Dardani, 38-vjeçar nga Ferizaj, ka rrëfyer për “KallxoPernime”, për brutalitetin policor, që pretendon se i ndodhi në Stacionin e Policisë në Ferizaj.
38-vjeçari, i cili dëshminë e tij e dha në kushte anonimiteti, pretendon se u godit tri herë me shuplakë nga një hetues policor në ambientet e Stacionit Policor në Ferizaj.
Ai nuk ishte i arrestuar apo i shoqëruar në Polici. Në stacion kishte shkuar vetë për t’u ankuar për sjelljet e një polici tjetër.
“Më 23.06.2024, rreth orës 04:02 të mëngjesit, më thirri gruaja dhe më tha ‘hajde se kom bo ndeshje’. U zgjova nga gjumi, isha me djalin, dhe shkova direkt në vendin e ngjarjes, në fshatin Llojza, drejtim të Shtimes. Kur shkova aty, çdo gjë ishte në rregull, edhe policët ishin aty. Hetuesi më tha: ‘Merre veturën dhe shko në spital, pastaj vjen në stacion. Duke shkuar për në spital, te rrethi afër FSK-së, më ndaloi një polic. Më pyeti me kë jam rreth. I thashë, e kam gruan në spital, nuk jam rreh me kërkon. Ai nisi me bërtit dhe u soll keq me mua.” – rrëfen 38-vjeçari.
Sjelljen e policit në fjalë Dardani kishte vendosur ta raportonte në Stacionin Policor të Ferizajt. Por, sipas dëshmisë së tij, nga aty doli si qytetar i fyer, i kërcënuar dhe i goditur me shuplakë nga një tjetër zyrtar policor brenda stacionit.
“Më futën në një dhomë dhe vendosa me xhiru, se nuk ndihesha mirë prej mënyrës se si u sollën. Erdhën katër policë. I tregova pse kisha ardhë. Hetuesi tjetër filloi me më ofendu – o majmun, kujna po do me i çelë rast? Më tha: zbrazi xhepat – i zbraza. Kur e panë telefonin që po incizon, njëri më goditi me shuplakë.” – shprehet ai.
Qytetari nga Ferizaj thotë se hetuesi i njëjtë e goditi tri herë në fytyrë.
“Jam goditë tri herë me shuplakë. Një herë për incizim, herën e dytë për mosdhënien e kodit të telefonit. Në fund, nga frika, ua dhashë kodin dhe m’i fshinë krejt incizimet. Më detyruan me nënshkru një letër që tërhiqem nga ankesa ndaj policit” – vazhdon dëshmia e Dardanit.
Ai në dëshminë e tij ka fotografi të cilat i ka shkrepur pasi ka dalë nga stacioni e po ashtu ka një raport mjekësor të cilin e ka marrë pasi është trajtuar tek mjeku.
Në stacion kur ndodhi ngjarja kishte edhe policë të tjerë por askush nuk u mor me kërkesën për llogari ndaj zyrtarit, i cili pretendohet se ushtroi dhunë.
Sipas ligjit, nëse një polic është dëshmitar i një rasti të dhunës ndaj një qytetari, ai duhet ta raportojë atë dhe të ndërmarrë masa për ta parandaluar.
Në këtë situatë, kolegët që e panë dhunën do të duhej të hapnin rast në IPK mirëpo kjo nuk ndodhi. Dardani u obligua që personalisht ta denoncojë rastin në IPK.
“Më 24.06.2025 jam takuar me një hetues të IPK-së dhe kam dhënë deklaratë. I thashë: ‘Policia s’ka pas të drejtë me më godit, me më kërcënu, e me më ndal pa arsye. Kur e thirra më vonë hetuesin e IPK-së, më tha: ‘Po teprojshe ti me këto telefonata’. Unë i thashë jam palë e dëmtuar, nuk ka mbet më kurgjo për me sqaru – vetëm drejtësi kërkoj. Që nga ai moment, nuk po muj me fjetë. Nuk ka drejtësi kur polici zyrtar të godet e të kërcënon, në vend që të të ndihmojë. Ku po jetojmë kështu”- tregoi 38-vjeçari.
38-vjeçari nga Ferizaj denoncon edhe publikisht ngjarjen që ndodhi në Stacionin e Policisë në Ferizaj. Ai pretendon që u godit tri herë me shuplakë ndërsa zyrtari që pretendohet se kreu aktin vazhdon ende të punojë.
Policia e Ferizajt nuk ka pranuar të dalë para kamerës dhe ta sqarojë situatën. Të vetmen përgjigje ata e kanë dhënë me shkrim dhe aty e kanë konfirmuar se çështja është duke u hetuar nga IPK-ja.
“Stacioni Policor në Ferizaj është njoftuar lidhur me pretendimet e paraqitura nga ankuesi. Lidhur me këtë çështje, është informuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe më datë 24.06.2025 rreth orës 13:30, ankuesi është intervistuar nga hetuesit e IPK-së në stacionin policor në Ferizaj. Aktualisht, rasti është duke u hetuar nga IPK-ja dhe mbetet në kompetencë të plotë të këtij institucioni për trajtim të mëtejmë.” – thuhet ne përgjigjen e Policisë së Ferizajt.
Policia nuk pranoi të sqarojë situatën duke pretenduar që tash çështja ka kaluar në kompetencë të Inspektoratit Policor të Kosovës. Por, detaje nuk dhanë as nga IPK-ja.
“Referuar kërkesës tuaj mediale, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ju konfirmon se ka pranuar ankesën nga qytetari në fjalë dhe aktualisht çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe veprimet tona do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.” – theksoi IPK-ja në përgjigjen e saj për KALLXO.com.
The post “Tri herë më ka goditë me shuplakë” – Rrëfimi i qytetarit për dhunën në stacionin policor appeared first on Telegrafi.