Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2026Sinjali

Anglia shkatërron Francën në pjesën e parë, “Tre Luanët” në epërsi 4-0

18 July 2026 at 23:53

Kombëtarja e Anglisë ka zhvilluar një pjesë të parë të jashtëzakonshme ndaj Francës në ndeshjen për medaljen e bronztë në Kupën e Botës 2026, duke shkuar në pushim me epërsi të thellë 4-0.

“Tre Luanët” e zhbllokuan rezultatin që në minutën e tretë, kur Declan Rice realizoi një gol spektakolar nga distanca.

Pak më vonë, Bukayo Saka arriti të dërgonte topin në rrjetë, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje. Epërsinë e dyfishoi Ezri Konsa, i cili shënoi me kokë pas një harkimi të saktë të Rice.

Në minutën e 37-të, Marcus Rashford realizoi golin e tretë pas një bashkëpunimi me Sakan, duke e vënë Francën në një pozitë shumë të vështirë.

Në anën tjetër, “Gjelat” tentuan të reagojnë përmes Kylian Mbappes, por sulmuesi francez nuk arriti t’i konkretizonte mundësitë e tij.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, Saka u shfaq sërish protagonist, duke realizuar një gol të bukur për rezultatin 4-0.

Mbetet të shihet nëse Franca do të arrijë të reagojë në pjesën e dytë apo Anglia do ta ruajë epërsinë dhe do ta sigurojë medaljen e bronztë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Anglia shkatërron Francën në pjesën e parë, “Tre Luanët” në epërsi 4-0 appeared first on Sinjali.

Ukraina godet objektet logjistike dhe një impiant nafte në Rusi

18 July 2026 at 23:38

Ukraina ka ndërmarrë sulme në shkallë të gjerë gjatë natës në pjesën qendrore të Rusisë, duke shënjestruar disa depo dhe një objekt nafte.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se forcat ukrainase kanë goditur dy objekte të mëdha logjistike në rajonet e Moskës dhe Tambovit.

Sipas tij, këto objekte përdoreshin nga Rusia për furnizimin me komponentë të sanksionuar, të nevojshëm për prodhimin e dronëve dhe pajisjeve të navigimit.

Zelensky tha se sulmet janë pjesë e asaj që Kievi e quan “sanksione afatgjata” kundër Rusisë.

Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë operacionit është goditur edhe një objekt nafte, ndërsa autoritetet lokale ruse kanë konfirmuar sulme në disa zona.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ukraina godet objektet logjistike dhe një impiant nafte në Rusi appeared first on Sinjali.

Mot i vranët me intervale me diell, temperaturat deri në 34 gradë

18 July 2026 at 23:34

Për të dielën në Kosovë parashihet mot kryesisht i vranët, por nuk do të mungojnë as intervalet me diell.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat vende-vende pritet të shoqërohen me riga shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 30 deri në 34 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndimor, me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra në sekondë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mot i vranët me intervale me diell, temperaturat deri në 34 gradë appeared first on Sinjali.

KFOR zhvendos 67 kontejnerë nga kazermat e FSK-së në Bërnicë, për kushte më të mira për futbollistët e rinj

18 July 2026 at 23:30

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka përfunduar zhvendosjen e 67 kontejnerëve nga kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në terrenet e futbollit në zonën e Bërnicës/Brnjicës, me qëllim përmirësimin e kushteve për sportistët e rinj.

Operacioni u realizua nga Ekipi i Ndërlidhjes dhe Monitorimit të KFOR-it (LMT K8), me mbështetjen e kapaciteteve inxhinierike të Grupit të Përbashkët të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it (JLSG), në koordinim me Policinë Ushtarake të KFOR-it dhe FSK-në.

Sipas KFOR-it, zhvendosja nisi më 17 qershor, pas një kërkese nga Federata e Futbollit e Kosovës, ndërsa u përmbyll gjatë ditëve të fundit. Kontejnerët do të shërbejnë për krijimin e hapësirave më të përshtatshme për futbollistët e rinj, duke ofruar ambiente për stërvitje, ndërrim dhe përgatitje para ndeshjeve.

KFOR ka theksuar se kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm me institucionet lokale dhe partnerët në Kosovë për të mbështetur mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve.

“Ky aktivitet pasqyron përkushtimin e KFOR-it në promovimin e shëndetit dhe mirëqenies, me fokus të veçantë te zhvillimi i të rinjve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post KFOR zhvendos 67 kontejnerë nga kazermat e FSK-së në Bërnicë, për kushte më të mira për futbollistët e rinj appeared first on Sinjali.

Drake vë 1.5 milionë dollarë bast për fitoren e Argjentinës

18 July 2026 at 23:30

Reperi i njohur kanadez Drake ka vendosur një bast të madh për finalen e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.

Artisti, emri i vërtetë i të cilit është Aubrey Drake Graham, ka vënë 1.5 milionë dollarë, rreth 1.28 milionë euro, në fitoren e Argjentinës.

Drake publikoi në Instagram një fotografi të bastit të vendosur në platformën “Stake”, vetëm pak orë para finales që zhvillohet në “New York New Jersey Stadium”.

Në rast se Argjentina shpallet kampione bote, reperi pritet të arkëtojë mbi 5 milionë dollarë, apo rreth 4.36 milionë euro.

Krahas fotografisë së bastit, ai shkroi me humor: “Cila ishte ajo shprehja? Më shumë fat herën tjetër…”, duke shprehur hapur besimin te kombëtarja argjentinase.

Drake njihet për bastet e tij të mëdha sportive, por edhe për disa humbje të bujshme. Së fundmi, ai humbi rreth 850 mijë euro pasi Conor McGregor u mposht nga Max Holloway në UFC.

Në rrjetet sociale prej vitesh qarkullon edhe teoria e njohur si “Mallkimi i Drake”, sipas së cilës ekipet ose sportistët që ai mbështet publikisht shpesh përfundojnë duke humbur.

Tashmë mbetet të shihet nëse Argjentina do ta fitojë trofeun dhe do ta thyejë këtë “mallkim” në finalen ndaj Spanjës.

Drake has gone big on Argentina in the World Cup Final 👀

A $5.1M payout awaits on Stake, if they beat Spain in regular time. pic.twitter.com/VMkPFTK951

— Stake.com (@Stake) July 18, 2026

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Drake vë 1.5 milionë dollarë bast për fitoren e Argjentinës appeared first on Sinjali.

Kosova drejt zgjedhjeve të reja? Afati kushtetues po ecën, partitë ende pa marrëveshje

18 July 2026 at 23:20

Derisa afati kushtetues po ecën, Kosova mbetet në një fazë pasigurie politike rreth formimit të institucioneve të reja.

Diskutimet e deritanishme nuk kanë sjellë asnjë epilog, ndërkaq seanca për konstituimin e Kuvendit pritet të thirret pas dy javësh.

Pezullimi i diskutimeve nga LDK dhe përplasjet e brendshme në këtë subjekt, sipas njohësve të fushës kanë shtuar pasigurinë rreth sigurimit të shumicës së nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Analistët vlerësojnë se roli i PDK-së mund të jetë vendimtar në këtë fazë. Sipas Sadik Zeqirit, pas përçarjeve në LDK ka dilema nëse të gjithë 18 deputetët e këtij subjekti do të jenë të gatshëm të votojnë për presidentin e ri.

“Nëse nuk ka bisedime me PDK-në, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje. LDK nuk i ka votat 18 votat e garantuara 18 për kandidatin për president”, tha Zeqiri për RTK.

Edhe sipas analistes, Fatime Hajdari, zhvillimet e fundit në LDK e kanë thelluar krizën politike në vend.

“LDK nuk ka pasur siguri të brendshme në kontrollimin e votës, se sa vota i ka në një bashkëpunim politik. Ata duhet të kenë qartësi. Këto parti politike duhet të kenë përgjegjësi dhe obligim për të bashkëpunuar me njëra – tjetrën”, Hajdari.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu tha të premten se në fillim të gushtit do të thirret seanca konstituive e Kuvendit.

Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë RTK-së se shpresojnë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Pas takimit të fundit, nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se do të qëndrojnë në opozitë, ndërsa LDK ka ndërprerë bisedimet, duke krijuar pasiguri se si do të vazhdohet tutje në formimin e institucioneve të reja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kosova drejt zgjedhjeve të reja? Afati kushtetues po ecën, partitë ende pa marrëveshje appeared first on Sinjali.

Ndahet nga jeta ish-udhëheqësi i Infektivës në Spitalin e Pejës, Fadil Kurmehaj

18 July 2026 at 22:47

Ka ndërruar jetë Dr. Fadil Sylë Kurmehaj, mjek dhe ish-udhëheqës shumëvjeçar i Repartit të Infektives në Spitalin Rajonal të Pejës.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja, ndërsa kolegë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë kanë shprehur ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta.

Dr. Kurmehaj është kujtuar si profesionist i përkushtuar, koleg human dhe personalitet me kulturë të gjerë. Gjatë karrierës së tij në mjekësi, ai u dallua për profesionalizëm dhe kujdes të veçantë ndaj pacientëve.

Përveç angazhimit në sektorin e shëndetësisë, Dr. Kurmehaj ishte aktiv edhe në jetën publike dhe politike.

Ai shërbeu për disa mandate si asambleist në Kuvendin Komunal të Pejës, ku, sipas bashkëpunëtorëve të tij, u dallua për korrektësi dhe angazhim në shërbim të qytetarëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ndahet nga jeta ish-udhëheqësi i Infektivës në Spitalin e Pejës, Fadil Kurmehaj appeared first on Sinjali.

Pas 20 vjetësh në arrati, ish-anesteziologu kapet në një jaht pranë New Jerseyt

18 July 2026 at 22:38

Ronald L. Fischer, ish-anesteziolog nga Rhode Island dhe një nga personat më të kërkuar prej kohësh në këtë shtet, është arrestuar pas më shumë se dy dekadash në arrati.

Sipas FBI-së, Fischer u kap në një jaht me vela pranë brigjeve të New Jerseyt, pasi një informacion i dhënë nga një hulumtues në internet ndihmoi autoritetet ta lokalizonin, raporton Fox News.

Ai ishte arratisur në vitin 2005, gjatë gjykimit për sulm seksual ndaj një fëmije, dhe nuk ishte kthyer më në gjykatë. Më vonë, juria e shpalli fajtor në mungesë për sulm seksual të shkallës së parë.

Hetuesit zbuluan se Fischer po qëndronte në New York dhe përdorte një jaht 56 këmbë të gjatë, të regjistruar nën një identitet të rremë.

Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua nga marshallët amerikanë, agjentët e FBI-së dhe pjesëtarët e Rojës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara. Fischer u arrestua pa rezistencë dhe më pas iu dorëzua autoriteteve kompetente.

Zyrtarët amerikanë deklaruan se arrestimi dëshmon se kalimi i kohës nuk e fshin përgjegjësinë penale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pas 20 vjetësh në arrati, ish-anesteziologu kapet në një jaht pranë New Jerseyt appeared first on Sinjali.

Gazetari Enrik Mehmeti humb jetën në aksident me motor

18 July 2026 at 22:28

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të shtunën në Vlorë, ku si pasojë ka humbur jetën gazetari i “News24”, Enrik Mehmeti.

Mehmeti, 40 vjeç, raportohet se ka ndërruar jetë pas një aksidenti me motocikletë.

Ai ishte i angazhuar prej vitesh në raportimin e ngjarjeve nga qarku i Vlorës, duke mbuluar zhvillime të shumta për “News24” dhe “BalkanWeb”.

Grupi hetimor po vazhdon punën për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit tragjik.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gazetari Enrik Mehmeti humb jetën në aksident me motor appeared first on Sinjali.

Moti i keq godet finalen e Botërorit, Spanja dhe Argjentina anulojnë stërvitjet

18 July 2026 at 22:15

Përgatitjet e Spanjës dhe Argjentinës për finalen e Kupës së Botës 2026 janë penguar nga moti i keq në New Jersey, ku stuhitë me vetëtima kanë detyruar anulimin e stërvitjeve të fundit para ndeshjes së madhe.

Spanja kishte planifikuar ta zhvillonte seancën në “Melanie Lane Training Ground”, por lojtarët nuk u lejuan të dilnin në fushë për shkak të rrezikut nga rrufetë.

Sipas rregullave të sigurisë së FIFA-s, ekipet mund të rikthehen në fushë vetëm pasi të kenë kaluar të paktën 30 minuta pa shkarkime elektrike. Meqë kushtet atmosferike nuk u përmirësuan, stafi i Luis de la Fuentes vendosi ta anulonte stërvitjen.

Situata ka shtuar shqetësimet te Spanja, pasi Lamine Yamal dhe Pedro Porro raportohet se kanë probleme fizike pas gjysmëfinales kundër Francës.

Me të njëjtën situatë është përballur edhe Argjentina e Lionel Scalonit, stërvitja e së cilës është ndikuar nga stuhitë. Të dyja kombëtaret shpresojnë që moti të përmirësohet përpara finales.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Moti i keq godet finalen e Botërorit, Spanja dhe Argjentina anulojnë stërvitjet appeared first on Sinjali.

Yesterday — 18 July 2026Sinjali

Arkëtarja e re dështon ta hapë arkën, grabitësi largohet duarbosh nga supermarketi

18 July 2026 at 21:48

Një tentativë grabitjeje në një supermarket në provincën e Firences ka dështuar në mënyrë të pazakontë, pasi arkëtarja, e cila ishte në ditën e saj të parë të punës, nuk arriti ta hapte arkën.

Sipas mediave lokale, grabitësi hyri në supermarket dhe iu drejtua menjëherë arkëtares 20-vjeçare, të cilën dyshohet se e kërcënoi duke i kërkuar t’i dorëzonte paratë.

Megjithatë, për shkak të mungesës së përvojës, punonjësja nuk mundi ta hapte arkën, duke ia zgjatur kohën hajdutit dhe duke prishur planin e tij për t’u larguar shpejt.

Pas disa minutash pritjeje, grabitësi u detyrua të hiqte dorë dhe të largohej pa marrë para.

Ndërkohë, klientët dhe punonjësit e tjerë e kuptuan se çfarë po ndodhte dhe ndërhynë. Disa prej tyre e ndoqën grabitësin, ndërsa në vendngjarje u njoftuan karabinierët.

Pavarësisht ndjekjes, i dyshuari arriti të largohej para mbërritjes së policisë dhe ende nuk është kapur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arkëtarja e re dështon ta hapë arkën, grabitësi largohet duarbosh nga supermarketi appeared first on Sinjali.

Irani pezullon memorandumin e mirëkuptimit: Uashingtoni shkeli zotimet

18 July 2026 at 21:32

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka bërë të ditur se Teherani ka pezulluar zbatimin e zotimeve të marra në kuadër të memorandumit të fundit të mirëkuptimit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë shkelur marrëveshjen.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars, Gharibabadi tha se SHBA-ja ka pezulluar të gjitha detyrimet e saj që buronin nga memorandumi i Islamabadit.

“Edhe ne kemi pezulluar zotimet tona, nuk po i zbatojmë ato dhe jemi të angazhuar në mbrojtjen e vendit”, deklaroi ai, transmeton Anadolu.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve.

Memorandumi i mirëkuptimit ishte ndërmjetësuar nga Pakistani dhe ishte nënshkruar në muajin qershor, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Irani pezullon memorandumin e mirëkuptimit: Uashingtoni shkeli zotimet appeared first on Sinjali.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut: Po shqyrtoj arrestimin e Netanyahut nëse vjen në Nju Jork

18 July 2026 at 21:15

Në shtator, Benjamin Netanyahu mund të gjendet përballë një situate të pazakontë: të hyjë në selinë e Kombeve të Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme, ndërsa ndaj tij ekziston një urdhër arresti dhe një kryebashkiak që po shqyrton nëse ai mund të zbatohet.

Kryebashkiaku i ri demokrat i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka njoftuar se po verifikon nëse ekzistojnë mjete ligjore për të zbatuar urdhrin e arrestimit të lëshuar ndaj kryeministrit izraelit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN).

“Besoj se kryeministri Netanyahu duhet të gjykohet në Hagë”, deklaroi Mamdani gjatë një interviste për New York Times, duke iu referuar liderit izraelit si “një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare”.

Netanyahu dhe ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, akuzohen nga GJPN për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit në Rripin e Gazës pas sulmeve të 7 tetorit 2023.

Mes akuzave janë përdorimi i urisë si metodë lufte, përmes mohimit të furnizimeve të domosdoshme për mbijetesën e popullsisë civile, si dhe akuza për vrasje, përndjekje dhe akte të tjera çnjerëzore.

Precedentët

Kjo nuk është hera e parë që Mamdani shprehet në këto terma ndaj liderit izraelit. Qëndrimet e tij janë pjesë e një linje që ai ka mbajtur prej vitesh.

Mamdani, i pari mysliman dhe i pari amerikan me origjinë nga Azia Jugore (i lindur në Ugandë nga prindër me origjinë indiane) që u zgjodh kryebashkiak i Nju Jorkut në janar 2026, prej kohësh është ndër zërat më kritikë në politikën amerikane ndaj qeverisë së Netanyahut.

Kur ishte deputet i shtetit të Nju Jorkut, në vitin 2023 ai promovoi projektligjin “Not on Our Dime!: Ending New York Funding of Israeli Settler Violence Act”, i cili synonte të ndalonte financimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor përmes organizatave bamirëse të regjistruara në shtetin e Nju Jorkut.

Gjatë fushatës zgjedhore, ai kishte deklaruar gjithashtu se Netanyahu duhet të arrestohej nëse do të mbërrinte në qytet pas urdhrit të arrestimit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare më 21 nëntor 2024.

Problemi i marrëdhënieve mes GJPN-së dhe SHBA-ve

Kryebashkiaku i Nju Jorkut ka pranuar se nuk e di nëse ka autoritetin ligjor për t’i urdhëruar Departamentit të Policisë së Nju Jorkut arrestimin e një kreu qeverie të huaj.

“Jemi në një proces diskutimi aktiv” me zyrën ligjore të qytetit, tha ai. “Do të bëjmë atë që ligji më lejon të bëj, por nuk do të hartojmë ligje të posaçme vetëm për këtë qëllim.”

Megjithatë, deklaratat e tij mund të mbeten vetëm në nivel politik. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar traktatin themelues të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë dhe për këtë arsye nuk janë të detyruara ligjërisht të zbatojnë vendimet e saj.

Kështu, edhe nëse Netanyahu do të udhëtojë në Nju Jork për Asamblenë e OKB-së, një arrestim i mundshëm nuk do të varej vetëm nga vullneti i administratës së qytetit, por do të përfshinte qeverinë federale amerikane dhe një sërë çështjesh komplekse të së drejtës së brendshme dhe ndërkombëtare.

Faktori Trump

Qëndrimi i Mamdanit është krejtësisht i kundërt me atë të administratës Trump. Presidenti amerikan e ka cilësuar urdhrin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare si “të paligjshëm”.

Në përputhje me këtë qëndrim, Trump i ka garantuar Netanyahut mbështetje të plotë, pasi kryeministri izraelit ka udhëtuar gjashtë herë drejt Shteteve të Bashkuara pas lëshimit të urdhrit të arrestimit, duke u pritur në Shtëpinë e Bardhë dhe në rezidencën Mar-a-Lago, pa asnjë pasojë nga vendimi i GJPN-së.

Në vijim të kësaj politike, më 6 shkurt 2025, pak pas vizitës së Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që autorizonte qeverinë amerikane të vendoste sanksione ndaj zyrtarëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që përfshihen në hetime ndaj qytetarëve amerikanë ose të vendeve aleate, si Izraeli.

Nëse deklaratat e Mamdanit do të mbeten një deklaratë politike apo do të shndërrohen në një çështje diplomatike, pritet të shihet në shtator, kur liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por një gjë është e sigurt: urdhri i arrestimit i Gjykatës Penale Ndërkombëtare do të vazhdojë ta shoqërojë çdo udhëtim ndërkombëtar të Netanyahut, duke e kthyer çdo vizitë zyrtare të tij në një çështje jo vetëm diplomatike, por edhe ligjore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kryebashkiaku i Nju Jorkut: Po shqyrtoj arrestimin e Netanyahut nëse vjen në Nju Jork appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | U raportua e zhdukur nga strehimorja në Prishtinë, 13-vjeçarja kthehet në shtëpi

18 July 2026 at 21:04

13-vjeçarja, e cila ishte raportuar e zhdukur pasi ishte larguar nga një strehimore në Prishtinë, është gjetur dhe është kthyer shëndoshë e mirë në familjen e saj, raporton Sinjali.

Sinjali kishte raportuar se e mitura, M. H. 13 vjeçare, ishte larguar më 17 korrik nga Strehimorja-Qendra “MVPT” në Prishtinë.

Sipas burimeve të Sinjalit, përgjegjësja e strehimores kishte deklaruar se vajza kishte dalë në oborr rreth orës 15:30, ndërsa rreth 15:50 ishte vërejtur se nuk ndodhej më në objekt. Dyshohej se ajo ishte larguar përmes derës kryesore, e cila kishte pasur probleme teknike dhe mund të kishte mbetur e hapur.

Pas raportimit, Policia, njësitë hetimore, Qendra për Punë Sociale dhe familjarët u angazhuan në kërkimin e saj.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 18 korrik, rreth orës 12:40, punëtorët e strehimores janë njoftuar nga prindi i vajzës se 13-vjeçarja ishte kthyer në shtëpi.

Rasti mbetet në trajtim nga njësia e hetimeve, e cila do të vazhdojë procedurat e mëtejshme policore për sqarimin e rrethanave të largimit të saj nga strehimorja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | U raportua e zhdukur nga strehimorja në Prishtinë, 13-vjeçarja kthehet në shtëpi appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | U ndal në Vërmicë, 45-vjeçari nga Rahoveci dërgohet direkt në burg për ta vuajtur dënimin

18 July 2026 at 21:00

Një 45-vjeçar nga Rahoveci ka përfunduar në burg pasi u arrestua në Pikën Kufitare të Vërmicës, ku rezultonte i kërkuar me urdhër-arrest të Gjykatës, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Habib Sakip Shehun nga Rahoveci.

Sipas burimeve të Sinjalit, ai u ndal në orët e para të mëngjesit të 18 korrikut në Pikën Kufitare të Vërmicës, pasi gjatë verifikimeve policore rezultoi se ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest për veprën penale “Kanosje”.

Pas ndalimit, patrulla e Stacionit Policor në Rahovec e mori në dorëzim të kërkuarin dhe, rreth orës 08:45, e dërgoi në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Sipas burimeve të Sinjalit, ai do të vuajë 15 ditë burgim, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | U ndal në Vërmicë, 45-vjeçari nga Rahoveci dërgohet direkt në burg për ta vuajtur dënimin appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | Bleu cigare me dollarë, u kthye pas 5 minutash dhe mashtroi marketin “Llapi” në Fushë Kosovë me 600 dollarë të falsifikuar

18 July 2026 at 20:58

Një pronar marketi në Fushë Kosovë dyshohet se ka rënë pre e një mashtrimi me 600 dollarë të falsifikuar, pasi një klient i panjohur fillimisht bleu cigare dhe më pas u kthye për t’i këmbyer paratë në euro, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se ankues është M. Gashi, 45 vjeçar, pronar i “Market Llapi” në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja kishte ndodhur më 16 korrik, rreth orës 05:00 të mëngjesit. Një klient kishte hyrë në market, kishte blerë një pako cigare dhe kishte paguar me dollarë amerikanë.

Rreth pesë minuta më vonë, ai ishte kthyer sërish dhe kishte kërkuar që t’i këmbeheshin 600 dollarë në euro. Pronari i marketit ia kishte dhënë 510 euro, duke besuar se kartëmonedhat ishin autentike.

Mashtrimi u zbulua vetëm kur ankuesi i dërgoi dollarët në një pikë këmbimi për t’i konvertuar, ku iu tha se kartëmonedhat ishin të falsifikuara.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Falsifikim i parasë”.

Policia është duke punuar për identifikimin e personit që dyshohet se ka vënë në qarkullim kartëmonedhat e falsifikuara.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | Bleu cigare me dollarë, u kthye pas 5 minutash dhe mashtroi marketin “Llapi” në Fushë Kosovë me 600 dollarë të falsifikuar appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | Krisma kallashnikovi në një dasmë në Suharekë – Policia bastis ahengun dhe arreston 34-vjeçarin

18 July 2026 at 20:50

Të shtënat me armë zjarri në një aheng familjar në Suharekë kanë përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, sekuestrimin e një kallashnikovi dhe arrestimin e një 34-vjeçari, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Bujar Sallauka, 34 vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 18 korrik, rreth orës 11:00, pas një informacioni anonim se në një aheng familjar në lagjen “Sallauka”, në fshatin Budakovë të Suharekës, po dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri.

Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pas komunikimit me pronarin e shtëpisë, Sh. Sallauka, është identifikuar personi që dyshohet se kishte shtënë me armë.

Gjatë ndërhyrjes, Policia ka sekuestruar një pushkë automatike AK-47, e cila dyshohet se ishte përdorur gjatë të shtënave, si dhe pesë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, të gjetura në vendin e ngjarjes.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Bujar Sallaukës është iniciuar rasti për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet për rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | Krisma kallashnikovi në një dasmë në Suharekë – Policia bastis ahengun dhe arreston 34-vjeçarin appeared first on Sinjali.

Aksident te rrethrrotullimi i madh në Mitrovicë, s’dihet për të lënduar

18 July 2026 at 20:45

Një aksident trafiku ka ndodhur te rrethrrotullimi i madh në Mitrovicë.

Në bazë të pamjeve të publikuara nga media lokale “Jepi Zë” shihet se si pasojë e aksidentit janë krijuar kolona.

Sinjali ka kontakuar Policinë dhe është në pritje të një përgjigje zyrtare rreth këtij aksident.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident te rrethrrotullimi i madh në Mitrovicë, s’dihet për të lënduar appeared first on Sinjali.

Zbulohet laborator droge në Hagë, evakuohen rreth 150 banorë dhe arrestohen katër persona

18 July 2026 at 20:37

Rreth 150 banorë të një lagjeje në Hagë janë evakuuar për herë të dytë brenda 24 orëve, pasi policia zbuloi një laborator të dyshuar për prodhimin e drogës sintetike.

Evakuimi i parë u krye të premten, për t’u mundësuar ekipeve të specializuara të largonin rezervuarë që përmbanin rreth 500 deri në 750 litra materiale potencialisht të rrezikshme, të vendosura pranë laboratorit.

Banorët u lejuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre gjatë natës, por të shtunën në mesditë u urdhëruan të largoheshin përsëri, në mënyrë që autoritetet të përfundonin çmontimin e pajisjeve dhe largimin e substancave nga objekti.

Një zëdhënës i policisë tha për AFP-në se zbulimi i laboratorëve të tillë në zona të banuara nuk është i zakonshëm.

Bashkia paralajmëroi se gjatë largimit dhe shkatërrimit të substancave ekziston rreziku që materiale të dëmshme të përhapen në mjedis. Banorët pritet të kthehen në shtëpitë e tyre rreth mesnatës.

Në lidhje me rastin janë arrestuar katër burra të moshës nga 34 deri në 71 vjeç.

Sipas gazetës holandeze De Volkskrant, laboratori dyshohet se përdorej për prodhimin e substancës MDMA dhe të pilulave të njohura si “ekstazi”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zbulohet laborator droge në Hagë, evakuohen rreth 150 banorë dhe arrestohen katër persona appeared first on Sinjali.

Irani sulmon Arabinë Saudite

18 July 2026 at 20:31

Irani ka sulmuar gjatë natës Arabinë Saudite për herë të parë në gati tre muaj, kanë bërë të ditur dy burime për agjencinë Reuters.

Sulmet kanë aktivizuar sistemet e paralajmërimit të hershëm në al Kharj, në lindje të kryeqytetit Riad, si dhe në Yanbu, përgjatë bregdetit të Detit të Kuq.

Sipas burimeve, një prej sulmeve kishte në shënjestër Bazën Ajrore të Princit Sultan në al Kharj, ku janë të vendosura edhe forca amerikane.

Mediat shtetërore saudite raportuan se alarmet e paralajmërimit të hershëm ishin aktivizuar, por nuk dhanë hollësi për shkakun apo pasojat e mundshme të sulmeve.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit nuk ka konfirmuar dhe as përmendur ndonjë sulm ndaj Arabisë Saudite.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Irani sulmon Arabinë Saudite appeared first on Sinjali.

❌
❌