Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ndryshon destinacioni për Granit Xhakën, ka dy opsione të reja

Fenerbahce ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar shërbimet e Granit Xhakës, duke iu bashkuar garës së nisur nga Sunderland, Inter dhe Milan për nënshkrim me mesfushorin shqiptar, sipas një raportimi nga gazetari Ekrem Konur.

Gjigantët turq kanë nisur kontakte me përfaqësuesit e lojtarit, duke shpresuar t’i ofrojnë një rol kyç në planet e tyre për mesfushën. Megjithatë, Bayer Leverkusen mbeten të palëkundur në pozicionin e tyre. Xhaka nuk do të lirohet përveç nëse paguhet plotësisht shuma e kërkuar prej 8 milionë eurosh.

Kampionët e Bundesligës për sezonin 2023/24 nuk ndihen të detyruar ta shesin, ndërsa 31-vjeçari ka ende kohë të mbetur në kontratë. Sunderland konsiderohet se është kandidati më serioz, teksa raportimet sugjerojnë se ata janë gati të plotësojnë kërkesat e Leverkusen dhe t’i ofrojnë Xhakës një rol udhëheqës në rikthimin e tyre në Premier.

Ndërkaq, të dy klubet nga Milano kanë kryer hapat e parë në negociata, por asnjëra prej tyre nuk ka çuar më tej bisedimet deri tani. Me Neom SC që zyrtarisht u tërhoq nga negociatat më parë gjatë kësaj jave pasi Leverkusen kerkonte 13-15 mln euro, garës për nënshkrimin e Xhakës duket se do t’i mbeten klubet evropiane.

Lojtari mbetet i hapur për një transferim, megjithatë raportohet se po e shqyrton me kujdes çdo opsion, përfshirë mundësinë e rinegocimit të kushteve dhe qëndrimit te Leverkusen. m.p.

Dhërmi, hoteli derdhte ujërat e zeza në përrua, procedohet administratorja

Rastet e ndotjes së ujrave dalin akoma më shumë në pah gjatë sezonit turistik. Prania e pushuesve dhe turistëve i jep më shumë “zë” kësaj problematike e cila neglizhohet gjatë muajve të tjerë të vitit. Një rast i tillë i ndotjes është evidentuar në Dhërmi.

Raportohet se një hotel derdhte ujërat e zeza në një përrua pranë biznesit. Kjo patjetër sjell ndotje të ambientit dhe duke krijuar një imazh negativ tek turistët. Në lidhje me këtë ngjarje është proceduar penalisht administratorja e hotelit.

46-vjeçarja me iniciale E. M. do të hetohet për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”. Ndëshkimi nuk është ndalur me kaq pasi Task-Forca e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve ka vendosur masë administrative ndaj hotelit. m.p.

Plas grushti në AF Elbasani-Pogradeci, futbolli shqiptar s’ka paqe as në miqësore

Edhe pse vetëm një miqësore, ndeshja e përfunduar pak çaste më parë mes Elbasanit dhe Pogradecit në ‘Elbasan Arena’ i ngjante më shumë një ‘lufte’.

Në fushën e gjelbër shpërtheu një sherr masiv, teksa arsye ishte sjellja provokuese e një prej futbollistëve të Pogradecit. Fillimisht u përplasën ashpër futbollistët e te dy ekipeve, ndërsa më pas u përfshinë stafet e tyre, por edhe tifozë të cilët zbritën nga tribuna.

Pas ndërhyrjes së security, por edhe shumë personave të tjera, situata e qetësua, por sërish mbetet e papranueshme për një ndeshje miqësore.

Aksident në Lezhë, makina përplas këmbësorin

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në qytetin e Lezhës. Burime për mediat bëjnë me dije se në lagjen “Gurra” një automjet tip “Golf” ka përplasur një shtetas, i cili ishte duke kaluar rrugën.

Thuhet se qytetari sapo kishte dalë nga një market në atë zonë ku automjeti e mori “para”. Si pasojë këmbësori mbeti i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital.

Nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore, ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërriti policia të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti. m.p.

33.5 mld lekë tepër në arkën e shtetit! Ministria e Financave shpjegon shifrat

Nga taksat dhe tatimet, buxheti i shtetit ka siguruar në gjysmën e parë të vitit 366 miliardë lekë, ose 3.7 miliardë euro të ardhura.

22.8 miliardë lekë më shumë para u arkëtuan këtë 6-mujor, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, me një rritje prej 6.7% dhe një realizim të planit në masën 100.6%.

Janë të ardhurat nga pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore që ndihmuan buxhetin. Politika e ndjekur nga qeveria për deklarimin e tyre dhe luftimin e informalitetit duket se ka dhënë rezultat.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale u mblodhën gjithsej 40.8 miliardë lekë, ose 8.6 miliardë lekë më shumë. Ndërsa nga kontributet shoqërore e shëndetësore, 87.6 miliardë lekë, ose 9.7 miliardë lekë më shumë se 6-mujori 2024.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore kontribuan me 113.6 miliardë lekë, me një rritje prej 3.4%. Përfshirë këtu të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare.

Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 6-mujore të vitit 2025 arritën në rreth 332.5 miliardë lekë, ose 3.4 miliardë euro. Në terma vjetorë, vetëm 40.3% e totalit të planit është realizuar nga qeveria. m.p.

Hapësirat publike, Bashkia Tiranë: 20 mijë m² u rikthehen qytetarëve

Aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë po jep rezultatet e para konkrete. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake kanë ndërmarrë një operacion të gjerë për të kthyer qytetin te qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare nga bashkia Tirane, gjatë kësaj periudhe:

– Janë bërë 1,428 njoftime për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme;
– 352 subjekte kanë reaguar pozitivisht dhe kanë realizuar çmontimin vullnetarisht;
– Janë mbajtur 32 akt-konstatime për shkelje të ligjit;
– Janë liruar 20 mijë m² hapësirë publike që më parë ishin të zëna me struktura apo objekte të paligjshme.

Ky aksion është pjesë e një nisme të Bashkisë së Tiranës për të përmirësuar jetën urbane dhe për të siguruar më shumë hapësira të lira për komunitetin. m.p.

Lojtari shqiptar bie dakord me Igli Taren, gati kontrata 2,4 mln euro në vit te Milani

Milani ka bërë një hap të rëndësishëm drejt nënshkrimit të mesfushorit zviceran Ardon Jashari, pasi agjentët e lojtarit u takuan sot me drejtorin sportiv Igli Tare në Casa Milan. 21-vjeçari raportohet se ka rënë dakord për kushtet personale me Milanin për një kontratë që zgjat deri në qershor të vitit 2030, me një vlerë prej 2.4 milionë euro në sezon.

Klubet ende nuk kanë finalizuar çmimin e transferimit, por negociatat po shkojnë mirë dhe optimizmi për arritjen e një marrëveshjeje të plotë po rritet. Milan po synon të forcojë opsionet në mesfushë para sezonit të ri, dhe aftësitë teknike dhe taktike, si dhe potenciali për zhvillim i Jasharit e kanë bërë atë një objektiv kryesor.

Transferimi i Jasharit është pjesë e strategjisë së klubit për të investuar në talentët e rinj dhe për të ndërtuar një ekip konkurrues që synon të rivalizojë në Serie A dhe në kompeticionet europiane në vitet në vijim. Milani do te shpenzoje gati 37 mln euro bashke me bonuse. m.p.

Mandati Lapaj-Shabani, flet djali i Ana Dajkos: Nëna ime…

Debati për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” vijon të përshkallëzohet, me përfaqësuesit kryesorë të tij, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, në qendër të një përplasjeje publike.

Për këtë çështje ka reaguar edhe djali i Ana Dajkos, e cila ndodhet e para në listën zyrtare të koalicionit.

Në një prononcim për Euronews Albania, ai shpreh keqardhjen për situatën e krijuar dhe thekson se, sipas tij, mandati i takon Adriatik Lapajt.

“Mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ i takon zotit Adriatik Lapaj dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet, si më i votuari në listën zgjedhore. Ime më, Ana Dajko, ashtu si 45 kandidatë të tjerë në listën e mbyllur, ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi përpara shpalljes së rezultateve. Pas zhvillimeve të fundit, çdo vendim i mëtejshëm i takon kryesisë së Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’,” – u shpreh ai.

Situata mbetet e tensionuar brenda koalicionit, me rrezik për thellim të krizës politike dhe organizative në radhët e tij.

Ministria e Mbrojtjes: Janë raportuar 22 vatra zjarri, 11 janë ende aktive

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se deri në orën 18:00, janë raportuar 22 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 11 mbeten ende aktive.

Në qarkun Dibër, vatrat më të mëdha ndodhen në Parkun Kombëtar Lurë dhe nga krahu i Gurë Lurës, ku po punohet nga forcat vendore dhe ato të Forcave të Armatosura. Në Bulqizë, zjarri është riaktivizuar në zonën Shupenzë. Në Mat, në një terren të thepisur në Zall Gjoçaj, vijon ndërhyrja me forca tokësore dhe një helikopter.

Në Fier, një vatër me përmasa të mëdha është aktive në Belishovë, Mallakastër, ku janë përfshirë shumë njësi zjarrfikëse dhe forca ushtarake. Në Vlorë, në zonën e Dukatit, flakët kanë përfshirë edhe kurorën e pyllit me pisha.

Në Elbasan, dy vatra janë ende aktive, në fshatin Shmil dhe në kodrën e Krastës. Në qarkun Lezhë, zjarri po përhapet në fshatin Tenë të Mirditës. Zjarre të tjera janë regjistruar në fshatin Zallë të Krujës dhe pranë Parkut të Kamionëve në Shijak.

Terreni i vështirë dhe era e fortë kanë bërë që përpjekjet për shuarjen e zjarreve të jenë sfiduese në disa zona. Operacionet vijojnë me angazhim të madh nga zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimet pyjore. m.p.

Vietnam, përmbyset anija turistike, 34 të vdekur

Një ngjarje rëndë ka ndodhur sot në Gjirin Ha Long të Vietnamit, ku një anije turistike u përmbys nga një stuhi e fortë, duke lënë të paktën 34 persona të vdekur.

Anija mbante në bord 48 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, e cila u përmbys si pasojë e një stuhie të papritur me shi të rrëmbyeshëm, në vendin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shumica e pasagjerëve ishin familje që vinin për vizitë nga kryeqyteti Hanoi, përfshirë më shumë se 20 fëmijë që ndodheshin në bord.

Sipas mediave, rojet kufitare kanë shpëtuar deri më tani 11 persona, ndërsa 34 trupa janë gjetur të pajetë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se përpjekjet e shpëtimit do të vijojnë edhe gjatë natës, pasi ende rezultojnë të zhdukur tetë persona. m.p.

Xhilian Zheleku, heroi i heshtur i turistëve në Sarandë

Personi që shihni në foto është Xhilian Zheleku, roja bregdetare pranë kanalit të Çukës në Sarandë i cili është kthyer në heroin e pushuesve.

Sipas asaj që mediat lokale raportojnë mësohet se Zheleku përgjatë kësaj të shtune ka arritur që të shpëtojë gjashtë turistë të cilët rrezikonin të mbyteshin.

Pa marrë parasysh rrezikun që mund t’i kanosej, ky shtetas ka mundur që të shpëtojë pushuesit të cilët kanë zgjedhur Sarandën për të kaluar pushimet e tyre.

Zona në të cilën këta shtetas kanë rrezikuar që të humbin jetën është një nga pikat më alarmante për të cilën shpesh herë banorët e zonës kanë bërë thirrje që autoritetet duhet të marrin masa.

Thuhet se përgjatë ditëve të fundit se pikëderdhja e lumit të Bistricës ka ndryshuar drejtim dhe është bërë shumë i rrezikshëm. Për këtë arsye u bëhet apel autoriteteve që të ndalojnë notin pranë kësaj zone dhe të marrin masa. m.p.

Mikrokreditë mashtruan shqiptarët, SPAK çon në gjyq skemën

Me një akuzë 211 fletë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka “kopsitur” dosjen për në gjyq për 17 të akuzuarit për skemën e mashtrimit me mikrokreditë.

Në fashikujt e dosjes voluminoze, me firmën e prokurorit të çështjes, Edvin Kondili, rezulton se janë 17 emra të cilët Prokuroria e Posaçme i akuzon për tre vepra penale: “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, vepra të cilat sipas ligjit shqiptar parashikojnë deri në 15 vite burg.

Emrat e të akuzuarve janë:

Elda Ibro
Arben Meskuti
Alban Kote
Aldo Daka
Albert Gega
Olsi Ibro
Andis Gjoka
Vasil Bakallbashi
Yliana Sejfo
Indrit Çuberi
Rigels Bejko
Altin Vako
Helidon Xhindi
Fatos Alimadhi
Lefter Canaj
Roland Deda
Endri Myftari

Spak ka zbuluar një sistem të sofistikuar kompjuterik që përndiqte debitorët në gjithë Shqipërinë nga grupi që udhëhiqte Olsi Ibro, 45-vjeçari i cili në korrik të vitit të kaluar ndërmori aktin ekstrem duke konsumuar fostoksinë dhe më pas duke u hedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë ku dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu, dhe nga bashkëshortja e tij, Elda Ibro si dhe Arben Meskuti.

Deri më tani lidhur me këtë dosje në qeli janë tre nga 17 të akuzuarit nga SPAK. Priten zhvillime të rëndësishme në lidhje me këtë çështje sensitive, që pas disa vitesh hetimi çon para bankës së të akuzuarve 17 persona, ku më i rëndësishmi në akuzë, Olsi Ibro, nuk jeton më. m.p.

Slloveni, qytetarët votojnë pro eutanazisë (pacienti vendos vdekjen)

Sllovenia legalizoi vdekjen e asistuar të hënën pas një referendumi, në të cilin shumica e votuesve votuan pro.

Parlamenti slloven miratoi ligjin me 50 vota pro, 34 kundër dhe tre abstenime.

Sipas ligjit të ri, ata që vuajnë nga një sëmundje e pashërueshme, që janë të shëndoshë mendërisht dhe gjendja shëndetësore e të cilëve është e tillë që nuk mund ta durojnë më dhimbjen, kanë të drejtë t’i japin fund jetës së tyre.

Ata që vuajnë nga sëmundje mendore përjashtohen. Ligji mund të zbatohet edhe në rastet kur trajtimet nuk ofrojnë ndonjë lehtësim ose përmirësim të arsyeshëm të gjendjes së pacientit.

Të gjitha opsionet e tjera të trajtimit duhet të jenë shteruar. Eutanazia, pra vdekja e shkaktuar nga një mjek ose infermier me kërkesë të pacientit, mbetet e ndaluar. Theresa Novak, një anëtare e parlamentit nga Partia Liberale në pushtet, tha, megjithatë, se “do të ishte imorale që mjekësia t’i privojë njerëzit nga e drejta për të vdekur nëse dëshirojnë dhe mjekësia nuk mund t’i ndihmojë ata”. m.p.

VIDEO: Qytetari dhunohet në mes të pushuesve në Ksamil

Një qytetar është dhunuar në mes të pushuesve në Ksamil. Ngjarja është shënuar mesditën e së premtes në një prej zonave më të frekuentuara të Ksamilit, të mbushur plot me pushues, edhe të mitur.

Sipas informacioneve, agresori, i identifikuar si Agim Taraj, person me precedentë penalë për dhunë dhe trafik droge, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari, pa asnjë ndërhyrje nga forcat e rendit. Ndërkohë, mësohet se dy personat që janë përfshirë në konflikt janë shoqëruar në polici

Në një video shihet teksa agresori largohet dhe personi tjetër është i gjakosur në kokë. Në video dëgjohet edhe një grua, e cila e shokuar nga ngjarja, dëgjohet duke thënë “O plehrë ça ke bërë? Do ta shikosh…”

Makina përplaset me turmën në Los Angeles, ka të plagosur rëndë

Të paktën 28 persona janë plagosur pasi një automjet u përplas me një turmë njerëzish në Santa Monica Boulevard në Los Angeles.

Sipas mediave të huaja, shtatë persona janë plagosur dhe gjashtë prej tyre janë në gjendje të rëndë, tha Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit (LAFD).

Thuhet se incidenti ndodhi në orën 02:00 sipas orës lokale (09:00 GMT) pranë një klubi nate në North Vermont Avenue, afër kryqëzimit me Santa Monica Boulevard, i cili është i famshëm për jetën e tij të natës.

Njëri nga pacientët kishte një plagë plumbi, tha Kapiteni i LAFD-së, Adam VanGerpen, dhe dëshmitarët okularë përshkruan se kishin dëgjuar të shtëna. “Kjo është nën hetim nga policia,” tha ai më tej, shkruan A2 CNN.

Shërbimet e emergjencës në vendin e ngjarjes në Los Angeles, ku thuhet se një makinë është përplasur me një turmë njerëzish.

Kapiteni VanGerpen tha gjithashtu se personi me plagën e plumbit mund të jetë shoferi, por shtoi “ne nuk e kemi konfirmuar ende këtë”. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një makinë gri në trotuar me mbeturina të shpërndara në tokë dhe një prani të madhe policie.

Aktualisht nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi hyrjen e automjetit në turmë. Viktimat janë dërguar të gjitha në spitale ose qendra traumatike, u tha kapiten VanGerpen gazetarëve në vendngjarje. Ai tha se shumica e atyre në turmë ishin gra që prisnin të hynin në klubin e natës.

“Ishte një skenë shumë kaotike”, tha Kapiten VanGerpen, duke shtuar se “shumë kalimtarë pranë klubit dolën për të ndihmuar njerëzit”. m.p.

Eurostat: Të rinjtë shqiptarë janë të fundit në Europë për njohuritë digjitale

Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të përgatitjes digjitale në Europë. Një raport i Eurostat-it ka nxjerrë në pah se vetëm 51% e të rinjve shqiptarë të moshës 16–29 vjeç zotërojnë aftësi digjitale bazë, një përqindje dukshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, që është 71%.

Në vendin tonë, nuk ka dallime gjinore sa i përket zotërimit të këtyre aftësive – si djemtë, ashtu edhe vajzat janë në të njëjtin nivel. Kjo bie në kontrast me situatën në shumicën e vendeve të BE-së, ku vajzat zakonisht kanë aftësi digjitale më të mira se djemtë. Në vitin 2023, 73% e vajzave në BE raportuan zotërim të aftësive digjitale bazë, kundrejt 69% të djemve, me diferencën më të madhe të regjistruar në Kroaci.

Në pesë vende të BE-së – Gjermani, Maltë, Rumani, Estoni dhe Sllovaki – djemtë zotërojnë pak më shumë aftësi digjitale se vajzat.

Megjithatë, pavarësisht niveleve të ulëta të aftësive digjitale, 99% e të rinjve shqiptarë përdorën internetin çdo ditë gjatë vitit 2024, një përqindje më e lartë se mesatarja e BE-së. Ndërkohë, në nivel kombëtar, vetëm 83% e popullsisë së përgjithshme në Shqipëri përdor internetin çdo ditë, duke krijuar një hendek prej 14 pikë përqindjeje mes brezit të ri dhe pjesës tjetër të popullsisë – diferencë kjo më e thellë se mesatarja në Bashkimin Evropian. m.p.

Barcelona kërkon dështimin e Liverpool, anglezët duan 70 mln euro

Barcelona po interesohet për Darwin Nunez, sulmuesin uruguaian për të cilin pati kritika të shumta sezonin e kaluar, për shkak të formës jo të mirë dhe nuk dha atë që pritej prej tij.

Sipas raportimit në fjalë, është pikërisht trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, që këmbëngul për transferimin e Nunez, duke e parë si një përforcim ideal në sulm dhe pse jo si zëvendesuesin e mundshëm të Robert Lewandowski-t. Polaku do luajë sezonin e fundit me katalanasit dhe do largohet verën e ardhshme.

Në anën tjetër, Liverpool ka kërkuar 70 milionë euro për të lënë të lirë Darwin Nunez, shifër kjo që trembë Barcelonën, duke ditur gjendjen aktuale financiare. Megjithatë, katalanasit kanë një propozim tjetër për anglezët: huazim me detyrim blerjeje për Darwin Nunez.

Flick është i bindur që do ta rikthente urugianin në formën e tij të dikurshme dhe te Barcelona do të bëhej një nga sulmuesit më të mirë në botë. m.p.

“Kujdesu për babain tim”, fjalët e fundit të pilotit para tragjedisë së Air India

Disa javë pas rrëzimit tragjik të avionit të Air India në Ahmedabad, ku humbën jetën 260 persona, po dalin në dritë detaje të reja që po trondisin opinionin publik dhe industrinë e aviacionit.

Sipas një raporti paraprak të autoriteteve indiane dhe burimeve amerikane të përfshira në hetim, kapiteni Sumeet Sabharwal, 56 vjeç, dyshohet se ka ndërprerë furnizimin me karburant të avionit, vetëm sekonda pas ngritjes nga pista. Dy çelësa të karburantit, që zakonisht mbeten të aktivizuar gjatë gjithë fluturimit, rezultojnë të jenë vendosur në pozicionin “Cutoff”, çka bëri që motorët të ndalonin së punuari.

Avioni Boeing 787 Dreamliner, i nisur nga Ahmedabad drejt Londrës më 12 qershor në orën 13:38, qëndroi në ajër për vetëm 30 sekonda para se të përplasej në një zonë të banuar. Nga përplasja humbën jetën 241 persona në bord dhe 19 të tjerë në tokë, ndërsa vetëm një pasagjer mbijetoi në mënyrë të pabesueshme.

Zyrtarisht, nuk është konfirmuar se kush nga pilotët mbylli furnizimin me karburant. Por regjistrimet nga “black box” tregojnë një dialog alarmant në kabinë, ku njëri pilot pyet: “Pse u ndërpre?” dhe tjetri përgjigjet: “Nuk isha unë.”

Sipas hetuesve amerikanë dhe raportimeve të Wall Street Journal, provat tërheqëse nga komunikimi sugjerojnë se veprimi mund t’i përkasë kapitenit Sabharwal, i cili ishte në rolin e monitoruesit në atë moment, ndërsa bashkë-piloti Clive Kunder, 28 vjeç, ishte në kontroll të avionit gjatë ngritjes.

Kapiten Sabharwal ishte një pilot me mbi 8,200 orë fluturimi dhe gëzonte reputacion të lartë në komunitetin e aviacionit. Miq dhe kolegë e përshkruajnë atë si një njeri të qetë, profesionist të përkushtuar dhe “shpirt të butë”. Ai nuk kishte pasur asnjë incident serioz gjatë karrierës së tij dhe ishte i njohur për sjelljen e tij të respektueshme.

Por pas tragjedisë, autoritetet po shqyrtojnë edhe aspektin psikologjik të kapitenit. Burime të afërta me hetimin kanë treguar se Sabharwal kishte kaluar një periudhë të vështirë personale pas vdekjes së nënës në vitin 2022, duke u ndarë më pas nga bashkëshortja dhe u transferua në Mumbai për t’u kujdesur për të atin 90-vjeçar.

Disa pilotë të tjerë të Air India kanë përmendur probleme të mundshme me shëndetin mendor, ndonëse kompania ajrore kishte dhënë leje mjekësore për fluturimin, pas kontrolleve rutinë dhe analizave të alkoolit, të cilat rezultuan të pastra.

Pak orë përpara fluturimit fatal, Sabharwal i kishte thënë rojës së kompleksit ku banonte: “Kujdesu për babanë tim. Do të kthehem shpejt.”

Ende nuk është e qartë nëse ndërprerja e karburantit ishte një gabim fatal, një akt i qëllimshëm apo një defekt teknik. Ekspertët e aviacionit e kanë përshkruar vendosjen e çelësave në “Cutoff” menjëherë pas ngritjes si një veprim “absolutisht të pashpjegueshëm”.

Hetimet janë në zhvillim, ndërkohë që raporti përfundimtar pritet të sqarojë nëse kemi të bëjmë me gabim njerëzor, vetëvrasje me pasoja masive apo një zinxhir ngjarjesh tragjike që çuan në katastrofën ajrore më të rëndë të Indisë në dekadat e fundit. m.p.

LZHK thirrje Ramës: Dëmshpërble banorët e Thethit

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të ndalojë aksionet për pastrimin e territorit nga objektet pa leje në Theth dhe të dëmshpërblejë banorët për investimet e kryera.

Në një deklaratë për media, Ekrem Spahiu, bashkëkryetar i LZHK-së i kërkoi kryeministrit të mos ndërhyrë në punët e pushtetit vendor.

“Pasi mori 83 mandate, është bërë shumë agresiv ndaj institucioneve dhe shqiptarëve duke iu imponuar frikshëm. Qeveria nuk mund të drejtojë bashkitë sepse është shkelje e parimeve të ndarjes së pushteteve në një shtet demokratik. LZHK i bën thirrje Ramës që të ndërpresë menjëherë ndërhyrjet politike në bashkitë e vendit. LZHK shpreh shqetësimin e saj për përmbajtjen ligjore dhe mënyrat se si po realizohet aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje dhe lirimi i hapësirave dhe ambienteve publike dhe dënon këtë klimë terrori shtetëror ndaj banorëve të Thethit dhe kërkon dëmshpërblimin e të gjithë objekteve të prishura.”, u shpreh ai.m.p.

Arsyeja pse partitë e reja dështojnë është se populli kërkon sofrën

Shqipëria është një vend me polarizim të madh. Madje, sot polarizimi politik i’a kalon edhe periudhës Komuniste!

Në kohën e Regjimit kishte “Bijtë e Partisë”, “Bijtë e Shqipërisë” dhe “Armiqtë e Partisë dhe të Shqipërisë”.

Të parët ishin njerëzit e pushtetit, të dytët edhe pse nuk kishin pushtet nuk kishin pengesa për arsim, punësim e mund të siguronin për atë kohë, një jetë të pranueshme. Ndërsa të fundit ishin sikur të mos ekzistonin, nuk gëzonin asnjë të drejtë!

Pra, Regjimi, kishte nevojë edhe për masat, qoftë për krahë pune e ashtu edhe si ushtarë të mundshëm në një luftë apo konflikt të nxehtë!

Sot, polarizimi politikë ka bërë të ketë vetëm dy kategori, “Bijtë e Partisë” që kanë gjithçka dhe “Armiqtë e Partisë” që kanë zgjedhur shpesh në këto 35 vite tranzicion, largimin dhe emigrimin si të vetmën shpresë për të jetuar në kushte të pranueshme!

Përdorimin e termit “Parti” e kam si simbolikë të forcës politike që ka pasur pushtetin në të kaluarën apo që e ka sot!

Për fat të keq karriera dhe mundësia për të jetuar mirë, qoftë edhe duke abuzuar e pasur privilegje në këto 35 vite tranzicion është e lidhur ngushtë me politikën dhe pushtetin politik!

Thuajse, asnjë nga ata që kanë qëndruar ose mbetur jashtë sferës së politikës nuk kanë bërë karrierë dhe nuk kanë krijuar pasuri.

Gjithmonë për të kuptuar “subjektet e reja” kam qenë i idesë dhe i mbetem se duhet t’i referohemi “Aleancës Kuq e Zi”, sepse ajo ishte gjeneza e mundësive të subjekteve anti-sistem!

Kjo nisi me shumë eufori dhe mbështetje, po goditjen kryesore të braktisjes e mori, kur ndjekësit e saj bënë llogaritë dhe u binden se forca që ndiqnin nuk ishte pjesë e likes së madhe të pushtetit.

Sinjali i qartë ishte kur AK refuzojë kualicion me Partinë Socialistë. Në atë moment ndjekësit e saj, përtej patriotizmit filluan të bëhen pragmatist duke bërë llogaritë personale për pushtet, karrierë apo për privilegje. Sigurisht, pas vendimi se AK s’do të ishte në kualicion me PS, shantazhet, joshjet e presionet do të ishin më të thjeshtë e do të shoqëroheshin me largime edhe masive.

Partitë e reja në 2025, në thelb kopje apo imitime të deformuar të AK, patën disa avantazhe dhe kjo i bëri pak më shumë të suksesshëm, por në thelb edhe jeta rezultuan humbëse ndaj sistemit.

Avantazhi i rëndësishëm për t’a ishte Drejtësia e re dhe protagonizmi i Spak që frenojë fenomenet që kishin ndarë ndodhur më parë. Ligji dhe zbatimi i dekriminalizimit në vitet e fundit ka dhënë efektet e tij. Një PD e lodhur ne lidership dhe e shpartalluar ishte në favor të subjekteve të reja.

Prandaj, rezultati që morën në 2025 ishte shumë më i mirë se i AK në 2013, por në fund edhe ky ishte humbës ndaj sistemit, sepse as nuk e tronditën e as nuk e rrëzuan.

Përkundrazi, kanë hyrë në një fazë të re dhe të fundit ndoshta, për të mundur përfundimisht veten deri në eliminim të plotë politik.

Pse ndodh kjo? Njerëzit e ndjekin një subjekt me shpresën për të marr pushtet dhe për të qenë të pushtetshëm. Nëse një subjekt ka marrë, qoftë edhe 60 mijë vota, por ka prodhuar vetëm një mandat, ky i fundit nuk i hynë në punë në misionin e tij as liderit e jo më ndjekësve!

Ndjekësit kthehen nga turma me emocione, në pragmaistë duke bërë llogari individuale. Humbja është arsye e këtij transformimi dhe për pasojë dhe goditja e shkatërrimit apo eliminimin politik i një subjekti anti- sistem që humb në jetën politike me këtë të fundit! Pushtet pak, do të thotë sofër e varfër dhe e vogël e për pasojë nuk ushqehen të gjithë e s’ka vend për të gjithë! Ata që janë pragmatistë fillojnë menjëherë të kërkojnë e të gjejmë një sofër më të madhe e me ushqim të bollshëm! m.p.

❌