Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa
TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një interviste sot në media, shprehu besim të plotë në suksesin e “Paketës së Maleve”, duke e cilësuar atë si një nga nismat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonave të thella malore.
Sipas Denaj, kjo paketë nuk kufizohet vetëm në lehtësimin e dokumentacionit të pronësisë, por përfaqëson një hap strategjik për rigjallërimin e ekonomisë rurale nëpërmjet nisjes së 500 bizneseve të para që do të përfitojnë përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.
“Jam shumë shpresëplotë tek ‘Paketa e Maleve’. Nuk është thjesht për dokumentin e pronësisë, ai është vetëm hapi i parë. Nëse kjo shoqërohet me 500 biznese me zero taksa për 10 vite, dhe këto biznese janë në përputhje me madhësinë reale të fermave në Shqipëri, atëherë ne mund të rrisim reputacionin, vlerën dhe punësimin në zonat malore”, u shpreh Denaj.
Ministrja theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian është shtylla kryesore e mandatit qeverisës, ndërsa përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe një administratë të përgatitur.
“Bujqësia është pjesë e rëndësishme e negociatave me BE-në. Meraku ynë më i madh është përmbushja në kohë e të gjitha ligjeve të kërkuara nga ky proces”, deklaroi ajo.
Një ndër pengesat më të mëdha, sipas Denajt, është mungesa e burimeve njerëzore të specializuara, për shkak edhe të largimit në pension të specialistëve me përvojë shumëvjeçare.
Ajo propozon përfshirjen aktive të studentëve të vitit të fundit në praktika profesionale, si një mundësi për të rritur kapacitetet dhe për të siguruar brez të ri profesionistësh.
“Kemi vendosur kuota të qarta, të paktën 100 deri në 150 studentë të viteve të fundit të angazhohen për praktika në ministri, me qëllim punësimin e tyre të mëvonshëm”, theksoi Denaj.
Ministrja theksoi se vetëm me një qasje të kombinuar midis politikave zhvillimore, përkrahjes financiare dhe investimit te kapitali njerëzor, mund të përmbyllen me sukses objektivat e “Paketës së Maleve” dhe të përafrimit me Bashkimin Europian.
/r.e//a.f/
The post Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.