Çfarë nëse fëmija ha një gur plazhi, sapun nga banja apo, edhe më keq – një bateri nga lodra? Çfarë është pa rrezik dhe çfarë mund të rrezikojë seriozisht shëndetin e fëmijës dhe si duhet të reagojnë prindërit?
Një nga makthet më të mëdha të prindërve, kur fëmijët gëlltisin objekte që nuk janë ushqim.
Çfarë është pa rrezik dhe çfarë mund të jetë kërcënuese për jetën? Si të kuptojmë rrezikun dhe kur duhet të kërkojmë menjëherë ndihmë?
Gurët, rëra, algat, sapuni… Nuk janë të gjithë objektet njësoj të rrezikshme
Shumica e trupave të huaj që gëlltiten nga fëmijët nuk përbëjnë rrezik serioz, sidomos nëse janë të vegjël dhe kalojnë lirshëm në traktin tretës. Kjo ndodh më shpesh tek fëmijët deri në moshën 5 vjeç, dhe objektet janë zakonisht pjesë të vogla lodrash ose sende nga ambienti rrethues. P.sh. guri në ezofag, nëse është i madh dhe bllokohet, mund të shkaktojë probleme serioze, por vetë guri nuk është toksik.
Sa i përket rërës dhe algave, rëra zakonisht nuk paraqet problem, përveç nëse fëmija konsumon sasi të mëdha ose nëse është e ndotur me baktere ose substanca toksike. Algat e zakonshme detare, si ato mesdhetare, zakonisht nuk janë toksike në sasi të vogla, megjithatë disa algat e njohura si toksike duhet të shmangen.
Një çrregullim i njohur mjekësor, pica, karakterizohet nga dëshira për të ngrënë gjëra jo ushqimore si rëra, dhe kjo mund të jetë shenjë e mungesës së hekurit ose problemeve të tjera shëndetësore, veçanërisht në fëmijët me anemi, transmeton Telegrafi.
Kur një objekt i gëlltitur paraqet kërcënim serioz?
Mjekët shqetësohen më së shumti për këto objekte:
Bateritë alkaline dhe bateritë në përgjithësi (sidomos bateritë me formë monedheje) Objektet me maja të mprehta (gjilpëra, copa të thyer lodrash, objekte të mprehta metalike) Disa magnete të vogla, veçanërisht nëse janë të shumta dhe përthyhen në traktin tretës Objekte me diametër mbi 2.5 cm ose gjatësi mbi 5-6 cm, të cilat mund të bllokohen në ezofag ose traktin tretës (varësisht nga mosha dhe madhësia e fëmijës).
Rreziku nga bateritë
Bateritë me formë monedhe janë jashtëzakonisht të rrezikshme sepse mund të shkaktojnë djegie kimike, nekrozë (vdekje të indeve) dhe perforim të ezofagut vetëm brenda disa orësh nga gëlltitja. Kjo ndodh për shkak të një reagimi elektrik dhe kimik të baterisë me lagështinë e trupit. Fëmija mund të mos ketë simptoma fillimisht, prandaj reagimi i shpejtë është thelbësor.
Simptomat e para për t’u vënë re:
Vështirësi në gëlltitje të ushqimit dhe lëngjeve Prodhim i tepërt i pështymës Të vjella Dhimbje në fyt ose kraharor Kollë, mbytje, ose vështirësi në frymëmarrje Ndryshime në zë ose rënie e oreksit
Fatkeqësisht, edhe trupat më të rrezikshëm mund të kalojnë pa simptoma fillimisht, prandaj është shumë e rëndësishme që prindërit të vëzhgojnë çdo ndryshim në sjellje, ushqim dhe frymëmarrje të fëmijës.
Kujdes i veçantë për produktet e pastrimit
Nëse fëmija pi acid ose bazë që janë përbërës kryesorë në produktet e pastrimit (p.sh. detergjente, pastrues për tualet, amoniak), mund të shkaktohen dëmtime serioze në ezofag dhe stomak. Sidomos bazat (p.sh. hidroxid natriumi), të cilat nuk kanë shije të veçantë dhe mund të gëlltiten në sasi më të mëdha pa u ndjerë menjëherë, shkaktojnë dëmtime më të thella dhe më të rënda. Acidet zakonisht dëmtojnë sipërfaqësisht, por të dyja mund të lënë pasoja të rënda që kërkojnë trajtim emergjent.
Është e rëndësishme që produktet e rrezikshme të mos ruhen në shishe ose kuti të tjera, sepse fëmija mund t’i ngatërrojë me pije të zakonshme.
Çfarë duhet bërë nëse ndodh diçka?
MOS i jepni fëmijës lëngje, qumësht, lëngje frutash apo ushqim! Kjo mund të përkeqësojë dëmtimet duke shpërndarë substancën toksike ose duke shkaktuar të vjella të forta.
Në rast të gëlltitjes së baterisë me formë monedhe dhe nëse fëmija është mbi 1 vjeç dhe nuk është alergjik, mund t’i jepni një lugë mjaltë, i cili mund të ndihmojë në neutralizimin e aciditetit dhe ngadalësimin e dëmtimeve deri në mbërritjen tek mjeku. Mjalti nuk duhet dhënë tek fëmijët nën 1 vjeç për shkak të rrezikut të botulizmit.
Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore, pavarësisht nëse fëmija ka simptoma apo jo. Në spitale mund të kryhet endoskopia emergjente për nxjerrjen e objektit.
Gjatë pushimeve ose nëse jeni larg qendrave shëndetësore, kini gjithmonë në dijeni numrin e urgjencës dhe vendin më të afërt për trajtim emergjent pediatrik.
Mesazhi më i rëndësishëm për prindërit
Nëse dyshoni se fëmija ka gëlltitur diçka të rrezikshme, shkoni menjëherë tek mjeku. Mos prisni simptomat, sepse ato mund të vonojnë dhe dëmtimi mund të jetë serioz. Mbikëqyrja dhe ndërhyrja e shpejtë shpëton jetë. /Telegrafi/
Kur tek fëmijët kultivojmë aftësi si rezistenca, kurioziteti apo vetbesimi, u ndihmojmë të nisin të ardhmen me më shumë siguri, pavarësisht rrugës që zgjedhin
Fëmijëria është e mbushur me ngritje dhe rënie, nga presionet shkollore te mosmarrëveshjet me shokët. Si prindër, të gjithë dëshirojmë që fëmija ynë të jetë i suksesshëm, në shkollë, në marrëdhëniet me të tjerët, por edhe në planin emocional. Megjithatë, suksesi nuk do të thotë të jesh i përkryer, të kontrollosh gjithçka apo të dish përgjigjet për çdo pyetje.
Suksesi i vërtetë vjen nga brenda, nga tiparet që i ndihmojnë fëmijët të përballen me sfidat, të mësojnë nga gabimet dhe të rriten si njerëz me vetëbesim dhe empati. Nuk ka të bëjë me nota apo superioritet në gjithçka, por me zhvillimin e forcave të brendshme që i ndihmojnë të ecin përpara me guxim, kuriozitet dhe zemër të hapur.
Sipas psikologes Jamie Bloh, ekzistojnë pesë tipare kyçe që bëjnë vërtet ndryshimin. Kultivimi i tyre i jep fëmijës jo vetëm rezultate të mira, por edhe forcë emocionale për jetë, transmeton Telegrafi.
1. Rezistenca
Jeta sjell sfida – rënie, dështime, zhgënjime. Fëmijët që zhvillojnë rezistencë nuk tremben nga gabimet, sepse i shohin ato si mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Në vend që të dorëzohen, përpiqen sërish. Kjo tipar i ndihmon të përballen me problemet dhe të ndihen më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në situatat e përditshme.
Si ta nxitni: Bisedoni me fëmijën për gabimet si pjesë normale të jetës. Ndani përvojat tuaja kur diçka nuk shkoi siç prisnit dhe si e përballuat.
shutterstock
2. Kurioziteti
Fëmijët eksplorojnë natyrshëm botën përreth, dhe kurioziteti është motori i të nxënit. Pyetje si “Pse?”, “Si?” dhe “Po sikur?” nuk janë vetëm të bukura, por baza e zhvillimit të fëmijës. Një fëmijë kurioz nuk kërkon thjesht informacione, por mendon, eksploron dhe fiton një kuptim më të thellë të botës.
Si ta nxitni: Jepni fëmijës hapësirë për kërkime. Kërkoni përgjigje së bashku, bëni pyetje të hapura dhe tregoni durim kur një pyetje “pse” shndërrohet në dhjetë të tjera.
3. Empatia
Fëmijët me empati kuptojnë më lehtë ndjenjat e të tjerëve, reagojnë me kujdes dhe krijojnë marrëdhënie më cilësore. Ky tipar është veçanërisht i rëndësishëm në botën e sotme, ku komunikimi, puna në grup dhe mirëkuptimi janë themeli i çdo marrëdhënieje të shëndetshme, qoftë në familje, shkollë apo më vonë në punë.
Si ta nxitni: Flisni për ndjenjat, lexoni libra me personazhe që kalojnë përvoja të ndryshme dhe diskutoni për ndjenjat e të tjerëve. Jepni shembull me empatinë tuaj.
shutterstock
4. Disiplina (ose vetëkontrolli)
Fëmijët që ndihmohen të zhvillojnë disiplinën fokusohen më mirë, përfundojnë detyrat dhe dinë të përballojnë shtyrjen e kënaqësisë. Nuk do të thotë ashpërsi, por forcë të brendshme që tregon se kur është koha për lojë dhe kur për detyra. Disiplina ndërton ndjenjën e arritjes dhe vetëbesimin.
Si ta nxitni: Vendosni kufij të qartë, por fleksibël. Futni rutinë dhe caktoni së bashku qëllime të vogla e të arritshme. Lëvdojeni përpjekjen, jo vetëm rezultatin.
5. Vetëbesimi
Fëmija që beson në vetvete ka guxim të provojë gjëra të reja, të shprehë mendimet dhe të përballet me dështimin. Vetëbesimi nuk buron nga suksesi, por nga ndjenja që je i dashur, i pranuar dhe i aftë, edhe kur ende nuk di gjithçka.
Si ta nxitni: Inkurajoni fëmijën, mbështeteni në eksplorim dhe festoni hapa të vegjël përpara. Jepni mundësi që të zgjidhë problemin vetë para se t’i ofroni ndihmë. /Telegrafi/
Në dekadat e fundit, roli i televizionit dhe pajisjeve me ekran ka ndryshuar thelbësisht jetën e fëmijëve. Ato nuk janë më thjesht burime argëtimi, por janë bërë bashkudhëtarë të përditshmërisë, shpesh herë të pakontrolluar. Por çfarë ndikimi kanë realisht në shëndetin fizik, mendor dhe emocional të fëmijëve tanë?
Dr. Halit Mehmeti, Pediatër Tel. 044308026
Akademia Amerikane e Pediatrisë është shumë e qartë në këtë pikë: “Fëmijët më të vegjël se tetëmbëdhjetë deri njëzet e katër muaj nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve digjitale, përveç video-bisedave” (cituar nga Udhëzuesi i Përdorimit të Mediave për Fëmijët e Vegjël, 2016).
Efektet negative të ekraneve
Zhvillimi gjuhësor dhe kognitiv vonohet
Një studim i publikuar në JAMA Pediatrics (Christakis et al., 2004) tregoi se për çdo orë televizion në ditë në moshën një deri tre vjeç, rritej rreziku për probleme me vëmendjen në moshën shtatë vjeç me dhjetë për qind. Fëmijët mësojnë gjuhën përmes bisedës së drejtpërdrejtë, kontaktit sy më sy, mimikës dhe tonit të zërit.
Televizioni është një mjet njëdrejtimësh – nuk i përgjigjet fëmijës, nuk ndërton dialog. Përmbajtja vizuale e televizorit është e shpejtë dhe shumë stimuluese, duke i bërë fëmijët më pas të jenë më pak të duruar dhe më të shpërqendruar në biseda reale dhe të ngadalta që janë të nevojshme për mësimin e gjuhës. Truri i një fëmije të vogël mëson më mirë përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë dhe lojës. Ekranet nuk e zëvendësojnë këtë formë mësimi.
Çrregullime të gjumit
Një meta-analizë e vitit dymijë e nëntëmbëdhjetë mbi gjashtëdhjetë e shtatë studime (Carter et al.) gjeti lidhje të forta mes ekspozimit ndaj ekraneve dhe kohës më të shkurtër të gjumit, cilësisë së dobët dhe vështirësive për të fjetur. Ekranet ndikojnë në prodhimin e melatoninës dhe mbingarkojnë sistemin nervor, duke e bërë më të vështirë gjumin cilësor.
Rritje e rrezikut për obezitet
Një studim i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (2021) mbi mbi trembëdhjetë mijë fëmijë tregoi se ata që shihnin televizor më shumë se dy orë në ditë kishin indeks të masës trupore më të lartë dhe nivele aktiviteti më të ulëta fizik. Televizori vonon orarin e gjumit, duke ndikuar në çrregullimin e metabolizmit.
Sipas Dr. Sandra G. Hassink nga Akademia Amerikane e Pediatrisë, televizioni ndikon në obezitet jo vetëm duke zëvendësuar lëvizjen, por edhe duke stimuluar konsum të tepruar ushqimesh përmes reklamave.
Shikimi i televizionit nuk është domosdoshmërisht i dëmshëm në vetvete, por ekspozimi i tepruar dhe pa kontroll i fëmijëve para ekranit krijon një mjedis që favorizon sjellje sedentare, ushqim jo të shëndetshëm dhe zakone afatgjata që çojnë në obezitet.
Sjellje agresive dhe desensibilizim emocional
Studimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara tregojnë se ekspozimi i hershëm ndaj përmbajtjes së dhunshme në televizion rrit ndjeshmërinë ndaj dhunës dhe sjelljet agresive në fëmijëri dhe adoleshencë. Kjo përforcohet nga shkencëtari i njohur Dr. L. Rowell Huesmann nga Universiteti i Michiganit, i cili thotë: “Fëmijët nuk dinë ta ndajnë dhunën fiktive nga realiteti. Nëse ajo serviret si argëtim, e pranojnë si normë.”
Është e këshillueshme që të ketë kujdes në këtë pjesë, sepse shumë raste të tragjedive në shkolla ku fëmijët shkaktojnë dhunë ose vrasje janë të motivuara nga aktet e dhunshme në televizion ose rrjete sociale.
Performanca më e ulët akademike
Një analizë e The Lancet Child & Adolescent Health (2018) mbi katër mijë e pesëqind fëmijë zbuloi se ata që kalonin më shumë se dy orë para ekranit në ditë kishin rezultate më të dobëta në testet e kujtesës, gjuhës dhe zgjidhjes së problemeve.
Sipas Dr. Jeremy Walsh nga CHEO Research Institute në Kanada, “Shumë orë para ekranit zëvendësojnë aktivitetet që stimulojnë zhvillimin, si leximi apo loja.” Ky citat nënvizon një të vërtetë themelore: Ekranet nuk janë vetëm çfarë ofrojnë, por edhe çfarë zëvendësojnë. Çdo orë që një fëmijë kalon para televizorit apo tabletit, është një orë që nuk luan, nuk lexon, nuk ndërton fjalor, nuk mëson të bashkëveprojë dhe nuk zhvillon imagjinatën. Për fëmijën, zhvillimi ndodh në marrëdhënie, jo në pasivitet.
Rekomandime praktike për prindërit:
Për fëmijët nga zero deri në dy vjeç, koha e lejuar para ekranit duhet të jetë zero minuta, përveç rasteve të video-bisedave, ndërsa fokusi duhet të jetë tek ndërveprimi i drejtpërdrejtë dhe loja. Për fëmijët nga dy deri në pesë vjeç, rekomandohet që koha para ekranit të mos e kalojë një orë në ditë, duke zgjedhur përmbajtje edukative dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e prindërve. Për fëmijët mbi gjashtë vjeç, koha para ekranit duhet të kufizohet maksimumi deri në dy orë në ditë, duke vendosur rregulla të qarta dhe duke shmangur përdorimin e ekranit para gjumit.
Mjeku i mirënjohur amerikan Dr. Michael Rich nga Shkolla Mjekësore e Harvardit thotë: “Prindërit nuk duhet të kenë frikë nga teknologjia, por duhet ta përdorin me mençuri, duke u bërë vetë shembull.” Në këtë rast është e rëndësishme që të inkurajoni fëmijët në aktivitete fizike, lojëra sociale, lexim dhe ndërveprim prind–fëmijë. Po ashtu, hartimi apo krijimi i një “plani familjar të përdorimit të mediave”, që përfshin rregulla për ekranin në shtëpi. /Telegrafi/
Edhe qëllimi i mirë mund të sjellë pasoja të rënda. Mos e rrezikoni fëmijën duke e mbuluar karrocën në ditët e nxehta të verës
Çdo vit, me ardhjen e ditëve të ngrohta, pamja është e njëjtë nëpër rrugë: prindërit mbulojnë karrocat e foshnjave me pëlhura, shami, me qëllimin e mirë për t’i mbrojtur nga dielli. Por pa e ditur, me këtë veprim, ata mund t’i vënë fëmijët e tyre në rrezik serioz.
Pse mbulimi i karrocave me materiale të papërshtatshme është i rrezikshëm?
Pediatrja Svante Norgren nga Spitali i Fëmijëve “Astrid Lindgren” në Stokholm shpjegon se edhe pëlhura më e hollë, si gaza pambuku, mund ta rrisë temperaturën brenda karrocës dhe pengon qarkullimin e lirë të ajrit.
Një testim ka treguar se në një ditë të ngrohtë, pas vetëm 30 minutash, temperatura në një karrocë të mbuluar ka arritur deri në 34°C. Për ta kuptuar më mirë, mendoni këtë krahasim: nëse jashtë janë 25°C, brenda karrocës së mbuluar me një pëlhurë të zakonshme, temperatura mund të arrijë deri në 40°C, transmeton Telegrafi.
Trupi i foshnjës nuk mund të rregullojë temperaturën përmes djersitjes
Ndryshe nga të rriturit, të cilët e ulin temperaturën e trupit përmes djersitjes, foshnjat nuk kanë këtë aftësi. Për pasojë, temperatura e tyre trupore rritet dhe ndodh mbinxehja, që mund të çojë në goditje nga nxehtësia, dëmtime të sistemit nervor qendror, dëmtime në tru apo madje edhe vdekje, transmeton Telegrafi.
Këshilla të rëndësishme për ditët e nxehta të verës:
Mos mbuloni karrocën me pëlhura të improvizuara. Përdorni vetëm mbulesa të dedikuara për karroca, të cilat lejojnë qarkullimin e ajrit. Shmangni daljet në ambiente të hapura nga ora 10:00 deri në 16:00–17:00. Mos i vendosni kapuç fëmijës në ditët e nxehta, shumica e nxehtësisë largohet për mes kokës. Vishni fëmijën me rroba të lehta, të çelëta dhe që e lënë lëkurën të marrë frymë. Mos i vishni çorape – këmbët ndihmojnë në ftohjen e trupit. Sigurohuni që fëmija të pijë mjaftueshëm lëngje.
Këshilla nga pediatrja dr. Giovanna Armano
Idealja do të ishte që fëmijët të mos ekspozohen fare në diell të drejtpërdrejtë nga ora 10 apo 11 deri në 17. Ata mund të lahen ose të freskohen disa herë në ditë për ta përballuar më lehtë vapën.
Nëse qëndrojnë brenda, hapësirat duhet të jenë të ajrosura mirë dhe, nëse është e mundur, të klimatuara. Klima nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë, në vend të saj, ajrosja natyrale dhe përdorimi i ventilatorëve janë alternativa të dobishme. Kini kujdes që temperatura brenda të mos jetë shumë më e ulët sesa ajo jashtë, pasi kjo nuk është e shëndetshme.
Shfrytëzoni çdo mundësi për ta mbajtur fëmijën jashtë në hije, nën pemë si pishat apo në kopshte të mbuluara me tendë. /Telegrafi/
Fjalët kanë fuqi të jashtëzakonshme, sidomos kur vijnë nga prindërit. Ato mund të ndërtojnë vetëbesimin e një fëmije ose, përkundrazi, ta lëndojnë thellë. Psikologët theksojnë se mënyra si flasim me fëmijët ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre emocional dhe personal.
Më poshtë janë pesë fraza që ekspertët sugjerojnë t’i shmangni gjithmonë:
“Pse nuk je si motra/vëllai yt?”
Krahasimet krijojnë ndjenjën e inferioritetit dhe xhelozisë, duke dëmtuar vetëvlerësimin e fëmijës.
“Ti nuk bën kurrë asgjë siç duhet!”
Kjo frazë përforcon ndjenjën e dështimit dhe krijon frikë nga përpjekja e re.
“Mos qaj, nuk është asgjë!”
Nënvlerëson emocionet e fëmijës dhe i mëson të shtypin ndjenjat e tyre.
“Do të të lë po s’u bëre i mirë!”
Kërcënimet krijojnë pasiguri dhe frikë tek fëmijët, duke dëmtuar ndjenjën e sigurisë.
“Më bëre të ndjehem keq!”
Fëmijët nuk janë përgjegjës për emocionet e prindërve dhe kjo barrë mund të jetë tepër e rëndë për ta.
Ekspertët këshillojnë që prindërit të komunikojnë me dashuri, durim dhe mirëkuptim. Të dëgjosh dhe të validosh ndjenjat e fëmijës është hapi i parë drejt ndërtimit të një marrëdhënieje të shëndetshme dhe të fortë emocionale.
Në Shqipëri çështjet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët po nxisin gjithnjë e më shumë debate përsa i takon nevojës dhe cilësisë së shërbimeve. Ekspertët ngrenë probleme tejet shqetësuese në këtë drejtim, duke renditur disa faktorë që rëndojnë mbi shendetin mendor të kësaj grupmoshe, mes tyre pasojat e pandemisë Covid 19, varësia nga interneti, bullizmi, dhuna online apo raportet e demtuara me prindërit, shoqërinë apo shkollën. Njohës të fushës janë kritikë dhe nxisin autoritetet të shtojnë shërbimet për shëndetin mendor të fëmijëve, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik i tha Faktoje.al se janë hartuar dhe po zbatohen një sërë strategjish në këtë drejtim.
Në Shqipëri shërbimet mbi shëndetin mendor kanë njohur disa faza zhvillimi në tre dekadat e fundit. Reforma e viteve 2000 në këtë fushë përfshiu shërbimet në komunitet ndërsa me herët, ofroheshin shërbime të specializuara vetëm në qëndra spitalore.
Çështjet e shëndetit mendor gjithnjë kanë nxitur debate përsa i takon ofrimit të shërbimeve. Por një nga problemet më shqetësuese sot lidhet me shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Profesonistë në fushën e shëndetit mendor i thanë Faktoje.al se së fundi pandemia e Covid 19, i shtoi edhe më tej problemet e shëndetit mendor tek kjo grupmoshë si dhe nevojat për të marrë shërbime. Çrregullimet e ankthit, humori i ulët, mungesa e vetëbesimit, ndryshimet në sjellje, janë grupi më i lartë i shqetësimeve, por mjekja psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë, Valbona Alikaj thotë se ajo dhe kolegë të saj po ballafaqohen me disa të reja që kanë nevojë për t’u marrë në analizë.
Po shohim që kemi dhe ndryshime në simptomatika. Shpesh na duken gjërat si të paqarta. Disa gjëra janë sikur nuk kanë qenë para dhjetë vitesh. Dhe besoj se këto duhen riparë”– thotë për Faktoje.al Prof.asc. Valbona Alikaj, mjeke psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë.
Autoritetet zyrtare të shëndetit publik thanë për Faktoje.al se po i kushtojnë vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve dhe se në Planin Kombëtar të Veprimit të Shëndetit Mendor 2023-2026 është përfshirë një kapitull i veçantë për këtë qëllim. Specialistja e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik Andia Meksi thotë se Ministria e Shëndetësisë ka filluar të përfshijë psikologë dhe punonjës social në qëndrat shëndetësore të kujdesit parësor, ndërsa janë ngritur qëndra të shërbimeve komunitare për shëndetin mendor në qytetet kryesore të vendit, 3 vetëm në Tiranë. Edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit përgjatë viteve të fundit, ka ndërmarrë një sërë strategjish për të forcuar rolin psiko-social në shkolla.
Ky institucion i tha Faktoje.al se është përmirësuar kuadri ligjor lidhur me organizimin dhe funksionimin e njësive të shërbimit psiko-social duke shtuar se numri i punonjësve të shërbimit psiko-social është rritur vit pas viti. Me tej Ministria e Arsimit sqaroi se sot janë mbi 850 punonjës që ofrojnë shërbime në institucioner arsimore parauniversitare duke theksuar se në varësi të numrit të nxënësve shkollat mund të kenë dhe dy punonjës psiko-socialë.
Por aktivistë që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri mendojnë se shërbimet për të rinjtë janë të pamjaftueshme.
“Mungesa e shërbimeve është një ndër ndër hallkat, por flasim për mungesën në tërësi të një qasje që i vendos të rinjtë në qendër. Nuk jemi ende aty ku duhet, që vërtet t’u japim të rinjve shërbimet e duhura”– shprehet për Faktoje.al Altin Hazizaj, Drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.
Nga ana tjetër specialist të shëndetit mendor tërheqin vëmendjen specialistët është bashkëvperimi mes institucioneve.
“Nevojitet një bashkëpunim më i fortë institucional që do të thotë se ato institucione që merren më shërbime shëndetësore, me edukimin, me shërbimet sociale duhet të jenë më të unifikuara dhe më të shpejta përsa i përket përgjigjes për nevojat që kanë sot adoleshentët dhe të rinjtë”– argumenton për Faktoje.al, Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë.
Psikologët në shkolla po ndeshen sot me një sërë ankesash të fëmijëve dhe adoleshentëve, që nga ato në lidhje me pamjen e jashtme, ankthin, probleme me humorin dhe deri me sjelljen. Grupmosha me nivelin më të lartë të këtyre shqetësimeve është ajo 15-19 vjeç, ndërsa vajzat kanë një tendencë më të lartë për të kërkuar ndihmë, edhe pse mund të mos jenë ato që kanë më së shumti nevojë.
Ekspertët mendojnë se është e vështirë të maten dhe veçanërisht të trajtohen shqetësimet e shëndetit mendor te fëmijët dhe adoleshentët pa kuptuar kontekstet që krijojnë shqetësim. Studimet në këtë rrafsh veçojnë ndërthurjet e gjenetikës, faktorëve mjedisorë që në fëmijërinë e hershme, duke përfshirë prindërimin, shkollimin, ekspozimin ndaj dhunës ose abuzimit, diskriminimin, varfërinë, krizat humanitare dhe emergjencat shëndetësore të cilat mund të ndikojnë në shëndetin mendor të tyre.
Njohës të fushës argumentojnë se një nga problematikat më të thella që ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve është përdorimi për një kohë të gjatë dhe pa kontroll i internetit.
“Varësia nga interneti është një nga problematikat kryesore. Sigurisht që në internet mund të gjenden materiale të pakontrolluara, materiale pornografike, me të cilat adoleshenti dhe fëmija mund të jetë në kontakt. Prandaj është shumë e rëndësishme që prindi dhe të afërm të tyre të vendosin kontroll dhe limite për kohën që fëmija kalon rrjete sociale dhe në përdorimin e teknologjisë”- thotë Elisa Bano, psikologe në shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në Tiranë.
Mjekja psikiatre Valbona Alikaj, ndau me Faktoje.al një shembull nga përvoja e saj profesionale në lidhje me rrezikun që i kanoset sot fëmijëve dhe adoleshentëve nga përdorimi pa kriter i internetit.
“ Unë kam në terapi prej disa kohësh një vajzë të mbyllur, jo shumë të shkathët, nxënëse shumë e mirë, e cila ishte futur në këto programet e internetit ku ti dërgon foto dhe fotot kthehen si alienë apo diçka e tillë. Papritur ajo kuptoi që ky ishte një program takimesh virtuale me njerëz të panjohur. Në fillim tha se e kishte nisur si lojë, duke u tallur, dhe duke thënë se ishte pak më e madhe, dhe papritur bie në kontakt me një person i cili i ofron dashuri, siguri dhe dhunë verbale. Rastësisht nëna e saj kontrollon celularin dhe gjen një komunikim i cili nuk ishte fshirë, dhe këtu fillon i gjithë kalvari i ndërprerjes së komunikimeve me këtë person dhe patjetër kanë shkuar dhe në Autoritetin e sigurisë kibernetike që e kanë referuar. Po punojmë shumë me simptomatikën e ankthit tek ajo”- tregon Znj. Alikaj.
Edhe pse përdorimi në masë i teknologjisë nga fëmijët shihet nga mjaft specialistë si burim problemesh në lidhje me shëndetin mendor, disa prej tyre janë më të tërhequr për të dhënë konkluzione.
“Nuk do nxitohesha sepse brezat dhe e fëmijëve dhe adoleshentëve që kanë lindur dhe janë rritur me praninë e përditshme të teknologjisë, kanë akoma kohë për të dhënë produktin e tyre, qoftë nga ana intelektuale, psikologjike apo kontributin në shoqëri”-shprehet për Faktoje.al Neli Demi, mjek psikiatër.
Një prej momenteve ku specialistët e shëndetit mendor ndalen është ai që lidhet me aktet vetëdëmtuese.
Që prej vitit 2019 të dhënat e policisë tregojnë se 36 fëmijë janë vetëvrarë, dy mbi 14 vjeç gjatë këtij viti, ndërsa kanë tentuar të vrasin veten gati dy herë më shumë. Të dhënat zyrtare tregojnë se aktet vetëvrasëse janë ulur ndjeshëm nga 12 në vitin 2019 në 1 në vitin 2024, por sërish ekspertët janë vigjilentë kur bëhet fjalë për jetën.
“Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Është shumë e rëndësishme përgjigja në kohë. Studimet tregojnë që vetëvrasjet parandalohen dhe ka mënyra që mund të vlerësohet nëse ekziston një rrezik i menjëhershëm tek një adoleshent, edhe pse është shumë e vështirë, sepse adoleshentët e kanë shumë të vështirë ndryshe nga një i rritur të flasin për problemet e tyre, por nuk është e pamundur” – thotë Znj. Meksi specialiste e shëndetit mendor në ISHP.
“Vihet re një lloj stigme përsa i përket problemeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët. Mund të ketë persona që e vuajnë diçka por kanë shumë turp që problemet t’i ndajnë me dikë tjetër, sepse mendojnë se do duken të dobët në sytë e bashkëmoshatarëve, do të gjykohen, nuk do ndihmohen dhe situata do përkeqësohet edhe më tej”- argumenton Elisa Bano, psikologe në shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në Tiranë.
Ministria e Arsimit në fund të vitit 2024 njoftoi se është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe rritjen e sigurisë në shkolla, si dhe krijimin e shkollave të hapura për të përfshirë prindrit dhe komunitetin.
E megjithatë aktivistë që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri dhe disa mjekë të shëndetit mendor kanë një qasje tjetër për ndërveprimin mes adoleshentëve prindërve dhe komunitetit kur bëhet fjalë për problemet e shëndetit mendor.
“ Edhe kur ulesh të bisedosh me ta një ndër çështjet kryesore për të cilat ankohen adoleshentët dhe fëmijët është mungesa e komunikimit me dhe fakti se atyre u duket sikur nuk kuptohen nga të rriturit. Për ta ky është një problem shumë i madh. Në fakt ata kanë kohë që flasin por nuk jemi ne të gatshëm t’i dëgjojmë”- vijon Z. Hazizaj.
“Nga adoleshentët që unë shoh, kuptoj që ka plot prindër të cilët nuk janë gjithë ditën në shtëpi, mungojnë dhe nuk e dinë se çfarë bën fëmija i tij. Dhe jo vetëm kaq, por as nuk e njohin fëmijën e tyre. Prindër që i mbushin fëmijët me lekë, por nuk e njohin fëmijën”- vijon mjekja psikiatre Valbona Alikaj. .
Elementë të këtij realiteti kanë gjetur vend dhe në studimet e ISHP.
“ Shumica e prindërve, gati 90% e prindërve refuzojnë të japin lejen me konsensus, pra me firmë, që fëmijët e tyre të marrin shërbime për probleme të shëndetit mendor. Kjo tregon stigmën e lartë që ekziston. Pra duhet punuar shumë, por gjëja më e mirë është po flitet dhe media luan një rol të rëdësishëm në këtë drejtim”- vijon Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor në ISHP.
Përtej stigmatizimit që ndeshet sot rëndom në lidhje më problemet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët, në fakt disa barriera janë thyer. Sot flitet më shumë se më parë për to, ndërsa sfida është që në të ardhmen të flitet më shumë se sot. Nga ana tjetër të gjithë aktorët bien dakort se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim duke nënvizuar se nuk mund të ketë shëndet pa shëndet mendor.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë
TIRANË, 19 maj /ATSH/ Në kuadër të Javës së Familjes, bashkia Shkodër organizoi një aktivitet të veçantë me përfituesit e projektit “Fuqizimi i komunitetit përmes ofrimit të shërbimeve ditore të alternuara për fëmijët dhe familjen”, duke e kthyer këtë takim në një festë të mirëfilltë të kalimit të kohës cilësore mes prindërve dhe fëmijëve.
Në njoftimin e bashkisë, thuhet se ky aktivitet shënoi mbylljen e një projekti të rëndësishëm, i cili përmes shërbimeve ditore dhe aktiviteteve të strukturuara, ka sjellë më shumë mbështetje, përfshirje dhe zhvillim për fëmijët dhe familjet në komunitet e lagjes Nr.1 dhe Nr.5.
“Në një atmosferë të ngrohtë dhe gjithëpërfshirëse, prindërit dhe fëmijët patën mundësinë të lidhen më fort përmes lojërave, aktiviteteve kreative dhe kohës së përbashkët sepse cilësia e kohës së kaluar së bashku ndërton marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme”, nënvizohet në njoftim.
Bashkia Shkodër mbetet e angazhuar për të mbështetur dhe fuqizuar familjet, duke zgjeruar shërbimet sociale dhe duke krijuar mundësi të reja për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve në një mjedis të sigurt dhe mbështetës.
Duhet të dallojmë të thithurën ushqyese dhe ato që nuk ka për qëllim ushqimin. Më vonë në periudhën e daljes së dhëmbëve të parë fëmija ka një nevojë të fortë për të thithur dhe kafshuar.
Gishti apo mashtruesja?
Këto vitet e fundit përdorimi i mashtrueses është në rritje, por përdorimi i saj mund të jetë më shumë i dëmshëm sesa ajo e gishtit. Në fakt, me mashtruesen fëmijës i duhet të thithë më me forcë, gjë e cila do ta lodhë dhe ndjenja e frikës së humbjes së mashtrueses në momentin që ajo i bie në tokë, bën që fëmija ta dëshirojë më shumë.
Mashtruesen e lavdërojnë vetëm nënat. Shpesh fëmija që thith gishtin nuk bën gjë tjetër përveç se përkëdhel gjuhën e tij. Ndjenja e vendosjes së gishtit në gojë sa herë që dëshiron, jep mundësinë që ta braktisë më lehtë këtë veprim.
Mashtrueset e cilësuara si ortodontike nuk janë aspak të tilla, sepse ato as nuk trajtojnë dhëmbët dhe as nuk i drejtojnë ata. Ajo nuk ka as vlerë fiziologjike dhe aq më pak ortodontike, transmeton Telegrafi.
Kur thithja e nevojës bëhet ves, si duhet të ndërhyjmë?
Mosha e duhur që t’ia heqim këtë zakon fëmijës është dy deri në tre vjeç.
Fëmija në këtë moshë zhvillon fushat e tij të interesit dhe të eksplorimit. Ai ecën, shprehet, ka kontakte me fëmijë të tjerë dhe shkon ne kopsht. Gishti dhe mashtruesja i mbyllin rrugën e komunikimit fëmijës, i cili nuk mund të flasë me gojën plot.
Disa elemente kyç për heqjen e vesit
– Zgjedhja e një periudhe të favorshme, duke evituar ndryshimet në familje si ndërrimi i vendbanimit, udhëtimi apo lindja e një fëmije tjetër, gjendje te cilat mund të lindin pasiguri tek fëmija.
– Parashikimi i një periudhe përgatitjeje dhe informimi dhe jo ndalja e menjëhershme dhe e dhunshme, por duke ja shpjeguar çfarç fiton fëmija, nëse e heq gishtin apo mashtruesen.
– Prezantimi i lënies së vesit si një promovim dhe një arritje. Projektojeni fëmijën në të ardhmen.
– Zëvendësimi me një kënaqësi tjetër, si leximi i ndonjë historie apo të lutjes me të.
Inkurajimi i kësaj arritjeje
Në fund duhet t’i lini kohë fëmijës tuaj për ta kaluar këtë etape, e cila duhet të ndahet në disa faza si lënia njëherë gjatë ditës më vonë edhe gjatë natës.
Një premtim i fëmijës ndaj stomatologut mund të jetë shumë efikas. /Telegrafi/
Sipas psikologut të shquar social Jonathan Haidt, aktualisht janë tre të pavërteta të mëdha që ne u mësojmë fëmijëve tanë: (1) “Ajo që nuk të vret të bën më të dobët”; (2) “Gjithmonë besoju ndjenjave të tua”; dhe (3) “Jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij.” Përforcimi i këtyre dogmave […]
Thelbi i saj është që çdo takim i parë me fëmijën gjatë ditës – pas një ndarjeje të shkurtër ose të gjatë – të shfrytëzohet maksimalisht duke i kushtuar fëmijës 3 minuta vëmendje të pandarë dhe të sinqertë
Është veçse një magji e vogël e përditshmërisë që mund të bëj një ndryshim të rëndësishëm dhe një efekt të mrekullueshëm në raport me fëmijët tanë.
Sekreti është fare i thjeshtë: Sa herë ne i shohim fëmijët tanë, që mund të jetë pas daljes tonë nga puna, kur ata kthehen nga shkolla, kopshti etj, i përkushtohemi atyre 3 minutat e para.
Janë vetëm 180 sekonda! Por kujdes! Duhet të jenë 3 minuta të vërtetë ku nuk na shpërqendron asgjë tjetër që na rrethon, asnjë vështrim telefonit, asnjë bisedë me dikë rreth nesh…asgjë!
Një përqafim i fort, një shikim i sinqertë, pyetje që tregojnë vëmendje, interes të tipit; ‘Më trego pak, si shkoi dita jote sot?’ Ku në shumicën e rasteve e njohim përgjigjen… Në ato tre minuta ndodh diçka speciale: krijohet një lidhje, një urë midis botës sonë prej të rrituri, që është gjithmonë në vrapim dhe të asaj bote të mbushur plot me aventura, të panjohura, emocionesh dhe misteresh të padukshme…
Pse është e rëndësishme kjo qasje?
Fëmijët ndihen të vlerësuar dhe të sigurt. Këto momente tregojnë se fëmija është i rëndësishëm dhe i parë me sy të dashur.
Përforcon lidhjen emocionale. Krijohet një “urë” e fortë komunikimi mes botës së fëmijës dhe prindit.
Ndihmon në zhvillimin e vetëbesimit.Fëmija që ndihet i dëgjuar zhvillon ndjenjën e vetëvlerësimit.
Parandalon sjelljet e padëshiruara. Fëmijët që marrin vëmendje pozitive nuk kanë nevojë të kërkojnë vëmendje në mënyra negative.
Janë 3 minuta që nuk do të peshojnë listën tonë të pafundme të gjërave që duhen bërë por që kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të krijuar një lidhje të pashlyeshme me fëmijët tanë.
Gëzimi për t’u përqafuar pas një dite të gjatë e të lodhshme, një puthje në ballë pas një nate me frikërat e ëndrrat fëminore duke ngrënë mëngjesin së bashku…vetëm 3 minuta për të ndalur kohën dhe për tu kujtuar sesa vlerë ka dhe se sa bukur është të rigjejmë njëri-tjetrin e të mos i shmangim momentet e vogla të të qenit bashkë.
Pse funksionon kjo metodë kaq mirë?
Në psikologjinë e fëmijës, momentet e para pas ribashkimit kanë një peshë të madhe emocionale. Ato ndihmojnë fëmijën të ndjejë siguri, dashuri dhe stabilitet emocional. Në një botë ku ritmi është i shpejtë dhe vëmendja gjithmonë e shpërndarë, këto 3 minuta janë një investim i vogël me vlerë të jashtëzakonshme.
Kjo metodë e thjeshtë dhe efektive që synon krijimin dhe forcimin e lidhjes emocionale mes prindit dhe fëmijës, edhe pse fare pak – duhet të ndodhë çdo ditë, gjithmonë! /Telegrafi/
Prindërimi është një detyrë e madhe dhe e rëndësishme, pasi prindërit jo vetëm që sigurojnë mjetet dhe burimet për t’i ndihmuar fëmijët të jenë të pavarur, por gjithashtu u mësojnë atyre vlera dhe aftësi jetike
Kjo i bën prindërit të shqetësohen dhe të mendojnë vazhdimisht nëse çdo fazë e jetës së fëmijës është një arsye për t’u shqetësuar, por shpesh këto shqetësime janë të pabaza. Ja disa prej tyre:
1. Flasin me miq imagjinarë
Fëmijët që flasin me miq imagjinarë shpesh shqetësojnë prindërit, por kjo mund të jetë një shenjë e krijimtarisë së tyre. Një studim ka treguar se shumë individë të suksesshëm dhe krijues kanë pasur miq imagjinarë si fëmijë.
2. Janë shumë të ndrojtur
Disa fëmijë janë shumë të ndrojtur, duke pasur vështirësi për të folur me njerëz të tjerë. Kjo shpesh është një fazë e kalueshme dhe mund të tregojë se fëmija është më i ndjeshëm dhe introvert, gjë që nuk është e keqe, shkruan Your Tango.
3. Nuk hanë çdo gjë
Kur fëmijët janë tekanjozë me ushqimin, kjo mund të shqetësojë prindërit. Megjithatë, kjo zakonisht ndryshon me kalimin e kohës dhe tregon rritjen e pavarësisë dhe preferencave personale të fëmijës.
4. Fiksimi pas një interesi të vetëm
Disa fëmijë mund të fokusohen tepër në një aktivitet ose hobi, gjë që mund të shqetësojë prindërit, por kjo mund të jetë një shenjë e kureshtjes dhe pasionit të thellë të fëmijës. Ky pasion mund të bëhet një interes i qëndrueshëm në jetën e tij.
5. Bëjnë shumë rrëmujë
Kur një fëmijë është i parregullt, prindërit mund të shqetësohen për përgjegjshmërinë e tij. Megjithatë, kjo mund të jetë një fazë e kalueshme dhe fëmija mund të mësojë të jetë më i rregullt me kalimin e kohës.
6. Janë kurnacë!
Fëmijët që nuk duan të ndajnë gjërat shpesh shqetësojnë prindërit, por kjo mund të tregojë se ata po mësojnë për kufijtë dhe autonominë e tyre. Ky është një hap i natyrshëm në zhvillimin e fëmijës.
7. Pyesin “pse” tërë kohës
Fëmijët që pyesin vazhdimisht “pse” shpesh mërzitin prindërit, por kjo është një shenjë e kureshtjes së thellë të tyre dhe dëshirës për të mësuar. Kjo tregon aktivizimin e sistemit të shpërblimit në trurin e fëmijës.
8. U pëlqen të rrinë vetëm
Disa fëmijë preferojnë të qëndrojnë vetëm ndonjëherë dhe kjo nuk është një shenjë e problemeve sociale. Kjo tregon se ata janë të vetëdijshëm për nevojat e tyre emocionale dhe dinë kur duhet të tërhiqen dhe të rikarikohen.
9. Ëndërrojnë me sy hapur
Fëmijët që ëndërrojnë me sy hapur mund të shqetësojnë prindërit, por kjo është një mënyrë që ata përdorin për të zhvilluar imagjinatën dhe për të përpunuar emocionet. Ëndërrimi i lirë i ndihmon ata të shprehin krijimtarinë e tyre.
10. Janë kokëshkëmb
Fëmijët që janë kokëfortë mund të jenë të vështirë për t’ju lejuar të negocioni, por kjo është një shenjë e pavarësisë së tyre në rritje. Kokëfortësia mund të jetë një cilësi që i ndihmon ata të qëndrojnë të vendosur për qëllimet e tyre, citon Anabel.
11. Ju ngjiten nga mbrapa
Fëmijët që janë të ngjitur shpesh kërkojnë siguri dhe mbështetje nga prindërit. Kjo është zakonisht një fazë që kalon dhe nuk tregon se ata do të kenë vështirësi për të zhvilluar pavarësinë më vonë në jetë. /Telegrafi/
Ditët e sotme jemi dëshmitarë të faktit që po prindërohet gjithnjë e më pak. Prindërit edhe atë pak kohë të lirë që kanë e shfrytëzojnë duke qëndruar në celular, e po ashtu veprojnë edhe fëmijët e tyre. Sociologu Gëzim Tushi shprehet se kemi kaluar nga një edukim paternalist i kohës së komunizmit, në një hiçedukativ, […]
Bebi numër dy është rrugës dhe është djalë. Mbrëmjen e sotme çifti i njohur Einxhel Shkira dhe Arbër Gumnishta (DJ Dagz) kanë zbuluar gjininë e bebit të tyre.
Veshur me të bardha në një festë të vogël në natyrë, Einxhel, DJ Dagz dhe djali i tyre Trev kanë zbuluar se do bëhen sërish prindër të një djali.
Shumë të emocionuar, Einxhel dhe DJ Dagz nuk i kanë mbajtur dot lotët. Kujtojmë se çifti e nisi historinë e tyre të dashurisë përgjatë qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother VIP”.
Në ditët e sotme, interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës së fëmijëve, duke ofruar një botë të pafund mundësish për argëtim dhe edukim. Megjithatë, me rritjen e përdorimit të teknologjisë, prindërit po shprehin shqetësime serioze për sigurinë e fëmijëve të tyre online.
Alesia është 7 vjeçe e gjysmë dhe kalon së paku 2 orë çdo ditë në rrjetet sociale. Në një pyetësor të zhvilluar online nga një grup nxënësish të gjimnazit profesional “Nazmi Rushiti”, e mitura shkruan se kalon kohë duke parë TikTok apo edhe Snapchat.
“Telefonin e përdor për Instagram, për Snapchat, për foto. Telefonin e përdor 2 orë. Telefonin e marr pasi kam mbaruar detyrat e shkollës, pastaj rri në celular”, tregon Alesia.
Por, Alesia nuk është e vetmja që shpenzon 2 orë në rrjetet sociale. Në pyetësorin online, ku u përgjigjën prindër dhe nxënës, 24% e tyre raportuan se shpenzojnë mbi 2 orë në telefon gjatë ditës. Madje, një pjesë e të rinjve shpenzojnë edhe deri në 6 orë në rrjetet sociale.
Një tjetër shqetësim i ngritur në pyetësorin online ishte se 17.6% e të rinjve janë kërcënuar në rrjetet sociale.
Ndërsa, 41,2% e atyre që plotësuan këtë pyetësor raportuan se kanë rënë pre e provokimeve online, një shifër shqetësuese kjo për të rinjtë.
Prindërit shprehen të shqetësuar se kjo situatë nuk do të përmirësohet, pasi fëmijët që në moshë të vogël, duke nisur që 5 vjeç zotërojnë një telefon. Në këtë mënyrë është e pashmangshme që ata të mos përdorin edhe rrjetet sociale. Një tjetër shqetësim për prindërit janë edhe sherret dhe zënkat online apo rreziqet e tjera që vijnë nga interneti.
Në bazë të rezultateve që u morën nga pyetësori online, prindërit dhe të rinj bien dakord që duhet shmangur qëndrimi me orë të zgjatura në rrjetet sociale.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.
Një vendim i fundit i Gjykatës në Spanjë i ka dhënë prindërve beqarë të drejtat e barabarta me ata të familjeve me dy prindër për sa i përket lejes prindërore me pagesë, duke siguruar kohë të barabartë për kujdesin e fëmijëve.
Ky vendim mbështetet në parimin se nevoja për kujdesin prindëror është e njëjtë për fëmijët, pavarësisht nga struktura e familjes.
Si pasojë, prindërit beqarë tani do të mund të shfrytëzojnë dyfishin e lejes që kishin më parë, duke bërë një hap të madh drejt përmirësimit të barazisë në politikat e lejes prindërore.
Një shprehje thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”, por studimet thonë se një gënjeshtër mund të lindë nga një mendje e shëndoshë. Sipas tyre, nëse fëmija juaj gënjen, kjo tregon për një zhvillim të mirë të mendjes së tij.
Hulumtuesit nga Universiteti i Floridës në SHBA, kanë rekrutuar 114 fëmijë, të moshës prej shtatë deri në njëmbëdhjetë vjeç, dhe i kanë vënë në lojë.
Megjithëse kërkohej që të mos mashtrojnë, atyre iu lanë hapur të gjitha mundësitë, të bëjnë një gjë të tillë – derisa gjithçka monitorohej nga kamerat e fshehura.
Çuditërisht, vetëm nje e katërta e fëmijë, kanë shikuar përgjigjet dhe kanë mashtruar.
E, të njejtit janë treguar më mendjemprehtë dhe me kujtesë më të mirë, kur janë vënë në test.
Sipas një studimi tjetër të kryer nga Universiteti i Torontos ku morën pjesë 1200 fëmijë, u arrit në përfundimin se, gënjeshtra është diçka normale tek fëmijët. Udhëzuesi i studimit Kang Lee e shpjegon këtë situatë me faktin se të gënjesh e ta mbash gjatë një gënjeshtër kërkon përpjekje të madhe intelektuale.
Nëse një fëmijë gënjen, kryesisht përpara moshës 5-vjeçare, ai vë në përdorim të gjitha aftësitë e tij, veçanërisht ato të vetëkontrollit. Por shumë prindër i tremben faktit se mos fëmija bëhet gënjeshtar edhe kur të rritet.
Studiuesi ka shpjeguar se nuk ka vend për shqetësime nga prindërit sepse kjo nuk do të thotë se fëmijët kur të rriten do të gënjejnë në mënyrë të vazhdueshme. Gënjeshtrat në fëmijëri nuk janë asgjë tjetër veçse një fazë normale e rritjes së tyre që duhet respektuar pa e bërë alarmante situatën. /Telegrafi/
“Sa kushton një fëmijë?” është një pyetje e rëndësishme për çdo prind të ri, sidomos në një kohë kur kostot e jetesës janë në rritje. Shpenzimet e lidhura me shtatzëninë dhe rritjen e një fëmije përfshijnë një gamë të gjerë faktorësh, nga kujdesi prenatal dhe lindja, deri te nevojat e përditshme pas lindjes. Në total,
Anna Lika dhe Bjordi Mezini janë bërë prindër për herë të parë. Lajmin e ka bërë publik aktorja përmes një postimi në “Instagram”. Krahas një fotoje të ëmbël ku shihet dora e prindërve dhe e bebes, Anna i kushton fjalët më të bukura të bijës.Ajo thotë se në jetën e tyre sot erdhi një mrekulli, […]
Në përkujtim të dymujorit të vdekjes së Martin Canit, sot është zhvilluar protesta e gjashtë pranë shkollës së tij “Fan Noli”, aty ku ndodhi ngjarja tragjike, ku ai u godit me thikë nga një bashkëmoshatar.
Gjatë protestës, ishin të pranishëm edhe prindërit e Martinit, të cilët shprehën shqetësimin se ende nuk është bërë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre. Protestuesit kërkuan zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e autorëve me thirrjet; “Ende nuk ka drejtësi për Martinin” ndërsa në përkujtim të tij u ndezën qirinj. Kujtojmë se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani ndodhi më 18 nëntor 2024 pas një përleshjeje pranë shkollës “Fan Noli”.
Sipas dinamikës së ngjarjes, Martin Cani dhe shoku 14 vjeçar që ai thërriti për mbështetje nga Sauku, ishin mbi trupin e autorit duke u përleshur, kur i dyshuari qëlloi me thikë. Nga plagët humbi jetën Martin Cani dhe mbeti i plagosur miku i tij, ndërsa gjatë përleshjes u vetëplagos në parakrah edhe autori i dyshuar.
Shoku i plagosur i Martin Canit ka pretenduar se autori i dyshuar nuk ishte i vetmi që kishte thikë gjatë sherrit, por policia i ka mohuar këto pretendime. Gjykata e Tiranës më 22 Nëntor, caktoi arrest me burg për 14 vjeçarin dhe më 26 Nëntor i dyshuari u transferua për në Burgun e të Miturve në Kavajë.