Kandidati për deputet Tedi Blushi në emisionin “Real Story” në ABC News tha se pensionistët janë shumë të pakënaqur nga partia aktuale në pushtet. Sipas Tedi Blushit asnjë pensionist nuk ka për ta votuar Edi Ramën, për vetë fatin që jo vetëm që mezi shtyjnë muajin, por vidhen çdo ditë.
Blushi tha se brenda 100 ditë të para nëse vijnë në pushtet, nuk do të ketë pension nën 200 euro.
“Unë nuk besoj se sot ka pensionistë që mund të votojnë Edi Ramën, sepse pensionistët më shumë se çdo kategori tjetër e ndjejmë më shumë se sa e flasim ne. Në mes të Tiranës ka pensionistë që mezi shtyjnë muajin. Janë të pakënaqur jo vetëm nga pensioni që i jep qeveria, por janë të vjedhur nga qeveria, për paratë që fëmijët e tyre sjellin nga emigracioni.
Nuk do të ketë pension nën 200 euro. Janë 3.3 miliard lekë që vidhen dhe nuk arkëtohen në buxhetin e shtetit. Ke çdo ditë aferën e inceneratorit të Tiranës, ke rrugët e “florinjta” që shkojnë kostot më shumë se në çdo vend tjetër. Është rruga Korçë-Ersekë pa u inauguruare mirë, e kam parë vetë është sa një fletë cingare. Të gjithë pensionistët, studentët dhe ata që janë me ndihmë ekonomike nuk do të marrin nën 200 euro në 100 ditët e parë”, tha Blushi./abcnews.al
TIRANË, 1 maj/ATSH/ Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha zhvilloi sot takime me qytetarë dhe biznese në Njësinë 5 në Tiranë.
Gjatë takimeve, Basha tha se me programin e Koalicionit Euroatlantik, çështja e minatorëve do të adresohet përmes statusit të minatorit. Ndërsa për ish-të përndjekurit, tha se përveç shpërblimit financiar që ka munguar në këto 35 vite, ata do të trajtohen të barabartë si personat me statusin e ish-ushtarakut.
“Ne duhet t’i japim fund korrupsionit në mënyrë që të kemi mundësinë që të rrisim pensionet në tërësi e të adresojmë çështjen e punëve të vështira të minatorëve. Shtresa e ish-të përndjekurve, iu kemi hyrë në hak 35 vite. Ka ardhur në fushatë tek ju, kemi ardhur në qeveri ju kemi harruar. Ata që kanë vuajtur meritojnë në radhë të parë dëmshpërblimin financiar dhe dëmshpërblimin moral. Përfshirë statusin me vlerë financiare të barabartë si statusi i ish-ushtarakut”, tha Basha.
Basha gjithashtu foli për disa nga pikat kryesore të programit siç janë ato për familjet shqiptare, pensionistët dhe biznesin.
Kreu i Koalicionit Euroatlantik u shpreh se për familjet shqiptare do të ketë subvencione për strehimin e çifteve të reja, dyfishim i ndihmës për nënat kryefamiljare dhe deri në 20 mijë euro bonus për fëmijën e tretë.
Basha tha se për pensionistët brenda katër viteve pensioni minimal do të jetë 250 mijë lekë, pensioni mesatar 450 mijë lekë. “Për çdo pensionist nën 300 mijë lekë një shumë fikse për të kompensuar çdo muaj faturën e energjisë, si dhe sa i takon barnave, rimbursim 100% i barnave”, tha ai.
Më tej, Basha u ndal te programi i Koalicionit Euroatlantik për sipërmarrësit, ku pohoi se do të vendoset taksë e sheshtë në masën 9%, do të ketë heqje të TVSH-së për biznesin e vogël dhe lehtësi reale për hapjen dhe formalizimin e çdo iniciative të ndershme.
Në përfundim të takimeve, Basha theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë, ose Shqipëria e korrupsionit të pandëshkuar, ose Shqipëria e ndershme që zhvillohet dhe garanton një të ardhme më të mirë për çdo familje. /j.p/
TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot gjatë një takimi në Gjirokastër me një grup pensionistësh, se kanë qenë reformat e qeverisë socialiste që e kanë shpëtuar Shqipërinë nga kolapsi i dytë, ku mund të kishte rënë komplet shteti.
Kryeministri nënvizoi faktin se Shqipëria është një hap larg nga BE-ja, ndërsa u ndal sërish te sondazhi i publikuar mbrëmë në një televizion shqiptar, nga një prej sondazhistëve të famshëm të Amerikës.
“Ai thoshte që 50% e popullit shqiptar mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur, këta në kënetë aty jepnin të tëra shpjegimet e mundshme përveç një shpjegimi, mos vallë ca gjëra vërtet janë bërë! Kjo tregon që populli shqiptar është i sëmurë tha njëri se pse nuk mendon si këta. Më hidhen mua pse thotë Edi Rama që gjysma e burrave janë çyrykë, tjetri thoshte kjo është e tmerrshme se si mundet që gjysma e popullit të thotë që po shkon në drejtimin e duhur, atëherë këtu ka një frikë shumë të madhe. Edi Rama i ka trembur këta deri në palcë, dhe e thonë nga frika, ndërsa një tjetër thoshte që Rama i josh me fotot nudo të tij në Google”, pohoi ai.
Sipas Kryeministrit, analistë të ndryshëm në studio televizive përpiqen që të gjejnë çdo arsye të mundshme, përveç njërës që është njëherësh edhe më e thjeshta, fakti që Shqipëria është te dera e BE-së.
Kryeministri pohoi se që pas fushatës së vitit 2009 ka hequr stacionet televizive nga shtëpia, teksa zgjedh të shohë vetëm filma dhe sport.
“Futem në YouTube mbrëmë, por këta më hoqën dëshirën për të fjetur gjumë dhe ato tre orë që fle. Si u çmend BE-ja, Banka Evropiane e Investimeve që mbështesin Shqipërinë, Komisioni Evropian që na kanë vënë të parët në rajon për menaxhimin e financave publike. Vetëm këta që duan ta kthejnë Shqipërinë në hon janë në rregull nga trutë, populli është i sëmurë”, tha Rama. /j.p/
TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri, Edi Rama njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se, “Partia Socialiste ka program dhe plan qeverisës në çdo sektor, se jemi duke negociuar me Bashkimin Europian”.
Gjatë bashkëbisedimit me pensionistë në qytetin e Gjirokastrës, Rama theksoi se, “planet tona në çdo sektor janë të detajuara të gjitha çështjet edhe për pensionet ne japim llogari në BE. Çfarë planesh kemi, ku do të shkojmë, si do të shkojmë, sepse nuk mund të shkojmë në BE dhe t’u themi shifra sipas qejfit se do ta çojmë këtu e ashtu. Sepse anëtarësimi në BE do të thotë që të futemi në një familje që janë si gjirokastritët, ku llogaritet çdo qindarkë dhe BE është familje që në atë arkë të ardhurash ndan për të tjerët”.
Rama u shpreh se, duke qenë se “ne hyjmë tek vendet që janë përfitues, sepse vendet e mëdha janë kontribuuese për familjen e përbashkët, dhe aty do të jetë momenti ku ne do të bëjmë një politikë më agresive në favor të pensionistëve, sepse do të kemi një buxhet ekstra”.
“Llogariteni që sot ne kemi marrë shumë mbështetje prej tyre. 1 miliard euro mbështetje për shumë gjëra, në këto vite dhe në momentin që ne hyjmë në këtë familje, marrim 1 miliardë euro mbështetje çdo vit, ku 300 milionë janë për bujqësinë, 300 të tjera për infrastrukturën, çfarë të ardhurash kemi nga tonat që ne i çojmë në këto drejtime mund t’i kollandrisim dhe një pjesë e ndajmë për pensionin duke bërë që pensionin minimal ta kemi më të arsyeshëm”, tha ai.
Sipas tij, kjo punë bëhet që të kemi më shumë për gjyshërit për të mos iu hapur gropën nipërve dhe mbesave siç ndodhi në ’97. /j.p/
Kandidati i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, këtë herë vijoi takimet në Degën 9 në Tiranë, ku theksoi se programi i PD synon ndërhyrje konkrete në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe jo thjesht premtime politike. Në një postim në Facebook, Këlliçi shkruan se qytetarët shfaqën “mbështetje të palëkundur, por edhe pakënaqësi të thellë” për mënyrën se si, sipas tij, janë injoruar prej 12 vitesh nga qeveria aktuale.
“Është ulëritëse të konstatosh se pensionistët, pas një jete kontributesh, jetojnë sot me pensione mizerabël”, u shpreh ai, duke nënvizuar se një nga angazhimet kryesore të PD është vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh dhe rritja e pensioneve me 20% brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Këlliçi shtoi se nuk mund të ketë dinjitet pa siguri ekonomike dhe se PD është e vendosur t’i japë fund “neglizhencës ndaj shtresave më të pambrojtura të shoqërisë. Një shtet që meriton të quhet i tillë kujdeset për njerëzit, jo vetëm me fjalë, por me vepra”, shkroi ai, duke e mbyllur me mesazhin se kjo rrugë do të përshkohet “së bashku me qytetarët, për qytetarët.”
Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama i ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore pensionistët përgjatë këtyre 12 viteve që ka qenë në qeveri.
Komentet Berisha i bëri gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, ku shpalosi programin e Partisë Demokratike për të moshuarit, shkruan A2 CNN.
Berisha tha gjithashtu se kryeministri Rama po e mban administratën në punë të zezë pa sigurime shoqërore.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Së pari, shpreh nderimin tim më të madh dhe përuljen time për të gjithë kontributin që ju keni dhënë në këtë vend për familjet tuaja, për veten tuaj, për shoqërinë, për Shqipërinë.
Shpreh gjithashtu keqardhjen time të thellë, por edhe dhimbjen për faktin që ju, qindra mijëra gra e burra, që shkritë energjitë tuaja, mendjen tuaj, talentet tuaja, aftësitë tuaja për zhvillimin e këtij vendi, sot ndodheni në një gjendje pakrahasimisht më të vështirë, në rrafshin ekonomik, sesa bashkëmoshatarët tuaj në çdo vend tjetër.
Sot, mbi 780 mijë pensionistë përballen, përveçse një pjesë e tyre që kanë pensione maksimale, të tjerët përballen me vështirësi serioze për ushqimin e muajit, e ditës, për ilaçet që rëndom duhen në këtë moshë dhe për kujdeset e tjera të nevojshme.
Jetoni, të shumtit nga ju, nga ato ndihma që u dërgojnë fëmijët tuaj, familjarët tuaj, sepse pensionet janë absolutisht pensione të padenja dhe në këtë kontekst, në këtë kuadër, duhet t’u them se qëndrimi ndaj jush është qëndrim ndaj dinjitetit njerëzor.
Njeriu duhet të jetojë në dinjitet, por njeriun që e dënon me varfëri, ti ia dhunon edhe dinjitetin.
Pse them e dënon? Sepse ju në 12 vite jeni dëshmitarë, e keni provuar me jetesën tuaj të përditshme se pensionet tuaja janë rritur shumë më pak se sa çmimet.
Në qoftë se çmimet në dyqane janë dyfishuar, ndonjëherë edhe mbidyfishuar, dhe këtu është fjala për çmimet bazë.
Në qoftë se ilaçet e rimbursimit janë pakësuar dhe për fatin e keq edhe ato që blini janë jashtë standardeve, sepse këta e anuluan ligjin për interesa të mafies, ligji që garantonte standarde të BE.
Pra, ju sot jeni shtresa më e injoruar dhe në mënyrën më të pamerituar.
Nuk ka diskutim që pensionet bazohen në fondin e pensioneve.
Por kur bëjmë fjalë për tranzicion real, atëherë ne tranzicionin duhet ta pranojmë në të gjithë fushat.
Edhe fondi i pensioneve është në tranzicion.
Por vijmë sot. Qëndrimet 12 vite të kësaj qeverie kanë qenë më së paku të papërgjegjshme.
Kanë qenë edhe të pamëshirë në njëfarë aspekti sepse çdo qeveri në janar, kur bën buxhetin e shtetit, ajo qeveri ndan kaq për rrogat, kaq për pensionet, kaq do ndaj për shkollat, për kopshtet, shëndetësinë e me radhë.
Kurse ju iu zhduku nga zëri. Jo rrogat. Rrogat e larta i trefishoi. Tani dini një gjë ju, sot Shqipëria që thonë këta, për rrogëlartit ka rrogat më të larta në rajon.
Diferencën midis rrogës së lartë, rrogës mesatare dhe pensionit mesatar e ka më të madhen në rajon, çka është çnjerëzore.
Sepse ti mund të jesh Presidenti i Republikës, por edhe ajo që shtyp, edhe ajo që pastron, edhe ajo ka fëmijë. Edhe ata shpenzojnë dhe konsumojnë.
Prandaj gjithmonë bëhet një përllogaritje që kjo diferencë të mos jetë më e madhe se 4-5 herë. Këtu është 10-12 herë. Dhe këta e bënë. Ne e kishim 4-5 herë.
Doli në mënyrë shumë evidente se Edi Rama, mos ia përmendim as emrin, thotë se nuk na lejon fondi i pensioneve për të rritur pensionet. Dhe në qoftë se ne rrisim pensionet nga buxheti, ne pësojmë katastrofë. Nuk ka mashtrim më të madh.
Është e vërtetë që në vende që kanë dekada e dekada disiplinë në menaxhimin e fondit të pensioneve, në kontributet shoqërore dhe përdorimin e fondit për shtimin e tij me investime, është fondi që i përballon.
Por ky vend nuk jemi ne. Nuk janë as vendet e rajonit.
Atëherë çfarë bëhet? Shtohet nga buxheti.
Çfarë bëmë ne në vitin 2005-2013. Ne e gjetëm pensionin minimal 36 euro dhe e rritëm në 82 euro.
Gjetëm pensionin mesatar 110 euro dhe e rritëm në 143 euro.
Kosova para dy muajsh deklaroi se do i rris me 20 përqind pensionet dhe mori 100 milionë euro nga buxheti dhe i vendosi në fondin e pensionet.
Tani ky mashtrues që e ka për moral mashtrimin, bën mbledhje, merr disa pensionistë, merr në krahun tjetër disa biznesmenë dhe u thotë ju e keni fajin se mbani punëtorët në zi pa sigurime shoqërore, ndaj dhe këta nuk marrin pensionet.
Po a e dini ju se kush mban më shumë në zi pa sigurime shoqërore? Administrata e Edi Rama.
Janë me qindra milionë euro deficit në fondin ju sepse Edi Rama nuk u paguan sigurimet shoqërore punonjësve të administratës.
Kjo është e vërteta.
Në radhë të parë duhet të paguajë shteti vetë. Kur shteti nuk paguan sigurimet shoqërore, ai është një shtet që nuk ka asnjë normë morale.
Kur ato sigurime shoqërore janë për ata që kanë larë me djersë këtë vend dhe ky që punon në administratë, shteti nuk i jep lekët, sepse nuk ka asnjë përgjegjësi punonjësi këtu, po këta mbajnë shumicën e administratës në të zi pa sigurime shoqërore.
Në vitin 1991, një politikan i Partisë Demokratike deklaroi në Tiranë se Shtetet e Bashkuara kanë premtuar një “Çek të bardhë” për Shqipërinë, në rast se shqiptarët mbështesnin Partinë Demokratike, në atë kohë e sapothemeluar dhe e përbërë në përgjithësi nga ish-komunistë ende të pakthyer në anti-komunistë. Togfjalëshi, i cili linte vend për fantazi, nënkuptonte […]
TIRANË, 1 prill /ATSH/ Mbi 573 mijë pensionistë kanë tërhequr “bonusin e pranverës” gjatë muajit mars. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se mbi 573 mijë pensionistë kanë tërhequr 4,9 miliardë lekë gjatë muajit mars.
“573 965 pensionistë kanë tërhequr 4,9 miliardë lekë gjatë muajit mars. 10 000 lekë bonus për pensionet bazë deri në 20 000 lekë; 5 000 lekë bonus për pensionet mbi 20 000 lekë. Bonusi mund të tërhiqet deri më 30 shtator 2025, pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë”, u shpreh Gonxhja.
Nga kjo politikë mbështetëse përfitojnë 730 430 pensionistë. Ndërkohë për të gjithë pensionistët që nuk kanë tërhequr ende bonusin e fundvitit, mund ta tërheqin atë deri më 30 qershor 2025.
Krahas punës për reformimin e sistemit të pensioneve me qëllim dhënien e një pensioni më dinjitoz, qeveria po mbështet pensionistët me bonuse.
Këtë të hënë ka nisur shpërndarja e bonusit të pranverës për pensionistët. Gjithësej, janë 730 400 të moshuar, brenda dhe jashtë vendit të cilët mund të tërheqin paratë në sportelet e Postës Shqiptare ose në bankat tregtare, me bonusin e pranverës ata do të përfitojnë 5000 ose 10000 lekë më shumë se pensioni.
Të pyetur nga “People” në Euronews Albania nëse janë të kënaqur me këtë bonus, pensionistët janë shprehur se pensionet duhet të rriten pasi pensionistët nuk kanë nevojë të hanë apo të marrin ilaçe vetëm një herë në vit.
Pensionistja: 10000 lekë mora unë, kisha 13000 mu bën 23000, unë do i shpenzojë për ujë, bukë, drita, ilaçe, këto.
Gazetarja: Je e kënaqur?
Po e kënaqur nuk jam, të shtohet muaj për muaj do jem e kënaqur.
Pensionistja: Unë 5000 lekë mora bonus, ilaçe do marr.
Pensionisti: Kam 1 orë e ca në radhë.
Gazetarja Si do i shpenzoni?
Pensionisti: Me ilaçe dhe ushqime që të hamë.
Pensionisti: Unë erdha njëherë, po vij për herë të dytë, jam i verbër, nuk eci dot. Ky është problem i vazhdueshëm.
Gazetarja Sa do të përfitoni nga bonusi i pranverës?
Pensionisti: 5000 marr.
Gazetarja: Jeni i kënaqur?
Pensionisti: Po ç’i kënaqur, dil shiko çmimet në treg.
Gazetarja:Jeni i kënaqur?
Pensionisti: Hiç fare, pse njëherë në vit do hamë ne? Ne duam gjithnjë.
Gazetarja Si do i shpenzoni lekët?
Pensionisti: Me ilaçe.
Nuk kanë munguar as batutat nga pensionistët, njëri prej të cilëve shprehej se me bonusin e pranverës do bënte pushime në Borsh dhe në Gjirin e Lalzit, ndërsa një tjetër thoshte so do të martohej sërish.
Ditën e sotme, nisi ndarja e bonusit të pranverës për pensionistët. Në total, janë 730 mijë përfitues.
Në sportelet e Postës Shqiptare, pensionistët që kanë tërhequr pensionin e muajit, nga kjo fillim jave kanë mundësi të marrin edhe bonusin.
10 mijë lekë do të marrin ata që e kanë pensionin deri në 20 mijë lekë në muaj, ndërsa ata që e kanë pensionin mbi 20 mijë lekë do të marrin një bonus që arrin në 5 mijë lekë.
Kjo është hera e parë që qeveria shpërndan një bonus në pranverë, pasi deri më tani ato janë ndarë vetëm në fund të vitit.
Kryeministri Edi Rama, ka premtuar se ky shpërblim do të lidhet me performancën ekonomike. Sa më e mirë të jetë ecuria ekonomike dhe mbledhja e të ardhurave, aq më e lartë është mundësia që bonusi i pranverës të zyrtarizohet në një shpërblim të përhershëm.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se 22,718 pensionistë në të gjithë Shqipërinë kanë tërhequr sot bonusin e pranverës. Sipas ministrit, bonusi ndahet në dy kategori: 10,000 lekë për pensionet bazë deri në 20,000 lekë; 5,000 lekë për pensionet mbi 20,000 lekë. Gonxhja bëri të ditur se bonusi mund të tërhiqet deri […]
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi me anë të një postimi në rrjetet sociale se që nga e hëna do të nisë shpërndarja e ‘Bonusit të Pranverës’ për pensionistët brenda dhe jashtë vendit.
Ai thotë se mbi 730 mijë pensionistë do të kenë mundësi ta tërheqin këtë bonus në çdo pikë të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
“Bonusi i Pranverës, nga e hëna për 730,430 pensionistë (brenda a jashtë vendit), pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë”, shkruan Rama.
Këtë të shtunë, në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit Edi Rama, ka njoftuar se nga e hëna do të shpërndahet Bonusi i Pranverës për 730,430 pensionistë, brenda dhe jashtë vendit.
Rama sqaron se ky bonus do të jetë i disponueshëm pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe në bankat e nivelit të dytë, duke ofruar një mbështetje të rëndësishme për ata që përfitojnë nga ky program.
“Bonusi i Pranverës, nga e hëna për 730,430 pensionistë (brenda a jashtë vendit), pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë”, shkruan kryeministri.
Më herët, kryeministri ka njoftuar se, pensionistët që kanë një pension mujor deri në 200 euro do të përfitojnë një bonus prej 100 eurosh, ndërsa ata me pension mbi 200 euro do të marrin 50 euro. Ky program ka një fond prej 62 milionë eurosh.
Këtë të enjte, kryeministri Edi Rama, ka vijuar komunikimin e tij virtual me qytetarët në rrjetet sociale, duke njoftuar se bonusi i pranverës për pensionistët është miratuar nga qeveria më 9 janar 2025.
Sipas vendimit, pensionistët me pensione nën 20,000 lekë do të përfitojnë 100 euro, ndërsa ata me pensione mbi këtë shumë do të marrin 50 euro.
Në përgjigje të kritikave se kjo masë është ndërmarrë për qëllime elektorale, kryeministri u shpreh:
“Natyrisht, kur vijnë zgjedhjet bëhet një lloj bilanci, është e pashmangshme. Në këto kushte është i nevojshëm komunikimi që të jetë më intensiv”.
Duke adresuar shqetësimet mbi rritjen e çmimeve, Rama vuri në dukje se qeveria është e vetëdijshme për ndikimin e tyre dhe po punon për të zbutur efektet e kësaj rritjeje.
Ai theksoi se, ndonëse çmimet në treg përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, qeveria ka marrë masa për të mbrojtur konsumatorët, duke mbajtur çmimin e energjisë për familjarët nën koston reale.
Kryeministri gjithashtu, vuri në dukje rritjen e numrit të kompanive aktive në vend, nga rreth 100,000 kur mori detyrën, në 250,000 aktualisht, duke e cilësuar këtë si një tregues domethënës të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
“Bonusi i pranverës është në dispozicion për pensionistët në bazë të vendimit të marrë të qeverisë në datën 9 janar. Nga ana tjetër dikush më vuri në dukje se isha kujtuar për fushatë por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës. Natyrisht kur vijnë zgjedhjet bëhet nje lloj bilanci, është e pashmangshme. Në këto kushte është i nevojshëm komunikimi që të jetë më intensiv. Gjysma tjetër e të vërtetës është se është bërë e pamundur të komunikosh për hallet e njerëzve në sallonet mediatike ku flitet vetëm për burg, dënime, vjedhje, bla bla bla.
Jemi të vetdijshëm se duhet bërë diçka për të zbutur rritjen e çmimeve që janë edhe jsahtë logjikës, por shifrat dhe faktet flasin vetë dhe nëse kur ne morëm detyrën ishin rreth 100 mijë kompani, sot janë 250 mijë kompani aktive në Shqipëri. Është një shifër jashtëzakonisht domethënëse, ashtu sikundër ka një tjetër shifër të rëndësishme”, u shpreh ai.
Ujërat e kristalta dhe plazhet e arta të Shqipërisë i kanë dhënë asaj titullin “Maldivet e Evropës”, shkruan Esther Marshall në të përditshmen britanike “MailOnline”.
“Vendi i bukur mesdhetar po shndërrohet shpejt në një nga destinacionet kryesore turistike të Evropës – pasi numri i vizitorëve ndërkombëtarë është rritur me 56% midis 2019 dhe 2023″, sipas Organizatës Botërore të Turizmit e Kombeve të Bashkuara.
Por për disa, vendi ballkanik apelon për një qëndrim më të gjatë sesa vetëm për pushime.
Kostoja e ulët e jetesës po e bën atë një opsion gjithnjë e më tërheqës për pensionistët britanikë.
“Shqipëria nuk është ende në radarin kryesor për shumë njerëz, por duhet të jetë. Është një vend i bukur – me një vijë bregdetare që rivalizon vendpushimet e Italisë ose Kroacisë. Dhe kur bëhet fjalë për koston e jetesës është e jashtëzakonshme”, tha për “MailOnline” Jennifer Stevens, redaktore ekzekutive në “International Living”.
Revista “International Living” ofron informacione rreth udhëtimit global, jetesës, daljes në pension, investimit dhe pasurive të paluajtshme.
“Ajo që shumë qytetarë të huaj mund të gjejnë këtu – është se ndërthurja e përballueshmërisë, motit të mirë dhe cilësisë së jetës në përgjithësi, dhe normave jashtëzakonisht të ulëta të taksave. Kjo tërheq me shumë emigrantët në përgjithësi”, tha Sara Alimehmeti, redaktore në “Magic Towns”, revista e këshillave të ekspertëve dhe njohurive lokale.
“Dhe muajt e fundit, kryesisht për qytetarët britanikë – frika e tyre lidhet me rritjen e taksave në BM”, shtoi ajo.
Për pensionistët britanikë të tunduar për t’iu bashkuar vendit, në udhëzuesin tonë renditen vendet më të mira për të jetuar në Shqipëri, si të merrni një vizë, kostot e strehimit dhe se si funksionon sistemi i kujdesit shëndetësor…
Vizat dhe përfitimet tatimore
“Pensionistët britanikë mund të aplikojnë për ‘opsionin e dedikuar të vizave të daljes në pension të Shqipërisë për qytetarët jo anetarë të BE/ZEE”, tha William Cooper, drejtor marketingu në kompaninë britanike të Sigurimeve Shëndetësore “William Russell”.
“Hapat fillestarë të aplikimit përfshijnë marrjen e një vize ‘D’, e cila lejon një qëndrim të zgjatur ndërkohë që aplikimi juaj për qëndrim është duke u përpunuar”, tha ai.
“Më pas, ju mund të aplikoni për leje qëndrimi përmes portalit e-Albania. Për ta bërë këtë, zakonisht duhet të përfshini vërtetimin e akomodimit, dëshminë e mjeteve tuaja të mjaftueshme financiare dhe mbulimin e sigurimit shëndetësor”, tha ai.
“Për të siguruar vizën, pensionistët do të duhet të tregojnë se kanë të ardhura të rregullta mujore nga pensioni prej të paktën 120,000 lekësh shqiptare (1,011 £/1,271 dollarë)”, tha William.
Për sa i përket përfitimeve tatimore, ekspertët e “Magic Towns” shpjegojnë se për pensionistët e huaj në Shqipëri, të ardhurat nga pensionet, përfshirë pensionet shtetërore, private dhe të huaja, janë zakonisht pa taksa.
Politika dhe kultura
Shqipëria ishte nën sundimin e një diktature komuniste nga viti 1946 deri në fillim të viteve 1990. Në atë kohë ajo ishte e mbyllur dhe e njohur si “Koreja e Veriut e Evropës”.
Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë – dhe Shqipëria tani është një demokraci parlamentare – me një president si kreu i shtetit dhe një kryeministër në krye të qeverisë.
Kryeministër aktual është Edi Rama, i cili është në këtë rol që nga viti 2013.
Shqipëria është një vend laik pa fe zyrtare, por në regjistrimin e vitit 2023 të kryer nga Instituti i Statistikave, 53% e popullsisë identifikohen si myslimanë, 16% si të krishterë, 17% si jofetarë dhe 16% si të padeklaruar.
“Shqipëria vuan nga keqperceptimet e vjetruara. Njerëzit dëgjojnë “Shqipëri” dhe mendojnë – “A nuk ishte një vend komunist – a është akoma?”, tha Jennifer nga “International Living”.
“Megjithatë, Shqipëria ka qenë një shtet demokratik që nga fillimi i viteve ’90. Është një vend miqësor për të vizituar – ku mund të shijoni një cilësi të lartë jetese për një çmim relativisht të ulët”, tha ajo.
“Vendi ka numrin më të lartë të kafeneve për frymë në botë”, tha Sara nga “Magic Towns”.
Aeroporti i Tiranës ofron fluturime direkte për/nga aeroportet e Londrës, Luton dhe Stansted, si dhe drejt Birminghamit dhe Mançesterit.
Strehimi dhe ku të jetoni
Ekspertët në “Magic Towns” thonë se tregu i pronave në Shqipëri ofron një gamë të larmishme opsionesh – nga komplekset e apartamenteve luksoze deri te shtëpitë e stilit otoman italian.
Ata thonë se Tirana – kryeqyteti – dhe dy pika bregdetare – Vlora dhe Saranda – janë opsione të shkëlqyera për pensionistët.
Tirana
“Si kryeqytet, Tirana ka infrastrukturën më të mirë, shumë investime dhe mundësitë më të shumta të kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Do të thosha se është një zgjedhje e shkëlqyer për pensionistët që gëzojnë një mënyrë jetese aktive – me shumë kafene, restorante, bare dhe ngjarje kulturore”, tha Sara nga “Magic Tows”.
Kostoja: Një apartament me një dhomë gjumi kushton rreth 400-700 euro në muaj në qendër të qytetit, ndërsa jashtë qendrës është afërsisht 250-500 euro.
Çmimet e pronave variojnë nga 1500-3000 euro për metër katror.
Vlora
“Vlora është një qytet bregdetar përgjatë Rivierës së famshme Shqiptare dhe destinacioni i përsosur për pensionistët që duan të jetojnë buzë detit. Ka një komunitet emigrantësh në rritje, një lungomare (shëtitore bregdetare) dhe akses të lehtë në disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë”, tha Sara nga “Magic Towns”.
“Është më e qetë se Tirana, ka gjithçka që ju nevojitet, duke përfshirë një qendër urbane. Në verë bëhet më e gjallë pasi mbushet me turistë të huaj dhe vendas”, shtoi ajo.
Kostoja: Çmimet ndryshojnë në bazë të afërsisë me detin, por pronat buzë detit mund të arrijnë 1200-2500 euro për metër katror. Qiraja është përgjithësisht 20-30% më e ulët se Tirana.
Saranda
“Saranda është më e ngrohta nga të treja këto qytete dhe prej kohësh është e preferuara e pensionistëve”, shpjegon Sara.
“Ekziston një ndjesi e ngjashme me Vlorën, me pamje të mrekullueshme bregdetare dhe atmosferë të këndshme të një qyteti bregdetar”, shtoi ajo.
Kostoja: Çmimet ndryshojnë në bazë të afërsisë me detin, por pronat buzë detit mund të arrijnë 1200-2500 euro për metër katror. Qiraja është zakonisht 20-30% më e ulët se Tirana.
Kostoja e jetesës
Sipas “Numbeo”, kostoja mesatare e jetesës në Shqipëri është 50% më e ulët se në BM, ndërsa qiraja është rreth 70% më e ulët.
Kostoja e jetesës është gjithashtu 11% më e ulët në Spanjë, një destinacion popullor për pensionistët britanikë.
Sara shpjegon se një vakt në një restorant të nivelit të mesëm mund të kushtojë 8-15 euro për person, ndërsa kafeja zakonisht është rreth 1 euro.
Ajo shtoi se një çift mund të shpenzojë lehtësisht 250-400 euro në muaj – për produkte ushqimore, në varësi të stilit të jetesës, ndërsa energjia elektrike, uji dhe interneti zakonisht kushtojnë rreth 100 euro në muaj.
Kujdesi shëndetësor
“Shqipëria operon një sistem shëndetësor universal të financuar nga kontributet e detyrueshme dhe vullnetare, të plotësuara nga buxheti i shtetit”, tha William nga kompania “William Russell”.
“Kujdesi privat shëndetësor ka pasur rritje të konsiderueshme dhe objektet zakonisht sigurojnë një standard më të lartë kujdesi”, tha ai.
“Ne ramë në dashuri me njerëzit dhe bukurinë e vendit”
Banorët miqësorë dhe të përzemërt të Shqipërisë janë një nga arsyet që Deborah dhe James Riley, të dy në të 70-at, po shijojnë pensionin në një fshat jashtë qytetit port të Durrësit.
Ata u zhvendosën në Shqipëri nga Bloomington, Indiana, në vitin 2020.
“Sapo erdhëm këtu, gjetëm një ngrohtësi, dashuri dhe miqësi. Ne thjesht ramë në dashuri me njerëzit dhe bukurinë e vendit”, tha Deborah.
“Njerëzit këtu janë shumë mikpritës krahasuar me vende të tjera”, tha James.
Çifti shpjegoi se ata shpenzonin deri në 6,67 euro në ditë për ushqim, i cili përfshin ushqim për katër kafshët e tyre shtëpiake dhe kafshët e tjera në lagje.
“Të gjithë kanë shumë fruta dhe perime që rriten në oborret e tyre, dhe kështu çdo gjë është e freskët në dyqanet e vogla ku ne shkojmë të blejmë”, tha Deborah.
“Shqipëria është një nga vendet më të bukura që mund të keni parë ndonjëherë”, shtoi James. /atsh/ KultPlus.com
Bonusi i pranverës nuk u shpërnda në shkurt siç u tha nga qeveria. Ai do t’u jepet të moshuarve nga 1 marsi. Sipas shpjegimit nga Qeveria, shkak për vonesën në shpërndarjen e bonusit janë bërë procedurat e brendshme.
“Pensionistët nuk do presin të mbarojmë zgjedhjet ne, do e marrin që në shkurt. Se si e mendojnë ata që mendjen e kanë mbrapsht kjo është festa e madhe e demokracisë. Kështu që nuk kam asnjë shqetësim”, tha Rama më herët.
Teksa ka kaluar më shumë se gjysma e muajit, bonusi i pranverës nuk ka nisur të shpërndahet.
Pensionistët do të mund ta marrin shpërblimin e premtuar nisur nga 1 marsi. Tërheqja e tij do të bëhet në të njëjtën ditë që do të merret edhe pensioni i përmuajshëm.
Të moshuarit që marrin pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin 10 mijë lekë shtesë në pranverë. Kush merr më shumë se 20 mijë lekë pension, do të përfitojë edhe 5 mijë lekë të tjera si bonus.
Qeveria ndryshoi për të tretën herë buxhetin e vitit të shkuar, duke shpërndarë 6.3 miliardë lekë mbështetje për të moshuarit.
Por shkak për vonesën në shpërndarjen e bonusit, janë bërë procedurat e brendshme ndërinstitucionale.
Nga nisma do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh gjithashtu të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar si dhe kujdestarët e tyre.
Kryeministri Edi Rama i pyetur në lidhje me çmimet është shprehur se puna e qeverisë është të rrisë pagat dhe gjithashtu të rrisë edhe bonuset për pensionistët. Rritja e bonuseve për pensionistët do të vijojë në mënyrë graduale me skemën e reformuar, theksoi Rama.
“Treni Tiranë Durrës do të vihet në punë shumë shpejt. Ka marrë shumë kohë sepse ka pasur procedura të shumta, por jemi në rrugë të mbarë. Sa për çmimet; ajo që qeveria bën është të rrisë pagat dhe të rrisë bonuset për pensionistët dhe të rrisë në mënyrë graduale pensionet me skemën e reformuar. Çmimet i vendos sektori privat jo shteti, por ajo që ne bëjmë është rrisim fuqinë blerëse, dhe kemi rritje domethënëse të fuqisë blerëse. Natyrisht nuk është në të gjitha kategoritë dhe për të gjitha shtresat, por kjo është rritja hap pas hapi që bëjmë”, u shpreh ndër të tjera ai.
Qeveria do të vijojë me praktikën e dhënies së bonuseve për pensionistët. Kështu deklaroi të mërkurën kryeministri Edi Rama gjatë një konference ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve, ku ai u shpreh se do të ketë edhe ndërhyrje në skemë, por pa prekur themelet e saj. “Nga një bonus në fundvit, kemi kaluar në […]
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Dorian Teliti, ka denoncuar live situatën absurde të krijuar sot në mëngjes te pika e dhënies së aboneve për pensionistët, ku dhjetëra prej tyre presin me orë në rradhë në kushte aspak normale.
Reagimi i Telitit:
SKANDAL! “TRANSPORTI FALAS” I VELIAJT KTHEHET NË POSHTËRIM PËR PENSIONISTËT!
Live nga një prej pikave të shpërndarjes së aboneve për pensionistët!
Pas kopjimit të programit të PD-së dhe kandidatit Belind Këlliçi për transportin falas, ndonëse më parë e kishte kundërshtuar dhe ironizuar këtë propozim, Veliaj përsëri dështoi në implementimin e tij!
Pensionistët detyrohen të presin në radhë të gjata, në kushte të vështira, pa asnjë organizim dhe pa infrastrukturën e nevojshme për shpërndarjen e aboneve.
Shumë prej tyre ankohen, të lodhur, të shqetësuar, dhe jo pak prej tyre ndodhen në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Kjo është fytyra e një administrate vendore që vetëm flet, por nuk vepron për qytetarët!
Ndërkohë që numri i punonjësve në Bashkinë e Tiranës është trefishuar në këto 10 vitet e fundit, nuk u gjetën as disa punonjës më shumë për të shpërndarë abonetë me dinjitet e pa lodhur pensionistët në radha të pafundme.
Ky trajtim është jo vetëm larg normave dhe standardeve europiane, por është skandaloz!
Ndaj duhet ndryshimi! Ndaj duhet të gjithë të reagojmë, si me protestë në #8shkurt ashtu edhe me votë në #11maj.
Prej 1 janarit 2025, Bashkia e Tiranës ka nisur subvencionimin 100% të biletës së abonesë për pensionistët. Sëfundmi Bashkia e Tiranës ka shtuar numrin e sporteleve ku mund të tërhiqen abonetë, duke u ardhur në ndihmë pensionistëve. Qytetarët tashmë të regjistruar në portalin e përfitimit të Abonesë së Pensionistit, duhet të paraqiten çdo fund muaji […]