Anna dhe Albert, dy turistë të rinj gjermanë, që kanë vizituar pjesën më të madhe të Shqipërisë këtë verë më së shumti janë mahnitur nga cilësia e mirë e verës vendase.
Ndalesa e e radhës është Gjirokastra. Gjatë itinerarit të tyre nga Veriu në Jug, ata janë përpjekur të konsumojnë verë nga kantinat shqiptare dhe kanë mbetur të mahnitur nga cilësia e saj dhe çmimi i lirë.
Ata po e vizitojnë Shqipërinë përveç të tjerash edhe për shijet autentike të pijeve dhe ushqimeve. Si të rinjtë gjermanë ka edhe shumë vizitorë të huaj, por në shumë bare dhe restorante mungojnë pijet vendase si alternativa duke ndikuar kështu negativisht në të ardhurat dhe fitimet e prodhuesve të rrushit.
“Ky sezon do të jetë më i miri i prodhimit të rrushit në dekadën e fundit, pasi klima e ngrohtë e ditës me freski gjatë natës dhe era ka shërbyer si një ventilim duke rritur edhe sasinë e prodhimit të rrushit, por edhe cilësinë e tij”, pohon Altin Prenga nga njësia e Agroturizmit Mrizi i Zanave.
Mirëpo ai tha se superprodhimi mund të përkthehet në humbje për fermerët, pasi njësitë akomoduese, baret dhe restorantet në bregdet nuk promovojnë dhe nuk ofrojnë për konsum pijet vendase.
Në rreshtin e barë të bareve dhe restoranteve në qytetin e Shëngjinit, aktualisht plot e përplot me turistë nga trevat shqiptare, por edhe të huaj është e vështirë të gjesh pije vendase, qoftë birrë apo verë. Realisht nuk ka asnjë të tillë në shumicën e tyre. E vetmja pije në një nga restorantet me të frekuentuara ishte birra “Peja” e Kosovës dhe asnjë pije tjetër.
Mungesa e lidhjes së prodhimit me konsumin në restorante e bare është duke zbehur përfitimet e bujqësisë prej turizmit.
Sipas të dhënave të INSTAT në 6-mujorin e parë 2025, importet e pijeve u rriten me mbi 8% në sasin krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Me shtimin e flukseve turistike janë zgjeruar ndjeshëm edhe importet e ushqimeve edhe për artikuj që prodhohen në vend, të tilla si birra, vera, zarzavatet etj.
Shqipëria po shënon një superprodhim të rrushit, që teorikisht do të duhej të nxiste sektorin e verës dhe pijes tradicionale, por prodhuesit, thotë z. Prenga, do të përballen me çmime të ulëta për faktin se shumë restorante në vend nuk përfshijnë në menu pijet vendase, si vera apo rrushi lokal, duke preferuar produktet import nga jashtë.
Kjo është një sfidë e madhe për prodhuesit që kërkojnë të rrisin prezencën e produkteve vendase dhe të fuqizojnë ekonominë e zonave prodhuese.
Në vitet e fundit, industria e kantinave në Shqipëri ka shënuar një zhvillim të dukshëm, me një rritje të investimeve dhe një përmirësim të cilësisë së prodhimit të verës.
Kantinat tradicionale po modernizohen duke adoptuar teknologji të reja dhe standarde europiane, ndërsa disa prej tyre po arrijnë të prodhojnë vera që konkurrojnë edhe në tregjet ndërkombëtare.
Zona si Berati, Skrapari, Kavaja, Fieri dhe Kruja janë ndër qendrat kryesore të prodhimit të verës, me fokus të veçantë në ruajtjen e shijeve autentike dhe përdorimin e varieteteve vendase të rrushit.
Sa i përket turistëve, vera shqiptare po fiton vlerësime pozitive. Një pjesë e mirë e turistëve e perceptojnë verën shqiptare si një produkt autentik dhe kanë vlerësime për origjinalitetin e saj.
Me gjithë rritjen e viteve të fundit, prodhuesit dhe kantinat shqiptare sërish nuk përfitojnë sa duhet nga mungesa e marketimit dhe bashkëpunimit me restorantet./B.Hoxha
The post Viti më i mirë i dekadës së prodhimit të rrushit, turizmi nuk ndihmon sa duhet konsumin e verës appeared first on Revista Monitor.