Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 July 2025Sot News | Lajme

U shpall në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet në policinë e Himarës ish-shefi i krimeve Erjon Dani

11 July 2025 at 19:52

Ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë Erjon Dani është vetëdorëzuar në policinë e Himarës, pasi është informuar nga mediat se ndaj tij kishte një urdhër arresti të firmosur nga SPAK.

Klodiana Lala raporton se Erjon Dani dyshohet për veprat penale ndikimi të paligjshëm dhe shpërdorim të detyrës gjatë kohës që ndodhej në radhët e policisë së shtetit.

SPAK goditi ditën e sotme një grup kriminal që operonte në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.

Në pranga përfunduan 8 persona, përfshi dhe Erjon Danin që u vetëdorëzua ndërsa 5 të tjerë mbeten në kërkim. Grupi kriminal u godit nga zbërthimi i komunikimeve në SKYECC.

The post U shpall në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet në policinë e Himarës ish-shefi i krimeve Erjon Dani appeared first on Sot News | Lajme.

Nishanët rrezik nga dielli? Paralajmërojnë dermatologët, ja kush rrezikohet më shumë dhe si të mbroheni

11 July 2025 at 19:49

Ekspozimi i nishaneve në diell pa përdorur krem mbrojtës mund të bëhet shkak për shfaqjen e melanomës. Për këtë arsye mjekët dermatolog rekomandojnë që personat që kanë shumë nishanë, të bëjnë vizita tek mjeku përpara se të nisin pushimet dhe të ekspozohen në plazh.

“Para ekspozimit do të rekomandoja një kontroll të nishaneve sepse shpesh herë risku është më i lartë te disa individë për të transformuar këto nishanë në një melanomë ose për të patur sëmundje të tjera të lëkurës”, tha Monika Fida, dermatologe.

Por kush janë më të rrezikuar për të zhvilliar kancer lëkure apo melanomë?

“Individët që kanë predispozitë familjare, individët që kanë ngjyrë lëkure të çelur, individët që kanë mbi 50 nishane”, shtoi Monika Fida.

Edhe pse Shqipëria nuk ka shifra të sakta sa i takon kancerit të lëkurës apo melanomës, mjekët dermatolog thonë se në vitin 2024 kanë trajtuar 90 raste me melanomë, e cila nëse nuk kapet në kohë është jetëkërcënuese.

The post Nishanët rrezik nga dielli? Paralajmërojnë dermatologët, ja kush rrezikohet më shumë dhe si të mbroheni appeared first on Sot News | Lajme.

Sfida, probleme familjare dhe thyrje zemrash, Chrysanthi Kalogeri flet per jave te ‘frikshme’

11 July 2025 at 19:37

Java që pason sjell ndryshime dhe sfida të rëndësishme për të gjitha shenjat e zodiakut, pasi Mërkuri që kthehet në prapavijë në datën 18 në Luan ndjell nevojën për reflektim dhe kujdes në komunikim.

Sipas astrologes Chrysanthi Kalogeri dhe parashikimit të saj në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kjo vlen sidomos në fushat e krijimtarisë, financave dhe marrëdhënieve personale.

Datat 18 dhe 19 janë vendimtare për takime të papritura, rifillimin e kontakteve nga e kaluara dhe mundësi për të stabilizuar disa çështje në familje, punë dhe marrëdhënie. Kujdesi dhe durimi janë të domosdoshëm në fundjavë për të shmangur keqkuptimet dhe tensionet.

Dashi – Mërkuri që kthehet në datën 18 në prapavijë në Luan sjell pengesa në projektet krijuese për jetën e të ardhmen, me fëmijët, por mund të rikthejë dikë nga e kaluara nga i cili prisni një telefonatë ose mesazh.

Këtë javë jeni të ndikuar të lindurit në mes të shenjës. Përfitoni nga data 18-19 për të udhëtuar, për të komunikuar lidhur me realizimin e planeve, mund të keni takime që s’i prisnit dhe të afërm që s’i keni parë prej kohësh. Në këtë datë, kujdes të lindurit në fund të shenjës në çështjet që lidhen me familjen, prindërit, shtëpinë ose gjërat që kanë të bëjnë me jetën personale. Kujdes në punë dhe përditshmëri në fund të javës.

Demi – Jeni në një periudhë ku keni shanse për sferën financiare. Mërkuri që kthehet në prapavijë në Luan krijon shanse të afroheni me prindërit, familjen, të mblidheni rreth një tryeze dhe të hapni biseda për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me shtëpinë dhe do të keni ndihmë dhe mbështetje financiare nga familjarët, të afërmit, ose do të shpenzoni për disa rregullime. Është një periudhë erotike sepse me Marsin në Virgjëreshë keni një atmosferë komunikimi. Kujdes në fund të javës sepse mund të rrezikohen marrëdhëniet personale ose një projekt krijues. Kini kujdes nga ana psikologjike sepse mund të keni disa presione nga rrethi juaj.

Binjakët – Jeni në një fazë ku me Uranin në shenjën tuaj, të lindurit në dy ditët e para të shenjës shikojnë që diçka po ndryshon ose ju vetë keni nevojë për liri. Afërdita në shenjën tuaj krijon shanse për të arritur me lehtësi ato që doni, por kalimi i Mërkurit në prapavijë në Luan krijon një antitezë. Mund të bini në mendime, të jeni më të tërhequr dhe të rishikoni disa plane. Keni mundësi të thelloheni, të bëni plane e mendime që mund të shihni ndryshe disa gjëra. Në datën 18-19 keni mundësi për takime të këndshme me njerëz nga e kaluara që mund t’ju japin këshilla të dobishme. Lëreni për më vonë atë që keni ndërmend dhe mos blini gjëra të reja. Kujdes me këmbënguljen dhe kokëfortësinë.

Gaforrja – Fokusoheni te vetja, por edhe te sfera profesionale e sociale. Gjatë kësaj periudhe, me Mërkurin në prapavijë do të merreni me financat dhe mund të keni pengesa. Jo se s’doni të merrni para, por mund të keni disa vonesa. Mund të merrni detyrime nga të tjerët ose do të detyroheni të shlyeni dikë. Data 18-19 sjell mbështetje ekonomike për një plan ose synim. Këtë do ta keni nga miqtë ose të afërmit. Kujdes me udhëtimet në fundjavë, mund të keni një pengesë.

Luani – Mërkuri në prapavijë në shenjën tuaj ju fton të rishikoni gjërat, të bëni introspektivë, të ndryshoni disa plane që nuk shkojnë dhe duhet të jeni më të tërhequr, të punoni me veten dhe t’i realizoni gjërat më mirë. Është momenti të krijoni sepse do të keni frymëzim. Evitoni keqkuptimet, mos reagoni menjëherë. Data 18-19 sjell shanse për të takuar miq ose njerëz të dobishëm që do t’ju ndihmojnë në realizimin e synimeve që do t’i vini në zbatim. Kujdes me financat në fundjavë.

Virgjëresha – Gjëra shumë interesante në sferën profesionale dhe sociale. Ka një antitezë në këtë periudhë, nga një anë Marsi në shtëpinë tuaj ju bën shumë aktivë, me punë e të vraponi, nga ana tjetër, Afërdita në shtëpinë e dhjetë që ka të bëjë me karrierën, anën sociale, Urani ju krijon një periudhë me aktivitet, por Mërkuri në prapavijë ju bën të zbrazët ose t’i mendoni gjërat më thellë. Kjo s’është e keqe, por është momenti të rishikoni gjërat dhe të mos reagoni menjëherë. Mendohuni dy herë para se të flisni. Evitoni bisedat e tepërta që të tjerët mund t’ju japin shkas për të thënë gjëra pas shpine. Vazhdoni të jeni të kujdesshëm në sferën financiare dhe në detyrimet që kanë të bëjnë me të tjerët.

Peshorja – Do të keni shanse të afroheni me miqtë nga e kaluara, të takoni njerëz në rrjetin social që mund t’ju ndihmojnë, madje nëse ju ka premtuar për diçka në të kaluarën dhe s’e ka realizuar, mund t’ia rikujtoni. Me Mërkurin në prapavijë është mirë të mos firmosni, të konsultoheni, por të prisni derisa të kalojë në kurs të drejtë. Është periudhë shumë e mirë ku do të afroheni me miqtë, do të udhëtoni dhe do të rishikoni planet e së kaluarës.

Akrepi – Me Mërkurin në prapavijë duhet të fokusoheni në jetën tuaj sociale, kështu që çështjet e së shkuarës, në punë, në jetën sociale, në karrierë mund të dalin në pah. Mund të keni pengesa kështu që mund të ikni në pushime. Lini mbresa sa më të mira në jetën sociale që të evitoni çdo keqkuptim. Fokusohuni te një ndihmë financiare që doni për punën, të cilën do ta gjeni në datën 18-19. Kujdes në marrëdhëniet miqësore në fund të javës.

Shigjetari – Është periudhë shumë interesante për fushën e marrëdhënieve personale ku keni kaluar në një fazë të re dhe ndikohen të lindurit në ditët e para të shenjës. Kini kujdes në punë, karrierë, jetën sociale ku mund të arrini shumë gjëra por pa konflikte me të tjerët në fund të javës. Mund të përfitoni nga data 18-19 për t’u afruar me të dashurit, të udhëtoni ose të njihni dikë. Mund të shkoni në vende që keni qenë dikur dhe sigurohuni të jeni organizuar gjithçka që të mos vraponi në momentin e fundit.

Bricjapi – Me Mërkurin në prapavijë, fokusohuni te sfera financiare dhe detyrimet ndaj të tjerëve, ndaj bankave, tatimeve dhe mos firmosni për një hua që keni kërkuar. Rishikoni nevojat në kombinim me dëshirat më të thella dhe do të korrigjoni përditshmërinë në harmoni me anën financiare që të jetë sa më rezultative. Mund të udhëtoni dhe të keni takime të rëndësishme, të takoni njerëz që do të lënë gjurmë në jetën personale dhe ndryshimin e planeve që keni për të ardhmen.

Ujori – Kryesorja është fusha e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve. Nga njëra anë mund të keni keqkuptime e largime, nga ana tjetër rikthimin e klientelës, bashkëpunimeve ose ish-it. Më 18-19 janë ditë shumë të mira për të riparuar një krizë në çift, të flisni me fëmijët dhe të zgjidhni problemet. Kini kujdes me financat në fund të javës dhe në mënyrën sesi i perceptoni gjërat brenda jush, nevojat dhe dëshirat më të thella.

Peshqit – Një fazë e mirë dhe kontradiktore. Nga ana tjetër, shtëpia e pestë me Jupiterin dhe diellin krijon shanse shumë të mira për t’u afruar me të dashurin, nga ana tjetër Marsi ju fut në konflikte me bashkëpunëtorët, bashkëshortin etj. dhe duhet të keni kujdes, sidomos të lindurit në fund të 10-ditëshit të dytë dhe fillim të 10-ditëshit të parë, kryesisht në fund të javës sepse disa acarime mund të shkojnë deri në ndarje, qoftë edhe të përkohshme. E hëna është një ditë ku mund të ndiheni optimistë, të martën të keni disa acarime, ndërsa në datën 18-19 mund të përfitoni për të rregulluar gjërat që lidhen me shtëpinë, familjen dhe të përfitoni lidhur me organizimin e përditshmërisë që të jetë sa më e dobishme për ju

The post Sfida, probleme familjare dhe thyrje zemrash, Chrysanthi Kalogeri flet per jave te ‘frikshme’ appeared first on Sot News | Lajme.

Thesari i fshehur në Antarktidë/ Vullkani “shpërthen” ar të kristalizuar me vlerë 5 mijë paund në ditë

11 July 2025 at 19:33

Një vullkan në Antarktidë po nxjerr pluhur ari me vlerë 5,000 paund çdo ditë dhe për shkak të ngadalësisë së shpërthimit të tij, ari po kristalizohet dhe po formohet. Mali Erebus u zbulua në vitin 1841 nga Kapiteni Sir James Clark Ross, i cili e emëroi sipas varkës së tij, ndërsa ai dhe ekuipazhi i tij po lundronin pranë tij.

Është vullkani më jugor aktiv në botë dhe një nga dy vullkanet aktivë në Antarktidë nga 138 në kontinent.

Mali Erebus ka një lartësi prej 3,794 m. Vullkanit iu deshën më shumë se 130 vjet që të bëhej aktiv, por ai ka shpërthyer që nga viti 1972, jo me llavë, por me shumë gaz dhe avull. Brenda të gjitha këtyre, ka grimca shumë të vogla pluhuri ari që matin 20 mikrometra (0.02 mm) me një total prej rreth 80 g të nxjerrë jashtë çdo ditë. Çmimi i arit aktualisht luhatet rreth 63 paund për gram, që do të thotë se çdo ditë prodhohet ar me vlerë 5,040 paund.

Ndërsa llava ngrihet lart dhe godet ajrin e ftohtë, ajo kristalizon arin për disa orë përpara se të fryhet në atmosferë. Është gjetur më shumë se 600 milje larg vetë vullkanit.

The post Thesari i fshehur në Antarktidë/ Vullkani “shpërthen” ar të kristalizuar me vlerë 5 mijë paund në ditë appeared first on Sot News | Lajme.

Tërmeti i fortë ‘shkund’ këtë vend, ja sa ishte magnituda

11 July 2025 at 19:31

Një tërmet me magnitudë 5 ndodhi pranë brigjeve të Zakinthos në perëndim të Peloponezit në orën 19:24 të premten, (ora lokale)

Sipas Institutit Gjeodinamik, tërmeti ishte me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte 60 kilometra në perëndim, në jugperëndim të Strofades dhe thellësia fokale ishte 10.8 kilometra. Deri tani nuk raportohet për viktima.

 

The post Tërmeti i fortë ‘shkund’ këtë vend, ja sa ishte magnituda appeared first on Sot News | Lajme.

Shteti s’mund të jetë një akt, por veprim i vijueshëm i institucioneve ligjore

11 July 2025 at 19:23

Nga Llesh NDOJ

Të gjithëve na kanë bërë përshtypje veprimet, si një rrufe në qiell të kthjellët, të Kryeministrit Edi Rama këto ditë të nxehta në mes të korrikut, me fokus çlirimin e hapësirave publike në bashkitë kryesore të vendit, kryesisht në ato rajone ku turizmi është parësorë në aktivitetin e tyre, si Vlora, Durrësi, Shkodra e Fieri, me paralajmërimin e tij ultimativ se aksioni do të shtrihet në të gjithë teritorin e vendit. Nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë në vendin tonë, bile në shumicën e rasteve, aksione të tilla kanë patur të njejtin protagonist: Edi Ramën! Kujtojmë periudhën, tashmë të largët, kur shembeshin objektet e paligjshme në parkun “Rinia” në Tiranë, apo në shumicën e qyteteve të vendit, kur policia ndërtimore, atëherë e drejtuar nga drejtori i saj i hekurt Mitat Havari, i shembte pa mëshirë objektet e paligjshme, të cilat kishin mbirë si kërpudhat pas shiut, në një periudhë kur shteti ishte vërtetë “kap ç’të kapësh”, ngritur mbi një vizion (në fakt pa asnjë vizion!) tribal të drejtuesit të kohës Sali Berisha, i cili me dashje e me një program të mirëmenduar për karieren e tij personale, u bëri thirrje njerëzve të turren drejt çdo hapësire të lirë. Kjo mund të tipizohet plotësisht si koha e “tokë e xanun”! Ai aksion, që pasoi një periudhë të mosshtetit, edhe sot gjendet plotësisht i justifikuar në opinionin e njerëzve, por ai s’mbeti i vetmi…
Le të kujtojmë ngjarjet në Astir, apo problemet me shpronësimet për ndërtimin e Unazës së Re në Tiranë, ku pa asnjë program e asnjë marrëveshje sociale, njerëzit uleshin për të fjetur me çati mbi krye dhe gdhiheshin megjithë dyshek në rrugë e trotuare. Le të sjellim ndërmend atë nanën mirditore, simbol të qëndresës atje, që kacafytej me policinë duke shprehur dëshpërimin e saj më të thellë për djersën e humbur padrejtësisht të bijëve të saj në emigracion, që vetë shteti po ja dëmtonte pa sanjë justifikim, le të kujtojmë me dhimbje sa loti u derdh, e sa mallkime u dhanë nga njerëz të pafajshëm, të cilëve vetë shteti ua kishte “bërë me sy” të vepronin në menyrë të paligjëshme, në këmbim të një vote, apo edhe në mënyrë korruptive, ku përfaqësuesit e tij, në këmbim të mosveprimit, kishin mbushur trastat me para. E prap gjendet një justifikim: ato veprime bëheshin në emër e në interes të projekteve madhore, siç ishte Unaza e Madhe e Tiranës dhe ofronin edhe ndonjë kompromis social me të prekurit prej tyre.
Po si mund të justifikohet futja në burg e fshatarëve në skajet më të largëta të vendit, të cilët në pronën e tyre, pa penguar e dëmtuar askënd dhe thjesht për një çati mbi krye, bënin ndonjë shtesë objekti! E pajustifikuar dhe me qëllime jonjerëzore mund të karakterizohet e gjithë ajo situatë, ndonëse brenda kornizës ligjore. Përsëri protagonist është Edi Rama! Justifikimi: Duhet ndërtuar shteti ligjorë, ndryshe s’mund të integrohemi në Evropën ku synojmë të bëjmë pjesë! Prap me vete, me zë e nën zë, shumëkush i ka justifikuar këto veprime, si hapa të vegjël drejt qëllimeve të mëdha, por që deri më tash kanë rezultuar “xhirim në baltën”, që e kemi krijuar vetë vit pas viti.
Le të kthehemi tani tek aksioni aktual dhe mendësia që dukshëm qëndron pas tij. “Ylli polar” ekonomik i kësaj qeverisje, ka vite që është përcaktuar turizmi. Ky objektiv jo vetëm ekonomik, ka rezultuar i suksesshëm, të paktën në këta hapat e tij fillestarë, kur masivizimi, më shumë si eksplorim i të panjohurës se sa si përmbushje e kërkesave, ka patur efekte të mira, veçanërisht afatshkurtëra. Disa inisiativa qeveritare, më mirë të themi personale të kreut të qeverisë Rama, si ajo e investitorëve strategjikë, apo e ashtuquajtura “paketa e maleve”, rritja e pagës minimale dhe pagat referuese në punësimet në sektorin e turizmit, e ndonjë masë tjetër e ngjashme me to, mbeten për t’u përshëndetur. E tillë, për t’u pëshëndetur, është edhe masa e paralajmëruar për vënien në dispozicion të publikut pa pagesë të hapësirave në plazhe, duke licensuar për përdorimin e tyre vetëm strukturat hoteliere. Por ç’emër mund t’i vendosim shembjes në kulmin e sezonit turistik të resortit në Golem para disa viteve? Po aksionit aktual në Vlorë, Fier, Durrës e Shkodër, në pikun e sezonit turistik të shumëpritur, si mund t’ia vemë emrin? Ç’imazh kërkon të shpërndajë zoti Rama tek turistët e partnerët ndërkombëtarë me ato pamje rrenuese në Theth dhe jo vetëm aty, me lotët e njerëzve, që sa hap e mbyll sytë, iu shemben jo vetëm kursimet e jetës, por edhe ëndërrat e të ardhmes. Mendoni se ka prej tyre që kanë lënë emigracionin për ato ëndërra, me qëllim që t’a ndërtojnë jetesën në vendin e tyre.
Le të qartësohemi hapur fare, hapur para kujtdo që e lexon këtë shkrim e që mund t’më paragjykoje si anarshist, apo antishtet: Unë jam për shtetin ligjor dhe në funksion të ngritjes së tij jam i gatshëm të sakrifikoj edhe personalisht shumëçka. Por, a është ky shteti ligjorë? Më tej akoma, a bëhet shteti ligjorë me aksione të tilla, ku protagonist është një individ, qoftë ky edhe i pari i shtetit, apo shteti është (duhet të jetë, në fakt!) veprim i përditshëm vijues e ligjorë, i shtrirë njëtrajtshmërisht në të gjithë territorin ku ai e shtrin ndikimin e pushtetit të vet? Më saktë, në të gjithë territorin ku duhet t’a shtrije pushtetin e tij, pasi faktet flasin se nuk ndodh kështu. Kjo situatë e vështirë nuk ka mbërritur deri këtu në një ditë, por ka një historik kohëzgjatje që flet haptazi për mungesën e shtetit ligjorë, korruptimin e tij deri në palcë, funksionimin me orekse private e mungesën e autoritetit të ligjit. E kjo, jo vetëm në Theth, apo në skajet më të largëta të vendit, por edhe në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Fier, në Elbasan, në Shkodër etj, që janë zemra e vendit, jo vetëm fizikisht, por edhe ekonomikisht e në aspektin e shtetbërjes. Ky lloj shteti që funksionon me veprime e aksione ditore, me fushata e teke individuale, sipas mendësive e humorit të një individi, qoftë ky edhe kryeministri i vendit, vetëm shtet ligjorë nuk mund të jetë! Simptomat e tij anojnë dukshëm drejt qeverisjeve autoritare, në mos me shenja diktatoriale, jo krejt për t’u neglizhuar!
Përsëri e them: Ç’i takon publikut, i duhet kthyer atij, se vetë emri “Republikë”, që vjen nga “res publica”, ose “gjerat publike”, për të cilat ngrihet e funksionon shteti, këtë nënkupton, por kjo duhet të realizohet vetëm me ligj dhe vetëm me procedure ligjore, e kurrë me aksione e fushata! Në rastin e tanishëm, më shumë se ata të cilëve u janë shembur apo do t’u shemben ndërtimet e paligjshme, të përhershme apo provizore qofshin ato, unë jam i bindur se po dëmtohet imazhi i shtetit dhe vetë perspektiva e vendit.
Kryebashkiaku i Vlorës miratoi dorëheqjet “vullnetare” të bëra me urdhër të Ramës, për 21 drejtorët e asaj bashkie, por a e ka bërë ndonjëherë analizën e pozicionit të tij si kryebashkiak zoti Dredha? Të ishte burrë i ndershëm e drejtues vizionar, ose s’do t’a kishte pranuar këtë situatë poshtëruese për të e bashkinë e tij, duke e yshtur kryeministrin t’a shkarkonte me vendim, ose i ndërgjegjshëm për përgjegjésitë e veta dhe i paaftë për të ndryshuar situatën nga brenda institucionit që i është besuar të drejtojë, duhej të jepte menjëherë dorëheqjen. Të njejtat fjalë shkojnë edhe për demokrato – socialistin e bashkisë së Shkodrës Beci, për jetëgjatin pushtetar Subashi, e këdo tjetër që pranon poshtërimin e vartësve të tij, për të mbajtur karrigen e dhuruar nga Rama. Të them të vërtetën, nuk jam simpatizant personal i kryebashkiakut të Lezhës, por kam bindjen se ai kurrë nuk do t’ia kishte lejuar vetes një poshtërim të tillë, plus që shumë veprime të modelit “aksion” i ka nisur vetë, përpara se t’i niste me porosi nga Edi Rama. Edhe pak më tej akoma: – A është ky shtet i barabartë në veprim për të gjithë?
Kurrë nuk i kam pranuar zërat që i japin qeverisjes aktuale nuanca si një qeverisje, në mos anti, jo dashamirëse me Veriun e Shqipërisë. Edhe kur më janë vënë përballë argumentat e mungesës së rrugëve, apo vënies së të vetmeve tarifa pagese posaçërisht në rrugët e veriut, nuk i kam mbajtur anën kësaj ideje, e cila fatkeqësisht nuk është thjesht një fiksion. Ja! Edhe tani shembulli merr dhenë e vihet si “çimento” speciale në themelet e një ndarjeje, që nuk duhet të ekzistoje qoftë edhe si fiksion, propogandë apo ndikim armiqësorë, quaje po deshe. Në Vlorë, pas disa ditë shfaqjeje të tipit “show” të shëmtuar me protagonist Kryeministrin, u bë gjeja e duhur: u arrit në një kontratë “win – win”, sipas së cilës bizneset do t’a vazhdojnë aktivitetin edhe këtë sezon, për t’iu nënshtruar një rregullimi të përgjithshëm në shtator. Mrekulli… edhe pse me vonesë e me mosveprim nga organet që kanë status ligjorë për t’a bërë këtë. Po pse Thethi u kthye në “Kandahar”? Pse ato kioska të vogla që shërbenin për mbijetesë, u shembën aq shpejt e aq pamëshirshëm Zoti Kryeministër? A nuk është turp për shtetin kur sheh atë malësorin e varfër që qanë me lot për gjakun (jo thjesht djersën!) e shkuar dëm? Ju e dini besoj, se malësori me zor derdh lot edhe kur i ikën djali i vetëm, por nuk e pranon tradhëtinë, pabesinë dhe fyerjen e dinjitetit njerzorë. Dhe çuditemi pastaj, kur e vetmja pjesë e harresës shqiptare që “ngjyroset blu” në zgjedhje është Veriu! Veriorët janë burra të besës, por t’i presësh ata në besë, kurrë nuk është gjetje e zgjuar!
Shteti ligjorë nuk mund të jetë aksion një apo disa ditorë, por veprim i qëndrueshëm, shteti ligjorë nuk mund të jetë veprim dhe iniciativë individësh, sado të fuqishëm e të mençur qofshin ata, por bashkëveprim institucionesh, shteti ligjorë nuk ka pse ngutet pasi ai i ka në dorë edhe gurin edhe arrën dhe mund të veprojë! I forti kurrë nuk ngutet, prej trimnie e jo prej tutet! – thotë një shprehje popullore veriore. Atëherë, pse po ngutet Edi Rama? A është vërtetë “i fortë” ai, siç e tregojnë numrat në qeverisjen e gjatë e fitoret e njëpasnjëshme me të cilat dominon gjithë jetën politike të vendit, apo është një frikacak e diktatoruc që fshihet pas shtetit, për të realizuar ambiciet e tij personale, shpesh të dyshimta.
Në se për kaq shumë vite qeverisje, shteti që ke ngritur me duart e tua nuk funksionon, jep menjëherë dorëheqjen, Zoti Kryeministër, dhe hapu rrugë zhvillimeve të reja edhe pse është tmerrësisht vonë!

The post Shteti s’mund të jetë një akt, por veprim i vijueshëm i institucioneve ligjore appeared first on Sot News | Lajme.

300 vizita në ditë, rritet frikshëm fluksi në urgjencën e QSUT, ja apeli i mjekëve

11 July 2025 at 19:12

Temperaturat e larta të ditëve të muajit korrik kanë pasur me shtim të urgjencave mjeksore në QSUNT. Mjekët e urgjencës, thonë se fluksi është në rritje, dhe shkak duket se është dehidratimi nga mungesa e lëngjeve dhe vapa.

“Janë shtuar pacientët që vinë me gjendje të fikti, kjo vjen nga mungesa e lëngjeve, por edhe nga pacientë që vuajnë nga sëmundjet kronike. Numri i vizitave ditët e fundit është shtuar, një mesatare 300-350 në ditë”, tha Anduela Mino, mjeke urgjence QSUNT.

Moshat e thyera dhe të sëmurët kronik janë ato që kanë problematika më të mëdha në stinën e verës.

“Pacientët kardiak duke mos marrë lëngje dhe duke marrë medikamente anti-hipertensiv të tensionit, ulet tensioni akoma më shumë. Moshat e pacientëve janë mbi 60-vjeç e sipër, por edhe moshat e reja”, shtoi mjekja.

Në këto kushte mjekja apelon që të evitohet dalja ndërmjet orës 11- dhe 5 pasdite, të konsumohen sa më shumë lëngje të freskëta, ujë dhe jo kafe, pije me gaz apo alkool.

The post 300 vizita në ditë, rritet frikshëm fluksi në urgjencën e QSUT, ja apeli i mjekëve appeared first on Sot News | Lajme.

“Gjendje e rëndë ligjore”, Romeo Kara ngre alarmin: Meta përballet me tre akuza të rënda, pritet të…

11 July 2025 at 19:11

Pas më shumë se 10 muajsh në burg, Meta është ankuar në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon lirinë, fill pas ndryshimit të masës së sigurisë për Malltezin dhe Salianjin.

Avokati Romeo Kara tha për  një emision televiziv se procesi ndaj Metës ka shkelur garancitë kushtetuese dhe se situata e tij nuk është e lehtë.

“Kushtetuta ka dhënë disa garanci, siç jep për institucionet jep dhe për individët. Do të goditet pjesa e procesit gjyqësor që ka shkelur garancitë kushtetuese. Unë mendoj që nuk jemi akoma në komunikim zyrtar që janë mbyllur hetimet. Nëse janë mbyllur dhe prokuroria nuk ndryshon qëndrimin, janë bindur që janë kryer veprat penale.

Mendoj duke pasur parasysh procesin, mendoj që nuk do ndryshojë gjë kundrejt Metës. Ngërçi tregon që Gjykata më e lartë lidhur me kushtetueshmërinë është vetë jo në kushtetueshmërinë e plotë. Mund të lërë në fuqi gjendjen e arrestit, mund të konstatojë paligjshmërinë dhe duhet parë si do ta gjykojë gjykata. E shoh gjendjen e tij jo të lehtë.”

Në analizën e tij me elementë juridikë, avokati tha se akuzat ndaj Metës janë të rënda dhe se po bindin akuzën që personi i ka kryer këto vepra.

“Akuzat ndaj Metës janë në të tjera vendime, ndryshe nga Salianji dhe Malltezi. Meta akuzohet për tre vepra të rënda penale, kemi një sërë faktesh që po pasurohen me prova të cilat janë hetuar në kohë të gjatë dhe po bindin akuzën që personi i ka kryer këto vepra.”

 

 

The post “Gjendje e rëndë ligjore”, Romeo Kara ngre alarmin: Meta përballet me tre akuza të rënda, pritet të… appeared first on Sot News | Lajme.

30 vite nga gjenocidi, Kurti ‘godet’ Serbinë nga zemra e Srebrenicës: Nuk harrojmë dhe nuk falim

11 July 2025 at 18:58

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, që u zhvillua në Qendrën Memoriale në Potoçari.

Delegacioni nga Kosova nderoi kujtimin e 8,372 viktimave duke vendosur lule pranë varrezave, në shenjë respekti për burrat dhe djemtë boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në vitin 1995, në aktin më të rëndë gjenocidal në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, e kuruar nga Aziz Osmanoviç, që përmes objekteve personale sjell rrëfime prekëse të viktimave dhe të mbijetuarve.

Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi masakrën e Srebrenicës si dëshmi të tmerrit të regjimit të Millosheviçit dhe paralajmërim për qëllimet gjenocidale të Serbisë edhe në Kosovë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të ruajtur kujtesën historike dhe për të qëndruar në krah të së vërtetës dhe viktimave.

The post 30 vite nga gjenocidi, Kurti ‘godet’ Serbinë nga zemra e Srebrenicës: Nuk harrojmë dhe nuk falim appeared first on Sot News | Lajme.

Momentet e fundit të 35-vjeçarit përpara se të “thithej” nga turbina e aeroplanit në Bergamo (Video)

11 July 2025 at 18:55

Një ngjarje tragjike ka nodhur në një nga aeroportet e Italisë. Siç shihet edhe në video Andrea Russo 35 vjeç gjeti vdekjen në pistën e aeroportit Orio al Serio në Bergamo, pasi u “thith” nga një motor i avionit. Incidenti tragjik ndodhi të martën kur 35-vjeçari arriti të anashkalonte të gjitha pikat e kontrollit të sigurisë dhe të arrinte te avioni, por ishte tepër vonë, pasi avioni po përgatitej për ngritje.

Në videon që po qarkullon në internet, rruga e 35-vjeçarit është qartësisht e dukshme, ai fillimisht vrapon përgjatë pistës drejt aeroplanit, ndërsa oficerët e sigurisë janë përreth tij, por askush nuk e ndalon. Autoritetet po hetojnë rastin, ku skenari më i mundshëm është vetëvrasja, dhe për këtë arsye po përqendrohen në orët e fundit të 35-vjeçarit.

The post Momentet e fundit të 35-vjeçarit përpara se të “thithej” nga turbina e aeroplanit në Bergamo (Video) appeared first on Sot News | Lajme.

Trajneri largohet nga Partizani, firmos me rivalët e kryeqytetit

11 July 2025 at 17:55

Renaldo Kalari nuk është më trajner i Partizanit B. Palët kanë mbyllur bashkëpunimin mes tyre, diçka që e kishte kërkuar vetë Kalari.

Ky i fundit ka zgjedhur të kalojë te Dinamo, aty ku do të jetë ndihmës i trajnerit Ilir Daja.

Kalari do të jetë pjesë e bluve, ndërsa është shfaqur në përgatitjet për ndeshjen e turit të dytë të Conference League.

The post Trajneri largohet nga Partizani, firmos me rivalët e kryeqytetit appeared first on Sot News | Lajme.

“Kryeministër, kryebashkiak dhe kryetar Kuvendi”, Baçi akuzon Ramën për kapje totale të pushteteve: Duhet të shkojmë..

11 July 2025 at 17:55

Analisti Agim Baçi ishte i ftuar në  një emision televiziv, i pyetur  për zhvillimet më të fundit në vend, shkarkimet dhe dorëheqjet e kërkuara nga kryeministri Edi Rama për drejtorët e bashkive dhe njësive administrative, u shpreh se kryeministri i ka bashkuar të gjitha pushtetet në një dorë.

“Mënyra si sillet zoti Rama, qoftë duke kërkuar shkrirjen e AKU në një mbledhje, as në mbledhje qeverie po në një forum politik, qoftë dhe duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve apo krerëve të njësive administrave, Rama është dhe kryeministër, kryebashkiak, kryetar parlamenti, pra i ka bashkuar të gjitha pushtetet në një dorë”, tha Baçi.

Sipas tij, Rama sot kërkon një platformë tjetër politike në një kohë kur nuk ka dhënë llogari në parlament për qeverisjen, duke munguar në interpelancat e ndryshme që ka kërkuar opozita.

“Më e ndershme do të ishte të shkonim në zgjedhje të parakoheshme të paktën lokale lokale dhe të pranonte që pushteti lokal sipas logjikës së tij ka dështuar.

 

 

Jo të ndërronte brenda ditës disa emra. Aty duhet të zëvendësohet koncepti politik, nuk janë korrupsion individual, largimet në grup janë filozofi. Rama po pranon që koncepti i tij politik për pushtetin lokal ka dështuar”, tha analisti Agim Baçi.

Agim Baçi: Mënyra si sillet zoti Rama, qoftë duke kërkuar shkrirjen e AKU në një mbledhje, as në mbledhje qeverie po në një forum politik, qoftë dhe duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve apo krerëve të njësive administrave, Rama është dhe kryeministër, kryebashkiak, kryetar parlamenti, pra i ka bashkuar të gjitha pushtetet në një dorë.

Ne kemi në një krah parlamentin që nuk e ka ushtruar të drejtën e vet kushtetuese për të përmirësuar qeverisjen duke kontrolluar qeverisjen, duke kontrolluar institucionet kushtetuese, ministrat dhe kryeministrin në interpelanca të ndryshme të kërkuara nga opozita, por ka pranuar që kryeministri të shkojë 1 herë në 6 muaj a më pak në parlament dhe të mos japë llogari sa herë i është kërkuar interpelanca dhe ai të mos paraqitet dhe mazhoranca ta justifikojë mungesën e tij, dhe tani është përballë situatës që kërkon një platformë tjetër politike.

Më e ndershme do të ishte të shkonim në zgjedhje të parakoheshme të paktën lokale lokale dhe të pranonte që pushteti lokal sipas logjikës së tij ka dështuar.

Jo të ndërronte brenda ditës disa emra. Aty duhet të zëvendësohet koncepti politik, nuk janë korrupsion individual, largimet në grup janë filozofi. Rama po pranon që koncepti i tij politik për pushtetin lokal ka dështuar.

Po ti emëronte kryetarët do i kishte shkarkuar por duke qenë se zgjidhen nga populli, do të shkonim në zgjedhje lokale.

Parimisht derisa i ka hequr nëpunësit që i ka vendosur vetë, në njëfarë mënyre ka pranuar dështimin e këtyre kryebashkiakëve.

 

 

 

The post “Kryeministër, kryebashkiak dhe kryetar Kuvendi”, Baçi akuzon Ramën për kapje totale të pushteteve: Duhet të shkojmë.. appeared first on Sot News | Lajme.

I nxehti “pushton” Shqipërinë, ja sa shkojnë temperaturat ditën e nesërme

11 July 2025 at 17:44

Ditën e Shtunë vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin pa përjashtuar vranësira të pakta kalimtare nga orëtv e mesditës kryesisht në relievet malore nga orët e meditës.

Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 34 gradë celcius, ndërsa ato minimale deri në 14 gradë celcius.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 2-7m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimorë dhe zonave luginore era fiton shpejtësi 8-10 m/s.

The post I nxehti “pushton” Shqipërinë, ja sa shkojnë temperaturat ditën e nesërme appeared first on Sot News | Lajme.

‘Shkarkoni nënkryetarët’, kryebashkiaku i Kavajës sfidon Ramën: Nuk zbatoj urdhra politikë

11 July 2025 at 17:37

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në Durrës të gjithë kryetarët e bashkive, duke u dhënë një ultimatum që deri të hënën të shkarkojnë të gjithë kryetarët e njësive administrative dhe nënkryetarët e bashkive.

Ky vendim ka hasur në kundërshtimin e hapur të disa kryebashkiakëve. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, është shprehur se nuk do të zbatojë urdhrin, duke theksuar se nuk shkarkon njerëz vetëm sepse e kërkon kryeministri. “Nuk dëgjoj urdhrat politikë,” tha ai, duke e cilësuar qëndrimin e tij si një parim kundër ndërhyrjeve politike.

Më i moderuar në ton ishte kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, i cili u shpreh se nënkryetarët e bashkisë që ai drejton janë të rinj në detyrë dhe se do t’i testojë përpara se të marrë një vendim për shkarkimin e tyre.

Ultimatumi i Ramës vjen si pjesë e një aksioni për riorganizimin dhe, sipas tij, përmirësimin e administratës vendore.

The post ‘Shkarkoni nënkryetarët’, kryebashkiaku i Kavajës sfidon Ramën: Nuk zbatoj urdhra politikë appeared first on Sot News | Lajme.

OKB: 798 palestinezë të vrarë në 6 javë në pikat e ndihmës në Gazë

11 July 2025 at 17:37

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha të premten se ka regjistruar të paktën 798 vrasje gjatë gjashtë javëve të fundit në pikat e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës.

Ajo tha se vrasjet kanë ndodhur në pikat që menaxhohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, si dhe pranë autokolonave të drejtuara nga organizata të tjera ndihmash.

GHF-ja përdor kompani private amerikane të sigurisë dhe logjistikës për të sjellë furnizime në Gazë, duke anashkaluar sistemin e udhëhequr nga OKB-ja, për të cilin Izraeli pretendon se është shfrytëzuar nga militantët e udhëhequr nga Hamasi për t’i plaçkitur ndihmat e destinuara për civilët.

Hamasi – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – i mohon akuzat e Izraelit. Pas vrasjes së qindra civilëve palestinezë që përpiqeshin të arrinin te pikat e ndihmës së GHF-së në zona ku operojnë forcat izraelite, Kombet e Bashkuara e cilësuan këtë model ndihme “thellësisht të pasigurt” dhe në kundërshtim me standardet e paanshmërisë humanitare.

“(Nga 27 maji) deri më 7 korrik, kemi regjistruar 798 vrasje, përfshirë 615 pranë pikave të Fondacionit Humanitar të Gazës dhe 183, me shumë gjasë, përgjatë rrugëve të autokolonave të ndihmës”, tha zëdhënësja e zyrës së OKB-së (OHCHR), Ravina Shamdasani, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

GHF-ja, që filloi të shpërndante paketa ushqimore në Gazë në fund të majit pasi Izraeli hoqi një bllokadë 11-javore të ndihmës, i tha Reutersit se shifrat e OKB-së janë “të rrejshme dhe çorientuese”.

Ajo e mohon se incidente vdekjeprurëse kanë ndodhur në pikat e saj shpërndarëse.

“Fakti është se sulmet më vdekjeprurëse në vendet e ndihmës kanë qenë të lidhura me autokolona të OKB-së”, tha një zëdhënës i GHF-së.

“Zgjidhja përfundimtare është më shumë ndihma. Nëse OKB-ja dhe organizata të tjera humanitare do të bashkëpunonin me ne, ne mund t’i ndalonim ose t’i pakësonim ndjeshëm këto incidente të dhunshme”, tha ai.

Ushtria izraelite i tha Reutersit se është duke e hetuar numrin e madh të viktimave dhe se ka ndërmarrë hapa për t’i minimizuar përplasjet mes palestinezëve dhe Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), duke vendosur gardhe, tabela paralajmëruese dhe hapur rrugë shtesë.

OHCHR-ja tha se shifrat e saj bazohen në burime si informacione nga spitalet në Gazë, varrezat, familjet, autoritetet shëndetësore palestineze, OJQ-të dhe partnerët e saj në terren.

Shumica e plagëve të palestinezëve pranë pikave të shpërndarjes së ndihmës të regjistruara nga OHCHR që nga 27 maji ishin plagë nga armë zjarri, tha Shamdasani.

“Ne kemi ngritur shqetësime për krime mizore që mund të jenë kryer dhe për rrezikun që krime të tjera mizore të ndodhin aty ku njerëzit po presin në radhë për ndihma jetike si ushqimi”, tha ajo.

Izraeli ka deklaruar se forcat e tij veprojnë pranë vendeve të ndihmës për të parandaluar që furnizimet të bien në duart e militantëve me të cilët është në luftë që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023./REL

 

The post OKB: 798 palestinezë të vrarë në 6 javë në pikat e ndihmës në Gazë appeared first on Sot News | Lajme.

Asllani nuk lëviz nga Italia!/ Mesfushori kuqezi injoron ofertat e huaja, gazetari zbulon prapaskenat

11 July 2025 at 17:25

Kristjan Asllani është i vendosur për të qëndruar në Itali. Gazetari Mateo Moreto ka zbuluar prapaskenat e këtyre ditëve.

Të rejat e fundit sot tregojnë se mesfushori shqiptar ka refuzuar çdo kërkesë nga jashtë. Nga Betisi ndërkohë u raportua më parë për një ofertë zyrtare.

Asllani është i interesuar për qëndrimin në Seria A, ndërsa në anën tjetër asnjë klub nuk tregohet se është afruar me ofertë zyrtare. 23-vjeçari po ashtu është preferuar titullar nga Kivu në Botërorin për klube.

Kontrata e tij me Interin është e vlefshme deri në vitin 2028. Mbetet për t’u parë nëse diçka do ndryshojë për të në vazhdim.

The post Asllani nuk lëviz nga Italia!/ Mesfushori kuqezi injoron ofertat e huaja, gazetari zbulon prapaskenat appeared first on Sot News | Lajme.

“Në Shqipëri nuk ka demokraci”, Kraja: Rama sillet si menaxher autoritar, vetë i emëron dhe i shkarkon të gjithë

11 July 2025 at 17:22

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Partisë Demokratike, Akil Kraja, në një intervistë për  një emision televiziv ka lëshuar akuza të forta në drejtim të qeverisë dhe mënyrës së administrimit të pushtetit nga Kryeministri Edi Rama. Kraja u shpreh se Kryeministri po vepron si një menaxher autoritar, duke marrë përsipër të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes.

“Kryeministri sillet si një menaxher i cili thotë: ‘Unë i emëroj individët, unë i vendos stafet, unë përcaktoj objektivat e instancave, qofshin këto qendrore apo vendore – dhe për pasojë, ashtu siç i vendos, ashtu i heq’,” deklaroi Kraja.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Theth, ai solli në vëmendje faktin se godina të promovuara nga Bashkia u shembën vetëm pak muaj më vonë, nga i njëjti pushtet që i kishte vlerësuar më parë.“Ka një diskordancë të tmerrshme në këtë drejtim,” theksoi ai, duke i bërë thirrje opinionit publik të mos bjerë pre e paragjykimeve dhe etiketimeve politike.

Në mënyrë të veçantë, Kraja ndaloi te situata në Elbasan, të cilën e përshkroi si “një Çernobil shqiptar”. Sipas tij, ndotja e ajrit është kancerogjene dhe përbën një rrezik serioz që prek jo vetëm Elbasanin, por edhe zona të tjera si Lushnja, Rrogozhina e Fieri.

“Pasojat kanë zgjatur për ditë të tëra, janë të tmerrshme. Më besoni, është një Çernobil,” deklaroi ai.

Ndër të tjera, Kraja komentoi edhe aktin e hedhjes së molotovit në Theth, duke e cilësuar si një “tërmet të ekuilibrave lokalë”, që rrezikon zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve të vogla.

“Në vend që të ndërtojmë një shoqëri demokratike, po jetojmë dita-ditës në një realitet që s’ka lidhje me demokracinë,” përfundoi ai.

Kraja:

Kryeministri sillet si një menaxher i cili thotë: unë i emëroj individët, unë i emëroj individët. Unë i emëroj stafet, unë i vendos piketat objektive të instancave, qofshin këto qendrore apo vendore e për pasojë ashtu siç unë i vendos, ashtu i heq.

Vetë Bashkia në Theth ka promovuar këto godina të cilat 1 apo 2 muaj më vonë u shembën pikërisht nga i njëjti pushtet që i promovonte deri dje.

Pra, ka një diskordancë të tmerrshme në këtë drejtim nga ku unë besoj se është jetike të mos biem pre e paragjykimeve dhe e koloritit partiako-politiko-militesk e kështu me radhë që shpeshherë etiketohet politika e Tiranës, që po, edhe në këto raste të dëgjojmë sa më shumë zërat lokalë, sipërmarrës lokalë, punëtorët e thjeshtë lokalë, mjekët lokalë.

Rasti i Elbasanit, p.sh., është një tragjedi, është një Çernobil ajo që ka ndodhur në Elbasan. Është një problematikë lokale sigurisht, por që shkon deri në Lushnje, Rrogozhinë, Elbasan, Fier, me një ndotje kancerogjene, të tmerrshme të ajrit.

Pasojat kanë zgjatur për ditë të tëra, s’di ç’të them, besoni, pasojat janë të tmerrshme. Më besoni, është një Çernobil, përsëri pra, problematikat lokale.

Ju folët për Molotovin në Theth, një fshat kaq i vogël pra që të flasim për Molotov, shkatërrime. Ai është një tërmet i ekuilibrave lokalë, i zhvillimit ekonomik, pra sërish një ç’ekuilibrim i tmerrshëm, i tronditshëm i zhvillimit normal të një shoqërie e cila presupozohet të jetë demokratike, e cila rezulton dita-ditës që nuk është e tillë.

The post “Në Shqipëri nuk ka demokraci”, Kraja: Rama sillet si menaxher autoritar, vetë i emëron dhe i shkarkon të gjithë appeared first on Sot News | Lajme.

Pasi tereziti bashkitë, Rama i shpall ‘luftë’ bulmetoreve: Kush shet pa kupon, do i sekuestrojmë shishet e qumshtit

11 July 2025 at 17:06

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot të gjithë tregtarët që shesin produkte bulmeti pa faturë, se nga e hëna që vjen do të sekuestrohet çdo shishe qumështi dhe çdo produkt bulmeti që tregtohet pa faturë.

Edi Rama: Përpara se ta mbyllim këtë maratone, dua të sjell në vëmendje dhe faktin se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është angazhuar për të sensibilizuar të gjithë ata që tregtojnë qumësht dhe bulmet pa faturë që të mos e bëjnë më këtë gje, sepse duke filluar nga java e ardhshme do të konfiskohet çdo lloj shisheje qumështi pa faturë dhe çdo lloj bulmeti pa faturë.

Është përveç se e patoluerueshme në pikëpamje të ligjit tatimor, është edhe shumë e rrezikshme në këtë fazë të vitit me këto temperatura që mund të shkaktojnë larg qoftë helmime që janë plotësisht të evitueshme. Nga e hëna e ardhshme nuk ka më paralajmërime por vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti pa faturë në çdo dyqan etj etj.

The post Pasi tereziti bashkitë, Rama i shpall ‘luftë’ bulmetoreve: Kush shet pa kupon, do i sekuestrojmë shishet e qumshtit appeared first on Sot News | Lajme.

“Vetë kryeministër, vetë kryepolic, vetë kryebashkiak”, Berisha akuzon Ramën: Ka marrë peng pushtetin vendor, vepron..

11 July 2025 at 17:04

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shkel Kushtetutën dhe pavarësinë e pushtetit vendor, duke vendosur se kush rri e kush ikën nga detyra ne Bashkitë që drejtohen nga socialistët.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se kryeministri sot ka të gjitha pushtetet në dorë, ndaj sillet në këtë mënyrë.

“Ramaduro është vetë kryeministër, vetë kryeprokuror, vetë kryepolic, vetë kryetar bashkie, ndaj ai sillet në këtë mënyrë. Nuk ka diskutim që marrja e kompetencave të qeverisë vendore nga qeveria qendrore është një akt i rëndë antikushtetues dhe është një shkelje e hapur e Kartës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të firmosur nga Shqipëria”, tha Berisha.

Kryetari i PD përsëriti se opozita nuk i njeh zgjedhjet e nuk e njeh fitoren e PS, ndaj nuk do të ulet me qeverinë për të ribërë reformën territoriale.

“PD nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të”, u shpreh Kryetari i PD.

E vetmja reforme në të cilën PD do të marrë pjesë në shtator është reforma zgjedhore.

“PD nuk mund të pranojë legjitimitet karrigesh mbi farsa elektorale”, deklaroi Berisha.

Sot Sali Berisha paraqiti para gazetarëve dhjetëra fatura të kompanisë postare DHL që i përkasin Greqisë ku mungonte firma e qytetarit që kishte marrë fletën e votimit.

“Siç e shihni, zarfet nuk u dorëzuan tek qytetarët, por në mënyrë kriminale u grumbulluan në një qendër, e cila i përdori ato për të plotësuar votat për PS-në”, tha ai.

Sipas Berishës, procesi i votës së diasporës është procesi më i deformuar në zgjedhjet e 11 majit.

 

 

The post “Vetë kryeministër, vetë kryepolic, vetë kryebashkiak”, Berisha akuzon Ramën: Ka marrë peng pushtetin vendor, vepron.. appeared first on Sot News | Lajme.

Vrasja e Renis Dobrës/ Disa persona dyshohet se iu prezantuan si policë, zbardhen pistat e hetimit të prokurorëve

11 July 2025 at 16:53

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me hetimet e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Sipas gazetarit Enver Doçi, Prokuroria e Dibrës po heton në dy pista që lidhen me aktivitetin e të riut në Gjermani dhe në Shqipëri. Gjithashtu bëhet me dije se Dobra ka qenë i dënuar me burgim për disa muaj nga autoritetet gjermane dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Konkretisht pista e parë e hetimit ka të bëjë me dënimin e Dobrës në Gjermani dhe lidhjet që ka pasur me persona të tjerë gjatë qëndrimit në këtë shtet. Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me konflikti që ka pasur në Tiranë me të rinjtë e tjerë në Tiranë.

Siç raportohet Dobra është rikthyer në Shqipëri rreth 6 muaj më parë, ndërsa nga hetimet e prokurorisë rezulton se 23-vjeçari 1 muaj më parë ka qenë në Tiranë dhe është përfshirë në një sherr me disa të rinj. Por pista kryesore e hetimit mbetet Ddyshimet për përfshirjen e 23-vjeçarit Renis Dobra në trafikimin e lëndëve narkotike në Gjermani.

Gjithashtu dëshmia e babait të Renisit mund të hedhë dritë mbi të vërtetën pasi ka qenë personi i fundit që ka komunikuar me 23-vjeçarin. Po ashtu bëher me dije se më 8 korrik rreth orës 21:36 Renisi i ka dërguar një mesazh babait të tij, ku e ka pyetur për një darkë familjare. Rreth 300 metra larg banesës së familjes Dobra, te afërm te tyre qe kanë qenë me makinë pas 23-vjeçarit kanë parë që disa persona që dyshohet se janë prezantuar si policë kanë marrë me vete te riun.

Aty menjëherë kanë njoftuar babane e djalit i cili është nisur për në Policinë e Matit, për të pyetur nëse djali i tij ishte shoqëruar nga policia. Pasi policia mohoi të ketë shoqëruar të riun, babai i djalit ka kryer një kallëzim për zhdukjen e tij dhe më pas është kthyer sërish në fshatin Zenisht. Mëngjesin e 9 korrikut babai i 23-vjeçarit është nisur drejt rrugës Burrel-Milot, ku tek Ura e Ulzës ka gjetur një prej pandoflave të djalit.

Rreth 2 km nga Ura e Ulzës, në rrugën që të çon drejt Milotit ka vërejtur që një makinë ka dalë nga rruga. Babai ka dyshuar se ka qenë makina e tij, ndërsa një banor i zonës i ka pohuar se ka dëgjuar zhurmën e rrëshqitjes së mjetit në zonë. Më pas kanë njoftuar policinë, e cila gjeti buzë Liqenit të Shkopetit trupin e pajetë të 23-vjeçarit Renis Dobra.

The post Vrasja e Renis Dobrës/ Disa persona dyshohet se iu prezantuan si policë, zbardhen pistat e hetimit të prokurorëve appeared first on Sot News | Lajme.

❌
❌