TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli u shpreh sot se “sistemi sportiv shqiptar është vendosur përballë një tjetër rasti alarmant abuzimi dhe ndërhyrjeje politike”.
“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili duhet të ishte një strukturë autonome dhe e depolitizuar, po përballet me një krizë të thellë legjitimiteti dhe integriteti. Drejtuesi aktual i KOKSH, Fidel Ylli, vazhdon të mbajë detyrën pavarësisht vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, e cila është rrëzuar në mënyrë të paprecedentë nga Gjykata e Apelit në Shqipëri”, tha Vangjeli.
Sipas saj, ky është “një vendim që ngre shqetësime të thella për integritetin e sistemit gjyqësor dhe për respektimin e standardeve ndërkombëtare në sport”.
“Së fundmi, edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pezulluar të gjitha marrëdhëniet juridike me KOKSH duke thelluar më tej krizën institucionale”, shtoi najo.
Vangjeli theksoi se “në një akt që përforcon kontrollin politik mbi sportin, Parlamenti miratoi me nxitim ndryshime në ligjin ‘Për Sportin’, të propozuara nga vetë kreu aktual i KOKSH”.
“Ky ndryshim i jep Komitetit një rol të ri dhe të diskutueshëm në organizimin e aktiviteteve jashtë orarit mësimor, duke cenuar kompetencat e federatave dhe duke vënë në pikëpyetje transparencën e përdorimit të fondeve publike”, shtoi ajo.
/m.m//a.f/
The post Vangjeli: KOKSH në krizë të thellë legjitimiteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.