Garë mes dy klubeve angleze për transferimin e Kolo Muanit
Randal Kolo Muani ka arritur të rigjejë formën e tij te Juventusi, pas një periudhe të vështirë te Paris Saint-Germain.
Sulmuesi francez iu bashkua “Zonjës së Vjetër” në janar, në formë huazimi dhe paraqitjet e tij kanë qenë shumë të mira.
Te PSG, ai kishte humbur vendin në formacion dhe besimin e klubit derisa kalimi te Juventusi i ka dhënë atij një mundësi të re për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes.
Edhe pse pa opsion blerjeje në marrëveshje, forma e mirë e 26-vjeçarit ka tërhequr interesin e klubeve të mëdha evropiane. PSG ndërkohë nuk e sheh më si pjesë të planeve afatgjata.
Sipas raportimeve të Fussball Transfers, dy klube të Ligës Premier, Manchester United dhe Newcastle United po e ndjekin me vëmendje situatën e tij.
Manchester United e sheh Kolo Muanin si alternativë pas tërheqjes nga Hugo Ekitike, ndërsa Newcastle po e konsideron si zëvendësues të mundshëm për Alexander Isak, në rast se ky i fundit largohet këtë verë.
Juventusi, nga ana tjetër, është i interesuar ta huazojë përsëri sulmuesin për sezonin e ardhshëm. Bardhezinjtë janë të kënaqur me paraqitjet e tij dhe kërkojnë vazhdimësi.
Kolo Muani ka kontratë me PSG deri në vitin 2028 dhe ishte transferuar për 95 milionë euro. Megjithatë, kampionët francezë vështirë se do të arrijnë të rikuperojnë të gjithë shumën në një shitje të mundshme.
Gjatë huazimit te Juventus, Kolo Muani zhvilloi 22 ndeshje në të gjitha garat duke shënuar 10 gola dhe duke asistuar në tre të tjerë. /Telegrafi/
The post Garë mes dy klubeve angleze për transferimin e Kolo Muanit appeared first on Telegrafi.