Një zbulim i rrallë është bërë gjatë një ekspedite speleologjike në Parkun Kombëtar të Llogarasë, ku eksploruesit kanë identifikuar një zgavër të re me thellësi rreth 70 metra, pothuajse tërësisht vertikale. Zbulimi u bë në shpellën "Sterra e Kujunxhiut", një prej formacioneve karstike më pak të eksploruara të zonës. Sipas pjesëmarrësve në ekspeditë, në fund të zgavrës është konstatuar një grumbull i madh gurësh, i cili dyshohet se ka bllokuar vazhdimin natyror të galerisë, duke lënë të hapur mundësinë që shpella të shtrihet edhe më thellë. Gjatë eksplorimit janë gjetur gjithashtu eshtra të shumta kafshësh të egra, mes tyre të derrit të egër, drerit, ujkut, dhelprës dhe specieve të tjera që kanë banuar ose kanë rënë në këtë sistem natyror ndër vite. Ekspertët besojnë se ky zbulim mund të ketë rëndësi të veçantë si për studimet speleologjike, ashtu edhe për kërkimet mbi faunën dhe historinë natyrore të zonës. Ekspedita pritet të pasohet nga kërkime të tjera, me synimin për të verifikuar nëse zgavra vijon më tej dhe për të dokumentuar plotësisht karakteristikat gjeologjike dhe biologjike të këtij sistemi nëntokësor. Parku Kombëtar i Llogarasë konsiderohet një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Shqipëri dhe zbulime të tilla hedhin dritë mbi pasurinë ende të paeksploruar që fshehin nëntoka dhe masivet shkëmbore të tij.
Një nënë nga Elbasani i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një apel për ndihmë, pasi djali i saj 12-vjeçar rezulton i zhdukur prej gati dy javësh. Sipas saj, Arjanito është larguar nga banesa më 15 korrik, ndërsa më 17 korrik familja ka bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit. Megjithatë, deri në këto momente, ajo thotë se nuk ka marrë asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Nëna tregon se kjo nuk është hera e parë që djali largohet nga shtëpia. Edhe në raste të mëparshme ai është larguar pa njoftuar familjen, por është gjetur pas disa ditësh. Ajo shprehet se këtë herë situata është më shqetësuese, pasi kanë kaluar rreth dy javë pa asnjë kontakt. Sipas rrëfimit të saj, ditën e largimit i mituri ishte në banesë dhe më pas është larguar në mënyrë të fshehtë, duke dalë nga ballkoni, ndërsa familjarët po flinin. Nëna thotë se ka marrë informacione jozyrtare se ai mund të jetë parë në Durrës, ndaj po shkon edhe vetë atje në përpjekje për ta gjetur. Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë të riun ose kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë në numrin: +355 69 395 4449 Çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë i rëndësishëm për familjen.
JOQ Albania ka siguruar pamje të reja nga konflikti i raportuar mbrëmjen e djeshme në rrugën "Jordan Misja" në Tiranë, ku, sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, dy grupe personash u përfshinë në një përplasje të dhunshme pranë lokalit "Don". Videoja tregon praninë e disa automjeteve të Policisë së Shtetit në vendngjarje, ndërsa në një moment shihet një efektiv që ndjek me vrap një person. Nga pamjet duket se ai arrin të largohet, ndërsa pak çaste më vonë një person tjetër shoqërohet nga policët dhe futet në një automjet të policisë. Sipas dëshmive të qytetarëve, konflikti nisi pas një debati për parkimin e një automjeti dhe më pas u përshkallëzua në një sherr mes dy grupeve. Dëshmitarët pretendojnë se në përplasje u përfshinë mbi 30 persona dhe se janë përdorur shkopinj, leva hekuri, thika e sende të tjera të forta. Ata kanë deklaruar gjithashtu se kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe se janë dëmtuar disa automjete, si edhe ambientet e lokalit pranë të cilit nisi konflikti. Megjithatë, këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur nga pamjet e siguruara nga JOQ Albania. Pavarësisht se nga videoja duket ndërhyrja e policisë dhe shoqërimi i të paktën një personi, deri në këto momente Policia e Shtetit nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen, nuk ka bërë të ditur shkakun e konfliktit dhe as nëse ka persona të arrestuar apo të proceduar. JOQ Albania do ta përditësojë lajmin sapo autoritetet të reagojnë zyrtarisht ose të publikohen detaje të tjera mbi këtë incident.
Pas publikimit në JOQ Albania të denoncimit të një qytetareje, e cila pretendonte se një pishinë e blerë për 400 mijë lekë ishte dëmtuar brenda dy muajsh dhe se kompania kishte refuzuar të mbante përgjegjësi, ka reaguar edhe subjekti "Pishina Intex Albania", duke paraqitur versionin e tij të ngjarjes. Në një video të dërguar në redaksinë tonë, përfaqësuesi i kompanisë kundërshton pretendimin se dëmtimi ka ardhur si pasojë e një defekti të produktit. Sipas tij, gjatë verifikimit në terren u konstatua se pishina nuk ishte çarë vetvetiu, por ishte goditur nga një objekt i jashtëm. "Kjo ishte pjesa që ne riparuam. Klientja pretendonte se pishina ishte çarë vetë, por ne konstatuam se në fillim të çarjes ishte dëmtuar edhe shtroja mbrojtëse që vendoset poshtë pishinës. Poshtë saj ndodhet betoni, çka tregon se goditja ka ardhur nga lart dhe jo si pasojë e një defekti të materialit", shprehet përfaqësuesi i kompanisë në video. Kompania shton se, megjithëse pretendonte se dëmtimi nuk mbulohej nga garancia, ka dërguar punonjësit për ta riparuar pishinën dhe më pas i ka ofruar klientes mundësinë të blinte një tjetër me çmimin e fabrikës. Sipas "Pishina Intex Albania", komunikimi me klienten u ndërpre pasi, sipas tyre, ndaj kompanisë u përdorën akuza dhe fyerje. Me këtë reagim, tashmë të dyja palët kanë paraqitur publikisht versionet e tyre mbi rastin. JOQ Albania nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur shkakun e dëmtimit të pishinës dhe nuk merr anë në këtë mosmarrëveshje civile. Në përputhje me parimin e balancës mediatike, redaksia ka publikuar edhe reagimin e subjektit të përmendur, në mënyrë që publiku të njihet me qëndrimet e të dyja palëve.
Në Republikën e mrekullive ku tenderët publikë çelin më shpesh se lulet e pranverës, Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OPB), nën drejtimin e administratorit Jonaid Myzyri, na ka rezervuar një tjetër "kryevepër" administrative ku paratë e shëndetësisë së qytetarëve fluturojnë drejt xhepave të duhur. Në valën më të fundit të prokurimeve për furnizimin e spitaleve publike me barna për një periudhë 24-mujore, kompania "Evita", në pronësi të baronit të shëndetësisë Klodian Allajbeu, ka rrëmbyer plot tetë kontrata me vlerë totale rreth 267 milionë lekë, ose afërsisht 2.8 milionë euro. Madje, për të mos prishur traditën e artë të konkurrencës zero, shtatë nga këto tenderë janë fituar lirisht, pa asnjë rival në garë, duke u dukur sikur konkurrentët e tjerë ose kishin punë më të rëndësishme, ose thjesht e dinin fituesin që në nisje. Procedura e parë, e pagëzuar si B1, përfshinte një fond limit prej 4.5 miliardë lekësh të ndarë në 117 lote, ndërsa procedura B2 kapte vlerën e 5.9 miliardë lekëve të shpërndara në 142 lote, duke mbuluar barna për terapi intensive, sëmundje tumorale, patologji kardiovaskulare, neurologjike dhe infektive. Mes kësaj super-pakoje, kompania "Evita" rezulton se ka futur në xhep 1 lot në procedurën B1 dhe plot 7 lote të tjera në procedurën B2. E veçanta e kësaj historie "suksesi" është se në procedurën B1, për Lotin 5 që lidhet me furnizimin e solucionit fiziologjik Sodium Chloride 0.9% (100 ml) me fond limit rreth 11 milionë lekë të vjetra, "Evita" ka triumfuar me një ofertë prej 99.6% të vlerës maksimale, duke mos lënë asnjë cent pa marrë dhe pa pasur asnjë ofertues tjetër pranë. Po kështu, në procedurën B2, Allajbeu ka siguruar Lotin 123 për furnizimin me Tinzaparinë natriumi (antikoagulant për parandalimin e mpiksjes së gjakut) me fond limit rreth 1 miliard lekë të vjetra, të cilin e ka marrë po ashtu pa garë dhe me një ofertë pothuajse të barabartë me vlerën maksimale. Paketa e fitimeve është plotësuar me lote të tjera për Ibuprofen (800 mg dhe 400 mg), Morphine për dhimbjet e forta, si dhe solucione jetike si Glucose 5% dhe Sodium Chloride, ku pothuajse në të gjitha rastet mungesa e konkurrencës dhe ofertat ngjitur pas fondit limit kanë qenë refreni kryesor. I vetmi "aksident" demokratik në këtë lumë tenderësh pa rivalë ka ndodhur tek Loti 68 për antibiotikun Teicoplanin 400 mg, ku morën pjesë tre operatorë dhe "Evita" fitoi me një ofertë dukshëm më të ulët se fondi limit një rast kaq i rrallë sa duhet futur në librin e rekordeve të prokurimeve publike. Edhe pse ligji e lejon në raste të veçanta përdorimin e tenderit me një operator, shpeshtësia e kësaj praktike nën ombrellën e OPB-së të Jonad Myzyrit ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe efikasitetin e menaxhimit të fondeve publike, duke krijuar perceptimin e një tregu të mbyllur dhe të orientuar vetëm nga fituesit e përhershëm. Madje, perandoria e Klodian Allajbeut nuk mbetet vetëm tek farmaceutikët, pasi ai mbetet dominues absolut në sektorin e shëndetësisë përmes koncesioneve stratosferike të partneritetit publik-privat, si ai i hemodializës dhe i laboratorëve, që kapin vlerën e kombinuar të qindra miliona eurove kontrata këto që kanë qenë vazhdimisht në qendër të debateve dhe kritikave nga pacientët dhe shoqëria civile. Ky përqendrim i frikshëm i tenderëve dhe mungesa e konkurrencës reale shtojnë çdo ditë e më shumë dyshimet për një strukturë të konsoliduar ndikimi mbi fondet publike, duke bërë që nevoja për kontroll institucional dhe transparencë të jetë më urgjente se kurrë.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga Rruga Kokonozi, në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë, ku prej ditësh trotuari është kthyer në një vendgrumbullim mbeturinash. Në videon e dërguar në redaksi shihet një varg i gjatë qesesh me mbeturina, kartonësh dhe mbetjesh të tjera urbane të hedhura përgjatë murit anësor të rrugës, duke zënë pothuajse të gjithë hapësirën e trotuarit dhe duke detyruar këmbësorët të kalojnë pranë karrexhatës. Sipas qytetarit, situata është lënë pas dore dhe askush nuk ka ndërhyrë për pastrimin e zonës, pavarësisht se bëhet fjalë për një rrugë të frekuentuar nga banorët e lagjes. Grumbullimi i mbeturinave, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës, jo vetëm që krijon një pamje të papranueshme, por shoqërohet edhe me erë të rëndë, rrezik për përhapjen e insekteve dhe probleme të mundshme për shëndetin publik. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Bashkisë së Tiranës dhe shërbimeve të pastrimit për largimin e mbeturinave dhe rikthimin e normalitetit në këtë segment të Rrugës Kokonozi.
Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Tiranë, i cili pretendon se është përballur me një sjellje fyese dhe agresive nga një drejtues mjeti, ndërsa në automjet ndodheshin bashkëshortja e tij shtatzënë dhe dy vajzat e tyre të mitura. Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur në rrugën "Ferit Xhajko". Ai thotë se konflikti nisi për një situatë në trafik, kur drejtuesi i mjetit me targa AA 014 XC zbriti nga makina dhe iu afrua duke përdorur një gjuhë të rëndë fyese. Në videon e dërguar në redaksinë tonë dëgjohet shoferi teksa i drejtohet qytetarit me fjalët: "Je në kundravajtje, po. Hajt xhiro k***n tim, të q**** robt", ndërsa në të njëjtën kohë bën edhe gjeste vulgare me duar. Denoncuesi shprehet se momenti ka qenë veçanërisht i rëndë, pasi gjithçka ka ndodhur në sy të bashkëshortes së tij shtatzënë dhe dy vajzave të tyre të mitura, të cilat, sipas tij, u traumatizuan nga sjellja e drejtuesit të mjetit. "Ky person ka sharë dhe ka ofenduar në sy të dy vajzave të mia të mitura dhe bashkëshortes sime shtatzënë, duke u shkaktuar traumë. Ju lutem postojeni këtë trimoshin. Për çështje rruge ndodhin këto, pastaj pyesim pse vriten njerëzit. Sipas meje duhet të ketë qenë tapë", shkruan ai. Qytetari tregon se pas incidentit është paraqitur në Komisariatin nr. 4 për të bërë kallëzim për rastin. "Jam te Rajoni 4 në pritje për të bërë denoncimin", shprehet ai në mesazhin e dërguar redaksisë. JOQ Albania publikon këtë denoncim duke ruajtur të drejtën e çdo pale për të dhënë versionin e saj të ngjarjes. Nëse Policia e Shtetit ose drejtuesi i mjetit dëshirojnë të reagojnë lidhur me këtë incident, reagimi i tyre do të publikohet i plotë.
Një tjetër tender me hije të forta dyshimi për fitues të paracaktuar dhe farsë publike është mbyllur së fundmi nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt "Rikonstruksion të godinës së ish-Degës së Tatimpaguesve të Mëdhenj, Zona Kadastrale 8150, me numër pasurie 6/227, Tiranë, në përdorim të Gjykatës së Apelit". Fondi limit i caktuar nga autoriteti kontraktues ishte 185,218,365.83 lekë pa TVSH ose rreth 2.22 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Si u paraktua fituesi me 97.5% të fondit limit? Në përfundim të procedurës, fitues është shpallur Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë ALGES KONSTRUKSION sh.p.k. në pronësi të Mozart Çelës – 58%, në bashkëpunim me INERTI sh.p.k. në pronësi të Florjan e Halil Muha – 42%, të cilët janë mbështetur mbi kapacitetet e kompanisë SALILLARI sh.p.k. të Pëllumb Salillarit. Oferta e shpallur fituese kap vlerën e 180,583,920.83 lekë pa TVSH, e cila me TVSH arrin në shifrën marramendëse prej 216,700,705 lekësh ose mbi 2.16 miliardë lekë të vjetra. Llogaritja e shifrave zbulon se fituesit i është falur tenderi në masën 97.5% të fondit limit. Farsa e tenderit: Ofertat e ndara me "qindarka" për të mbuluar garën Se sa e paracaktuar ka qenë e gjithë procedura tregon qartë diferenca qesharake mes dy vetëm kompani-pjesëmarrëseve. Në tender ka marrë pjesë vetëm një operator tjetër, ZEQILLARI CONSTRUCTION sh.p.k., me ofertën prej 182,440,090.34 lekë pa TVSH. Të dyja ofertat janë pothuajse identike me njëra-tjetrën me diferencë prej vetëm 1% mes tyre dhe të dyja ngjitur pas tavanit të fondit limit. Kjo përputhje 'kirurgjikale' mes dy ofertave tregon qartë se "rivali" ka hyrë në garë vetëm për të plotësuar numrin dhe për t'i hapur rrugën konsorciumit të udhëhequr nga "ALGES KONSTRUKSION" dhe Salillari, që të futin në xhep mbi 2.1 miliardë lekë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një banor i Vlorës, i cili ngre shqetësimin për një objekt që, sipas dokumentacionit zyrtar të siguruar, është konstatuar si ndërtim pa leje, por që vijon të qëndrojë në vend pavarësisht procedurave të nisura nga institucionet. Në pamjet e dërguara në redaksi shihet një strukturë e vendosur në oborrin e një zone banimi, pranë pallateve, për të cilën qytetari pretendon se është ngritur pa miratimet përkatëse dhe se prej muajsh nuk është marrë asnjë masë konkrete për heqjen e saj. Sipas dokumenteve që disponon qytetari, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ka kryer verifikimet në terren dhe ka konstatuar se punimet janë kryer pa leje, duke bërë me dije se janë nisur procedurat ligjore për trajtimin e rastit. Megjithatë, sipas denoncimit, pavarësisht kalimit të kohës dhe kërkesave të përsëritura drejtuar institucioneve, objekti vazhdon të mbetet në të njëjtin vend, ndërsa vendimi nuk është ekzekutuar. Qytetari shprehet se është përballur me zvarritje institucionale, ku përgjegjësia është kaluar nga një institucion te tjetri, pa u dhënë një zgjidhje konkrete për çështjen. Ai kërkon që autoritetet përgjegjëse të zbatojnë vendimet e marra dhe të garantojnë që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa vonesa dhe pa standarde të dyfishta.
Një situatë mjaft shqetësuese është regjistruar përgjatë orëve të fundit në rrugët e vendit, ku qarkullimi me shpejtësi ekstreme vazhdon të mbetet një kërcënim serioz për jetën e përdoruesve të rrugës. Sipas të dhënave zyrtare nga kontrollet e kryera me pajisjet inteligjente, vetëm gjatë natës së kaluar janë evidentuar 206 raste të automjeteve që lëviznin me shpejtësi marramendëse, nga 150 deri në 212 km/h. Këto shkelje janë regjistruar në segmentet rrugore nga Lezha në Fier, ku kufiri maksimal i lejuar është vetëm 90 km/h. Kjo sjellje konsiderohet si e papranueshme, duke nënvizuar se automjeti nuk duhet të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse. Nërkohë policia shprehet se përmes teknologjisë moderne në terren, çdo shkelje po identifikohet në kohë reale dhe masat administrative e ligjore do të zbatohen ndaj personave që sillen si kamikazë në timon.
Rëndohet bilanci i tragjedisë që tronditi mëngjesin e sotëm fshatin Vidhisht të Roskovecit. Pasi ish-dhëndri ekzekutoi me armë gjahu ish-vjehrrin dhe më pas i dha fund jetës teksa rrethohej nga forcat e policisë, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit edhe e plagosura nga kjo ngjarje. Viktima e dytë nga radhët e familjes është 55-vjeçarja Belere Plaka. Ajo mbeti e plagosur rëndë nga të shtënat brenda banesës së saj dhe, përpos ndërhyrjeve urgjente të mjekëve, nuk mundi t'u mbijetonte plagëve të marra. Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, 35-vjeçari Refit Buzi hyri i armatosur me armë gjahu në banesën e ish-të fejuarës së tij. Pas një debati, ai qëlloi për vdekje ish-vjehrrin Kosta Plaka, 58 vjeç, dhe plagosi rëndë bashkëshorten e tij, Belere Plakën. Menjëherë pas të shtënave, Buzi mori me forcë në makinë ish-të fejuarën e tij 24-vjeçare, Rozalina Plaka, duke e mbajtur peng dhe duke u larguar në drejtim të zonës periferike në dalje të fshatit. Forcat e Policisë së Fierit dhe repartit special RENEA rrethuan me shpejtësi zonën ku ishte ngujuar autori me automjetin e tij. Pas negociatave, forcat e rendit mundësuan lirimin e vajzës së re pa dëmtime fizike. Ndërkohë, autori Refit Buzi refuzoi të dorëzohej dhe përfundimisht kreu vetëvrasje me armën e gjahut pak metra larg makinës së tij. Sipas të afërmve, ngjarja vinte pas kërcënimeve të vazhdueshme dhe konflikteve të mëparshme pas prishjes së fejesës mes të rinjve. Prokuroria dhe policia po vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të të gjithë rrethanave të tragjedisë.
Një fotografi e kapur nga lart sjell çastet e fundit dhe të rënda të Buzit, pak momente para se ai të ndahej përgjithmonë nga kjo jetë. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, automjeti i tij është ndaluar në një rrugë dytësore pasarelë, me dy nga dyert e hapura. Vetëm pak metra më tutje, i ulur në tokë mes pluhurit dhe me armën e mbështetur në krah, Buzi kalon ato sekonda të fundit heshtjeje në mes të askundit. Fotoja përçon vetminë e çasteve të fundit, në një skenë që të le pa fjalë dhe që kap ekzaktësisht minutat e fundit të një rruge pa kthim.
Ka marrë fund në mënyrë tragjike operacioni i policisë për kapjen e 35-vjeçarit Refit (Nertil) Buzi, autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur mëngjesin e sotëm në Roskovec. Pas disa orësh negociatash me forcat speciale RENEA, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri. 35-vjeçari ishte rrethuar nga forcat e policisë në zonën e ish-fushës së helikopterëve, në fshatin Kurjan, ku qëndronte i mbyllur brenda automjetit të tij. Gjatë gjithë operacionit, negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej, por ai refuzoi çdo thirrje të autoriteteve. Pas orësh të tëra përpjekjesh për ta bindur të vetëdorëzohej, Buzi dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri brenda automjetit. Menjëherë në vendngjarje mbërritën autoambulanca dhe forca të shumta policie, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar mbi rrethanat e sakta të incidentit. Më herët gjatë ditës, 35-vjeçari dyshohet se shkoi në banesën e familjes së ish-të fejuarës në fshatin Vidhisht, ku vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, dhe plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plaka. Pas krimit, ai mori me forcë ish-të fejuarën, Rozalinda Plaka, të cilën e mbajti për disa orë, përpara se ajo të lirohej gjatë operacionit të policisë. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe dinamikën e këtij krimi të rëndë.
Një qytetare nga Berati ka ngritur shqetësimin për një problem të vazhdueshëm me ujërat e zeza pranë banesës së saj, duke treguar se, pavarësisht ankesave të përsëritura, institucionet vendore nuk kanë ndërhyrë. Ajo ka treguar se ka kontaktuar disa herë me përfaqësues të Bashkisë dhe drejtuesit përgjegjës, por nuk ka marrë përgjigje dhe askush nuk ka shkuar për të verifikuar situatën në terren. Banorja thotë se era e rëndë e ujërave të zeza e ka bërë të pamundur jetesën normale, ndërsa shton se nuk mund të hapë as dritaret e banesës, pasi kanali me ujërat e ndotura kalon pranë tyre. Ajo u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për zgjidhjen e problemit, duke theksuar se situata paraqet rrezik për shëndetin dhe cilësinë e jetesës së banorëve.
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar dhjetë propozimet finaliste për dizajnin e gjeneratës së re të kartëmonedhave euro, duke hapur një proces të pazakontë konsultimi publik për pamjen e monedhës së përditshme. Propozimet ndahen në dy tema kryesore – “Kultura Evropiane” dhe “Lumenjtë dhe Zogjtë” dhe sjellin një qasje të re në paraqitjen e figurave historike, peizazheve, hapësirave publike, jetës së egër dhe institucioneve evropiane. Qytetarët mund të shqyrtojnë të dhjetë konceptet dhe të shprehin preferencat e tyre përmes një sondazhi online, i cili do të jetë i hapur deri më 21 shtator 2026. Ky projekt do të sjellë ridizajnimin e parë të plotë të kartëmonedhave euro që nga futja e tyre në qarkullim në vitin 2002. Procesi nisi me një konkurs në të gjithë Bashkimin Evropian, ku u paraqitën 1.241 aplikime. Prej tyre, 25 dizajnerë u përzgjodhën për të zhvilluar propozime në njërën ose të dyja temat, duke dorëzuar gjithsej 39 seri të plota, të cilat u vlerësuan në mënyrë anonime nga një juri e pavarur me 21 ekspertë nga fusha të ndryshme. Tema “Kultura Evropiane” vendos në qendër gjashtë personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë e kontinentit. Në kartëmonedha paraqiten sopranoja Maria Callas, kompozitori Ludwig van Beethoven, shkencëtarja Marie Curie, shkrimtari Miguel de Cervantes, artisti dhe shpikësi Leonardo da Vinci, si edhe aktivistja për paqen Bertha von Suttner. Në anën tjetër të kartëmonedhave shfaqen hapësira ku kultura vazhdon të jetojë, si kori, klasat e mësimit, bibliotekat, ekspozitat dhe sheshet publike. Tema e dytë, “Lumenjtë dhe Zogjtë”, ndjek rrjedhën e ujit nga burimi malor deri në det, duke lidhur çdo prerje të kartëmonedhës me një specie shpendi dhe një institucion të Bashkimit Evropian. Në kartëmonedhën 5 euro paraqitet zogu Wallcreeper së bashku me Parlamentin Evropian, ndërsa prerjet e tjera shoqërohen me zogj të ndryshëm dhe institucione si Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane, Gjykata e Drejtësisë e BE-së, Këshilli Evropian dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve. Paralelisht, një kompani e pavarur kërkimore do të zhvillojë një studim me një kampion përfaqësues të banorëve të eurozonës. Megjithatë, rezultati i sondazhit nuk do të jetë vendimtar. Ai do të merret në konsideratë së bashku me vlerësimin e jurisë dhe analizat teknike mbi funksionalitetin, sigurinë, aksesueshmërinë dhe lehtësinë e prodhimit. Kartëmonedhat aktuale euro do të vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe do të qarkullojnë paralelisht me serinë e re edhe pas prezantimit të saj.
Një qytetar ka denoncuar gjendjen e parkimit pranë Liqenit të Paskuqanit, duke theksuar mungesën e mirëmbajtjes së kësaj hapësire. Ai ka treguar se asfalti në parkim është plasaritur pothuajse në të gjitha anët, ndërsa bari është tharë plotësisht dhe nuk është prerë prej kohësh. Banorët që frekuentojnë Liqenin e Paskuqanitpër shëtitje dhe aktivitete rekreative kërkojnë që autoritetet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt për riparimin e asfaltit, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe përmirësimin e kushteve në këtë ambient publik. Ata theksojnë se investimet nuk duhet të kufizohen vetëm në ndërtimin e hapësiravepublike, por duhet të shoqërohen edhe me mirëmbajtje të vazhdueshme, në mënyrë qëqytetarët të kenë një mjedis të sigurt, funksional dhe të denjë për t'u shfrytëzuar gjatë gjithë vitit.
Fitimi i Kupës së Botës sjell shumë shpërblime për futbollistët, por konvertimi i peshës së tyre në domate është padyshim një nga mënyrat më të pazakonta për t’i nderuar. Kjo ishte surpriza që iu bë mesfushorëve të Spanjës, Fabián Ruiz dhe Gavi, kur u kthyen në vendlindjen e tyre pasi ishin pjesë e ekipit spanjoll që triumfoi në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut. Të dy futbollistët vijnë nga Los Palacios y Villafranca, një qytet në jug të Seviljes me më pak se 40 mijë banorë. Të mërkurën ata u pritën në mënyrë zyrtare në godinën e bashkisë, ku u përshëndetën nga autoritetet lokale dhe një turmë e madhe tifozësh. Ruiz, futbollisti i Paris Saint-Germain, i cili ishte titullar në finalen kundër Argjentinës, dhe Gavi, lojtari i FC Barcelona, mbërritën me medaljet e arta të kampionëve të Botës. Në kuadër të ceremonisë së nderimit, të dy hipën në peshore për të përcaktuar sasinë e domateve që do të merrnin si dhuratë. Ruiz do të marrë 85 kilogramë domate, ndërsa Gavi 68.5 kilogramë. Sipas zyrtarëve lokalë, kjo traditë “është kthyer në një simbol të bashkisë për nderimin e sportistëve të saj më të mëdhenj”. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ish-anësori i Spanjës, Jesús Navas, i cili ishte lojtari i parë nga Los Palacios y Villafranca që fitoi Kupën e Botës, në vitin 2010. Navas, ish-futbollisti i Manchester City dhe Ruiz kishin marrë gjithashtu dhuratën e veçantë të domateve pas triumfit të Spanjës në Euro 2024. Pallati sportiv i qytetit mban emrin e Navasit, ndërsa tashmë edhe Ruiz dhe Gavi do të kenë fusha futbolli të emërtuara në nder të arritjeve të tyre.
Një qytetare ka denoncuar pranë redaksisë tonë shqetësimin e banorëve të kompleksit "Freskia" në Golem, duke ngritur alarmin për gjendjen e rënduar të disa pishave që, sipas saj, përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e banorëve. Sipas qytetares, banorët i janë drejtuar disa herë Bashkisë Kavajë me kërkesa për të ndërhyrë dhe për të bërë prerjen ose sistemimin e pemëve që janë në gjendje të amortizuar, por thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo veprim konkret. Shqetësimi është shtuar pasi sot një prej pemëve ka rënë mbi një makinë, duke rritur frikën se edhe pishat e tjera mund të rrëzohen në çdo moment. Banorët theksojnë se zona frekuentohet çdo ditë nga fëmijë që luajnë në ambientet e kompleksit, ndaj një incident i ngjashëm mund të ketë pasoja të rënda. "Kemi bërë kërkesë në bashki, por nuk na pret askush. Tashmë një pemë ka rënë dhe pishat e tjera janë në gjendje shumë të keqe. Këtu luajnë fëmijët çdo ditë dhe kemi frikë se mund të ndodhë një tragjedi. Bashkia Kavajë nuk po bën asgjë", shprehet qytetarja. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Kavajë dhe institucionet përgjegjëse për të inspektuar gjendjen e pemëve dhe për të marrë masat e nevojshme, në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik për jetën e qytetarëve.
Në orët e para të agimit të së premtes, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar me urdhër të SPAK-ut në banesën e Klodian Allajbeut, oligarkut simbol të oligarkisë mjekësore dhe mjeshtrit absolut të pastrimit të parave në Shqipëri. I zhytur deri në fyt në dosje voluminoze penale në prokurorinë e posaçme, Allajbeu është arkitekti i disa prej aferave më skandaloze korruptive, ku paratë e taksapaguesve janë grabitur hapur dhe pa asnjë frikë nga ligji. Përderisa mediat e kapura dhe të frikësuara e raportuan lajmin si një ngjarje anonime, pa guxuar t'i përmendin emrin mbretit të korrupsionit, realiteti është i qartë: Klodian Allajbeu është oligarku i parë që ndërtoi monstrën e ndërlidhur të politikës, biznesit, shëndetit të qytetarëve, buxhetit të shtetit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ai nuk është thjesht një biznesmen; Allajbeu ka qenë prej vitesh “Ministri de facto i Shëndetësisë”, njeriu me hije që emëron e shkarkon ministra, sekretarë të përgjithshëm e drejtorë kyç, pikërisht aty ku gatuhen tenderat dhe letrat miliona-euroshe të grabitjes së tij financiare.