Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Endërr e një nate të trazuar gushti

Nga Thoma Gëllçi

Këtë nate të trazuar gushti, kur Shqipëria eshte ne flake nga zjarre të qëllimshme e të paqëllimshme, fshatari patronazhist Helidon, pa enderr sikur ishte në sallën e konferencave të qeverisë ku po zhvillohej një ngjarje historike: prezantimi i sukseseve të Shqipërisë në uljen e lindjeve, me të dhënat e INSTAT për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Në podium, Ministri i Popullsisë – një post i shpikur enkas dhe që paguhet vetëm për të vënë firmën – u ngjit me një buzëqeshje dhe nisi me krenari:

— Të nderuar qytetarë, kemi lajme fantastike! Lindjet kanë rënë edhe këtë vit. Nga 12,620 në vitin 2021, kemi arritur në vetëm 9,644 në vitin 2025. Një ulje historike prej 24%! Ne udhëheqim rajonin në kursimin e burimeve natyrore – sa më pak njerëz, aq më pak ujë, energji, pelena dhe qumësht. Kjo e fundit ka rëndësi sepse edhe numri i krerëve të lopëve si dhe i bagëtive të imta ka shkuar më pak se krahasuar me vitin 1938. Kjo nuk është thjesht statistikë, është art! Disiplinë kombëtare!

Duke parë reagimin e të pranishmëve, ministri mori zemër dhe shtoi:
— Me vdekjet që kalojnë lindjet me 835 persona, po çlirojmë ekonominë nga barra e pensioneve. Në 30 vjet nuk do kemi borxh ndaj pensionistëve… sepse nuk do ketë pensionistë. Por dhe ata pensioniste qe kane mbetur ketu, ua kemi lene pensionet aq te ulta saqe femijeve te tyre u bije me lire qe ti marrin prinderit me vete ne emigracion, sesa t’u dergojne para per te mbajtur frymen gjalle ketu. Ky është inovacion financiar që as Gjermania nuk e ka shpikur.

Kur u pyet për krahasimin me fqinjët, ministri u shtriq në buzëqeshje:
— Po ç’të thuash për fqinjët tanë?! Ata janë për të ardhur keq! Kosova ende ka një lindshmëri si në vitet ’80. Maqedonia e Veriut paguan nënat për fëmijën e tretë 8,000 denarë në muaj për 10 vjet, plus një ndihmë modeste për të parin. Serbia? Për fëmijën e parë japin 100,000 dinarë menjëherë, për të tretin 100 euro në muaj për 10 vjet, për të katërtin 150 euro në muaj dhe deri në 18,000 euro bonus. Kroacia? Një qytet si Novska jep 10,000 euro për fëmijën e tretë. Hungaria fal taksat përjetë për nënat me mbi dy fëmijë. Italia dhe Gjermania hedhin nga 85 deri në 219 euro në muaj për çdo fëmijë, për vite me radhë. Franca jep deri në 500 euro në muaj për familjet me katër fëmijë e më shumë. Dhe ne…? Ndërsa ne? Ne e kemi kuptuar sekretin: më e lirë është të mos bësh asgjë. Kjo është politika që s’ka dështuar kurrë!

Më pas, me një krenari të ftohtë prej mjeshtri të strategjive, ministri shtoi:
— Dhe nuk ndalemi vetëm te lindjet. E kemi bërë të pamundur për të rinjtë të kenë një punë të qëndrueshme dhe u kemi lënë ta kuptojnë mirë se këtu nuk do ndryshojë diçka. Çmimet e apartamenteve në qytetet kryesore? I kemi ngritur aq lart, sa shumica as nuk guxon t’i afrohet me mendim, jo më me kredi. Kjo është politikë demografike e sofistikuar: kur nuk ke ku të rrisësh fëmijën, nuk bën fëmijë.Ne themi me plot gojen se zjarret nuk na trembin prandaj fuqizojme me perpara me mjete divizionet e prishjeve te ndertimeve pa leje, se sa mjetet zjarrfikese.

Me një ndriçim krenarie në sy, ministri vazhdoi:
— Strategjia jonë për integrimin në Europë ka qenë një sukses i madh… individual. Kemi integruar një pjesë të madhe të brezit të ri në Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali e gjetkë. Ata po jetojnë ëndrrën europiane. Dhe kjo na lehtëson edhe më shumë punën: sa më pak të rinj të kemi, aq më pak halle për punësim, shkolla, shëndetësi. Gjithashtu jemi krenarë se djemtë dhe vajzat tona po e mbushin Gjermaninë, Francën, Anglinë, Greqinë etj. me mijëra gjermanë, francezë, anglezë, grekë dhe italianë të vegjël. Dhe të jeni të sigurt, që ata, kur të rriten, do të thonë me krenari që janë me origjinë nga vendi i shqiponjave.

Në ekran, ministri projektoi një grafik ku vija e lindjeve binte si skiator në pistat e lojërave olimpike. “Ky është kërcimi olimpik drejt qetësisë kombëtare” – tha me krenari.
— Brenda pak dekadash, Shqipëria do të jetë vendi më i qetë në rajon. Nuk do keni radhë në spitale, as zhurmë në lagje, as trafik. Çdo fshatar do ketë një fshat të tërë për vete, së bashku me dy lumenj dhe tre kodra bonus. “Një fshatar – një fshat” është vazhdim i politikës sonë “nje pallat – një votë”, por e modernizuar dhe e përshtatur për epokën e Inteligjencës Artificiale.

Pastaj erdhi pjesa e artë e konferencës:
— Kjo është formula jonë fituese: ulje lindjesh + rritje vdekjesh + emigracion masiv. Tre-në-një, si shampot e lira. Lindjet i ulim vetë, vdekjet i shton natyra me pak ndihmë nga infrastruktura jonë shëndetësore, emigracionin e menaxhojmë me një politikë të thjeshtë – mos krijo kushte që t’i mbajnë njerëzit këtu. Mos u jep shpresë… Dhe besomëni, funksionon!

Në fund, për t’i vënë kapakun, ai tha me ton solem:
— Kush do popullsi të re, le të shkojë në Kanada. Ne duam cilësi, jo sasi. Dhe cilësia arrihet kur gjysma e popullsisë është jashtë, gjysma tjetër është në pension dhe fëmijët… janë thjesht legjenda urbane.
Një këshilltar i qeverisë e përforcoi mesazhin:

— Me këtë ritëm, Shqipëria do të jetë si Zvicra… por pa zviceranë.
Në dalje, një gazetar guxoi të pyesë nëse nuk kishin frikë nga boshatisja e vendit. Ministri buzëqeshi i qetë:

— Jo, jo. Është faza e parë e projektit tonë për të rritur cilësinë e jetës… duke ulur sasinë e atyre që e jetojnë.
Dhe kështu u mbyll konferenca më optimiste për lajmin më pesimist që mund të ketë një komb. Siç do ta thoshte Mark Tueni: “Kur nuk ke dot shpresë, bëje të paktën një broshurë me ngjyra dhe quaje strategji kombëtare.”

The post Endërr e një nate të trazuar gushti first appeared on JavaNews.al.

Shtetet e Bashkuara të Shqiperisë dhe Manifesti i Arrestimeve

Nga Thoma Gëllçi

Në Vlorën historike, ku dikur flamuri i pavarësisë u ngrit krenar nga Ismail Qemali, këtë herë u valëvit një tjetër shpresë, po aq e madhe dhe po aq e lavdishme. Kreu i partisë “Shpresa Demokratike”, Pëllump Pilinçi, zbarkoi në Vlorë si perandori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Shqiperisë. Jo më me karrocën me nje kalë që mbetej baltrave të Myzeqesë, por me limuzinën e tij të zezë që mbante në të dy anët flamurin amerikan dhe atë shqiptar — sepse Shqipëria e re do të jetë edhe e shqiponjave me dy kokë shqiptare por edhe e shiponjës me nje kokë amerikane. Përreth, një rrethim bodyguardësh aq seriozë, sa dukej sikur ruanin kufijtë e rinj që Pilinçi sapo kishte vizatuar në mendje.

Dukej qartë se tashmë ka mbërritur opozita e vërtetë e Edi Ramës. Ky ishte një moment historik, sepse ai nuk është vetëm opozitë e Edi Ramës por edhe opozita e opozitës, opozita e partive të reja që ende nuk ua mban mend emrin askush, dhe madje edhe opozita e pretendentit të fronit mbretëror të Shqipërisë .

Pilinci hyri me hap të sigurt në podium, e nisi fjalimin me një zë që përplasej mes solemnitetit dhe bindjes së plotë se përpara kishte popullin e tij të ardhshëm. “Erdhi koha juaj!”, shpalli ai. “Duan apo nuk duan, Shqipëria do të bëhet me kufi natyror! Shqipëria e Maqedonisë së Aleksandrit, Mali i Zi me princat e malësisë, dhe toka jonë deri në Beograd!”

Pastaj erdhi qeveria e re: 13 ministra që ai i quajti “sekretarë” sipas modelit amerikan, dhe 3 drejtorë që s’mund të përmendeshin se ishin “tepër sekret”. Një sekret kaq i madh sa edhe vetë FBI-ja shqiptare, që ende nuk ka zyrë, nuk e di.

E gjithë kjo u mbështet me një premtim të fortë, të pastër, të palëkundur: shpëtimi i Shqipërisë do të vijë nga arrestimet. Arrestime masive, spektakolare, patriotike — nga socialistët tek demokratët, nga deputetët tek “deputetët e vërtetë” që i di vetëm Pilinçi. Sipas tij, janë gjithsej 1240 të tillë që duhet të futen pas hekurave. Nga ku doli ky numër? Nga e njëjta vend ku dalin gjithmonë numrat në politikën shqiptare: nga imagjinata e zjarrtë e tribunës.

Pilinci nuk harroi as plagën e madhe të mërgimit: “kjo- tha ai – është toka e shqiponjave, jo e indianëve, pakistanëve, çifutëve, izraelitëve të çdo race” që sipas tij partitë e tjera po na i sillnin.
Publiku nuk ishte i sigurt nëse fliste për një plan të vërtetë emigracioni apo për ndonjë skenar filmi ku shqiptarët mbrojnë kufirin nga një flotë anijesh nga e gjithë bota.

Në mes të fjalimit, ndërsa dielli digjte mbi flamuj, Pilinci arriti kulmin e retorikës patriotike: “Ne kemi ardhur për t’ju çliruar! Kosova nuk është ende e lirë, sepse flamuri i saj është blu, ngjyrë greke dhe kafe sebe! Do ta pastrojmë nga këto ngjyra të huaja!”

Në fund, limuzina e zezë e Pilinçit u nis ngadalë, e ndjekur nga autokolona e gjatë, duke lënë pas sheshin ku valëviteshin flamujt dhe njerëzit që diskutonin.

Dhe ashtu, nën hijen e flamujve dhe bodyguardëve, Shqipëria u kthye edhe një herë në skenën e preferuar të farsës politike, ku shpëtimi kombëtar matet gjithmonë me numrin e njerëzve që priten të futen në burg.
Për të pranishmit u shpernda edhe nje broshurë e titulluar

Vizioni politik i Pëllump Pilinçit

Do të zbatohet sapo të fillojnë arrestimet

1. Shqipëria do të ketë kufij natyrorë, të shënjuar nga malet, lumenjtë dhe fjalët e mia. Nëse një lumë nuk përputhet me hartën time, lumi do të ndryshojë drejtim.
2. Shqipëria do të shtrihet deri në Beograd. Nëse Beogradi nuk pajtohet, atëherë Beogradi do të shpallet “Qytet Shqiptar i Përkohshëm” deri në njoftim të dytë.
3. Çdo kryebashkiak do të bëhet guvernator i shtetit të vet në Federatën Shqiptare. Guvernatorët do të mbajnë kapele “cowboy” mbi kostum kombëtar për të treguar se janë tradicionalë, por edhe modernë.
4. FBI-ja shqiptare do të ketë zyrat e saj pranë detit, me pamje nga horizonti, që të shohë çdo rrezik që vjen nga përtej dallgëve. Rreziku i parë: anijet me ide të huaja.
5. Kosova do të shpallet plotësisht e çliruar sapo flamuri i saj të lajë ngjyrën blu dhe të marrë ngjyrën “kuq e zi” të aprovuara personalisht nga unë.
6. Çdo natë në orën 6 do t’u bëhet thirrje patriotëve të rinj të kthehen nga mërgimi. Kush nuk kthehet brenda 48 orësh do të shpallet “patriot i vonuar” dhe do të ketë nevojë për certifikatë justifikimi.
7. Asnjë indian, pakistanez, çifut, izraelit apo i çdo race tjetër nuk do të hyjë në Shqipëri pa leje speciale nga Ministria e Shqiptarëve të Pastër, që do të ketë një zyrë të madhe përpara aeroportit dhe zero dokumente për të dhënë.
8. 1240 deputetë dhe ish-deputetë do të arrestohen. Lista do të zgjatet nëse ndonjë tregon shenja nervozizmi kur më sheh në televizor.
9. Shqipëria do të ketë vetëm një opozitë dhe një pushtet : opozitën time dhe qeverinë time. Opozita e Ramës, opozita e opozitës, opozita e partive të reja dhe opozita e fronit mbretëror do të bashkohen në një korr: “Rroftë opozita e vetme që do na arrestojë të gjithëve njësoj!”
10. Historia do të rishkruhet. Në librat e historisë do të ketë dy kapituj kryesorë: “1912 – Pavarësia” dhe “2025 – Pilinçizimi”. Të dyja do të kenë flamuj, por në timin flamuri amerikan do të jetë përkrah atij shqiptar, si simbol i miqësisë dhe sponsorizimit moral.

Në fund të testamentit, Pëllump Pilinçi, me dorë të palodhur, shtoi me shkrim dore:
“Shqipëria do të shpëtohet jo nga fjalët, jo nga idetë, por nga arrestimet. Arrestimet janë oksigjeni i kombit.”

Dhe kështu, mes flamujsh që valëviteshin, bodyguardësh që shikonin drejt horizontit, dhe turmash që nuk ishin të sigurta nëse duhet të qeshnin apo të luteshin, u mbyll një nga dokumentet më madhështore të historisë sonë të re – një dokument që, si çdo komedi e mirë, mund të luhet në çdo qytet të Shqipërisë, dhe të duket po aq e besueshme. Dhe regjisori, nga zyra e kryeministrisë, rri dhe shijon.

The post Shtetet e Bashkuara të Shqiperisë dhe Manifesti i Arrestimeve first appeared on JavaNews.al.

Kur hesht media publike, fiton injoranca

Nga Thoma Gëllçi

Vendimi i administratës Trump dhe Kongresit amerikan për t’i prerë 1.1 miliardë dollarë financim Korporatës për Transmetime Publike (CPB) nuk është thjesht një shifër në një buxhet shtetëror. Është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj një prej institucioneve më të besueshme të jetës publike amerikane, një goditje që nuk është parë në pothuajse gjashtë dekada. Ky akt nuk fshin vetëm një rresht nga buxheti federal, por fshin një kapitull të tërë të historisë së shërbimit publik në media.

Historikisht, media publike nuk është luks – është nevojë kombëtare. Që nga themelimi i CPB në vitin 1967, misioni ka qenë i qartë: të garantojë akses të barabartë në informacion, edukim dhe kulturë për çdo cep të vendit, pavarësisht nga fuqia ekonomike apo gjeografia. Në zonat urbane, NPR ( Radio Publike )dhe PBS ( Televizioni Publik )ofrojnë hapësira për debat civil dhe raportim të thelluar; në zonat rurale dhe të varfra, ato janë shpesh i vetmi kanal informacioni i besueshëm, sidomos për sinjalet e emergjencës dhe programet edukative për fëmijë.

Të mohosh këtë rol është të harrosh se edhe Shtetet e Bashkuara, si çdo vend tjetër demokratik, e ka ndërtuar shërbimin mediatik publik mbi modelin që funksionon prej dekadash në Evropë. BBC në Britani, ARD dhe ZDF në Gjermani, France Télévisions në Francë — të gjitha financohen publikisht sepse shërbejnë interesin e publikut, jo të tregut dhe jo të partive politike.

Nëse një vend si SHBA, me një traditë të gjatë të lirisë së shtypit, vendos të presë kokën e medias publike, atëherë çfarë mesazhi u jep vendeve të tjera që e shohin Amerikën si model?
Kjo prerje buxheti justifikohet nga kritikët me pretendimin se NPR dhe PBS janë “të njëanshme” dhe “shpenzim i panevojshëm për taksapaguesit”. Por faktet janë kokëforta: një sondazh i Harris Poll tregon se 66% e amerikanëve e mbështesin financimin federal për radion publike — mes tyre edhe 58% e vetë republikanëve. Dhe, pavarësisht nga narrativa politike, pjesa më e madhe e buxhetit të NPR nuk vjen drejtpërdrejt nga shteti; fondet federale mbështesin kryesisht stacionet lokale, veçanërisht ato që shërbejnë komunitetet e margjinalizuara.

Mbyllja e CPB nuk është thjesht mbyllja e një zyre. Është ndërprerja e një zinxhiri jetik që furnizon me informacion, arsim dhe kulturë miliona qytetarë. Është këputja e fijes që lidh një fëmijë në një komunitet të largët me programet edukative të PBS, apo një fermer në një zonë të izoluar me lajmet e sakta dhe paralajmërimet e emergjencës. Dhe historia na mëson se kur media publike shkurtohet ose kontrollohet, hapësira bosh mbushet shpejt nga dezinformimi dhe propaganda.

Në vitet ’30, ndërsa disa vende evropiane linin të rrënohej transmetimi publik për shkak të interesave politike, pasojat ishin katastrofike: monopolizimi i informacionit dhe rënia e debatit publik. Në të kundërt, atje ku shërbimi publik mediatik u mbrojt dhe u financua, qytetarët mbetën më të informuar, më të angazhuar dhe më rezistent ndaj manipulimit.

Përvoja ndërkombëtare tregon qartë se financimi dhe pavarësia e medias publike nuk janë dhurata, por investime në stabilitet demokratik. Në Britaninë e Madhe, BBC financohet përmes një licence të detyrueshme për çdo familje që zotëron televizor, duke siguruar një burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe një mbrojtje të fortë ndaj presionit politik. Në Gjermani, tarifat e transmetimit publik janë të garantuara me ligj dhe nuk mund të preken lehtësisht nga qeveria, duke e bërë ARD dhe ZDF ndër platformat më të besuara në Evropë. Në Skandinavi, media publike si NRK në Norvegji apo SVT në Suedi financohet përmes taksave të posaçme dhe ka një detyrim ligjor për të mbuluar edhe zonat më të izoluara me shërbim të cilësisë së lartë.

Rreziqet për median publike në vende gjysmë-autoritare janë të dukshme dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. RTSH, teorikisht e pavarur, përballet me sfida të vazhdueshme nga ndikimi politik, emërimet partiake dhe presioni mbi agjendën editoriale. Në vende të tjera të Europës Lindore, si Hungaria dhe Polonia, partitë në pushtet kanë përdorur kontrollin mbi median publike për të mbytur opozitën dhe për të manipuluar narrativën kombëtare.

Shpesh, këto ndërhyrje fillojnë me justifikime të ngjashme me ato të përdorura në SHBA: akuza për “anshmëri”, kërkesa për “reforma” ose “kursim buxheti”, që më pas shndërrohen në mekanizma kontrolli dhe censurë.
Në Shqipëri, rreziku është dyfish: jo vetëm mungesa e financimit të mjaftueshëm, por

The post Kur hesht media publike, fiton injoranca first appeared on JavaNews.al.

Nëse s’paguajmë ne, do të komandojnë ata

Nga Thoma Gëllçi

Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar zyrtarisht nga Kongresi të anulojë 1.1 miliardë dollarë të alokuara për NPR( Radioja publike) dhe PBS ( Televizioni publik ) – dy prej institucioneve kyçe të medias publike amerikane. Në emër të “efikasitetit qeveritar” dhe me bekimin e një task-force të udhëhequr nga Elon Musk, kjo kërkesë nuk fsheh as qëllimin: ndëshkimin e mediave që perceptohen si kritike, eliminimin e zërave të pavarur dhe përqendrimin e kontrollit të informacionit.

Kjo nuk është hera e parë që Trump tenton të prekë strukturat e medias publike. Nga përpjekja për të shkarkuar drejtues të koorparates se transmetimeve publike, deri te urdhrat ekzekutivë që ndalojnë financimin federal për NPR dhe PBS, linja është e qartë: ku nuk ka bindje, s’ka as para. Dhe kur shënjestër bëhet institucioni që transmeton dokumentarë, lajme lokale e edukim për fëmijë, pyetja nuk është më për të majtë apo të djathtë – por për vetë kuptimin e fjalës “publike”.

Shqetësimi nuk kufizohet në SHBA. Në Poloni, media publike është kthyer në zëdhënëse të partisë në pushtet. Në Hungari, lajmet publike janë kopje e deklaratave të kryeministrit. Në Francë, lëvizjet për konsolidimin e mediave publike kanë ngjallur frikë për ndërhyrje nga ekzekutivi. Edhe në Britani, BBC ka qenë në shënjestër të pushtetit për shkak të qëndrimeve “jokomode”. Në Turqi, autoriteti i transmetimit TRT është akuzuar për mbulim të njëanshëm dhe propagandë proqeveritare. Kudo ku përmendet reforma në media publike, pason një pyetje e heshtur: kush do ta kontrollojë përmbajtjen?

Në shumicën e rasteve, përgjigja është: ai që paguan faturën.

Për të kuptuar rëndësinë dhe funksionin e medias publike, duhet të kthehemi në thelbin e dallimit midis medias publike dhe asaj private. Media private ndjek logjikën e tregut: ajo prodhon përmbajtje për aq sa kjo përmbajtje gjeneron fitim. Kjo do të thotë sensacionalizëm, lajme të shpejta, shpesh të pakonfirmuara, përmbajtje që favorizon sponsorët dhe reklamat. Përkundrazi, media publike është konceptuar si shërbim qytetar: ajo synon të informojë, edukojë dhe përfaqësojë interesin e publikut në tërësi, duke mbuluar temat që media private shpesh i anashkalon.

Nëse lejojmë që tregu të kontrollojë tërë informimin, rrezikojmë të jetojmë në një realitet të krijuar sipas algoritmeve të klikimeve dhe jo sipas nevojave qytetare. Shembujt janë të shumtë: nga televizionet që zhdukin temat e ndjeshme sepse nuk sjellin audiencë, te portalet që manipulojnë titujt vetëm për të gjeneruar trafik.

Media publike është e vetmja që, nëse financohet si duhet, mund të sigurojë një kundërpeshë.

Kjo na çon te rasti i Shqipërisë, ku RTSH vuan jo vetëm nga mungesa e audiencës, por edhe nga mungesa e financimit të mjaftueshëm. Aktualisht, financimi vjen kryesisht nga një taksë e vogël që i bashkëngjitet faturës së energjisë elektrike – taksa e aparatit. Kjo taksë është nominale dhe nuk mjafton për të garantuar pavarësinë dhe funksionin e medias publike. Çdo tentativë për të rritur cilësinë e programeve bie në ujë kur mungojnë burimet.
RTSH, institucioni i vetëm i transmetimit publik, gjendet në një krizë identiteti, besimi dhe funksioni. Mungesa e financimit të mjaftueshëm e ka bërë atë të brishtë, të varur nga pushteti dhe e paaftë për të ushtruar rolin që i takon në një shoqëri demokratike. Edhe kur vullneti editorial ekziston, mungesa e burimeve e bën të pamundur prodhimin e programeve cilësore, konkurruese dhe edukative.

Ajo që duhet kuptuar me urgjencë është se nuk mund të kemi media publike të pavarur nëse ajo mbahet gjallë me lëmosha qeveritare. Ka një shprehje të vjetër popullore që e përmbledh më mirë se çdo tezë akademike këtë realitet: “Qeni leh atje ku ha.” Nëse media publike ushqehet nga duart e qeverisë, ajo do të lehtë për të, jo për publikun. Por nëse ajo ushqehet nga publiku, nga qytetarët, atëherë do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Zgjidhja është e qartë: rritja e ndjeshme e financimit nga publiku përmes një takse të dedikuar. Aktualisht, taksa e aparatit televiziv është e papërfillshme, e padenjë për një media që supozohet të mbulojë të gjithë vendin. Kjo taksë duhet të dyfishohet ose madje të trefishohet, në mënyrë që RTSH të ketë mjetet për të prodhuar përmbajtje cilësore, të pavarur, të thellë dhe edukative. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një media publike që i shërben me dinjitet publikut shqiptar.

Prej kohësh, RTSH është vazhdimisht nën presion nga perceptimi publik i përhapur se aty notohet në para dhe ajo vetëm shpërdorohet. Nën një thashethemnajë publike vihet çdo drejtues dhe strukturë që merret me blerjen apo financimin e projekteve të ndryshme teknike apo artistike. Por nëse qytetarët duan që RTSH të transmetojë Kombëtaren e futbollit, Lojërat Olimpike, duhet ta kuptojnë se të gjitha këto blihen me lekë. Nëse do të duan filmat e mirë, edhe ata blihen me lekë dhe nuk mund të vidhen siç ndodh rëndom në televizione private.

Qytetarët duhet të paguajnë për emisione për shkollën dhe librin, për njerëzit që nuk shikojnë e dëgjojnë, për ata me aftësi ndryshe etj. Dhe këto para duhet të sigurohen jo duke u lutur në komisione parlamentare apo në Ministrinë e Financave, as duke ia mbushur mendjen Kryeministrit që të ketë mirësinë të shtojë financimin, por duhet të dalin nga xhepat e qytetarëve direct dhe tek buxheti i RTSH sepse: pavarësia financiare që çon në pavarësinë editoriale. Nëse qytetarët shqiptarë duan të shikojnë lajme pa ministra që presin shirita inaugurimesh apo që inspektojnë punimet, ata duhet të paguajnë.

Në Zvicër, taksa për transmetimin publik është më e larta në Evropë, por qytetarët votuan në referendum kundër heqjes së saj. Në Finlandë, YLE financohet me taksë të drejtpërdrejtë, jo për çdo familje, por për çdo qytetar, e garantuar nga ligji. Në Danimarkë, DR prodhon programe për komunitete të margjinalizuara falë një sistemi taksimi që e mbron nga politika. Që të gjitha këto shtete e trajtojnë median publike si infrastrukturë kombëtare, jo si “kanal alternativ”.

Sistemi ligjor shqiptar për transmetimet publike është i përcaktuar nga ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili i njeh RTSH-së statusin e transmetuesit publik dhe i parashtron detyrimet për informim, edukim dhe promovim të kulturës shqiptare. Ligji gjithashtu kërkon që RTSH të ketë pavarësi editoriale dhe institucionale, por nuk garanton burime të mjaftueshme për të përmbushur këtë mandat nëse nuk mbështetet nga një skemë financimi të qëndrueshme dhe transparente.

Të mendosh se Shqipëria mund të ketë media publike të fortë pa financim serioz nga publiku, është iluzion. Ose do ta ushqejmë ne, ose do ta blejnë të tjerët. Dhe ata që blejnë, nuk blejnë për të informuar, por për të kontrolluar.

Në fund, çështja nuk është thjesht financiare. Është thellësisht politike dhe kulturore. A duam një zë të paanshëm në peizazhin mediatik, apo na mjafton zërimi i zërave të pushtetit? A duam të kemi qasje në informacion të pavarur, apo të mbetemi konsumatorë të propagandës?

Për aq kohë sa nuk japim ndihmesë financiare për median publike, nuk kemi as të drejtë morale të ankohëmi kur ajo nuk është as cilësore, as kritike, as e dobishme. Një shoqëri që nuk e mbron informacionin e saj, nuk mund të mbrojë as demokracinë.Qytetaret e paguajne edhe buxhetin e qeverise. Edhe ajo eshte pasuri publike, por financimi direkt nuk e lejon qeveritarin e cdo ngjyre te beje presion me parane per permbajtjen

Ne SHBA sot të dy rrjetet po kerkojnë mënyra të reja për diversifikimin e burimeve të financimit dhe forcimin e lidhjes me komunitetet lokale. Kjo përfshin intensifikimin e fushatave të mbështetjes direkte nga dëgjuesit dhe shikuesit, zgjerimin e marrëveshjeve me fondacione filantropike, dhe zhvillimin e platformave dixhitale që krijojnë modele alternative të qëndrueshme për të ardhura. Shumë stacione lokale kanë nisur fushata të pavarura për donacione, duke theksuar se çdo kontribut qytetar nuk është thjesht ndihmë financiare, por votë për gazetarinë e pavarur. PBS dhe NPR janë gjithashtu në proces të rishikimit të strategjive për partneritete me universitete, biblioteka dhe institucione të tjera edukative, për të krijuar rrjete të shpërndarjes dhe bashkëprodhimit që e rrisin qëndrueshmërinë e përmbajtjes publike.

The post Nëse s’paguajmë ne, do të komandojnë ata first appeared on JavaNews.al.

Zhvillimi shkencor dhe sfidat e reja të imigracionit studentor në SHBA

Në një shkrim para disa ditësh në Neë York Times bëhet fjalë për Qian Xuesen, një inxhinier raketash kinezo-amerikan, që në vitet 1950 po luante një rol kyç në zhvillimin e motorëve reaktivë dhe raketave balistike. Ai bashkëpunoi edhe në projektin Manhattan, si dhe udhëhoqi “Jet Propulsion Laboratory” (paraardhësi i NASA-s). Megjithatë, në kulmin e karrierës ai u arrestua dhe iu revokua leja e qëndrimit nën dyshimet për “spiunazh” gjatë histerisë së McCarthy-t, pavarësisht mungesës së provave. Pas pesë vjetësh nën arrest shtëpiak, Qian u shkëmbye në vitin 1955 me disa robër amerikanë dhe u kthye në Kinë. Atje, ai themeloi programin e armëve moderne dhe drejtoi ndërtimin e raketave kineze, duke çuar në testimin e parë të tyre më 1960 dhe, deri në vitin 1980, në aftësinë për t’i goditur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Ky veprim shpërfaqi një gabim strategjik amerikan: humbja e një talenti që mund ta kishte avancuar SHBA-në edhe më tepër në garën hapësinore.

Autori i këtij artikulli lidh këtë histori me vendimet e fundit të qeverisë amerikane për të “revokuar në mënyrë agresive” viza studentësh kinezë, duke paralajmëruar se një qasje ksenofobe dhe përjashtuese mund të dëmtojë avantazhin strategjik që SHBA fiton nga pritja dhe arsimimi i mendjeve të shkëlqyera të huaja. SHBA, dikur simbol i hapjes akademike ndaj të rinjve nga e gjithë bota, po përballet me një kthesë të fortë në politikën e saj të imigracionit studentor. Së fundmi, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se “nën drejtimin e Presidentit Trump” Departamenti i Shtetit do të bashkëpunojë ngushtë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të rishikuar dhe, në disa raste, revokuar vizat e studentëve ndërkombëtarë. Krijimi i kriterëve më të rreptë dhe rritja e kontrolleve, duke përfshirë shqyrtimin e profileve në rrjetet sociale para intervistave, synojnë të përforcojnë mbikëqyrjen ndaj çdo kërkuesi, pa dallim shtetësie.

Ndër rreth 1 milionë studentëve ndërkombëtarë që studiojnë në universitete amerikane, studentët nga Kina përbëjnë thuajse një të katërtën e tyre (rreth 277,000 në vitin akademik 2023–2024), por së bashku me grupet më të vogla nga India, Koreja e Jugut, Arabia Saudite dhe Brazili, ata kanë kontribuar mbi 45 miliardë dollarë në buxhetet e institucioneve arsimore gjatë të njëjtës periudhë. Prej vitit 2019 e këtej, numri i studentëve kinezë ka rënë me rreth 25%, por duke llogaritur të gjithë studentët ndërkombëtarë, shifra totale mbetet pranë niveleve historike, falë rritjes së aplikimeve nga vendet e tjera dhe programeve bursash të përshtatura për talente globale. Prania e studentëve të huaj në kampuset amerikane ka rrënjë që nga pas Luftës së Dytë Botërore, me themelimin e programit Fulbright në vitin 1946. Gjatë dekadave të mëvonshme, liberalizimet ekonomike dhe politikat e vizave të lehta inkurajuan flukse të vazhdueshme nga Europa Lindore, Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine. Ndërsa tensionet tregtare dhe sfidat e pandemisë ngadalësuan së fundi disa prej këtyre flukseve, universitetet amerikane vazhdojnë të jenë destinacioni kryesor për studentët që kërkojnë arsim cilësor, hulumtim të avancuar dhe mundësi profesionale.

Edhe sot, pas rënies së numrit të studentëve kinezë me rreth 25% që nga 2019, universitetet amerikane përfitojnë nga prania e shkencëtarëve dhe sipërmarrësve të ardhur nga jashtë, të cilët vazhdojnë të formojnë epokën e re të teknologjisë: Elon Musk, i lindur në Afrikën e Jugut dhe i shkolluar në SHBA, që themeloi SpaceX dhe Tesla Motors; Sergey Brin, një rus i lindur në Moskë dhe i shkolluar në Amerikë, që solli kërkimin inteligjent të Google në çdo cep të globit; Satya Nadella, CEO i Microsoftit me origjinë indiane, që rifreskoi strategjitë drejt cloud computing dhe inteligjencës artificiale; Ajay Banga, ish-CEO i Mastercard dhe tani President i Bankës Botërore, që avancoi pagesat dixhitale dhe përfshirjen financiare globale; Dina Katabi, e lindur në Siri dhe profesoreshë në MIT, e cila zhvilloi teknologji për monitorim shëndetësor në distancë. Këta shtetas-emigrantë janë dëshmi se fuqia punëtore me perspektiva të ndryshme kulturore dhe filozofike është pikërisht diversiteti intelektual që nxit inovacionin. Nëse bëhet një kërkim i thjeshtë në internet, do të shohësh se në SHBA një pjesë shumë e madhe e drejtuesve ekzekutivë (CEO) të kompanive Fortune 500 janë emigrantë.

Në mesin e tyre janë emra si Jensen Huang i NVIDIA-s, i lindur në Tajvan; Sundar Pichai i Alphabet/Google nga India; Arvind Krishna i IBM, gjithashtu indian; Shantanu Narayen i Adobe nga India; Lisa Su e AMD-së nga Tajvani; Hock Tan i Broadcom nga Malajzia; Eric Yuan i Zoom-it nga Kina; Tony Xu i DoorDash-it me origjinë kineze; Jayshree V. Ullal e Arista Netëorks, e lindur në Mbretërinë e Bashkuar e rritur në Indi; Revathi Advaithi, CEO e Flex, nga India; Jane Fraser e Citigroup, me rrënjë skoceze dhe qytetare amerikane; dhe, dukshëm, Mira Murati, shqiptare që u bë CTO e OpenAI dhe tani ka themeluar sërish një kompani në fushën e inteligjencës artificiale, “Machine Thinking Lab”. Këta njerëz të ditur, por edhe shumë të tjerë, përfaqësojnë sot ndikimin thelbësor që kanë emigrantët në ekonominë dhe teknologjinë amerikane.
Pavarësisht se, nga pikëpamja ligjore, legjislacioni i imigracionit ja delegon Kongresit fuqinë për të vendosur kriteret e vizave, administratat shpesh përdorin urdhra ekzekutivë për ndryshime në SEVIS (Student and Exchange Visitor Information System). Ka pasur shumë raste kur studentët sfidojnë vendimet administrative për revokim në gjykatat amerikane, duke argumentuar shkelje procedurale apo nevojën për transparencë.

Nga ana socio-ekonomike, ndikimet janë të thella në të gjithë zinxhirin arsimor: me vështirë do ta kenë kolegjet e vogla private në Vermont e Maine, të cilat mbijetojnë nga tarifat e studentëve të huaj, dhe që tani rrezikojnë të mbyllen apo të thithen nga universitete më të mëdha. Por probleme hasin edhe universitetet kërkimore, të cilat mbështeten shumë në doktorantët ndërkombëtarë për projektet në fusha strategjike si aeronautika, inxhinieria e gjysmëpërçuesve dhe inteligjenca artificiale. Mungesa e diversitetit kulturor dhe intelektual vë në rrezik edhe cilësinë e dialogut akademik, pasi perspektivat e ndryshme të sjella nga studentë nga Afrika e Jugut, Brazili, Turqia apo Bangladeshi sfidojnë dhe pasurojnë debatet në auditore.

Në planin global, SHBA-ja po humb terren si qendër e lirive akademike, teksa vendet pritëse të tjera — si Kanadaja, Australia dhe Gjermania — ofrojnë programe tërheqëse me lehtësira më të mëdha vizash dhe mundësi pune pas diplomimit. Në Kanada psh,  studentët e huaj përfitojnë leje qëndrimi deri në tre vjet pas diplomimit, Australia ofron deri në katër vjet, dhe Gjermania kombinon arsimin pa tarifa me programe punë-arsim. Këto vendime kanë tërhequr mijëra studentë që më parë do të kishin zgjedhur SHBA-në, duke ulur gradualisht pjesëmarrjen e tyre në kampuset amerikane. Për më tepër, kanë pasur edhe reagime “reciproke” nga Kina, India dhe Bashkimi Evropian. Kina, p.sh., ka rritur kontrollet mbi studentët amerikanë në universitetet e saj; India ka krijuar programe subvencionimi; dhe Gjermania po shqyrton “green card” akademike.
Në pamje të parë duket sikur universitetet amerikane përgatisin studentë për Kinën dhe vendet e tjera, kur në fakt deri tani ka qenë e kundërta. SHBA-ja ka qenë atraktive për talentet shkencore nga vendet e ndryshme dhe i ka tërhequr këtu përmes një sistemi të përparuar shkollor, duke i përgatitur më së shumti për veten e saj.

Sipas të dhënave nga një studim kombëtar, rreth 41% e të diplomuarve ndërkombëtarë në universitetet amerikane mes viteve 2012–2020 jetonin ende në SHBA në vitin 2021. Tek ata që kishin fituar doktoratë në fushat e shkencës dhe inxhinierisë, shkalla e qëndrimit ishte edhe më e lartë, me rreth 83% që vazhduan të jetonin në SHBA pesë vjet pas përfundimit të studimeve. Madje, një analizë tjetër ka treguar se afërsisht 90% e të diplomuarve kinezë në programet kembimit te studenteve ,ndërmjet viteve 2000 dhe 2015, kishin zgjedhur të bënin karrierë në SHBA. Gjatë vitit akademik 2021–2022, mbi 51,000 studentë kinezë morën autorizime për të punuar ne SHBA pas diplomimit, duke i renditur ata të dytët pas Indisë për sa i përket numrit të autorizimeve të reja. Megjithatë, mungesa e vizave H-1B dhe kufizimet në kartat e qëndrimit afatgjatë pengojnë shumë prej tyre të sigurojnë qëndrim perhershem, veçanërisht ata që kanë përfunduar vetëm studimet bachelor. Në fakt, vetëm rreth 17% e të diplomuarve me bachelor mbetën në SHBA, krahasuar me 50% të atyre me master dhe 75% të doktorantëve.

Këto shifra tregojnë se politikat më të ashpra të revokimit të vizave, si ato të propozuara së fundmi, mund të nxisin largimin e talenteve të shkëlqyera dhe të dekurajojnë studentët  qe jane shkencetaret e ardhshëm. Duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e shkencëtarëve dhe inxhinierëve huaj planifikonin të qëndronin në SHBA për të ndërtuar karrierën e tyre, një atmosferë pasigurie mund të ulë ndjeshëm kontributin e tyre në kërkim dhe zhvillimin amerikan. Efektet afatgjata të politikave të ashpërsimit të vizave për universitetet amerikane mund të jenë të thella. Humbja e diversitetit kulturor do të dobësojë shkëmbimin e ideve brenda auditoreve, ndërsa ulja e të ardhurave nga tarifat e plota mund të kërcënojë financat e kolegjeve dhe universiteteve si  dhe projekteve kërkimore në fusha strategjike. Pa talentin e huaj, universitetet e SHBA-së rrezikojnë të humbasin epërsinë në inovacion dhe pozicionin e tyre si lidere botërore në arsim.

The post Zhvillimi shkencor dhe sfidat e reja të imigracionit studentor në SHBA first appeared on JavaNews.al.

Një pasqyrë e moralit të rrënuar dhe e dilemave të intelektualit shqiptar

Nga Thoma Gëllçi

Në romanin “Rënia” , Shefqet Meko ndërton një tekst të guximshëm e shumëplanësh, ku fantazia krijuese ndërthuret me reflektimin publicistik dhe analizën sociale, duke krijuar një strukturë që tejkalon format tradicionale të rrëfimit. Kjo vepër nuk përpiqet të tregojë vetëm historinë e një njeriu, por synon të ndriçojë një epokë në krizë – tranzicionin shqiptar – nëpërmjet një vezhgimi të thellë mbi zhgënjimin, rënien dhe dilemën morale të intelektualit që përballet me rrënimin e një sistemi dhe të vetë ndërgjegjes.

Në qendër të veprës është Maks Prifti, një figurë komplekse që mishëron konfliktin mes idealizmit të trashëguar dhe cinizmit që mbizotëron në realitetin përreth. Ai përfaqëson një brez të formuar në frymën e devotshmërisë komuniste, por që rritet për të kuptuar se ai sistem e ka humbur thelbin moral. Rruga e tij jetësore – nga një shkollë që përgatit kuadro për sektorin bujqësor drejt gazetarisë – është një udhëtim i brendshëm nga bindja drejt dyshimit, nga besimi drejt revoltës. Ky transformim ndodh përmes një përplasjeje të përhershme midis mendimit të lirë dhe kufizimeve ideologjike, e shoqëruar me një ndjeshmëri të thellë etike që i jep romanit tonin e tij tragjik.

Që në skenat e para të romanit ndjehet një tension etik që buron nga kontrasti mes realitetit të përjetuar dhe atij të paraqitur si normë ideologjike. Maks Prifti, në përpjekjen për t’i dhënë zë jetës studentore përmes gazetës së universitetit B, zbulon se zëri i rinisë nuk është veçse një jehonë e kontrolluar nga një aparat i sofistikuar propagande. Ky moment zbulesë përfaqëson një pikë kthese estetike në tekst: përmes një gjuhe të ngarkuar me heshtje, me ndalesa dhe me thirrje të nënkuptuara, Shefqet Meko na bën të ndiejmë sesi fjala shndërrohet në mjet kontrolli dhe sesi liria, në vend që të frymëzojë, mbytet në rregulla të pashkruara.
Fillimi i romanit ku Maksi pret jashtë zyrës së Komitetit të Partisë te Rajonit, ku po diskutohej pranimi i tij ne parti, është një nga skenat e para të mbushura me simbolikë. Peizazhi vjeshtor që shfaqet përtej xhamit shndërrohet në metaforë të shpërbërjes së brendshme: era që përplaset në heshtjen e betonit institucional përfaqëson zërin e brendshëm të individit që kërkon të depërtojë përmes një strukture të palëvizshme. Kjo skenë, e ndërtuar me një ngadaltësi kinematografike, është një stacion pezullimi, një çast përmedimi, ku njeriu e ndien trupin si peng të një kohe që nuk i përket më.

Romanit i vlon një dramë e përmbajtur, që rrjedh jo nga veprimet e forta, por nga përplasjet e mendimit. Maksi nuk kërkon ta rrëzojë sistemin me revolucione të mëdha, por e vuan atë në mënyrë të heshtur, përmes dyshimeve, përmes refuzimit të heshtur dhe pyetjeve që s’kanë përgjigje. Pyetja nëse ia vlen të mbetesh i ndershëm në një botë që e përçmon ndershmërinë është boshti etik rreth të cilit rrotullohet gjithë struktura narrative. Por ajo që e bën këtë bosht kaq të fuqishëm është pikërisht mënyra si Shefqet Meko e zhvillon përmes detajeve të vogla: një fjalë e papërkthyeshme, një shikim që zgjat më shumë se duhet, një heshtje që zë vendin e një dialogu të shmangur. Në planin estetik, Meko përdor një gjuhë që është njëkohësisht e drejtpërdrejtë dhe e përmbajtur, e mbushur me metafora të pashkruara që burojnë nga konteksti, jo nga zbukurimi. Ai nuk e rëndon tekstin me retorikë, por lejon që vetë rrëfimi të marrë funksion poetik. Strukturat narrative janë të fragmentuara, të përbëra nga kthime retrospektive, ndërrime këndvështrimesh, dhe shpesh ndërprerje që e bëjnë leximin më shumë një proces reflektimi se sa ndjekje të një linje veprimi. Kjo strukturë mozaike është në vetvete pasqyrë e një vetëdijeje të thyer, që kërkon të rindërtojë kuptimin përmes copëzave.

Personazhet anësore në roman funksionojnë si figura alegorike të një sistemi të konsoliduar në mediokritet. Ato nuk janë ndërtuar për të krijuar empati emocionale, por për të ofruar një panoramë të shoqërisë shqiptare në shpërbërje: burokratë të zellshëm që veprojnë mekanikisht, figura që përfaqësojnë më shumë role sesa personalitete, të rinj të lodhur nga pritjet pa horizont. Kjo zgjedhje artistike – për të skicuar tipologji në vend të karaktereve të rrumbullakëta – është në funksion të misionit kritik të romanit: të denoncojë, jo të argëtojë.

Në këtë rrëfim të një rënieje morale, dashuria e ndaluar merr përmasa simbolike përmes figurës së Emes, vajzës që Maksin e dashuron, por që i ktheu unazën për shkak të një vendimi politik të prindërve. Ajo nuk është vetëm një personazh femëror, por një kujtesë e një kohe që nuk u realizua kurrë. Kur më vonë vendosin të largohen bashkë nga Shqipëria dhe Maksi hedh unazat në det, ky gjest nuk është një shenjë çlirimi romantik, por një akt i dhimbshëm rebelimi ndaj formave të rreme të lidhjes. Fundi i saj tragjik në det e ngre Emën në një figurë mitike: Shqipëria që nuk arriti të shpëtojë nga vetja.

Figura e biçikletës, shoqja e vetme dhe e pandryshueshme e Maksit, merr përmasat e një simboli të jetës së ndershme dhe të qëndrueshme. Në një realitet ku gjithçka tjetër është e rreme – shokët e Partisë me vetura, sekretaret dhe kollaret e zhveshura nga etika – biçikleta është e vetmja që nuk e tradhton. Kjo metaforë mbështjell romanin me një melankoli të butë, ku edhe mjetet më të thjeshta marrin vlerë të jashtëzakonshme në një botë që ka braktisur çdo busull morale.

Romani “Rënia” i Shefqet Mekos është i mbushur me detaje dhe fragmente tronditëse. Një prej tyre është kur protesta studentore merr përmasa simbolike, estetike dhe ekzistenciale. Ngjarja – një akt proteste radikal dhe i paprecedentë nga një studente – vendoset në kufijtë e performancës dhe martirizimit, duke kthyer trupin femëror në mjet akuze politike. Në planin estetik, ky fragment ngjan me një skenë teatrale me ngarkesë të lartë simbolike, që ndërthur bukurinë, dhimbjen dhe revoltën në një mënyrë të rrallë në letërsinë shqipe. Landa Budina zhvishet përballë turmës jo për provokim, por për të përfaqësuar zhveshjen e një kombi, një shoqërie që është lënë “lakuriq” nga një qeveri e vdekur në shpirt, e “plakur” dhe e paaftë. Trupi i saj bëhet metaforë: akti i zhveshjes është një formë për të shpërfaqur të vërtetën e zhveshur të një regjimi që ka dështuar.

Përshkrimi i Landës si një figurë klasike përballë Da Vinçit, Mikelanxhelos apo Van Gogut i jep skenës një dimension artistik universal. Ajo nuk është thjesht një vajzë që proteston; ajo është një ikonë e bukurisë që sfidon politikën përmes estetikës. Është si të thuash: nëse politika është shëmtuar, e vetmja gjë që mund të përballojë shëmtinë e saj është bukuria e kulluar dhe pa fjalë. Ngarkesa emocionale e skenës rritet nga mungesa e mediave – “asnjë kamerë, asnjë mikrofon, asnjë fotograf” – një ironi e thellë që nënvizon indiferencën e shoqërisë dhe harresën e revoltave të vërteta. Ky është një detaj mjeshtëror nga Meko: çasti më i fortë i një proteste kalon pa u dokumentuar, pa u regjistruar, si për të treguar se historia e vërtetë është ajo që nuk bëhet lajme, por që lë gjurmë në ndërgjegje.

Veprimi i Landës është gjithashtu një akt i pashembullt vetëflijimi estetik: “ishte një dorëzim fizik dhe shpirtëror”, një moment që nuk mund të përsëritet, dhe që mbetet i ngulitur në ndërgjegjen e turmës si një ndjesi tronditjeje kolektive. Fakti që askush nuk arrin të thotë një fjalë e dëshmon fuqinë e skenës – ajo tejkalon diskursin racional dhe depërton në nivelet më të thella të reagimit emocional dhe moral.

Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet se ky fragment nuk duhet lexuar thjesht si një akt simbolik i një individi, por si një diagnozë e një shoqërie të lodhur, të pambrojtur, që ka humbur fjalën dhe shpresën. Zhveshja e Landës është zhveshja e një ideali; është përpjekja e fundit për të tronditur një trup të mpirë shoqëror. Ajo zhvishet sepse fjalët nuk mjaftojnë më – sepse çdo deklaratë është bërë e zbrazët dhe çdo slogan është përdorur nga vetë sistemi që ajo përpiqet të rrëzojë.

Skena mban një ngarkesë dramatike që i afrohet një katharsisi antik, ku bukuria, sakrifica dhe dhimbja ndërthuren në një akt të vetëm. Në këtë mënyrë, fragmenti shërben si një portë e artë për të kuptuar protestën jo thjesht si një reagim spontan, por si një akt artistik, një performancë e thellë simbolike dhe ekzistenciale që kërkon të çajë heshtjen e një bote të rrënuar.

Maks Prifti, si vëzhgues i heshtur i kësaj skene, përfaqëson ndërgjegjen që regjistron, por nuk ndërhyn dot. Ai kupton se kanë mbetur të vetëm – pa vëmendje, pa mbështetje, pa kujtesë. Kjo e bën aktin e Landës edhe më tragjik: është bukuria e fundit përpara rrënimit të plotë.

Ky fragment është një nga momentet më të fuqishme të romanit “Rënia”, ku letërsia ngjitet në lartësinë e performancës, politika bie në nivelin e skandalozitetit të heshtur dhe trupi femëror shndërrohet në flamurin e fundit të protestës. Një skenë që nuk të le pa dridhje, dhe që mbetet si një skulpturë e paharruar në ndërgjegjen e lexuesit.

Maks Prifti nuk arrin të shpëtojë, por as nuk nënshtrohet. Ai ecën më tej, në rrugët e një Tirane të ftohtë dhjetori, me vetëdijen e humbjes dhe nevojës për të kujtuar. Kjo është pika ku romani kalon nga rrëfim në kujtesë kolektive, nga fabul në dëshmi. Figura të tilla si shokët e Partisë, sekretari i rinisë i arratisur në Greqi dhe i vrarë nga Sigurimi i Shtetit, Sekretari i Komitetit Qendror të Rinisë që braktis anijen që po mbytet si ai kapiteni që largohet i pari nga anija që po mbytet, shkrimtari i arratisur, operativi i Sigurimit që shndërrohet në rojen e udhëheqjes së re, i persekutuari qe kthehet nga burgjet e diktatures, dhe pardesyte e bardha qe shkojne ne te njejtat vila, apo vetë qyteti me atmosferën e tij të lagësht, janë më shumë se personazhe: janë imazhe të një epoke që po largohet, por që ende nuk është përballuar plotësisht nga ndërgjegjja kombëtare.

“Rënia” nuk është një roman për ta mbyllur dhe harruar. Ai është një thirrje për të kujtuar, për të reflektuar, për të mos pranuar harresën si zgjidhje. Nuk ofron zgjidhje, por ngre pyetje. Nuk e pajton lexuesin me realitetin, por e shqetëson. Është një vepër që i përket atij tipi letërsie që nuk prodhohet shpesh, por që kur lind, mbetet si dëshmi e thellë artistike e një kohe të vështirë dhe e shpirtit që refuzon të heshtë.

Epilogu i romanit Rënia të Shefqet Mekos është një pasazh tronditës dhe shumëdimensional, që mbyll veprën jo me një përfundim të qetë, por me një shpërthim grotesk, një kolazh absurd të rrënimit personal, simbolik dhe historik të protagonistit. Në këtë sekuencë, Maks Prifti, tashmë i zhvendosur fizikisht nga Shqipëria, por jo shpirtërisht i çliruar prej saj, endet si një hije e vetes nëpër Romën madhështore, duke mishëruar çmendurinë e një epoke dhe të një brezi të dështuar në përpjekjen për të mbetur i ndershëm.

Artistikisht, ky epilog është një monolog dramatik i shtrirë në një skenë të hapur: Roma si qytet arketipal i Perëndimit përballë një shpirti lindor që ka kaluar përmes ferrit ideologjik. Maks Prifti, i veshur si kauboj dhe me libra të Shekspirit në dorë, është një figurë donkishoteske – i ndriçuar nga idealizmi i dikurshëm, i vrarë nga përplasja me realitetin, dhe tani, i kthyer në një vizionar të çartur që shpreson të dëgjohet nga Papa ose nga fantazma të së kaluarës.

Fuqia e kësaj skene qëndron te mënyra sesi grotesku ndërthuret me tragjiken. Protagonisti nuk është një i çmendur vulgar, por një Hamlet që ka humbur skenën dhe është ngujuar në një monolog të pafund me veten. Ai nuk flet me të tjerët sepse askush nuk e dëgjon – por kjo nuk e ndal të vazhdojë. Kjo ngulmimësi e bën figurën e tij më tragjike se komike. Ai shpall se është Dante Aligeri, që vjen të rrëfejë ferrin. Dhe në të vërtetë, është pikërisht kjo: Maks Prifti është rrëfimtari i një ferri që nuk i përket vetëm Shqipërisë së vjetër, por edhe Perëndimit që nuk e pret dot.
Kombinimet absurde që shpall – Viktor Hygo dhe Viktor Emanueli shqiptarë, Balzaku grek, vepra që do të fitojë Nobelin – janë jo vetëm shenja të një shpirti të rrënuar, por edhe një mënyrë për të sfiduar realitetin e shurdhët. Ai nuk ka më një vend të caktuar në botë, prandaj prodhon një univers të vetin ku kufijtë e nacionalitetit, historisë dhe letërsisë zhbëhen. Kjo është një alegori e asgjësimit të kuptimeve të vjetra, një mënyrë për të rikrijuar një identitet nëpërmjet absurdit.

Maks Prifti shfaqet si një mbartës i amaneteve të humbura. Pikturat e Kadri Kukusë që ai i ekspozon në rrugët e Romës janë jo vetëm relike të një arti të refuzuar, por edhe dëshmi e një trashëgimie që askush nuk e do më. Britma e tij “Ky është Van Gogu shqiptar. Unë jam Xhek London…” është një lloj lutjeje, një thirrje për të dhënë dëshmi se diçka kishte vlerë. Por, ajo tingëllon në boshllëk. Askush nuk përgjigjet. Dhe përsëritja ritualistike e këtij refreni i jep epilogut një ton liturgjik të çuditshëm, ku komedia e marrosjes së një njeriu ngrihet në nivelin e një tragjedie kolektive.

Shfaqja e Rozës, bijës së piktorit, si një fantazmë që pritet por nuk vjen, është një tjetër metaforë e rrëfimit të dështuar. Në mënyrë të nënkuptuar, ajo përfaqëson Perëndimin që nuk e njeh dhimbjen e Lindjes. Maks Prifti vazhdon të besojë se dikush do të kujtohet, do të kujdeset për ato që ka mbartur mbi shpinë. Por fundi është i heshtur dhe i mjerë: ai mbetet vetëm me pikturat, me amanetet dhe me britmat që vetëm ai i dëgjon.
Në këtë epilog, gjuha letrare e Mekos merr një ngarkesë të jashtëzakonshme figurative. Kemi një shkrirje të rrëfimit realist me elementët e absurdit, groteskut dhe tragjikomedisë. Referencat ndaj Dantes, Xhek Londonit, Shekspirit, Balzakut dhe çmimeve Nobel krijojnë një tension mes madhështisë së dëshiruar dhe përuljes së përjetuar. Në thelb, kemi të bëjmë me një figurë të martirizuar nga idealizmi, një njeri që e ka dashur vendin e tij, por nuk e ka njohur kurrë më pas.

Shprehja “Tani që u marrosa, kuptova kotësinë e jetës me ideale komuniste” është një kulm estetik i tragjedisë së heshtur të këtij personazhi. Ajo shënon jo vetëm një braktisje të një sistemi, por edhe një pohim të vonuar se dashuria për një ide mund të çojë në asgjësim të vetes. Në këtë kuptim, Maks Prifti nuk është vetëm viktimë e një ideologjie, por edhe e një ndershmërie të tejskajshme që nuk gjeti vend në asnjë realitet.

Kështu, epilogu i romanit Rënia nuk është thjesht një përmbyllje. Ai është një lloj apokalipsi personal – një fund i botës së protagonistit – që jepet me gjithë ngarkesën e një rituali të dëshpëruar, në një skenë që përzien të shkuarën dhe të tashmen, realitetin dhe çmendurinë, komedinë dhe tragjedinë. Një finale që nuk jep zgjidhje, por lë gjurmë. Dhe këto gjurmë janë të thella, të dhembshme dhe tronditëse.

Kjo eshte renia!

The post Një pasqyrë e moralit të rrënuar dhe e dilemave të intelektualit shqiptar first appeared on JavaNews.al.

Bëhu drejtoreshë, por të lutem mos e zbato platformën tënde!

Nga Thoma Gëllçi

Ky është urimi më i sinqertë që mund t’i bëja sot gazetares Vasili, meqë ka edhe numrin më të lartë të votave në fund të raundit të parë për zgjedhjen e drejtoreshës së përgjithshme të RTSH-së.
Kjo epërsi dhe distanca ndaj të tjerëve e kthen vëmendjen te një dokument që zakonisht merr pak vëmendje: platforma. Jo emri, jo zërat për ndërhyrje politike, por ajo që vetë kandidatja thotë se do të bëjë me RTSH-në. Dhe aty fillon shqetësimi.

Në krye të dokumentit të saj, Vasili artikulon idenë se “forma aktuale juridike e RTSH nuk është e qartë” dhe propozon që institucionin ta kthejë në një shoqëri aksionare me 100% kapital shtetëror. Këtu fillon përplasja e parë me realitetin – dhe me ligjin.
Për të ilustruar këtë ndryshim, ajo sjell shembullin e BBC-së, si një model suksesi dhe flet për kuptimin e fjalës “corporation” si një shoqëri tregtare. Por ky është një keqkuptim thelbësor. BBC nuk është një shoqëri aksionare. Është një “public corporation” e krijuar me një kartë mbretërore (Royal Charter), dhe funksionon si një ent publik autonom, i ndarë nga tregu, i pavarur nga buxheti i përvitshëm i qeverisë dhe i financuar nga një taksë e dedikuar për qytetarët – “TV licence fee”. Ky model nuk ka asgjë të përbashkët me një ndërmarrje tregtare, dhe aq më pak me një strukturë që do të mbështetej në buxhetin e shtetit.

Ligji shqiptar për Mediat Audiovizive, në nenin 90 të tij, sanksionon: “Radio e Televizioni Shqiptar (RTSH) është person juridik publik, jo me qëllim fitimi, me seli në Tiranë, që kryen shërbimet e transmetimit publik në fushën e shërbimeve audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Pra, edhe RTSH, njësoj si BBC, është një korporatë publike e krijuar me ligj të Parlamentit që funksionon si një ent publik autonom, i ndarë nga tregu, pa qëllim fitimi.
Kthimi i RTSH-së në shoqëri aksionare nuk i jep asaj asnjë avantazh në lidhje me veprimtarinë tregtare, blerjet dhe shitjet, tenderat dhe marrëveshjet me ndërmarrje të tjera – siç thotë në platformën e vet Eni – por përkundrazi, e ngushton veprimtarinë e saj dhe e vë nën kontrollin e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave apo Ekonomisë. Nëse RTSH do të kthehej në ndërmarrje aksionare, do të duhej të drejtohej edhe nga Bordi i Aksionarëve, që në këtë rast do të ishte qeveria e Shqipërisë.

Në platformën e vet, zonja Vasili i jep rëndësi financimit nga buxheti i shtetit, rritjes së tij, dhe duket një nënvlerësim për financimin direkt nga taksa e aparatit që paguajnë qytetarët.
Ideja për ta zhvendosur RTSH-në “nën sqetullën e buxhetit të shtetit” është një kthim prapa me dekada. Në vend që të garantohet një model i qëndrueshëm dhe i pavarur financimi, siç ndodh në shumicën e mediave publike evropiane (ZDF, ARD, RAI, France Télévisions), Vasili propozon që të mbështetemi te vullneti politik i një ministri financash që nesër mund të mos ketë buxhet për një dokumentar kritik apo një hetim mbi korrupsionin.

Në Gjermani, për shembull, mediat publike financohen nga një tarifë fikse mujore që qytetarët e paguajnë si pjesë e detyrimeve ndaj informacionit publik. E njëjta gjë ndodh në Francë dhe Itali. Qëllimi është i qartë: kush e financon median, ka dorë mbi përmbajtjen. Prandaj këto vende i largojnë mediat publike nga buxhetet politike – për t’i mbrojtur nga politika.

Në platformë përmendet gjithashtu ideja që RTSH ka disa frekuenca dhe se ato mund të përdoren për të nxjerrë të ardhura duke u dhënë të tjerëve. Por kjo është një tjetër mungesë njohjeje ligjore dhe teknike. RTSH, sipas ligjit në fuqi, zotëron vetëm dy frekuenca: një për transmetimet e veta dhe një tjetër për të ndihmuar transmetimin e televizioneve lokale. Ku e gjeti idenë që RTSH ka disa frekuenca dhe që i ka shumë dhe nuk i duhen? Duket si naivitet, por gjatë përvojës sime në punë në RTSH jam ndeshur shpesh me idenë e marrjes së një frekuence të RTSH-së dhe dhënies së saj një operatori privat.
Në realitet, në gjithë Shqipërinë ka vetëm 7 frekuenca kombëtare, nga të cilat tri i zotëron grupi Top Channel-Digital, dy RTSH, siç e shpjeguam më lart, një televizioni Klan dhe një televizioni Vizion Plus dhe Tring.

Në pjesën e dytë të platformës së vet, Eni Vasili e vë theksin te kompozimi i kanaleve.
Këtu vijmë te ideja e ndarjes së ekraneve sipas bindjeve politike. Një kanal për pozitën, një për opozitën. Që të ndihen të gjithë të përfaqësuar. Edhe ballistët e partizanët. Bile, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një anëtari të Këshillit Drejtues, zonja Vasili tha se për ballistët kishte menduar kanalin e dytë.
Pra, partizanët të rrinë të qetë se e mbrojtën edhe këtë radhë kanalin e parë të RTSH-së. Dhe mos u habisni nëse nesër propozohen edhe dy postblloqe policie: një i PS-së, një i PD-së; dy spitale, një për pozitën dhe një për opozitën. Vetëm tatime do të kemi një: vetëm për opozitën.
Ky është pluralizmi sipas Eni Vasilit: jo debat, por ndarje territori. Jo dialog, por duel monologësh.

RTSH, sipas kësaj logjike, nuk do të jetë më shërbim publik, por shërbim me menu politike: Zgjidh partinë dhe të sjellim lajmet me shije përkatëse. A dëshironi me propagandë apo pa?

Në fushën e programeve dhe kanaleve, dukej sikur zonja Vasili nuk propozonte ndonjë studim, por e kishte ndarë mendjen: 7 plus 2.
Fshiheshin RTSH 3 për diasporën, RTSH Shkollë, RTSH Shqip, RTSH Agro, katër stacionet lokale të RTSH-së në Korçë, Shkodër, Gjirokastër dhe Kukës. Një pyetje që më del herë pas here përpara është kjo: nëse në RTSH punojnë shumë njerëz, rreth 1000, dhe ka shumë para në dispozicion, atëherë përse u prish punë mbajtja e kanalit të Shkollës dhe zhvillimi i tij në platforma të tjera?

Në një vend ku dega e turizmit është dega kryesore e ekonomisë shqiptare, si mund të hiqet RTSH Agro, kur ai ishte konceptuar pikërisht si një kanal i dedikuar bujqësisë, blegtorisë, peshkimit – fushave që lidhen me ushqimin e njerëzve dhe ekonominë e vendit? Si mendohet të zhvillohet turizmi i mbi dhjetë milionë turistëve pa bujqësinë? Dhe a ka mision më të madh për televizionin publik sesa ndërtimi i një kanali të mirë didaktik për bujqësinë, ushqimin dhe turizmin?

Po RTSH 3? Në një vend ku diaspora dërgon më shumë para se investitorët strategjikë, ndërprerja e një kanali të dedikuar për ta është si të mbyllësh ambasadën kulturore të Shqipërisë në botë. Dhe për ta bërë më dramatike, e gjithë kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin, që në nenin 13 të Ligjit për Diasporën sanksionon qartë se RTSH duhet të ofrojë një kanal të dedikuar për këtë komunitet. RTSH 3, kanali për shqiptarët jashtë vendit, është vënë në shënjestër për mbyllje.
Bile Këshilli i vjetër Drejtues ka një vendim për këtë. Por ky nuk është vetëm një veprim arbitrar. Është shkelje e ligjit. Jo vetëm Ligji për Mediat e kërkon një gjë të tillë, por edhe Ligji “Për Diasporën”, neni 13, e detyron RTSH-në të ketë një kanal të posaçëm për diasporën. Ai nuk është një dëshirë, por një detyrim ligjor. Dhe për më tepër, është një urë që lidh mbi një milion shqiptarë jashtë vendit me gjuhën, kulturën dhe informacionin nga atdheu.

Mua gjithmonë më habit fakti se si mund të propozohet mbyllja e kanalit RTSH Shkollë? Ky kanal e tregoi veten për dobinë e vet në kohën e pandemisë, por edhe sot shërben si model për qindra mësues se si duhet dhënë mësimi, sepse për ngritjen dhe përgatitjen e materialeve të këtij kanali u angazhuan mësuesit më të mirë të Shqipërisë.
Në RTSH Shkollë, fëmijët – dhe jo vetëm ata – mund të mësojnë se fjala e bukur shqipe “hapur” duhet përdorur për fjalën e huazuar “open” që përdoret vetëm me qëllim snobist, sepse shqipja nuk e shpreh dot si duhet. Ose, siç thotë një personazh i një filmi: “Ma ngatërron çupën kjo shqipja e mallkuar!”

RTSH Shkollë, në vend që të mbyllet, duhet të zhvillohet. Rrugët dhe mjetet për zhvillimin e tij janë të shumta, por unë nuk do të ndalem sot në këtë gjë.

Si mund të fshihen me një të rënë të lapsit studiot lokale të RTSH-së, një pasuri e jashtëzakonshme e radio-televizionit publik që e bëjnë të veçantë RTSH nga të gjitha kanalet e “qendrës”, që në fakt është pjesa më e prapambetur e shoqërisë dhe përfaqësuese e antivlerave?

Kjo ishte platforma e famshme që ka marrë më tepër vota deri tani. Asnjë fjalë për radion. Asnjë fjalë për lajmet. Asnjë fjalë për programet.
Më shqetësuesja nga të gjitha është boshllëku i plotë në platformë për përmbajtjen. Nuk përmendet askund gazetaria investigative, as informimi i pavarur, as ndonjë plan për të fuqizuar redaksitë apo për të mbështetur punën kërkimore.
Një RTSH pa gazetarë që pyesin, që kërkojnë të vërtetën, që denoncojnë abuzimet dhe që ndriçojnë skutat e errëta të shtetit, nuk është media publike. Është një lavatriçe propagande.

Në një kohë kur në vende si Suedia dhe Danimarka, mediat publike rrisin investimet në gazetari kërkimore si garanci për transparencën në shoqëri, RTSH po propozohet të zhvishet nga çdo mjet për të qenë roje e demokracisë. Dhe kjo është tragjike.
Në fund, kjo platformë nuk flet për përmbajtjen, për audiencën, për edukimin, për kulturën, për barazinë e zërave. Flet për struktura, borde, rregullore dhe një teknokraci që fsheh synimin: ta kthejë RTSH-në në një aparat tjetër nën kontroll të pushtetit.

Në fushën e zhvillimit teknologjik, i vetmi propozim në ato 15 rreshta që ka shkruar është hapja e një aplikacioni mobil të RTSH (ai që RTSH e kishte por e mbyllën pasardhësit e mi në kohën kur kishte mbi një milion shkarkime).
Asnjë fjalë për drejtimet se nga duhet të ecë teknologjia e radios dhe televizionit, asnjë fjalë për arkivin. Asnjë fjalë për zhvillimet në radio, mediat sociale, etj., etj.

Nuk është reformë. Është rikthim. Nga një media që duhet t’i shërbejë qytetarit, në një media që i shërben patronit. Dhe në këtë kthesë, qytetari është harruar. Si gjithmonë.

Por kjo platformë rezulton tani më e pëlqyera për anëtarët e Këshillit Drejtues, kështu që, shpresa e vetme është që Eni të bëhet drejtoreshë por të mos e zbatojë platformën e saj. Mund të marrë hua platformën e ndonjërit prej kandidatëve të tjerë. Janë shumë më afër përmbajtjes dhe reformës së vërtetë.
Le të bëhet drejtoreshë, por të zbatojë platformën e Laureta Roshit. Apo të Flamur Bucpapajt. Apo të Elton Metës. Ose të ndonjë tjetri, s’ka problem. Secila prej gjithë platformave të tjera sjell diçka të mirë për RTSH.

The post Bëhu drejtoreshë, por të lutem mos e zbato platformën tënde! first appeared on JavaNews.al.

I lindur plak

Nga Thoma Gëllçi

Në një mbrëmje të zakonshme shqiptare, isha në një trilemë çfarë të shihja në TV: të ndiqja një serial turk, shfaqjen e përditshme të Edi Ramës me inagurimin e lotit të tretë të variantit të dytë te vesionit 3D të Hekurudhes së Kombit , apo intervistën e kryetarit të partisë “Mundësia”, z. Agron Shehaj. Po, e pranoj publikisht dhe pa avokat: zgjodha këtë të fundit. Të paktën këtu, në “Mundësinë”, do të kisha mundësi të njihesha me diçka të re.

Z. Shehaj, një burrë që ka lindur direkt 45 vjeç, me xhaketë biznesi dhe një “vision board” nën sqetull, na ofroi një leksion të ngjeshur për të ardhmen e Shqipërisë: kapitalizëm liberal, qeveri të vogël, administratë të holluar si çaji me sheqer në fund të muajit, dhe sa më pak shtet, aq më shumë lumturi.

Pika e parë që të binte si çekan në kokë ishte RTSH. Nga 30 milionë euro buxhet, ta ulim në pesë. Dhe sipas z. Shehaj, pesë janë shumë. Pse pesë? Po sa? Katër. Pse katër? Po sa? Shtatë? Pse shtatë? Po sa? Dy. Më mirë e lëmë pesë sepse kështu e tha në fillim Agroni dhe s’ka kuptim të ndryshojmë shifrat që tani. Me vendim gjykate që çdo fjalë tjeter të shpallet anti-ligjore.

Pika e dytë ishte më epike se Beteja e Trojës: Euroja! Po, euroja që ka filluar të na ngacmojë në furra buke. Një bashkëthemeluese e re e partisë tregoi se kishte blerë bukë me euro. Dhe ja ku lind ideja ekonomike! Jo më nga institucionet financiare, por nga ekspeditat për të blerë bukë. Argumenti kryesor i partisë për zëvendësimin e lekut? “Unë pagova me euro dhe më pranuan.”

Por argumenti më i fortë ishte se kundërshtare e kësaj ideje ishte një financiere që kishte qenë një pseudo zëvendësministre financash. (Po pseudo zv.ministre pse?) Por në “Mundësinë”, kush ka qenë në qeveri, ka thënë automatikisht broçkulla. Agroni pëlqen mendimet që vijnë nga persona që sapo kanë dalë nga veza. Si vetë ai, që sapo doli nga veza, klloçka e tij kishte emrin Sali. Në këtë logjikë, edhe gjyshja e Agronit mund të fitojë Nobelin për Paqe – sepse nuk ka qenë kurrë në ndonjë ministri.

E treta ishte pika kulmore – si finalja e një tragjedie greke ku Zeusit i ka ngelur buka në fyt: partia financohet nga kryetari. Dhe të gjithë të tjerët janë “si ai”. Një tufë klonësh që mendojnë njësoj, flasin njësoj, dhe madje ndoshta edhe ëndërrojnë njësoj – më falni, por kjo nuk është parti . Të kujton ato startup-et që thonë: “Ne jemi si një familje”, derisa të të pushojnë në grup me email. Vetëm Agroni qëndron.

Tani më falni, por kur dikush thotë që “ne jemi një mendje”, nuk më kujton kapitalizmin liberal, më kujton një film bardh e zi me uniforma, himne dhe vetëm një lider në sfond. Një parti ku çdo debat mbyllet me “po ai kush është?” dhe çdo ide vlerësohet sipas biografisë e jo përmbajtjes, nuk quhet “Mundësia”. Quhet “Shehaj & Co. – Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar të Mendimeve”.

Kështu që, për të mos mbetur pas kësaj vale reformuese, vendosa t’i dërgoj edhe unë një propozim partisë “Mundësia”. Një ide radikale, moderne, me kursim të garantuar: të zëvendësojmë Kuvendin me një grup në WhatsApp. Aty po që do ndodhte magjia – do kishim debat, reagim me emoji, fshirje të mesazheve kompromentuese dhe mbi të gjitha, zero shpenzime për karrige. Edhe më mirë, mund ta quajmë “Grupi i Shqipërisë për Mundësinë e Re”.

Shqipëria ka nevojë për mendësi të reja, por nëse këto mendësi të reja janë riciklime të vjetra me filtër Instagrami, më falni që nuk emocionohem. Kur “rinia” politike lind me rrudha të logjikës së vjetër, nuk jemi përpara një ringjalljeje, por një “rinovim pleqërie”.

The post I lindur plak first appeared on JavaNews.al.

Agron Shehaj si tregues i dështimit të RTSH në misionin e vet

Nga Thoma Gëllçi

Ka një arsye pse fjala “spektakël” në politikën shqiptare shpesh nuk ka lidhje me teatrot apo ekranin e madh, por me deklarata si ajo e Agron Shehajt. Kryetari i Partisë “Mundësia”, me një zell të admirueshëm për të kapur vëmendjen me çdo kusht, propozoi pak kohë më parë mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar. Më pas e zbuti tonin dhe e korrigjoi vetveten: nuk kërkon mbyllje, por vetëm që t’i shkurtohet buxheti në 5 milionë euro, që sipas tij mjaftojnë për kostot operacionale të një televizioni publik. Shkurt, një RTSH “light” – pa kripë, pa zë, dhe nëse është e mundur, pa energji elektrike.

Në fakt, ndoshta nuk do ia vlente të merreshe me një propozim të tillë, sidomos në një fushatë elektorale ku çdo replikë e mbështet zhurmën që kërkon protagonisti. Dhe Agroni këtë kërkon: zhurmë. Ai lëshon shifra milionëshe si fishekzjarrë llogaritur në kokë, ndoshta teksa ecën në makinë, duke shpresuar se çdo absurditet i artikuluar me zë të sigurt do të mjaftojë për të bërë “clickbait” politik. E ku ka më bukur sesa të shndërrosh një çështje komplekse si funksioni i shërbimit publik mediatik në një llogari me tre fjalë: “30 milionë euro më pak!”? Madje, siç duket, këto llogari Agroni i bën duke ngarë makinën. Pse të lodhemi me analiza buxhetore kur mund të bëjmë aritmetikë në semafor?

Por hajde t’i lëmë fjalët e zbrazëta dhe të futemi në territorin e ftohtë të shifrave. Sipas buxhetit të planifikuar për RTSH – që është 27 milionë euro – Agroni kërkon të kursejë 30 milionë euro. Një matematikë gjeniale, që mund t’i lërë gojëhapur të gjithë. Madje, edhe vetë Shehaj e kuptoi se diçka nuk i dilte, ndaj vendosi ta lërë RTSH-së një lëmoshë prej 5 milionë eurosh. Zemërgjerësi moderne.

Vetëm për dy zëra kryesorë që lidhen me funksionimin teknik të transmetimeve digjitale, shpenzimet vjetore janë mbi 5.7 milionë euro: 3.5 milionë për pagesat e kredisë dhe 2.2 milionë për kontratën e mirëmbajtjes së rrjetit. Pra, që në start jemi 700 mijë euro në minus. Nëse i shtojmë kostot e energjisë elektrike për 60 transmetues aktivë në të gjithë territorin, depozitat me naftë për gjeneratorët në rast të mungesës së energjisë (në Shqipëri mungesat janë realitet edhe në 2025), dalim thellë në borxh.

Por po ta shohim nga këndvështrimi i Agronit, edhe Orkestra Simfonike e RTSH mund të jetë luks: “Pse duhen tetë violina? Mjaftojnë dy për të bërë zhurmë!” Një logjikë që e ngatërron artin me alarmet e makinës. A e di Agron se për të blerë kampionatin shqiptar të futbollit, RTSH ka lidhur kontratë dhe i paguan Federatës Shqiptare të Futbollit 1.2 milionë euro në vit? RTSH i humbi ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit sepse nuk pagoi dot çmimin e saj që ishte mbi 1 milionë euro. Po të drejtat e tjera sportive, po kostot për të mbajtur një kanal filmash? A e di Agron Shehaj që RTSH nuk i vjedh filmat që transmeton por blen të drejtat e transmetimit të tyre?
RTSH është larg përkryerjes. Askush nuk e mohon se institucioni ka nevojë për transformim dhe reformim të thellë, të vërtetë, profesional. Por, ai mbart një mision që është shumë më i thellë se çfarë e percepton një politikan i nxituar që mat gjithçka me llogaritë e një biznesi: RTSH ka detyrën të edukojë, të ruajë identitetin kombëtar, të shërbejë si garanci për një hapësirë publike larg vulgaritetit, pornografisë vizuale dhe mediatizimit të injorancës. Në një vend ku “trendi” i ditës është zhveshja si formë rebelimi dhe shalët si simbol kulture pop, RTSH është ndër të paktat hapësira ku mund të ulesh me familjen dhe të mos ndihesh në siklet.

Agron Shehaj nuk e kupton këtë – ose bën sikur nuk e kupton. Dhe ky është tregues i dështimit të RTSH në një nga funksionet e saj më themelore: të krijojë qytetari mediatike, të formojë gjykim kritik, të ndërtojë vlerësim për të bukurën, për të arsyeshmen dhe për të drejtën. Nëse ky mision do të ishte përmbushur me sukses, ndoshta figura si Agroni nuk do të gjenin terren të tillë për të shitur me kaq lehtësi dogma boshe.

Po mirë, edhe ne e dimë që në fushatë duhet të thuash gjëra që kapin veshin e qytetarit të lodhur, por kur propozimet bëhen në nivelin e një basti mes dy çunash te lagjja që pyesin sa lekë do i duheshin një televizioni për të transmetuar gjithë verën vetëm filma me Jean-Claude Van Damme, atëherë kemi një problem.

Sepse Shehaj nuk është thjesht një qytetar që u mërzit me RTSH-në se nuk i dha Festivalin e Fundvitit Elvana Gjatës. Ai është politikan. Dhe kur një politikan nuk kupton rolin e transmetuesit publik – apo më keq, bën sikur nuk e kupton për të fituar pikë politike, kjo është një krizë që meriton më shumë se një meme në Facebook.
Por përtej kritikave politike e buxhetore, Agron Shehaj zgjodhi të më sulmojë personalisht si ish-drejtues i RTSH, duke më quajtur hajdut. Ndaj këtu është e nevojshme një sqarim i plotë, jo për të bërë viktimën, por për të respektuar të vërtetën:

“Agron, më vjen keq që të të them, por përveçse je i paditur dhe mendjelehtë, je edhe gënjeshtar shpifës. Unë nuk jam arrestuar për ndonjë tender, por sepse lidha një kontratë që shtyu pranimin e mallrave që kishte blerë RTSH 14 ditë përtej afatit. Kjo për shkak se nuk kishim paratë për të paguar faturën, pasi Ministria e Financave kishte prerë fondin. Dhe kjo nuk solli asnjë dëm ekonomik – përkundrazi, kurseu penalitete që duhej të paguante RTSH për moszbatim kontrate.

Tani përsa i përket burgut që përmend: kam qëndruar 11 muaj i arrestuar, nën hetim nga SPAK-u i Partisë që kontrolloi çdo dokument të firmosur nga unë – çdo tender, çdo urdhër. Kërkuan me çdo kusht të gjenin diçka për të justifikuar arrestimin tim. Nuk gjetën asgjë tjetër me përjashtim të asaj shtese kontrate që për mendimin tim dhe të specialistëve është komplet në përputhje me Ligjin. Më kontrolluan edhe shtëpinë, më sekuestruan edhe telefonin dhe gjithë komunikimet zyrtare. Sepse, ndryshe nga ajo që mbase ke menduar ti, nuk jemi të gjithë njësoj. Unë, Agron, nuk shfrytëzova pasaportën amerikane për t’iu shmangur hetimeve dhe të largohesha nga Shqipëria, por u komunikova vetë me organet e Ligjit për t’u paraqitur atje ku kërkonin ata, pavarësisht se në ato momente nuk ndodhesha në Tiranë. Unë as u bëra i sëmurë, as futa miq, as akuzova kënd dhe, pavarësisht se isha i bindur në padrejtësinë ndaj meje, qëndrova ta përballoja këtë gjë me dinjitet. Unë nuk i përkas “racës” suaj, që e ka për zakon të gjykojë të tjerët sipas vetes. Unë e kam kaluar vetting-un dhe e kam me vendim gjykate që nuk jam hajdut. Po ti Agron, e kalon dot këtë vetting?”

Gjatë pesë viteve të drejtimit të RTSH kaluam një proces transformimi gjigand dhe të gjithanshëm: Nga një kanal me miza që nuk i shihej sinjali as në godinën e RTSH, ndërtuam një platformë mediatike moderne me 17 kanale televizive, gjeneraliste dhe tematike, dhe 11 kanale radioje. Ndryshuam teknologjinë e transmetimeve nga SD në HD, ndërtuam platformën revolucionare OTT “RTSH TANI” që mundësonte të shiheshin programet e saj në të gjithë botën dhe që njerëzit t’i shihnin programet kur të donin, sipas kohës së tyre. E di ti Agron se çfarë të drejtash sportive zotëronte RTSH në kohën kur drejtoja unë? Pyet njëherë, sepse nëse do filloj të shkruaj këtu, më del lista shumë e gjatë dhe shkrimi shumë i gjatë. Ne treguam, Agron, se RTSH bëhej! Por ishte politika dhe njerëz të racës sate që e ndërprenë këtë punë reformuese, pushuan nga puna më të mirët, përzunë nga vendi inxhinierët, shitën interesat e publikut te privatët dhe vërtiten tani si miza pa kokë me shpresë që do ta rrënojnë RTSH-në nga brenda me qëllim që t’i arrijnë qëllimit final: zhdukjes fare të saj dhe ndërtimit të ca kullave në shesh, ndërtimin aty.

Por, Agroni nuk është problemi – ai është simptoma. Ai është një produkt i boshllëkut të informacionit, i deformimit të perceptimit publik dhe i mungesës së edukimit mediatik. Dhe kur ekrani bosh nuk edukon, do e mbushin të tillët.

Problemi me RTSH-në nuk është që ekziston – problemi është që Agroni nuk e kupton pse ekziston. Dhe kjo është pasojë e një mungese të thellë edukimi mediatik.

Në shumë vende, në shkollë mëson çfarë është një media publike, pse ka rëndësi, çfarë do të thotë pluralizëm, pavarësi editoriale, përgjegjësi qytetare. Agroni ka mësuar të bëjë video në Facebook dhe pastaj t’i thotë medias “Fake news” kur të mërzit.

RTSH nuk është e përkryer. Ka nevojë për reformë. Për profesionalizëm. Për më shumë pavarësi nga politika. Por mënyra për ta rregulluar nuk është ta mbyllësh apo të mundohesh të bësh zhurmë në dëm të imazhit të saj.
RTSH është shtëpia e memories kombëtare. Është vendi ku jetojnë regjistrimet e Festivalit të parë të Këngës, zëri i Ahmet Zogut dhe i Fan Nolit, këngët e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, dramat e teatrit të viteve ‘80, koncertet simfonike, gjuha letrare shqipe. Kur thua “le ta mbyllim”, në fakt po thua: “le të harrojmë se kush kemi qenë”.
Agron Shehaj është, në një farë mënyre, një metaforë: simbol i një politike që nuk propozon reformë, por rrënim; që nuk kërkon zgjidhje, por vëmendje; që ngatërron “kursimin” me “zhdukjen” dhe “eficiencën” me “anulimin”. Ai nuk e kupton (ose bën sikur) se RTSH nuk është një institucion për të bërë para, por një investim kulturor e demokratik – një “shpenzim” që ruan identitetin kombëtar në një treg të egër ku vlera matet me klikime.
Agron Shehaj nuk është thjesht një kritik i RTSH. Ai është një simptomë e një mendësie që e sheh çdo gjë publike si barrë dhe çdo shpenzim për kulturë si luks. Një llogari e thatë, e zbrazët nga vizioni, që e mat vlerën e një institucioni vetëm me Excel-in e buxhetit dhe jo me ndikimin që ka në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme.

Në këtë logjikë, le të mbyllim edhe Akademinë e Shkencave, Institutin e Gjuhësisë, Qendrën Kombëtare të Librit, Universitetin e Arteve. Se të gjitha “hanë para” dhe nuk sjellin “fitim”. Por shteti nuk është një biznes. Dhe kultura nuk është një artikull që e mbash në raft vetëm nëse shitet shumë.

RTSH mund të mos jetë spektakli më i madh në qytet. Por është skena ku ende dëgjohet një fjalë e arsyeshme, ku ruhet një dokumentar për një këngëtar të harruar, ku transmetohet një koncert klasik pa ndërprerje publicitare për detergjentë. Është një hapësirë ku, edhe nëse ka pluhur, nuk ka zhurmë. Dhe në këtë kohë zhurmash, kjo vlen më shumë se çdo fjalim i Agronit nga makina.

Shehaj, ndoshta pa dashur, na kujton edhe një të vërtetë të hidhur: që RTSH ka dështuar në një pjesë të misionit të saj. Ka dështuar të krijojë një publik të ndërgjegjshëm, të aftë të dallojë mes propagandës dhe politikës, mes bufonëve dhe burrështetasve. Ka dështuar të ndërtojë një shije estetike që të refuzojë populizmin si zë alternativ. Dhe në këtë dështim, nuk ka faj vetëm buxheti. Ka faj ndërhyrja politike, mungesa e vizionit të pavarur, dhe nganjëherë, vetë heshtja.

Por zgjidhja nuk është t’i heqësh zërin RTSH-së. Zgjidhja është të kërkosh që të flasë më mirë, më bukur, më drejt.

The post Agron Shehaj si tregues i dështimit të RTSH në misionin e vet first appeared on JavaNews.al.

Një kontrast i thellë për transmetuesit publikë

Nga Thoma Gëllçi 

Ndërsa në Shqipëri zëra të ndryshëm nga politika po hedhin idenë për mbylljen, ristrukturimin apo transformimin rrënjësor të transmetuesit publik, në një tjetër vend evropian, Çekinë, institucionet po ndërmarrin hapa konkretë për ta forcuar median publike dhe për t’i garantuar asaj një të ardhme të qëndrueshme dhe të pavarur. Vetëm një ditë më parë, Senati çek miratoi një vendim të rëndësishëm për të rritur taksën që qytetarët paguajnë për shërbimin e televizionit dhe radios publike – një rritje që vjen pas gati dy dekadash pa asnjë ndryshim në nivelin e financimit. Vendimi tashmë pret firmën e Presidentit të Republikës, i cili në takimet e fundit ka shprehur qartë mbështetjen e tij për rëndësinë e medias publike në jetën demokratike të vendit.

Ky hap në dukje teknik është në fakt një shenjë shumë domethënëse e mënyrës se si politika çeke e kupton rolin e transmetuesit publik: si një institucion i domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë, për informimin e paanshëm të qytetarëve dhe për mbrojtjen e kulturës dhe vlerave kombëtare. Duke i garantuar një burim të qëndrueshëm dhe të pavarur financimi, autoritetet çeke po sigurojnë që televizioni dhe radio publike të mos varen nga fondet e qeverisë apo nga presionet politike, por të kenë autonominë për të punuar në interes të publikut dhe vetëm të publikut.

Kjo është një qasje që bie fort në kontrast me zhvillimet në Shqipëri. RTSH, transmetuesi publik shqiptar, financohet pjesërisht nga një taksë që u paguhet qytetarëve përmes faturës së energjisë elektrike – një shumë prej vetëm 100 lekësh në muaj, ose më pak se 1 euro. Kjo është taksa më e ulët në të gjithë Evropën, dhe rrjedhimisht, RTSH ka një nga buxhetet më të vogla për frymë në kontinent. Me një financim kaq të kufizuar, është e pamundur që ky institucion të përmbushë siç duhet detyrat e tij si media publike – të ofrojë informacion të verifikuar, programe cilësore, edukim, kulturë, shërbim për komunitetet në të gjithë vendin dhe për diasporën.

Për më tepër, fakti që një pjesë e rëndësishme e buxhetit të RTSH-së vjen nga fondet buxhetore e bën atë më të cenueshëm nga presioni politik. Nëse një transmetues publik nuk ka burime të garantuara të pavarura financimi, ai rrezikon të kthehet në një zgjatim të pushtetit, në vend që të jetë një platformë e hapur për të gjithë qytetarët dhe një gardian i së vërtetës dhe llogaridhënies.

Në këtë kontekst, idetë për mbyllje, zvogëlim apo transformim të RTSH-së nuk duhet të shihen si zgjidhje, por si sinjale alarmi për demokracinë dhe për aksesin që qytetarët kanë në informacion të paanshëm. Zhvillimet në Çeki tregojnë qartë se vendet që e vlerësojnë median publike, nuk e shkurtojnë, nuk e mbyllin dhe nuk e lënë në mëshirë të tregut apo të qeverisë, por e forcojnë atë përmes mekanizmave të qëndrueshëm dhe të pavarur.

Ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk është mbyllja e RTSH-së, por një debat serioz dhe i hapur për reformimin dhe forcimin e tij. Duhet të diskutojmë se si ky institucion mund të përmirësohet, të modernizohet, të shkëputet realisht nga ndikimi politik, dhe mbi të gjitha, të financohet denjësisht për të qenë në nivelin që qytetarët shqiptarë meritojnë. Vetëm një media publike e fortë, me staf profesional dhe me pavarësi editoriale të garantuar, mund të jetë një shtyllë e vërtetë e demokracisë, ashtu siç është në shumë vende evropiane. Dhe për ta arritur këtë, hapi i parë është që shteti të mos e dobësojë, por ta mbështesë. Jo me fjalë, por me veprime konkrete. Ashtu siç po bën sot Çekia.

The post Një kontrast i thellë për transmetuesit publikë first appeared on JavaNews.al.

Gjuha e Madhe Amerikane: Si ta bëjmë anglishten më patriotike!

Nga Thoma Gëllçi

Në një moment që do të mbetet në histori si një nga ato vendime që askush nuk kërkon, por gjithsesi do të merren, presidenti Donald Trump, në këto ditë të lavdishme të mandatit të tij të dytë, do të firmosë një urdhër ekzekutiv për të shpallur anglishten si gjuhën zyrtare të Shteteve të Bashkuara. Për një vend që ka debatuar për gjithçka, nga forma e petullave deri te veshjet e Mickey Mouse në Disneyland, fakti që kjo çështje nuk ka ndezur një luftë civile është i çuditshëm.

Por, siç thoshte një burrë i mençur, apo ndoshta një nga gjyshet veneciane të fshatit tonë: “Kur askush nuk ankohet, ose je duke bërë gjithçka siç duhet, ose askush nuk ka marrë vesh akoma çfarë po ndodh.” Por në rastin e Donald Trump, mungesa e debateve për këtë gjë shpjegohet me atë që amerikanët dhe bota nuk dinë se përse të diskutojnë më parë: që nga shpallja e Ukrainës shtet agresor e deri te shpallja e Kanadasë si shteti i 51-të i Amerikës.

Kështu që nuk kanë pasur kohë të merren me problemin e gjuhës. Amerika nuk ka pasur kurrë një gjuhë zyrtare, jo sepse mungonte anglishtja, por sepse askush nuk kishte marrë mundimin ta shpallte të tillë.

Historikisht, SHBA ka preferuar të flasë shumë gjuhë dhe të mos ketë një të vetme zyrtare, kryesisht sepse amerikanët e kanë pasur gjithmonë të vështirë të bien dakord për gjëra të thjeshta. Që në shekullin e 18-të, një grup gjermanësh të vendosur në Pensilvani propozoi ta bënin gjuhën e tyre zyrtare, por Kongresi refuzoi, ndoshta nga frika se amerikanët do të duhej të mësonin si të shqiptonin fjalë me 15 bashkëtingëllore radhazi.

Në dy shekujt e fundit, vendi është mbushur me emigrantë nga çdo cep i planetit, të cilët kanë sjellë jo vetëm kulturën e tyre, por edhe një aftësi të pabesueshme për të shpikur mënyra të reja për të mos u marrë vesh me njëri-tjetrin. Për shembull, një njujorkez, një teksan dhe një bostonian e flasin anglishten aq ndryshe, sa që mund të bëjnë një eksperiment social interesant: Mblidhini në një dhomë dhe prisni të kuptojnë njëri-tjetrin. Ka shumë gjasa që një prej tyre të përfundojë duke komunikuar me gjeste.

Pse duhet Amerika të shpallë anglishten zyrtare? Mbështetësit thonë se kjo do të kursejë miliona dollarë në përkthime për dokumentet qeveritare. Kjo është një ide brilante, përveç faktit që shumica e amerikanëve nuk lexojnë as dokumentet që janë në anglisht. Pra, kursimi do të vijë nga fakti që askush nuk do t’i lexojë në asnjë gjuhë. Përveç kësaj, thuhet se ky vendim do të inkurajojë emigrantët të mësojnë anglishten më shpejt. Por, le të jemi realistë: Në një vend ku shumica e vendasve ende përpiqen të kuptojnë si funksionon “your” dhe “you’re”, detyrimi për të mësuar anglisht mund të jetë një akt i pastër sadizmi.

Nga ana tjetër, kritikët argumentojnë se ky është një hap i panevojshëm, për të mos thënë një vendim që nuk do të ndryshojë asgjë, përveç ndoshta disa tabelave në institucionet qeveritare. Për më tepër, ata kujtojnë se mbi 67 milionë njerëz në SHBA flasin një gjuhë tjetër në shtëpi, dhe ky vendim mund të perceptohet si një përpjekje për të injoruar këtë realitet. Për shembull, në Havai, ku havaianishtja është një gjuhë zyrtare, njerëzit mund të ndihen të bezdisur nga fakti që dikush në Uashington po vendos se çfarë gjuhe duhet të flasin. Dhe në Kaliforni, ku spanjishtja është po aq e zakonshme sa edhe burritot, ky vendim mund të jetë po aq efektiv sa të vendosësh një shenjë “Mos pini ujë” pas një ecjeje të lodhshme në vapë. Lere pastaj kur të vendoset anglishtja me detyrim në Porto Riko.

A do të ndryshojë ky vendim realitetin e përditshëm? Jo shumë. Njerëzit do të vazhdojnë të flasin siç kanë folur gjithmonë, administrata do të vazhdojë të shtypë dokumente që askush nuk i lexon, dhe amerikanët do të vazhdojnë të debatojnë për gjëra më të rëndësishme, si për shembull, a duhet të quhen “French fries” apo “Freedom fries”? Në fund të fundit, SHBA është ndërtuar mbi idenë se mund të bësh ç’të duash, për sa kohë që nuk shqetëson askënd tjetër (dhe paguan taksat). Dhe nëse një ditë amerikanët vendosin që edhe komunikimi me shenja është më i lehtë, atëherë edhe ky urdhër ekzekutiv do të mbetet një relike historike, e vendosur në raftin e gjërave që u miratuan dhe pastaj u harruan – si ndalimi i alkoolit, riemërtimi i Gjirit të Meksikës si Gjiri i Amerikës ose ideja që shkrimi i dorës të mos vazhdonte të mësohej në shkolla.

Por kjo nuk do të mbarojë këtu. Një senator republikan, i entuziazmuar nga kjo ide, i shkroi presidentit Trump:
Zoti President, e dimë që anglishtja duhet të jetë gjuha e vetme dhe zyrtare e Amerikës MADHESHTORE™! Por, s’ka kuptim ta quajmë “anglisht”, sepse – ç’turp – vjen nga Anglia! Dhe, siç e dimë të gjithë, ne nuk kemi nevojë për mbeturina të vjetra koloniale. Kështu që ja disa emra alternativë për gjuhën tonë të preferuar:

1. Gjuha Amerikane e Madhe dhe e Bukur (GAMAB) – Çdo fjali duhet të përfundojë me “Believe me!” ose “Huge!”.
2. Trumpishtja – Çdo fjalor do të ketë vetëm tri fjalë: “Tremendous”, “Fake News” dhe “You’re Fired!”.
3. Gjuha e Lirisë – Sepse çdo gjë bëhet më patriotike kur shton “Liri” në të (shiko: “Freedom Fries”).
4. Gjuha e Patriotëve – Kush nuk e flet, shpallet komunist dhe dërgohet në ndonjë ishull misterioz (ose thjesht në CNN).
5. Gjuha e Votave të Llogaritura Siç Duhet – Vetëm votat në këtë gjuhë do të konsiderohen të vlefshme.
Zoti President, vetëm zgjidhni një nga këto, dhe Amerika do të bëhet më MADHESHTORE se kurrë! Believe me!
Ndërsa një plak i moçëm në Helmës të Kolonjës, kur dëgjoi gjithë këtë zallamahi, tha një shprehje që nuk e kuptuam nëse kishte lidhje me këtë situatë: “Hedh budallai një gur në lumë dhe një mijë të mençur nuk e nxjerrin dot.”

Një zgjidhje shqiptare për Evropën

Nga Thoma Gëllçi

Evropa qenka në hall: nuk i merr dot vendimet aq shpejt sa i merr Kina, Rusia dhe së fundmi edhe SHBA. Vonohet në vendimmarrje. Jo aq sa zviceranët, që çdo ligj e kalojnë me referendum dhe humbasin kohë me zgjedhje çdo të dielë, por gjithsesi duhet më tepër operativitet. Sepse ja, shikoni Zvicrën si është katandisur.

Askush në botë nuk e di se kush është kryeministër i Zvicrës dhe askush nuk e di nëse ka president apo jo, dhe punët i shkojnë për mjerim. Ka mbetur në pikë të hallit. Dhe kush është ilaçi? Vendimet më të mira merren nga një njeri i vetëm! Ç’janë këto 27 shtete, 27 qeveri, 27 parlamente? Humbje kohe! Shqiptarët e kanë provuar në histori që vendimet e shpejta dhe pa burokraci funksionojnë më mirë—qoftë me Ahmet Zogun, Enverin, Sali Berishën apo Edi Ramën.

Historia e botës flet qartë për këtë. Shikoni romakët: patën Senatin, por pastaj kuptuan që më mirë ishte me Cezarin. Francezët bënë revolucion, hoqën mbretin, dhe pas dhjetë vitesh sollën një tjetër—Napoleonin! Edhe rusët, nga Cari te Stalini, kaluan ca kohë në një të ashtuquajtur demokraci dhe tani prapë te Njëshi. Prapë te Cari Putini. Këta i marrin vendimet në dhjetë minuta.

Por le t’i hedhim një sy më shumë Evropës. Italia e Musolinit ishte një eksperiment i shkëlqyer se si Njëshi mund të bëjë gjithçka, nga trenat që shkojnë në kohë te ligjet që firmosen për një pasdite. Spanja e Frankos e mbajti sistemin pa u lodhur me zgjedhje e debate të kota. Gjermania e Hitlerit tregoi se si mund të eliminoheshin burokracitë e lodhshme nëpër procese që zgjasin me vite.

Edhe Trump, si një Njësh që është, i merr vendimet për pesë minuta. Vetëm me një firmë në një urdhër. Por ende ka shumë rrugë për të bërë sepse po e pengon në punën e vet një copë letër që quhet Kushtetutë. Por edhe këtu kemi se çfarë përvoje t’i japim ne shqiptarët, që Kushtetutën e kemi llastik; e bën Njëshi ynë si të dojë.
Ndërsa për Evropën, zgjidhja është që ajo të integrohet në Shqipëri dhe jo e kundërta. Kështu do ta ketë të gatshëm edhe liderin. Dhe sa më shpejt, aq më mirë. Sepse ndryshe do përfundojmë si Zvicra!

Tronditje të mëdha në sistemin e drejtësisë amerikane

Nga Thoma Gëllçi

Sistemi i drejtësisë në Shtetet e Bashkuara po përballet me një nga periudhat më të debatueshme dhe tronditëse në historinë e tij. Në ditët e fundit të presidencës së tij, Joe Biden përdori fuqitë ekzekutive – faljen presidenciale – duke falur djalin e tij, Hunter Biden, për të gjitha krimet që ai mund të kishte kryer kundër Shteteve të Bashkuara në dhjetë vitet e fundit. Ky vendim u pa si një shkelje flagrante e premtimit të tij elektoral se nuk do të ndërhynte në sistemin e drejtësisë.

Hunter Biden ishte në proces gjyqësor për evazion fiskal dhe për dhënien e një deklarate të rreme në aplikimin e tij për të blerë një armë. Falja presidenciale jo vetëm që e shpëtoi atë nga këto akuza, por gjithashtu përfshinte çdo krim të mundshëm që mund të zbulohej në të ardhmen – një veprim i paprecedentë në historinë amerikane. Presidentët e mëparshëm kanë falur individë për krime specifike të dokumentuara, por një falje gjithëpërfshirëse për të gjitha veprimet e së shkuarës dhe të ardhmes krijon një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës.

Por Biden nuk u ndal këtu. Ai vazhdoi të falë të gjithë familjen e tij, duke përfshirë vëllain, kunatën dhe disa kushërinj, si dhe një numër zyrtarësh të lartë të administratës së tij. Kjo solli reagime të ashpra, me kritikët që e akuzuan për abuzim të rëndë të pushtetit ekzekutiv.

Ndërsa skandali i faljeve të Biden ende po trondiste opinionin publik, Presidenti i ri, Donald Trump, e nisi mandatin e tij të dytë me një tjetër valë faljesh të diskutueshme. Në një lëvizje që u pa si një sfidë e hapur ndaj demokracisë amerikane, Trump fali rreth 1500 persona të dënuar për sulmin ndaj Kongresit më 6 janar 2021. Ky akt i dhunshëm kishte tronditur themelet e qeverisjes amerikane, pasi turma e protestuesve u përpoq të ndalonte certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe të përmbyste tranzicionin paqësor të pushtetit.

Të gjithë të falurit ishin kaluar në një proces hetimor të ligjshëm, kishin përballuar gjyqe të drejta dhe ishin shpallur fajtorë nga juritë. Megjithatë, Trump përdori fuqinë e tij presidenciale për të anuluar vendimet e sistemit të drejtësisë, duke dëmtuar besimin në barazinë e ligjit.

Ditet e fundit, Trump fali ish-guvernatorin e Illinois-it, Rod Blagojevich, i cili ishte dënuar për korrupsion. Ai u kishte shitur poste publike për përfitime financiare dhe ishte dënuar nga legjislatura e shtetit, një juri e madhe dhe gjykatat federale. Trump e justifikoi këtë falje duke thënë se Blagojevich ishte dënuar padrejtësisht, megjithëse provat kundër tij ishin të qarta dhe të padiskutueshme.

Përveç faljeve të diskutueshme, ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë janë bërë edhe më të rënda ditet e fundit. Një shembull i qartë është ndërhyrja e Departamentit të Drejtësisë në çështjen e kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams. Prokurorët federalë kane ngritur akuza kundër tij për korrupsion dhe për pranim të kontributeve të paligjshme në fushatë. Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë kërkoi të ndërpriste procesin ligjor kundër tij, në një marrëveshje të supozuar për të siguruar mbështetjen e Adams ndaj politikave të administratës Trump.
Përplasja midis përfaqësuesve të Trump-it në Departamentin e Drejtësisë — të udhëhequr nga ish-avokati i tij personal mbrojtës, Emil Bove III — dhe Prokurores së Përkohshme të SHBA në Manhattan, Danielle R. Sassoon, bashkë me kolegët e saj, është shembulli më i qartë deri tani i përpjekjeve të kësaj administrate për të institucionalizuar marrëveshjet e tipit “shërbim kundrejt shërbimit”, taktikat e shtrëngimit, testet e besnikërisë dhe praktika të tjera të pandershme brenda qeverisë amerikane, duke shtrembëruar parimin e barazisë para ligjit që ka qëndruar prej kohësh në themel të drejtësisë amerikane.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje të heshtur, Adams u shfaq në Fox News përkrah të ashtuquajturit “car i kufirit” të Trump-it, Thomas Homan, për të diskutuar rihapjen e një zyre të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në burgun e Rikers Island, në kundërshtim me ligjin e Nju Jorkut. Gjatë intervistës, Homan e bëri të qartë se administrata priste që Adams të mbështeste përpjekjet e saj për dëbimet masive të emigrantëve.

Administrata Trump e ka përdorur vazhdimisht fuqinë federale për të shtrënguar dhe kontrolluar zyrtarët në fusha që nuk i përkasin juridiksionit të saj, nga bizneset private tek universitetet dhe qeverisjet lokale. Ky rast tregon qartë se Presidenti dhe Departamenti i Drejtësisë po japin një mesazh të rrezikshëm: se ata janë të gatshëm të shpërfillin paanshmërinë, precedentët, normat dhe vetë ligjet mbi të cilat mbështetet sistemi amerikan i drejtësisë.

Kjo ndërhyrje shkatërron parimin e ndarjes së pushteteve dhe i jep ekzekutivit një fuqi të tepruar mbi drejtësinë. Prokurorja federale Danielle R. Sassoon dhe kolegu i saj, Hagan Scotten, refuzuan të bindeshin ndaj këtij urdhri të paligjshëm dhe dhanë dorëheqjen në shenjë proteste. Ata e cilësuan këtë vendim një shkelje të rëndë të parimeve demokratike dhe të barazisë para ligjit.

Është një precedent tronditës dhe i rrezikshëm të shpërblesh përkushtimin oportunist të Adams-it ndaj çështjeve të emigracionit dhe politikave të tjera me heqjen e një aktakuze penale,” shkroi Sassoon në letrën e saj drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi.

“Asnjë sistem i një lirie të rregulluar nuk mund të lejojë qeverinë të përdorë karrotën e heqjes së akuzave ose shkopin e kërcënimit për t’i rikthyer ato, për të detyruar një zyrtar të zgjedhur të mbështesë objektivat e saj politike,” shkroi Scotten në letrën e tij të dorëheqjes.

Faljet presidenciale janë një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, por historia ka treguar se ato nuk duhet të përdoren për qëllime personale ose politike. Që nga George Washington e deri më sot, presidentët kanë falur individë për arsye të ndryshme, por rrallëherë janë parë falje që minojnë tërësisht themelet e sistemit të drejtësisë si këto të Biden dhe Trump.

James Madison dhe Alexander Hamilton, në “Federalist Papers”, paralajmëruan se fuqia e faljes nuk duhej të përdorej për të mbrojtur miqtë dhe aleatët politikë të presidentit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Kongresi dhe gjykatat të vendosin kufizime mbi këtë pushtet për të parandaluar abuzime të mëtejshme.

Veprimet e Biden dhe Trump kanë krijuar një precedent të rrezikshëm, duke treguar se pushteti ekzekutiv mund të përdoret për të mbrojtur individë të afërt me presidentin, ndërsa të tjerët përballen me pasoja të rënda ligjore.
Nëse ky është një sinjal për të ardhmen, atëherë demokracia amerikane po përballet me një kërcënim serioz.

Frances Trix – Studiuesja që dëgjoi, kuptoi dhe dokumentoi shqiptarët

Nga THOMA GËLLÇI

Studiuesit shpesh shkruajnë për komunitete të ndryshme, por të paktë janë ata që i dëgjojnë, i kuptojnë dhe i përfaqësojnë me ndershmëri. Frances Trix, e cila u nda nga jeta së fundmi, ishte një prej tyre. Me një karrierë të shquar në antropologjinë gjuhësore dhe studimet mbi Islamin në Ballkan, ajo nuk ishte thjesht një akademike, por një urë mes botës shqiptare dhe Perëndimit.

E lindur dhe e arsimuar në Shtetet e Bashkuara, Frances Trix ndoqi një rrugë të pazakontë për një studiues perëndimor: ajo nuk u mjaftua me analizat e ftohta akademike, por u zhyt thellë në realitetin e komuniteteve shqiptare, si në vendet e tyre të origjinës – Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut – ashtu edhe në diasporë. Ajo u bë një zë i fuqishëm për historinë, identitetin dhe shpirtin e shqiptarëve myslimanë, duke i përfaqësuar me dinjitet dhe vërtetësi në botën akademike.

Një autoritet mbi Bektashizmin dhe migracionin shqiptar
Frances Trix ishte një nga studiueset më të shquara të Bektashizmit, duke analizuar ndikimin e kësaj tradite mistike në identitetin shqiptar. Ajo hulumtoi gjithashtu migrimet e detyruara të myslimanëve nga Ballkani gjatë shekujve XIX dhe XX, duke dokumentuar transformimin e diasporës shqiptare.

Librat dhe studimet e saj kanë ndihmuar në pasqyrimin e historisë së shqiptarëve në disa këndvështrime të rëndësishme. Ndër veprat e saj kryesore përfshihen:
1. “The Albanians in Michigan” (2001) – Një analizë mbi komunitetin shqiptar në Michigan, duke theksuar sfidat dhe sukseset e tyre në integrimin në SHBA.
2. “Urban Muslim Migrants in Istanbul: Identity and Trauma among Balkan Immigrants” (2016) – Një studim i detajuar mbi identitetin dhe përvojat e emigrantëve myslimanë nga Ballkani në Stamboll.
3. “The Sufi Journey of Baba Rexheb” – Një portret i thelluar mbi Baba Rexhebin, një prej figurave më të rëndësishme të Bektashizmit në diasporë, duke ndriçuar përpjekjet e tij për ruajtjen e kësaj tradite.

Një studiues që e jetoi historinë, jo vetëm e analizoi
Ndryshe nga shumë akademikë që i shohin komunitetet që studiojnë përmes distancës teorike, Frances Trix i jetoi dhe i kuptoi shqiptarët nga afër. Me një ndjeshmëri të rrallë, ajo dëgjoi rrëfimet e tyre, analizoi sfidat dhe dokumentoi historinë e tyre me përkushtim.

Humbja e saj është një boshllëk i madh, por puna që ajo la pas do të vazhdojë të frymëzojë studiues, historianë dhe të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më mirë shqiptarët dhe rolin e tyre në historinë e Ballkanit. Librat dhe studimet e saj do të mbeten si një trashëgimi e vyer, duke na kujtuar se kërkimi akademik nuk është vetëm çështje faktesh, por edhe ndjeshmërie, pasioni dhe përkushtimi për të zbuluar të vërtetën.

Disa propozime mjaft modeste

Nga Thoma Gëllçi

Njëherë e një kohë, në Republikën e madhe të Amerikës, ku shqiponja fluturon e lirë dhe hamburgeri është një institucion i shenjtë, u ngrit një grup fisnik ligjvënësish me një qëllim të vetëm: të siguronin që asnjë lider i madh—veçanërisht ai me flokë të artë dhe përulësi të pakrahasueshme—të mos pengohej padrejtësisht nga diçka aq e parëndësishme si Kushtetuta.

Një përfaqësues i popullit në Kongres, që quhet Ogles, dëgjoi sovranin e tij të meditonte me ëndje për zgjatjen e mandatit dhe, si çdo vasal i mirë i mbretërisë, u hodh në veprim. “Më ngacmoi interesin,” shpalli ai, me gjallërinë intelektuale të një mbreti-filozof. Dhe kështu filloi kërkimi i tij i guximshëm për të ndryshuar atë dokumentin e bezdisshëm, të hartuar nga njerëz më të vegjël, të cilët, në marrëzinë e tyre, e panë të udhës të vendosnin kufizime për pushtetin ekzekutiv.

Natyrisht, procesi i ndryshimit të Kushtetutës nuk është punë e lehtë. Kërkon miratimin e dy të tretave të Kongresit dhe tre të katërtave të shteteve, gjë që, në epokën e arsyes, mund të konsiderohej e pamundur. Por ai është i patrembur nga pengesa të tilla të vogla dhe vazhdoi përpjekjen e tij me gjithë vrullin e një burri që kërkon të vendosë një qershi mbi një tortë të lartë të servilizmit legjislativ.

Por ai nuk ishte vetëm në këtë përpjekje fisnike. Një tjetër, që e ka mbiemrin afërsisht si McDonald’s dhe që quhet McDowell, një burrë me një respekt të pakrahasueshëm për simetrinë historike, propozoi që Aeroporti Ndërkombëtar Washington Dulles të riemërohej si Aeroporti Ndërkombëtar Donald J. Trump. Në fund të fundit, a nuk duhet që presidenti të ndajë të njëjtin nderim si Ronald Reagan apo J.F. Kennedy? Logjika është e qartë—ç’mënyrë më e mirë për të nderuar një nga njerëzit më të qëndrueshëm në histori sesa duke e emërtuar një vend nga i cili të gjithë përpiqen të largohen sa më shpejt të jetë e mundur?

Ndërkohë, zonja Greene, një tjetër përfaqësuese e popullit, u përpoq të fshinte nga analet e kohës çdo përmendje të fjalës “impeachment” në lidhje me liderin e dashur.

Zonja Luna, për të mos mbetur pas në teatrin e adhurimit legjislativ, bëri një propozim edhe më guximtar: të gdhendej portreti fisnik i presidentit në shkëmbinjtë e shenjtë të Malit Rushmore. Sigurisht, shoqëria e ftohtë prej guri e Washington-it, Jefferson-it, Roosevelt-it dhe Lincoln-it do ta mirëpriste këtë shtesë të kualifikuar—një burrë me pak parime, por me shumë hotele.

Por duhet theksuar se të gjithë këta kanë ndjekur shembullin e Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, katër vjet më parë kur ai propozoi që Liqeni i Ujmanit të quhej “Liqeni Trump”.

Tani, disa skeptikë—shpirtra të zinj, pa dyshim—mund të pyesin për nevojën e këtyre gjesteve legjislative. Ata mund të sugjerojnë marrëzisht që Kongresi të përqendrohet në çështje më të vogla si ekonomia, kujdesi shëndetësor apo gjendja gjithnjë e më e pasigurt e demokracisë. Por atyre u them: ku është vizioni juaj? Ku është ndjenja juaj e madhështisë? Pse të kënaqemi me qeverisje të mirë, kur mund të shohim lindjen e një epoke të re, të përkushtuar aq thellësisht ndaj një burri sa që edhe tekstet shkollore duhet të përkulen para tij?

Dhe kështu, i dashur lexues, le të mos frikësohemi nga këto përpjekje. Le të ngremë një gotë whiskey për përfaqësuesit tanë, të cilët kanë guxuar të ëndërrojnë për një të ardhme ku ndoshta s’do kemi nevojë për zgjedhje.
Sepse nëse një republikë do të lulëzojë me të vërtetë, mënyra më e mirë është të sigurohemi që posti më i lartë të mbetet përgjithmonë në një dorë. E ka treguar historia e botës me plot shembuj këtë!

Pse nuk duhet lejuar votimi me dokumente të huaja?

Nga Thoma Gëllçi

A mund të lejohet një person të votojë për fatin politik të Shqipërisë pa pasur asnjë dokument shqiptar? A është e drejtë që dikush të identifikohet vetëm me një pasaportë të huaj dhe të ndikojë në procesin zgjedhor të një shteti ku ndoshta nuk jeton prej dekadash? Këto pyetje kanë ndezur debatin publik dhe politik ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e majit, ku diaspora do të votojë për herë të parë.

Procesi i regjistrimit ka nisur me ritme të shpejta. Deri tani, rreth 200 mijë shqiptarë të emigruar janë regjistruar për të votuar, një numër që mund të luajë një rol kyç në rezultatin zgjedhor. Por mijëra të tjerë rrezikojnë të mbeten jashtë procesit për shkak të mungesës së dokumenteve shqiptare. Për të adresuar këtë problem, qeveria ka miratuar një vendim që lejon votimin me pasaporta ose karta identiteti të skaduara, duke lehtësuar kështu pjesëmarrjen e emigrantëve që nuk kanë pasur mundësi të rinovojnë dokumentet e tyre.

Megjithatë, opozita kërkon një hap më tej: të lejohet votimi edhe për ata që nuk kanë fare dokumente shqiptare, por që posedojnë vetëm pasaporta apo karta identiteti të huaja. Kjo kërkesë ka shkaktuar polemika të forta dhe është pritur me skepticizëm nga shumë ekspertë dhe qytetarë.

Problemi kryesor i këtij propozimi është mungesa e një baze të qartë ligjore. Kushtetuta dhe ligjet zgjedhore të Shqipërisë përcaktojnë se vetëm shtetasit shqiptarë mund të marrin pjesë në zgjedhje. Nëse një person nuk ka asnjë dokument shqiptar të vlefshëm, si mund të provohet me saktësi shtetësia e tij? A ka ai ende të drejtën ligjore për të votuar ?

Përtej aspektit ligjor, lejimi i votimit me dokumente të huaja ngre edhe shqetësime të mëdha për integritetin e zgjedhjeve. Identifikimi i saktë i votuesve është një element themelor për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm. Nëse hapet dera për votim pa dokumente shqiptare, rreziku i manipulimeve dhe abuzimeve bëhet i madh. Nuk është e pamundur që një sistem i tillë të krijojë mundësi për mashtrime, përfshirë votimin e shumëfishtë apo përfshirjen e personave që nuk kanë të drejtë ligjore të votojnë. Si mundet të verifikohet saktësia e një dokumenti të huaj nëse eshtë fallso apo i vërtetë dhe mbi cfarë baze të dhënash do të krahasohet?

Një tjetër shqetësim është precedenti që mund të krijohet. Nëse sot lejohet votimi me dokumente të huaja, çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme? A do të kërkohet më pas që të votojnë edhe ata që nuk kanë asnjë dokument identifikimi, por që thjesht vetëdeklarohen si shqiptarë? Një hap i tillë do ta bënte të pamundur garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe të monitorueshëm.

Diaspora ka një rol të rëndësishëm dhe e drejta e saj për të votuar duhet të mbrohet. Por kjo duhet të bëhet në mënyrë të rregullt dhe transparente, duke u siguruar që çdo votë ka legjitimitet të plotë. Në vend që të krijohen hapësira për konfuzion dhe abuzime, shteti shqiptar duhet të fokusohet në lehtësimin e rinovimit të dokumenteve për emigrantët dhe përmirësimin e shërbimeve konsullore, në mënyrë që çdo qytetar të ketë mundësinë të identifikohet saktësisht përpara se të votojë.

Lejimi i votimit me dokumente të huaja nuk është thjesht një çështje teknike, por një çështje themelore e besueshmërisë së demokracisë shqiptare. Procesi zgjedhor duhet të mbetet i pastër dhe i mbrojtur nga çdo mundësi manipulimi. Ndaj, çdo ndryshim në rregullat e votimit duhet të bëhet me kujdes maksimal, duke garantuar që e drejta e votës të mos kthehet në një mekanizëm që cënon integritetin e zgjedhjeve.

Grenelli nuk e do Kurtin—Zoti na ruajtë!

Nga Thoma Gëllçi

Në mesin e shumë çështjeve madhore me të cilat përballet Kosova—zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit, integrimi evropian—më e rëndësishmja prej tyre ka dalë të jetë një fakt tronditës, një zbulesë që ka ngritur peshë të gjithë spektrin politik dhe analitik: Grenelli nuk e do Kurtin!

Ky nuk është lajm i ri. Në fakt, që prej zgjedhjeve të kaluara, Richard Grenell ka bërë çmos për ta bërë të qartë mospëlqimin e tij ndaj kryeministrit të Kosovës. Dhe çfarë ndodhi? Populli i Kosovës bëri një veprim të paprecedentë, skandaloz madje: e votoi sërish Albin Kurtin!

Si është e mundur? Si mundi një komb i vogël, një popull modest dhe mik i Amerikës, të guxojë të mos i bindet një këshille kaq të vyer? Analistët janë ende të tronditur. Disa prej tyre kanë deklaruar se faji është i vetë popullit, që nuk kupton logjikën e madhe gjeopolitike. Të tjerë, më kreativë, sugjerojnë që ndoshta kosovarët e morën mesazhin gabimisht—ndoshta menduan se Grenelli po bënte ironi, dhe në vend që të mos votonin Kurtin, shkuan dhe e votuan me shumicë akoma më të madhe!

Por, le të jemi të qartë. Kjo nuk është thjesht një çështje politike. Jo, jo! Kjo është një çështje ekzistenciale. Shihni, Grenelli është mik i Trump-it. Trump-i është president i Amerikës. Amerika është superfuqi. Nga kjo rrjedh se, nëse Grenelli nuk e do Kurtin, atëherë duhet ta shohim këtë si një shenjë hyjnore, një ogur të keq, një parashikim që mund të krahasohet vetëm me profecitë e Nostradamusit. Dhe për Amerikën nuk ka aspak rëndësi që Kosova është një aleate e saj e vendosur në atë cep të Ballkanit, apo që djemtë e Kosovës, duke mbrojtur vendin e tyre, mbrojnë edhe interesat e Amerikës në rajon. Jo, këto s’kanë rëndësi, sepse Albin Kurtin nuk e do Grenell.

E megjithatë, çfarë kemi përballë kësaj logjike të hekurt? Një kryeministër që flet për zhvillim ekonomik, për mbrojtjen e shtetit, për forcimin e aleancës me Amerikën dhe Perëndimin. Krejt të kota! Ç’vlerë kanë këto arritje kur Grenelli nuk të do? Dhe opozita e Kurtit është dakord me këtë logjikë. Prandaj, nuk flet për vizionin e saj për zhvillimin ekonomik, forcimin e pavarësisë, kontrollin e territorit, forcimin e aftësisë mbrojtëse, luftën kundër korrupsionit, forcimin e lirive dhe të drejtave të popullit, por është në një garë të hapur për të treguar se cilin prej tyre do më shumë Grenell. Debat i zjarrtë, domethënë.

Dhe të mos harrojmë, Grenelli nuk është vetëm një kritik i Kurtit. Ai, gjithashtu, ka mbështetur presidentin serb Vuçiç në përballjen e tij me studentët protestues në Beograd. Po, po! Me sa duket, ai ka një ndjeshmëri të veçantë për liderët që përballen me protesta të rinisë—por vetëm në disa vende.

Kështu, sërish, populli i Kosovës ndodhet para një zgjedhjeje madhore: të votojë bazuar në faktet, rezultatet dhe vizionin për të ardhmen, ose të ndjekë një aksiomë të re të politikës ballkanike: “Nëse Grenelli nuk të do, as Zoti s’të ndihmon!”

E megjithatë, a ka vend për shqetësim? Ndoshta jo. Kosovarët tashmë e kanë dëgjuar këtë “argument” më parë dhe e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Pyetja e vetme është: a e kanë mësuar të gjithë leksionin, apo do të na duhet ta dëgjojmë sërish në zgjedhjet e radhës?

USAID në Epokën e Musk dhe Trump: a është kjo fundi i një epoke?

Nga Thoma Gëllçi

Në ditët e fundit, USAID – agjencia kryesore amerikane për ndihmën ndërkombëtare – është gjetur në qendër të një furtune politike që duket se po e çon drejt një fundi të parakohshëm. Një përplasje midis teknokracisë së re të Elon Musk, administratës së Trump dhe burokracisë tradicionale e ka kthyer këtë agjenci në një fushëbetejë të re të ideologjisë dhe pushtetit.

Gjithçka mori një kthesë dramatike kur dy zyrtarët më të lartë të sigurisë në USAID u pezulluan nga puna pasi refuzuan t’u jepnin akses përfaqësuesve të Musk në sistemet e brendshme të agjencisë. Sipas burimeve brenda administratës, grupi i quajtur “Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë” – një task forcë e krijuar nga Musk me urdhër të Trump– kishte kërkuar hyrje në hapësira të klasifikuara të USAID për të shqyrtuar të dhëna financiare dhe dokumente të tjera të ndjeshme. Kjo përplasje ndodhi në të njëjtën kohë kur administrata e Trump pezullonte dhe largonte nga puna dhjetëra zyrtarë të lartë të USAID, duke përshpejtuar atë që shumë e shohin si një përpjekje për të shpërbërë ose minimizuar ndjeshëm këtë agjenci.

Në një postim në platformën e tij sociale X, Musk e quajti USAID-in “një organizatë kriminale” dhe deklaroi se kishte ardhur koha “që ajo të zhdukej.” Këto fjalë – që për shumë punonjës të agjencisë u perceptuan si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre – u pasuan nga një seri masash drastike, përfshirë zhdukjen e faqes zyrtare të USAID-it dhe heqjen e tabelave identifikuese në selinë e saj në Uashington, D.C

Debati rreth USAID nuk është i ri. Që nga themelimi i saj në 1961, kjo agjenci ka qenë në qendër të politikës së jashtme amerikane, duke financuar programe për zhvillimin ekonomik, ndihmën humanitare dhe promovimin e demokracisë në vende të ndryshme të botës. Për mbështetësit e saj, USAID është një forcë e së mirës, një dorë ndihmëse për kombet në krizë. Për kritikët – veçanërisht ata që ndodhen në krye të regjimeve autoritare – ajo është një instrument i ndërhyrjes amerikane, një mekanizëm i politikës së jashtme për të minuar qeveritë e padëshiruara.

Vladimir Putin, për shembull, e dëboi USAID-in nga Rusia në vitin 2012, duke e akuzuar atë se mbështeste protestat kundër regjimit të tij. Edhe në Hungari, Viktor Orbán dhe aleatët e tij kanë akuzuar USAID-in për financimin e mediave dhe partive opozitare, duke e quajtur atë një vegël të “perandorisë amerikane”. Në Venezuelë, Hugo Chávez bëri të njëjtën gjë, duke e quajtur USAID-in një “armë të imperializmit amerikan.”
Në shumë vende, ndihma amerikane ka qenë e lidhur ngushtë me interesat strategjike të Uashingtonit. USAID ka financuar lëvizje opozitare në vende ku SHBA ka dashur të shohë ndryshime politike, si në Ukrainë, Gjeorgji dhe Lindjen e Mesme. Po ashtu, agjencia ka mbështetur organizata joqeveritare që promovojnë lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut – shpesh në mënyra që bien ndesh me qeveritë vendase.
Nën administratën e Trump, USAID po vihet në shënjestër të një ideologjie të re izolacioniste. Trump dhe aleatët e tij politikë e shohin ndihmën e huaj si një shpërdorim të fondeve publike amerikane, një mekanizëm që përfiton më shumë vendet e tjera sesa vetë SHBA-në.

Në këtë kontekst, aleanca e Trump me Musk për të “pastruar” USAID-in nuk është thjesht një akt hakmarrjeje ndaj burokracisë së vjetër të Uashingtonit. Ajo është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë për të transformuar mënyrën se si SHBA-ja e përdor fuqinë e saj në botë.

Nëse USAID zhduket ose absorbohet nga Departamenti i Shtetit – siç kanë spekuluar shumë analistë – kjo do të shënonte një ndryshim të madh në politikën e jashtme amerikane. Nuk do të kishte më mbështetje të fshehtë për mediat opozitare në vende si Hungaria. Nuk do të kishte më ndihma për lëvizjet demokratike në Bjellorusi. Dhe ndoshta, nuk do të kishte më një USAID që do të financojë organizata të shoqërisë civile që bien ndesh me regjimet autoritare.

Demokratët në Kongres kanë reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke i dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ku paralajmërojnë se shkrirja e USAID-it pa miratimin e Kongresit është e paligjshme. Ata kanë ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e të dhënave të ndjeshme që USAID mban, përfshirë informacionet mbi amerikanët e përfshirë në projekte të ndryshme ndërkombëtare.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se një shkrirje e USAID do të kishte pasoja katastrofike për miliona njerëz që varen nga ndihma e saj. Amnesty International ka deklaruar se “çmontimi i USAID nuk do ta bëjë askënd më të sigurt apo më të pasur – përkundrazi, do të rrezikojë të drejtat dhe jetët e njerëzve në mbarë botën.”

Por në epokën e Trump dhe Musk, çfarë do të thotë vërtet “siguria” dhe “prosperiteti”? A është kjo një përpjekje për të ndërtuar një Amerikë më të fortë, apo për të ndëshkuar një sistem që prej dekadash ka qenë i lidhur ngushtë me establishmentin politik? Dhe mbi të gjitha, a është kjo një betejë për parime, apo një thjesht një përplasje mes miliarderëve dhe burokratëve?

Një gjë është e qartë: ajo që po ndodh me USAID-in është më shumë sesa një reformë. Është një eksperiment i rrezikshëm mbi mënyrën se si Amerika ushtron pushtetin e saj në botë – dhe rezultatet mund të jenë të paparashikueshme.

Afera e udhëtimeve falas: A po pranon Air Albania një skandal korruptiv?

Nga Thoma Gëllçi

Së fundmi, kompania ajrore “Air Albania” ka bërë një deklaratë të bujshme, duke pretenduar se ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe familjarët e tij kanë udhëtuar pa paguar bileta për një periudhë të gjatë. Sipas kompanisë, Ahmetaj i detyrohet një shumë të konsiderueshme për këto udhëtime, ndërsa ai ka premtuar disa herë shlyerjen e borxhit, por nuk ka vepruar ende.

Ky pretendim i ngritur nga “Air Albania” ngre një sërë pikëpyetjesh serioze mbi funksionimin e kompanisë dhe mbi mundësinë e një skandali korruptiv. Si mundet që një individ, pavarësisht funksionit të tij, të ketë pasur mundësinë të udhëtojë pa bileta? Cilat janë mekanizmat e kontrollit të kompanisë që kanë lejuar një situatë të tillë të ndodhë? Dhe më e rëndësishmja, kush e lejoi Ahmetajn të hipte në avion pa pasur një boarding pass të rregullt?

Nëse këto udhëtime janë bërë me dijeninë dhe aprovimin e “Air Albania”, atëherë jemi përballë një praktike që ngjan me ryshfet, ku një kompani private ose me pjesëmarrje publike favorizon një zyrtar të lartë duke i dhënë shërbime falas. Kjo mund të përbëjë një shkelje serioze të rregullave të transparencës dhe etikës në administratën publike. Nëse, përkundrazi, kompania pretendon se është mashtruar ose ka vepruar nën presion, atëherë ajo duhet të japë shpjegime të qarta mbi rrethanat që e bënë të pranojë këtë praktikë.

Përveç kësaj, një aspekt tjetër i rëndësishëm është procedura e udhëtimit ajror. Çdo pasagjer i rregullt duhet të ketë një biletë të vlefshme për të marrë një boarding pass dhe për të kaluar kontrollet e aeroportit. Si është e mundur që Ahmetaj dhe familjarët e tij të kenë kaluar këto procedura pa pagesë? A ka ndodhur kjo me ndihmën e stafit të kompanisë? Apo ka patur urdhra të brendshëm për të lejuar kalimin e tyre pa pagesë?

Ky rast ka nevojë për një hetim të thelluar nga organet përgjegjëse, për të zbardhur të vërtetën dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një abuzim me pushtetin dhe me favorizim të paligjshëm. Gjithashtu, “Air Albania” duhet të shpjegojë publikisht si ka ndodhur ky fenomen dhe çfarë masash do të marrë për të siguruar që raste të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.

Nëse një ish-zv.kryeministër ka pasur trajtim të privilegjuar në këtë mënyrë, atëherë lind pyetja: sa të sigurt mund të jemi që raste të ngjashme nuk kanë ndodhur edhe me zyrtarë të tjerë? Dhe mbi të gjitha, sa e pavarur dhe e ndershme është “Air Albania” në menaxhimin e politikave të saj të biznesit?

80 vjet pas Auschwitz-it: Elon Musk dhe Shprehja “Këpucar, rri te këpuca!

Nga Thoma Gëllçi

Fraza “Këpucar, rri tek këpuca!” lidhet me një histori të lashtë nga Greqia e vjetër, të treguar nga historiani romak Plini Plaku. Historia përfshin piktorin e famshëm Apelles, i cili ishte një prej artistëve më të njohur të kohës së tij.
Sipas tregimit, Apeles krijoi një pikturë dhe e vendosi atë për ta parë publiku. Një këpucar, duke parë pikturën, vuri re se një këpucë në pikturë kishte një gabim dhe e kritikoi atë. Apeles, duke e pranuar kritikën si të drejtë, e korrigjoi gabimin. Por më pas, këpucari filloi të komentonte mbi pjesë të tjera të pikturës që nuk kishin lidhje me zanatin e tij. Në atë moment, Apeles i tha këpucarit: “Këpucar, rri tek këpuca!” (“Ne sutor ultra crepidam” në latinisht), duke nënkuptuar se njerëzit duhet të komentojnë vetëm për gjëra për të cilat kanë njohuri ose kompetencë.

Fraza është bërë një mënyrë për të treguar se është e rëndësishme të qëndrosh brenda fushës së ekspertizës dhe të mos ndërhysh në çështje për të cilat nuk ke njohuri.

Kjo histori m’u kujtua teksa lexoja lajmet dhe shihja njeriun më të pasur në botë, Elon Musk, i cili në mënyrë arrogante ndërhyn në zgjedhjet legjislative gjermane duke marrë hapur anën e ekstremit të djathtë dhe sulmuar demokracinë gjermane. Ai bëri një paraqitje virtuale në një aktivitet fushate të partisë ekstremiste të djathtë AfD në Gjermani dhe, duke iu referuar së kaluarës historike të Gjermanisë, bëri deklarata që relativizoi të kaluarën naziste të Gjermanisë.

Në javën kur bota u ndal për të kujtuar 80-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit të Auschwitz-it, një prej simboleve më të fuqishme të tmerreve të Holokaustit, komentet e Elon Musk shkaktuan tronditje dhe indinjatë të thellë. Deklarata e tij se “fëmijët nuk duhet të ndihen fajtorë për mëkatet e prindërve të tyre, aq më pak të stërgjyshërve” zgjoi shqetësime të mëdha për impaktin që mund të ketë një qasje e tillë në narrativën historike.
Ai bëri një paraqitje virtuale në një tubim të partisë së ekstremit të djathtë gjerman, Alternative für Deutschland (AfD), duke shprehur mbështetje të hapur për kete grup politik që ka nxitur shqetësime serioze në lidhje me stabilitetin e demokracisë gjermane dhe ruajtjen e kujtesës historike.

Veprimi i Musk nuk mund të konsiderohet thjesht si një lëvizje individuale, por si një ndërhyrje e rëndësishme nga një figurë globale në një nga demokracitë më të mëdha të Evropës. Ai jo vetëm që mbështeti një parti politike që njihet për retorikën e saj anti-emigracion dhe përpjekjet për të minimizuar rëndësinë e përgjegjësisë historike të Gjermanisë, por gjithashtu u përfshi në një debat që prek thelbin e identitetit dhe të ardhmes politike të vendit.
Kjo qasje, e cila minimizon ndjenjën e përgjegjësisë historike, bie në harmoni të plotë me platformën e partisë së ekstremit të djathtë gjermane. AfD-ja ka promovuar vazhdimisht një vizion të largimit nga ndjenja e fajit për të kaluarën naziste të Gjermanisë, duke e përshkruar atë si një barrë të panevojshme për brezat e rinj. Në vend që të ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie që kupton rëndësinë e përballjes me historinë, kjo qasje e vendos përpjekjen për pajtim dhe kujtesë në një rrezik të qartë.

Auschwitz-i nuk është thjesht një simbol i tmerreve të kaluara; ai përfaqëson një paralajmërim universal për atë që mund të ndodhë kur urrejtja, intoleranca dhe ekstremizmi lejohen të lulëzojnë. Për këtë arsye, përkujtimi i Holokaustit dhe ruajtja e kujtesës historike janë detyra kolektive për të gjitha shoqëritë që synojnë të ruajnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Komentet e Musk-it, megjithëse të veshura me një gjuhë që pretendon të promovojë një ndjenjë të “shkëputjes” nga e kaluara, në fakt sfidojnë këtë përpjekje, duke e reduktuar kujtesën historike në një barrë emocionale dhe politike që duhet shmangur.

Por kujtesa historike nuk është një zgjedhje; ajo është një domosdoshmëri. Pa një përballje të hapur dhe të ndershme me të kaluarën, është e pamundur të ndërtohet një e ardhme e drejtë dhe e qëndrueshme. Mosrespektimi i kësaj kujtese, është një fyerje për viktimat e nazizmit dhe një kërcënim për të ardhmen demokratike të Gjermanisë dhe botës më gjerë.

Narrativat që minimizojnë të kaluarën historike, si ato që u artikuluan nga Musk, janë pjesë e një prirjeje më të gjerë të revizionizmit historik, që shpesh përdoret nga lëvizjet populiste dhe ekstremiste për të promovuar axhendat e tyre politike. Këto narrativë nuk synojnë vetëm të rehabilitojnë figura dhe ideologji të diskredituara historikisht, por edhe të shërbejnë si një mjet për të mobilizuar mbështetësit përmes manipulimit emocional dhe ngacmimit të nostalgjisë për një “kohë më të mirë” të pretenduar.

Kjo qasje është veçanërisht e rrezikshme në një vend si Gjermania, ku përballja me historinë naziste është një shtyllë e kulturës politike dhe edukative. Mosrespektimi i kësaj kulture kujtese, në emër të një narrative të “shkëputjes nga e kaluara”, jo vetëm që dëmton përpjekjet për pajtim historik, por edhe minon themelet e demokracisë liberale, duke krijuar hapësirë për ideologji ekstremiste dhe përçarëse.

Deklaratat e Musk-it janë një kujtesë se elitat globale kanë një përgjegjësi të madhe për mënyrën se si e përdorin pushtetin dhe influencën e tyre. Kur një figurë me ndikimin e Musk mbështet narrativa që sfidojnë përkujtimin historik dhe promovon një vizion që normalizon ekstremizmin, nuk është thjesht një problem i qëndrimeve individuale, por një kërcënim që mund të ketë pasoja globale.

Nëse bota harron tmerret e Auschwitz-it, ajo rrezikon të përsërisë gabimet e kaluara. Dhe nëse figura të fuqishme si Musk vazhdojnë të minimizojnë rëndësinë e kujtesës historike, përpjekjet për të ruajtur demokracinë, drejtësinë dhe lirinë janë më të rrezikuara se kurrë.

“Make Germany Great Again” dhe hijet e historisë gjermane

Thirrja “Make Germany Great Again”, e bërë nga Elon Musk gjatë fjalimit të tij virtual, është një frazë që ngre shqetësime të mëdha për implikimet e saj historike dhe politike. E ngarkuar me nënkuptime të forta nacionaliste, kjo thirrje bart ngjashmëri të qartë me sloganin e Donald Trump-it, “Make America Great Again”, por në një kontekst historik tërësisht ndryshe dhe shumë më të ndjeshëm.

Kur Musk flet për “bërjen e Gjermanisë madhështore përsëri”, mbetet një pyetje thelbësore: cilës periudhë i referohet ai? Historia e Gjermanisë është e mbushur me kthesa dramatike, nga epoka e Perandorisë Gjermane, te Republika e Vajmarit, dhe deri te periudha më e errët e regjimit nazist. Secila nga këto periudha përfaqëson një kuptim të ndryshëm të “madhështisë” gjermane.

Nëse kjo thirrje lidhet me periudhën e Perandorisë Gjermane, ajo evokon një epokë të industrializimit dhe fuqisë ushtarake, por edhe kolonializmit dhe rivaliteteve që çuan në Luftën e Parë Botërore. Nëse lidhet me periudhën naziste, slogani bëhet jo vetëm provokativ, por thellësisht i rrezikshëm, duke rihapur plagë historike që Gjermania ka punuar shumë për t’i shëruar. Një frazë e tillë nuk mund të mos përfshijë kujtimet e përdorimit të termave si “madhështia” nga propaganda naziste, e cila e ngrinte Gjermaninë mbi të tjerët dhe justifikonte agresionin dhe krimet kundër njerëzimit.

Edhe nëse kjo thirrje synon të lidhet me sukseset ekonomike dhe kulturore të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, ajo ende ngre shqetësime për mënyrën se si perceptimet e “madhështisë” mund të instrumentalizohen për të përhapur nacionalizëm dhe ksenofobi.

Retorika si “Make Germany Great Again” luan me nostalgjinë e publikut për një “kohë më të mirë”, një ndjenjë që populistët shpesh e përdorin për të mobilizuar votuesit dhe për të krijuar përçarje. Por kjo nostalgji, veçanërisht në kontekstin gjerman, është jashtëzakonisht problematike, sepse ajo përmban një shtresë të thellë revizionizmi historik. Kjo frazë i largon gjermanët nga procesi i rëndësishëm i përballjes me të kaluarën dhe promovon një vizion të glorifikuar të historisë që shpesh neglizhon përgjegjësinë për krimet e kaluara.

Në këtë mënyrë, Musk, që pretendon se promovon inovacion dhe të ardhme, në fakt e kthen shikimin prapa, duke nënkuptuar se e kaluara e ndritshme (cilado qoftë ajo) është më e vlefshme se një e ardhme e ndërtuar mbi reflektim dhe përfshirje.

Në Gjermani, ku kujtesa historike për Holokaustin dhe regjimin nazist është një shtyllë e edukimit dhe kulturës politike, slogani i Musk përbën një sfidë për standardet demokratike. Kujtesa e të kaluarës është e domosdoshme për të siguruar që gabimet e historisë të mos përsëriten, dhe çdo përpjekje për ta minimizuar atë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj këtyre vlerave.

Në një kohë kur ekstremi i djathtë po fiton terren në Gjermani dhe në Evropë, mesazhe si ato të Musk nuk janë thjesht provokime, por mjete që mund të fuqizojnë forcat politike që sfidojnë themelet e demokracisë liberale. Duke mbështetur hapur AfD-në dhe retorikën e saj, Musk kontribuon në normalizimin e ideologjive që janë në kundërshtim me vlerat e përbashkëta evropiane të barazisë, diversitetit dhe lirisë.

“Make Germany Great Again” nuk është vetëm një frazë; është një paralajmërim për rrezikun që sjell revizionizmi historik dhe përdorimi i retorikës nacionaliste për qëllime politike. Kur një figurë me ndikimin dhe pushtetin e Elon Musk-ut mbështet hapur narrativat që sfidojnë përpjekjet për pajtim dhe përfshirje, nuk është thjesht një çështje fjalësh, por një akt që mund të ketë pasoja afatgjata për Gjermaninë dhe më gjerë.
Nëse historia na ka mësuar diçka, është se përdorimi i keq i së kaluarës për të justifikuar qëllime politike në të tashmen ka çuar gjithmonë drejt shkatërrimit, dhe është detyra e shoqërive demokratike ta ndalojnë këtë trend para se të jetë tepër vonë. Është koha për t’i thënë Musk: këpucar, rri tek këpuca!

❌