Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sherri në diskotekën në Palasë, lihen të lirë dy agresorët

Një sherr masiv ka ndodhur natën e shkuar në një diskotekë në Palasë, ku janë përfshirë dy persona.

Lidhur me këtë ngjarje, Policia referoi materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për të dy shtetasit.

Po ashtu Policia bën të ditur se të dy shtetasit e përfshirë në konflikt nuk kanë pësuar dëmtime trupore dhe nuk kanë depozituar kallëzim penal ndaj njëri-tjetrit. m.p.

“Nuk dua të ta jap librin”. Shkrimtarja Mimoza Ahmeti lë pa fjalë Egla Cenon

Shkrimtarja Mimoza Ahmeti ishte e ftuara e kësaj mbrëmjeje në “Goca & Gra”.

Intervista nisi me një moment të sikletshëm për Egla Cenon, e cila i kërkoi autores t’i vendoste një autograf në një nga librat që kishte sjellë me vete. Por, Ahmeti refuzoi ta bënte këtë, pasi sikurse tha, nuk i dhuron librat.

Egla: A mund të më vendosësh një autograf.

Mimoza: Më fal, ky është libri që solla unë?

Egla: Kam përshtypjen po.

Mimoza: Këto i kam për punë.

Egla: A mund t’i blejmë këto?

Mimoza: Jo, e kam për punë.

Kleoniki: A kanë ndryshim këto libra me të tjerë që keni?

Mimoza: Kam udhëtime për të bërë. Do shkoj në Gjermani, nuk do blej libra. Nuk i dhuroj njeriu libra. Duhet të ketë bërë të pamundurën për mua që t’i dhuroj libra. m.p.

U “kap mat” në koncert, CEO i Astronomer jep dorëheqjen

Andy Byron ka dhënë dorëheqjen si Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer, disa ditë pasi iu zbulua lidhja e tij jashtëmartesore me menaxheren e burimeve njerëzore.

Gjatë performancës në stadiumin “Gillette”, para 55 mijë spektatorëve, fytyrat e buzëqeshura të Byron dhe të Kristin Cabot u shfaqën në ekranin gjigant të skenës.

Reagimi i tyre i sikletshëm dhe përpjekja për t’u fshehur nga kamerat u bë virale në internet, duke ndezur diskutime të shumta mbi marrëdhënien e tyre dhe ndikimin në jetën profesionale.

Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe kompania Astronomer, e cila përmes një deklarate ka konfirmuar dorëheqjen e Byron.

“Siç u tha më parë, Astronomer është i përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na kanë udhëhequr që nga themelimi ynë. Udhëheqësit tanë janë të thirrur të vendosin standardet si për sjelljen ashtu edhe për llogaridhënien, dhe kohët e fundit, këto standarde nuk janë përmbushur”, tha kompania në një deklaratë. “Andy Byron ka paraqitur dorëheqjen e tij dhe Bordi i Drejtorëve e ka pranuar atë.” m.p.

Renis Dobra, kur jeta e njeriut kushton 10 mijë euro

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, ku 23-vjeçari Renis Dobra u rrëmbye dhe më pas u vra.

Deri më tani dyshohet se Dobra është mbytur me litar pas prishjes së pazareve të drogës me katër shtetasit, Petrit Çakrri, dhe 3 vëllezërit, Fatjon, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj.

Së fundmi ka qenë gazetari Igli Çelmeta i cili ka thënë se 23-vjeçari u vra për 10 mijë euro, shumë që i kishte kushtuar lënda narkotike në Gjermani, të cilët mendohet se të riut ia ka kapur policia.

Gazetari tha se autorët i bënë pritë viktimës rreth 950 metra larg banesës së tij dhe se ishte babai i viktimës që ra në gjurmët e 23-vjeçarit fillimisht dhe më pas policia.

Aleksandër Bushgjokaj, Kristi alias Kristë Bushgjokaj dhe Fation Bushgjokaj, personazhe të njohur për Policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me shtetasin Petrit Çakrri alias Hoxha, kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit, të cilin pasi e mbytën me litar e hodhën bashkë me makinën e tij në liqenin e Shkopetit.

Deri më tani është bërë i mundur arrestimi i Petrit Çakrrit si dhe i njërit prej vëllezërve Bushgjokaj, Fatjon Bushgjokaj, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.

Teksa po vijon puna për arrestimin e dy vëllezërve të tjerë, policia bëri me dije se nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në datën 8 korrik, në fshatin Zenishtë, Burrel, e morën peng 23-vjeçarin dhe më pas e vranë duke e mbytur me litar. Pastaj trupin e tij e futën në automjetin e të riut dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit, me qëllim për të fshehur gjurmët.

Shkak për vrasjen e Renis Dobrës, dyshohet të jenë bërë pazaret e drogës. Nga hetimet rezulton se 23-vjeçari punonte më herët në Gjermani për llogari të grupit kriminal të vëllezërve Bushgjokaj, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike.

Renis Dobra në disa raste nuk i ka dorëzuar vëllezërve nga Tropoja shumat e parave të fituara nga shitja e kokainës duke pretenduar se disa herë droga është hedhur në rrugë, ujë apo liqen për arsye se po e ndiqte policia.

Vëllezërit Bushgjokaj kanë menduar se Dobra po i mashtronte dhe po i vidhte të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, arsye kjo që i ka bindur ata për ta vrarë.

“Fillimisht autorët e dyshuar kanë marrë automjet me qira, të cilët kanë lëvizur në qytetin e Burrelit dhe më pas në fshatin Zenishtë ku kishte banesën Dobra. Kanë parë që rruga ka qenë e prishur, pasi automjeti Golf 7 nuk mund të lëvizte me shpejtësi, kështu që një ditë më pas kanë ndërruar automjet, kanë marrë një Hyundai dhe Range Rover. Kur është ndjekur në drejtim të banesës ka qenë Hyndai i bardhë, më pas edhe Range Rover.

I kanë bërë pritë rreth 950 m larg banesës së tij. Në ato momente ka qenë duke kaluar edhe një i afërm i viktimës, që ka parë momentin kur autorët i kanë prerë rrugën. Autorët i kanë thënë kushëririt të Dobrës të largohej dhe i afërmi ka dyshuar se kanë qenë forca operacionale të policisë. Kushëriri ka lajmëruar babanë e Renisit dhe kanë shkuar në komisariatin e Burrelit nëse është arrestuar 22 vjeçari.

Aty është kuptuar se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale, një rrëmbim. Familjarët kanë nisur kërkimet për gjetjen e djalit të tyre. Por ngjarja ka ndodhur rreth 30 km larg nga ku është rrëmbyer Renis Dobra. Fillimisht ka qenë babai i cili ka gjetur shapkën e djalit në rrugë. Trupi është gjetur nga familjarët rreth orës 4 të mëngjesit. Pastaj është lajmëruar policia dhe ka nisur zbardhja e ngjarjes e ndihmuar edhe nga dëshmitë e familjarëve, të cilët kanë arritur edhe ata të sigurojnë pamje të kamerave, sidomos atyre afër banesës.

Kjo ngjarje është e mirëmenduar dhe e përgatitur për ta vrarë. Sipas hetimeve, autorët në fillim kanë dashur ta hedhin 22 vjeçarin së bashku me automjetin në urën e Ulzës. Duken gjurmët teksa kanë tentuar ta hidhnin aty. Pasi kanë dështuar aty, kanë shkuar më tutje në liqenin e Shkopetit, ku kanë realizuar synimin e tyre.

Ajo që është më tragjike është fakti se autorët e kanë eliminuar Renis Dobrës për një shumë prej 10 mijë eurosh që kishte kushtuar lënda narkotike në Gjermani, të cilën mendohet se Dobrës ia ka kapur policia.”, tha gazetari. m.p.

“Erion Veliaj financon Arlind Qorin”. Gazetari përplaset me aktivistin e Lëvizjes Bashkë

Një përplasje e fortë verbale ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës në Euronews Albania, mes gazetarit Flavio Qarri dhe përfaqësuesit të Lëvizjes Bashkë, Klodian Leka.

Debati u zhvillua në emisionin Now me moderatore Greta Topjana. Aktivisti i Lëvizjes Bashkë akuzoi gazetarin Flavio Qarri për shkelje të standardeve profesionale duke thënë se ai është duke shpifur, kur shprehet se Erion Veliaj është financiuesi i Lëvizjes Bashkë.

“E para, ne nuk financohemi nga oligarkët siç financoheni ju. Nuk financohemi as nga banda,” – deklaroi Leka.

Gazetari Qarri reagoi menjëherë:

“Kush jam unë?” – pyeti ai, duke kërkuar sqarim nga aktivisti.

Por Leka e vijoi me tone të larta:

“Partia jote, ti je partia këtu mo plak. Je Partia Demokratike në këtë tavolinë.”

Përplasja kulmoi kur Qarri u përpoq të ndalonte sulmet personale, ndërsa Leka e akuzoi për propagandë:

“Po pse je kështu, pse do të më ulësh? E kupton se sa i vogël je?” – u shpreh Qarri.

“Po më bën habi sesi ti shkel standardet gazetareske. Nëse thua teori konspirative, nuk je gazetar. Na thua na ka krijuar Erion Veliaj,” – reagoi ashpër Leka.

Ndërsa gazetari pretendoi se Lëvizjes Bashkë i janë ofruar ndihma nga “tre të tjerë”, Leka e përgënjeshtroi dhe e quajti “mashtrues ose frikacak”:

“Je duke mashtruar, paraqit fakte. Po shpif, po të them emrat. Na themeloi Arlind Qori,” – përfundoi ai. m.p.

Çfarë ndodhi në Ksamil? Historia qenka krejt tjetër!

Një tjetër version është duke qarkulluar mbi ngjarjen e ndodhur në Ksamil këtë të shtunë ku u dhunua shtetasi Albert Pashaj.

Ndryshe nga sa u raportua më herët në media, e vërteta mesa duket është krejt ndryshe. Sipas asaj që Euronews bën me dije së fundmi mësohet se shkaku i këtij sherri ka qenë vetë Pashaj.

Ky i fundit, së bashku me familjarët e tij, ishte paraqitur në ambientet e një bari në pronësi të Agim Tarajt. Gjatë qëndrimit të tij në këtë subjekt Pashaj ka hedhur pije në kokë dhe më pas ka fyer kamarierin, ku ky i fundit i është kthyer dhe e ka qëlluar.

Konflikti mes tyre vijoi ku sipas të njëjtave burime thuhet se Albert Pashaj dëmtoi ambientin e barit dhe kërcënoi stafin e lokalit. Është dashur ndërhyrja e pronarit, Agim Tarajt, i cili është përpjekur që të neutralizojë situatën.

Ky është versioni i dytë i kësaj ngjarje, ndërkohë që për më tepër detaje dhe një pasqyrim të asaj që vërtet ka ndodhur këtë të shtunë në Ksamil pritet një tjetër reagim nga Policia e Sarandës.

Të gjitha detajet e raportuara lidhur me këtë ngjarje mbeten në kuadër të dyshimeve dhe informacioneve të siguruara nga rrugë jo zyrtare. m.p.

Ndryshon destinacioni për Granit Xhakën, ka dy opsione të reja

Fenerbahce ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar shërbimet e Granit Xhakës, duke iu bashkuar garës së nisur nga Sunderland, Inter dhe Milan për nënshkrim me mesfushorin shqiptar, sipas një raportimi nga gazetari Ekrem Konur.

Gjigantët turq kanë nisur kontakte me përfaqësuesit e lojtarit, duke shpresuar t’i ofrojnë një rol kyç në planet e tyre për mesfushën. Megjithatë, Bayer Leverkusen mbeten të palëkundur në pozicionin e tyre. Xhaka nuk do të lirohet përveç nëse paguhet plotësisht shuma e kërkuar prej 8 milionë eurosh.

Kampionët e Bundesligës për sezonin 2023/24 nuk ndihen të detyruar ta shesin, ndërsa 31-vjeçari ka ende kohë të mbetur në kontratë. Sunderland konsiderohet se është kandidati më serioz, teksa raportimet sugjerojnë se ata janë gati të plotësojnë kërkesat e Leverkusen dhe t’i ofrojnë Xhakës një rol udhëheqës në rikthimin e tyre në Premier.

Ndërkaq, të dy klubet nga Milano kanë kryer hapat e parë në negociata, por asnjëra prej tyre nuk ka çuar më tej bisedimet deri tani. Me Neom SC që zyrtarisht u tërhoq nga negociatat më parë gjatë kësaj jave pasi Leverkusen kerkonte 13-15 mln euro, garës për nënshkrimin e Xhakës duket se do t’i mbeten klubet evropiane.

Lojtari mbetet i hapur për një transferim, megjithatë raportohet se po e shqyrton me kujdes çdo opsion, përfshirë mundësinë e rinegocimit të kushteve dhe qëndrimit te Leverkusen. m.p.

Dhërmi, hoteli derdhte ujërat e zeza në përrua, procedohet administratorja

Rastet e ndotjes së ujrave dalin akoma më shumë në pah gjatë sezonit turistik. Prania e pushuesve dhe turistëve i jep më shumë “zë” kësaj problematike e cila neglizhohet gjatë muajve të tjerë të vitit. Një rast i tillë i ndotjes është evidentuar në Dhërmi.

Raportohet se një hotel derdhte ujërat e zeza në një përrua pranë biznesit. Kjo patjetër sjell ndotje të ambientit dhe duke krijuar një imazh negativ tek turistët. Në lidhje me këtë ngjarje është proceduar penalisht administratorja e hotelit.

46-vjeçarja me iniciale E. M. do të hetohet për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”. Ndëshkimi nuk është ndalur me kaq pasi Task-Forca e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve ka vendosur masë administrative ndaj hotelit. m.p.

Plas grushti në AF Elbasani-Pogradeci, futbolli shqiptar s’ka paqe as në miqësore

Edhe pse vetëm një miqësore, ndeshja e përfunduar pak çaste më parë mes Elbasanit dhe Pogradecit në ‘Elbasan Arena’ i ngjante më shumë një ‘lufte’.

Në fushën e gjelbër shpërtheu një sherr masiv, teksa arsye ishte sjellja provokuese e një prej futbollistëve të Pogradecit. Fillimisht u përplasën ashpër futbollistët e te dy ekipeve, ndërsa më pas u përfshinë stafet e tyre, por edhe tifozë të cilët zbritën nga tribuna.

Pas ndërhyrjes së security, por edhe shumë personave të tjera, situata e qetësua, por sërish mbetet e papranueshme për një ndeshje miqësore.

Aksident në Lezhë, makina përplas këmbësorin

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në qytetin e Lezhës. Burime për mediat bëjnë me dije se në lagjen “Gurra” një automjet tip “Golf” ka përplasur një shtetas, i cili ishte duke kaluar rrugën.

Thuhet se qytetari sapo kishte dalë nga një market në atë zonë ku automjeti e mori “para”. Si pasojë këmbësori mbeti i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital.

Nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore, ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërriti policia të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti. m.p.

33.5 mld lekë tepër në arkën e shtetit! Ministria e Financave shpjegon shifrat

Nga taksat dhe tatimet, buxheti i shtetit ka siguruar në gjysmën e parë të vitit 366 miliardë lekë, ose 3.7 miliardë euro të ardhura.

22.8 miliardë lekë më shumë para u arkëtuan këtë 6-mujor, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, me një rritje prej 6.7% dhe një realizim të planit në masën 100.6%.

Janë të ardhurat nga pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore që ndihmuan buxhetin. Politika e ndjekur nga qeveria për deklarimin e tyre dhe luftimin e informalitetit duket se ka dhënë rezultat.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale u mblodhën gjithsej 40.8 miliardë lekë, ose 8.6 miliardë lekë më shumë. Ndërsa nga kontributet shoqërore e shëndetësore, 87.6 miliardë lekë, ose 9.7 miliardë lekë më shumë se 6-mujori 2024.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore kontribuan me 113.6 miliardë lekë, me një rritje prej 3.4%. Përfshirë këtu të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare.

Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 6-mujore të vitit 2025 arritën në rreth 332.5 miliardë lekë, ose 3.4 miliardë euro. Në terma vjetorë, vetëm 40.3% e totalit të planit është realizuar nga qeveria. m.p.

Hapësirat publike, Bashkia Tiranë: 20 mijë m² u rikthehen qytetarëve

Aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë po jep rezultatet e para konkrete. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake kanë ndërmarrë një operacion të gjerë për të kthyer qytetin te qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare nga bashkia Tirane, gjatë kësaj periudhe:

– Janë bërë 1,428 njoftime për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme;
– 352 subjekte kanë reaguar pozitivisht dhe kanë realizuar çmontimin vullnetarisht;
– Janë mbajtur 32 akt-konstatime për shkelje të ligjit;
– Janë liruar 20 mijë m² hapësirë publike që më parë ishin të zëna me struktura apo objekte të paligjshme.

Ky aksion është pjesë e një nisme të Bashkisë së Tiranës për të përmirësuar jetën urbane dhe për të siguruar më shumë hapësira të lira për komunitetin. m.p.

Lojtari shqiptar bie dakord me Igli Taren, gati kontrata 2,4 mln euro në vit te Milani

Milani ka bërë një hap të rëndësishëm drejt nënshkrimit të mesfushorit zviceran Ardon Jashari, pasi agjentët e lojtarit u takuan sot me drejtorin sportiv Igli Tare në Casa Milan. 21-vjeçari raportohet se ka rënë dakord për kushtet personale me Milanin për një kontratë që zgjat deri në qershor të vitit 2030, me një vlerë prej 2.4 milionë euro në sezon.

Klubet ende nuk kanë finalizuar çmimin e transferimit, por negociatat po shkojnë mirë dhe optimizmi për arritjen e një marrëveshjeje të plotë po rritet. Milan po synon të forcojë opsionet në mesfushë para sezonit të ri, dhe aftësitë teknike dhe taktike, si dhe potenciali për zhvillim i Jasharit e kanë bërë atë një objektiv kryesor.

Transferimi i Jasharit është pjesë e strategjisë së klubit për të investuar në talentët e rinj dhe për të ndërtuar një ekip konkurrues që synon të rivalizojë në Serie A dhe në kompeticionet europiane në vitet në vijim. Milani do te shpenzoje gati 37 mln euro bashke me bonuse. m.p.

Mandati Lapaj-Shabani, flet djali i Ana Dajkos: Nëna ime…

Debati për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” vijon të përshkallëzohet, me përfaqësuesit kryesorë të tij, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, në qendër të një përplasjeje publike.

Për këtë çështje ka reaguar edhe djali i Ana Dajkos, e cila ndodhet e para në listën zyrtare të koalicionit.

Në një prononcim për Euronews Albania, ai shpreh keqardhjen për situatën e krijuar dhe thekson se, sipas tij, mandati i takon Adriatik Lapajt.

“Mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ i takon zotit Adriatik Lapaj dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet, si më i votuari në listën zgjedhore. Ime më, Ana Dajko, ashtu si 45 kandidatë të tjerë në listën e mbyllur, ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi përpara shpalljes së rezultateve. Pas zhvillimeve të fundit, çdo vendim i mëtejshëm i takon kryesisë së Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’,” – u shpreh ai.

Situata mbetet e tensionuar brenda koalicionit, me rrezik për thellim të krizës politike dhe organizative në radhët e tij.

Ministria e Mbrojtjes: Janë raportuar 22 vatra zjarri, 11 janë ende aktive

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se deri në orën 18:00, janë raportuar 22 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 11 mbeten ende aktive.

Në qarkun Dibër, vatrat më të mëdha ndodhen në Parkun Kombëtar Lurë dhe nga krahu i Gurë Lurës, ku po punohet nga forcat vendore dhe ato të Forcave të Armatosura. Në Bulqizë, zjarri është riaktivizuar në zonën Shupenzë. Në Mat, në një terren të thepisur në Zall Gjoçaj, vijon ndërhyrja me forca tokësore dhe një helikopter.

Në Fier, një vatër me përmasa të mëdha është aktive në Belishovë, Mallakastër, ku janë përfshirë shumë njësi zjarrfikëse dhe forca ushtarake. Në Vlorë, në zonën e Dukatit, flakët kanë përfshirë edhe kurorën e pyllit me pisha.

Në Elbasan, dy vatra janë ende aktive, në fshatin Shmil dhe në kodrën e Krastës. Në qarkun Lezhë, zjarri po përhapet në fshatin Tenë të Mirditës. Zjarre të tjera janë regjistruar në fshatin Zallë të Krujës dhe pranë Parkut të Kamionëve në Shijak.

Terreni i vështirë dhe era e fortë kanë bërë që përpjekjet për shuarjen e zjarreve të jenë sfiduese në disa zona. Operacionet vijojnë me angazhim të madh nga zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimet pyjore. m.p.

Vietnam, përmbyset anija turistike, 34 të vdekur

Një ngjarje rëndë ka ndodhur sot në Gjirin Ha Long të Vietnamit, ku një anije turistike u përmbys nga një stuhi e fortë, duke lënë të paktën 34 persona të vdekur.

Anija mbante në bord 48 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, e cila u përmbys si pasojë e një stuhie të papritur me shi të rrëmbyeshëm, në vendin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shumica e pasagjerëve ishin familje që vinin për vizitë nga kryeqyteti Hanoi, përfshirë më shumë se 20 fëmijë që ndodheshin në bord.

Sipas mediave, rojet kufitare kanë shpëtuar deri më tani 11 persona, ndërsa 34 trupa janë gjetur të pajetë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se përpjekjet e shpëtimit do të vijojnë edhe gjatë natës, pasi ende rezultojnë të zhdukur tetë persona. m.p.

Xhilian Zheleku, heroi i heshtur i turistëve në Sarandë

Personi që shihni në foto është Xhilian Zheleku, roja bregdetare pranë kanalit të Çukës në Sarandë i cili është kthyer në heroin e pushuesve.

Sipas asaj që mediat lokale raportojnë mësohet se Zheleku përgjatë kësaj të shtune ka arritur që të shpëtojë gjashtë turistë të cilët rrezikonin të mbyteshin.

Pa marrë parasysh rrezikun që mund t’i kanosej, ky shtetas ka mundur që të shpëtojë pushuesit të cilët kanë zgjedhur Sarandën për të kaluar pushimet e tyre.

Zona në të cilën këta shtetas kanë rrezikuar që të humbin jetën është një nga pikat më alarmante për të cilën shpesh herë banorët e zonës kanë bërë thirrje që autoritetet duhet të marrin masa.

Thuhet se përgjatë ditëve të fundit se pikëderdhja e lumit të Bistricës ka ndryshuar drejtim dhe është bërë shumë i rrezikshëm. Për këtë arsye u bëhet apel autoriteteve që të ndalojnë notin pranë kësaj zone dhe të marrin masa. m.p.

Mikrokreditë mashtruan shqiptarët, SPAK çon në gjyq skemën

Me një akuzë 211 fletë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka “kopsitur” dosjen për në gjyq për 17 të akuzuarit për skemën e mashtrimit me mikrokreditë.

Në fashikujt e dosjes voluminoze, me firmën e prokurorit të çështjes, Edvin Kondili, rezulton se janë 17 emra të cilët Prokuroria e Posaçme i akuzon për tre vepra penale: “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, vepra të cilat sipas ligjit shqiptar parashikojnë deri në 15 vite burg.

Emrat e të akuzuarve janë:

Elda Ibro
Arben Meskuti
Alban Kote
Aldo Daka
Albert Gega
Olsi Ibro
Andis Gjoka
Vasil Bakallbashi
Yliana Sejfo
Indrit Çuberi
Rigels Bejko
Altin Vako
Helidon Xhindi
Fatos Alimadhi
Lefter Canaj
Roland Deda
Endri Myftari

Spak ka zbuluar një sistem të sofistikuar kompjuterik që përndiqte debitorët në gjithë Shqipërinë nga grupi që udhëhiqte Olsi Ibro, 45-vjeçari i cili në korrik të vitit të kaluar ndërmori aktin ekstrem duke konsumuar fostoksinë dhe më pas duke u hedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë ku dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu, dhe nga bashkëshortja e tij, Elda Ibro si dhe Arben Meskuti.

Deri më tani lidhur me këtë dosje në qeli janë tre nga 17 të akuzuarit nga SPAK. Priten zhvillime të rëndësishme në lidhje me këtë çështje sensitive, që pas disa vitesh hetimi çon para bankës së të akuzuarve 17 persona, ku më i rëndësishmi në akuzë, Olsi Ibro, nuk jeton më. m.p.

Slloveni, qytetarët votojnë pro eutanazisë (pacienti vendos vdekjen)

Sllovenia legalizoi vdekjen e asistuar të hënën pas një referendumi, në të cilin shumica e votuesve votuan pro.

Parlamenti slloven miratoi ligjin me 50 vota pro, 34 kundër dhe tre abstenime.

Sipas ligjit të ri, ata që vuajnë nga një sëmundje e pashërueshme, që janë të shëndoshë mendërisht dhe gjendja shëndetësore e të cilëve është e tillë që nuk mund ta durojnë më dhimbjen, kanë të drejtë t’i japin fund jetës së tyre.

Ata që vuajnë nga sëmundje mendore përjashtohen. Ligji mund të zbatohet edhe në rastet kur trajtimet nuk ofrojnë ndonjë lehtësim ose përmirësim të arsyeshëm të gjendjes së pacientit.

Të gjitha opsionet e tjera të trajtimit duhet të jenë shteruar. Eutanazia, pra vdekja e shkaktuar nga një mjek ose infermier me kërkesë të pacientit, mbetet e ndaluar. Theresa Novak, një anëtare e parlamentit nga Partia Liberale në pushtet, tha, megjithatë, se “do të ishte imorale që mjekësia t’i privojë njerëzit nga e drejta për të vdekur nëse dëshirojnë dhe mjekësia nuk mund t’i ndihmojë ata”. m.p.

VIDEO: Qytetari dhunohet në mes të pushuesve në Ksamil

Një qytetar është dhunuar në mes të pushuesve në Ksamil. Ngjarja është shënuar mesditën e së premtes në një prej zonave më të frekuentuara të Ksamilit, të mbushur plot me pushues, edhe të mitur.

Sipas informacioneve, agresori, i identifikuar si Agim Taraj, person me precedentë penalë për dhunë dhe trafik droge, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari, pa asnjë ndërhyrje nga forcat e rendit. Ndërkohë, mësohet se dy personat që janë përfshirë në konflikt janë shoqëruar në polici

Në një video shihet teksa agresori largohet dhe personi tjetër është i gjakosur në kokë. Në video dëgjohet edhe një grua, e cila e shokuar nga ngjarja, dëgjohet duke thënë “O plehrë ça ke bërë? Do ta shikosh…”

❌