Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Njihet puna në ish-ndërmarrje shtetërore/ Hyn në fuqi vendimi për vitet para 1993

11 July 2025 at 15:29

Njihen periudhat e punës në ish-ndërmarrjet shtetërore para vitit 1993 për efekt pensioni edhe kur qytetarët nuk kanë dokumentet e nevojshme.

Ligji tashmë ka hyrë në fuqi dhe ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni, të viteve  të punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për ata qytetarë që nuk kanë mundur të sigurojnë dokumentacionin përkatës.

Në total përfitojnë rreth 30 mijë qytetarë të cilët nga sot mund të realizojnë aplikimet në e-albania.

Për të përfituar nga ligji, aplikantët duhet të dorëzojnë  një Certifikata familjare e periudhës përkatëse, që provon vendbanimin si dhe vërtetimin  penal, që provon se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo-politike gjatë asaj kohe .

Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet  më pas nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit.

Në total kostoja minimale e shtuar  në skemën e sigurimeve në një vit rezulton  6.9 miliardë  lekë në vit.

Shumë qytetarë janë penalizuar, sepse nuk kanë pasur periudha kontributive pas vitit 1994, dhe nuk arrinin të  plotësonin kushtin minimal të  periudhës së sigurimit, gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesëpadi për njohjen e këtyre periudhave./abcnews.al

Gjykata Penale Ndërkombëtare: Ka prova të besueshme për krime lufte dhe kundër njerëzimit në Darfur

By: Rovena
11 July 2025 at 07:38

OKB, 10 korrik 2025 Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) deklaroi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se ka “prova të arsyeshme” për të besuar se po kryhen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në rajonin perëndimor të Sudanit, Darfur.

Një nga zbulimet më tronditëse nga hetimi i GJPN-së ishte përdorimi i dhunës seksuale të qëllimshme ndaj grave dhe vajzave të përkatësive të caktuara etnike, që sipas gjykatës përbën një model të përsëritur dhe sistematik të dhunimit të të drejtave themelore të njeriut.

Lufta civile në Sudan rifilloi në prill 2023, mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake të njohura si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), duke shkaktuar, sipas Kombeve të Bashkuara, pasoja shkatërruese për popullsinë civile.

Zëvendësprokurorja e GJPN-së, Nazhat Shameem Khan, tha se është “e vështirë të gjenden fjalë të përshtatshme për të përshkruar shkallën e vuajtjes në rajon”. Ajo theksoi se hetimi është duke u përqendruar në mbledhjen e provave të qëndrueshme për ndjekje penale, pas një modeli të dukshëm të krimeve që po përsëriten.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së i dha GJPN-së mandatin për të hetuar krimet në Darfur që prej vitit 2005, duke hapur disa çështje për krime lufte dhe gjenocid që nga korriku i vitit 2002. Hetimi më i fundit filloi në vitin 2023, pasi luftimet shpërthyen sërish dhe shumë viktima u detyruan të largohen drejt Çadit fqinj.

Në janar 2025, SHBA konkludoi se RSF dhe milicitë aleate të saj kishin kryer një akt gjenocidi. RSF i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar luftimet si një “konflikt fisnor”.

Ndërkohë, situata humanitare në Darfur vazhdon të përkeqësohet. Sulmet ndaj spitaleve dhe autokolonave humanitare janë shtuar, ndërsa raportet e OKB-së konfirmojnë se ushqimi dhe uji po bllokohen qëllimisht.

Në qytetin El-Fasher, kryeqendra e rajonit të Darfurit Verior, civilët janë tërësisht të shkëputur nga ndihma humanitare për shkak të rrethimit nga forcat e RSF-së. Po ashtu, shpërthimi i kolerës në zonat e konfliktit po rrezikon furnizimin tashmë të munguar me ujë të pijshëm.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se mbi 40,000 fëmijë janë trajtuar për kequshqyerje akute të rëndë vetëm nga janari deri në maj 2025 – më shumë se dyfishi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Fëmijët në Darfur po uriten nga lufta dhe po pengohen të marrin ndihmën që mund t’u shpëtojë jetën,” deklaroi Sheldon Yett nga UNICEF.

Në dy vitet e fundit, mbi 150,000 persona kanë humbur jetën, dhe rreth 12 milionë janë zhvendosur, por sipas zonjës Khan, rreziku mbetet i madh:

“Nuk duhet të ushqejmë iluzione situata mund të përkeqësohet edhe më tej,” paralajmëroi ajo.

“Tokat e xanuna në kurriz të komunitetit, s’ka më”/ Rama paralajmëron reforma të reja nga territori, uji, nafta e mbetjet

By: xhir jeta
9 July 2025 at 11:37

Kryeministri Edi Rama, paralajmëroi këtë të martë nisjen e një reforme të re ligjore të kontrollit të zhvillimit të territorit.

Në një postim në rrjetin sociali X, ku reagon për aksionin e nisur pak ditë më parë dhe që po vijon në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike, Rama shkruan se Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna.

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” shkruan ai./abcnews.al

I dehur në timon, aksidentohet turisti belg në Sarandë

9 July 2025 at 09:54

SARANDË- Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e një 28-vjeçari është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure.

I plagosur ka mbetur një turist belg në aksin rrugor Sarandë-Ksamil në vendin që quhet Hidrovori.

Turisti ka humbur kontrollin dhe për rrjedhojë është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës.

Paraprakisht raportohet se si pasojë e përplasjes 28-vjeçari ka thyer këmbët. Menjëherë turisti nga Belgjika është dërguar në spitalin e Sarandës.

Nga testi i kryer nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës rezulton se 28-vjeçari belg, që është me pushime të sezonit në Sarandë, ishte në gjendje të dehur/abcnews.al

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Gjashtë vatra janë ende aktive, rrezik i lartë në të gjitha qarqet

7 July 2025 at 13:48

TIRANË- Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes bëri publike të dhënat e situatës në terren.

Sipas saj,  vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë  e Finiqit, Vlorës, Elbasanit, Poliçanit, Beratit, Hasit, Bulqizës, Malësisë së Madhe, Lezhës, Kolonjës, Korçës, Tiranës, Kavajës e Fierit.

Ministria e Mbrojtjes shton se rreziku nga zjarret mbetet i lartë në 12 qarqet e vendit, ndaj kërkoi përgjegjshmëri dhe angazhim të të gjithë strukturave.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

– Në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës, pas izolimit të saj nga forcat operacionale, ditën e djeshme.
– Puna vijon në vatrën e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Gjatë natës forcat e MZSH Finiq dhe efektivët e Forcave të Armatosura qëndruan në monitorimin për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm. Ditën e sotme zjarri vazhdon të jetë aktiv në zonën lindore të fshatit Leshinicë e Poshtme, por është larg zonës së banuar.
– Zjarri, në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë vazhdon të jetë aktiv në tri vatra të shpërndara. Terreni e vështirëson ndërhyrjen, por zjarri nuk paraqet rrezikshmëri për zonën.
– Aktive mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Gjatë natës vatra e zjarrit u mbajt në monitorim nga MZSH Poliçan dhe ditën e sotme kafilluar puna për shuarjen e plotë të vatrës së fundit aktive me 10 efektivë dhe 5 forca bashkiake. Sipas një informacioni paraprak nga shërbimi pyjor deri ditën e djeshme janë përshkuar rreth 50 ha.
– Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, gjatë natës për shkak të erës dhe temperaturave të larta vatra e zjarrit është transferuar duke shtrirë në territor drejt “Malit të Bardhë”. Ditën e sotme në terren ndodhen1 automjet zjarrfikës me 11 efektivë, 5 forca pyjore dhe 10 forca bashkiake.
– Në vendin e quajtur“Bjeshkët e Parrusë”, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit . Ditën e sotme në terren ndodhen 6 efektivë nga MZSH, 5 forca bashkiake, 5 forca nga shërbimi pyjor dhe 8 forca vullnetare.

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 65 hektarë me bimësi. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 37 automjete zjarrfikëse dhe 362 forca operacionale si dhe 8 automjete të rënda. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 104 efektivë, 6 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet. Në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I MODERUAR” dhe lokalisht rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Durrës (Jug).
I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.
Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.
Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina, shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe njoftoni në kohë autoritetet vendore/abcnews.al

Dosja “Partizani”/ GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin

7 July 2025 at 12:37

TIRANË- Gjykata e Posaçme vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin. Ai u lirua nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” kundrejt garancisë pasurore.

Gazetari Ermal Vija, raporton se dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u lirua në këmbim të garancisë pasurore, në vlerën prej 3 milionë lekësh.

Vendimi për heqjen e masës së Malltezit u dha nga treshja e gjyqtarëve me kryesues Elsa Ullirin dhe dy anëtarët, Bib Ndreca e Rudina Palloi.

Prokuroria e Posaçme ka qenë kundër ndryshimit te masës së caktuar ndaj Malltezit. Po ashtu, kërkesa e gjyqtares, Elsa Ulliri për t’u larguar nga çështja e Sali Berishës për dosjen Partizani është rrezuar nga kryetari i gjykatës, Erion Bani/abcnews.al

Kosova ende pa Kuvend, dështon sërish seanca e radhës për konstituimin

By: xhir jeta
7 July 2025 at 11:37

Më 7 korrik u regjistrua përpjekja e 43-të e pasuksesshme e deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Sikurse edhe në herët e kaluara, partitë opozitare – përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Në votim të hapur, ata e kundërshtuan disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë.

Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara. Në seancën e 7 korrikut që zgjati vetëm pak minuta, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes që t’i japë fund, siç e quajtën ata, “cirkut politik” – gjë që shtyu kryesuesin e seancës, Avni Dehari, të kërkojë ndërprerjen e fjalës së tyre.

Skenar i ngjashëm u zhvillua edhe në seancën e parafundit më 5 korrik, porse ajo u zhvillua me disa orë vonesë, për shkak të, siç u tha, një kërcënimi me bombë në Kuvend, që doli të ishte i rremë./REL

Erdogan ngre alarmin: SHBA ka “çelësin” për paqe në Gaza

5 July 2025 at 16:15

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se ndikimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit është vendimtar për arritjen e një armëpushimi të mundshëm 60-ditor në Rripin e Gazës.

“Faleminderit iniciativave të presidentit Trump, një plan për një armëpushim të përkohshëm prej 60 ditësh është aktualisht në tryezën e diskutimeve. Ndikimi i SHBA-së ndaj Izraelit do të jetë vendimtar në këtë proces. Në këtë fazë, është tejet e rëndësishme që vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të shtojnë presionin mbi Izraelin për të arritur një marrëveshje armëpushimi”, citohet të ketë thënë Erdogan për agjencinë turke “Anadolu”.

Ai shtoi se armëpushimi i fundit mes Iranit dhe Izraelit ka hapur një “dritare mundësie” për Gazën.

Sipas presidentit turk, Hamasi ka treguar disa herë vullnet për zgjidhje, por mungesa e respektimit të armëpushimit nga ana e Izraelit ka penguar kthimin e qetësisë në rajon.

“Po punojmë që një situatë e tillë të mos përsëritet. Duhet të vendosim një armëpushim që Izraeli ta respektojë plotësisht. Për këtë, nevojitet një platformë e fortë negociatash dhe, mbi të gjitha, zgjidhja e çështjes së garancive”, përfundoi Erdogan.

Përplasen tre automjete në Shkodër/ Humb jetën 37-vjeçari, plagoset gruaja me dy fëmijët e mitur

4 July 2025 at 16:06

SHKODËR– Rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Shkodër-Lezhë”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshirë tre automjete.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën një 37-vjeçar dhe janë plagosur gruaja e tij dhe dy fëmijët e mitur.

Viktimë e aksidentit ka mbetur kryefamiljari Gjin Bxhangaj.

Policia thekson se një 42-vjeçar, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues një 63 vjeçar, dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gjin Bxhangaj.

Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit./abcnews.al

Pentagoni: Irani, dy vite prapa/ “Sulmet e SHBA vonuan avancimin e programit bërthamor”

By: Re Nato
3 July 2025 at 12:03

Pentagoni Amerikan ka deklaruar se sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit, të kryera në 22 qershor , kanë vonuar përparimin e programit bërthamor iranian deri në dy vite. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi gjatë një konference për shtyp se “programi i tyre është degraduar nga një deri në dy vjet, sipas vlerësimeve të brendshme të Departamentit të Mbrojtjes.” Ai shtoi se vlerësimi zyrtar është “ndoshta më afër dy viteve”, por nuk paraqiti prova të detajuara për ta mbështetur këtë pohim. Sulmet ajrore u zhvilluan më 22 qershor, ku bombardues amerikanë goditën tre objekte bërthamore iraniane duke përdorur mbi 10 bomba  të tipit bunker-buster, secila me peshë 13,600 kilogramë, si dhe mbi 24 raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi menjëherë pas sulmeve se programi bërthamor i Iranit ishte “shkatërruar plotësisht”, një deklaratë që u përforcua edhe nga Parnell gjatë deklaratës së tij të fundit. Megjithatë, agjencitë e inteligjencës zakonisht kërkojnë javë për të përpunuar dhe verifikuar pasojat e tilla ushtarake. “Gjithë inteligjenca që kemi parë deri tani na bën të besojmë se ato objekte – veçanërisht ato – janë shkatërruar plotësisht,” u shpreh Parnell. Megjithatë, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, paralajmëroi gjatë fundjavës se Irani mund të rifillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar brenda pak muajsh, duke ngritur dyshime për efektivitetin e goditjeve amerikane.

Ekspertë të pavarur kanë shprehur shqetësime se Irani mund të ketë zhvendosur sasi të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë nga kompleksi i Fordow para sulmeve dhe ndoshta e ka fshehur atë diku tjetër. Megjithatë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha javën e kaluar se nuk ka informacion se Teherani e ka zhvendosur uraniumin e pasuruar për ta mbrojtur nga sulmet.

Vlerësimi paraprak i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) sugjeronte se dëmi i shkaktuar mund të ketë vonuar programin iranian vetëm për disa muaj. Por zyrtarë të administratës Trump e kanë hedhur poshtë këtë si një vlerësim me “besueshmëri të ulët”, duke u mbështetur në të dhëna të reja që flasin për dëme shumë më të mëdha.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në një intervistë për CBS News disa dite me pare , pranoi se sulmet ndaj objektit bërthamor në Fordow kanë shkaktuar dëme të rënda.

Dortmund i shpëton “ferrit”/ Skuadra gjermane, në çerekfinale të Botërorit të Klubeve

By: xhir jeta
2 July 2025 at 12:41

Fillimi i mirë, gjysma e punës. Kështu thotë shprehja e urtë dhe kështu ndodhi për Dortmundin, ndonëse gjermanët shpëtuan mirë pa u mundur.

Borusia mundi 2-1 Monterrejin meksikan dhe u kualifikua për në çerekfinale të Kupës së Botës për Klubet, falë dy golave të shpejtë të sulmuesit Serhu Girasi në minutat 14 e 24.

Gjithsesi, ajo që erdhi më pas ishte një “ferr” i vërtetë.

Monterrej, nën udhëheqjen e ish-kapitenit të Realit, Sergio Ramos, luftoi fort dhe iu afrua barazimit.

Mbrojtësi i qendrës e donte patjetër një duel me Madridin, ish-skuadrën ku u bë I lavdishëm, por 39-vjeçari nuk mundi ta kishte.

Zherman Berterame shënoi në 48’ duke I dhënë shpresë dhe rastet nuk munguan.

Meksikanët mbajtën topin 59 për qind, patën më shumë se dyfishin e gjuajtjeve të Dortmundit, në kuadrat e jashtë tij, dhe këmbëngulën pa u lodhur.

Portieri Kobel ishte heroi me pritjet e tij, por edhe ai duhet të falenderojë fatin që Ramos nuk shënoi dot në kohën shtesë.

Do të kishte qenë një tjetër gol I sekondave të fundit, për të cilët ish-madrileni është i famshëm.

Gjithsesi gjermanët u kualifikuan dhe në çerekfinale do të luhet ish-finalja e Championsit, Real Madrid-Borusia Dortmund.

Vijon certifikimi i zgjedhjeve/ KQZ ndan mandatet për qarqet Berat, Dibër, Shkodër, Vlorë

By: xhir jeta
27 June 2025 at 11:31

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vulosi këtë të mërkurë rezultatin e zgjedhjeve për qarqet Berat, Dibër, Shkodër, Vlorë

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpërndau mandatet për 35 kandidatët e dalë në 11 maj nga këto qarqe, duke mbyllur kështu edhe sagën e ankimimeve.

QARKU BERAT

PS   – 5 MANDATE

  1. Ervin Demo
  2. Enriketa Jaho
  3. Hysen Buzali
  4. Fadil Nasufi
  5. Hatixhe Konomi

PD – 2 MANDATE

  1. Eno Bozdo
  2. Zija Ismaili

QARKU DIBËR

PS – 3 MANDATE

  1. Blendi Klosi
  2. Alma Selami
  3. Agron Malaj

PD – 2 MANDATE

  1. Xhelal Mziu
  2. Denisa Vata

QARKU SHKODËR

PS – 4 MANDATE

  1. Marjana Koçeku
  2. Onid Bejleri
  3. Xhenis Çela
  4. Bujar Rexha

PD – 5 MANDATE

  1. Luçiano Boçi
  2. Kliti Hoti
  3. Greta Bardeli
  4. Ramandan Likaj
  5. Bardh Spahia

PSD – 2 MANDATE

  1. Tom Doshi
  2. Sabina Jorgo

QARKU VLORË

PS – 9 MANDATE

1. Bledar Çuçi
2. Zamira Sinaj
3. Erjona Ismaili
4. Pirro Vengu
5. Damian Gjiknuri
6. Vullnet Sinaj
7. Ardit Bido
8. Vasil Llajo
9. Brunilda Mersini

PD – 3 MANDATE

1. Bujar Leskaj
2. Vangjel Dule
3. Ina Zhupa

Tritoli në Fushë Krujë, pista që po hetohet/ Dëshmon pronari i biznesit: Nuk kam probleme, por…

27 June 2025 at 10:56

(Foto ilustruese)

FUSHË KRUJË- Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:15 dhe raportohet vetëm për dëme materiale.

Dyqani në pronësi të 30-vjeçarit, Donald Luka, përdorej për përpunim dhe shitje mishi. Ndërkohë aty ai ka edhe biznese të tjera si restorante dhe bar kafe. Tritoli i është vendosur në pjesën e qepenit dhe ka shkaktuar dëmtime të vogla.

I thirrur në polici Donald Luka në deklaratën e tij paraprake ka thënë se nuk ka probleme dhe se nuk e ka idenë se kush mund t’ja ketë bërë, por policia dyshon se ky është një mesazh për konflikte të mëparshme që ka pasur familja Luka.

Donald Luka rezulton i njohur për policinë pasi në mars të vitit 2022 është akuzuar se së bashku me të vëllain Ernest Lukan rrahën kuzhinierin Indrit Çela për një parakalim të gabuar.

Në atë kohë, u arrestua edhe babai i tyre Llesh Luka pasi pas një kontrolli në banesën e tyre policia gjeti të instaluar një shtëpi bari.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Ura e Gjolës” në aksin që lidh Rinasin me Fushë-Krujën. Indrit Çela udhëtonte me makinën personale në këtë aks, kur dy vëllezërit i zunë pritë, duke e goditur me sende të forta. Autorë të ngjarjes ishin dy vëllezërit Ernest dhe Donald Luka.

Bazuar edhe te pamjet filmike në atë kohë, Indrit Çela është qëlluar me shufra hekuri nga vëllezërit që i kishin bllokuar rrugën mbi “Urën e Gjolës” në Fushë-Krujë./abcnews.al

Këshilli i Gardës i Iranit miraton pezullimin e bashkëpunimit me agjencinë bërthamore të OKB-së

By: xhir jeta
26 June 2025 at 13:35

Mbikëqyrësi kushtetues i Iranit, Këshilli i Gardës, e ka miratuar të enjten vendimin e Parlamentit për ta pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), pasi objektet bërthamore të vendit u bombarduan gjatë fundjavës në konfliktin 12-ditor me Izraelin.

Për këtë ligj, i cili u miratua një ditë më parë nga ligjvënësit me 221 vota pro dhe asnjë kundër, do të vendosë përfundimisht Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC).

SNSC teknikisht drejtohet nga presidenti, por ashtu si të gjitha institucionet kyçe të shtetit, i përgjigjet udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei.

“Plani për ta detyruar Qeverinë ta pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore nuk ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën pas shqyrtimit nga anëtarët e Këshillit të Gardës”, tha zëdhënësi i këshillit, Hadi Tahan Nazif, në një postim në X.

Izraeli kreu sulme të papara ndaj objekteve kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, si dhe zonave të banuara, më 13 qershor, në një luftë që mori jetën e shumë civilëve nga të dyja palët para se të përfundonte me një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 24 qershor.

Më 21 qershor, SHBA-ja i goditi tri objekte bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Projektligji parashikon që pezullimi i bashkëpunimit të hiqet vetëm nëse garantohet që objektet dhe shkencëtarët bërthamorë iranianë janë të mbrojtur dhe që e drejta e Iranit për të pasuruar uranium brenda vendit është e garantuar.

Ndër shënjestrat e Izraelit gjatë sulmeve ndaj Iranit ishin edhe shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor iranian. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk ka për qëllim ta përdorë atë për të zhvilluar armë bërthamore.

Pezullimi i bashkëpunimit me IAEA do të thotë se Irani do t’i ndalojë inspektimet, raportimet dhe veprimtarinë mbikëqyrëse sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Para votimit, kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, e kritikoi IAEA-n, duke thënë se ajo dështoi “qoftë edhe të shtirej sikur e dënonte sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit” dhe e akuzoi për “shitjen e besueshmërisë së vet ndërkombëtare”.

Teherani ka akuzuar prej kohësh IAEA-n për anshmëri dhe bashkëpunim me fuqitë perëndimore dhe Izraelin kundër Iranit.

Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, ka shprehur prej vitesh shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga Irani në hetimet për objekte të vjetra, por të padeklaruara, bërthamore.

“Organizata për Energjinë Atomike e Iranit do të pezullojë bashkëpunimin me agjencinë deri sa të garantohet siguria e objekteve bërthamore, dhe programi bërthamor paqësor i Iranit do të ecë përpara me një ritëm më të shpejtë”, tha Qalibaf në komentet që u pasuan nga thirrjet e ligjvënësve “vdekje Amerikës dhe Izraelit”./rel

Zelensky zbardh bisedën me Trump: Folëm për fushëbetejën, Putin përfundimisht nuk po fiton

26 June 2025 at 09:32

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ndarë detaje nga takimi i tij me homologun e tij amerikan Donald Trump në Hagë, në kuadër të samitit të NATO-s.

Zelensky tha se takimi me Trump ishte i mirë. Të dy udhëheqësit diskutuan për Lindjen e Mesme, mbrojtjen e popullit ukrainas, blerjen e sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore dhe bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll.

Gjatë bisedës, Zelensky theksoi rëndësinë e veprimeve të fundit të SHBA-së në Iran, të cilat dobësuan jo vetëm programin bërthamor të vendit, por edhe prodhimin e dronëve të tij.

“Ne diskutuam mbrojtjen e popullit tonë me presidentin – para së gjithash, blerjen e sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qytetet tona, popullin tonë, kishat dhe infrastrukturën”, deklaroi Zelensky.

Ai e informoi Trumpin mbi takimet e ekipit teknik në Stamboll, si dhe shkëmbimet e të burgosurve të luftës dhe trupat e të rënëve. Zelensky tërhoqi vëmendjen për faktin se Rusia kishte kthyer trupat e ushtarëve të saj të rënë në Ukrainë.

“Folëm për situatën në fushëbetejë. Putini definitivisht nuk po fiton. I paraqita presidentit faktet rreth asaj që po ndodh vërtet në terren”, shtoi presidenti ukrainas.

Messi kurrë nuk eliminohet/ E kalon gjithmonë fazën e grupeve në turne të mëdhenj

By: xhir jeta
24 June 2025 at 12:45

Trofetë janë kaq të shumtë, ndërsa ka një statistikë që e bën të veçantë. Lionel Mesi, tashmë I kualifikuar për në raundin e dytë të Botërorit të Klubeve organizuar nga FIFA, e ka kaluar gjithmonë fazën e grupeve në turnetë e rëndësishëm.

Pavarësisht nëse ka luajtur për Argjentinën, Barcelonën, Paris SG apo Inter të Majemit, sërish superylli argjentinas ka mundur të kualifikohet për në raundet me eliminim direkt.

Kjo ndodhi edhe këtë herë, pasi skuadra amerikane doli në vendin e dytë në grupin A, lënë pas nga Palmeirasi pas barazimit 2-2.

Statistikat janë që Mesi ka luajtur deri tani 33 ndeshje në grupe për secilin ekip të karrierës, dhe përfundimi ka qenë gjithmonë pozitiv.

Ndëkraq, kampioni I botës, feston 38-vjetorin e lindjes pikërisht këtë martë. Federata Argjentinase e Futbollit nuk harroi t’i bënte urimin në faqen e saj zyrtare në Tuiter me përshkrimin: Gëzuar ditëlindjen, njeriut të jetëve tona!

Nga Argjentina, e përditshmja sportive, “Ole”, ankohet se Mesi mori një dhuratë të vogël nga skuadra e tij e Majemit, sepse nuk arriti dot fitoren dhe barazimi 2-2 e zbriti në vend të dytë.

Kjo do të thotë se në raundin tjetër, Leo do të ketë përballë ish-skuadrën e tij, Paris SG. A do të mundet magjistari i futbollit botëror të fitojë një tjetër trofe, që do të ishte I 46-ti në karrierën e tij të lavdishme?

Tepër e vështirë, por kjo do të shihet që në sfidën ndaj PSG-së./abcnews.al

Avazi (i vjetër ) i vjedhjes së votave/ Berisha tregon “farsën”, por rinumërimi po i heq vota PD

By: xhir jeta
23 June 2025 at 15:30

Sali Berisha e nisi javën sërish me farsën e tij. Këtë të hënë publikoi një video, me të cilën pretendon se ka tronditur Bruksel e Strasburg bashkë.

“Kete video ua tregoi Vokshi ne PPE, audienca mbeti e shokuar, thane qenka si 30 vite me pare ne Zimbabve.”

Ne videon e publikuar nga selia blu, pretendohet se nje votues ka votuar disa here, kurse komisioneret kane udhezuar votuesit ose kane votuar vete. Por pyetja serish mbetet, ku ishin komisioneret e PD?

“Urdhero? U kercenuan, para hanxhareve te troplineve e celave skishin shume hapesire. Do ju trrgoj neser si komisioneret votonin per sara milen”

Ndërkohë rinumërimi po zbulon se të pakten në Tiranë, komisionerët i kanë shtuar më shumë vota PD se çdo partie tjetër. Dhe doktori ka arsye për të refuzuar një administratë zgjedhore të depolitizuar.

“Do parë, ka një propozim, por me këtë administratë shtetërore të patronazhuar vështirë se bëhet”

Se fundmi, edhe raporti i vezhguesve te asamblese parlamentare te keshillit te europes certifikoi zgjedhjet e 11 majit ne Shqiperi. Por doktori kerkon serish kohe.

“Po pres të miratohet që të jap komente. Ka dy qendrime qeveria u bën presion vëzhguesve ndërkombetarë që të ndryshojnë raportet, dhe ne që çojme çdo ditë online fakte për farsën”

Alarmi/ Rrezikohet një tjetër Chernobyl

By: xhir jeta
20 June 2025 at 10:57

Reaktorë, centrifuga, uranium i pasuruar. Bombat mbi objektet bërthamore iraniane nuk krijojnë vetëm rrënoja. “Ka shumë material bërthamor në Iran, i shpërndarë në disa vende. Rreziku i një aksidenti që mund të shkaktojë shpërndarjen e radioaktivitetit në atmosferë është real,” paralajmëroi dje drejtori i AIEA-së (Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike), Rafael Grossi.

Le të marrim lajmin e shpallur dje paradite nga Izraeli, i cili – për fat të mirë – rezultoi i rremë: bombardimi i centralit bërthamor iranian në Bushehr. “Një sulm mbi një objekt bërthamor aktiv do të shkaktonte një katastrofë radioaktive,” komenton James Acton, bashkëdrejtues i Programit për Politikat Bërthamore në Carnegie Endowment for International Peace, një institut amerikan.

Vëmendja mbetet e përqendruar te Fordow, një bunker i thellë 100 metra nën tokë pranë qytetit të Qom, disa kilometra në jug të Teheranit. Aty ndodhen rreth dy mijë centrifuga për pasurimin e uraniumit, në një thellësi që vetëm bombat speciale “bunker buster” mund ta arrijnë.

“Diskutimi është nëse SHBA-të do të vendosin apo jo ta bombardojnë Fordow,” konfirmon Edwin Lyman, drejtor i Sigurisë Bërthamore në grupin jofitimprurës amerikan Union of Concerned Scientists.

“Ndryshe nga një central bërthamor aktiv, objektet e pasurimit të uraniumit përbëjnë rrezik më të madh për ndotje në rast bombardimi,” shpjegon Marco Enrico Ricotti, profesor i Impianteve Bërthamore në Politeknikun e Milanos dhe drejtor i një programi masteri.

Rreziku kryesor radioaktiv sot vjen nga reaktori i Bushehrit. Brenda një rrezeje prej 200 kilometrash nga centrali, në brigjet e Gjirit Persik, ndodhen Iraku, Kuvajti dhe Arabia Saudite. Me një kapacitet mesatar (gati një gigavat), centrali menaxhohet së bashku me Rusinë, e cila furnizon me karburant dhe ka ofruar rreth 200 teknikë.

“Nuk duhet të preket kurrë. Do të ishte një problem shumë i madh nga pikëpamja e sigurisë bërthamore për të ardhmen,” paralajmëroi Grossi. “Goditja e tij do të shkaktonte ndotje të rëndë, por nuk besoj se Izraeli e ka përfshirë atë mes objektivave të tij.”

“Një central bërthamor si ai, që prodhon energji elektrike për vendin, nuk hyn në procesin e ndërtimit të një bombe”, konfirmon Alessandro Dodaro, drejtor i Departamentit Bërthamor të ENEA-s (Agjencia Kombëtare për Teknologjitë e Reja, Energjinë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm). “Një impiant për qëllime civile përdor uranium me përqindje të ulët pasurimi. Nxjerrja e karburantit të konsumuar dhe shndërrimi i tij në material për një bombë është një proces kompleks. Irani nuk zotëron teknologjinë e nevojshme.”

Ndryshe është rasti i centralit në ndërtim në Arak, i bombarduar dje në mëngjes: “Nuk kishte ende material radioaktiv,” thotë Dodaro, “por impianti do të kishte mundur të prodhonte lëndë djegëse për një armë bërthamore.”

Pas shkatërrimit të Arak-ut, rruga e vetme që i mbetet Iranit për të arritur ndërtimin e një arme bërthamore është përmes centrifugave, të cilat ndajnë izotopet e uraniumit: uranium 235 (i nevojshëm për armën) dhe uranium 238 (më i zakonshëm, që hidhet). Që të përdoret në armë, uraniumi duhet të përqendrohet në mbi 90%.

Faza e parë e pasurimit ndodh në një impiant në Isfahan, 300 km në jug të Teheranit, i bombarduar disa herë që prej fillimit të konfliktit. Aty uraniumi pluhur shndërrohet në gaz heksafluorid uraniumi. “Ky është gazi që futet në centrifuga për të përftuar uranium të pasuruar,” shpjegon Ricotti. “Është toksik nëse thithet ose gëlltitet, por radioaktiviteti i tij është i dobët. Është i rëndë dhe nuk shpërndahet në ajër. Në rast bombardimi, rreziku i ndotjes është i kufizuar për personelin e impiantit, që mund të përdorë maska kundër gazit.”

Pikërisht ky gaz shkaktoi ndotjen radiologjike dhe kimike në Natanz, pas bombardimit të 13 qershorit. “Ndotja ndodhi vetëm brenda impiantit. Nuk ka rrjedhur rrezatim jashtë,” shpjegoi Grossi. AIEA flet për një rrezik të kufizuar, edhe pse sasia e uraniumit në dispozicion të Iranit është e konsiderueshme: “Rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%,” sqaron Ricotti. “Edhe nëse Fordow do të bombardohej, nuk presim pasoja të rënda,” shton Acton. “Por kjo nuk do të thotë se SHBA nuk do ta bombardonte. Përkundrazi.” / bota.al

A po shkatërrohet partia më e madhe opozitare turke?

By: xhir jeta
20 June 2025 at 10:53

Kur Nacho Sánchez Amor, raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë,u shfaq para kamerave rreth dhjetë ditë më parë, ai dukej dukshëm i tronditur. Pasi vizitoi kryetarin e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, socialdemokrati ishte shumë i qartë kur tha: “Rasti Imamoglu është plotësisht i sajuar”.

Sánchez Amor, tha se lideri i opozitës “është në burg sepse kandidati i Erdoganit nuk mundi ta mposhtte atë”. Amor theksoi se zyra e prokurorit të Stambollit ka detyrën e shkatërrimit politik të Imamoglut. “Kjo është ajo që do t’ua përcjell kolegëve të mi evropianë”, shtoi ai.

Ish-kryetari i bashkisë së Stambollit dhe kandidati presidencial i partisë kryesore të opozitës CHP është mbajtur në burg në Silivri që nga 19 marsi. 54-vjeçari akuzohet për korrupsion, themelim të një organizate kriminale dhe mbështetje të terrorizmit, ndër të tjera. Rreth 130 persona janë arrestuar në hetimin kundër tij deri më tani – numri po rritet pothuajse çdo ditë për shkak të bastisjeve të reja.

Imamoglu ende gëzon mbështetje dhe solidaritet të madh. Partia e tij, Partia Republikane Popullore (CHP), organizon rregullisht protesta në të gjithë vendin. Megjithatë, kjo mbështetje mund të dobësohet së shpejti.

Shpresat edhe në burg
Imamoglu njihet si një politikan i afërt me popullin, karizmatik dhe i aftë për të mobilizuar masat. Për vite me radhë ai ka qenë rivali më i fortë i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Në Stamboll, një qytet me miliona banorë, ai i mundi kandidatët e Erdoganit tre herë, gjë që i dha fund pathyeshmërisë së AKP-së.

Falë këtyre sukseseve, Imamoglu ka performuar me besim në rritje. Pas humbjes së opozitës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në maj 2023, politikani popullor ushtroi presion mbi partinë e tij për reforma. Në kongresin e partisë në vjeshtën e të njëjtit vit, me mbështetjen e tij të fortë, një kandidat i zgjedhur prej tij – Özgür Özel – u zgjodh si kryetar i ri i partisë dhe e gjithë udhëheqja u zëvendësua. Që atëherë, CHP ka filluar të fitojë gjithnjë e më shumë mbështetje. Vitin pasardhës, ai fitoi zgjedhjet lokale të vendit.

Imamoglu që atëherë është konsideruar si një kandidat i mundshëm presidencial dhe u nominua zyrtarisht në mars.

Një gjyq dramatik kundër CHP-së
Me burgosjen e Imamoglu-t dhe politikanëve të tjerë të opozitës, CHP-ja ka qenë nën presion të madh në muajt e fundit. Tani ajo përballet me një sfidë tjetër të madhe: një gjyq dramatik kundër partisë. Më 30 qershor 2025, një gjykatë në Ankara mund të anulojë zgjedhjen e udhëheqjes aktuale të partisë nga Kongresi i mbajtur në nëntor 2023.

Disa mbështetës të ish-kryetarit të partisë Kemal Kilicdaroglu kanë pretenduar parregullsi në procesin zgjedhor dhe kanë ngritur akuza penale. Ata akuzojnë krahun reformist të Özel dhe Imamoglu për blerjen e votave të delegatëve.

Imamoglu po përballet me akuza të shumta në burg – me të drejtë?

Një gjyq i manipuluar politikisht
Mediat e afërta me Erdoganin dhe autoritetet kanë kohë që përpiqen të minojnë unitetin e partisë më të madhe të opozitës me raportimet e tyre, besojnë mbështetësit e CHP-së. Pretendimet se ish-kryetari i partisë dhe i gjithë kampi i tij janë viktima të intrigave të brendshme të partisë po përhapen qëllimisht.

Nëse kjo është bërë vërtet sistematikisht, atëherë qëllimi ndoshta është arritur: brenda CHP-së dhe midis mbështetësve të saj, krahët kundërshtarë po sulmojnë njëri-tjetrin dhe po shkëmbejnë fyerje dhe akuza të rënda.

Sipas politologut Baris Övgün, opozita kështu po “bie në kurthin e autoriteteve”, të cilat prej kohësh kanë përdorur taktikën e ndarjes së krahëve të ndryshëm brenda partive opozitare me qëllim dobësimin e unitetit të tyre.

“Më 30 qershor, gjyqtarët mund të shkarkojnë udhëheqjen aktuale të partisë me vendimin e tyre”, tha Övgün në një intervistë me DW. Megjithatë, ai beson se shpallja e vendimit ndoshta do të shtyhet me qëllim që të thellohen më tej përçarjet brenda CHP-së dhe të krijohet përshtypja në publik: “Shikoni, ata as nuk mund ta drejtojnë partinë, atëherë si do ta drejtojnë shtetin?”/dw

PD ankohet në anglisht/ “Nxin” Shqipërinë në Strasburg, por BE vlerëson reformat e integrimit

By: xhir jeta
19 June 2025 at 15:16

Jo vetëm në Tiranë, por demokratët, nuk e kursejnë Shqipërinë as në mes të Strasburgut.

Kolegji zgjedhor vulosi të mërkurën rezultatet e zgjedhjeve për katër qarqe, por Oerd Bylykbashi, shfrytëzoi mbledhjen e 19-të Komitetit të Stabilizim Asocimit për të drejtuar akuza ndaj trupës së gjyqtarëve të cilët rrëzuan kërkesën e demokratëve për pavlefshmeri të votimeve.

“Të gjithë e dimë që në Shqipëri këto institucione nuk janë të pavarura. Nuk është kështu vetëm për çështjen e zgjedhjeve, në fakt, nuk ka asnjë institucion të vetëm të pavarur në vend. Kjo ndodh sepse partia në pushtet ka arritur të kapë çdo institucion, duke përdorur pushtetin që ka në Parlament për të emëruar, shkarkuar apo edhe për të ndryshuar ligjet kur ka qenë e nevojshme për të realizuar këtë kapje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor i Apelit në Tiranë nuk bëjnë përjashtim.”

Përgjigjen e mori nga Toni Gogu, i cili rikujtoi punën e bërë për ngritjen e këtyre institucioneve.

“Besimi që kemi në ato institucione që kemi ndërtuar së bashku me PE me shumë mund në 30 vitet e fundit, sidomos në 10 vitet e fundit përmes reformës madhore në drejtësi, besoj se duhet të mbetet i paprekur dhe iu siguroj që në fund fare vullneti i popullit shqiptar në ato kuti që po rinumërohet, do të jetë i patjetërsueshëm.”

Në ndihmë, demokratëve u erdhi edhe Fredi Beleri. Pas shërbimit që I bëri Berishës në fushatë, eurodeputeti grek, u ankua në Strasburg për SPAK.

“Në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i kapur nga ata persona që po përpiqen ta reformojnë atë.  Qeveria përmes prokurorit ka mbajtur nën presion zotin Berisha, udhëheqësi i opozitës. Meta është në burg.  Drejtësia është përdhosur në zgjedhjet e fundit.”

Këto debate që u bënë në sy të parlamentarëve europiane nuk kaluan pa një këshillë nga ta.

“Këtu në parlamentin europian nuk i shikojme dallimet por të përbashkëtat. Ne duhet ti mbajmë sytë tek horizonti 2030. Sigurisht, do të ketë gjithmonë njërëz me mendime të ndryshme, parti me përparësi të ndryshme, por ne rast se biem dakort për objektiva afatgjata, atëherë ne gjejme konvergjencë.”/abcnews.al

❌
❌