Presidentja që pyet vonë dhe keq
Nga Baton Haxhiu
Presidentja kërkon kohë, jo zgjidhje. Dhe kjo është më shumë se një gabim. Është shenja se edhe figura që duhej të garantonte funksionimin e shtetit po bëhet pjesë e krizës së paralizës.
Në vend që të ruajë integritetin e Kushtetutës, ajo kërkon që të pezullohet një afat kushtetues, jo nga ndonjë emergjencë, por nga frika se çfarë ndodh nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje.
Dhe këtë e bën në ditën e fundit. Kur gjithçka është konsumuar në heshtje. Kur Kuvendi ka hyrë në ditën e 30-të. Kur gjithkush po kalkulon për pazarin e 12 nëntorit. Presidentja ka pyetur atë që nuk guxon ta pyesë asnjëherë një President: çfarë ndodh nëse nuk zbatohet Kushtetuta?
Vjosa Osmani, e para e vendit nuk kemi ide pse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë që në pamje të parë mund të duket si kujdes institucional, por në thelb është një veprim i vonuar dhe politikisht i motivuar.
Duke kërkuar sqarim për pasojat e tejkalimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, dhe njëkohësisht duke kërkuar edhe pezullimin e këtij afati, Presidentja jo vetëm që hap një precedent të rrezikshëm, por edhe zbulon me vonesë një shqetësim që është dashur ta trajtonte ditën e parë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.
Sepse nuk mund të ketë seriozitet institucional kur kreu i shtetit shtiret sikur pyetjen më themelore të një procesi kushtetues nuk e ka ditur për një muaj. Dhe më keq, e bën këtë pyetje kur të gjitha palët janë të ngujuara në llogaritë e tyre për zgjedhjet e tetorit.
Në këtë kontekst, kërkesa e Presidentes për “masë të përkohshme”, në mënyrë që të pezullohet afati që buron drejtpërdrejt nga neni 66 i Kushtetutës, është më shumë një përpjekje për të fituar kohë sesa një akt për të mbrojtur rendin kushtetues.
Është e pakuptimtë të kërkosh nga Gjykata të pezullojë vetë Kushtetutën, kur ajo është aty pikërisht për ta mbrojtur atë. Afati nuk është opinion, nuk është vendim administrativ, nuk është akt normativ i lëshuar nga ndonjë institucion tjetër. Është normë themelore. Të kërkosh pezullim të saj është të kërkosh mosfunksionimin e shtetit në emër të stabilitetit. Absurd më i madh nuk ekziston.
Por pse tani? Pse me kaq vonesë? Sepse asnjë palë nuk ka interes të veprojë. Sepse partitë politike kanë gjetur një datë të përbashkët për të zgjidhur gjithçka, jo në tavolinën e institucioneve, por në atë të marrëveshjeve zgjedhore.
E vërteta është se zgjedhjet e 12 tetorit, që në letër janë për qeverisje lokale, janë menduar tashmë si platforma e ndarjes së madhe: kush do të jetë në qeveri, kush do ta udhëheqë Kuvendin, kush do të bëhet President. Të gjitha këto duan të ndodhin në mënyrë paralele. Dhe në mënyrë jo transparente.
Kushdo që e kupton mekanizmin politik të Kosovës e di se shumë më shumë rëndësi kanë katër qytetet që priten të shkojnë në balotazh më 12 nëntor – Prishtina, Prizreni, Peja dhe Mitrovica – sesa vetë funksionimi i Kuvendit. Sepse aty bëhen pazaret e mëdha.
Në Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë, pazaret janë të nivelit të dytë, por gjithsesi pjesë e të njëjtës paketë. Në qytetet tjera, ku nuk ka kalkulim të qartë elektoral, nuk ka as interes. Ato thjesht do të mbahen në pritje.
Dhe kjo është edhe arsyeja pse asnjë parti nuk po nxiton për ta shtyrë përpara zgjidhjen në Kuvend. Sepse të gjithë presin që nga balotazhi të lindin kombinime më të favorshme për ndarjen e pushtetit qendror. Në këtë kuptim, Kuvendi është bërë peng i zgjedhjeve lokale dhe pazari i pushtetit është bërë më i rëndësishëm se vetë rendi kushtetues.
Presidentja, në vend se të vendoste një afat për veprim dhe të kërkonte urgjencë nga palët, po kërkon nga Gjykata që ta fshijë afatin që Kushtetuta ia ka dhënë. Dhe ky është momenti kur institucioni i Presidentit nuk e mbron më rendin kushtetues, por bëhet pjesë e frikës nga pasojat e tij. Një President nuk pyet “çfarë ndodh nëse nuk e zbatojmë Kushtetutën”, por kujdeset që ajo të zbatohet. Dhe e bën këtë në kohë.
Në këtë qetësi të heshtur, është edhe më shqetësuese mungesa totale e interesimit ndërkombëtar. As nga Amerika nuk ka ndonjë sinjal, sepse më nuk kanë motiv të intervenojnë për të zgjidhur krizën e paralizës institucionale.
Ata e kanë dhënë mesazhin, dhe natyrisht, është lënë në vesh të shurdhër. Evropa, ndërkaq, nuk ka më as fuqi morale e as teknike për ta kthyer dinamikën institucionale në binarë. Të gjithë janë bërë spektatorë të një vendi që më shumë merret me marifete zgjedhore sesa me ndërtimin e një qeverisjeje funksionale.
Dhe kjo është ironia më e madhe: në vend që të funksionojnë institucionet për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të rregullta, po mbahen zgjedhje që të krijohen institucione në mënyrë të pazarshme.
Ndërsa Presidentja, në vend që të veprojë, po kërkon të pezullojë afatet. Në vend që të thotë “ky vend ka Kushtetutë”, po thotë “çfarë ndodh nëse nuk e kemi”. Dhe kjo është një ndër pasqyrat më të errëta të këtij tranzicioni pa ide, pa përgjegjësi dhe pa mbikëqyrje.
Në fund të ditës, nuk është as përplasja politike që na ka sjellë këtu, por bashkëpunimi i heshtur për të mos bërë asgjë. Sepse të gjithë, edhe Presidentja, edhe partitë, edhe liderët lokalë, janë në të njëjtën faqe: duan kohë, duan pazare dhe nuk duan t’i hapin rrugë askujt që nuk është pjesë e marrëveshjes së tetorit.
Dhe kjo është arsyeja pse kërkesa e Presidentes nuk është thjesht absurde, është simptomë e sëmundjes së një sistemi që po shpik vonesa për të mos zbatuar Kushtetutën.
Me këto pyetje Presidentja i dha fundin edhe vetes së vet. Ajo nga sot ka humbur autoritetin moral dhe kushtetues. Sepse nuk di çka don nga posti që ka.
The post Presidentja që pyet vonë dhe keq first appeared on JavaNews.al.