‘Santiago Bernabeu’ po i kthen shpinën Viniciusit? Legjenda e Real Madridit ngre alarmin
Ish-lojtari dhe drejtori sportiv i Real Madridit, Predrag Mijatovic, ka dhënë një paralajmërim për ‘Los Blancos’ lidhur me Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior, duke deklaruar se dashuria e tifozëve për sulmuesin brazilian është zbehur gjatë viteve të fundit.
Mbappe pati një sezon debutues mbresëlënës në ‘Santiago Bernabeu’, duke shënuar 44 gola në 59 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Megjithatë, francezi nuk arriti të fitojë ndonjë trofe në Spanjë dhe Real Madridi u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Arsenali.
Vinicius Junior pati një sezon nën pritshmëri në aspektin e golave, duke realizuar vetëm 22 herë në 58 ndeshje në të gjitha garat.
Sipas Mijatovic, rënia e papritur e formës së yllit të Brazilit mund të ketë ndikuar në zvogëlimin e përkrahjes që ai më parë gëzonte nga tifozët.
“Kur duhet të rinovosh skuadrën dhe të kërkosh pasuesit e Modric, Kroos dhe Casemiro, nuk mund ta ribësh ekipin përnjëherë, për vetëm një verë. Klubi duhet të marrë disa vendime të rëndësishme këtë verë”.
“Nëse Vinicius, Mbappe apo Rodrygo nuk janë të lumtur dhe nuk ndiejnë mbështetjen e klubit, ata nuk mund të japin maksimumin”.
“Nuk e di nëse tifozët janë ende të dashuruar me Viniciusin siç ishin para dy apo tre vitesh, apo nëse ai i respekton ende ata në të njëjtën mënyrë”.
“E them gjithmonë, grumbullimi i lojtarëve të mëdhenj, me shumë vlerë në treg, është shpesh kundërproduktive. Ke një aset që vlen shumë, por nuk arrin të përfitosh maksimumin prej tij”.
“Me kalimin e muajve, lojtari nuk është i lumtur dhe nuk dihet nëse do të mund ta shesësh vitin tjetër”, ka thënë Mijatovic./Telegrafi/
The post ‘Santiago Bernabeu’ po i kthen shpinën Viniciusit? Legjenda e Real Madridit ngre alarmin appeared first on Telegrafi.