Plazhi në Lungomare i kthehet qytetarëve, Rama fton profesionistët: Bëhuni pjesë e kësaj përpjekjeje
TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Lungomaren e Vlorës ndërsa inkurajoi profesionistët të bëhen pjesë e aplikimeve për detyrat e shpalluara vakante nga bashkia e qytetit bregdetar.
“Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve, ndërkohë që i inkurajoj të gjithë profesionistët e Vlorës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës”, shkroi Rama.
Bashkia e Vlorës njoftoi sot se gjatë një kontrolli në zonën e Lungomares, u konstatuan parregullsi dhe në orët e para të mëngjesit, Policia dhe strukturat bashkiake ndërhynë dhe hoqën 40 çadra dhe 80 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Hapësira prej rreth 500 metra katrorë do të kthehet tashmë në plazh publik, në shërbim të pushuesve.
Ndërkaq, pas dorëheqjeve të drejtorave të drejtorive, Bashkia Vlorë ka shpallur vakancat për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit të qytetit, në të gjitha nivelet.
Në Vlorë sikundër edhe në bashki të tjera të vendit ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komunitetit.






/gj.m/j.p/
The post Plazhi në Lungomare i kthehet qytetarëve, Rama fton profesionistët: Bëhuni pjesë e kësaj përpjekjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.