Normal view

Deliri i PD për ‘Mogherinin’ e leksioni i BE për drejtësinë shqiptare

3 December 2025 at 20:02

Nga Jakin Marena

Kur funksionojnë institucionet e drejtësisë, të cilat kanë në themel përpos hetimit e gjykimit për një vepër penale të caktuar, edhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe jo poshtërimin njerëzor, atëherë drejtësia jep me të vërtetë drejtësi! Ndaj kujtdo qoftë! Këtë leksion drejtësie ka dhënë prokuroria e BE, me vendimin më të fundit për zyrtaren më të lartë që ka drejtuar diplomacinë në Unionin Evropian!
E themi këtë, pasi ish-përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini, e ndaluar më 2 dhjetor, në kuadër të një hetimi për mashtrim që përfshiu Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe Kolegjit të Europës, u lirua gjatë natës, rreth orës 01:00 pas mesnate.

Mogherini ka qëndruar disa orë në dhomat e paraburgimit, ndalim me sa duket vetëm sa për t’i komunikuar me qetësi akuzën, ku hetimi lidhet me postin aktual të saj, si rektore e Kolegjit të Europës. Pra është pyetur për emrin, mbiemrin, emrin e babait, ditëlindjen dhe gjëra të tjera të këtij lloji, dhe në mesnate është lënë e lirë që të shkojë në shtëpi, për ta bërë gjumin të qetë dhe për t’u përgatitur në liri që të përballojë akuzat që ajo ka në ngarkim për mashtrim, pasi Kolegji i Europës dyshohet se fitoi një garë të pandershme përballë disa universiteteve të tjera prestigjoze europiane për organizimin e Akademisë! Bashkë me të janë liruar dhe dy të ndaluarit e tjerë! Edhe ata, nuk kanë ‘buajtur’ në qelitë e paraburgimit në Belgjikë, por në shtëpitë e tyre!
Por, arrestimi të martën e kësaj jave e Frederica Mogherinit, reflektoi dhe në Shqipëri, duke krijuar ndjenja të përziera në radhët e politikës si dhe të drejtësisë së re shqiptare! Kjo e fundit, më tepër e ka ‘përtypur’ në heshtje këtë ngjarje që mori vëmendjen e evropianëve të martën!

Si gjithnjë, opozita shqiptare e drejtuar nga Sali Berisha ishte në delir për këtë arrestim! Që nga kreu i PD e deri tek ‘ushtari’ më i fundit i kësaj partie, nuk janë shumë në fakt pasi kanë ‘firuar’ goxha në këto 12 vite qëndrimi në opozitë dhe akoma më shumë pritet në të ardhmen kur të bëjnë 16 apo 20 vite jashtë pushtetit, pra të gjithë në opozitë kanë qënë në delir për këtë vendim të prokurorëve dhe gjykatësve belgë, të cilët ‘mbyllën në paraburgim komunisten Mogherini’!

E quajtën si një shpagim këtë arrestim, për tërë ‘mallkimet’ e opozitarëve shqiptarë ndaj Mogherinit, ‘mikes së Edi Ramës’, dhe nuk u përmbajtën për asnjë moment në fluksin e mesazheve përmes të cilave sulmonin ashpër dhe pa doganë ish numrin një të diplomacisë së Bashkimit Evropian, si të korruptuar, madje duke e quajtur dhe ortake të kryeministrit shqiptar! Duke i bërë atë linçimin politik që lidershipi i opozitës është mësuar të bëjë ndaj kundërshtarëve të vet politik, pavarësisht se deri më tani s’ka një vendim gjykate për Mogherinin, e për pasojë deri në këtë vendim ajo quhet e pafajshme, pavarësisht nga akuzat që ka në kurriz!

Nuk lanë gjë pa thënë dhe këto 24 orë për Mogherinin, lideri i opozitës dhe mbështetësit e tij, të cilët dukeshin sikur kishin në ‘tabelë’ për të goditur kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, teksa përmendin edhe mbështetjen që numri dy i BE i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme qeverisë shqiptare dhe kreut të saj! Anipse mbështetja e ish shefes së diplomacisë së BE ka qënë vetëm e vetëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Po ku pyet Berisha, atij nuk i intereson anëtarësimi i Shqipërisë në Evropë, por halli i tij personal! Për më tepër që nuk ia fal Ramës suksesin në bashkëpunimin me përfaqësuesit e vendeve aleate, në funksion të integrimit! Ndaj godet çdo njeri, qoftë dhe pse ka bërë foto me kreun e mazhorancës aktuale! Madje nuk ka munguar të bëjë dhe thirrje ndaj BE për t’i vënë kushte Shqipërisë për anëtarësimin!

Me sa duket lirimi i Mogherinit e ka gjetur të ‘papërgatitur’ Berishën dhe mbështetësit e tij të paktë në Shqipëri! Nuk e dimë me tamam se si do të reagojë tashmë që është në liri ish numri dy i BE, e cila për hir të së vërtetës ka dhënë aq shumë mbështetje për Shqipërinë në procesin e integrimit, por jemi shumë të bindur se Berisha do ta përshtasë dhe këtë vendim të gjykatës së Brukselit me kërkesë të prokurorisë belge, me hallin e tij personal!
Berisha është mjeshtër i ‘piruetave’ politike, madje për të ndryshuar qëndrime e deri dhe mohuar fjalët e tij! Nuk do të jetë çudi, që duke filluar që ditën e sotme të akuzojë drejtësinë shqiptare për vendimin e dhënë ndaj tij, për arrestin shtëpiak të tij, që kishte lidhje me thyerjen e urdhërit të gjykatës për ‘detyrim paraqitje’ për aferën e ish kompleksit sportiv ‘Partizani’ në favor të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi!

Berisha nuk ka turp ta përdorë dhe rastin “Mogherini’, si ‘etalon’ për ta krahasuar me vendimin ndaj tij, e për të sulmuar drejtësinë e re! Pavarësisht se për 24 orë sëpaku ka qënë në delir bashkë me mbështetësit e tij për arrestimin e ish numrit dy të BE, njëherësh ish shefe e diplomacisë së Uinionit, një kontributore e flaktë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian! Madje në vijim mund ta përdorë dhe për të sulmuar Irena Gjokën apo të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë të posaçëm që nuk i kanë shkuar për ‘osh’ hallit të tij me drejtësinë për “Partizanin’ dhe tashmë për masakrën e 21 janarit 2011 ku Garda vrau 4 demonstrues të pafajshëm të opozitës së atëhershme, në mes të bulevardit, përballë kryeministrisë!

Nga ana tjetër, Berisha kurrë nuk zhgënjen! Pasi këtë të mërkurë i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike Europiane, që ‘të hetojë marrëveshjen e fshehtë Rama-Mogherini për ndërtimin e Kolegjit Evropian në Tiranë, Ju bëj thirrje të hetojnë email-et, ‘sms’-të që Rama ka shkëmbyer me Mogherini e në veçanti të hetohen komunikimet e tyre me telefona të koduara SkyEcc, Matrix për të cilat është vërtetuar se Rama i ka përdorur në raste të tjera të korrupsionit ndërkombëtar. Shqiptarët do të vlerësonin hetimin e lobimit që Mogherini ka bërë për Ramën, sukseset e tij imagjinare, mbulimet e megaskandaleve të tij në Bruksel dhe angazhimin e saj kundër opozitës shqiptare”. Berisha i bën thirrje BE, pavarësisht se drejtësinë shqiptare se njeh!

Njëherësh, jemi të sigurtë që vendimi i drejtësisë belge për të liruar Mogherinin, pa mbushur as disa orë në paraburgim, nuk e pengoi dhe më tej Berishën për të sulmuar Ramën se po bën presion mbi drejtësinë, duke e quajtur ‘rastin më të pashembullt’ sipas tij, vetëm e vetëm se qeveria e drejtuar nga Rama ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e SPAK e të GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Industrisë dhe Energjetikës, Belinda Balluku, si një shkelje të kompetencave të ekzekutivit nga drejtësia!

Berisha i ngre në ‘qiell’ prokurorin dhe gjyqtarin që vendosën për këtë pezullim, duke i quajtur si pjesë e drejtësisë së re që zbaton detyrën, ligjin dhe Kushtetutën e këtij vendi! Fundja Berisha kështu i quan të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që marrin vendime kundër përfaqësuesve të mazhorancës! Ndërsa ata që hetojnë dhe do të vendosin për akuzat ndaj tij, janë akuza të rënda për korrupsion të përgjakshëm e me viktima ato të Berishës, ish kryeministri demokrat i sulmon, i akuzon dhe i kërcënon rëndë! Berisha është i vetmi politikan që në mëngjes proteston kundër SPAK e pasdite deklarohet pro SPAK! Sipas hallit të tij personal! Pra, me dy fytyra në një ditë!
Njëherësh ndalimi dhe lirimi pas disa orëve i Mogherinit nga ana e drejtësisë belge është dhe një leksion për drejtësinë e re shqiptare! Eshtë një leksion konkret për ‘paketën’ SPAK-GJKKO, se si duhet të hetohet e të gjykohet një zyrtar i lartë, i cili në rastin më të thjeshtë nuk përbën rrezik as për të dalë jashtë vendit dhe as për të prishur provat! Pasi, kur ngrihet një akuzë dhe zyrtari merret i pandehur, presupozohet se prokuroria i ka ‘kopsitur’ provat kundër tij, ndërsa gjykata që përcakton masën e sigurisë i ka parë këto prova dhe është bindur se ai e meriton këtë akuzë!

Drejtësia e re shqiptare, duhet të kuptojë përmes këtij ‘leksioni’ të drejtëpërdrejtë e falas të BE se, suksesi i saj s’matet me numrin e zyrtarëve apo njerëzve të inkriminuar ke plasur brenda në paraburgim, me një akuzë e cila pasi hidhet si ‘telenovelë’ në media për linçim publik, do të përdoret më pas për të kapur ndonjë provë rrugës, siç ka ndodhur jo shumë rrallë deri më tani! Qofshim të gabuar, pasi e mbështesim me sinqeritet drejtësinë dhe duam që të korruptuarve, pavarësisht se cilit krah politik i përkasin, drejtësia jonë e re, për të cilën dhe paguajmë sa ‘i motit të ëmën’, t’ua nxjerrin ‘ujin e zi’. Por ama, mbështetur në ato të shkreta prova e fakte dhe pa na e ngritur akoma më lart faturën financiare, duke i mbyllur në paraburgim pa pasur nevojë!
Prandaj themi se se vendimi i drejtësisë së BE-së për Mogherinin është dhe një leksion për drejtësinë e re shqiptare, pasi jemi në vend të parë në Europë për numrin e të paraburgosurve për frymë të popullsisë! Madje dhe të parët për metër katrorë po të doni! Se ne shqiptarët nuk kemi masë në atë që bëjnë, e kemi treguar se e kapërcejmë gjithnjë kufirin e lejuar, duke zgjedhur si gjithnjë ‘rrugë të reja dhe të pashkelura’! E kemi trashëgim nga komunizmi i Enver Hoxhës!

Kështu drejtësia bëri me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, atë ‘kamionistin’ që e nisën hetimin me akuzën për grup të strukturuar kriminal dhe në mungesë të provave e katandisën në ‘shpërdorim detyre’, akuzë me të cilën mund të dënohen që nga drejtuesi më i lartë e deri tek ai më i thjeshti! Edhe Berisha mund të dënohet për shpërdorim detyre, nëse ankohet gjenerali Piro Ahmetaj për shkarkimin dhe zëvendësimin e tij nga gjeneral Xhemal Gjunkshi si ‘komisar’ i Sigurisë në PD!

Për shpërdorim detyre sipas këtij ‘kuti’mund të dënohen dhe gjyqtarë e prokurorë të posaçëm për sjelljen ndaj të pandehurve. Sidomos nëse e vendos Strasburgu si në rastin e Thoma Gëllçit. ‘Shpërdorimi i detyrës’ është një akuzë thjeshtë ‘hapje krahu’, dhe dënim për statistikë! Por ama Tahirit i shkatërruan jetën, i shkatërruan karrierën, thjeshtë e vetëm se drejtësisë i duhej pak statistikë! Pa prova, por përmes linçimit publik, që ia bënë përmes ‘mercenarëve’, ndonëse të paktë, të medias. Thjeshtë për këtë keqkuptimin e madh, ku suksesi i drejtësisë matet me akuzat që ngre SPAK, dhe jo me vendimet që jep gjykata! Atëherë kur jep tamam drejtësi, themi!
Kështu po veprohet dhe me zyrtarët e tjerë, të cilët gjenden nëpër paraburgime, pa ndonjë akuzë të formatuar tamam, që të justifikonte qëndrimin e tyre në qeli! Mund të hetoheshin dhe jashtë burgut, në gjendje të lirë pasi nuk ikin asnjëri prej tyre. Kursehej dhe në shpenzime, pasi do të vetëtrajtoheshin në shtëpi, s’do të kishin eskorta policie nga pas sa herë lëvizin drejt gjykatave, dhe mbi të gjitha do të lironin dhe ndonjë vend, për të qënë me hapësirën e duhur nëpër qelitë e paraburgimit, për ata që janë tamam për paraburgim!

Prandaj themi se rasti “Monghorini” është leksioni më i drejtëpërdrejtë që drejtësia e BE-së ka dhënë për drejtësinë e re shqiptare, në raport me hetimin e një akuze sado të rëndë, në raport me respektimin e të drejtave të njeriut të të akuzuarve si dhe prezumimin e pafajësisë! Pasi në asnjë rresht të mediave evropiane për Mohgherinin, nuk u publikua lista e materialeve të gjetura apo të kontrolluara në banesën e ish zyrtares së lartë të BE dhe dy zyrtarëve të tjerë! Apo siç bënte ironi dhe ish ministri shqiptar i Drejtësisë, aspak i afërt me qeverinë aktuale, i cili ishte i ‘dëshpëruar’ për faktin se nuk e mori që nuk e mori vesh listën e brekëve dhe pajisjeve të tjera në pronësi të Mogherinit, pas kontrollit që i bë banesës në Belgjikë! Bënte analogji me Shqipërinë ai!

Një leksion që me shpresë të Zotit do të shërbejë dhe për SPAK që të bllokojë në të ardhmen ‘rrjedhjen orientuar’ të informacioneve te mediat, por dhe për gjykatën që të mos jetë thjeshtë ‘në një mendje’ gjithmonë me kërkesat e SPAK, të cilat i kthen në vendime! Që shkaktojnë dhe dëm! Flasim, që të hiqen dhe ato ‘fishat e përgjimit’ nga ana e prokurorëve të posaçëm, që janë bërë një makth për gjyqtarët, deri tek gjyqtarët anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke qënë një ndikues i drejtëpërdrejtë në vendimet e tyre! E kanë pranuar vetë përgjimin të dyja palët, dhe me prokurorët e posaçëm që janë ‘zotuar’ se nuk e përsërisin më këtë ‘gabim’! Kush na garanton se!

Të paktën prokurorëve e gjyqtarëve të posaçëm të mos u shkojë mendja deri atje sa të jenë të bindur se mund të pezullojnë apo shkarkojnë ministra, kryeministra e deri qeverinë e zgjedhur me votën e shqiptarëve, duke kaluar kufirin mes pushteteve, pasi do të ishte dramë! Sepse nëse drejtësia e re përcakton dhe se kush do jetë kryeministër e kush ministër, atëherë dhe zgjedhjet do të ishin të panevojshme. Shpenzim i kotë, me një fjalë në këtë rast! Por dhe tallje e madhe me votën e shqiptarëve. Të shohim sa ka ndikuar mesazhi ‘Mongherini’, shpresa vdes e fundit!

The post Deliri i PD për ‘Mogherinin’ e leksioni i BE për drejtësinë shqiptare first appeared on JavaNews.al.

Joshi SPAK dhe ‘rebeloi’ Salianjin, Berishën e trembi 21 janari?!

28 November 2025 at 20:08

Nga Jakin Marena

Nëse sheh në mënyrë sipërfaqësore se çfarë lajmesh dalin nga PD dhe serviren për publikun, edhe nga mediat e Berishës dhe afër tij, duket sikur në këtë parti ka shpërthyer ‘tërmeti’ dhe po bëhet nami, sa nuk ka zot që e ndan këtë punë!

Po të kapesh pas deklaratave të lidershipit të kësaj partie si dhe të pretendentëve për të kapur lidershipin në një të ardhme të papërcaktuar me kufij kohorë, gjithkush mund të ketë krijuar perceptimin e gabuar se, ditëve të Sali Berishës në krye të PD po u vjen fundi.

Madje situata duket pa kthim në këtë ‘sektor’, teksa vihet re me sy të lirë se për çudi dhe ata që janë më afër Doktorit, madje dhe përcjellin linjën politike të tij nga media e familjes tek grupet brenda PD apo tek publiku, kanë rënë në një heshtje të thellë. Heshtje, që nuk ka ardhur as për shkak të festave të nëntorit, që PD tërë jetën i ka bashkuar në një ditë, më 28 nëntor, por që me sa duket është një heshtje me leje dhe e kopsitur me shumë mund e djersë!

Për të qënë më konkretë, po bëhet shumë zhurmë për një takim informal dhe jashtë kamerave të të sapodalit nga burgu ku qëndroi për një vit dhe ku bëri një ‘remont’ të plotë hunde dhe mbolli flokët, Ervin Salianjit me disa nga figurat që në primaret e fundit apo më tej në garën elektorale kanë pasur mbështetjen më të fortë nga ana e anëtarësisë së PD dhe elektoratit. Dhe në këtë grup spikaste dhe Ilir Alimehmeti që për pak hyri në Kuvend në qarkun e Tiranës, nga lista e hapur!

Ky takim u artikulua si një ‘rebelim’ brenda PD nga Salianji dhe ‘grupi’ i tij në formatim, si një lëvizje e re brenda kësaj partie për të trazuar ujërat, për të bërë analiza dhe për t’ia bërë jetën më të vështirë Berishës në krye të PD, pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e 11 majit të këtij viti por dhe pas ‘bojkotit’ të moderuar të zgjedhjeve të pjesshme në 5 bashki, megjithëse mbështeti publikisht kandidatët e pavarur, PD shënoi një rezultat rrënues!

Reagoi kreu i grupit parlamentar të PD, Gaz Bardhi ndaj këtij takimi, duke e cilësuar një takim pa rëndësi që bëhej në kafe! Një tentativë e Bardhit për të ndezur një shenjë debati në një parti, ku ka mbaruar me kohë e vakt debati brenda saj, për shkak se është pronë, madje me ‘hipotekë’ e Berishës dhe e familjarëve të tij! Menjëherë, duke ndërhyrë madje dhe në një emision televiziv, kundërpërgjigjet Salianji, i cili thotë se në politikë bëhen takime, dhe se demokratët janë shumë të uritur për të bërë analiza brenda partisë ku aderojnë! Madje prek dhe një ‘tabu’ teksa thotë se këta demokratë më të votuar kanë sjellë 200 mijë vota për PD dhe opozitën! Guxim i madh ky!

Reagon dhe Alimehmeti, i cili ka qënë më konkret, më i ‘pavarur’ në konstatimet e tij, teksa reagon dhe ky ndaj Bardhit, duke nënvizuar se nuk u përgjigjet deklaratave në rrjetet sociale. Sipas tij, po të donte t’i thërriste Këshilli Kombëtar do të shkonte, pra mundësia për të folur nuk ka qenë. Alimehmeti këmbëngul se lënia pa diskutuar e demokratëve sjellin situata si këto, që kemi një qeveri të kalbur që nuk hidhet dot në tokë, dhe një opozitë që nuk sjell dot njerëz. “Pse arritëm në mbledhjen e kësaj tryeze? Kjo pyetje u duhet bërë atyre. Ata nuk e kanë bërë dhe i kanë larguar njerëzit, ne thjeshtë vazhdojmë punën, të kuptojmë ku jemi si dhe ku janë problematikat”, shprehet në mënyrë hipotetike Alimehmeti! Duke e lënë ‘përplasjen’ hapur.

Dhe për ta mbyllur ‘qarkun’ e diskutuar në media si ‘rebelim’ brenda PD për t’i marrë drejtimin, ka menduar vetë ai, i papërsëritshmi Berisha! Një një reagim ‘spontan’ ditën e sotme, pikërisht në ditën e Pavarësisë e të çlirimit bashkë për PD, Berisha u shpreh se normalisht takimet në kafe nuk meritojnë të komentohen, por theksoi se PD mbetet partia më e hapur dhe demokratike e vendit. Madje tha se demokratët janë të hapur ndaj analizës brenda vetes, duke nënvizuar se nuk është fare i shqetësuar për këto takime, jashtë ‘vëmendjes’ së tij!

“Njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili, Salianji është anëtar i Kryesisë së PD e ka vendin ku t’i shprehë mendimet.
Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres cdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu të jem i sinqertë”, njoftoi mediat Berisha! I cituam fjalët e tij për të qënë korrekt me veten dhe me lexuesit tanë, pasi Berisha tjetër mendon, tjetër thotë dhe tjetër bën! E ka linjë pune këtë qëndrim, i pandryshuar, sëpaku në 35 vite me radhë, në jetën e tij të dytë politike!

E themi këtë sepse në PD nuk ka asnjë analizë për humbjen në zgjedhje, ka vetëm përpjekje për të qënë ‘gardë’ mbrojtje për Berishën, në këtë situatë të vështirë dhe të sikletshme në të cilën ndodhet pas dëshmisë në SPAK për vrasjet e 4 demonstruesve të opozitës së atëhershme më 21 janar 2011 përballë kryeministrisë nga Garda, si person në dijeni, i thirrur nga institucioni më i lartë i akuzës, të kuptohemi jo me vullnetin e këtij institucioni, por për shkak të vendimit të Gjykatës së Strasburgut që rihapi hetimin për 21 janarin, dhe për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë që ia ‘ngeci’ SPAK-ut këtë hetim! ‘Kërcen prifti nga belaja” me një fjalë!

Se nuk ka analizë në PD dhe se nuk ka asnjë reflektim për humbjen dhe shkaktarët e humbjes e tregoi numri dy i kësja partie, Flamur Noka në një takim në Kamzë, ku u përplas me një nga anëtarët e strukturave drejtuese të kësaj dege të madhe që ka qënë ‘hambar’ votash për PD që në krye të herës! Teksa demokratja kërkoi llogari për rrënimin e PD, e shqetësuar për të ardhmen e kësaj partie, Noka i tregoi derën, duke deklaruar kjo parti ka rregulla, ka statut, dhe që sipas ‘kutit’ të sekretarit të përgjithshëm demokrat, askush nuk duhet të dalë kundër lidershipit! Ky ishte mesazhi me sa duket, duke shfaqur një arrogancë të theksuar të lidershipit të kësaj partie me strukturat e bazës, pasi në këtë situatë ku është PD, edhe një zë pro i nevojitet, jo më dikush nga strukturat drejtuese të degës më të madhe në Tiranë! Por Noka e bëri hasha këtë demokrate, një mesazh për më tepër, për të gjithë ata që duan analizë të humbjes dhe përgjegjës!

I përmendëm këto raste për të treguar se në PD të gjithë po përpiqen për të bërë lajm dhe kapur hapësirën mediatike! Nga Salianji, që bën ‘rebelim’ me leje, pasi e di dhe vetë si dreqi se askush nuk ia merr partinë Sali Berishës! Dhe Basha që pati shansin më të madh për t’ia marrë partinë, me vetë Salianjin me shkop në dorë në krah, dhe Bardhin ‘agresiv’ në krahun tjetër, nuk arritën dot t’ia marrin. Përkundrazi, ia dorëzuan vullnetarisht si dhuratë, të lidhur me ‘fjongo’, vulën dhe logon e PD, pas dështimit të sulmit fizik të Berishës dhe mbështetësve të tij me qysqi dhe mjete rrethanore mbi selinë e PD për ta pushtuar më 8 janar! E pushtoi më pas pa asnjë ‘shkrehje’, thjeshtë me ‘kallauzët’ që ishin te Basha, e më pas të gjithë me kokën ulur dhe duke ‘tundur bishtin’ hynë nën ‘mbretërimin’ e Berishës! Tani asnjë ‘rebelim’ s’ka vlerë! Përkundrazi bëhen me leje të gjitha lëvizjet, thjeshtë e vetëm për të zënë hapësirat mediatike dhe për të bërë lajm! Me regji qëndore, të kuptohemi! Në PD nuk flitet pa leje, jo më të veprohet! Harrojeni

Veprohet kështu, për vetë shkakun se Berisha është në hall ntë madh, pasi është thirrur për t’u pyetur për 21 janarin, për vrasjen e 4 demonstruesve nga Garda e Republikës më saktë! Dhe Berisha është pyetur se kush ka dhënë urdhër për të qëlluar! Më parë ishte pyetur ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili sikurse nënvizojnë burimet, jo nga ‘investiguesit’ pasi ata heshtin për çështjet e Berishës dhe u fiket ‘radari’, është zbërthyer paq dhe i ka treguar ‘shokët’. Jo vetëm se kush ka dhënë urdhërin, por dhe se kush ka fshirë kamerat e sigurisë e kush i kopjoi ato si dhe kush i ka kopjet, kush i ka fshirë provat e tjera, kush e rrahu ish kreun e Gardës e qëlloi turmën me pistoletën e tij! Basha nuk e mban presionin, dhe këtë e di dhe vetë Berisha! E provoi me ‘non gratën’ kur nuk e mbajti presionin e ambasadës së SHBA, teksa e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD dhe nga vetë PD. Çka solli dhe ndarjen e partisë në shumë pjesë!

Pikërisht për këtë arsye Berisha ka nisur të bëjë ‘pirueta’ për 21 janarin! Herë thotë se s’ka dhënë urdhër, pavarësisht deklaratave publike se ai urdhëronte Gardën, madje dhe 5 snajperët në tarracë për të qëlluar me plumb në kokë Edi Ramën, kreun e atëhershëm të opozitës, e herë thotë se ky krim shtetëror u bë në respekt të ligjit, sikurse Garda ka zbatuar vetëm ligjin pa pasur nevojë për urdhër! Berisha është vërtetë i trembur, pasi nëse për aferën e ‘Partizanit’ dhe mund t’ia hedhë paq përmes të ashtuquajturit vendim kolegjial në favor të dhënrit të tij, për 21 janarin 2011 e ka të vështirë! Pasi janë vrarë 4 demontrues nga shteti, para kryeministrisë, dhe mbi kokë qëndron vendimi i gjykatës së Strasburgut që kërkon hetimin dhe ndëshkimin e urdhërdhënësve dhe jo atyre që kanë tërhequr këmbëzën! Pra kërkon ‘kokën’ e Berishës, si kreu i zinxhirit komandues!

Ndaj Berisha po përpiqet të ‘joshë’ SPAK-un. Teksa deklarohet herë pro SPAK, në rastin e pezullimit nga detyra Gjykata e Posaçme me kërkesë të prokurorit të SPAK të zv.kryeministres Balluku, qofshim të gabuar por na duket sikur po i jep ‘direktiva’ edhe Kushtetueses që të rrëzojë ankimimin e qeverisë për pezullimin, herë akuzon Ramën se po bën presion mbi Kushtetuesen për të zhbërë vendimin e GJKKO-së, dhe herë i sulet drejtësisë së re, për shkak të hetimit që ka ndërmarrë ndaj tij dhe çështjeve që tashmë ka nën gjykim! Ndonëse me ‘zemër të lënduar fort’ e të detyruar nga Strasburgu, prokurorët dhe gjyqtarët janë të detyruar të veprojnë! Themi kështu, sepse prandaj nuk e merrnin për qamet në ‘dorëzim’ hetimin dhe gjykimin e 21 janarit, të cilin e kishin refuzuar gjatë gjithë kohës!

Berisha ka halle! Dhe në funksion të këtyre halleve ka përshtatur dhe opozitarizmin e PD. Herë duke u përplasur në Kuvend, herë duke mbajtur këto ‘foltoret’ para kryeministrisë natën vonë, herë duke dhënë ‘leje’ për ndonjë rebelim brenda PD, me idenë se ka dhe ‘lëvizje’ për t’i marrë partinë, herë përmes këtyre arrogancave dhe gafave të Nokës, si dhe akuzave ndaj qeverisë se po bën presion mbi drejtësinë, e pabesueshme ta shqiptojë kreu i PD këtë, duke tentuar të barazojë hallin e tij me hetimet për zyrtarë të mazhorancës nga SPAK, apo me gjykimin në Kushtetuese të ankesës së qeverisë për pezullimin e numrit dy, për të delegjitimuar me një fjalë tërë ‘piramidën’ e drejtësisë, Berisha kërkon thjeshtë e vetëm që të jetë në qendër të vëmendjes, e me vëmendje të zhvendosur nga 21 janari, i cili është tepër i rëndë për të me pasoja tronditëse!

Hetimi dhe gjykimi në tërësi i 21 janarit, vënia para përgjegjësisë të atyre që dhanë urdhër për këtë masakër nga Garda në mes të bulevardit, sidomos pas vendimit të Strasburgut, është tepër vështirë të shmanget! Qoftë dhe me ‘piruetat’ politike të Berishës përmes ‘rebelimit’ të Salianjit e arrogancës së Nokës brenda PD! As përmes dy standardeve ndaj SPAK nga vetë Berisha! Shqiptarët por edhe partnerët e dinë se 21 janari dhe Gërdeci janë ‘testi’ i vërtetë për drejtësinë shqiptare! Këto dy dosje të rënda të korrupsionit të përgjakshëm, janë ‘lakmuesi’ që tregon dallimin mes drejtësisë së vjetër e drejtësisë e re, kjo e fundit e ngritur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri! Të presim, kanë kaluar shumë vite, por gjaku i derdhur në Gërdec dhe para kryeministrisë, nuk harrohet! Jo vetëm nga familjarët, por dhe nga shqiptarët! Aq më tepër kur në ‘kandar’ është vënë vetë drejtësia e re, me prokurorë e gjykatës brenda!

The post Joshi SPAK dhe ‘rebeloi’ Salianjin, Berishën e trembi 21 janari?! first appeared on JavaNews.al.

Berisha ‘shkeli’ Amerikën, tani s’pyet më për BE e SPAK!

25 November 2025 at 19:30

Nga Jakin Marena

Kryetari i PD Sali Berisha më në fund e kapërceu oqeanin dhe mbërriti në Amerikë! I ‘theu’ të gjitha pritshmëritë, e më në fund arriti në ‘tokën e premtuar’, atë amerikane. Anipse kreu i PD shkelin në cepin e poshtëm të kontitentit, në Brazil, pikërisht në atdheun e futbollit brilant, të ‘sambas’, plazheve të bukura e karnavaleve të famshme, por dhe në atdheun e ‘marksist-leninistit’ të shquar brazilian. Zhoao Amazona, i cili vinte dy herë në vit me kohëqëndrim nga tre muaj, për vizitë në kohën e Enver Hoxhës, pikërisht në ‘kryeqendrën’ e komunizmit të vërtetë, Tiranë, për kongrese dhe për pushime!

Ama Zhoao Amazona na ‘griu’ nga lekët në kohën e Enverit, pasi jo vetëm që merrte një kuotë vjetore për të mbajtur në këmbë partinë e tij ‘m-l‘ e cila drejtohej familjarisht prej tij, vetëm e vetëm për të bërë ndonjë deklaratë për “Shqipërinë, si fanar i komunizmit në të gjithë botën”, për të firmosur ndonjë deklaratë të përbashkët por dhe për të miratuar ndonjë rezolutë që dënonte imperializmin amerikan, social-imperializmin sovjetik, sonizmin izraelit dhe gjithë kapitalizmin botëror në tërë si! Për kaq paguhej ai, për kaq ishte anëtar i internacinales paralele komuniste të Enver Hoxhës me parti ‘m-l’ të rindërtuara! Madje e pinte shumë dhe atë të shkretë raki thonë

Por do të thotë dikush, çfarë na duhen këto sqarime, ndërkohë që Berisha realizoi ëndrrën e tij katër vjeçare të ‘mbyllur në sirtar’, për të cilën ka paguar miliona dollarë lobime, thjeshtë dhe vetëm për të kapërcyer oqeanin me sa duket! Për t’i treguar Edi Ramës se më në fund e kalon këtë ‘oqean’ dhe e shkeli Amerikën! Kaq i duhej Berishës do të thoshte dikush, për të qënë në majën e botës, qoftë dhe për disa ditë apo për disa orë, sepse një mendje serioze e kalon lehtë këtë kapërcim ‘oqeani’ dhe kthehet me këmbë në tokë! Por njeriu dy herë bëhet fëmijë! E themi këtë sepse Berisha, thuajse është shndërruar plotësisht, nuk përmbahet nga deliri, një ‘sëmundje’ që i ka zënë madje dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët e quajnë një fitore të madhe pjesëmarrjen e Berishës në Asamblenë e CDI të zhvilluar në Sao Paolo të Brazilit dhe mbi të gjitha pasi është zgjedhur Presidenca dhe drejtuesit e rinj të CDI, dhe ndër ta edhe lideri i PD.

Po, po! Kryetari i PD, Sali Berisha është zgjedhur një nga 17 zv.presidentët e CDI, një bashkim i partive të qendrës së djathtë në botë. Përzgjedhja e presidencës u bë në Asamblenë e CDI që u zhvillua në Brazil, ku ga Europa janë dhe kryeministri i Kroacisë Andrey Plenkoviç, kryeministri i ardhshëm i Sllovenisë Janezs Jansa dhe kryeministri i Hungarisë, Victor Orban. Sekretar i Përgjithshëm i CDI është zgjedhur Antonio Lopez-Isturiz Vhite, ndërsa President i CDI u rizgjodh Andres Pastrana, ish president i Kolumbisë ky.
Dhe CDI, Centrist Democrat International, është një union partish të qendrës së djathtë me fokus në Amerikën Latine, Afrikë dhe disa vende të Azisë. Shumica e anëtarëve janë parti të vogla, me vokacion demokristian. Dhe për ironi të fatit, në CDI s’bën pjesë Partia Republikane e SHBA-së, vendi ku Berisha dhe familja e tij janë shpallur non grata, as konservatorët britanikë apo ata kanadezë. CDI është e përbërë nga 115 parti të qendrës nga Europa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Azia. Pra s’është unioni më i madh i të djathtëve konservatorë por i centristëve e kristian-demokratëve. Ndërkohë që, IDU është elita e vërtetë e partive të djathta në botë, ku 29 parti të IDU-së janë aktualisht në pushtet.

Dhe mbi të gjitha PD nuk ka qënë kurrë pjesë e partive apo grupimeve kristian-demokrate në Evropë apo në botë! Asnjëherë anëtare e këtyre formacioneve politike, duke ngjallur habi se si Berisha, kreu i PD shqiptare është zgjedhur një nga 17 zv.presidentrët e CDI, pa qënë anëtare PD e tij! Këtë habi e shpreh dhe ish kreu i demokristianëve shqiptarë, aktualisht kreu i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati, një anëtar i kahershëm i këtij unioni kristian-demokrat, CDI!

“Kjo situatë është po aq qesharake sa edhe tragjike! Partia Demokratike e Shqipërisë paraqitet në Asamblenë e CDI – Christian Democratic International, një organizatë ku Partia Demokristiane Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, ndërsa Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje institucionalisht, ideologjikisht apo historikisht. PD i përket grupimit të partive të qendrës së djathtë liberale EDU ( European Democratic Union) , jo atyre demokristiane, ndaj nuk ka legjitimitet moral e politik të përfaqësojë komunitetin demokristian shqiptar, të cilin, bashkë me PS-në, e ka luftuar dhe margjinalizuar sistematikisht.
Shkatërrimi i përfaqësimit politik demokristian. Përçarja e qëllimshme në pesë parti të ndryshme demokristiane. Përjashtimi i tyre i vazhdueshëm nga Parlamenti dhe qeverisja. Presione, nënvlerësim, shpërfillje, një praktikë e ngjashme me atë të regjimit komunist, e vijuar me të njëjtën arrogancë edhe sot. Në këtë fushatë të heshtur kundër demokristianëve shqiptarë kanë kontribuar edhe elementë shovinistë serbë, të cilët historikisht nuk e kanë dashur dhe nuk e duan forcimin e komunitetit katolik në Shqipëri, për arsye gjeopolitike dhe kulturore të njohura, për këtë motiv katoliket i kanë lënë jashtë Kabinetit Qeveritar.

Kjo është një padrejtësi e madhe politike dhe një manipulim i hapur i realitetit. Asnjë parti që ka punuar kundër demokristianëve nuk mund të mendojë e të flasë në emër të tyre”, reagon Bushati, kreu i ADSH në rrjetin social! Duke treguar me pak fjalë se, kreu i PD, Berisha i ka ‘vjedhur’ përfaqësimin demokristianëve shqiptarë në CDI, pa qënë aspak PD anëtare e CDI! Por dhe duke hedhur dyshime se në këtë union futen ‘afrofe’, apo larg qoftë kush heq shpenzimet e mbajtjes në këmbë të unionit, parti apo lëvizje politike! Lekë kanë më bollëk, me sa duket!

Me gjithë këto habere dhe rezerva për pjesëmarrjen e Berishës në këtë asamble të unionit të kristian-demokratëve, që quhet shqiptarisht Internacionalja Kristian-Demokrate, kanë qënë dikur dhe demokristianët e majtë italianë anëtarë, Berisha është tepër entuziast deri në delir! Madje detyrën e zv.presidentit e ka marrë më shumë qejf, pasi ka miratuar dhe rezolutën e radhës kundër vendit të tij, të cilin e quan ‘narko-shtet’, antidemokratik dhe që nuk meriton që të jetë pjesë e BE. Madje kërkon përmes kësaj rezolute që të kushtëzohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE, me një kusht të vetëm: Shqipëria meriton anëtarësinë në BE, vetëm nëse Berisha është kryeministër! Si dikur këto rezolutat e kongresit të PPSH me firmën dhe të partive ‘markiste-leniniste’ motra, të kryesuara nga braziliani Zhoao Amazona, ku i vetmi sistem ndriçues në botë ishte komunizmi me forcat e vfeta i Enver Hoxhës! Por rezoluta e Berishës është akoma më kontradiktore, pasi teksa e cilëson Shqipërinë ‘narko-shtet’, poshtë saj firmos nga kreu i CDI, ish presidenti i Kolumbisë! Ironi më vete kjo!
Dhe nëse ndonjë zë i del kundër Berishës, pas rikthimit nga Brazili, turma vërtete e rrudhur rreth tij, i turren duke e akuzuar rëndë! Me argumentin se Berisha është zv.president i CDI tashmë, ka shkelur tokën amerikane, ka miratuar rezoluta, dënuar ‘narkoshtetin’ e Edi Ramës, pikërisht dënim nga një union me president një ish president të Kolumbisë, ‘atdheut’ të kokainës e që nuk ka pasur një marrëdhënie fort të mirë me luftën kundër kësaj të keqeje të përbotshme! E keqe që luftohet nga të gjithë, sidomos nga Amerika, por jo ajo Latine ku ka qënë për vizitë Berisha, por SHBA, ku kreu i PD vazhdon të mos shkelë që prej 4 vitesh dhe ta ketë ‘mollë të ndaluar’!

Megjithëse dhe pas kthimit nga SHBA, sërish askush nuk po e ndjek pas Berishën dhe PD, kjo u pa në protestën e dytë para kryeministrisë, të “Foltore 2’, tepër e vobektë në pjesëmarrje dhe në mesazhe, çka tregon se askujt nuk i ngrihet ‘sentimenti’ për kapërcimin e oqeanit dhe mbërritjes në Amerikën Latine të Berishës apo zgjedhjes së tij një nga 17 zv.presidentët e CDI, kjo nuk e ka penguar kreun e PD dhe mbështetësit e tij të sillen sikur nuk pyesin për qeverinë, Ramën, madje nuk pyesin as për Evropën!
Kj pa dhe në ankesën e PD në Komisionin Evropian për ‘sjelljen’ e Marta Kos, komisionere për zgjerim e BE dhe ambasadorit të BE në Tiranë Silvio Gonzato! Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, në emër të opozitës, i ka paraqitur një Notë-Verbale Delegacionit të BE, duke vënë në dijeni edhe Komisionin Europian e Parlamentin Europian, lidhur me deklaratat e Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit. Bardhi thekson se po përcjell qëndrimin e opozitës në lidhje me deklaratën e bërë nga Komisionerja për Zgjerimin, gjatë konferencës për shtyp të 21 nëntorit 2025 në Tiranë, e mbajtur bashkë me kryeministrin Edi Rama. Pasi e pyetur nga media, Kos deklaroi se: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, e kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe BE”. Një deklaratë kjo e padurueshme për PD dhe Berishën, sidomos e dhënë pikërisht në ditën kur Berisha u zgjodh zv.president i CDI dhe miratoi rezolutën kundër Shqipërisë, me ‘narkoshtet dhe vjedhje votash më 11 maj’, brenda saj!

“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian”, shkruan Bardhi. I cili rendit rekomandimet e bëra nga ana e OSBE-ODIHR, që për hir të së vërtetës janë pikërisht ato që ka kërkuar vetë mazhoranca dhe Edi rama për të miratuar, duke filluar nga komisionerët apolitikë e përfunduar tek votimi elektronik!

Megjithatë atë, Berisha nuk mbahet më, pas rikthimit nga Amerika e tij përtej oqeanit, Brazili, e sidomos pas zgjedhjes si zv.presidenti i 17-të i CDI, nuk pyet askënd, i sfidon të gjithë, deri dhe Brukselin zyrtar, duke i dhënë ‘direktiva’ teksa i ka kërkuar që të mos vlerësojë Shqipërinë, duke i kërkuar madje që t’i vendosë kushtëzime Shqipërisë për ta anëtarësuar në BE! Duke tentuar të krijojë idenë se këtë e thotë një zv.president i CDI, anipse kristian-demokrat dhe pa lidhje me PD, anipse në Tiranë para kryeministrisë e prisnin deputetët e disa ithtarë, që ishin në kufijtë e 100 vetëve, me plus-minus! Një PD e nënshtruar nga tekat e një plaku, i cili jo vetëm që nuk ka mbështetje, por sipas gjasave do ta marrë me vete në ‘amëshim’ partinë e parë opozitare dhe që i ka dhënë tonin vendit, duke e qeverisur për 13 vite, gjatë këtyre 35 viteve! Por pa mundur të realizojë vetëm një gjë: demokracinë brenda saj dhe çlirimin nga pengmarrja e Berishës! I cili vazhdon të jetë në delirin e radhës! Është zv.president tashmë ai, po gëzon si fëmijë! Nuk pyet madje jo vetëm për BE, por as për SPAK ku është nën hetim për “Partizanin’ dhe sipas gjasave së shpejti, dhe për masakrën e ’21 janarit’! Një zv.president që kapërceu ‘oqeanin’!

The post Berisha ‘shkeli’ Amerikën, tani s’pyet më për BE e SPAK! first appeared on JavaNews.al.

Berisha në ‘kërkim’ për 21 Janarin. A guxon SPAK ta marrë forcërisht?!

14 November 2025 at 17:58

Nga Jakin Marena

Ish kryeministri Sali Berisha nuk ka zhgënjyer askënd dhe këtë të premte! Kreu aktual i PD ka refuzuar me vullnet të plotë paraqitjen para SPAK për të dhënë dëshminë e tij si person që ka dijeni, për ngjarjen makabre të 21 janarit 2011, kur nga plumbat e Gardës së Republikës u vranë katër demonstrues dhe u plagosën disa të tjerë! Të gjithë me duar në xhepa dhe në ikje!

Berisha, asokohe kryeministër i Shqipërisë. gjendej në godinën e kryeministrisë kur ndodhën këto vrasje, jo vetëm gjendej por ishte tepër aktiv, si zyrtari më i lartë në atë godinë, që kishte ‘primatin’ e dhënies së urdhërave për të qëlluar turmën në ‘mish’, më pas për të fshirë gjurmët e urdhërave për vrasje teksa fshiu kamerat e sigurisë, për të mos lejuar prokurorinë për të arrestuar zinxhirin komandues të Gardës dhe për të hetuar të gjitha veprimet e tjera të këtij lloji për ato momente tragjike të 15 viteve më parë! Pra i fshiu të gjitha provat atë ditë!

Për këtë arsye dhe për shumë arsye të tjera, që kanë të bëjnë edhe me vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ’21 janarin’, gjykatë e cila kërkoi me detyrim përcaktim rikthimin e hetimit dhe zbardhjen e urdhërdhënëseve për këtë krim makabër ku u shuan nga plumbat e Gardës 4 jetë njerëzish të pafajshëm teksa turma po shpërndahej, SPAK kishte dërguar dy herë fletëthirrje për Berishën që të paraqitej këtë të premte në orën 10.00 në SPAK për të dëshmuar, sëpaku fillimisht si person në dijeni!

Por Berisha i është përmbajtur një ‘filmi’ të kahershëm dhe të parë shumë herë, duke përsëritur të njejtin veprim që ka bërë gjithnjë sa herë që ‘laku’ i drejtësisë rreth qafës së tij është shtrënguar pasi dosjet në ngarkim të tij janë dosje të rënda penale, që mund t’i kushtojnë vite e vite të tëra burgu! Berisha ka refuzuar të shkojë në SPAK, duke deklaruar një ditë më parë se nuk i ka ardhur thirrja nga ana e Prokurorisë së Posaçme! Megjithëse SPAK ia kishte dërguar dy herë, madje në tre adresa fletëthirrjen, konkretisht te selia e PD buzë Lanës, te kryesia e grupit parlamentar të PD në Kuvend, te banesa e tij, një pallat i tërë, në rrugën “Mustafa Matohiti” në qendër të Tiranës, por askush nuk ka pranuar të tërheqë fletëthirrjen.

Kështu ka vepruar Berisha dhe me fletëthirrjen e dërguar nga SPAK, për të dëshmuar në lidhje me hetimin e aferës së ish kompleksit sportiv “Partizani”, të privatizuar në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili nga një ‘bythë’ vend prej 132 metrash katrorë, ndërtoi një kompleks të tërë pallatesh, duke përfituar, ajo që dimë zyrtarisht, plot 5.4 milionë euro neto fitim!

Nuk e merrte Berisha për qamet në dorëzim atë kohë fletëthirrjen, megjithëse oficerët e SPAK ‘brodhën’ gjithë Tiranën, për t’ia dhënë në dorë, por Berisha fshihej herë në banjë, herë në katet e shumta të pallatit në zotërim te “Mustafa Matohiti”, dhe e detyruan SPAK asokohe të kërkonte arrest shtëpiak për të dhe për dhëndrin e tij, duke i lënë afër një vit të ‘këndonin’ në majë të Pallatit para 20-30 mbështetësve që u ‘parkuan’ në rrugicën para pallatit të tij çdo dië! Tashmë është me detyrim paraqitje!

Të njejtën formulë përsëriti sërish Berisha, në përpjekje për të delegjitimuar procesin e hetimit të 21 janarit 2011, të kërkuar nga ana e Strasburgut, përmes një vendimi të fortë, ku vetëm emrin e Berishës dhe mbështetësve të tij nuk kishte vënë për të përcaktuar se kush ishin urdhërdhënësit e kësaj tragjedie me 4 demonstrues të vrarë, për t’ia lënë organeve shqiptare të hetimit, aktualisht SPAK, që ta mbyllin me ‘kopsat’ përkatëse këtë dosje të rëndë dhe të përgjakshme dhe për t’ia dërguar Gjykatës së Posaçme për gjykim!

Por SPAK dy herë dështoi t’ia dërgonte Berishës, t’ia linte në dorë fletëthirrjen për të dëshmuar para prokurorëve si person në dijeni për 21 janarin! Berisha e tha publikisht se nuk e ka marrë fletëthirrjen, dhe SPAK me sa duket do t’i duhet ta kapë Berishën dhe t’ia ngjisë në ‘ballë’ atë copë letre në mënyrë publike, pasi dhe mosha ka bërë të vetën dhe nuk duhet lënë Berisha të bëjë si kalama në pleqëri, duke thënë se nuk më kanë gjetur inspektorët e Prokurorisë së Posaçme për t’ia dorëzuar atë fletëthirrje! Eshtë një arsyetim foshnjor i Berishës, i cili është përfshirë nga paniku i shtrëngimit të ‘lakut’ nga drejtësia e re, për përgjegjësinë që me sa duket e pranon dhe vetë që ai e ka, për vrasjen e 4 demonstruesve të pafajshëm të opozitës së atëhershme, përballë kryeministrisë në bulevard, teksa turma shpërndahej!

Paniku me sa duket e ka detyruar Berishën që të mos e ‘prekë’ me dorë fletëthirrjen nga SPAK, duke e shtyrë sa më shumë, herë duke refuzuar tërheqjen nga vetë ai, familjarët, bashkëpunëtorët apo avokatët e tij, herë duke paralajmëruar protesta kombëtare të PD përballë kryeministrisë, e herë duke lëvizur sa në një banesë në tjetrën! Pasi Berisha e di dhe vetë si dreqi se nuk është thjeshtë një thirrje për të dëshmuar si person në dijeni, por prej SPAK është e sigurtë është se do të dalë si i pandehur dhe me komunikimin e akuzës si urdhërdhënës për masakrën e 21 janarit 2011 në bulevardin përballë kryeministrisë!

E ka pranuar dhe vetë teksa është mburrur nëpër intervistat televizive se do të vriste jo 3 por dhe 300 demonstrues të tjerë nëse kalohej gardhi i kryeministrisë, e ka pranuar madje se ka urdhëruar snajperët për të hipur në tarracën e kryeministrisë me urdhërin për të qëlluar në kokë ish kreun e atëhershëm të opozitës Edi Rama! Janë në dosje edhe këto deklarime të Berishës, me gjithë prishjen e provave dhe pengimin e drejtësisë për të hetuar! Dosja ka ardhur gati nga Strasburgu, fashikull për fashikull, pritet vetëm ‘zyrtarizimi’ me firmë nga prokurorët e SPAK!

Por në rastin e thirrjes së Berishës për të dëshmuar më 21 janarin si person që ka dijeni, situata është më e rëndë se sa duket, pasi Berisha pa pikë turpi është përgjigjur para gazetarëve se nuk ka pasur dorëzuar me firmë fletëthirrjen e SPAK. Madje ka vijuar sulmet ndaj institucionit më të lartë të akuzës, aq sa ka provokuar dhe reagimin zyrtar të SPAK, i cili bën të ditur publikisht se e ka dërguar urdhërin për të dëshmuar për Berishën tek banesa e tij, por që urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” SPAK ka bërë me dije se edhe Shërbimi i Burimeve Njerëzore e Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të PD.

Pra askush nuk e ‘prek’ me dorë udhër-thirrjen e SPAK, as vetë Berisha as vartësit e tij! Madje akuzon Prokurorët e Posaçëm si mashtrues, duke vënë dhe dy vartësit e tij Noka dhe Bardhi, për të deklaruar se s’ka pasur asnjë Urdhër-thirrje në emër të Berishës nga SPAK. A thua Noka e Bardhi i kanë ‘lexuar’ zarfet e ardhura në adresën e PD dhe atë të grupit të PD, pa i parë se çfarë kanë brenda! Është me të vërtetë një situatë e sikletshme por dhe e neveritshme të shohësh një 81 vjeçar që mashtron sy për sy për diçka që e kanë marrë vesh dhe fëmijët e kopshtit. Aq më tepër që Berisha nuk lë gjë pa thënë nëpër daljet publike, duke iu referuar ‘fakteve’ që vetë i hedh përmes qytetarit dixhital dhe vetë i shpërndan, vetë i komenton dhe në fund vetë i beson! Pastaj pretendon se do të jetë e ardhmja e këtij vendi, duke deklaruar se është në kohën e duhur. në moshën e duhur dhe me kredecialet e duhura për të ardhur në pushtet si kryeministër i vendit! Ndaj shqiptarët kurrë se votojnë më!

Por që të kthehemi tek hetimi me themel i vrasjes së 4 demonstruesve, teksa Berisha ka sfiduar sërish drejtësinë duke mos marrë në dorëzim për dy herë me radhë fletëthirrjen për të dëshmuar për 21 janarin, duke refuzuar për pasojë të shkojë para prokurorëve të posaçëm, para SPAK del me urgjencë detyra ligjore që ta marrë me patjetër për të dëshmuar ish kryeministrin e PD.

Mënyrat e ‘lajmërimit’ duhet t’i gjejë SPAK, pasi ne kemi një shtet me organe ligjzbatuese të mirëpaguara e të konsoliduara, jemi dhe në kohën e internetit, është tepër e lehtë për ta shpallur në ‘kërkim’ Berishën, për ta gjetur dhe për t’ia lënë në dorë atë të ‘bekuar’ fletëthirrje, madje dhe në sallën e Parlamentit, apo para gazetarëve para selisë së Kuvendit kur të rikthehet nga ‘dënimi’ 10 ditor për sulmin ndaj ambasadorit të BE! Ose dhe në këto konferencat e përditshme të shtypit, t’ia lënë në dorë para kamerave, publikisht! Nëse guxon SPAK, themi! Nuk mund të bëjë të pafuqishmin SPAK, pasi ka dhënë prova, ku me urdhër të tij është marrë me forcë një ish president e ish kryeministër si Ilir Meta, një kryetar bashkie si Erion Veliaj si dhe dhjetëra të tjerë zyrtarë të lartë!
SPAK, nëse nuk arrin të ‘gjejë’ Berishën e shpallur në ‘kërkim’ për t’i dorëzuar paqësisht dhe me firmë fletëthirrjen për të dëshmuar për 21 janarin e vitit 2011, duhet të veprojë sipas ligjit për ta dhënë urdhërin e sjelljes forcërisht nga policia para prokurorëve për të dëshmuar! Nuk ka bërë ‘vezën e kuqe’ Berisha që nuk njeh organet e hetimit dhe mbi të gjitha SPAK, një institucion i ngritur për të goditur korrupsionin në nivelet më të larta të politikës dhe për të bërë drejtësi njëlloj për të gjithë në këtë vend! Madje paguhet goxha mirë nga paratë tona SPAK.

E themi që ta sjellë forcërisht Berishën, sepse po ta pyesësh atë nëse dëshiron të dëshmojë para SPAK për ’21 janarin’, është e sigurtë se nuk i pëlqen! Sindromi “Nastradini’ që e shëtitën për disa ditë për të gjetur pemën më të bukur ku do ta varnin, ishte e vetmja dëshirë e tij sipas ligjit të atëhershëm që pritej të realizohej, dhe që nuk i pëlqente asnjë pemë Nastradinit për të ekzekutuar vendimin me varje, ku donte të varej Nastradini. Me sa duket kjo ‘sindromë’ ka kapur për herë të dytë dhe Berishën, që nuk pranon të marrë as fletëthirrjen për të dëshmuar si person në dijeni! E di si dreqi dhe vetë Berisha që do të dalë i pandehur nga SPAK, nëse zbatohet dhe 1 përqind e ligjit si për të gjithë shqiptarët e tjerë! SPAK ka për detyrë të zbatojë ligjin, dosja e 21 janarit 2011 është një dosje e përgjakshme, plumbat e shtetit dhe krimi shtetëror ka marrë 4 jetë të pafajshme!

Eshtë vërtetë koha për të dhënë drejtësi, ose për të dorëzuar çelësohet e për të hapur krahun, pasi për drejtësinë e re janë hedhur goxha para e mbështetje! Por dhe nerva! Të presim, SPAK është në ‘provë’ me Berishën! Loja ‘ma le, e ta lashë’ duhet të përfundojë njëherë e mirë se u bënë ‘barcaletë’ me këtë punë! Ndërsa SPAK duhet ta ‘vrasë’ frikën, dhe të bëjë realitet deklaratat e forta se ‘nuk pyet për politikën’! Le ta vazhdojë me Berishën këtë standard zbatimi ligji!

The post Berisha në ‘kërkim’ për 21 Janarin. A guxon SPAK ta marrë forcërisht?! first appeared on JavaNews.al.

21 janari, Berisha në SPAK e ‘valixhja diplomatike’ e zyrtarit amerikan

10 November 2025 at 19:24

Nga Jakin Marena 

Sali Berisha do të përballet për herë të parë me SPAK, jo më për akuza të lehta të cilave mund t‘ju shmanget në një farë mënyrë me procedurë apo përmes kundërakuzave sikurse u është shmangur deri më tani, por për krimin shtetëror të 21 janarit 2011. Me sa duket për këtë krim të përgjakshëm, do të shkojë ‘haka tek i zoti’, dhe do të hetohet gjithë zinxhiri i komandimit të Gardës së Republikës atë ditë! 

Ndërsa duhen dhe dy muaj që të mbushën plot 15 vite nga kjo ngjarje makabre kur nga plumbat e Gardës së Republikës u vranë katër demonstrues të opozitës, konkretisht Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, sot dëshmorë, teksa turma po shpërndahej, ish kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, këtë të premte do të paraqitet për të dënë dëshminë e tij, i thirrur nga Prokuroria e Posaçme. Dhe nuk ka qënë vetëm një urdhër thirje, por ekzaktësisht dy urdhëra, ku Berisha si gjithnjë nuk i përgjigjet SPAK, pasi me sa duket e ka problem kur e pyesin për emrin e babës, nënës dhe datëlindjen. Për këtë të fundit stonon më shumë, se ka dy ditëlindje, për arsye personale, që nuk po hyjmë për t’i rishpjeguar. pasi shqiptarët e dinë me kohë dhe vakt! 

Prokuroria e Posaçme sipas dokumentit origjinal ia dërgoi fletëthirrjen Sali Berishës në adresën, në banesën në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e PD. Kjo është thirrja e dytë që SPAK ka firmosur në drejtim të ish kryeministrit demokrat pasi thirrja e parë, e firmosur më datë 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur fare. Si gjithnjë! Berisha bën sikur s’banon te pallati në rrugën “Mustafa Matohiti’, megjithëse për gati një vit nga ballkoni i këtij pallati ai mbante fjalime kundër qeverisë, SHBA, BE e kundër SPAK teksa ishte nën arrest shtëpiak. Por megjithatë, mungesa e ‘vëmendjes’ nga Berisha, e ka detyruar SPAK që të nisë një tjetër fletë thirrje, që mban datën 7 nëntor, këtë herë jo më vetëm në banesën e ish Kryeministrit, por edhe në adresat e tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe PD. 

“Për nevoja të hetimit, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga “Mustafa Matohiti Ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1. Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40…..1R, për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011”, thuhet në esencë të thirrjes për Berishën! Dhe ky procedim ka në fokus veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të kryera në bashkëpunim, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal. Janë vepra të rënda penale, por që përkojnë ‘mot a mot’, me të gjitha akuzat që për 15 vite me radhë janë bërë ndaj Berishës për 21 janarin! 

Berisha si gjithnjë ka hedhur vickla duke bërë të paditurin për këtë thirrje, pavarësisht se kishte javë që e kishte marrë vesh se do të përfundonte të dyert e SPAK zyrtarisht si një person që di shumë për rrethanat e ngjarjes makabre të 21 janarit 2011, ku u vranë katër demomonstrues të opozitës e u plagosën dhjetra të tjerë dhe ku u konsumuan shumë vepra penale, që nga pengimi i drejtësisë për të mbledhur prova në vendngjarje dhe për të hetuar, fshirja e kamerave të sigurisë, mosdorëzimi i zinxhirit komandues të policisë dhe Gardës për hetim, ndryshimi i shulave dhe fshirja e provave tek armët me të cilat u bënë vrasjet dhe mbi të gjitha zbardhjen e faktit se kush i ka dhënë urdhër Gardës së Republikës për të qëlluar në ‘mish’, pra  mbi turmën që po largohej nga bulevardi përballë kryeministrisë! 

Berisha e dinte se kishte një fletëthirrje për të, për ta pyetur për 2 janarin, pasi informacionet ‘rrjedhin’ në drejtim të selisë së PD si dhe njerëzve të tij kur bëhet fjalë për hetimin ndaj ish kryeministrit demokrat. Për më tepër që javë më parë kishte dëshmuar në SPAK vartësi i tij, apo numri dy në zinxhirin komandues të Gardës më 21 janar 2011, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha. I cili bëri diskretin kur doli nga SPAK, por më herët kishte deklaruar se ai nuk ishte urdhërdhënësi për Gardën për të qëlluar mbi demonstruesit, ndërkohë që ‘gojët e liga’ thonë se Basha është ‘zbërthyer’ jo vetëm para aleatëve tanë të përtej oqeanit, duke mos mbajtur asgjë në ‘bark’ por përmes garancive solide dhe të vijueshme, është ‘zbrazur’ mjaftueshëm edhe në Prokurorinë e Posaçme Shqiptare. Pra, mendohet se Basha ka folur me emra dhe fakte konkrete! 

Që Berisha kishte dijeni për fletëthirrjen për të dëshmuar në SPAK për 21 janarin, u vu re dhe në ‘sagën’ e sulmeve me regji qëndrore ndaj  zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare, teksa nën ‘kujdesin’ personal të vetë kreut të PD, dosjet e hetimit u botuan në ato pjesë ku dëshironin, jashtë kontekstit për të bërë atë ‘cirkuitin’ e ‘linçimit publik’, i përdorur në të gjitha rastet e ‘gjyqeve popullore’ me rrjedhje selektive informacionesh nga SPAK, për zyrtarët e lartë socialistë që janë dënuar, apo po hetohen ose janë në paraburgim për vepra të ndryshme penale! 

Dhe në fund të herës Berisha deklaroi se ka kërkuar hetim nga një prokuror ndërkombëtar, duke tentuar të shpangë drejtësinë e re shqiptare, praktikisht SPAK për të hetuar këtë dosje të rëndë krimi, e cila ka 15 vite që qëndron nëpër sirtare e ku vetëm një vendim i gjykatës së Strasburgut bëri që kjo çështje të rihapej, për të hetuar jo gardistët e thjeshtë që qëlluan mbi turmën por ata që kanë dhënë urdhërin për të qëlluar në ‘mish’ e mbi të gjitha prishën provat dhe shkatërruan drejtësinë nga themelet vetëm e vetëm që kjo çështje të mbyllej pa prekur nivelet e larta të komandimit të Gardës më 21 janar 2011! Dhe meqë jemi tek Strasburgu, mos e dhëntë Zoti që Strasburgu t’i plotësojë ‘dëshirën’ dhe të dërgojë ndonjë prokuror ndërkombëtar, siç e kërkon Berisha, për të dhënë një ‘dorë’ ndihme për prokurorët e SPAK që të hetohet më në themel kjo çështje! Atëherë do ta dëgjonim ‘piskamën’ e Berishës, piskamë deri në fund të dheut! 

Dhe ne fund të herës, na vjen habi që dhe avokati i Berishës bëri të habiturin për këtë fletëthirrje, teksa deklaron se është lajm  i rremë pasi nuk ka njoftim nga ana e SPAK për Berishën që të dëshmojë për 21 janarin 2011 e ku avokati këmbëngul se prokurori ka shpifur në këtë rast, duke e vënë sipas tij,  institucionin e hetimit në funksion të axhendës së qeverisë! Por me Berishën dhe avokatët e tij bie në hall, pasi Prokuroria i çojnë thirrjet për të dëshmuar në SPAK, ndërsa këta bëjnë sikur nuk e kanë mendjen, sikur s’janë aty! Ndërkohë që për kundërshtarët e tyre politikë, fletëthirrja kapet në ajër dhe ‘çohet’ më parë nga ana e selisë së PD, shumë javë më parë se të dalë shkresa zyrtare! Shpërndahet në media nën ‘kujdesin personal’ të Berishës! Këto i ‘kap’ shpejt Berisha, që në ‘embrion’, vetëm të vetat nuk i sheh dhe as nuk i ‘shkojnë’ në adresën e tij! 

Dhe teksa këtë të hënë morëm vesh zyrtarisht e me dokumente me firmë dhe me vulë, lajmin e thirrjes së Berishës në SPAK për të dëshmuar për 21 janarin, ku në mendje na vijnë deklaratat e tij që nga viti 2011 e deri kohët e fundit, ku bën me dije se vetë ai kishte urdhëruar të qëlloheshin deri në 300 demonstrues nëse kalonin gardhin e kryeministrisë apo kishte dhënë urdhërin për të vendosur 5 snajperë të mirëstërvitur në tarracën e kryeministrisë për të qëlluar kreun e atëhershëm të opozitës, sot kryeministri Edi Rama, janë më zë dhe figurë këto deklarata, pyetja që na del vetëvetiu ka të bëjë me faktin, se si ka mundësi që SPAK e përshpejtoi procesin e thirrjes së niveleve të larta të zinxhirit komandues të Gardës, në fillim numrin dy, ish ministrin e Brendshëm Basha dhe më pas ‘majën’ e zinxhirit komandues, vetë Berishën! Domethënë si ‘guxoi’ SPAK që nuk i përmend as emrin, të thërrasë Berishën, për një dosje vërtetë të rëndë, siç është vrasja e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011, përballë kryeministrisë nga Garda! 

Dhe për të dhënë një përgjigjie jo shterruese e jozyrtare, të kuptohemi, ndoshta për të qënë dhe ne të ‘modës’ sikurse ‘hamendësuesit zyrtarë’ nëpër panelet televizive apo në mediat afër Berishës, kuptohet  ne po sillemi në mënyrën më të kujdesshme  të mundshme pasi jemi rishtarë në këtë ‘zanat’ që ka përmbytur opinion-bërjen në vend, në kujtesë na vjen vizita në Tiranë, në fundin e tetorit, e Zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit në SHBA, Mark Fleming. I cili sapo ‘zbarkoi’ në Shqipëri, ka vizituar  Prokurorinë e Posaçme, ka zhvilluar takim me kreun e SPAK, Altin Dumani si dhe një prokuror të posaçëm, ku në mungesë të njoftimit zyrtar nga palët në takim, mediat vetë kanë përdorur emra siç ua ka dashur shpirti. Ama Dumani ka qënë në këtë takim!  

Në kuadër të mbështetjes dhe rakordimit me SPAK, Fleming ka takuar ministren e Brendshme Albana Koçiu si dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, si dhe funksionarë të tjerë të lartë. Nga ana tjetër dhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ishte gjithashtu në takim me Fleming. Ndërsa zyrtari amerikan është takuar edhe me përfaqësuesit e opozitës, ku në takim kanë marrë pjesë Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku. Vlen të theksohet se kryeministri Edi Rama ishte në Forumin e Parisit, dhe nuk pati mundësi takimi, ndërkohë që kreu i PD Sali Berisha ishte në zyrën e tij në selinë buzë Lanës, por si gjithnjë as nuk e thirri njeri për ta takuar zv.sekretarin amerikan të Shtetit! Megjithëse zyrtari i SHBA është pjesë e administratës Trump! 

Pra, pas vendimit të Strasburgut që e riktheu për hetim çështjen e 21 janarit, ka një përshpejtim të hetimit të kësaj dosjeje, dosje që ‘fle’ këtu e 15 vite nëpër sirtarët e drejtësisë së re, pa e marrë askush përsipër, vetëm një javë pas vizitës së papritur të zyrtarit të lartë të DASH. Dhe nëse ne i dorëzohemi si të gjithë të tjerët ‘hamendësimeve’, atëherë i bie që thirrja e Bashës në fillim dhe më pas e vetë Berishës, është pasojë e hapjes së ‘valixhes diplomatike’ të SHBA, të sjellë nga Fleming! ‘Kasandrat’ janë munduar t’i japin drejtime të tjera për ta orientuar goditjen nëpër ‘rrugë qorre’ ndërkohë që e vërteta e kulluar paska qënë e qartë. Masazhi paska qënë për hetimin e 21 janarit, dhe mbi të gjitha ‘majës’ së zinxhirit komandues të Gardës atë ditë, Berishës! 

Dhe meqë jemi tek ‘zbërthimi hamendësues’ i mesazhit të Zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit në SHBA, Mark Fleming për drejtësinë shqiptare, por dhe për organet ligjzbatuese, ministrinë e Drejtësisë që të mbështesë drejtësinë e re për hetimin e 21 janarit si dhe ministrinë e Brendshme për të garantuar mbarëvatjen e sigurisë në vend gjatë hetimeve por dhe ndonjë ‘rebelimi’ të mundshëm opozitar në përfundim të hetimeve, si dhe ‘joshja’ e grupimit pro-SHBA në PD, një pjesë që braktisën dhe Bashën+Këlliçin, për të përshpejtuar fundin e Berishës në PD, nëse do të mundin ndonjëherë,  për të mbajtur ‘nën kontroll’ Flamur Nokën me shokë, ajo që bie në sy është se emri “Fleming’ është shumë i njohur për botën e zhvilluar dhe demokratike!  

Për ata që nuk e dinë, ka qënë një Sir Alexander Fleming (6 gusht 1881-11 mars 1955), i cili ishte një mjek e mikrobiolog skocez, dhe që u bë më i njohur për zbulimin e substancës së parë antibiotike me efekt të gjerë në botë, të cilën ai e quajti penicilinë. Dhëntë Zoti që vizita e ‘adashit’ të tij, Fleming-ut zyrtar të lartë të SHBA në Tiranë dhe takimet e tij këtu të kenë dhënë efektin e një ‘antibiotiku’ në trupin ende të infektuar të drejtësisë së re shqiptare, për ta bërë imune nga çdo lloj presioni apo goditje nga politikanët e lartë të korruptuar në Shqipëri! Pasi, e ritheksoj, pa u dhënë drejtësi për ’21 janarin’ dhe “Gërdecin”, nuk mund të quhet se ka drejtësi në këtë vend! 

 

The post 21 janari, Berisha në SPAK e ‘valixhja diplomatike’ e zyrtarit amerikan first appeared on JavaNews.al.

Heshtja e Berishës, e vërteta e ‘non gratës’ dhe lobimi miliona dollarësh

14 October 2025 at 19:13

 Nga Jakin Marena   

Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit të këtij viti, zgjedhje në të cilat PD dhe opozita ‘korrën’ një humbje rrënuese, ka rënë ndjeshëm ‘aplituda’ e përmendjes shpalljes së Sali Berishës ‘non grata’ familjarisht nga ana e SHBA. 

Tashmë që Berisha e ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare, si dhe ka marrë një vendim për një bojkot të ‘fshehur’ në zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor në 6 bashkitë pa kryetar, duke filluar nga Tirana, dhe vijuar me Vlorën, Beratin, Tepelenën, Matin dhe Cërrikun, përmes mbështetjes së kandidatëve të pavarur, deklaratat për heqjen e ‘non gratës’ dhe akuzat ndaj Ramës për lobimin në SHBA për sanksionimin nga DASH, janë shuar thuajse fare! 

Kreu i PD, me sa duket është ambientuar me humbjen më 11 maj, e nuk i bën më përshtypje as për ‘non gratën’ në SHBA dhe as për humbjen katastrofale që e pret në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e vendit, teksa ka pranuar të hyjë në Kuvend, të marrë pjesë në komisionet parlamentare si dhe në delegacionet e përhershme në Këshillin e Evropës, sikur të mos kishte ndodhur asgjë! 

Pavarësisht se nuk i njohu zgjedhjet e 11 majit, i kontestoi me të madhe për një kohë relativisht të gjatë, tani po ecën në ‘ullukun’ rutinor, vajtje në seli, në parlament, i këput disa akuza të rënda Edi Ramës, akuza që s’ka bir nëne që i beson, disa për një takim në Aruba e të tjera për kapje të shtetit, si dhe deklaron se Shqipëria nuk i plotëson kushtet për anëtarësim në BE, përpos gjeostrategjisë dhe marrëdhënieve me jashtë, Berisha vetëm për një gjë po hesht në mënyrë solide tani së fundmi: Heqjen e ‘non gratas’ nga administrata amerikane, tashmë jo e re e Donald Trump! Themi jo e re, sepse Trump është në mbyllje të vitit të parë të mandatit të dytë, ndërsa nuk është kujtuar askund për Berishën e sanksionuar nga ‘armiku’ Blinken vite më parë, si i padëshirueshëm familjarisht në SHBA. Madje Berisha sikur s’do as t’i dëgjojë më këto historitë e mbështetësve të tij me ‘kredite’ në SHBA, për heqjen sot apo nesër të ‘non gratës’! 

Deri në momentin kur ndërmori vendimin për të heshtur, kanë heshtur dhe mbështetësit e tij në kupolën e PD, Berisha nuk kalonte ditë pa e përmendur Sorosin, Ramën dhe gjithë kundërshtarët e tij, duke i fajësuar se kishin lobuar për ta sanksionuar në SHBA, me qëllimin e vetëm për të dëmtuar opozitën, pasi goditej kreu i opozitës! Anipse Berisha në momentin e shpalljes non grata ishte thjeshtë një deputet, dhe zyrtarisht nuk ishte as në kupolën e PD, pasi kryetar asokohe ishte ‘fatkeqi’ Lulzim Basha. I cili dhe e përjashtoi nga grupi parlamentar dhe më pas nga PD, por që më pas Berisha me mjetet e tij, e dëboi nga drejtimi i demokratëve por dhe nga vetë partia Lulin! 

Berisha ka akuzuar gjithnjë kundërshtarin e tij politik, Rama, se kishte bashkëpunuar me Sorosin duke lobuar për ta shpallur ‘non grata” duke përdorur dhe Bashën që ta linin vendin pa opozitë. Sulmonte ish sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken se ishte ‘dora e zgjatur’ e Sorosit në DASH që kishte hedhur firmën për shpalljen non grata, duke kërcënuar se menjëherë sapo të vijë në pushtet Donald Trump gjithçka do të sqarohej, keqkuptimi do të marrë fund dhe bashkë me të do të hiqet sanksionimi për Berishën dhe familjen e tij, si dhe do të ndëshkoheshin Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë krim sipas tij, kundër opozitës shqiptare. Asgjë nuk ndodhi! Në të vërtetë Rama mori 83 mandate deputeti në zgjedhjet e 11 majit, shumë më shumë se më 2021 

Por Berisha nuk ka qënë konstant në lidhje me shkakun e shpalljes së tij ‘non grata’ familjarisht nga DASH. Ndonëse në qendër të goditjes ka qënë gjithnjë kundërshtari i tij politik Rama, i cili sipas versionit të Berishës kishte lobuar në SHBA për shpalljen e tij ‘non grata’ për përjetësimin e PS në pushtet, a thua DASH dhe qeveria amerikane mund të manovroheshin lehtësisht nga kreu i qeverisë shqiptare sipas dëshirës së tij, kreu i PD sipas nevojës e situatave për të luajtur kartën e nacionalizmit ‘zbulonte’ si shkakun e vërtetë të sanksionimit të tij në SHBA, qëndrimin e fortë kundër ndarjes së Kosovës, që sipas tij, Vuçiç dhe ‘argatët’ e tij Rama dhe Thaçi kishin rënë dakord për ta realizuar në kurriz të shqiptarëve! Berisha nuk përmend ish bashkëpunëtorët dhe as bashkëpunëtorët e tanishëm të Trump, që kishin bërë këtë ‘skenar me Edi Ramën e Hashim Thaçin’. Janë akuza me të vërtetë që nuk ngjisin në publikun shqiptar, pasi dihet botërisht se Shqipëria e Kosova, por as vendet e mëdha të BE, nuk kanë takat të bëjnë ndryshime kufijsh pa vendosur të mëdhenjtë, mbi të cilët është superfuqia e vetme në planet, aktualisht Amerika. 

Kështu ka ndodhur për herë, në jetë të jetëve, dhe nuk ka mbetur kurrë puna që kufijtë tanë t’i vendosim ne! I kanë vendosur të tjerët duke lënë gati 2/3 e territoreve shqiptare jashtë shtetit amë! Megjithëse Berisha e di se askush nuk e beson në këto justifikime, madje as demokratët që po e braktisin ditë pas dite, as deklaratat ‘shpjeguese’ se përse është shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe më pas dhe nga Britania e Madhe, kreu i PD nuk ka përtuar asnjëherë që t’i hedhë për konsum publik! Deri këto momentet e fundit, ku duket tepër i ‘relaksuar’ në këtë drejtim! 

Berisha ka nisur të mos i përmendë më arsyet se përse u ndëshkua familjarisht nga SHBA me shpalljen ‘non grata’, madje nuk ka asnjë deklaratë se kur do të hiqet ky sanksionim nga qeveria amerikane! Me sa duket është pajtuar me faktin se ai vetë do të vuajë deri në fund të jetës së tij shpalljen ‘non grata’ nga SHBA, pavarësisht se e ka të vështirë të pranojë që dhe fëmijët e tij të mbeten me këtë njollë në kurriz, pasi do t’ju trashëgojë PD-në, si pronë me ‘hipotekë’ që e ka! 

Që me ardhjen e Trump në pushtet në SHBA, ka keqkuptuar rëndë hyrjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë teksa e ka konsideruar si një ‘marrsh funebër’ për qeverisjen e Ramës si dhe dhënien e një ‘dore’ ndihme PD-së për të ardhur në pushtet, por sidomos deri disa muaj pas zgjedhjeve, Berisha nuk pushoi se përpjekuri për të hequr ‘non gratën’ ose sëpaku për të siguruar një vizë të thjeshtë e vetëm për të kaluar Atlantikun, e për ta përdorur si ‘bonus’ në zgjedhjet e 11 majit! 

Pagoi dhe 6 milionë dollarë për të lobuar në këtë rast, për një vizë sëpaku! Dhe kjo shumë është vetëm pjesa e dukshme e shumës hedhur për lobim në SHBA e deklaruar por asnjëherë e zbardhur sipas ligjeve të shtetit në institucionet e tij, pasi korridoreve të PD ‘gojët e liga’ thonë se Berisha ka shpenzuar për lobim, duke futur si ‘paketë’ dhe LaCitën, mbi 20 milionë dollarë, një shumë tepër e madhe kjo për një deputet si Berisha, qoftë dhe i ‘financuar’ nga një elektricist tropojan në SHBA, të cilin nuk e njeh askush, jo më të hedhin para në fondacionin e tij pa emër dhe pa anëtarë! Demokratët thonë se të paktën të ishin hedhur për fushatën e 11 majit këto para! 

Pavarësisht përpjekjeve të Berishës me para e lobime të tjera për të zhbërë sadopak ‘non gratën’ nga SHBA, të firmosur nga ish sekretari i DASH, Blinken, për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, deri më tani kreu i PD nuk e ka kaluar oqeanin! Nuk ka asnjë shpresë as për të ardhmen me sa duket, pavarësisht se Trump ka gati 1 vit në detyrë dhe as që po kujtohet njeri në SHBA për liderin e PD!  Eshtë jashtë ‘radarit’ të tyre me një fjalë! 

Dhe nuk është vetëm arsyeja e parave të hedhura për lobim, janë vërtetë shumë para këto dhe detyrimisht mund të ketë hetime për burimin e këtyre financimeve miliona dollarëshe, ajo që ka sjellë heshtjen e Berishës dhe të mbështetësve të tij për ‘non gratën’ e tij këto kohët e fundit, a thua se është pajtuar me këtë gjë! Eshtë një heshtje e çuditshme 

Me sa duket Berisha duke heshtur kërkon të zhysë akoma më shumë në mister arsyen e vërtetë të sanksionimit të tij nga SHBA! Ku për hir të së vërtetës shkaku s’ka lidhje me shpjegimet që jep vetë Berisha, lobimin e Sorosit në favor të Ramës apo kundërshtimi nga kreu i PD i ndarjes së Kosovës. Për më tepër, me sa duket del dhe përtej asaj që ka deklaruar zyrtarisht DASH mbi arsyet e vendimit për të shpallur Berishën familjarisht ‘non grata’! Dhe Berisha e di të vërtetën, por kërkon që të paraqitet në publik si diçka e mistershme, sidomos për ithtarët e tij! 

Shqiptarët duhet ta dinë që amerikanët mbajnë shënime, kanë informacione mbi gjithçka, përmes organeve të saj inteligjente e ligjzbatuese dhe flasin kur e kanë mbushur dosjen plot! Kur e ke bërë ‘baltë’ me një fjalë dhe nuk mban më! Dhe Berisha e di fort mirë se amerikanët nuk të falin kur rrezikon sigurinë e SHBA përmes bashkëpunimit me vendet nën sanksione të OKB siç ishte furnizimi me naftë dhe armë i regjimit të Milosheviçit, siç ishte hapja e dyerve dhe lëshimi i poligoneve të stërvitjes së ushtrisë shqiptare për ‘bijtë e terrorit’, radikalët islamikë të Al Kaedës deri dhe pritjen e Osama Bin Laden në zyrat e shtetit. Apo shkatërrimin e shtetit nga themelet më 1997, si dhe akuzat ndaj CIA-s nga ana e Berishës si ‘strumbullari i këtij rrëzimi’! Amerikanët nuk e falin as kundërshtimin e marrëveshjes së Rambujesë që solli bombardimin e NATO-s mbi Beograd dhe çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e pavarësisë së saj! 

Berisha e di fort mirë se amerikanët nuk ia falin as bashkëpunimin e tij me vendet jo mike dhe armike të Aleancës së NATO-s, pra dhe të SHBA, ku përfshihen Rusia, Kina e vendet Arabike, deri në atë pikë sa nën dyshimet për rrjedhje informacioni të NATO-s drejt këtyre vendeve, Shqipëria nën qeverisjen e Berishës, u përjashtua edhe nga mbledhjet e ngushta të Aleancës në Bruksel, ku diskutoheshin dhe merreshin vendime të rëndësishme, përjashtim që zgjati deri në vitin 2013 kur shqiptarët e larguan Berishën me votë nga pushteti! Apo dhe bashkëpunimin e nëndheshëm me Iranin, për të cilin Berisha ishte paralajmëruar disa herë nga aleatët tanë të mëdhenj! Pa përjashtuar financimet e mëdha që ka marrë gjatë gjithë jetës së tij politike nga “Bijtë e Allahut” të islamit radikal, për të përdorur Shqipërinë si ‘platformë’ të operacioneve të tyre terroriste në vendet e BE! 

Amerikanët nuk i falin as financimet e PD nga Rusia për të destabilizuar situatën në Shqipëri dhe në rajon! Janë e zeza mbi të bardhë këto elementë që ndikuan fort në sanksionimin e Berishës nga ana e SHBA, përtej versionit zyrtar që jepet nga aleatët tanë por dhe justifikimeve të ndryshme në situata të ndryshme nga Berisha! Prandaj kreu i PD ka vendosur të heshtë për ‘non gratën’, anipse Trump ka një vit që ka ardhur në pushtet, e sikurse Berisha kishte paralajmëruar do të hiqte sanksionimin dhe do ta dërgonte në ‘shtëpi’ Edi Ramën, duke e larguar nga pushteti! Me sa duket do të presë shumë, deri në fund të jetës për këtë vendim! Prandaj ka nisur heshtjen! 

 

The post Heshtja e Berishës, e vërteta e ‘non gratës’ dhe lobimi miliona dollarësh first appeared on JavaNews.al.

PD kërkon me dëshpërim një kandidat, si ‘kurban’ për Tiranën

1 October 2025 at 19:00

Nga Jakin Marena

Në pritje të dekretimit nga ana e presidentit Bajram Begaj të datës së të zgjedhjeve të parakohëshme për kryetar bashkie në Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti e shpalli në fakt 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të parakohëshme në këto 6 bashki, PD po lëviz ethshëm për të gjetur kandidatët që do të garojnë në emër të opozitës! 

Ndërsa ende nuk e ka marrë veten nga ‘trauma’ e shkaktuar për shkak të lëvizjes së beftë të kreut të mazhorancës Edi Rama, i cili hapi rrugën për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kreut të bashkisë së kryeqytetit për shkak se prej 7 muajsh gjendet në paraburgim, PD e zënë gafil po përballet me një refuzim thuajse total të figurave potenciale për të garuar sidomos në Tiranë, përballë kandidates së PS, Ogerta Manastirliu! E cila tashmë e ka filluar fushatën, ka numrin dy të qeverisë Belinda Balluku si drejtuese të fushatës dhe ka nisur takimet elektorale! 

Që në krye të herës PD u përball me refuzimin e prerë të dy prej figurave më potenciale në PD që mund të mblidhnin vota, Jorida Tabaku e Ilir Alimehmeti! Tabaku deklaroi se do t’i përkushtohet jetës parlamentare, duke mbajtur mandatin e vetëm të fituar nga gara elektorale me listën e hapur në kryeqytet, ndërkohë që Alimehmeti refuzoi të jetë kandidat për kryebashkiak me argumentin se është me afat kohor vetëm një vit si projekt, duke deklaruar se ai do të jetë në garë në emër të opozitës vetëm në zgjedhjet e rregullta për pushtetin vendor të vitit 2027! Po deshi Berisha dhe atëherë, kuptohet! 

Praktikisht Alimehmeti në mënyrë idirekte, me refuzimin e tij, ka lënë për të kuptuar se ai nuk është gati që të ‘digjet’ përballë Manastirliut, pasi humbja e thellë në zgjedhjet para kohe në kryeqytet është e garantuar! Ndaj i tha ‘jo’ Berishës, duke e garantuar se është gati të kandidojë vetëm pas dy vitesh! 

Ndërkohë që janë vetëofruar deputetët Edi Paloka dhe Klevis Balliu, por që nuk ka asnjë shans që të kandidojë asnjëri prej tyre, sepse nuk mbledhin vota! Nga ana tjetër, flukset brenda dhe larg PD, por të lidhura me opozitën, jo pa ironi kanë kërkuar që të garojnë ‘peshat e rënda’ të kësaj partie, duke përmendur në këtë rast numrin dy të PD, Flamur Noka si dhe deputeten Albana Vokshi! Kërkesa këto që dihet se do të refuzohen, pasi ata nuk kanë mbështetje në elektorat, dhe për më tepër që janë në Kuvend dhe në kupolën e PD për shkak të devotshmërisë ndaj kryetarit Sali Berisha dhe për asgjë tjetër, pssi kudo që t’i ‘pilotosh’ në garë të hapur, s’fitojnë!! 

Ka dhe kandidatura të tjera të vetëofruara, si zyrtarja e lartë e kësaj partie, Adriana Kalaja, ish drejtuesja e burgut të grave në kohën e qeverisjes së PS Xhoi Jakaj si dhe kreu i konservatorëve e aleat i Berishës në zgjedhjet e 11 majit, Kujtim Gjuzi, por që nuk janë marrë në referencë nga PD dhe opozita. Prandaj, këta emra deri më tani dhe më tutje kanë kanë shërbyer dhe do të shërbejnë thjeshtë e vetëm si objekt humori nëpër studiot televizive dhe rrjetet sociale! Pasi e kanë ulur së tepërmi ‘stekën’ e përfaqësimit të PD në garën elektorale në Tiranë! 

Negociatat e PD me partitë opozitare, të cilat kanë kërkuar konsensus për një kandidaturë jashtë politikës, janë përqëndruar këtë të mërkurë në shqyrtimin e tre kandidaturave, për të përzgjedhur sipas gjasave njërin prej tyre! Pasi e ‘rrotulluan nëpër gojë” për disa ditë emrin e Pano Sokos të dorëhequr nga Nisma Thurje, duke e lënë përfundimisht jashtë garës për të qënë ai përballë Manastirliut, vëmendja tashmë është përqëndruar në 3 emra të tjerë, përkatësisht të Edlira Çepanit, që njihet si aktiviste e shoqërisë civile, Ermal Hasimja që është politolog, si dhe Florian Haçkajt i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”! Çepani është bashkëshortja e ish deputetit dhe zyrtarit të ndjerë të PD, Gerti Bogdani, i cili u nda papritur nga jeta përmbi një vit më parë! 

Vetëvetiu lind pyetje se, përse PD dhe opozita po kërkojnë kandidatura për Tiranën, jashtë rrethit politik, duke iu drejtuar shoqërisë civile si dhe njerëzve që nuk bëjnë pjesë në strukturat e PD?! 

Teksa shohim historikun e garës për kreun e bashkisë së Tiranës që nga viti 1993 e deri në këto momente, ajo që është vënë re është se, PD ka garuar gjithnjë në Tiranë kandidatë me peshë të fortë politike e në parti, pasi Tirana ka specifikë të veçantë sepse përbën më shumë se gjysmën e votuesve në Shqipëri. Por ka dhe rëndësi strategjike për një parti politike apo grupim politik, sepse kush merr Tiranën ka një ‘bonus’ më tepër për të fituar zgjedhjet në rang vendi! Qytetarët e Tiranës besojmë se i mbajnë mend kandidatura të tilla të PD në garën për kryeqytetin, duke filluar që nga Besnik Mustafaj e Spartak Ngjela e deri te Sokol Olldashi, Lulzim Basha e Halim Kosova, të cilët në kohë të ndryshme kandiduan për kryetarë bashkie në Tiranë! 

Tashmë ‘epoka’ e kandidatëve me peshë politike për kryeqytetin në PD ka marrë fund, pasi nuk ka asnjë të tillë kjo parti! Nuk kanë kë të kandidojnë, pavarësisht rëndësisë që paraqet kryeqyteti dhe që për hir të së vërtetës garuesi për Tiranën, në rastin më të mirë garuesi, është kandidati potencial për të drejtuar PD-në në rang vendi nëse merr një rezultat konkurrues, kurse në një rast hipotetik fitues për opozitën shqiptare, garon dhe për të qënë kryeministër! Themi hipotetik, pasi realisht opozita s’ka asnjë shans që as për dekadën ardhshme që të fitojë asnjë palë zgjedhje! 

Duke qënë se PD dhe opozita janë në rënie të lirë, madje nuk kanë asnjë shans që të ngushtojnë as diferencën e zgjedhjeve të kaluara përballë Veliajt me mbi 60 mijë vota më shumë në Tiranë, PD nuk po kërkon një kandidat humbës brenda kupolës së partisë për ta ‘sakrifikuar’ përballë Manastirliut, pasi ata që mund të marrin ndonjë votë e refuzuan garën, po kërkon një kandidat ‘viktimë’ për ta bërë ‘kurban’ jashtë ‘çatisë’ së PD, duke e dërguar ‘paketë’ drejt ‘makinës grirëse’ elektorale të PS! 

Ndoshta mund të zgjedhë mes këtyre tre emrave, njërin më të përshtatshëm. Fundja ‘viktimë’ do të jetë, pasi e ka humbjen e thellë të garantuar në kryeqytet! Berisha do ta ketë më kollaj për ta kaluar dhe këtë radhë humbjen rrënuese, duke u justifikuar me faktin se kishte kërkuar dhe marrë konsensusin e partive të tjera opozitare, aleate ose jo, kishte pranuar kushtet e tyre për një kandidat jashtë PD, ndërkohë që dhe humbjen do ta ‘përpjestojë’ detyrimisht me ta! Do të ndajë me partitë opozitare këtë barrë të rëndë humbjeje, e cila e ka shoqëruar për 12 vite me radhë dhe parashikohet që ta shoqërojë dhe për vite e vite të tjera në dekadën e ardhshme! Paçka se pjesën më të madhe të partive opozitare parlamentare i ka pjesë të listave të PD për deputetë! 

Jo se pyet njeri Berisha për kandidatët apo të punët e tjera në PD! Nëse do të kishte një kandidat potencial brenda partisë, të gatshëm për t’u ‘sakrifikuar’ siç bëri dikur Olldashi apo Mustafaj më parë, madje dhe Këlliçi zgjedhjet e kaluara që lanë mandatin e deputetit apo punën si diplomat për të kandiduar në emër të partisë, Berisha do ta kishte caktuar në garën për Tiranën, pa pyetur njeri! Siç ka bërë gjithmonë! Do ta kishte mbyllur si proces deri më tani, jo të ndërmerrte këto takimet formale përmes grupit tresh negociator Këlliçi-Alimehmeti-Ndoka me partitë opozitare, teksa i bie bretku duke i këshilluar çdo sekondë, siç e ka zakon! I binte shkurt, me një fjalë! 

Por tani i duhet pak ‘qetësi’ deri në humbjen e radhës në vendoret e 2027, dhe për momentin ka zgjedhur që humbjen e thellë të Tiranës t’ia faturojë kandidatit, por dhe ta përpjestojë me partitë e tjera opozitare të cilave ka krijuar përshtypjen e rreme, sikur u ka kërkuar mendim për të gjetur ‘viktimën’ e radhës që ta çojë në ‘thertoren’ elektorale të PS në kryeqytet si ‘kurbanin’ e radhës! Varet kush është gati që të shkojë me vullnetin e vet të lirënë këtë garë humbëse në Tiranë! Ndoshta dhe për 5 bashkitë e tjera që që do të zhvillojnë zgjedhje më 9 nëntor! 

The post PD kërkon me dëshpërim një kandidat, si ‘kurban’ për Tiranën first appeared on JavaNews.al.

PD s’ka kandidatë për Tiranën, Kujtim Gjuzi tallet me Berishën

25 September 2025 at 22:07

Nga Jakin Marena

Partia Demokratike mezi kishte pritur që të largohej Erion Veliaj nga drejtimi i bashkisë së Tiranës, pasi për këtë arsye kishte organizuar dhjetra protesta përballë godinës së bashkisë!

Pikërisht në momentin kur i erdhi në ‘dorë’ një shans i tillë, theksojmë jo për shkak të protestave opozitare, por për shkak të urdhërit të SPAK për ta arrestuar Veliajn nën akuzat për korrupsion e ku prej 7 muajsh qëndron në paraburgim çka solli dhe vendimin politik të PS për ta shkarkuar e për t’i dhënë Tiranës një drejtues për ta qeverisur, demokratët u zunë gafil dhe të papërgatitur!

Teksa kreu i mazhorancës Edi Rama ka prezantuar kandidaten për kryetare bashkie në Tiranë, Ogerta Manastirliun, si dhe ka nisur ngritjen e makinerisë elektorale në kryeqytet duke caktuar sipas të gjitha gjasave madje dhe drejtuesen e fushatës, numrin dy të qeverisë Belinda Balluku, në pritje të shpalljes së datës së zgjedhjeve të parakohëshme në kryeqytet, PD dhe kreu i saj Sali Berisha ende nuk kanë asnjë ide se kush do të jetë kandidati i PD për Tiranën!

“Shpresa” që ishte mbajtur në përzgjedhjen e kandidatit për të qënë përballë Manastirliut, mes dy më të votuarve të PD në zgjedhjet parlamentare më 11 maj në qarkun e Tiranës, përkatësisht Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, është shuar njëherë e mire që në krye të herës, pasi në mënyrë galante të dy këta kandidatë hipotetikë të opozitës, e refuzuan kandidimin për Tiranën!

Deputetja e vetme në Tiranë e PD që hyri nga listat e hapura, Tabaku deklaroi se kishte marrë një mandat të fortë për të përfaqësuar qytetarët e Tiranës në Parlamentin e Shqipërisë, dhe me pak fjalë, nuk e shihte projektin e kandidimit për kryetare bashkie në Tiranë, si të duhurin për të në këto momente. Pra në fund të herës refuzoi, pavarësisht se njerëz afër Berishës e kishin hedhur si emër në treguan mediatik, si ‘test’ për të parë nëse ishte e gatshme të dorëzonte vullnetarisht mandatin e deputetit për të humbur përballë Manastirliut në Tiranë!

Në të njejtën gjatësi vale ishte edhe Alimehmeti, i cili për pak vota mbeti pa hyrë në Kuvend, ndonëse mori maksimumin e mundshëm nga mbështetja e votuesve demokratë në Tiranë, i cili deklaroi se kishte në mendje dhe po punonte për një projekt të madh e katër vjeçar për bashkinë e Tiranës, duke mos qënë aspak i interesuar për një projekt për një gjysmë mandati tani! Pra nuk garon përballë Manastirliut, ishte fjala! Refuzim dhe nga Alimehmeti!

Ndërkohë që figura të tjera në PD, duke filluar nga Paloka, Noka dhe Vokshi, me stil kanë refuzuar garën për bashkinë e Tiranës, përballë Manastirliut, nën argumentin se duhet një figurë që mund të bashkonte të gjitha palët në opozitë, që të kishte konsensusin e të gjithë partive të opozitës! Me përjashtim të Palokës, që nuk e mohoi faktin se nëse e propozojnë do ta marrë këtë përgjegjësi! Ndërkohë që është dhe deputeti Klevis Balliu ai që u zotua se, nëse ia caktonin një detyrë të tillë për të kandiduar në Tiranë ai do ta pranonte, deklaratë kjo me sa duket në kushtet kur ai është thellësisht i sigurtë që nuk e kandidon njeri në kryeqytet! Me gjasë të gjithë presin me zemër të ngrirë se kujt do t’ia vërë gishtin Berisha për të kandiduar në këtë garë të humbur në kryeqytet, në zgjedhjet e parakohëshme që do të zhvillohen, për shkak të shkarkimit të Veliajt!

Praktikisht të gjithë deputetëve dhe figurave më të larta të PD, kur u bëhet pyetja nëse do të kandidojnë përballë Manastirliut për kreun e bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e parakohëshme, menjëherë u ikën ‘gjuha mbrapsht’ dhe fshihen pas deklaratave se ‘vendosin strukturat dhe forumet drejtuese të partisë për kandidatin e ri’, ose se ‘duhet konsultë me aleatët e PD për të zgjedhur një figurë përbashkuese’!

Pra të gjithë në PD presin me zemër të ngrirë derisa të zgjidhet një kandidat! I cili sipas të gjitha gjasave do të jetë dikush që do të garantojë një humbje të thellë, pasi jo vetëm që PD është copë copë dhe s’ke ku ta kapësh, por të gjithë janë të interesuar se rezultati në këto zgjedhje para kohe të dalë poshte numrave të Belind Këlliçit që garoi përballë Erion Veliajt para dy vitesh!

Ndërkohë që vërdallë kanë nisur të lakohen emra kandidatësh jashtë lidershipit të PD, duke filluar nga një ish drejtoreshë e burgut të grave në kohën e qeverisjes së PS, e deri tek ndonjë biznesmen rrobaash dhe mjetesh të tjera të përdorura ushtarake! Janë të vetëofruara këto kandidatura e pritet që ndoshta ndonjëri dhe të ‘ngecë’ në rrjetën e PD, ngecje nga halli i refuzimit të të gjithë të tjerëve! Pa përjashtuar dhe ndonjë kandidate serioze që qarkullon në media, bashkëshortja e një ish deputeti të ndjerë të PD, por që është një kandidaturë që po kundërshtohet fort nga grupet brenda demokratëve! Duke pasur pak gjasa të kandidojë!

Praktikisht PD është në hall të madh! Nuk po gjen dot asnjë kandidat për kryetar bashkie në kryeqytet, pavarësisht se kishte dy vite me radhë që kërkonte me ngulm largimin e Veliajt nga posti! I cili u largua jo për shkak të akuzave dhe presionit që i bënte PD por për një akuzë krejt tjetër, dhe jo për shkak se e kërkoi PD, por sepse e shkarkoi PS me një vendim politik për të mos e lënë bashkinë e kryeqytetit pa kryetar! Pasi ka 7 muaj me radhë që kryebashkiaku Veliaj është në paraburgim, ndërkohë që nuk dihet se sa do të vijojë derisa të zyrtarizohet akuza dhe dosja të shkojë në gjykatë. Apo derisa të gjykohet e të jepet vendimi, që mund të shkojë shumë kohë!

Dhe halli i PD është me të vërtetë i madh, pasi po zbardhet në sytë e demokratëve dhe të publikut se në çfarë derenxheje ka rënë kjo parti! Ka marrë fund me një fjalë, ka falimentuar, përderisa s’pranon askush të garojë në Tiranë, për t’u përballur me kandidaten e mazhorancës e për të treguar se ka nisur ringritja e PD-së së paku, jo për të fituar të kuptohemi! Gjithçka fillon por dhe mbaron në Tiranë, jo vetëm ringritja e opozitës, por dhe fundi i saj!

Dhe për shkak të refuzimit të kandidimit për kryetar bashkie në Tiranë i figurave kryesore të PD, situata në këtë parti është jo vetëm tragjike, por dita ditës po merr dhe trajta të forta komike! Krijimi i kësaj ‘hapësire’ në PD për të garuar për kreun e bashkisë së Tiranës, për shkak se asnjë figurë e kësaj partie nuk e merr përsipër garën, ka ngritur dhe ‘sentimentin’ e shumë personave rrotull PD, jo domosdoshmërisht përfaqësues të kësaj partie por të deklaruar aleatë të Berishës, të cilët vetëofrohen si kandidatë ‘potencialë’ në garë! Madje duke shfrytëzuar dhe disa ‘dobësi’ të Berishës, teksa i lënë për të kuptuar se mund t’i heqin sanksionimin nga SHBA, dhe ta lënë të lirë të lëvizë në tërë botën pa asnjë pengesë! Vënë dhe afate mujore madje për rezultate të tilla!

Një ndër ta është dhe kreu i Partisë Konservatore Kujtim Gjuzi, i cili në zgjedhjet e fundit të 11 majit të këtij viti ka qënë ndër ‘lojtarët’ aleatë të PD më të preferuar nga ana e Berishës, pavarësisht rezultatit që mori në ato zgjedhje. Me sa duket Gjuzi është munduar t’ia kthejë në të njejtën ‘monedhë’ Berishës mbështetjen dhe promovimin në fushatën zgjedhore! Madje Gjuzi ka dhënë një garanci maksimale për Berishën, në këmbim të mbështetjes së kandidaturës së tij të vetëofruar në emër të opozitës, për të qënë përballë Manastirliut në garën për bashkinë e Tiranës, ka dhënë garanci heqjen e ‘non gratës’!

“Ta nxjerrë Berisha nesër emrin tim në konferencë shtypi. Nuk duhen as 33 ditë që të zgjidhet puna e non gratës. Non grata ka qenë për t’u hequr. Tani ata thonë në telefon. Ka qenë në zyrën e Flamur Nokës dhe u bë projekti. Unë nuk e di po Flamur Noka ia ka çuar Berishës, po unë luaj me lojtarë rezervë. Unë kam mesazhin këtu që është super por që nuk e nxjerr këtu, por do ta tregoj poshtë, që thotë ai që është kandidat për të ardhur këtu ambasador. Unë e pyes ku jemi me ambasadorin amerikan në Shqipëri, ai thotë akoma. Ama titullin e ka marrë, se ka qenë te ajo festa e madhe e ambasadorëve”, ka deklaruar Gjuzi publikisht, në një emison televiziv.

Teksa është vetëofruar si kandidat për garën në Tiranë përballë Manastirliut, Gjuzi ka prekur pikërisht pikën më të ndjeshme të Berishës, dëshirën e tij për heqjen e “non gratas’ në SHBA! Kur tjetri është në hall, t’i afrosh dhe fijen e barit për t’u kapur e për të shpëtuar, ai e kap menjëherë! Me këtë sentencë i vetëofrohet Berishës dhe Kujtim Gjuzi, si kandidat për kryetar bashkie në emër të opozitës në Tiranë, duke i premtuar se në këmbim i heq ‘non gratën’ në SHBA. Pavarësisht se vetë Berisha, megjithëse ka paguar miliona dollarë lobime në SHBA, jo vetëm që nuk ka hequr non gratën por s’ka siguruar asnjë vizë të thjeshtë për të kapërcyer Atlantikun!

Nuk dimë nëse Berisha do ta kapë ‘karremin’ e Gjuzit për ta emëruar si kandidat të opozitës për kryetar bashkie në Tiranë përballë Manastirliut! Gjasat janë afër zeros për këtë qëllim, sepse Berisha është në hall të madh, por është skile e vjetër e politikës dhe nuk është budalla! Por ajo që shohim jo pa dhimbje ëhstë fakti se PD dhe Berisha janë kaq në hall dhe të katandisur aq keq e në rënie të lirë, sa kanë lënë hapësira që dhe Kujtim Gjuzi të tallet me PD dhe me vetë Berishën! Dhe kjo duket me sy të lirë. Na vjen keq, sepse Berishën për 13 vite e kemi pasur president, kryeministër dhe për 35 vite ka qënë kreu i një prej dy partive më të mëdha në Shqipëri, partisë së parë opozitare, PD, që i kanë dhënë tonin politikës! Na ‘dhemb’ dhe neve një tallje e tillë me të, thjeshtë e vetëm se PD është në rënie të lirë dhe vetë Berisha, në hall!

The post PD s’ka kandidatë për Tiranën, Kujtim Gjuzi tallet me Berishën first appeared on JavaNews.al.

PS në pushtet përtej 2040-ës, Berisha 96 vjeç duke pritur ‘shansin’!

12 September 2025 at 22:16

Nga Jakin Marena

Një ditë më parë kreu i mazhorancës Edi Rama ka paraqitur kabinetin e ri qeveritar, drejtuesit e Kuvendit e të grupit parlamentar, si dhe ‘piketat’ nëpër të cilat do të lëvizë qeverisja e ardhshme e PS në mandatin e katërt rresht, të përputhur me axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE!

Që në mbledhjen e Asamblesë së PS, të zhvilluar të enjten, Rama ka qënë i qartë në objektivat e tij, për këtë mandat qeverisës për Shqipërinë 2030, teksa ka paralajmëruar që të ketë riorganizim dhe reformim të disa institucioneve, përfshirë dhe Kuvendin e Shqipërisë.

Rama ka deklaruar se Kuvendi duhet të ketë maksimumi 101 deputetë dhe për të duhet të ketë një ligj të posaçëm, duhet të bëhet me urgjencë reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, ku tek kjo reformë e dytë kërkohet me patjetër depolitizimi i administratës zgjedhore! Dhe nëse realizohen këto ndryshime, ulja e numrit të deputetëve kërkon votën kushtetuese, atëherë sërish PS krijon një bazë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në këtë vend!

Ndërkohë që Rama vuri si prioritet për mandatin e katërt luftën ndaj nepotizmit dhe mbrojtjen e drejtësisë së pavarur. Kreu i mazhoranës paralajmëroi se pavarësia e SPAK dhe GJKKO është kusht i panegociueshëm, dhe se partia e tij, PS është e vetmja garanci që kjo pavarësi të mbrohet.

Njëherësh kreu i mazhorancës paralajmëroi se PS do të vazhdojë të qeverisë edhe përtej këtij mandati, duke kërkuar jo vetëm besimin e sotëm, por edhe vazhdimësinë e të nesërmes politike në vend. Konkretisht, Rama, teksa prezantoi emrat e rinj të kabinetit qeveritar, tha se socialistët do të jenë në drejtimin e vendit për një kohë të gjatë. “PS duhet të udhëheqë edhe për shumë e shumë vjet të tjera. Përrallat që në një demokraci duhen ndërruar partitë çdo 4 vjet, lëruani atyre që tregojnë përralla. Është detyrim që ta shohim PS në krye edhe në vitin 2030, vitin 2040, edhe në vitin 2050. Ne ta shohim, domethënë ju ta shihni”, u shpreh Rama. Duke e cilësuar këtë mandat të katërt qeverisës si mandatin e parë ‘në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE’!

Dhe vetë përbërja e kabinetit të ri qeveritar ka evidentuar një qasje të qartë nga Rama, ku përvoja dhe qëndrueshmëria politike janë në qendër të vendimeve për përbërjen e kabinetit. Kjo ka bërë që emërimet e reja të mos nga prezantojnë surpriza të mëdha, por të jenë në krye të herës një reflektim i balancimit të kujdesshëm mes forcimit të dominancës politike dhe sfidave reale që vendi ka përpara, ku në krye të axhendës është anëtarësimi në BE. E në funksion të kësaj qasjeje, kabineti qeveritar u prezantua nga Rama si kulmi i eksperiencës qeverisëse, e përkufizuar nga vetë Kryeministri si ‘qeveria e 12 viteve përvojë’. Pra që përmbledh në vetëvete përvojën e tre mandateve rresht qeverisjeje të PS. Por dhe premtoi ‘opozitarizëm’ ndaj tre mandateve të kaluar!

Një skemë e tillë tregon qartë se për kryeministrin Rama, qeveria s’është thjesht një mekanizëm ekzekutiv, por një mekanizëm real për të konsoliduar e rritur influencën politike afatgjatë të PS. Përzgjedhjet në kabinet janë një sinjal i qartë se PS do të vazhdojë të mbështesë bazën e saj të besueshme, një trupë elektorale që lëviz me plus minus 800 mijë vota pro PS në çdo palë zgjedhje, në funksion të menaxhimit të tranzicioneve të brendshme si dhe sfidave të ardhshme. Duke dalë përtej të majtës në ofertën e tij në funksion të qeverisjes sa më të mirë të këtij vendi, teksa nënvizoi se nuk duhet mbyllur dera për askënd se ‘bëhet pjesë e byrekut’!

Kreu i mazhorancës socialiste, e cila ka në Kuvend 83 mandate deputeti, shtuar dhe 3 mandate të aleatit hipotetik PSD-së, prezantoi kandidaten për kryetare të bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, në zgjedhjet e parakohëshme që do të zhvillohen pas dorëheqjes apo shkarkimit me patjetër të Erion Veliajt, i cili prej muajsh është në paraburgum nën akuzat për korrupsion! Pra Rama e hodhi ‘sfidën’ e përballjes në zemër të Shqipërisë në kryeqytet, pikërisht për pasuesin e Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës! Përballje që PD e kishte kërkuar me kohë dhe vakt, duke protestuar madje për ditë të tëra para bashkisë, për dorëheqjen e Veliajt! Të paktën formalisht!

Pra Rama, si kreu i mazhorancës socialiste, në vigjile të fillimit të mandatit të katërt radhazi në qeverisje të vendit, prezantoi qartë dhe saktë objektivat e PS që drejton jo vetëm për këtë katër-vjeçar qeverisjeje, por dhe për një periudhë të gjatë në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe përtej saj. Madje duke vënë si limit kohor qeverisjeje, përtej vitit 2040, deri më 2050. Një sfidë e qartë për politikën në Shqipëri, dhe ata që e sfidojnë PS për ta larguar nga pushteti!

Por si e priti opozita në krahun tjetër strategjinë e re të Ramës, i cili e bëri të qartë se qeverisja e vendit, tashmë në kushtet e integrimit, fillon pikërisht tani, duke paralajmëruar mandate të tjera qeverisëse, që ia ‘fikin’ shpirtin opozitës dhe opozitarëve?!

Menjëherë pas prezantimit të qeverisë së re, kreu i PD Sali Berisha, në një dalje publike pas konstituimit të grupit të tij parlamentar, lidershipi i grupit të PD janë të njejtët emra vegjetues e të pandryshuar për vite e vite me radhë dhe pa asnjë kontribut votash, të cilët vërtiten pa orientim por me sytë tek Berisha korridoreve të selisë buzë Lanës, teksa nisi sulmet emër për emër ndaj vetë Ramës dhe ministrave të tij të rinj, shpalosi strategjinë opozitare! Një strategji që nuk fliste për të ardhmen, për mënyrën se si opozita do të qasej ndaj elektoratit për të ardhur në pushtet!

Berisha sërish vijoi me denoncimin e zgjedhjeve të 11 majit, flet për të shkuarën, kërcënon se do ta rrëzojë Ramën nga pushteti me të gjitha mënyrat, megjithëse i ka provuar të gjitha mënyrat e forcës të cilat pretendon se do të aplikojë dhe këtë mandat të katërt në opozitë kundër Ramës, dhe asgjë nuk ka arritur. Vetëm njërën nuk provon Berisha, krijimin e një frymë të re lidershipi, qasjeje të re ndaj elektoratit për të ardhur në pushtet! Që do të thotë largimin e tij, pas 35 vitesh në krye të PD, që nuk mund të jetë kurrsesi më alternativa e të ardhmes. Shqiptarët nuk besojnë në rrëzimin vetë të kësaj mazhorance, thjeshtë e vetëm se PD përdor fjalor dhe mënyra të dhunshme të të bërit opozitë. Qytetarët kërkojnë alternativa të reja opozitare, që t’i ballafaqojnë dhe të vendosin pastaj për kë të votojnë! Kërkojnë nga opozita një alternativë të re që frymëzon!

Berisha kërkon që me të njejtat metoda dhe strategji që ka ndjekur për 12 vite me radhë, të cilat i kanë garantuar humbjet njëra pas tjetrës PD e opozitës, të mund të marrë një rezultat ndryshe që do ta sjellë në pushtet! Ka qënë dhe është e pamundur, pasi në asnjë cep të historisë së politikës, në Shqipëri dhe në botë, nuk gjendet një shembull që të funksionojë në këtë mënyrë, që me metoda të njejta të marrësh rezultat të ndryshëm!

Nëse mund të bëjmë një krahasim, strategjia e Berishës është si puna e atij filmit që e ke parë 100 herë, kryesisht në kohën e komunizmit ndodhte kjo, dhe sërish mendon se aktori kryesor nuk do të vdesë këtë radhë! Dhe kjo strategjia e PD është një ‘film’ i parë, i cili siç po zhvillohet mot a mot tash e 12 vite radhazi, nuk mund të ketë fund të lumtur dhe ndryshe!

Kjo lloj sjelljeje e opozitës të kryesuar nga Berisha u vu re dhe në momentin kur Rama shpalli kandidaten e PS për kreun e bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, e cila do të garojë në zgjedhjet e parakohëshme që do të zhvillohen së shpejti, pas dekretimit nga Presidenti të datës!

Opozita dhe Berisha u zunë në befasi dhe të papërgatitur përballë këtij fakti, megjithëse kishin muaj që kërkonin shkarkimin e Veliajt dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme në bashkinë e Tiranës! Për hir të së vërtetës Berisha s’ka kandidatë gati për garën, s’ka vota për Tiranën e për pasojë humbja përballë Manastirliut është e sigurtë! Diskutohet vetëm thellësia e humbjes së opozitës, ku Berisha tashmë vërtitet mes dilemës së kandidimit të Alimehmetit apo Tabakut, nëse pranon kjo e fundit të lërë mandatin e deputetit, apo një kandidati tjetër ku ‘t’ia zërë dora’. Pasi kreu i PD e do minimalisht kandidatin e opozitës sa më të dobët, më të dobët se Këlliçin, që të mos fillojë pretendimet dhe të prishë balancat në PD, me numrat që mund të fitojë në Tiranë, për të ngushtuar diferencën e humbjes sa më shumë!

Berisha e di si dreqi se garën e parakohëshme për bashkinë e Tiranës, por dhe në katër bashkitë e tjera e ka të humbur, çka përbëjnë dhe ‘kampionin’ e testit për zgjedhjet për pushtetin vendor më 2027. Prandaj ka nisur të hedhë hijen e dyshimit nëse do të marrë pjesë ose jo në zgjedhjet e parakohëshme në Tiranë, për bashkinë e kryeqytetit! Paralajmëron bojkot me një fjalë, dhe këtë qëndrim Berisha e mbajti edhe këtë të premte, në përgjigjie të interesimit të gazetarëve!

Strategjia e njejtë opozitare e Berishës dhe opozitës u pa dhe në seancën e parë konstituive të Parlamentit të ri! I njejti skenar, të njejtat deklarata, e njëjta skemë e pushtimit të foltores, i bllokimit të punës së Kuvendit, i shkuljes së mikrofonëve, i bojkotit të komisioneve dhe i mospranimit të asgjëje që ndodh në anën tjetër të sallës! E cila për hir të së vërtetës ka marrë ‘zgjerim’ dhe nga ana e rreshtave të opozitës, pasi janë 86 deputetë të majtë, PS dhe PSD, përkundër 50+4 të të gjithë deputetëve të opozitës, dhe janë të detyruar të ulen dhe në karriget e anës së ‘djathtë’ të Kuvendit! Po shtohen çdo legjislaturë të re deputetët e PS, me një fjalë!

Teksa shohim skenarët e vjetër të Berishës e opozitës, me kauza ‘mobile’ çfarë t’i dalë përpara, si dhe strategjinë e forcës që kërkon të imponojë përballë kundërshtarit politik, pa pasur numrat dhe pa patur sukses asnjëherë në këto 12 vite në opozitë, bindemi gjithnjë e më shumë se kjo opozitë do të vijojë gjatë, shumë gjatë, larg pushtetit.

E themi këtë sepse Berisha nuk ka ndërmend të bëjë një largim të butë nga drejtimi i PD, për t’i hapur rrugë një lidershipi të ri që të bëjë diçka ndryshe, të ketë një qasje tjetër ndaj elektoratit për të thithur vota! Berisha e ka drejtimin e PD jo për të ardhur në pushtet por për të përballuar hallet e tij personale me drejtësinë shqiptare por dhe me ‘non gratën’ në SHBA dhe Britaninë e Madhe! E ka parti familjare dhe as ka ndërmend të largohet nga drejtimi, thotë se është një ‘misionar’ në krye të PD. Dhe misioni i tij, e i çdo misionari, përfundon atëherë kur të ndahet nga kjo jetë! Të cilën ia urojmë ta ketë sa më të gjatë! Dhe Berisha ka mision ‘varrosjen’ e PD!

Me sa duken bathët, PS me këto arritje që do t’i shumëfishojë dhe me anëtarësimin në BE por dhe me këtë opozitë ‘kufomë’ që ka përballë, të udhëhequr nga Berisha, do të vijojë shumë gjatë në pushtet! Përtej vitit 2040, sikurse e paralajmëroi dhe vetë Rama, dhe që Berisha e quajti të rrezikshëm një deklarim të tillë! Rama e tregoi qartë ‘manualin’ e tij për të qeverisur shumë gjatë dhe akoma më mirë këtë vend, ndërsa Berisha vijon me ‘manualin’ e tij të opozitarizmit!

Ndërsa Berisha si ‘misionar’ në krye të PD, do të jetë po shumë gjatë në ‘stol’ duke pritur për të ardhur në pushtet e për t’u bërë kryeministër, me mbi 96 vite mbi supe, në krye të PD themi! Në pritje, sipas teorisë së atij njeriut të motit, që kishte dalë në krye të fshatit me faqoren e rakisë e tiganin gati në zjarr për të përdorur si meze ‘ato të dashit’, që t’i binin vetë! Priti në pafundësi ai! Ashtu do të jetë pritja dhe për Berishën dhe opozitën. Berisha pastë jetën sa më të gjatë, për të mirën e shqiptarëve!

The post PS në pushtet përtej 2040-ës, Berisha 96 vjeç duke pritur ‘shansin’! first appeared on JavaNews.al.

Berishës ia bëri gjëmën ‘baxhanaku’ me non gratën, s’ka kujt t’i qahet

5 September 2025 at 20:48

Nga Jakin Marena

Në pritje të ‘revolucionit’ të vjeshtës, e ka në mënyrë të përvitshme një pritshmëri të tillë PD, sidomos pas humbjeve të rënda në ballafaqimet elektorale, kreu demokrat Berisha si dhe mbështetësit e tij kanë vendosur ta ‘mbushin’ hapësirën e komunikimit mediatik me ‘shpalljen non grata të Xhorxh Sorosit dhe Birit” si armiq të kombit amerikan dhe opozitës në Shqipëri!

Ka shërbyer një postim i presidentit amerikan Donald Trump në platformën me bazë në SHBA “Truth Social”, sipas të cilit ‘George Soros dhe i biri i tij i majtë radikal duhet të gjykohen sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme në mbarë SHBA-në. Nuk do t’i lejojmë këta të çmendur të shkatërrojnë edhe më shumë Amerikën”, që Berisha dhe mbështetësit e tij të marrin zemër dhe të kërkojnë nga presidenti amerikan shpalljen ‘non grata’ të manjatit amerikan në SHBA. Dhe të njëjtën gjë ta bëjnë dhe me mikun e tij në Tiranë, kryeministrin Edi Rama!

Një kërkesë të tillë ndaj administratës amerikane të Trump kreu i opozitës e bën me argumentin se Soros ka fuqizuar Ramën në kurriz të opozitës dhe Berishës, anipse Berisha kur u shpall ‘non grata’, zyrtarisht s’ishte kryetar i PD dhe opozitës, pasi kishte dhënë dorëheqjen që pas humbjes rrënuese të zgjedhjeve 8 vite para kësaj ‘gjëmë’, më 2013! Por Berisha e të tijtë nuk ‘stepen’, pasi për ta rëndësi ka realiteti paralel i krijuar në kokën e tyre dhe aspak koha, datat, emrat apo situatat nëpër të cilat ka kaluar shpallja ‘non grata’ nga DASH, familjarisht, e liderit të PD!

Berisha jo pa qëllim ‘ngatërron’ kohët kur u shpall ‘non grata’ nga DASH, njerëzit që ia kopsitën dosjen, madje ‘ngatërron’ si pa dashje edhe administratën e presidentin amerikan, për kohën kur u sanksionua familjarisht për korrupsion madhor, minim të demokracisë e shantazhim e zhbërje të drejtësisë në Shqipëri! Dhe duke vendosur në krye të sulmeve njerëzit e projektuar prej tij si ‘armiq’, Berisha e mbështetësit e tij nuk kursehen në akuzat ndaj tyre, deri duke hyrë në detaje familjare, anipse nuk kanë asnjë lidhje me sanksionimin e tij nga DASH! Bëhet fjalë për zyrtarë të lartë amerikanë të administratave të ndryshme në SHBA, se në Shqipëri e ka normë Berisha, nuk lë njeri pa sulmuar, pa etiketuar dhe kërcënuar! Kur bie ndesh me interesat e tij, kuptohet!

Themi që Berisha ngatërron kohën dhe autorët që i kopsitën dosjen e ‘non gratas’ në SHBA, sepse sanksionimi i Berishës nuk filloi nën administratën e presidentit demokrat ‘sorosian’ Biden, por që në periudhën e administratës së republikanit Trump, ‘armikut’ të betuar të Sorosit. Pra ‘mikut’ të Berishës. Amerikanët i marrin me nge punët, mbajnë shënime, pastaj i hedhin në të ‘pastër’, i konfirmojnë nga të gjitha burimet zyrtare të vendit të tyre, s’kanë pak, e në fund futet në ‘xhiron’ dokumentare për firmë! Kur t’i vijë radha, dhe ajo që nisi nga ish Sekretari i Shtetit, republikani Pompeo, u firmos si ‘trashëgimi’ e tij nga pasuesi demokrat Blinken!

Më konkretisht, vendimi i sekretarit Blinken për sanksionimin e Berishës dhe familjes së tij të ngushtë u publikua në 19 maj 2021, por kjo datë është dita protokollare e publikimit të vendimit, pasi vendimi për ‘non gratën’ e Berishës kishte qënë në sirtarët e DASH, i ‘trashëguar’ i plotë e vetëm për firmë nga paraardhësit e Biden dhe Blinken. E themi këtë sepse presidenti Biden e sekretari Blinken u futën në Shtëpinë e Bardhë në janar 2021 sipas Kushtetutës amerikane, pra mbi 4 muaj para se ‘non grata’ e Berishës të publikohej. Dhe një akt i tillë as në Shqipëri, që nuk shihet asnjë dokument imtësisht për të marrë një vendim të rëndësishëm, nuk mund të përgatitej për një afat kohor prej 4 muajsh. Është një proces shumë më i gjatë. Vendimi për ‘non gratan’ ka qënë aty, Blinken vetëm sa i ka futur firmën dhe e ka publikuar. Kaq është puna!

Në fakt ishte kryeministri Edi Rama ai që në ditën e fundit të janarit 2019, pra mbi dy vite para publikimit të ‘non gratës’ nga DASH, i cili në parlament e pyeti befasisht Berishën: “A e kalon dot Oqeanin”? E bëri të mekej në fakt ish kryeministrin demokrat! Nuk besojmë se këtë vendim që në vitin 2019 Ramës ia kishte komunikuar Sorosi, pasi manjati amerikan ishte ‘armik’ me Trump dhe Pompeon, të cilët ishte respektivisht njëri president i SHBA e tjetri sekretar Shteti!

Për hir të së vërtetës, lajmin se Berisha është shpallur ‘non grata’ disa media kanë publikuar që në verën e vitit 2018, duke dhënë lajmin se supermbesës së Berishës, i ishte refuzuar viza, pasi ajo kishte aplikuar për t’u pajisur me vizë sepse kishte fituar të drejtën e studimit në një nga universitetet më të mira amerikane! Kishte aplikuar që nga Austria ku studioi për arsimimin parauniversitar. Ky ishte sinjali i parë zyrtar se Berisha ishte person i padëshiruar në SHBA familjarisht! Dhe kjo kishte ndodhur në mesin e mandatit të presidentit republikan Donald Trump! Thuhej se vizat ishin refuzuar dhe për familjarë të tjerë të Berishës, duke paralajmëruar në këtë mënyrë faktin se dosja kundër tij në SHBA ishte kopsitur me kohë dhe vakt!

Berisha e dinte fort mirë se ishte shpallur ‘non grata’, kishte burimet e tij! Ndaj deklaroi para gazetarëve fill pasi Rama e pyeti nëse e kalon dot Atlantikun, se mendimi i tij personal ishte për djegjen e mandateve të deputetit, pasi opozita nuk mund të ishte një fasadë e Edi Ramës në Parlament! Më vonë, ushtroi presion ndaj Bashës asokohe kreu zyrtar i PD që të digjte mandatet e deputetëve të opozitës, gjë që ndodhi, dhe autor ishte vetëm një, Sali Berisha, për hallin e tij personal, duke tentuar dhe destabilizimin e vendit, përmes protestave të dhunshme dhe sulmeve ndaj institucioneve me molotov. Dhe kjo ndodhi në vitin 2019, dy vite para se të publikohej vendimi i firmosur nga Blinken që e shpallte Berishën ‘non grata’ familjarisht në SHBA!

Pikërisht në këtë kohë, në verën e vitit 2019 dhe në kulmin e protestave të dhunshme të PD dhe opozitës së udhëhequr nga dyshja Berisha-Basha, zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën, Matthev Palmer kërcënoi rëndë se, nëse opozita organizon dhunë ndaj institucioneve, SHBA do ta shpallë atë organizatë të dhunshme. Pra Palmer fliste në emër të administratës amerikane të drejtuar nga presidenti republikan Donald Trump me sekretar të DASH, Mike Pompeo. Dy vite përpara se në pushtet të vinte demokrati ‘sorosian’ Joe Biden bashkë me Anthoni Blinken.

Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Palmer ka sqaruar dhe më vonë se përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin SHBA-të për të luftuar korrupsonin. I pyetur në lidhje me kohën e daljes së njoftimit për ish Presidentin Berisha, Palmer tha se koha s’ka ndonjë rëndësi të veçantë. Madje Palmer këmbënguli se Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit dhe për këtë arsye SHBA-të e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht. “Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në SHBA, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, ka nënvizuar Palmer për VOA. Duke treguar qartë se ishte administrata Trump ajo që ia përgatiti me detaje dosjen e ‘non grata’ Berishës dhe familjes së tij!
Në fakt ishte dhe vetë Berisha ai që para një viti, më saktë në fillim të 2024, më në fund e pranoi se ka qënë administrata e Presidentit Donald Trump dhe e sekretarit Mike Pompeo ajo që ia përgatiti dosjen e shpalljes familjarisht ‘non grata’, por duke u munduar që të ‘seleksionojë’ personat e të gjëjë ‘armikun’ e duhur e që tani nuk i prish punë me mendjen e tij, për ta cilësuar si autori kryesor dhe i vetëm! Berisha akuzoi zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthev Palmer si personi që përgatiti dosjen. Madje e përgatiti pa pyetur askënd në DASH, sipas Berishës dhe mbështetësve të tij, një sipërmarrje e madhe kjo për një zyrtar të rangjeve të tilla në Amerikë, të cilët nuk dalin në derë pa një aprovim nga eprorët, jo më të marrë vendime ‘tinëzare’!

Berisha këmbëngul se Palmer e bëri në kokën e vet dosjen “non grata’ kundër tij, sepse gruaja e tij ishte me origjinë serbe. Hajde merre vesh Berishën, i cili mendon se sikurse ka vepruar ai me shtetin në favor familjes dhe të fisit të gruas, edhe shteti amerikan merr vendime për hatër të fisit të gruas se Palmerit. Berisha e të tijtë vijojnë dhe sot e kësaj dite të akuzojnë si autorin e vetëm të kopsitjes së dosjes ‘non grata’ ndaj tij familjarisht, pikërisht zv.ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Palmer, duke e lidhur atë për një ‘shërbim që i ka bërë gruas së tij me prejardhje serbe’, për të ‘sakrifikuar’ karrierën në DASH, vetëm për të ‘goditur patriotin e madh Sali Berisha’, i cili të vetmen ‘trimëri’ që ka bërë në jetën e vet ka qënë thyerja e embargos së naftës se vënë nga OKB ndaj Milosheviçit duke e furnizuar me karburant makinën ushtarake vrasëse të ‘kasapit’ të Ballkanit, që masakroi boshnjakët, shqiptarët e Kosovës e kush i doli para, si dhe shërbimin në të gjitha kohët e këqija ndaj Serbisë, sa herë që ia kanë kërkuar. Kur kanë pasur hall, me një fjalë!

Dhe meqë jemi me faktin se Palmer e kishte gruan me oriogjinë serbe, e ka pranuar dhe vetë ai se është me origjinë nga Mali i Zi’, dhe duke arsyetuar me ‘kutin’ e kryetarit të PD, i bie që Berishës ia ka ‘futur’ me ‘non gratën’ pikërisht ‘baxhanaku” i tij! E themi këtë sepse dhe vetë Berisha e ka gruan me origjinë serbe, madje njerëzit e saj në Beograd kanë qënë zyrtarët më të lartë të shërbimit sekret dhe organeve të sigurisë në Serbi në kohën e Milosheviçit dhe më parë! Madje, ndër miqtë më të mirë, edhe fëmijët e Berishës kishin pikërisht Damir Fazlliçin, serbo-boshnjakun kontravers të ‘nëntokës së zezë serbe’, i cili kishte futur në dorë sigurinë kombëtare, merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe asetet ekonomike më me përfitime në vend.

Për shkak të këtij raporti të fortë me Fazlliç, edhe Britania e Madhe e shpalli Berishën familjarisht ‘non grata’!

Prandaj Berisha për ‘baxhanakun’ Palmer që i kopsiti dosjen e ‘non gratës’ në SHBA nuk ka kujt i ankohet, ‘i yti’ ta bën gjëmën! Dhe kreu i PD nuk mund të bëjë sikur nuk e njeh Palmerin, me të cilin të dy janë ‘dhëndra’ në familje me origjinë serbe, siç bëri me baxhanakun tjetër që i harroi emrin, atë që humbi jetën në punishten e vdekjes së demontimit të municioneve themi, ku akuzohet se ka qënë i biri sipërmarrës. Me të vetmin ndryshim që Palmeri ishte një shërbëtor i devotshëm e besnik i kombit dhe i shtetit të tij, SHBA, për të cilin punoi me mish e me shpirt dhe nuk bashkëpunoi me ‘fisin e gruas’ për të rrjepur shtetin, përkundër Berishës që i ka punuar qindin kombit shqiptar, duke e vjedhur, vrarë, shkatërruar, shitur e duke ia nxjerrë ‘themelet’ sa herë ka qënë në pushtet për 35 vjet. Ndaj themi se Berisha s’ka kujt t’i qahet, pasi askush nuk ia qan hallin për problemet me ‘familjarët’ e tij! Për këtë arsye, besojmë se këto përrallat me heqje ‘non grate’ nga Trump dhe goditjen e Ramës se ai paska ‘tradhëtuar’ kombin amerikan përmes bashkëpunimit me Sorosin, do të kalojnë shpejt! Berisha i ka për konsum politik këto deklarata, pasi e di se ‘non grata’ në të gjallë të tij nuk hiqet nga asnjë administratë amerikane!

The post Berishës ia bëri gjëmën ‘baxhanaku’ me non gratën, s’ka kujt t’i qahet first appeared on JavaNews.al.

Skenari i PD, në vjeshtë ‘guerrile’, në dimër Kuvendin në flakë, në behar…!

29 August 2025 at 19:03

Nga Jakin Marena

Partia Demokratike e urdhëhequr nga Sali Berisha nuk lëviz fare nga ‘rutina’ e tij e të bërit politikë, sidomos ku vjen menjëherë pas humbjeve në zgjedhjet parlamentare. Dhe nuk kanë qënë të pakta humbjet gjatë këtyre 35 viteve që Berisha e drejton herë zyrtarisht dhe herë në prapaskenë partinë më të madhe opozitare në vend.

Është tërësisht e lexueshme tërë strategjia e Berishës dhe e mbështetësve të tij, duke filluar nga 10 shtatori kur pritet të mblidhet dhe më pas të konstituohet Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit të këtij viti. Të cilat Berisha betohet se nuk do t’i njohë kurrë, pavarësisht se në një formë apo tjetër do të hyjë si ‘faqja e bardhë’ në Kuvend. Opozita e drejtuar nga PD do të marrë ato 50 mandate që i takojnë, mund të ‘përthithë’ dhe mandatin e tezes së Llapajt për ta bërë edhe atë pjesë të koalicionit siç paralajmëroi indirekt dhe vetë kreu i “Shqipëria Bëhet”. Ndërsa ‘kusuri’ i vendeve në Kuvend,  plot 83 mandate janë të PS-së të drejtuar nga Edi Rama, 3 mandate të PSD të Tom Doshit, 2 mandate të “Mundësia’ të Agron Shehajt dhe 1 mandat deputeti ka shkuar për Lëvizjen “Bashkë” të Arlind Qorajt!

Mbështetur në këto shifra, rrënuese për opozitën e drejtuar nga Berisha ku si asnjëherë tjetër në këto 35 vite, merr një rezultat të tillë humbës  në një garë elektorale, skenari i i tij duke filluar nga fillimi i shtatorit pritet të jetë i njejtë sikurse ka ndodhur edhe herë të tjera, kur PD ka ardhur pas një humbjeje të rëndë!

Ndoshta, dhe për shkak të moshës së thyer të vetë Berishës, është 8l vjeç aktualisht, lëvizjet politike të PD dhe opozitës që kryeson pritet të jenë më të ‘ekonomizuara’ në territor, duke u përshtatur vetëm brenda perimetrit të qytetit të Tiranës. Një ‘rrudhje’ e tillë vjen dhe për shkak të rënies drastike të mbështetjes për PD dhe për aleatët e saj. E cila u pa në zgjedhjet e 11 majit, ku ‘munguan’ 320 mijë vota nga rezultati i zgjedhjeve të 2021, kur PD drejtohej nga Lulzim Basha!

Për të gjitha këto arsye, si dhe arsye të tjera që janë vetëm në kokën e Berishës dhe në realitetin e tij paralel se si i sheh gjërat, PD dhe opozita kanë një skenar të gatshëm për ta ‘shpalosur’ në vjeshtë, në dimër e në behar! E kanë paralajmëruar në fakt dhe është një ‘film’ i parë shumë herë ky, me regjizor dhe aktor kryesor Sali Berishën!

Berisha mëse njëherë është shprehur se nuk e njeh rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit! Madje dhe ditën e certifikimit zyrtar të rezultatit nga ana e KQZ, Berisha deklaroi se ka qënë një farsë elektorale e qeverisë, që sipas tij i ka marrë mbi 33 deputetë opozitës, dhe për pasojë nuk do ta njohë këtë rezultat! Pa përjashtuar këtu sjelljen e Berishës para mediave me shkop në dorë teksa shpjegon përmes videove, hartave si dhe fotove se si ia ‘vodhën’ 33 mandatet e deputetit opozitës, numër që përkon me mandatet që PS e Edi Ramës ka më shumë se opozita e bashkuar e Doktorit! Diferencë e madhe është për t’u justifikuar, por për Berishën ky është realiteti i tij, dhe ai ka treguar se gjithnjë dhe për gjithçka ka një realitet paralel të vetin, eksluzivisht të vetin!

Por nga ana tjetër Berisha dhe mbështetësit e tij shprehen se do të vendosin institucionet për të hyrë ose jo në Kuvend në shtator, për të djegur ose jo mandatet dhe gjëra të tjera të këtij lloji! Dhe kur përmenden se ‘institucionet partiake vendosin’, të gjithë e kuptojnë se institucioni i vetëm në PD është Berisha. I cili ka nënvizuar se pavarësisht se nuk e njeh rezultatin e këtyre zgjedhjeve, lufta në Parlament do të jetë e fortë, do të realizohet me të gjitha mënyrat kundër atij që ai e quan ‘regjimi i Edi Ramës’! Pra opozita e Berishës do të hyjë në Kuvend.

Dhe për të qënë të përgatitur si gjithnjë për seancat parlamentare, Berisha dhe mbështetetësit e tij kanë nisur me marrjen e masave për të qënë të gatshëm për ‘përballje’ por dhe për çdo rastësi që mund të vijë, për ta bërë, kauzë të përkohshme të opozitës gjatë tërë sesionit të ri parlamentar!

Si punë të parë Berisha ka garantuar mikun e tij Ilir Meta, i cili gjendet në qeli nën akuzat për korrupsion, që ta bëjë me grup parlamentar! Pasi i ka dhënë në tavolinë 4 mandate deputeti për përfaqësuesit e Partisë së Lirisë, Berisha i ka dhënë ‘hua’ dhe 3 të tjerë nga radhët e PD për të formuar një grup parlamentar më vete! Po diskutohet njëherësh, për ngritjen e një grupi tjetër parlamentar të kryesuar nga republikani Fatmir Mediu e që mund të ketë në përbërje dhe deputetët e vetëm të PDIU apo ndonjë partie tjetër!

Të gjitha këto lëvizje me grupet fiktive parlamentare bëhen për t’i pasur si ‘poste zjarri’ më vete dhe për të treguar se ka dhe grupe të tjera parlamentare të opozitës që luftojnë kundër ‘regjimit të Ramës’. I përdor dhe për statistikë në letrat që me së s’bën do të dërgojë herë pas here në Bruksel apo më tej, në përpjekjet e tij për të nxirë Shqipërinë. Në fund të letrës e ka kollaj, për të shkruajtur se qëndrime të tilla janë të mbështetura nga tre grupe parlamentare të opozitës, do të fiksohen emrat e tre ‘kryetarëve’ të grupeve parlamentare, firmat dhe vulat e tyre. Pra, do të ‘copëtojnë’ dhe ndajnë forcat për ta ‘rrethuar’, sa më shumë Ramën, dhe për t’ia bërë në fund të herës jetën sa më të gjatë në pushtet. Por, për ithtarët e PD dhe opozitës, bën punë ky skenar!

Pra këto grupe fiktive parlamentare do të jenë një tip ‘guerrileje’ që krijohen vetëm e vetëm për t’u përdorur ku dhe kur ta lypë nevoja. Por dhe për të ‘zgrapur’ ndonjë lek nga buxheti i shtetit, ndonjë delegacion jashtë vendit, pasi kanë fonde të mëdha për grupet parlamentare.

Në këtë mënyrë vjeshta do të shtyhet me krijimin e këtyre grupeve fiktive parlamentare, si tip ‘guerrileje’ që do të provojnë funksionimin e tyre nën drejtimin e kryetarit të grupit të PD të rikonfirmuar tashmë nga Berisha, Gaz Bardhi, me ndonjë bllokim foltoreje, me ndonjë thyerje karrigeje, me ndonjë shkulje mikrofoni, goditje deputeti kundërshtar dhe gjëra të tjera të këtij lloji! Mbështetje do të jetë kuptohet, edhe Famur Noka, numri 2 i PD! Ka dhe përvojë për këto punë! Këto ‘lëvizje’ do të bëjnë punë këtë vjeshtë për heqjen e mendjes së elektoratit nga humbja rrënuese e 11 majit të këtij viti, ku PS bashkë me aleatin hipotetik të saj PSD ka shumicën cilësuar përmbi 84 vota në Kuvend, të mjaftueshme për të votuar ligje me shumicë të cilësuar në funksion të anëtarësimit në BE, pa ia marrë ‘dorën’ Berishës dhe opozitës në tërësi!

Ndërsa kalimi i dimrit është më kollaj. Meqë është dhe ftohtë e shkulja e mikrofonëve apo dhe kabllove të sallës së Kuvendit apo të kryesisë së Kuvendit mund të shkaktojë ndërprerje të energjisë e për pasojë dhe të ngrohjes, skenari i PD është gati: Do mbledhin karriget e Kuvendit brenda, bashkë me tavolinat, pak benzinë e një shkrepse dhe ja, zjarri i bë, ngrohja është e garantuar! Shtuar dhe ‘tejnxehja’ nga përplasja me deputetët kundërshtarë trup më trup! Duke filluar nga Gaz Bardhi! E kanë parë sa fort shtyn ai në këto raste, shtyn me shumë stil Gazi!

Ndërkohë që në behar, meqë dita zgjatet dhe moti ngrohet, si dhe lëvizjet e turistëve janë të shtuara, skenari i Berishës dhe PD është dalja në ndonjë kryqëzim rruge dhe në mungesë të mbështetësve do të vendosin makinat luksoze të deputetëve për të bllokuar rrugët, dhe për t’ua nxirë jetën njerëzve! E kanë bërë dhe herë të tjera! Pastaj ndonjë kauzë e rastit spontane për të mbajtur me gajret mbështetësit, derisa t’i ‘dorëzohen’ pushimeve të gjata të verës së ardhshme!

Këto janë skenaret, tepër të lexueshme, të Berishës dhe PD për muajt në vijim duke filluar nga shtatori e përfunduar në korrik të vitit të ardhshëm! Por teksa po përmendnim skenare, Berisha nuk ndryshon kurrë dhe është gjithnjë në ‘habitatin’ e vet këtu, na erdhën në kujtesë skenarët e vjeshtës së vitit 1997, kur PD dhe Berisha ishin larguar nga pushteti vetëm në vitin e parë të mandatit të dytë qeverisës, pas shpërthimit të ngjarjeve të marsit 1997 për shkak të rënies së firmave piramidale, rënies së shtetit për tre ditë me hapjen e depove të armëve të ushtrisë dhe zgjedhjeve të parakohëshme. Autori i këtyre radhëve, asokohe gazetar dhe terreni, ‘rastësisht’ futi në dorë nga selia e PD ‘kalendarin e qëndresës’ së opozitës të firmosur nga Berisha, për të përballuar regjimin e dalë nga ‘rebelimi komunist’ sipas tij. Ishte një kalendar që përmbante konferencat e shtypit përditë dhe objektin e tyre, bojkotin e Kuvendit kur dhe si, deklaratat që do të jepeshin për këtë bojkot, kur do të riktheheshin në Kuvend nga bojkoti pas disa muajsh, tekstin e deklaratës që do të mbahej në atë rast, kur do të bojkotonin sërish si dhe deklaratat respektive! Kërkesën për largimin e ish kryeministrit Fatos Nano, protestat që do të fillonin nga Mamurrasi, Laçi e Shkodra dhe do të ‘rrethonin’ Tiranën.

Kërkohej sakrificë sublime. Ishte një ‘kalendar’ gati 2 vjeçar, në të cilin ishin hartuar paraprakisht dhe deklaratat për shtypin, bëheshin me print asokohe, për sqarim të gazetarëve të rinj, që nuk e kanë ‘prekur’ atë kohë. Tashmë ata janë në epokën e internetit dhe rrjeteve sociale! Dhe pas fillimit të botimit një nga një nga ne. në median tonë asokohe, ‘reprezalja’ në PD solli dhe trauma si shkarkime në sektorin e komunikimit në selinë e PD. Kuptohet, u ndryshuan dhe datat dhe hyrja e deklaratave të parapërgatitura për ngjarjet që do ndodhnin. Të cilat për hir të së vërtetës ndodhën, pasi Berisha e kishte ndarë mendjen që do të ndodhnin! Janë në google ato!

E përmendëm këto, për të treguar se Berisha ka vepruar e vepron sipas realitetit të tij paralel, ndodh apo nuk ndodh ngjarja. Nëse e ka vendosur me mendjen e tij, ai është në gjendje ta shpikë sipas interesit të tij! Kështu dhe me këtë ‘kalendarin’ e sivjetëm të lëvizjeve politike për 4 stinët e ardhshme të këtij viti politik! I ka fiksuar gjërat Doktori, ka bërë skenarin, çfarë do të ndodhë, kur do të ndodhë, kush do të jenë aktorët, kush do të ‘sakrifikohet’ për të folur apo për t’u përplasur dhunshëm duke rrezikuar paraburgimin, dhe në fund pushimet! Këtu do të jemi, do ta shohim, sepse nuk lëviz Berisha nga ‘koordinatat’ e vendosura prej tij më parë. Nuk ia lë gjërat rastësisë ai, prandaj është katandisur PD në këtë derenxhe, tërësisht e kalcifikuar!

The post Skenari i PD, në vjeshtë ‘guerrile’, në dimër Kuvendin në flakë, në behar…! first appeared on JavaNews.al.

Kurti zgjedh Dimalin e tallet me Kosovën, opozita i mban ‘ritmin’

26 August 2025 at 21:52

Nga Jakin Marena

Kriza institucionale në Kosovë i kishte tejkaluar të gjitha pritshmëritë, teksa ishte kthyer nga një ngjarje tragjike në politikë, në një teatër komik, për nga mënyra e realizimit dhe funksionimit!

Zgjedhjet e zhvilluara dhe të certifikuara që në muajin shkurt të këtij viti, nuk kanë mundur që për afër 7 muaj me radhë të çojnë produktin e e dalë nga gara elektorale, në Kuvendin e Kosovës, pasi Kuvendi qëndroi pa zgjedhur kryetarin dhe pa u konstituuar deri në mesditën e sotme.

Për pasojë mbeti në ngërç dhe zgjedhja e qeverisë së re e cila do të udhëheqë Kosovën në këtë mandat katër-vjeçar, përballë sfidave të rëndësishme që po kalon Kosova, e cila ka si detyrim rritjen e njohjeve nga bota, integrimin në strukturat eurotlantike, përballimin e krizave rajonale dhe më gjërë, e mbi të gjitha qeverisjen dhe mirëqenien e popullit shqiptar të Kosovës.

Praktikisht në shtetin e Kosovës nuk funksionjnë as Kuvendi, as qeveria e cila është në detyrë, por që ministrat meqë kanë zgjedhur mandatin e deputetit nuk mund të marrin sipas ligjit dhe Kushtetutës asnjë vendim si ministra, e për pasojë nuk funksionojnë as institucionet e tjera kushtetuese në vend, duke e futur shtetin e dytë shqiptar në Ballkan në një kolaps të plotë!

Shqiptarët në Kosovë dhe këtej kufirit, por dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, kanë parë të shqetësuar ‘teatrin’ e klasës politike në Prishtinë për gati 7 muaj me radhë, teksa palët për asnjë moment s’kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të arritur në ‘formulën’ për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, dhe më pas konstituimin e tij, që do të pasonte dhe me ngritjen e qeverisë së re!

Asnjëra nga partitë politike nuk e kishte numrin e nevojshëm të deputetëve, pra 61 të tillë, që të zgjidhte kryetarin e Kuvendit dhe të votojë qeverinë e re! Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes është i pari në listën e subjekteve politike, për nga numri i deputetëve të marrë në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, por që fatkeqësisht për të krijuar shumicën e thjeshtë për kryetarin e ri të Kuvendit e qeverinë e re i duhen dhe 13 mandate të tjera!

Të cilët do t’i gjente tek kundërshtarët!

Kreu i partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, Albin Kurti, zgjodhi që të luajë rëndë ‘lojën’ e tij politike me qytetarët, shtetin e Kosovës, opozitën e vetë stabilitetin e vendit!

Albin Kurti, i cili pasi nuk realizoi asnjë njohje në 5 vite si kryeministër, pasi e armiqësoi rëndë Kosovën me partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA, BE e Britania e Madhe, aq sa konkretisht BE vendosi sanksione për Kosovën, si të vetmin vend të sanksionuar në Evropë, ndërsa kryeministri dhe qeveritarët e tij trajtohen pothuajse si persona ‘non grata’ nga partnerët tanë, luajti rëndshëm me vetë themelet e shtetit të Kosovës, të vendosura me gjak e sakrifica me luftën e UÇK, duke e lënë atë pa Kuvend, qeveri dhe institucione të tjera që burojnë prej tyre, për 7 muaj me radhë!

Konkretisht, Kurti me 48 mandate në Kuvend, pa asnjë ftesë për kompromis por sikur ia kanë për detyrë deputetët e opozitës që ta votojnë, vendos kandidatë sipas qejfit, duke filluar me Ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i provokoi rëndë deputetët për gati 45 herë që të zgjidhej kryetare e Kuvendit dhe arriti deri tek 57 votat pro, larg numrit 61 që do të konstituonte zgjedhjen e saj në krye të legjislativit!

Kurti provoi më pas pa sukses që të zgjidhte Haxhiun kryetare Kuvendi, përmes kërkesës për të votuar me votim të fshehtë ngritjen e një komisioni votimi, po në mënyrë të fshehtë për kryetaren e Kuvendit! Një tentativë kjo e kryeministrit në detyrë për të ‘thithur’ ndonjë votë nga partitë e ish opozitës e mbi të gjitha, sikurse shprehen nëpër korridoret e politikës në Prishtinë, LVV i ka të sigurta votat e Listës Serbe në fshehtësi, pavarësisht gjuhës së ashpër që Kurti përdor ndaj tyre. Pavarësisht dhe kërkesave e vendimeve të përsëritura të tij, përmes KQZ për ta lënë jashtë zgjedhjeve vendore. E provoi dhe në zgjedhjet parlamentare, ku në shkallën më të lartë të mbikqyerjes së përgatitjes së zgjedhjeve e rrëzuan! Një ‘film’ i parë ky sa herë ka zgjedhje!

Një skemë e tillë e konstituimit të Kuvendit ra, teksa Gjykata Kushtetuese rrëzoi tentativën e Kurtit përmes kryesuesit të seancës Dehari për votimin e fshehtë, duke kërkuar sipas Kushtetutës votimin e hapur, ku palët të kërkojnë kompromis për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërkohë që vendosi një afat 30 ditor për konstituimin e Parlamentit të Kosovës.

Pavarësisht konstestimit të këtij votimi, Kurti sërish hodhi sërish për votim Albulena Haxhiun, më pas Donika Gërvallën dhe në fund të herës Hekuran Muratin dhe Dimal Bashën. Të gjithë ‘skifterët’ e Kurtit kundër opozitës, UÇK-së por dhe vetë shtetit të Kosovës, që sipas gjasave po e çojnë drejt zhbërjes, ashtu sikurse e duan dhe e dëshirojnë serbët, që janë gati!

Albin Kurti nuk i kishte dhe nuk i ka votat. Në vend që të negocionte me partitë parlamentare të dala nga zgjedhjet e shkurtit për të zgjedhur kreun e ri të Kuvendit dhe më pas qeverinë e re, sillej sikur këto parti kundërshtare ia kanë me borxh votat për të bërë shumicën konstituuse dhe qeverisëse. Në vend që të shtrijë dorën e bashkëpunimit e të arrijë kompromis, që s’do të thotë vetëm të marrësh por dhe të japësh, Kurti lëshon fishkëllimën: ‘Psss-t, me duhen dhe 13-14 vota për kreun e ri të Kuvendit e qeverinë e re nga ju, m’i jepni, e keni për detyrë dhe detyrim karshi Kosovës’. Por Kosova i ka dhënë votat për të bashkëqeverisur si parti e parë jo për të qeverisur e vetme, e me votat e partive kundërshtare, PDK, LDK, AAK, “Nisma”, lista serbe e ajo jo serbe!

Një rast i tillë ka ndodhur në vitin 2009 në Shqipëri, kur PD e Sali Berishës mori siç di t’i marrë Berisha votat, 70 mandate deputeti, PS bashkë me Dulen 66 mandate, ndërsa LSI e Ilir Metës 4 mandate! I duhej vetëm një mandat Berishës për të konstituuar Kuvendin dhe formuar qeverinë e re ‘Berisha 2’, dhe u detyrua që pas koalicionit me Ilir Metën, t’i jepte për një votë, gati gjysmën e qeverisë, institucioneve e tërë hierarkisë drejtuese të shtetit! Përfshirë postin e zv.kryeministrit të vendit! Pra siç thonë rëndom këtëj e andej kufirit, për një votë ‘uli br***t partia e parë!

Ndërkohë Kurti u soll sikur ia kanë për detyrë votën, ndërkohë që për konstituimin e Kuvendit, me sa duket ka dashur të tallet me Kosovën, opozitën e qytetarët që e kanë votuar me 42 përqind të votave! Në tentativën e 58 për kreun e Kuvendit, këtë të martë, hodhi sërish në votim si kandidat deputetin Dimal Basha, i cili për habinë e të gjithëve mori dhe votat e një pjese të opozitës, duke arritur në 73 vota pro!

Pra, Kurti talli Dimalin me Kosovën dhe opozitën, por dhe opozita për herë të parë u tregua e ‘zgjuar’ këtë radhë dhe ia dha votat Dimalit për kryetar Kuvendi, duke tallur edhe ajo Dimalin me Kosovën e mbi të gjitha me Kurtin! I cili ndoshta nuk e priste që ta votonin këtë kandidaturë proverbiale të tij, për shkak se Basha është bërë ‘hit’ në rrjetet sociale! Por opozita e votoi, kryesisht PDK, AAK si dhe jo serbët, e tashmë kreu i Kuvendit është zgjedhur! Edhe sikur të kishte qënë më i miri tek Vetëvendosja, sërish sipas urdhrave të Kurtit do të vepronte. Ndaj mirë bëri që kryesisht PDK e zgjidhi këtë ngërç, por njëherësh nxori zbuluar se sa i vlerëson Kurti institucionet e shtetit Vetëvendosja, si parti e parë në vend e dalë nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, duke propozuar dhe votuar për numrin dy të shtetit, Dimal Bashën.

Këtë e konfirmoi dhe kreu i LDK, Lumir Abdixhiku, i cili reagoi duke thënë se “Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës e një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre.

Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK aspiron më lart. Kosova duhet të aspirojë lart. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”. Duke lënë të kuptohet se institucionet e Kosovës janë poshtëruar me këtë figurë në krye të Kuvendit, dhe për më tepër duke e vendosur ‘stekën’ shumë poshtë, çka paralajmëron se me këtë ‘kut’ do të sillen dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Me këtë nivel do ta trajtojnë në çdo tryezë Kosovën, pavarësisht ndonjë vlerësimi tek tuk për zgjidhjen e ngërçit. Por gjithsesi, çdo popull, meriton Parlamentin dhe qeverinë që ka. Votuan LVV, Dimal Bashën do të kenë në krye.

Tani fillon sfida e vështirë për Kurtin, formimi dhe gjetja e votave për votimin e qeverisë së re prej tij! Nëse votat për Dimalin, ishin vota për ‘kunj’ nga PD dhe të tjerat, votimi i qeverisë ha diskutim! Albin Kurti duhet të negociojë rëndë, pasi i duhen shumë vota për të kapur numrin e ‘artë’ 61 vota pro! Për të cilat ose duhet të lëshojë pushtet, ose e drejta e krijimit të qeverisë së re i kalon partisë së dytë, PDK, e kështu me radhë nëse dhe ajo nuk arrin të gjejë numrat! E sigurtë është se në një formë apo tjetër, zgjedhjet e parakohëshme janë të paevitueshme në pranverën e ardhshme, sepse Vetëvendosja mezi gjeti votat, për Dimalin, ndërkohë që Presidenti kërkon 2/3 e votave në Kuvend E Dimali ndoshta do të ketë shansin e artë për të qënë dhe President i vendit, gjë që as në ëndrrën më të bukur të tij, por dhe të shqiptarëve të Kosovës nuk e kishin parë!

Me rëndësi është se skema e Kurtit për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të parakohëshme në një datë me ato vendore, dështoi! Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit, shmangu shumë probleme për hir të së vërtetës,pavarësisht slloganeve epike të tij, “me bo koncerte verës, kur të vinë diaspora. Mi livadh mi leshu nanat me lujt”, e gjëra të tjera të këtij lloji, të cilat do të ketë kohë të mjaftueshme t’i shumëfishojë dhe himnizojë më shumë në të ardhmen! Por, a do t’i lëshojë “nanat” tash si kryetar i Kuvendit? Mbetet për t’u parë. Por mund të krijojë edhe ndonjë problem, sepse deklaratat e tij ndaj SHBA, BE e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë kanë qënë të ashpra, dhe përtej deklaratave normale, pavarësisht se vetë Dimali është shkolluar në SHBA. Ka deklaruar pikërisht ato për të cilat Kurti rezervohej të deklarohej publikisht. Mbetet për t’u parë nëse do të mundë të përbahet tashmë në qëndrime! Të presim e të shohim më tej!

The post Kurti zgjedh Dimalin e tallet me Kosovën, opozita i mban ‘ritmin’ first appeared on JavaNews.al.

‘Zbutjen’ Trump-Putin, Berisha e sheh si ‘amnisti’ për paratë ruse?!

20 August 2025 at 18:55

Nga Jakin Marena

Në PD ka një keqkuptim shumë të madh me veten e kjo nuk ndodh për herë të parë! Në kushtet e pafuqisë totale për të bërë politikë në vend, për të thithur elektorat e për të ardhur në pushtet, lidershipi demokrat sheh çdo lëvizje në rajon apo në arenën  ndërkombëtare, si një lëvizje që në një formë apo tjetër ka në qendër hallin e Berishës, familjes së tij dhe të ithtarëve të tij në PD.

Me atë universin e tyre paralel, demokratët që kanë mbetur në PD dhe për shkak se mendojnë me trurin e Berishës, ka 35 vite që u është bërë ‘lavazh’ truri e më këtë shpjegohet dhe mbështetja që ia dhanë për ta bërë kryetar një të rikthyeri pas 10 vitesh nga ‘varri politik’ siç është Berisha, dhe ngjarjet më të fundit që ndodhën njëra pas tjetrës, njëherë me takimin mes ‘carit’ rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në Alaskë në funksion të paqes mes Rusisë e Ukrainës, apo disa ditë më vonë në takimin e realizuar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin ukrainas Zelensky dhe liderët e BE e të Britanisë, i shohin sikur nuk kanë lidhje me dhënien fund të luftës në Ukrainë, por sikur kanë diskutuar vetëm për hallin e Berishës me ‘non gratën’ e tij në SHBA dhe me përballjet që ai ka me drejtësinë! Dhe nuk ka pak dosje në ngarkim të tij!

Është një realitet paralel dhe tërësisht i përmbysur ky i parë nga Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët në vend që të gëzojnë për ato pak hapa të vegjël para që ka bërë çështja e dhënies fund të luftës mes Rusisë e Ukrainës, merren me detaje të vogla se si u soll Trump me Putinin, mënyrën si e priti, si doli para mediave, çfarë thanë dy liderët respektivë të dy fuqive të mëdha botërore, e mbi të gjitha komunikimin 10-15 minutësh të tyre në ‘vetmi’ në makinën në të cilën lëvizën të dy nga aeroporti drejt vendit ku do të zhvillohej takimi! Apo ‘loja’ me foto-montazhet se si e prisnin liderët evropianë e të BE si ‘nxënës’ të bindur Trumpin në korridoret e Shtëpisë së Bardhë!

Nuk po hyjmë në detaje të këtij takimi, as me situatën e mëvonshme se si do të precipitojnë ngjarjet në lidhje me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, rolit që mund të luajnë SHBA e fuqitë evropiane në arritjen e paqes, nuk mund të parashikojmë as paparashikueshmërinë e situatës për shkak se vetë Trump është një politikan i paparashikueshëm, ndërkohë që Putin është lehtësisht i lexueshëm në kërkesat e tij për të marrë në dorë dhe bashkuar me Rusinë tërë jugun e pasur të Ukrainës, pra dhe atë pjesë që nuk i ka pushtuar ende. Ose përndryshe nuk ka paqe për të!

Ajo që ne dimë, është se si po e lexon lidershipi i PD i drejtuar nga Sali Berisha këtë ‘zbutjen’ e presidentit amerikan Trump me homologun e tij rus Putin. Që për hir të së vërtetës, ndonëse pak e ekzagjeruar nga Trump, presidenti amerikan ka qenë i detyruar që, për t’i dhënë fund luftës tre vjeçare që ka marrë deri më tani mbi 1 milion jetë njerëzish, të ‘cedojë’ pak në raport me pritjen që i bëri ‘carit rus’ në Alaskë, si dhe përdorimin e disa kërkesave të Putin, që kanë të bëjnë me pamundësinë e rikthimit të Krimesë, Ukrainës, apo dhe pamundësinë e anëtarësimit në NATO po të Ukrainës. Dikush i sheh si përpjekje për lehtësimin e dialogut, dikush si ‘dashuri’ të Trump për të ‘fortin’ Putin, dikush tjetër si një përpjekje për të tejkaluar situatën! Punë e tyre!

Dhe ajo që po shohim jo pa dhimbje është fakti se Berisha dhe PD janë më shumë se të ekzaltuar me atë çfarë ka ndodhur dhe po ndodh, duke e ‘impostuar’ realitetin përmes realitetit të tyre paralel, sikur Trump e Putin më shumë se sa për Ukrainën, po flasin për Shqipërinë, hallin e Berishës që e ka lënë PD plot 16 vite në opozitë, si dhe hallet e tjera të Berishës e familjes së tij! Si dhe ‘hallin’ që kanë me Ramën, i cili nuk po i lë që nuk po i lë që të fitojnë asnjëherë!

Duket sikur në PD, më shumë se sa për arritjen e paqes mes Rusisë e Ukrainës dhe dhënies fund të përplasjes ushtarake që po merr jetë njerëzish dhe po zhyt ekonominë botërore në krizë, po gëzojnë për ‘zbutjen’ e Trump me Putin. E quajnë kthesë historike ndryshimin e qëndrimit të presidentit amerikan, është në të vërtetë pavarësisht se i ka brenda të dyja rezultatet-progresin dhe dështimin, por lidershipi demokrat dhe vetë Berisha tentojnë t’i japin ngjyrime të tjera kësaj ‘zbutjeje’ për interesa strategjike, duke e ‘përafruar’ me hallin që ai ka me ‘non gratën’ në SHBA, përballjen me drejtësinë dhe akuza të tjera që janë bërë në drejtim të Berishës dhe PD dhe nga CIA amerikane, për sponsorizimin e PD  nga Kremlini me gjysmë milioni dollarë për të krijuar destabilitet në Shqipëri.

Berisha dhe të tijtë gati sa nuk e quajnë ‘amnisti’ për kreun e Kremlinit këtë ‘zbutjen’ e Trump me Putinin, pavarësisht kondicionit politik dhe gjeopolitik për të cilin po ndodh. Gati sa nuk e quajnë Putinin ‘viktimë’ të Sorosit dhe sorosianëve në krye të SHBA, me në krye ish presidentin Joe Biden, të cilët e sollën situatën në këtë derenxhe në të cilën ndodhet bota sot, me luftën Rusi-Ukrainë dhe luftra të tjera nëpër këmbë.

Në pamje të parë duket sikur dhe në PD, janë në të njëjtën linjë me Trump i cili thotë se të kisha qenë unë presidenti i SHBA, nuk do të kishte ndodhur lufta Rusi-Ukrainë, tezë që Trump  dëshironte ta dëgjonte nga Putin, të cilën arriti ta dëgjonte. Ndërkohë që këta mbështetësit e Trump në Tiranë, duke filluar nga Berisha dhe përfunduar tek Këlliçi bëjnë sikur përçojnë idetë e Trumpit dhe në këtë cep të globit, për hir të së vërtetës realiteti është krejt ndryshe. Jo vetëm Trump por as ata që janë rreth tij, nuk e dinë nëse ekzistojnë këta robtë këtu në Tiranë apo jo. Pavarësisht se Berisha ka paguar mbi 20 milionë dollarë thjeshtë e vetëm për të futur emrin e tij në ‘radarin’ e njerëzve të Trump, me shpresën për t’i hequr ‘non gratën’.

Teksa gjasat janë zero për të hequr ‘non gratën’ e Berishës në SHBA, kishin disa herë shanse DASH dhe administrata e re amerikane e drejtuar nga Trump për ta bërë këtë punë, Berisha dhe të tijtë po përpiqen që ‘zbutjen’ e Trumpit me Putinin, ta paraqesin me lezet para ithtarëve të tyre por dhe para publikut shqiptar, si një ‘amnisti’ për liderin rus në raport me luftën dhe krimet që ka kryer në Ukrainë si dhe problemet që ka shkaktuar, teksa është cilësuar kriminel luftë jo vetëm nga tërë bota demokratike, por dhe nga paraardhësi i vetë Trump, ish presidenti Biden!

Dhe nuk e bëjnë këtë përpjekje thjeshtë e vetëm sepse janë të ‘dashuruar’ me rregull treshi me Putinin, ndoshta dhe kanë qënë gjatë gjithë kohës dhe vazhdojnë të jenë të tillë, por tentativën për ta quajtur Putinin të ‘aminstuar’ nga Trump e bëjnë në përpjekje për të ‘amnistuar’ dhe vetë Berishën e PD, të cilët morën gjysmë milioni dollarë nga Kremlini, pjesa e dukshme kjo, për të destabilizuar Shqipërinë dhe më gjerë tërë rajonin e Ballkanit.

Pra, tentojnë të ‘zerojnë’ të gjitha akuzat që janë bërë deri më tani ndaj Berishës se Kremlini ka sponsorizuar Berishën dhe PD në Shqipëri! Duke tentuar të ‘mbjellin’ qëndrimin se Putini nuk është ‘aq i zi sa thonë’, ‘ai u prit me nderime nga Trump’, e për pasojë janë pa rëndësi ato paratë e dhëna nga qeveria e Putin për PD-në e Berishës që të destabilizonte Shqipërinë!

E vërteta është krejt ndryshe. Takimi në Alaska erdhi për të shuar një luftë, për të evituar një destabilitet dhe kursyer jetë njerëzish në Ukrainë dhe më gjerë. Ndërsa paratë ruse Putini i dha për PD për të ngritur një vatër krize në Ballkan, për të destabilizuar Shqipërinë dhe rajonin, me shpresën e tërheqjes së vëmendjes nga krimet që po bëhen në Ukrainë! Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, pavarësisht se realiteti paralel i Berishës dhe i të tijve tenton pa sukses t’i puthisë!

The post ‘Zbutjen’ Trump-Putin, Berisha e sheh si ‘amnisti’ për paratë ruse?! first appeared on JavaNews.al.

‘Berisha-news’, por s’di ku bie Gërdeci e çfarë bëhet në Sazan!

14 August 2025 at 19:48

Nga Jakin Marena

Sali Berisha nuk ka asnjëherë informacion kur atij nuk i intereson për çfarë flitet e bëhet apo dëshiron të fshehë diçka të madhe, përfshirë edhe tentativën për të mos dhënë një qëndrim të qartë mbi një ngjarje apo mbi një fakt.

Me një fjalë, kur Berishës nuk i shkon diçka për ‘osh’ ai bën sikur nuk di asgjë, nuk ka asnjë informacion sado i thjeshtë të jetë, sikur s’njeh askënd, sikur s’ka kaluar kurrë nëpër ato rrugë apo vise që përmenden. E bën aq hapur një gjë të tillë, sa teksa në fillim besohej se vërtetë lideri demokrat nuk merrej me ‘gjëra aq të vogla’ në dukje, por me kalimin e kohës një besim i tillë ka rënë tërësisht, për të zënë vend qartë akuza për hipokrizi ndaj tij.

E themi këtë sepse Berisha ndërsa shprehet për gjërat që nuk i shërbejnë se nuk ka dijeni apo nuk i njeh, tregon qartë se e mban syrin te ‘vrima e çelësit’, duke ‘përgjuar’ dhe marrë nëpër gojë të gjithë ata shqiptarë, politikanë, gjyqtarë, prokurorë ose të thjeshtë, të cilët i cilëson kundërshtarë të tij dhe të familjes së tij, teksa nxjerr në tregun mediatik ‘lajme’ nga më të paimagjinueshmet dhe të pabesueshmet!

Dikush tha se Berisha na kujton atë barcaletën që kishim në rini, kur pyetej një nga personat me kujtesë fenomenale por autodidakt, për ngjarje, data e periudha historike dhe për ta zënë gafil, e pyesnin se ku është bërë Lidhja e Prizrenit, ndërkohë që ai thoshte me pafajësinë proverbiale të tij: Këtë vërtet nuk e di! Por Berisha nuk është nga ky kontigjent. Ai ka kujtesë të fortë, ndërkohë që ‘harron’ vetëm atë që i leverdis ta harrojë, të mos e kujtojë apo të mos e njohë!

Këto na erdhën në mendje, teksa dëgjuam ditë më parë përgjigjen e tij në lidhje me situatën e investimit të dhëndrit të Donald Trump në Sazan! Duke këmbëngulur se nuk ka asnjë dijeni nëse mund të jetë shitur apo falur për Jared Kushner ky ishull, pavarësisht se është në Shqipëri dhe për më tepër Berisha pretendon se nuk fluturon, as noton e as ecën në tokë asgjë pa qenë ai në dijeni.

“Së pari, të jem i hapur me ju, nuk kam asnjë të dhënë se kemi të bëjmë me një shitje. Ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro, siç dihet, për një periudhë të caktuar të terreneve, trojeve dhe tokave. Unë nuk kam asnjë dijeni se, ishulli i Sazanit është blerë nga çifti Kushner apo është shitur nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama personalisht, nuk kam asnjë lloj dijenie, sepse ligjet shqiptare nuk parashikojnë një gjë të tillë”, deklaroi Berisha para mediave. Pra, s’di gjë!

Por vetëm pak kohë më parë Berisha ka deklaruar se kryeministri Rama ia dha Sazanin dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump për qëllime e influencë politike. Teksa u shpreh se për Sazanin ka pasur kërkesa dhe oferta për Sazanin nga shumë biznesmenë dhe investitorë që prej vitit 2001, por qeveria së fundmi vendosi ta jepte të Jared Kushner. Berisha tha i bindur se Rama ia dha Sazanin dhëndrit të presidentit amerikan thjeshtë e vetëm për qëllime e influencë politike. Duke prezantuar tashmë një ndryshim qëndrimi me 360 gradë, në deklaratën e një ditë më parë për këtë investim të rëndësishëm, krahasuar me atë që ka dhënë disa muaj më parë!

Tani këtë ‘piruetë’, Berisha e ka bërë nga frika prej Trump, nga frika se do t’i shkojnë dëm gati 20 milionë dollarët lobime në SHBA për të hequr ‘non gratën’ apo së paku për të garantuar një vizë sa për të shkelur tokën amerikane, nga frika se mund të zbardhen detaje tronditëse nga dosja e tij në DASH që e shpalli ‘non grata’, nëse ‘harron’ sulmon vajzën e preferuar të Trump, Ivanka e dhëndrin e tij Kushner, apo se kështu i volit politiksht në këtë moment, kjo mbetet për t’u parë.

E themi këtë sepse Berisha po atë ditë doli si gjithnjë jashtë kontrollit me fantazitë e tij, duke sulmuar kryeministrin Edi Rama, në lidhje me atë që kreu i PD e quan skandali me shefin e FBI, McGonigal. Teksa ka deklaruar se do të ngrejë një komision hetimi për këtë çështje, ndërsa akuzon kreun e SPAK, Altin Dumani se është një vegël e Edi Ramës, pasi sipas tij e ka varrosur këtë dosje të rëndë! Që për hir të së vërtetës s’ka lidhje aspak me Shqipërinë e shqiptarët!

Hyn dhe në detaje të imta fare, a thua ka qenë prezent në SHBA në të gjitha aktet që ai thotë se kanë ndodhur mes ish shefit të FBI dhe njerëzve të Ramës, që i përmend me emër, mbiemër, familjarë, nga vijnë si origjinë, ku kanë punuar, kur janë martuar, sa kalamaj kanë, e gjëra të tjera të këtij lloji! E di se nuk merret njeri për verifikimin e këtyre detajeve të panevojshme, ndërkohë që ata që u përmend emrin as duan t’ia dinë se çfarë thotë Berisha. Kapet pas çdo situate, pas çdo lajmi të rremë në media, të cilin pasi e merr dhe e përpunon siç di vetëm ai, e degjeneron në atë farë feje, sa dhe nëse ka ndonjë përqindje sado të vogël vërtetësie brenda tij, e “këput” fare, duke e bërë tërësisht të pabesueshëm e të papërtypshëm. Berisha këtu është në ‘habitatin’ e vet!

Kërkon hetim për McGonigal, pavarësisht se SHBA e ka mbyllur hetimin e vet atje, për shkelje të rregullave e ligjeve amerikane nga ana ish zyrtarit të lartë të FBI-së, ku s’përmendet në asnjë rast fjala “korrupsion” apo lidhje me Shqipërinë. Berisha ditë pas dite po bën teori konspirative, duke e kthyer Shqipërinë në qendër e botës dhe duke cilësuar Ramën me pa të drejtë, njeriun që qeveris jo vetëm Shqipërinë por dhe Amerikën. Dikur përmes Sorosit e zyrtarëve të lartë të FBI, sipas Berishës, ndërsa tani hajde merre vesh se me kë po e ‘menaxhon’ Rama dhe Trump-in.

Ndërkohë që Berisha nuk di se çfarë ndodh me ishullin tonë në Shqipëri, Sazanin, e tha një ditë më parë, kohë më parë sajonte teori të pabesueshme konspiracioni, për nga nga shkalla e fantazisë, duke e “impostuar” kryeministrin e vendit Rama, në “një ishull” të veçuar të Paqësorit në mes të askundit dhe ku sipas tij “po pyetet nga agjentët e FBI”. Paçka se asokohe Berishës, ende nuk ia kishin pranuar 20 milionë dollarët për lobim në SHBA për të hequr atë të bekuar ‘non grata’. Ndërsa ende nuk kishte ardhur Trump në Shtëpinë e Bardhë!

Dhe këtu ka një kontraditkë shumë të madhe në ato që thotë Berisha, në kohë të ndryshme, për të treguar se ka informacion të ‘thelluar’ për gjithçka dhe nga ana tjetër bën sikur është i paditur dhe për informacione elementare. Nga njëra anë flet me detaje për gjithçka, duke thurur teori të mëdha konspiracioni, sikur ka qenë në “ishullin” ku “qëndroi për tre ditë” sipas tij Rama duke u pyetur nga agjentët e FBI”, sikur ka qenë pas ferrës dhe ka dëgjuar dhe mbajtur shënim gjithçka, sikur ka qenë prezent si hije në të gjitha marrëveshjet e supozuara nga vetë ai, mes Ramës e ish zyrtarit të FBI që i paskan bërë “puçin” kreut të PD për ta shpallur ‘non grata’ nga SHBA e për ta evidentuar nga CIA amerikane si filorusin më të madh në Shqipëri, që u financua me gjysmë milioni dollarë për të destabilizuar vendin, para që i mori Berisha në fakt!

E sipas këtij realiteti paralel që ka krijuar vetë dhe me të vetët, Berisha kërkon të ngrejë komision hetimi për ‘McGonigal’, çështje që tashmë e ka harruar dhe vetë Amerika! Hajde merre vesh!

Apo flet me kompetencë dhe për ngjarjet më të fundit, ato të  përfshirjes së shumë fshatrave dhe zonave turistike nja zjarret, pothuajse në 99 për qind të raste të vënë nga dora e njerëzve, ‘piromanët’ ndjejnë kënaqësi kur shohin djegien e vreshtave me ullinj, pemëtoreve, pyjeve apo banesave, ndonjë kishe dhe kasolleve të bagëtive me gjithë bagëtitë brenda, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve shqiptarë! Berisha sërish bën kompetentin, të gjithëditurin, duke deklaruar se nuk kishte ushtarë e policisë shqiptarë për fikjen e flakëve, por ishin të huaj! Ka fyer të gjithë këta heronj që u përballën e flakët për të shpëtuar jetë njerëzish e pasurinë e shqiptarëve, anipse rrezikuan dhe jetën e tyre.

U poqën nga njëra anë zjarri, fryt i devijancës së trurit njerëzor siç janë ‘piromanët’, nga ana tjetër vapa e tmerrshme nga temperaturat më të lartat e dekadave me radhë, nga ana tjetër Berisha që flet ‘kaluar’ nga bjeshkët e Tropojës ku gjendet bashkë me dhëndrin, se ushtarët dhe policët shqiptarë nuk janë në aksion për fikjen e zjarreve. Madje hedh dhe lajme të tjera me ithtarë të tij, sipas të cilave zjarret janë ndezur për të pastruar vendin për ndërtimin e kullave! Kulla në Gramsh, në Delvinë, Bulqizë, Munellë? S’ka faj’ i ka punët në terezi, është me vila e shtëpi në Shqipëri dhe në të gjitha kryeqytetet më në zë të Evropës, leku letër dhe e ka harruar kasollen e lopës në Viçidol të Tropojës, ku ka lindur dhe është rritur!!

Nga ana tjetër Berisha bën të paditurin për shumë e shumë gjëra, përfshirë dhe ishullin tonë, jo në mes të Paqësorit, por diku aty përballë Vlorës sonë heroike. Bën të paditurin sidomos për ato shkelje ligji e deri korrupsioni të përgjakshëm ku kanë gisht ai e familja e tij, kanë shkaktuar humbje jetësh të pafajshme, miliona euro të vjedhura, prona të tjetërsuara dhe vrasje nga shteti i drejtuar prej tij në mes të bulevardit. Sipas akuzës këto të gjitha, nuk po ia shpikim ne! Për këto gjëra të ‘vogla’ nuk kishte dhe nuk ka ‘dijeni” Berisha fare. Po fare. Madje as nuk i kupton, bën sikur nuk dëgjon pyetjet dhe nuk sheh asgjë.

Ende ka ‘dilema’, nëse Berisha e ka mësuar se ku ‘bie’ Gërdeci, fshati që hodhi në erë djali i tij me biznesin e demontimit të municioneve, duke vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosur mbi 300 të tjerë. Berisha asokohe deklaroi se nuk e dinte ku binte Gërdeci, megjithëse e ka marrë me zvarritje këtë zonë gjatë zboreve, një jetë të tërë. Deklaroi se nuk dinte se nga binte Gërdeci, nuk e kishte dëgjuar këtë emër kurrë më parë, pavarësisht se ishte ‘therur’ me ish zv.kryeministrin Ilir Rusmali e ish ministrin Financave Ritvan Bode, të cilët nuk pranuan për qamet kalimin e lejes për Gërdecin me vendim qeverie, duke ia lënë ‘peshqesh’ ministrisë së Mbrojtjes, të drejtuar asokohe nga Fatmir Mediu, i cili tani është në dyert e gjykatave!

Berisha madje nuk ‘dinte’ as se punonte baxhanaku i tij në këtë punishte, i marrë në punë nga Shkelzeni, duke i ngatërruar me qëllim dhe emrin, teksa deklaronte emrat e viktimave të këtij shpërthimi të korrupsionit shtetëror të drejtuar nga djali i tij sipas akuzave, dhe për të cilin ishte angazhuar i gjithë shteti, në fillim për ta ngritur e më pas për të mbrojtur krimin që ndodhi. Duke shkatërruar edhe drejtësinë shqiptare nga themelet. S’i kish treguar gjë liria për martesën e motrës! Le më të ketë qenë në drekën e vogël në formë dasme, të organizuar me këtë rast!

Ndaj nuk e besojnë më shqiptarët Berishën, në këto ‘pirueta’ që bën herë pas here. I ka mashtruar aq shumë, sa dhe historinë më të bukur konspirative të tregojë, madje të ‘qendisur dhe me fije ari’ ta rrëfejë, gjithnjë shqiptarëve Berisha do t’ju kujtohet se tha se nuk e dinte ku binte Gërdeci, nuk njihte baxhanakun e tij. Prandaj nuk na bëri shumë përshtypje deklarata e Berishës se s’dinte asgjë çfarë ndodhte me Sazanin dhe investimet e dhëndrit të Trump. ‘Film’ i parë ky!Për më tepër dukej sikur pajtohej me Ramën në këtë pikë, duke dalë tërësisht nga boshti i tij konspirativ i kohëve më parë. Sidomos para zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti.

Megjithatë, në fund të herës Berisha është shumë, shumë argëtues! Sidomos kur bën sikur s’sheh, sikur s’kupton, sikur s’njeh askënd, sikur nuk ka asnjë informacion! E pastaj ngrihet ‘pupthi’ e fillon e ‘kurdiset’ pas disa minutash, me informacione të ‘dorës së parë’ për detaje nga më të imtat! Anipse në 99% të tyre del bllof, duke i ardhur përgënjeshtrimet nga të gjitha anët! Por ama bën sikur i di të gjitha!

Ta ‘hajë kush ta hajë’, ai ka për detyrë që ta nxjerrë nga goja atë që ka në mendje, jo të thotë ndonjë të vërtetë! Kështu ka vepruar gjithnjë, ky është ‘habitati’ i tij për 35 vite me radhë! Nuk presim të ndryshojë tani në pleqërinë e thellë! Madje as nuk duam që të ndryshojë për aq vite sa i kanë mbetur. Është më argëtues kështu! Dhe mbi të gjithë, larg pushtetit, pa mundur të ngatërrojë gjë më. Na dhimbsen pak, demokratët, por ata Berishën duan!

The post ‘Berisha-news’, por s’di ku bie Gërdeci e çfarë bëhet në Sazan! first appeared on JavaNews.al.

Berisha në Tiranë, PD me pushime. Pse po ‘ngacmohet’ Salianji!

8 August 2025 at 13:55

Nga Jakin Marena

Në Partinë Demokratike, që nga lidershipi e deri tek drejtuesi më i thjeshtë në bazë, janë me pushime të gjata!

Kjo është shumë e sigurtë.

Sezoni i plazhit për ta ka filluar që nga mesi i muajit korrik, dhe po vijon me të njejtin intensitet dhe tani në gusht, për t’u mbyllur nga fundi i shtatorit.

Kështu ka ndodhur për vite e vite me radhë, dhe sidomos pas ‘sforcimit’ të garave elektorale, siç është rasti dhe i zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti, ku pushimi ka qënë më se i nevojshëm. Madje me ‘valë’ të gjata, për të gjetur freskinë, pas një fushate zgjedhore të ‘nxehtë’!

Anipse PD ka shënuar humbjen e katërt radhazi përballë PS të drejtuar nga Edi Rama, në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, duke iu ‘dorëzuar’ një mandati tjetër në opozitë, lidershipi i PD ka nevojë për pushime! Janë lodhur liderët demokratë, sidomos para fushatës teksa bëheshin listat, për t’i mbushur mendjen Berishës që të jenë në listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë dhe për të qënë të sigurtë për mandatin e ri kuvendor.

Njerëzit rreth Doktorit, ata qëndrestarët në fillim, por dhe ata që ‘tradhëtuan’ Bashën, ia dolën që të jenë në Kuvend dhe këtë radhë, pavarësisht se shënuan një rezultat rrënues në këto zgjedhje, duke marrë e gjithë opozita e bashkuar vetëm 50 mandate deputeti, rezultati më i keq në tërë periudhën postkomuniste për partinë e parë opozitare! Përballë Ramës që mori më 11 maj plot 83 mandate deputeti si asnjëherë tjetër, plus 3 mandate të aleatit hipotetik PSD, për të pasur më në fund në Kuvend shumicën e cilësuar për miratimin e ligjeve në funksion të integrimit në BE!

Me mandatin e deputetit në ‘xhep’, lidershipi i PD ka ‘zbarkuar’ në bregdet, kush tek vila e tij personale, kush tek vila e ‘kushuririt’ apo ‘vjehrrit’, dhe po marrin rreze e po freskohen në këto ditë të nxehta vere, për t’u përgatitur rëndshëm për betejën opozitare të vjeshtës.

Pasi dhe kreu i PD, Berisha, ka paralajmëruar më se njëherë se në këtë vjeshtë do të bëhet nami, ‘revolucioni’ do të përmbysë rregjimin e Ramës, i cili sipas tij ‘nuk do të ketë vrimë ku të futet’! Dhe pikërisht për këtë ‘ditë kiameti’ për Edi Ramën dhe qeverisjen e tij, deputetët dhe lidershipi i PD po përgatiten fort, duke ‘trashur’ madje dhe lëkurën në diell, për të qënë të padepërtueshëm dhe nga akuzat për ‘trashje zëri’ në funksion të kapjes së ndonjë pazari, apo për të mirat e tjera materiale që nuk u kanë munguar asnjëherë në këto 12 vite opozitë. Për më tepër disa syresh janë bërë dhe me lekë, më shumë se sa në kohën kur kanë qënë në pushtet, siç e kanë pranuar dhe vetë apo është bërë me dije nga akuzat që herë pas here ata bëjnë ndaj njëri tjetrit brenda partisë, kur kanë halle politike apo për t’i rënë në sy Doktorit!

I vetmi që i ka bërë ‘haram’ pushimet dhe ka mbetur në Tiranë është kreu i PD, Berisha! I cili qëndron stoik në idenë e tij të ‘denoncimit të masakrës zgjedhore’ sipas tij, dhe del përditë në orën 12.00 para mediave, për të komunikuar me publikun, përmes videove dhe disa tabelave, ripublikimin e vendimeve dhe të ligjeve të miratuara nga qeveria e Ramës, por që për Berishën kanë qënë elementi bazë i fitores së PS në zgjedhjet e 11 majit. Duke shtuar sikurse e di vetë Doktori dhe akuzën për blerjen dhe vjedhjen e votës. Pavarësisht se PS mori 320 mijë vota më shumë se sa opozita e bashkuar, e përkthyer në 32 deputetë më shumë! Por duhet thënë se arithmetika e Berishës mbetet e pashpjeguar, pasi kreu i PD ka një realitet të vetin për matjen!

Por Berisha qëndron në Tiranë dhe për të bërë atë paraqitjen në SPAK, ku lë shënimet e rastit, i këput ndonjë akuzë me leje dhe Altin Dumanit, si dhe ndjek nga larg turizmin në vend, herë del bllof e herë sajon me dëshirë, teksa publikon video që s’kanë lidhje me vende, vite dhe ngjarje të këtij sezoni turistik, por që Berishës i duhen për të mbushur ditën.

Dikush mund të thotë se për Berishën, tashmë në moshën 81 vjeçare, kanë përfunduar kohët e ‘arta’ të rekordeve të qëndrimit në ujë, jo notit të kuptohemi! Dhe kjo mund të jetë! Mosha e bën të veten, e mbi të gjitha Doktori më shumë se sa hallin e rekordeve në ujë, ka atë të ‘rekordit’ për të mbajtur drejtimin e PD, të kthimit të saj në një pronë të veten me ‘hipotekë’, si dhe ka edhe halle drejtësie në kurriz, pasi është familjarisht nën hetim për korrupsion dhe akuza të tjera.

Por dikush mund të thotë se Berisha nuk ka ku shkon për të kaluar vapën e kësaj vere, pasi vila e tij në Gjirin e Lalzit është nën sekuestro apo e konfiskuar për shkak të aferës nën hetim të “Partizanit”, dhe nuk lejohet përdorimi i saj për nevoja personale, duke qënë vijimësisht bosh. Kalonte goxha kohë aty, nën fresk. Kishte dhe Ilir Metën asokohe ngjitur me vilë, ku mund të shkëmbente ndonjë muhabet, në ato momente kur ish presidenti nuk ishte gërxheve dhe pellgjeve duke shëtitur Shqipërinë. Sikur ta dinte i ziu, se do të mbyllej në burg nën akuzat e korrupsionit, ku qëndron dhe sot e kësaj dite, prandaj kishte marrë malet dhe nuk e zinte vendi vend!

Por që të kthehemi tek Berisha, i cili është i vetmi në PD që qëndron në selinë buzë Lanës në Tiranë, ajo që mund të themi është se ai ka mundësinë që të dalë edhe jashtë vendit, në shtëpitë që kanë vajza dhe dhëndëri në disa kryeqytete të Evropës. Të deklaruara nga vetë ata publikisht, nuk po i shpikim ne këto fakte. Por disa janë me rrezik. Si Budapesti, ose ‘Parisi i Lindjes’, i mbështetur mbi lumin Danub, i cili ndonëse mund t’i ofrojë Berishës shansin për të ‘thyer” rekordin e ish liderit komunist kinez Mao Ce Dun, i cili kaloi lumin Jance, paraqet një problem! Berisha nuk di not, dhe nuk ka ku t’i vendosë këmbët në tokë për të bërë notin sipas ‘stilit’ të tij, pasi Danubi është i thellë, e thellësia fillon direkt nga bregu, nuk ka as rojet e shumta rrotull që ta ruajnë dhe ta mbajnë në ‘hava’! Kështu që nuk lëviz nga Tirana, është mirë aty me sa duket!

Megjithëse Berisha është në Tiranë, e del çdo mesditë para mediave për të kontestuar zgjedhjet e 11 majit, ai nuk e sheh të mjaftueshëm mbulimin mediatik në këtë periudhë vere. Prandaj vetë ai ‘sponsorizon’ herë pas here ndonjë ‘sherr’ me Belind Këlliçin, të cilit i lëshon njerëzit më të afërt të tij për ta sulmuar, thjeshtë e vetëm për të treguar se ka fuqinë sërish në PD, dhe për të lëshuar sinjale që të rrinë ‘sus’ të tjerët po në PD.

Por argëtimin e vërtetë Berisha e gjen pikërisht në lajmet që përhap po vetë për hapjen e PD në shtator, debatin brenda partisë që ‘pret’ në këtë muaj ‘revolucionesh’ të pashfaqura, si dhe kërkesat për largimin e tij nga drejtimi i Partisë Demokratike. Këtu gajaset fare Berisha. Madje kur i thonë se Ervin Salianji, i cili veç burgut për ‘Babalen’ ia doli dhe të mbillte flokët e të bënte hundën, për veshët ka shumë diskutime dhe palët janë gati baraz me pro dhe kundër, pra Salianji duhet që në shtator të udhëheqë grupin për reformimin e PD dhe ndryshimit të lidershipit të kësaj partie për të qënë dinjitozë përballë Ramës, Berisha nuk përmbahet më nga e qeshura!

Argëtim i rehatshëm në këtë periudhë vere ku të gjithë po mundohen ta kalojnë sa më mirë, për të shtyrë ditët deri në fillimin e punimeve të Parlamentit të ri! Pra garë për t’i marrë pronën Berishëve!

Vetëm kur e mendon Salianjin përballë tij, në garën për kryetar të PD, Berisha argëtohet. Pasi e ka thënë qartë se drejtimin e kësaj partie e ka mision, e s’ka nen statuti që e ndryshon vendimin e tij. Për më tepër që tashmë në PD kanë rënë në hall për pozicionin e vetë Salianjit në parti pas daljes nga burgu, pasi Berisha ka thënë që do të jetë nënkryetari i grupit parlamentar! Ndërkohë që Salianji nuk është as deputet dhe sipas vendimit të gjykatës nuk ka të drejtë të kandidojë as në zgjedhjet e vitit 2029! Duke qënë deri më 2033 jashtë Parlamentit, edhe sikur Berisha të jetë i ‘vdekur’ për ta futur në Kuvend!

Zyrtarët e PD afër Berishës nuk guxojnë t’ia thonë se Salianji nuk është deputet, kështu që i sapodalë nga burgu, Ervini i shkretë, me gjithë ‘remontin’ e plotë fizik nëpër qendrat estetike sa kohë që ishte në burg ku kishte kohë boll, është i detyruar të zhduket nga qarkullimi dhe të shijojë pushimet, të marrë dhe rreze e të freskohet në det, bashkë me njerëzit më të dashur që ka rrotull, të cilët ‘sakrifikuan’ gjatë periudhës që ai vuante dënimin në qelitë e burgut të Fierit!

Për hir të së vërtetës Salianji nuk ka dhënë asnjë deklaratë këto kohët e fundit, përjashtuar javën e parë sapo doli nga burgu, megjithëse po përpiqen ta vënë me zor e pa dëshirë përballë Berishës për postin e kreut të PD e të reformimit të partisë! Eshtë jo vetëm një situatë tepër e sikletshme për të por dhe e rrezikshme, pasi Berisha dihet se si vepron me të gjithë ata që e marrin seriozisht faktin që dhe mund ta sfidojnë për drejtimin e PD!

Me sa duket emrin e Salianjit e përmendin pikërisht ata që kërkojnë ta bëjnë ‘ushqim’ politik për Berishën, në mënyrë që të mos rrezikojë ndonjë post dytësor në këtë parti! Nuk është rastësi që emri i Salianjit si sfidant i Berishës nisi të dilte menjëherë pasi përfundoi ‘saga’ e lajmeve për mbjelljen e flokëve dhe operacionit plastik në hundë, i realizuar gjatë kohës që ka qënë në burg! Janë lajme të dala nga brenda PD. Me sa duket e duan të ‘pjekur’ Salianjin, ndaj e ‘ngacmojnë’ me këto iderat për të qënë rival të Berishës për postin e kryetarit në PD.

Kjo është situata e PD deri në fundin e shtatorit, kur të mbyllen pushimet e të fillojë ‘revolucioni’ i radhës për të ‘larguar regjimin e Ramës’. Berisha nuk lëviz nga Tirana. Po qëndron solid, pavarësisht temperaturave të larta të këtyre dy muajve të fundit! Ndërsa të tjerët po flladiten në bregdet. Si gjithnjë! Punët i kanë në vijë, janë deputetë, anipse populli demokrat do të përmbyllë 16 vite rresht, e ndoshta dhe më shumë, në opozitë! Por, tani kanë nisur të mendojnë dhe ata për vete. Po kalojnë ‘sinoret’ politike ku tentojnë jo pa sukses punësimin. Do mbijetojnë dhe ata!

The post Berisha në Tiranë, PD me pushime. Pse po ‘ngacmohet’ Salianji! first appeared on JavaNews.al.

‘21 janari’ krim shtetëror, 4 vrasjet me dashje, jo nga plumbat ‘qorr’

5 August 2025 at 18:55

Nga Jakin Marena

Nuk jemi tamam të qartë se çfarë e detyroi ish kryeministrin demokrat Sali Berisha që më në fund ta pranojë publikisht se vrasja e 4 demonstruesve të opozitës së atëhershme më 21 janar 2011 në mes të bulevardit përballë kryeministrisë ishte një vrasje shtetërore!

Ishim mësuar ndër vite e vite me deklaratat e tij, sipas të cilave ai kishte mbrojtur institucionin e kryeministrisë, ndonëse në të gjithë literaturën botërore godina nuk është institucion por tulla e llaç dhe për këto raste ka rregullore se si duhet të veprohet kur titullari nuk është në seli apo kur është në seli, ku dhe evakuohet menjëherë.

Për hir të së vërtetës Berisha ishte jashtë godinës kur u mbodhën protestuesit, por këmbënguli që të hynte në ‘kullë’, madje i provokonte dhe nga dritarja e kryeministrisë ata, duke e ndërlikuar situatën. Ka dhe foto për këtë! Megjithatë, nënvizojmë se godina s’është ‘kulla’ e asnjë kryeministri! Janë të përkohëshëm aty, venë e vijnë!

Berisha nëpër studiot televizive, janë me zë e figurë dhe gjenden lehtë videot, ka deklaruar se mund të vriste jo 3 por dhe 3 mijë demonstrues, nëse kalohej gardhi i godinës së kryeministrisë, gardh që sot nuk ekziston më. Madje kishte kërcënuar dhe ish kreun e opozitës së atëhershme Edi Rama, sot kryeministër i vendit, se nëse do të bënte një hap para më 21 janar, se kishte urdhëruar 4 snajperë që ishin pozicionuar në tarracën e kryeministrisë, që ta qëllonin në kokë! Kreun  e opozitës me një fjalë! Dhe urdhërin e kishte dhënë ai, vetë Sali Berisha!

Pasi është mburrur për vite me radhë e ka dhënë një material të mjaftë dhe për prokurorin më të thjeshtë në këtë vend, që do të shërbente dhe si indicie që të niste një hetim penal ndaj ish kryeministrit të këtij vendi për urdhërdhënie për vrasje politike deri të kreut të opozitës, dhe njëherësh pasi është përballur me vendimin e troçtë të Strasburgut që e ktheu çështjen e cila ka kaluar në SPAK tashmë, duke kërkuar hetimin e dërgimin për gjykim të atyre që dhanë urdhërin për këtë masakër, si dhe pasi është përballur me faktin se prokurorët e SPAK sado xhan ta kenë Berishën nuk kanë nga të luajnë pa e kopsitur dhe zyrtarisht dosjen e ’21 janarit’, e ardhur e kopsitur thuajse nga Strasburgu, Berisha më në fund ka pranuar se është vrasje shtetërore ‘21 janari’! Më mirë vonë se kurrë! Por i ka nxjerrë një ‘bisht’!

Madje është munduar që të japë një shpjegim ‘alla Berisha’ se përse ai e quante krim shtetëror vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar! Teksa ka deklaruar se ata janë vrarë nga punonjësit e shtetit, pra Garda e Republikës, Berisha u mundua të bëjë specialistin e balistikës, duke nënvizuar faktin se mund të ketë dhe plumb rikoshet, pra pa qëllim dhe jo me dashje!

Ish kryeministri, sot kreu i PD, e bën shpjegimin sipas realitetit të tij paralel kur krimi shtetëror bëhet me dashje apo pa dashje. Sipas tij, vrasja në bulevard e demonstruesve nga Garda nuk quhet krim shtetëror me dashje, pasi për të, ‘ka klasifikim krimi shtetëror’. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur quhet, kur shteti e merr të pafajshëm dhe i pushkaton. Kur shteti jep urdhër këtë-këtë, kur s’duhet ta bëjë kurrë atë. Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse Garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje”.

Janë shpjegimet allasoj të Berishës këto, për të justifikuar krimin shtetëror me shumë dashje madje, më 21 janar 2011, anipse atë ditë ai këto vrasje i quajti si vrasje mes vedi të demonstruesve, madje dhe duke dhënë shpjegime përmes videove që publikonte para mediave, se si njeriu i thinjur atyre afër, me çadër pistoletë qëlloi shokun e gjëra të tjera të këtij lloji! Derisa sa doli videoja që tregonte gardistët duke qëlluar e vrarë demonstruesit e pafajshëm, jo në momentin e përplasjes, por teksa shpërndaheshin!

Por në fund Berisha doli aty ku donte, pikërisht aty ku kishte nevojë të dilte, tek urdhërdhënia. I shqetësuar nga fakti se Gjykata e Strasburgut kërkon në mënyrë të prerë pikërisht hetimin dhe dënimin e atyre që kanë dhënë urdhërin për të qëlluar në ‘mish’ mbi turmën, Berisha deklaron se “nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër”! Kundërshton pikërisht atë që asnjë prokuror i SPAK nuk mund ta shmangë. Pra, dhënien e urdhërit për të qëlluar, pasi Garda nuk qëllon pa urdhër. Ka dhe përgjime për dhënien e këtij urdhëri, kush tha ‘qëlloni në mish’, urdhër që dëgjohet në mënyrë lineare në kasetën që është bërë publike, dhe ku kjo kasetë është duke u hetuar nga SPAK!

Dhe sipas ligjit apo të gjitha rregulloreve, në një institucion të lartë, urdhëri jepet nga titullari më i lartë në institucionin ku ka përplasje, në atë rast ishte ish kryeministri Berisha në godinën e kryeministrisë. SPAK le të zbardhë se si prevaloi urdhëri nga ish kreu i qeverisë te ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si e ‘përthithi’ urdhërin me dhunë ish kreu i Gardës Ndrea Prendi, kush e rrahu Prendin teksa u shfaq me hematoma në sy dhe kush ia mori pisoletën për të qëlluar në turmë ‘në mish’, duke i marrë jetën një demonstruesi, kush ia ndërroi ‘veglat’ pistoletës më pas, kush i hoqi dhe fshiu kamerat e sigurisë, kush i zhduku provat, kush e paralizoi policinë e prokurorinë, kush e quajti grusht shteti e lëshoi akuzat me ‘lavire bulevardi’ për kryeprokuroren e asaj kohe dhe ‘horr bulevardi’ për presidentin e asaj kohe, kush ngriti komision hetimi, kush i detyroi mjekët të thonin se ishin qëlluar nga afër viktimat dhe gjëra të tjera të këtij lloji!

Teksa Berisha po tenton që të mbrohet pikërisht në linjën e krimit shtetëror, pa qëllim apo pa dashje, ndryshe mendon Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo Gjykata e Strasburgut siç dëshirojmë ta quajmë shkurt ne shqiptarët, edhe për t’i dhënë forcë vendimeve të kësaj gjykate! Në nëntor 2023, ‘Strasburgu’ e detyroi Shqipërinë që të zbulonte përgjegjësit e vërtetë të krimit shtetëror të 21 janarit 2011, specifikisht ata të cilët urdhëruan Gardën të qëllojë me armë zjarri ‘në mish’ ndaj turmës së protestuesve të opozitës.

Në vendimin prej 48 faqesh të ‘Strasburgut’ sqarohet qartë se pretendimi i Berishës se krimi shtetëror ka qënë pa dashje është absurd, teksa në vendim thuhet se gjatë hetimeve u zbulua që në gardhin para Kryeministrisë janë konstatuar shenja plumbash. Gjykata ngrinte dyshime të forta që shenjat mund të vërtetojnë faktin se gardistët kishin qëlluar drejt turmës dhe një pjesë e mirë e plumbave janë ndalur nga gardhi. Pra jo me rikoshet siç pretendon ish-kryeministri, por ‘drejt e në mish’ sipas urdhërit dhe që mund të kishte shkaktuar më shumë viktima, nëse nuk do të ishte gardhi si ‘mburojë’ natyrale për protestuesit.

Gjykata e Strasburgut e bën të qartë se është dhënë urdhër për të vrarë dhe drejtësia në Shqipëri duhet të hetojë e të dërgojë për gjykim të gjithë ata që kanë dhënë, si dhe përcjellë këtë urdhër të përgjakshëm! S’ka vend këtu për ‘plumba rikoshet’ këtu!

E thënë më thjeshtë, vrasjet më 21 janar 2011 janë krim shtetëror me dashje, me urdhër, sepse Garda nuk qëllon me plumba të vërtetë pa urdhër,  janë vrasje të qëllimshme dhe jo nga ‘plumba qorr’, sikurse kërkon të justifikohet Berisha, për t’i dhënë drejtim tjetër hetimit të SPAK, përmes pranimit të një gjysmë të vërtete për të shpëtuar nga akuza e rëndë për tërë krimin në total.

Ne kemi besim se SPAK do ta hetojë me seriozitet këtë krim, i cili po shihet dhe si ‘test’ për një drejtësi të vërtetë në Shqipëri, për një drejtësi e cila ka mbështetjen e shqiptarëve, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha ka ‘thithur” e “thith’ miliona euro mbështetje në të gjitha planet. Janë lekë të hedhura nga arka e shtetit shqiptar, nga taksat tona, prandaj, duam që hetimi dhe më pas gjykimi të jetë i drejtë dhe sipas ligjit, për t’i dhënë ‘hakun’ që i takon secilit që ka gisht në vrasjet e 21 janarit 2011. Janë 4 jetë njerëzish të marra nga shteti, jo pa dashje por me qëllim!

Përfundimisht, në vitin e 15-të të masakrës shtetërore të ‘21 janarit’, ku plumbat e Gardës morën jetën 4 protestuesve në Bulevard, dosja më e bujshme që nga viti 1990, ndodhet tashmë prej më shumë se një viti në duart e SPAK. Pati ‘pirueta’ dhe kundërshti nga SPAK, e shoqëruar me një lojë ‘ping-pongu’ për të mos e marrë nën hetim këtë dosje të ‘nxehtë’, por më në fund kalimi në SPAK erdhi vetëm pasi u urdhërua nga Gjykata e Strasburgut.

Nga 15 korriku i vitit të kaluar, dosja e një prej të vrarëve të 21 janarit, Aleks Nikës mbërriti nga Prokuroria e Tiranës në SPAK, institucioni i vetëm që ka juridiksionin e fuqinë e që mund dhe duhet të zbardhë rolin e Berishës, kryeministrit të ‘21 janarit’, Lul Bashës, ministrit të Brendshëm të ‘21 janarit’, kreut të Gardës, Ndrea Prendi dhe të çdo zyrtari të lartë të përfshirë në këtë krim shtetëror, vrasje me dashje me plot gojën mund të thuhet. Ka dhe të ‘penduar’ nga Garda e politika që kanë folur, ka dhe prova të reja që janë marrë nga SPAK i cili thuhet se po i heton. Të paktën kështu besojmë!

Prandaj SPAK e regjistroi zyrtarisht procedimin penal për 3 vepra penale, që janë: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim. SPAK tha kohë më parë se ‘21 janari’ është në kompetencën e tij pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

Akuzat janë ngritur pikërisht mbi atë që ‘Strasburgu’ urdhëroi: Të zbulohen ata që dhanë urdhrat për vrasjet, pse Berisha pengoi hetimet, pse mashtroi me kamerat e sigurisë, pse nuk e dorëzoi zinxhirin drejtues të Gardës e policisë në prokurori dhe kush vrau Aleks Nikën e Hekuran Dedajn, që kanë mbetur pa autor. Mund të hetohet dhe përse Berisha dërgoi një çantë me para te vëllezërit e njërit prej viktimave, të cilët e refuzuan me neveri! Meqë Berisha thotë se ishte një krim shtetëror, por pa dashje, pse duhej të afronte para për të mos folur!

Tashmë ‘topi’ është në duart e SPAK për të hetuar këtë vrasje shtetërore, të pranuar dhe nga vetë Berisha më në fund. Thjeshtë mund ta fillojë duke pyetur Berishën në fillim, ta thërrasë njëherë se nuk bëhet kiameti! Pastaj le të marrë Bashën për ta pyetur, jemi të sigurtë se ai do të ‘bilbilojë’ Pastaj tërë të tjerët pas tyre! S’mund të kalojë vrasja e katër demonstruesve në mes të bulevardit përballë kryeministrisë, thjeshtë dhe vetëm me 4 vite burg për një gardist dhe kreun e Gardës. Ka dhe më.

E kërkon Strasburgu, e me sa duket dhe Berisha e ka parandierë se asnjë prokuror i posaçëm nuk mund ta shmangë përgjegjësinë e ish kryeministrit në këto vrasje! Sado me qëllim të mirë ka qënë dhe është në drejtim të tij! Ndaj Berisha po nxiton ta ‘orientojë’ nëpër kanale të tjera akuzën për urdhër-dhënie të Gardës që të vrasë më ‘21 janar’! Sipas teorisë ‘prano një gjë të vërtetë, por modifikoje e rrethoje me disa të pavërteta’.

4 demonstruesit e opozitës së atëhershme nuk u vranë me plumba ‘qorr’, ata u vranë me urdhër nga lart, dhe me plumba të vërtetë, duke u qëlluar ‘në mish’ nga Garda! Sado që të zgjatet kjo çështje, ajo s’mund të mbyllet më! Eshtë Gjykata e Strasburgut në mes! Nuk të lë të lëvizësh asnjë një centimetër!

The post ‘21 janari’ krim shtetëror, 4 vrasjet me dashje, jo nga plumbat ‘qorr’ first appeared on JavaNews.al.

Kriza në Kosovë dhe konflikti në Shkup, rrezikojnë efektin ‘domino’?!

2 August 2025 at 20:38

Nga Jakin Marena

Rajoni i Ballkanit nuk është aspak i qetë, dhe kjo është tepër shqetësuese edhe për ne shqiptarët, në të gjithë hapësirën rajonale ku jetojmë në trojet tona!

Shqetësimi bëhet akoma më i madh për vetë faktin se në pjesën më të madhe të krizave dhe të konflikteve ku është involvuar rajoni ynë, janë të përfshirë dhe shqiptarët, ku më pak dhe ku më shumë!

Kosova, shteti i dytë shqiptar në Ballkan i krijuar dhe mbështetur fort pa asnjë ndalesë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare me në krye anglo-amerikanët dhe vendet e BE, që nga muaji shkurt është praktikisht jashtë sistemit!

Nuk funksionon asnjë institucion, që nga Parlamenti e qeveria që s’janë konstituuar dhe as formatuar e deri tek Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese që ndonëse i kanë titullarët brenda mandatit të tyre, po funksionojnë me sytë nga lidershipi politik, me shpresën e ripërtëritjes së mandatit, duke u kthyer praktikisht në ‘lavjerrësa’ politikë që nuk dinë kujt t’ia prishin dhe kujt t’ia ndreqin!

Pavarësisht se zgjedhjet parlamentare kanë përfunduar dhe është shpallur rezultati shumë muaj më parë, Kosova i ka tejkaluar të gjitha afatet për konstituimin e Parlamentit, duhe hyrë tashmë në një krizë të thellë institucionale, që mund të precipitojë nga momenti në moment e për shkak të situatës aspak të favorshme ndërkombëtare, me dy konflikte të mëdha nëpër këmbë, atë mes Rusisë e Ukrainës, dhe Izraelit me Hamasin dhe tërë rajonin! Pa llogaritur faktin se me këto seancat njëherë në dy ditë, një ‘telenovelë’ tepër e zgjatur, kanë bërë që Parlamenti i Kosovës të kthehet në një institucion qesharak, duke ia lëshuar vlerën përtokë!

Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, partia fituese në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, por që ka vetëm 48 deputetë, pa mundur të ketë shumicën qeverisëse prej 61 mandatesh, paraqiti kandidaturën e vetme për kryetare Kuvendi, ish ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu! E cila për hir të së vërtetës në mbi 50 votime për të dhe për komisionin e kërkuar po nga Kurti për të organizuar një votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit, nuk ka mundur të marrë votat e nevojshme për të qënë në krye të Parlamentit të Kosovës.

Dhe për Kurtin, i vetmi kandidat është Albulena, të cilën megjithëse e kanë kundërshtuar të gjitha partitë e opozitës, duke e cilësuar si jo të përshtatshme për të kryesuar Parlamentin, Albini po bën një ‘betejë’ të fortë për t’ua imponuar me zor partive politike si kandidatura e vetme më e mirë! Me një fjalë ‘ose Albulenën, ose rashë e vdiqa’, çka e barazon fatin e tërë Kosovës me atë të ish ministres së Drejtësisë!

Tashmë të gjitha afatet ligjore janë kapërcyer, dhe pritet thjeshtë e vetëm një interpretim i dytë i Gjykatës Kushtetuese, që të vendosë nëse i duhet dhënë një shans i ri politikës për negociata dhe arritjen e një kompromisi apo duhet të shpërndahet parlamenti i pakonstituuar e vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme.

Kompromisin duhet ta arrijë Kurti, i cili praktikisht nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe për të bërë qeverinë, e për pasojë duhet të lëshonte diçka për të arritur që të marrë mbështetjen nga opozita. Nëse donte vërtetë konstituimin e Kuvendit. ‘Piruetat’ politike të Kurtit, janë thjeshtë për atë 40 përqindshin që vetë kreu i VV-së e quan masa e analfabetëve funksionalë që e votojnë!

Ajo që nuk është kapërcyer ende është kriza institucionale e politike, ku Kosova është pa kryetar Kuvendi, pa qeveri e për pasojë, shteti i Kosovës është i ekspozuar nga rreziqe të vazhdueshme duke filluar nga fqinji verior Serbia e deri te lufta hibride e Rusisë, të mjafta këto për një Ballkan të quajtur dhe në momentin më të qetë një ‘fuqi baruti’, gati për të shpërthyer me gjithçka!

Megjithatë të gjithë analistët në Kosovë, por dhe në Shqipëri e më gjerë ndajnë të njejtin mendim se Kosova ëhstë e rrezikuar rëndë nga klasa politike e saj, dhe veçanërisht nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, qeverisja e tij në detyrë dhe deputetët që e ndjekin!

Ndërsa Kosova është nën sanksione nga BE, për shkak se Kurti tjetër gjë mendon, tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, kjo e fundit gjithnjë në kundërshtim me partnerët ndërkombëtarë SHBA, BE dhe Britania e Madhe, janë miliona euro të bllokuara pikërisht për shkak të këtyre sanksioneve por dhe të mungesës së institucioneve të shtetit. Pasi Kosova praktikisht s’ka me kë përfaqësohet as në një takim apo negociatat me Serbinë, si kusht i vënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nuk ka as kryetar Kuvendi, as kryeministër as ministra. Janë deputetë të gjithë. Ka vetëm Presidenten, dhe kjo e frustruar për vetë faktin se kërkon e shpreson të marrë një mandat të dytë presidencial, e për pasojë i duhet të ta mbajë mirë me Kurtin në fund të herës.

Për shkak të kryeneqësisë së Albin Kurtit, s’përjashtohet dhe bota e nëndheshme e komunikimit me ‘armikun’ e madh në veri, Aleksandër Vuçiç, presidentin e Serbisë, thjeshtë dhe vetëm për të qëndruar në pushtet ku të dyja palët teksa luajnë fort kartën e nacionalizmit si dhe mbajtjen një ‘oktavë’ më lart të rrezikut të luftës mes dy vendeve, Kosova rrezikon jo vetëm që të paraqitet në sytë e partnerëve tanë si një vend mosmirënjohës për aleatët që e krijuan këtë shtet, menjëherë pas bombardimeve që i bënë Beogradit, por dhe si një vend që nuk arrin të qeverisë vetëveten, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare përmes institucioneve e KFOR që ruan kufijtë!

Ajo që themi është se, ka rrezik që përpjekja e Kurtit për të shkatërruar institucionet e shtetit thjeshtë për pushtet personal, të përkthehet në një qëndrim kundër nga ndërkombëtarët, përmes krijimit tyë përceptimit se në Kosovë klasa politike nuk mundet të bëjë shtet! Fatkeqësisht kjo mund të përkojë në fund të herës dhe me maskaradën serbe të kthyer nëe ‘sllogan’, sipas të cilës shqiptarët e Kosovës nuk kanë aftësi shtetformuese.

Për fat të keq Albin Kurti këtë ‘aset’ kundër Kosovës po ia jep ditë për ditë Serbisë, pasi e ka katandisur shtetin më të ri në Evropë në një shtet pa institucione, në kaos dhe që nuk ofron siguri e ndershmëri për aleatët! Madje nuk ofron as besim apo mirënjohje për partnerët tanë ndërkombëtarë për atë çka kanë bërë dhe bëjnë për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan!

Parë në këtë këndvështrim, si dhe të faktit se president i SHBA është Donald Trump, i cili njihet për zgjidhje të thjeshta e të papritura, në funksion të minimizimit të kostove financiare si dhe të rrezikut të përplasjes ushtarake, ekziston rreziku që në një moment të papritur administrata amerikane dhe Presidenti Trump të kërkojnë një zgjidhje shumë më të lehtë, atë të lënies së shtetit të Kosovës në fatin e vet.

Praktikisht kufijtë tanë nuk mund t’i zhbëjnë as Thaçi, as Rama, as Kurti, as Haradinaj, as Vuçiçi e as të gjithë bashkë, dhe kjo ëhstë vertetuar në të gjitha rastet! Kufijtë tanë i kanë ndryshuar të mëdhenjtë, kurrë shqiptarët, pavarësisht akuzave që bëhen ndaj njëri tjetrit. S’na ka pyetur kurrë askush, që të na pyesin sot! Dhe SHBA është superfuqia e vetme në botë.

Mos e dhëntë zoti që amerikanët të jenë mërzitur nga situata në Kosovët, të jenë penduar se investuan aq shumë për krijimin e shtetit të Kosovës dhe t’ju jetë krijuar bindja se shqiptarët s’dinë të fitojnë paqen, e për të eliminuar kostot që vijnë nga mistrecllëqet e Kurtit, t’i këpusë ndonjë urdhër ekzekutiv që heqë mbështetjen për shtetin pa institucione të Kosovës. Duke e lënë në ‘sovranitet’ të plotë që të përballojë e vetme rrezikun që vjen nga Serbia, ose që të kërkojë zgjidhje të tjera më të sigurta për të qëndruar në këmbë si shtet apo i mbështetur si shtet!

Do ketë kontestime nga ‘patriotët sovranistë’ me në krye Nexhin, i cili është betuar se do të kapë armët për të luftuar kundër Shqipërisë nëse tentohet bashkimi, qoftë dhe me vullnet të plotë të shqiptarëve, por duhet të flemë rehat nga ky krah, pasi Nexhi kur ishte i ri dhe kishte mundësi për të kapur armët kundër serbëve që po bënin genoncid në Kosovë, nuk e bëri, jo më ta bëjë tani në pleqëri kundër Shqipërisë. Sado që ta ketë për zemër mikun e tij Gjuriq, me të cilin ndan fotot dhe mendimet se si duhet të jetë e ardhmja e Kosovës dhe e Ballkanit! As këta ‘patriotët’ e rrjeteve sociale, sidomos të diasporës, nuk e lëvizin këmbën nga vendi ku janë akomoduar!

Rreziku që të ndodhë një zhvillim i tillë, ndërkohë që klasa politike në Kosovë po dëshmon çdo ditë e më shumë se nuk ka asnjë vetëdije qeverisëse e kombëtare (kjo e fundit po përmendet nga ne për shkak se është bërë rrugë tashmë shkelja e dhunimi i flamurit shqiptar si dhe cënimi i simboleve kombëtare në Kosovë), është shumë i vogël. Por ama një gjë është e sigurtë: Donald Trump shquhet për paparashikuershmërinë e tij.

Dhe mbi të gjitha mërzitet shpejt, kur gjërat nuk i shkojnë ashtu siç duhet, me ‘kutin’ e tij. Jo pa qëllim Trump e përmendi disa herë rrezikun e luftës Serbi-Kosovë. Gjatë qeverisjes së parë të tij është evidentuar ky shqetësim, por që e kujton shpesh për të shpjeguar rrezikun aktual! Ndaj Kosova duhet të zgjohet dhe të shohë se kujt ia ka deleguar votën! Klasa politike të bëjë sa më shpejt përmes kompromisit konstituimin e institucioneve, qeverinë e re dhe zhbllokimin e krizës politike dhe instucionale në vend, ndryshe ekziston rreziku i përballjes me efektin ‘domino’! Që mund të zgjerohet në rajon!

E themi këtë sepse me sa duket administrata e SHBA e presidentit Trump po i jep shansin e fundit klasës politike në Kosovë. Këtë e tregon dhe vizita e tanishme e zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker.

I cili u takua me presidenten Vjosa Osmani, ministrin e Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci si dhe pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti! Vizita e papritur tregon se situata është serioze, dhe përtej asaj që thuhet në publik, zyrtari i lartë amerikan, Baker ka kërkuar në mënyrë të prerë që kriza të zgjidhet sa më shpejt e në dobi të Kosovës dhe jo politikanëve që nuk duan për qamet të ikin nga pushteti! U ka ardhur ‘ëmbël’ nga aferat e energjisë dhe ushqimeve!

Në të njejtën situatë është dhe Maqedonia e Veriut, për shkak të strategjisë së kryeministrit Hristijan Mickocski, i cili po godet marrëveshjen e Ohrit mes shqiptarëve e maqedonasve, e mbi të gjitha gjuhën shqipe. Duke e hequr në mënyrë graduale nga institucionet, si dhe duke goditur elementin shqiptar në administratën publike dhe nivelet e tjera të bashkëqeverisjes, e duke e lënë jashtë përfshirjes!

Dhe kjo një ‘kryevepër’ e Albin Kurtit, i cili i dha Mickocskit votat shqiptare të “VLEN” në përbërje të të cilit është dhe dega e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, një koalicion që ka treguar ditë pas dite se nuk vlen asgjë në favor të shqiptarëve! Përkundrazi! Kjo politikë mund të sjellë tensionimin e fortë të situatës. Shtuar këtu dhe përplasjen me Bullgarinë por dhe me Greqinë, që startoi më rezolutën e Parlamentit Evropian javë më parë, sipas të cilës fjalët “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” duhet të hiqen nga draft-raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut.

Një marrëveshje e tillë u arrit nga 3 forcat më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, teksa kanë miratuar raportin për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt procesit të integrimit në BE. Çka tregon se kryeministri i ri maqedonas e ka komplikuar aq shumë situatën, duke e larguar akoma më shumë integrimin e Shkupit në BE, sa heqin dhe referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas!

Mickocski u nis të hiqte gjuhën shqipe nga institucionet, por hoqi gjuhën e identitetin maqedonas nga terminologjia me të cilën e njeh Evropa. Kjo dhe falë këmbënguljes bullgare që nuk i jep Shkupit ‘lejëkalimin’ për hapjen e negociatave me BE! Nëse vijon në këtë mënyrë qeveria nacionaliste maqedonase, s’përjashtohet mundësia e lodhjes së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht presidentit amerikan Trump me mistrellëqet e vogla ballkanike të Mickocskit, dhe marrjes së ndonjë vendimi drastik, pasi rrezikon të sjellë probleme. Larg qoftë, përmes efektit domino, për të cilën shqiptarët në të dy anët e kufirit, nuk është se janë dakord.

Por që gjithnjë kanë qënë të detyruar të zbatojnë vendimin e fuqive të mëdha! Pra praktikisht kriza në Kosovë dhe konflikti në Maqedoninë e Veriut rrezikojnë efektin ‘domino’ në Ballkan, nëse nuk jepet zgjidhje! Dhe jo me dëshirën e shqiptarëve por për shkak të maskarallëkut të drejtuesve në Prishtinë e Shkup! Shpresojmë t’i thërrasin mendjes e të rikthehen me këmbë në tokë liderët respektivë, duke e hequr nga mendja se janë ‘qendra e botës’! Janë një hiç praktikisht dhe nuk i pyet askush në këtë botë të vështirë dhe të mbushur me tensione! Por dhe me ide për rindarjen e re të botës!

The post Kriza në Kosovë dhe konflikti në Shkup, rrezikojnë efektin ‘domino’?! first appeared on JavaNews.al.

Received — 7 July 2025 Lajme Shqiperi

SPAK dhe GJKKO i liruan nga arresti, paçi fatin e Berishëve

7 July 2025 at 19:29

Nga Jakin Marena

Në fillim ishte Sali Berisha ai që i dha fund ‘këngës’ së përditshme në majë të ballkonit të katit të tetë të pallatit të tij në qendër të Tiranës, duke fituar lirinë nga një vendim i gjykatës, e cila e liroi nga arresti shtëpiak! Kreu i PD, pas 11 muajsh izolimi brenda brenda pallatit të tij 10-katësh në rrugën “Mustafa Matohiti”, fitoi lirinë. Gjykata e Posaçme vendosi ta lirojë liderin e PD, duke shfuqizuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e dhënë ndaj tij më 30 dhjetor 2023.

Vendimi që i dha të drejtë pretendimeve të Berishës për revokim të masës, u shpall nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Seanca nuk ishte njoftuar me herët nga gjykata, madje edhe në shënimin me dorë të bërë në listën ditore të seancave gjyqësore, nuk ishte emri i kërkuesit Sali Berisha, por i Prokurorisë së Posaçme. Një ‘konspiracion’ i cili i ‘shpëtoi’ dhe gazetarëve më të vëmendshëm të kronikës, të cilët të mësuar t’i marrin ‘direktivat’ të gatshme dhe të vijëzuara me ngjyrë të verdhë, këtë radhë nuk patën ndonjë ‘rrjedhje informacioni’.

Si gjithnjë për Berishën, nuk del as ‘miza’ nga SPAK. Gjyqtarja Davidhi dha verdiktin, duke e liruar Berishën. Teksa vlerësoi se nuk ekzistojnë më kushtet dhe kriteret për zbatimin e kësaj mase sigurie. Për më tepër që situata ishte dhe dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe sipas gjyqtares, ‘tata’ i rikthyer i politikës do të udhëhiqte fushatën e PD, në vend që të përgjigjej për akuzat e rënda apo të shkruante kujtimet.

Por me sa duket ‘dhuratat’ nga drejtësia e re për familjarët e Berishës nuk paskan të sosur. E themi këtë, pasi këtë të hënë është liruar nga arresti shtëpiak dhe dhëndri i vetëm i familjes, Jamarbër Malltezi! Kundrejt një garancie pasurore kjo. Pasi gjykata ka pranuar kërkesën për revokim të masës së sigurisë të Malltezit, kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh. Gjithë ai korrupsion me përfitime madhore dhe për më tepër me involvimin e tërë strukturave të shtetit në këtë aferë, si ajo e “Partizanit”, kishte një ‘çmim’ ordiner, vlente as më pak dhe as më shumë por vetëm 3 mijë euro. Para xhepi. Kush nuk i paguan kaq lekë për të gëzuar 5.4 milionë euro!

Ndërkohë që është rrëzuar dhe kërkesa e gjyqtares Elsa Ulliri, kryesuese e treshes që do të gjykojë dosjen ‘Partizani’, e cila kërkoi tërheqjen me argumentin se ishte kushërirë e deputetes demokrate Andia Ulliri. Dhe ky një ‘bonus’ për familjen Berisha, e cila është e tëra e akuzuar për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani’, ku nga një bythë vend, prej 83 metrash katrorë, e marrë dhe kjo sipas akuzës me padrejtësi nga ana e dhëndërit Malltezi, sepse thuhet se ishte kompensuar një herë në kohë të Italisë, dhe ku përmes vendimeve të vjehrrit Berisha, u përfituan territore të tëra në mes të kryeqytetit, duke ndërtuar kulla dhe përfituar të paktën 5.4 milionë euro po nga dhëndëri i Berishës. Kjo është akuza zyrtare, që të mos na ‘tronditet’ Abi!

Dhe sipas SPAK, Berisha akuzohet për korrupsion pasiv e po hetohet në liri, po ashtu dhe dhëndëri akuzohet për korruptim të vjehrrit dhe për pastrim parash, dhe nga e hëna e kësaj jave, është dhe ai i lirë si një ‘elektron’ për t’u hetuar dhe me shumë gjasa dhe për të përfituar bashkë me vjehrrin nga gjyqtarët dhe prokurorët e ‘shoqnisë’ së Argitës. Nuk përbën asgjë çudi tani!

Praktikisht pas këtyre vendimeve të gjykatës së Posaçme, cinike në kuptimin më të mirë të fjalës, por dhe të atakueshme moralisht, pasi nuk po hyjmë në detaje të analizës për punën e drejtësisë së re, atë nuk e diskutojmë, ajo që ia vlen të theksohet është se tani e tutje do të ketë një shkallë më të ulët besimi të qytetarëve shqiptarë te prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm në lidhje me goditjen e korrupsionit madhor! Pasi me keqardhje konstatojmë se SPAK të cilin e ka ‘dërguar baba me la gojën sa për ta çuar dosjen deri në gjykatë’ dhe për të mos ia ndjerë më për të, si dhe Gjykata e Posaçme, mbetën pikërisht në ‘testin’ e vërtetë të bërjes drejtësi në këtë vend. Pra u ‘thyen’ përballë Berishës e familjes së tij, në mos kanë qënë të ‘këputur’ që në fillim të herës, pavarësisht se bënin si ‘tigra’, me këta të ‘urtët’ zyrtarë të PS!

Aq më tepër që po veprohet me dy standarde, pasi Berisha dhe familja e tij, pas një presioni të jashtëzakonshëm ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë marrë me hetimin apo me gjykimin e rekursve të tyre, duke i prekur deri në familje me emër dhe mbiemër madje dhe kërcënuar të gjithë ata përfaqësues të drejtësisë që kanë lidhje me çështjet në ngarkim të tyre, kanë arritur të marrin rezultate të vërteta në favor të tyre. Në rastin konkret, janë liruar nga arresti shtëpiak dhe po mbrohen në liri, si Berisha ashtu dhe Malltezi! Pasi me këto akuza, në një vend normal me drejtësi normale, më e pakta do të ishin bashkë në të njejtën qeli, që t’i bënin hyzmet njëri tjetrit!

Ndërkohë që të gjithë zyrtarët e tjerë që janë arrestuar me akuza më të lehta se kjo e Berishës dhe dhëndrit të tij, vijojnë të qëndrojnë në qeli! Për më tepër që në ndryshim nga Berisha, të cilit nuk i janë marrë në referencë kërcënimet ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, sharje e kërcënime me libër shtëpie me një fjalë, ndaj zyrtarëve të tjerë të shtetit, kryesisht nga ata  të mazhorancës, dhe për ndonjë fjalë tepër që kanë hedhur, jo fyerje të kuptohemi, u janë përgjuar, shënuar dhe përfshirë nën akuza të reja, dhe muhabetet mes burrit dhe gruas! Madje dhe janë linçuar publikisht! Pra po përdoren dy standarde në fakt dhe kjo duket me sy të lirë fare!

Duke parë apatinë e drejtësisë së re, ku s’kemi më shpresë nëse prokurorët e SPAK do të bëjnë rekurs në Apel lirimin e dhëndrit të Berishës, ia vlen të theksojmë se nuk do të jetë e largët dita që Berisha dhe të tijtë do të lirohen nga të gjitha akuzat për “Partizanin’, ndërkohë që nuk do të guxojë më askush që të çojë deri në fund çështje të tilla sensitive për të cilën u ngrit SPAK dhe GJKKO, si shpërthimi i korrupsionit të përgjakshëm të ‘Gërdecit’, me 26 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur, ’21 janarin’ me katër dmenostrues të opozitës të vrarë nga Garda e Republikës në mes të trotuarit përballë kryeministrisë, aferën mbi 500 milionë euro të CEZ-DIA dhe krime e afera të tjera korruptive në ngarkim të familjes së Berishës.

Me sa duket ka ardhur koha që kush bie në burg apo merret nën hetim për një akuzë korrupsioni apo më tej, mjafton të deklarohet si i afërm me Berishën, dhe e ka të kryer daljen nga burgu, lehtësimin nga akuzat e deri tek lirimi prej tyre. Me lekë, miqësi apo me çfarëdo qoftë. Presioni i Berishës po bën punë, po kryen punë te drejtësia e re. Njëherësh po e zhyt akoma më tej këtë drejtësi, e cila e ka të vështirë të merret në mënyrë lineare me familjen Berisha, të shpallur ‘non grata’ familjarisht në SHBA e Britaninë e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me elementët kriminalë.

Praktikisht drejtësia e re është nën ndikimin e humorit të keq të Berishës, dhe ndjehet e detyruar që ta marrë me të mirë atë, që të mos vihet nën presionin e sulmeve dhe të kërcënimeve, ta ‘llastojë’ deri në atë farë mase, sa të shkelë e parimin bazë mbi të cilin është ngritur kjo drejtësi: dhënia fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe trajtimi i të gjithë qytetarëve si të barabartë përballë ligjit. Deri më tani kjo drejtësia e barabartë nuk ka ndodhur, pasi dhe dikush që ka ngritur një çati pa leje diku në ndonjë cep qyteti apo katundi, është plasur në burg dhe është hetuar, gjykuar e ka marrë vendimin brenda qelisë.

Ndërkohë që askush nuk duhet të pretendojë nga kjo e hënë se SPAK do t’i bjerë pas dhe do të hetojë se nga kanë dalë të ardhurat për blerjen  e banesave nga vajza e Berishës në kryeqytetet më të mëdha të Evropës. E ka pranuar vetë se i ka blerë, me pagesa përmes sistemit bankar!  Me gjithë këto ‘llastime’ nga SPAK e GJKKO, ajo që na vjen në majë të gjuhës të themi është: ‘paç fatin e Berishës dhe familjarëv e të tij”!

The post SPAK dhe GJKKO i liruan nga arresti, paçi fatin e Berishëve first appeared on JavaNews.al.

Received — 4 July 2025 Lajme Shqiperi

PD-në e ‘zuri’ mallkimi i Olldashit dhe veteranëve, selia si vend ‘vakëf’

4 July 2025 at 20:44

Nga Jakin Marena

Ka një të vërtetë të habitshme në tërë këto vite në historikun e Partisë Demokratike, parti e cila ndryshoi selinë para se të humbiste pushtetin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013! Nuk po merremi me faktin se si u kalua ish godina e SHQUP-it buzë Lanës, nga pronësia e Ministrisë së Mbrojtjes, tek subjekti politik asokohe në pushtet, Partia Demokratike.

Nuk po i hyjmë as ‘formulës’ së shpejtësisë me të cilën u mor vendimi për këtë kalim të kësaj godine nga Mbrojtja, tek PD, as lëvizjen gjeneralëve që e firmosën me nxitim, madje as lëvizjen e administratës së SHQUP po me nxitim dhe kalimin e saj në ambiente aspak komode për të. E mbi të gjitha nuk po analizojmë as pritshmëritë e poseduesve të rinj të kësaj godine, e shquar për hapësirat e bollshme e mbi të gjitha për sipërfaqen e bollshme që e rrethonte, pikërisht në kohën kur një projekt si ai i xhamisë së re sapo ishte hedhur në tregun mediatik për t’u diskutuar e që mund të shtrihej deri në kufijtë e kësaj godine. Këto po i lëmë mënjanë, s’po i diskutojmë, pasi janë diskutuar mjaft!

Për hir të së vërtetës, përpos shërbimit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ambientet e SHQUP-it të asaj kohe shërbenin dhe për veteranët e luftës, si dhe për shoqatat e ndryshme që kishin të bënin me veteranët. Shërbente për aktivitete në raste përvjetoresh, për aktivitete në raste promovimi librash, por dhe për të organizuar në ambientet e kësaj godine ceremonitë mortore për veteranët që ndaheshin nga jeta. Ishte një ‘nyje’ takimi, me një fjalë, ku veteranët, ata anti-komunistë por dhe ata të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, takoheshin me njëri tjetrin, për aktivitete të ndryshme por dhe për t’i dhënë lamtumirën njëri tjetrit, në rastin e ndarjes nga jeta. Dhe ky ka qënë dhe një nga funksionet e selisë së sotme të PD, para se ajo të transformohej në seli politike.

Ajo çfarë ka bërë përshtypje, dhe kjo pranohet dhe nëpër koridoret e selisë së PD, është fakti se që në momentin kur lidershipi, strukturat e administrata e PD ka shkelur dhe është akomoduar në selinë e re buzë Lanës, punët në këtë parti kanë ecur sëprapthi, pa asnjë rezultat pozitiv. Përkundrazi, që nga ai moment ka filluar rrënimi dhe fundi i partisë së parë opozitare në vend. Për të kaluar të terma konkretë, PD që me kalimin në selinë e re buzën Lanës humbi rëndë në zgjedhjet e verës së vitit 2013, duke marrë mbi një milion vota kundër, duke dorëzuar pushtetin në duart e kreut të atërhershëm të opozitës Edi Rama. I cili vijon të qeverisë edhe sot e kësaj dite, me një parashikim të dakordësuar pothuajse nga të gjithë se do të largohet nga pushteti vetëm kur të vendosë vetë ai. Pra kur të ketë vendosur flamurin shqiptar në tryezën e BE, me Shqipërinë si vend anëtar të Bashkimit Evropian! Atëherë e ka lënë Rama ‘shenjën’ në histori, por dhe pasi të ketë vënë në vijë tërë punët e tjera, për një Shqipëri me të vërtetë moderne!

Por PD ka humbur zgjedhjet vendore të vitit 2015, ka humbur zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ka djegur mandatin e deputetëve duke shënuar rrënimin total të saj, pasi doli jashtë sistemit në vitin 2019, për t’i vënë ‘vulën’ me bojkotin e zgjedhjeve vendore po të vitit 2019 pasi i ka lënë tërë hapësirën e pushtetit vendor mazhorancës socialiste. Njëherësh PD ka humbur zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, zgjedhjet e fundit të drejtuara nga Basha. Por PD, ka humbur thellë zgjedhjet vendore të vitit 2023 me fitimin e vetëm 6 bashkive relativisht të vogla e periferike. Dhe ‘qershia mbi tortë’, për të ardhur në humbjen e rëndë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të këtij viti, ku opozita e drejtuar nga Berisha kryetar i PD mori vetëm 50 mandate bashkë me aleatët, ndërsa Rama mori plot 83 mandate, e ku bashkë me PSD shkon në 86 mandate, shumica e nevojshme e cilësuar për ligje të rëndësishme, pa hasur në kërkesat për pazar të opozitës. Të gjitha këto ngjarje ndodhën, me PD në selinë e re buzë Lanës.

Por me kalimin në selinë e re të demokratëve kanë ndodhur dhe ngjarje të tjera të pazakonta, si ajo e organizimit të zgjedhjes së kryetarit të PD sipas parimit ‘një anëtar një votë’ pas dorëheqjes fiktive të Berishës nga posti i kryetarit më 2013. Gara u la e hapur për Lulzim Bashën, i cili teksa kishte mbështetjen totale të Berishës si trashëgimtar dhe ‘bir’ politik i tij, kishte përballë Sokol Olldashin një politikan race të djathtë, i bërë vetë pasi kishte ardhur nga radhët e gazetarisë, që bëri një fushatë brilante. Fatkeqësisht ishte në një garë ku fituesi ishte paravendosur, fitoi Basha që mbështetej nga Berisha. Olldashi humbi përballë Bashës, por ishte aty me qëndrimet e tij të forta në Kuvend, në opozitë e përballë atyre që kishin uzurpuar lidershipin e PD. Kishte dhe mbështetës, poltikanë të rinj por me karrierë dhe kredeciale serioze për të qënë lidership i PD.

Vetëm disa muaj më vonë, më 20 nëntor 2013 Sokol Olldashi humbi dhe jetën, në një aksident misterioz automobilistik në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, pikërisht në rrugën të cilën e kishte nisur dhe ndërtuar vetë, sa kohë ishte ministër i Transporteve në qeverinë e Berishës. Edhe sot ka mbetur mister largimi i tij tragjik nga jeta, por ajo që dimë është se ky largim, përpos që krijoi një farë lehtësimi tek lidershipi i ri i PD, i cili e shihte si kërcënim për marrjen e kreut të partisë në rastin e humbjeve të mëpastajme zgjedhore, njëherësh krijoi edhe një boshllëk të madh në PD, boshllëk që nuk po arrin të mbushet asnjëherë, teksa fatet e partisë më të madhe opozitare tashmë kanë mbetur në duart e një 81 vjeçari si Sali Berisha, i rikthyer pas armiqësimit për vdekje me Bashën, të cilin e përzuri nga partia, pasi më parë ‘biri’ politik e kishte përjashtuar nga PD, pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.

Mungesën e Olldashit vijon ta ndjejë përditë PD, e cila nuk po gjen një lidership të ri, që të ndahet njëherë e mirë nga berishizmi dhe të bëjë PD-në një alternativë serioze për të ardhur në pushtet. Ata që mund të merrnin ‘stafetën’ e drejtimit u përjashtuan më herët, me urdhër të Berishës dhe me firmën e Bashës, duke filluar nga Astrit Patozi, Majlinda Bregu dhe një sërë figurash të tjera që i kishin dhënë tonin politikës në partinë më të madhe opozitare, por dhe politikës shqiptare në tërësi. Megjithëse ishin të rinj!
Por që nga viti 2013 kur PD erdhi te selia e re buzë Lanës, kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera aspak dinjitoze për një parti politike.

Madje të pandodhura kurrë më parë! Për të arritur pikën kulminante më 8 janar 2022, kur Berisha në krye të ‘Rithemelimit’, në krye të mbështetësve të tij të ‘armatosur’ me qysqi, varre, shkopinj dhe mjete të tjera rrethanore sulmoi selinë e PD që ishte në ‘zotërimin’ e Bashës kryetar i pjesës zyrtare të partisë, me qëllimin e vetëm për ta pushtuar me forcë. Rezistoi për momentin selia e PD që të mos binte në duart e ‘armikut’ Berisha, pasi ishin blinduar dyer e dritare nga Basha si masë paraprake, pasi doli dhe Salianji me shkop në dorë për mbrojtjen e selisë, si dhe falë ndërhyrjes së policisë më vonë, për t’u ‘pushtuar’ më pas disa muaj më vonë pa ‘luftë’ po nga Berisha, i cili e mori ‘paketë’ si ‘dhuratë’ nga Bardhi, bashkë dhe me vetë Gazin e grupin e deputetëve mbështetës të tij, brenda.

Pra, periudha prej mbi 12 vitesh e kalimit të PD në selinë e re buzë Lanës ka qënë një ‘gropë’ më vete, e shoqëruar me përplasje të forta brenda partisë, përjashtime të figurave kryesore nga partia, përplasjeve me dhunë për selinë e PD, e deri dhe humbje jete të njerëzve të fortë të kësaj partie në aksidente të pamundura automobilistike, aq sa u ka dhënë ‘jetë’ teorive konspirative, sipas të cilave selia e re është si një vend ‘vakëf’ ku nuk bën hajr asgjë, sado të përpiqesh. Nuk përjashtohen zërat në PD, të cilët thonë se këtë parti e zuri ‘mallkimi’ i Sokol Olldashit, njeriut të vetëm adapt që mund të kishte shpëtuar PD nga rrënimi që po i ndodh përditë deri më sot. Për ta bërë një alternativë pushteti, por Berisha ia mohoi këtë mundësi, duke investuar tek Lulzim Basha, si një njeri i lakueshëm e i dëgjueshëm, paçka se ishte një investim i shkuar dëm!

Njëherësh zërat ‘supersticiozë’, teksa e cilësojnë selinë e re të PD si vend ‘vakëf’, ku kryheshin dhe ritet mortore për veteranët, thonë se këtë parti e ka zënë edhe ‘mallkimi’ i veteranëve, çka  është e pamundur të ketë dërman as në të ardhmen. Poshtë e më poshtë do të bjerë, sipas tyre! Madje as vizitat dhe luetjet e shpeshta të Bashës tek Kisha e Shën Ndout në Laç, para zgjedhjeve të vitit 2021 dhe para sulmit të Berishës mbi selinë e PD më 8 janar, një vit më vonë nuk dhanë rezultat! Vizitat e Bashës dhe lutjet tek kisha e vjetër çudibërëse janë bërë dhe publike, janë të botuara në media në atë periudhë! Berishën nuk e akuzojmë dot, pasi ai është atesist, i pafe dhe nuk shkon as në kishte dhe as në xhami! Eshtë njeriu i ri-tipik i krijuar nga Enver Hoxha!

Por, pavarësisht këtyre zërave konspirativë dhe supersticiozë që e lidhin rrënimin e PD-së me mallkimin e Olldashit dhe të veteranëve, jemi të bindur se e vërteta e kulluar është që PD nuk do të bëjë hajr jo vetëm në zgjedhjet e vitit 2029, por as në zgjedhjet e vitit 2033, pasi ka në krye të saj mallkimin e vetëm që ka pasur që në krye të herës, Berishën. Ai është burimi i të gjitha të këqijave në këtë parti, dhe parashikohet që do të shkojë drejt ‘amëshimit’ sëbashku me të! Do ta marrë me vete dhe PD-më me një fjalë! Këtu do të jemi, dhe do ta shohim!

The post PD-në e ‘zuri’ mallkimi i Olldashit dhe veteranëve, selia si vend ‘vakëf’ first appeared on JavaNews.al.

‘Sherifi i ri’ s’po lëviz vërdallë, SPAK po e heton për 6 mln dollarët!

30 June 2025 at 19:05

Nga Jakin Marena

Sali Berisha u mundua që lobimin me vlerën e ‘kripur’ prej 6 milionë dollarësh me një kompani amerikane ta paraqiste para zgjedhjeve si një risi për rregullimin e marrëdhënieve me SHBA, por pas 11 majit i është kthyer në një bumerang të madh.

Jo se deshi ta bënte publike para zgjedhjeve marrëveshjen lobuese, por meqë kontrata u zbulua nga media dhe u pasqyrua me të gjitha detajet e mundshme për publikun, lidershipi demokrat tentoi që të rikuperonte dëmin duke e paraqitur si një fakt të kryer se SHBA është në anën e PD dhe mezi pret që Sali Berisha, ‘sherifi i ri’ në qytet të marrë drejtimin e qeverisë së re shqiptare.

Madje kreu i PD filloi ta përcillte dhe për militantët e tij këtë perceptim të realitetit paralel dhe të ‘përmbysur’, teksa nisi të imitonte në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit të opozitës, pikë për pikë veshjen, fjalorin dhe sjelljen e Donald Trump gjatë fushatës së tij presidenciale, përmes të cilës ai mundi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, pas 4 vitesh pauzë, me presidencën e Biden!

Berisha filloi të shpeshtonte daljet publike me ish drejtuesin e fushatës së Donald Trump, të kontraktuarin nga PD për fushatën e 11 majit të opozitës, Chris LaCivita, vuri një kapele në kokë si të Trump, deklarohej me të njejtin fjalor si presidenti amerikan dhe shprehej me fjalët madje imitonte dhe gjestikulacionet e tij, teksa deklarohej kunder Sorosit e komunistëve në Shqipëri, të cilët i kërcënonte se do të largoheshin patjetër nga pushteti më 11 maj!

Për më tepër që Berisha nisi ta quante vetën “sherifi i ri’ që do të vinte në në qeverisje së shpejti, në përqasje të etiketimit që zv.presidenti amerikan i bëri Trump teksa fliste në Bruksel përballë liderëve evropianë, ku nënvizoi se ‘tashmë ka një sherif të ri në Uashington”.

S’dimë saktësisht nëse vetë Berisha e besonte atë që thoshte, por mënyra se si sillej dukej se i pëlqente ta quanin ‘sherifi i ri’ i Shqipërisë. Por të sigurtë jemi se ithtarët e tij në kupolën e PD, përfshirë dhe ata që shkonin e vinin në Uashington, e besonin 100% se Berisha ishte ‘sherifi i ri’ i Shqipërisë pas 11 majit! Madje shkriheshin kur e thonin këtë!

Dhe si për ta bërë më të besueshëm slloganin ‘sherifi i ri në qytet’, Berisha ka pozuar me një kapele alla-kaubojsi, që e mori si dhuratë nga një shqiptaro-amerikan nga Teksasi, Lodovik Tetaj. Ndonjë kapele, ndonjë flamur të ‘ruajtur motit’ dhurojnë ata, janë patriotë. Nuk japin lekë diaspora jonë në Amerikë për qamet, pasi nuk duan të na ‘mësojnë keq’. Fundja s’kanë dhënë kurrë për 35 vite me radhë, të kuptohemi, dhe se kanë për inat, por nuk e kanë zanat këtë punë!

“Sherifi i ri në qytet”, shkruan Berisha, teksa shfaqet me kapele kaubojsi. Pra, me sa duket Berishës i dukej vetja vetja si “sherifi i ri” i Shqipërisë, meqë po ndiqte dhe imitonte pas asnjë ndryshim, Donald Trump-in në veprimet e tij. Imagjino se si i duket flamur Nokës, Albana Vokshi e deri tek Agron Gjekmarkaj. Jo vetëm sherif por dhe luan e shkuar luanit!

Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit dihet tashmë, nuk ka nevojë për komente të mëtejshme. Edi Rama dhe PS fituan 83 deputetë, plot 9 mandate më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021. PD dhe koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha shënoi një humbje rrënuese, duke marrë vetëm 50 deputetë, ndërsa socialistët bashkë me aleatin hipotetik PSD, kalojnë shumicën e cilësuar, me plot 86 deputetë, pa pasur asnjë nevojë për të kërkuar votat e opozitës për ligje të rëndësishme. Madje as rinumërimi në Tiranë e kudo i kërkuar nga Berisha s’ndryshoi rezultatin. Përkundrazi i hoqi dhe disa vota që ishin hedhur tepër për PD nga numëruesit, gabime njerëzore këto!

Berisha jo vetëm që nuk u bë ‘sherifi i ri’ i Shqipërisë, sipas përqasjes imituese me etiketimet për Trump, por tashmë rrezikon shpërbërjen e PD, e cila është në mandatin e katërt rresht në opozitë dhe nëse respektohet neni ‘Basha’, Berisha duhej të kishte ikur që më 12 maj nga posti i kryetarit të PD. Gjë që nuk do ta bëjë kurrë, pasi nuk e lëshon ‘pronën’ e tij Berisha, spese e zvogëloi kaq shumë vetëm e vetëm që të kishte ‘paketën kontrolluese’ të opozitës! Që vështirë ta mbajë gjatë!

Jo vetëm që nuk fitoi zgjedhjet Berisha, por tërë përpjekjet e tij për t’u paraqitur si zgjedhje e SHBA dhe Donald Trump për kryepartner në Shqipëri, i janë kthyer në bumerang të madh! E themi këtë sepse, tani pas humbjes rrënuese të zgjedhjeve të 11 majit, për ‘sherifin e ri’ në tentativë kanë nisur problemet me drejtësinë për lobimin prej 6 milionë dollarësh në SHBA.

Raportohet se SPAK ka nisur hetimet për çështjen e kontratës së lobimit për llogari të PD nga një fondacion amerikan. Nga Prokuroria e Posaçme nuk sqarohet se çfarë elementësh e kanë bindur që nga faza e verifikimeve të kalojë në hetim, por ajo që dihet është se procedimi penal mban numrin 143, ndaj prokuroria ka kërkuar ta pasurojë këtë çështje me kontratën e lobimit. Për të siguruar këtë dokument Altin Dumani i ka kërkuar zyrtarisht PD-së që t’i vendosë kontratën në dispozicion, fakt i konfirmuar fundjavën e kaluar nga Flamur Noka, i cili nuk ishte thirrur për këtë hetim, por për krimet zgjedhore të 11 majit të kallëzuara nga demokratët.

“PD ka bërë transparencë të plotë, kemi vënë çdo gjë në dispozicion s’kemi gjë për të fshehur”, u shpreh Noka për mediat. Kontrata me një kompani amerikane në Uashington me vlerë 6 milionë dollarë e për një afat 2-vjeçar u nënshkrua në 4 prill 2025. Si firmosës në Shqipëri ishte sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe si garant në SHBA një shtetas i identifikuar si Nuredin Seci, një tropojan 72 vjeçar, emigrant i vonë ky, i cili tërë jetën e tij ka punuar elektricist dhe që ka emigruar në Amerikë për një jetë më të mirë.
Demokratët pretendojnë se ka qenë komuniteti shqiptaro-amerikan ai që përmes fondacionit “Make Albania Great Again” kishte kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve të PD. Pa përmendur emra dhe pa zbardhur listën e ‘donatorëve’ të këtij fondacioni, që kanë vënë ‘dorën në zemër’ dhe kanë hedhur 6 milionë dollarë për t’i hequr ‘non gratën’ Berishës. Por ama garanti, me sa dimë nga praktika për marrëveshjet deri nga më të thjeshtat, ka për detyrë që të mbulojë pagesat nëse firmatari i kontratës së subjektit, në rastin konkret Flamur Noka në emër të PD, refuzon të paguajë paratë sipas marrëveshjes nga pamundësia apo nga karshillëku! Është pengu mes palëve për të bërë likujdimet sipas rastit të bllokimit. Pikërisht atëherë hyn në lojë garanti, i cili sikurse thonë gojët e liga është një emigrant i zakonshëm që jeton në kushtet e mbijetesës. Pra copë copës sipas standardit amerikan!

Por hetimi me sa duket ka nisur që herët. Pasi mësohet se menjëherë pasi u bënë publike të dhënat e kësaj marrëveshjeje lobimi në SHBA të PD, pa kaluar shumë orë në 24 prill, SPAK njoftoi nisjen e verifikimeve. Kjo çështje mbeti me këtë status deri në 28 maj kur SPAK kreu lëvizjen e parë dhe i dërgoi kërkesën Flamur Nokës si sekretar i përgjithshëm i PD. Në mes të muajit qershor SPAK ka administruar të dhënat dokumentare të PD, që siç konfirmohet nga burime zyrtare po kryhen tashmë në kuadër të procedimit penal. Dhe hetimet do të vijojnë, pasi Noka është thjeshtë dora zyrtare, pas tij dihet kush vepron. Është vetë Sali Berisha. Pasi dhe sot Berisha nuk u paraqit në GJKKO për gjyqin e aferës “Partizani’. Madje anuloi dhe konferencën e përditshme të shtypit të orës 12.00 ku ‘denonconte’ vjedhjen e votës. Ka nisur të mos lëvizë më vërdallë, derisa të qetësohet situata të kuptohemi! “Sherifat” zhduken nga qarkullimi ndonjëherë!

Por duhet të jemi të sinqertë. Kur vjen puna tek hetimi dhe gjykimi i i Berishës nga ana e SPAK dhe GJKKO, nuk është thënë se mund të jemi entuziastë se kjo çështje do të shkojë në fund. Kemi parë se si zvarriten çështjet që kanë lidhje me Berishën, duke filluar nga ’21 janari’, dosje që erdhi e gatshme nga Gjykata e Strasburgut, tek “Gërdeci”, hetimi i pasurisë dhe tashmë tek hetimi dhe gjykimi i aferës “Partizani”.

Edhe këtë të hënë ndodhi e çuditshmja, fletëthirrjen për seancën e sotme të gjykimit nuk guxoi askush t’ia dërgonte Berishës në dorë, megjithëse është në liri të plotë dhe mund t’ia dërgonin tek selia buzë Lanës apo në shtëpi, por ia dorëzuan dhëndërit të tij Jamarbër Malltezi që është në arrest shtëpie, në të njejtin pallat me Berishën. Por që nuk e kishte ‘parë’ vjehrrin fare këto javët e fundit! Pasi këtë të hënë ai deklaroi në sallën e gjyqit se nuk e kishte njoftuar vjehrrin Berisha. Janë zvarritje ordinere këto, duke hequr ditë pas dite nga një ‘tullë’ në besueshmërinë e drejtësisë së re tek qytetarët. E cila në perceptimin e shqiptarëve u ngrit për të futur Berishën, Metën dhe bashkëqeverisësit e tyre në burg në krye të herës, dhe pastaj për të burgosur të gjithë abuzuesit në qeverisjen e Edi Ramës. Këta të drejtësisë së re e filluan nga e fundit. Punë e tyre.

Por ne duhet të jemi të sinqertë me veten sëpaku, s’kemi fort shpresë as që këtij hetimit të kontratës së re të lobimit prej 6 milionë dollarësh të PD me një kompani në SHBA për të hequr ‘non gratën’ e Berishës e për t’i siguruar një vizë për të kaluar përtej Atlantikut, SPAK do t’i shkojë deri në fund. Apo ‘larg qoftë’ të fillojë të hetojë vetë për kontratën me LaCivitën dhe të tjera, që thuhet se arrijnë dhe këto në 20 milionë dollarë, as që e shkojmë nëpër mend. Thjeshtë nisi ky hetim, që mund të vijojë pafund, e që mund të shërbejë si një statistikë pune për vetë SPAK-un. Që tashmë ka nisur të ecë dhe ai me perceptim dhe jo me rezultate. Kasaveti ynë ky.

Megjithatë, drejtësia sëpaku formalisht është në ‘kërkim’ të ‘sherifit të ri’ në tentativë që po sillet këtej vërdallë në kërkim të një alibie për ta bërë sa më të ‘ëmbël’ humbjen rrënuese në zgjedhjet e 11 majit, me detyrimin për t’i kërkuar hesap për 6 milionë dollarët e lobimit në SHBA. Të presim si do shkojë dhe ky proces hetimi, do të guxojnë ta thërrasin Doktorin për ta pyetur, pasi e kanë një çikë problem këtë. Nuk e dimë nëse është mungesë këllqesh apo dashuri e nostalgji për Berishën ky ngurrim i SPAK. Të presim! Mbështetjen SPAK e ka me pash nga shqiptarët, por ama këllqet dhe dëshirën për zbatimin e ligjit, s’ia ‘injektojmë’ dot! Atë ose e ke ose nuk e ke! Sa për ‘rrjedhje’ informacioni nga SPAK për dosjen e Berishës, harrojeni. Nuk ndodh kurrë, s’ka fletë selektive të selektuara me ngjyrë të verdhë si për dosjet e tjera, sidomos të mazhorancës, që dalin si rastësisht në media. Madje dhe sa herë janë kollitur zyrtarët nën hetim, që janë pyetur!

The post ‘Sherifi i ri’ s’po lëviz vërdallë, SPAK po e heton për 6 mln dollarët! first appeared on JavaNews.al.

❌