Energjia e rinovueshme/ Balluku: Tokat e pafrytshme duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike
TIRANË- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se Shqipëria ka fituar një emër të mirë në tregun ndërkombëtar sa i takon ankandeve për fushën e energjisë së rinovueshme.
Ajo paralajmëroi se në bashkëpunim me bashkitë e vendit do të listojnë të gjithë ato pronat që janë në inventar dhe që nuk përdoren për qëllime bujqësore apo prodhimi do vihen në ankande ndërkombëtare dhe përmes kësaj të bëhet investimi, ku mund të përfitojnë bashkitë ashtu dhe banorët e saj.
“Kemi krijuar një emër të mirë në tregun ndërkombëtar për sa i përket ankandeve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Kemi arritur që ato toka e pafrytshme duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike duke u bërë pjesë edhe vetë bashkitë në këto ankande.
E them këtë, pasi shpeshherë na vijnë kërkesa që merren me qira nga privatët nga baskitë e vendit, ndërkohë bashkitë s’kanë kapacitet për të ngritur ankande.
Në bashkëpunim me bashkitë e vendit kemi nisur një proces, për të identifikuar ato prona, që janë në regjistrat apo inventarët e bashkisë, të cilat janë të pafrytshme dhe nuk mund të kontribuojnë në sektorin bujqësor, të cilat duhet të vendosen në dispozicion të ministrisë. Ne mund të arrijmë që të gjithë këto sipërfaqe të disponohen për ankande ndërkombëtare, por duke bërë bashkitë e vendit partner në këtë proces përfitimin që i takon”, tha ajo./abcnews.al