69 vite nga premiera e “High Society”, një klasik që vazhdon të shkëlqejë

Në korrik të vitit 1956, publiku pati fatin të shijonte për herë të parë komedinë muzikore “High Society”, një nga filmat më të dashur të epokës së artë të Hollivudit.
Sot, 69 vite më vonë, ky film mbetet një perlë e pakohë, që vazhdon të mahnisë breza të tërë me sharmin, humorin dhe elegancën e tij.
Me një kast brilant, Grace Kelly në rolin e saj të fundit para se të bëhej princeshë, Bing Crosby dhe Frank Sinatra, dy ikona të muzikës dhe kinemasë, “High Society” është jo vetëm një rikrijim i suksesshëm i filmit “The Philadelphia Story”, por edhe një krijim muzikal i shkëlqyer me kompozime të Cole Porter, përcjellë KultPlus.
I xhiruar me ngjyra të pasura dhe stil glamuroz, filmi është një portret i shoqërisë së lartë amerikane të viteve ’50, por njëkohësisht një reflektim mbi dashurinë, martesën dhe zgjedhjet personale, me një ton ironik dhe të përzemërt.
Pas gati shtatë dekadash, “High Society” nuk ka humbur asgjë nga hijeshia e tij. Është ende një nga filmat më të shikuar e më të dashur nga adhuruesit e klasikëve, dhe një kujtesë e bukur për një kohë kur muzika, eleganca dhe yjet shkëlqenin vërtet në ekranin e madh./KultPlus.com
