Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2026Gazeta Fjala

11:00 Spanja merr lajmin e shumëpritur për Lamine Yamal, ylli i “La Roja”-s stërvitet me grupin para finales me Argjentinën

By: Anisa
18 July 2026 at 11:00

Kombëtarja spanjolle merr lajme të mira kur kanë mbetur 2 ditë nga finalja e Botërorit. Lamine Yamal dhe Pedro Porro janë stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës në seancën stërvitore kolektive e parashikuar nga trajneri Luis De La Fuente.

Është ky një sinjal shumë i mirë për La Rojan duke qenë se të dy futbollistët të enjten punuan veçmas ekipit për shkak të disa problemeve që patën në gjysmëfinalen me Francën.

Versioni zyrtar për Yamal ishte se futbollisti kishre marrë një goditje në ndeshjen e fundit, ndërsa Pedro Porro kishte një mbingarkesë muskulare. Gjithsesi, evoluimi i futbollistëve ishte ai që pritej dhe këtë të premte ata bënë edhe një hap tjetër para drejt rikuperimit.

Sesioni stërvitor i Spanjës u karakterizua nga ngarkesa të ndryshme pune, diçka e zakonshme në këtë fazë të kampionatit. Stafi teknik e ndau skuadrën në dy grupe sipas energjisë së shpenzuar dhe minutave të akumuluara gjatë turneut me ushtrime specifike për secilin rast. Gjithsesi nga Federata Spanjolle konfirmojnë se si Lamine Yamal ashtu edhe Pedro Porro e kryen normalisht pjesën e stërvitjes së planifikuar bashkë me te gjithë futbollistët e tjerë të La Roja

Përsa i përket sfidës me Argjentinë,  shenjat janë që nuk do të ketë ndryshime në formacionin titullar. Pas rendimentit shumë të mirë të shfaqur  nga skuadra si në çerekfinale ashtu edhe në gjysmëfinale, ideja e De La Fuentes është të përsërisë të njëjtin formacion që e çoi në finale. Nëse nuk do të ketë ndonjë të papritur, Lamine Yamal dhe Pedro Porro do të jenë të disponueshëm për ndeshjen më të rëndësishme të Botërorit./ad

11:00 Tom Cruise: “Kam pritur 25 vjet për Iñárritu-n. Digger është roli im më sfidues”

By: Leonard
18 July 2026 at 11:00

Aktori prezanton trailerin e komedisë që del në tetor nga Warner Bros.

Nga Lucia Magi

Tom Cruise kishte pritur 25 vjet për të punuar me Alejandro Iñárritu-n.

Aktori që, sipas Steven Spielberg-ut, “shpëtoi Hollywood-in” duke rikthyer publikun në kinema pas pandemisë — 64 vjeç, me 46 vite karrierë si yll i ekranit të madh, katër nominime për Oscar dhe një çmim nderi në vitin 2025 — ka punuar me disa prej regjisorëve më të mëdhenj bashkëkohorë, si Stanley Kubrick, Martin Scorsese, Brian De Palma, Ridley Scott dhe Paul Thomas Anderson. Ai kujton me saktësi ditën kur lindi dëshira për të bashkëpunuar me regjisorin meksikan.

“Pashë filmin Amores Perros dhe ndryshoi gjithçka. Çfarë filmi i jashtëzakonshëm! I shkëlqyer. Nuk e di për ju, por dola duke thënë: ‘Uau, ky djalë është fantastik!’”, tha Cruise në studiot e Warner Bros. në Burbank, ku rreth njëqind gazetarë — përfshirë edhe përfaqësues të ANSA-s — prisnin të shihnin trailerin e parë të filmit që realizoi ëndrrën e tij 25-vjeçare.

Regjisori meksikan, i cili që nga debutimi i tij në vitin 2000 fitoi dy çmime Oscar radhazi me Birdman në vitin 2015 dhe The Revenant në vitin 2016, rikthehet në tetor me Digger, një “komedi me përmasa katastrofike”, sipas përshkrimit të produksionit, me protagonist yllin e Top Gun dhe Mission: Impossible.

“U telefonoja të gjithë miqve të mi dhe u thosha: ‘Duhet ta shihni këtë film. Kush është ky Alejandro?’ Nuk kisha dëgjuar kurrë për të më parë. Si kishte arritur një cilësi të tillë që në fillimet e karrierës së tij?”

Cruise kujton ende me emocion elementët që e mahnitën në filmin e parë të Iñárritu-t: mënyrën se si ai dhe Chivo — operatori i famshëm i kinematografisë Emmanuel Lubezki — e përdornin kamerën, interpretimet, dizajnin vizual dhe ngjyrat e filmit.

“Çdo aspekt ishte menduar deri në detaj. Mund të ndjeje humanitetin e një krijuesi me një mjeshtëri të jashtëzakonshme të zanatit të tij”, thotë aktori.

Shtatë vjet më parë, telefonata që ai kishte pritur më në fund erdhi. Iñárritu kishte një ide për të. Nuk ia dërgoi skenarin me email. Kërkoi të takoheshin personalisht. Takimi zgjati disa ditë, me regjisorin që i tregoi aktorit se kush ishte Digger, kontradiktat e tij, guximin, dobësitë dhe të metat.

“Dëgjova atë që kishte në mendje për të kuptuar se si mund të kontribuoja dhe si mund ta ndërtonim atë botë së bashku”, shpjegon Cruise.

Një rol ndryshe për Tom Cruise

Rezultati është Digger, filmi i parë në gjuhën angleze i Iñárritu-t që pas The Revenant, me Leonardo DiCaprio-n në rolin kryesor, i cili do të shfaqet në kinema më 2 tetor.

Cruise vesh çizmet, kapelen dhe rripin e kaubojit për të interpretuar Digger Rockwell, një miliarder që e konsideron veten “njeriun më të fuqishëm në botë”, por kompania e të cilit duket se është përgjegjëse për një katastrofë mjedisore me pasoja globale.

Për herë të parë pas shumë vitesh, protagonisti i sagës Mission: Impossible largohet nga imazhi i heroit perfekt dhe fizikisht të pamposhtur. Në ekran ai shfaqet ndryshe: më i rëndë fizikisht, me xhinse dhe bluzë të zezë që i nxjerrin në pah trupin atletik, me flokë të bardhë të rralluar dhe një pamje të pazakontë, larg personazheve të tij të zakonshëm.

“Është roli që më ka sfiduar më shumë në të gjithë karrierën time”, thotë aktori.

Nga traileri, Digger shfaqet si arrogant, manipulues dhe i paaftë për të pranuar përgjegjësitë e veta. Ai është një njeri i bindur se mund të zgjidhë çdo problem, sepse beson se është më i miri në gjithçka.

Cruise rrethohet nga një kast ndërkombëtar ku bëjnë pjesë Riz Ahmed, Sandra Hüller, Michael Stuhlbarg, Jesse Plemons, Sophie Wilde dhe Emma D’Arcy.

John Goodman interpreton presidentin e sëmurë të Shteteve të Bashkuara, i cili thotë: “Digger na futi të gjithëve në këtë rrëmujë dhe Digger do të na nxjerrë prej saj”, kur kupton se zgjidhja e krizës mund të kërkojë 18 trilionë dollarë.

Iñárritu: “Më duhej mënyra e duhur për ta treguar historinë”

Alejandro Iñárritu nuk ishte i pranishëm në Burbank për prezantimin e filmit, por dërgoi një mesazh video nga Londra, ku po përfundon dizajnin e zërit të filmit.

“Menjëherë pas The Revenant, më lindi një ide. Jo një skenar, jo një film, por thjesht një obsesion i vazhdueshëm që më shoqëroi gjatë gjithë këtyre viteve. E dija kush ishte ky personazh. E dija si fliste, si mbijetonte, si mund ta shtrembëronte realitetin për ta përshtatur me këndvështrimin e tij”, shpjegoi regjisori i 21 Grams dhe Babel.

“Më duheshin dhjetë vjet, sepse nuk po kërkoja thjesht një histori. Po kërkoja mënyrën e duhur për ta treguar atë.”

Duke folur për zgjedhjen e Tom Cruise-it, Iñárritu shtoi:

“Njerëzit më pyesin pse zgjodha Tomin. Për mua, është si të pyesësh dikë pse pi ujë kur ka etje. Sepse është pikërisht ajo që të duhet.”

10:45 Meta do t’i paralajmërojë prindërit nëse fëmijët e tyre bisedojnë me chatbotin për vetëvrasje!

By: Anisa
18 July 2026 at 10:45

Kompania teknologjike Meta ka njoftuar se do të vendosë një sistem të ri alarmimi për prindërit, i cili do t’i njoftojë ata nëse fëmijët e tyre adoleshentë zhvillojnë biseda me chatbotin Meta AI rreth vetëlëndimit ose mendimeve për vetëvrasje.

Kjo masë është pjesë e përpjekjeve të Metës për të rritur sigurinë e përdoruesve të rinj dhe vjen pas shqetësimeve në rritje nga prindërit dhe rregullatorët për mënyrën se si chatbotët me inteligjencë artificiale reagojnë ndaj bisedave të ndjeshme me të miturit.

Sipas kompanisë, prindërit që përdorin funksionet e mbikëqyrjes prindërore do të marrin njoftime në rastet kur Meta AI zbulon se një adoleshent po kërkon të diskutojë tema që lidhen me vetëlëndimin. Chatboti gjithashtu do t’u ofrojë të rinjve burime ndihme dhe do t’i inkurajojë të kërkojnë mbështetje nga një person i besuar. Meta ka bërë të ditur se po punon edhe për mundësinë e kontaktimit të shërbimeve emergjente në raste kur bisedat tregojnë se një përdorues mund të jetë në rrezik të menjëhershëm për të dëmtuar veten.

Kompania më herët kishte prezantuar mjete që u lejojnë prindërve të shohin temat e përgjithshme për të cilat fëmijët e tyre bisedojnë me inteligjencën artificiale, pa u dhënë qasje të plotë në të gjitha bisedat private. Vendimi i Metës vjen në një periudhë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po përballen me presion më të madh për të garantuar që mjetet e inteligjencës artificiale të jenë më të sigurta për fëmijët dhe adoleshentët. Meta është pronare e platformave si Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ndërsa chatbot-i i saj Meta AI është integruar në disa prej këtyre shërbimeve./ad

10:30 Normat e vaksinimit të fëmijëve po bien, por përse?!

By: Anisa
18 July 2026 at 10:30

Normat e vaksinimit të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara kanë rënë që nga pandemia, duke rritur shqetësimin e ekspertëve për rikthimin e sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksina. Sipas një raporti të KFF, më pak fëmijë nën moshën 24 muaj po marrin vaksinat rutinë, ndërsa ekspertët ia atribuojnë këtë prirje dezinformimit, ndryshimeve në politikat shëndetësore dhe rënies së besimit te institucionet e shëndetit publik. Që prej vitit 1995, Qendrat rekomandojnë një kalendar të rregullt vaksinimi për fëmijët, për t’i mbrojtur nga sëmundje si hepatiti B, fruthi dhe gripi. Sipas mjekëve, këto vaksina janë të sigurta, efektive dhe mbeten një nga mënyrat më të rëndësishme për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Hezitimi ndaj vaksinave po rritet

Historikisht, normat më të ulëta të vaksinimit janë vërejtur në disa komunitete minoritare, pjesërisht për shkak të pabarazive në sistemin shëndetësor dhe mungesës së besimit ndaj institucioneve. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se rënia e vaksinimit po shfaqet gjithnjë e më shumë edhe te familjet e bardha dhe ato aziatike, të cilat më parë kishin nivele të larta vaksinimi. Për shembull, përqindja e fëmijëve që marrin të paktën një dozë të vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) deri në moshën 24 muaj ka rënë vitet e fundit në këto grupe.

Ndryshimet në politika kanë ndikuar te besimi

Ekspertët thonë se besimi i publikut është dobësuar edhe nga informacionet kontradiktore dhe ndryshimet në politikat shëndetësore. Pas emërimit në vitin 2025, Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ndërmori disa ndryshime në politikat e vaksinimit, përfshirë uljen e numrit të vaksinave të rekomanduara për fëmijët, reduktimin e financimit për kërkimet mbi vaksinat e reja mRNA dhe deklarata që vënë në dyshim lidhur me sigurinë e vaksinave, pavarësisht mungesës së provave shkencore. Sipas mjekëve, kur rekomandimet shëndetësore perceptohen si të paqëndrueshme ose ndikohen nga debatet politike, njerëzit fillojnë të humbasin besimin dhe të hezitojnë të vaksinojnë fëmijët.

Dezinformimi në rrjetet sociale

Rrjetet sociale kanë bërë më të lehtë shpërndarjen e informacionit, por edhe të pretendimeve të rreme. Video alarmuese, teori konspirative dhe rrëfime personale pa baza shkencore kanë bërë që disa prindër të ndihen të pasigurt për vaksinimin. Ekspertët paralajmërojnë se informacioni i pasaktë mund të krijojë frikë dhe konfuzion, edhe te prindërit që e kuptojnë rëndësinë e vaksinave.

Si funksionojnë vaksinat?

Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar të njohë dhe luftojë mikrobet që shkaktojnë sëmundje. Para se të miratohen për përdorim, ato kalojnë faza të shumta testimesh për të garantuar sigurinë dhe efektivitetin. Pas vaksinimit mund të duhen disa ditë që organizmi të krijojë mbrojtje. Efektet anësore janë zakonisht të lehta dhe të përkohshme, si dhimbje në vendin e injektimit ose lodhje. Mjekët theksojnë se vaksinimi është një masë parandaluese, njësoj si vendosja e rripit të sigurimit në makinë apo kontrolli i tensionit të gjakut. Edhe pse nuk eliminon plotësisht rrezikun, ai ul ndjeshëm mundësinë e sëmundjeve serioze.

Pse është i rëndësishëm vaksinimi për të gjithë?

Vaksinimi nuk mbron vetëm personin që e merr vaksinën. Ai ndihmon edhe në mbrojtjen e foshnjave që janë ende shumë të vegjël për t’u vaksinuar, personave me sistem imunitar të dobësuar dhe të moshuarve, të cilët mund të mos krijojnë mbrojtje të mjaftueshme. Kur përqindja e vaksinimit bie, rritet rreziku që sëmundje të kontrolluara prej kohësh, si fruthi, të rikthehen dhe të përhapen në komunitet.

Përpjekjet për të rritur besimin

Organizatat shëndetësore dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor po punojnë për të përmirësuar qasjen në vaksina dhe për të rikthyer besimin e publikut. Ekspertët theksojnë se bisedat e hapura mes mjekëve dhe prindërve janë thelbësore për të sqaruar dyshimet dhe për të ofruar informacion të bazuar në prova shkencore. Ata këshillojnë që prindërit, nëse hasin informacione kontradiktore ose kanë pyetje rreth vaksinave, të konsultohen me pediatrin ose një profesionist të kujdesit shëndetësor, në vend që të mbështeten te informacioni i pakonfirmuar në internet./ad

10:15 Neurologu që studion jetëgjatësinë zbulon rutinat që mbrojnë trurin dhe trupin

By: Anisa
18 July 2026 at 10:15

Për dekada me radhë, mjeku neurolog Dr. David Dodick trajtoi pacientë që mbërrinin në spital pasi dëmtimet ishin shfaqur tashmë: humbje kujtese, goditje në tru apo probleme të tjera neurologjike. Por me kalimin e viteve, ai kuptoi një të vërtetë të rëndësishme: shumë prej këtyre sëmundjeve kishin nisur të zhvilloheshin shumë kohë përpara se pacientët të kërkonin ndihmë mjekësore.

Kjo e shtyu neurologun, pas më shumë se 30 vitesh karrierë në Mayo Clinic, të fokusohej te mjekësia parandaluese dhe kërkimi mbi jetëgjatësinë. Sot, si drejtues shkencor dhe mjekësor në Atria Health and Research Institute, Dodick studion mënyrat se si zakonet e përditshme mund të ndihmojnë në vonimin e sëmundjeve kronike si demenca dhe problemet kardiovaskulare.

Sipas tij, kujdesi për trurin nuk mund të ndahet nga kujdesi për pjesën tjetër të trupit.

“Për të mbrojtur trurin, duhet të mbrosh pjesën tjetër të trupit”, shprehet Dodick, duke theksuar se shëndeti i trurit lidhet ngushtë me gjumin, aktivitetin fizik, ushqimin, menaxhimin e stresit dhe marrëdhëniet sociale.

Ushtrimi fizik: “ilaçi” më i mirë për jetëgjatësinë

Një nga shtyllat kryesore të rutinës së neurologut është aktiviteti fizik. Ai rekomandon të paktën 150 minuta ushtrime në javë me intensitet mesatar, të njohura si “zone-two exercise”, ku trupi punon, por personi mund të vazhdojë një bisedë.

Dodick kombinon ushtrimet aerobike me stërvitjen e forcës, pasi me kalimin e moshës humbja e masës muskulore lidhet jo vetëm me dobësimin fizik, por edhe me shëndetin e trurit dhe metabolizmin.

“Ushtrimi është receta më e mirë që mund të shkruaj dhe receta më e mirë që mund të ndiqni”, thotë ai.

Gjumi dhe truri, një lidhje që nuk mund të anashkalohet

Për neurologun, gjumi cilësor është i panegociueshëm. Ai thekson se pushimi i mjaftueshëm ndihmon në proceset e riparimit të trurit dhe në ruajtjen e funksioneve njohëse.

Përveç kohëzgjatjes së gjumit, Dodick rekomandon edhe ushtrime mendore, pasi truri, sipas tij, përfiton kur sfidohet vazhdimisht.

Të mësosh një gjuhë të re, një instrument muzikor apo të praktikosh aktivitete që kombinojnë lëvizjen me përqendrimin, si kërcimi apo boksi, mund të ndihmojnë në ruajtjen e fleksibilitetit të trurit.

Dieta MIND, ushqimet që mbështesin trurin

Në përditshmërinë e tij ushqimore, Dodick ndjek parimet e dietës MIND, një kombinim i dietës mesdhetare dhe asaj DASH, e cila është studiuar për lidhjen me shëndetin e trurit.

Kjo dietë përfshin:

  • perime, veçanërisht ato me gjethe jeshile;
  • fruta;
  • bishtajore dhe fasule;
  • peshk ose mish shpendësh;
  • arra;
  • vaj ulliri.

Në të njëjtën kohë, neurologu shmang ushqimet shumë të përpunuara dhe konsumimin e tepërt të alkoolit.

Sipas studimeve të mëparshme, respektimi i kësaj diete lidhet me një ulje të rrezikut për zhvillimin e demencës, veçanërisht kur ndiqet në mënyrë të vazhdueshme.

Menaxhimi i stresit dhe lidhjet sociale

Një tjetër element që Dodick e konsideron thelbësor është shëndeti emocional. Ai praktikon meditimin, ushtrimet e frymëmarrjes dhe përdor teknika biofeedback për të kontrolluar reagimin e trupit ndaj stresit.

Por përveç qetësimit individual, neurologu thekson rëndësinë e lidhjeve sociale. Ai kalon kohë me familjen, takohet me miqtë, bën shëtitje me bashkëshorten dhe ruan komunikimin e vazhdueshëm me njerëzit e afërt.

Sipas tij, izolimi social është një faktor që mund të ndikojë negativisht në shëndetin afatgjatë./ad

10:00 Epidemia e heshtur: Një në dy shqiptarë ndërron jetë nga zemra.

By: Anisa
18 July 2026 at 10:00

Në mënyrë sistematike në 15 vitet e fundit, çrregullimet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë përgjegjëse për më shumë se 53% të vdekjeve në vend, një shifër kjo gati 76% më e lartë se mesatarja europiane. Infarktet, ishemitë po zbresin gjithnjë e më shumë te moshat e reja. Mjekët dhe ekspertët e shëndetësisë thonë se sëmundjet e qarkullimit të gjakut po kthehen në epidemi të heshtur. Ata rendisin si përgjegjës stilin e jetesës pa aktivitet fizik dhe dietën e pasur me kripë dhe yndyra, si dhe mungesën e një kulture parandalimi. Mungesa e infrastrukturës me mjekë dhe pajisje ka rritur gjithashtu mortalitetin në bashkitë e vogla, sidomos në Veri. Si e uli Europa vdekshmërinë nga zemra dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria.
Problemet me zemrën janë shndërruar në një pengesë më e madhe për shëndetin në Shqipëri, por edhe një kosto gjithnjë e në rritje për shoqërinë dhe ekonominë. Mbi gjysma e vdekjeve në vendin tonë vijnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Në vitin 2024, nga 21,102 vdekje që u regjistruan gjithsej, 11,694 ishin për shkak të sistemit të qarkullimit të gjakut, duke përbërë 53% të vdekjeve totale.

Krahasuar me Europën, diferenca është e lartë, pasi grupi i sëmundjeve që lidhet me zemrën dhe qarkullimin e gjakut shkakton rreth 30% të vdekjeve.

Teksa vendet e zhvilluara të Perëndimit, si Franca apo Danimarka, kanë arritur ta ulin këtë raport në rreth 21% përmes politikave rigoroze parandaluese, Shqipëria vazhdon të regjistrojë rritje në këtë fenomen, ku një në dy persona ndërron jetë nga një patologji kardiake dhe goditjet në tru. Hendeku i madh prej gati 20 pikësh përqindjeje me mesataren europiane tregon se vendi ynë ndodhet ende në një tranzicion të thellë shëndetësor, ku sëmundjet kronike jongjitëse po fitojnë terren me ritme të larta.

Shkaku kryesor i dominimit të vdekjeve kardiake lidhet drejtpërdrejt me stilin e jetesës dhe mungesën e një kulture të qëndrueshme parandalimi, ku kontrollet periodike mjekësore ende nuk konsiderohen si domosdoshmëri rutinë për qytetarin e thjeshtë, thotë kardiologia Erviola Lleshi.

Studimet e fundit të ekspertëve të Shëndetit Publik (Amarilda Hysenshahaj, Bajram Dedja, Alban Ylli, Alba Merdani, Dorina Toçi) tregojnë se vdekjet e larta nga problemet kardiovaskulare ndodhin nga mosmarrja në kohë e diagnozës.

Problemet e zemrës zbulohen në faza shumë të avancuara ose vetëm kur pacienti pëson një goditje akute, duke e bërë trajtimin më të vështirë dhe shpeshherë të pamundur.

Ekspertët Hysenshahaj, Dedja, Ylli, Merdani dhe Toçi vërejnë se, përveç mungesës së check-up-eve sistematike, faktorët e rrezikut si duhanpirja masive, nivelet e larta të stresit socio-ekonomik dhe një dietë tradicionale që anon drejt yndyrave dhe kripës së tepërt, po shkatërrojnë gradualisht shëndetin vaskular të popullatës.

Ata evidentuan se situata rëndohet edhe më shumë nga plakja e popullsisë, e cila natyrshëm rrit numrin e personave të rrezikuar nga komplikacionet kardiake, por ajo që mbetet shqetësuese është ulja e moshës mesatare të personave që pësojnë infarkte.

Nga pikëpamja ekonomike, raporti i lartë i vdekshmërisë ka kosto shumë të mëdha, pasi godet shpesh grupmoshat që janë ende në kulmin e produktivitetit, duke krijuar një barrë të rëndë për familjet dhe skemat e sigurimeve shoqërore. Në vitin 2024, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore çoi rreth 4,5 miliardë lekë (rreth 47 milionë euro) për rimbursimin e medikamenteve që trajtojnë sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe financimin e paketave të ndërhyrjeve kirurgjikale.
Veriu më i prekur

Edhe brenda Shqipërisë ka diferenca të mëdha në përhapjen e sëmundjeve cerebrovaskulare. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, qarqet e Veriut rezultojnë më të prekura.

Nga 12 qarqet e vendit kryeson Kukësi, ku 62.48% e vdekjeve totale në vitin 2024 ishin nga aparati i qarkullimit të gjakut, e ndjekur nga Shkodra me 60.73%, Lezha 58.2%, Dibra me 58%, të cilat kanë nivele shumë më të larta të vdekshmërisë cerebrovaskulare krahasuar me Jugun, veçanërisht Gjirokastrën (31.34%).

Qarku i Beratit dhe i Tiranës ka vdekshmëri më të lartë se mesatarja kombëtare me 57.6% secili. Edhe Qarku i Fierit mbetet mbi mesataren, duke regjistruar një normë prej 55.35% të vdekjeve cerebrovaskulare në raportin me totalin e vdekjeve.

Në anën tjetër, qarqet që paraqesin një situatë më të moderuar fillojnë me Vlorën, e cila zbret në 49%. Kjo tendencë rënëse vazhdon me Korçën në 46.4%, Elbasanin në 46.1% dhe me Durrësin në 44.70%. Diferencën më të madhe e bën Qarku i Gjirokastrës, i cili rezulton me vdekshmërinë më të ulët cerebrovaskulare në vend, me vetëm 31.3%, shifër kjo pothuajse sa gjysma e normës që vërehet në Kukës apo Shkodër.

Të dhënat tregojnë se teksa Tirana ka volumin më të madh të rasteve për shkak të popullsisë, pesha specifike e këtyre sëmundjeve është dukshëm më alarmante në qarqet e Veriut të vendit.

Dr. Erviola Lleshi, kardiologë në shërbimin parësor Tiranë, beson se një nga elementet kryesore mbetet tradita ushqimore. Rajonet e Veriut priren drejt një regjimi ushqimor me bazë më të lartë proteinash shtazore, yndyrave të ngopura dhe kripës, të cilat janë faktorë rreziku të drejtpërdrejtë për hipertensionin dhe goditjet në tru. Në kontrast, Jugu i Shqipërisë, i ndikuar nga klima mesdhetare, ka një qasje më të madhe ndaj vajit të ullirit, agrumeve dhe perimeve, që njihen si mbrojtës të sistemit kardiovaskular.

Zonat e thella të Veriut përballen edhe me vështirësi në qasjen e shpejtë në qendrat e specializuara të traumës apo njësitë e goditjeve në tru. Për sëmundjet cerebrovaskulare, koha është faktor kryesor për të shpëtuar jetën.

Gjithashtu, kultura e kontrolleve periodike tenton të jetë më e ulët në zonat me vështirësi ekonomike, duke bërë që tensioni i lartë apo problemet e tjera të diagnostikohen vetëm kur është tepër vonë, thotë znj. Llleshi. Fatalitetet nga zemra dhe truri, gjysma në moshën mbi 80 vjeç

Të dhënat mbi vdekshmërinë nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut kanë ardhur në rritje nga 10,984 në vitin 2014 në 11,694 raste në vitin 2024. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, që grumbullon të dhëna për shëndetin, kanë gjetur një trend rritës në skajet e piramidës moshore, ku peshën kryesore të mortalitetit e mban popullsia mbi 80 vjeç.

Kjo kategori ka pësuar rritjen më të madhe ndërmjet viteve 2014 dhe 2024, duke u zgjeruar me mbi 600 raste ose 13.2% dhe duke u konfirmuar si grupi më i rrezikuar, i cili përbën pothuajse gjysmën e totalit të vdekjeve të regjistruara si cerebrovaskulare.

Grupmosha nën 19 vjeç ka shënuar rënie pozitive të vdekshmërisë, duke u reduktuar nga 90 në vitin 2014 në 56 raste në 2024, kryesisht nga sukseset e ndërhyrjeve në zemër në moshat fëminore. Ndërkohë, te moshat e mesme dhe ato aktive, tendenca mbetet në rritje.

Konkretisht, grupmosha 20-44 kishte 194 fatalitete në vitin 2024 nga 187 në vitin 2014. Teksa edhe grupmosha 45-64 vjeç ka shënuar rritje të vdekshmërisë me 5.8% ndërmjet viteve 2014 dhe 2024.

Kategoria 65-79 vjeç është e vetmja që ka treguar qëndrueshmëri gati të plotë, me ulje të papërfillshme prej vetëm 12 rastesh. Të dhënat sugjerojnë se sfidat kryesore të shëndetit publik mbeten të lidhura ngushtë me moshimin e popullsisë dhe trajtimin e patologjive te moshat e thyera.

Përqendrimi i lartë i vdekjeve nga sëmundjet cerebrovaskulare në moshat mbi 80 vjeç tregon gjithashtu rritje të jetëgjatësisë krahasuar me dekadat e kaluara, duke e zhvendosur barrën kryesore të sistemit shëndetësor drejt kujdesit paliativ dhe gjeriatrik.

Sëmundja zbret në moshat e reja

Sëmundjet cerebrovaskulare po shfaqen gjithnjë e më herët, fakt që vërtetohet se vdekjet në grupmoshën 45-64 vjeç janë rritur me 5.8% ndërmjet viteve 2014 dhe 2024. Kardiologia Llleshi pohoi se tensioni i lartë i gjakut i patrajtuar, duhanpirja dhe stresi kronik janë faktorë që shkaktojnë dëmtime të enëve të gjakut.

Te kjo grupmoshë, një goditje në tru ka pasoja fatale më të larta nëse kombinohet me mungesën e ekzaminimeve parandaluese, tha ajo.

Mjekët shpjegojnë se sëmundjet cerebrovaskulare rrallë vijnë të izoluara. Rritja e rasteve te moshat 20-64 vjeç është si pasojë e prevalencës më të lartë të faktorëve të rrezikut si hipertensioni arterial, diabeti dhe obeziteti, të cilat shpesh mbeten të padiagnostikuara ose të patrajtuara siç duhet te personat nën 65 vjeç.

Te moshat e mesme (45-64 vjeç), stili i jetesës luan rol përcaktues. Dieta e pasur me kripë dhe yndyra të procesuara, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumi i lartë i duhanit e alkoolit po dëmtojnë shëndetin vaskular në mënyrë të parakohshme, tha zonja Llleshi.

Një faktor tjetër kritik është stresi kronik, veçanërisht ai i lidhur me punën dhe pasigurinë ekonomike, i cili ndikon drejtpërdrejt në rritjen e presionit të gjakut dhe rrezikun për hemorragji cerebrale apo ishemi. Po ashtu, ndryshimet mjedisore, si ndotja e lartë e ajrit në zonat urbane, janë identifikuar vitet e fundit si shkaktarë të rëndësishëm të inflamacioneve që dëmtojnë enët e gjakut, tha mjekja.

Shumë individë të moshave 20-44 vjeç priren t’i shpërfillin shenjat e para, duke menduar se janë shumë të rinj për t’u prekur nga goditjet në tru, çka çon në humbjen e asaj që mjekësia e quan momenti i artë për ndërhyrje shpëtuese.

Ekspertët këshillojnë që kjo rritje e vdekshmërisë reflekton gjithashtu nevojën për një sistem parësor më të fortë, i cili duhet të fokusohet te parandalimi dhe depistimi i hershëm përpara se sëmundja të arrijë në fazë kritike. Mësimet që vijnë nga Europa

Vendet e zhvilluara të Europës kanë arritur të ulin ndjeshëm shkallën e vdekshmërisë nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut përmes politikave të shëndetit publik, avancimeve teknologjike dhe ndryshimeve rrënjësore në stilin e jetesës së popullatës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një ndër shtyllat kryesore ka qenë kontrolli i faktorëve të rrezikut, ku legjislacioni i rreptë kundër duhanpirjes në ambiente publike dhe rritja e taksave mbi produktet e duhanit kanë dhënë rezultate të menjëhershme në uljen e rasteve të infarkteve akute.

Shtetet e BE-së kanë zbatuar programe kombëtare për monitorimin e tensionit arterial dhe kolesterolit, duke e zhvendosur fokusin nga trajtimi i krizave te parandalimi i hershëm përmes mjekësisë familjare dhe përdorimit të gjerë të statinave dhe medikamenteve për tensionin e lartë.

Një nga shembujt më të mirë të transformimit shëndetësor në Bashkimin Europian është Finlanda, e cila shërben si model se si politikat shtetërore mund të ndryshojnë fatin e një popullsie. Në vitet ’70, Finlanda kishte shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga aksidentet cerebrovaskulare në botë, por përmes një nisme të njohur si “Projekti i Karelias Veriore”, ata arritën ta ulin këtë shifër me mbi 80%.

Ky sukses u bazua në zbatimin e disa masave, që nisën përmes ndërhyrjeve në industrinë ushqimore. Shteti finlandez zëvendësoi subvencionet për gjalpin dhe qumështin me yndyrë të lartë me subvencione për vajin e rrepës dhe frutat e pyllit, duke detyruar pothuajse çdo prodhues buke dhe mishi të ulte nivelin e kripës në produktet e tyre.

Përveç shembullit finlandez, Bashkimi Europian si tërësi ka zbatuar masa strukturore që lidhen me momentet kritike të trajtimit të goditjeve në tru. Një nga masat më konkrete është standardizimi i Njësive të Specializuara të Goditjeve.

Në vende si Gjermania dhe Austria, është bërë e detyrueshme që pacienti të mos dërgohet në një reanimacion të përgjithshëm, por në një repart ku mjekët dhe infermierët janë të trajnuar vetëm për ishemitë cerebrale.

Këto njësi përdorin teknologjinë e tele-mjekësisë (Telestroke), ku përmes videove “live”, neurologët më të mirë udhëzojnë mjekët në spitale të vogla rajonale për të kryer trombolizën me medikamente brenda kohës së “artë” prej 4.5 orësh.

Së fundmi, vende si Franca dhe Belgjika kanë implementuar sisteme vizuale si Nutri-Score, i cili i klasifikon ushqimet me ngjyra nga e gjelbra tek e kuqja drejtpërdrejt në paketim. Kjo masë ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e konsumatorëve për yndyrat dhe kripën e fLlleshir, të cilat janë shkaktarët kryesorë të hipertensionit.

Po ashtu, BE-ja po financon programe masive për zëvendësimin e duhanit përmes aplikacioneve falas të stërvitjes dhe mbulimit total të kostove për produktet zëvendësuese të nikotinës, duke e trajtuar duhanpirjen si një sëmundje që kërkon ndihmë financiare dhe jo thjesht si një ves vullnetar.

Çfarë i mungon Shqipërisë

Ndonëse ka pasur përmirësime në infrastrukturën spitalore, vendi ende vuan nga mungesa e një rrjeti të gjerë të kardiologjisë invazive që mbulon në mënyrë të barabartë të gjithë territorin, duke bërë që koha e artë prej 4.5 orësh për trajtimin e infarkteve të humbet shpesh për shkak të distancave dhe logjistikës së transportit urgjent, pohojnë ekspertët e shëndetësisë.

Kjo shoqërohet edhe me një fragmentim të mjekësisë familjare, ku check-up-et dhe monitorimi i vazhdueshëm i tensionit apo kolesterolit nuk arrijnë ende të jenë në masën që do të frenonin rastet fatale përpara se ato të bëhen urgjenca.

Megjithëse ligjet ekzistojnë, kontrolli mbi cilësinë e ushqimeve të përpunuara, kripën dhe yndyrat dhe zbatimi i ligjit kundër duhanpirjes në ambiente të mbyllura mbeten sfiduese në krahasim me vendet e BE-së, pohoi zonja Llleshi.

Gjithashtu, Shqipëria ka nevojë për regjistra kombëtarë të të dhënave shëndetësore më të sofistikuar dhe të digjitalizuar, të cilët do të lejonin një analizë të saktë të incidencës sipas grupmoshave dhe rajoneve, duke bërë që burimet financiare të shpërndahen aty ku nevoja është më urgjente dhe ku ndikimi në uljen e vdekshmërisë do të ishte më i lartë.

Mungesa e personelit mjekësor të specializuar është një nga pikat më kritike që pengon arritjen e standardeve europiane në trajtimin e këtyre sëmundjeve në Shqipëri. Shpërndarja e tyre është jashtëzakonisht e pabarabartë, me një përqendrim të lartë në Tiranë dhe mungesë të theksuar në rrethe.

Kjo krijon një situatë ku shumë pacientë në zonat rurale apo qytetet e vogla nuk kanë akses të menjëhershëm te kardiologu, duke rritur rrezikun që simptomat fillestare të neglizhohen ose të trajtohen me vonesë.

Përveç shpërndarjes gjeografike, sistemi përballet me rrjedhjen e trurit, ku mjekë të kualifikuar dhe infermierë të specializuar emigrojnë drejt vendeve të zhvilluara, si Gjermania apo Italia. Kjo mungesë nuk ndihet vetëm te numri i kardiologëve, por edhe te personeli mbështetës që duhet të menaxhojë teknologjinë e lartë dhe kujdesin post-operator.

Pa një numër të mjaftueshëm specialistësh, që mund të operojnë në rrjetin e kardiologjisë invazive 24 orë në 7 ditë, në të gjithë vendin, investimet në aparatura mbeten pjesërisht të pashfrytëzuara, duke e lënë peshën e përballjes me sëmundjet e qarkullimit të gjakut kryesisht mbi mjekësinë terciare në kryeqytet. Çfarë duhet të ndryshojë

Për të ndryshuar trendin në rritje të sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, nuk mjafton vetëm përmirësimi i pajisjeve spitalore apo numri i operacioneve kirurgjikale, por nevojitet riorientimi rrënjësor i strategjive shtetërore drejt edukimit shëndetësor.

Është e domosdoshme që të nxitet ndërgjegjësimi masiv mbi rëndësinë e aktivitetit fizik dhe menaxhimin e hipertensionit, i cili shpesh quhet vrasësi i heshtur në Shqipëri për shkak se mbetet i patrajtuar për vite me radhë, thotë studimi i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik (Hysenshahaj, Dedja, Ylli, Merdani dhe Toçi).

Sipas tyre, edukimi duhet nisur që nga bankat e shkollës e deri te politikat e rrepta të sigurisë ushqimore. Vetëm duke ndërtuar një sistem ku parandalimi vjen përpara kurimit, Shqipëria do të mund të nisë procesin e gjatë dhe të vështirë të uljes së këtij raporti vdekshmërie, tha kardiologia Llleshi.

Zakonisht në Shqipëri, problemet me zemrën zbulohen vetëm kur gjendja bëhet shumë e rëndë ose pas një krize të papritur; kjo i vështirëson shumë mundësinë për t’u shëruar, tha doktoresha.

Sipas të dhënave nga Urdhri i Mjekut, në Shqipëri ka gjithsej 267 mjekë kardiologë. Përveçse ata janë të pakët në raport me nevojat, janë të përqendruar në Tiranë dhe në qendrën e vendit, teksa bashki të vogla si Tropoja dhe të tjera nuk kanë mjekë të tillë. Në bashki me terrene të thyera ku mungon mjeku kardiolog, mundësia për të përballuar urgjencat është e pamundur.

Nëse marrim shifrën prej 267 kardiologësh për rreth 2.4 milionë banorë, Shqipëria llogarit afërsisht 111 kardiologë për 1 milion banorë. Kjo shifër e rendit Shqipërinë në një nivel të ngjashëm me mesataren e vendeve me të ardhura të mesme, e cila sipas Atlasit të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë (ESC) për vitin 2024-2025 është rreth 93.4 kardiologë për 1 milion banorë, por e lë shumë pas vendeve me të ardhura të larta.

Greqia mban rekordin europian me rreth 316 kardiologë për 1 milion banorë, e ndjekur nga Italia me 266 dhe Bullgaria, me rreth 215.

Madje edhe vende si Hungaria, me 138 kardiologë për 1 milion banorë, qëndrojnë dukshëm më lart se Shqipëria. Në rajon, Serbia llogarit rreth 98 kardiologë, ndërsa Mali i Zi rreth 84, çka tregon se Shqipëria, ndonëse ka një numër total që mund të duket i krahasueshëm me disa vende, përballet me një sfidë shumë më të madhe për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës, që është ndër më të lartat në Evropë.

Por gjithsesi, mjekët thonë se ndërgjegjësimi i popullatës për ndryshimin e stilit të jetës dhe moskonsumimit të kripës është një mjet shumë i fuqishëm për të parandaluar./monitor-ad

09:56 Atentati në Sarandë, zbardhet dinamika: Autorët erdhën me motor dhe qëlluan 9 herë drejt 50-vjeçarit

By: Anisa
18 July 2026 at 09:56

Last Updated on 18/07/2026 by Anisa

Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me atentatin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Sarandë.

Autorët e dyshuar, të cilët lëviznin me një motomjet dhe ishin të maskuar me skafandra, kanë ardhur nga rruga “Mit’hat Hoxha”, në drejtim nga stadiumi për te porti.

Sipas të njëjtave burime, ata kanë qëlluar në drejtim të Thimjo (Sandri) Rubatit me armë zjarri pistoletë të kalibrit 9 mm, duke shkrepur nëntë herë.

Pas atentatit, autorët janë kthyer në të njëjtin itinerar nga kishin ardhur dhe janë larguar në drejtim të zonës së plazheve, pranë Baba Rexhepit.

Dyshohet se më pas mund të jenë larguar me skaf. Motomjeti i përdorur në atentat nuk është gjetur ende dhe hetuesit dyshojnë se autorët e kanë marrë me vete.

Burimet bëjnë me dije se 50-vjeçari ka qenë i vetëdijshëm pas sulmit, por nuk ka mundur të identifikojë autorët, pasi ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që e qëlluan.Nga të shtënat, Thimjo (Sandri) Rubati ka mbetur i plagosur me tre plumba dhe është transportuar në spital, ku po merr trajtim mjekësor. /ad

09:45 Kush është djali që përflitet si i dashuri i Princeshës Leonor?

By: Anisa
18 July 2026 at 09:45

Princesha Leonor e Spanjës është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave rozë, pas raportimeve se mund të ketë nisur një romancë me një të ri brazilian, të identifikuar në disa media si Gabriel Giacomelli.

Thashethemet nisën vitin e kaluar, kur gjatë një ndalese të anijes ushtarake ku po kryente stërvitjen, Leonor u pa në festimet e karnavaleve në Salvador de Bahia të Brazilit. Një fotograf pretendoi se e kishte parë princeshën në momente mjaft të afërta me një djalë misterioz, duke ndezur menjëherë spekulimet për një lidhje. Tashmë ka dalë kjo foto nga deti.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Shtëpia Mbretërore e Spanjës apo nga vetë Leonor për një marrëdhënie sentimentale.

Në të kaluarën, emri i princeshës është lidhur edhe me futbollistin e Barcelonës, Gavi, por ato raportime nuk u konfirmuan kurrë dhe mbetën vetëm në nivel thashethemesh.Për momentin, Leonor vazhdon të jetë e përqendruar në angazhimet e saj mbretërore dhe në formimin ushtarak që sapo e ka kryer, ndërkaq edhe pse zërat për një të dashur vazhdojnë të qarkullojnë, asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht./ad

09:30 “SHBA-të po pushtohen nga tymi”, Trump reagon ashpër, akuza Kanadasë për neglizhencë

By: Anisa
18 July 2026 at 09:30

Vatrat e zjarreve që kanë shpërthyer në Kanada po përhapin sasi të mëdha tymi në të gjithë Amerikën e Veriut, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa nga qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj situatës, duke deklaruar se SHBA-të po “pushtohen panevojshëm nga ajri i ndotur dhe i pashëndetshëm”, ndërsa akuzoi Kanadanë për “neglizhencë të qëllimshme” në menaxhimin e zjarreve.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë shtuar për shkak të ndikimit të tymit në territorin amerikan. Më herët, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, iu përgjigj kritikave të ligjvënësve amerikanë nga Michigani, duke thënë se në vend të ankesave, SHBA-të duhet të ofrojnë ndihmë për përballimin e emergjencës. “Ndoshta ajo që duhet të bëni në vend që të ankoheni është të dërgoni mbështetje”, deklaroi Ford.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po zhvillon takime joformale me zyrtarë të FIFA-s dhe institucione të tjera lidhur me shqetësimet për finalen e Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielën pranë Nju-Jorkut. Reja e dendur e tymit ka ngritur pikëpyetje për kushtet dhe ndikimin e mundshëm në organizimin e eventit.

Sipas të dhënave më të fundit, Detroiti, Çikago, Uashingtoni dhe Nju Jorku renditen ndër qytetet me cilësinë më të keqe të ajrit në botë./ad

09:15 “BE të dënojë fashizmin e ministres serbe!”, Konjufca letër Kallas-it: Të mos trajtohet thjesht si gafë

By: Anisa
18 July 2026 at 09:15

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, në një letër drejtuar përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka kërkuar nga Brukseli të dënojë publikisht deklarimin fashist të ministres serbe Snezhana Paunoviç.

Lidhur me deklaratën e ministres e cila u shpreh se po të ishte në vend të Millosheviçit do të kryente spastrim etnik në Kosovë, Konjufca kërkoi nga BE që kjo çështje të ngrihet edhe në diskutimet për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Konjufca parashtroi tri kërkesa që Kosova ka nga BE-ja

1.Të lëshohet një dënim i qartë, i fuqishëm dhe publik i deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.
2.T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe jo në pajtim me vlerat evropiane dhe me kërkesat për procesin e pranimit në BE.
3. Të ngrejë këtë çështje në mënyrë të duhur në kuadër të dialogut politik BE-Serbi dhe procesit të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i trajton incidente të tilla.

Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë s’mund të trajtohet si gafë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe ta gërryejnë besimin në këtë proces”, ka shkruar Konjufca në letrën e tij./ad

09:00 “Las Malvinas son Argentinas”? Jo tamamisht – por ishujt Falkland nuk mund të mbeten britanikë përgjithmonë

By: Leonard
18 July 2026 at 09:00

Armiqësia mes Londrës dhe Buenos Airesit ka zgjatur shumë gjatë – herët a vonë, mendjet e mençura do të mbizotërojnë

Simon Jenkins

Këtë javë Britania dhe Spanja ranë dakord të heqin kufirin që ndante Gjibraltarin nga toka spanjolle. Ishte një lajm i mirë. Dekada negociatash përfunduan me një kompromis të kënaqshëm. Fatkeqësisht, kjo marrëveshje nuk do të festohet të dielën në finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Anglisë. Por a është shumë të shpresosh se një negociatë e ngjashme mund të lindë nga gjysmëfinalja e mbrëmshme, një humbje dërrmuese e Anglisë përballë Argjentinës, pas së cilës çështja Falkland-Malvina ngriti sërish kokën e saj të lodhur përmes një pankarte në fushë? A nuk mund të lindë asgjë e mirë pas përqafimit fisnik mes Lionel Messit dhe Harry Kane?

Asnjë nga territoret e Britanisë së epokës perandorake nuk ka një të drejtë të përjetshme për të mbetur ashtu siç është, aq më tepër një territor që u kushton taksapaguesve britanikë më shumë se 60 milionë paund në vit vetëm për shpenzime mbrojtjeje. Në rastin e Falklandeve, statusi i tij si territor britanik përtej detit është mbrojtur me vendosmëri nga qeveri të njëpasnjëshme, kryesisht si çmimi i fitores në luftën e Falklandeve të vitit 1982. Në të vërtetë, dyshoj se kjo ka shumë të bëjë me faktin se banorët e ishujve, ndryshe nga hongkongasit e braktisur apo banorët e Diegos Garcias, ishin britanikë të bardhë. Lufta gjithashtu shpëtoi qeverinë e Margaret Thatcher nga rënia e popullaritetit dhe e mbuloi kryeministren e atëhershme me lavdi, ndryshe nga aventurat e mëvonshme ushtarake.

Ajo që harrohet është se para luftës, qeveritë britanike në fakt po negocionin me argjentinasit për transferimin e sovranitetit mbi ishujt. Kjo erdhi pas një marrëveshjeje komunikimi të arritur në vitin 1971 me Buenos Airesin nga Ministria e Jashtme britanike. Ajo u mundësoi banorëve të ishujve të tregtonin dhe të udhëtonin me tokën kontinentale fqinje, duke përdorur spitalet, dyqanet dhe shërbimet e tjera. Madje kishin edhe bursa në shkollat lokale. Qindra argjentinas vizitonin kryeqytetin e Falklandeve, Port Stanley, si turistë. Banorët e ishujve po ndërtonin gradualisht marrëdhënie normale me fqinjët e tyre përtej detit, prej të cilave pritej të lindte një zgjidhje e ardhshme.

Në atë kohë, Kombet e Bashkuara po inkurajonin fuqitë e mëparshme koloniale evropiane që të hiqnin dorë nga mbetjet e perandorive të tyre, përfshirë francezët, portugezët dhe spanjollët. Në rastin e Britanisë, këto përfshinin Hong Kongun, Diego Garcian, Falklandet dhe, shpresohej, edhe Gjibraltarin. Çështja nuk ishte e drejta historike – një debat i pafund – por logjika gjeografike. Për Britaninë ishte absurde që një shtet evropian të financonte një flotë të madhe për të mbrojtur territore të largëta dhe të kontestuara. E dëshpëruar për të kursyer para, qeveria po tërhiqej tashmë nga Atlantiku i Jugut. Falklandet ishin të pambrojtura.

(Në këtë pikë artikulli përmend pankartën e lojtarëve argjentinas: “Las Malvinas son Argentinas” – Ishujt Falkland janë argjentinas.)

Ministri laburist i Jashtëm, Ted Rowlands, vizitoi ishujt në fund të viteve 1970 dhe diskutoi zgjerimin e marrëveshjes së komunikimit drejt një marrëveshjeje “leaseback”, sipas së cilës Argjentina do të kishte sovranitetin, ndërsa kontrolli qeveritar do të mbetej në duart britanike. Në vitin 1977, një qëndrim ishte se ai kishte arritur t’i bindte banorët me garanci për autonomi të vazhdueshme dhe një garanci sigurie nën kujdesin e OKB-së. Qeveria e Thatcherit e vitit 1979 trashëgoi propozimin e Rowlands. Edhe pse ministri i ri, Nicholas Ridley, nuk kishte aftësitë bindëse të paraardhësit të tij, ai u autorizua nga Thatcher për ta ndjekur këtë rrugë.

Ishte krejtësisht e papranueshme që ushtria argjentinase të pushtonte Falklandet në vitin 1982, në kohën kur ministrat e saj po negocionin me britanikët në Nju Jork. Rezultati ishte i pashmangshëm: bisedimet u shembën. Por aq bindëse ishin përpjekjet diplomatike, saqë si SHBA-ja ashtu edhe Peruja vazhduan të kërkonin një marrëveshje para se forcat britanike të Atlantikut të Jugut të zbarkonin. Edhe pse Argjentina mund të kishte pranuar një zgjidhje, Britania tashmë nuk ishte më e interesuar. Kjo ishte logjika e luftës: sapo nis, ajo kërkon një “fitore”. Një marrëveshje mund të kishte shpëtuar qindra jetë dhe miliarda paund.

Ajo që lufta e vitit 1982 nuk e kërkonte ishte ngrirja totale nga Britania e çdo diskutimi të ardhshëm mbi sovranitetin e ishujve për më shumë se 40 vjet. Referendumi i Falklandeve i vitit 2013, ku 99.8% e 1517 votuesve zgjodhën të mbështesnin status quo-në, citohet si fundi i diskutimit. Por realiteti është se këto koloni, herët a vonë, në mënyrë të pashmangshme do t’u bashkohen kontinenteve të tyre. Ato nuk mund të mbrohen pafundësisht nga një patron evropian dhe pretendimet e Argjentinës nuk do të zhduken. Pa luftën e vitit 1982, Falklandet mund të kishin bërë tashmë paqe me fqinjin e tyre, Argjentinën, ndoshta nën një autonomi të garantuar nga OKB-ja.

Sot, Falklandet duhet të vazhdojnë ekzistencën e tyre të ngrirë si një fortesë ushtarake e izoluar në anën tjetër të botës nga mbrojtësi i tyre bujar, Britania. Por herët a vonë, një qeveri britanike do të ketë guximin të nisë sërish negociatat. Aktualisht, Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes thjesht e shtyjnë problemin për më vonë. Do të ishte e kënaqshme nëse pankarta Falkland-Malvina e valëvitur në një ndeshje futbolli do të zgjonte dikë për të vepruar. Por sinqerisht dyshoj.

*Simon Jenkins është kolumnist i gazetës The Guardian.

09:00 Zbulohet për herë të parë atmosferë në një planet të ngjashëm me Tokën

By: Anisa
18 July 2026 at 09:00

Studiuesit kanë zbuluar për herë të parë atmosferë që rrethon një planet shkëmbor, të ngjashëm me Tokën, i cili orbiton brenda zonës së banueshme të një ylli të largët.

Sipas tyre, ky zbulim përbën provën më të fortë deri më tani se botë me kushte të ngjashme me ato të Tokës mund të ekzistojnë përtej Sistemit tonë Diellor.

Gazi i identifikuar në atmosferë është heliumi, i cili nuk mund të mbështesë jetën, por shkencëtarët thonë se mund të jenë të pranishëm edhe gazra të tjerë.

Autori kryesor i studimit, Dr. Collin Cherubim nga Universiteti i Harvardit, e përshkroi zbulimin si “një arritje të madhe”.

“Është hera e parë që dikush zbulon një atmosferë në një planet shkëmbor që ndodhet në zonën e banueshme të një ylli tjetër”, tha ai.

Planeti, i quajtur LHS 1140 b, ndodhet 48 vite-dritë larg Tokës dhe orbiton rreth një ylli të kuq, shumë më të vogël dhe më të ftohtë se Dielli ynë.

Deri më sot janë zbuluar më shumë se 6 mijë botë që rrotullohen rreth yjeve të largët. Megjithatë, ky zbulim konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm sepse na afron një hap më pranë një prej objektivave më të mëdhenj të shkencës: zbulimit të jetës në një botë tjetër.

Studiuesit, të cilët publikuan gjetjet e tyre në revistën shkencore Science, theksojnë se ende nuk kanë gjetur prova të jetës.

Por që një planet të mund të mbështesë jetën, ai duhet të ketë ujë, dhe për këtë arsye duhet të ndodhet në distancën e duhur nga ylli i tij: jo shumë afër, që të mos jetë tepër i nxehtë, dhe jo shumë larg, që të mos jetë tepër i ftohtë, por në një pozicion të ndërmjetëm ku kushtet janë “pikërisht të përshtatshme” për ekzistencën e ujit në gjendje të lëngshme./ad

08:45 Spiralja e panevojshme ku po zhytet Agron Shehaj me “deklaratat” e pasurisë

By: Anisa
18 July 2026 at 08:45

Nga Mero Baze

Agron Shehaj përpiqet dita-ditës të komplikojë historinë e një pasurie të blerë 2.9 milionë euro dhe të shitur 15 milionë euro në Itali, sipas deklaratave të tij. Një herë ndryshon sipërfaqen, një herë ndryshon vendndodhjen e vilës dhe mallkon çdokënd që merret me pasurinë e tij.

Duhet ta marrë më qetë. Shqipëria ka një Inspektorat të Deklarimit të Pasurive dhe aty, përveç të dhënave publike që citohen nga kontrata, ai ka detyrim të depozitojë të skanuar kontratën. Kaq e thjeshtë është. Nëse nuk e ka bërë, ka shkelur ligjin shqiptar, por ka ende kohë ta korrigjojë dhe ta depozitojë. Pastaj debati merr fund, pasi kemi një dokument zyrtar të tij.

Tani le të kalojmë te deklaratat e tij publike. Në përpjekjen e pakuptimtë për të folur për metrat katrorë të vilës, herë 250 e herë 500, ai duket sikur kërkon të justifikojë çmimin. Nuk ka arsye ta justifikojë çmimin. Nëse e ka shitur 15 milionë euro, hallall t’i ketë. Për këtë nuk na nevojitet planimetria e shtëpisë së tij. Mund të jetë edhe 100 metra katrorë dhe mund ta ketë shitur 15 milionë euro. Ajo që i duhet ILDKPKI-së është dokumentacioni që provon deklarimin e transaksionit dhe, nëse është e aplikueshme, pagesën e tatimit mbi fitimin.

Sipas legjislacionit italian, nëse një pasuri e blerë 2.9 milionë euro shitet brenda pesë vjetëve, fitimi është i tatueshëm. Ligji parashikon që, në raste të caktuara, fitimi të tatohet me një tatim zëvendësues prej 26% ose sipas rregullave të zakonshme të tatimit mbi të ardhurat.

Nëse merret si bazë diferenca ndërmjet çmimit të blerjes dhe atij të shitjes, fitimi bruto do të ishte rreth 12.1 milionë euro. Në një skenar ku do të zbatohej norma 26% mbi të gjithë këtë fitim, tatimi do të ishte rreth 3.146.000 euro.

Tani nuk ka nevojë të bëjë debat as me Taulant Ballën, as me çdo gazetar që ia përmend këtë çështje. Mjafton të nxjerrë dokumentacionin që provon mënyrën se si është paguar tatimi për këtë transaksion sipas ligjit italian dhe debati mbyllet.

Nëse nuk e ka këtë dokumentacion, atëherë lindin pikëpyetje që kërkojnë sqarim edhe në Itali. Nëse dokumentet e depozituara pranë ILDKPKI-së nuk përputhen me dokumentet reale të transaksionit, atëherë çështja merr një dimension ligjor edhe në Shqipëri.

Videot në makinë apo duke ecur korridoreve të Surrelit nuk i bëjnë punë. E vetmja gjë që i bën punë është të depozitojë pranë ILDKPKI-së dokumentacionin që kërkon ligji dhe të tregojë dokumentet që provojnë trajtimin fiskal të shitjes së vilës. Me këto dokumente nuk mbetet më vend për spekulime.

Pa to, dyshimet vetëm shtohen. Meqë u bën llogaritë e pasurive të çdo biznesmeni, le të tregojë më parë llogaritë e veta, përputhshmërinë me ligjin italian dhe atë shqiptar, e pastaj le t’i shpenzojë i qetë paratë duke bërë video.

Lëkundje të forta tërmeti në orët e para të mëngjesit në Turqi, sa ishte magnituda

By: Anisa
18 July 2026 at 08:40

Last Updated on 18/07/2026 by Anisa

Një tërmet me magnitudë 5 ballë goditi provincën Malatya të Turqisë juglindore këtë mëngjes dhe u ndje në provincat fqinje pa shkaktuar dëme ose viktima, tha Agjencia Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

“Nuk ka asnjë tregues për ndonjë situatë problematike pas tërmetit me magnitudë 5.0 ballë që goditi në orën 06:20 në rrethin Battalgazi të provincës Malatya dhe u ndje në provincat Malatya, Elazig, Adiyaman, Tunceli dhe Sanliurfa. Ekipet tona vazhdojnë të operojnë në terren”, tha AFAD.

“Nuk kemi identifikuar ndonjë zhvillim negativ, por po vlerësojmë të gjitha raportet”, tha Ministri Turk i Mjedisit dhe Zhvillimit Urban, Murat Kurum.

Në vitin 2023, Turqia juglindore u godit nga një tërmet vdekjeprurës që vrau më shumë se 53,000 njerëz dhe shkaktoi shkatërrime në shumë qytete në rajon./ad

08:30 “Berisha më mbajti me gajret”, Edmond Spaho tregon përplasjet me Nokën: Për pak sa nuk u përplasëm fizikisht

By: Anisa
18 July 2026 at 08:30

Last Updated on 18/07/2026 by Anisa

Edmond Spaho, ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku hedh akuza të forta ndaj sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, duke zbuluar përplasjet mes tyre dhe mënyrën si, sipas tij, u largua nga drejtimi politik.

Spaho shprehet se vetëm pak ka munguar që konflikti me Nokën të përfundonte në përplasje fizike, ndërsa shton se i është ankuar disa herë Sali Berishës, i cili, sipas tij, e ka “mbajtur me gajret”, duke i premtuar se situata do të zgjidhej.

Sipas Spahos, ai u zëvendësua nga drejtimi i qarkut të Korçës jo për shkak të performancës, por sepse Flamur Noka “nuk e pëlqente” dhe i kishte premtuar postin një personi tjetër.

Postimi i plotë

I dashur Luçiano,

Kam qenë nga të parët në PD që jam ngritur kundër Mulizmit, jo si filozofi politike, se kjo më bën të qesh kur mendoj Mulin filozof partiak, por si sjellje arrogante, shpërfillëse ndaj kolegëve, arbitrare në çdo vendim, nepotiste, pa moral politik, shkelëse me këmbë të kolegëve, nëpërmjet pretendimit për të qenë syri dhe veshi i Berishës.

Vazhdimisht e kemi diskutuar këtë çështje, sa një koleg i nderuar pyeti me sarkazëm: “Përse i hymë Rithemelimit, për të zëvendësuar X me Mulin?”

Sikurse e di, jam përplasur ashpër me të në Kryesinë e PD dhe Grupin Parlamentar, për bashkimin pa princip me grupin e Lulit. Më pas, kur pa as më të voglin argument, më shkarkoi nga detyra e drejtuesit të qarkut Korçë, vetëm se nuk i pëlqeja dhe i kishte dhënë fjalën dikujt, me të cilin sot është armik, që Spaho do ta shohë me dylbi drejtimin e qarkut Korçë. Të njëjtën gjë tentoi të bëjë me Luan Baçin, por pa arritur ta nxjerrë në listë të hapur.

Të nesërmen e debatit, kur e takova në zyrën e tij, më argumentoi që menduan të më zëvendësojnë me Ivin, sepse Përmeti, qyteti nga vjen Ivi, është afër qarkut të Korçës. A mund ta kundërshtosh këtë “argument” kur ke parasysh filozofin që ta parashtron?

Për rreth dy vite, në komunikimet direkte me të, kam kundërshtuar sjelljen e tij prej harbuti, që nuk pyeste për askënd, por vetëm urdhëronte se çfarë duhej bërë, kur merrte vendime duke mos informuar as drejtuesit e qarqeve, pa lëre më t’i konsultonte. Vetëm filli na ndau nga përplasja fizike.

Për sjelljen e tij të papranueshme i kam shkruar Sali Berishës me dhjetëra herë. Më mbajti me gajret se gjërat do të zgjidhen në më të mirën e mundshme.

Problemet u zgjidhën duke më larguar mua nga politika, sipas përbetimit të Mulit në kafet e Tiranës, megjithëse kisha kontribute të paktën të barabarta me të gjithë të tjerët që mbështetën Rithemelimin dhe mbetën në politikë me garanci nga Berisha.

Për më tepër, PD më sabotoi fushatën personale për zgjedhjet e 11 Majit 2025 në listë të hapur. Nuk ka ndodhur kurrë në PD që Muli dhe drejtuesi i qarkut të bëjnë fushatë kundër kolegut të tyre që të mos jetë në Parlament.

Asnjë nga ju nuk foli në atë kohë. Askush nuk foli se si u bë bashkimi dhe si u poshtëruan njerëzit e Rithemelimit, ata që rendën të parët për të mbështetur Berishën dhe premtimin e tij për një parti të vërtetë demokratike. Secili pa rehatinë e tij.

Por nuk folët as kur humbëm zgjedhjet në mënyrë të turpshme me 300 mijë vota diferencë. Asnjë analizë nuk u bë, asnjë nuk mbajti përgjegjësi. Vetëm unë dhashë dorëheqje nga funksionet që kisha, megjithëse përgjegjësia për humbjen fillonte nga Berisha dhe ata që ishin në udhëheqje.

Përse nuk u zbatua statuti për dorëheqjen e Kryetarit, përse nuk folët dhe nuk u ngritët për të mbrojtur demokracinë në parti?

Sot po provoni në kurriz atë që kalova unë pa të drejtë.

Votimi nuk është i pastër, thua. Nuk ka qenë asnjëherë që nga Dhjetori i 2021. Si mund të jetë i pastër kur LDG dhe FRDP kontrollojnë 60% të votave në Këshillin Kombëtar. E kupton, Luçiano, organizatat partnere përcaktojnë kush duhet ta drejtojë PD. Kjo procedurë e turpshme filloi me Rithemelimin dhe “miqtë” e tu ta kanë futur sipas porosisë që u është dhënë. Me dhimbje, vëlla, me dhimbje, siç thoshte Kadareja.

Kështu do të ndodhte, sepse kur ishte e domosdoshme askush nuk ngriti zërin që listat për deputetë nuk po hartoheshin mbi meritën, mbi sakrificat e secilit, rezultatin e primareve dhe punën e bërë me emigrantët, por mbi nepotizëm, tarafe, premtime financiare, servilizëm.

Çdo njeri pa interesin e tij personal, mjaftonte të ishte vetë në listë të mbyllur, pa më pas le të bëhej kiameti. Sot të ra radha ty të penalizojnë pa të drejtë, megjithëse fitove në Shkodër dhe nuk ta diti njeri.

Ngushëllohu që nuk je as i pari, as i fundit në PD e Berishës. Sot, pothuaj të gjithë të Rithemelimit ngrohen në diell. Në zgjedhjet e ardhshme do të likuidohen edhe ata pak që kanë mbetur ende në politikë.

Nëse vërtet ju dhimbset PD, hapeni gojën, flisni për moçalin që është aty, si zgjidhen dhe promovohen njerëzit, si rrëzohen ata që guxojnë të ngrenë probleme dhe nuk bien dakord me ato që thotë Berisha dhe Muli i tij kur e kanë gabim. Gërvishteni plagën që të dalë e vërteta.

Mos shikoni interesin tuaj personal me mendimin që mjafton ta keni mirë me Berishën për veten tuaj.

Mos pranoni të ofendoheni që ekipi drejtues aktual është më i miri që ka pasur PD që nga krijimi i saj. Të gjithë ekipin e sotëm ta mbledhësh së bashku, nuk bëhen as sa çereku i Pjetër Arbnorit, që bëri 28 vjet burgjeve të komunizmit.

Luçiano, Berisha nuk do njeri, prandaj mos u mërzit që të largoi. Ai do vetëm veten e tij. As Mulin nuk e do, por sot Muli i ofron atë që ti dhe unë nuk mundemi ta bëjmë.

Ngrijeni zërin nëse vërtet e doni PD./ad

08:00 Berisha për deklaratat e ministres serbe: Ndjesa e një monstre, përsëris kërkesën për shpalljen e saj ‘non grata’

By: Anisa
18 July 2026 at 08:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish pas deklaratës së ministres serbe, Snezana Paunoviç, lidhur me spastrimin etnik në Kosovë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e cilëson ‘ndjesë të një monstre’ tërheqjen e pjesshme të deklaratës nga ministrja serbe, duke akuzuar se ajo nuk ka reflektuar për përmbajtjen e qëndrimit të saj.

Berisha e akuzon ministren serbe se me korrigjimin e deklaratës së saj, ku zëvendësoi termin ‘spastrim etnik’ me ‘deportim’, ka treguar sipas tij vazhdimësi të një mentaliteti racist.

“Ndjesa e një monstre! Miq, deklarata e Snezhana Paunoviçit, ministre në qeverinë e Aleksandar Vuçiqit, se ‘po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën’, shkaktoi reagime të shumta.

Ndaj kësaj deklarate, me të cilën kjo monstër dëshmonte se për të gjenocidi është mënyra e zgjidhjes së problemeve ndëretnike, reaguan ashpër zëdhënësja e Komisionit Evropian, Komisionerja për Zgjerim, Znj. Kos, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, deputetë evropianë, si dhe dhjetëra deputetë e personalitete në Serbi por, natyrisht, jo qeveria e Tiranës.

Ndaj të gjitha këtyre reagimeve, monstra e gjenocidit ‘kërkoi ndjesë’ dhe e ‘korrigjoi’ me cinizëm ekstrem deklaratën e saj, duke thënë se ajo duhej të kishte thënë ‘deportim’ dhe jo ‘spastrim etnik’, duke dëshmuar kështu se thelbi i moralit të saj është racizmi ndaj etnisë tjetër dhe gjenocidi.

Me këtë rast, Partia Demokratike dënon edhe një herë me forcën më të madhe deklaratat raciste, antishqiptare dhe çnjerëzore të ministres serbe, heshtjen si fija e barit të narkoqeverisë së Tiranës, si dhe përsërit kërkesën për shpalljen e saj ‘non grata’ dhe ngritjen e padisë për nxitje të gjenocidit ndaj saj”, shkruan ai./ad

08:00 Histori/ 64 pas Krishtit – Zjarri i madh që dogji Romën, a e ndezi Neroni?

By: Leonard
18 July 2026 at 08:00

Më 18 korrik të vitit 64 pas Krishtit, në orët e vona të natës, një zjarr i përmasave katastrofike shpërtheu në qytetin e Romës, në zonën e tregjeve pranë Circo Massimo-s. Për gjashtë ditë e shtatë netë me radhë, flakët përfshinë metropolin e Perandorisë Romake, duke shkatërruar thuajse dy të tretat e qytetit. Kjo ngjarje mbeti një nga fatkeqësitë më të mëdha urbane të antikitetit dhe, njëherazi, një nga më të diskutuarat për shkak të rolit të paqartë të perandorit Nero.

Si ndodhi?

Zjarri nisi në një dyqan me materiale të ndezshme pranë arenës së garave me qerre. Këto dyqane, të ndërtuara ngjitur me njëra-tjetrën prej druri, u përfshinë menjëherë nga flakët. Era e fortë dhe lagjet e dendura ndihmuan në përhapjen e shpejtë të zjarrit.

Roma e kohës ishte një qytet i mbipopulluar, me ndërtesa të ngjeshura, të ndërtuara kryesisht prej druri dhe me rrugë të ngushta. Kushtet e papërshtatshme urbane bënë që zjarri të dilte jashtë kontrollit. Nga 14 lagjet administrative të qytetit, vetëm katër i shpëtuan dëmit, tre u dogjën plotësisht dhe shtatë të tjera u dëmtuan rëndë.

Kryeqendra e debatit

Kur shpërtheu zjarri, Nero ndodhej në rezidencën e tij në Antium (sot Anzio). Sipas burimeve historike, posa mori lajmin, ai u kthye menjëherë në Romë dhe hapi pallatet e tij për të strehuar të pastrehët, si dhe vendosi furnizim ushqimor me çmime të reduktuara. Por veprimet e tij nuk mjaftuan për të shuar dyshimet dhe thashethemet.

Fakt apo legjendë?

Shprehja e famshme që e përshkruan Neronin duke luajtur në instrumentin e tij muzikor gjatë zjarrit është përhapur nga historianë romakë si Suetonius dhe Dio Cassius. Taciti, një tjetër burim i rëndësishëm, është më i kujdesshëm, duke pohuar se nuk është e sigurt nëse Nero ndodhej në qytet në momentin e shpërthimit të zjarrit.

Ka hipoteza se Nero, i pasionuar pas arkitekturës dhe ndërtimit, mund ta ketë urdhëruar zjarrin për të rindërtuar Romën sipas vizionit të tij. Projekti i tij pas zjarrit ishte ndërtimi i një kompleksi gjigant që përfshinte Domus Aurea (Shtëpia e Artë), një pallat monumental që zinte një pjesë të madhe të tokës së djegur. Kjo ka shtuar dyshimet mbi motivet e vërteta të perandorit.

Fajësimi i të krishterëve

Për të larguar dyshimet nga vetja, Nero fajësoi një komunitet të vogël e të përbuzur në atë kohë: të krishterët. Ata u akuzuan se kishin vënë zjarrin dhe iu nënshtruan një persekutimi të tmerrshëm. Shumë prej tyre u kryqëzuan, u djegën të gjallë apo u hodhën për t’u shqyer nga kafshët në arenat publike.

Kjo ishte një nga përndjekjet më të hershme dhe më mizore kundër të krishterëve në Perandorinë Romake dhe shënoi fillimin e një tradite të gjatë persekutimesh.

Rindërtimi i Romës

Pas zjarrit, Nero nisi një fushatë të madhe rindërtimi. Rrugët u zgjeruan, ndërtimet prej druri u ndaluan dhe shtëpitë duhej të kishin mure mbajtëse guri dhe kopshte ndarëse. Megjithëse këto masa sollën përmirësime në planifikimin urban, shumë romakë e panë këtë si një përpjekje për ta kthyer qytetin në një monument të egos së perandorit.

Burimet historike dhe dyshimet

Historianët romakë si Taciti, Suetonius dhe Dio Cassius janë burimet kryesore për ngjarjen. Por secili ka shkruar me dekada pas ndodhive dhe shpesh me paragjykime politike kundër Neronit. Taciti vetë pranon se thashethemet dhe urrejtja popullore ndaj perandorit luajtën rol në narrativën publike.

Disa historianë modernë kanë propozuar që zjarri të ketë qenë aksidental, një ndodhi e zakonshme në një qytet si Roma antike. Por mënyra si Nero reagoi, si përfitoi nga katastrofa dhe si u soll me të krishterët, e bëri atë figurën më të urryer dhe më të diskutueshme të historisë romake.

Përfundimi

Zjarri i madh i vitit 64 pas Krishtit ishte një ngjarje me pasoja të mëdha urbane, politike dhe kulturore. Pavarësisht se e vërteta absolute për rolin e Neronit nuk mund të dihet me siguri, një gjë është e qartë: kjo tragjedi shënoi një pikë kthese në historinë e Romës dhe ndikoi thellësisht në marrëdhënien e pushtetit me shoqërinë dhe minoritetet fetare të kohës. Roli i perandorit Nero mbetet një mister mes realitetit historik dhe legjendës.

Përgatiti: L.Veizi

 

07:50 Horoskopi ditor, 18 Korrik 2026

By: Anisa
18 July 2026 at 07:50

Dashi
Fundjava nis me një energji të fortë dhe me dëshirën për të vepruar menjëherë. Në punë keni grumbulluar një ritëm shumë të mirë dhe do të arrini të përfundoni edhe detyrat më të vështira. Në dashuri pasioni është në kulmin e tij, por bëni kujdes të mos tregoheni tepër posesivë me partnerin. Besimi i ndërsjellë do të jetë çelësi për një mbrëmje të qetë dhe plot harmoni.

Demi
Një ditë e karakterizuar nga konkretësia dhe stabiliteti. Yjet favorizojnë negociatat financiare, investimet e vogla për shtëpinë dhe marrëveshjet tregtare. Nëse keni një çështje burokratike të pazgjidhur, përpiquni ta trajtoni që në orët e para të mëngjesit. Në jetën private mbizotëron qetësia dhe mund të mendoni më seriozisht për projekte të rëndësishme për të ardhmen.

Binjakët
Mërkuri ju dhuron shkëlqim, shpejtësi mendimi dhe shumë ide të reja. Do të jeni në qendër të vëmendjes gjatë një takimi pune apo një bisede të rëndësishme, duke lënë përshtypje shumë të mirë. Kujdes vetëm të mos shpërndani energjitë në shumë projekte njëherësh. Pjesën e dytë të ditës kushtojani personit që doni dhe momenteve romantike.

Gaforrja
Dielli vazhdon të ndriçojë shenjën tuaj, duke ju dhënë një hijeshi të veçantë dhe një intuitë të fortë. Megjithatë, mund të ndjeni pak lodhje mendore, ndaj mos e teproni me angazhimet dhe delegoni detyrat më pak urgjente. Në dashuri është koha të lini pas kujtimet e vjetra dhe të shijoni mundësitë e bukura që sjell e tashmja.

Luani
Jeni në një fazë tranzicioni dhe përgatitjeje strategjike. Kjo ditë ju këshillon të veproni me kujdes dhe të vëzhgoni më shumë situatat përreth përpara se të bëni lëvizjen tuaj. Mos nxitoni me vendimet financiare apo çështjet e rëndësishme. Mbrëmjen kushtojani pushimit dhe kujdesit për veten.

Virgjëresha
Një ditë shumë produktive ju pret falë mbështetjes së yjeve që favorizojnë organizimin dhe praktikën. Do të jeni të saktë, të shpejtë dhe të aftë për të gjetur zgjidhjen e një problemi që ju ka shqetësuar prej ditësh. Në dashuri përpiquni të lini pak mënjanë racionalitetin dhe dëgjoni më shumë zemrën tuaj.

Peshorja
Një pengesë e vogël burokratike ose një afat i papritur mund t’ju krijojë pak nervozizëm në pjesën e parë të ditës. Përdorni diplomacinë tuaj natyrale për të shmangur debatet dhe tensionet. Situata do të përmirësohet ndjeshëm pasdite dhe mbrëmja ju sjell qetësi, shoqëri të mirë dhe momente të këndshme.

Akrepi
Jeni ndër shenjat më të favorizuara të kësaj periudhe. Intuita do të jetë aleati juaj më i madh dhe do t’ju ndihmojë të merrni vendimet e duhura në punë dhe në biznes. Nëse keni përpara një zgjedhje të rëndësishme, besojini instinktit tuaj. Udhëtimet janë të mbrojtura nga yjet, ndërsa edhe pasioni në dashuri rikthehet me intensitet të madh.

Shigjetari
Yjet ju ftojnë të vendosni më shumë rregull në financat tuaja. Është momenti i duhur për të planifikuar me kujdes shpenzimet e verës dhe për të shmangur surprizat e pakëndshme në fund të muajit. Në dashuri ndjeni nevojën për ndryshim dhe emocione të reja, ndaj një aktivitet ndryshe me partnerin mund të sjellë shumë kënaqësi.

Bricjapi
Disa ndikime planetare kërkojnë kujdes në marrëdhëniet me të tjerët. Shmangni përplasjet direkte dhe tregohuni më fleksibël ndaj kërkesave të partnerit apo bashkëpunëtorëve. Hapja ndaj mendimeve të të tjerëve do të jetë arma juaj më e fortë për të kaluar çdo situatë pa tensione të panevojshme.

Ujori
Java e punës mbyllet me përqendrim te përgjegjësitë dhe çështjet praktike. Do të jeni shumë të kujdesshëm ndaj detajeve dhe do të mund të zgjidhni disa probleme të vogla shtëpiake që i keni shtyrë prej kohësh. Kujdesuni më shumë për shëndetin: ushqimi i lehtë dhe pak aktivitet fizik do t’ju ndihmojnë të largoni stresin.

Peshqit
Hëna dhe planetët e shpejtë nxisin kreativitetin tuaj dhe forcojnë anën romantike. Kjo mund të jetë një ditë shumë e bukur për ndjenjat: beqarët mund të përjetojnë një takim të papritur që ndryshon planet e verës. Në punë ndiqni frymëzimin tuaj dhe mos kini frikë të prezantoni idetë që keni./ad

 

07:36 Termometri shkon deri në 41 gradë, parashikimi i motit për sot në vend

By: Anisa
18 July 2026 at 07:36

Last Updated on 18/07/2026 by Anisa

Shqipëria do të vijojë të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta gjatë ditës së shtunë.

Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti pritet të jetë kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa vranësira të pakta kalimtare do të shfaqen në zonat malore të veriut dhe lindjes së vendit.

Era do të fryjë nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në zonat detare valëzimi do të jetë i ulët, me forcë 1 deri në 2 ballë.Kushtet atmosferike do të favorizojnë mot të qëndrueshëm gjatë gjithë ditës, duke krijuar kushte të përshtatshme për aktivitetet në natyrë dhe në bregdet./ad

07:00 Nga Leonard Veizi/ “Mein Kampf”, platforma e shpërfillur që paralajmëroi botën për shfarosje

By: Leonard
18 July 2026 at 07:00

Më 18 korrik 1925 botohet bibri që u kthye në manifestin politik të Partisë Nacionalsocialiste

 Nga Leonard Veizi

Adolf Hitlerit i duhej një platformë ideologjike për t’i kthyer ambiciet e tij në projekt pushteti. Dhe e ndërtoi. Në vitin 1925 botoi “Mein Kampf”. Pavarësisht debateve për pasazhe dhe ide të huazuara nga autorë të tjerë, libri mbetet dokumenti themelor i nazizmit. Aty nuk kishte vend për nëntekste: vizioni për Gjermaninë e re, luftën si mision historik, pushtimet territoriale, hierarkinë racore dhe eliminimin e atyre që i shpallte “armiq” ishte artikuluar me një qartësi të frikshme. Ishte një paralajmërim i hapur. Bota zgjodhi ta trajtonte si delirin e një radikali periferik. Çmimin e kësaj verbërie do ta paguante vetëm pak vite më vonë, me Luftën e Dytë Botërore dhe me tragjedinë më të madhe që kishte njohur njerëzimi…

…Më 18 korrik 1925 u botua vëllimi i parë i Mein Kampf – “Lufta ime” – jo thjesht si një autobiografi, por si projekti politik i një njeriu që synonte ta riformësonte Evropën përmes dhunës, racizmit dhe kultit të udhëheqësit.

Në vitin e parë libri shiti rreth një mijë kopje. I gjatë, i rëndë dhe i shkruar në një stil të ngatërruar, ai u injorua nga shumica. Por nuk ishte libri i parëndësishëm; ishte bota që refuzoi ta merrte seriozisht. Kur Hitleri u bë kancelar në vitin 1933, Mein Kampf u shndërrua në një bestseller të detyrueshëm: miliona kopje u shpërndanë, u dhuroheshin çifteve të sapomartuara dhe rekrutëve, duke u kthyer në “ungjillin” politik të regjimit nazist.

Çfarë ishte në të vërtetë?

Manifesti i një ideologjie që do ta çonte Evropën drejt shfarosjes. Teoria e “racës ariane” superiore dhe shpallja e hebrenjve, sllavëve dhe popujve të tjerë si armiq biologjikë. Mohimi i demokracisë parlamentare, urrejtja ndaj liberalizmit dhe komunizmit, glorifikimi i pushtetit absolut të Führer-it dhe doktrina e Lebensraum – “hapësirës jetike” – që, sipas Hitlerit, duhej të fitohej me luftë në Lindje.

Për këdo që e lexonte pa naivitet, shumë nga ajo që ndodhi më pas nuk ishte surprizë. Lufta, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i rendit evropian nuk ishin improvizime të viteve 1939–1945. Ato buronin nga një program ideologjik i shkruar dhe i botuar një dekadë e gjysmë më parë. Holokausti, pushtimi i Polonisë dhe agresioni ndaj Bashkimit Sovjetik nuk lindën nga rastësia; ato ishin pasojë e një ideologjie që Hitleri e kishte shpallur hapur dhe që regjimi nazist e vuri në jetë.

Këtu qëndron ironia vdekjeprurëse: elitat politike dhe intelektuale evropiane e trajtuan Hitlerin si një ekstremist folklorik që do të zbutej sapo të merrte pushtetin. Në të vërtetë, pushteti nuk e zbuti; e armatosi.

Historia e Mein Kampf është një aktakuzë ndaj vetëkënaqësisë demokratike. Ajo na mëson se fjalët nuk janë kurrë të pafajshme. Kur një lider shpall se do të pushtojë, do të zhdukë dhe do të sundojë përmes terrorit, ai duhet marrë seriozisht. Idetë mund të mbeten bojë mbi letër, por kur bashkohen me pushtetin shtetëror, shndërrohen në tanke, në kampe përqendrimi dhe në varreza masive.

Ky është mësimi i 18 korrikut 1925: katastrofat nuk vijnë pa paralajmërim. Ato vijnë pasi paralajmërimi është shpërfillur.

 

❌
❌