Në këtë ditë, 28 vjet më parë, në stadiumin Gerland në Lyon, mbrojtësi legjendar brazilian Roberto Carlos shënoi një gol të paharrueshëm që sfidoi ligjet e fizikës – një gol që shumë njerëz e kanë parë dhe kanë pyetur: “Si është e mundur kjo?”
Në stadiumin Gerland në Lyon, më 3 qershor 1997, në raundin e parë të turneut “Tournoi de France”, i projektuar si një ngrohje për Kupën e Botës në Francë verën që vinte, u përballën Brazili dhe Franca.
Në minutën e 21-të, një goditje dënimi iu akordua Brazilit, plotë 34.7 metra larg portës së Fabien Barthez. Roberto Carlos mori një vrapim karakteristik të gjatë dhe gjuajti me gjithë fuqinë e tij. Topi fillimisht u kthye nga shtylla dhe më pas përfundoi në portë.
Fillimisht, të gjithë u habitën pse Barthez nuk reagoi fare, por pasi pamjet u shikuan me lëvizje të ngadalta, të gjithëve iu bë e qartë pse.

Carlos e dërgoi topin shumë larg portës, por ai u devijua në mënyrë spektakolare dhe përfundoi në rrjetë. Ditë pas ndeshjes, shumë shkencëtarë, fizikanë dhe matematikanë, madje edhe mendjet më të mëdha të NASA-s, u përpoqën të kuptonin se çfarë kishte ndodhur.
Carlos kishte përfituar nga kushtet e favorshme atmosferike dhe, falë efektit Magnus, topi ndryshoi trajektoren e tij deri në katër metra.
Efekti Magnus është një fenomen fizik që ndodh kur një trup që rrotullohet (si një top) lëviz nëpër një rrjedhë ajri. Ky efekt ndikon në trajektoren e objektit, duke e shtyrë atë të devijojë nga rruga e tij e zakonshme.
Ai e dërgoi topin me një shpejtësi prej 136 km/orë dhe me 14 rrotullime në sekondë, duke e bërë atë gjuajtje pothuajse të pamundur.
Vite më vonë, vetë Carlos pranoi se ishte shumë me fat dhe nuk kishte asnjë shpjegim të saktë për atë që ndodhi.
“Të them të drejtën, nuk kam idenë se si shënova. Kam ushtruar shumë goditje të lira, por sigurisht jo si kjo. Nuk kam idenë, thjesht e godita dhe hyri brenda, ndoshta era e hodhi në portë”, deklaroi Carlos. /Telegrafi/
The post Në këtë ditë, 28 vite më parë Roberto Carlos shënoi një gol të famshëm që sfidoi ligjet e fizikës appeared first on Telegrafi.