‘Lotët e krokodilit’, çfarë nënkupton shprehja alegorike për lotët e rremë
Nga Gazeta “SI”– Shprehjen “qan me lot krokodili” me siguri e kemi dëgjuar të gjithë qoftë si një akuzë për emocione të shtirura, qoftë si një mënyrë për të treguar një pendesë të rreme. Por çfarë fshihet pas kësaj shprehjeje që rrënjët i ka në një nga krijesat më të frikshme të botës shtazore?
Origjina e saj është më e lashtë sesa mund të mendohet dhe, siç ndodh shpesh me metaforat e qëndrueshme, është një përzierje midis realitetit dhe legjendës. Ideja se krokodilët qajnë ndërsa hanë prenë e tyre buron nga besime të hershme, që më pas janë zhvilluar në simbolikë morale e madje edhe në gjuhën e mjekësisë moderne.
Nga pikëpamja biologjike, ekziston një shpjegim për këtë sjellje të çuditshme. Krokodilët kanë gjëndra pranë syve, të cilat ndihmojnë në mbajtjen e syve të lagësht dhe në eliminimin e kripërave të tepërta. Gjatë procesit të të ushqyerit i cili përfshin një përpjekje të madhe muskulare dhe gojë të hapur për një kohë të gjatë këto gjëndra mund të shtypen dhe të çlirojnë lëngje që ngjasojnë me lotët. Studime të mëvonshme, si ai i vitit 2006 i neurologut Malcolm Shaner dhe biologut Kent Vliet, kanë vëzhguar këtë fenomen tek aligatorët dhe caimanët, duke përforcuar idenë se “lotët” janë thjesht një reagim fiziologjik ndaj mënyrës së të ushqyerit.

E megjithatë, që nga Mesjeta, njerëzimi i ka dhënë një domethënie tjetër këtyre lotëve. Për herë të parë, shprehja “lotët e krokodilit” është përhapur në tregimet e Sir John Mandeville në shekullin XIV. Në to, përshkruhet një krokodil që qan teksa ha një njeri një përfytyrim grotesk, por që mbante ngarkesë të thellë morale.
Kjo alegori u përqafua gjerësisht në letërsinë klasike. William Shakespeare e përdori shpesh si metaforë për hipokrizinë dhe mashtrimin emocional. Në “Othello”, në “Henry VI” dhe “Antony and Cleopatra”, krokodili shfaqet si simbol i pendesës së rreme. Një tjetër autor i njohur, Edmund Spenser, e përshkruan këtë krijesë si “dinak mizor”, që përdor lotët për të fshehur dredhitë.
Në vijim të kësaj tradite simbolike, figura e “lotëve të krokodilit” është përdorur për të stigmatizuar veçanërisht gratë, të cilat në rrëfimet moralizuese paraqiten si përdoruese të holla të emocioneve të rreme për të manipuluar burrat dhe realitetin. Kjo përplasje mes dhimbjes së dukshme dhe qëllimit të fshehur e bëri shprehjen të depërtojë thellë në gjuhën dhe kulturën popullore.

Madje, kjo shprehje ka gjetur vend edhe në mjekësi. “Sindroma e lotëve të krokodilit”, ose simptoma Bogorad, përshkruan një gjendje neurologjike ku një person derdh lot kur ha. E identifikuar për herë të parë në vitin 1926 nga neurologu rus F.A. Bogorad, kjo sindromë është pasojë e një dëmtimi të nervit të fytyrës, që bën që sinjalet e gjëndrave të pështymës të ngatërrohen me ato të gjëndrave lotsjellëse.
Sipas studiuesit Adam Britton, ndonëse është e vështirë të përcaktosh saktësisht prej nga buron miti i “lotëve të krokodilit”, është e lehtë të kuptosh pse ai është bërë kaq i përhapur: “Për një krijesë kaq të pamëshirshme, lotët mbi viktimën e saj janë një ironi e paharrueshme”, shkruan ai. Ironi që ka shërbyer si burim frymëzimi për shekuj me radhë në letërsi, në filozofi morale, në folklor dhe tashmë edhe në terminologjinë mjekësore.
The post ‘Lotët e krokodilit’, çfarë nënkupton shprehja alegorike për lotët e rremë appeared first on Gazeta Si.