TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në zonat turistike të vendit, si në bregdet ashtu dhe në zonat malore, janë hapur qendra shëndetësore verore për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët, që frekuentojnë vendin gjatë këtij sezoni veror.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale pamje nga qendra shëndetësore verore në plazhin e Drimadhes në jug të vendit, që është në shërbim çdo ditë për pushuesit vendas dhe të huaj, që frekuentojnë këtë plazh.
Mjekja e kësaj qendre u shpreh se është viti i pestë që shërben pranë qendrës shëndetësore verore, teksa i vlerësoi këto qendra një opsion shumë i mirë për pushuesit për t’iu gjendur sa më afër atyre, për çdo nevojë shëndetësore që mund të kenë.
Ajo tha se gjatë këtyre 5 viteve është hasur me shqetësimet nga më lehta si gërvishtjet e deri tek sëmundjet kardiovaskulare, teksa i bëri apel pushuesve të mos frekuntojnë plazhin në pikun e orareve të nxehta.
Janë 36 qendra të hapura në të gjithë bregdetin, për pushime të sigurta dhe të qeta, ku stafi mjekësor është në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë. /j.p/
Shtatë vitet e fundit Manjola* i kujton si endje nëpër klinika. Dëshira për të pasur fëmijë me bashkëshortin, me të cilin ka 15 vite martesë, nuk e ka zmbrapsur përpos vështirësive për ta pasur një të tillë në mënyrë natyrale.
Nga analizat dhe vizitat e kryera në disa klinika rezultoi se problemi qëndronte te bashkëshorti: numri i ulët i spermatozoideve të shëndetshëm në riprodhim.
“Na thanë që nuk mund të kishte fëmijë, vetëm nëse aplikohej me ‘in vitro’, por me spermatozoide të dikujt tjetër”, kujton Manjola.
“In vitro” është termi i shkurtuar në latinisht i procesit të “fekondimit në gotë” (shqip) që nënkupton riprodhimin e asistuar jashtë trupit të njeriut. Në zhargon quhet edhe “bebe në provëz”.
Në vitin 2015, Manjola ngulmoi që ta niste këtë proces, mirëpo kushtonte shumë.
“Një analizë spermatozoidi që bënte bashkëshorti, në atë kohë, kushtonte diku te 3,500 lekë,” tregon ajo, teksa kujton se vizitat në spitalet publike ishin të kota: “Mjekët na drejtonin te klinikat e tyre private!”.
Të dy nuk kishin punë fikse. Manjola angazhohej kryesisht si aktiviste e komunitetit rom, ndërsa bashkëshorti si mekanik. Të ardhurat i kishin nën minimalen prandaj, për ta, ishte thuajse e pamundur për ta provuar procesin “in vitro”.
Situata i shtyu që në vitin 2023 të shkonin si azilkërkues në Francë dhe tashmë, dy vite më pas, të jenë në pritje për ta provuar.
“Kjo ka qenë një nga arsyet që kam ardhur këtu,” tregon Manjola, “Burrit i kanë dhënë shpresë se mund të bëjmë fëmijë. Na kanë treguar edhe analizat që nuk përputhen fare me ato që kemi bërë në Shqipëri.”
Ajo tregon se autoritetet franceze po e ndihmojnë në proces duke përgjysmuar koston falë politikave sociale që aplikojnë.
Drejt procesit “in vitro” shkoi edhe Gentjana* me bashkëshortin. Në të 35-at, pas gjashtë vitesh bashkëjetesë, ata donin të kishin fëmijë. Ndiheshin të sigurt se kjo gjë do të ndodhte në mënyrë natyrale, për aq kohë sa edhe miqtë e tyre, në të njëjtën moshë ishin bërë prindër.
“Kam qenë e para që kam folur për dëshirën për fëmijë, ata në një moment u bënë, ndërsa ne na zgjati diku te një vit e gjysmë deri sa kuptuam që duhej të bënim ndonjë analizë se pse nuk po ndodhte”, tregon Gentjana.
Këshillimi me miqtë i drejtoi ata te mjekët, nga ku rezultoi se bashkëshorti i Gentjanës vuante nga varikoçela, një anomali e enëve të gjakut, që mund të shkaktojë infertilitet.
Në këto kushte ata u gjendën përballë dy mundësish: ndërhyrje kirurgjikale te partneri, që kërkonte 1 vit e gjysmë rikuperim, ose t’i futeshin procesit “in vitro”. Faktori kohë i shtyu që të zgjidhnin alternativën e dytë.
Mes konsultash dhe sugjerimesh, çifti iu drejtua një klinike private. Nxjerrja e 25 vezëve për moshën dhe parametrat që kishte Gentjana, 36 vjeçe, ishte një lajm shpresëdhënës. Mirëpo, edhe pse mbeti shtatzënë embrioni nuk u zhvillua, duke pësuar dështim.
Por në përsëritjen e procedurës gjërat shkuan mbarë. Transferimi i kryer pak muaj më vonë rezultoi me sukses dhe Gentjana mbeti shtatzënë.
Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.
Përballja me infertilitetin
“In vitro” është një teknikë e aplikuar gjerësisht pas viteve 80-të, ku vezët e gruas pllenohen jashtë mitrës. Kësisoj, embrionet krijohen në laboratorë dhe më pas vendosen në mitër për t’u zhvilluar si shtatzëni.
Andrologu Evin Dani, vlerëson si pozitive ekzistencën e kësaj metode riprodhuese, por thekson se edhe në këtë proces mosha luan rol të rëndësishëm.
Ai thotë se pas moshës 35 vjeç, aftësia e grave për të prodhuar vezë të shëndetshme bie. Për këtë aplikohet një metodë, ku në një moshë më të hershme vezë të shëndetshme vendosen në konservim: ngrirje.
Por ndonëse shpesh pamundësia për të bërë fëmijë iu mveshet grave, statistikat tregojnë përqindje të lartë infertiliteti edhe mes burrave.
“Statistikat nxjerrin që në 60% të rasteve problem është gruaja dhe në 40% burri,” tregon andrologu Dani, i cili thekson se për të siguruar riprodhimin meshkujve iu duhet të gëzojnë numër dhe përqendrim të lartë spermatozoidesh të shëndetshëm: rreth 40 milionë.
“Kur kemi ulje të numrit të spermatozoideve, atëherë çifti do të vonojë ose nuk do të realizojë dot shtatzëni,” shpjegon andrologu.
Por, përveç numrit dhe dendësisë së lartë që të arrihet një shtatzëni duhet që spermatozoidet të kenë dhe lëvizshmëri.
“Mund të kesh numër, por jo lëvizshmëri, atëherë i bie që spermatozoidi të mos shkojë drejt vezës, të rrijë aty deri sa ta shkatërrojë organizmi”, shpjegon andrologu Dani, i cili shton se për të qenë riprodhues një burri i nevojitet të ketë në gjendje lëvizjeje të paktën 32% e spermatozoideve.
Dani shton se që një spermatozoid të quhet normal, duhet që mbi 4% e tërësisë së tyre të kenë formë morfologjike normale. Sipas tij, ndër shkaqet kryesore të infertilitetit te meshkujt është varikoçela.
“Enët e gjakut, për një arsye apo tjetër, nga dëmtimi i kllapave, do të sjellë si pasojë pellgëzimin dhe do të bëjë që të rritet temperatura e skrotumit dhe kjo sjell si pasojë atë që quhet dëmtim i spermatozoideve,” shpjegon andrologu.
Ndër shkaqe të tjera që kanë ndikim në infertilitet ai rreshton mënyrën e jetesës, ushqimin, lëndët toksike që përdoren për rritjen e frutave dhe perimeve si dhe temperatura e ambientit. Sipas mjekut, të tjerë shkaktarë janë edhe lëndët narkotike dhe duhani.
“Kemi vënë re që shumë veta që kanë dëmtim të spermatozoideve janë duhanpirës dhe me ndërprerjen e duhanit, pas 3-6 muajsh kemi rezultat”, shpjegon më tej doktor Dani.
Sipas mjekëve, djemtë dhe burrat e kanë të vështirë të flasin për jetën dhe organet e tyre seksuale. Mirëpo, së fundmi, kjo situatë ka ndryshuar falë edhe medias në sensibilizim dhe emisione të dedikuara.
“E konsiderojmë sukses sepse jeta seksuale nuk është se mbaron në një moshë të caktuar, ajo mbaron kur të mbarojë jeta,” thekson andrologu.
Prindërimi dhe kostoja e lartë e shpresës
Pas vitesh tentativë për të pasur fëmijë Erla dhe bashkëshorti iu drejtuan një klinike private në Tiranë për të nisur fertilizimin “in vitro”. Përtej përgjigjes së një mjekeje se “kurrë nuk do të bëhej nënë”, ajo gjeti forcën për të besuar te procedura.
Procesi kërkoi më tepër kohë se sa kishin menduar: gati pesë vite.
“E kam bërë disa herë procedurën dhe nuk më jepte rezultat. Unë gocën e kam me ‘in vitro’-n e katërt”, rrëfen Erla përvojën e saj.
Sot ajo është sërish shtatzënë, por në mënyrë natyrale. Fakt që i ka lumturuar pamasë të dy.
Erla kujton se në momentin kur lindi vajzën, mjeku i pati thënë që të mos provonte më me “in vitro” pasi do të kishte mundësi për shtatzëni normale.
Rrugëtim të njëjtë ka pasur edhe Brikena. Pas tri vitesh martesë ajo solli në jetë djalin e saj. Mirëpo më pas e kishte të vështirë të kalonte sërish në shtatzëni të dytë.
Shkak për këtë ishte një ndërlikim në tubat e fallopit, ku vezët e kanë të vështirë të kalojnë drejt mitrës për shkak të një bllokimi të tubave. Për këtë Brikena iu drejtua procedurës “in vitro” për të pasur mundësinë për një fëmijë të dytë.
Sot ajo gëzon edhe vajzën e saj, ndërsa gjithë procesi i fertilizimit i zgjati shtatë muaj, duke përfshirë analizat, ekot dhe transfertën e embrionit.
Ajo tregon për Citizens.al se nëse nuk do të kishte rezultuar e suksesshme që në tentativën e parë nuk do ta vijonte më tej, pasi stimulimet dhe mjekimet me hormone kanë efektet e tyre.
“In vitro e kam bërë vetëm për faktin që nesër pasnesër, kur të kalonin vitet mos të thosha pse nuk e provova, të mos më ngelej peng,” vijon ajo.
Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.
Pas çdo embrioni, një rrugëtim i lodhshëm emocional
Manjola e kujton si stresuese periudhën e analizave dhe konsultimeve në klinikat private për procesin “in vitro”. Ajo thotë se kjo i ndikoi edhe në sjelljen karshi bashkëshortit.
“Ka qenë stresuese dhe kam qenë pak agresive ato kohë. U bëra keq! Fillova ta përjetoj keq dhe ia hidhja fajin bashkëshortit”, ndan Manjola me Citizens.al
Për Gentjanën terapia te psikologu filloi paralelisht me nisjen e transfertës së dytë të fertilizimit “in vitro”.
“E kam vazhduar terapinë edhe pas lindjes. Ky është proces i ndërlikuar, por asgjë nuk është më e ndërlikuar se sa mëmësia”, rrëfen Gentjana.
Pyetjes nëse në të njëjtin proces ishte edhe partneri i saj, ajoi përgjigjet se “ata janë të lirë”.
“Partnerët mund të jenë aty të të mbështesin në proces, por e gjitha barra fiziologjike është mbi ty”, vijon më tej Gentjana.
Sipas psikologes Tana Aliaj, infertiliteti sjell sfida të shumta fizike, emocionale dhe psikologjike te çiftet. Aliaj analizon se në tërësi koncepti i shoqërisë shqiptare për familjen dhe prioriteti që i jepet krijimit të saj nxit ndjesi zhgënjimi dhe humbjeje në çiftet që nuk ia dalin dot.
Sipas saj, gratë ndikohen më shumë në këtë proces.
“Ky presion shpesh çon në izolim emocional dhe vështirësi në ruajtjen e mirëqenies mendore dhe të marrëdhënies në çift”, shpjegon më tej Aliaj.
Për Erlën, mospasja e një fëmije pas tre tentativash të fertilizimit “in vitro” solli zhgënjim pas zhgënjimi.
“Fillon pastaj një moment që fajëson veten. Nuk është se ka pasur ndonjë krisje. Kemi qenë të dy së bashku duke i dhënë kurajë njëri-tjetrit dhe duke vazhduar akoma, duke këmbëngulur”, tregon ajo.
Sipas psikologes Aliaj, edhe burrat edhe gratë pësojnë dhimbje e trishtim kur secili prej tyre mëson se është infertil. Mirëpo, ndjenja e fajit dhe vetmisë dominon më shumë te gratë, sidomos në realitetin shqiptar.
“Ato shpesh ndihen si ‘të paplota’ për shkak të perceptimit të rrënjosur se të qenit grua lidhet automatikisht me të qenit nënë. Madje, ndjenja e fajit shkon përtej vetes dhe lidhet me pritshmëritë familjare për ‘t’u bërë nënë për prindërit’ apo për të përmbushur rolin që shoqëria i ka përcaktuar”.
Aliaj thekson se ka një presion të shtuar mbi çiftet infertilë, lidhur kjo edhe me strukturat familjare tradicionale.
“Ky presion i jashtëm forcon ndjesinë se vlera e çiftit matet me aftësinë për të lindur fëmijë, duke e lënë pak hapësirë për kuptim dhe mirëkuptim,” thekson psikologia.
Në studime të ndryshme çiftet në pritje e kanë vlerësuar ankthin e fertilizimit “in vitro” si më të madh se çdo ngjarje tjetër të jetës së tyre.
“Ndonëse zhvillimi i teknikave alternative ka ofruar shpresë për çiftet që përballen me infertilitetin është e rëndësishme të tejkalohen barrierat psikologjike dhe normat kulturore”, përfundon Aliaj.
Kosto të larta financiare, ende pak besim te “publikja”
Kostot e larta financiare dhe pamundësia ekonomike e shtynë Manjolën të shkonte jashtë shtetit, me shpresën se do të përfitonte nga programet sociale atje.
Për Gentjanën nuk ka një përgjigje të saktë të vlerës totale, pasi gjithë procesi ka qenë i fragmentarizuar në periudha të ndryshme.
“Rreth 2,500 euro ‘in vitro’ dhe nja 500 euro ilaçe. Pastaj për çdo transfertë diku te 1,000 euro,” tregon Gentjana.
Mirëpo, ajo kujton se për 14 injeksionet që ia bëri vetes për të përgatitur vezën për procesin e fertilizimit, iu desh të shkonte në Prishtinë, për shkak të kostos së përgjysmuar.
“Të nesëmem i kemi hipur makinës, shkuam në Prishtinë me firgorifer me vete. Diferenca ishte 500 euro deri në 1 mijë euro”, rrëfen Gentjana.
“Nëse dua edhe sot të provoj për një fëmijë të dytë, kam embrione në ngrirje dhe mund të shkoj ta bëj sërish procesin”, shton ajo, duke theksuar edhe kostot e analizave të herëpashershme për të gjithë procesin.
Nga ana tjetër, Brikena tregon për një kosto rreth 8,000 euro.
“Nga fillimi, analizat e mia, të bashkëshortit, pagesën që ishte 3,000 euro dhe ‘in vitro’, embrionet, vizitat, ekot e njëpasnjëshme,” rendit ajo në llogaritjen totale.
Kostoja më e lartë është paguar nga Erla, për shkak se ajo dhe bashkëshorti provuan katër herë. Sipas saj kostoja ka shkuar në 80,000 euro.
“S’do ta besosh, por ka shkuar… ka shkuar kaq sepse mjekimet dhe stimulimet janë të shtrenjta, edhe procedura kushton, analizat përsëri kushtojnë”, na tregon Erla.
Spitali Obstretik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”/Ministria e Shëndetësisë.
Në shkurt të vitit 2024, shërbimi i fertilizimit “in vitro” nisi në sistemin shëndetësor publik, pranë Spitalit Universitar Obstetrikë Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Pavarësisht se laboratori për fertilizimin u ndërtua në këtë institucion prej vitit 2013, financuar nga Bashkimi Evropian me rreth 250 mijë euro dhe trajnim të mjekëve jashtë vendit, kjo sallë nuk u hap kurrë për 11 vite.
Sipas të dhënave nga spitali “Koço Gliozheni” prej nisjes së shërbimit ka pasur shumë kërkesa nga çiftet shqiptare.
“Në vitin 2024 ka pasur 73 aplikime, ndërsa për vitin 2025 deri më tani janë 117 aplikime”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Citizens.al nga spitali obstetrikë-gjinekologjik.
Megjithatë, ky proces është përzgjedhës. Sipas formularëve që plotësohen nga çiftet që nisin këtë procedurë, mosha e grave që pranohen për të kryer teknikat e FIV-ICSI (fertilizimi in vitro dhe Injektimi Intracitoplazmatik i Spermatozoidit) nuk duhet të kalojë 42 vjeç për gratë që kanë cikël menstrual të rregullt.
Sipas spitalit “Koço Gliozheni”, në vitin 2024, nga 73 aplikime janë pranuar 30 dhe nga 117 aplikime deri më tani në 2025-ën janë pranuar 53 çifte që plotësojnë kriteret.
Në vitin 2024 ka pasur 9 rezultate pozitive, ndërsa në vitin 2025 (deri më tani) janë 12 rezultate pozitive. Por nga të gjitha këto vetëm dy lindje të shëndetshme janë shënuar në spitalin “Koço Gliozheni” përmes fertilizimit “in vitro”.
Andrologu Dani shpjegon se përse rezultatet pozitive nuk përkthehen në lindje. Ai thotë se mund të ndodhë që të jetë kryer me sukses transferta e vezëve të pllenuara në uterus, por më pas ajo të mos zhvillohet më tej.
Megjithatë, Erla dhe Brikena, të dyja pjesë e administratës publike rrëfejnë se edhe nëse do t’iu jepej mundësia për ta kryer procesin në shtet, sërish do të zgjidhnin ta merrnin këtë shërbim në privat.
“Kam besim te mjeku që jam dhe nuk do ta ndërroja. Kam ndërruar disa mjekë dhe te ky kam gjetur besim”, rrëfen Erla.
“Ne që punojmë në shtet shkojmë të privati mbarojmë punë. Punojmë vetë aty dhe na sorollasin, jo më një qytetar i thjeshtë që nuk di ku të shkojë”, shprehet me mosbesim Brikena.
Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” ende në rishqyrtim nga ekspertët
“Me buxhetin e vitit të ardhshëm, rreth 150 çifte të reja do të mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në dhjetor të 2024, duke u shprehur se ky shërbim brenda 2025-ës do të ofrohet edhe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.
Mirëpo, në aspekt ligjor fertilizimi “in vitro” u soll sërish në vëmendje përmes projektligjit “Për shëndetin riprodhues dhe atë seksual” që synon të garantojë të drejta seksuale dhe riprodhuese për qytetarët. Në këtë projektligj nuk përcaktohet qartë se si do të mbështeten çiftet që nuk munden dot të bëjnë fëmijë.
“Projektligji është tërhequr nga ministria, pas konsultimeve publike që ato patën në faqen e tyre online dhe që nga ai moment, nuk ka më asnjë reagim”, tha për Citizens.al Zheni Gjergji, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.
Sipas deputetes Gjergji, ky projektligj nuk kishte asnjë paketë sociale të parashtruar për gratë në nevojë dhe që nuk kanë mundësi ekonomike të kryejnë fertilizimin “in vitro”.
“Nuk ishte parashikuar asgjë, as nuk e citonte që do të ishte në institucionet publike, por thoshte në institucionet publike dhe jopublike. Nuk është se ishte prioritet publiku. Por ishte publike dhe private”, argumenton deputetja Gjergji.
Sipas Gjergjit, Shqipëria nuk ka ende një regjistër kombëtar të infertilitetit, duke mos pasur mundësi kësisoj të hartohen politika të duhura shtetërore.
*Emrat janë ndërruar për të ruajtur privatësinë e zonjave që besuan të rrëfejnë historinë e tyre për Citizens.al
Shqipëria përballet me një krize të thellë demografike. Lindshmëria është në nivelet më të ulëta historike dhe emigracioni vijon të zbrazë fshatrat dhe qytetet. Një sprovë e dyfishtë për politikën: të nxiten lindjet dhe të mbahen të rinjtë në vend. Në këtë panoramë shqetësuese, programi “Bonusi i Bebes” është paraqitur si një përgjigje e shpejtë, por sa e qëndrueshme është ajo?
Programi nuk jep ndihmë reale për familjet
Në heshtjen e një pasditeje, Ina J. mendon për kredinë, ushqimet, rrobat dhe një vizitë mjekësore që nuk mund ta shtyjë më. Bonusi i bebeve – 40 mijë lekë që mori në muajin e parë pas lindjes së vajzës – u shpenzua menjëherë. Ajo nuk e pa kurrë si ndihmë që do t’i ndryshonte jetën, por si detaj të vogël në një realitet të vështirë ku barra e prindërimit është individuale dhe e vetmuar.
Rënia e lindjeve në vend është tashmë strukturore. Me një normë lindshmërie prej 1.2 fëmijë për çdo grua – shumë më poshtë se norma e zëvendësimit 2.1 – Shqipëria është në një udhëkryq që rrezikon zhvillimin e qëndrueshëm. Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) për vitin 2024 tregojnë vetëm 22,425 lindje, 5% më pak se një vit më parë – niveli më i ulët që nga viti 1934.
Në përgjigje të kësaj krize, qeveria nisi në vitin 2019 “Bonusin e Bebes”, i cili ofron 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin. Por kjo është një ndihmë e përkohshme, që nuk krijon kushte afatgjata për t’i ndihmuar prindërit të marrin vendime për të zgjeruar familjen.
Një ndër problemet që ka nxjerrë në pah ky program është përfitimi i gjerë i familjeve rezidente jashtë vendit. Deri në tetor 2023, rreth 46% e përfituesve ishin jashtë Shqipërisë, çka nënvizoi emigracionin masiv të të rinjve. Pas këtij fenomeni, Kuvendi miratoi një ndryshim ligjor që përjashton nga përfitimi prindërit që nuk janë rezidentë në vend.
Ekonomisti Selami Xhepa thotë se kapaciteti fiskal i Shqipërisë është i kufizuar për të pasur masa më efektive se “Bonusi i bebes”. Ai është i mendimit se duhen rishikuar politikat buxhetore dhe orientuar fondet drejt çerdheve, lejeve prindërore të paguara apo lehtësimeve tatimore.
“Do të ishte më efikase që të investohej në përmirësimin e infrastrukturës sociale dhe mbështetjen e punësimit të të rinjve,” thotë Xhepa. Sipas tij, vendi ka nevojë për një strategji afatgjatë që lidh zhvillimin ekonomik me kohezionin social.
Në këtë drejtim, Shqipëria ka për të mësuar nga modelet e vendeve të tjera.
Polonia, për shembull, ka zbatuar programin “Family 500+”, që jep 118 euro në muaj për çdo fëmijë pas të parit, ndërsa Franca dhe Suedia ofrojnë një sërë shërbimesh sociale, përfshirë leje prindërore të gjata e të paguara dhe shërbime për kujdesin e fëmijëve. Ato kanë krijuar një sistem gjithëpërfshirës që u mundëson çifteve të ndërtojnë jetën me më shumë siguri.
Efektiviteti i programit dhe sfidat
Sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, thuajse gjysma e përfituesve të bonusit janë familje shqiptare që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ashtu siç thekson një raport i INSTAT, “programet që synojnë të rrisin lindshmërinë duhet të ndihmojnë kryesisht popullatën brenda kufijve të vendit”.
Politika ka arritur të stimulojë familjet që janë larg Shqipërisë, por ka dështuar të krijojë një ndjesi të fortë lidhjeje dhe mbështetje për ata që janë brenda kufijve.
Një raport nga Banka Botërore, thekson se “incentivat financiare, ndonëse të nevojshme, shpesh nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar mendësitë dhe sjelljet e qytetarëve në lidhje me lindjet. Ato duhet të mbështeten nga politikat sociale të gjerë dhe përmirësimi i kushteve të jetesës”.
Një aspekt tjetër është që shpërndarja e bonusit është shpesh e përqendruar në qytetet më të mëdha dhe rajonet më të zhvilluara, duke lënë pas shumë familje që jetojnë në zona rurale, të cilat janë më të prirura të kenë nivele më të larta të varfërisë dhe do të mund të përfitonin më shumë nga një mbështetje e tillë.
Ministrja e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës për një intervistë lidhur me këtë çështje, duke preferuar të mos japë koment mbi këtë temë. Zyra e ministres Albana Koçiu nuk komentoi për efektivitetin e bonusit të bebes dhe as masat për rritjen e lindshmërisë në vend.
Sipas të dhënave më të fundit, për programin e bonusit të bebes, në total prej vitit 2019 deri më 2023, nga ministria janë shpërndarë rreth 14,8 miliardë lekë apo rreth 148 milionë euro .
Familjet me sytë drejt emigrimit
Emigracioni ka luajtur rol kyç në ndikimin negativ mbi lindshmërinë në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, diaspora e re, e cila përbëhet nga emigrantët që kanë emigruar pas viteve 1990, llogaritet të jetë rreth 1.68 milionë individë, ose rreth 37% e shtetasve shqiptarë gjithsej.
Ky fenomen ka krijuar edhe disbalancnë në politikën e “Bonusit të Bebes”, pasi një pjesë e konsiderueshme e përfituesve të programit janë emigrantët që kanë ndihmën financiare të bonusit, por që nuk kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e lindshmërisë brenda shtetit shqiptar.
Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia (rezidente) e Shqipërisë është mbi 2.8 milionë banorë. Kjo tregon se emigracioni ka kontribuar në uljen e popullsisë së vendit, duke e bërë më të vështirë arritjen e objektivave të programit për rritjen e lindshmërisë.
Në këtë kontekst, sipas sociologes Marsida Simo emigracioni masiv përbën një sfidë të madhe
“Emigracioni masiv po bën që shumë të rinj dhe çifte të largohen nga vendi duke pasur synim të krijojnë familje jashtë”, vëren Simo.
Ajo thekson se ky fenomen ka pasoja të drejtpërdrejta në zbrazjen e zonave rurale dhe qyteteve të vogla, duke frenuar rritjen natyrore të vendit. Përballë këtyre sfidave, Simo mbështetet te përvoja ndërkombëtare për të sugjeruar politikat që mund të funksionojnë edhe në Shqipëri.
“Investime në shërbime që kujdesen për fëmijët, leje prindërore të zgjatura dhe të realizueshme për të dy sektorët, publik dhe privat”, janë disa nga propozimet e saj.
Shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri zbritën në nivelin më të ulët që nga viti 2017, duke zënë vetëm 9.6% të totalit të shpenzimeve publike në vitin 2024, sipas një raporti të organizatës “Together for Life”.
Sipas analizës, megjithëse buxheti i ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njohur rritje të ndjeshme gjatë viteve të pandemisë (2017–2021), vitet 2022 dhe 2023 kanë shënuar tkurrje progresive të financimeve.
“Në vitin 2024, pavarësisht rritjes në vlerë nominale, shpenzimet totale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijojnë të jenë në rënie, duke rezultuar në 3.2% të PBB dhe 10.8% të shpenzimeve të përgjithshme publike. Shpenzimet publike për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale në vitin 2024 shënojnë nivelin më të ulët të matur gjatë 7 viteve të fundit”, thuhet në raport.
Raporti thekson se në këto vite shëndetësia në Shqipëri është nën financuar, sidomos në aspektin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
“Kjo përforcohet më shumë nga niveli i lartë i pagesave nga xhepi me mbi 50% të totalit të shpenzimeve të bëra për shëndetësinë, të cilat përballohen nga vetë qytetarët”, thekson raporti.
Në nivel rajonal, vendi ynë renditet i fundit sa i takon shpenzimeve në sektorin shëndetësor.
“Përpos faktit që këto shpenzime rezultojnë më të ulëtat, nga analiza vërehet edhe një mospërputhje e shifrave të raportuara nga qeveria shqiptare në dokumentet e saj zyrtare me ato të publikuara nga institucionet ndërkombëtare”.
Grafikë nga raporti
Qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë nga xhepi i tyre për shërbime në shëndetësi, më shumë se vendet e tjera ta rajonit, me një nivel prej 51.3% në vitin 2022.
Grafikë nga raporti
Sa i takon procedurave të ndjekura për tenderat publikë në shëndetësi sipas raportit kontratat përqendrohen në pak operatorë.
“Një numër i vogël kompanish fitojnë shumicën e tenderëve në sektorin farmaceutik dhe pajisje mjekësore, duke kufizuar konkurrencën dhe përjashtuar operatorët e rinj apo të vegjël”, thekson raporti.
Në krye të listës së operatorëve që kanë përfituar më shumë kontrata gjatë viteve të fundit janë:
INCOMED – 37 kontrata,
MEGAPHARMA – 28 kontrata,
MEDICAMENTA – 20 kontrata,
REJSI FARMA – 20 kontrata,
ALDOSCH-FARMA – 19 kontrata,
EVITA – 18 kontrata.
Ndërsa në 80% të procedurave të anuluara kanë ndodhur për shkak të gabimeve nga stafi përgjegjës.
“Nga 122 procedura të anuluara, 98 u anuluan për shkak të gabimeve në dokumentacionin e tenderit, duke reflektuar mangësi serioze në përgatitjen dhe menaxhimin e tyre”.
Po ashtu, në proceset e tenderimit vihet re nivel i ulët i konkurrencës, me një mesatare prej 1.37 operatorësh ekonomikë për procedurë.
Diferencat midis fondit limit dhe ofertave fituese për secilin lot janë minimale sipas raportit, duke ngritur shqetësime mbi mungesën e konkurrencës efektive dhe kriteret që kanë ndikuar në këtë rezultat.
Në përfundim raporti sugjeron disa rekomandime që fokusohen në rritjen e shpenzimeve publike për shëndetësinë, përmirësimin e transparencës dhe publikimit të të dhënave, rritjen e konkurrencës në tendera, forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe auditimit dhe rishikim të kuadrit ligjor.
Në vitin 2023, u premtua se Spitali Rajonal “Rrahim Xhika” në Dibër do të rikonstruktohej brenda dy vitesh. Sot, dy vite më vonë, asnjë punim nuk ka nisur. Tenderi është anuluar, ndërsa godina e spitalit vijon të jetë në gjendje të mjerueshme – me mure të çara, myk dhe mungesë mjekësh specialistë.
Për të përballuar situatën, janë angazhuar mjekë të dalë në pension. Ndërkohë, pacientët detyrohen të përdorin shërbimet private për analiza dhe ekzaminime, për shkak të mungesës së kapaciteteve.
Sipas ekspertit të shëndetësisë Erion Dasho, kjo është një dëshmi e qartë e angazhimit sipërfaqësor të qeverisë në sektorin e shëndetësisë pasi aktualisht teknologjia dhe shërbimet janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT).
Ishte maji i vitit 2023, kur ministret Ogerta Manastirliu – asokohe ministre e Shëndetësisë – dhe Belinda Balluku prezantuan para stafit mjekësor të spitalit të Peshkopisë pamjet se si do të dukeshin pavijonet pas rikonstruksionit të plotë nga projekti me vlerë 3.2 milionë euro.
Ministret Balluku dhe Manastirliu duke prezantuar projektin e spitalit të Dibrës/Facebook.
“Do të ketë parametra evropian të infrastrukturës, duke bërë të mundur që ne të kemi një spital, i cili do të integrojë në një strukturë unike shërbimin e pediatrisë, gjinekologjisë, imazherisë, tek laboratori, shërbimi patologjisë, kirurgjisë, blloku operator dhe reanimacionin,” deklaronte Manastirliu.
Rreth 8 muaj më vonë, në janar 2024, ministrja e re e Shëndetësisë,Albana Koçiu deklaroi se brenda pak javëve do të niste puna për rikonstruksionin e spitalit, mirëpo ka kaluar më shumë se një vit dhe puna nuk ka nisur, përkundrazi.
Anulimi i tenderit të spitalit
Në vitin 2023 u zhvillua një procedurë tenderuese për rikonstruksionin e spitalit “Rrahim Xhika” ku fitues u shpall “Rafin Company” në ortakëri me “Udha shpk”, me një ofertë prej 2.9 milionë eurosh dhe me afat punimesh 24 muaj.
Në mars të vitit 2024, tenderi u anulua, por megjithatë në dhjetor Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi gjithsesi lidhjen e kontratës me dy operatorët.
Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.
Pyetur për këtë situatë, Spitali Rajonal Dibër tha se “procedura është pezulluar me vendim të Gjykatës së Lartë pas kërkesës nga Komisioni i Prokurimit Publik”. Sipas përgjigjes nga spitali ndaj një prej kompanive ka pasur një çështje gjyqësore ndërkohë që nuk ka një datë se kur pritet të nisin punimet.
“Rikonstruksioni i Spitalit Rajonal Dibër është pezulluar me vendim të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë […] Ky pezullim është bërë me kërkesë të Komisionit të Prokurimit Publik, përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, në çështjen kundër shoqerisë ‘Rafin Company’ dhe me palë të paditur Komisionin e Prokurimit Publik dhe Drejtorinë e Spitalit Rajonal Dibër”, nënvizon drejtoria e spitalit.
Pacientët: Kushtet në spital të mjeruara
Ata që po i vuajnë pasojat e kësaj situatë janë banorët e Dibrës. Ata tregojnë për kushte të papranueshme në spital: mure të krisura, lagështi, mungesë higjiene dhe mungesë ajrosjeje në dhomat e shtrimit. Shumë prej tyre duhet të shpenzojnë para në privat për analizat më bazike.
“Asnjë punim nuk është bërë deri më sot. Muret e spitalit janë të krisura dhe shumë të mykura. Gjendja me higjenën, pastërinë është skandaloze. Tualetet e spitalit janë katastrofë, sidomos të urgjenca e spitalit, shumë keq”, ngre shqetësimin Izeti, banor i Peshkopisë.
Pamje nga Spitali Rajonal i Dibrës/ Foto: Ilda Hoxha
Të njëjtin shqetësim ka edhe Drita, e cila shprehet se gjendja e spitalit është e mjerueshme.
“Kushtet nuk janë aspak të mira. Spitali ka shumë lagështirë, dhoma e shtrimit nuk janë të ajrosura”, thotë 54-vjeçarja.
Përpos kushteve, pacientët ankohen edhe për mungesën e marrjes së shërbimeve në këtë spital.
“40 mijë lekë (400 euro) kam bërë analizat në privat, se aty në spital në Peshkopi nuk m’i bënë. Si Tirana si Peshkopia kudo që të shkosh në spitale për ‘ibret’ janë”, shton Drita.
Për ekspertin e shëndetësisë, Erion Dasho, spitalet rajonale në Shqipëri kanë një problematikë të madhe të përbashkët, pasi janë ndërtuar para viteve ’90.
“Janë ndërtuar sipas një koncepti sovjetik të asaj kohe. Ky koncept nuk përputhet më me konceptin bashkëkohor në ofrimin e kujdesit shëndetësor, i cili bazohet në spitale vertikale dhe komunikim eficent midis departamenteve të shërbimeve të ndryshme.”
“Problemi i dytë madhor i spitaleve rajonale është se këto spitale nuk kanë atë status real që duhet të kishin. Një sërë shërbimesh janë të centralizuara në QSUT”, thekson Dasho.
Më tej ai shton se kontributi i qeverisë ka qenë kryesisht sipërfaqësor në sistemin shëndetësor, ndërsa teknologjia dhe kushtet reale janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe QSUT-së.
“I vetmi kontribut i qeverisëështë se ka lyer muret dhe ka shtruar pllakat.” thekson Dasho.
Sipas tij, në pamje të parë, kushtet duken të përmirësuara. Por teknologjia nuk është përmirësuar, madje ka ngelur prapa.
“Nëse do të shohim sa medikamente të reja futen, sa teknologji të reja janë futur, sa teknika te reja ndërhyrje operatore janë futur, unë do të thosha që kushtet vetëm kanë ardhur në përkeqësim dhe disniveli midis spitaleve rajonale dhe QSUT vetëm është rritur”, argumenton Dasho.
Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.
Mungesa e mjekëve në spitalin rajonal Dibër
Sikur të mos mjaftonin kushte e vështira në këtë spital, pacientët duhet të përballen edhe me mungesën e mjekëve specialistë, Ky problem pranohet edhe nga vetë spitali në përgjigjen zyrtare.
Sipas informacioneve, spitali rajonal “Rrahim Xhika” ka munngesë të mjekëve specialistë: 1 dermatolog; 1 kirurg, 1 Pediatër, 1 shef të klinikës së pediatrisë infektive, 1 mjek për njësinë e trajtimit me metadon etj.
Sipas pacientëve, për shkak të mungesës së mjekëve, në këtë spital ofrojnë shërbim mjekë të dalë në pension.
“Janë disa mjekë që kanë dalë në pension, por janë në detyrë në spital se nuk ka mjekë të tjerë për t’i zëvendësuar. Nuk ka mjekë të rinj të spital, janë mbi 70 e kusur vjeç”, tregon Dilaveri, banor i Peshkopisë.
Referuar të dhënave zyrtare nga Spitali Rajonal Dibër, mjekët e dalë në pension janë në kë shërbimin e përgjithshëm (2 mjekë); në klinikën e neurologjisë (1 mjek) dhe në shërbimin e reanimacionit (1 anestezist-reanimator).
Sipas Erion Dashos spitalet rajonale janë prekur rëndë nga largimi i mjekëve, duke mbetur pa specialitete të rëndësishme ose duke u mbështetur te mjekët pensionistë, të cilët përfshihen edhe në statistikat zyrtare.
“Pjesa më e madhe e spitaleve rajonalë ose kanë të pambuluar specialitetet shumë të rëndësishme ose detyrohen që të zgjasin kontratat e mjekëve pensionistë dhe sot kur themi që ka një numër të caktuar mjekësh për 1 mijë banorë, këtu llogariten edhe mjekët pensionistë”, shprehet Dasho.
Në Spitalin Pediatrik “Sheika Fatima” në Prishtinë është inauguruar një laborator i ri modern, si rezultat i bashkëpunimit mes Presidencës së Kosovës dhe fondacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Khalifa Foundation”.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të presidencës bëhet e ditur se ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik
“Falë angazhimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përkrahjes së vazhdueshme të donatorit tonë të rregullt, ‘Khalifa Foundation’, dje në Spitalin ‘Sheika Fatima’, është inauguruar laboratori i ri. I pajisur me teknologji bashkëkohore, ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave.
“Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, në veçanti, për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/
Ministria e Shëndetësisë parashikon se me rritjen e numrit të grave që kryejnë rregullisht kontrollet e hershme për sëmundjet tumoriale, brenda 4 vitesh nga 2025 në 2028 vdekshmëria nga kanceri i gjirit do të bjerë 2,7% dhe i qafës së mitrës 6,7%.
Kryerja e depistimeve synon kapjen e hershme të sëmundjes në fazën e mosshfaqjes së simptomave, me qëllim parandalimin.
Në projektvendimin e programit buxhetor afatmesëm për vitet 2025-2029, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar objektivat e reja për reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës, si pjesë e programit kombëtar të depistimit për vitet 2025–2028.
Vdekshmëria nga kanceri i gjirit, një nga sëmundjet më të përhapura tek gratë për 2025 parashikohet të jetë 18.5 vdekje për 100,000 gra. Niveli i vdekshmërisë pritet të mbetet i njëjtë edhe për 2026. Rënia nis nga 2027 me 18 vdekje për 100,000 gra. Edhe për 2028 numri i vdekjeve do të jetë 18. Deri në 2028 vdekshmëria nga kanceri i gjirit pritet të bjerë 2,7%.
Vdekshmëria nga kanceri i qafës së mitrës do të ndjekë gjithashtu një trajektore rënëse, nga 2.9 vdekje për 100,000 gra në 2025 në 2.8 për 100,000 gra në 2026. Për 2027 vdekshmëria parashikohet të arrijë në 2.75 vdekje në 100,000 gra dhe në 2.7 vdekje për 2028. Nga 2025 deri në 2028 vdekshmëria pritet të bjerë 6,7%.
Ulja e vdekshmërisë do të ndikohet nga zgjerimi i numrit të depistimeve, veçanërisht në grupmoshat më të rrezikuara. Gratë 40–50 vjeç do të mbulohen me testin HPV (për kancerin e qafës së mitrës) në nivelin 37% deri në 2028. Gratë 50–60 vjeç do të përfitojnë mamografi depistuese në nivelin 28% deri në 2028.
Nga Ministria e Shëndetësisë është planifikuar një buxhet vjetor prej 38,5 mln lekësh për depistimin e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës tek gratë, në kuadër të programit kombëtar të parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të këtyre sëmundjeve. Investimi është pjesë e strategjisë për uljen e vdekshmërisë nga kanceri deri në vitin 2028. Për 4 vjet parashikohen të shpenzohen 154 mln lekë apo rreth 1,5 mln euro për të dyja programet.
Për depistimin e kancerit të gjirit, sipas të dhënave zyrtare, çdo vit do të përfitojnë 5,550 gra nga mamografia depistuese, me një kosto për njësi prej 1,801 lekësh nga viti 2026 deri në 2028. Buxheti i përgjithshëm për këtë program kap vlerën 10 mln lekë në vit.
Për depistimin me testin HPV për qafën e mitrës do të përfitojnë 12,000 gra në vitin 2025, dhe 13,000 gra në vitet 2026–2028, me një buxhet total prej 28,5 mln lekësh në vit. Kostoja për një grua shkon nga 2,375 lekë në 2026 në 2,192 lekë në 2027.
Në vend kontrollet për kancerin në qafën e mitrës kryhet nga Shërbimi Parësor, pra nga qendrat shëndetësore rajonale. Ndërsa kontrollet për kancerin e gjirit nëpërmjet mamografive lëvizëse apo pranë materniteteve shtetërore. Por tendenca e numrit të kontrolleve parandaluese është me rënie. Për 2024 sipas të dhënave të raportit të Monitorimit të Treguesve të Ministrisë së Shëndetësisë numri i grave të depistuara për kancerin e gjirit është 3,700 gra kundrejt 5,450 të parashikuara, me një kosto prej 1,647 lekë/rast apo prej rreth 7 mln lekë. Gra të depistuara për kancerin e qafës së mitrës është 10,200 gra kundrejt 11,000 të parashikuara me një kosto prej 1,932 lekë/rast./ D.Azo
TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Në Spitalin Universitar të Traumës u realizua me sukses një ndërhyrje tek një paciente 33-vjeçare.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes dhe Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se “një insulinomë 3 cm, tumor i rrallë në kokën e pankreasit, u diagnostikua dhe trajtua me sukses te një paciente 33-vjeçare, falë bashkëpunimit multidisiplinar dhe ndërhyrjes së specializuar kirurgjikale”.
“Operacioni u krye me teknikën e avancuar Whipple (Duodeno-Cefalo-Pankreatektomi), duke ruajtur funksionin pankreatik dhe shmangur komplikacionet”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohje për përkushtimin e ekipit: Dr. Dritan Çela, Dr. Valmira Abilaliaj, Dr. Dorina Shtjefni, Dr. Ervin Sulaj, si dhe infermieret Mirela Heti, Arta Prendi, Alma Shkalla, Adelina Hysa.
TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në zonat turistike të vendit, si në bregdet ashtu dhe në zonat malore, janë hapur qendra shëndetësore verore për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët, që frekuentojnë vendin gjatë këtij sezoni veror.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjete sociale pamje nga qendra shëndetësore verore në plazhin e Darzezës në Fier, i cili çdo ditë e më shumë po frekuentohet nga pushues vendas dhe të huaj.
Koçiu tha se, “për të përballuar këtë fluks në rritje dhe për të garantuar sigurinë shëndetësore të pushuesve, qendra shëndetësore verore në Darzezë ashtu si në 35 pika të tjera në vend, është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë mjekësore të menjëhershme dhe cilësore gjatë gjithë sezonit turistik”.
“Nga data 1 qershor deri më sot, në qendrat shëndetësore verore janë paraqitur 21,862 pushues, nga të cilët 74 % janë qytetarë shqiptarë, ndërsa 26 % janë turistë të huaj”, u shpreh ministrja.
Ndërsa mjekja e kësaj qendre, Era tregoi se numri i pacientëve në qendrën shëndetësore verore në Darzezë arrin gati 90 persona në javë. Qendra është e hapur 24 orë dhe ofron shërbime cilësore për çdo rast që paraqitet. /j.p/
Fake news shëndetësor po dëmton qytetarët të cilët i besojnë sy mbyllur si produkteve që reklamohen për kurimin e një sëmundje ashtu edhe montazheve që u bëhen fotove të mjekëve të famshëm.
Këtë shqetësim e denoncon edhe kreu i Urdhrit të Mjekut, Dr. Dritan Trepçe, i cili shpjegon se ka pasur raste kur pacientët kanë lënë mjekimin e përshkruar në recetë nga mjeku duke i besuar produkteve të pakontrolluara e duke i bërë dëm shëndetit.
Dr. Dritan Trepçe – Presidenti i Urdhrit të Mjekut: Është shumë shqetësuese pasi kemi pasur raste që kanë hequr medikamente dhe dëmtuar shëndetin e tyre. Kjo ul besimin e pacientit ndaj mjekut dhe ndaj sistemit shëndetësor.
Shoqatat e mjekëve kanë ngritur me shqetësim mashtrimin që po bëhet me foto të mjekëve apo video të tyre ku u montohet zë, sikur është ai që rekomandon te produkte që shërojnë sëmundje të caktuara.
Dr. Dritan Trepçe – Presidenti i Urdhrit të Mjekut: Shumë mjek na janë ankuar se me figurat e tyre mashtrohet.
Urdhri i Mjekut e konsideron disi të vështirë vënien në kontroll të rrjeteve sociale, por nga ana tjetër kërkon të përforcohet legjislacioni për reklamimin mashtrues në fushën e shëndetësisë.
Dr. Dritan Trepçe – Presidenti i Urdhrit të Mjekut: Të kriminalizohet mashtrimi në Kodin Penal. Dhe po kështu, të merren masa për edukimin e popullatës që të mos bien pre kaq lehtë, sidomos ndaj këtyre mashtrimeve me karakter shëndetësor.
Avokadoja është një nga ushqimet më të dashura të kohëve të fundit, e pasur me yndyrna të mira, shumë ushqyese dhe me përfitime të shumta për shëndetin.
Nuk është rastësi që gjithnjë e më shumë njerëz po e përfshijnë në dietën e përditshme. Por një problem mbetet i zakonshëm, si ta konsumojmë në momentin e duhur?
Zakonisht, avokadot që gjejmë në treg janë të papjekura, dhe duhet të presim disa ditë derisa të piqen.
Nëse i presim para kohe, janë pa shije, nëse i lëmë shumë, rrezikojnë të kalben.
Blogerja e ushqimit Caroline Groth, ka ndarë një truk të thjeshtë në Instagram që mund t’ju shpëtojë. Për të pjekur avokadon më shpejt, do t’ju duhen vetëm një avokado, një kivi dhe një qese letre.
Si funksionon? Vendosni avokadon dhe kivin brenda në qesen e letrës, mbylleni dhe lëreni në temperaturë ambienti. Brenda 24 orësh, avokadoja do të jetë e butë dhe gati për konsum.
Pse ndodh kjo?
Kivi, ashtu si banania apo molla, lëshon një gaz natyral të quajtur etilen, një hormon i bimëve që ndihmon në pjekjen e frutave. Kur frutat mbyllen në një qese letre, etileni grumbullohet brenda dhe përshpejton procesin e pjekjes në mënyrë natyrale.
Pra, herën tjetër që do të doni të shijoni një avokado perfekte pa pritur me ditë, provoni këtë truk të thjeshtë me një kivi dhe falë natyrës, do të jeni gati për një mëngjes plot shije!
TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Gjirokastra po mirëpret çdo ditë e më shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, që zgjedhin ta zbulojnë bukurinë e qytetit historik gjatë verës.
Me rritjen e turizmit, shtohet edhe përgjegjësia për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.
Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “ekipet tona mjekësore janë aty 24/7 për çdo nevojë. Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në funksion të plotë, ditë e natë, për të garantuar sigurinë dhe kujdesin shëndetësor për çdo vizitor”.
Almeda Kaluri, infermiere në këtë qendër shëndetësore verore tha se “është hera e parë që punoj në këtë qendër sikurse është hera e parë që kjo qendër është hapur në qytetin e Gjirokastrës kryesisht në zonën turistike dhe kalaja”.
“Këto ditë jemi hasur me raste të tilla si hipertension, pickime nga insektet dhe dehidratimi. Kemi dhënë ndihmën tonë të parë dhe patjetër këshillat që janë kryesorja. Këshillat tona për turistët sidomos për moshat e treta dhe gratë shtatzëna është të shmangin daljen në pikun e vapës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje”, tha Kaluri.
Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
Nëse ushqehesh keq është e pamundur të largosh kilogramët e tepërt vetëm nëpërmjet aktivitetit fizik. Kur vjen puna tek rënia nga pesha, ushqimet që hani janë shumë herë më të rëndësishme se palestra. Kjo ndodh sepse pjesa më e madhe e dhjamit në trup akumulohet nga yndyrnat e pashëndetshme. Në këtë artikull të AgroWeb.org do […]
Klinika e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po shndërrohet në një qendër moderne kirurgjikale, ku inovacioni bashkohet me përkushtimin për kujdesin ndaj pacientit. Me teknologji të përparuara, metoda moderne operative dhe ekip mjekësor të specializuar, kjo klinikë po vendos standarde të reja në trajtimin e sëmundjeve të kraharorit dhe mushkërive në Kosovë.
Që nga viti i kaluar, kanë filluar tri intervenime të reja në Torakale, PECTUS, operacioni me Sentinel-Node dhe fiksimi i brinjëve tek trauma të ndryshme e investime në VATS të ri.
Ndërsa numri më i madh i pacientëve është me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe sëmundjet me pragmatikën e gjirit. Vetëm përgjatë periudhës janar-qershor janë bërë gjithsej 329 intervenime në gji.
Drejtori i Kirurgjisë Torakale në QKUK, Nazmi Kolgeci thotë për KosovaPress tregon për operacionet që realizojnë.
“Në Kirurgjinë Torakale, numri më i madh i pacientëve që vijnë tek ne është me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe sëmundjet me pragmatikën e gjirit. Intervenime në gji janë gjithsej 329. Kemi punuar struma, rreth 11 operacione dhe PECTUS, që janë bë shtatë operacione. Vitin e kaluar kemi filluar si operacione të para me këtë metodë që domethënë se kemi arritur që Qeverisë së Kosovës nga Buxheti i Kosovës të mos i jepet për pacientë që janë trajtuar jashtë shtetit”, thotë Kolgeci.
Me operacionin Sentinel-Node, është bërë e mundur që rreth 40 pacientë të ruajnë gjirin dhe nyjën limfatike. Ky intervenim, siç thotë Kolgeci bëhet vetëm në QKUK e në Greqi.
“Këtë vit kemi filluar edhe me operacion me Sentinel-Node. Sentinel-Node është një intervenim kirurgjik që realizohet tek kanceri i gjirit dhe që është si gjurmuesi në nyje limfatike, të cilat janë të infiltruara me kancer. Tani me këtë metodë te disa pacientë, ne e kursejmë edhe gjirin, por kursejmë edhe nyjën limfatike. Këto intervenime kirurgjike janë një e arritur mjaft e madhe, për arsye se si informacione që kemi, vetëm në Greqi bëhen këto intervenime dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Prej vitit të kaluar që jemi lidhur me këtë metodë e deri tani, është diku rreth tridhjetë e pesë ose katërdhjetë pacientë që i kemi realizuar me metodën Sentinel-i… Vitin e kaluar po ashtu kemi filluar edhe me një intervenim tjetër kirurgjik, është bërë fiksimi i brinjëve tek trauma të ndryshme”, tregon ai.
Kolgeci është shprehur se ka pasur investime edhe në pajisje medicinale, me PECTUS, në VATS të ri një aparaturë që përmes kamerave operojnë në torakal, aparaturë e fjalës së fundit.
Gjithashtu, Kolgeci ka thënë se ka pasur investime edhe në sallat e operacionit, e salla e dytë është në pritje për tu kompletuar me tavolinë e drita.
“Këto vitet e fundit janë bërë investime në pajisje medicinale, me PECTUS që ka qenë, është bërë investime në VATS të ri, ngaqë ne e kemi pasur një VATS, një aparaturë që përmes kamerave që operojnë në torakal, aparatura që e kemi na është mjaft moderne, ndoshta është e fjalës së fundit.
Gjithashtu janë bë investime edhe në sallat e operacionit. Ndërsa sallën e dytë jemi duke e prit për arsye se kjo sallë është komplet e rinovuar, mirëpo akoma nuk e kemi të pajisur me aparaturën shtesë, me tavolinën, dritat dhe gjërat tjera që i duhet për sallën e operacionit, po kjo është në pritje jetë që shumë shpejt”, është shprehur Kolgeci.
E për listën e pritjes për ndërhyrje kirurgjike, Kolgeci thotë se mbetet relativisht e shkurtër, aq sa është e nevojshme që pacienti të përgatitet me analiza e ekzaminime të tjera.
“Lista e pritjes tek ne për kancerin e gjirit, për kancerin e mushkërisë ose kancerin e gushës dhe tumorit malinj që janë në regjionin torakal është shumë e shkurtër aq sa është e nevojshme një pacient të përgatitet për sallë operacionale. Por, kjo listë, kjo pritje është diku në tri javë deri në pesë javë, por kjo është kohë në të cilën pacienti duhet të përgatitet vetë me analiza dhe me ekzaminime të tjera shtesë”, thekson ai.
Operacioni më i vështirë që kryhet në Kirurgjinë e Torakales, është restrikcioni i mushkërive.
TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ekipeve shëndetësore në rajonin e Tiranës u janë shtuar 40 infermierë të rinj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se “40 infermierë të rinj u janë bashkuar ekipeve shëndetësore në rajonin e Tiranës, nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” në një proces që garanton transparencë dhe meritokraci”.
Ministrja Koçiu u uroi infermierëve të rinj suksese në këtë rrugëtim në shërbim të qytetarëve.
Gjithashtu Koçiu ka përcjellë edhe mesazhet e disa prej infermiereve fituese në portal.
Emina Hima, e cila ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike tha se “pas aplikimit tek portali erdha sot dhe zgjodha vendin e punës tek QSUT. Procesi në portal ishte transparent”.
Ola Mesiti tha se “kam aplikuar në portalin “Infermierët për Shqipërinë” sot sapo zgjodha vendin definitiv tek materniteti “Koço Gliozheni”. Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor ishte transparent dhe i drejtë për çdo infermier që ka ardhur këtu”.
“Sot bëra aplikimin në portal. Procesi ishte transparent dhe sot zgjodha vendin definitiv në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 2”, tha Ersileda Kota.
Portali “Infermierë për Shqipërinë”, për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë, është një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi.
Ky portal ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë, për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.
Pas shumë vitesh kërkesë nga pacientet e diagnostikuara me kancer, për herë të parë në spitalin onkologjik shtetëror parashikohet financimi për ndërhyrjen rindërtuese të gjirit pas mastektomisë (heqjes së gjirit).
Ky programi i ri i Ministrisë së Shëndetësisë do të mbulojë falas vendosjen e protezës së gjirit për 350 gra në vit, për vitet 2026-2028.
Të dhënat për ofrimin dhe financimin e shërbimit për rikonstruksionin e gjirit janë bërë publike në “Projektdokumentin e programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2026-2028”.
“Për herë të parë parashikohet një produkt i dedikuar për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit. Trajtimi me rikonstruksionin e gjirit për këto gra, tregon jo vetëm vëmendjen e veçantë ndaj tyre, por edhe krijimin e mundësisë për të pasur një jetë normale në vijim”, citohet në dokument.
Deri më sot ky lloj shërbimi nuk është ofruar asnjëherë në spitalin publik të onkologjikut, pavarësisht kërkesës së grave që kishin kryer ndërhyrjet kirurgjikale për heqjen e gjirit, ndërsa kostoja e vendosjes së protezës në spitalet private mbetet e papërpallueshme për shumë paciente.
Në klinikat apo spitalet private në vend kjo ndërhyrje kushton 5 mijë deri në 8 mijë euro. Ministria e Shëndetësisë llogarit që shpenzimet për 1 pacient të shkojnë 200 mijë lekë apo rreth 2 mijë euro.
Nga financimi i programit të ndërhyrjes falas në spitalin publik parashikohet të përfitojnë 350 gra në vit, përgjatë viteve 2026-2028 me një kosto mesatare prej 70 mln lekë në vit.
Fondi për shpenzimin e trajtimit të shërbimit do të mbulohet nga buxheti i shtetit.
Modeli i financimit të kësaj ndërhyrjeje ndjek praktikat ndërkombëtare të disa shteteve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga viti 1998, ligji i njohur si “Akt për Shëndetin e Grave dhe të Drejtat e Kancerit” detyron kompanitë e sigurimeve të mbulojnë edhe ndërhyrjet rindërtuese pas heqjes së gjirit për shkak të kancerit. Kostoja për mbulimin e shërbimit ndryshon sipas shteteve.
Pse mungon në spitalin publik operacioni për protezën e gjirit
Deri më sot, ky shërbim nuk është ofruar asnjëherë në sistemin publik, për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së fondeve. Në spitalet apo klinikat private në vend, një ndërhyrje e tillë kushton nga 7,000 deri në 8,000 euro, duke e bërë të papërballueshme për shumicën e grave të prekura.
Shefja e shërbimit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dr. Silvana Çeliku, ka deklaruar më herët për Monitor se spitali publik nuk ka mundur ta përfshijë këtë shërbim për shkak të fokusit te trajtimet bazike dhe kostos së lartë të ndërhyrjes. “Në disa raste, kjo ndërhyrje cilësohet edhe si kozmetike. Më e rëndësishme është që të sigurojmë mbulimin me trajtime bazike për pacientet”, u shpreh ajo.
Sipas Çelikut, mënyra më e mirë për të shmangur ndërhyrje të tilla është zbulimi i hershëm i sëmundjes. “Është shumë e domosdoshme që çdo grua të bëjë të paktën një herë në vit një eko të gjirit, për të parandaluar agravimin dhe për të shpëtuar gjirin”, theksoi ajo./ D.Azo
Shumica prej nesh shqetësohemi për grumbullimin e dhjamit në trupin tonë, qoftë për arsye estetike, por edhe për arsye shëndetësore. Dhe me të drejtë. Ajo që duhet të na shqetësojë edhe më shumë, megjithatë, është ndoshta dhjami visceral. Për shkak të mënyrës së të ushqyerit dhe stilit të jetës, sëmundja e dhjamit në mëlçi, në […]
TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Spitali “Dr. Stefan Gjoni” në Krujë ka pësuar një transformim të plotë nga rikonstruksioni që është kryer në të pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamjet nga punimet që janë bërë për rikonstruksionin e spitalit, duke theksuar se transformimi sjell një qendër moderne për mbi 85 mijë banorë.
“Transformimi në Spitalin “Stefan Gjoni” në Krujë sjell një qendër moderne për mbi 85 mijë banorë, me infrastrukturë të re, shërbime më efikase dhe urgjencë me teknologji bashkëkohore. Një tjetër hap drejt Shëndetësia 2030 me kujdes cilësor dhe pranë qytetarëve”, shkruan Rama.
Spitali i ri i Krujës do të ketë një kapacitet prej 124 shtretërish, ndërsa risi e këtij investimi është shtimi i shërbimit të kontingjencës dhe rehabilitimit.
Në spitalin e ri të Krujës do të ofrohen edhe shërbimet e poliklinikës.
TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” profesionalizmi dhe teknikat më të avancuara mjekësore janë çdo ditë në shërbim të jetës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale rastin e një paciente 28-vjeçare me aneurizëm të aortës (9 cm), e cila u trajtua me sukses nga prof. Altin Veshti dhe dr. Klodian Krakulli, pa nevojën e një valvule artificiale, duke shmangur përdorimin e holluesve të gjakut për jetën.
“Kjo teknikë e avancuar është aplikuar me sukses në 17 raste në QSUT, me mbështetjen e ekipit të anestezisë të drejtuar nga prof. Saimir Kuçi. Pacientja gëzon shëndet të mirë dhe ka rifilluar jetën normale”, tha Koçiu.
Prof. Altin Veshti bëri me dije se një gjetje e rastësishme nga një radiografi e bërë në një qytet në veri të Shqipërisë nga radiologët, u vu re një masë në kraharor.
Ai tha se vajza u dërgua në Urgjencën e Tiranës ku u konstatua një aneurizëm i aortës, rreth 9 cm.
“Vajza me urgjencë është transferuar në repartin e kardiokirurgjisë. Hoqëm një pjesë të aortës së sëmurë dhe është zëvendësuar me një tub sintetik, por është riparuar edhe valvula e aortës”, deklaroi prof. Veshti.
Prof. Veshti tha se “kemi bërë 15-16 raste për riparim të valvulës e aortës para disa viteve ka qenë utopi dhe sot po kthehet në normalitet. Së bashku me doktor Krakullin po kryejmë këtë operacion, i cili jep një jetë normale të rinjve që kanë probleme me valvulën e aortës. Po tentojmë t’i riparojmë. Rastet e para kanë dalë me shumë sukses dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë”.
Pacientja tha se “tani bëj jetë normale dhe dalëngadalë po i kthehem normalitetit”.
Dielli na ofron dritë, ngrohtësi dhe jetë, por rrezet e tij ultravjollcë mund të shkaktojnë dëme serioze në lëkurë. Ndaj, mbrojtja nga dielli është thelbësore – dhe një nga mënyrat më efektive për ta bërë këtë është përdorimi i produkteve me SPF (Sun Protection Factor). Çfarë është SPF dhe pse ka rëndësi? SPF është një […]