“Në punë, por të pambrojtur”: Një vështrim rajonal për kushtet dhe të drejtat e punëtorëve
Të drejtat e punëtorëve mbeten të kërcënuara në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
Ligji dhe kodet e punës anashkalohen, ndërsa investimet e huaja shpesh përfitojnë në dëm të punëtorëve. Shkelja apo mungesa e kontratave, pagat e ulëta dhe punësimi informal konsiderohen normë e tregut të punës në rajon.
Serbi: Shteti i shërben më pak punëtorit
Prej vitesh kuadri ligjor që mbron të drejtat e punëtorëve në Serbi duket të jetë dobësuar. Bojana Tamindzija, nga Programi për të Drejtat e Punëtorëve, thotë për Citizens.al se kjo prirje është ndjerë që pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Sipas saj, Serbia dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në një garë për tërheqjen e investimeve të huaja përmes lehtësimeve fiskale, ofrimit të krahut të lirë të punës dhe madje edhe mbrojtjes së ulët ligjore për punëtorët.
“Politikat e punësimit të të gjitha qeverive, që nga viti 2000, janë bazuar në tërheqjen e investimeve të huaja,” thekson Tamindzija në këtë këndvështrim.
Kështu, në Serbi kapitalit të huaj u ofrohen subvencione, taksa të ulëta dhe përfitime të tjera si për shembull mbështetje në infrastrukturë, të cilat në thelb favorizojnë kompanitë, jo punëtorët.
Sipas Tamindzijas, ka raste që subvencionet e kësaj politike mund të shkojnë deri në 150,000 euro për një vend të ri pune.
Ajo është e mendimit se me këtë qasje ndaj investimeve të huaja dhe faktit se ekonomia e Serbisë është e varur, grupe punëtorësh, si për shembull punonjësit e sektorit industrial, mbeten pa përkrahjen dhe mbrojtjen e duhur.
Nga ana tjetër, sektori publik, edhe pse më i sigurt dhe me kushte më të mira, vuan nga kufizimet e punësimit, sipas kërkesave të FMN-së – të aplikuara gjatë vitit 2014.
Pavarësisht se kufizimet ishin në plan për dy vite, me disa ndryshime ligjore, ato janë ende në fuqi, duke ndikuar negativisht në të gjithë sektorin publik, sidomos në shëndetësi dhe arsim, thekson më tej ajo.
Pagat minimale nuk mjaftojnë për jetesë, ndërsa shkeljet në sektorin e industrisë duket të jenë të zakonshme.
“Paga minimale që marrin shumica e punonjësve në tregun industrial është tre herë më e ulët se paga minimale,” thekson Tamindzija.
Sipas një hulumtimi të kryer nga Programi për të Drejtat e Punëtorëve në Serbi, në sektorë si tekstili apo industria automobile, puna jashtë orarit aplikohet shpesh nën trysni nga kompanitë.
Disa nga shkeljet më të zakonshme të hasura në këto sektorë janë mohimi i lejes shëndetësore dhe puna në mjedise të ndotura dhe të rrezikshme.
Kosovë: Ligjet mbesin në letër
Drenusha Canolli nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Kosovë tregon se edhe pse ligjet që garantojnë të drejtat bazë të punëtorëve ekzistojnë, zbatimi i tyre është i mangët. Për këtë, Canolli thotë se kanë përgjegjësi institucionet, të cilat, sipas saj, neglizhojnë shpesh.
Nën këtë dinamikë, punëtorët në Kosovë janë të ekspozuar ndaj punës informale: pa kontratë, me orare të pacaktuara, pa pushime vjetore, apo dhe pa sigurime shëndetësore.
Sipas Canollit, punësimi shpesh ndikohet edhe nga përkatësia politike ndërsa kontratat afatshkurtra mbeten normë.
“Në disa raste, punëtorët mbahen për vite me kontrata afatshkurtra, ose me kontrata mbi vepër, gjë që i pengon në sigurimin e të drejtave të plota,” tha Canolli për Citizens.al
Ndërkohë, sektori privat në Kosovë duket se përballet edhe me vonesat e pagave dhe kushtet e rrezikshme të punës.
Nga ana tjetër, në sektorin publik sfidë mbeten politizimi, klientelizmi dhe shkelja e orareve të punës.
Teksa punëtorët përballen me pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa një skemë sigurimi të papunësisë, duke e bërë tregun e punës edhe më të brishtë.
“Ky hendek si dhe dominimi i kontratave afatshkurtra i detyron punëtorët të mbështeten me mjetet private dhe familjare për të përballuar papunësinë,” thekson Canolli.
Shqipëri: Pagat në lekë, çmimet si në BE
Protestat e 1 Majit 2025 në Shqipëri denoncuan pabarazinë në rritjen mes pagave dhe kostos së jetesës. Thirrja “Paga shqiptare, çmime evropiane” vinte si një revoltë ndaj kostove në rritje përballë pagave të ulëta dhe një fuqie punëtore që po largohet nga vendi.
Sipas Gertjana Hasallës, nga Qendra për të Drejtat në Punë, pagat e ulëta janë sfida kryesore e punëtorëve shqiptarë.
“Çdo ditë, mijëra familje detyrohen të bëjnë zgjedhje të pamundura, të paguajnë ushqimin, qiranë apo shërbimet bazë, pasi të gjitha nuk mbulohen nga të ardhurat mujore,” thekson Hasalla.
Mes të tjerash ajo rendit si problematikë punësimin informal, mungesën e kontratave të rregullta dhe mbrojtjes sociale.
“Një numër i konsiderueshëm punëtorësh nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk kontribuojnë në skemat e pensioneve dhe për pasojë jetojnë çdo ditë nën rrezikun e mbetur pa garanci për të ardhmen,” argumenton ajo.
Në këtë pikë, situata bëhet më e rëndë për gratë dhe të rinjtë që punojnë në fasoneri apo sektorin e thirrjeve telefonike (Call-Centers), ku paga minimale për punë intensive dhe presioni i vazhdueshëm cenojnë të drejtat themelore.
Sipas Hasallës në gjithë këtë panoramë, të rinjtë nuk shohin perspektivë për jetë dinjitoze.
“Shqipëria mbetet gjithnjë e më e zbrazët, me një treg pune gjithnjë e më të dobët dhe pa fuqi për të ndërtuar të ardhmen,” përfundon ajo.
Vende të ndryshme, problematika të njëjta
Në Serbi, ndërtimi dhe industria kanë numrin më të lartë të aksidenteve fatale në punë. Sipas Bojana Tamindzijës, pagat e ulëta i detyrojnë punëtorët të punojnë orë shtesë, duke rritur rrezikun e aksidenteve. Ajo sheh me shqetësim për këtë prirje edhe punëtorët sezonal, të cilët mbeten të pambrojtur nga ligjet.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës në Serbi, gjatë vitit 2024 janë kryer 59 inspektime lidhur me aksidentet fatale në vendin e punës. Ndërsa numri më i lartë i viktimave ndodh në sektorin e ndërtimit, pa përjashtuar sektorët e tjerë.
Në Shqipëri, ndërtimi, minierat dhe fasoneritë mbeten sektorët më të rrezikshëm. Gertjana Hasalla thotë se natyra e punës së këtyre sektorëve përfshin përdorimin e makinerive të rënda, punën në lartësi, kimikatet dhe faktorë të tjerë, të cilët kërkojnë masa shtesë në siguri.
Ndërsa në Kosovë, punëtorët hezitojnë të raportojnë abuzimet nga frika e pushimit nga puna. Sipas Drenusha Canollit, mungesa e asistencës ligjore përkeqëson më tej situatën. Ajo thotë se në shumë raste inspektorët nuk marrin masa dhe nuk ofrojnë mbrojtje ndaj punëtorëve denoncues duke ndikuar në zbehjen e besimit te institucionet.
Ndërsa të rinjtë përballen shpesh me diskriminimin për shkak të moshës, me praktika të papaguara për të fituar eksperiencë. Për gratë diskriminimi ndodh kur janë të reja, të cilat pyeten shpesh për statusin martesor dhe planifikimin familjar gjatë marrjes në punë.
Ky lloj diskriminimi për gratë është i pranishëm si në Serbi edhe në Kosovë, veçanërisht gjatë shtatzënisë. Bazuar në ligjin e punës, periudha më e gjatë nëntë mujore e pushimit të lehonisë merret përsipër nga punëdhënësi dhe nuk menaxhohet nga një institucion i sigurimeve shoqërore.
“Kjo i dekurajon punëdhënësit të punësojnë gra të reja duke e ditur se ka të ngjarë të lindin”, thekson Canolli.
Ballkani Perëndimor duket se ka nevojë për forcim të organizimit sindikal dhe për një lëvizje të re punëtore. Bojana Tamindzija, Drenusha Canolli dhe Gertjana Hasalla tregojnë për situata relativisht të ngjashme.
Në Serbi, sindikatat kanë ndikim të kufizuar për shkak të strukturave shumëkombëshe të kompanive të mëdha. Në Kosovë, ato nuk u fuqizuan kurrë dhe nuk kanë fituar ndikim të fortë social. Ndërsa në Shqipëri, sindikatat e reja po përpiqen të mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por besimi mbetet i ulët.
Lexoni gjithashtu:
- Shtetet e Ballkanit përballen me sfida mjedisore të përbashkëta
- Ndotja kërcënon Drinin dhe degët e tij në tre shtete të Ballkanit
- Arsimi dhe punësimi, sfida të njëjta për të rinjtë në Ballkan
The post “Në punë, por të pambrojtur”: Një vështrim rajonal për kushtet dhe të drejtat e punëtorëve appeared first on Citizens.al.