Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Tiranë, lirohen dy hapësira publike në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës liroi sot dy hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme, në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit.

Policia njoftoi sot se “referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, pasi dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontinier, pa lejen e organeve kompetente”.

Gjithashtu “gjatë kontrollit në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

/m.q/j.p/

The post Tiranë, lirohen dy hapësira publike në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjenevë, Shqipëria pjesë e forumit global për mbrojtjen e konsumatorit

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mori pjesë në Konferencën e 9-të të UNCTAD, për çështjet e mbrojtjes së konsumatorit, e cila u zhvillua në Gjenevë, Zvicër.

Konferenca ndërkombëtare, e organizuar nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD), mblodhi përfaqësues të lartë qeveritarë, ekspertë dhe institucione ndërkombëtare, për të diskutuar sfidat dhe politikat më të mira për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Kjo është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e kësa konference.

UNCTAD, si një nga organet kryesore të OKB-së, promovon zhvillimin e qëndrueshëm, integrimin e vendeve në zhvillim në ekonominë globale, dhe politika gjithëpërfshirëse tregtare në funksion të mbrojtjes së konsumatorit.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum të rëndësishëm shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin institucional për forcimin e mekanizmave kombëtarë për mbrojtjen e konsumatorit, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. /j.p.

The post Gjenevë, Shqipëria pjesë e forumit global për mbrojtjen e konsumatorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërron jetë në Durrës ish-ambasadori gjerman, Werner Daum

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ish-ambasadori i Gjermanisë, Werner Daum ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.

Ai është gjetur i pajetë në një hotel në Durrës.

Ish-diplomati ndodhej për një vizitë në Shqipëri, dhe dy ditë më parë, mori pjesë së bashku me Sali Berishën në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo në Kavajë.

Werner Daum shërbeu si ambasador në Shqipëri nga viti 1987 deri në vitin 1990, pikërisht në kohën kur nisi lëvizja kundër regjimit komunist.

Ai hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët, duke dalë kundër udhëzimeve të qeverisë së tij.

Në një intervistë të dhënë më vonë, ai pranoi se bëri këtë gjë qëllimisht, duke e ditur se eksodi masiv i shqiptarëve do sillte edhe rrëzimin e regjimit komunist.

Ish-ambasadori Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i PD, Sali Berisha.

Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990. /j.p/

The post Ndërron jetë në Durrës ish-ambasadori gjerman, Werner Daum appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – Arrestohet një nga drejtuesit e dyshuar të “Ndrangheta”-s

12 July 2025 at 13:40

BOGOTA, 12 korrik /ATSH/ – Autoritetet kolumbiane njoftuan se kanë kapur një drejtues të dyshuar të mafies italiane “Ndrangheta” në Amerikën Latine, i akuzuar për drejtimin e dërgesave të kokainës dhe për menaxhimin e rrugëve të trafikut të paligjshëm drejt Evropës, sipas AP.

Policia e identifikoi të dyshuarin si Giuseppe Palermo, i njohur edhe me emrin “Peppe”, një shtetas italian i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar të Interpol-it në 196 shtete.

”Ai u arrestua në rrugë në kryeqytetin kolumbian, Bogota, gjatë një operacioni të koordinuar mes autoriteteve kolumbiane, italiane dhe britanike, si dhe agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol”, sipas një raporti zyrtar.

”Palermoja besohet se është pjesë e një prej bërthamave më të forta dhe më të lidhura të mafies ‘Ndrangheta”, tha kreu i policisë kolumbiane, Carlos Fernando Triana, në një postim në platformën X.

“Ndrangheta”, një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të fshehta të Italisë, ka shtrirë ndikimin e saj edhe jashtë vendit dhe akuzohet gjerësisht për importimin e kokainës në Evropë.

”I dyshuari jo vetëm që drejtonte blerjen e dërgesave të mëdha të kokainës në Kolumbi, Peru dhe Ekuador, por kontrollonte gjithashtu edhe rrugët detare dhe tokësore që përdoren për transportimin e drogës drejt tregjeve evropiane”, shtoi Triana./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post KOLUMBI – Arrestohet një nga drejtuesit e dyshuar të “Ndrangheta”-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Lavrov: Koreja e Veriut mbështet plotësisht qëllimet e pushtimit të Ukrainës

12 July 2025 at 13:39

MOSKË, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov vlerësoi sot aleancën ushtarake me Korenë e Veriut, gjatë një vizite në këtë vend të mbyllur diktatorial.

“Miqtë tanë koreanë kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për të gjitha objektivat e operacionit special ushtarak dhe veprimet e udhëheqjes dhe ushtrisë ruse”, tha Lavrov, duke përdorur termin që Kremlini përdor për pushtimin e Ukrainës e që ka nisur prej më shumë se tre vitesh.

Koreja e Veriut e ka mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës duke i dërguar Moskës armë dhe ushtarë.

Bisedimet e ministrit Lavrov me homologen e tij koreano-veriore, Choe Son Hui, në qytetin portual Wonsan u zhvilluan në sfondin e raportimeve mediatike për një dërgim të ri të ushtarëve koreanoveriorë në Rusi.

Ushtarë nga Koreja e Veriut janë dislokuar në rajonin perëndimor rus të Kurskut, për të rimarrë pjesë të zonës që ishin zënë nga trupat ukrainase.

Edhe pse u desh kohë që ky dislokim të njihej zyrtarisht, në fund të qershorit televizioni shtetëror i Koresë së Veriut, KCTV, transmetoi pamje ku udhëheqësi Kim Jong Un vendoste flamurin koreano-verior mbi një arkivol duke nderuar me gjasë ushtarë që humbën jetën në luftën në Ukrainë.

Në kryeqytetin koreano-verior, Phenian, Lavrov falënderoi Korenë e Veriut për ndihmën dhe shpalli se në Kursk do të ngrihet një memorial për ushtarët koreanoveriorë të rënë ne Ukrainë./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post RUSI – Lavrov: Koreja e Veriut mbështet plotësisht qëllimet e pushtimit të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks i lartë udhëtarësh, Gazheli në pikën doganore të Qafë Botës

TIRANË, 12 korrik / ATSH / Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi sot një vizitë pune në pikën doganore të Qafë Botës, ku është evidentuar një fluks i lartë udhëtarësh për shkak të sezonit turistik.

Për shkak se pala greke nuk po operon me kapacitet të plotë, kjo pikë kufitare po përballet me radhë të gjata dhe pritje të zgjatura.

Ndaj dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje të gjithë udhëtarëve dhe turistëve që të shmangin kalimin nga Qafë Bota dhe të orientohen drejt pikave të tjera kufitare, të Kakavijës apo Tre Urave në Përmet.

Ky orientim do të ndihmojë në lehtësimin e qarkullimit dhe përshpejtimin e procedurave kufitare për të gjithë qytetarët. j.p/

The post Fluks i lartë udhëtarësh, Gazheli në pikën doganore të Qafë Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Euroja zbret në nivelin më të ulët historik

TIRANË, 12 korrik  /ATSH/ Leku ka forcuar ndjeshëm pozitat në këmbim me monedhat e huaja përgjatë javës së dytë të muajit korrik të këtij viti, ndërsa euroja zbreti në nivelin më të ulët historik.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë monedha europiane është dobësuar me 0,06 lekë këtë fundjavë. Ajo këmbehej në fillim të javës me 97,90 lekë dhe në fundjavë me 97,84 lekë.

Gjithashtu luhatje të terrenit ka shfaqur edhe dollari amerikan që këmbehet sot me 84,14  lekë kundrejt 83,85 lekë që ishte të hënën. Monedha e gjelbër amerikane këtë javë u forcua me 0,29 lekë.

Ndërsa paundi britanik pas një rritjeje të vlerës ditën e mërkurë në vlerën 113,66 lekë, ka shënuar një rënie ditën e premte duke kapur kuotën e 113,39 lekë me një zbritje totale prej 0,07 lekë nga dita e hënë, kur u këmbye me 113,46 lekë.

Franga zvicerane ka pësuar një rritje graduale që nga dita e hënë duke u këmbyer sot me 105,083 lekë kundrejt vlerës 104 ,65 lekë që këmbehej ditën e hënë. /j.p/

The post Euroja zbret në nivelin më të ulët historik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Energjia, IT dhe mbrojtja – sektorët potencialë të bashkëpunimit Kosovë – SHBA, sipas Osmanit

PRISHTINË, 12 korrik/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë përgjatë një bashkëbisedimi në Institutin Hudson në Uashington këtë javë se Kosova është thellësisht e interesuar për bashkëpunim ekonomik me Shtetet e Bashkuara, dhe beson që dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.

Sipas Osmanit, propozimet e saj janë në përputhje me qëndrimet e presidentit amerikan, Donald Trump për një Amerikë më të fortë dhe madhështore.

Ajo e ka nisur diskutimin duke përmendur faktin se Kina e ka pothuajse monopolin në përpunim të mineraleve të rralla të tokës që gjenden në disa vende të botës, andaj vendet si Kosova dhe aleatet tjera duhet t’i ndihmojnë SHBA-së në hapjen e fabrikave për përpunim të këtyre mineraleve dhe njëra prej këtyre vendeve ku mund të hapet një e tillë mund të jetë edhe Kosova.

Sipas saj, kështu do të forcohej edhe më shumë pozicioni i SHBA-së kundrejt Kinës dhe do të zvogëlohej ndikimi negativ kinez në botë.

Duke folur për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, ajo e ka përmendur që Kosova është e treta në Evropë dhe e pesta në botë me rezervat e thëngjillit.

“Tani ekzistojnë teknologji të reja, andaj synojmë të bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara, me kompanitë amerikane që të sjellin teknologjinë, e cila do të mundësonte përdorimin e rezervave që kemi, por në mënyrë më të pastër”, ka thënë Osmani, duke treguar për pasojat negative me të cilat përballen qytetarët e Kosovës nga nxjerrja dhe përdorimi i thëngjillit aktualisht përmes sistemeve të vjetra.

Aktualisht, rreth 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, ndërsa 10 për qind nga burime tjera.

Termocentralet në Obiliq vazhdojnë t’i tejkalojnë kufijtë e lejuar të ndotjes për gazrat vdekjeprurës, dhe pavarësisht obligimeve ndërkombëtare dhe paralajmërimeve nga raportet mjedisore, Kosova mbetet ndër vendet më të ndotura në Ballkan.

Pasojat ndihen më së shumti te fëmijët dhe të moshuarit – me rritje të rasteve të sëmundjeve respiratore, kancerit dhe vdekjeve të parakohshme.

Teknologjia informative

 

Kur ka folur për kapacitetin e madh në bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës në sektorin e teknologjisë informative dhe inteligjencës artificiale, ajo e ka argumentuar propozimin e saj me faktin që Kosova e ka popullsinë më të re në rajonin e Ballkanit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mosha mesatare është 34.3 vjeç.

“Kompanitë e teknologjisë informative veçse kanë bashkëpunim të ngushtë me kompanitë në SHBA. Rreth 75 për qind e kompanive në këtë industri punojnë ngushtë me SHBA-në”, ka deklaruar Osmani.

Pagat në sektorin e teknologjisë informative në Kosovë janë ndjeshëm më të larta sesa pagat mesatare edhe në sektorin publik, edhe në atë privat, dhe shkojnë në mbi 2.000 euro.

Sektori i mbrojtjes

Kur ka folur për sektorin e mbrojtjes, presidentja Osmani ka thënë se Kosova është duke analizuar mënyra për prodhim të armëve.

“Besojmë se Kosova ka kapacitet të jashtëzakonshëm për prodhim të armëve, përkrah SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim, në këtë periudhë kur na duhet të prodhojmë më shumë për shkak të nevojave tona të brendshme, por edhe për shkak të asaj që i nevojitet Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleancës së NATO-s – ku Kosova synon të anëtarësohet”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Kosovës i patën bërë publike synimet për ndërtim të fabrike për prodhim municionesh, në bashkëpunim me një kompani turke të armëve.

Informacione tjera nuk janë dhënë, me arsyetimin se janë konfidenciale.

Kosova, me 1.5 milion banorë e ka Forcën e saj të Sigurisë, e cila është në proces të shndërrimit në ushtri të rregullt dhe pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe policinë me rreth 9.000 pjesëtarë.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë këtë vit është 207.8 milionë euro, apo 54 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar.

Ndër vite, Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar Kosovës në sektorin e mbrojtjes, qoftë përmes dhurimit të armëve apo miratimit të kërkesave për blerje të tyre.

Në janar të vitit të kaluar, SHBA-ja pati miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit raketor kundërtank Javelin.

Pas transformimit të FSK-së në ushtri, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

Ndër vite, Qeveria ka blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja.

Më herët gjatë vitit, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes e kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim, e njohur si CISMOA.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike. /rel/

The post Energjia, IT dhe mbrojtja – sektorët potencialë të bashkëpunimit Kosovë – SHBA, sipas Osmanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, sekuestrohen veshje kontrabandë me vlerë 40 mijë euro

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranë ka sekuestruar disa veshje sportive, të dyshuara si të kontrabanduara me vlerë totale 40 mijë euro.

Në kuadër të operacionit të koduar “Silent Load”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. Xh., 52 vjeç, banues në Kukës.

Policia njoftoi sot se “në rrugën “Bardhyl”, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues m 52-vjeçarin, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra (veshje sportive) të dyshuara si të kontrabanduara, me vlerë totale 40 000 euro”.

Sipas policisë nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas do t’i shiste veshjet në dyqane të ndryshme të një tregu të shumicës në rrugën “5 Maji”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Tiranë, sekuestrohen veshje kontrabandë me vlerë 40 mijë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Buzë liqenit të Shkodrës, Shiroka ofron qetësi dhe bukuri të rralla

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Vetëm 4 kilometra nga qyteti i Shkodrës, pasi lë Urën e Bunës, të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më karakteristike dhe atraksionet më të njohura turistike të veriut të Shqipërisë.

E vendosur buzë liqenit të Shkodrës dhe në rrëzë të malit Tarabosh, Shiroka ofron një peizazh mahnitës që tërheq turistë vendas dhe të huaj.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ndau sot pamje nga kjo zonë turistike, e cila në ditët e verës mbushet me vizitorë që shijojnë qetësinë dhe bukurinë natyrore të saj.

Ajri i freskët që vjen nga Alpet dhe filtrohet nga ujërat e liqenit krijon një klimë të shëndetshme dhe tërheqëse, duke e bërë Shirokën një destinacion ideal për pushime të shkurtra, por të paharrueshme.

Shiroka ka një histori të pasur qindravjeçare, e dokumentuar nga zbulimet arkeologjike në vendin e quajtur “Ullini i Vetun” në vitin 1959, të cilat ruhen sot në Muzeun Historik të Shkodrës. Në shekullin e 19-të ajo njihej edhe për aftësitë kurative, duke u kthyer në një prej zonave më të famshme të kohës.

Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku jetojnë në harmoni qindra lloje bimësh, kafshësh dhe shpendësh.

Kombinimi i peizazhit natyror, klimës së freskët, pasurisë ekologjike dhe trashëgimisë kulturore e bëjnë Shirokën një ekosistem të rrallë dhe një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turizmin natyror dhe kulturor në Shqipëri. /j.p/

The post Buzë liqenit të Shkodrës, Shiroka ofron qetësi dhe bukuri të rralla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rruga e “Hidallarëve” në Muriqan, investim për zhvillimin rural të Elbasanit

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Ka përfunduar ndërhyrja në rrugën e “Hidallarëve” në fshatin Muriqan, njësia administrative Gjergjan, një segment i rëndësishëm i unazës bujqësore që lidh tokat bujqësore me rrugët kryesore të qarkullimit.

Ky investim vjen si përgjigje ndaj nevojave të banorëve dhe fermerëve të zonës, duke lehtësuar ndjeshëm transportin e prodhimeve bujqësore drejt qytetit dhe pikave të shitjes.

“Investimet në infrastrukturë nuk janë përqendruar vetëm në qytet, por edhe në fshat, aty ku puna dhe prodhimi nuk ndalen asnjëherë. Bujqësia ka qenë dhe mbetet prioritet i bashkisë Elbasan, ndaj dhe përmirësimi i infrastrukturës për fermerët është pjesë e planit tonë afatgjatë”, tha kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

Ai shtoi se investimet në zonat rurale do të vijojnë, duke forcuar lidhjen e drejtpërdrejtë mes qytetit dhe fshatit dhe duke ndihmuar zhvillimin ekonomik lokal. /j.p/

The post Rruga e “Hidallarëve” në Muriqan, investim për zhvillimin rural të Elbasanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“KF Tirana” zyrtarizon blerjen e mbrojtësit të majtë, Georgios Valerianos

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ “KF Tirana” ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit të majtë Georgios Valerianos.

Valerianos ka një karrierë solide në elitën e futbollit grek dhe përvoja ndërkombëtare.

Sipas klubit, Valerianos vjen për të shtuar forcë, përvojë dhe karakter në repartin difensiv të skuadrës.

“Zyrtare: Georgios Valerianos është bardheblu! KF Tirana mirëpret mbrojtësin e majtë Georgios Valerianos, i cili i bashkohet skuadrës sonë për sezonin e ri! Me një karrierë solide në elitën e futbollit grek dhe përvoja ndërkombëtare, Valerianos vjen për të shtuar forcë, përvojë dhe karakter në repartin difensiv të skuadrës sonë. Mirë se erdhe Georgios! Bardheblutë janë shtëpia jote e re”, shkruan klubi bardheblu.

/gj.m/j.p/

The post “KF Tirana” zyrtarizon blerjen e mbrojtësit të majtë, Georgios Valerianos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlorë, hiqen çadrat dhe shezlongët pa leje në një nga plazhet e Lungomares

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Vlorës ne bashkëpunim me atë bashkiake kanë vijuar sot kontrollet në terren për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha bëri të ditur se “gjatë kontrolleve në terren, janë hequr çadrat dhe shezlonget e njërit prej plazheve në zonën e Lungomares, që shfrytëzonte pa leje hapësirën publike”.

“Nga sot, një tjetër sipërfaqe plazhi i është kthyer turistëve dhe qytetarëve të Vlorës”, shkruan Dredha.

/m.q/j.p/

The post Vlorë, hiqen çadrat dhe shezlongët pa leje në një nga plazhet e Lungomares appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Gjykata urdhëron administratën Trump të ndalojë arrestimet e emigrantëve pa shkak të besueshëm

12 July 2025 at 11:40

LOS ANXHELES, 12 korrik /ATSH/ – Një gjykatëse federale mori dje vendimin se Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka kryer ndalime dhe arrestime gjatë kontrolleve të emigracionit në Los Anxheles pa pasur dyshime të arsyeshme dhe urdhëroi që të ndalohen ndalimet që bazohen vetëm mbi racën, gjuhën e folur apo profesionin e personave, sipas CNN.

Gjykatësja e Distriktit, Maame Ewusi-Mensah Frimpong, e emëruar nga ish-presidenti Joe Biden, urdhëroi që DHS të hartojë udhëzime të qarta për oficerët, për të përcaktuar “dyshimin e arsyeshëm” pa u mbështetur tek raca apo etnia e dukshme, gjuha apo theksi, “prania në një vend të caktuar”  apo “lloji i punës që dikush bën”.

Vendimi erdhi pasi Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU)  në Kaliforninë Jugore paditi javën e kaluar administratën Trump në emër të pesë personave dhe disa organizatave që mbrojnë të drejtat e emigrantëve, duke pretenduar se DHS, i cili mbikëqyr Shërbimin e Emigracionit dhe Doganave (ICE), kanë kryer arrestime antikushtetuese dhe ka penguar të ndaluarit të kenë qasje te avokatët e tyre.

Vendimi është i kufizuar vetëm në juridiksionin e Qarkut Qendror të Kalifornisë, që përfshin Los Anxhelesin dhe rrethinat.

Në vendimin e saj, Frimpong shkroi se gjykata duhej të vendoste nëse paditësit mund të provonin që administrata Trump ”po kryen patrullime lëvizëse pa dyshime të arsyeshme dhe po mohon qasjen te avokatët”.

Gjykatësja shtoi se administrata ”dështoi” të japë informacion mbi bazën ligjore të arrestimeve të kryera./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post SHBA – Gjykata urdhëron administratën Trump të ndalojë arrestimet e emigrantëve pa shkak të besueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Garantimi i kushteve të punës, kontrolle në mbi 770 subjekte

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Punës ka intensifikuar kontrollet në vendet e punës dhe në subjekte të ndryshme gjatë muajit qershor, me qëllim garantimin e kushteve të punës dhe respektimin e legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Sipas të dhënave zyrtare, janë inspektuar gjithsej 16 449 vende pune dhe 772 subjekte, ndërsa 175 prej inspektimeve kanë qenë me karakter këshillues.

Gjatë këtij procesi janë ndërmarrë 401 masa administrative, si dhe janë trajtuar 84 ankesa të mbërritura nga qytetarë apo subjekte të ndryshme.

Në kuadër të planit të masave për sezonin turistik, Inspektoriati ka vijuar me inspektimet në të gjithë territorin e vendit.

Kontrollet kanë përfshirë gjithashtu vendosjen e masave administrative në përputhje me shkeljet e konstatuara, si dhe caktimin e detyrave konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe zbatimin e rregullave të sigurisë në vendin e punës. /j.p/

The post Garantimi i kushteve të punës, kontrolle në mbi 770 subjekte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Pezullohen inspektimet e paautorizuara, inspektorët e AKU do t’i nënshtrohen vlerësimit

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit dhe transparencës në aktivitetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), pas shtimit të ankesave dhe shkeljeve të konstatuara në terren.

Ministrja ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pamiratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me synim krijimin e një profili të ri inspektues në përputhje me ligjin “Për inspektimet” dhe në mbrojtje të interesit të konsumatorit.

Në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, ministrja parashtroi nevojën e dyfishimit të kuotave për studentët që angazhohen në fushën e sigurisë ushqimore, duke i hapur rrugën kështu ndërtimit të një brezi të ri profesionistësh të formuar sipas standardeve europiane.

“Le të mos harrojmë që ky universitet shumë shpejt ka të njësuar certifikatën me një nga universitetet më prestigjioze në Evropë, që është BOKU”, tha ministrja Denaj.

Garantimi i sigurisë ushqimore është një detyrim ligjor për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për të gjitha institucionet e saj të varësisë.

Rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku, vuri në dukje bashkëpunimin e konsoliduar tashmë të MBZHR-së me UBT ndërsa e vlerësoi përfshirjen e UBT-së në procesin e vlerësimit të sftafit të AKU-së, përgjegjësi dhe angazhim të plotë.

Sallaku tha se, UBT është institucioni i vetëm në Shqipëri që mbulon dhe përpiqet të sigurojë të gjitha kompetencat profesionale në fushën e bujqësisë dhe që janë të lidhura drejtëpërdrejtë edhe me sigurinë ushqimore.

“Do të sjellim në komisionin e ngritur për këtë çëshje, njerëzit më me përvojë dhe jashtë çdo konflikt interesi”, tha Sallaku.

/j.p/

The post Denaj: Pezullohen inspektimet e paautorizuara, inspektorët e AKU do t’i nënshtrohen vlerësimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Park fotovoltaik diellor 50 MWp në bashkinë e Belshit

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Në Belsh do të ndërtohet një park diellor 50 MWp, me financim nga BERZH dhe KESH, në një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë.

Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë në parim marrëveshjen e garancisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo marrëveshje i hap rrugë financimit të ndërtimit të impiantit diellor me kapacitet prej 50 MWp në zonën e Belshit.

Projekti, me një kosto totale prej 40 milionë euro, do të financohet përmes një kredie prej 30 milionë eurosh nga BERZH, ku shteti shqiptar do të jetë garantues.

Përveç kësaj, një grant prej 8 milionë euro do të sigurohet nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ndërsa pjesa tjetër prej 2 milionë euro do të vijë si injeksion kapitali nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Parku fotovoltaik do të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 60 hektarësh në territorin e bashkisë së Belshit. Ai do të lidhet me rrjetin elektrik nëpërmjet një linje të re 110 kV, me gjatësi rreth 9 km, që do të shkojë në nënstacionin ekzistues në Kajan, i cili do të zgjerohet për nevojat e projektit.

Sipas BERZH, energjia e prodhuar nga ky impiant do të ndihmojë rritjen e kapacitetit të gjenerimit të KESH-it. /j.p/

The post Park fotovoltaik diellor 50 MWp në bashkinë e Belshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshilltarët e PL në bashkinë e Tiranës: Transparencë mbi procedurat e strehimit në Kombinat

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Anëtari i Partisë së Lirisë në Këshillit bashkiak të Tiranës Artan Distafa në një deklaratë për mediet ngriti sot shqetësimin e strehimit të banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Sipas tij megjithëse kanë kaluar më shumë se 5 vite nga tërmeti ende banorët e Kombinatit janë në gjendje emergjente.

“Jo për shkak të natyrës, për shkak të mashtrimit të planifikuar nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Qindra familje janë ende pa strehë, të përjashtuar, të braktisur dhe të harruar përballë dramës së tyre”, tha Distafa.

Distafa theksoi se grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës kërkon që të publikohet lista e plotë të përfituesve të banesave në Kombinat, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

”Ne, grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kërkojmë urgjentisht transparencë mbi kriteret dhe procedurat e ndjekura; strehim të menjëhershëm për çdo familje që është ende pa çati”, tha Distafa.

“Do të kërkojmë llogari, derisa çdo banor i Kombinatit dhe të gjithë ata banorë që akoma nuk kanë banesat e premtuara, të marrin atë që i takon me të drejtë. Qytetarët nuk kërkojnë më premtime, por përgjegjësi dhe drejtësi”, u shpreh Distafa.

/m.q/j.p/

The post Këshilltarët e PL në bashkinë e Tiranës: Transparencë mbi procedurat e strehimit në Kombinat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Goxhobelli: 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli u shpreh sot se vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti ky institucion ka nxjerrë më shumë vendime legalizimi se sa në të gjithë vitin e kaluar.

Duke iu referuar takimit të djeshëm me Kryeministrin Rama dhe përfaqësues të bashkive nga i gjithë vendi, Goxhobelli theksoi se në takim u fol hapur “për sfidat dhe hapat konkretë që po ndërmarrim për të përshpejtuar procesin e legalizimeve, regjistrimin fillestar dhe kalimin e tokës bujqësore në pronësi”.

“Do të realizojmë 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025”, tha Goxhobelli.

Ajo theksoi se procesi kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të fortë me bashkitë, sepse siç u shpreh ajo,  për çdo vendim të miratuar qëndron një familje që më në fund mund të ndihet e sigurt për pronën e saj. /j.p/

1 nga 5

The post Goxhobelli: 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – PSG një hap larg pushtimit të globit

EAST RUTHERFORD (SHBA), 12 korrik /ATSH-AFP/ – Fituesit e Champions League, ”Paris Saint-Germain” (PSG) mund ta përfundojnë sezonin e tyre historik me trofeun e Kupës së Botës për Klube, një fitore e pesëfishtë, nëse ia dalin mbanë statusit të tyre si favoritë kundër ”Chelseat”, nesër në orën 21:00, në finalen në stadiumin ”MetLife” pranë Nju Jorkut.

Lojtarët e thanë dhe e bënë: arritja në finale u jep atyre një shans për të bërë edhe më shumë histori në një sezon tashmë të jashtëzakonshëm.

Ky titull i pestë, pas Ligës së Kampionëve, kampionatit francez, Kupës së Francës dhe ”Trophée des Champions”, do ta gdhendte më tej kujtimin e ekipit të trajnuar nga Luis Enrique.

Edhe pse kjo garë nuk i bashkon të gjitha ekipet më të mira dhe stadiumet nuk kanë qenë gjithmonë plot, fitimi i Kupës së Botës për Klube për herë të parë nuk do të ishte thjesht një gjë e parëndësishme.

“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, është një mundësi e artë për të qenë në finale, ndodh vetëm çdo katër vjet”, kujtoi kapiteni Marquinhos.

“Do të ishte madhështore të fitonim Kupën e Botës për Klube”, buzëqesh Désiré Doué.

“Do të ishte trofeu ynë i pestë; është gjithashtu një mundësi për ne për të bërë histori. Kështu që do të bëjmë gjithçka që mundemi për të fituar këtë finale”, premtoi sulmuesi 20-vjeçar francez.

– Një ”Chelsea” i ri –

Nga një fitore shkatërruese 4-0 ndaj ”Atléticos” në ndeshjen e parë te poshtërimi me të njëjtin rezultat nga ”Real Madridi” në gjysmëfinale, dhe një përballje elastike me 9 lojtarë dhe 11 lojtarë kundër ”Bayern Munich” në çerekfinale (2-0), PSG bëri përshtypje, pas finales së tyre të shkëlqyer të Ligës së Kampionëve kundër ”Interit” (5-0) më 31 maj.

Në krahasim, ”Chelsea” nuk duket si një provë finale e pakapërcyeshme.

Askush nuk priste që londinezët të arrinin në finale, pasi kishin përfituar nga një barazim i hapur me dështimet e ”Manchester Cityt” dhe ”Interit”.

Megjithatë, pas një raundi të parë që përfundoi me dy fitore dhe një humbje, djemtë e Enzo Marescas ishin mjaftueshëm të fortë për t’u përballur me ”Benfica” (4-1), ”Palmeiras” (2-1) dhe ”Fluminense” (2-0).

Trajneri italian shpjegoi të premten se një ”Chelsea” i ri kishte dalë në muajt e fundit, kur tha se “ekipi ynë meriton besimin e të gjithë tifozëve, sepse këtë sezon përfunduam në katër vendet e para të Premier League, fituam Ligën e Konferencës dhe jemi në finalen e Kupës së Botës. Një vit më parë, askush nuk fliste për ‘Chelsean’ në aspektin e futbollit; ata flisnin vetëm për madhësinë e skuadrës dhe paratë e shpenzuara. Tani, askush nuk flet më për të gjitha këto; ata flasin vetëm për lojën, mënyrën se si fitojmë; kjo është arritja ime më e madhe”.

– Optimizëm –

“A do të jetë kjo ndeshje thjesht një formalitet? Absolutisht jo”, tha Luis Enrique, duke lavdëruar “skuadrën e shkëlqyer” të ”Chelseat” dhe Enzo Marescën, i cili “punon shumë mirë”.

“Çdo ndeshje ka historinë e vet; nuk duhet të biem në kurth vetëm sepse kemi fituar ndeshje dhe kemi shënuar shumë”, paralajmëroi gjithashtu Marquinhos.

Por nëse PSG luan në nivelin e saj, me presionin e tyre me intensitet të lartë dhe modelet marramendëse të pasimeve, ata do të jenë favoritët e qartë.

Një status që nuk përbën asnjë shqetësim për parizianët.

“Ne kemi qenë favoritë në shumicën e ndeshjeve në këtë garë dhe gjithashtu gjatë sezonit, por gjëja më e rëndësishme është ajo që bëjmë në fushë; kjo është ajo që na vendos në një pozicion të mirë ose jo”, thotë 20-vjeçari.

Dhe mos flisni për një ndeshje me hile nëse ata janë të vetëkënaqur apo të pakujdesshëm.

“Nuk jemi aspak të sigurt në vetvete; punojmë çdo ditë për të sfiduar veten”, thekson ai.

Brenda klubit, optimizmi është i lartë.

Një burim i brendshëm i dhomës së zhveshjes përshkruan një grup shumë të përkushtuar dhe të disiplinuar në stërvitje, pa qëllim të relaksohen për ndeshjen finale, pas gjithë progresit që kanë bërë.

“Dhe pastaj janë pushimet”, parashikon Fabian Ruiz./ a.jor.

The post KOMENT – PSG një hap larg pushtimit të globit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌