Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 June 2026Java News

“Protesta është e bukur, por mos u drejtoni nga urrejtja, ka shumë arsye për të shfryrë!”, Blushi sqaron komentin e tij për protestuesit

By: E B
7 June 2026 at 12:59

Ish-deputeti Ben Blushi ka reaguar sërish pas debatit të shkaktuar nga statusi i tij lidhur me protestën kundër projektit turistik në Zvërnec.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi është përpjekur të sqarojë qëndrimin e tij dhe mesazhin që kishte dashur të përcillte me reagimin e mëparshëm.

Në postimin e tij, ai shkruan:

“Disa gazeta kanë abuzuar me një koment timin. Ja çfarë kam thënë: PROTESTA ËSHTË E BUKUR, POR MOS U DREJTONI NGA URREJTJA, KA SHUMË ARSYE PËR TË SHFRYRË.”

Deputetët e PD-së në krah të protestuesve që kërkojnë burgosjen e Sali Berishës!

By: E B
7 June 2026 at 12:51

Deputetët e Partisë Demokratike, pas një jave, duket se tashmë po përfshihen në mbështetje të protestuesve që kanë dalë kundër ndërtimit të resortit të dhëndrit të Donald Trumpit, Jared Kushner, në Zvërnec.

Ajo që bie në sy është se deputetët e PD-së duket se po mbështesin protestuesit, të cilët gjatë tubimit kanë artikuluar edhe thirrje me përmbajtje kundër liderit demokrat, Sali Berisha të cilët e duan në burg!

KQZ zbulon shifrat, ja sa qytetarë kanë votuar deri në mesditë në zgjedhjet në Kosovë

By: E B
7 June 2026 at 12:39

Sipas përditësimit më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka arritur në 7.98 për qind deri në orën 11:00.

Nga më shumë se 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, deri në këtë orë kanë votuar 156.474 persona.

Prishtina kryeson për nga numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës, me 24.948 votues. Pas saj renditen Prizreni me 11.355 votues, Ferizaj me 10.987, Peja me 9.313, Gjilani me 9.111, Gjakova me 8.893, Mitrovica e Jugut me 6.703 dhe Vushtrria me 6.237 votues.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në 949 qendra votimi dhe 2.550 vendvotime në mbarë territorin e Kosovës. Sipas raportimeve deri tani, votimi po vijon normalisht dhe pa probleme të theksuara.

ARRSH hap procedurën për 6 mbikalime këmbësorësh në autostradën Tiranë–Durrës

By: E B
7 June 2026 at 12:33

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën për ndërtimin e 6 mbikalimeve për këmbësorët përgjatë kilometrave të parë të autostradës Tiranë-Durrës, si pjesë e fazës së dytë të projektit të zgjerimit të këtij aksi.

Sipas projektit, ndërhyrja synon të rrisë sigurinë dhe lehtësinë e lëvizjes për banorët që jetojnë përgjatë autostradës, duke krijuar pika të dedikuara kalimi dhe duke shmangur rrezikun nga qarkullimi i lartë i automjeteve.

Procedura e tenderimit pritet të përfundojë më 15 qershor, ndërsa pas shpalljes së fituesit, punimet do të nisin menjëherë në terren. Projekti përfshin jo vetëm ndërtimin e mbikalimeve, por edhe sistem ndriçimi, gjelbërim, barriera akustike dhe ndërhyrje të tjera plotësuese infrastrukturore.

Mbikalimet do të vendosen në disa pika kyçe përgjatë aksit, duke nisur nga zona pas objektit të VEKO Group, pranë Universitetit “Polis” në Yrshek, në afërsi të QTU-së, pranë BRUNES, përpara objektit të FedEx Albania dhe në zonën pranë Autostar.

Sipas ARRSH-së, projekti është pjesë e përmirësimit të standardeve të sigurisë rrugore në një nga akset më të ngarkuara të vendit, ku qarkullimi i lartë i mjeteve ka bërë të domosdoshëm krijimin e infrastrukturës së dedikuar për këmbësorët.

Punimet synojnë të përfundojnë brenda muajit shtator, në mënyrë që mbikalimet të jenë funksionale në nisjen e vitit të ri shkollor.

Policia del me njoftim zyrtar për vdekjen e ish-drejtuesit të Gardës: Flamur Kolmarku u gjet i mbytur në lumin Mat

By: E B
7 June 2026 at 12:26

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e Flamur Kolmarkut, ish-ushtarakut të karrierës dhe drejtuesit të Gardës së Republikës, i cili u gjet pa shenja jete pas disa ditësh kërkime intensive.

Përmes një njoftimi zyrtar Policia e Matit ka bërë me dije se rreth orës 10:00 të kësaj të diele, në lumin Mat, në fshatin Zenisht, u gjet trupi i pajetë i Kolmarkut.

Sipas autoriteteve, nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa dyshimet e para hetimore tregojnë se ai mund të ketë humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë.

“Më datë 07.06.2026, rreth orës 10:00, në lumin Mat, në fshatin Zenisht, Bashkia Mat, është gjetur pa shenja jete shtetasi F. K., 56 vjeç, banues në Tiranë. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Flamur Kolmarku rezultonte i zhdukur prej pasdites së të enjtes, ndërsa familjarët kishin ngritur alarmin dhe kishin kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij. Për ditë me radhë, kërkimet u përqendruan në disa zona të vendit, bazuar edhe në informacionet e fundit mbi lëvizjet e tij.

Ministri Nufi për Milot–Balldre: Investim i rëndësishëm për veriun e Shqipërisë

By: E B
7 June 2026 at 12:17

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka përshëndetur të dielën shpalljen e fituesit për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldre, duke e cilësuar projektin si një investim me rëndësi të veçantë për veriun e Shqipërisë.

Përmes një reagimi publik, Nufi u shpreh se ky zhvillim nuk ka rëndësi vetëm për qarqet e Lezhës dhe Shkodrës, por për të gjithë veriun e vendit, ndërsa e konsideroi atë si një premtim të mbajtur nga Kryeministri Edi Rama.

“Lajmi për shpalljen e fituesit për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren mbart rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Qarkun e Lezhës, Qarkun e Shkodrës, por për mbarë Veriun e Shqipërisë. Një premtim i mbajtur nga Kryeministri Edi Rama dhe një investim strategjik që dëshmon vëmendjen e veçantë ndaj zhvillimit të zonave me potencial të madh ekonomik dhe social”, shkruan Nufi.

Sipas tij, projekti do të ndikojë në lidhjen më të mirë të komuniteteve, lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.

Ministri thekson se aksi Milot-Balldre është më shumë se një rrugë, pasi do të shërbejë si një korridor zhvillimi që do të sjellë më shumë biznes, investime dhe komunikim mes qytetarëve.

“Aksi Milot–Balldren nuk është thjesht një rrugë! Ai është një korridor zhvillimi që do të sjellë më shumë biznes, më shumë investime, më shumë komunikim mes njerëzve dhe më shumë mundësi për ekonominë lokale e kombëtare”, shprehet ai.

Nufi e cilëson nisjen e këtij projekti si një tjetër hap drejt një Shqipërie më të zhvilluar dhe më konkurruese, duke e konsideruar atë një tjetër premtim të mbajtur nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Gjendjet i pajetë një person në lumin Mat, dyshohet të jetë ish-oficeri Gardës! Autoritetet vijojnë hetimet

By: E B
7 June 2026 at 12:07

Një person është gjetur i pajetë në ujërat e lumit Mat, në fshatin Zenisht të Matit. Trupi u konstatua nga banorë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet e spitalit të Burrelit, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e trupit nga lumi dhe transportimin e tij drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një person të seksit mashkull, rreth 55 vjeç. Trupi do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të konfirmuar identitetin.

Dyshohet se viktima mund të jetë ish-oficeri i Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili së fundmi ishte raportuar i zhdukur pasi kishte humbur kujtesën dhe ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë.

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Aksidenti tragjik ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku, Policia zbardh detajet nga ngjarja

By: E B
7 June 2026 at 11:55

Pas aksidentit të rëndë të ndodhur këtë të diel, ku si pasojë humbi jetën futbollisti i Elbasanit me origjinë nga Kosova, Fatjan Bunjaku, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka dalë me një reagim zyrtar ku ka bërë të ditura rrethanat e aksidentit.

Zëdhënësi ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur më 7 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Maxhunaj.

Ndërkohë, sipas Policisë, në aksident është përfshirë një veturë, ndërsa si pasojë e përplasjes drejtuesi i automjetit, futbollisti i Elbasanit, Fatjon Bunjaku, dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, drejtuesi i automjetit, Fatjon Bunjaku, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

“Rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit, viktima mashkull 22-vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërkohë, hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti fatal.

SHBA rrëzon dronë iranianë, tensione në Ngushticën e Hormuzit!

By: E B
7 June 2026 at 11:48

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë rrëzuar dy dronë sulmues iranianë që, sipas Uashingtonit, përbënin kërcënim për trafikun ndërkombëtar detar në ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më strategjike për transportin e naftës në botë.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se dronët u neutralizuan në orët e para të ditës, duke theksuar se forcat amerikane në Lindjen e Mesme mbeten në gatishmëri për t’u përballur me çdo veprim të mëtejshëm nga Irani.

Sipas ushtrisë amerikane, vetëm pak ditë më parë ishin rrëzuar edhe katër dronë të tjerë iranianë të nisur drejt së njëjtës zonë, ndërsa më pas u goditën edhe radarë iranianë të mbikëqyrjes bregdetare.

Nga ana tjetër, Human Rights Watch dhe media amerikane The New York Times pretendojnë se Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në zona civile në Liban. Sipas raportimeve, një rast i tillë është dokumentuar në qytetin Nabatieh më 30 maj, përmes videove të publikuara në rrjetet sociale.

Fosfori i bardhë nuk është i ndaluar plotësisht nga e drejta ndërkombëtare, por përdorimi i tij brenda ose pranë zonave të banuara konsiderohet i paligjshëm për shkak të rrezikut të lartë për civilët. Human Rights Ëatch paralajmëron se kjo substancë mund të shkaktojë djegie të rënda, probleme serioze me frymëmarrjen dhe në raste të caktuara edhe vdekje.

Kina dhe Greqia rrisin bashkëpunimin në çështjet detare

By: E B
7 June 2026 at 11:40

Kina dhe Greqia synojnë të rrisin bashkëpunimin praktik në çështjet detare, financimin e transportit detar dhe zhvillimin e gjelbër, u bë e ditur gjatë Panairit Ndërkombëtar të Transportit Detar “Posidonia 2026” në Athinë, ndërsa të dyja palët kërkojnë të përparojnë tranzicionin e industrisë së transportit detar drejt dekarbonizimit, digjitalizimit dhe operacioneve inteligjente, shkruan “Xinhua”.

Thirrjet u bënë bashkërisht nga zyrtarët kinezë dhe grekë dhe udhëheqësit e industrisë gjatë një sërë ngjarjesh të organizuara nga Kina të mbajtura në kuadër të Posidonia 2026, ekspozitës ndërkombëtare detare të zhvilluar në Athinë nga 1 deri në 5 qershor, e cila tërhoqi më shumë se 2200 kompani nga 83 vende dhe rajone, duke e bërë atë një nga tubimet kryesore të industrisë detare në botë.

Ministri grek i Transportit Detar dhe Politikës Ishullore, Vassilis Kikilias, theksoi rëndësinë e Pireut si një qendër e madhe ndërkombëtare e transportit detar dhe theksoi rolin e tij strategjik në transportin global detar.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për avancimin e tranzicionit të gjelbër të sektorit detar dhe arritjen e një kuadri realist global për uljen e emetimeve të transportit detar.

Një sërë iniciativash institucionale dhe biznesi u lançuan gjithashtu gjatë ngjarjeve, duke përfshirë krijimin e një qendre financimi të transportit detar në Athinë nga Banka e Kinës (Europë) dhe hapjen e një zyre përfaqësimi në Greqi nga Korporata Shtetërore e Ndërtimit të Anijeve të Kinës.

Pjesëmarrësit thanë se këto lëvizje shënojnë një fazë të re të bashkëpunimit Kinë-Greqi që lidh industrinë, financën dhe zinxhirët e furnizimit.

Ilir Beqaj: Dilema që u bë trilemë

7 June 2026 at 10:55

Nga Ilir Beqaj

Të dielën e kaluar komunikova me ju lidhur me një qëndrim kontradiktor të dy trupave të ndryshme të GJKKO-së për kërkesën time që procesin penal ndaj meje ta ndjek në sallë, pranë avokatit tim, dhe jo në kafazin e qelqtë.

Por të premten, më 5 qershor 2026, e njëjta kërkesë, e paraqitur para një trupe të GJKKO-së së Apelit, mori një përgjigje refuzuese, madje të ndryshme edhe nga dy vendimmarrjet e mëparshme.

Kështu, më 5 qershor, dilema se si do t’i ndjek proceset penale ndaj meje u bë trilemë.

Për mua, si i njëjti person, për të njëjtën kërkesë, janë marrë tre vendime të ndryshme:

* një trupë gjykuese, e përbërë nga tre gjyqtarë, ka urdhëruar togën e shoqërimit të më sjellë në sallë;

* një trupë tjetër gjykuese, me një gjyqtar, i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të vlerësojë rrezikshmërinë në rastin konkret;

* një trupë e tretë, me një gjyqtar në apel, e ka rrëzuar kërkesën.

Tre vendime të ndryshme nga tre trupa të ndryshme gjykuese nuk janë, në vetvete, diçka befasuese. Secila trupë gjykuese është e pavarur në vendimmarrjen e saj. Kjo është një arritje e drejtësisë së pavarur.

Vetëm se, në këtë rast, nuk kemi thjesht drejtësi të pavarur. Kemi drejtësi të çoroditur.

Ndërkohë, më 4 qershor 2026, Komiteti Shqiptar i Helsinkit u është drejtuar me shkresë, lidhur me kërkesën time për të qëndruar në sallë, si edhe për kërkesa të ngjashme të zotërinjve Ilir Meta dhe Erion Veliaj:

* zotit Erjon Bani, kryetar i GJKKO-së;

* zotit Ilir Rusi, kryetar i KLGJ-së;

* zotit Toni Gogu, ministër i Drejtësisë.

Përmbajtja e kësaj letre është bashkëngjitur.

Përballë trilemës së krijuar nga drejtësia e pavarur, në seancën më të parë të ardhshme, mbetet vetëm që avokati im t’i kërkoj gjykatës që gjatë seancës edhe ai të qëndrojë me mua brenda kafazit të qelqtë.

Rama: Do të kemi lajme shumë të mira shumë shpejt për integrimin në BE

By: E B
7 June 2026 at 10:41

Në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal dhe te punimet e Samitit BE–Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt të premten në Tivat të Malit të Zi. Ai e cilësoi si një nga takimet më të rëndësishme për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe vlerësimin e Shqipërisë si vend pranë anëtarësimit.

Ai u ndal edhe te zhvillimi ekonomik rajonal, duke përmendur projektin e “Porto Montenegro” si një shembull suksesi që sipas tij mund të ishte zhvilluar edhe në Shqipëri, konkretisht në projektin e portit turistik të Durrësit.

Rama theksoi se Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive në samit dhe se procesi i integrimit europian po ecën përpara, ndërsa veçoi takimin me kancelarin gjerman Friedrich Merz si dëshmi e mbështetjes për vendin.

Ai deklaroi se fokusi duhet të mbetet te puna dhe reformat për të përshpejtuar anëtarësimin në BE.

“Kjo javë ishte e rëndësishme edhe për Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në Tivat. Në Tivat nuk kisha shkuar asnjëherë. U detyrova të shkoj se s’kisha për të shkuar pa bërë më parë portin turistik të Durrësit. Kështu e kisha ndarë në mendjen time. Një fiksim i palogjikshëm, por nganjëherë, siç tregojnë edhe këto rrëmujat e ditëve të fundit, logjika nuk është ajo që vendos gjithmonë. Vendosin edhe emocionet, vendos edhe, në një farë mënyre, budallallëku i njeriut dhe ishte një lloj budallallëku imi, për hir të së vërtetës, por ishte emocional që nuk doja të shkoja në Tivat, sepse nuk doja të shikoja Porto Montenegro-n.

Nuk doja ta shikoja Porto Montenegro-n, sepse Porto Montenegro është një top që i ka kaluar për shalësh Shqipërisë dhe ka përfunduar në Mal të Zi, dhe historia e Malit të Zi është përcaktuar nga Porto Montenegro si një histori e një vendi turistik që nuk ka bujqësi, nuk ka fabrika, nuk ka prodhime të tjera, por ka një bukuri që e ka vënë në dispozicion të ekonomisë përmes investimeve të ekselencës.

Dhe ai që e ëndërroi dhe që e konceptoi Porto Montenegro-n, më parë se të shkonte atje si një top i shtyrë nga uji përmes shalëve që ishin të hapura thjesht dhe vetëm për të marrë përfitime babëzie duke e përdorur Shqipërinë si pronë, donte ta bënte në Durrës.

Donte ta bënte në Durrës. Kishte bindjen që një port turistik pranë amfiteatrit më të madh që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës do të ishte një histori e jashtëzakonshme suksesi, gjë që do ta tregojë natyrisht historia e re, por shumë e vonuar, jo për fajin tim dhe tonin, e projektit të portit turistik të Durrësit.

Dhe u prit me sytë te xhepi dhe iu kërkua “xhixha”, kështu që iku në Mal të Zi, e ndërtoi Porto Montenegro-n dhe Tivati, nga një gji me rreth 10.000 banorë që ishte i vetmi gji që nuk frekuentohej nga turistët, sepse ishte një bazë ushtarake e Jugosllavisë me ujë të ndotur e kështu me radhë, u kthye në motorin më të madh ekonomik të Malit të Zi.

Dhe Mali i Zi, që nga ai moment, pa shumë hajër sepse pasuan investime të tjera. One&Only, hoteli One&Only në Europë, është ndërtuar vetëm në Mal të Zi. Do të ishin në Shqipëri të gjitha këto, sikur ata që mos qofshin, domethënë, të mos i kishin lënë të kalonin kështu këto topa dhe sikur të kishin menduar për Shqipërinë dhe për të gjitha këto tema që flasim sot.

Gjithsesi, në Tivat unë shkova, nuk kisha çfarë bëja. Dhe më vjen shumë mirë të them që samiti ka qenë një samit mbase më interesanti nga pikëpamja e përgjithshme e shtyrjes së disa gjërave dhe e shtyrjes së çështjes së përshpejtimit të zgjerimit.

Ama, një gjë është pak a shumë e sigurt: Shqipëria u vlerësua si një vend që është pranë anëtarësimit. Shqipëria u vlerësua për të gjitha ato që ka bërë dhe si një vend që është pranë. Ndërkohë që zëri ynë u dëgjua qartësisht përsëri. Unë i ngrita të gjitha ato për të cilat kam kohë që përpiqem edhe brenda atij rrethi, sepse një gjë e kemi arritur. Në atë rreth nuk ka më “kush jam unë e kush je ti”, siç ka qenë dikur.

Të gjithë i dëgjojmë me respekt dhe na dëgjojnë me respekt. Dhe unë kam shumë shpresë që do të kemi lajme shumë të mira shumë shpejt përsëri në atë aspekt dhe jam edhe më i bindur sot seç isha përpara këtij samiti, që ne do ta arrijmë atë që duam të arrijmë. Do ta arrijmë atë që duam të arrijmë. Dhe takimi me kancelarin Merz ishte provë absolute e faktit që vlerësimi është maksimal, mbështetja është maksimale dhe vetëm puna, puna, puna është ajo që nuk na e bëjnë dot as gjermanët, as italianët, as francezët, por duhet ta bëjmë vetë.

Kështu që të gjithë në punë, secili në punën e vet. Faleminderit shumë.”, theksoi Rama

Në kërkim të një bashkëjetese të vështirë për Zvërnecin

By: S M
7 June 2026 at 10:37

Nga Skënder Minxhozi

 

Imagjinoni për një çast sikur në projektin e Zvërnecit të mos kishte asnjë një sherr apo pretendim pronësie mbi tokën turistike. Imagjinoni që investitorët me katër miliard euro në duar të vinin e të blinin rregullisht një masë toke e cila ka të gjithë dokumentacionin e saktë, me letra reale gjykatash e kadastrash, e jo me falsifikime dhe grabitje siç po heton edhe drejtësia.

Më tej imagjinoni që territori ku do të zbatohet projekti të mos ishte i rrethuar si një kamp përqëndrimi i kohës së komunizmit dhe sikur rojet e sigurisë të atij territori të mos silleshin me protestuesit sikur të ishin hajdutë të kapur në një shtëpi private duke vjedhur një televizor apo lavatriçe. Imagjinoni sikur të mos kishte as klimë tensioni në Zvërnec dhe as reklamime palësh, por një pritshmëri pozitive plot shpresë për një investim gjigand që do t’i ndryshojë fatin Vlorës dhe të gjithë turizmit shqiptar.

Imagjinoni më në fund, por jo më e parëndësishmja, që edhe qeveria të ishte më transparente dhe komunikuese me publikun. Më së pari me publikun vlonjat e më pas me të gjithë ne të tjerët sepse nuk ndodh shpesh që të ofrohen kaq shumë para për këtë Shqipërinë tonë të varfër. Kemi dëgjuar lloj-lloj dokrrash me miliarda në 35 vite, kemi ëndërruar se do të binte shi jeshil pas vitit ’90 e do të futeshim në Evropë për pesë vjet e shumta! Kemi ëndërruar teksa dëgjonim turlifarë onxhobonxhosh nga bota që na ofronin qiellin e më pas zhdukeshin pa lënë gjurmë pasi kishin nxjerrë ca  para nga ky vend i varfër.

Nuk është ky rasti mesa duket në Zvërnec. Nuk është mashtrimi me premtimet për investime, por e kundërta, është vetë përmasa e investimit që tremb më shumë sesa mashtruesit e vegjël të së shkuarës. Dhe kur në një territor kaq të vogël sa Vlora ofrohet për t’u injektuar një masë kaq e madhe parash afërmendsh duhet matur dora dhe duhet frenuar firma pa kryer disa procedura që e gjithë bota demokratike i zbaton në të tilla raste. Përfshirë një fushatë ekstensive shpjegimi, konsultimesh e informimi krahas marrje së garancive se projekti do të përkojë me standartet që i kërkohen. Kështu bëhen punet që të mos ketë pakënaqësi e protesta, por mbi të gjitha, që të ketë pjesëmarrje proaktive të publikut në politika që i japin formë jetës së tyre në territor për dekada, jo vite.

Zvërneci po merr formë si një projekt i madh turistik që potencialisht do të ndryshojë imazhin e vendit, por edhe si një laborator në qiell të hapur në lidhje me debatin kombetar mbi temat e mëdha sociale, ambjentaliste dhe politike të Shqipërisë. Nuk është vetëm një projekt turistik me impakt potencialisht të fuqishëm në jetën e shqiptarëve. Është dhe një lakmues i temperaturës së vendit, shqisave të tij reaguese dhe aftësisë për t’u orientuar për problemet reale edhe kur mbi tryezë ka një premtim disamiliardësh.

Ironia me flamengot, zogjtë shtegëtarë e kafshë të tjera të ligatinave nuk duhet të jetë më një sport cinik shpotish e batutash vulgare e provinciale në diskurin publik shqiptar. Një vend evropian që po nënshkruan një kontratë me Bashkimin Evropian (ku ambjentalizmi është një fe më vete) nuk mund të tregojë këtë shkallë naiviteti ndaj një teme kaq delikate për asete në zhdukje për të cilat bota e qytetëruar tregon maksimumin e seriozitetit dhe kujdesit. Do ta provojmë këtë kur me Brukselin të diskutojmë mbylljen e kapitujve që prekin mjedisin!

Së dyti, në tryezën ku do të derdhen miliarda nuk duhet shkuar me hijen e letrave të trukuara. Pronësia mbi tokën private na ka ndjekur si makth në 35 vjet sa herë kemi dashur ta zhvillojmë këtë vend. Ka qenë një shkak madhor i prapambetjes ekonomike ku ndodhemi. Janë vrarë e prerë breza shqiptarësh, kanë dështuar dhjetra projekte biznesi në çdo cep të Shqipërisë, është ngritur një makineri manipulimi e trukimesh që nis tek kadastrat e zyrat e tjera e përfundon në sirtarë prokurorësh e gjyqtarësh të pistë që kanë marrë miliona për  të marrë tokën nga ai që e ka e për t’ja dhënë atij që paguan për ta pasur. Është gjëja më elementare dhe normale që edhe për Zvërnecin të kryhet një verifikim i thellë i pronësisë mbi tokën. Nuk hedh njeri miliarda pa e ditur se ka blerë tokë me letra.

Së treti, e më e rëndësishmja në këtë histori, protestat për Zvërnecin nuk kanë parasysh vetëm Zvërnecin. E kundërta është e vërtetë. Dalja e protestuesve me teza politike, kërkesa për dorëheqjen e Ramës tregon se kjo pjesë e shoqërisë nuk e ka inatin vetëm me ligatinat e rrezikuara të Nartës por shumë më tepër se kaq. Në listë është e gjithë politika e kësaj dekade ndaj zhvillimit turistik të vendit, e shtrirë në të gjithë vijën bregdetare, në parqet e zonat e mbrojtura nga Alpet e deri në Butrint. Nën akuzën e protestuesve është sistemi-Shqipëri , me mënyrën sesi është ndërtuar e po ecën këto dekada.

Shqipëria ka nevojë të zhvillohet e të rrisë kapacitetet e saj turistike, por nuk ka pse ta bëjë këtë duke futur nën trysni të skajshme territorin e saj më të vlefshëm, atë që shtrihet në zonat më të brishta dhe më ekskluzive. Gjetja e një balance mes zhvillimit dhe konservimit është një sport i vështirë dhe një pjesë e shoqërisë shqiptare po na thotë se mendon se menaxhimi ka anuar dukshëm nga zhvillimi pa filtra dhe kufinj.

Me gjerë se kaq, kjo që po ndodh është një përballje mes shumë prurjesh të cilat takohen dhunshëm në bulevardin qëndror të Tiranës. Anarkistë të majtë, të vetëquajtur minoritarë, sovranistë të orës së fundit, persona të manipuluar nga rrjeti, opozitarë të sistemit dhe natyrisht edhe qytetarë të zakonshëm të pakënaqur me qeverisjen dhe përgjithësisht me elitat politike deh me mënyrën sesi po shkojn ë punët e këtij vendi – tashmë ky konglomerat ka një pamje konkrete tek protesta e përditshme, duke mos qenë më vetëm “zhurmë sfondi” që belbëzon në internet apo mjetet e mass medias. Politika duhet të dijë të përballet me këtë realitet të ri ky ka hyrë shoqëria shqiptare.

Fundja politika shqiptare dhe kjo maxhorancë qeverisëse duhet të pranojë sfidën që vjen nga pakënaqësia e shprehur në protesta, qoftë edhe kur shoqërohet apo provokohet edhe nga faktorë të tretë si ndërhyrjet e huaja, manipulimi apo interesat e papastra. Racionalja e protestës është shumë e rëndësishme se pjesa e saj e manipuluar dhe hipokrite.

Sazan-Zvërneci si projekt turistik duhet pranuar dhe ndërtuar paralelisht me ndërtimin e një vetëdijeje të ftohtë e të bazuar mbi arsye, se politika dhe qeverisja nuk mund të veprojnë përjetësisht në vakuum dhe pa oponencë publike. Ato janë përditë nën shqyrtimin dhe nën skepticizmin e opinionit publik. Është një “provim” i vazhdueshëm që nuk mbaron ditën e zgjedhjeve. Fillon atë ditë!

Kjo është një ndër shtyllat mbi të cilat ndërtohen dhe funksionojnë demokracitë liberale sot në Evropë dhe jashtë saj. Aty ku projekte turistike, infrastrukturore apo industriale gjejnë shpesh oponencën e shesheve, shoqërisë civile apo aktorëve të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë. Nuk ka ndodhur asnjë tragjedi në thelb. Duhet bashkëjetuar me idenë se çdo gjë në një demokraci është relative, e përkohshme dhe nën diskutim. Ky është ndër kushtet primare të progresit në kontinentin ku jetojmë dhe duam të integrohemi.

 

 

Klubi i Elbasanit reagon për ndarjen nga jeta të Fatjon Bunjakut: Në këto momente të vështira, lutjet shkojnë për familjen!

By: E B
7 June 2026 at 10:35

Ndarja tragjike nga jeta e Fatjon Bunjakut ka tronditur jo vetëm familjen dhe miqtë e tij, por edhe të gjithë komunitetin sportiv.

Pas lajmit të rëndë, AF Elbasani ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e sulmuesit 22-vjeçar.

Klubi verdheblu e cilësoi Bunjakun jo vetëm si një futbollist të rëndësishëm të skuadrës, por edhe si një njeri që përfaqësoi me dinjitet dhe krenari ngjyrat e Elbasanit.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku. Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë”, shkruan klubi në reagimin zyrtar.

Më tej, Elbasani vlerëson përkushtimin dhe pasionin e futbollistit për lojën, duke theksuar se ai do të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit të klubit.

Në mesazhin e ngushëllimit, verdheblutë shprehin mbështetjen për familjen Bunjaku dhe të gjithë ata që e njohën nga afër sulmuesin e talentuar.

“Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin. Fatjoni nuk do të harrohet”, mbyllet reagimi i AF Elbasanit.

Voton Albin Kurti, thirrje qytetarëve të dalin masivisht në zgjedhje!

By: E B
7 June 2026 at 10:24

Pasi hodhi votën te Fakulteti Juridik i Prishtinës, Albin Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje me synim legjitimitetin e institucioneve. Sipas tij sot vendosin ata që votojnë.

“I sugjeroj të gjithë qytetarët e republikës që paraprakisht ta kontrollojnë vendvotimin dhe atëherë kur ta verifikojnë që e kanë aty ku kanë menduar ë të nisen ë në këtë ditë kaq të rëndësishme për institucionet e Republikës së Kosovës ë për qeverisjen në vazhdim dhe gjithashtu për mbarëvajtjen e republikës. Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë. Prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin mundësinë qytetare për të përcaktuar përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”, u shrpeh Kurti.

Sqarim për Kryeministrin, që duket se nuk po kupton thelbin e revoltës rinore!

By: Java News
7 June 2026 at 10:18

Nga Silvana Begaj

Zoti Kryeministër,
Ata që dalin sot në shesh, në gjithë Shqipërinë, në çdo qytet dhe në çdo cep të diasporës, nuk kanë dalë kundër Shqipërisë.!
Nuk kanë dalë kundër investimeve.
Nuk kanë dalë kundër integrimit europian.
Nuk kanë dalë kundër zhvillimit.
Përkundrazi!
Janë njerëz që e duan Shqipërinë. Duan Shqipërinë e shqiptarëve. Janë njerëz që ende besojnë se ky vend meriton më shumë se fasada, më shumë se propagandë, më shumë se largime të të rinjve dhe më shumë se korrupsion masiv.
Ata nuk kundërshtojnë zhvillimin!
Ata kundërshtojnë errësirën me të cilën zhvillimi u serviret.
Kundërshtojnë mungesën e transparencës, mungesën e llogaridhënies dhe arrogancën që e quan çdo pyetje sulm, çdo kritikë tradhti, çdo qytetar protestues armik.
E ti këtë e di mirë! Je inteligjent dhe e lexon mirë pse ka lindur kjo revoltë masive. E di mirë se populli është ngopur me premtime gjatë fushatës dhe me arrogancë pas zgjedhjeve.
Shqiptarët nuk kanë dalë në shesh sepse duan kaos. Kanë dalë sepse sistemi i tërheq zvarrë kur do, i lodh kur do, i shpërfill kur do. Sepse ligji shpesh u shfaqet si shkop për të dobëtit dhe si ombrellë për të fortët.
Kanë dalë ata që nuk i kanë më fëmijët në shtëpi. Ata që i përcollën në aeroporte me ankth dhe tani i shohin vetëm në ekranet e telefonit. Shqipëria u mbeti në mur si fotografi, ndërsa fëmijët iu bënë fuqi punëtore botës.
Kanë dalë pensionistët që punuan me ndershmëri një jetë të tërë dhe sot numërojnë qindarkat me të njëjtin kujdes që dikur numëronin ditët e punës.
Kanë dalë qytetarët që përballen çdo ditë me administrata të ngadalta, të paafta, të korruptuara dhe shpesh indiferente ndaj halleve të njerëzve.
Kanë dalë ata që kanë njerëz të sëmurë, që presin ilaçe kundër kancerit apo gjak kur e kanë nevojë jetike, ndërkohë që shteti ynë zgjedh të prioritizojë çështje që nuk janë urgjenca e plotësimit të nevojave themelore, ilaçeve dhe jetës së përditshme të qytetarëve.
Kanë dalë ata që kritikojnë klanet që ke formuar nën çadrën tënde dhe që janë pasuruar nga taksapaguesit dhe pasuritë e shqiptarëve.
Kanë dalë se janë kundër piramidës së pushtetit që ke krijuar duke promovuar ata që kanë probleme me ligjin.
Dhe mos mendoni se kanë dalë për t’i dhënë pushtetin një pale tjetër. Shumë prej tyre nuk besojnë më te askush: as te ju, as te opozita e vjetër dhe as te “partitë cadra” që krijohen sa herë i duhet sistemit.
Shqipëria është e shqiptarëve. As atyre majtas dhe as djathtas!
Nuk është pronë e asnjë partie!
Nuk është pronë e asnjë politikani!
Hapini dyert grupeve të diasporës që punojnë aktivisht për të mirën e Shqipërisë.
Dhe mos harroni: kur shqiptarët dalin në shesh, ndoshta nuk duhet t’i pyesni kë duan të rrëzojnë dhe kë të ngrenë.
Duhet t’i pyesni pse kanë humbur durimin dhe cilat janë arsyet që kanë shkaktuar këtë revoltë masive!
Kur të fuqishmit vjedhin të varfrit, e quajnë biznes.
Kur të varfrit reagojnë, e quajnë dhunë.
M.Twain

Rama në “Flasim”: Liqeni i Shkodrës në UNESCO, dëshmi se Shqipëria nuk abuzon me mjedisin! Projekti në Zvërnec do të bëhet

By: E B
7 June 2026 at 10:10

Në episodin e sotëm të podkastit të tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal sërish te protestimi i mijëra qytetarëve, në mesin e të cilëve janë parë dhe figura të njohura të rrjeteve sociale.

Duke sjellë në vëmendje që ditën e djeshme liqeni i Shkodrës u shpall Rezervë Biosfere e UNESCO duke treguar kështu se vendi qeveriset nga një qeveri e cila nuk po abuzon me mjedisin.

Po ashtu, kryeministri ceku më tej organizimin e qytetarëve që prej ditësh “derdhen” në sheshin “Skënderbej” duke ngritur zërin kundër projektit në Zvërnec, për çka kreu i qeverisë tha që këtë vit mund të pengohet turizmi i vendit.

“Do të humbasim shumë turistë këtë vit. Unë nuk besoj se këtë doni. Që të jetoni vetëm me flamingot, që 99.99% e atyre nuk i kanë parë me sy. Ndërkohë që projekti do të bëhet sepse është një bekim i madh për Vlorën. kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike” tha Rama.

Më tej, Rama theksoi se mijëra qytetarë po udhëhiqen nga disa influencerë të cilët jetojnë me dshikueshmëri dhe like të marra online, pa paguar asnjë taksë, ndryshe nga shumica e njerëzve që u duhet të paguajnë tarifa për biznesin e tyre.

“Kam dhe diçka tjetër për të shtuar në lidhje me atë që po ndodh. Gjithë kjo lokumi e madhe videosh, këta gazetarë e lloj lloj ndërkombëtarësh në media që bëjnë si të interesuar për Shqipërinë, nuk e kanë fare për vendin. E ka secili për hesap të vet. Disa të tjerë e kanë kundër presidentit të Amerikës që disa e duan e disa e urrejnë, e mediat online i turren për çdo gjë. Disa të tjerë e kanë se Shqipëria nuk duan që ta ketë këtë projekt, kanë konkurrencë,. Shqipëria bëhet si asnjëherë më parë e asnjëherë më pas nëse e humbim këtë mundësi. Gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media dhe online e ndryshe nga realiteti.

Që nga të marrët që fusin në rrethin katror dhe e quajnë rrethin katror dhe lloj lloj personazhesh që jetojnë me like. Influencerat që jetojnë me rrjete sociale e nuk paguajnë kokërr leku taksë. Të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza e djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre. Është një turmë normale, nuk ka asnjë problem. Por që turma të kthehet në qindra dhe mijëra njerëz që vlojnë do të bllokojnë turizimin. Kanë filluar shenja shqetësuese për Sarandën” theksoi në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare.

Fjala e Edi Ramës: Përfshirja e Liqenit të Shkodrës në UNSECO është një dëshmi që vendi nuk qeveriset nga një qeveri që shkatërron por ndërton, Nuk qeveris një qeveri që abuzon me mjedisin.

Vajta të takoja ata që janë aty, ata që kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, për të drejtën e pjesëmarrjes në biznes si dhe të drejtën që të zhvillohen. Ajo që dëgjova prej tyre ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjoj çdo ditë. Në rast se gjërat janë bërë në mënyrë të parregullt për këtë ka një gjykatë ka një proces.

Gjithçka ishte pozitive. Ajo që më bëri përshtypje ishte se pavarësisht shqetësimeve që kishin në asnjë moment nuk dëgjova dikë kundër projektit.

Kam dhe diçka tjetër për të shtuar në lidhje me atë që po ndodh. Gjithë kjo lokumi e madhe videosh, këta gazetarë e lloj lloj ndërkombëtarësh në media që bëjnë si të interesuar për Shqipërinë, nuk e kanë fare për vendin. E ka secili për hesap të vet. Disa të tjerë e kanë kundër presidentit të Amerikës që disa e duan e disa e urrejnë, e mediat online i turren për çdo gjë. Disa të tjerë e kanë se Shqipëria nuk duan që ta ketë këtë projekt, kanë konkurrencë,. Shqipëria bëhet si asnjëherë më parë e asnjëherë më pas nëse e humbim këtë mundësi. Gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media dhe online e ndryshe nga realiteti.

Që nga të marrët që fusin në rrethin katror dhe e quajnë rrethin katror dhe lloj lloj personazhesh që jetojnë me like. Influencerat që jetojnë me rrjete sociale e nuk paguajnë kokërr leku taksë. Të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza e djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre. Është një turmë normale, nuk ka asnjë problem. Por që turma të kthehet në qindra dhe mijëra njerëz që vlojnë do të bllokojnë turizimin. Kanë filluar shenja shqetësuese për Sarandën.

Do të humbasim shumë turistë këtë vit. Unë nuk besoj se këtë doni. Që të jetoni vetëm me flamingot, që 99.99% e atyre nuk i kanë parë me sy. Ndërkohë që projekti do të bëhet sepse është një bekim i madh për Vlorën. Kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike.

Shqipëria zgjidhet në krye të Forest Europe, Rama: Dikur në zonat e mbrojtura flamingot vriteshin dhe haheshin!

By: E B
7 June 2026 at 09:58

Në shënimet e kësaj jave në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama ndau qëndrimet dhe vlerësimet mbi disa prej zhvillimeve më të rëndësishme të ditëve të fundit, duke u ndalur tek arritjet në fushën e mjedisit.

“Këtë javë Shqipëria u zgjodh me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve, për mandatin 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia. Bëhet fjalë për platformën më të rëndësishme paneuropiane, ku janë bashkë Bashkimi Europian dhe 45 vende europiane, që adreson pikërisht fushën e pyjeve dhe të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke iu referuar pikërisht pyjeve.

Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia, ma ha mendja, është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes: a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të kësaj organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë? 10 vjet më parë, kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamingot, jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin.

10 vjet më parë, kur pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh venin e vinin vargan-vargan lart e poshtë, nga veriu në jug?

10 vjet më parë, kur as nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, se edhe zonat e mbrojtura që ishin, ishin tokë pa zot, ndërkohë që shumëçka që duhej vënë në mbrojtje vetëm bëhej pre e babëzisë.

Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë ne nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë së Shqipërisë mini superfuqi energjetike e rajonit?

Çfarë do të kishte ndodhur sikur në këto 10 vjet, ne të mos e kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura në 25% të territorit të Shqipërisë etj.?

Pra, fakti që nuk e imagjinojmë dot se Shqipëria do të ishte zgjedhur në krye të këtij forumi dhe do të merrte stafetën nga Suedia, dhe mbi të gjitha që Shqipërinë do ta mbështesnin fuqishëm dy vende, të cilat kanë një reputacion absolut për sa i përket mënyrës se si mbrojnë dhe administrojnë pyjet, Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pra, fakti që, besoj, nuk e imagjinojmë dot të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në të gjitha aspektet e tjera, që nuk imagjinojmë dot se Shqipëria do të merrte kryesimin e Forest Europe 10 vjet më parë, por e merr sot duke marrë stafetën nga Suedia me bekimin e të gjitha vendeve, me një mbështetje shumë të zëshme në procesin e shqyrtimit të kandidaturave nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të na thotë diçka edhe për të sotmen, duhet të na thotë diçka edhe për mënyrën se si në të sotmen qeverisin dhe udhëheqin ata të cilët e kanë bërë këtë transformim”, tha Rama mes të tjerave.

Tragjedi në futbollin shqiptar! Ndahet nga jeta në moshën 22-vjeçare sulmuesi i Elbasanit, Fatjon Bunjaku

By: E B
7 June 2026 at 09:44

Një aksident me makinë i ka marrë jetën në mënyrë tragjike Fatjon Bunjakut.

Futbollisti i Elbasanit ndërroi jetë sot pas mesnate, ndërsa ishte duke ecur në aksin Prishtinë-Mitrovicë.

Lajmi i hidhur u bë i ditur nga mediat kosovare.

Bunjaku konsiderohej një nga futbollistët e talentuar të brezit të tij, ndërsa gjatë karrierës ishte aktiv në disa klube të futbollit kosovar ndërsa së fundmi luante për Elbasanin. Ai kishte veshur edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës U-21.

Ndarja e tij e parakohshme ka tronditur komunitetin sportiv në Shqipëri dhe Kosovë, me shumë mesazhe ngushëllimi që kanë vërshuar në rrjetet sociale nga klube, tifozë dhe figura të futbollit.

Zgjedhjet në Kosovë, mbi 100 prokurorë në terren për të mbrojtur votën e lirë

By: E B
7 June 2026 at 09:35

Prokurori i Shtetit ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që po zhvillohen këtë të diel në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, prokurorët po qëndrojnë kujdestarë në të gjithë territorin e vendit deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim identifikimin dhe procedimin e çdo parregullsie apo shkeljeje që mund të cenojë votën e lirë të qytetarëve.

Prokurorët janë vendosur në zyrat e prokurorive themelore në qytetet ku ato funksionojnë, ndërsa në zonat ku nuk ka objekte të prokurorisë, ata po operojnë nga stacionet policore në bashkëpunim me hetuesit e Policia e Kosovës.

Mbarëvajtja e angazhimeve po mbikëqyret nga koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e cila po koordinon punën e prokurorëve në terren dhe të përfaqësuesit të Prokurorit të Shtetit pranë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike dhe organizatave të ndryshme që të raportojnë çdo rast të dyshuar për manipulim, keqpërdorim apo cenim të procesit zgjedhor.

Sipas institucionit të akuzës, qëllimi i këtij angazhimi është garantimi i integritetit të zgjedhjeve dhe mbrojtja e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës.

❌
❌