Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn
Pas një seance që zgjati rreth dy orë, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit me burg për kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili, me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe gjashtë sipërmarrës, dyshohet të jetë përfshirë në një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash.
Trupa e Kolegjit Penal, e udhëhequr nga gjyqtarja Albana Boksi, mori vendimin pasi dëgjoi argumentet e Veliajt dhe të akuzuarve të tjerë.
Gjykata rrëzoi kështu pretendimet e kryebashkiakut se po mbahet padrejtësisht në paraburgim.
Prej datës 10 shkurt në profilet personale të Veliajt në rrjetet sociale, janë botuar me dhjetëra postime, përmes të cilave ka sulmuar prokurorët dhe gjyqatrët, duke pretenduar së është i pafajshëm.
Po ashtu ai angazhoi dy studio ligjore ndërkombëtare të kushtueshme për mbrojtjen e tij si dhe kompani PR me seli në Londër dhe në Nju Jork.
Përveç kësaj, pavarësisht se është në paraburgim, Veliaj u përfshi në të paktën dy emisione të politikës duke përcjellë në redaksitë e mediave “versionin e tij të burgosjes pa gjyq”.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), dyshon se ai dhe bashkëshortja Xoxa, gjithashtu nën hetim, përfituan të paktën 1.1 milionë euro përmes skemave korruptive.
Hetimet tregojnë se paratë qarkulluan nga kompani dhe organizata jofitimprurëse të kontrolluara apo lidhura me Xoxën.
SPAK kërkoi arrestimin e Veliajt dhe bashkëshortes Xoxa pasi ata rezultuan jobashkëpunues dhe me përpjekje për të prishur provat e çështjes duke intimiduar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimeve.
Për faktin se ishte prind i një fëmije të mitur, Xoxa u la fillimisht në arrest shtëpie, më pas në detyrim paraqitje.
Masa e arrestit ndaj Veliajt u vlerësua e drejtë edhe në Apelin e Gjykatës së Posaçme.
Aktualisht në paraburgim qëndron vetëm kryebashkiaku, teksa të tjerët (Xoxa dhe sipërmarrësit Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi) janë në detyrim paraqitje.
Lexoni gjithashtu:
The post Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn appeared first on Citizens.al.