Lumi Buna rrjedh i lirë pas 50 vitesh, Rama: Përfundon faza e dytë e pastrimit
TIRANË, 12 korrik /ATSH/Lumi Buna tashmë rrjedh i lirë në shtratin e tij, pas 50 vitesh me përfundimin e fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit pranë zonës së Dajlanit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lumi Buna ku ka përfunduar pastrimi në zonën e Dajlanit në Shkodër.
“Lumi Buna pas shumë vitesh rrjedh i lirë në shtratin e vet, pas mbylljes me sukses të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e çlirimin e shumëpritur të zonës së Dajlanit në Shkodër”, shprehet Rama.
Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, më herët e cilësoi këtë si një operacion të rëndësishëm ku pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet dhe i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.
Ai ka falënderuar të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, dhe veçanërisht ndaj Forcave të Armatosura nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga nënkolonel Shkumbin Gjana, nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.
Beci ka nënvizuar se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.
Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar.
/gj.m/
The post Lumi Buna rrjedh i lirë pas 50 vitesh, Rama: Përfundon faza e dytë e pastrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.