TIRANË, 21 mars/ATSH/ Kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj u shpreh sot për aktivitetin 10-vjeçar të kësaj qendre se ky shërbim deri më sot numëron 3.5 milionë thirrje të trajtuara dhe mbi 800 mijë misione të realizuara në banesë.
Në aktivitetin ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Brataj u ndal tek disa nga momentet kryesore që kanë shënuar jetën e këtij institucioni.
Ai informoi se flota e autoambulancave është trefishuar dhe ato janë pajisur me aparatura moderne duke garantuar ndërhyrje të shpejtë e të sigurt në të gjithë vendin.
“Në vitin 2015 gjëja më e habitshme ishte Tirana, nuk ishte gjithë Shqipëria. Që nga pajisjet, ambientet, nuk flasim për pajisje mjekësore. Për të përballuar ato fatkeqësi, Gërdeci, asnjë mjet, vetëm me pajisje rrethanore”, u shpreh Brataj.
“U bë Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, u ble një helikopter, u blenë 118 ambulanca së bashku me të gjitha pajisjet që ato kanë brenda, një automedica si një model i ri i menaxhimit të urgjencave, katër motorë të cilët nuk ngeli portal pa na sharë dhe të gjitha këto për 6.5 milionë euro”, pohoi ai.
Kreu i QKUM-it theksoi në fjalën e tij se synimi gjithnjë ka qenë ndërtimi i një sistemi të tillë ku asnjë thirrje e qytetarëve nuk humbet dhe asnjë dosje nuk mbetet pa plotësuar, bashkë me detajet e çdo thirrje në drejtim të numrit 127.
“Kemi forcim vit për vit të kapaciteteve tona në mjete, njerëz, ambulanca dhe ajo që është më e rëndësishme është identifikimi. Në vitin 2018, u ble uniforma që na identifikon si shërbim kombëtar. Një sistem kombëtar, ku nëpërmjet Urgjencës Kombëtare Mjekësore gjithë aparaturat dhe pajisjet i disponojmë dhe këto janë të ndjekura nga GPS. Për të bërë gjashtë milionë kilometra në vit, ambulanca duhet të bëjë 120.883 vizita në vit. Trajnimi është i rëndësishëm, janë zhvilluar 15 kurse, deri tani janë trajnuar 1015 mjekë, infermierë, shoferë dhe civil”, vijoi Brataj, teksa solli në vëmendje dy tragjeditë, atë të tërmetit të vitit 2019 dhe Covid-19.
“Gjatë tërmetit pati 51 humbje jete, 45 persona të shpëtuar, 75 të shtruar, 946 të plagosur. Më pas Covid 19, kishim 700-800 thirrje në ditë, në 15 mars ato ishin 12,100 në 24 orë. Kapacitete pa fund për të përballuar çdo lloj urgjence”, shtoi ai.
“Në 10 vite janë 3,570,582 thirrje, nga të cilat 15.8% janë thirrje shërbimi (mes personelit të brendshëm). 840 mijë misione apo vizita në banesë, ndërsa 2,195,388 janë thirrje nga Tirana. Në periudhën 2015-2016 kishim 50-880 thirrje në ditë, ndërsa nga 2017-2024 kemi 793 në ditë. Kartela mjekësore ishin 10 në ditë, tani janë 591, vizita mjekësore dikur 25, sot janë 124”, informoi ai.
“Duke llogaritur kostot, një pacient në ditë në Urgjencën Mjekësore do t’i kushtonte gjithsecilit 150 euro. Ju na keni dhënë 6.5 milionë euro investim, ne kemi kursyer 60 milionë euro”, theksoi Brataj. /j.p/
The post 10 vite Urgjenca Kombëtare, Brataj: Mbi 3.5 milionë thirrje, 60 milionë euro të kursyera për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.