Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“AI Albania 2030”, Rama: Hartojmë draftprogramin me përfaqësues të sektorit

TIRANË, 18 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot përfaqësuesit e sektorit të teknologjisë dhe inovacionit që të hartojnë draftprogramin “AI Albania 2030”, se ku do të jetë Shqipëria me inteligjencën artificiale në vitin 2030.

Duke folur mbi konkluzionet pas takimit maratonë në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve, Rama tha se të gjithë ata që janë në  këtë sektor dhe duan të japin kontributin e tyre mund të ofrojnë draftprogramin e “AI Albania 2030”.

“Mund të na e prezantojnë, ta diskutojmë dhe miratojmë dhe ta çojmë në parlament, duke e shndërruar në program pune të qeverisë në bashkëpunim me ju”, tha Rama, ndërsa informoi edhe mbi mbajtjen e një Kuvendi të përbashkët të paktën një herë në katër muaj për të gjitha problematikat dhe risitë e sektorit.

“Ministrin e Shtetit për Inteligjencën artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj nëse do të arrini të krijoni model të IA që të zgjedhë ministrin. Ky do jetë hapi i parë drejt momentit historik kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra e kryeministër me inteligjencë artificiale. Aty do kalojmë në nivel tjetër, do punojë IA dhe gjithë ne të tjerët do bëjmë muhabet për politikën pa pasur mundësi të marrim asnjë vendim”, iu drejtua Rama të pranishmëve.

Ndërkohë, Kryeministri bëri të ditur se “ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin si dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit do të angazhohen për të hartuar marrëveshjen kuadër mes qeverisë dhe sektorit të teknologjisë dhe inovacionit”.

Kryeministri shtoi se “duhet të hapim një kapitull të ri duke siguruar akses në gjithë strukturat e qeverisë për të pasur të mundur që të keni bazën e nevojshme të të gjitha të dhënave”.

“Kjo për të ndërtuar proceset që pastaj do të sjellin modele të inteligjencës artificiale që do të na shërbejnë ne për t’i shërbyer publikut dhe ju për punën tuaj, si dhe për promovimin e produkteve tona”, shtoi ai.

Rama vlerësoi veçanërisht përpjekjet që po bën ky sektor për të përfituar nga afrimi dhe anëtarësimi në BE.

“Organizata e krijuar brenda sektorit me një numër të konsiderueshëm anëtarësh po bën një punë domethënëse për të marrë gjithë ekspertizën e duhur që të marrë përfitime nga fondet e BE-së, duke paraqitur projekte të besueshme”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është një shembull fantastik për të gjithë sektorin privat”.

Po ashtu, kryeministri theksoi se në muajin shtator në Tiranë do arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore një inovacion që vjen nga një start up shqiptarësh dhe që do të ndryshojë shumë mënyrën se si funksionon gjithë sektori dhe studiot e arkitekturës botërisht.

“Me shumë gëzim dhe shumë përgjegjësi do të angazhohem personalisht dhe me strukturat përkatëse për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri me këtë teknologji të re të propozuar nga start up-i në fjalë muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale”, tha Rama.

/j.p/r.e/

The post “AI Albania 2030”, Rama: Hartojmë draftprogramin me përfaqësues të sektorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projekti EU4Youth, mbështetje të rinjve për integrimin në tregun e punës

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Komiteti Drejtues i projektit EU4Youth zhvilloi mbledhjen e dytë nën drejtimin e zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani dhe përfaqësuesit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Miha Pezelj.

Takimi mblodhi partnerët kryesorë për të diskutuar mbi progresin e pilotimit të Garancisë Rinore si edhe ecurinë në zbatimin e ‘EU4Youth’.

Garancia Rinore është programi më i rëndësishëm i BE për integrimin e të rinjve në tregun e punës.

Ky program ka për qëllim që çdo i ri apo e re në Shqipëri të marrë një ofertë cilësore për punësim, arsimim ose formim profesional brenda 4 muajve nga regjistrimi në Zyrat e Punës.

Rreth 2000 të rinj nga Tirana, Shkodra dhe Vlora janë mbështetur deri më tani me një ofertë për punë, shkollim apo trajnim, përmes skemës së Garancisë Rinore, zbatuar nga AKPA, me mbështetjen e projektit EU4Youth.

I financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNDP dhe UNICEF Albania, projekti EU4Youth mbështet zbatimin e programit në tri bashki: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

1 nga 4

/k.s//r.e//a.f/

The post Projekti EU4Youth, mbështetje të rinjve për integrimin në tregun e punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Programi i Kuvendit “Punishtja e Demokracisë” i njeh të vegjlit me funksionet parlamentare

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pati një mëngjes ndryshe sot, teksa priti në zyrën e saj një grup vogëlushësh të kopshtit.

Kryeparlamentarja theksoi se, programi i Kuvendit “Punishtja e Demokracisë” i njeh të vegjlit me funksionet parlamentare, të drejtat e tyre, dhe nxit qytetarinë aktive që në moshë të hershme.

“Përmes këtyre vizitave, edhe ne të rriturve na kujton vlerat më të rëndësishme: kureshtjen, sinqeritetin dhe dëshirën për të mësuar”, nënvizoi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

“Takimet me ta janë gjithmonë një kujtesë e bukur për mrekullinë e fëmijërisë”, u shpreh më tej Kryeparlamentarja.

/gj.m//a.f//r.e/

The post Spiropali: Programi i Kuvendit “Punishtja e Demokracisë” i njeh të vegjlit me funksionet parlamentare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Garancia Rinore, 63,5 milionë euro për punësimin dhe arsimin e 60 mijë të rinjve

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Garancia Rinore për të Rinjtë, një program kombëtar prej 63.5 milionë eurosh, është miratuar si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, me qëllim mbështetjen e 60,000 të rinjve në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se ky program, i financuar nga Bashkimi Europian dhe buxheti i shtetit, do të ofrojë mundësi punësimi, formim profesional, mbështetje për arsimim dhe fuqizim institucional.

“Qëllimi kryesor i programit është që çdo i ri që është i papunë dhe jashtë sistemit arsimor apo formimit profesional (NEET) të marrë një ofertë konkrete brenda 4 muajve nga momenti i regjistrimit”, theksoi ai.

Programi po zbatohet fillimisht në tre rajone pilote, Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, me përfshirjen e nëntë bashkive në total.

Deri tani janë regjistruar 1082 të rinj, nga të cilët 55% janë femra.

Sipas të dhënave zyrtare, 71% e të rinjve të përfshirë kanë marrë një ofertë punësimi, arsimi ose trajnimi, ndërsa 764 prej tyre janë integruar në tregun e punës ose në sistemin arsimor.

Për vitin 2025 synohet identifikimi i 1500 të rinjve dhe referimi i 800 prej tyre në skemë.

“Deri në vitin 2030 objektivi është që 40 mijë të rinj të përfitojnë nga programi dhe të arrihet ulja e nivelit të NEET në 15%, në përputhje me mesataren e Bashkimit Europian”, tha ministri.

/a.f/

The post Garancia Rinore, 63,5 milionë euro për punësimin dhe arsimin e 60 mijë të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Java e Kulturës Italiane” mbërrin në Gjirokastër, një program i pasur artistik

8 June 2025 at 10:50

“Java e kulturës Italiane” ka mbërritur në Gjirokastër me një program të pasur aktivitetesh. Pjesë e tyre ishte shfaqja e dramës “Ndero babanë”, një bashkëpunimi mes Teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës dhe Teatrit Publik të Pulias në Itali.

Regjisorë dhe aktorë nga të dy vendet ndërtuan një vepër që flet në tri gjuhë: Shqip, italisht dhe anglisht. Drama vendos përkrah dy figura të forta femërore: Burrneshën shqiptare dhe Franca Violën, gruan e parë në Itali që refuzoi martesën e detyruar në vitet ’60. Ky paralelizëm mes dy vendeve u soll si një reflektim mbi lirinë, guximin dhe rolin e gruas në shoqëri.

Regjisori Milto Kutali theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi kulturor.

“Është kënaqësi që në skenën e teatrit “Zihni Sako” vjen përsëri një performancë e mrekullueshme e këtyre artistëve shqiptarë dhe italianë, shprehje e bashkëpunimit të dy organizmave shumë të rëndësishëm Teatrit Publik Puliez dhe Bashkia Gjirokastër”, tha Kutali.

Aktorja shqiptare Lejda Çeli vuri në pah ndërthurjen e gjuhëve dhe historive, duke e cilësuar shfaqjen si një urë lidhëse mes dy kulturave.

“Shfaqja “Ndero babanë” është një bashkëpunim dy kulturor, gjatë shfaqjes ne flasim dy gjuhë të ndryshme madje tre sepse ka edhe anglisht, ka dhe dy histori të ndryshme të cilat kanë po aq sa të përbashkëta me njëra-tjetrën aq edhe gjëra që i ndajnë nga njëra-tjetra”, shtoi aktorja Çeli.

Ndërsa aktorja italiane Ginevra Juni e përshkroi përvojën në Gjirokastër si unike dhe të mbushur me emocion.

“Për mua ishte një eksperiencë unike si aktore. Qyteti i Gjirokastrës është vërtet i mrekullueshëm plot emocione, kulturë dhe traditë. E shijuam në çdo aspekt këtë vizitë dhe këtë bashkëpunim”, tha ajo.

Organizimet në Javën e Kulturës Italiane, shfaqjet teatrore dhe projeksioni i filmave kanë tërhequr turistët nga Italia që vizitojnë qytetin e gurtë. Aktivitete të tilla forcojnë dhe nxitin bashkëpunimin dypalësh mes rajonit të Gjirokastrës dhe Italisë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Java e Kulturës Italiane” mbërrin në Gjirokastër, një program i pasur artistik appeared first on Euronews Albania.

NATO bie dakord për një program gjigant armatimi

5 June 2025 at 20:40

Ministrat dhe ministret e Mbrojtjes të NATO-s ranë dakord në Bruksel që shtetet anëtare të forcojnë masivisht aftësitë e tyre ushtarake. Por të dhënat konkrete konsiderohen si tepër sekrete. Për shkak të kërcënimit nga Rusia ministrat dhe ministret e Mbrojtjes të NATO-s ranë rënë dakord për programin më të madh të armatimit prrej disa dekadash. Ministrat u takuan […]

The post NATO bie dakord për një program gjigant armatimi appeared first on BoldNews.al.

Programi për energjinë e rinovueshme, Kozeli: 8 mijë familje përfitojnë nga skemat e granteve

TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ami Kozeli bëri të ditur sot se 8 mijë familje do të përfitojnë nga skemat e granteve për burimet e rinovueshme të energjisë.

Kozeli ishte i ftuar në komisionin për Politikën e Jashtme ku prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për energjinë për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III)”.

Zv.ministri bëri të ditur se ky program ka një buxhet total prej 79 milionë eurosh nga të cilat 50 milionë janë donacion nga BE dhe 29 janë bashkëfinancim nga qeveria shqiptare.

Programi operacional për energjinë, sipas tij, “synon zhvillimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë, diversifikimin e tyre, nxitjen e përdorimit efikas dhe uljen e konsumit të energjisë në ndërtesat publike.

Po ashtu, Kozeli theksoi se ky program synon krijimin e kushteve për hapjen e tregut të energjisë në përputhje të plotë me paketën e tretë rregullatore të BE-së.

“Ky program do të impaktojë ndjeshëm edhe eficiencën e energjisë në furnizimin me ujë dhe imobilitetin nëpërmjet instalimit të paneleve fotovoltaike dhe nxitjes së gjenerimit të energjisë së rinovueshme që përdoret në sektorin e ujit si dhe përmes investimeve në instalimin e stacioneve të karikimit të makinave elektrike”, tha ai.

Zv.ministri Kozeli nënvizoi se programi operacional i energjisë bazohet në 4 fusha kryesore, ku veçoi energjinë e rinovueshme dhe eficiencën e energjisë në ndërtesat publike.

“Qëllimi është përmirësimi i eficiencës së energjisë në ndërtesat publike të 4 bashkive të përzgjedhura duke rritur eficiencën e energjisë e ulur emetimet e gazrave serrë. Po ashtu synohet zhvillimi i burimeve të energjisë së rinovueshme si dhe parashikohen investime në ndërtesat publike të 4 bashkive të përzgjedhura ku përfshihen zyrat, kopshtet, bibliotekat, qendrat sociale etj”, tha ai.

Gjithashtu, Kozeli theksoi se “investimet do të përfshijnë instalimin e paneleve të energjisë së rinovueshme kryesisht fotovoltaikë dhe kolektorë termikë diellorë”.

Përveç kësaj, Kozeli tha se “programi operacional do të bashkëfinancojë burimet e rinovueshme të energjisë për rreth 8 mijë familje private nëpërmjet një sërë skemash grantesh”.

Në lidhje me infrastrukturën e automjeteve elektrike, Kozeli tha se “synohet reduktimi i emetimeve të karbonit, përafrimi me legjislacionin e BE-së, asistimi në instalimin e 130 stacioneve të karikimit të makinave elektrike dhe një sistem teknologjik i përmirësuar për menaxhimin e rrjetit të stacioneve të karikimit”.

“Parashikohet gjithashtu forcimi i kapaciteteve të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë. Fusha e tretë është eficienca energjetike në sektorin e ujit. Objektiv është rritja e eficiencës së energjisë dhe ulja e emetimeve në 7 ndërmarrje të Ujësjellës-Kanalizimeve. Parashikohet përmirësimi i sistemeve të pompimit, instalimi i paneleve fotovoltaike me një kapacitet prodhues deri në 15 Mega si dhe rritja e kapaciteteve për AKUK dhe ndërmarrjet vendore. Fusha e katërt është përmirësimi i kapaciteteve institucionale, rritja e kapaciteteve të autoritetit menaxhues për zbatimin efektiv të programeve”, tha Kozeli. /j.p/

The post Programi për energjinë e rinovueshme, Kozeli: 8 mijë familje përfitojnë nga skemat e granteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nga hekurudhat, portet e aeroportet te ekonomia e shëndetësia, prioritetet qeverisëse në mandatin e katërt

TIRANË, 9 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste renditi sot disa nga planet e qeverisjes duke u ndal në çdo sektor, për të cilat PS kërkon mandatin e katërt.

Në takimin përmbyllës elektoral të zgjedhjeve të 11 majit në Tiranë, Rama shprehu bindjen se “PS do të marrë mandatin e katërt me të paktën 78 mandate dhe nuk do të humbasë asnjë ditë për Shqipërinë 2030 në BE”.

“Nuk do të humbim asnjë ditë për Shqipërinë me një prodhim të brendshëm që do ta çojmë në 35 miliardë euro në vitin 2030. Për Shqipërinë me pagën mesatare të paktën 1 mijë euro nga 848 euro që e kemi sot dhe me pensionin minimal 200 euro”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri garantoi se “nuk do të humbasim asnjë ditë për Shqipërinë turistike”.

“Me investime shembullore të nivelit të lartë nga veriu në jug, që do ta bëjnë vendin një sy të kaltër në mes të Mesdheut që të gjithë do të duan ta shohin dhe nga i cili të gjithë do të duhet të shihen”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri siguroi se Tirana do të bëhet platforma e një koleksioni spektakolar të arkitekturës moderne.

“Për Shqipërinë me një industri të rilindur ushtarake dhe me një industri të zhvilluar agroushqimore. Për Shqipërinë me një nivel ende më të lartë sigurie dhe rrugë kombëtare e qytete të mëdha. Me shkolla të mbuluara të tëra me sistem kamerash inteligjente”, tha Rama.

Në sistemin shëndetësor, Rama veçoi krijimin e një qendre shëndetësore rajonale ekselence në kompleksin e QSUT-së dhe spital të gjeneratës së fundit në zonën e Durrësit, si dhe me universitet europian mjekësie.

“Për Shqipërinë me një nivel të ri mbrojtje të mjedisit dhe administrimit të mbetjeve. Për Shqipërinë me shërbime ende më moderne online me një arsim ende më të zhvilluar dixhital, me parqe të zhvilluara dixhitale dhe me një ekosistem shumë më të gjerë dixhital”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se nuk do të ndalen për Shqipërinë me Korridorin Blu dhe me Korridorin 8 në operim.

“Me portin e madh tregtar të Durrësit në operim, me portet turistike në operim, me katër aeroporte në operim dhe me hekurudha në kantier. Po ndalem pa e thënë krejt listën e pafundme të punëve që nuk janë program elektoral, por janë planet tona të qeverisjes së çdo sektori”, tha Rama.

The post Rama: Nga hekurudhat, portet e aeroportet te ekonomia e shëndetësia, prioritetet qeverisëse në mandatin e katërt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha për programin: Minimum jetik 200 euro, pension minimal 200 euro, rrogë minimale 500 euro

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, do të vendoset minimumi jetik 200 euro, pensioni minimal do të jetë 200 euro, ndërsa rroga minimale do të jetë 500 euro.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan Berisha tha se, dy janë shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet programi i koalicionit PD-ASHM.

“Programi ynë bazohet në këtë parim: Kthimi i parave te qytetarët. Ndaj kemi shpallur minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptarë, pensioni minimal 200 euro, rroga minimale 500 euro, rroga mesatare 1250 euro dhe rroga e mësuesit 1500 euro. Kjo ishte shtylla e pare”, tha Berisha.

“Ndërsa pika e dytë. Të gjithë ata që marrin pension dhe rroga të ulëta, do të kenë 20% zbritje, do të marrin TVSH-në mbrapsh për të gjitha gjërat e shportës bazë”, theksoi ai.

Për sa i përket shëndetësisë në Shqipëri, Berisha nënvizoi se, “Instituti i Statistikave deklaroi që shqptarët shpenzojnë 820 milion euro në vit për kujdes shëndetësor nga xhepi i tyre”.

“Ne do të marrim listën e rimbursimit që ka Italia dhe do ta rimbursojmë 100% për qytetarët tanë. Kjo do të kushtojë patjetër, por nuk do të nxirren nga xhepi 820 milionë”, tha Berisha.

“Biznesi i vogël energjinë elektrike do ta paguaj 6 lekë, jo 18 lekë; hapësirën publike do ta paguaj 120, jo 150 lekë; tarifat e ujit do t’i paguaj me gjysmë çmimi. Do të thjeshtohet të gjitha procedurat burokratike. Fermeri do të ketë 5-fish subvencione”, tha Berisha.

Ndërsa pyetjes se si Partia Demokratike do t’i bindë të rinjtë që të mos largohen jashtë vendit, Berisha iu përgjigj duke thënë se do të ketë politika për fëmijët dhe rininë.

“Fëmija i parë me bonus 70 euro, fëmija i dytë me bonus 60 euro, fëmija i tretë paguhet nga lindja deri në moshën 23 vjeç tërësisht nga shteti dhe i katërti njëlloj. Përveç kësaj zero anafalbetizëm. Anafalbetizmi po rritet me një mënyrë të frikshme në Shqipëri. Arsimi i mesëm i detyrueshëm. Shkolla do të ketë partneritet të plotë me sipërmarrjen”, u shpreh kreu i PD-së.

/a.f/r.e/

The post Berisha për programin: Minimum jetik 200 euro, pension minimal 200 euro, rrogë minimale 500 euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Ne dimë të kafshojmë gjuhën, ata s’lënë epitet pa u vënë prokurorëve”, Spiropali : PD synon të shkrijë SPAK-un

3 May 2025 at 17:59

Kryetarja e Kuvendi Elisa Spiropali, ishte e ftuar sot në emisionin “Kjo Javë”, ku foli mes të tjerash edhe në lidhje me Reformën në Drejtësi, ku tha se një nga investimet e bëra nga qeveria, ka qenë pikërisht fakti që SPAK të ketë fuqinë të veprojë pa u penguar.

Ajo shtoi se pandëshkueshmëri ka pësuar një zmbrapsje pa kthim, ndërsa nuk la jashtë vëmendjes edhe qasjen e opozitës e kryesisht të PD ndaj organeve të drejtësisë së re.

Kryetarja e Kuvendit u shpreh se ndërkohë që PS mbështet drejtësinë, PD ka në program shkrirjen e Strukturës së Posaçme anti-korrupsion dhe gjuha dhe sulmet ndaj prokurorëve prej tyre është jo normale.

“Ne besojmë tek një drejtësi e pavarur, kemi investuar për këtë, që SPAK të ketë të gjithë fuqinë që i jep ligjit, pandëshkushmëria ka pësuar një zmbrapsje fatale pa kthim. Nëse kundërshtarët tanë për çdo rast kur drejtësia godet nuk lënë epitet pa i vënë prokurorëve e sulm pa i bërë sistemit të drejtësisë, pjesë e programit të tyre është shkrirja e SPAK, ne kemi një qasje tjetër.

Ne e kafshojmë gjuhën, por besojmë që në Shqipëri askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por pa dyshim edhe mbi ligjin”, tha ajo.

The post “Ne dimë të kafshojmë gjuhën, ata s’lënë epitet pa u vënë prokurorëve”, Spiropali : PD synon të shkrijë SPAK-un appeared first on Sot News | Lajme.

Berisha: Rroga mesatare 1250 euro, dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe shëndetësinë

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë demokratike Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me banorët e degëve nr. 1, 3 dhe 14, në sheshin “Shtraus” (Xhamlliku) në Tiranë, ku prezantoi programin e koalicionit “PD – Shqipëria Madhështore”.

Berisha u shpreh se “programi ynë është programi i zemrës së dhembshur”.

“Të dhemb në zemër kur sheh 760 mijë burra dhe gra, të moshuar, me pensione me të cilat nuk mbyllin dot muajin, me të cilat nuk blejnë dot ilaçet. Unë garantoj çdo pensionist që sot merr nën 200 euro, që 100 ditët e para të qeverisjes do ketë pensionin minimal 200 euro. 200 euro do jetë minimumi për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo fëmije me një prind, për çdo student me bursë.

Jo vetëm kaq, por të gjithë këta, të gjithë pensionistët, të gjithë personat me rrogë të ulët, e cilat nuk do jetë më kurrë nën 500 euro, do kenë kartën e konsumatorit me të cilën do marrin mbrapsht TVSH-në, e cila është 450 euro dhe të shkojë sa të shkojë në vite.
Miqtë e mi, ju e keni të qartë, e keni dëgjuar, sot problemet shëndetësore të njerëzve janë bërë probleme kryesore”, theksoi Berisha.

Ai tha se mazhoranca socialiste nuk mbajti premtimin për shëndetësinë falas.

“Shqiptarët sot paguajnë 67 për qind të shpenzimeve për shëndetin e tyre nga xhepi i tyre. Paguajnë trefishin e italianëve, trefishin e gjermanëve, francezeve. Paguajnë 820 milionë euro. Paguajnë katër herë më shumë se për bukën. Kjo do të thotë se ata mbeten pa mjekim se nuk i kanë këto para, ose i shtrijnë dorën të tjerëve për lëmoshë, ose i porosisin në emigracion. Zotimi ynë është solemn: 100 ditët e para Shqipëria vendos listën e rimbursimit të ilaçeve të Republikës Italiane”, theksoi Berisha.

Ai tha se “do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë. Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Rroga mesatare do jetë 1250 euro dhe vrapi ynë në rritjen e rrogave dhe pensioneve ndalet vetëm kur të dalim në krye të të gjitha vendeve të rajonit.
Asnjë vend në rajon nuk është i pasur sa Shqipëria. Asnjë. Ne ç’do bëjmë? Ne do t’jua kthejmë paratë ju, do t’jua kthejmë pasuritë publike ju”, theksoi Berisha.

/a.f//r.e/

The post Berisha: Rroga mesatare 1250 euro, dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe shëndetësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Besueshmëria e programit të PS-së, e dëshmuar në negociatat me BE-në

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së theksoi sot se Partia Socialiste, e cila udhëheq vendin prej 12 vitesh, ka një program të qartë dhe të detajuar për qeverisjen e Shqipërisë, edhe në një mandat të katërt.

Në rubrikën “Sy m’sy”, ku kryeministri ka zgjedhur t’u përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se procesi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) është një dëshmi e besueshmërisë së programit të PS-së.

Sipas Ramës, nëse BE nuk do të besonte në programin e Partisë Socialiste, nuk do të ishte nisur procesi i negociatave për anëtarësimin.

“Programi ynë është qeverisës, i detajuar. Nuk jemi parti politike që duam të vijmë në qeveri dhe nuk dimë çfarë është qeverisja, nuk kemi qenë në mekanizmin e shtetit ndonjëherë dhe imagjinojmë se si mund të bëhet dhe shtojmë dozat nga dëshira ta bëjmë këtë gjë të duket fushë me lule”, theksoi ai.

Rama foli për progres të vendit gjatë qeverisjes së tij.

“Nëse Shqipëria nuk do të ishte një vend që ka bërë progres, nuk do të ishim ulur në tryezën e negociatave me BE-në. BE nuk negocion me vende që nuk plotësojnë standardet dhe kriteret për anëtarësim. BE është një makineri e tërë, dhe çdo hap që ndërmerr bazohet në hulumtime të detajuara dhe të përgatitura për shumë vite”, përfundoi ai. /j.p/

The post Rama: Besueshmëria e programit të PS-së, e dëshmuar në negociatat me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha me ekspertët: Rritje e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e shëndetësisë

27 April 2025 at 17:33

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim me ekspertë të shëndetësisë, ku paraqiti pikat kryesore të programit për reformimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Ai theksoi se “Shqipëria ka mundësinë financiare për të ofruar një shërbim shëndetësor të nivelit të standardeve ndërkombëtare, si ai italian, me efikasitet më të lartë”.

Basha tha se, “parimi “paraja ndjek pacientin”, ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e shëndetësisë, duke përcaktuar çmimet e diagnozave dhe trajtimeve në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Sipas tij, “spitalet duhet të veprojnë si ndërmarrje që mbajnë përgjegjësi financiare për veten e tyre, ndërsa investimet në kapacitetet e fakulteteve dhe universiteteve mjekësore do të dyfishojnë numrin e mjekëve të rinj, duke përmirësuar kështu cilësinë e shërbimeve shëndetësore”.

Pëmes digjitalizimit të shërbimit shëndetësor, Basha tha se, “krijimi i kartës shëndetësore digjitale për qytetarët shqiptarë, duke modernizuar sistemin dhe lehtësuar qasjen në të dhënat e pacientëve që do të jenë të aksesueshme online nga 2025”.

Një tjetër pikë ku u ndal ishte edhe reforma në sistemin farmaceutik.

Ai tha se, “qeveria aktuale largoi praktikën e homologimit të barnave dhe hapjen e tregut për barna me origjinë të dyshimtë. Sipas tij, do të ketë një sistem të rreptë kontrolli për barnat, duke u fokusuar në medikamentet e homologuara nga vendet me standarde të larta të shëndetësisë dhe eliminimin e barnave të pasigurta”.

Pjesë të programit Basha tha se, “është edhe rimbursimi sipas diagnozës, veçanërisht për pensionistët, me qëllim që të eliminohet kostoja e barnave për ata që janë në nevojë”.

/r.e/

The post Basha me ekspertët: Rritje e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e shëndetësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha në njësinë 11: Zhdukim varfërinë e skajme brenda 100 ditëve

TIRANË, 26 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takim në degën nr.11 Tiranë ku dhe paraqiti programin e koalicionit ‘PD-Shqipëria Madhështore’ për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Gjatë fjalës së mbajtur para mbështetësve, Berisha u ndal tek propozimi i fundit i qeverisë për paqen fiskale të cilin e cilësoi parajsë për botën e krimit dhe ndëshkim për qytetarët.

“Dy vite më parë filloi reklamoi me të madhe amnistinë fiskale, kur nuk kishte asnjë synim tjetër veçse të sillte paratë e drogës, të klaneve mafioze, të vinin në Shqipëri dhe të ndërtoheshin kulla siç po ndërtohen. Tani thotë paqja fiskale” u shpreh Berisha.

Kreu i PD tha po ashtu se motoja e kësaj partie do të jetë: legalizim dhe pastaj urbanizim, duke siguruar mbështetësit se nuk i harron betejat e tyre për shtëpitë e shembura.

Më pas, Berisha u ndal tek programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore që e cilësoi programi i zhdukjes së varfërisë së skajme brenda 100 ditëve.

‘Çdo shqiptar, çdo pensionist, çdo i papunë, çdo person në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë, çdo fëmijë me një prind, do kenë minimumin jetik 200 euro. Rroga minimale në Shqipëri rritet në 500 euro’, theksoi Berisha.

Ai shtoi se situate katastrofale e shëndetësisë do të marrë përgjigje emergjente.

Gjithashtu, përgigje sipas tij do të marrin edhe pensionistët, duke theksuar se në një buxhet 8 miliardë euro, pjesa e pensionistëve aktualisht caktohet 16 milionë euro.

Në lidhje me të rinjtë, Berisha tha se beteja është të kthehet kombi në moshën e rinisë, pasi të rinjtë vetëm po ikin.

“Ju garantoj se do bëjmë çdo përpjekje që i riu të shkollohet, të punësohet në Shqipëri duke paguar qeveria 1 vit sigurime shoqërore për çdo të ri që punësohet”, u shpreh Berisha duke përsëritur premtimin se do ketë grant prej 30 mijë eurosh për çdo çati të çifteve të reja.

“Gratë dhe vajzat do kenë mbështetje të fuqishme për bizneset e tyre. Ne do bëjmë gjithçka që familja shqiptare të forcohet. Familja shqiptare dhe familja në tërësi, në këto vitet e fundit, iu nënshtruan një agresioni të paparë të ekstremizmit të majtë marksist dhe post-marksist”, tha Berisha.

The post Berisha në njësinë 11: Zhdukim varfërinë e skajme brenda 100 ditëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ironizon premtimet e Berishës për çmimin e energjisë: Rrëshqitja vazhdon

21 April 2025 at 09:27

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ironizoi sërish sot përmes bufit të kënetës deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Rama publikoi në rrjetet sociale një video me buf, ndërsa në sfond dëgjohen deklaratat e Berishës në takimet elektorale ku premton se çmimi i energjisë elektrike për bizneset do të jetë 6 lekë për kilovat, ndërsa për familjarët 7 lekë për kilovat.

“Domethënë biznesi do paguajë më pak se familjari apo thjesht rrëshqitja vazhdon… Allah Allah, s’thotë kot populli t’rujt Zoti ment…”, shkruan Rama, ndërsa publikoi videon me deklaratat e Berishës.

Kryeministri Rama ka zgjedhur simbolin e bufit dhe të kënetës për të përshkruar gjendjen e opozitës sot.

/m.m/j.p/

The post Rama ironizon premtimet e Berishës për çmimin e energjisë: Rrëshqitja vazhdon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe arsimin

19 April 2025 at 13:17

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Dibrës, ku u ndal edhe te programi elektoral për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha siguroi se “PD do të vendosë minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar, për çdo pensionist që ka pensionin nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo student, për çdo jetim”.

“PD do vendosë rrogën minimale 500 euro. PD dhe koalicioni i ardhshëm në qeveri zotohet para jush për kartën e konsumatorit, me të cilën rrogëultit dhe pensionistët do marrin ushqimet 20 për qind më lirë se të tjerët”, tha ai.

Berisha tha se “nafta, të cilën Kosova e merr nga Durrësi dhe e shet 40 për qind më lirë, do zbresë në çmimin që e shet Kosova dhe Maqedonia”.

Po ashtu, sipas tij, fermerët e Dibrës do të kenë mbështetje të fuqishme, 5 herë më të madhe se sot.

“Do kenë mbështetje për çdo fidan të mbjellë, për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti.
Fermerët do kenë linjat e kreditimit të butë të tyre. Mbrojtjen e prodhimeve të tyre, mbrojtjen sezonale, mbrojtjen nga faktorë natyrore, mbrojtje nga inputet toksike që sillen sot”, tha ai.

Duke u ndalur te programi për shëndetësinë, Berisha tha se PD do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë.

“Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Mësuesin, këtë misionar të kombit dhe të dijes, do e vendosim përsëri në piedestal. Rroga e mësuesit do jetë jo më pak se 1500 euro.
Shkollat do modernizohen. Tarifat për studimet do hiqen. Mesatarja do hiqet”, tha ai.

Berisha siguroi banorët se ky program do jetë realitet, ndërsa shtoi se PD ka çdo potencial, por ka edhe eksperiencën që ta bëjë këtë me shpejtësi të madhe.

“Ta bëjmë këtë brenda 100 ditëve. Qeveria e ardhshme, brenda 100 ditëve do u kthejë paratë e vjedhura shqiptarëve. Filozofia jonë, thelbi i këtij programi, bazohet në parimin e thjeshtë, paratë te qytetarët”, tha ai.

Kreu i PD-së uroi po ashtu të gjithë besimtarët për festën e Pashkës.

“Sot ne mblidhemi ndërkohë që vëllezërit dhe motrat tona të krishterë, katolikë dhe ortodoksë, kudo që ndodhen, festojnë nesër ngjalljen e Krishtit, festojnë Pashkën. Ngjallja është shpresa, është përjetësia e jetës, e vlerave, e njeriut”, tha ai.

Aleanca Pd Shqiperia madhehtoren prezanton kandidatët në Dibër
1 nga 11

/m.m/r.e/

The post Berisha: Dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe arsimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shehaj: Qeveria ndërhyn nëpërmjet korrupsionit në ekonomi

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot se pushteti ekonomik dhe politik është përqendruar në duart e një njeriu të vetëm, teksa shtoi se qeveria ndërhyn në treg nëpërmjet korrupsionit dhe parave të pista.

Në një konferencë për ekonominë, mbajtur në Tiranë, Shehaj tha se, Rama vendos se kush do të fitojë dhe kush do të dështojë në ekonomi, duke sulmuar edhe oligarkët, për të cilët tha se atyre Rama u ka dhënë një printer dhe printojnë para.

Sipas Shehajt, biznesi i ndershëm nëse del me 10% ka super rezultat, ndërsa oligarkët e Ramës figurojnë më shifra joreale, 70 ose 80% fitime.

“Pushteti ekonomik dhe politik është e përqendruar në duart e një njeriu që vendos cili do fitojë dhe cili do dështojë në ekonomi, nuk e vendos tregu. Qeveria ndërhyn nëpërmjet korrupsionit, nëpërmjet përfshirjes së parave të pista, përveç ortakëve të kryeministrit, ata që në fakt nuk bëjnë biznes por printojnë para’. U ka dhënë një printer kryeministri dhe thonë sa para’ do bëj sot. Ky është një treg absolutisht jo i lirë”, u shpreh Shehaj.

Për kreun e “Mundësisë”, zhvillimi i shpejtë i Shqipërisë do të vijë vetëm ditën kur të kalojmë në një kapitalizëm të vërtetë.

“Vetëm ditën kur do kalojmë nga “karikatura e kapitalizmit” në një kapitalizëm të vërtetë, atëherë Shqipëria do zhvillohet më shpejt. Një shprehje që se përdorim dot më, edhe bufi e di se me më shumë para, mund të japim një shëndetësi e një arsim më të mirë”, theksoi Shehaj. /j.p/

The post Shehaj: Qeveria ndërhyn nëpërmjet korrupsionit në ekonomi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Korrupsioni do të shpallet vepër penale e rëndë, krijojmë ministrinë e Familjes

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi të shtunën në Tiranë, programin elektoral duke premtuar përparësi në ringritjen e arsimit dhe shëndetësisë.

Në fjalën e tij, Berisha premtoi dyfishimin e buxhetit për këto sektorë dhe një rritje të konsiderueshme të pagave për mësuesit.

Ai theksoi se rrogat e mësuesve do të jenë disa herë më të larta se sa ato aktuale, duke garantuar një minimum prej 1500 eurosh për çdo mësues në Shqipëri. Po ashtu Berisha shtoi se teknologjia do të bëhet pjesë e çdo shkolle dhe studentët shqiptarë do të jenë konkurrues me ata të moshës së tyre në botë.

Ai tha se qeveria e tij do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit.

“Shqipëria madhështore ka nevojë për të pastruar shtëpinë e saj. Korrupsioni do të shpallet vepër penale e rëndë dhe ata që janë të përfshirë në të, duke përfshirë ministra dhe kriminelë, do të përgjigjen para ligjit”, u shpreh Berisha.

Berisha më tej tha se do të krijohet ministria e Familjes. “Familja shqiptare ka qenë dhe mbetet faktori themelor i ekzistencës së kombit shqiptar”, tha Berisha.

Sipas tij, “familja shqiptare njohu këto kohë një agresion që nuk e kishte përjetuar kurrë në historinë e saj”.

“Qeveria e ardhshme do ketë Ministrinë e Familjes, e cila do zbatojë politikat më të avancuara të mbështetjes së familjes shqiptare. Familja do mbështetet me bonuse për fëmijën e parë, për fëmijën e dytë, 70 euro, 60 euro. Do mbështetet nga lindja gjer në 23 vjeç për çdo gjë për fëmijën e tretë”, u shpreh Berisha.

Sa i takon nënave kryefamiljare, Berisha “i garantoj ato se qeveria e ardhshme do bëjë gjithçka për të lehtësuar, për të zgjidhur çdo mungesë dhe çdo problem që ato kanë. Se fëmijët e tyre do kenë 200 euro minimumin jetik. Se qeveria do bëjë gjithçka për suksesin e bizneseve të tyre”.

“Ne zotohemi këtu para jush se me vendosmërinë më të madhe do rrëzojmë murin e patriarkisë, këtë dhunues të verbër të të drejtave të njeriut. I garantoj gratë dhe vajzat se do bëhet gjithçka për suksesin e tyre. Se bizneset e tyre do mbështeten me linja të veçanta. Se ato që quhen shtëpiake do shpërblehen për punën e tyre”, tha Berisha.

Berisha tha se Rinia është fokusi i programit të PD.

“Programi ynë i Shqipërisë Madhështore, po të kishte një emër të dytë, do ishte programi i rinisë shqiptare.  Do bëjmë gjithçka për shkollimin e tyre, për punësimin e tyre, çatinë e tyre, për biznesin e tyre. Do bëjmë gjithçka që jo vetëm këta që janë këtu, por dhe ata që kanë ikur, të rikthehen në dheun e tyre dhe të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri. Të kthehen dhe t’i japin Shqipërisë të ardhmen që meriton. Ndaj dhe programi ynë ka në themel mbështetjen e fuqishme për rininë shqiptare”, tha Berisha.

The post Berisha: Korrupsioni do të shpallet vepër penale e rëndë, krijojmë ministrinë e Familjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD prezanton programin elektoral: Minimumi jetik 200 euro, paga mesatare 1200 euro

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Partia Demokratike prezantoi sot në Tiranë, programin e saj elektoral 2025-2029, për Shqipërinë Madhështore në Kuvendin Kombëtar të PD-së.

Aktiviteti u zhvillua në Pallatin e Kongreseve. Në çelje të punimeve, fillimisht u vendos himni kombëtar i Shqipërisë “Himni i Flamurit”.

Më tej, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili e mori i pari fjalën tha se programi i PD është mjaft ambicioz.

Këlliçi tha se “masa e parë do të jetë miratimi i minimumit jetik në vlerën 200 euro, paga minimale 500 euro dhe paga mesatare 1200 euro, duke i dhënë profesionistëve statusin që i takon”.

Gjithashtu vijoi ai, do të ulim në 7 lekë kw/h çmimin për energjinë, ndërsa PD angazhohet të rimëkëmbë sistemin shëndetësor, krijimin e një modeli të ri shëndetësor me barna të rimbursuara.

“Përmes programit për rininë synojmë t’i japim fund shpopullimit dhe do të dyfishojmë buxhetin për arsimin”, tha ai.

Duke marrë fjalën, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka theksoi se “PD dhe Sali Berisha u ringritën kur menduan se i asgjësuan. Por ja ku vijmë sot me një program që ka në thelb zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetarëve”.

Ai tha se, Sali Berisha do t’i japë qytetarëve qeverinë që ata kanë nevojë.

“Sali Berisha dhe PD solli liberalizimin e vizave, anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe realizoj projekte të rëndësishme infrastrukturore nga jugu në veri të vendit. Programi i PD është i vërtetë dhe i bën premtimet realitet”, tha Noka.

Më tej, drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike Chris LaCivita, tha se “një fitore për Berishën, është një fitore për familjet shqiptare”.

“Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump. Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi”, tha LaCivita.

Gjatë aktivitetit këngëtari Renis Gjoka performoi me dy këngë dhe në fund fjalën e mori kreu i PD, Sali Berisha, i cili shpalosi programin e plotë elektoral të PD.

/a.f/

 

 

The post PD prezanton programin elektoral: Minimumi jetik 200 euro, paga mesatare 1200 euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Njëshi, send i kotë!

10 April 2025 at 13:30

Nga Frrok Çupi

Vladimir Majakovski, gjeorgjiani i famshëm, poet e artist, dramaturg e aktor…, këto fjalë i shkroi para një shekulli, aty nga 1917. Po vinte Lenini. Poeti shkroi se kur je i vetëm, je asgjë. ‘Njëshi zero e fyll/ Njëshi send i kotë…’.

Instinkti ‘revolucionar’, jo kultura- me siguri, e çoi një Lëvizje politike revolucionarë të Tiranës drejt instinktit të ‘Njëshit’. Fillimisht e nxiti numri ‘1’ që doli nga shorti i zgjedhjeve. Që në atë moment, kryetari i kësaj partie, ngriti dy gishtat, shpartalloi shpatullat, i dha hapit një dimension si në pushtimin e selisë së PD në 8 janar 2022, dhe thërriti: ‘Jemi 1’.
E zhvilloi më tej e tha se ‘Fati na dha të drejtë të jemi 1’.

-Sepse jemi Njësha!- u tha gazetarëve në zyrën e ndërtuar nga Enver Hoxha dhe të pushtuar me zjarr e me hekur nga Sali Berisha.

Ky ishte Njëshi i fillesës. E di ai se numri është një gjë bosh, por merr e jep me ‘luftëtarët’ e tij të marrë. Ata nuk dinë asgjë nga çfarë ka në kokë lideri. Në kërkim të përforcimit të numrit ‘1’, i erdhi rasti të gjente edhe dy ‘Njësha’ të tjerë. Data 11. Mori vendim, krejt i vetëm, Njësh:

-Në ditën 11 të prillit hapim fushatën elektorale të partisë sonë revolucionare!, deklaroi.

Në 11 Maj mbahen zgjedhjet e përgjithshme në vend. Shansi i ’11 Prillit’, për Sali Berishën është ‘fake’. Erdhi rasti që diktatorit t’i bënte një homazh, të paktën. Por prapë edhe ai nuk ndodhet mbi tokë. Në 11 Prill 1985 ka vdekur Enver Hoxha, një datë që shumica absolute e popullit nuk e kujton. Por Sali Berisha e ktheu në kujtesë, madje i dha edhe vlerat e një manifestimi politik në shoqërinë pluraliste.

Prapë një kotësi, si ‘Njëshi send i kotë’

Kryetari Partisë ‘1’ është i vetmi që ka mbetur i gjallë, që e ka të lidhur ekzistencën sa me jetën edhe me vdekjen e Enver Hoxhës. Sa ishte në jetë diktatori, Saliu gjente çaste romantike të diktatorit dhe shkëmbente lëvdata, ‘lëvdue qoftë i madhi zot!’. Një meshë në kohë bosh e të ndaluar. Edhe kjo njësh e ‘send i kotë’. Ditën që Enveri shkoi n’at jetë, Saliu u dend në lot: Ku do të gjente një punë si ajo, një shërbim ndaj një kolosi si Enveri.

Ishte data 11.

Ja ku jemi në ‘Njësh- llëkun’ si një send i kotë:

Partia numër 1, shpalli se do të bëjë Shqipërinë ‘Njësh, Madhështore’. Kurrkush nuk mori vesh çfarë do të thotë, dhe fjala madhështore mbeti vetëm. Filluan ta thërrasin ‘Saliu madhështori’. Madhështorja do të bëhej nga një Njësh. Njëshi i parë u soll nga Amerika: ‘La Civita është Njësh!’, tha Berisha. Njëshi do të ndërtonte Shqipërinë me ushtarë zero. Por që atë ditë, një muaj e ca, La Civita ka humbur, bosh, send i kotë.

Pastaj Partia- 1, shpalli programin konservator:

Dinjitetin:

Sa tha këtë fjalë, aty u shfaqen pisllëqet e zgjedhjeve dhe ham- hamet brenda Partisë. Pa pikë dinjiteti. Nisën vjedhjet e shoqi- shoqit, dolën vilat, pazaret, vrasjet. U kujtua edhe kryetari i parë, me arkivolin e tij thyen dyert e selisë së qeverisë. Po ku përdoret i vdekuri i çekiç, ky është dinjitet?!

Familjen!, thanë

Po ç’familje? Një baba, kryetar i partisë 1, i ka shtyrë fëmijët që të sulen si ‘këlyshë’ dhe të vjedhin. Vidh djali, vidh vajza, vidh dhëndëri, vidh gruaja. Babai vidh por edhe vrit. Familja është non- grata në Amerikë dhe në Angli. Kjo është ‘njësh e send i kotë’.

Atdheun e kemi Njësh:

Sapo e tha, edhe në dhè të huaj i doli përpara Beleri. Një anëtar i lëvizjeve terroriste anti- shqiptare greke, i dënuar për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë dhe për përdhosje të nderit të atdheut të shqiptarëve. Kombi! Pastaj i doli zonja Bakojanis me të cilin kishin lënë një fjalë. ‘Ku ma ke detin që më fale, Sali?”. Aty shfaqen skenat kur Saliu me të tijtë dogji fabrika, uzina, shkolla institucione… Mbeti zero, as Njësh. Për Atdheun dhe kombin lidhi besë e naftë me kasapin e shqiptarëve, Milloshevic.. Atdheu i doli send i kotë.

Zotin!, thanë:

Zoti u shfaq nga lart një natë të turbullt, pak më lart se kati i tetë i pallatit dhe tundi gishtin: ‘Mos ma ndot emrin se ta rroposa katin tënd!’.

Njëshi si fiksim.

❌
❌