Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Lirimi i hapësirave publike, shkodranët mirëpresin aksionin: I drejtë dhe pak i vonuar

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike përveçse po mirëpritet nga qytetarët e Shkodrës, por ka dhe një mirëkuptim çdo ditë e më shumë nga bizneset që po lirojnë vullnetarisht hapësirat në shërbim të banorëve, shprehet Bashkia e qytetit.

Qytetarët të ndryshëm shkodranë shprehen pro aksionit të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset.

“Është shumë e drejtë dhe shumë e mirë që të lirohen hapësirat për këmbësorët. Ideja dhe qëllimi është shumë i mirë”, shprehet një qytetar shkodran.

“Është pak i vonuar”, shprehet një tjetër qytetar.

Një banor shprehet se, “boll mirë e kanë ba, edhe boll mirë bajnë që i lirojnë trotuaret, rrugë, për me kalu. Skadal kanë qenë, po shyqyr që po lirohen”.

Prej disa ditësh, Policia Bashkiake e Shkodrës ka zbritur në terren, duke njoftuar të gjitha bizneset që kanë zënë hapësirat publike me struktura metalike dhe pode të paligjshme në zonat e dedikuara për kalimtarët.

“Falënderojmë të gjitha bizneset për mirëkuptimin dhe i sigurojmë që bashkia do të bëjë më të mirën brenda rregullave për të mbështetur aktivitetin e tyre”, shprehet kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, në një postim në rrjetet sociale.

The post Lirimi i hapësirave publike, shkodranët mirëpresin aksionin: I drejtë dhe pak i vonuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme

PRISHTINË, 20 korrik /ATSH/ Një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën ditët në vijim.

Kjo situatë vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore.

Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.

Ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore. Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

Sipas IMHK indeksi UV  (ultraviolet) do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohet ekspozimi në rrezet të diellit, sidomos personat në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

/KosovaPress/

The post I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kultivonin kanabis me llamba, arrestohen tre persona

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit vijon operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit të lëndëve narkotike me anë të llambave, të shitjes së saj, si dhe për goditjen e armëmbajtjes pa leje.

Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “The Wrong Meeting” gjatë të cilit janë vënë në pranga 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Sipas Policisë, janë sekuestruar gjithsej 6,2 kg kanabis në formë boçeje (dyshohet e prodhuar me llamba), një armë zjarri pistoletë së bashku me një sasi municioni luftarak, dy jelekë antiplumb, pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, dy automjete dhe 6 aparate celularë.

Dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në zonën e Golemit gjatë shkëmbimit të një sasie kanabisi, ndërsa tjetri posedonte armën e zjarrit, një sasi tjetër të lëndës narkotike dhe pajisjet që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, finalizuan operacionin policor të koduar “The Wrong Meeting”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Sh. T., 36 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”; D. S., 21 vjeç, banues në Peqin, Elbasan dhe J. B., 17 vjeç, banues në Golem, Durrës, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit G. S., 39 vjeç, dhe M. Ll., 33 vjeç, të dy banues në Peqin, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në një parking në zonën e Golemit, Durrës, Sh. T. dhe D. S., në momentin e shkëmbimit të një sasie lënde narkotike kanabis në formë boçeje me peshë 4.5 kg.

Nga hetimet e kryera, në këtë aktivitet ishte i përfshirë edhe shtetasi J. B., i cili banonte përkohësisht në një ambient pranë parkingut, ku pas kontrollit të ambientit ku banonte, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 1,1 kg lëndë narkotike kanabis.

Në vijim të operacionit, nga sherbimet e Komisariatit të  Policisë nr. 7 Tiranë, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Sh. T., u gjet dhe u sekuestrua 600 gram lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një armë zjarri e dyshuar pistoletë, së bashku me një sasi municionesh luftarake (fishekë), dy jelekë antiplumb, si dhe pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Nga hetimet ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë edhe shtetasit G. S. dhe M. Ll., të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve po vijon puna për identifikimin dhe dokumentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

The post Kultivonin kanabis me llamba, arrestohen tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan, ka vdekur mbrëmjen e së shtunës, në moshën 77-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.

Lindur dhe rritur në Elbasan, At Nikolla i përkiste atij brezi të klerikëve që e jetuan thirrjen shpirtërore jo si titull, por si mision. Për dekada me radhë, ai shërbeu me përkushtim dhe përulësi në Kishën “Shën Maria”, në lagjen Kala të Elbasanit, një nga institucionet më të vjetra të besimit ortodoks në vend.

Kisha e Shën Mërisë, e shpallur monument kulture në vitin 1963 nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, gjendet në qytetin e Elbasanit dhe shquhet për vlerat e saj etnokulturore e arkitekturore të rralla. Ajo u ndërtua rreth vitit 1830 nga komuniteti ortodoks, mbi themelet e një kishe më të vjetër.

At Nikolla Marku e ktheu këtë kishë jo vetëm në një vend shërbese, por në një qendër të gjallë shpirtërore ku njerëzit gjenin paqe, fjalë të mençura dhe një dorë të hapur për ndihmë.

Gjithë jeta e tij ishte e lidhur me komunitetin në gëzime e në dhimbje, në festa e në periudha të vështira, At Nikolla ishte aty, i thjeshtë, i dashur dhe gjithmonë i gatshëm të dëgjonte, të këshillonte dhe të shërbente me ndershmëri. Me një etikë të lartë shpirtërore dhe morale, ai nuk e ndau asnjëherë fenë nga dashuria për njeriun.

Pritja për ngushëllime po bëhet në Kishën “Shën Maria”, aty ku ai kaloi gjithë jetën në shërbim të Zotit dhe të njerëzve. Ndërkohë, ceremonia mortore do të mbahet sot, më 20 korrik, në orën 17:00, ku familjarë, miq, bashkëqytetarë dhe besimtarë do t’i japin lamtumirën e fundit një figure të shenjtë të qytetit.

Vdekja e At Nikolla Markut është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin ortodoks, por për të gjithë qytetin e Elbasanit që e njohu nga afër përkushtimin e tij të rrallë, shpirtin e butë dhe urtësinë që e karakterizonte në çdo hap të jetës.

The post Vdes At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë

PRISHTINË, 20 korrik /ATSH/ Gjatë vitit 2024, rezultatet e anketës së Agjencisë së Statistikave tregojnë se sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 mijë e 228 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët), ku krahasuar me vitin 2023 (që ishte 420 mijë e 688 hektarë) ka një rënie të sipërfaqes së tokës në shfrytëzim prej 456,3 hektarë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2024, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) që ishte 216 534,33 ha (51,53%), krahasuar me vitin 2023 (që ishte 216 979,55  ha) ose 51,58%.

“Rënia e sipërfaqes së shfrytëzuar te toka e përbashkët ishte si rezultat i rënies së numrit të blegtorisë”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së, toka e punueshme – arat marrin pjesë me 44,93% dhe kopshtet me 0,22% në gjithsej sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore.

“Gjatë vitit 2024, gjithsej toka e punueshme – arat ishte 188 795.00 ha. Pjesa më e madhe ishte me: drithëra (125 274,35 ha, ose 66,4%); bimë foragjere (37 117.13 ha, ose 19,7%); perime në fushë të hapur, në serra dhe në kopshte (9 827.39 ha), prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 8 914,65 ha ose 4,7%; patate (3 806.07 ha ose 2,0%); bishtajore (2 929.40 ha ose 1,6%); bimë industriale (1 689.82 ha ose 0,9%); kultura të tjera (2 633.81 ha ose 1,4%) dhe tokë djerrinë ishte 6 429.78 ha ose 3,4%”, njofton ASK.

Ndërkaq, sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës në vitin 2024, ishte 34 mijë e 70 hektarë.

Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide në vitin 2024 ishte 122 mijë e 570 hektarë.

Sa i përket deleve, gjatë vitit 2024 numri i tyre ishte 211 220, ku krahasuar me vitin paraprak 2023 (që ishte 207 123 dele), ka një rritje të lehtë.

Ky publikim ofron të dhëna në formë përmbledhëse për: kulturat bujqësore bimore (shfrytëzimin e tokës bujqësore, prodhimtarinë bimore, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet)); blegtorinë (therjet, shitjet, produktet blegtorale) dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.

/KosovaPress/

The post Bie sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hidhet shorti i kampionatit “Abissnet Superiore 2025/2026”, zbardhet kalendari i plotë i ndeshjeve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është hedhur sot shorti për kalendarin e kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin 2025/2026.

Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësuesit e klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe përfaqësues të medias.

Ceremonia e shortit u drejtua nga shefi i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, dhe java e parë premton menjëherë emocione, pasi goglat rezervuan përballjen finale të sezonit të kaluar në “Abissnet Superiore”.

Java e parë e kampionatit “Abissnet Superiore”, sezoni 2025–2026:

Partizani – Vora
Teuta – Dinamo City
Vllaznia – Egnatia
AF Elbasani – Flamurtari
Bylis – Tirana

Kampionati “Abissnet Superiore” do të ngrejë siparin më 23 gusht.

Më poshtë gjeni kalendarin e plotë me të gjitha sfidat:

Kalendari i kampionatit Abissnet Superiore sezoni 2025-2026

The post Hidhet shorti i kampionatit “Abissnet Superiore 2025/2026”, zbardhet kalendari i plotë i ndeshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E diel, 13 korrik, parashikohet mot i qëndrueshëm me vranësira të pakta

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Ditën e diel vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti sot parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, pa përjashtuar vranësira të pakta kalimtare, hera-herës deri mesatare nga orët e mesditës deri pasdite vonë, kryesisht në veri.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimore dhe zonave luginore era fiton shpejtësi 7-10 m/s.

Valëzimi në dete 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/35 Diell
Kukës 16/34 Diell
Lezhë 20/34 Diell
Dibër 15/33 Diell
Durrës 20/35 Diell
Tiranë 22/36 Diell
Elbasan 21/37 Diell
Berat 18/37 Diell re
Vlorë 20/35 Diell
Korçë 17/32 Diell
Gjirokastër 16/37 Diell
Sarandë 20/34 Diell

The post E diel, 13 korrik, parashikohet mot i qëndrueshëm me vranësira të pakta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moskonstituimi i Kuvendit, Osmani: Do t’i drejtohem sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarim

PRISHTINË, 12 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim lidhur me pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Gjatë një diskutimi të mbajtur në Hudson Institute në Uashington D.C., Osmani u shpreh optimiste se në javët në vijim situata do të mund të ndryshojë, siç tha ajo, të konsituohet Kuvendi dhe do të formohet qeveria e re.

Ajo theksoi se, për shkak të disa paqartësive kushtetuese, Kuvendi ende nuk është konstituuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se ekziston një afat i rreptë 30-ditor për konstituimin e parlamentit, i cili skadon më 26 korrik, siç tha ajo, nuk është përcaktuar se cilat janë pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të këtij afati.

“Kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikonim çdo skenar të mundshëm. Ajo u hartua me një mendim pozitiv, me idenë që ligjvënësit do të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, e jo të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Tani, për shkak të disa paqartësive kushtetuese – nëse mund ta quaj kështu – parlamenti nuk është konstituuar ende. Por kemi pasur një rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, dhe gjykata ka dhënë një sqarim. Ekziston një afat i rreptë 30-ditor, i cili skadon më 26 korrik për konstituimin e parlamentit. Por nuk është sqaruar se cilat janë pasojat ligjore nëse nuk respektohet ky afat kushtetues i detyrueshëm. Kështu që duket se do të më duhet t’i drejtohem përsëri gjykatës dhe t’i parashtroj atë pyetje veçmas. Dhe shpresoj që ata do të përgjigjen. Por gjithashtu kam një grimë shprese që gjërat e mira mund të ndodhin gjatë javëve në vijim. Dhe ndoshta do të kemi një qeveri – sado e brishtë – por na duhet një qeveri dhe një parlament i konstituuar për të parandaluar dëme ndaj vendit”, tha Osmani.

Më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpalli aktgjykimin KO124/25, i cili lidhet me procesin e papërfunduar të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ky aktgjykim erdhi pas një kërkese për interpretim kushtetues, pasi seanca konstituive e nisur më 15 prill 2025 nuk kishte përfunduar siç kërkohet me Kushtetutë, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata sqaroi se Kuvendi duhet të konstituohet plotësisht brenda një afati prej 30 ditësh nga data e shpalljes së aktgjykimit, pra deri më 26 korrik 2025.

Megjithatë, Gjykata nuk specifikoi qartë se cilat janë pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të këtij afati kushtetues.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përgjatë një bashkëbisedimi në Institutin Hudson në Uashington këtë javë, Osmani tha se Kosova është thellësisht e interesuar për bashkëpunim ekonomik me Shtetet e Bashkuara, dhe beson që dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.

/KosovaPress/

The post Moskonstituimi i Kuvendit, Osmani: Do t’i drejtohem sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parashikimi i motit, e diel, 6 korrik

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak sot vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa përgjatë orëve të mesditës deri ato të pasdites priten alternime vranësirash të pakta deri mesatare, kryesisht në relievet malore në lindje të territorit. Në zonën e juglindjes priten reshje shiu afatshkurtra dhe me intensitet të ulët, ndërsa në malësitë e kësaj zone priten reshje në mënyrë të izoluar në formën e shtrëngatave.

Era do të fryjë me drejtim nga jugperëndimi – veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, në lugina dhe bregdet hera-herës fiton shpejtësi 6-8 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/40 Diell
Kukës 19/38 Diell
Lezhë 20/38 Diell
Dibër 18/36 Diell
Durrës 22/36 Diell
Tiranë 24/40 Diell
Elbasan 24/40 Diell
Berat 20/37 Diell
Vlorë 22/36 Diell
Korçë 18/34 Diell pak re
Gjirokastër 17/40 Diell pak re
Sarandë 23/37 Diell

The post Parashikimi i motit, e diel, 6 korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon për herë të 42-të seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 5 korrik /ATSH/ Për herë të 42-të me radhë, ka dështuar këtë të shtunë mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Seanca ishte parashikuar të mbahej sot në orën 11:00, por nuk arriti të zhvillohej për shkak të një kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës, i raportuar pak para fillimit të saj.

Pas njoftimit të kërcënimit, Policia e Kosovës urdhëroi menjëherë largimin e deputetëve nga Kuvendi.

Ata u rikthyen në ulëset e Kuvendit rreth orës 20:00 të mbrëmjes për ta vazhduar mbajtjen e seancës konstituive.

Pas fillimit të saj, kryesuesi i seancës konstituive nga Lëvizja Vetëvendosje, Avni Dehari i ka ndërprerë fjalën deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, duke kërkuar nga regjia që t’ia ndalë mikrofonin.

Musliu kërkoi në emër të PDK-së që Kuvendi dhe seanca të kthehet në rend të ditës.

Ndërkaq, Dehari tha se mikrofoni nuk duhet të keqpërdoret por të shfrytëzohet për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit politik.

Sonte ka dështuar për herë të 42-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

/KosovaPress/

The post Dështon për herë të 42-të seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pret në takim deputetët britanikë, konfirmohet mbështetja për Kosovën

PRISHTINË, 5 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers dhe Paul Foster, njëherësh përfaqësues të grupeve të miqësisë me Kosovën në parlamentin britanik.

Gjatë takimit, u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për mënyrat konkrete të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror, sidomos në partneritetin ekonomik dhe të mbrojtjes, forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimit të objektivave euroatlantike të vendit.

Osmani falënderoi deputetët Vickers dhe Foster për angazhimin e tyre në mbështetje të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Deputeti Martin Vickers, i cili është kryetar i Grupit Ndërpartiak për Kosovën dhe Shqipërinë (All-Party Parliamentary Group for Kosovo and Albania), dhe deputeti Paul Foster, nënkryetar ekzekutiv i “Labour Friends of Kosovo”, riafirmuan mbështetjen e tyre të fuqishme për popullin dhe shtetin e Kosovës, thuhet në njoftim.

/KosovaPress/

The post Osmani pret në takim deputetët britanikë, konfirmohet mbështetja për Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria: Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, fals

PRISHTINË, 5 korrik /ATSH/ Kërcënimi për bombë në Kuvendin e Kosovës, doli të jetë alarm i gënjeshtërt.

Kështu tha prokurori i çështjes, Zejnullah Gashi, sipas të cilit, hetimet po vazhdojnë.

Sipas tij, zëri që ka kërcënuar për bombën ka qenë zë mashkulli që ka folur në gjuhën angleze.

“Kërcënim me bombë, i cili ka ardhur rreth orës 10:54, të gjitha njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në vendin e ngjarjes janë edhe njësia K9 dhe për deminim të cilët kanë bërë punën e vet dhe ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri më tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa i përket rezultateve nga vendi i ngjarjes. Patjetër që hetimet do të vazhdojnë sa i përket prejardhjes së kërcënimit, apo më mirë me thënë thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim, i cili ka qen me zë mashkulli në gjuhën angleze me një akcent që ne mendojmë se është nga shtetet mike”, tha ai.

Ai nuk dha ndonjë detaj tjetër por theksoi se janë angazhuar edhe ekipet për krimeve kibernetike.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar më herët se sot në orët e paradites është marrë një informatë me mesazh për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Kelani bëri të ditur se Policia e Kosovës, njoftoi prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për demontim, morën veprimet e duhura të kontrollit në objekt.

Deputetët u larguan nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës me rekomandimin e Policisë së Kosovës.

Sot pritej të mbahej seanca konstituive e Kuvendit, për herë të 42-të, e cila u shty për në orën 20:00.

/KosovaPress/

The post Prokuroria: Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, fals appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parashikimi i motit, e diel, 29 qershor

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme, si pasojë e depërtimit të masave ajrore me origjinë nga veriu i Afrikës si dhe ndikimi i Anticiklinoni i Azoreve.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina era hera-herës fiton shpejtësi deri në 12-16 m/s.

Valëzimi në dete 2 – 4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/35 Diell
Kukës 18/36 Diell
Lezhë 24/35 Diell
Dibër 18/35 Diell
Durrës 19/36 Diell
Tiranë 22/37 Diell
Elbasan 20/39 Diell
Berat 17/37 Diell
Vlorë 19/35 Diell
Korçë 18/32 Diell
Gjirokastër 17/37 Diell
Sarandë 19/34 Diell

The post Parashikimi i motit, e diel, 29 qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti dhe liderët e partive nuk arrijnë marrëveshje për dalje nga ngërçi në Kuvend

PRISHTINË, 28 qershor /ATSH/ Krerët e partive politike në Kosovë nuk kanë arritur sot marrëveshje për dalje nga bllokada për konstituim të Kuvendit, as pas një takimi që ka zgjatur mbi dy orë.

Takimin e ka thirrur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Takimi është zhvilluar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Kryeministrin në detyrë Albin Kurti deklaroi pas takimit se ka bërë dy propozime.

I pari ka të bëjë që Albulena Haxhiu tërhiqet nëse dështon në votimin e parë të fshehtë. Ndërsa propozimi i dytë ishte marrëveshje për të rrezuar së bashku komisionin për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë dhe më pas të votojnë përmes votimit të hapur në pako për kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Ai tha se këto janë dy kompromiset që i ofroi Lëvizja Vetëvendosje. Kurti tha se takimi ia ka vlejtur sepse u sqaruan disa gjëra, ndër to edhe keqinterpretimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga PDK dhe LDK.

Sipas Kurtit, votimi i fshehtë nuk është antikushtetues në bazë të këtij vendimi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë pas takimit se Kurti, ndonëse e ka thirrur takimin, ai nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua”, ka thënë ai të shtunën, pas një takimi që ka zgjatur mbi dy orë.

“Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje”, ka thënë ai para mediave.

Abdixhiku ka thënë se Kosova do të vazhdojë të mbetet në krizë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka quajtur ftesën e Kurtit si aktrim “për të përmbushur një obligim” që i ka dhënë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë, dhe qëndrimet e tij janë të njëjta”.

“Ne kërkuam shumë qartë dhe shumë drejtë me aktgjykim që të mos vazhdojmë me arbitraritetin e 20 seancave të fundit me kërkesën për komision për votim të fshehtë, por ta kthejnë pikën për votim të hapur për kandidaten. Është çështje e tyre se a e ndërrojnë emrin. Ata e dinë ofertën që ua kemi dhënë nga fillimi, këdo që nuk ka qenë ministër apo ministre edhe mund ta votojmë. Duket se kjo nuk do të ndodhë”.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë se nuk ka konsensus mes partive politike dhe që LVV-ja nuk e ka pranuar asnjë propozim të ofruar nga partitë tjera.

“Nëse edhe nesër i vazhdojmë praktikat e njëjta, ata po e shkelin me qëllim Kushtetutën”, ka thënë ajo, duke insistuar që të mos votohet më për formim të një komisioni për votim të fshehtë për votim të të nominuarës për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se krizat sikurse këto, zgjidhen vetëm me marrëveshje politike.

“Si takim mendoj që është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin edhe takime tjera. Natyrisht, takimi i parë është i vështirë. I ftova të gjithë të fokusohemi në marrëveshje politike. Aktgjykimi është aty ku është, e interpretojnë profesionistët. Shpresoj të kemi takime tjera”.

Ai ka bërë thirrje që të gjithë të dalin nga interesat partiake, “në të mirë të Kosovës”.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

Kjo e fundit, pra mënyra e ndryshimit të votimit, për partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, është veprim jokushtetues.

Deputët e legjislaturës së re i kanë mbajtur 38 seanca prej 15 prillit, në tentim për të konstituuar Kuvendin, por nuk kanë pasur sukses. /REL/

The post Kurti dhe liderët e partive nuk arrijnë marrëveshje për dalje nga ngërçi në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti takon krerët e partive politike në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit

PRISHTINË, 28 qershor /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka pritur sot në takim krerë të subjekteve tjera politike, në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në takim po marrin pjesë përfaqësues të të gjitha partive të mëdha politike shqiptare si dhe disa të pakicave.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje – si fituese e më së shumti votave në zgjedhje – për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

Takimi i së shtunës zhvillohet pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re. /REL/

The post Kurti takon krerët e partive politike në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni futbollistik 2024-2025: 26 kampionate kombëtare dhe 2900 futbollistë të rinj

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Sezoni futbollistik shqiptar 2024-2025 shënoi një tjetër moment historik në zhvillimin e tij, duke regjistruar një numër rekord lojtarësh të regjistruar.

Federata Shqiptare e Futbollit shprehet se në krahasim me edicionin e kaluar, këtë sezon janë shtuar 2900 futbollistë të rinj, duke e çuar numrin total në 23 374 lojtarë të licencuar, mes të cilëve 21 647 janë djem dhe 1729 vajza.

Gjatë këtij sezoni janë organizuar 26 kampionate kombëtare në të gjitha grup-moshat, përfshirë 22 për djem dhe 4 për vajza, me pjesëmarrjen e 319 ekipeve në total, nga të cilat 284 janë skuadra djemsh dhe 35 vajzash.

Janë zhvilluar gjithsej 2783 ndeshje zyrtare, ku janë angazhuar 85 delegatë dhe 58 vëzhgues. Gjatë këtij edicioni, në të gjithë kampionatet kanë gjykuar 330 arbitra.

Për të katërtin sezon radhazi, sistemi VAR është aplikuar në të gjitha ndeshjet e kampionatit “Abissnet Superiore”, duke u përdorur në 185 ndeshje. Sakaq, ky sistem është aplikuar edhe në 33 ndeshje të Kategorisë së Parë, që përbën rreth 30% të totalit të këtij kampionati.

The post Sezoni futbollistik 2024-2025: 26 kampionate kombëtare dhe 2900 futbollistë të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parashikimi i motit, e hënë, 23 qershor

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të ketë mot të qëndrueshëm dhe të kthjellët, me orë të gjata me diell në të gjithë territorin.

Era do të fryjë e lehtë, me drejtim kryesor nga kuadrati i perëndimit, me shpejtësi mesatare 6-9 m/s.

Detet do të kenë valëzim të ulët, të forcës 1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/33 Diell
Kukës 16/32 Diell
Lezhë 23/33 Diell
Dibër 16/32 Diell
Durrës 19/33 Diell
Tiranë 21/34 Diell
Elbasan 19/35 Diell
Berat 18/35 Diell
Vlorë 12/36 Diell pak re
Korçë 15/28 Diell
Gjirokastër 12/36 Diell pak re
Sarandë 20/33 Diell

The post Parashikimi i motit, e hënë, 23 qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sveçla: Në veri është gjetur arsenal armësh

PRISHTINË, 22 qershor/ ATSH/ Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha sot se gjatë bastisjeve të kryera në një fshat të Zveçanit, autoritetet kanë gjetur “një arsenal armësh”, që sipas tij, do të ishte i mjaftueshëm “për një njësit terrorist”.

Sveçla tha se gjatë bastisjeve në Vallaq të Zveçanit, që sipas tij u kryen nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës – me monitorimin e KFOR-it dhe EULEX-it – u gjetën raketahedhës, granata dore, tonblonë si dhe armë e municione të llojeve të ndryshme.

“Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit [udhëheqësit të partisë Demokracia Serbe] Aleksandar Arsenijeviq”, tha Sveçla, pa dhënë ndonjë dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.

Në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, autoritetet kohë pas kohe kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme.

Në maj, autoritetet thanë se kishin gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut dhe gjatë aksionit u raportua se u sekuestruan sasi armatimi dhe pjesë të ndryshme të armëve. /REL/

The post Sveçla: Në veri është gjetur arsenal armësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulime të periudhës së Neolitit në Istog

PRISHTINË, 22 qershor /ATSH/ Në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut po zhvillohen gërmime arkeologjike në një prej lokaliteteve më të rëndësishme parahistorike të Kosovës – vendbanimin neolitik të Llugës.

Gërmimet po realizohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në bashkëpunim me Universitetin e Miçiganit nga SHBA-ja, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ky bashkëpunim ndërkombëtar po sjell në dritë dëshmi të jetës së organizuar që zhvillohej në këtë zonë rreth 7 mijë vjet më parë.

Sipas ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, Lluga përfaqëson një nga vendbanimet më të hershme në territorin e Kosovës, me shtëpi të ndërtuara nga balta dhe druri, që tregojnë për një komunitet të zhvilluar në epokën neolitike.

Veçori e veçantë e këtij lokaliteti është zbulimi i punishtes për vegla prej stralli, si dhe figurinave të hyjneshave, artefakte të njohura që dëshmojnë zhvillimin shpirtëror, artistik dhe shoqëror të asaj kohe.

Ministri Çeku theksoi se ky projekt gërmimi është më shumë sesa një ekspeditë shkencore – është një përpjekje për të ndriçuar rrënjët e qytetërimit në Kosovë dhe për të forcuar lidhjen e brezave të sotëm me trashëgiminë mijëvjeçare.

/KosovaPress/

The post Zbulime të periudhës së Neolitit në Istog appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova përkrah SHBA-në, Kurti: Bota ka nevojë për më pak armë bërthamore

PRISHTINË, 22 qershor /ATSH/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se siguria ndërkombëtare kërkon më pak armë bërthamore dhe jo rritje të arsenalit nuklear, veçanërisht në rastet kur shtete autoritare përpiqen të pajisen me të tilla armë.

Në një postim sot në rrjete sociale, Kurti u shpreh se Republika e Kosovës qëndron përkrah ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian në lidhje me shqetësimet për programin bërthamor të Iranit.

“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

“ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike.”

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare për çështjen e armatimit bërthamor janë në rritje, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

/KosovaPress/

The post Kosova përkrah SHBA-në, Kurti: Bota ka nevojë për më pak armë bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌