundësi biznesi.

Qoftë duke shijuar darka, ambiente “Wellness” të klasit botëror, apo pamje spektakolare të detit Jon, mysafirët do të zbulojnë se “Green Coast Hotel” ofron një akomodim të jashtëzakonshëm.

Hoteli, i vendosur në një nga rajonet më piktoreske të Shqipërisë, është gati të bëhet një destinacion kryesor për turistët nga e gjithë bota.

Duke kombinuar bukurinë natyrore të Shqipërisë me lehtësitë moderne dhe i fokusuar në qëndrueshmëri, “Green Coast Hotel” ofron një përvojë të paharrueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.

Ndërthurja e trashëgimisë kulturore me luksin bashkëkohor

“Green Coast Hotel” ndërthur luksin modern me historinë e pasur të rajonit.

Me 131 dhoma për mysafirë, duke përfshirë disa suita dhe një Suitë prestigjioze Presidenciale, hoteli shfaq një dizajn të frymëzuar nga e kaluara e larmishme e Shqipërisë.

Me ndikime nga qytetërimet ilire, romake, bizantine dhe osmane, hoteli u ofron mysafirëve një përvojë autentike që pasqyron evolucionin kulturor të vendit.

Dhomat e hotelit ofrojnë pamje marramendëse të detit Jon dhe peizazheve përreth, duke siguruar që çdo mysafir të shijojë atraksionin e qetë me pamje spektakolare.

Nga ujërat e qeta deri te kodrat e ashpra, dizajni i “Green Coast Hotel” krijon një mjedis harmonik ku bukuria e vijës bregdetare të Shqipërisë është e integruar në mënyrë të përkryer me rehatinë e klasit botëror.

Përvoja ushqimore

Në “Green Coast Hotel”, adhuruesit e kuzhinës mund të kënaqen me një shumëllojshmëri opsionesh të shkëlqyera ngrënieje.

“Mosaic”, restoranti që është i hapur gjatë gjithë ditës dhe shërben një gamë të gjerë pjatash ndërkombëtare dhe shqiptare, të gjitha të përgatitura me përbërës të freskët vendas.

Përvoja e ngrënies është projektuar për të reflektuar shijet e rajonit, duke u ofruar mysafirëve mundësinë për të shijuar vakte bashkëkohore dhe tradicionale në një ambient elegant.

Për një përvojë më të rastësishme, por po aq të rafinuar, “Mente”, bari i hotelit, ofron një përzgjedhje koktejesh të përgatitura me mjeshtëri dhe specialitete tradicionale shqiptare.

Me atmosferën e tij komode dhe pamjet mahnitëse bregdetare, “Mente” ofron vendin e përsosur për mysafirët për t’u çlodhur pas një dite eksplorimi.

Një rekreacion gjithëpërfshirës

Duke i dhënë përparësi mirëqenies së mysafirëve të tij, “Green Coast Hotel” ofron një gamë të gjerë lehtësirash për të promovuar mirëqenien fizike dhe mendore.

Qendra e fitnes-it e hotelit është e pajisur me pajisje të teknologjisë së fundit, duke u lejuar mysafirëve të ruajnë rutinat e tyre të stërvitjes ndërsa shijojnë qëndrimin e tyre.

Pas një stërvitjeje, mysafirët mund të rigjallërohen në sauna ose të trajtojnë veten me një përzgjedhje trajtimesh të këndshme spa.

Për ata që kërkojnë përvoja më holistike të mirëqenies, hoteli ofron seanca joge dhe ecje nëpër bukurinë natyrore përreth.

Vendndodhja e qetë e bregdetit Jon ofron mjedisin ideal për këto aktivitete, duke u lejuar mysafirëve të lidhen me natyrën.

Ambiente të gjithanshme për biznes dhe evente

Ndërsa “Green Coast Hotel” është një destinacion kryesor për kohën e lirë, ai gjithashtu u ofron udhëtarëve të biznesit një shumëllojshmëri ambientesh për takime dhe evente.

Hoteli ofron salla moderne konferencash të pajisura me teknologjinë më të fundit, duke e bërë atë një vend ideal për evente të kompanive, seminare dhe takime.

Për evente në natyrë, hoteli ofron një tarracë të bollshme me pamje nga deti Jon, duke ofruar një vend frymëzues për kokteje, aktivitete ekipesh ose evente private.

Pamjet mahnitëse krijojnë një sfond të paharrueshëm për çdo rast, duke e bërë “Green Coast Hotel” një destinacion të përsosur si për udhëtarët e biznesit, ashtu edhe për ata të kohës së lirë.

Mbështetja e komuniteteve lokale dhe qëndrueshmëria

“Green Coast Hotel” është i përkushtuar për të pasur një ndikim pozitiv në komunitetin lokal dhe për të promovuar qëndrueshmërinë.

Në bashkëpunim me organizatat lokale, hoteli mbështet në mënyrë aktive iniciativat e përqendruara në barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, duke u përpjekur të krijojë ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme në rajon.

Hoteli gjithashtu ndërmerr hapa për të siguruar që operacionet e tij të jenë të qëndrueshme duke bashkëpunuar me furnizuesit dhe artizanët vendas.

Duke përfshirë produktet dhe shërbimet lokale, “Green Coast Hotel” – jo vetëm që ofron një përvojë autentike, por gjithashtu kontribuon në rritjen e ekonomisë lokale.

Përmes këtyre përpjekjeve, hoteli synon të promovojë turizmin e përgjegjshëm që është në dobi si të mysafirëve ashtu edhe të komunitetit./E.T

Berisha sot i premtoi mandatin e pestë Ramës

Sali Berisha, në një deklaratë të bërë sot, njoftoi vazhdimin e asaj që ai e quajti “betejë kundër farsës elektorale të 11 majit”, duke paralajmëruar protesta në shtator. Ndërsa retorika e tij politike vijon me të njëjtin intensitet si muajt e fundit, deklaratat e sotme u lexuan nga shumë si një tjetër konfirmim se qeveria e Edi Ramës nuk do të përballet me ndonjë sfidë serioze opozitare.

Në vend që të jepte dorëheqjen dhe PD të reformohej për të rikthyer besimin e elektoratit opozitar, Berisha zgjodhi edhe një herë të flasë për protesta të paqarta dhe pa afate të sakta. Paralajmërimi për shtatorin duket më shumë si një përpjekje për të shtyrë përgjegjësinë dhe për të ruajtur një lloj mobilizimi artificial brenda mbështetësve të tij. Ndërkohë, qeveria e Ramës vijon mandatin e katërt pa asnjë merak dhe praktikisht, me këtë Berishë që nuk largohet, siguron edhe mandatin e pestë.

Kjo sjellje e përsëritur e Berishës dhe berishistëve ka krijuar një ndjesi dorëzimi në opinionin publik, duke e lënë hapur terrenin për mazhorancën që të vijojë të qeverisë deri në përjetësi. Protestat që paralajmërohen, por më shumë ngjajnë si ekskursione në shesh, si dhe mungesa e alternativës politike, po e forcojnë më tej pushtetin e Edi Ramës, i cili po ndërton mandatin e tij të pestë.

Rikonfirmimi i sotëm i këtij realiteti nga vetë Berisha tregon dështimin e opozitës për të dalë nga kriza e vet politike dhe për të qenë një alternativë e besueshme për shqiptarët. Ndërsa vjeshta afrohet me premtime për protesta, qytetarët duket se po përgatiten më shumë për një sezon tjetër apatie politike sesa për një ndryshim të vërtetë. m.p.

Miratimi i raportit mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë, si votoi Parlamenti Europian

Me 502 vota pro dhe 120 kundër, Parlamenti Europian miratoi raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024. Miratimi vjen një ditë pasi Parlamenti Europian debatoi mbi raportin për Shqipërinë, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder.

Parlamenti Evropian i kërkon Shqipërisë të ruajë reformën në drejtësi dhe të mos cenohet pavarësia e SPAK. Në seancën e një dite më parë, Marta Kos, Komisionerja për Zgjerim, tha se bisedimet për anëtarësim të vendit tonë po ecin me një ritëm të paparë, por në çdo rast të bazuar në meritë.
Eurodeputetët përshëndesin synimin për mbylljen e negociatave të Shqipërisë deri në vitin 2027, ndërsa bëjnë thirrje për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike./kb

 

Parlamenti Europian miraton raportin për Shqipërinë, Spiropali: Mesazh i fuqishëm

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka përshëndetur miratimin e raportit mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024, nga Parlamenti Europian, gjatë seancës plenare të mbajtur sot në Strasburg.

Ky dokument përfaqëson një vlerësim politik dhe institucional të arritjeve dhe sfidave të Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai pason një debat të zhvilluar më 8 korrik dhe është miratuar më herët edhe nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET).

Në reagimin e saj zyrtar, Spiropali e cilësoi miratimin e raportit si “një sinjal të qartë të mbështetjes që gëzon procesi i zgjerimit në Parlamentin Europian”, duke falënderuar eurodeputetët për vëmendjen dhe angazhimin ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit.

“Raporti vjen në një moment të rëndësishëm, ndërsa Shqipëria po avancon në mënyrë të paprecedent drejt BE-së, në përputhje me aspiratat e qytetarëve dhe vlerat e unionit,” deklaroi Kryetarja e Kuvendit.

Ajo vlerësoi gjithashtu raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për qasjen objektive dhe bashkëpunimin konstruktiv, ndërsa theksoi se raporti reflekton qartë si progresin në reformat institucionale, ashtu edhe nevojën për përshpejtimin e mëtejshëm të tyre.

Spiropali shtoi se raporti njeh përmbushjen e kushteve për hapjen dhe avancimin në kapitujt e negociatave dhe fton institucionet europiane të ruajnë një qasje të bazuar në merita.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për natyrën rigoroze të procesit të anëtarësimit dhe mbetemi të përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me institucionet europiane, për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe për të kontribuar në forcimin e unitetit të BE-së,” përfundoi Spiropali.

“Parlamenti Europian miratoi Rezolutën për Shqipërinë.

Pas një debati të zhvilluar një ditë më parë dhe pas miratimit me datë 4 qershor 2025 nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), Parlamenti Europian miratoi sot, në 9 korrik, në seancë plenare në Strasburg, raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024.

Ky raport përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konfimon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Europian.

Ne mirëpresim raportin e Parlamentit Europian, vlerësojmë rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës, dhe falënderojmë eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen tonë për raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmëndtë, qasjen objektive dhe të balancuar si ndaj të arritjeve ashtu dhe sfidave që kemi përpara dhe mbi të gjitha bshkëpunimin e përpjekjet e përbashkëta.

Ne vlerësojmë gjuhën inkurajuese të raportit, si në pasqyrimin e qartë të reformave dhe arritjeve të Shqipërisë në dy vitet e fundit, ashtu edhe për fushat ku ka nevoje të bëjmë më shumë, më shpejt e më mirë.

Ky raport vjen në një moment të rëndësishëm, teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri, në fakt në mënyrë të paprecedent- siç e theksoi vetë Komisionerja Kos në seancën e datës 8 korrik – në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, në përputhje të plotë si me aspiratat e popullit shqiptar, ashtu edhe me vlerat themelore të Bashkimit Europian, për të forcuar më tej demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e administratës publike dhe lirisë së medias.

Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë.

Ne riafirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur për të vazhduar me ritëm edhe më të shpejtë reformat e nevojshme për anëtarësim dhe për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Bashkimit Europian dhe e konsiderojmë raportin një mesazh politik të rëndësishëm, i cili përkon tërësisht me meszhin e qartë që qytetarët shqitarë dhanë me votën e tyre në zgjedhet e 11 majit, për të ecur me vendosmëri në rrugën e integrimit europian.

Në jemi të vetdijshëm dhe plotësisht të përkushtuar për natyrën rigoroze dhe transformuese të procesit të anëtarësimit dhe për nevojën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë edhe më të thelluar me të gjitha institucionet europiane, përfshirë edhe Parlamentin Europian dhe në këtë kuadër mirëpresim edhe rekomandimet për të thelluar më tej reformat, për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe për të kontribuar në forcimin dhe unitetin e Bashkimit Europia”, u shpreh ajo./kb

 

Nga uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore

Kryeministri Edi Rama ka reguar sërish lidhur me aksionin ndaj zaptimit të hapësirave publike në të gjithë vendin, ku ka paralajmëruar reforma të reja ligjore.

Përmes një postimi në platformën “X”, Rama shkruan se reformat kanë të bëjnë me shërbimin me ujë të pijshëm, sistemin e pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor.

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama./e.t

Marta Kos: SPAK riktheu besimin te drejtësia, duhet të mbrohet dhe forcohet

Parlamenti europian miraton sot raportin per Shqiperine per progresin pergjate 2024. Komisioneria Marta Kos ka vlerësuar progresin e Shqipërisë përgjatë muajve, si dhe punën e SPAK si organi që riktheu besimin tek drejtësia. Kos u shpreh se negociatat për anëtarësim po ecin me një ritëm të paparë më parë dhe se dy grupkapitujt e fundit do të hapen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten.

Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”, tha Kos./kb

❌