Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 July 2025Main stream

Meta ankohet në Kushtetuese/ Avokati Kara: Akuzat ndaj tij, vepra të rënda penale

11 July 2025 at 18:38

Pas më shumë se 10 muajsh në burg, Meta është ankuar në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon lirinë, fill pas ndryshimit të masës së sigurisë për Malltezin dhe Salianjin.

Avokati Romeo Kara tha për ‘Tirana Live’ se situata e Metes nuk është e lehtë dhe që sipas tij nuk do të ketë ndryshime për ish presidentin.

“Kushtetuta ka dhënë disa garanci, siç jep për institucionet jep dhe për individët. Do të goditet pjesa e procesit gjyqësor që ka shkelur garancitë kushtetuese. Unë mendoj që nuk jemi akoma në komunikim zyrtar që janë mbyllur hetimet. Nëse janë mbyllur dhe prokuroria nuk ndryshon qëndrimin, janë bindur që janë kryer veprat penale.

Mendoj duke pasur parasysh procesin, mendoj që nuk do ndryshojë gjë kundrejt Metës. Ngërçi tregon që Gjykata më e lartë lidhur me kushtetueshmërinë është vetë jo në kushtetueshmërinë e plotë. Mund të lërë në fuqi gjendjen e arrestit, mund të konstatojë paligjshmërinë dhe duhet parë si do ta gjykojë gjykata. E shoh gjendjen e tij jo të lehtë.”

Në analizën e tij me elementë juridikë, avokati tha se akuzat ndaj Metës janë të rënda dhe se po bindin akuzën që personi i ka kryer këto vepra.

“Akuzat ndaj Metës janë në të tjera vendime, ndryshe nga Salianji dhe Malltezi. Meta akuzohet për tre vepra të rënda penale, kemi një sërë faktesh që po pasurohen me prova të cilat janë hetuar në kohë të gjatë dhe po bindin akuzën që personi i ka kryer këto vepra.” / abcnews.al

Rama: Thethi, flagrancë spektakolare/ Berisha mbron Gjelin, pas dërgimit të dosjes nga qeveria, sulmon KLP dhe ILD

By: xhir jeta
11 July 2025 at 15:10

Me shembullin e ndërtimeve pa leje në Theth, kryeministri Rama sulmoi sërish prokuroren Elsa Gjeli dhe lëvizjat e saj të fundit për t’u vetëmbrojtur.

 “Në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuar një ngrehinë, por një fshat i tërë turistik, në mes të Thethit, një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë, dhe ka bërë një ese filozofike me pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërtimi pa leje është vepër penale. Në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër penale edhe më e rëndë.”

Një ditë pasi porosia e Ramës ndaj gjyqtares së Shkodrës, Elsa Gjeli mbërriti në ILD dhe KLP. Berisha zbatoi strategjinë e tij për ta mbrojtur, dhe mbrojtja më e mirë është sulmi.

“Koordinimi interinstitucional I këshillatëve, pra KLP, KLGJ dhe institucioneve të tjera të drejtësisë nuk është përmirësuar. Është përtokë, sepse nuk kanë asnjë vullnet të koordinojnë, por vetëm të qeverisin si koorporata të veçanta. Dhe kjo është një gjëmë për shtetin ligjor. Ndërhyrje serioze bëhen nga politikanët në sistem. Pra nuk ekziston një sistem i integruar drejtësie”

Konferencën e fundit për këtë javë doktori e ruajti si fusheqitje ndaj drejtësisë.

 “Kjo farsë nuk njihet, ka një autor, Edi Rama. Por ka një mbrojtës kryesor, Altin Troplini, me qëndrimet që ka mbajtur ndaj krimit kushtetuese elektoral, dëshmon se nuk ka ligj, nuk ka moral por është thjesht një skllav dhe bashkëpunëtor i krimit”

I shqetësuar u duk Berisha nga lëvizjet e Ramës në territor, por jo dhe aq për reformën territoriale.

“Nuk ulemi me të për Reformën Territoriale.Se ne nuk e njohim si kryeministër.Ne nuk njohim farsën.”

Megjithatë, doktori ndërron mendje shpejt.

“Jo, reformën zgjedhore e bëjnë partitë politike. Pra ne nuk zgjedhim kundërshtarin, as kryetarin e saj”/abcnews.al

“Rama zbuloi komplotin e krimit me pushtetin dhe drejtësinë” Çupi: Po e çon Shqipërinë në një stad të ri

By: Rovena
11 July 2025 at 13:42

Analisti Frrok Çupi, në emisionin ‘News Line’ në ABC News, akuzoi përfshirjen e krimit në pushtet dhe drejtësi, duke theksuar bashkëpunimin mes tyre dhe pjesës së korruptuar të Policisë së Shtetit.

Ai u shpreh se krimi ka përdorur njerëz në nevojë për të fuqizuar veten dhe se ka tentuar të marrë kontrollin e institucioneve shtetërore.

Çupi vlerësoi përpjekjet e Kryeministrit Edi Rama për të rikthyer kontrollin mbi territorin dhe për të luftuar fenomenet negative, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe përgjegjësinë e mazhorancës socialiste për stabilitetin e vendit.

“Kryeministri kapi një komplot të vërtetë të krimit me pushtetin dhe drejtësinë, e cila bashkëpunon me krimin. E dyta një pjesë e policisë së Shtetit e cila është kapur në bashkëpunim me krimin. E treta krimi kundër territorit, ka përdorur njerëzit nevojtarë, i kanë inkriminuar. Një pjesë e mirë e Policisë së Shtetit nuk kishte kryer detyrën. Krerët e ligjit përdorin njerëz të dobët, fshatarët për fuqizimin e pushtetit. Rama e kapi që krimi po tentonte që të merret pushtet.

Kritikat për Dredhën janë të dyshimta, pasi është e turpshme që një kryetar bashkie të mos bëjë një shëtitje në qytet dhe të kuptojë se çfarë ka ndodhur. Edi Rama po tenton dhe realisht po tenton që ta çojë pushtetin atje ku e ka marrë, ndodhet tek votat që u morën në zgjedhje. Rama ka përgjegjësinë e mazhorancës socialiste, gjithë kohën qytetarët i kanë besuar kësaj force. Gjëja tjetër është detyrimi kushtetues i mazhorancës për kontrollin e territorit. Që prej vitit 1992 ne kemi vuajtur shpërbërjen e territorit. Jo se na i kanë marrë pushtuesit, por skifterët e trafikut dhe të korrupsionit. Pa territor nuk ka republikë dhe drejtësi.

Forcat regresive duhet që të kapen dikur që të ndalojnë zhvillimin. Ligji konsiderohet ligj kur është në favor të vendit. Prokurorja e Shkodrës e përfshirë në krim. Në këtë vepër shkatërruese është bashkuar kryetari i PD, i cili është kudo ku ka shkelje të ligjit. Rama kërkon që të çojë përpara zhvillimin e vendit me anë të respektimit të ligjit, po e çon në një stad të ri. Sa herë ka zgjedhje, kapaciteti i shtetit vjen afër zeros, ku qytetari vuan për shkak të votës së tij, këtë gjë nuk e lejoi Rama, që të ketë një gjumë pas fitores”, tha Çupi./abcnews.al

Rama: Të gjithë kryetarët e njësive administrative të duhet të shkarkohen… deri të hënën

By: Rovena
11 July 2025 at 10:52

Gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës me kryetarët e bashkive nga i gjithë vendi, Kryeministri Edi Rama ka adresuar me tone të forta kritike performancën e pushtetit vendor, duke theksuar se nuk ka më vend për justifikime në mandatin aktual.

Ai solli në vëmendje shembullin e Bashkisë së Cërrikut, e cila përpunon mbetjet e fshatit dhe i kthen në produkte të shitshme, duke e cilësuar si një model inovativ që duhet të ndiqet nga të gjitha bashkitë.

Rama kritikoi qasjen pasive të disa njësive vendore që presin fonde nga qeveria, ndërkohë që, sipas tij, kanë mundësi të zhvillojnë projekte vetëgjeneruese për komunitetin.

Në mënyrë të prerë, ai kërkoi shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative të emëruar nga Partia Socialiste, për t’iu hapur rrugë individëve të rinj që mund të japin rezultate më të mira. “Shqipëria e vitit 2030 nuk ndërtohet duke përsëritur të njëjtat gabime,” theksoi Rama.

“Këto mandate nuk kanë asnjë justifikim, sepse epo të ishte për të justifikuar e kishin mundësinë më shumë njerëzit për t’u justifikuar. Kështu që për ne nuk ka asnjë justifikim, zero, ku ta di unë se përse Bashkia e Cërrikut i përpunon të gjitha mbetjet e fshatit dhe i kthen në produkt në shitje, dhe pse nuk e kanë të gjitha bashkitë këtë.

Është një inovacion, që e ka Bashkia e Cërrikut. Pse duhet të rrimë të presim, dhe pastaj kërkojnë vetëm fonde nga qeveria, ndërkohë që kanë mundësira të pafundme për të prodhuar dhe për t’i vënë në funksion të komunitetit. Sa i përket kryetarëve të PS, të gjithë kryetarët e njësive duhet të shkarkohen, të gjithë.

Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë duhet të shkarkohen, për t’iu dhënë mundësia të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më mirë se ata. Ne duhet që ta zgjerojmë hapësirën edhe për ata të tjerët të cilët nuk na njohin dhe nuk janë çdo ditë me ne, por na kanë dhënë votën. Shqipërinë në vitin 2030 nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime.Shpresoj ditën e hënë të gjithë kryetarët e njësive të jenë të shkarkuar”, tha Rama./abcnews.al

 

Before yesterdayMain stream

Shqipëria, mbështetje Ukrainës/ Rama: Nuk lejojmë askënd jashtë Evropës të na japë leksione paqeje

10 July 2025 at 15:25

ROMË- Edi Rama iu bashkua liderëve botërorë në konferencën e katërt ndërkombëtare për rindërtimin e Ukrainës, e cila u mbajt këtë të enjte në Romë. Në fjalën e tij, kryeministri tha se Shqipëria do të jetë krah Ukrainës për mbrojtjen e integritetit të saj territorial, edhe pse thekson se të flasësh për paqen, nuk e bën luftën të përfundojë ndaj Europa duhet të ketë një plan masash.

“Shqipëria është një vend shumë i vogël, me pak burime dhe pa fuqi për të ndryshuar shumë në fushën e betejës, por kemi qenë dhe do të jemi krah Italisë dhe miqve e partnerëve tanë evropianë, kudo dhe kurdoherë që Ukraina do të ketë nevojë për ne.

Ne nuk jemi një komunitet mes vendeve që janë në luftë, në këtë luftë të mallkuar në dyert e Europës. Askush nuk ka një formulë magjike, por thjesht të flasim për paqen nuk e bën luftën të mbarojë.

Ndërsa po bëjmë gjithçka të duhur për të mos e lënë Ukrainën në baltë, nuk do të jemi mjaftueshëm të fortë për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për ta shpëtuar Ukrainën, nëse nuk kemi një plan të guximshëm, të besueshëm dhe tërheqës për paqen”, shtoi Rama.

Teksa e bën të qartë se agresori nuk është Ukraina, Rama thotë që Europa duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të mos lejojë askënd ti japë leksione paqeje.

“Nuk duhet të lejojmë askënd jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione neve, komunitetit evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon paqja.  Ne nuk jemi një komunitet luftënxitësish, dhe Ukraina nuk është as agresori dhe as shkaktari i asaj lufte të përgjakshme që zhvillohet çdo ditë e natë në portat e Europës”

E në fund, Edi Rama e mbylli fjalën e tij me një shprehje të Papa Franceskut.

“Dhe siç tha njëherë Papa Françesku këtu në Romë: “Unë ndiej këtu jo praninë e së shkuarës, por të së ardhmes.”, tha ai./abcnews.al

Raporti i PE për Shqipërinë, reagon Qeveria: E mirëpresim, konfirmon mbështetjen për zgjerimin e BE!

By: xhir jeta
10 July 2025 at 15:25

Pas miratimit, më datë 4 qershor 2025 nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), tashmë dhe Parlamenti Evropian miratoi, në seancën plenare të datës 9 Korrik, në Strasburg, Raportin mbi ecurinë e progresin e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024.

Raporti përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Evropian.

Qeveria mirëpret raportin e Parlamentit Evropian, vlerëson rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës të rrugës evropiane të Shqipërisë, dhe falënderon eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Në mënyrë të veçantë, ajo shpreh vlerësim për Raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmendtë, qasjen objektive dhe të balancuar ndaj arritjeve dhe sfidave që kemi përpara dhe rekomandimeve për veprim. Qeveria vlerëson gjuhën inkurajuese të Raportit, si dhe pasqyrimin e qartë të progresit me reformat dhe arritjet e Shqipërisë, në dy vitet e fundit.

Ky Raport vjen në një moment të rëndësishëm historik, teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me reformat për të forcuar më tej demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, modernizimin e administratës publike, lirinë e medias dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Raporti i Parlamentit Evropian vjen vetëm një ditë pas raportit të publikuar nga Komisioni Evropian mbi Shtetin e së Drejtës, i cili vlerëson progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve kyçe të sundimit të ligjit dhe në reformat e rëndësishme në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e modernizimit të qeverisjes.

Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria riafirmon përkushtimin e palëkundur për të vazhduar me ritëm edhe më të shpejtë reformat e nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për të bashkëpunuar ngushtë dhe efektivisht me institucionet e Bashkimit Evropian.

Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj natyrës rigoroze dhe transformuese të procesit të anëtarësimit, si dhe ndaj bashkëpunimit të thelluar me të gjitha institucionet evropiane, edhe Parlamentin Evropian dhe mirëpret rekomandimet për të thelluar më tej reforma, në të mirë të qytetarëve shqiptarë, të rritjes ekonomike e forcimit të demokracinë, si dhe për të kontribuar në forcimin dhe unitetin e Bashkimit Evropian. Siç deklaroi edhe Raporteri Schieder në fjalën e tij: “E ardhmja e Shqipërisë është në BE’’.

Dule: Jemi fajtorë për humbjen/ Aleati i Berishës: Vota e opozitarëve ishte e përçarë

By: xhir jeta
10 July 2025 at 15:20

 

Parlamenti europian miratoi me shumicë votash raportin për Shqipërinë por njëjtë si aleati i tij, edhe Vangjel Dule, i lexon ndryshe qëndrimet e ndërkombëtareve kur bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Nuk kam konstatuar certifikim të këtyre zgjedhjeve, nga asnjë deklaratë, nga asnjë autoritet unilateral apo multilateral ndërkombëtar. Përkundrazi, është hera e parë që në raport nuk kemi atë shprehjen e famshme që pavarësisht problematikave u shënuan hapa para. Është thembra e Akilit. Nuk janë zgjedhje, për rrjedhojë mos prisni dhe nuk duhet të presim që të na thonë se zgjedhjet ishin të papranueshme dhe duhen përsëritur.” 

Dule thotë se opozita duhet ta ktheje gishtin nga vetja për disfatën e thellë në zgjedhje ndonëse humbjen e justifikon me përcarjen e opozitës dhe përpjekjet sipas tij për të blerë njerëzit prane saj.

“Dështuam, sepse edhe njerëz nga radhët tanë u blenë, apo ranë viktima të presionit. Apo edhe fenomene të tjera, të cilat kanë të bëjnë me divergjenca brenda kampit opozitar. Imagjinoni për një moment nëse vota opozitare do të ishte e unifikuar, se çfarë votë të shtuar do të kishte sjellë në rezultatin përfundimtar dhe ndoshta edhe përmbysje të rezultatit. Është investuar qeveria në përçarjen e opozitës. “

E teksa Sali Berisha po pret mbarimin e pushimeve për të nisur protestat, Dule thote se ato duhet të ishin të pandalshme, që pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Është çështje e shoqërisë sonë, e zgjedhësve tanë, që të reagojnë. Në çdo vend tjetër, pas një procesi të tillë si ai i 11 majit, protestat do të ishin të pandalshme. Por çfarë po ndodh? Ne kemi fenomene të tjera sociale që kanë ndodhur në vendin tonë. Qytetari im ndihet i mundur. Shoqëria jonë ndihet e mundur nga partia shtet. Këtu është përgjegjësia e opozitës”

Përçahen opozitarët e rinj/ Daja i Shabanit do mandatin e Lapajt

By: xhir jeta
10 July 2025 at 15:18

“Nëse marrim një mandat unë nuk hyj në parlament”

Karma po i kthehet shume shpejt Adriatik Lapajt. Endrit Shabani po tenton ta lërë jashtë parlamentit.

Daja i Shabanit, Zeqir Kordhoni, kandidat i koalicionit në listën e mbyllur të Tiranës, i ka kërkuar në KQZ ti japin mandatin e deputetit.

Në formularin e deklarimit, ai rezulton një punëtor ndërtimi dhe invalid, por emri i tij ishte vetëm pjesë e skemës së Lapajt e Shabanit për të mbushur listat e mbyllura me familjarë, qe vete te benin gare ne te hapur.

Në këtë letër dërguar Celibashit, Kordhoni shkruan se dorëheqjen nga mandati fiks në datën 11 maj, nuk e ka dhënë ai personalisht, por ia ka bërë partia e Lapajt, ndaj dhe KQZ i ka hequr emrin.

Ndersa kishin rene dakord per listen e mbyllur me familjare, në garën e Tiranës në listën e hapur, Lapaj e mposhti Shabanin me vota. Por mesa duket, edhe koalicioni i të rinjve, i ngjan shumë atyre të vjetërve. Me një ndryshim, shumë më banal.

Meqenëse nipi nuk i fitoi mandatin, le ta marrë dajoja.

Këto krisma i paralajmëroi Dashnor Sula prej marsit, kur kaloi ylberin e PD dhe besoi se Shqipëria Bëhet, por më pas mori vesh se Shqipëria edhe mund të bëhet, por Dashi deputet pak vështirë. Sepse Lapaj nuk i dha garancinë e dorëheqjeve nga lista e mbyllur.

Adriatik Lapaj që synonte fillimisht 71 mandate, por përfundoi me 1 mandat, ka vetëm një gur të fundit në dorë. E para në listën e mbyllur të Tiranës, mbetet  kandidatja e tij Ana Dajko. Ajo ka shansin të marrë mandatin, e për të lënë pas mosmarrëveshjes kokë mënjanë, si Lapajn dhe Shabanin me dajon e tij tashmë në mes. Të dy rrugëve, jashtë parlamentit.

“Berisha më humbës së Luli”, Minxhozi: Lideri i PD nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjen

9 July 2025 at 18:28

Analisti Skënder Minxhozi komentoi për ‘Tirana Live’ akuzat e Berishës ndaj kompanisë ndërkombëtare DHL për procesin zgjedhor. Minxhozi tha se historia e Berishës është një film i përsëritur dhe se ai kërkon të shëtis fajin e humbjes kudo. Analisti përmendi edhe procesin e rinumërimit, ku tha se PD mori më shumë vota padrejtësisht.

“Historia e Berishës me zgjedhjet është një film i përsëritur. Ne e dinim sjelljen e Berishës, që në rast humbjeje doktori do shëtiste fajin për humbjen kudo. Në rast humbje kryetari i partisë mban përgjegjësinë dhe ikën.

Shqiptarët kanë më shumë probleme për tu marrë sesa me akuzat e Berishës për humbjet e zgjedhjes. Fati i zgjedhjeve u vendos në ditën e zgjedhjeve, ndodhi një proces rihapje kutish dhe u pa se PD kishte marrë më shumë vota të padrejta sesa PS. Nuk dihet se çfarë kërkon doktori përveçse të fitoj kohë.”

Më tej, në analizën e tij Minxhozi komentoi humbjen e Berishës duke e cilësuar atë më humbës sa vetë Lulzim Basha i cili në 2021 kërcënoi bindshëm mazhorancën për rotacionin e ëndërruar politik.

“Të tjerët në PD e ndrydhin në heshtje atë që kanë për të thënë, flas për ata në lista të hapura. Është një situatë ku Berisha po vijon procesin e të mësuarit të partisë së tij, për faktin që ai është më humbës sesa Luli dhe Meta. Në 2 vite më parë humbi 54 bashki, dhe sot në zgjedhjet parlamentare ka çerek vota më pak sesa Basha dhe Kryemadhi që në 2021 shkuan pranë ëndrrës së rotacionit politik./ abcnews.al

PE pro integrimit/ Begaj: Raporti, mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar

By: xhir jeta
9 July 2025 at 15:42

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian pas miratimit të rezolutës mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 – 2024.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në platformën X dhe në Facebook, Presidenti Begaj e vlerëson këtë rezolutë si mbështetje ndaj procesit të reformave që Shqipëria ka ndërmarrë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Konfirmimi dhe mbështetja e Parlamentit Evropian i jep Shqipërisë me rezolutën e fundit energji për procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar në të gjitha drejtimet dhe për çdo aspekt të rezolutës”, – shprehet Presidenti Begaj.

Berisha grindet me DHL: U ble nga Edi Rama, tani protesta

By: xhir jeta
9 July 2025 at 15:20

Njëri në terren, tjetri në seli. Për doktorin çfarë bën Rama nga Vlora në Theth jashtë, ka lidhje me farsën e tij brenda.

“Ka hall të madh. Është zënë në çark, i ka ngecur farsa. Nuk shpëton dot. Ndaj bën këto ai. Qëllimi i tij është hakmarrja elektorale dhe të mbulojë të vetat”

Në denoncimin e ri për farsën e tij, doktori nuk kurseu kompaninë DHL, si të blerë nga PS. Për ta bërë më të besueshme, i shtoi ca doza humori.

“Edi Rama, PS, ka korruptuar gjer në rrënjë DHL-në, sepse DHL për reputacionin e saj botëror nuk mund të bënte kurrë akte të tilla. Urdhëroni çfarë shërbimi. I mban fletët e votimit 3 javë pa ia dorëzuar të zotit. Ia dorëzon në ditët që nuk ka vlerë më. Ja, firma e Edi Ramës, kanë kopjuar firmën e Ramës, janë të pafytyrë. Kjo duket si firma e Taulantit, sdi gjë është apo jo. Ja Eliza kjo”

Pati vetëm një sqarim, më tepër si amnistim.

“Ja, kjo duket si firma e Veliajt, po sthem dot që është e tija, se ai është në burg, sështë e tija”

Për doktorin, prioritet mbetet farsa. Edhe kur duhet të lërë Salianjin në plan të dytë. Ai thotë se ish-deputeti pas lirimit ka me kë të merret.

“Se çfarë posti do të marrë Salianji e cakton anëtarësia, do e merrni vesh. Ccështja Salianji nuk ka mbaruar, vetëm sa ka filluar, do e merrni vesh ju. I shtynë 1 muaj seancën, e dini pse, I kërkonin të deklarojë se nuk do vrasë Fatmir Xhafën ose Geron Xhafën.”

Megjithatë, Berisha në këto ditë të nxehta, vendosi t’ua prishë pak qejfin të vetëve.

“U bëj thirrje të gjithëve, të ngrihen në protesta, brenda dhe jashtë vendit. Pa diskutim do të mbahen, janë të vonuara”

Një sqarim, doktori nuk e kishte seriozisht. Bëhet fjalë pas pushimeve të gushtit, në shtator, kur do të rikthehet dhe vetë./abcnews.al

“Tokat e xanuna në kurriz të komunitetit, s’ka më”/ Rama paralajmëron reforma të reja nga territori, uji, nafta e mbetjet

By: xhir jeta
9 July 2025 at 11:37

Kryeministri Edi Rama, paralajmëroi këtë të martë nisjen e një reforme të re ligjore të kontrollit të zhvillimit të territorit.

Në një postim në rrjetin sociali X, ku reagon për aksionin e nisur pak ditë më parë dhe që po vijon në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike, Rama shkruan se Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna.

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” shkruan ai./abcnews.al

Pas Vlorës, Fierit e Durrësit, “fshesa Rama” mbërrin edhe në Elbasan

By: Rovena
9 July 2025 at 09:20

Pas vizita të befasishme në Bashkinë e Vlorës, Fierit e Durrësit, kryeministri Rama është nisur mëngjesin e kësaj të mërkure në Bashkinë e Elbasanit.

Ku njësoj si në tre bashkitë e mëparshme edhe këtu pritet që të bëjë mbledhje me kryetarët e bashkisë dhe të kërkojë dorëheqjen e drejtueseve, për t’u lënë vendin njerëzve të rinj, me ide dhe ambicie të reja.

Vizitat e kryeministrit vijnë në kuadër të iniciativës kombëtare për lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, ku Kryeministri Rama ka ndjekur nga afër aksionet e nisura më herët edhe në Vlorë.

Gazetarja e ABC News ka mësuar se këtë pasdite kryeministri do të niset drejt Romës, ku do të marrë pjesë në samitin që do të mbahet me Ukrainën./abcnews.al

Salianji injoron kushtet/ “Bëra burg politik. Tani ankimim në Strasburg”

By: Rovena
8 July 2025 at 23:39

Nga burgu i Fierit direkt në PD. 9 muaj burgim, e kishin ndryshuar Salianjin, në pamje për mirë. Ndonëse ish-deputeti tha se qelinë e kishte peshqesh politik nga kundërshtarët.

“Ky ishte një dënim ekskluziv i kryeministrit Rama dhe ish-ministrit, kryetarit të Reformës në Drejtësi që për inate personale vendosi të hakmerret se unë denoncova.”

Por, Salianji ka vendosur të bëjë një hap pas. Ai ndryshe nga çfarë thotë për Xhafajn, nuk ka më betejë personale.

“Unë skam betejë personale me askënd, unë si ky rast kam bërë qindra denoncime që janë faktuar që janë të vërteta, nga bandat, tek hashashi, krimi.”

Xhafajn tha se ia ka lënë SPAK-ut. Por nga vëllai i tij nuk ka hequr dore.

“Vëllai i dënuar në Itali, ligji këtu e parashikon që duhet të vendoset të paktën në hetim pasuror.”

Tashmë pa mandat, Salianji  nuk shprehu interes për postin në PD, por zbulon se ka një betejë më të madhe, Strasburgun. Aty ku do të shkojë për të rifituar të drejtën e kandidimit, tashmë në 2029.

“Gjykata e Lartë s’ka zbardhur ende vendimin, të procedojmë me Gjykatën Kushtetuese. Më pas shkojmë në Strasburg. Besoj se vendimi merret përpara zgjedhjeve të tjera për mandatin tim. Me zor pres një përballje në Strasburg, se kush ka patur të drejtë unë apo qeveria.”

Doktori nuk e priti në selinë e tij, por u mjaftua t’i linte pasdite të dënuarit me kusht, karrigen në të cilën nuk ulet prej kohësh.

 “Qëllimi kryesor i Edi Ramës ishte t’i këpuste karrierën politike Salianjit, që ai të mos kandidonte më në parlament, se e kishte tmerr.”/abcnews.al

Autopsia e zgjedhjeve/ Intervista e plotë me konstitucionalistin Niazi Jaho

7 July 2025 at 21:20

Konstitucionalisti Niazi Jaho ka bërë një analizë më të zgjeruar ndaj procesit zgjedhor.

Në një intervistë në distancë të dhënë për “Real Story” në ABC News, konstitucionalisti Nijazi Jaho ka bërë leximin e tij të ligjin, duke bërë edhe komentin e tij, duke u fokusuar së pari te çështja e disa kandidatëve të listës që patëm pretendime se votat e tyre janë vjedhur.

I pyetur nëse janë bërë shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të vitit 2008, ai u përgjigj që po janë bërë, duke shpjeguar se janë bërë shtesa dhe ndryshime në vitet 2012, 2015, dy herë në vitin 2020, në vitet 2021, 2023 dhe se fundmi siç tha ai, me ligjin nr81/2024, por sqaroi se pika 1 e neni 124 nuk është ndryshuar.

Intervistë e plotë me konstitucionalistin Niazi Jaho

Balla: Vazhdon të diskutohet çështja e disa kandidatëve për deputetë të listës zgjedhore preferenciale që pretendojnë se disponojnë fakte dhe prova që një pjesë e votave që zgjedhësit u kanë dhënë atyre, në mënyrë abuzive, u ka kaluar kandidatëve të tjerë. Për këtë ata janë ankuar deri në Kolegjin Zgjedhor, por ankesat e tyre janë refuzuar për mungesë legjitimimi. Për sqarimin ligjor të këtij problemi iu drejtuam juristit të njohur, Niazi Jaho, studiues në fushën e legjislacionit zgjedhor, autor i disa botimeve dhe i një numri të konsiderueshëm shkrimesh dhe intervistash.

Z.Jaho, pas zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti, disa kandidatë për deputetë të rrjeshtuar në pjesën e listave preferenciale janë ankuar sepse është abuzuar me votën e dhënë në favorin e tyre, me arsyetimin se nuk legjitimohen. A është i bazuar ky vendim?

Jaho: Në aspektin ligjor dhe Kushtetues e kam ndjekur këtë problem. Refuzimi për mungesë legjimiteti është mbështetur në pikën 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor ku thuhet: << Çdo parti politike, pjestare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit, kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KAZ-së që cënojnë interesat e tyre të ligjshme, brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit >>
Ja pra, kjo është dispozita që ankesat e tyre janë refuzuar për mungesë legjimiteti. Ose më qartë akoma, ti kandidat që je ankuar nuk legjitimohesh sepse, në pikën 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor, përmenden vetëm kandidatët e propozuar nga zgjedhësit.

Balla: Deri sa këtë të drejtë e ka partia (subjekti zgjedhor që e ka përfshirë kandidatin në listën preferenciale) përse nuk është ankuar ajo?

Jaho: Në këtë rast nuk preferoj të bëj supozime. Aryset i di kandidati dhe partia e tij.

Balla: Kjo do të thotë se edhe me rastet kur kandidati për deputet disponon prova dhe fakte se me votën që i është dhënë atij është abuzuar me forma nga më të ndryshmet, i janë mbyllur dyert për t’u ankuar, a është kështu?

Jaho: Po, ligji ia ka mbyllur dyert, por partia politike përkatëse mund t’i hapë ato duke e marrë ajo nismën për t’u ankuar

Balla: Duke patur parasysh se kandidatëve për deputet u është refuzuar ankesa për të njëjtin shkak edhe nga Kolegji Zgjedhor, a mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Ata pretendeojnë se vendimet për mungesë legjitimimi janë antikushtetuese?

Jaho: Kjo është e drejta e tyre, por për mendimin tim Gjykata Kushtetuese nuk do të investohet për pranimin dhe shqyrtimin e ankesave të tilla sepse: a) sipas pikës 5 të nenit 158 të Kodit Zgjedhor <<Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe ndaj tyre nuk bëhet ankim>> b) Në drejtësi zbatohet parimi i njohur i ligjshmërisë se derisa ligji është në fuqi, prezumohet se ai është i Kushtetutës.

Balla: Kolegji Zgjedhor a mund të interpretonte pikën 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor, me arsyetimin se derisa ligji i njeh të drejtën për t’u ankuar kandidatit të zgjedhur nënkuptohet se këtë të drejtë duhet ta ketë edhe kandidati i përfshirë në listën preferenciale nga partia përkatëse?

Jaho: Kolegji Zgjedhor mund të ketë raste që të bëjë interpretimin e ligjit, por jo në rastin konkret ku formulimi i pikës 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor është i qartë. Nëse Kolegji Zgjedhor do ta bënte këtë, do të merrte atributet e legjislativit.

Balla: Siç dihet Gjykata Kushtetuese ka të drejtë që një ligj apo dispozite të vecantë ta shpallë antikushtuese. Ajo gjithashtu ka kompetencë të bëjë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Në rastin konkret a mundet që Gjykata Kushtetuese të veprojë me nismën e saj?

Jaho: Jo nuk mundet, sepse nuk e lejon ligji. Ajo vihet në lëvizje nga subjekte të caktuara dhe zbaton procedurën e parashikuar me ligjin mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Balla: Po Kuvendi, më vonë, a mund të bëjë ndryshime në pikën 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor?

Jaho: Sigurisht që po

Balla: Sqarimet tuaja janë të qarta, por ne, do të dëshironim të dinim mendimin tuaj. Konkretisht: në rastet kur kandidati për deputet do të dispononte të dhëna, fakte dhe prova të besueshme se vota që i është dhënë atij me dashje apo pa dashje i ka kaluar të tjerëve a duhet të kishte të drejtën të ankohej?

Jaho: Mendoj se po, aq më tepër kur partia përkatëse nuk vihet në lëvizje. Derisa ai pretendon se i janë cënuar interesat e tij të ligjshme për rivendosjen e tyre, ai do të duhet të kishte akses për t’u ankuar në një organ administrativ dhe gjyqësor. Ai është individ, shtetas, kandidat për deputet që garon dhe i drejtohet votuesve për ta votuar. Në këtë vështrim krijohet një raport i veçantë midis tij dhe zgjedhësve. Jo vetëm kandidati por edhe votuesi është i interesuar që vota e tij të llogaritet vetëm për kandidatin që ka votuar. Në rast se vërtetohet abuzimi me votën pavarësisht nga pamundësia e identifikimit të abuzuesit është cënuar dhe vullneti i zgjedhësve.

Balla: Në raportet e OSBE/ODIHR a ka patur ndonjë rekomandim për ndryshimin ose rishikim të pikës 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor?

Jaho: Nuk ka patur.

Balla: Në Kodin Zgjedhor të vitit 2008 a janë bërë shtesa dhe ndryshime?

Jaho: Po, rezulton që atij Kodi Zgjedhor të vitit 2008 i janë bërë shtesa dhe ndryshime në vitet 2012, 2015, dy herë në vitin 2020, në vitet 2021, 2023 dhe së fundmi me ligjin nr 81/ 2024, por pika 1 e nenit 124 nuk është ndryshuar.
Megjithëkëtë më ka tërhequr vëmendjen fakti se në raportin e OSBE/ODIHR-it me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në rekomandimin nr 22 faqe 32 thuhet: Mund të shikohet mundësia e rishikimit të ligjit në mënyrë që të qartësohet përgjegjësia për ankesat kundër vendimeve të KQV-ve dhe ato që lidhen me shkeljet e fushatës, ndërsa në vazhdim theksohet: <<si edhe për të eliminuar kufizimet e padrejta të legjimitetit për ankim>>
Meqë Kuvendi ka bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor në vitet 2021, 2023 dhe 2024 do të duhej ta shqyrtonte edhe këtë rekomandim dhe në bazë të tij të rishikonte edhe formulimin e pikës 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor.

Balla: Thuhet se Komisioni i Venecias është shprehur për këtë çështje. A është kështu?

Jaho: Po, nëpërmjet medias jam informuar edhe për këtë. Kjo më nxiti të njihem a) me Kodin e Praktikës së mirë me çështjet zgjedhore miratuar nga Komisioni i Venecias në tetor të vitit 2002 ku jepen udhëzime për zbatimin e parimeve bazë në zgjedhje. Edhe pse në këtë kod nuk bëhet shprehimisht fjalë për të drejtën e kandidatit për deputet për t’u ankuar kur pretendohet se i janë cënuar të drejtat e ligjshme të tij, në pjesën: <<Ankimet dhe apelimet>> thuhet: <<dispozitat e ligjit elektoral, nuk duhet të jenë vetëm fjalë në letër, sepse ‘kjo ka të bëjë vecanërisht me rezultatin e zgjedhjeve’ (faqe 31)

  1. b) Në rekomandimet e përbashkëta për Kodin Zgjedhor dhe administratën zgjedhore në Shqipëri ‘Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i lidhur me Kodin Zgjedhor të vitit 2004 kanë shprehur në mënyrë analitike opinionin e tyre nr 273/2004. Në pjesën ‘ankimet dhe apelimet’ dhe pikërisht në këtë paragrafin 102 dhe 103 (faqe 26) midis të tjerave thuhet: Nenet 146 deri 179 parashtrojnë procese adekuate për të siguruar që shtetasit, kandidatët dhe partitë politike të mund të kërkojnë rishikim të qenësishëm në rast të dhunimit të një të drejte ligjore. Por ajo që është më e qartë dhe më domethënëse është përmbajtja e paragrafit 107 (faqe 27) ku thuhet: <<Neni 162 e kufizon të drejtën për të apeluar një vendim të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor vetëm te subjektet zgjedhore>>. Kanë kaluar 21 vjet nga opinioni i mësipërm i shprehur kryesisht për Kodin Zgjedhor të vitit 2004 dhe ky opinion kaq i rëndësishëm nuk ka qenë objekt shqyrtimi nga Kuvendi gjë që rezulton nga përmbajtja e pikës 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor që përjashton të drejtën e ankimit nga kandidatët për deputet të partive politike. Është për të ardhur keq që ka edhe shumë rekomandime të tyre të parashtruara në mënyrë të përsëritur në raportet e OSBE/ODIHR -it që kanë monitoruar zgjedhjet në vendin tonë dhe që nuk janë bërë objekt shqyrtimi nga Kuvendi i Shqipërië. Është kjo arsyeja që në disa raporte të OSBE/ODIHR në pjesën Rekomandime përmendet e njëjta gjë, konkretisht: “ këto rekomandime duhe të lexohen së bashku me rekomandimet e mëparshme të ODIHR që nuk janë adresuar ende”. Raporti i OSBE ODIHR-it lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 (faqe 30)

Balla: A mendoni se kjo çështje do të trajtohet në raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR -it lidhur me zgjedhjet e 11 majit të këtij viti?

Jaho: Mendoj se po.

 

Vullneti i Diasporës në 11 maj/ Meta: Palët politike kishin kohë në dispozicion për të analizuar procesin

7 July 2025 at 20:32

Për eksperten e çështjeve zgjedhore Gerta Meta, vota e Diasporës nisi pozitivisht dhe u ‘shua’ duke parë investimin e postës. Sipas saj, palët politike duhet të investoheshin më shumë në analiza pasi kishin 4-5 vjet në dispozicion për të ‘bërë bilance’.

“Diaspora nisi shumë pozitivsht me mënyrën si u prit dhe erdhi duke u shuar duke parë investimin e postës në mënyrën e mbledhjes ndërkombëtarisht.

Palët politike nuk duhet ta kishin lënë procesin të shkonte deri këtu, por e kanë pasur kohën  në dispozicion që në 2020, 2021 ku u shënua në Kod Zgjedhor. Në 4-5 vjet palët e kishin panoramën dhe pritshmërit e tyre për të parë a ja vlejnë gjithë këto para në lidhje me menaxhimin e votës së Diasporës.

Ka pasur njerëz që thonin që ja vlen sepse janë qytetarë dhe është e drejtë kushtetuese, ka dhe njerëz që janë skeptik duke thënë që pse duhet të votojnë përsa kohë nuk janë kontribues.”

/ abcnews.al

Ulliri “çel” Berishën/ Mbron gjyqtaren që do ta gjykojë, denigron të tjerët

7 July 2025 at 15:46

TIRANË- Degët e ullirit e çelën lulen e parë. Doktor Berisha Doktori përshëndeti vendimin e gjyqtares Elsa Ulliri, kushërirës së deputetes demokrate Andia Ulliri, për lirimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi pas 2 vitesh arrest shtëpie.

“Jamarbër Malltezi ka bërë dy vite i burgosur politik në shtëpi. I burgosur politik në mënyrë absolute pa shkelur asnjë ligj të këtij shteti.

Ndonëse Ulliri një javë më parë deklaroi konflikt interesi, nën këtë konflikt ia bëri nderin e parë doktorit, që pritet ta pasojë dhe gjatë gjykimit të çështjes ku të pandehur janë ai vetë dhe dhëndri.

Dhe ky i fundit ia shpërblen. Gjithë kolegët e Ullirit ia quan mercenarë të Ramës, përveç saj.

“Si një njeri, zyrtar i kësaj partie, që publikoi nga viti 2014 gjer në fund, 300 e sa statuse në Facebook. Të gjitha kishin në epiqendër Ramaduron apo kreun e krimit të shekullit. Dhe për të gjitha këto, Edi Rama me mercenarët e tij si Altin Dumani, me ish-xhelatë të Sigurimit të Shtetit si Kraja, me Enkelejda Fetahun, simotrën e gjykatëses banditë të Suel Çelës, e mbajtën në hakmarrje dy vite në arrest shtëpie.”

Por krahas drejtësisë, doktorit i ka ngelur sharra tek farsa. Sërish nxori video nga Elbasani, dhe për farsën aty kësaj radhe fajësoi Suel Çelën.  Por sërish vlen e njëjta pyetje, ku ishin komisionerët e PD për te mbrojtur votat e zgjedhësve të tyre?.

“Është zonë krimi. S’mund të rrezikonin kokën. Se këta të kërcënojnë. S’dihet ku gdhihesh nesër.”, tha ai/abcnews.al

 

“Vendimi për Malltezin, cinik”, Gjikondi: Bashkë me Berishën i kanë bërë presion të hapur drejtësisë

By: Rovena
7 July 2025 at 13:25

Gjykata e Posaçme vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin. Ai u lirua nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” kundrejt garancisë pasurore në vlerën 3 milionë lekë.

Avokatja Brizida Gjikondi kritikoi ashpër vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila ndryshoi masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, duke e liruar nga “arresti në shtëpi” dhe duke vendosur një garanci pasurore prej 3 milionë lekësh. Në një intervistë për ABC News, Gjikondi e cilësoi këtë vendim jo vetëm si cinik nga pikëpamja ligjore, por edhe si një shkelje morale, duke theksuar se një person i akuzuar për korrupsion galopant merr lehtësira që dërgojnë një mesazh shqetësues për institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

Ajo nënvizoi se Malltezi dhe familja e tij kanë ushtruar presion të hapur ndaj institucioneve të drejtësisë dhe se vendime të tilla janë dëmtuese për besimin e qytetarëve dhe tregojnë lidhje të fshehta mes politikës dhe drejtësisë.

Gjikondi shtoi se SPAK ka të drejtë të ankimojë këtë vendim, i cili sipas saj është një goditje e rëndë ndaj luftës kundër korrupsionit në vend.

“Vendim cinik jo vetëm nga ana ligjore por edhe nga ana morale. Ai akuzohet për korrupsion galopant! Një personi të korruptuar ti pranosh 30 milion lekë tregon edhe një herë që në Shqipëri që i korruptuari ka derën e hapur. Është e disata herë, ku unë kam parë që Malltezi nuk kanë respektuar asnjëherë institucionet. Kanë tentuar të ulin SPAK dhe institucionet e tjera dhe tani i japin garancinë për t’u liruar. Kjo tregon që kemi një influencë në politikë. Të vjedhësh miliarda lekë dhe të shkon si “Pinxho Kapella” dhe t’i pranosh 30 milionë lekë është cinizëm.

Është një presion i hapur, është dhe një goditje e hapur për drejtësinë. Malltezi bashkë me vjehrrin e tij i bëjnë presion të hapur drejtësinë. Këto lloj vendimesh janë një demoralizim për gjithë qytetarët që respektojnë drejtësinë. Janë dritëhije dhe lidhje të fshehta të politikës me drejtësinë. Ne nuk duhet që të ambientohemi me këtë lloj qasje. SPAK ka të drejtë ta ankimojë këtë vendim që është marrë sot, sepse Malltezi ka ndikuar direk apo indirekt për të prishur provat, edhe kur ka qenë arrest në shtëpi. Ai të gjykohet për korrupsion dhe t’i marrësh lekët për garanci, për mua është një skandal i madh. Lekët e korrupsionit ia merr si garanci!”, tha Gjikondi./abcnews.al

 

Certifikimi i zgjedhjeve, drejt fundit/ KAS vendos sot për katër qarqet e mbetura

By: Rovena
7 July 2025 at 10:20

Certifikimit të zgjedhjeve të 11 majit duket se është drejt fundit. Ndërkohë që KAS pritet të vendosë sot për katër qarqet e vendit. Bëhet fjalë konkretisht për qarkun e Elbasanit, Tiranës, Durrësit dhe Fierit.

Ishte pikërisht qarku i Elbasanit, ku PD ngriti për herë të parë pretendimet për trenin bullgar. Ndërkohë që nga rinumërimi i votave nuk pati ndryshim në rezultat./abcnews.al

VIDEO/ Kryeministri Rama përfundon takimin në Vlorë

By: Rovena
7 July 2025 at 09:09

VLORË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka përfunduar takimin me strukturat e Bashkisë së Vlorës.

Pas daljes nga Bashkia, Rama u takua me disa qytetarë, që prisnin jashtë godinës së Bashkisë.

Kryeministri fillimisht është pritur nga drejtuesi politik i qarkut Bledi Cuçi, Kryetari i bashkisë Ermal Dredha. Te pranishëm ishin dhe  ministri i MbrojtjesPirro Vengu, por edhe deputet të Qarkut Vlorë.

Më 3 korrik, Rama kërkoi shkarkimin e drejtorëve të Bashkisë së Vlorës dhe drejtueseve të Partisë Socialiste të kësaj dege. Gjatë vizitës së tij kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga Në vizitën e tij në Vlorë, kryeministri ka qenë i shoqëruar nga ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, ndërsa mbledhja me drejtorët u zhvillua me dyer të mbyllura.

Vendimi i tij lidhej me problematikat e qytetit bregdetar, si problemi i ujit të pijshëm apo dhe zjarri në fushën e mbetjeve.

Ndërkohë një ditë pas vizitës së papritur të kryeministrit Edi Rama në qytetin e Vlorës, më 4 korrik, nisën largimet në këtë bashki. 21 drejtorë në këtë bashki që pas kërkesës e kritikave të kryeministrit Edi Rama, kanë dhënë dorëheqjen./abcnews.al

 

 

❌
❌