Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, ekspozitë dhe koncert në kala

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës mbushi 20 vjet nga shpallja pasuri botërore e UNESCO-s, teksa mbetet një ndër më të vizituarit nga turistët vendas e të huaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër organizoi sot, me këtë rast, një sërë aktivitetesh në kalanë e qytetit.

Pjesë e festimeve ishte çelja e një ekspozite fotografike, si dhe një koncert me këngë polifonike dhe valle tradicionale.

Turistë të shumtë që vizitonin kalanë iu bashkuan grupit të këngëve dhe valleve, pasi kishin dëshirë ti njihnin më shumë ato.

I konsideruar si një qytet që përbën dëshmi unike të traditës kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt XIV-XV, në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shekullin e XIII, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa Pazari, i vendosur në qendër të qytetit, ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme me rrugica të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.

/k.s//r.e//a.f/

The post Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, ekspozitë dhe koncert në kala appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

100 të rinj trajnohen për teknologji e inovacion nga instruktorë të Stanford University

15 July 2025 at 15:45

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në qytetin e Korçës u çel sot edicioni i ri i Korça ICT Academy & Code for Albania 2025.

100 nxënës nga e gjithë Shqipëria u përzgjodhën për pasionin dhe kuriozitetin e tyre në teknologji dhe inovacion dhe nisën kështu një udhëtim dyjavor. Përkrah tyre janë instruktorë nga Stanford University dhe nga qendra të njohura teknologjike në SHBA e Kanada, që sjellin eksperiencë, dije dhe një frymë ndërkombëtare.

Të rinjtë do të kryejnë më shumë se 80 orë trajnimi praktik, projekte reale, mentorim të dedikuar dhe punë në grup, në një program që nuk mëson vetëm kodim, por ndërton mënyrën si të rinjtë mendojnë, krijojnë dhe bashkëpunojnë.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo e cilësoi këtë aktivitet shumë më tepër sesa një shkollë verore. “Është një investim për të ardhmen, për një brez të ri të aftë, krijues dhe të përgatitur, që do të udhëheqë ndryshimin teknologjik të vendit”, u shpreh Filo. /j.p/

The post 100 të rinj trajnohen për teknologji e inovacion nga instruktorë të Stanford University appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pelegrinazh në 115-vjetorin e lindjes së Dervish Luzhës

15 July 2025 at 14:38

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Tyrbja e Dervish Luzhës në fshatin Luzhë në Tropojë, është Monument Kulture, Kategoria I.

Në ditën e tij të lindjes, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në vëmendje veprën bamirëse të Rexhep Balës i njohur si Dervish Luzha.

Sot, me dhjetëra kureshtarë dhe besimtarë vizitojnë këtë vend të mirë, për të rimarrë besimin e humbur duke e shndërruar vendin ku mbylli sytë dervishi i njohur nga më të vizituarit në të gjithë krahinën e Tropojës.

Çdo vit, jo vetëm banorë të Tropojës por edhe emigrantë që jetojnë jashtë Shqipërisë, kthehen në pelegrinazh tek ky vend, duke besuar në ndihmën e mbinatyrshme.

Dervish Luzha lindi në Luzhë 115 vite më parë, ndërsa u bë i njohur për aftësitë në shërimin e sëmundjeve apo largimin e shqetësimeve, duke u parë nga i gjithë komuniteti si shenjti i veriut.

Ai nuk jetoi kurrë në shtëpinë e tij, sepse atij i hapnin derën çdo shtëpi e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, madje kishte përcaktuar vetë vendin ku do të varrosej, aty ku sot ngrihet tyrbja. Sipas ritualit, në vendin e mirë nuk mund të futesh kur ke pirë alkool apo i pa ngrënë. /j.p/

1 nga 3

The post Pelegrinazh në 115-vjetorin e lindjes së Dervish Luzhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Armiku i jashtëm”, ekspozitë me karikaturat e revistës “Hosteni” në COD

15 July 2025 at 12:33

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, hapën mbrëmë ekspozitën “Armiku i jashtëm” me kurator Bashkim Shehun.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur përfytyrimet se si mund të ishte “armiku i jashtëm” nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike “Hosteni” përgjatë viteve të diktaturës 1945-1990.

Ekspozita është një kujtesë vizuale dhe kulturore për mekanizmat e propagandës së kohës. Vendet zyrtarisht mike të Shqipërisë pakësoheshin kohë mbas kohe duke u shndërruar menjëherë në vende armike në një proces që solli vetizolimin total të vendit.

Në ceremoninë e inaugurimit të ekspozitës në COD, krahas kuratorit Bashkim Shehu, ndanë reflektime dhe kujtime për rolin e “Hostenit” në jetën publike të kohës edhe Zhani Ciko dhe Përparim Kalo, duke sjellë një pasqyrë të gjallë të kontekstit historik dhe kulturor të atyre viteve.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për publikun deri më datën 23 gusht. /j.p/

The post “Armiku i jashtëm”, ekspozitë me karikaturat e revistës “Hosteni” në COD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Artistët e TKOBAP në turne, sot performojnë në Kalanë e Gjirokastrës

15 July 2025 at 11:06

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Artistët e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit nuk e kanë ndalur aktivitetin edhe gjatë sezonit veror.

Vetëm gjatë kësaj jave, ata do të udhëtojnë nga Tirana në Gjirokastër e më pas në Ulqin, për të ndarë me publikun brenda dhe jashtë kufijve, shpirtin e artit shqiptar. Sot në Kalanë e Gjirokastrës, do të interpretohet “Cantata”, me herët e vënë në skenën e TKOB nga koreografi Mauro Bigonzetti. Baleti modern do të shoqërohet nga tingujt e grupit “Assurd”.

Pas premierës së sukseshme në TKOBAP, “Cantata” udhëton drejt Gjirokastrës ku pritet të ndezë Kalanë e Argjirosë me ritmin, pasionin dhe shpirtin e Italisë së Jugut. Në freskinë magjike të një nate vere, muzika autentike e grupit “Assurd” dhe koreografia e zjarrtë e Mauro Bigonzetti-t do të krijojnë një atmosferë që shpërthen plot energji, pikërisht në ditën e 20-vjetorit të shpalljes së Gjirokastrës si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Ndërsa “Gloria” e Vivaldit, do të interpretohet përgjatë dy ditëve në dy lokacione të ndryshme, nesër (16 korrik) në Kryeministri dhe në 17 korrik në Kishën Katolike “Zemra e Krishtit”.

Artistët e Ansamblit Popullor do të performojnë në Muzeun Vendor, në Kalanë e Ulqinit me shfaqjen “Folk on Tour”, ditën e enjte (17 korrik). /j.p/

 

1 nga 5

The post Artistët e TKOBAP në turne, sot performojnë në Kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çerçiz Topulli, prijës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

15 July 2025 at 09:33

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Sot bëhen 110 vjet prej ndarjes nga jeta të atdhetarit e luftëtarit Çerçiz Topulli (1880-1915).

Ai ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit.

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër, në vitin 1880. Rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh, Bajo Topulli. Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur. Në prill 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij, në fillim të marsit 1908, vranë në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në Jug (pas konferencës së Londrës), por edhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.

Në shtator të vitit 1914 Çerçiz Topulli, bashkë me Muço Qullin, ndodheshin në Shkodër, ku mendohet se kishin shkuar për t’iu bashkuar mbrojtësve të trojeve shqiptare nga pushtimi serbo-malazez. U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat e pushtuesve malazeze. Më 1937, eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën në Gjirokastër.

e.r/j.p/

The post Çerçiz Topulli, prijës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, Rama: Përjetësisht pasuri e shpirtit

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Gjirokastra mbush 20 vjet pasuri botërore e UNESCO-s, ndërsa qëndron mes destinacioneve kulturore e historike që turistët preferojnë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama solli pamje nga Gjirokastra në këtë përvjetor.

“Gjirokastra kremton 20-vjetorin si pasuri botërore në UNESCO dhe përjetësisht pasuri e shpirtit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Deri në fund të qershorit këtë vit, Kalaja e Gjirokastrës u vizitua nga 100 mijë persona.

Kalaja e Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si Kalaja e Argjirosë, është monumenti më i rëndësishëm i qytetit, e cila qëndron kryelartë mbi kodër si një anije që pret vizitorë vendas e të huaj.

Gjirokastra apo qyteti i gurtë) u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.

Gjirokastra është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, ndër të parët qytete shqiptare në UNESCO. Kalaja është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit.

The post Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, Rama: Përjetësisht pasuri e shpirtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Aftësive të Rinisë

15 July 2025 at 07:45

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ 15 korriku njihet nga OKB si Dita Botërore e Aftësive të Rinisë (WYSD).

Tema e këtij viti fokusohet në fuqizimin e të rinjve përmes AI dhe aftësive dixhitale.

“Ndërsa AI riformëson botën tonë, të rinjtë duhet të shihen jo vetëm si nxënës – por si bashkë-krijues të një të ardhmeje dixhitale më të drejtë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-se, Antonio Guterres.

Në vitin 2014, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 15 korrikun si Ditën Botërore të Aftësive të Rinisë, për të festuar rëndësinë strategjike të pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.

Ndërsa Revolucioni i Katërt Industrial riformëson ekonomitë përmes Inteligjencës Artificiale (AI), Arsimi dhe Trajnimi Teknik dhe Profesional duhet të evoluojë për t’i pajisur të rinjtë me aftësi të gatshme për të ardhmen. Inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si jetojmë, mësojmë dhe punojmë – por gjithashtu paraqet rreziqe serioze nëse nuk zbatohet në mënyrë të barabartë.

Në Ditën Botërore të Aftësive të Rinisë, Kombet e Bashkuara ftojnë të bashkohemi për të njohur fuqinë e të rinjve si nxitës të ndryshimit dhe të angazhohemi për t’i pajisur ata me AI dhe aftësi dixhitale për të trajtuar sfidat e sotme dhe për të formuar një të ardhme më paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Sipas të dhënave të bëra publike nga OKB, rreth 450 milionë të rinj (7 nga 10) janë të paangazhuar ekonomikisht, për shkak të mungesës së aftësive adekuate për të pasur sukses në tregun e punës.

86% e studentëve nuk ndihen të përgatitur në mënyrë adekuate për një vend pune të mundësuar nga AI.

Në vitin 2022, mbi 40% e të rinjve nuk ishin në punësim, arsim apo trajnim (NEET). Ndërsa 40.3% e të rinjve ishin parashikuar të punësoheshin, vetëm 27.4% e të rejave kishin akses në mundësi punësimi.

90% e vajzave adoleshente dhe grave të reja në vendet me të ardhura të ulëta janë “jashtë loje”. Edhe në vendet më të pasura të botës, vetëm 1 në 10 15-vjeçarë përdorin pajisje dixhitale për të mësuar më shumë se një orë në javë.

Në nivel global, vetëm 16% e vendeve kanë miratuar ligje që adresojnë bullizmin kibernetik në arsim, me 38% të atyre të miratuar që prej pandemisë COVID-19. /j.p/

The post Dita Botërore e Aftësive të Rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 July 2025Main stream

Ndërhyrje konservuese në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane, në Bylis

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se sektori i Veprave të Artit (IKTK), në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik Bylis/Klos, po kryen ndërhyrje konservuese paraprake në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane.

Sipas IKTK-së punimet përfshijnë: Trajtim çarjesh; Bordurime; Mbushje lakunash; Rivendosje teserash.

Qëllimi i restaurimit është ruajtja dhe nxjerrja në pah e trashëgimisë sonë kulturore.

Bylisi antik ruan në nëntokën e tij edhe objekte të tjera kulti. Parku Arkeologjik i Bylisit ndodhet në një lartësi mbi 500 metra nga niveli i detit mbi luginën e Vjosës dhe ofron, përveç të dhënave historike, edhe një pamje mahnitëse të Mallakastrës dhe zonave përreth.

/r.e//a.f/

The post Ndërhyrje konservuese në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane, në Bylis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plumbat e luftës, brenda muzeve fantazmë të Ukrainës

14 July 2025 at 15:20

Ekspozitat zëvendësohen nga fragmentet e luftës dhe pushtimit

nga Charlotte Higgins

Një statujë gjigante e stilit kubist nga epoka sovjetike, që përfaqëson një ushtar prej betoni dhe është mbushur me vrima plumbash, shihet nga poshtë.

Kujdestarët e godinave historike të shkatërruara pranë vijës lindore të frontit po ruajnë kujtimet e kohës së luftës teksa përpiqen të rindërtojnë koleksionet e tyre.

Muzeu i historisë lokale në qytetin lindor ukrainas Izium, ashtu si edhe komuniteti rreth tij, ka kaluar shumë që prej pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.

Kur për Iziumin u luftua ashpër në fillim të vitit 2022, godina e ndërtuar në shekullin XIX u godit dy herë drejtpërdrejt nga raketat, të cilat shkatërruan çatinë dhe shkaktuan përmbytje. Nën pushtimin rus nga marsi deri në shtator 2022, një roje ruse qëndronte te dera – por pushtuesit nuk e transportuan koleksionin e muzeut më thellë pas vijave të tyre, dhe nuk e gjetën një vëllim të rrallë të ungjijve nga fillimi i shekullit XVIII – një prej vetëm tre ekzemplarëve të tillë – të cilin punonjësit e muzeut e kishin fshehur me kujdes.

Muzeu është tani në duart e ukrainasve, por mbetet në një gjendje të brishtë dhe të rrezikuar, shumë afër vijës së frontit dhe nën kërcënimin e ripushtimit. Çatia është riparuar, thotë drejtoresha Halyna Ivanova, por nuk ka kuptim të vendosen xhama të rinj, kur qyteti goditet natë për natë nga raketat.

Pjesa më e madhe e koleksionit tashmë është evakuuar në mënyrë të sigurt, dhe vëllimi i çmuar i ungjijve, që ishte fshehur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur muzeu dhe koleksioni i tij u shkatërruan pothuajse krejtësisht, tani po ruhet me kujdes pas periudhës së tij në fshehtësi.

Për momentin, institucioni është një lloj muzeu fantazmë. Koleksioni është zhdukur; dyert janë të mbyllura për publikun për shkak të rrezikut të sulmeve; dhe komuniteti që mbart kujtesën e tij është përgjysmuar, nga 40,000 banorë para pushtimit në më pak se 20,000.

Por ka ende shumë punë për të bërë, thotë Ivanova. Stafi i muzeut organizon ture në këmbë nëpër ndërtesat historike të dëmtuara të qytetit. Ata mbajnë edhe ekspozita të përkohshme në dhoma të shkatërruara (“stil loft”, shaka ajo, për muret e zhveshura dhe atmosferën e improvizuar), edhe pse vizitorët për momentin janë të kufizuar në ushtarët vendas dhe mysafirët e ftuar.

“Ne po përpiqemi të ruajmë kujtesën, ta fiksojmë atë,” – thotë ajo. “T’u tregojmë njerëzve se si ishte qyteti para luftës, çfarë ka ndodhur – dhe si duket tani.”

Në ekspozitë janë piktura nga artistë vendas dhe fotografi nga ushtarët e vendosur aty pranë, pjesë e një koleksioni në rritje të audios, videos dhe imazheve ushtarake që po mblidhen nga muzeu.

Një nga dhomat është e dedikuar për figura të rëndësishme lokale. Njëra është shkrimtari për fëmijë Volodymyr Vakulenko, i cili u vra – ai kishte varrosur ditarin e tij mbi jetën nën pushtim nën një pemë qershie, përpara se të arrestohej dhe të pushkatohej. Një tjetër është një zjarrfikës që shpërndante edhe ndihma humanitare, i cili vdiq nga një bombë kasetë.

“Ai ishte fqinji im dhe e njihja gjithë jetën,” – thotë Ivanova. “E pashë kur lindi, dhe e pashë kur vdiq.”

Ajo po ndërton gjithashtu një “muze të pushtimit”: duke mbledhur objekte të lëna pas nga pushtuesit.

“Kështu do të kemi prova të pranisë së tyre këtu – dhe prova të krimeve që kanë kryer.”

Disa prej këtyre objekteve tashmë janë në ekspozitë:

– pjesë raketash me municione kasetë;

– uniforma dhe helmeta ruse dhe të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut;

– pako ushqimore dhe cigare ruse – “marka që nuk i kisha parë që kur i pija para 30 vitesh, përpara rënies së Bashkimit Sovjetik”, thotë Ivanova.

Ka paterica të vjetra dhe garza të tejkaluara nga koha, që tregojnë për furnizimet e vjetruara të ushtrisë pushtuese. Ka pako ndihmash me logon e Uralvagonzavod, prodhuesi rus i tankeve; tekste shkollore për fëmijë, ku Rusia paraqitet si “atdheu” dhe Moska si “kryeqyteti i vendit tonë”; si dhe fragmente nga një memorial guri, vendosur mbi varrin e një koloneli rus – “që tregon,” thotë Ivanova, “se ata mendonin se do të qëndronin përgjithmonë.”

Ekspozita përfshin edhe gazeta propagandistike dhe një fotografi të një propagandisti të njohur rus, i rrethuar nga bashkëpunëtorë vendas.

“Njëri është në Rusi, një tjetër është në kërkim nga policia këtu, dhe dy gra janë në burg,” – thotë ajo.

Ka edhe prova të një humori të errët: një medalje e bërë në shtëpi, prej një cope druri, me mbishkrimin “për gjithë këtë mut”.

Muzeu i Iziumit nuk është i vetmi në rrezik. Më në jug, në rajonin e Donetskut, ndodhet manastiri i madh i Sviatohirsk Lavra, i ngritur në mënyrë madhështore mbi shkëmbinjtë mbi lumin Siverskyi Donets.

Ky vend me origjinë mesjetare është i ndarë mes murgjve dhe murgeshave të Kishës Ortodokse Ukrainase, dhe përfshin një muze shtetëror. (Kjo kishë, që ka lidhje historike me Moskën, shpalli ndarjen zyrtare nga Kisha Ortodokse Ruse në vitin 2022, megjithëse shumë e konsiderojnë ndarjen si të paqartë apo jo të plotë.)

Të zhvendosurit nga lufta jetojnë në godinat e kompleksit, disa prej tyre që prej vitit 2014, kur konflikti nisi në rajon.

Yaroslava Diedova, zëvendësdrejtoresha e muzeut, humbi shefen e saj nga pushtuesit rusë – ajo dhe familja e saj u vranë nga një raketë teksa përpiqeshin të evakuoheshin.

Katër murgj u vranë kur një raketë goditi godinat e manastirit në mars 2022, dhe tre punëtorë ndërtimi vdiqën në një sulm tjetër, thotë prifti i manastirit At Trofim.

Qyteti Sviatohirsk, përtej lumit, u pushtua nga rusët në qershor 2022 dhe ura që lidhte qytetin me manastirin u hodh në erë; kur Diedova u rikthye në punë në shtator, pas çlirimit, ajo duhej të ecte 11 km në këmbë përmes një ure tjetër, deri sa u organizua një varkë dhe më vonë një urë e re.

Pranë shkëmbit të manastirit ngrihet një skulpturë prej betoni 22 metra e lartë e “Artyom”, pseudonimi i revolucionarit bolshevik Fyodor Sergeyev.

Statuja kolosale u përdor si pikë vrojtimi dhe zjarri nga ushtria ukrainase, dhe zona përreth është e minuar rëndë.

Skulptura, e dëmtuar nga shrapneli, është përjashtuar nga ligjet ukrainase të dekomunistizimit – që përndryshe do të kërkonin heqjen e saj – për shkak të vlerës së saj artistike, si vepër e skulptorit të njohur ukrainas të shek. XX Ivan Kavaleridze.

Sot, një pjesë e punës së muzeut, thotë Diedova, është organizimi i punëtorive krijuese për fëmijët refugjatë që jetojnë në manastir, si dhe ture për ushtarët ukrainas.

“Është e rëndësishme t’u tregojmë atyre se për çfarë po luftojnë. Ata që vijnë nga rajoni e kanë vizituar si fëmijë – por tani kemi ushtarë nga gjithë Ukraina.”

“Ndonjëherë, ushtarët ndalojnë për të lutur në kisha, dhe më pas vijnë në muze, pijnë çaj dhe bisedojnë; është një formë shkarkimi psikologjik,” – thotë drejtori i ri Ihor Saletskiy.

“Krahasuar me muze të tjerë në Donetsk, që mund t’i zhvendosin koleksionet e tyre, ne jemi ndryshe. Objekti ynë kryesor janë shpellat dhe kishat – gjëra që nuk lëvizin. Prandaj po qëndrojmë këtu, duke punuar krah për krah me manastirin.”

Ndërkohë në Izium, pavarësisht gjendjes së përgjithshme të shkatërruar, shatërvanët punojnë në park dhe nxënësit që mbarojnë shkollën pozojnë për fotografi me fustane mbrëmjeje përballë shkollës së tyre, tashmë një guaskë e djegur.

“Po jetojmë si më parë: ndryshimi i vetëm është se tani na duhet të vrapojmë në bodrum çdo natë,” – thotë Ivanova. Krahasuar me urinë, terrorin dhe izolimin gjatë pushtimit, ajo thotë, kjo nuk është asgjë.

“Ka gjithmonë mundësi që rusët të kthehen,” thotë ajo. “Nëse ndodh, kësaj here do të jetë si Bakhmuti: do ta fshijnë nga faqja e dheut.”

“Puna e muzeut është, në njëfarë mënyre, të shpëtojë qytetin – nëse është e nevojshme, në kujtesën e njerëzve.”

Burimi: theguardian.com/ Përgatiti: L.Veizi

Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit

14 July 2025 at 15:26

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit u çel ekspozita “Nënqyteti” e piktorit Anastas Kostandini.

Ekspozita sjell për publikun 31 vizatime si një hartë poetike të Pogradecit, me vende të harruara, të zhdukura apo të transformuara. Ekspozita është një projekt mes Anastas Kostandinit, i njohur si Taso dhe vajzës së tij Ledias, e cila këto punime i ka transformuar në QR kode të vendosura nëpër qytet, pikërisht në zonat ku janë bërë vizatimet dhe që tregojnë godina, objekte dhe zona historike.

Pogradecarët e përjetuan këtë ekspozitë si një udhëtim emocional dhe artistik në thellësinë e identitetit qytetar.

“Nënqyteti” është një projekt artistik që zbulon shtresat e fshehura dhe të harruara të qytetit të Pogradecit, por që mbeten të gjalla në kujtesën e banorëve dhe në identitetin e territorit. Kjo ekspozitë u realizua si iniciativë e COSV Albania në kuadër të ndërhyrjeve të realizuara në dobi të territorit dhe komunitetit në rajonin e Pogradecit, të mbështetura nga projekti “Liqenet e Shqipërisë”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS Tirana). /j.p/

The post Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit

14 July 2025 at 13:27

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Një tjetër thesar ikonografik ka shpëtuar falë ndërhyrjes së Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

Pas një pune disamujore, përfundoi ndërhyrja restauruese në ikonën “Joan Pagëzori” vepër e realizuar në vitin 1860. E veçanta e kësaj ikone është paraqitja në miniaturë e skenës së lindjes të Joan Pagëzorit.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se, procesi i restaurimit zgjati 10 muaj. Ishte një proces i gjatë por në fund i suksesshëm.

“Ikona i përket vitit 1860, viti i cili u identifikua pas procesit së restaurimit, pasi ikona kishte dëmtime të shumta në të gjithë komponentët. Suporti i drunjtë ishte tepër i dëmtuar, kishte rënë një pjesë e konsiderueshme e gruntit dhe pikturës. Kishte gufime të shtresave përgatitore dhe të pikturës. Verniku ishte i oksiduar dhe me depozitime mbi të”, sqaroi drejtoresha e MKAM.

Përveç figurës së Joanit, brenda kompozimit është pikturuar dhe skena e lindjes së tij, dhe kjo e bën ikonën të veçantë, ndryshe nga paraqitjet e zakonshme të Joan Pagëzorit në ikonografi. Poshtë kësaj skene është identifikuar viti i krijimit të ikonës dhe emrat e dhuruesve Kostandini dhe Anastasi.

Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar është një pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e MKAM, që në hapje të tij, prej 1980-ës. /j.p/

1 nga 3

The post Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës

14 July 2025 at 11:56

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Tuma e Kamenicës u vizitua nga 25 arkeologë, filologë dhe studiues të ndryshëm austriakë të cilët treguan interes të veçantë për këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare.

Vizita u shoqërua me diskutime mbi vlerat arkeologjike dhe mënyrat e interpretimit të të dhënave të zbuluara gjatë gërmimeve në këtë sit unik, i cili gjendet rreth 15 km larg Korçës dhe konsiderohet si një ndër sitet arkeologjike më të rëndësishme në Ballkan.

Në këtë vendvarrim prehistorik janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke.

Kjo tumë është më e madhja e gjetur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII p.e.s.

Kjo tumë ka pushuar së funksionuari rreth mesit të shek VI p.es, pra ka një histori gati 700- vjeçare. /j.p/

The post Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi

14 July 2025 at 11:43

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Më 14 korrik të vitit 1945 u aprovua Statuti i Komunitetit Bektashi, pak kohë pas mbajtjes së Kongresit të 4-të në Tiranë, ku u hodh për herë të parë ideja e zgjatimit të këtyre mbledhjeve në një rang ndërkombëtar.

Statuti i miratuar përfshinte rregulla mbi strukturën hierarkike të kryesuar nga Këshilli i Përgjithshëm, mbi përbërjen e klerit si dhe të ardhurat e shpenzimet. Fillesat e organizimit të Komunitetit Bektashi u shënuan më 26 shtator 1929 me mbajtjen e Kongresit të Parë të Bektashinjve, në Teqenë e Turanit, në Korçë, e cila do të bëhej Qendra e Parë Botërore e Përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri.

Pas këtyre zhvillimeve, me vendim të mbretit Zog, në gusht të vitit 1930, Selia e Shenjtë Botërore e Bektashinjve u përcaktua në Tiranë. Më 16 prill 1950, në kryeqytet do të mbahej Kongresi i Pestë Kombëtar, i fundit në radhë, i zhvilluar gjatë regjimit diktatorial 45-vjeçar. Pas rënies së regjimit, kongresi do të rimbahej në korrik 1993. /j.p/

The post 80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian

14 July 2025 at 09:46


TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Fortesa Trekëndore është një nga objektet historike më të dukshme dhe më madhështore të Butrintit. Fortesa është vendi ideal për të interpretuar rolin e venecianëve në Butrint, bashkë me të edhe arkeologjinë pas-klasike, ku për ta vizituar udhëtohet me lundër përmes Kanalit të Vivarit. Lundra është mjeti  i aksesit për stafin e menaxhimit dhe vizitorët për në Fortesën Trekëndore.

Kjo kala ka nevojë për konservim dhe këto punime janë përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara në Planin e Konservimit të Planit te Menaxhimit te Integruar te Butrintit. Ajo ka një oborr të brendshëm mjaft të madh për komunitetin dhe kryerjen e veprimtarive të tjera.

Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Emri rrjedh nga planimetria e saj në formën e një trekëndëshi. Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.

Ndërtimi i saj i takon disa fazave. Muret e kalasë, frëngjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.

Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit. /j.p/

The post Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Ai shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.

Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga mozaikët e Bazilikës B në Bylis, duke e cilësuar këtë si një vend ku historia është qëndisur me gurë.

Ky destinacion është një magnet për turistët që janë të interesuar për të zbuluar thesarin e pasur të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.

Në hyrje të parkut, vizitorët përballen me një peizazh të shkëlqyer natyror, me kodra të gjelbëruara që rrethojnë vendin. Në horizont, pamjet e rrënojave të lashta bëjnë që zemra të dridhet me emocion.

Kjo zonë është një muze i hapur nën qiell, që ofron një udhëtim emocionues nëpër kohë për të zbuluar pasurinë e lashtë të Bylisit.

Në brendësi të parkut, vizitorët ndeshen me strukturat e mrekullueshme të qytetit ilir të Bylisit. Ndër të tjera, një pamje e mahnitshme është amfiteatri i lashtë që ngrihet përpara tyre. Ky amfiteatër i lashtë ka një pamje impresionuese, duke u ngritur midis kështjellës së shkëlqyer dhe fushës së hapur. Kur shikon përgjatë mureve të tij të lashta, ndihesh i kapur nga ndjenja e përjetshme e historisë.

Pamjet e mrekullueshme të Parkut Arkeologjik të Bylisit nuk janë vetëm një shfaqje e këndshme për sytë, por ato shpalosin thellësinë e një trashëgimie të pasur historike dhe kulturore. Në këtë mjedis të pazakontë, vizitorët ndihen të lidhur ngushtë me kohën dhe historinë, duke bërë që kjo përvojë të jetë një udhëtim i paharrueshëm nëpër epokat e lashta të Shqipërisë.

/e.i//a.f/

The post Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Historia e balerinit të njohur që u arratis nga Shqipëria në 1957 dhe kur u kthye pas 58 vitesh kërkoi nënshtetësinë

By: E S
13 July 2025 at 19:01

Timoleo Papa, një balerin i njohur në botë, është arratisur nga Shqipëria në vitin 1957. Sapo ktheheshin nga ish-BS, nga një turneu të gjatë veprimtarish artistikë (si valltar) në një çast, që trupa me vapor ndaloi për disa orë në Pirea të Athinës, Timoleo arratiset.

Për disa kohë ai ishte i pabesueshëm, por çiltërsia i dukej në sy valltarit dhe balerinit, që për pak vite do të bëhej i dëgjuari krah balerinit me famë botërore, rusit, Nurejev. Në vitet 1957-1959 ai do të qëndronte në Athinë dhe më vonë do të shkonte në Amerikë.

Jeni një njeri i njohur nëpër botë, por jeta jote pak njihet në Shqipëri. Ku linde dhe si erdhe në Tiranë para Luftës së Dytë Botërore?

Unë linda në Poliçan të Gjirokastrës në vitin 1933 dhe erdha në Tiranë pas luftës Italo- Greke. Babai im donte qe të na merrte në Tiranë. Që atëherë deri në vitin 1957 kam banuar në Tiranë. Shkollën unë e kam kryer në Liceun Artistik (kulturën e përgjithshme).

Më pas kam qenë gjithmonë në teatër. Shkonim në lice nga ora 08-00 deri në orën 11-00 dhe nga ora 11 -00 dhe mbrapa ne ishim valltarë profesionistë në Ansamblin e Valleve. Qysh në 1 shkurt të vitit 1950, kur kam qenë 17 vjeç, isha valltar profesionist. Nga viti 1950 deri në 1957, isha në Filarmoninë e Shtetit.

Në vitin 1957, Ansambli ynë shkon dhe paraqitet në Festivalin e Dytë Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë dhe duke u kthyer vapori ndalon në Pire. Kisha kohë që mendoja të arratisesha. Gjeta një boshllëk mes atyre që na shoqëruan dhe renda mes Pireut ku të gjeja një stacion policie. Duke pasur parasysh se njihja gjuhën greke u thashë pse u arratisa dhe kërkova strehim politik. Më panë me dyshim. Më kanë provokuar disa ditë, por unë qëndroja besnik në fjalët e mia. Ka ndërhyrë ambasadori sovjetik në Athinë. Disa kohë luftë nervash, kishin mosbesim dhe këmbëngulnin për t’u kthyer. Por unë ngula këmbë, dua strehim politik. U stresova se ata nuk donin të ma jepnin.

Së fundi më dhanë një proces-verbal, në formë kërkese dhe e nënshkrova. Dy vjet ndenja në Athinë dhe punova në Operan e Shtetit si balerin.

Në 1959 shkova në Amerikë ku ndenja 10 vjet. Në Nju York jetova dhe punova. Bëra një jetë intensive. U punësova në një ndër teatrot e baletit më të njohura në Amerikë, quhej “Llatin Kuoter”. Aty punova 7 vjet si profesionist me të gjitha kushtet dhe rregullat e kohës. Në atë teatër kam luajtur me të gjithë yjet e botës së baletit. Kur shkova në Amerikë isha 25 vjeç.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990 nuk u takove dhe nuk fole në telefon me asnjë nga të shtëpisë në Shqipëri?

Deri në vitin 1989 unë nuk u takova me asnjë nga të familjes, as në telefon nuk kam folur. Vetëm kam mundur të çoj ndonjë haber tek nëna në mënyrë shumë të fshehtë. Nëna dhe babai më ndruan jetë pa i parë më, pa i takuar, pa folur (loton). Pas 58 vjetësh sot shkova tek varri i tyre.

A u internuan pjestarët e familjes?

Jo, mund të them se u persekutuan disi, por nuk i internuan kurrë. Babai im bëri diçka shumë të zgjuar, mbas një këshille të një njeriu. Ai shkoi në Ministrinë e Brendshme të më kërkonte mua. Ai shkoi atje dhe i tha atyre se ju ma morët djalin dhe unë tani tek ju e kërkoj. E dua djalin gjallë ose vdekur. Nuk e çova unë në Rusi, ju e çuat.

I thanë se mos u mërzit se ne djalin do ta kthejmë. Dhe për këtë qëllim ata nuk u internuan, por vështirësitë kanë qenë në marrëdhëniet shoqërore. Njerëzit u qëndronin larg, në punë i shinin shtrembër, ishin gjithmonë nën trysni. Pra kaluan një jetë të vështirë.

Ju në Amerikë jeni njohur dhe keni dhënë shfaqje dhe me balerinin më të madh të botës Rudolf Nurejev. Si i kishe mardhëniet me të?

Kishim marrëdhënie pune. Marrëdhënie të thjeshta, normale, pa ndonjë miqësi të veçantë. Por Nurejev ishte njohur me vëllanë tim Milto Papa në Moskë, pasi im vëlla kishte studiuar në Moskë për balet. Në provimet për diplomë vëllai im edhe shumë yje të tjerë të baletit rus ishin para jurisë në të njëjtën ditë.

Por, dihej kërcimtarët janë të varfër. Nurejevi kur vinte nga Leningradi, për shkak të varfërisë nuk kishte ku të flinte. Vëllai im kishte dhomë të mirë, pasi ishte me bursë dhe e ftoi Nurejevin të flinte aty disa ditë. Këtë ai nuk e kishte harruar. Ai ka jetuar 10 ditë me vëllain tim dhe me pastërti ma kujtonte disa herë bujarinë e tim vëllai.

10 vjet në Amerikë nuk pate asnjë lidhje me Shqipërinë, po nga Ambasada Shqiptare a të bënin ndonjë provokim?

Provokime kisha jo nga shqiptarët, por nga amerikanët, por për të mirë. Kisha një takim shtetëror dhe ata që më kishin në vëzhgim më pyesnin se a më provokonte njeri, a me fyente njeri, a më shqetësonte njeri. Pra, më pyetën nëse kishte njeri që më bezdiste. U përgjigja, jo. Më thanë se ne jemi përgjegjës për jetën tënde.

Pas vitit 1969 erdha në Greqi se u martova. Gruaja ime ishte pedagoge baleti si koreografe dhe kishte studiuar në Institutin e Arteve në Athinë. Isha njohur kur isha në Operan e Athinës. Ajo më vonë edhi tek unë në Amerikë. Ndenji rreth 4 vjet dhe në vitin e katërt lindëm një djalë. Kur djali ishte tetë muajsh, ajo më tha se do kthehem në Greqi. Nuk e përballonte dot atë jetë. Koha larg njerëzve të saj e mërziti. Shkoi në Athinë dhe më lutej të kthehesha pasi kisha djalin.

U detyrova të kthehesha në Greqi. Atë ditë që u ktheva ishte 21 prill i vitit 1967. Mori fund aventura amerikane dhe u vendosa përfundimisht në Athinë në Teatrin e Operas dhe të Baletit Shtetëror të Athinës, ku punova për 25 vjet rresht. Deri në vitin 1992.

Kush janë rolet kryesore që ke luajtur në Teatrin e Operës dhe të Baletit Grek dhe në Amerikë dhe sa shfaqje keni dhënë?

Thuajse i kam luajtur të gjitha rolet kryesore të veprave të mëdha si solit. Kam dhënë më shumë se 1000 spektakle ku kam qenë balerin i parë.

Si i ndiqje zhvillimet në Shqipëri?

Kur ika, nuk e kisha idenë se çfarë bëhej më në Shqipëri. U ndërprenë marrëdhëniet. Nuk kam pasur komunikim. Nuk kisha asnjë informacion. As në radio nuk ndiqja asgjë. Pra informacioni për Shqipërinë ishte zero. Nuk fola asnjëherë në telefon me prindërit. Ishte një gjë e tmerrshme. Kur vdiq Enver Hoxha e mora vesh nga gazetat. Kaq. Një lajm i thatë. Nuk interesohej askush për Shqipërinë. Mendoja se diçka do të ndryshonte. Por jo. Ende nuk vinin sinjale.

Në 90 kur u hapën kufijtë si u takove me të afërmit?

Në vitin 1989 vëllai im Miltiadhi, erdhi në Korfuz dhe u takuam për herë të parë. Ishte një ditë e veçantë. Unë shkova nga Athina në Korfuz. Takim mes lotësh, mes mallit, mes dhimbjesh. Po trokiste 1990. Pak muaj më vonë më erdhën dhe më takuan dhe vëllezërit e tjerë. Më vonë ata u sistemuan të gjithë në Athinë. Ishin kohë të vështira për Shqipërinë. Ishin kohë që nuk i mendoja.

Nga jeta dhe kujtimet me vëllezërit dhe motrat çfarë veçon?

Në vitin 1952, një mëngjes kur sapo hapa sytë, dëgjova nënën time që i thoshte motrës “mos e mbaro atë copën e bukës se i duhet Timoleos”. Ai kërcen dhe pa bukë nuk e mbajnë këmbët.

U shqetësova dhe u ngrita nga shtrati, mora copën e bukës dhe ndoqa motrën. E arrita dhe i thashë “merre bukën se unë mar lekë aty ku punoj, mund të blej diçka”. Ajo mes lotëve më thotë “jo vëlla ti lodhesh, të duhet buka”. Flitej vetëm për një copë bukë thatë. Pra për një kore bukë.

Pse erdhe pikërisht tani pas 58 vjetësh dhe jo që në vitin 1990? Si e gjete Tiranën?

Ashtu erdhën rrethanat e jetës. Jeta ka të papritura. Por ja erdha tani. Tiranën e gjeta si një qytet përrallë. Qytet i bukur me njerëz të dashur. Nuk po çmallem dot. Po takoj miqtë që më përqafojnë me mall. Tirana është më e mirë se çdo qytet tjetër në botë. Jam takuar me një sërë njerëzish në mënyrë të veçantë me artistët e grupeve të valleve të vitit 1955.

Unë i thosha mikut tim të vyer Ramazan Bogdani, se tani dua të takojmë ato gocat që kemi kërcyer në ato vite, por ato tani janë goca stërgjyshe, Besa Morina, Irma Laze, Ikbal Morina, Advie Alibali e shumë të tjera…

Kur u arratisa më hoqën nënshtetësinë. Tani dua atë të vërtetë që jam. Dua të vërtetën e jetës sime, nënshtetësinë shqiptare. /gazetadita/

The post Historia e balerinit të njohur që u arratis nga Shqipëria në 1957 dhe kur u kthye pas 58 vitesh kërkoi nënshtetësinë first appeared on JavaNews.al.

Rama: Porto Palermo zbukurohet nga tingujt e orkestrës simfonike të FA

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në kalanë e Porto Palermos, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.

Kryeministri Edi Rama tha në një postim në rrjetet sociale, që “Porto Palermo, pikëtakimi më i veçantë i pasurisë natyrore me trashëgiminë kulturore që zbukurohet edhe më shumë nga tingujt e spektaklit të dhuruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura”.

Në kuadër të sezonit turistik, Porto Palermo ishte ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së.

Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.

Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët.

/e.i//a.f/

The post Rama: Porto Palermo zbukurohet nga tingujt e orkestrës simfonike të FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Varret perandorake Xixia, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

By: A R
13 July 2025 at 17:23

Varret perandorake Xixia të Kinës u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore gjatë sesionit të 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të mbajtur në kryeqytetin francez, Paris, shkruan “Xinhua”.

Me këtë regjistrim, numri i përgjithshëm i vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Kinë ka arritur në 60.

Varret Perandorake Xixia janë një grup vendesh varrimi perandorake nga dinastia Xixia (Xia perëndimore, 1038-1227), të themeluara nga populli Tangut në Kinën Veriperëndimore gjatë shekujve XI deri në XIII.

Duke mbuluar një sipërfaqe prej gati 40 km katrorë, vendi përfshin katër lloje mbetjesh arkitekturore: 9 mauzole perandorake, 271 varre vartëse, një kompleks arkitekturor verior që mbulon 0.05 km katrorë dhe 32 vepra kontrolli përmbytjesh.

Varret perandorake Xixia janë vendi arkeologjik më i madh, më i renditur dhe më i paprekur nga periudha Xixia që ka mbijetuar deri në ditët e sotme.

Sipas Komitetit të Trashëgimisë Botërore, vendi është një dëshmi e bashkimit kulturor dhe ndërveprimeve të traditave të ndryshme. Ai gjithashtu dëshmon për rolin unik të dinastisë Xixia në shkëmbimet kulturore dhe tregtare përgjatë Rrugëve të Mëndafshit gjatë shekujve XI deri në XIII.

Komiteti përgëzoi përpjekjet dhe arritjet e bëra nga qeveria kineze në mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore të këtyre varreve.

Zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Rao Quan, tha se Kina do të mbetet e palëkundur në përmbushjen e detyrimeve të saj sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore, do të forcojë më tej mbrojtjen holistike dhe sistematike të trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe do të përmirësojë kapacitetin dhe standardet e ruajtjes.

The post Varret perandorake Xixia, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s first appeared on JavaNews.al.

Shenja “Hollywood” lind mbi kodrat e Kalifornisë si një reklamë që s’u fshi kurrë

13 July 2025 at 16:30

13 korrik 1923

Në një mëngjes të mjegullt korriku mbi kodrat e Los Anxhelosit, një shkrim i madh dhe i bardhë nisi të shfaqej mbi horizontin e qytetit që ende kërkonte identitetin e vet si kryeqyteti i kinemasë botërore. “HOLLYWOODLAND”, i gdhendur me shkronja gjigande 14 metra të larta, u vendos aty jo si simbol i yjeve të famshëm, por si reklamë për një lagje të re banimi – një projekt ndërtimi që synonte të tërhiqte klasën e mesme amerikane në rritje drejt luksit suburban.

Më 13 korrik 1923, shenja u përurua zyrtarisht, me drita elektrike që e ndriçonin natën, dhe u mendua të ishte e përkohshme – për një periudhë rreth 18 muajsh. Por ajo mbijetoi dekadat dhe shndërrohet në simbolin më të njohur të ëndrrës amerikane.

Nga reklamë ndërtimi në ikonë të kinemasë

Pas përfundimit të projektit urbanistik, pjesa e dytë e fjalës – “LAND” – u bë e panevojshme dhe u hoq gjatë një restaurimi të plotë në vitin 1949. Kështu mbeti “HOLLYWOOD”, si një emër që tashmë lidhej ngushtësisht me industrinë e filmit, jo me ndërtime.

Shenjat e mëdha të bardha u bënë pjesë e identitetit vizual të qytetit – jo vetëm si simbol i kinemasë, por si prekje iluzive e famës dhe dritave të mëdha. Në vitet 1970, pasi ishte degraduar nga koha, ajo u restaurua plotësisht falë kontributit të figurave publike si Hugh Hefner, Alice Cooper dhe Gene Autry, të cilët sponsorizuan ndërtimin e shkronjave të reja.

Një hije tragjike mbi shkronjën “H”

Por nën këtë dritë të ndritshme, fshihet edhe një njollë tragjike. Në vitin 1932, një aktore e re britanike, Millicent Lilian “Peg” Entwistle, vetëm 24 vjeç, hodhi veten nga shkronja “H”, pasi humbi shpresën për një karrierë në Hollivud. Ironikisht, një letër që mbërriti pas vdekjes së saj i ofronte një rol në një film ku personazhi do të përfundonte jetën në mënyrë tragjike – një rast ku jeta dhe arti u përplasën dhimbshëm.

Sot: më shumë se një shenjë

Shenja “HOLLYWOOD” qëndron edhe sot si një nga simbolet më të fotografuara në botë, e mbrojtur si monument historik. Ajo është më shumë se gërma të mëdha mbi kodër – është një portë imagjinare drejt famës, një ikonë që për shumë artistë mbetet pikënisje e ëndrrës, por edhe e zhgënjimit.

Përgatiti: L.Veizi

❌
❌