Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 July 2025Main stream

20 vajza e djem nga diaspora në Zvicër, pjesë e shkollës verore “Jam shqiptar”

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ 20 vajza e djem nga diaspora jonë në Zvicër u bënë pjesë e një rrugëtimi fantastik të njohjes me Atdheun.
Përgjatë muajit korrik, të rinjtë patën mundësi të afrohen më shumë me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare përmes mësimit të gjuhës shqipe, vizitave kulturore e historike, si dhe aktiviteteve të shumta kreative që lidhen me identitetin tonë kombëtar.
Shkolla Verore “Jam Shqiptar” realizohet me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Kombëtare të Diasporës, dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën.

The post 20 vajza e djem nga diaspora në Zvicër, pjesë e shkollës verore “Jam shqiptar” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MEPJ: 30 vite në Këshillin e Evropës, kapitull kyç në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha sot se “30 vite të Shqipërisë në Këshillin e Evropës shënojnë një kapitull kyç në rrugëtimin tonë demokratik”.
Në një postim në rrjetet sociale, MEPJ theksoi se “që prej anëtarësimit më 13 korrik 1995, Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera thelbësore që mishërojnë si Këshillin e Evropës, ashtu edhe rrugëtimin tonë evropian”.
“Në këtë përvjetor reflektojmë me krenari mbi progresin e deritanishëm dhe riafirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj këtyre parimeve të përbashkëta. Në një Evropë që ndryshon, Shqipëria mbetet një zë i vendosur për lirinë, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë demokratike”, tha MEPJ.
/k.s//a.f/

The post MEPJ: 30 vite në Këshillin e Evropës, kapitull kyç në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut 2025, përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit, ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.

Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën, ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje, janë domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë, është kontribuese. Nuk presim, po ecim përpara”, theksoi Hasani.

Ministri Hasani nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grup-kapituj negociues, përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Ai paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin.

“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane”, tha ministri Hasani.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani në Forumin e Dubrovnikut 20...
1 nga 4

/e.i//r.e/

The post Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ apelon qytetarët shqiptarë në vendet e Gjirit Persik për kujdes të shtuar

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme apeloi për kujdes qytetarët shqiptarë që jetojnë në Gjirin Persik.

MEPJ këshillon qytetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në vendet e Gjirit Persik, të ndjekin njoftimet e autoriteteve vendase, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore.

MEPJ vë në dispozicion numrat e kontaktit të 4 ambasadave shqiptare në Gjirin Persik, teksa thekson se, për çdo informacion, emergjencë ose ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë në:

AMBASADA SHQIPTARE NË KATAR

Email: embassy.doha@mfa.gov.al

Tel: +974 77180778

AMBASADA SHQIPTARE NË KUVAJT

E-mail: embassy.kuëait@mfa.gov.al

Tel: +965 2524 0627

AMBASADA SHQIPTARE NË ARABI SAUDITE

Email: embassy.riyadh@mfa.gov.al

Tel: +966501422449

AMBASADA SHQIPTARE NË EMIRATET E BASHKUARA ARABE

Email: embassy.UAE@mfa.gov.al

Tel: +971 50 980 7881

/gj.m/j.p/

The post MEPJ apelon qytetarët shqiptarë në vendet e Gjirit Persik për kujdes të shtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata në Izrael, MEPJ: Nuk raportohen shqiptarë të lënduar, ndërpriten fluturimet

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se po ndjek me prioritet dhe vëmendje të veçantë situatën e shtetasve shqiptarë në Izrael, të prekur nga zhvillimet e fundit.

Në një deklaratë për medie, MEPJ njoftoi se deri tani nuk ka asnjë raportim për qytetarë shqiptarë të lënduar apo të dëmtuar.

Aktualisht, sipas MEPJ-së janë evidentuar pesë shtetas shqiptarë në Izrael: tre me status turisti dhe dy me qëndrim të përkohshëm.

“Ambasada jonë në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me ta. Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, janë të informuar dhe po ndjekin udhëzimet e sigurisë të autoriteteve izraelite”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Po ashtu MEPJ njofton se për shkak të situatës, fluturimet janë ndërprerë.

“Për çdo informacion shtesë dhe nevoja emergjente, lutemi të kontaktoni Ambasadën Shqiptare në Tel Aviv në numrat e emergjencës: +972 54 480 6601; +972 54 904 2813”, përfundon njoftimi i MEPJ-së.

Irani ka lëshuar qindra raketa drejt Izraelit, duke u përgjigjur ndaj sulmeve ajrore izraelite në shkallë të gjerë në Iran, të cilat kishin në shënjestër objektet bërthamore iraniane, komandantët ushtarakë dhe shkencëtarët më të mirë.

/m.m/j.p/

The post Situata në Izrael, MEPJ: Nuk raportohen shqiptarë të lënduar, ndërpriten fluturimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani: Për shqiptarët integrimi evropian është një lloj “feje”  

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë vizitës në Athinë, ishte i ftuar gjithashtu në një takim me anëtarë të Institutit “ELIAMEP” – një ndër institucionet më të njohura në Greqi për çështjet e politikës së jashtme dhe evropiane – ku paraqiti progresin e deritanishëm të rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

Hasani theksoi se, “për shqiptarët, integrimi evropian është një lloj “feje” dhe ku reformat e ndërmarra nuk janë vetëm për BE-në, por mbi të gjitha janë për ne”.

“Jemi në momentin më të mirë historik tonin në këtë rrugëtim, me objektiv të qartë mbylljen e negociatave deri në 2027-tën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane deri në fund të kësaj dekade”, nënvizoi më tej Hasani.

/a.f/

The post Hasani: Për shqiptarët integrimi evropian është një lloj “feje”   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani në Qipro takim me presidentin Christodoulides: Intensifikim i dialogut politik

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani nisi sot vizitën e parë zyrtare në Qipro.

Gjatë kësaj vizite Hasani u takua me presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides.

Hasani theksoi se në takim u vlerësuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore mes dy vendeve tona.

“Në vizitën time të parë zyrtare në Qipro, pata kënaqësinë të takoja Presidentin Nikos Christodoulides me të cilin vlerësuam marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore mes dy vendeve tona”, theksoi Hasani.

Ministri nënvizoi se, “është koha për t’i dhënë një shtysë të re intensifikimit të dialogut politik midis Shqipërisë dhe Qipros”.

Si dhe, shtoi ai, “për të thelluar bashkëpunimin tonë ekonomik në sektorë të ndryshëm si turizmi, energjia, TIK, arsimi, farmaceutika, ndërtimi etj”. /j.p/

1 nga 4

The post Hasani në Qipro takim me presidentin Christodoulides: Intensifikim i dialogut politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani pret anëtarët e stafit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA: Forcojmë sigurinë transatlantike

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mikpriti në MEPJ dhe i falënderoi për bashkëbisedimin e mirë që patën, anëtarët e stafit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, si pjesë e programit “Balkans Forward Congressional Fellowship” të Këshillit Atlantik.

Në takim u trajtuan pikëpamjet mbi zhvillimet më të fundit në vend, trajektoren euroatlantike të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor, si dhe rëndësinë strategjike të SHBA-së në rajon.

Hasani theksoi se, “me rëndësi të veçantë është promovimi i stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon, të cilat i shërbejnë vendeve të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe SHBA-së”.

Kësisoj, shtoi ai, “forcojmë sigurinë transatlantike, rrisim qëndrueshmërinë rajonale ndaj ndikimit malinj, dhe zgjerojmë mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në të dy anët e Atlantikut”.

/a.f/r.e/

The post Hasani pret anëtarët e stafit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA: Forcojmë sigurinë transatlantike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulmet vdekjeprurëse në Ukrainë/ Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Dënojmë fuqimisht këtë akt agresioni

26 May 2025 at 10:38

TIRANË- Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka dënuar sulmet e fundit vdekjeprurëse të Rusisë mbi Ukrainë.

Sipas MEPJ, këto sulme minojnë përpjekjet e fundit të bashkësisë ndërkombëtare për të arritur një armëpushim në Ukrainë.

Reagimi i MEPJ: 

“Sulmi i fundit ajror rus në rajone të ndryshme të Ukrainës është një kujtesë thellësisht tragjike e kostos së vazhdueshme njerëzore të kësaj lufte të pajustifikuar. Ne e dënojmë fuqimisht këtë akt agresioni dhe vajtojmë jetët e humbura dhe komunitetet e shkatërruara.

Këto sulme minojnë përpjekjet e fundit të bashkësisë ndërkombëtare për të arritur një armëpushim në Ukrainë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këto sulme të vazhdueshme. Ne bashkohemi me thirrjen globale për një përfundim të menjëhershëm të kësaj lufte. Paqja duhet të mbizotërojë!/abcnews.al

 

Aksident i rëndë rrugor në Gjermani, MEPJ: Humbin jetën tre shtetas shqiptarë

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz (Gjermani) ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.

MEPJ informoi se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim”, bën të ditur MEPJ.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit.

“Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës”, thuhet në deklaratën e MEPJ-së.

Për çdo informacion shtesë, MEPJ vë në dispozicion numrin: +49 1523 79 13 997

/r.e/

The post Aksident i rëndë rrugor në Gjermani, MEPJ: Humbin jetën tre shtetas shqiptarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmijë të shkollës fillore “Mahmut Lekiq” nga Tuzi vizitojnë mjediset e MEPJ

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Fëmijë të shkollës fillore “Mahmut Lekiq” nga Tuzi i Malit të Zi kanë vizituar mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku janë mikpritur nga Zëvendësministret Silda Anagnosti Çepe dhe Megi Fino.

Përmes një bisede të ngrohtë dhe miqësore, fëmijët shprehën krenarinë e tyre për origjinën shqiptare, si dhe emocionet e vizitës së tyre të parë në Tiranë.

Në fund të bashkëbisedimit, ata shprehën dëshirën për t’u rikthyer sërish në Tiranë duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore të organizuara me fëmijë nga diaspora shqiptar.

1 nga 4

/a.f/

The post Fëmijë të shkollës fillore “Mahmut Lekiq” nga Tuzi vizitojnë mjediset e MEPJ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Antalia

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Endrit Yzeiraj përfaqësoi Shqipërinë në Takimin Jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s të zhvilluar mes datave 14-15 maj në Antalia të Turqisë.

Në fokus të këtij organizimi ishin përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë dhe diskutimi mbi objektivin e ri të shpenzimeve për mbrojtje, bëri të ditur Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Shqipëria riafirmoi përkushtimin e saj ndaj sigurisë kolektive dhe kohezionit të Aleancës, thekson MEPJ.

/r.e/

The post Shqipëria pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Antalia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria pjesë e forumit vjetor të iniciativës Adriatiko-Joniane

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Progresi i bashkëpunimit rajonal është një mjet kyç në përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, Armand Skapi mori pjesë në Forumin vjetor të Iniciativës Adriatiko-Joniane (AII) dhe të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), i zhvilluar nën kryesinë greke në Kretë, Greqi.

“Shqipëria e vlerëson kontributin e AII dhe të Strategjisë EUSAIR në fuqizimin e ndërveprimit mes vendeve partnere dhe në përgatitjen e vendeve kandidate për integrimin evropian”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të MEPJ-së.

Strategjia EUSAIR është gjithashtu një mekanizëm kyç për nxitjen e bashkëpunimit shumëpalësh, duke përfshirë vendet anëtare dhe joanëtare të BE-së në një proces të përbashkët zhvillimi dhe vendimmarrjeje.

1 nga 4

/k.s/r.e/a.f/

The post Shqipëria pjesë e forumit vjetor të iniciativës Adriatiko-Joniane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani me ministrin francez për Evropën: Avancojmë objektivat e Komunitetit Politik Evropian në samitin e Tiranës

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mikpritur sot ministrin francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ka nisur një vizitë dyditore në Shqipëri.

Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Sipas ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.

Në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, Hasani vlerësoi veçanërisht angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.

“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Hasani.

Pjesë e rëndësishme e takimit të sotëm ishte edhe Samiti i ardhshëm në Tiranë i Komunitetit Politik Evropian, një samit historik që do të organizohet në Tiranë më 16 Maj 2025.

Hasani u shpreh se, “Shqipëria ka privilegjin dhe nderin të mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës”.

Ndër të tjera, dy ministrat vlerësuan edhe angazhimin aktiv të Francës në Ballkanin Perëndimor, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Francës në promovimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt”, nënvizoi ministri Hasani. /j.p/

The post Hasani me ministrin francez për Evropën: Avancojmë objektivat e Komunitetit Politik Evropian në samitin e Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani: Anëtarësimi në BE brenda 2030-ës, plan i mirëdakordësuar midis KE dhe Shqipërisë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, synimi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 është është një plan i detajuar dhe i mirëdakordësuar midis Komisionit Evropian dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Në një intervistë për “Euronews Albania” i pyetur se sa reale është mundësia që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030, Hasani u shpreh se, “kjo është evidente dhe nuk e thotë vetëm Partia Socialiste, këtë e thonë të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët e shohin Shqipërinë vendin që do të jetë në gjendje të mbylli negociatat teknike brenda vitit 2027 dhe duke filluar nga 2028-a, të nisim dhe të mbyllim brenda 2030-ës negociatat politike me të gjitha vendet anëtare, me parlamente te të gjitha vendet anëtare për të ratifikuar dokumentin e anëtarësimit”.

“Kjo është e qartë, kjo është thënë hapur. Komisionerja Kos, zv.presidentja Kallas e kanë shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme që ky është plani dhe është një plan i detajuar dhe i mirëdakordësuar midis Komisionit Evropian dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, tha Hasani.

“Kjo është mënyra sesi ne do të vazhdojmë dhe perceptojmë shumë qartë drejtimin e një vendi, e një shoqërie e një grupi njerëzish që janë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për një të ardhme me pasaportën evropiane në fund të kësaj dekade”, theksoi ministri.

Sa i përket hapjes së Konsullatës së Shqipërisë në Ulqin, Hasani tha se, “bëhet fjalë për një ëndërr të gjithë atyre shqiptarëve, që flamuri i Shqipërisë të ngrihej dhe të ishte dinjitoz që nga Lidhja e Prizrenit. 1881 dhe 2025-a janë dy momentet në të cilat flamuri është ngritur gjithmonë krenarisht aty, por zyrtarisht që prej pak muajsh dhe që nga 7 prilli unë kam bërë inaugurimin zyrtar të hapjes së Konsullatës së Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”.

“Ulqini është kryeqendra e shqiptarëve në Mal të Zi. Ulqini është një nga qytetet tona shumë të rëndësishme. Ulqini është ura lidhëse midis dy shoqërive tona, midis dy shteteve tona, midis rrugëtimit tonë të përbashkët, pa dyshim drejt BE-së”, u shpreh Hasani.

“Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që në progresin për sa i përket angazhimit në rrugën drejt anëtarësimit janë vendet pararojë dhe le t’i përdorim këto simbolikat e mira pikërisht për këtë, për të forcuar prezencën dhe bashkëpunimin tonë”, tha Hasani.

Ministri vuri rëndësinë tek ajo që kërkon të bëjë qeveria lidhur me shqiptarët në rajon

“Vizioni i qeverisë është përkthyer gjithashtu edhe në struktura. Ne kemi një drejtori të posaçme që do të merret me faktorin shqiptar në rajon dhe punën e kësaj drejtorie do të jetë hartëzimi i nevojave, kërkesave dhe domosdoshmërive që shqiptarët kanë në rajon, qoftë kjo për qendra kulturore, librari, projekte zhvillimi, shkollash, qendrash shëndetësore me radhë”, theksoi Hasani.

Ministri foli edhe për projektin për hapjen e Konsullatës në Luginën e Preshevës.

“Padyshim që ne kemi një projekt të mirë, jo vetëm për përfaqësinë të Republikës së Shqipërisë atje, por edhe për mënyrën e angazhimit edhe për afrimin sa më të madh të të gjitha mundësive që ne të mund t’i ofrojmë vëllezërve dhe motrave tanë në Luginë. Jemi në kontakt të përhershëm dhe konkret me të gjithë faktorët dhe aktorët shqiptarë në Luginë dhe jam i bindur që e gjithë kjo dinamikë do të jetë pozitive që do të prodhojë projekte shumë të mira në funksion të gjithë shqiptarëve në rajon”.

Hasani gjithashtu shtoi se ka një bashkëpunim efikas me Kosovën në shumë shërbime konsullore duke sjellë si shembull Konsullatat në Milano dhe Mynih.

Sa i përket marrëdhënieve me Greqinë, Hasani u shpreh se, “marrëdhëniet janë shumë të mira. Gjërat po progresojnë në mënyrën e duhur. Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi ën kontakt të drejtpërdrejtë, për të qartësuar çdo moment, i cili është i rëndësishëm për rrugëtimin e të dyja vendeve, si dy vendeve fqinje, si dy vende shumë të afërta në raport me ato angazhime që kemi marrë përsipër. Jemi dy vende aleate në NATO. Një vend anëtar i BE-së me fqinj kandidat për në BE dhe jemi gjithnjë e më shumë të fokusuar për të plotësuar ato nevoja dhe detyrime që kemi për ta bërë Shqipërinë sa më shpejt një vend anëtar të BE-së”. /j.p/

The post Hasani: Anëtarësimi në BE brenda 2030-ës, plan i mirëdakordësuar midis KE dhe Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fino në Rumani takim me ministrin Hurezeanu, në fokus rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE

27 March 2025 at 15:19

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino gjatë një vizite zyrtare në Rumani u takua në Bukuresht me ministrin e Jashtëm rumun, Emil Hurezeanu.

Takimi konsistoi në diskutim mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh.

Në kuadër të konsultimeve, në takim u vlerësua angazhimi i ndërsjellë për të avancuar axhendën e përbashkët.

Takimi i zv/ministres Fino me minstrin Hurezeanu u pasua nga konsultimet e frytshme me Sekretaren e Shtetit për Çështjet e BE-së, Clara Staicu, me fokus në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.

Fino dhe Staicu diskutuan mbi disa hapa praktikë për të avancuar procesin, duke forcuar lidhjet politike, ekonomike dhe shumëpalëshe.

/a.f/

The post Fino në Rumani takim me ministrin Hurezeanu, në fokus rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asambleja e Përgjithshme e “Confindustria Albania”/ Hasani: MEPJ, urë e fortë lidhëse për investitorët e huaj

27 March 2025 at 14:59

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë sot në Asamblenë e Përgjithshme 2025 të “Confindustria Albania”, e cila organizoi aktivitetin me temë “Konkurrueshmëria dhe e Ardhmja: Bizneset, Territori, Komuniteti Konfindustrial”.

Në fjalën përmbyllëse, Ministri Hasani fillimisht vlerësoi faktin se “Confindustria Albania” që prej fillimit ka qenë një partner kyç në promovimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, duke ofruar mbështetje në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona.

“Për ne, ky bashkëpunim është i çmuar, dhe do të vazhdojmë ta mbështesim me shumë entuziazëm. Ky është një angazhim që kërkon bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë, ku Italia ka një rol të jashtëzakonshëm. Pas dy dekadash marrëdhëniesh intensive, Italia është një nga investitorët më të rëndësishëm në Shqipëri dhe një aleat strategjik në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Ministri Hasani cilësoi se aktualisht Shqipëria është në momentin më të mirë historik në rrugëtimin e saj evropian: me objektiv hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda këtij viti, mbylljen e negociatave brenda vitit 2027-të, dhe me një vizion të qartë për t’u bërë pjesë e familjes së vlerave evropiane para 2030-tës.

Ai u shpreh se:“Anëtarësimi në BE është një mundësi për t’u pozicionuar më mirë në një mjedis global dhe për të rritur potencialin e saj ekonomik. Kjo nuk është një mundësi që do të vijë vetvetiu. Ne duhet të punojmë ngushtë me sektorin privat për të krijuar një atmosferë investimesh dhe inovacionesh që mund të transformojnë ekonominë tonë. Roli i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) është të jetë një urë lidhëse, të promovojë eksporte dhe të tërheqë investitorë strategjikë. Për të arritur sukses në këtë proces, të cilit i jemi angazhuar plotësisht, është e domosdoshme një partneritet i fortë mes qeverisë dhe sektorit privat. Vetëm me bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë strategjikë mund të maksimizojmë përfitimet e integrimit tonë në Bashkimin Evropian”.

Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu edhe një ndër fokuset kryesore të MEPJ, e cila është mbështetja për iniciativat që lidhin biznesin vendas me diasporën shqiptare.

“Diaspora shqiptare është një pasuri e jashtëzakonshme që ka potencialin të luajë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Ajo është një nga fokuset kryesore të politikave tona. Diaspora shqiptare, veçanërisht ajo e madhe që jeton në Itali, ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar në rritjen e ekonomisë shqiptare. Dhe këtu, ndaj bindjen e palëkundur se ajo është aset i paçmuar që duhet të shfrytëzohet në mënyrë strategjike.”, u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Fino për ATSH: Shqipëria ka potencialin të bëhet histori suksesi e zgjerimit të BE-së brenda kësaj dekade

23 March 2025 at 10:02

TIRANË, 23 mars /ATSH/ “Shqipëria ndodhet në një pozitë të fortë ndërkombëtarisht, në rajon dhe në planin e brendshëm, duke u afirmuar si një model suksesi për zgjerimin e BE-së. Ky moment është një mundësi për të dëshmuar që Shqipëria mund të jetë një histori suksesi në valën e ardhshme të zgjerimit, duke e konsoliduar rolin e saj si një partner strategjik për BE-në”.

Kështu u shpreh zv.ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare gjatë së cilës foli për progresin dhe sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Fino foli për hapjen e grup-kapitullit 6 të negociatave, që përfshin marrëdhëniet e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, dhe përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur kriteret e BE-së në këto fusha.

Po ashtu, Fino foli edhe për  planet dhe strategjitë për përmbylljen e kapitujve të negociatave, si dhe rolin që Shqipëria pret të luajë në procesin e integrimit në BE.

Intervista e zv/ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino për ATSH:

ATSH: Çfarë progresi ka bërë Shqipëria në ecurinë e grup-kapitullit 6 të negociatave me Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve të jashtme?

Fino: Grupkapitulli 6 i negociatave me BE “Marrëdhëniet e  jashtme”, përfshinë dy kapituj mbi politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, politikat tregtare dhe ato të zhvillimit. Këto janë fusha me rëndësi strategjike, veçanërisht në kuadrin e sfidave në situatën aktuale të sigurisë në Evropë dhe në botë. Rrjedhimisht është bërë edhe më e rëndësishme që ku vendet kandidate, si Shqipëria, të përafrojnë plotësisht qasjet e tyre me ato të BE-së.

Shqipëria ka ndjekur një përafrim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me politikat e BE-së që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në 2003. Në mënyrë të veçantë për sa i përket përputhshmërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) ku ka arritur në një standard shumë të lartë, me 100% linjëzim me qëndrimet e BE-së. Gjithashtu edhe roli aktiv në organizata ndërkombëtare ka dëshmuar gatishmërinë dhe aftësinë e Shqipërisë për të kontribuar në arkitekturën e sigurisë dhe bashkëpunimit global. Kjo është reflektuar në angazhime të rëndësishme, të tilla si kryesimi i OSBE-së në vitin 2020, mandati si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023 dhe pjesëmarrja aktive në Misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së.

Në fushën e sigurisë, Shqipëria ka kaluar nga një vend përfitues në një kontribuues aktiv dhe partner i veçantë i BE-së në mbrojtje dhe siguri. Duke përfshirë përparime të qenësishme në masat për kontrollin e armëve dhe luftën kundër trafikimit të armëve, angazhimin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përmirësimin e mekanizmave për sigurinë e informacioneve të klasifikuara, si dhe thellimin e bashkëpunimit me BE-në në çështjet e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes strategjike.

Përparimi i Shqipërisë në këtë grup-kapitull është reflektuar edhe në dy progres-raportet e fundit të Komisionit Evropian, të cilat kanë vlerësuar vendin si të përgatitur mirë dhe në një nivel të avancuar për të vijuar negociatat në këtë fushë. Padyshim që ky vlerësim dhe progresi i Shqipërisë në këtë fushë ishte vendimtar për hapjen e negociatave të Grupkapitullit 6 më 17 dhjetor 2024.

ATSH: Cilat janë sfidat kryesore që Shqipëria duhet të përballet për të përmbushur kriteret e kapitujve të grup-kapitullit 6 dhe si po adresohen ato?

Fino: Adresimi i detyrimeve brenda grupkapitullit 6 ka nisur shumë herët, madje përpara se të hapej zyrtarisht ky grupkapitull, duke reflektuar angazhimin strategjik të Shqipërisë për përafrimin me BE-në në fushat e politikës së jashtme, sigurisë, mbrojtjes dhe tregtisë.

Sfida kryesore në këtë grupkapitull nuk është thjesht përmbushja e kritereve teknike, por vazhdimësia dhe konsolidimi i progresit të arritur. Objektivi është që Shqipëria të vazhdojë të marrë vlerësime gjithnjë e më të larta në raportet e progresit, duke garantuar kushtet për mbylljen e këtyre kapitujve sa më shpejt.

Duke qenë se Shqipëria ka hyrë në këtë fazë të negociatave me një nivel të lartë përgatitjeje, fokusi kryesor tashmë është forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve institucionale dhe administrative për të siguruar zbatimin efektiv të legjislacionit të BE. Kjo përfshin rritjen e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, zbatimin e standardeve të BE-së për rregullimin e tregtisë së jashtme dhe ndihmës shtetërore, si dhe përafrimin e plotë me politikat e sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, duke kaluar në pjesëmarrje aktive si një partner kontribuues.

Shqipëria tashmë ka vendosur piketat kryesore për mbylljen e këtyre kapitujve, duke hartuar plane të detajuara veprimi që synojnë plotësimin e të gjitha kërkesave deri në 2026. Procesi po vijon sipas planit, me objektivin për të siguruar kalimin gradual në fazën e mbylljes së kapitujve, një moment kyç në procesin e negociatave me BE-në.

ATSH:Si do ta ndihmojë hapja e të gjithë grupkapitujve brenda vitit 2025 procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Fino: Hapja e të gjithë grup-kapitujve është një hap i natyrshëm dhe i pritshëm në progresin e negociatave, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Ky moment do të ketë disa përfitime të rëndësishme për procesin e integrimit. Në aspektin politik, hapja e grup-kapitujve do të forcojë besueshmërinë e Shqipërisë si një partner serioz në procesin e zgjerimit të BE-së. Ky hap do të dëshmojë se Shqipëria ka jo vetëm përgatitjen teknike, por edhe vullnetin politik për të avancuar me reformat e nevojshme, duke rifituar kohën e humbur në këtë rrugëtim.

Për Shqipërinë, ky zhvillim nuk është thjesht një hap procedural, por një mundësi për të përdorur gjithë përgatitjen e bërë gjatë viteve të fundit dhe për të përshpejtuar më tej procesin e anëtarësimit. Hapja e kapitujve do të vendosë bazat për mbylljen e kapitujve të parë brenda vitit të ardhshëm, duke i lejuar Shqipërisë të ruajë një moment negociues të qëndrueshëm. Ky ritëm i reformave do të ndihmojë Shqipërinë të jetë në një pozitë të favorshme për të mbyllur kapitujt gradualisht, duke e afruar më shumë me anëtarësimin në BE.

Një tjetër përfitim i drejtpërdrejtë i hapjes së grupkapitujve është rritja e aksesit në fondet dhe programet mbështetëse të BE-së, të cilat janë thelbësore për të financuar reformat dhe për të përmirësuar kapacitetet institucionale.

Shqipëria ndodhet në një pozitë të fortë ndërkombëtarisht, në rajon dhe në planin e brendshëm, duke u afirmuar si një model suksesi për zgjerimin e BE-së. Ky moment është një mundësi për të dëshmuar që Shqipëria mund të jetë një histori suksesi në valën e ardhshme të zgjerimit, duke e konsoliduar rolin e saj si një partner strategjik për BE-në.

Duke marrë parasysh progresin e bërë dhe mbështetjen nga BE, hapja e kapitujve brenda 2025 do të sigurojë kohën e nevojshme për të arritur objektivin e mbylljes së kapitujve të parë sa më shpejtë. Shqipëria ka vendosur një plan ambicioz, por të realizueshëm, duke synuar mbylljen e kapitujve më të avancuar deri në 2026. Në këtë kontekst, hapja e të gjithë grupkapitujve nuk është vetëm një hap procedural, por një tregues i qartë i përkushtimit të Shqipërisë për të përfunduar me sukses këtë proces. Me ritmin aktual të reformave dhe mbështetjen e BE-së, Shqipëria ka potencialin të bëhet një histori suksesi e zgjerimit brenda kësaj dekade.

ATSH: Sa i përket mbylljes së kapitujve të parë të negociatave me BE-në, cili është synimi dhe si mund të arrihet?

Fino: Shqipëria ka vendosur një strategji të qartë dhe të strukturuar për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave me BE-në brenda 2026. Shqipëria synon përmbylljen e piketave të ndërmjetme të grupkapitujve themelorë para finalizimit të Grup-kapitullit 6. Kjo qasje do të ndihmojë veçanërisht në krijimin e një ritmi të qëndrueshëm në negociata, duke demonstruar se Shqipëria është e aftë të përmbushë kriteret e BE-së. Gjithashtu, kjo do të rris edhe besueshmërinë ndaj procesit negociator dhe do të sjellë edhe sigurimin e mbështetjes më të madhe nga BE, e cila do të përforcojë angazhimin politik dhe financiar për të përshpejtuar fazat e mëtejshme të anëtarësimit.

Veçanërisht në këndvështrimin e aspiratës për përmbylljen e negocimit teknik brenda vitit 2027, ky synim është i realizueshëm. Në këtë kontekst, mbyllja e kapitujve të parë sa më shpejtë do të shërbejë si një katalizator për të garantuar që Shqipëria të ruajë një ritëm të shpejtë negociator deri në fazën përfundimtare. Në këtë formë do të krijohet motivim shtesë për të vijuar me intensitet më të lartë në negociatat e mëtejshme si dhe duke dëshmuar se Shqipëria ka kapacitet për të prodhuar rezultate të matshme dhe të qëndrueshme, duke e pozicionuar si një vend kandidat me perspektivë të qartë anëtarësimi. Ky proces do të sigurojë që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim brenda dekadës, duke e afirmuar si një nga vendet më të avancuara në këtë valë të zgjerimit të BE-së.

ATSH: Shqipëria pritet të mbajë konferencën e katërt ndërqeveritare, cilat janë prioritetet kryesore të vendit tonë në këtë konferencë?

Fino: Megjithëse data 18 mars nuk ishte e mundur të realizohej për shkak të rrethanave të kalendarit të papërshtatshëm, Shqipëria mbetet e përkushtuar për të mbajtur konferencën e katërt ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur, idealisht brenda muajit prill. Për më tepër, po punojmë për të krijuar kushtet që të kemi jo vetëm këtë konferencë, por edhe një të pestë në një afat të arsyeshëm kohor, për të siguruar progres të vazhdueshëm në negociatat tona me BE-në.

Sa i përket angazhimit tonë, Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe ka intensifikuar përgatitjet për këtë konferencë, duke i dhënë prioritet hapjes dhe përparimit të kapitujve të mbetur të negociatave, përshpejtimit të përgatitjeve për mbylljen e kapitujve të parë, sigurimit të mbështetjes teknike dhe financiare nga BE për reformat kyçe, si dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në politikat e përbashkëta të BE-së në siguri, tregti dhe zhvillim ekonomik.

Duke qenë se ky është një proces dypalësh mes Shqipërisë dhe BE-së, data e konferencës do të zyrtarizohet në momentin që do të kemi një ftesë dhe një datë të konfirmuar nga BE për zhvillimin e saj. Ajo që është e qartë, është se Shqipëria ka bërë përgatitjet e saj dhe është gati për të avancuar negociatat me ritëm të përshpejtuar.

/j.p/

The post Fino për ATSH: Shqipëria ka potencialin të bëhet histori suksesi e zgjerimit të BE-së brenda kësaj dekade appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani: Hapja e zyrës së BEI në Shqipëri, mesazh i fortë besimi për klimën ekonomike

13 March 2025 at 12:43

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se hapja e zyrës së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri dërgon një mesazh të fortë besimi për klimën ekonomike.

Në prezantimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri”, Hasani u shpreh se, ky është një pr/ligj me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Ky është një moment kyç për të forcuar marrëdhëniet tona me BE-në dhe për të thelluar bashkëpunimin financiar dhe zhvillimor me BEI, një nga institucionet më të respektuara në kontinent”, tha Hasani.

“Ky pr/ligj synon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri dhe ky hap shënon një mundësi shumë të mirë për të avancuar Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi ai.

Hasani u shpreh se, marrëveshja ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë, pasi shtoi ministri, “hap dyert për financime të tjera dhe mbështetje për projekte kyçe që do të kontribuojnë për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve tanë”.

“Hapja e një zyre të kësaj banke në Tirana është një mundësi për të përshpejtuar realizmin e projekteve strategjike si infrastruktura, energjia e rinovueshme, dixhitalizimi, kujdesi shëndetësor apo arsimi”, u shpreh Hasani.

Gjithashtu, shtoi ai, “kjo marrëveshje synon mbështetje për sektorët që janë prioritete për qeverinë shqiptare, si mbështetje për biznese te vogla përfshirë sipërmarrjet e grave”.

“Prania e BEI në Shqipëri dërgon një mesazh të fortë besimi për klimën ekonomike dhe përkushtimin e  qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Hasani.

“Ky hap do të krijojë mundësi të reja për përshpejtimin e reformave dhe për rritjen e integrimit rajonal, duke kontribuuar në përparimin gjithë Ballkanit perëndimor”.

BEI do të ofrojë financim dhe asistencë teknike duke siguruar që projektet strategjike të realizohen në kohë dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Në planin politik hapja e kësaj zyre është një tjetër mundësi për konsolidimin e marrëdhënieve dhe forcimin e partneritetit tonë në BE. Ky është një sinjal i qartë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe është në rrugën e duhur drejt integrimit të plotë në BE. /j.p/

The post Hasani: Hapja e zyrës së BEI në Shqipëri, mesazh i fortë besimi për klimën ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri –  Sllovaki, forcim i lidhjeve ekonomike

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Marek Eštok.

Në takim u diskutuan gjerësisht mbi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Sllovaki, bëri të ditur sot Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në fokus të diskutimeve ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, bashkëpunimi shumëpalësh dhe forcimi i lidhjeve ekonomike.

1 nga 4

/r.e/a.f/

The post Shqipëri –  Sllovaki, forcim i lidhjeve ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌