Agjencia amerikane NASA ka publikuar një video që tregon se si avioni i saj supersonik X-59 filloi testet në të cilat lëvizte me fuqinë e vet.
Piloti i testimit të NASA-s, Nils Larson, dhe ekipi i X-59, i përbërë nga personeli i NASA-s dhe Lockheed Martin, përfunduan provën e parë të të ashtuquajturit taksim i avionëve (lëvizja e aeroplanëve në sipërfaqe manovrimi) me shpejtësi të ulët në Uzinën 42 të Forcave Ajrore të SHBA-së në Palmdale, Kaliforni.
Në të njëjtën kohë, këto janë testet e fundit që avioni kryen para fluturimit të tij të parë. Gjatë javëve të ardhshme, ai do të rrisë gradualisht shpejtësinë e tij, duke çuar në një provë taksimi me shpejtësi të lartë që do ta çojë avionin pak para pikës ku supozohet të ngrihet.
Gjatë testeve me shpejtësi të ulët, inxhinierët dhe ekuipazhet e fluturimit vëzhguan performancën e X-59 ndërsa lëvizte nëpër pistë, duke punuar për të kontrolluar sistemet kritike si drejtimi dhe frenimi.
Këto kontrolle ndihmojnë në sigurimin e stabilitetit dhe kontrollit të avionit në një sërë kushtesh, duke u dhënë pilotëve dhe inxhinierëve besim se të gjitha sistemet po funksionojnë siç pritej.
Pretendimi: Dokumente të NASA përshkruajnë planin e agjencisë për një shfarosje masive.
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se dokumente të agjencisë hapësinore amerikane NASA zbulojnë një plan për të shfarosur 5 miliardë njerëz brenda vitit 2025.
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë dokument apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 27 gusht 2024 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Sipas artikullit në fjalë, “dokumentet zyrtare të NASA zbulojnë se agjencia është përgatitur për dekada të tëra për të luajtur një rol udhëheqës në një ngjarje shfarosjeje masive në vitin 2025 që do të çojë në shembjen e qytetërimit dhe shpopullimin e shumicës së njerëzve në planetin Tokë.”
Ai citon një prezantim të NASA të vitit 2001 me titull “Çështjet Strategjike të së Ardhmes/Lufta e së Ardhmes [Rreth vitit 2025]”.
Megjithatë, prezantimi i vitit 2001 nuk përmend asnjë përgatitje nga NASA apo plan për “shfarosje masive.”
Në vend të kësaj, ai paraqet një analizë strategjike që diskuton teknologjitë në zhvillim dhe ndikimet e mundshme që ato do të kenë në luftë dhe shoqëri deri në vitin 2025.
Prezantuar nga Dennis Bushnell, shkencëtari kryesor i atëhershëm i NASA, prezantimi mbulon tema të tilla si inteligjenca artificiale, bioteknologjia dhe nanoteknologjia.
Në fillim të prezantimit thuhet qartë se qëllimi i tij është të “nxisë mendimin/diskutimin”.
Prezantimi në fjalë
Një zëdhënës i NASA tha për AAP FactCheck se prezantimi i vitit 2001 ishte bërë pjesë e një teorie konspirative të përsëritur.
“Qëllimi i sesionit të tij (të Dennis Bushnell) ishte të nxiste mendimin dhe diskutimin duke i kërkuar audiencës të imagjinonte se cilat teknologji mbrojtëse mund të zhvillohen në të ardhmen, dhe në këtë rast, në vitin 2025, bazuar në trendet në atë kohë,” tha zëdhënësi. “Prezantimi nuk është një dokument planifikimi dhe përmbajtja brenda prezantimit nuk përfaqëson ndonjë plan aktual ose të ardhshëm nga NASA.”
Pretendimi: Kjo video tregon se NASA ka inskenuar udhëtimet hapësinore
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————–
Një video që duket se tregon një intervistë në një model anijeje kozmike, po përdoret në rrjet si dëshmi se qendra amerikane hapësinore NASA ka inskenuar fluturimet hapësinore.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë set xhirimesh për inskenimin e udhëtimeve hapësinore, por një ekspozitë interaktive mbi udhëtimin hapësinor.
Këtë na e tregon mbishkrimi i videos, i cili përkthehet nga hungarishtja në “Dávid jep një intervistë në Huniverzum.”
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në Youtube një muaj më parë nga kanali @spacejunkieH, i cili vetë-përshkruhet si “kanali më i mirë i udhëtimit hapësinor në Hungari.”
“Huniverzum – Hungarezët në Hapësirë” është një ekspozitë interaktive hapësinore në Millenáris, Budapest, Hungari.
E hapur nga 13 maji deri më 31 tetor 2025, ekspozita shfaq të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Hungarisë në eksplorimin e hapësirës.
Pikat kryesore përfshijnë simulatorët hapësinorë, shfaqjet planetare 360°, pajisjet origjinale të astronautëve dhe një zhytje të thellë në misionin e ardhshëm të astronautit Tibor Kapu.
NASA ka bërë një zbulim të ri e të jashtëzakonshëm.
Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s ka kapur së fundmi prova të një planeti të ri përtej sistemit tonë diellor.
Dokumentacioni përfaqëson zbulimin e parë të drejtpërdrejtë me imazh të Webb-it të një planeti dhe planetin më të lehtë të parë ndonjëherë me këtë teknikë.
Webb has captured evidence of a lightweight planet orbiting the star TWA 7!
Teleskopi i NASA-s kohët e fundit arriti të zbulojë ekzoplanetin, i cili është emëruar TWA 7b.
Objekti i ri rrotullohet rreth yllit të ri aty pranë TWA 7.
Bëhet e ditur se teleskopi arriti ta zbulonte planetin duke përdorur nxehtësinë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Zyrtarët e NASA-s thanë se zakonisht planetët e kësaj madhësie jashtë sistemit tonë diellor janë të vështirë për t’u zbuluar, por shkencëtarët përdorën një teknikë të quajtur imazhe me kontrast të lartë për të zbuluar ekzoplanetin.
Shkencëtarët besojnë se ekzoplaneti është afërsisht në masën e Saturnit, “një planet i ri i ftohtë”, rreth 111 vite dritë larg Tokës.
Tani që shkencëtarët e kanë zbuluar planetin, studiuesit thonë se ky është vetëm fillimi i zbulimeve të reja.
NASA dëshiron të kuptojë më mirë vetitë e objektit dhe mënyrën se si u formua planeti, gjë që gjithashtu mund të ndihmojë studiuesit të mësojnë më shumë rreth Tokës.
Çfarë është një ekzoplanet?
Ndryshe, herën e parë që shkencëtarët zbuluan një ekzoplanet ishte në vitin 1992.
NASA thotë se një ekzoplanet është çdo planet përtej sistemit tonë diellor.
Shumica e ekzoplanetëve rrotullohen rreth yjeve të tjerë, por disa ekzoplanetë që lëvizin lirshëm, të quajtur planetë mashtrues, nuk janë të lidhur me ndonjë yll.
NASA ka konfirmuar më shumë se 5,800 ekzoplanetë nga miliarda që shkencëtarët besojnë se ekzistojnë.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk dihet të jetë i banueshëm. /Telegrafi/
Nëse një asteroid gjigant përplaset me Hënën në vitin 2032, ai mund të bëjë mbeturina të vërshojnë drejt Tokës. Studiuesit thonë se kjo paraqit një rrezik për satelitët, por mund të krijojë edhe një shi meteorësh të rrallë dhe spektakolar që pritet të jetë i dukshëm në qiell.
Asteroidi 2024 YR4 shkaktoi reagime më herët gjatë këtij viti, pasi vëzhgimet me teleskop zbuluan se ai kishte një shans prej 3% për t’u përplasur me Tokën.
Vëzhgimet e mëvonshme zbuluan se gjasat që asteroidi, i vlerësuar në rreth 53-67 metra i gjerë, të godasë Tokën ishin të papërfillshme në vetëm 0.0017%. Megjithëse duket se Hëna është ende në rrezik.
Shanset që shkëmbi hapësinor të godasë satelitin e Tokës janë rritur në 4.3%, sipas të dhënave nga teleskopi hapësinor James Webb.
Një studim i publikuar këtë muaj nga studiues të universiteteve kanadeze, i cili nuk është riparë ende nga kolegët, ka zbuluar se si ndikimi i asteroidit mund të shkëpusë shkëmbinj nga Hëna dhe që mund të drejtohen drejt Tokës.
Një vullkan i shuar është identifikuar në planetin Mars falë vrojtimeve të fundit të roverit “Perseverance”, pjesë e misionit të NASA-s. Pranë këtij formacioni vullkanik janë zbuluar edhe gjurmë të një liqeni të lashtë, çka i jep rëndësi të veçantë këtij zbulimi për shkencën planetare dhe kërkimin e gjurmëve të jetës jashtëtokësore.
Zbulimi mund të ndryshojë mënyrën si e kuptojmë historinë gjeologjike të Marsit. Jezero Mons, siç quhet mali i identifikuar, ishte parë për herë të parë në vitin 2007, por mungesa e të dhënave nuk lejonte një përfundim të saktë. Tani, pas analizave të përbashkëta nga katër misione të ndryshme, studiuesit kanë konfirmuar se formacioni është një vullkan i shuar me krater, i përbërë nga gurë vullkanikë.
Sipas shkencëtarëve, nëse konfirmohet që krateri dikur ka qenë liqen, afërsia e tij me një vullkan aktiv në të shkuarën mund të ketë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e jetës.
Ekipi kërkimor thekson se Marsi është vendi më premtues në Sistemin Diellor për të kërkuar gjurmë jete. Roveri “Perseverance” ka mbledhur mostra shkëmbinjsh që, nëse do të transportohen në Tokë në të ardhmen, mund të çojnë në zbulime shkencore me ndikim të madh./abcnews.al
Përplasja midis Donald Trump dhe Elon Musk mbi një projektligj të madh shpenzimesh ka përkeqësuar pasigurinë mbi të ardhmen e buxhetit të NASA-s.
Agjencia hapësinore ka publikuar kërkesën e saj për buxhet drejtuar Kongresit, e cila do të shihte financimin për projektet shkencore të shkurtuar me gati përgjysmë, shkruajnë mediat e huaja.
Dyzet misione shkencore, të cilat janë në zhvillim ose tashmë në hapësirë, pritet të pezullohen. Presidenti ka kërcënuar të tërheqë kontratat federale me kompaninë e Musk, Space X.
Nasa mbështetet në flotën e raketave Falcon 9 të firmës për të furnizuar Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor me ekuipazh dhe furnizime.
Agjencia hapësinore gjithashtu pret të përdorë raketën e saj Starship për të dërguar astronautë në Hënë dhe përfundimisht në Mars pasi të jetë zhvilluar.
Dr. Simeon Barber, një shkencëtar hapësinor në Open Universitety, tha se pasiguria po kishte një “ndikim të frikshëm” në programin hapësinor njerëzor.
“Përplasjet e habitshme, vendimet e nxituara dhe kthesat që kemi parë javën e fundit minojnë vetë themelet mbi të cilat ndërtojmë ambiciet tona”.
“Shkenca dhe eksplorimi i hapësirës mbështeten në planifikimin dhe bashkëpunimin afatgjatë midis qeverisë, kompanive dhe institucioneve akademike”.
Dhe përveç përplasjes midis Presidentit dhe Musk, ekziston edhe shqetësimi për shkurtimet e thella të kërkuara nga Shtëpia e Bardhë në buxhetin e NASA-s.
Të gjithë sektorët janë caktuar për kursime, përveç një përpjekjeje për të dërguar astronautë në Mars, e cila ka marrë një “nxitje” prej 100 milionë dollarësh.
Një përplasje mes ish-Presidentit Donald Trump dhe Elon Musk për një projektligj të madh shpenzimesh ka krijuar pasiguri serioze mbi të ardhmen e buxhetit të NASA-s, e cila tashmë përballet me shkurtime të thella.
Agjencia hapësinore ka paraqitur kërkesën e saj për buxhetin e ri në Kongres, ku parashikon një reduktim të ndjeshëm të fondeve për projektet shkencore — deri në 50%.
Si rezultat, 40 misione shkencore që janë aktualisht në zhvillim ose tashmë në orbitë rrezikojnë të pezullohen. Shkencëtarët paralajmërojnë se këto lëvizje po tronditin themelin e bashkëpunimit dhe planifikimit afatgjatë, mbi të cilat mbështetet eksplorimi hapësinor.
Tensionet janë përshkallëzuar më tej pasi Trump ka kërcënuar me tërheqjen e kontratave federale për kompaninë e Musk, SpaceX, e cila është një furnizues kyç për NASA-n. Agjencia hapësinore varet nga raketat Falcon 9 për furnizimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor dhe pret të përdorë Starship për misionet në Hënë dhe Mars.
Dr. Simeon Barber nga Universiteti i Hapur në Mbretërinë e Bashkuar e ka quajtur situatën “të frikshme”, duke theksuar se lëkundjet politike po minojnë bazat e programit hapësinor.
Ndërkohë, shqetësimet janë rritur për shkurtimet që po vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Të gjitha sektorët e NASA-s pritet të preken, përveç programit për dërgimin e astronautëve në Mars, i cili ka përfituar një shtesë prej 100 milionë dollarësh.
Sipas Casey Dreier nga Shoqëria Planetare, këto shkurtime përbëjnë “krizën më të madhe që ka përballuar ndonjëherë programi hapësinor amerikan”.
NASA e ka justifikuar kërkesën për shkurtim duke deklaruar se po përqendrohet në misionet thelbësore për eksplorimin e Hënës dhe Marsit, duke përshtatur në këtë mënyrë portofolin e saj me prioritetet strategjike.
Ndërsa eksplorimi i hapësirës së thellë po avancojnë me hapa të shpejtë, duke u bërë gjithnjë e më të gjata dhe duke shkuar më larg nga orbita tokësore, agjencia NASA po përballet me sfida të reja serioze, përfshirë edhe mënyrën se si do të trajtojë rastet e vdekjeve gjatë këtyre misioneve.
Kjo për faktin se misionet e ardhshme synojnë destinacione shumë më të largëta, si Marsi apo Hëna, ku kthimi i shpejtë në Tokë nuk është i mundur.
Për këtë arsye, NASA po zhvillon protokolle dhe plane të detajuara për menaxhimin e trupave të astronautëve në hapësirë, për të siguruar respektimin e dinjitetit njerëzor dhe për të adresuar çështjet shëndetësore, teknike dhe psikologjike që mund të lindin në këto situata.
Astronauti mesatar aktualisht ka rreth 50 vjet jetë, një moshë ku rreziqet shëndetësore, si sëmundjet kardiovaskulare apo problemet të tjera, mund të shtohen. Duke pasur parasysh ambiciet në rritje për misione më të gjata dhe më të komplikuara, këto rreziqe nuk janë më thjesht teorike, por përbëjnë sfida reale për agjencinë hapësinore.
Kjo është edhe arsyeja pse NASA dhe komuniteti shkencor i lidhur po punojnë intensivisht për të adresuar këto çështje, si për parandalimin ashtu edhe për trajtimin e situatave emergjente në hapësirë, raporton revista Scientific American.
Në rast se një astronaut do të vdiste sot gjatë një misioni në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), protokollet ekzistuese parashikojnë që trupi i tij të vendoset në një enë të mbyllur dhe të siguruar me kujdes.
Ena në thelb është një qese trupash ushtarake e modifikuar posaçërisht për përdorim në hapësirë, e pajisur me sisteme të avancuara për ftohje, filtrimin e aromave dhe absorbimin e lagështisë. Këto masa janë të domosdoshme për të mbajtur trupin në kushte të qëndrueshme gjatë periudhës që mund të zgjasë deri në kthimin e tij në Tokë, duke parandaluar përhapjen e ndonjë infeksioni apo ndotjeje në ambientin e kufizuar të stacionit hapësinor.
Gjithashtu, trupi ruhet në një modul jo të presionuar të stacionit, një hapësirë ku nuk ka atmosferë dhe që nuk kërkon sistem presioni, duke minimizuar rreziqet e tjera dhe duke lehtësuar ruajtjen e trupit për periudha të gjata kohe. Kthimi në Tokë kryhet në momentin më të përshtatshëm, në mënyrë që trupi të trajtohet më tej në tokë sipas protokolleve të duhura.
Një fakt shumë interesant, që vjen nga patologu dhe neuropatologu i njohur amerikan Peter Cummings, është se deri më sot asnjë astronaut nuk ka ndërruar jetë për shkak të shkaqeve natyrore në hapësirë.
Kjo do të thotë se të gjitha rastet e vdekjeve në hapësirë kanë qenë ose të lidhura me incidente të papritura, apo në mënyrë indirekte, duke reflektuar sfidat e mëdha që përballet njeriu në mjedisin ekstrem të hapësirës.
Në përgjithësi, përgatitjet dhe planifikimet për trajtimin e vdekjeve në hapësirë janë pjesë e domosdoshme e zhvillimit të eksplorimit të mëtejshëm njerëzor, që synon të kapërcejë kufijtë aktualë të njohurive dhe teknologjisë.
NASA dhe partnerët e saj janë duke punuar jo vetëm për të zgjidhur këto sfida, por edhe për të siguruar që çdo astronaut të trajtohet me dinjitetin më të lartë, pavarësisht nga vendndodhja apo situata. /Telegrafi/
Shkencëtarët e NASA po planifikojnë të ndërtojnë një radioteleskop gjigant në anën e errët të Hënës.
Sipas revistës LiveScience, nëse projekti miratohet, mund të ndërtohet nga viti 2030 me një kosto prej më shumë se 2 miliardë dollarësh.
Shkencëtarët duan të ndërtojnë radioteleskopin për të ndihmuar në zbulimin e disa prej mistereve më të mëdha të universit.
Një arsye tjetër është edhe rritja e niveleve të rrezatimit që vjen nga vargjet e mëdha të sateliteve private, që sipas shkencëtareve, se shpejti do të jetë një problem për radioastronominë nga Toka.
Numri i satelitëve që rrotullohen rreth Tokës po rritet me shpejtësi. Kjo mund të krijojë një sërë problemesh, duke përfshirë më shumë mbeturina hapësinore, rritje të ndotjes nga drita në qiellin e natës dhe akumulimin e ndotjes së metaleve në atmosferën e sipërme të Tokës nga rihyrja e satelitëve.
Një problem më pak i njohur është se satelitët privatë janë të prirur të lëshojnë rrezatim në hapësirë, i cili mund të ndërhyjë në radioteleskopët në Tokë që përpiqen të studiojnë objekte të largëta, të tilla si galaktikat e lashta, ekzoplanetët dhe vrimat e zeza supermasive.
Radioastronomët paralajmërojnë se nëse numri i satelitëve rreth planetit tonë arrin kapacitetin maksimal, mund të arrijmë në një pikë kthese përtej së cilës radioastronomia do të jetë jashtëzakonisht e kufizuar, madje e pamundur në gjatësi vale të caktuara.
Radioteleskopi do të ndërtohet tërësisht nga robotë dhe do të përbëhet nga një rrjetë gjigante kabllosh të varura brenda një krateri në anën e largët të Hënës. Në këtë mënyrë nuk do të ketë ndërhyrje nga satelitët, rrezatimi diellor dhe atmosfera e Tokës./abcnews.al
Përparimet teknologjike nuk e lënë të përjashtuar studimin e hapësirës. Falë mundësive të ofruara nga evolucioni, pajisje të tilla si teleskopët përmirësohen si kurrë më parë, dhe kërkimi hap dyert për forma të reja studimi që deri më tani nuk ishin të dyshuara.
Kohët e fundit, NASA ka publikuar një nga këto lajme që është historike, pasi përfshin diçka të panjohur deri më tani. Një imazh nga Teleskopi Hapësinor Hubble i NASA/ESA-s tregon një peizazh të ndritshëm dhe me re të njërës prej galaktikave fqinje me Rrugën e Qumështit.
Kjo galaktikë të cilës i referohet NASA nuk është askush tjetër përveç Resë së Madhe të Magelanit , e vendosur 160,000 vite dritë larg në yjësitë Dorado dhe Mensa. Edhe pse konsiderohet një galaktikë “xhuxhe”, është më e madhja nga shumë galaktika satelitore të Rrugës së Qumështit.
Si u mor kjo imazh i Resë së Madhe të Magelanit?
Falë Teleskopit Hubble, një nga projektet më të famshme dhe të rëndësishme të NASA-s, përmes Kamerës së tij me Fushë të Gjerë 3, e cila përfshin filtra të ndryshëm që lejojnë kalimin e gjatësive të valëve ose ngjyrave specifike të dritës, disa prej të cilave janë të pazbulueshme për syrin e njeriut.
Kjo do të thotë që valët mund të manipulohen për të lejuar kalimin e disa prej tyre, por jo të të tjerave, në mënyrë që duke përdorur pesë filtra të ndryshëm dhe më pas duke i kombinuar ato, ato të formojnë një imazh të madh ngjyrash, të cilat nuk dihet nëse janë saktësisht besnike, pasi është teleskopi që është përgjegjës për dhënien e tyre sipas secilit prej filtrave që janë caktuar. Studiuesit i kanë përshkruar imazhet si “karamele pambuku me ngjyra të ndezura”.
UASHINGTON, 1 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka tërhequr nominimin e tij të sipërmarrësit miliarder të teknologjisë, Jared Isaacman, si kreu i NASA-s “pas një shqyrtimi të plotë”.
Me marrjen e detyrës në janar, Trump propozoi Isaacman, një bashkëpunëtor i ngushtë i shefit të SpaceX, Elon Musk, për të pasuar Bill Nelson në krye të agjencisë hapësinore, i cili u largua në fund të presidencës së Joe Biden.
Sipas raporteve të medias amerikane, Isaacman duhej të miratohej nga Senati së shpejti.
Por, dje në mbrëmje, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se së shpejti do të njoftonte një kandidat të ri “i cili do të jetë i lidhur me Misionin dhe do ta vendosë Amerikën të Parën në Hapësirë”, pa dhënë më shumë detaje.
Në një tregues të distancës në rritje nga Trump, Musk u përgjigj në platformën e tij të mediave sociale X se “kjo është e tmerrshme. Nuk mund të mendoj për një person më të mirë për këtë punë sesa Jared”.
Vendimi i Trump i zuri vëzhguesit në befasi, pasi ai e kishte lavdëruar shumë Isaacman në dhjetor para se të merrte detyrën, duke thënë se ai do të “nxisë misionin e zbulimit dhe frymëzimit të NASA-s”.
Duke iu përgjigjur vendimit të Trump, Isaacman postoi në X se ishte mirënjohës për mundësinë dhe tha se do ta mbështeste presidentin dhe NASA-n.
“Nuk e kam kryer misionin tim të fundit – çfarëdo forme që mund të marrë në fund të fundit”, tha ai.
Isaacman ka marrë pjesë në dy misione private hapësinore.
Në vitin 2021, ai ishte një nga ekuipazhin e parë jo-profesional në hapësirë, duke u bashkuar me tre të tjerë në një udhëtim treditor rreth Tokës.
Në shtator të vitit të kaluar, ai ishte pjesë e misionit Polaris Dawn së bashku me tre turistë të tjerë hapësinorë, duke ndërmarrë një shëtitje në hapësirë.
Në të dy misionet ai bashkëpunoi me SpaceX të Musk./ a.jor.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump së shpejti do të shpallë një kandidat të ri për të shërbyer si administrator i NASA-s.
Këtë e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, por nuk shpjegoi pse kandidati fillestar Jared Isaacman nuk ishte më në garë, shkruan Reuters.
“Administratori i NASA-s do të ndihmojë të çojë njerëzimin në hapësirë dhe të ekzekutojë misionin e guximshëm të presidentit Trump për vendosjen e flamurit amerikan në planetin Mars”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Liz Huston.
“Është thelbësore që lideri i ardhshëm i NASA-s të jetë në përputhje të plotë me agjendën e presidentit Trump America First dhe një zëvendësim do të shpallet drejtpërdrejt nga presidenti Trump së shpejti”, shtoi ajo.
Ndryshe, lëvizja vjen vetëm disa ditë përpara se Senati pritej të votonte për nominimin e Isaacman për të udhëhequr NASA-n.
Isaacman, i cili ka udhëtuar dy herë në hapësirë në misione private dhe ka lidhje të ngushta me CEO e SpaceX, Elon Musk, shkaktoi shumë reagime kur Trump e emëroi për herë të parë për administrator të NASA-s në dhjetor. /Telegrafi/
Astronomët kanë zbuluar një objekt qiellor mahnitës që lëshon shpërthime të fuqishme të valëve të radios dhe rrezeve X, secila prej dy minutash, duke u përsëritur çdo 44 minuta.
Zbulimi shënon një moment historik në hulumtim, pasi është rasti i parë në të cilin rrezet X janë shoqëruar me një objekt që mund t’i përkasë një klase të re trupash qiellorë.
Bëhet e ditur se astronomët zbuluan objektin e parë të tillë në vitin 2022, dhe deri më sot janë regjistruar më pak se dhjetë, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Transientët janë një klasë e re objektesh kozmike që lëshojnë shpërthime të forta radio çdo disa minuta deri në disa orë”, tha Dr. Andy Wang nga Curtin Institute of Radio Astronomy.
“Ne ende nuk e dimë saktësisht se çfarë janë këto objekte ose si prodhojnë sinjale kaq të pazakonta.”
Objekti, i quajtur ASKAP J1832–0911, ndodhet rreth 15,000 vite dritë nga Toka, në galaktikën tonë.
Rrezatimi me rreze X, i zbuluar duke përdorur teleskopin Chandra të NASA-s, mund të ndihmojë astronomët të kuptojnë më mirë natyrën e këtyre objekteve intriguese dhe sjelljen e tyre pulsuese.
“Rrezet X zakonisht vijnë nga rajone jashtëzakonisht të nxehta dhe energjike, që do të thotë se diçka dramatike ka ndodhur me objektin”, tha Wang, autori kryesor i studimit të botuar në revistën Nature.
“Nëse këto objekte me të vërtetë mund të lëshojnë rreze X, të cilat mbartin dukshëm më shumë energji sesa valët e radios, kjo do të thotë se ato janë më energjike sesa mendohej më parë”, shtoi Wang.
Bëhet e ditur se shkencëtarët tani po përpiqen të zbulojnë burimin e valëve të radios dhe rrezeve X të emetuara nga ASKAP J1832-0911, pasi ato nuk përshtaten me asnjë kategori të njohur trupash qiellorë.
Vëzhgimet e ardhshme mund të zbulojnë temperaturën dhe madhësinë e objektit. /Telegrafi/
Oqeanet mbajnë rezervat më të mëdha të arit në botë, por ato janë ende të paarritshme.
Një ekip shkencëtarësh të NASA-s ka zbuluar se oqeanet “mbajnë” rezervën më të madhe të arit në planet, e cila vlerësohet në 20 milionë ton.
Megjithatë, nxjerrja e metalit të çmuar që ata zotërojnë, sjell me vete sfida të konsiderueshme për shkak të përqendrimit të tij të ulët në ujin e detit. Sasia e raportuar ka tronditur botën, pasi tejkalon shumë sasinë totale të arit të gjetur nga njeriu gjatë gjithë historisë së tij.
Teknologjia që i është vënë në dispozicion njerëzimit sot nuk lejon një mekanizëm minerar ekonomikisht të qëndrueshëm. Për më tepër, uji i detit përmban shumë metale që e bëjnë të vështirë ndarjen e arit. Ari i tretur nuk është i vetmi burim i vlefshëm që deti “ruan”.
Elemente të tjera të rëndësishme që detet dhe oqeanet kanë janë depozitat e sulfurit hidrotermal. Këto janë depozita që janë më të arritshme sesa ari i tretur dhe mund të nxirren përmes minierave nënujore.
Minierat në det të thellë paraqesin rreziqe shkatërruese për ekosistemet detare. Në fakt, kjo rrezikon mijëra specie të reja, shkatërron shumë habitate detare dhe ndryshimi i zinxhirëve ushqimorë paraqet rreziqe të konsiderueshme.
Megjithatë, disa territore, siç është Papua Guinea e Re, kanë filluar tashmë ta zbatojnë këtë praktikë. Debati mjedisor përqendrohet në ndikimet tragjike që aktivitetet minerare kanë në ekosistemet detare, duke lënë mënjanë mundësitë ekonomike që ato mund t’u ofrojnë vendeve që i praktikojnë ato.
Mundësi reale që deti mund të na ofrojë burimet e tij më të vlefshme
Disa shkencëtarë mbajnë gjallë shpresën se zhvillimet teknologjike do të na lejojnë të arrijmë në zgjidhje të qëndrueshme në të ardhmen për shfrytëzimin e burimeve detare. Nuk është e pamundur që një ditë të shfaqen teknologji që do të lejojnë nxjerrjen e arit nga deti pa shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedisin detar.
Derisa të ndodhë kjo, ari do të vazhdojë të fshihet në thellësitë e detit, madje edhe për vende si Spanja, me disa dete dhe oqeane që lagen në plazhet e saj, gjë që mund t’i sjellë vendit iberik miliona ose miliarda euro.
Thesari më i madh i njerëzimit qëndron i fshehur në det për momentin. Në të njëjtën kohë, Kina ka surprizuar me zbulimin e 230 miliardë ton ari të bardhë në shtratin e detit.
Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, ka publikuar së fundmi një imazh mahnitës të qiellit të Marsit pak para lindjes së diellit.
Kjo pamje unike është kapur nga roveri Perseverance, i cili ndodhet në sipërfaqen e planetit të kuq që prej vitit 2021 si pjesë e një misioni të rëndësishëm shkencor për të eksploruar mjedisin marsian.
Imazhi është realizuar përmes kamerës së navigimit Navcam, një nga mjetet teknologjike më të avancuara që përdor Perseverance për të orientuar veten dhe për të dokumentuar terrenin përreth.
Pamja paraqet qiellin e zbehtë të Marsit në agim, një moment që na jep një ndjesi të rrallë për kushtet atmosferike dhe ndriçimin në këtë planet të largët.
Këto lloj fotografish ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë ciklet ditore në Mars, si dhe ndikimin që ka drita diellore në peizazhin marsian.
Përveç vlerës shkencore, ato ofrojnë edhe një pamje vizuale frymëzuese që na afron më shumë me botët e tjera të sistemit diellor. /Telegrafi/
NASA ka konfirmuar se një projekt masiv i ndërtuar nga njeriu po ngadalëson rrotullimin e Tokës për shkak të madhësisë së tij.
Dr. Benjamin Fong Chao, një geofizikant në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard të NASA-s, ka deklaruar se Diga e Tre Grykave në Kinë ka shtuar në fakt kohëzgjatjen e ditës.
Diga e Tre Grykave ndodhet në lumin Yangtze në provincën Hubei të Kinës. E përfunduar në vitin 2012, diga ka një gjatësi prej 2335 metrash dhe lartësi prej 185 metrash.
Ajo mbajti rreth 40 kilometra kub ujë, që është afërsisht e barabartë me 10 trilion galonë. Ky ujë është ruajtur në një lartësi prej 175 metrash mbi nivelin e detit, duke i dhënë atij një peshë dhe energji të konsiderueshme. NASA ka konfirmuar së fundmi se diga, që është stacioni më i madh hidroelektrik i botës, ka shkaktuar një ndryshim të vogël por të matshëm në rrotullimin e Tokës, duke bërë që ditët tona të zgjasin më shumë me 0.06 mikrosekonda.
“Për referencë, kjo është pak më shumë se 3 ditë gjatë gjithë moshës së universit”, shpjegon Dr. Chao, transmeton Telegrafi.
Ky ndryshim vjen nga vëllimi masiv i ujit të ruajtur në rezervuarin e digës, i cili zhvendos masën e planetit dhe ngadalëson pak rrotullimin e tij.
Sipas shkencëtarëve të NASA-s, sasia e madhe e ujit që mbahet nga diga ka ndryshuar shpërndarjen e masës së Tokës. Ky ndryshim ka rritur momentin e inercisë së planetit, ngjashëm me mënyrën si një patinazhist ngadalëson rrotullimin duke shtrirë duart.
Dr. Chao shpjegoi se “çdo herë që zhvendos masën, ndryshon rrotullimin e Tokës. Efekti është shumë i vogël, por i matshëm”, shkruan yahoonews.
Studimi i tyre ka gjetur se rezervuari i digës ka shtuar kohën e ditës së Tokës me 0.06 mikrosekonda dhe ka zhvendosur boshtin e planetit rreth 2 centimetra. Këto ndryshime janë të vogla, por instrumentet moderne mund t’i zbulojnë ato.
Pavarësisht shqetësimeve, diga mbetet një pjesë kyçe e strategjisë energjetike të Kinës. Ajo ka një kapacitet prej 22500 megavatësh dhe prodhon aq energji sa 15 reaktorë bërthamorë.
Ajo ndihmon në reduktimin e përdorimit të qymyrit dhe ul emetimet e karbonit, duke e bërë një burim të rëndësishëm energjie rinovueshme. /Telegrafi/
Ka zbulime shkencore që ndryshojnë jo vetëm njohuritë tona, por edhe mënyrën se si ne e perceptojmë veten dhe vendin tonë në univers.
Një moment i tillë ishte kur anija kozmike dërgoi imazhe të Tokës për herë të parë.
Një tjetër mund të vijë së shpejti: zbulimi i jetës në një botë tjetër.
Kjo mundësi tashmë po shqyrtohet seriozisht pasi në planetin K2-18b u zbulua një gjurmë gazi, e cila krijohet në Tokë ekskluzivisht nga veprimi i organizmave të thjeshtë detarë.
“Kjo është një nga pyetjet themelore dhe ne mund të jemi shumë afër përgjigjes”, tha Prof. Nikku Madhusudhan nga Instituti i Astronomisë në Universitetin e Kembrixhit, i cili drejton ekipin që zbuloi gazin.
Por zbulime të tilla ngrenë pyetje të reja.
Nëse vërtet gjejmë jetë në një botë tjetër, si do të na ndryshojë ajo?
Nga disqet fluturuese te ekzoplanetet
Bëhet e ditur se njerëzit gjithmonë kanë treguar histori për qeniet nga qielli.
Në fillim të shekullit të 20-të, disa astronomë pretenduan se shihnin vija të drejta në sipërfaqen e Marsit, duke ndezur spekulime për ekzistencën e një qytetërimi të përparuar.
Gjatë Luftës së Ftohtë, alienët shpesh portretizoheshin si një kërcënim në kulturën pop perëndimore.
Por dëshmia më e fortë e jetës nuk erdhi nga Marsi apo Venera, por nga një planet rreth 124 vite dritë nga Toka, që rrotullohet rreth një ylli në një galaktikë të largët.
Kjo është një distancë e vështirë për t’u imagjinuar.
Ylli më i afërt me Diellin tonë është pak më shumë se 4 vjet dritë larg, galaktika jonë ka një diametër prej rreth 100,000 vite dritë.
Duke përdorur teknologjinë e sotme, njerëzimit do t’i duheshin rreth 188,000 vjet për të arritur K2-18b.
Deri kohët e fundit, NASA kërkonte për jetë në Mars
Deri kohët e fundit, NASA kishte qenë në kërkim të jetës pothuajse ekskluzivisht në Mars.
Por gjithçka ndryshoi në vitin 1992, kur u zbulua planeti i parë jashtë sistemit diellor, përcjell Telegrafi.
Që atëherë, janë gjetur rreth 6000 planetë të tillë, të njohur si ekzoplanetë. Shumë prej tyre janë gjigantë gazi si Jupiteri ose Saturni, ndërsa të tjerët janë shumë të nxehtë ose shumë të ftohtë për ujin e lëngshëm, i cili konsiderohet thelbësor për jetën.
Por shumë ekzoplanetë janë në të ashtuquajturën “zonë e artë”, në një distancë “të duhur” për ekzistencën e jetës.
Madhusudhan beson se ka mijëra prej tyre vetëm në galaktikën tonë.
Teleskopi më i fuqishëm në histori ka zbuluar shenjën më të fortë të jetës përtej Tokës
Raportohet se me ardhjen e ekzoplaneteve, shkencëtarët filluan të zhvillonin instrumente për të analizuar atmosferën e tyre, në mënyrë që të gjenin të ashtuquajturat “biosignatures”, ose molekula që prodhohen ekskluzivisht nga gjallesat në Tokë.
Kjo kërkonte vëzhgimin e sasive mikroskopike të dritës që kalonin nëpër atmosferën e një planeti të largët.
Përparimi më i madh erdhi me ndërtimin e teleskopit hapësinor James Webb (JWST) në 2021, teleskopi më i fuqishëm ndonjëherë.
Është JWST që tani ka zbuluar gaz në K2-18b, i cili konsiderohet si shenja më e fortë e jetës përtej Tokës.
Por edhe JWST ka kufizimet e veta.
Ai nuk mund të vëzhgojë mjaft qartë planetët më të vegjël si Toka, veçanërisht nëse ata janë afër yllit të tyre pritës.
Kjo është arsyeja pse NASA po planifikon tashmë një projekt të ri, Observatori i Botëve të Banueshme, i cili duhet të jetë në gjendje të studiojë planetë të ngjashëm me tonin në vitet 2030.
Paralelisht po ndërtohet teleskopi jashtëzakonisht i madh evropian (ELT), i cili do të vëzhgojë qiellin nga shkretëtira e Kilit.
Pasqyra e tij e madhe, 39 metra në diametër, do të sigurojë një pasqyrë të detajuar të atmosferës së planetëve.
Gjithnjë e më shumë zbulime, por edhe gjithnjë e më shumë pyetje
Prof. Madhusudhan shpreson të ketë të dhëna të mjaftueshme në dy vitet e ardhshme për të konfirmuar më në fund praninë e biosignatures rreth K2-18b.
Por edhe nëse ka sukses, kjo nuk do të thotë menjëherë se ne kemi gjetur jetën.
Atëherë do të hapet një debat i ri: A është ky gaz me origjinë biologjike, apo ka ndonjë shpjegim jo të gjallë?
“Sa më shumë kohë të kalojnë astronomët me teleskopë, aq më e qartë do të kenë një pamje të përbërjes kimike të këtyre atmosferave”, tha prof. Catherine Heymans, astronom skocez.
“Ne nuk do të jemi në gjendje të themi me siguri se është jetë, por nëse i njëjti model shfaqet në më shumë planetë, besimi ynë në atë hipotezë do të rritet.”
Ndryshe, ngjashëm me mënyrën se si inovacionet e vogla teknologjike çuan në krijimin e internetit, mund të ndodhë që ndryshimi më i madh shkencor, kulturor dhe shoqëror në historinë njerëzore të ndodhë në heshtje, pothuajse në mënyrë të padukshme, që do të thotë se vetëm më vonë kuptojmë se ekuilibri është ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme.
Hulumtimi në sistemin tonë diellor
Dëshmi më përfundimtare e jetës do të ishte zbulimi i organizmave të gjallë brenda sistemit tonë diellor, i mundësuar nga sondat robotike me laboratorë portativë.
Disa mostra ndoshta mund të kthehen në Tokë për analiza të hollësishme.
Interesi për kërkimin e jetës në sistemin diellor është rritur vitet e fundit dhe tashmë janë planifikuar misione të reja.
Roveri ExoMars i Agjencisë Evropiane të Hapësirës është planifikuar të shpojë nën sipërfaqen e Marsit në vitin 2028 në kërkim të gjurmëve të fosilizuara të jetës.
Misioni i Kinës Tianwen-3 është planifikuar gjithashtu për vitin 2028, me qëllim kthimin e mostrave në Tokë deri në vitin 2031.
NASA dhe ESA kanë dërguar sonda në hënat e akullta të Jupiterit për të hetuar ekzistencën e oqeaneve nën sipërfaqen e tyre të akullt.
Megjithatë, asnjë nga këto misione nuk është i udhëzuar drejtpërdrejt për të gjetur jetë, por për të mbledhur të dhëna që do të ndihmojnë misionet e ardhshme të provojnë.
Dragonfly i NASA-s është planifikuar të ulet në Hënën e Saturnit Titan në vitin 2034, një botë me liqene dhe re të përbërjeve të karbonit, e rrethuar nga një mjegull portokalli. Së bashku me ujin, këto komponime janë përbërës kyç për shfaqjen e jetës.
“Nëse kemi nxehtësi, ujë dhe molekula organike, shanset për të evoluar jetën rriten në mënyrë dramatike”, tha Dougherty.
Po sikur të mos jemi vetëm?
Nëse vërtetohet jeta e thjeshtë, kjo nuk do të thotë se qeniet e përparuara ekzistojnë diku.
“Nga jeta e thjeshtë në komplekse është një hap i madh, dhe prej andej te inteligjenca është një hap edhe më i madh”, deklaroi Madhusudhan.
“U desh një kohë shumë e gjatë që jeta shumëqelizore të shfaqej në Tokë. Ne nuk e dimë nëse kërkonte një planet me oqeane dhe kontinente tamam si i yni, apo nëse mund të kishte lindur diku tjetër”, shton Dr. Robert Massey i Shoqërisë Mbretërore Astronomike.
“Çdo zbulim i ri në astronomi na largon më shumë nga qendra e universit. Dhe zbulimi i jetës do të na largonte edhe më shumë nga ideja se jemi të veçantë”, shton ai.
Por për disa, kjo mund të jetë një inkurajim, jo një kërcënim.
“Do të ishte një transformim i madh”
“Nëse do të shikonim qiellin, nuk do të shihnim më vetëm objekte fizike, yje dhe planetë – do të shihnim një qiell të gjallë. Pasojat sociale të kësaj do të ishin të mëdha”, sipas astronomëve.
“Do të ishte një transformim i madh në mënyrën se si ne e shohim veten në univers. Do të ndryshonte rrënjësisht psikikën njerëzore – mënyrën se si e shohim njëri-tjetrin dhe botën përreth nesh. Çdo pengesë gjuhësore, politike apo gjeografike do të zhdukej sepse do të kuptonim se të gjithë jemi një. Kjo do të na afronte më shumë së bashku”, tha Madhusudhan.
“Ky do të ishte hapi tjetër në evolucionin tonë”, përfundon ai. /Telegrafi/
Astronauti më i vjetër në shërbim i Amerikës ka zbritur në Tokë në ditëlindjen e tij të 70-të. Astronauti i NASA-s, Donald Pettit, dhe dy kozmonautë rusë kishin qenë në një mision shtatëmujor në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS). Anija kozmike Soyuz MS-26 që mbante Pettit dhe rusët Alexey Ovchinin dhe Ivan Vagner, u ul në […]