Në ansamblin e elementëve të zhvilluar në arkitekturën urbane, mungon elementi i mozaikut, ndërkohë që ai mund të ketë aplikime origjinale në shumë aspekte.Krijimi me inteligjencë, kreativitet, në plane vertikale dhe horizontale i mozaikëve polikromë mund tëjetë njëkohësisht risi estetike dhe digresion kulturor, ri-lidhje me traditën dhe forcim i kohezionit socio-urban.
Jeta e individit shpesh cilësohet si një mozaik, në të cilin cdo gur ose element përfaqëson një periudhë në jetën e tij. Në larminë shumëngjyrëshe të jetës, prej ngjyrave më të bukura janë ato të afirmimit, të projeksionit dhe rehabilitimit. Nëse vlen ky krahasim për njeriun, vlen edhe për shoqërinë.
Mozaiku si teknikë dekorative lejon interpretimin në kontekstet e sotme të arkitekturës urbane edhe për shkak se lejon minimalizmin duke realizuar funksionin estetik dhe përcjelljen e mesazhit.Ndryshimet modernizuese të viteve të fundit, kanë prezantuar dhe prezantojnë elementë të rinj urbane në vazhdimësi. Ndikimi i këtj projekti që po “shpaloset” nga veriu në jug të vendit tyre është i prekshëm në jetën e komunitetit dhe zhvillimin e turizmit.
Debatet publike priren të fokusohen tek Tirana qëka tjetër dinamikë nga qytetet e tjera, të cilat ndjekin në linja kryesoreelementët e aplikuar në kryeqytet si pedonalet, lulishtet, parkingjet, shatërvanet apo pikturat murale nëpër fasada. Përfshirja e më tepër ideve në këtë kontekst nuk mund të mos sjellë vecse frymëmarrje në koceptim dhe dizajn, pavarësisht fushës profesionale në zbatim. Materialet që përdoren nga antikiteti deri në ditët e sotme janë të shumëllojshme që variojnë nga guri, memeri, xhami, alabastra, porcelani etj. dhe gjithmojnë synojnë të joshin vëmendje dhe të nxjerrin në dritë punime unike.
Nëse do të hedhim një shikim pas, ‘mozaik’ vjen nga greqishtja e vjetër ‘musaikon’, vepra e muzave, më pas ‘opus musivum’ te latinët me të njëjtin kuptim. I pari mozaik në histori konsiderohet Stendardi i Urit, një artefakt portativ që i përket kulturës sumere. Ai daton 2500 vjet para Krishtit dhe është i përbërë nga katër panele trapezoidale guri, veshur me shtresë bitumi me guaska dhe gurë dekorativë të fiksuar sipër.
Mozaikë antikë janë dekoracionet e sarkofagëve të faraonëve egjiptianë të zbukuruar me gurë të cmuar, gurë të prerë të skalitur dhe xham, të cilat mund të vizitohen në muzeumet e mëdha të botës. Mozaiku hitit i Usakli Hojuk-ut në Anatoli i datuar 1400 vjet para Krishtit është mozaiku dyshememëi vjetër në botë i punuar me gurë shumëngjyrësh.
Shprehjen më të rafinuar mozaiku e gjeti në botën greko -romake dhe bizantine. Mozaikët bizantinë të Shën Sofisëu bënë aq fort përshtypje venecianëve sa e ‘kopjuan’ në mozaikun 2099 metra katrorë në katedralen e Shën Markut në Venecia. Tregtarët e Venecias dhe Ravenës, qytete të lidhura politikisht me Bizantin, ishin ata që e sollën në Itali teknikën e punimit të mozaikut me pastë xhami të kombinuar me mermer, gurë malakiti dhe lapislazuli.
Ravena ruan një seri mozaikësh paleokristianë që e kanë kthyer në kryeqytetin evropian të mozaikëve, si për impaktin turistik edhe për laboratorët e bienalet e zhvilluara.Në kohët moderne mozaiku shpaloset si aplikim madhështor urban në veprën e shkëlqyer të Antoni Gaudit në Barcelonë. Parku Guell, qyteti -kopsht, megjithëse një projekt i papërfunduar është dëshmi e gjenialitetit të modernistit katalanas i cili aplikoi për herë të parë teknikën ‘trenkadis’ që bashkon fragmente të crregullta qeramike, mermeri dhe xhami.
Në trashëgiminë tonë materiale janë mirëmbajtur dhe promovuar mozaikët e Durrësit dhe Tiranës, pika të rëndësishme atraksioni turistik në të dyja qytetet. Në krahasim me mozaikët e Butrintit dhe Linit që janë site arkeologjike, mozaikët e mësipërm janë pjesë e stofit urban, ato do të ‘rijetonin’ nëse në hapësirën përreth ose fashën lidhëse me qytetin, në një rrugë ose fasadë do punohej me art një fragment mozaiku me teknikë dhe ngjyra që do simbolizonin një lidhje vazhdimësie midis rrënjës kulturore dhe të tashmes.
Projektimi i mozaikëve urbanë prezanton sfidë në kontekstin e gjeografisë urbane. Cdo element mozaiku i përdorur ose përzgjedhur për t’u përdorur në cdo qytet mund të ketë vecanti në llojin e materialeve, ngjyrave, orientimin hapësinor, konceptin estetik, mesazhin që përcjell por në të njëjtën kohë mund të jetë një të nesërme pjesë e një mozaiku unik me pjesë dhe elementë që komunikojnë midis tyre.
Përqafimi i idesë dhe zbatimi në praktikë i mozaikut në hapësirën qytetaremund të ngërthejë si frymë në vetvete edhe shënjimin kulturor -identitar, që duhet parë thjesht si sfidë e artit të aplikuar urban.Një ‘hartë’ elementësh të dizajnuara që komunikojnë imazhe, ide, simbole, portrete, proverba, projeksione etj.ëshë ose mund të jetë një kodeks i shtuar kulturorqë zbukuron jetën qytetare dhe forcon imagjinatën kolektive.
Një ikonë e stilizuar e Onufrit në një faqe pallati, një legjendë poullore e stilizuar në pedonale, një xhubletë‘ikonë’, një kullë këmbane e përqafuar me një minaret, një anije liburne, vallja e Osman Takes e stilizuar,mbreti Bato, imazhi i Vace Zelës apo Cufos dhe rojtarit Zebo, e shumë të tjera sigla, shtojzovalle, vargje, kreshnikë, plisa ej.
Të aplikuara me një shkartisje gjeografike anë e mbanë hapësirës shqiptare ato do të ngacmojnë kuriozitetin e vizitorëve të huaj, edukojnë brezat e rinj dhe rritin përjetimin estetik të qytetit.
Ky angazhim mund të fillojë si nevojë për tëmirëmbajtursot e në të ardhmen disa elementë të realizimeve aktuale urbane. Plotësimi me mozaik i një segmenti ose kuadratitë dëmtuar në sheshe dhe shëtitore, i një fragmenti jo-estetik që lypset rishikuar, rikompozimi i një fasade në fashën ndërlidhese urbane, mund të jenë një alternativë tërheqëse arkitektët urbanë.Nëse rezultati është inkurajues, mund të vazhdohet ky proces me kreativitetin dhe seriozitetin e duhur.
Arben Jaupaj – Përgjegjës i Galerisë së Arteve “Edward Lear” – Berat